Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/07/25

Teuta DHIMA: Kur qytetin e sheh me sytë e jetës



Romani më i fundit i autorit Gjergj Vlashi, titullohet “Netët e një qyteti”. Një roman jo shumë voluminoz, por që ngërthen në vetvete probleme të shumta, të cilat parë me syrin e autorit dhe shprehur me gjuhën e tij na japin një panoramë të qytetit të quajtur Kodrishtë.

Autori rrëfen në vetën e parë dhe e bën këtë në një mënyrë tepër interesante. Rrëfimi ka formën e një ditari, shënime të mbajtura në një periudhë kohore prej një muaji, ose 30 ditësh.

Këto shënime sjellin para lexuesit përvojat e personazhit në shëtitjet që ai bën vetëm në qytet. Romanin e bën të veçantë para së gjithash shtrirja kohore. Ajo është gati mujore dhe sjell përvoja të përditshme, të cilat ngrenë e parashtrojnë probleme të jetës së një qyteti, që do të duhen vite e vite për t’u zgjidhur.

“Shëtitësi ynë” (do ta quaj kështu personazhin tonë”, preferon shëtitoren pranë detit, por në programin e tij të mbrëmjes, herë pas herë ka devijime, si rezultat i njerëzve të cilët ai takon.

Cdo natë sjell një personazh. Historia e tij zakonisht fillon dhe mbaron brenda kohështrirjes së shëtitjes. Një kohë që nuk lë shumë mundësi për pjekjen e situatave dhe identifikimin e personazhit. Këtë ngërç të vogël autori Gjergj Vlashi e zgjidh duke vënë në dispozicion të rrëfimit një gjuhë të thjeshtë, dialog të shpeshtë në funksion të situatës dhe përzgjedhjen e kujdesshme të gjuhës së personazheve, të cilat duken sikur rendin për të kapur një tren. Trenin që niset kur personazhi kryesor mbaron shëtitjen e tij dhe i duhet të kthehet në shtëpi.

Me të drejtë ju do të pyesni: – po këtyre njerëzve, nuk ju mjaftoi dita që duhet të rendin edhe natën? Kjo është edhe një nga zgjedhjet mjeshtërore që e karakterizojnë rrëfimin në këtë roman. Ai zgjedh që personazhi i tij të bredhë mbrëmjeve, për faktin e thjeshtë që qyteti natën është tjetër gjë. Ai i përngjan një trupi të rraskapitur nga punët e ditës që kur shtrihet, ndjen dhimbje dhe lodhje. Natën gjithçka është ndryshe. Ato që ditën mund edhe mos t’i shohim fare dhe mos t’i vëmë re, natën vishen me një tis misteri që nuk mund t’i japësh zgjidhje tjetër veç se të vazhdosh shëtitjen dhe të kthehesh sërish në strehën tënde.

Në natën e parë ndesh Maznikun, inxhinierin e pamartuar që punon minierave, në të dytën Lumnikun, skulptorin që po realizon një skulpturë të Xhon Lenonit. Figura e skulptorit i sjell ndërmend gjendjen dhe jetën e artistëve shqiptarë në kohën e diktaturës. Sipas autorit, ata nuk ishin të lirë aspak, por duhet të paraqisnin skulptura të fryra, gra me muskuj që ishin të zhveshura nga çdo delikatesë femërore.

Ngjarjet në roman rrjedhin shpejt. Nuk ka retrospektivë dhe ngjarjet janë të freskëta dhe të sapo jetuara. Dita e parë e shëtitjes, dita e dytë, të tretën ndalet. Personazhi ynë nuk del shëtitje, për të na sjellë ngjarje e personazhe të tjerë, por në natën e tretë, flet për veten, për familjen e origjinës: vëllanë, motrën babanë dhe nënën.

Edhe kur nuk del shëtitje dhe nuk takon njeri, mjafton të flasë për babanë e tij dhe jep një

shembull përfaqësie të gjithë atyre individëve që punuan me ndreshmëri dhe përkushtim, por që vetëm një refuzim i thjeshtë për t’u bërë bashkëpunëtorë të Degës së Brendshme, i çoi drejt një fundi të dhimbshëm.

Nuk mundej kurrësesi autori që në “gostinë e personazheve të natës” mos të na sillte një figurë femërore. Hana… ose Sabihania shoqja klasës së “shëtitësit të mbrëmjes”. Një figurë tipike e vajzës së ndrojtur, që i vetmi luks të cilin mund t’ia lejojë vetes, është të rrijë në stolin para shtëpisë, në mbrëmje, nën vëzhgimin e rreptë të atit fanatik.

Mos u habisni! Ka edhe kështu.

Tepër interesante është nata e pestë e shëtitjes nëpër qytet, hyrja e tragetit që vjen nga Bari në portin e Durrësit. Bashkë me udhëtarët dhe valixhet e tyre, ky traget sjell edhe një sërë historish të trishta. Kujtimi që pret Zinetin gruan e tij. Po a do të vijë…?! Nuk janë të vetmit këta të cilëve largësia iu shkatërroi lidhjen martesore.

Gjatë shëtitjeve, ka edhe mungesa, të cilat mendoj që autori i përdor për thyerjen e monotonisë në shënime. Një lloj shmangieje edhe në numërim: 5, 7. Natë të gjashtë nuk ka.

Shëtitjet e munguara në këto netë, ngjasojnë si apele pa përgjigje, por që gjithmonë e kanë një justifikim. Në natën e gjashtë tezja me të cilën jeton u sëmur, ndaj duhet që t’i qëndronte pranë.

Nëse do të vazhdoja të sillja këtu për ju përvojat e çdo nate të personazhit, do të zgjatesha e do të zgjatesha pafund. Pasi edhe Idriz mashinisti që shoqëron Silvanën në shtëpinë e hallës do vëmendjen e tij. Silvanën që rrezikon të kthehet në një Anë Kareninë e re, apo Viktori, arkeologu që punon për një libër kushtuar Kodrishtës.

Mbrëmjet në vetvete janë misterioze, por ato bëhen edhe më të mistershme kur: kalon pranë një sheshi ku xhirohet një film dhe babai fanatik nuk pranon rolin e vajzës; kur sheh padrejtësitë dhe allishverishet që bëhen nëpër spitale; kur dashuron në heshtje dhe ditën që merr guximin të shfaqësh dashurinë, stoli është i zbrazur. (Hana nuk ka dalë…)

Shëtitjet vazhdojnë… Tek- tuk me mungesa, por vazhdojnë dhe na sjellin, një ish hetues të lidhur me Degën, (Zigur zemërguri që tani i kanë rënë puplat), një farmaciste që pas çdo fjalia përsërit si një refren që jep besueshmëri: – Dëgjo Valën ti!

Kapërcimet janë të fuqishme nga njëri personazh tek tjetri: Nga Spiro, aktori me një memorie fantastike, tek roja i gabinave me një sy, tek Orest peshkatari, varrezat e qytetit dhe më pas këmbët e çojnë atje, tek Hana e tij dhe stoli i zbrazur.

Nuk lodhet “shëtitësi i natës”. Në mbrëmjen e njëzetë e tretë, shkon në qelitë e paraburgimit ku takon toger Shemen, Piktor Paskalin me vese të këqija dhe Islamin, romin që vetëm këndon.

Pas zhgënjimit që pëson në natën e njëzetë e pestë, ku Hana nuk e mban fjalën për të shkuar të jetojë me të, “shëtitësi” gjen ngushëllim tek sheh Altinin depresiv, komshiun e katit të parë, që e jëma e ka braktisur, Dhimitrin që punon e djersitet në furrin e bukës, Maznikun që rreh Zigurin dhe pastruesit e natës që zihen me njëri tjetrin nën refrenin e fësh-fësheve të fshesave të gjata.

Nata e tridhjetë është një bredhje pa plan. Autori sikur rreket të na thotë që: – Pavarësisht planeve dhe ëndrrave tona, jeta do të ndjekë udhën e saj, diku do të ketë një dasmë e diku do të ketë një vdekje. kështu e ka ajo: me njërin sy qesh e me tjetrin qan.



Ps: Romani “Netët e qytetit tim”, më ra në dorë rastësisht, gjatë një shëtitjeje mëngjesore të Gjergj Vlashit në Bibliotekën e Durrësit. Durrësit apo Kodrishtës? E ç’rëndësi ka?

Ai është për t’u vlerësuar për arsenalin e gjallë të personazheve që sjell. Personazhe që kanë një vërtetësi bindëse edhe për nga natyra e rrëfimit, pjesë e të cilit ato janë. Një rrëfim thjeshtë, i qetë, realizuar me një gjuhë pa shumë ojna e ngjyrime emocionale, por që na sjell me vërtetësi jetën e netëve në qytet. Një realitet herë i trishtë e herë i gëzuar, siç është edhe jeta vetë.

Ibrahim Hajdarmataj: Goca e Elbasanit, nuse në Gjakovë


Duke qenë të vetëdishëm për rolin e vendlindjes tek secili person, elbasanllinjtë janë njerëz që e duan artin, e duan të bukurën, e duan jetën. Migena Arllati lindi më 06/09/1974, në qytetin e Elbasanit, në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse.
Në Elbasan Migena do të brumohej dhe edukohej, shkollohej dhe rritej gradualisht dhe më pas do të martohej në Gjakovë.


Image result for migena arllati


Ajo studimet e larta i përfundoi në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë Shqipe – Letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Studimet pasuniversitare i bëri për diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë. Pastaj përfundoi Studimet e Magjistraturës në Qendrën Shtetërore të Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Image result for migena arllati


Aktualisht punon profesoreshë e Gjuhës Shqipe në Universitetin “Fehmi Agani” dhe në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Deri tani është autore e shtatë librave :

Vëllimi me poezi “Mendime në kornizë”.

Monografi “Lindur për tu bërë mjek”.

Kritikë letrare e recensa “Etern Ars”.

Vëllim me poezi “Nuk dashurojnë perënditë”.

Studime gjuhësore “Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës”.

Botime studimore “Patronimet, mbiemrat familjarë në Gjakovë”.

Fjalor Enciklopedik “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, 1886-2017”, me bashkautorsi të Prof. Dr. Astrit Bishqemi.

Krijimtaria e saj është kryesisht, studime gjuhësore dhe kritikë letrare.

Image result for migena arllati

Migena është redaktore dhe recensente e dyzet e tre vëllimeve me poezi dhe prozë të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Ka fituar me dhjetëra çmime në letërsi, nëpër aktivitetet ndërkombetare, në Kosovë dhe Shqipëri, si në Metingun e Poezisë në Gjakovë, u shpall poetja më e mirë e Metingut, duke u vlerësuar me çmimin “Yllka Domi”. Në Zvicër “Filo Let” me poezinë e saj “Jeta ime poezi” merr çmim të dytë.

Me tregimin “Piano” në Festivalin Kombëtar të letërsisë për të rinj, mbajtur në Podujevë nderohet me çmim të dytë.

Me poezinë e saj “Burri i dheut” në konkurimin mbarëkombëtar në Istog, fiton çmimin e parë “Dr. Ibrahim Rugova”.

Në Festivalin e Letërsisë në Podujevë zuri vendin e dytë me poezinë “Ngadhnjimi i ri”.

Po vendin e dytë e mori me poezinë “Idealizëm” në manifestimin letrar “Peja Poetike”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.

Në Klinë u nderua me çmim të parë me poezinë “Motiv monologu” në takimin tradicional kushtuar poetit të ndjerë Tahir Desku.

Gjithashtu në Tiranë laurohet nga “Albanian Excellent” për angazhimet e saj me shoqërinë civile dhe për punë të frytshme në letërsi dhe në arsimin shqiptar.

Prej kohësh ka konfirmuar vullnetin ndaj hulumtimeve në gjuhësi dhe albanologji, duke marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga universitetet anë e mbanë Shqipërisë e Kosovës, si dhe në prezantime të nivelit ndërkombëtar në Slloveni, Itali, Zvicër e Gjermani.

Migena jeton në qytetin e Gjakovës prej 22 vjetësh me bashkeshortin dhe katër fëmijët e saj. Ajo kontribuon vazhdimisht në kulturën dhe jetën artistike të qytetit të Gjakovës, me organizim të sferave të ndryshme.

Ajo gëzon titullin “Qytetare Nderi” në vendlindjen e saj në Elbasan, si dhe mbështetjen dhe respektin e bashkëqytetarëve në Gjakovë, si një mësimdhënëse, krijuese dhe nënë e përkushtuar.

Migena është e palodhur dhe si drejtuese dhe veprimtare në shoqërinë civile. Ajo është drejtoreshë e Fondacionit të Gruas Intelektuale “Nermin Vlora Falaschi” Gjakovë.

Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Anëtare e organizatës botërore “Pentasi B World, Prishtinë e Shkup”.

Anëtare e kryesisë së Shoqatës së Intelektualëve “Gjakova” në Gjakovë.

Anëtare e kryesisë së organizatës humanitare të Kryqit të Kuq në Gjakovë.

Migena 10 vitet e para në Gjakovë i ka paraprirë karrierës së saj në gazetarinë radiofonike, të printuar dhe televizive, ku disa herë ka marrë çmime si:

Organizata amerikane “IREX” mori çmim të dytë për projektin radiofonik kushtuar gruas së pasluftës në Kosovë.

Qendra mediale “Dukagjini” i dha vendin e parë për shkrimin e saj në gazetën “Lajme Exluzive”, lidhur me promovimin e punës dhe sfidat e femrës shqiptare.

… Tek po pinim kafe në një kafene të Gjakovës me Migenën dhe Prof. Halil Ahmetin, se si më lindi ideja dhe e pyeta për emrin e saj. Ajo u skuq pak në fytyrë dhe e skuqura sikur ja shtoi edhe më shumë bukurinë e saj dhe vijoi të flasë:

“Në kohën kur prindërit e mi prisnin që unë të vija në jetë, sigurisht një ndër preokupimet që ata i jepnin rëndësi ishte emri që do të mbaja. Propozime për emërtimin tim vinin nga të gjitha anët, por ata pëlqyen më shumë njërin prej tyre. Ai propozim vinte nga tezja e madhe, Nashi, e cila në atë kohë ishte studente në Universitetin e Tiranës. Ishte koha kur libri i John Golsuorthit, “Lulet e mollës” ishte kthyer në një “best seller” në Shqipëri. Personazhja kryesore e subjektit quhej Migena, ndaj tezja, duke qenë shumë e dhënë pas librave dhe duke e simpatizuar tej masë këtë personazh, këmbënguli që unë të quhesha Migena. Dhe prindërit nuk ia prishën, më quajtën kështu”.

Migenës vazhdimisht zemra i rreh tek arsimi, për të cilin kishte studiuar dhe investuar vite të tëra nga rinia e saj. Ajo sot është ligjëruese e gjuhës së pastër shqipe në Universitetin “Fehmi Agani” dhe në gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Me studentët dhe nxënësit ajo është shumë komunikuese. Studentët dhe nxënësit e saj nuk janë të detyruar vetëm të dëgjojnë në orën e mësimit, por ata janë të lirshëm të shprehen dhe të ndërtojnë prezantimin e tyre në individualitet dhe në grup.

Të shkruash për Migenën gazetare, poete, profesoreshë, nënë, aktiviste duhet një monografi e tërë, por në mbyllje po citoj një poezi të saj, e cila është me dimension shumë domethënës:





LOT



U lodha së numëruari



Dyqind pika loti



Që nesër katërqind presin të bëhen







Si rrjedhin lotët?



Katërqind, tetëqind, dymijë e dyqind pika lot



Sa e sa mijëra të tjerë lot



Që s’quhen me pika



Po hauze, dete e oqeane sot







Siç rrjedhin pa pushim



Mes pllajave-faqe



Të mjafta për përmbytje jo të një qënieje



Po të një bote të tërë në paqe



***



Përfundimisht i uroj Migenës shëndet, gëzim dhe suksese të mëtejshme në karrierën e saj si poete, gazetare, profesoreshë, nënë, aktiviste e palodhur, e thjeshtë, e dashur dhe fisnike.


Lexoni :











Përgatiti : Prof.Dr,Flori Bruqi,Ph.D


Alisa Velaj: Dashuri në Haarlem




Dashuria hyri lehtas rrugicave të Haarlemit

Pezull përmbi lule

Pezull përmbi degë.



Me hapin prej ere erdhi dashuria

Mes ujërave të lumit

Ku përgjumen aq mahnitje!



Ndodhi të ishte prej vese dashuria ime

Mbrëmjeve strukej ashtit të tulipanëve

Agut binte si brymë mbi qytet.



Rrugicave të Haarlemit m’u ngjiz një dashuri

Me mall të kuqërremtë

Si në pikturat e Rembrandit…



25.07.2018

Haarlem, Hollandë.

Ismail Kadare: Kam gjetur një personazh në familjen tonë, nënën, që ishte e lindur për letërsi



Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, vjen në një bisedë konfidenciale me drejtuesen e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Lili Sula

Ai aty rrëfen disa detaje nga fëmijëria e tij dhe marrëdhëniet me nënën.

“Kukulla” është një nga rrëfimet më delikate e mbresëlënëse të prozës suaj. E botuar më 2014, në “Mëngjeset në kafe Rostand: motive të Parisit”, romani u publikua shumë shpejt si libër më vete e më pas në frëngjisht, italisht, spanjisht etj., duke tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës. Po, çfarë është “Kukulla” për ju?
Për “Kukullën”, në radhë të parë, nuk u nisa të jap ndonjë risi për figurën e nënës në letërsi, se figura e saj në letërsi, duhet pranuar, është ndoshta konceptuale, si shqetësim i shkrimtarëve, si dëshirë për të shkruar, si romantikë, si gëzim ose hidhërim ndonjëherë, në rastet kur ata kanë pasur marrëdhënie jo fort të mira me nënat. Në këtë kuadër, do të thoshim se është e njohur marrëdhënia që shkrimtarët kanë me nënat e tyre.
Pothuajse të gjithë kanë qenë të prirur që të shkruajnë për to, madje edhe në rastet kur marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qenë edhe aq të mira, siç e përmenda më lart. Po, kjo çuditërisht është e vërtetë! Për këtë kam shkruar hapur edhe unë. Nga shkrimtarët modernë që kanë shkruar për marrëdhëniet jo të mira me nënën do të përmendnim, për shembull, Xhek Londonin, i cili kishte një acarim të vazhdueshëm me nënën e tij. Biografitë profesionale e përmendin këtë, madje e pranonte edhe vetë shkrimtari. Edhe Balzaku kishte një marrëdhënie jo të mirë me nënën, – jo deri në këtë shkallë, – por edhe ai ka shkruar hapur për të. Nëna e Balzakut e qortonte: – Ti s’di të shkruash! – Ti je dështak! E si mund të imagjinohet kjo! Përse nënat nganjëherë, me bijtë e tyre, shkrimtarë gjenialë, të tërë të talentuar, të silleshin në këtë mënyrë?! Tek-tuk mund të qëllonte që biri të sillej keq me nënën, pa ndonjë arsye.
Pra, është vështirë të gjenden në letërsi rastet kur bijtë silleshin keq me nënat e tyre.

Arti i nxiste ata që të shkruanin të vërtetën. Po shtroj një pyetje në lidhje me këtë gjë: A kërkon letërsia botërore apo morali botëror, apo kurioziteti kulturor botëror në përgjithësi, të vërtetën apo të pavërtetën për nënën? Kjo është një pyetje naive për letërsinë. Letërsia nuk merret me kërkesa të tilla. Ajo s’ka nevojë për asgjë nga këto. Nuk ka nevojë as për nënë, as për babë, as për nip, as për mbesë [qesh]…
Letërsia është letërsi dhe mbetet e tillë. Ajo ka nevojë për vetveten. Fakti tregon se letërsia e madhe, ajo botërore, shpreh vetveten. Letërsia ka ligjet e saj. Dhe, mbi të gjitha, bukuria dhe hyjnia e saj e brendshme është ajo çka të nxit, prandaj unë nuk u nisa të jap ndonjë të vërtetë për nënën. – Jo! Kam sjellë ndër mend nënën time, me një intuitë letrareartistike. Kam kuptuar se figura e saj të jep dorë për letërsi. Figura e nënës sime ishte e pazakontë e kjo më ndihmoi. Po të mos ishte ashtu, nuk do të shkruaja fare për të, por do ta krijoja vetëm në mendjen time.
Ato të dhëna që kam gjetur te nëna ime ishin të tilla… Thuajse nuk e kam përmendur fare nënën në veprën më përpara. I shmangesha gjithmonë përshkrimit të saj. I shmangesha se e ndieja që donte një sqarim kjo gjë; për të thënë të vërtetën e saj. Për shembull, për gjyshen kam shkruar me shumë dashuri, gjithashtu, edhe për gjyshin nga nëna, babazotin, po ashtu edhe për ungjërit, tezet, për të gjithë…
Domethënë, vetiu e kam shmangur gjithmonë nënën, se ishte e komplikuar për t’u shkruar; ishte jashtë skemave. Siç thashë, kjo nuk është e rëndësishme për letërsinë, pra që të shkruaj si ishte nëna ime. Fundja, janë çështje private. Nuk është parim ky. Por është një rastësi në jetën e shkrimtarit. Fillova të shkruaj për figurën e saj të komplikuar se është bukur për letërsi. Nëna ime, Hatixhe quhej, ishte e lindur për letërsi, me atë mendjen e saj të kufizuar. Unë e kam thënë, pa e fshehur, që s’ishte as e zgjuar shumë e as e pazgjuar [qesh]. Ajo e dinte këtë, e pranonte. Dhe ne bënim humor me të. Ajo ishte e tillë që përjashtonte skemën: nënë e mirë ose nënë e keqe; nënë e kujdesshme ose e pakujdesshme. I përjashtonte këto të gjitha. Do të shkruaj thashë. Në këtë rast nuk kam ndonjë tjetër shtysë sesa të respektoj letërsinë, jo nënën, as familjen.

Mund të na veçoni ndonjë prej shkrimtarëve botërorë, që ka lënë gjurmë te ju, në qendër të veprave të të cilëve është figura e nënës?
Plot kam lexuar. Nuk ka vepra kush e di se çfarë për nënën. Ka edhe libra ku trajtohet nëna me tone paksa groteske… Ja, përse e kam marrë zët “Nënën” e Gorkit. Është thuajse e neveritshme! Nëna e tij jepte vetëm këshilla revolucionare. Gorki ishte shkrimtar i madh, të themi të drejtën. Po, si ka rënë ai në këtë personazh?! Nëna e tij qe model për revolucionarët e rinj. Prandaj edhe për letërsinë tonë, ajo [‘Kukulla’] është një arritje. Është një pjekuri që nuk pritet nga një vend ballkanik. Pritej nga Balzaku, për shembull, që të shkruante diçka për nënën, diçka jo të mirë, negative. Por nuk shkroi, vetëm la tek-tuk ndonjë kujtim. Po nëna e Xhek Londonit? Hapi furrë buke vetëm për të turpëruar të birin. Ai filloi të bëhej i pasur nga botimet, ndërsa ajo donte t’i fitonte vetë të ardhurat, kështu u bë furrtare. Siç janë të mira nënat, janë edhe të këqija ndonjëherë. Dhe mua Zoti më dha, si të thuash fati, një nënë që nuk më detyronte as nga njëra anë e as nga ana tjetër që të shformoja gjurmët.

Si mendoni, a përkon titulli “Kukulla” me pjesën e pazakontë të një nëne të çuditshme, pak koketë e artificiale?
Po, e ka këtë lidhje me kukullën si krijesë artistike, artificiale. E kam thënë se ishte pak artificiale si njeri, në kuptimin që nuk ishte e zakonshme. Dhe, në të vërtetë, është një Kukull krejt e veçantë dhe pikërisht këtu qëndron origjinaliteti i saj. Është e thjeshtë! Nëna ime ka vdekur vonë; njëzet vjet pas babait. Dhe më kujtohet, ishte shumë naive. Kishte vërtet një naivitet të theksuar e gati të tepruar. Vuante se mos nuk e merrnim seriozisht. Dhe mirë e kishte, se nga naiviteti thoshte gjëra që të vinte për të qeshur. Ishte gati si fëmijë… Babai im ka qenë i pashëm, ndërsa nëna ka qenë grua e mesme. Në tërë këtë konceptim duhen thënë gjërat që janë… Vërtet lexuesit mund të shfaqin habi për nënën time. E vërteta është se ishte naive, tepër naive, për këtë, jo vetëm babai, por edhe ne, si të thuash, e vinim në lojë. Mospëlqimi i familjarëve për mënyrën se si e kam përshkruar nënën erdhi pa dramaticitet.

Në letërsinë bashkëkohore, “Kukulla” luan rolin e çelësit modern në interpretimin e rrëfimit. Po te ju, si vjen ajo?
Vetë figura e saj, e kukullës, është moderne. Një çelës që të kujton njeriun, sendërgjimin e tij. Është ai a s’është ai. I shkon letërsisë, për të thënë se i shkon shumë bukur. Dhe për çudi, ne kështu e perceptonim, edhe fëmijët e mi, si një kukull. Lozte rolin e kukullës edhe me vajzat. Ndoshta nga kjo e lidha edhe në subkoshiencë. Vajzat e mia i vinin tela, ajo rrinte, se ishte e durueshme dhe e urtë. – Nëna rri kështu tani, – dhe ajo rrinte. Ato e zbukuronin, e kur vinim ne ajo thoshte: – Ç’të bëj unë, më vjen keq t’ua prish vajzave. Kështu ishte tipi i saj [qesh].
Ishte naive. Ajo donte, në kuptimin, i pëlqente dhe ëndërronte të bëhej e famshme, me naivitetin krejt si të fëmijëve, të cilët duan të bëhen mbreti/mbretëresha ose princi/princesha. Ngaqë dëgjonte që unë u bëra i famshëm, me sa duket e ngacmonin gratë dhe me mendjen e saj fare naive mendonte se ç’bëjnë shkrimtarët. Kisha shkruar diku që shkrimtarët e famshëm ndërrojnë nënat, si ndërrohen gratë [qesh]. Nëna ime kujtonte se kjo mund të ndodhte me të vërtetë [qesh]. Nuk e dinte! Dinte ndërrimin e grave, më vonë, që martoheshin e rimartoheshin…
Mirëpo, si të ndërrojë njeriu nënën?! [qesh] Po ishte aq naive, saqë arrinte ta besonte këtë. Me siguri e nxiste fakti që unë isha i dëgjuar, shumë i dëgjuar, dhe ajo e përjetoi këtë gjë; e shijoi si të thuash. Ia thoshin të gjithë: djali yt është i dëgjuar, i famshëm. Dhe i pëlqente që të trajtohej si nëna që ka lindur një fëmijë të famshëm, por edhe këtë e shprehte me naivitet. Gjatë shkrimit të “Kukullës” doja që ajo të më koincidonte me një përfytyrim të bukur të nënës dhe thuajse të gjithë e kanë kapur këtë sens origjinal.
Thënë ndryshe, më nxiti edhe ana e saj artificiale, çka thashë, ana prej manekine, më ndihmoi ai gjaku i saj që ishte pak i ngrirë, në kuptimin statik. Më falte atë përjetësi. Afër statujës. Diçka origjinale që më ka shkuar në mendje është, se më dukej që ajo pagoi një taksë për mua. Pati një mendje të thjeshtë. Nuk do ta besonte njeri që një shkrimtar që quhet i shquar, i madh, e ku e di unë, të ketë një nënë kaq naive e të pamençur, të flasim realisht.

Nga ana tjetër, ju e keni sofistikuar e modernizuar figurën e saj, duke përmbysur gjithë imazhin e nënës në letërsinë tonë.
Mirëpo, e pranoi publiku botëror. E kam vënë re, se ka me qindra artikuj për të. Askund nuk ka diçka jo të mirë ose si të thuash një negacion për të. Përkundrazi, çmohet! Është një nënë e vërtetë dhe e pavërtetë, një nënë e vërtetë për letërsi. E sakrifikuar për letërsinë. Kam përshkruar Izmini Kokobobon, jo vetëm në këtë vepër, por edhe në vepra të tjera, kështu e kishte emrin në të vërtetë.
Ajo kishte studiuar në Itali. Nëna ime pati një rivalitet të hapur me të. Izmini e ngacmonte dhe krijonte situata humori në shtëpinë tonë, duke i thënë: – Ti je nëna e një shkrimtari të famshëm. – E, ashtu jam!, – ia kthente nëna, por me të e kishte si me inat, si të thuash. – Po si nuk del të flasësh në ndonjë konferencë…, – vazhdonte Izmini. Nëna qëndronte pa folur dhe vetëm e dëgjonte, sepse nuk arrinte ta kuptonte a e kishte me të vërtetë apo jo. Unike, në letrat tona, figura e Kukullës-nënë, krijim i fantazisë dhe i kujtesës, që tkurr format trupore për t’i lënë vend lehtësisë së grafikës me tone karikatureske e portretit të zbrazët. Po! E vërtetë është. Nëna ime nuk ishte trupore, njerëzore. Unë nuk e mbaj mend, për shembull, dhe e them me të vërtetë këtë, nuk e mbaj mend ta shihja të hynte ose të dilte nga tualeti. I shmangej kësaj. Por jo vetëm kësaj… Kaq shumë përjashtohej ana trupore tek ajo. Është e çuditshme! Kishte një prudencë, një vetëpërmbajtje, në kohën që unë nuk isha ndonjë i turpshëm [qesh]…

Siç e përmendët, janë të njohura dy forma kryesore marrëdhëniesh mes fëmijëve, (shkrimtarëve të famshëm) me prindërit e tyre. Ç’mund të na thoni për rolin e kujtesës në sendërtimin e Kukullës-nënë?
Është një nga pakënaqësitë e mia! Kam edhe pakënaqësi të tjera, për të cilat kam shkruar edhe gjetkë, siç janë, për shembull, bisedat e tyre në mëngjes, të cilat nuk më pëlqenin fare, për arsye thjesht egoizmi. Mendoja se ata duhet të mendonin të më martonin mua [qesh], e jo të flisnin për ato gjepura; jo nuk na dalin paratë, jo kështu e jo ashtu… Në të vërtetë, unë kisha marrëdhënie të mira me prindërit. Babai dhe nëna ishin njerëz krejt të kundërt. Babai (Haliti) ishte serioz e i heshtur. Kur kam shkruar se babai bënte gjyqe në shtëpi, nuk është trillim, por e vërtetë. Babai im ishte ftues gjyqi. Ftues gjyqi është postier i gjyqit, postier special që dërgon dokumentet gjyqësore.
Pra, ishte një postier i besuar. Një pjesë të kohës e kalonte në sallën e gjyqit. Tërë jetën ka dëgjuar sekrete gjyqësore, që janë të pafundme në një qytet si Gjirokastra; sekrete intime nga ndonjëherë, sekrete që kishin lidhje me trashëgiminë, me tradhtinë bashkëshortore, me tapitë, me ndarje pasurish e të tjera si këto. Ai nuk tregonte asgjë lidhur me to. Ishte institucional, respektonte shtetin, ashtu siç ishin burrat gjirokastritë në përgjithësi.
E siç po thosha, bisedat e tyre të mëngjesit ishin përgjithësisht për anën ekonomike, por unë e kisha mendjen se si nuk më martojnë, të mendojnë për martesën time. Isha dymbëdhjetë–trembëdhjetë vjeç dhe doja të martohesha [qesh]. Të gjithë ne të vegjlit ishim me ëndërrime të tilla. Ëndërronim si është trupi i femrës dhe thoshim ç’bëjnë këta prindërit tanë, duhet të mendojnë të na martojnë [qesh]. Ishim idiotë nga mendja. Ka sinqeritet [te ‘Kukulla’], por kryesorja është që kam respektuar artin. Kam gjetur një personazh në familjen tonë, që ishte e lindur për letërsi.

“Lapsi.al” përhap lajmin e rremë për Kadarenë



“Lapsi.al”, portali i Andi Bushatit dhe Armand Shkullakut ka përhapur lajmin e rremë për gjoja gjendjen e vështirë shëndetësore të Ismail Kadaresë. Portali i referohet një farë Albi Lushi, i ashtuquajtur poet, por që nuk ka denjuar të marrë informacion nga vetë Kadare, nga bashkëshortja e tij Helena apo nga botuesi i “Onufrit”, Bujar Hudhri. Një shtet serioz për këtë lajm të rremë do të reagonte menjëherë, pa u marrë shumë me një vargëzues-budalla që pretendon se shkruan vjersha. Pas këtij lajmi që gjendet ende në portalin “lapsi.al” ka reaguar shtëpia botuese “Onufri”.

Reagimi i plotë

Shtëpia botuese Onufri përgënjeshtron me vendosmëri një lajm të rremë për shëndetin e shkrimtarit Ismail Kadare. Jemi të autorizuar të njoftojmë të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, se Kadare gëzon shëndet të plotë dhe për momentin ndodhet në rezidencën e tij verore në Malin e Robit, Golem, Durrës. Kemi rastin e lumtur që t’ju bëjmë me dije lexuesve të tij të shumtë, se Kadare është në përfundim të librit të tij më të ri “Kur sunduesit grinden”, i cili do të dalë në Panairin e Librit të Tiranës.


“Ismail Kadare në gjendje të rëndë në spital”/ Gazetarja jep detaje për lajmin e bujshëm



Pasditen e se shtunës u përhapur rrufeshëm lajmi se Ismail Kadare është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ka qenë poeti Arti Lushi ai i cili nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale njoftoi se 82-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Miq, më vjen keq të ndaj një lajm të hidhur me ju. Sapo më njoftuan nga spitali Arnand Trouseau në Paris që shkrimtari ynë kombëtar, Ismail Kadare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Uroj që Zoti t’u japë forcë e kurajë familjarëve dhe të afërmve, e mbi të gjitha qetësinë për të pranuar vullnetin e epërm”, – shkroi Lushi.

Por duket se kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Gazetarja Beti Njuma përmes një postimi në Instagram ka treguar se Kadare është “si kokrra e mollës” dhe se vetë ai është habitur nga ky lajm i pavërtetë.

“Një njeri i papërgjegjshëm ka përhapur këto orë lajmin se Ismail Kadare është shtruar në një spital të Parisit në gjendje të rëndë shëndetësore. Botuesi i tij Bujar Hudhri e hedh poshtë këtë “fake news” duke konfirmuar se shkrimtari ynë i madh është si kokrra e mollës. Jetë të gjatë Ismail Kadaresë…”,- shkruan gazetarja në postimin e saj duke shtuar se dhe vetë Kadare është habitur nga ky lajm.

Kadare konsiderohet si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar europianë të shekullit XX, si dhe shkrimtari më i madh i letrave shqipe.

Provokacija, jo të gjitha rrugët çojnë në Beograd


Ymer Avdiu

Serbët vërtet e bëjnë të shijshëm “kiselo kupusin”, ‘‘pecenje od teletine i svinjetinje”, po ama shlivovica serbe nuk mund t’i ofrohet rakisë së Skraparit, prandaj edhe të deh, po besa kush e shijon “srpksi paprikasin” politik , e shumta që mund ta fitojë është një varr në Beograd si Esat Toptani, Cana Begu, Ali Shukria e ndonjë tjetër, sepse Nikolla Pashiqi moto në atë udhëzimin që ua dërgonte zyrtarëve civil e ushtarak në tokat e pushtuara shqiptare e kishte “obecaj-pa ne daj” (premto e mos jep), siç edhe e kishte titulluar dokumentin.

Shkrimtari, publicist italian që kishte edhe plot profesione të tjera, Curzio Malaparte në “Kaput” e tij të famshëm nxjerr aq natyrshëm një kontekst interesant, se viktima kurrë nuk hakmerret ndaj xhelatit e madje e ndjen edhe një lloj kënaqësie, të cilën Erih From në “Ikje nga liria” e quan mazohizëm dhe sadomazohizëm. Kurse vrasjet dhe krimet më makabre bëhen në emër të një ideje madhore, humane, civilizuese. Jo pak raste të tilla të këtij mazohizmi dhe sadomazohizmi gjendet në marrëdhëniet dhe sjelljen e shqiptarëve ndaj serbëve, që nga 1912 e këndej. Po edhe sa krimet janë kryer mbi shqiptarët pikërisht mbi këto “ide madhore” sadiste. Dimitrije Tucoviqi do na tregojë se ndaj ushtrisë serbe që kishte bërë krime të llahtarshme në Shqipëri që nga Podujeva e Novi Pazari deri në Durrës e Rogozhinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike, me rastin e kalimit të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, duke ikur nga ushtria e “Boshtit”, më 1915, pra gjatë Luftës së Parë Botërore, jo vetëm se shqiptarët nuk i ishin hakmarrë dhe as i kishin penguar, por përkundrazi e kishin ndihmuar me ushqime e veshmbathje, sado që e kishin rastin që ta asgjësonin këtë ushtri e cila sa ishte e rrezikuar sa nga austriakët dhe bullgarët, aq ishte edhe nga moti dhe sëmundjet.

Dihet pastaj ç’sjellje e veprime kishte bërë ushtria serbe pas Luftës së Parë Botërore ndaj shqiptarëve jo vetëm në tokat e pushtuara shqiptare, por dihen edhe mizoritë e tyre ne zonat kufitare si Lumë, Dibër etj. Raste të tilla të “humanizmit” të shqiptarëve ndaj soldateskës serbe u përsëritën edhe sa e sa herë, po sidomos dihen sjelljet e disa kuadrove të partizanëve shqiptarë të ardhur në Kosovë e Sanxhak ti ndihmonin vëllezërit jugosllav. Të frymëzuar nga “solidariteti” i Titos, i Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës, S.V. Tepmpos, Velimir Stojniqit ishin treguar shumë të zellshëm në mposhtjen e nacionalistëve shqiptarë jo vetëm në Kosovë, Sanxhak e Gostivar, por kishin rrjepur për së gjallë edhe nacionalistë në Jug të Shqipërisë, sic tregohet rasti në familjen Butka.

Asgjë në botë nuk na qenka më e ngjashme siç është bota e Shqipërisë me Serbinë?!!!

Është e vërtetë se shumë shqiptarë rruga i ka nxjerrë dhe i nxjerr në Beograd. Disa nga nostalgjia, disa nga interesi, disa nga detyrimi, disa nga halli, disa nga inferioriteti…Shkojnë pjesëtarë të shoqërisë civile nga Prishtina, që mjelin fonde në emër të kozmopolitizmit nga fondacione të ndryshme, shkojnë tregtarë të vegjël të blejnë bagëti dhe ushqim për kafshë, shkojnë ndërmarrës të mëdhenj që blejnë të gjitha llojet e prodhimeve serbe dhe i furnizojnë tregjet e Kosovës e besa edhe të Shqipërisë, shkojnë mafiozë e tregtarë ilegal të nëntokës, shkojnë spiun që edhe po nuk deshën janë të detyruar, shkojnë grupe punuese nga institucionet shtetërore të Shqipërisë në seminare e grupe të ndryshme të punës, shkojnë pacientë hallexhi që nuk kanë para të shërohen në Kosovë, në Maqedoni, në Turqi a gjetiu, shkojnë vajza të reja shqiptare për tu martuar me serb pleq në fshatrat e braktisura që shiten për 1-2 mijë euro, shkojnë edhe për kokrrën e qejfit që të takojnë miqtë, dashnorët dhe dashnoret e vjetra…ka plot e përplot shqiptarë të Kosovës që kanë pasaporta serbe…

Prof.dr. Hatixha Berisha, profesoreshë në Akademinë Ushtarake Serbe në një intervistë në RTS, pos se tregon se ndjehet shumë krenare që vëllezërit e saj ranë heroikisht për Serbinë, njëri në Vukovar e tjetri në Kosovë, tregon se ka mbi 100 oficerë shqiptarë që shërbejnë në ushtrinë serbe (diku kaq oficerë shqiptarë i kishin pri ushtrisë serbe, përkatësisht formacioneve paramilitare, ngase myslimanet nuk lejoheshin të ishin pjesëtarë të ushtrisë serbe, më 1912 kur i kishin pushtuar tokat shqiptare). Mirëpo, gjithë këta udhëtarë që shkojnë drejt Beogradit të shumtën e mbajnë të fshehur, aty-këtu ndonjë grup punues bënë ndonjë fotografi në takimet e përbashkëta me qëllim të vetëm që të përfitojnë fonde. Mirëpo, takimi i fundit i organizuar ndërmjet agjencive telegrafike TANJUG dhe ATSH në Beograd u përcoll me shumë bujë e shumë shamatë në opinion dhe veçmas fjala e Mustafa Nanos që e ka marr rolin e zëdhënësit të “bratsvto-jedonstvos” (bashkim-vëllazërimit) shqiptaro-serb.

E ky Nano pasi shpreh një dozë të vogël të pakënaqësisë ndaj ministrit serb Daçiq pse edhe ai nuk menduaka si kozmopoliti Mustafa konstaton me shumë “kompetencë”, siç e citojnë mediet:…..“Unë personalisht shoh më shumë të përbashkëta sesa dallime midis serbëve dhe shqiptarëve”, duke shtuar se kur vjen në Beograd, ndihet si në shtëpi….“Serbët dhe bota e tyre më duket shumë e ngjashme me botën time. Asgjë në botë nuk është e ngjashme siç është bota e Shqipërisë me Serbinë. …“Ju përmendët programin tim televiziv, që titullohet “Provokacja” dhe unë kam zgjedhur një emër serb sepse doja të përcillja mesazhin se asgjë që i përket botës serbe nuk është e çuditshme për ne, shqiptarët, asgjë nuk është armiqësore për shqiptarët” …. “Aktualisht është çështja e Kosovës që na ndan, asgjë tjetër. “Ajo që do më bënte më shumë optimist është që të kanalizohet diskutimi në një tjetër drejtim. Të mos fokusohet tek Kosova”.

Pra, hall për Nanon na qenka vetëm Kosova që duhet mënjanuar se të tjerat qenkan “vaj e mjaltë”, pasi për Luginën e Preshevës, pale në emër të kujt flet me kaq kompetenca e paska gati formulën: “Herën e fundit që vizitova Serbinë isha në Preshevë. Pashë atje disa persona që fizikisht ishin aty, në Serbi, por me mendje ata ishin në Tiranë, në Prishtinë. Pra këta persona nuk janë këtu në Serbi…Dua që Edi Rama të vijë dhe t’u thotë këtyre njerëzve, dëgjoni ju jeni këtu, jeni pjesë e Serbisë dhe do të jeni këtu gjithë kohën…”. (Sa mirë që Presheva është e Serbisë, po c’t’i bëhet Kosovës, që është e pavarur tani nga Serbia dhe sa mire do të ishte të zhvendosej diku në ishujt e Paqësorit dhe të mos ishte pengesë ndërmjet Serbisë e disa kozmopolitëve shqiptarë!!!).

Nuk është turp të humbasësh-turp është të jesh shqiptar (Shesheli)

Është krejt në rregull që ta ndjejë vetën në Beograd si në shtëpi, t’i duken njëjtë serbët si shqiptarët, ta titullojë emisionin e vet si të dojë, të përshëndet me tre gishta e të bëjë si të dojë, por, vetëm për vete. Sesa dallojnë serbët e shqiptarët flasin mijëra fakte e fakte: Shqiptarët nuk kanë pushtuar asnjë pëllëmbë toke të huaj, por përkundrazi kanë humbur dy të tretat e tokës së tyre, kurse serbët jo vetëm se kanë pushtuar, po kanë aq shumë projekte e elaborate se Serbia në jug duhet të shtrihet nga Ohri përgjatë lumit Shkumbin e në Rogozhinë, kurse në Veri në vijën Benkovc-Karllovc, Karllobag Virovitica të Kroacisë; shqiptarët institucionalisht nuk kanë vrarë e ndjekur asnjë serb, kurse serbët në këto 100 vjet kanë vrarë qindra mijra shqiptarë, duke përfshirë edhe brenda kufirit të shtetit shqiptar dhe kanë dëbuar nga tokat e tyre për në Turqi dhe gjetiu miliona shqiptarë; Shqiptarët nuk kanë asnjë elaborat kundër serbëve, kurse serbët duke filluar nga “Nacertanija” e Garashaninit (1846) e deri te elaboratet e ASHA të Serbisë kanë 7-8 elaborate për shfarosjen e shqiptarëve, duke i quajtur shqiptarët njerëz pa identitet, pa kulturë, pa shkollë, të prirë për anarki deri edhe njerëz me bisht (Vlladan Gjorgjeviq), popull i egër që rrezikojnë civilizimin evropian dhe kristianizmin dhe trazojnë serbët, kombin më të kulturuar dhe më të civilizuar të rajonit.

Përkundër këtyre krimeve asnjëherë nuk u kanë kërkuar falje shqiptarëve dhe as shtrirë dorën e pajtimit , siç ua kanë shtrirë me poltronizëm disa herë elita të caktuara shqiptare serbëve. Dhe siç e kanë thënë edhe disa intelektual serb serbi i zakonshëm edhe nuk e di, po edhe nuk do ta di e ta pranojë se shteti serb ka bërë krime ndaj të tjerëve. Propaganda serbe gati dy shekullore ka mbërrijë ta bind serbin e zakonshëm se serbët janë viktimë e të tjerëve dhe indirekt të duket se vrasja e shqiptarëve, (kujto vetëm luftën e fundit në Kosovë) vrasja e boshnjakëve myslimanë (kujto Srebrenicën) dhe vrasja e kroatëve katolik (kujto Vukovarin) është detyrë e shenjtë! Me një fjalë dallimi është se shqiptarët duan të jetojnë në vendin e vet të rrudhur dhe në paqe më fqinjët, pavarësisht historisë tragjike me ta, kurse serbët shqiptarët i trajtojnë si racë të ulët mbi të cilën duhet të sundojnë sipas të drejtës qiellore (nebeski narod), sepse “nuk është turp të humbasësh-turp është të jesh shqiptar” (e dëgjuar nga Shesheli pas humbjes së Serbisë nga Zvicra në futboll, nga i cili konstatim nuk u distancua askush në Serbi), kurse për analistë e kozmopolitë shqiptarë ishte e keqe dhe e dëmshme pse futbollistët shqiptarë të Zvicrës bën simbolin e tyre kombëtar në çastet e gëzimit kur shënuan gol. Dhe, kështu vargu i dallimeve është i gjatë…

Po ka dallime esenciale, serbët gënjeshtrën, mitin, dinë ta bëjnë vlerë dhe fakt historik, (Beteja e Kosovës, Mesjeta kishtare, etj.), shqiptarët faktet historike i mitizojnë, argumentin e fshehin, madje atakohet dhe kontestohet edhe figura dhe etnia e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti_Skënderbut. Përderisa serbët e duan lirinë për vete dhe vendin e tyre sa më të madh në dëm të tjerëve dhe e shprehin në trajta institucionale, shqiptarët ketë krenari për shqiptarinë dhe atdheun ose e shprehin në trajtë folklori, e disa të tjerë janë të kompleksuar nga inferioriteti. Kurse kuptimin e lirisë nuk e ka asnjëra kategori. Për shqiptarin e zakonshëm serbi është një fqinj, njeri si të gjithë të tjerët (për një kategori sadomazohistësh shqiptarë shoqëria serbë është mishërim i ideales), kurse për institucionet serbe shqiptari është primitiv dhe i mirë është vetëm shqiptari i vdekur.

Të jemi të drejtë. Serbët kanë edhe atë kategori të intelektualëve e humanistëve që kanë kaluar mbi mendësinë politike e shtetërore dhe e kanë shpërfaqur dhe dënuar krimin shtetëror serb ndaj popujve të tjerë në mënyrë shumë të ndershme dhe dinjitoze e pa poltronizëm. Pikërisht se e duan atdheun dhe kombin e vet. Shembull tipik, ndër të tjerë, janë Natasha Kandiq, Sonja Biserko, sepse punën që nuk e kryen shqiptarët (zbardhjen e krimeve shtetrore serbe mbi civilët, gra, pleq fëmijë dhe dhunimin e grave shqiptare në luftën e fundit, në vend se ta bënin institucionet shqiptare dhe ta plasonin analistët shqiptarë ) e bëri fondacioni i zonjës Kandiq, thuajse pa ndihmën e shqiptarëve.

Dhe kulmi i lezetit është (është e mundur sa të mos e dijë këtë fakt analisti Nano) kur konstaton: “Kur vjen çështja tek besimi fetar, ne jemi ballkanas, jemi pak të relasksuar, nuk shqetësohemi aq shumë sikurse me të diku tjetër”. Po, shqiptarët nuk shqetësohen shumë për çështjen fetare, bile janë i vetmi vend në botë që institucionalisht e kishte ndaluar fenë. Mirëpo, Serbia dhe vendet fqinjë si Greqia identitetin e tyre nacional, kulturor, emocional dhe shtetëror e kanë të ndërtuar mbi kishën dhe kisha e ka fjalën kryesore në zhvillimet e këtyre vendeve. Ky soj shqiptarësh vërtet nuk janë shqetësuar fare pse shumica absolute e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi, po edhe vetë mërgimtarët shqiptarë është dashur të pagëzohen në ortodoks dhe dihet rregulli grek: “Çdo ortodoks është grek”.

Është e vërtet se serbët dhe shqiptarët kanë diçka të përbashkët: ecin vertikalisht, marrin frymë, pinë raki…Nuk ka asnjë dilemë se duhet bërë një zgjidhje të marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe mbylljen e armiqësisë gati dy njëshekullore. Por, kjo është më së paku në dorën e shqiptarëve, të cilët edhe pse viktimë, e kanë shtrirë shumë herë dhe vazhdojnë ta shtrijnë dorën e pajtimit, siç po bëjnë edhe sot, kur ende nuk dihen varret e mbi një mijë shqiptarëve të masakruar në luftën e fundit, kur ende kullojnë gjak e vrer plagët e rreth 20 mijë grave e vajzave të dhunuara nga ushtria e policia serbe. Mirëpo, këtë dorë pajtimi nuk e shtrijnë institucionet serbe që akoma luajnë rolin e viktimës dhe deri në atomin e fundit luftojnë për “tokën e shenjtë”, apo “Jerusalemin serb”.

Duket se shqiptarët pak kanë mësuar nga historia e tyre tragjike. Aq më pak një pjesë e intelektualëve të dehur nga kozmopolitizmi dhe fonde që marrin aty këtu dhe dehen nga shlivovica serbe. Serbët vërtet e bëjnë të shijshëm “kiselo kupusin”, (lakrën turshi)‘‘pecenje od teletine i svinjetinje”, po ama shlivovica serbe nuk mund ti ofrohet rakisë së Skraparit, prandaj të deh shpejt, po besa kush e shijon “srpksi paprikasin” politik serb, e shumta që mund ta fitojë është një varr në Beograd si Esat Toptani, Cana Begu, Ali Shukria e ndonjë tjetër, sepse Nikolla Pashiqi moto në atë udhëzimin që ua dërgonte zyrtarëve civil e ushtarak në tokat e pushtuara shqiptare e kishte “obecaj-pa ne daj” (premto e mos jep), siç edhe e kishte titulluar dokumentin.

Po, historia ka treguar se nuk ka shumë shqiptarë që rruga i nxjerr në Beograd.

Rexhep Shahu: Amerika nuk heq dorë nga Kosova

Image result for rexhep shahu

Publicisti i njohur shqiptar Rexhep Shahu


Është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të hyjnë në fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes tyre. E për këtë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi së fundmi ka deklaruar se “do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke”, duke shtuar se për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë.



E se a mund të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën, në dialogun me Serbinë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, thotë se deklarata të tilla që hapin panik për shqiptarët, nuk kanë skena të papritura brenda dhe se Kosova do të jetë shtet shqiptar, pasi ka mbrojtjen e Amerikës.


“Unë besoj se Thaçi nuk do ta blejë të ardhmen e Kosovës siç ka blerë biografinë e tij apo librin e tij biografik. Këto lloj deklaratash që përhapin panik e drithërima për shqiptarët nuk besoj se kanë brenda tyre skena të panjohura apo të papritura të dramës shqiptare apo të zhvillimeve të parathëna. Kosova është e do të mbetet shtet shqiptar sot e në të ardhmen sepse ka aktualisht mbrojtjen e përkrahjen e Amerikës”, shprehet ai.

Sipas Shahut, Amerika nuk do të heqë dorë nga investimi i saj dhe se Kosova i ka bërë kompromiset që i janë kërkuar.


“Nuk besoj se ata që e kanë ndërtuar projektin Kosovë, pra nuk besoj se Amerika do të heqë dorë nga investimi i saj. Kosova i ka bërë kompromiset që janë kërkuar, ka bërë lëshimet që i janë kërkuar nga miqtë dhe aleatet. Skenarët që hedh në letër Thaçi për vëmendje, për tërheqje vëmendje, për ushtrim pushteti të munguar tashmë, nuk besoj se kanë fshehtësira të frikshme që njerëzit nuk i dinë dhe që duhet të lutet zoti që kemi Thaçin e t’i jemi mirënjohës atij që ta zgjasë dorën e të na shpëtojë. Pra Kosova i ka bërë kompromiset e duhura”, vlerëson ai.



*****



NE, QORTUESIT E MËDHEJ TË ATDHEUT


Të gjithë jemi bërë qortues të mëdhej. Qortojmë pa pushim atdheun. Qortojmë pa mëshirë. Qortojmë gjithçka, gjithkënd. Sepse nuk duam askënd veç vetes.
Flasim si zota. Fshikullojmë atdheun sikur ai nuk është i yni dhe sikur nuk kemi asnjë lidhje me të, sikur është diçka jashtë nesh, i huaj për ne, por që thjeshtë vetëm ia duam të mirën.
Po sillemi si humanistë të mëdhej, si universalë, si filozofë, si internacionalistë të kulluar, sikur kemi raporte vetëm me pavdeksinë e jo me përditshmërinë e atdheut tonë.
Gjejmë ku janë e s’janë lupat më zmadhuese dhe vëzhgojmë imtë veset e njeriut tonë. Virtytet nuk na hyjnë në punë, sikur s’janë tonat.
Gjejmë ku janë e s’janë sharësit, mallkuesit, gjirizet e të keqës, ata që kanë vjellë zi e më zi kundër nesh dhe fjalët e tyre i fusim në gojën tonë dhe i vjellim kundër atdheut tonë, kundër njerzve tanë, kundër rracës tonë.

Ngjyjmë fjalën tek armiqtë më të mëdhej të kombit tonë. Botova Librin Zi të Vladan Gjeorgjeviçit, të ish kryeministrit serb, “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” (qe miku im Izet Duraku e quan Libri i ankthit serb për ngritjen e Shqipërisë), libër i botuar në vitin 1913 gjermanisht, frëngjisht e serbisht për ta bindë Europën se shqiptarët janë me bisht, nuk janë të aftë të bëjnë shtet, nuk kanë aftësi organizuese, duhet të udhëhiqen 100 vjet prej Serbisë dhe pas 100 vjetësh mund t’ua japë Serbia një autonomi kulturore.
Ky libër i përkthyer mjeshtërisht nga dijetari dhe ish kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, është gjirizi i më të ligave për shqiptarët e kombin shqiptar, është vrella më e zezë e të zezave kundër kombit shqiptar, është kuzhina ku është gatuar e liga dhe ku kanë ngrënë të gjithë sharëist e qortuesit e kombit shqiptar.

Të gjithë qortuesit tanë që hiqen edhe sojli, që hiqen se dinë shumë, që hiqen se janë engjej, paskan lëpi në bythen e Vladan Gjerogjeviçit.
U ndjeva fajtor që nuk e kam lexuar këtë libër, që qëllimisht e kanë zbukuruar në harresë qortuesit e atdheut tonë fatkeq, që më shumë e duan të huajt se sa e duam vetë ne.

Si përballje me këtë libër të zi të Vladan Gjeorgjeviçit, kam botuar Librin e Dashurisë së madhe për shqiptarët, librin e një kryemiku të shqiptarëve “Shqipëria në 1921” të humanistit të madh Justin Godart, shqipëruar nga miku im Mirdash Shehu, me një parathënie të jashtëzakonshme nga nobelisti i paqes D’Estournelles de Constant, që është parathënia e gjithë parathënieve të librave të shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky libër është avokatia më e madhe që i është bërë ndonjëherë kombit shqiptar, është përballje e rrëzim i çdo teze të zezë antishqiptare të Vladan Gjergjeviqit. Ky libër dashurie e bind Europën se shqiptarët janë rracë elitë, kanë fuqi organizuese të jashtëzakonshme, kanë vese si gjithë njerzimi, kanë vityte shumë më te fisme se shumë kombe të tjerë, kanë furnizuar me elitë kombet e rracat e tjera, mundën e dinë të bëjnë shtet, por ngaqë kanë një nderim të përveçëm si askush tjetër për mikun, ata gjithmonë rezikohen nga miqtë, të cilët shpesh janë aventurierë dhe i ndihmojnë shqiptarët kundrejt interesave të tyre.
Këto pasazhe ku fola për këto dy libra, ndoshta më nxorën nga udha, por sërish ndjej se po tregoj nevojtoren ku hanë qortuesit tanë që kanë infektuar edhe qortuesit snobë, që shajnë atdheun pa ditë se pse dhe e shajnë se tentojnë të kapën për shurrën e Konicës a të Fishtës e të bëhën Konicë a Fishtë etj.

Të gjithë jemi ngritë në foltoren e mentarit. Të gjithë jemi në llogoren e sharësve të atdheut. Bëjmë një garë të shfrenuar, shumë të pacipë e të pandershme në sharje të atdheut. Të gjithë folës e sharës dhe asnjë dëgjues. Të gjithë profesorë e asnjë student. Të gjithë gjeneralë e asnjë ushtar. Të gjithë dimë më shumë se ata që ne vetë zgjedhim që të na drejtojnë. Ata që na dejtojnë gjithmonë shkelqejnë në përmbushjen e urtësisë “kalova lumin – ta qifsha kalin”.

Qortuesit kanë një dimension tjetër, janë shumë servilë. Thurin lavde pa fund ndaj atyre që kanë interesa. Thurin lavde pa fund ndaj qeveritarëve. Le të jetë kërkushi qeveritari apo kandidati për pushtetar, qortuesit nuk shohin të meta tek ai kur duan t’i servilosen.
Ka marrë qytetarinë dhe është bërë modë sallonesh të politikës e moralit ndërrimi i partive nga pushtetarët pasi marrin votat e njerzve. Dhe janë të pacipë pushtetarët që tradhëtojnë e shetisin sa në një parti sa në një tjetër. Tradhëtia ëshët shpallë virtyt në kohën tonë dhe tradhëtarët bëhen heroj të kohës tonë. Qortuesit cinikë, me nënqeshje të shtirura, ua quajnë si mos nënshtrim ndaj një partie dhe kalimin në një parti tjetër të pushtetarëve të ndryshëm. Sikur në partinë e re ku shkon pushtetari apo kandidati nuk do të jetë i nënshtruar.

Nuk e dhijmë atdheun me gojën tonë, por marrim borxh qortuesit e famshëm që nga zemra e plasur në momente të caktuara kanë bërë qortime. Nuk e dhijmë atdheun me gojën tonë, por marim borxh bythën e Konicës dhe e bëjmë gojë tonën. Por Konica me shokë nuk kanë bërë qortime me ia ulë kryet përdhe atdheut, me e poshtrue atdheun, përkundrazi. Ndërsa ne nuk ngihemi duke ia futë turijtë në mut atdhut.
Gara jonë me i gjetë shëmti atdheut dhe me lajmërue dynjanë për shëmtitë tona, është një nga turpet e mëdha të kohës tonë. Konstatojmë dhe nuk veprojmë. Për inat të sime re e fusim djalin tonë në dhe`. Atij që vjedh i themi burrë i zoti. Harrojmë të djeshmen sa del dita e re. Respektojmë hajdutin si zotin. Deputetet që sillen si bodigardë, që janë qaftrashë, kokë rruar a qethur zero, që vishen si bodigardë, i nderojmë më shumë se deputetët shkencëtarë, apo shkrimtarë. Ndjesë, se nuk ka deputetë shkrimtarë e shkencëtarë. Pasi parlamenti nuk është i popullit por i partive e militantëve të partive. Populli i librit nuk përfaqësohet në parlament. Thua të mos kemi farë popull të librit?!

Shajmë e mallkojmë atdheun kur pak ose aspak bëjmë për të, për lartësimin e tij.

Shajmë e mallkojmë atdheun për varfërinë që na ka nënshtrue dhe sjellësit e varfërisë i votojmë se na japin ndonjë thes miell ose deri në 50 euro për një votë. Shajmë pushtetarët dhe u lëpijmë bythën po këtyre që i shajmë, u gjejmë miq nga të katër anët për me rregullue ndonjë punë ose me zgjidhë ndonjë hall.

Shajmë atdheun në një përpjekje djallëzore e të ligë që të bëjmë një farë emri, të fitojmë një farë fame. Ia vëmë në shërbim gjithë ekranet e kohën televizive sharësit më të pështirë të atdheut, atij mbledhësit të sharjeve, që nuk duron ta quash mbledhës sharjes si mbledhës folklori por don të quhet shkrimyar, shkencëtar, mendimtar, gazetar, politolog, analist, ndonjë snobi me shall rreth qafës së trashë si të kalit të orovit.

Ajo që ëndërrojmë e na mundon që s’e kemi është fama, lavdia – kjo dashnore e përjetshme e pambrritshme për ata që e kërkojnë se s’e kanë dhe e panevojshme për ata që e kanë ose që s’u hy në punë.

Raporti me famën e lavdinë është lufta që përshtjellon duket gjithçka në mesin e njerzve. Lëpijmë këmbët e lavdisë, hapim gojën që asnjë pikë shurrë e saj të mos bjerë në tokë dhe poshtrohemi përditë e më tepër, duke e pritë lavdinë e jo duke punuar për të.
Kultura e varfërisë dhe kultura e papunësisë po bëhën të pajtueshme e krejt të pranueshme.

Askush nuk qorton askënd pse je i varfër, por të gjithë të përqeshin kur knaqesh që je i varfër dhe nuk lëviz as gishtin e vogël të dorës për të shpëtuar e për të dalë prej varfërisë.

Sa më shumë të varfër të ketë aq më shumë knaqet politika se i blen lirë njerzit, aq më shumë knaqen njerzit kur shohin se janë të barabartë në varfëri.

Njerzit nuk urrejnë atë që ka vënë pasuri me mundë e djersë, se njerzit kanë shumë sy e shohin, por ata urrejnë deri në pafundësi atë që ka vënë pasurinë me vjedhje, atë që ka vënë pasurinë nga pushteti, nga funksionet politike e qeveritare.
Në mjediset tona ndjehesh me turp që s’ke kostum tre mijë eurosh si të kryeministrit, që s’ke kollare 500 euroshe si të kryeministrit.

Gratë jo politikane e jo drejtoresha ndjehen të frustruara se nuk kanë petka si të grave politikane. Gratë e dinë mire, kanë mijëra sy gratë, se ato ora tre – katër mijë dollarëshe nuk janë ora të blera me lekë rrogash por me lekë shpine.
Mirë, krejt në rregull, por mburrja dhe statusi special në shoqëri i atyre që fitojnë me shpinë dhe përbuzja që ato derdhin ndaj atyre që nuk fitojnë lekë me shpinë, kjo është e patolerueshme.

Qortuesit tonë qortojnë të moralshmit dhe i ngrenë hymn të pamoralshmes, thotë publicisti shqiptar Rexhep Shahu.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...