2018-09-01

Të jetosh nga letërsia




Të shkruarit nis duke qenë pothuaj gjithnjë një ëndërr, një trill apo një prirje imagjinare. Por ëndrra, dëshira, trilli, nuk arrijnë të ngjizin në qoftë se nuk kthehen në një mjeshtëri. Një mjeshtëri, çfarëdo qoftë, kërkon një prirje të fuqishme dhe një praktikë të gjatë. Një mjeshtëri është një detyrë, e cila shpesh herë rezulton e lodhshme apo e mërzitshme për nga durimi dhe sforcimi i vazhdueshëm që lyp, veç ka plot momente kur gjërat shkojnë mirë, dhe atëherë vjen shpërblimi i një çlodhjeje, që bëhet më e këndshme ngaqë e ndien të merituar, të paktën deri në një farë mase.

Them deri në një farë mase sepse kur gjithkush që i përkushtohet plotësisht një mjeshtërie, e di se gjithmonë ka një hapësirë të madhe midis mundësive më të mira të një projekti dhe realizimit të tij, ashtu siç ka zbulime që nuk i kishe parashikuar. Një mjeshtëri është një detyrë praktike: dikush bën diçka që i pëlqen dhe që me shumë mund e këmbëngulje arrin të japë një farë garancie profesionaliteti, veç këtë nuk e bën për vetveten, edhe pse është një detyrë që e kryen vetëm dhe që kur e mbaron ndien thjesht kënaqësi personale.

Rezultati që arrihet prej saj përfton një ekzistencë objektive, pavarësisht se kush e kreu, dhe vjen e ndikon dobishmërisht në jetën e atyre tek të cilët shkon: një instrument muzikal apo një partiturë, një vegël, një tryezë, një histori, një fletore, një pikturë, një enë balte, një fotografi, një zbulim shkencor, një hap vallëzimi, shërimi i një sëmundjeje, një mrekulli sportive, një pjatë gjellë e gatuar mirë, një piramidë e vogël me angjinare në vitrinën e një frutashitësi.

Si në çdo mjeshtëri tjetër edhe në mjeshtërinë e të shkruarit ka disa veçori. Së pari është se nevoja njerëzore që kënaq është nga më të paprekshmet, edhe pse nga më universalet: nevoja për të ditur histori dhe për t’i treguar, domethënë, t’i japësh botës një formë të kuptueshme përmes fjalëve. Një histori, e trilluar apo jo, vendos një model universal të një fushe të caktuar të përvojës nisur nga vrojtimi i të dhënave të veçanta të jetës. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe shkencëtari, duke përpunuar modele teorike të rrjedhur nga vrojtimi dhe eksperimentimi, të cilët në mënyrë të dyfishtë shërbejnë për të shpjeguar dhe parashikuar.

Në shoqëritë primitive apo antike miti ishte modeli shpjegues dhe parashikues i sjelljeve njerëzore. Ndryshueshmëria jonë moderne e mitit është fiksioni, në tërë larminë e vet, nga më të rëndomtat, më të trashat, më komercialet, më jetëshkurtrat, deri tek ato më të thellat, më kërkueset, nga telenovelat dhe videolojrat te Don Kishoti, Moby-Dick apo një tregim i mikeshës time të dashur Alice Munro. Pra, i përkushtohemi një mjeshtërie më të lashtë dhe më të dobishme nga ç’duket. Po ashtu edhe shumë më të pasigurt.

Sepse në të, dhe kjo është veçoria e dytë, përvoja nuk na ofron asnjë garanci, dhe mund të ketë një mospajtim skandaloz midis meritës dhe vlerësimit. Kush shkruan e di se duhet t’i kushtojë mjeshtërisë së tij aq orë dhe aq vite sa edhe një zejtar së vetës, dhe se pa këtë përkushtim nuk do të arrinte të përmbushte dot asgjë me vlerë. Gjithashtu ai di se përkushtimi, vetvetiu, nuk garanton cilësinë e rezultatit, sepse përvoja dhe përkushtimi mund të të çojnë drejt stërhollimit të ngurtësuar dhe parodisë së vetvetes.

Gjithashtu di se jo gjithmonë më e mira është njohur si e tillë dhe se ajo që duket më e mira, nganjëherë vithiset në shumë pak kohë, dhe se një drejtësi çuditërisht e vonuar ndriçon shumë kohë më pas, pa shpërblimin e mundur ndaj talentit të vërtetë që nuk shkëlqeu dot gjatë jetës. Shkurajimi përpara pasigurive të mjeshtërisë thellohet edhe më shumë në kohëra pasigurie aq të hidhura si këto. Është e vështirë të flasësh për përpjekje dhe kënaqësi të punës në një vend ku disa miliona njerëz vuajnë ankthin e papunësisë.

Është gati mendjelehtësi të merresh me mospajtimin e meritës dhe suksesit në letërsi, në një botë ku ata që punojnë shpërblehen me ca rroga mjerane, ndërsa më të kamurit, në mënyrë të turpshme, shtojnë fitimet e tyre; në një vend të rrënuar nga një krizë, përgjegjësit e së cilës mbeten të pandëshkuar, ndërkohë që viktimat e tyre vuajnë nga padrejtësia, ku ndershmëria dhe detyra e kryer mirë të shumtën e herëve vlerësohen më pak nga mashtrimi dhe klientelizmi; një vend ku format më bashkëkohore të demagogjisë kanë bleruar përçmimin e vjetër ndaj punës intelektuale dhe ndaj dijes. Dhe kështu, duke lënë mënjanë përgjegjësitë e qytetarisë, i vetmi ilaç i pranueshëm që njoh kundër dëshpërimit të mjeshtërisë është vetë mjeshtëria.

Të shkruash duke vendosur mjeshtërisht në çdo fjalë të pesë shqisat. Të shkruash pa i lejuar vetes as më të voglin kompromis. Të shkruash duke pranuar e duke u kënaqur me vetminë dhe duke qenë mirënjohës ndaj mbështetjes së mjeshtërive të tjera themelore që e bëjnë një nga mjeshtëritë më pak të vetmuara dhe më kolektive të botës, siç është e vetmuar.

“Kush shqetësohet për artin”?

 Kësaj pyetje do ti japin përgjigje gjatë qëndrimit në Art House, artistë të rinj të artit bashkëkohor. Artistët Lori Lako, Edson Luli, Marina Sula, Haveit, Dardan Zhegrova, Ergys Vela, Pleurad Xhafa do të orvaten në temat e artit bashkëkohor sot. Krahas tyre një grup i ftuar kuratorësh, artistësh e drejtuesish institucionesh të rëndësishme ndërkombëtare- Helene Larsson, Johan Poussette, Rein Wolfs, Candice Breitz, Martin Engler- do të njihen më nga afër me punët e artistëve të ftuar si dhe do të mbajnë biseda të hapura për publikun.

Duke vendosur shkëmbimin në qendër të marrëdhënies mes pjesëmarrësve Art House School, tematika e këtij viti është “ Who cares about art? ”, e nënkuptuar më shumë si pyetje sesa si deklaratë. Pra idea është të eksplorohen kufinjtë e artit dhe marrëdhënie me atë që e rrethon, në një farë mëyre, në marrëdhënie me “jo artin”.
E konceptuar si një platformë e lirë ku pjesëmarresit do jenë ato që do i japin trajtë kësaj structure, në të nuk do mungojnë prezantimet e punëve të secilit, diskutimet mbi projektet apo intuitat fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, lexime tekstesh e projektime filmash, refleksione e debate mbi argumente që do prezantohen nga të pranishmit, hapësirë për kërkim individual e punë në studio.


Të jetuarit së bashku dhe kërkimi intelektual nuk do shihen si dy zona të ndara por si proçese ku format e mendimit, e të shprehurit dhe të jetuarit tentojnë t’i gërshetohen njera-tjetrës. Po cilët janë artistët pjesëmarrës? Ergys VELA (Shkodër, Shqipëri, 1989) jeton dhe punon në Shkodër.
Ai është diplomuar në Pikturë-Grafikë në Shkodër dhe ndjek studimet Master në Multimedia në Akademinë e Arteve në Tiranë. Punimet e tija synojnë implikimin aktiv të publikut, i cili ftohet të ndërveprojë me të. Vepra ka “mangut” diçka që vizitori duhet ta plotësojë. Ndodh që përfshirja e publikut mund ta rrezikojë mesazhin e veprës duke e kthyer në mesazh sensibilizues apo në lojë argëtuese, por është në këtë kufi “të rrezikshëm” që artisti realizon krijimin e tij.


Ekspozita personale e në grup: “E vërteta apo Iluzioni”, Galeria e Arteve Shkoder, 2016; “Gjurmë”, Qendra Rinore Arka, Shkoder, 2016; Ekspozitë e Artit Pamor, Galeria e Arteve Shkodër, 2016. Pleurad Xhafa (Lushnjë, Shqipëri,1984) është një artist pamor dhe kineast që jeton dhe punon në Tiranë. Ai ka studiuar në akademinë e Arteve të Bukura në Bolonjë, Itali, dhe është diplomuar me një Master në Artet Pamore në vitin 2012. Në 2014 ai ishte fituesi i çmimit “Ardhja” për artistët e rinj pamor shqiptar, organizuar nga T.I.C.A – Tirana Institute for Contemporary Art.




Puna kërkimore dhe kritike e tij vjen si rezultat i një praktike post-konceptuale e cila vepron mbi një bazë dokumentuese për t’u raportuar më pas vizualisht dhe politikisht me kulturën e kohës sonë. Projektet më në zë të realizuara prej tij deri më tani përfshijnë: Monument to Failure (2016), NEGATIVE I-II-III-IV (2015), Trickle Down- Crime Scene (2014), Breaking News (2013), Tireless Worker (2013), Announcement (2012), Mind Goes Blank, Eye is Gazing into the Future (2010), Déjà-vu & Paranoia (2009, së bashku me Sokol Pecin), dhe Shadows of Time (2006). Disa prej ndërhyrjeve të kryera në pikat nevralgjike të Tiranës, i ka realizuar në bashkëpunim me “Departamentin e Shqiponjave” dhe “MAPS- Museum of Art in Public Space”.

Punët e tij janë prezantuar gjithashtu ndërkombtarisht në ekspozita si: Les Rencontres Internationales, Paris/Berlin (2015-2016); “Teatri i Gjelbërimit”, Galeria FAB, Tiranë (2016); Shame On You, Celje (2015); Çmimi Ardhja, Galeria Zeta, Tiranë (2014); Lavoro/Work/Vore, Udine (2013); Bienalja e 6-të e Arteve Bashkëkohore, Berlin (2010); Bienalja e 4-rt e Tiranës (2009); Çmimi Onufri XIV, GKA, Tiranë (2008); dhe Every Revolution is a Throw of Dice, Gjenova (2006). HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Lola Sylaj) është një kolektiv artistik i përbërë prej katër vajzash të cilat përdorin artin për tu rebeluar ndaj përdorimit të forcës, nacionalizmit, diskriminimit të LGBT dhe shtypjes së femrave në shoqërinë shqiptare.
Arti i tyre është një formë proteste ndaj vështirësive të përditshme të shoqërisë kosovare. Performancat e tyre mbahen në hapësira publike në Kosovë. Puna e Haveit shkon përtej etiketimeve moraliste dhe refuzon të pranojë stereotipet që ato imponojnë. Grupi është themeluar në Prishtinë në vitin 2011. Marina SULA (Lezhë, Shqipëri, 1991) jeton dhe punon në Vienë, Austri.

Ajo është e dilplomuar në histori arti në Universitetin e Vjenës e më pas vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura ku u diplomua në Art dhe Fotografi. Punët e saj eksplorojnë dinamikat dhe impaktet në ekperiencat e mediuara nga teknologjia dhe komunikimi për të identifikuar aty ndërprerjen dhe përçarjen. Puna me mediume të ndryshme si fotografia, skulptura, printet, video dhe audio i mundëson ndërtimin e narrativave të ritualeve, liturgjisë dhe besimit që duket sikur krijojnë një mburojë në marrëdhënien e subjektit me pasigurinë e vazhdueshme dhe komplekse në një kontekst kapitalizmit komunikativ.

Në vitin 2018 ishte e përzgjedhur për kategorinë Forbes 30 Under 30, Europe, kategoria Art dhe Kulturë. Ekspozita personale dhe në grup: And this is, again, a Fertile State, Wasser Biennale, Vienna, 2018; All‘estero & Dr K. Takes the Waters at Riva: Version B, Vienna, 2018; Salon with O. Coeln, Schwarzenbergplatz, Vienna, 2018; Bottoms Up!, curated by Severin Dünser & Olympia Tzortzi, Fluc, Vienna, 2018; Soft Power, Gabriele Senn Galerie, Vienna,2016; EMOZIONALE, Milano,2016; Salloni i Artit Bashkëkohor shqiptar, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, 2015; Somewhere in Between me B. Segschneider, Galeria Zeta, Tiranë,2015; Sula & Nikl, me R. Nikl, Galerie Kunstbuero, Vienna,2015. Edson LULI (Shkodër, Shqipëri, 1989) jeton dhe punon në Milano, Itali. Luli është diplomuar në New Technologies of Art (BA), Cinema and Video (MA) në Akademinë Brera në Milano.

Puna e tij konsiston në një investigim të vazhdueshëm të dimensionit të të qenurit në lidhje me hapësirën, sidomos atë të krijuar nga njeriu. Mënyra se si sillemi në hapësirën e përditshmërisë mund të konsiderohet si esenca e pranisë tonë në botë. Kërkimi i Lulit shtrihet në hapësirën kohore ku krijohen perceptimet, abstraksionet, konceptet dhe mendimet. Në praktikën e tij artistike, ai përdor mediume të ndryshme që nga printet e deri tek fotografia, filmi dhe instalacionet.

Luli përdor mediumet si një komunikim i vazhdueshëm me konceptet dhe abstraksionet që lindin nga një kërkim multidisiplinor. Ka marrë pjesë në L’Arte nei Pixel. Videoart & Arte Contemporanea, Lucca Film Festival, Lucca, 2018; This Exhibition Will Have a Title Soon (ekspozitë personale), Prometeogallery e Ida Pisanit, Milano, 2017; Watch the Line While Crossing, Prometeogallery e Ida Pisanit, Lucca, 2017; Mediterranea 18 Young Artists Biennale, Tiranë dhe Durrës, 2017; Media Art Festival, MAXXI Museum, Romë, 2017; Edicioni XXII i çmimit ndërkombëtar Onufri – Stranger than Kindness, National Art Gallery, Tiranë, 2016; Tirana Film Festival, Tiranë, 2016; Fuori Visioni – Contemporary Art Festival, Piacenza, 2016; Talking About, MM XI, Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë, 2016; Combat Prize, Museum G. Fattori, Livorno, 2016; Milano Film Festival, Milano, 2015; Future Identities, Laura Haber Gallery, Buenos Aires, 2015; The rhythm of art lies somewhere in between, Bienal del Fin del Mundo IV, Kili, 2015; Hybrid Identities, Contemporary Venice, Palazzo Flangini, Venecia, 2014; Pamur, Festival i Arteve Pamore, Tiranë, 2014; Lori LAKO (Pogradec, Shqipëri, 1991) jeton dhe punon në Firence, Itali.

Ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Firence, dhe një eksperiencë simestrale në Akademinë e Arteve në Mynih. Me anë të punës të saj artistike reflekton mbi gjendjen e njeriut postmodern, në një bote të shpejtë, mes një morie imazhesh e informacionesh që i vështirësojnë kujtesën historike dhe kërkimin e vetvetes. Prej këtu lind nevoja e krijimit si një proces kontemplativ që shpesh sjell në sipërfaqe dimensionin poetik të të qënurit.

Ndër ekspozitat ku ka marrë pjesë veçojme: Polis BBQ, Arte fiera (Bolonja 2018); Fituese e çmimit kombëtar për artin bashkëkohor Idromeno, Galeria e Arteve (Shkodër 2017); Di queste luci si servirà la notte, Le Murate / Projekte për Artin Bashkëkohor (Firence 2017); TU 35 Expanded, Qendra për Artin Bashkëkohor Luigi Pecci (Prato 2017); Downside-up, Tirana Art Lab (Tiranë 2016); Era pacifica pare, Careof (Milano 2016); Jahresausstellung, Akademia e Arteve, (Mynih 2015); Nuovo cinema Masaccio, Casa Masaccio, (San Xhovani Valdarno 2014).

Sa lexojnë shqiptarët ?

Ka dramë më të madhe sesa djegia e fletëve të librave! Një prej tyre është të mos i lexosh ato. Sipas statistikave kulturore të INSTAT-it, më shumë se 1/3-ta e shoqërisë shqiptare nuk ka lexuar asnjë libër vitin e kaluar.

“Përgjithësisht vijnë lexues të rregullt. Normalisht që ka edhe klientë që i shohim rrallë, që vijnë një herë në vit ndoshta. Të rinjtë shqiptarë, nga çfarë vëmë re ne lexojnë pak, ndoshta nga zhvillimi i teknologjisë. Grupmoshat 30-40 vjeç blejnë më shumë dhe letërsi të mirë”, thotë Antonio Cikollari, punonjës librarie.
Nga 2 milionë e 800 mijë shqiptarë, vetëm 44 mijë prej tyre kanë lexuar më shumë sesa 10 libra në vit. 102 mijë banorë të tjerë kanë lexuar nga 5 deri në 10 libra gjatë vitit të kaluar.

“Unë nuk rri këtu, jetoj jashtë shtetit. Por lexoj, po”, thotë një qytetar.

“Kohën e lirë e kaloj me telefonin, normale. Nuk lexoj, s’i kam pasion librat”, thotë një e re.

“Sa mirë do të ishte të lexonim, por e kam shumë të ngushtë kohën. Pothuajse nuk lexoj fare”, tha një zonjë.

“Jo edhe aq shumë, por lexoj disi. Ndoshta dy libra”, thotë një i ri.

Nga ana tjetër, në Bashkimin Europian, “Eurostat” raporton se rreth 20% e popullsisë janë lexues të rregullt dhe se një europian shpenzon gati 200 euro për libra. Por, si në BE, edhe në Shqipëri, shpenzimet për libra nga viti në vit janë në rënie, ndërkohë që banorët harxhojnë më shumë parà për ushqim, veshje dhe aksesorë.

Ritet mortore në fshatrat arnaute në Rusi

Studiuesi Aleksandër Novik ka folur për ritet mortore e përkujtimore në fshatrat arnaute të rajonit të Rostovit, Rusi, gjatë Seminarit për gjuhën e Letërsinë që ka hapur siparin në Prishtinë.

“Në brigjet e detit Azov si pasojë e luftrave turko-ruse në gjysmën e dytë të shekullit XVIII janë themeluar disa vendbanime me popullsinë arnaute: fshati Margaritovo, fshati Epirskoje, fshati Himara, fshati Allbanskoje etj. Në vitet 2015 – 2018 Akademia e Shkencave e Rusisë dhe Universiteti Shtetëror i Shën Peterburgut kanë organizuar ekspedita në këto vendbanime.

Studimet në terren na kanë lejuar të grumbullojmë shumë materiale etnografike lidhur me dokët dhe zakonet familjare. Në këtë studim bie fjalë për ritet mortore ndër banorë të fshatrave me popullsi arnaute”, tha studiuesi rus. Sipas tij, zakonet dhe ritet mortore e përkujtimore tek pasardhësit e popullsisë arnaute të rajonit të Detit Azov janë transformuar dukshëm në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI nën ndikim të etnive që jetojnë në këtë zonë – kryesisht rusët, ukrainasit, armenët etj.

Ritet mortore janë transformuar në mënyrë të dukshme gjithashtu nën ndikimin e propagandës ateistike sovjetike pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 – në periudhën e gjatë deri në fund të viteve 1980’.

Në studim trajtohet një spektër i gjerë çështjesh kushtuar një tematike të përgjithshme: përfytyrimet e banorëve të rajonit të Detit Azov (rajoni i Rostovit) për vdekjen dhe çka lidhet me të (fati dhe lajmësit e vdekjes, etapat e përgatitjes së varrimit dhe riteve të tjera në shtëpi dhe në komunitet fshatar, kompleksi përkujtimor dhe kultura e organizimit të hapësirës së varrezave). Disa përshkrime të veçanta i janë kushtuar rolit të priftit dhe kishës ortodokse në përgjithësi, veçorive të varrimit të fëmijëve të papagëzuar, beqarëve, lehonave, vetëvrasësve etj. Në vazhdim shpjegohen me hollësi kompleksi përkujtimor kalendarik dhe shndërrimet e tij gjatë shekullit XX – fillim të shekullit XXI.

Është përshkruar kultura e varrezave e fshatrave me popullsinë arnaute me shembuj të veçantë të varrezave të fshatit Margaritovo dhe ato të Pavllo-Oçakovos.

Në bazë të studimit të motiveve ballkanike dhe vendase në strukturën e riteve mortore të banorëve të fshatrave me popullsi arnaute është arritur në përfundim se këto komponente të riteve dhe zakonave në kohën e sotme luajnë një rol markues identiteti etnik (arnaut, grek) dhe / ose rajonal (i rajonit të Detit Azov, i Rostovit, i jugut etj.).

Si e përjetoi Dritëro Agolli sëmundjen e Xhevahir Spahiut?!


Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë , Dritëroi , me optimizmin që e shquante në çdo situatë sado të vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:

D: – Si je, o Xhevo? Xhevua qesh.

D: – Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme. Përsëri Xhevua qesh.





D: – Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, dmth fjalë të urta. Xhevua qesh dhe thotë: -Ashtu.

D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

Letrat me këto shënime janë bërë publike nga e bija Elona Agolli.

Gjergj Kastrioti “Athleta Christi”

Libri i vlefshëm Gjergj Kastrioti “Athleta Christi”, botohet me rasen e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, personalitet kryesor i historisë sonë, në çaste të vështira e të lumnueshme, që përjetonte e përjeton populli ynë përgjatë shekujsh.

Provinca Françeskane e boton ketë libër në shenjë nderimi të përvujtë ndaj Gjergj Kastriotit, i cili u frymëzue dhe u këshillue shpesh prej bijëve të Shën Françeskut të Asizit, gjatë 25 vjetëve të sundimit të tij në trojet arbnore. Françeskanët dishmuen nji dashní të pashoqe për Shqipninë, jo vetëm në kohën e Gjergj Kastriotit, por edhe mbasi vendi ynë rá nën thundrën osmane. Si frati shqiptar, ashtu edhe misonari i ardhun prej fundit të botës, vijuen me mbajtë pranë e pranë në krahnuer kryqin bashkë me flamurin kuq e zi. Dhe i falën jo pak heroj e martirë fesë dhe kombit.

Në ketë botim përzgjodhëm nji mori artikujsh studimorë, që hedhin dritë mbi Skanderbegun dhe kohën e tij, tue mbledhë në nji vëllim të veçantë artikuj dhe akte konferencash, botue në kohë të ndryshme kryesisht nëpër revista. Në ketë përzgjedhje prej 12 studimesh spikasin pendat e meshtarëve të mirënjohun françeskanë dhe jezuitë, në misionin e tyne të studiuesit dhe shkrimtarit: Át Shtjefën Gjeçovi, Át Paulin Margjokaj, Át Zef Valentini, Át Gjon Shllaku, Mons Antonin Fishta, Át Marin Sirdani, Át Luigji Marlekaj, Át Vinçenc Malaj, Át Basilio Pandžić.

Përkthehen për herë të parë në gjuhën shqipe tre studime. Përkthyesit e censhëm Lisandri Kola dhe Aristea Kola përkthyen studimin e çmueshëm të Át Vinçenc Malaj O.F.M “Nevoja e nji bashkërendimi bibliografik kastriotian”; studimin e Át Luigji (Jak) Marlekaj O.F.M “Skanderbegu në traditat popullore shqiptare” dhe të Át Basilio Pandžić O.F.M “Françeskanët në shërbim të Shqipnisë në epokën e Skanderbegut”. Ky i fundit asht botue, i përkthyem pjesërisht, në revistën Hylli i Dritës, por autorët e naltpermendun na krijuen mundësinë ta lexojmë për herë të parë, të plotë.

Përmbledhja Gjergj Kastrioti “Athleta Christi” do t’u shërbejë të gjithëve, por në mënyrë të veçantë studiuesve të epokës skanderbegiane për ta njohë mâ hollë e mâ thellë “Atletin e Krishtit” i cili deshti, punoi dhe luftoi për nji Shqipní europiane.

Gjergj Kastrioti kje hero i luftës për liri kombëtare dhe ideator i Shqipnisë europiane. I bâni me dije botës së qytetnueme të asaj kohe se vlerat shpirtnore dhe kombëtare nuk shiten as nuk ndërrohen për interesa të ulta, ato mbrohen me jetë. Prandej, shembulli dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit janë model për né si qytetarë të këtij vendi, e jo për t’u kthye mbrapa në kohë, apo për t’i kallxue heroizmat e tij vetëm për të shue kureshtjen, por për t’i pá si frymëzim për të ndërtue vendin tonë, tue e vû atë përmbi çdo interes tjetër. Skanderbegu nuk âsht mit, nuk i përket vetëm historisë. I përket çdo kohe e çdo njeriu. Mbetet për të gjithë gurrë e pashterrshme frymëzimi, në përpjekjen për të ndërtue një shoqnií shqiptare një zemre e një zâni, kur âsht fjala për të mbrojtë shtëpinë e përbashkët, Shqipninë! Qe pra, historia nuk âsht vetëm mësuese e jetës. Mbetë gjithnjë gurrë frymëzimi për të tashmen e të ardhmen, në një proces të pafundmë rindërtimi. Kështu e ka konceptue kleri katolik historinë e kështu edhe e ká shkrue, tue e pá si shërbim dhe frymëzim për të ardhmen e vendit e të njeriut.

Fjalët e fundit të Millosh Gjergj Nikollës-Migjenit në Sanatoriumin italian...



Më 26 Gusht 2018 ishte 80-vjetori i vdekjes së 27-vjeçarit që, pavarësisht rock-ut të papërsëritshëm
të prozës së vet – arkapi(je) e vërtetë kah shtrëngatave letrare europiane të viteve ‘30 – nuk u bë dot kurrë pjesë e Club 27.

Dëshmia e tij e fundit me shkrim qe nga një spital italian, ku ishte çuar për t’u kuruar nga tuberkulozi: “15 Maj 1938 – Ka kohë që më sillet ndër tru mendimi të marr shënime në shtëpinë e të dëshpruemve – në sanatorium. Sot, ma tepër se kurr, m’asht duke kjo banesë shtëpi e të dëshpruemve, mbasi nuk ndihesha mirë fizikisht, e kur nuk ndihem mirë fizikisht, vuej dy herë ma tepër shpirtnisht. Mbasi e diela – erdhën Olga, Arta T. Dhe Ankthim K.*
Biseduam mbi temën e ditës: politikën, mandej mbi mizat e ngordhuna nëpër tokë nga formalina. Në korriz të politikës së ditës dhe në korriz të mizave të ngordhuna e bamë pak gaz. Kur shkuen këta, ndihesha ma mirë dhe në darke ngrana mjaft mirë.”

Millosh Gjergj Nikolla

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...