Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/09/14

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli : Integriteti territorial, i pacënueshëm


http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2018/09/294342-8dfAfak8e6.jpeg

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin midis dy vendeve, i shtrirë tashmë në të gjitha fushat, për proceset politike në shtetet respektive dhe me theks të veçantë, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës konfirmoi edhe njëherë qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacenueshme.

Veseli tha se në fund të procesit të dialogut, Kosova do të fitojë ulësen e saj në OKB, brenda kufijve me të cilët ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht.

Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, nga ana e tij, konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat ajo po kalon.

Veseli e Bushati theksuan nevojën që spektri politik i Kosovës të dalë me një qëndrim të përbashkët para fillimit të dialogut final.​

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj: Kosova dhe Shqipëria ti heqin barrierat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.

http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2018/09/294260-VUpkNLNvIZ.jpg

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin Bushati për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, Agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik, fuqizimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve të MSA-së, dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe çështje tjera me rëndësi për vendin.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në procesin shtetformues dhe proceset tjera me rëndësi për vendin, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet edhe më tutje, në fushën e zhvillimit ekonomik, të këmbimeve tregtare, arsim, kulturë, shëndetësi dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.

Gjatë takimit kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për rrugën e integrimit euroatlantik, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, dhe në organizata tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

“Mbështetja që ka dhënë Shqipëria për Kosovën në të gjitha etapat ka qenë e rëndësishme, andaj kërkojmë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të vazhdojë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik. Ne duhet t’i ndryshojmë parametrat ekonomik mes vete dhe t’i heqim barrierat burokratike”, tha kryeministri Haradinaj duke falënderuar ministrin Bushati për rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.

Gjatë takimit është biseduar edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, poashtu edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Pejë.

Ndërkaq, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për vendimin pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamentit Evropian, në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar që edhe më tutje të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Taksa rrugore për "Rrugën e Kombit" mund t’i dërgojë bizneset për në Maqedoni

http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2018/05/La-Via-della-Nazione-Milot-Morine-Rruga-e-Kombit.jpg
Vendosja e taksës për qarkullim në autostradën “Rruga e Kombit” nga autoritete e Shqipërisë, ka ngjallur reagime të shumta te komuniteti i biznesit, sipas të cilëve kjo do ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas vendimit cili pritet të hyjë në fuqi më 17 shtator të këtij viti, të gjithë ata që udhëtojnë në “Rrugën e Kombit”, në pjesën e Shqipërisë, e cila është e gjatë 114 kilometra, për kalim në dy drejtime do të paguajnë tarifat për veturë 5 euro, autobusë dhe kamionë më peshë më të vogël, 11.2 euro, për kamionët e mesëm 16.2 euro dhe për kamionët e rëndë 22.5 euro.

Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën ishte lëshuar në qarkullim në vitin 2009. Ndërkaq, Kosova përfundoi ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” në vitin 2013.

Një nga kompanitë nga Kosova që për çdo ditë qarkullon në këtë autostradë është kompania e derivateve të naftës “AL – Petrol”.

Menaxheri financiar i kësaj kompanie, Aziz Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se taksa është shumë e lartë dhe mund të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të produktit.

“Ajo që ne kemi kërkuar nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe së fundmi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, ka qenë një zbritje ose një pagesë më e pranueshme për bizneset kosovare. Ose të jetë ajo që po aplikohet për banorët e Kukësit me rrethinë dhe mos të jetë taksë e njëjtë si për bizneset kosovare, si për bizneset tjera që e shfrytëzojnë ‘Rrugën e Kombit’ për shërbim ose bërje biznesi”, thotë Berisha.

Sipas vendimit të autoriteteve shqiptare, për përdoruesit e shpeshtë të autostradës, është parashikuar që për ata që realizojnë nga 10 deri në 30 kalime në muaj, zbritje në masën 10 për qind, mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritje 20 për qind, kurse për mbi 50 deri në 60 kalime në muaj zbritje deri në 30 për qind.

Shqetësimin me çmimin e përcaktuar, në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) kanë shprehur sidomos bizneset që shfrytëzojnë “Rrugën e Kombit” për transport të derivateve, mallrave dhe agjencitë e udhëtimit.

Në një komunikatë për media të OEK-ut thuhet se vetëm gjatë një ditë nga 15 deri në 30 autobote të kompanive të derivateve të naftës shkojnë në Shqipëri dhe anasjelltas, e që gjithë kjo do rezultonte me shifër të papërballueshme financiare.

Për këtë, Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në riaktualizim të çështjes, në mënyrë që bizneset e Kosovës mos të kërkojnë alternativa tjera për transportin e mallrave, sidomos tashmë kur është në përfundim e sipër autostrada “Arbën Xhaferi”, që lidh Prishtinën më Shkupin.

Edhe Berisha nga Al -Petrol, pohon se nuk përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të alternativave tjera për transportin e produktit.

“Realisht, alternativa tjera do jenë të obligueshme jo vetë, për biznesin tonë por edhe për gjithë bizneset tjera, për shkak se taksa e rrugës ndikon direkt në çmimin e produktit. Pastaj në rast se kemi furnizime më të lira në rajon, ne do të shikojmë alternativa të ndryshme”, thotë Berisha.

Edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, e konsiderojnë të lartë çmimin për taksën rrugore dhe thonë se për këtë vendim, autoritet shqiptare nuk janë konsultuar më autoritet në Prishtinë, pavarësisht faktit se frekuentimi i më i madh për në Shqipëri është i qytetarëve dhe bizneseve nga Kosova.

Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga muaji maj i kanë dërguar shkresë zyrtare, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Demian Gjiknuri, por deri më tani nuk kanë marr ndonjë përgjigje.

“Mirëpo, kjo taksë atakon drejtpërdrejtë qytetarët e Republikës se Kosovës, sepse frekuentimi më i madh i ‘Autostradës së Kombit’ është pikërisht nga qytetarët e Republikës se Kosovës. Nëse thirremi ne se është ‘Autostradë e Kombit’, atëherë për cilin komb po flitet, dhe realisht nuk janë marrë për bazë kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve tanë”, thotë Kadriu.

Qeveria e Shqipërisë, një vendim për zbatimin e taksës rrugore e kishte marrë në muajin prill, por që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kishte pezulluar taksën për shkak se kjo taksë ishte kundërshtuar me anë të protestave nga qytetarët e veriut të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët thanë se tarifa është shumë e lartë.

Sipas shifrave zyrtare, vetëm në vitin 2017 në kufirin me Shqipëri janë regjistruar mbi 2 milionë hyrje dhe dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve.

Doris Pack: A po i sakrifikon BE-ja bindjet si në të 90-tat?

.http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2018/09/doris-pack2.jpg


Fjalimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiq ngjalli reagime të shumta, por Bashkimi Evropian nuk reagoi ende

Politikanja e njohur gjermane Doris Pack ndjehet e shqetësuar nga mosreagimi i Bashkimit Evropian, e për këtë gjë ajo ka reaguar përmes një postimi në Twitter.

Përmes llogarisë së saj në Twitter Doris Pack ka shkruar se si Bashkimi Evropian nuk ka reaguar për cilësimin që e bëri presidenti Vuçiq për Millosheviçin si një “lider i mirë”.

Statusi i plotë:
“Presidenti aktual serb flet në Kosovë për Millosheviçin si “një lider i madh”, e kjo nuk ka gjallur reagime te zyrtarët e BE-së? A po i sakrifikojmë bindjet tona për të ashtuquajturën realpolitikë, sikur që kemi bërë për një kohë të gjatë në të nëntëdhjetat e hershme?” Vuçiq ka qëndruar në Kosovë fundjavën e kaluar, ndërsa fjalimin e ka mbajtur në Mitrovicën e Veriut.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas miratimit nga Qeveria të projektligjit për transformimin e FSK-së në Ushtri.

http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2017/12/hashimthaci34723.jpg



Përmes një postimi në Facebook, Thaçi është shprehur se për shkak të interesave të ngushta të lidershipit, procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri është vonuar.

Megjithatë, Thaçi ka shtuar se ai është pro transformimit të FSK-së në Ushtri, dhe se kjo e fundit nuk përbën asnjë kërcënim për rajonin.

Ai madje ka bërë thirrje që projektligji në fjalë të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Ky është postimi i plotë i Thaçit:

“Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi.

Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë.

Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim.

Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën.”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, reagon për zhvillimet rreth FSK-së

http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2017/03/fsk124552.jpg

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dalur me qëndrim, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me tre projektligjet bazë për transformim të FSK-së në Forca të Armatosura.

Përmes një deklarate, thuhet se SHBA kanë punuar ngushtë me Kosovën rreth mënyrës për t’ia arritur këtij qëllimi.

Sipas tyre, lidhur me projektligjet në fjalë kanë këshilluar një qasje të matur që e mbanë Kosovën në përputhje me aleatët në NATO, gjithnjë për një hap të rëndësishëm.

Më tutje, thuhet se projektligjet e miratuara nga ekzekutivi do të analizohen në mënyrë që të kuptohet qëllimi dhe efekti i tyre.

Ndryshe, Qeveria me votë unanime të kabinetit qeveritar ka miratuar tri ligjet bazë për transformim të FSK-së me Mision dhe detyra shtesë: Ligji për Forcën, Ligji për shërbim në Forcë dhe Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes.

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën rreth mënyrës për ta arritur këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në përputhje me aleatët tanë në NATO për këtë hap të rëndësishëm. Nuk jemi këshilluar për çastin e këtij lajmërimi dhe do të na duhet t’i analizojmë projektligjet për ta kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre.

Përpjekjet tona të disa javëve të shkuara janë përqendruar në ndërtimin e konsensusit të brendshëm për dialogun e rëndësishëm me Serbinë. Vazhdojmë të besojmë se normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparim në të ardhmen e afërt.

Berlini heq shpresat për anëtarësim të shpejtë të Ballkanit

Bundestagi i Qeverisë  gjermane kohë më parë  ka reaguar e rezervuar lidhur me përpjekjen e re të Komisionit Europian që prezantohet  nga komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025.

http://www.mediapress.al/wp-content/uploads/2018/02/1136109122017080707134437432.jpeg

Sipas kësaj strategjie, Serbisë dhe Malit të Zi i ofrohet një perspektivë e qartë integrimi nëse kryhen reformat e duhura dhe vendet zgjidhin problemet me fqinjët.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se “e qartë është që këto kandidatë kanë ende për të bërë reforma të zgjeruara në vendet e tyre”.

Seibert u shpreh se “nuk do të ketë anëtarësime automatike, për shkak të datave që janë vendosur më parë”.

Megjithatë qeveria gjermane e quan shumë të rëndësishme perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit.

Por sipas zëdhënësit të qeverisë, strategjia për Ballkanin e Komisionit Europian duhet të studiohet një herë mirë, kur të paraqitet të martën.

Komisioni pritet të japë vlerësime edhe për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Bosnje-Hercegovinës.

Edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane është shprehur, se janë të nevojshme reforma në fushat kryesore si shteti ligjor, aftësia e konkurrencës dhe bashkëpunimi rajonal.

“Por veçanërisht grindjet të zgjidhen para anëtarësimit”, thuhet nga Ministria e Jashtme gjermane.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...