Xhavit Haliti: PDK brenda dy ditëve mund ta çojë vendin në zgjedhje
Nëse vlerësohet se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë në interes të vendit, atëherë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) brenda dy ditësh mund ta zgjedhë një opsion të tillë. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin” nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.Haliti, i cili është deputet i PDK-së në Kuvend, thotë se kërkesat e opozitës për zgjedhje janë legjitime.
“Kërkesat për zgjedhje janë legjitime. Rregullat që dihen në demokraci, që nëse ka kërkesa të tilla, nëse bëhet kuorumi për rrëzim të Qeverisë, atëherë Qeveria bie. Deri tash çdoherë kur ka rënë Qeveria në secilin variant kemi shkuar në zgjedhje të reja. Nëse ne vlerësojmë se interes i vendit janë zgjedhjet, atëherë ne e çojmë vendin në zgjedhje për dy ditë”, ka theksuar Haliti.
Mirëpo pavarësisht mospajtimeve brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, sidomos për shkak të taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, Haliti thotë se ky koalicion është funksional, i cili po diskuton për harmonizimin e çështjeve me rëndësi për vendin.
****
Dr.Pal Lekaj-serbëve: Nëse prisni seancën për rrëzimin e qeverisë, pritja do zgjasë deri në fund të mandatit
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj i është kundërpërgjigjur “planeve” të Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Ai ka thënë se nëse deputetët e Listës Serbe kanë vendosur ta presin seancën për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, atëherë pritja do të zgjasë deri në përfundim të këtij mandati.
“Prandaj, unë u bëj thirrje që ta trajtojnë me seriozitet detyrën e deputetit dhe t’i lënë anash kërcënimet”, shkruan Lekaj në Facebook.
Lista Serbe ka paralajmëruar sot se do të kthehej në Kuvendin e Kosovës, nëse opozita i bën 51 vota për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
'Sivjet do të ketë zgjedhje të reja'
Në LDK janë të bindur se sivjet do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu të paktën është shprehur në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.
Sipas tij, LDK-ja favorizon një marrëveshje politike, ndërmjet partive politike, për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Haziri bëri të ditur se zgjedhjet e reja mund të organizohen 30 deri në 60 ditë, pas dialogut me Serbinë.
“Ky vit është fillimisht viti i zgjedhjeve nacionale. 30-60 ditë pas fundit të dialogut do të ketë zgjedhje. Ne jemi të përgatitur që zgjedhje të ketë para marrëveshjes finale me Serbinë. Por, me ose pa marrëveshje, zgjedhje parlamentare do të ketë”, deklaroi Haziri për Telegrafin.
Kryetari i Gjilanit foli edhe për zgjedhjet që së shpejti pritet të organizohen brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haziri nuk pranoi të komentojë nëse do të jetë kandidat për kryetar, por tha se duhet të ketë marrëveshje brenda partisë.
“Favorizoj marrëveshje politike, e cila në një mandat të ardhshëm zgjedhë lidership, i cili edhe mund ta çojë LDK-në drejt partisë së parë. Vazhdoj të bëj apel, që të shkohet drejt një marrëveshje të madhe politike brenda partisë”, u shpreh Haziri.