2019-10-09

Shpresoj që Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje



Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur ambasadorin Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Marrëveshjen e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e bërë nga presidenca thuhet se, presidenti Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat.


“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.



Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Çedomir Jovanoviq: Kurti nuk është kërcënim për Serbinë, por një mundësi



Politikani serb dhe njëherit lideri i partisë LDP, Çedomir Jovanoviq, ka deklaruar se “rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë i sheh si nevojë për rifreskim të skenës së brendshme politike në Kosovë, por edhe në marrëdhëniet me Serbinë”, shkruan B92.

Sipas Jovanoviqit, Kosova ka treguar shkallë të lartë të kulturës demokratike në procesin e zgjedhjeve, dhe se tani është momenti që kjo energji të shfrytëzohet për bashkëpunim rajonal.

“Shpresoj që në Prishtinë të formohet shumë shpejtë qeveria e re me një shumicë stabile në Parlament, që do të ketë fuqinë të arrij marrëveshje me Beogradin, marrëveshje kjo që do të pranohej dhe kuptohej nga shoqëria në Kosovë”, ka deklaruar Jovanoviq.

“Sot e sulmojnë Kurtin nga Beogradi me gjuhën që është folur para çdo katastrofe në hapësirat tona, e deklarata të tilla nuk do të duhej të kishin hapësirë në politikën tonë. Kurti nuk është kërcënim për Serbinë, por një mundësi. Deklarata e tij se dëshiron të bisedojë me serbët në Kosovë, e jo vetëm me Beogradin, duhet parë si një mundësi për një nivel më lartë të integrimit te serbëve në shoqërinë dhe institucionet kosovare”, ka thënë për fund lideri i SDP-së.

Analisti amerikan, Edward Joseph: Shtëpia e Bardhë beson se Grenell do ta bindë Gjermaninë të mbështesë idenë e shkëmbimit të territoreve








Analisti amerikan, Edward Joseph, thotë se me emërimin e Richard Grenellit të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë e përfolur më herët për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Grenell, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, qëndrojnë të mërkurën në Kosovë. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Joseph flet edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilin e cilëson si goditje ndaj presidentit Hashim Thaçi, për sfidat e menjëhershme të qeverisë së re e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, si e shihni përfshirjen gjithnjë e më të intensifikuar të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi?


Edward Joseph: Është edhe pozitive, edhe shqetësuese. Pozitive, sepse secila administratë amerikane që tregon interesim intensiv në Ballkan, është një gjë e mirë. Janë bërë disa vite që SHBA-ja e ka distancuar veten nga Ballkani dhe e ka zbritur (atë rajon) nga prioritetet e saj. Por, kjo çështje (dialogu) qartazi kërkon angazhim të nivelit të lartë, në mënyrë që edhe Kosova, edhe Serbia të bëjnë përparim. Në të njëjtën kohë është e çuditshme dhe shqetësuese. Përse ambasadori (Richard) Grenell është emëruar (në pozitën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi) kur Matthew Palmer është zgjedhur së voni në pozitën e të dërguarit të posaçëm (për Ballkanin)? Palmer natyrisht ka përvojë të gjatë në rajon, ndërsa ambasadori Grenell ka punuar në Kombet e Bashkuara, ka njohuri për rajonin, por jo në të njëjtin nivel. Është një gjë e mirë që Shtëpia e Bardhë, në kohën e shumë krizave të tjera, është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por, në anën tjetër, është e çuditshme dhe mbetet të shihet se çfarë do të thotë për politikën amerikane në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk është një gjë e zakonshme që të ketë dy të dërguar?

Edward Joseph: Është e pazakonshme, sidomos kur keni një emisar të sapoemëruar dhe pastaj emëroni edhe një tjetër. Krijon vërtet konfuzion. Por, në anën tjetër, nuk është krejt keq. Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë). Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues.

Radio Evropa e Lirë: Cili është disponimi në SHBA?

Edward Joseph: Disponimi në SHBA nuk është i lidhur me çështjet në Ballkan. Nëse shikojmë në aspektin ndërkombëtar, SHBA-ja është e përqendruar tash për tash në tërheqjen e trupave nga Siria, në mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Iranin dhe, mes tjerash, në konfliktin tregtar me Kinën. Nuk ka disponim në SHBA për Ballkanin. Ata që e ndjekin këtë çështje janë të shqetësuar dhe në konfuzion me emërimin e ambasadorit Grenell. Ata që mendojnë se emërimi i tij mund të reflektojë qasjen e Boltonit drejt ndarjes së Kosovës – që natyrisht se do të krijonte shumë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje dhe brenda vetë Kosovës… për ne që mendojmë kështu, (emërimi i tij) nuk na jep shumë siguri.

Radio Evropa e Lirë: Po si e sheh zgjidhjen SHBA-ja për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi?


Edward Joseph: Kjo është një pyetje politike, së cilës nuk ia dimë përgjigjen, por duhet t’i lexojmë sinjalet. Kur John Bolton ka qenë këshilltar për siguri kombëtare, unë mendoj se ka pasur mbështetje për idenë – të favorizuar edhe nga (shefja e politikës së jashtme të BE-së) Federica Mogherini – për shkëmbim territoresh, për një lloj ndarjeje të Kosovës, me sa duket në veri, në lumin Ibër, ku katër komunat veriore do t’i kalonin Serbisë dhe një pjesë e padefinuar e jugut të Serbisë, që është Lugina e Preshevës, do t’i kalonte Kosovës. Duket se këtë e kanë diskutuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për disa muaj. Mogherini e ka mbështetur këtë, por të gjithë e dimë se (kancelarja gjermane) Angela Merkel e ka kundërshtuar fuqishëm, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të rajonit që do të ndikoheshin drejtpërdrejt. Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka përsëritur vazhdimisht kundërshtimet ndaj kësaj ideje. Në një rast, ai e ka cilësuar atë si idenë më të pamend që ka dëgjuar. Mali i Zi është shprehur i shqetësuar për këtë ide, Bosnja po ashtu, e mos të flas për shumë paqartësitë rreth mënyrës se si do të zbatohej ajo në Kosovë. Me gjasë do të kishte lëvizje masive të popullsisë serbe që jeton në jug të Ibrit. Ajo vë në pyetje edhe lokacionet fetare serbe në Deçan, Graçanicë… Të gjitha këto kanë mbetur pa përgjigjet e atyre si Mogherini dhe zyrtarët amerikanë të kohës së Boltonit. Ata nuk e kanë shpjeguar se si do të adresohej kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Të dërguarin e tij për dialogun Kosovë-Serbi pritet ta emërojë edhe Bashkimi Evropian. A nuk do të bëhet, ta quaj, pak tollovi?

Edward Joseph: Ata do të duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka dyshim për këtë, sepse SHBA-ja vetëm nuk mund t’i drejtojë palët drejt një marrëveshjeje. E përsëris, kjo mund të jetë një arsye për emërimin e ambasadorit Grenell, sepse kundërshtimet e Merkelit kanë qenë të dëmshme për qasjen e Mogherinit dhe të Boltonit dhe të Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.

“Zgjedhjet e dobësuan pozicionin e Thaçit në bisedime”

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë për dialogun me Serbinë?

Edward Joseph: Në njërën anë është goditje e qartë ndaj presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi. Nuk ka dyshim për këtë. Ideja se ai mund të ketë mandat nga votuesit e Kosovës për të ndjekur rrugën e tij – së bashku me presidentin e Serbisë (Aleksandar) Vuçiq – për ndarjen e Kosovës, qartazi nuk ekziston. Në anën tjetër, mund të ndodhë që Albin Kurti i Vetëvendosjes bëhet kryeministër. Edhe qasja e tij është e përzier, sepse ai, me vite, ka këmbëngulur në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai nuk do që Kosova të jetë një shtet i pavarur, por të bashkohet me Shqipërinë. Kjo do të bëhej e mundur me shkëmbim territoresh. Kurti po ashtu ka thënë se është kundër dorëzimit të ndonjë territori te serbët. E ka thënë këtë disa herë, por duhet të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Ku do të çonte një gjë e tillë?

Edward Joseph: Nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendoj unë, apo të tjerët që kanë punuar me vite në Ballkan. Me rëndësi është ajo që e mendojnë ata që do të prekeshin nga këto vendime (të mundshme për shkëmbim territoresh). Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vazhdimisht ka paralajmëruar për pasojat e vendimeve të tilla. Ato do të vinin në pyetje edhe vetë kufijtë e Maqedonisë së Veriut. Pastaj, çfarë në lidhje me Malin e Zi, me pakicën e tij shqiptare? Nëse komuniteti ndërkombëtar do ta pranonte precedentin e ndarjes etnike territoriale, atëherë përse Millorad Dodik nuk do të vazhdonte me fushatën – ndoshta edhe në mënyrë më të rrezikshme – për ndarjen e Republika Sërpskës?

Radio Evropa e Lirë: Pra, si e shihni ju rrjedhën e mëtejshme të dialogut me Serbinë? Deri më tash kjo ka qenë një çështje më tepër midis dy presidentëve…

Edward Joseph: Pozicioni i Thaçit është dobësuar tani. Ai nuk mund t’i udhëheqë më negociatat, në mënyrë të besueshme, si individ, pa konsultime me kryeministrin. Nëse përpiqet ta bëjë këtë, nuk do të ketë kredibilitet në Kosovë. Çdo marrëveshje që mund ta arrijë, do të jetë përçarëse dhe do të jetë pyetje serioze nëse kosovarët do ta pranojnë. Nëse Albin Kurti është kryeministër, nuk kam dyshim se ai do të jetë tërësisht i përfshirë në këto bisedime, së bashku me presidentin Thaçi, i cili, e përsëris, është dobësuar nga zgjedhjet, sepse partia e tij ka kaluar shumë dobët.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jospeh, a prisni që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të bëjnë koalicion për bashkëqeverisje?

Edward Joseph: Ato janë shumë të ndryshme. Por, një gjë të tillë e kemi parë në shumë vende me demokraci parlamentare, edhe pse këtu në Shtetet e Bashkuara nuk kemi. Në shumë vende të tjera, në politikë bëhen partnerë të çuditshëm. Andaj, gjithçka është e mundur. Aritmetika ekziston. Çështja kryesore natyrisht është se kush do të jetë kryeministër. Por, nëse pajtohen për koalicion, do të thotë se e kuptojnë mirë rëndësinë e kësaj çështjeje, ashtu si edhe të trajtimit të korrupsionit dhe të çështjeve ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Sapo përmendet çështjen e korrupsionit, të ekonomisë…Janë bërë shumë premtime për luftimin e korrupsionit e të papunësisë. A mund t’i realizojnë ato partitë fituese?

Edward Joseph: Albin Kurti duhet t’i realizojë, sepse, nëse nuk i realizon, ai nuk ka besueshmëri. Këto janë çështje mbi të cilat e ka ndërtuar emrin e Vetëvendosjes. Kjo nuk është thjesht një parti tjetër e Kosovës, është një parti që e ka bërë luftën kundër korrupsionit çështje thelbësore. Jo LDK-ja, por Vetëvendosja, nën udhëheqjen e Albin Kurtit. Andaj, Vetëvendosja duhet ta realizojë këtë (zotim), në të kundërtën do të përballet me pasoja serioze në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat e menjëhershme të partive fituese?

Edward Joseph: Sfidë e menjëhershme është formimi i qeverisë natyrisht dhe veprimi i shpejtë për të fituar besimin e popullsisë. Qeveria (e re) në Kosovë duhet të dëshmojë shpejt se është vërtet e ndryshme nga paraardhëset e saj dhe se është vërtet e angazhuar për çrrënjosjen e korrupsionit dhe të politikës së shfrytëzimit të pushtetit qeveritar për të emëruar miq dhe të afërm në pozita të larta. Duhet të veprojë shpejt dhe t’iu dëshmojë votuesve se kjo është një qeveri ndryshe, që e dëgjon popullin dhe u përgjigjet shqetësimeve të tij për korrupsionin. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, së bashku me presidentin Thaçi, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për kundërshtimin që i bën Beogradi pavarësisë së Kosovës.

2019-10-06

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.


Ai së bashku me bashkëshorten e tij, Lumnije Thaçin, është parë duke hyrë në qendrën e votimit “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit, ai i ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë.

“Dëshiroj t’i uroj qytetarët e Kosovës për këtë ditë të rëndësishme. I ftoj që të dalin të votojnë për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen e tyre euroatlantike dhe zhvillim ekonomik të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa: Pjesëmarrja në zgjedhje e fuqizon qeverisjen


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, me rastin e votimit në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje sepse në këtë mënyrë ata e fuqizojnë qeverisjen e vendit.

“Sot konsideroj se është një ditë tepër e rëndësishme për Kosovën, ku qytetarët vendosin për fatin e tyre dhe për qeverisjen e tyre. Unë kam besim tek qytetarët, kam besim se Kosova do të ecë përpara, do të kalojë në binarë normalë, për zhvillim ekonomik, perspektivë për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë perspektivë për të rinjtë tanë”, ka thënë Mustafa, i cili në vendvotim shoqërohej nga bashkëshortja, Qefsere Mustafa.

Kryetari i LDK-së ka theksuar se gjatë fushatës ka vërejtur më shumë njerëz dhe shpresoj të kemi më shumë votues gjatë këtij procesi zgjedhor.

Edhe presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.


Ai ka thënë se sot vota e qytetarëve është e rëndësishme, duke bërë thirrje që të votohet për të ardhmen e tyre.

“Uroj për një qeveri që e do Kosovën dhe popullin e saj, e sidomos të rinjtë. Uroj që procesi zgjedhor të shkojë sa më mirë”, ka thënë Pacolli.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka votuat sot në objektin e Fakultetit Juridik në Prishtinë.




Në këtë qendër të votimit Kurti është shoqëruar nga gruaja dhe vajza e tij.

Ai para mediave u shpreh se ëahtë një ditë e veçantë kur flet populli.

“Dita sot është fort e veçantë, të gjitha përgjigjjeve të të gjitha prartive, të gjithë politikanëve në fushatë u përgjigjet populli si burim i sovranitetit, të Republikës sonë. Sot nuk ka rëndesi a je i pasur a i varfër a je grua a je burrë, a je i ri apo i moshuar, a vjen nga fshati apo nga qyteti, a ke mbaruar shkoll të lartë apo jo, te gjithë jemi të barabartë, sistemi politik është i hapur për të gjithë njësoj prandaj unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë shansin unik për nga karakteri e historik për nga pesha. Uroj votime të lira dhe ditë të këndëshme për të gjithë qytetarët e Republikës sonë”, ka thënë Kurti.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...