Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/01/08

SHBA kërkon mbylljen e llogarive në rrjete sociale të qeveritarëve në Iran

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje zotëruesve të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Twitter që të mbyllin llogaritë e liderëve e Qeverisë iraniane, deri në çastin që interneti do të kthehet në Iran.

“Është një regjim thellësisht hipokrit. Ndalon internetin për njerëzit, teksa qeveria vazhdon të përdorë të gjitha llogaritë në këto rrjete sociale. Prandaj, njëra prej gjërave që ne po kërkojmë nga kompanitë si Facebook, Instagram dhe Tëitter është që të mbyllin llogaritë e liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, ministrit të Jashtëm Mohammad Javad Zarif dhe presidentit Hassan Rohani, derisa ata të rikthejnë internetin për njerëzit e tyre”,- u shpreh Brian Hook, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin.
Qeveria iraniane ka mbyllur pothuajse të gjithë qasjen në internet teksa protestat anti-qeveritare nisën javën e kaluar në mbarë vendin. Megjithatë, grupet monitoruese kanë thënë se në dy ditët e fundit, interneti ka nisur që të rikthehet.

Zyrtarët iranianë pretendojnë se protestat, të cilat janë mbajtur në më shumë se 100 qytete pas njoftimit më 15 nëntor për rritjen e çmimit të naftës kanë mbaruar, por pretendime të tilla ende nuk mund të konfirmohen.

Teherani ka fajësuar armiqtë e huaj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe Izraelin se qëndrojnë prapa protestave, të cilat kanë qenë ndër më të dhunshmet.

Qeveria ka thënë se pesë persona kanë vdekur gjatë protestave, por grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, kanë thënë se mbi 100 është numri i personave që kanë humbur jetën gjatë protestave.

Gorbaçov paralajmëron Rusinë she SHBA-në: “Lufta e nxehtë” mes jush do të thotë shkatërrim i qytetërimit tonë

Ish-lideri i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachov paralajmëroi Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara që duhet të shmangin një “luftë të nxehtë” pasi kjo do të sillte shkatërrimin e të gjithë qytetërimit.
Në një intervistë për CNN ai tha se gjërat janë përkeqësuar pas tërheqjes së amerikanëve nga pakti bërthamor i firmosur mes tij dhe Ronald Reagan në vitin 1987.
“Politikanët dhe njerëzit publikë duhet të kuptojnë se kjo Luftë e Ftohtë e re nuk duhet të lejohet. Ajo mund të kthehet në një luftë të nxehtë që do të sillte shkatërrimin e të gjithë qytetërimit tonë. Nuk duhet të lejohet”, tha Gorbachov.
Pasojat e një lufte bërthamore mes dy superfuqive u bënë edhe më të qarta pas shpërthimit në Çernobil, një ngjarje tragjike e ndodhur në Ukrainë në vitin 1986, së fundmi e risjellë në kujtesën e njerëzve përmes një seriali nga televizioni amerikan HBO.
“Nuk e kam parë filmin, por i di të gjitha detajet nga ajo ngjarje”, tha 88-vjeçari. “Ne i studiuam asokohe të gjitha arsyet për atë fatkeqësi dhe përfundimet iu a dorëzuam të gjitha vendeve të tjera.
Ato duhet të shërbenin si mësim për të gjithë. Njerëzit pyesin pse unë qëndrova i heshtur për disa ditë? Por e them përsëri, ne nuk e kishim kuptuar çfarë kishte ndodhur”.

Gjeniu i shahut Kasparov: Amerika sovjetike e Donald Trump

Bashkimi Sovjetik totalitar ku u rrita, u përpoq ta mbizotërojë të vërtetën, ta shtrembërojë atë dhe ta kontrollojë atë. Realiteti ishte çfarëdo që Partia nxirrte në lajmet e darkës, ose në gazetat zyrtare, Pravda, që do të thotë “E Vërteta” dhe Izvestia, që do të thotë “Lajm”.

Ishte gjithnjë e më e dukshme që atëherë, madje edhe për besimtarët e vërtetë komunistë, se ato që na thoshin nuk përputheshin me botën që shihnim rreth nesh. Siç thoshte një barcaletë asokohe “nuk ka asnjë lajm në të vërtetën dhe asnjë të vërtetë në lajme.” Përfundimisht, pabarazia midis së vërtetës dhe gënjeshtrës u bë shumë e madhe; jeta nuk po përmirësohej dhe gjithnjë e më shumë informacion po kalonte nga ana tjetër, përmes Perdes së Hekurt.
Mohimi i realitetit u bë tepër i rëndë, një fyerje për dinjitetin tonë, një përbërës i nënvlerësuar në frymën e revolucionit. Kam jetuar nëpër disa trazira që ndryshuan botën. Unë jam një qytetar post-sovjetik; vendi i lindjes sime pushoi së ekzistuari në 1991. Ne gëzuam më pak se një dekadë liri të ashpër në Rusi, para se Vladimir Putin të fillonte fazën e tij post-demokratike. Përpjekjet e mia të vazhdueshme për ta luftuar atë tragjedi, çuan në largimin tim në Shtetet e Bashkuara. Tani shtëpia ime e re e gjen veten të mbyllur në betejën e saj të rrezikshme – një betejë për të mos u bërë anëtarja më e fundit e botës së “post-truth” (përtej të vërtetës).
Presidenti Donald Trump dhe mbrojtësit e tij republikanë në Kongres, kanë ndjekur lidershipin e tij në shpalljen e luftës ndaj realitetit të vëzhguar. Raportet kritike janë “lajme të rreme”, gazetarët që raportojnë faktet janë “armiq të popullit”, përsëritet një frazë nga teoritë e konspiracionit të Vladimir Leninit, teori false serviren si të vërteta dhe shërbyesit publikë që dëshmojnë nën betim për ngjarje të dokumentuara, hidhen poshtë si “asnjëherë-Trumpers” (armiq të betuar të Trump).
Në pamundësi për të ndryshuar faktet, Trump dhe mbështetësit e tij, në vend të kësaj përpiqen ta zhvendosin debatin në një univers alternativ, ku e vërteta është çdo gjë që ata thonë se është sot. Trump përsërit të njëjtat gënjeshtra pa pushim dhe është e vështirë të thuash cila është më shqetësuese – që ndjekësit e tij nuk e kuptojnë se janë gënjeshtra, apo se nuk ju intereson kjo gjë. Globalizimi dhe interneti mund ta kenë bërë botën më të vogël, por tani ne po përjetojmë një kundërsulm, rajonalizimin e së vërtetës.
Interneti pritej të ndriçonte dritën e së vërtetës në çdo cep të botës, duke thyer monopolin e autoritarizmit mbi informacionin. Por është bërë gjithashtu një sistem i dorëzimit me shpejtësi të lehtë të gënjeshtrave dhe propagandës. Rrjeti është copëtuar në copa. Si një pasqyrë e copëtuar, çdo fragment pasqyron një imazh të ndryshëm, të shtrembëruar, në vend të një realiteti të vetëm. Protestat në Iran janë të vështira për t’u ndjekur, kur regjimi mund të mbyllë qasjen në internet në të gjithë vendin. Eshtë më e lehtë të mësosh për protestat pro-demokracisë së Hong Kongut në pothuajse çdo vend, përveç Kinës, falë censurës së tyre drakoniane. Rusia bllokon blogerët dhe mbyll organizatat joqeveritare ndërsa përmbyt vendin dhe botën me dezinformata.
Eshtë alarmante të shohësh Amerikën duke marrë rrugën e saj Trumpiane, pikërisht në këtë shteg të errët. Në BRSS, ne nuk kishim një zgjedhje se cili kanal lajmesh duhej parë. Amerikanët kanë mundësi të pakufishme, por shumë veta kufizohen vullnetarisht në disa burime të një mendjeje të njëjtë. Për Pasuesit e Trump në veçanti, mohimi i realitetit është një simbol i nderit, një simbol i përkatësisë ndaj një kulti të pabindur.
Nëse do të shikonit seancat dëgjimore të shkarkimit të Presidentit vetëm në Fox News, do të mendonit se gjërat po shkojnë mirë për Donald Trump. Çdo frazë që duket se mund të tingëllonte sikur e shfajësonte atë – dhe nuk janë shumë të tilla- përsëritet pa pushim si një mantra. Provat e rënda dhe akzuese të paraqitura, gjithashtu mund të mos ekzistojnë. Kjo ndarje partizane përgjatë vijave të realitetit, është në përputhje me luftën më të madhe të Trump për integritetin, sundimin e ligjit dhe vlerat dhe aleatët tradicionale amerikane. Eshtë modeli i fuqive rajonale dhe fakteve rajonale dhe vlerave rajonale të kërkuara nga Putini dhe Xi Jinping i Kinës. Sipas këtij vizioni, nuk ka asnjë të mirë ose të keqe, thjesht biznes si zakonisht dhe nuk ka vend për argumente morale mbi kampet kineze të përqendrimit ose mbi Rusinë që bombardon spitalet në Siri.
Kompanitë Amerikane gjithashtu janë në rënie, me Apple që kohët e fundit ndryshoi aplikacionin e saj të hartave brenda Rusisë, për të treguar territorin ukrainas të aneksuar në mënyrë të paligjshme si Krime. (Google e ka bërë këtë për vite me radhë.) Gjigandët e teknologjisë amerikane janë të lumtur që ndihmojnë Putinin të krijojë një realitet të rremë brenda kufijve të Rusisë.
Mesa duket Apple dhe Google kanë forcën të përballen me FBI, por jo me FSB, ish-KGB e dikurshme. Softueri është fuqi e butë dhe kompanitë amerikane tradhtojnë vlerat e kombit që mundësuan suksesin e tyre, duke ju bërë ndere diktatorëve. Firmat e teknologjisë që mbrojnë veten duke thënë se është thjesht biznes, jo politikë, tingëllojnë shumë si studiot e Hollivudit që redaktuan filmat e tyre dhe pushuan stafin hebre, nën presionin nazist në vitet ’30.
Cila është e vërteta? Në epokën e fakteve të rajonalizuara, varet se ku qëndroni, në cilin kanal po shikoni dhe në cilën parti ju takoni. Por nuk mund të ketë një realitet të kuq të shtetit dhe një realitet shtetëror blu më shumë sesa duhet të ketë një hartë botërore brenda Rusisë dhe një tjetër e tillë jashtë saj. Trump më në fund po përballet me muzikën dhe duhet ta fillojë këtë duke u përballur fillimisht me faktet reale.

Fuqitë europiane akuzojnë Iranin për zhvillimin e raketave balistike

Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësime se Irani ka zhvilluar një sistem raketash balistike, në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit.
Në letrën e përbashkët dërguar Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së nga Parisi, Londra dhe Berlini , thuhet se “zhvillimi i raketave balistike me aftësi bërthamore” është në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes fuqive botërore dhe Iranit.
Kujtojmë se në muajin maj të vitit të kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, përmes së cilës, Irani ra dakord të frenojë programin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Ja si funksionojnë sajtet e lajmeve të rreme që po fitojnë miliarda dollarë me audiencë false!

Forbes dhe Business Insider janë të dyja sajte shumë të njohura lajmesh. Por a është forbesbusinessinsider.com pjesë e tyre?
Jo. Nuk ka lidhje as me Forbes dhe as me Business Insider.
Në fakt, është një faqe që kopjon artikuj nga publikues të ndryshëm dhe i riposton me ndryshime shumë të vogla.
Ka 350 emra domeinesh të regjistruara në internet. Ekspertët thonë që është e pamundur të numërohen se, sa janë sajte lajmesh sham.
Por ashtu si sajtet e ligjshme, ato fitojnë para nga kompanitë që i paguajnë për reklama.
Amazon dhe Google janë dy nga lojtarët më të mëdhenj në botë, në industrinë e reklamimit digjital.
Ata fitojnë miliarda dollarë në vit duke shitur akses për hapësirë në faqe.
Kur BBC e pa për herë të parë forbesbusinessinsider.com, vuri re se kishte reklama që promovonin marka shumë të mëdha duke përfshirë dhe Sephora dhe Vitality Insurance.
Pasi Google u njoftua nga BBC për këtë sajt nuk publikoi më reklama aty, ndërsa Amazon ende vazhdon ta bëjë.
Ky sajt u krijua nga një firmë webdesign me qendër në Karachi, Pakistan. Shahzad Memon i tha BBC që kompania e tij ndërtoi forbesbusinessinsider.com si një test për të zbuluar mënyra për të rritur optimizimin e makinerisë së kërkimit, aftësinë për të bërë që një link në një sajt të dalë më lart në kërkimet për çështje të caktuara.
“Nuk ka nevojë të jesh një pirat kompjuterik shumë i mirë për ta bërë këtë gjë,” tha Dr. Augustine Fou, një ekspert i reklamimit digjital me bazua në Nju Jork.
“Për sa kohë që njihni kodet, mund të ndërtoni një sajt bazik duke përdorur templates.”, tha më tej ai, shkruan dritare.net
Shpesh sajtet nuk janë të dizenjuara që të shihen nga syri njerëzor.
Sajti laredotribune.com gjithashtu duket si një sajt lajmesh normal për një qytet si Teksasi jugor. Ka histori rreth rezidentëve vendas dhe murit kufitar me Meksikën të thënë nga Trump.
Por këto lajme nuk kanë datë. Nuk ka të dhëna ose kontakte të stafit dhe sajti ngarkohet shumë ngadalë për shkak të numrit të madh të reklamave.
Gjithsesi sajti ka pasur 3.7 milion shikime të faqes në tre muajt e fundit, sipas të dhënave nga firma analytics Similarweb.
Jo keq për një sajt lajmesh që mbulon një qytet prej 260.000 njerëzish.
Por audienca është false. Bots përdoren për të dhënë përshtypjen e trafikut të lartë, duke gjeneruar të ardhura reale për krijuesit e sajtit.
“Çdo sajt bën të paktën 100.000$ në muaj,” tha Vlad Shevtsov, drejtor i hetimeve në Social Puncher, firma që nxori në dritë një numër të lartë sajtesh, lajmesh mashtruese. Organizata thotë që mashtrimet me reklamat janë një industri miliona dollarëshe.
Po të hulumtosh pak më thellë në të dhënat e Laredo Tribune dhe do të shikosh se ka të dhëna të tjera që nuk janë reale.
Reklamuesit mund të pyesin se pse ka 500.000 shikime të faqes në shtator dhe në tetor shkuan në 3 milionë shikime.
Reklamat për firma madhore angleze duke përfshirë Virgin Media e Superdrug u zbuluan në sajte lajmesh sham nga BBC.
“Ne shpresojmë që të bëhet më shumë në industri për të ndaluar këto mashtrime,” tha një zëdhënëse nga Virgin Media.
Google tha se Laredo Tribune nuk shkel rregullat e reklamimit dhe nuk patën probleme me ngarkesën e sajtit.
“Kjo do të thotë që muajin tjetër, pronari anonim do të marrë sërisht paratë nga Google,” tha zoti Shevtsov.
Shumë nga industritë e Google nuk bëjnë mjaftueshëm për të siguruar që buxhetet e reklamimit të mos harxhohen në site të tjera bogus (fiktive).
“Industria e reklamave dhe Google vazhdojnë të injorojnë provat se ata po paguajnë, mashtrues,” tha zoti Shevtsov.
Dr Augustine Fou është dakort.
“E kuptoj se pse është e vështirë për një platformë si Google për ta ligjëruar. Ka qindra mijëra aplikacione dhe miliona sajte që përdorin teknologji reklamuese për të bërë para,” tha Dr Fou.
“Por pas vite e vitesh njohuri të këtyre abuzimeve, ata duhet të bëjnë diçka me konkrete, jo thjesht të reagojnë pasi të tretë bëjnë punën e tyre për ta.”
Google tha se është shumë i dhënë ndaj luftës kundër mashtruesve.
BBC ftoi Amazon të komentojë, por ata nuk kthyen përgjigje./ Përshtati për Dritare net, Ada Shehu

Ballkani, më i rrezikuari në Europë nga “fake news”

Vendet e Ballkanit janë më të cenueshmet në Europë nga lajmet e rreme dhe dezinformimi.
Pjesëmarrësit e konferencës së 4-t rajonale mbi sfidat e sigurisë në Europën juglindore ranë dakord që të gjithë pak ditë më parë se ky është një problem për të mbarë rajonin, e këtë qëndrim e përforëcoi edhe instituti Open Society në Sofje.
Shqetësimi kryesor lidhur me raportime të tilla në median “mainstream” e përben Serbia dhe Republika Srpska e Bosnjes. “Ngërçi më i madh me Serbinë është se mediat më me influencë në vend, 6 të përditshme me shumë ndikim dhe pesë televizione kryesore janë pro-qeverisë e mbështesin presidentin Aleksandar Vucic dhe partinë e tij progresiste. Në hapësirën publike atje pothuajse nuk ka gazetari të paanshme”, thotë Marija Vučić nga platforma investigative KRIK.
Ajo shtoi se përhapja e lajmeve të rreme është e qëllimshme dhe se problemi nuk ka të bëjë me mungesën e profesionalizmit apo gabimet. Në republikën Srpska, dy janë sipas gazetarit Emir Zulejhić, burimet kryesore te fake news, agjensitë e lajmeve RTRS dhe SRNA.
Dezinformimi dhe lajmet e rreme po përhapen me një shpejtësi ta paprecendent sot nëpër botë përmes platformave sociale, por edhe mediave kryesore. Një studim i fundit i realizuar nga Universiteti i Teknologjisë ne Massachussets del në përfundimin se informacionet e rreme përhapen sot më shpejt dhe më shumë sesa e vërteta; sipas verifikimeve të këtij instituti prestigjoz, të vërtetës iu desh 6 herë më shumë kohë për të mbërritur tek 1.500 njerëz sesa lajmit të rremë.

“Nëse BE po zgjerohet me Shqipërinë dhe Kosovën, pse jo Katalonja dhe Skocia?”

Bashkimi Europian është i suksesshëm edhe nëse përbëhet nga kombe të vogla, tha ish-udhëheqësi i arratisur katalanas, Carles Puigdemont.
Nëse numri i shteteve anëtare do ishte problem, BE nuk do pranonte vende të reja, shtoi ai.
Ish-presidenti katalanas është në kërkim nga Spanja për organizimin e një referendumi për pavarësinë e shtetit dy vjet më parë.
Zërat që kundërshtojnë pavarësinë Katalanase erdhën jo vetëm nga Madridi, por edhe nga Brukseli.
Presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se do të ishte e pamundur të administrohej BE, nëse do të kishte 98 anëtarë, gjë që sipas tij do ndodhte nëse Katalonja do lejohej të bënte atë që donte.
Puigdemont tha që kjo linjë arsyetimi ka një të metë të dukshme.
“Ata na thanë se marrja e Skocisë, Katalonia dhe Flanders do ishte shumë e ndërlikuar. Ne mund ta pranonim këtë gjë, por BE po kërkon të zgjerohet nga 28 anëtarë në 30 apo 32. Ata po negociojnë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësimin e tyre,”– tha ai në një intervistë me ish presidentin e Ekuadorit, Rafael Correa.
Puigdemont tha se BE mund të jetë një bashkim funksional me banorë të pasur dhe të lumtur, edhe nëse përbëhet nga vende të vogla.
Por ka një diferencë ndërmjet shteteve që Puigdemont përmendi.
Tri të parat janë pjesë e shteteve të njohura ndërkombëtarisht, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore janë kombe sovrane në vete, ndërsa statusi i Kosovës është shumë i diskutueshëm.
Puigdemont argumentoi se rajonet e shkëputura si Katalonja nuk duhet të trajtohen ndryshe për shkak të mënyrës sesi kufijtë u vendosën në të kaluarën.
“Prodhuesit e hartave do të duhet të bëjnë ndryshime shumë herë, sepse, për fat të mirë, kufijtë ndryshojnë. Aspirata jonë është që ato ndryshime të zbatohen jo përmes luftërave, martesave midis familjeve mbretërore dhe kolonizimit, por sipas vullnetit të njerëzve,”– shtoi ai.
Puigdemont insiston që shembulli i një beteje jo të dhunshme për pavarësinë që ai dhe përkrahësit e tij bënë duhet të mirëpritet.
“Përndryshe, njerëzit me aspirata të ngjashme do të shohin se e vetmja mënyrë për t’u bërë e pavarur është përmes luftës dhe konfliktit të armatosur, ku do duhet ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare më vonë, siç ndodhi me ish-Jugosllavinë,”– tha ish-udhëheqësi.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...