Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/05/27

Karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë do të mbyllet



Nga Brukseli sot në Kosovë pritet të kthehen edhe 150 persona të cilët janë nga vendet e Beneluksit, ndërsa në ditët në vijim pritet që të kthehen edhe qytetarë të tjerë të Kosovës nga Gjermani e Zvicra.

Kështu ka bërë të ditur shefi i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj i cili tha se çdo ditë e më shumë po rriten kërkesat e qytetarëve që duan të kthehen në Kosovë.

Mirëpo, pas paralajmërimeve se karantina në Qendrën e Studentëve do të mbyllet, disa prej këtyre 150 udhëtarëve si dhe të tjerë që paralajmërohet se do të kthehen, do të vetëizolohen.

“Ka kërkesa të shumta prej qytetarëve të Kosovës që të kthehen në vend kërkesa po shkojnë e po rriten vazhdueshëm meqenëse kjo fazë zgjati shumë, kështu që ne jemi duke vazhduar dhe duke punuar me ambasadat e Kosovës në vazhdimësi që të kthejmë sa më shumë qytetarë që është e mundur derisa të hapen kufijtë. 


Gjatë ditës së sotme vjen një fluturim i veçantë nga Brukseli, kemi fluturime nga Zvicra dhe Gjermania gjatë ditëve në vazhdim, por e përgatisim edhe një fluturim prej Turqisë. 

Gjithashtu edhe ne e kemi njoftimin që do vjen vendimi së shpejti për heqjen e karantinës kështu që qytetarët që vijnë prej jashtë duhet të vetëizolohen për një kohë të caktuar”, tha ai.

Zogaj tha se 150 qytetarët që kthehen sot nga Brukseli varësisht nga udhëzimet mjekësore ka gjasa që disa të plotësojnë kushtet për vetëizolim, ndërsa të tjerët do karantinohen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“150 na kthehen prej Brukselit, në këtë aeroplan janë të përfshirë qytetarët që kanë qenë të shpërndarë në vendet e Beneluksit dhe këto janë shifrat që po vijnë kryesisht. Pra, janë aeroplan me nga 150 qytetarë edhe prej Zvicrës e prej Gjermanisë në ditët në vazhdim…

Sipas udhëzimeve të ekipit mjekësor i cili është në Aeroportin e Prishtinës një pjesë kam përshtypjen plotësojnë kushtet për vetëizololim, ndërsa një pjesë do shkojnë në karantinë, por këtë vendim e marrin mjekët në aeroport”, theksoi Zogaj .

Deri në këto momente në Kosovë me COVID19 kanë rezultuar pozitiv 1047 persona, prej tyre 794 persona janë shëruar, kurse 30 persona e kanë humbur betejën me këtë pandemi.

Nënat e prekuara me koronavirus nuk e bartën sëmundjen te foshnjat



Në Kosovë, katër gra shtatzëna, të sëmura me COVID-19 kanë lindur foshnjat e tyre, mirëpo kjo sëmundje që shkaktohet nga koronavirusi i ri, nuk është transmetuar te të porsalindurit, tha Jakup Ismaili drejtor i Klinikës Gjinekologjike – Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai shton se aktualisht është edhe një grua shtatzënë e infektuar me koronavirus, e që është nën mbikëqyrjen e stafit të Gjinekologjisë.

“Të gjitha foshnjat që kanë lindur nga nënat e prekura me koronavirus, janë testuar, dhe gjitha kanë rezultuar negative”, tha Ismaili.

Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë ndarë 20 shtretër në një repart të posaçëm ku janë trajtuar gratë që dyshoheshin se ishin infektuar me koronavirus, por edhe ato që rezultuan pozitive.

“Kemi bërë repart të veçantë për gratë me COVID-19, me sallë të lindje dhe me sallë operacioni të veçantë. Fillimisht kemi pasur panik, pasi që ishte një virus i ri dhe i panjohur, por që numri i shtatzënave të prekura me koronavirus rezultoi shumë i vogël”, tha Ismaili.

Drejtori i Klinikës Neonatologjike në QKUK, Xhevdet Gojnovci, bëri të ditur se foshnjat gjatë gjithë kohës së pandemisë kanë pasur një trajtim të veçantë mbrojtjeje.

Ai tha se prej datës 13 mars 2020, kur edhe është shfaqur rasti i parë me koronavirus në Kosovë, kanë lindur 180 foshnje. Në këtë numër nuk përfshihen të dhënat e muajit maj.

“Fatmirësisht të gjitha foshnjat që kanë lindur brenda QKUK- së, përfshirë edhe ato foshnje që kanë lindur nga nënat e infektuara me koronavirus, kanë rezultuar negative. Megjithëkëtë ne kemi marrë të gjitha masat duke ndarë edhe një njësi të veçantë për foshnjat, me aparaturë të nevojshme, me respiratorë dhe mjete tjera shtesë, kemi trajnuar stafin se si duhet trajtuar foshnjat me COVID-19, por fatmirësisht nuk kemi pasur raste që është dashur të trajtohen”, tha Gojnovci.

Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë infektuar me koronavirusin e ri tre mjekë gjinekologë.

Në një prononcim të mëhershëm, mikrobiologu  Prof.dr.Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës,  se nuk ka të dhëna të sakta që tregojnë nëse gratë shtatzëna janë më të rrezikuara nga koronavirusi, sesa pjesa tjetër e popullsisë.

Grenell e quajti shkrimin e Politico në Twitter si “lajm të rrem”, duke deklaruar se “e gjithë storia është e pasaktë”


Portali Politico me seli në Bruksel njoftoi sot se i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell, do të bashkohet me fushatën e presidentit të SHBA, Donald Trump, për zgjedhjet e vitit 2020, por Grenell e mohoi atë në Twitter si “Fox News”.

Politico pretendon se Grenell, i cili kohët e fundit njoftoi dorëheqjen e tij si ambasador i SHBA në Gjermani, do të marrë drejtimin në ekipin e rizgjedhjes Trump 2020 dhe të përqendrohet në mbledhjen e fondeve dhe çështjet strategjike.

Duke përmendur dy burime pa emër “të njohur me çështjen”, portali thekson se bashkimi i pretenduar i fushatës së Trump nga Grenell, të cilin ai e përshkruan si aleat i besuar i presidentit, është pjesë e një riorganizimi më të gjerë, gjatë së cilit të martën u promovuan edhe dy zyrtarë të fushatës.

Ai gjithashtu deklaron se tani për tani nuk dihet se cili do të jetë funksioni i tij, apo nëse do të punojë në selinë e fushatës në Virxhininë Veriore.

Portali raporton se Grenell është parë të hynte në Shtëpinë e Bardhë të martën, menjëherë pasi fushata e Trump njoftoi se këshilltari i lartë politik Bill Stepien ishte promovuar në pozitën e zëvendës menaxherit të fushatës.

Sidoqoftë, Grenell e quajti shkrimin e Politico në Twitter si “lajm të rrem”, duke deklaruar se “e gjithë storia është e pasaktë”.

Portali shprehet se Grenell do t’i bashkohej fushatës së Trump në një kohë kur mbështetja për presidentin po bie në nivelin kombëtar dhe në disa shtete të rëndësishme federale.

Sipas një sondazhi të publikuar së fundmi në Fox News, kandidati për president presidencial Joe Biden aktualisht gëzon besimin e 48 për qind të votuesve, ndërsa Trump mbështetet nga 40 për qind e të anketuarve.

Trump kohët e fundit e solli në Shtëpinë e Bardhë ish-drejtorin e komunikimit Hope Hicks dhe promovoi ish-ndihmësin e tij, John McKenty, të kryesojë zyrën e presidentit, pasi ai u ribashkua me administratën në dhjetor të vitit të kaluar.

“Ai dëshiron të ribashkohet me grupin,” tha Politico, duke cituar një zyrtar të lartë të administratës i cili ishte “i njohur me mendimin e Trump”.

Imunologu i Shtëpisë së Bardhë Dr Anthony Fauci tha sot se strategjia aktuale e distancimit dhe e ndjekjes efektive të kontakteve, mund të parandalojë ringritjen e rasteve së cilës i tremben shumë shtete.


Dr. Fauci ka paralajmëruar se SHBA-të mund të ndalojnë një valë të dytë infeksionesh, të cilat sipas tij kanë të ngjarë të ndodhin në vjeshtë dhe dimër, si dhe ka thënë se koronavirusi nuk do të zhduket tërësisht nga planeti.

“Është në duart tona. Ne mund të parandalojmë një valë të dytë nëse i përgjigjemi infeksioneve të pashmangshme që do të shohim në vjeshtë dhe dimër”, tha Dr. Fauci në një intervistë për Newsweek.

“Nuk ka dyshim se ky virus nuk do të zhduket nga planeti ynë deri në kohën kur do të arrijmë në vjeshtë dhe dimër, sepse ka një aktivitet të konsiderueshëm tani në Shtetet e Bashkuara, edhe pse në disa qytete dhe shtete rastet po bien”, shtoi ai.

Eksperti mjekësor i Administratës Trump tha se meqë koronavirusi i ri është i përhapur dhe shumë i transmetueshëm, “nuk mendoj se ka një shans në botë që ne do të shmangim më shumë infeksione… në mënyrë të pashmangshme do të ketë infeksione në vjeshtë dhe dimër”.

Fauci shpjegoi se virusi është shumë i vështirë për tu kontrolluar dhe eliminuar plotësisht dhe gjithmonë do të ketë disa infeksione në disa pjesë të planetit, veçanërisht pasi njerëzit do të udhëtojnë.






Dr Anthony Fauci, gjithashtu drejtor i institutit kombëtar të SHBA për alergjitë e infeksionet, tha për CNN: “Ne nuk duhet të pranojmë që vala e dytë e pandemisë është e paevitueshme. Unë do të vlerësoja që njerëzit të jenë të kujdesshëm për këtë por jo ta konsiderojnë të paevitueshme”.

Eksperti infektiv foli sot me tone të pozitive sesa muajin e kaluar, kur ai dukej se ishte i bindur për të kundërtën, duke thënë: “Është e paevitueshme që koronavirusi do të kthehet sezonin e ardhshëm. Mënyra sesi do ta trajtojmë pandeminë do të përcaktojë dhe fatin tonë”.

Ekspertët tremben se Covid-19 mund të rikthehet fuqishëm kur temperaturat të bien përsëri në vjeshtë e dimër, dhe se virusi do të tejngarkojë shërbimet shëndetësore e spitalet që përballen me sezonin e gripit të zakonshëm.

Deri tani Dr Fauci ishte përpjekur të zbuste deklaratat optimiste të Presidentit Trump por sot ai pranoi edhe vetë se sistemet e gjurmimit të rasteve dhe të izolimit të njerëzve mund të parandalojnë rikthimin.

“Nëse ne vëmë në zbatim rregullat që kemi krijuar deri tani mund të parandalojmë valën e dytë për të cilën po flasim, nëse i zbatojmë ato korrektësisht, tha ai

Mattheë Palmer: Kosovës i duhet një qeveri, SHBA-ja nuk do të ndikojë në zgjedhjen e saj

Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ka thënë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Mattheë Palmer.

Siç transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, Palmer ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.

A ka të drejtë Kosova të kërkoj një emisar të ri nga BE-ja “sherri” i Lajçkaut?



Valmira Halimi

Që nga emërimi i sllovakut Mirosllav Lajçak si i dërguari i BE-së për dialogun me Serbinë, në Kosovë janë krijuar dyshime për ndikimin e mundshëm të njëanshëm të tij.



Më 2 prill 2020 , sllovaku Mirosllav Lajçak mori pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi.

Meqenëse Lajçak vjen nga Sllovakia, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, janë shtuar edhe dyshime se politika e shtetit të tij kundër Kosovës do të mund të ndikojë në vendimmarrjen e dialogut.

Mirëpo, njohësit e çështjeve integruese bëjnë të ditur për lajmi.net, se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, por që sipas tyre, Kosova me të drejtë shpreh rezerva dhe skepticizëm ndaj Lajçakut.

I pyetur nga lajmi.net, se a mund të kërkojë Kosova një emisar të ri për shkak të Lajçakut, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë se nuk është aspak e nevojshme që autoritetet kosovare ta bëjnë një kërkesë të tillë.

Sipas Fetoshit, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut me Serbinë, Kosovës i jep siguri për epilogun e këtij procesi.

“Kosova me të drejtë mund të ketë rezerva dhe të shprehë skepticizëm sa i përket rolit të z. Lajçak duke pasur parasysh qëndrimin e shtetit të tij, por jo edhe të kërkojë emisar të ri. Një gjë e tillë s’është e nevojshme edhe sepse për shkak të pesë shteteve anëtare Bashkimi Evropian ka qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës, por kjo nuk e ka penguar rolin e saj lehtësues në dialogun me Serbinë. Z. Lajçak nuk e përfaqëson politikën e jashtme të Sllovakisë dhe mendoj se është gjetje e duhur në raport me “ngërçin” evropian kundrejt Kosovës. Kur kësaj i shtojmë edhe faktin se Shtetet e Bashkuara do të kenë rol udhëheqës së bashku me BE-në, nuk duhet të ketë vend për dyshime në epilogun e procesit”, theksoi Fetoshi.

Ai ka bërë të ditur për lajmi.net se edhe skepticizmi i presidentit Hashim Thaçi ndaj Mirosllav Lajçakut, është më shumë si paralajmërim për BE-së se sa kundërshtim. Mirëpo nëse Kosova e kundërshton dialogun për shkak të paragjykimit ndaj Lajçakut, sipas Fetoshit do të ishte gabim i madh politik.

“Nga ana tjetër, skepticizmin e shprehur nga ana e presidentit e shoh më tepër si mesazh paralajmërues dhe jo kundërshtim kushtëzues për një emisar të ri Përndryshe, vazhdimi i pezullimit të dialogut duke e paragjykuar rolin e z. Lajçak do të ishte një gabim politik me pasoja jo vetëm të prolongimit të procesit, por edhe për marrëdhëniet e ardhshme me Bashkimin Evropian”, theksoi Fetoshi për lajmi.net.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për lajmi.net, se Kosova duhet të kërkojë mbështetje nga shtetet e Bashkimit Evropian, e në veçanti duhet të lobojë shumë me shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën.

Sa i përket çështjes së dialogut, Krasniqi ka thënë se autoritetet kosovare duhet të kërkojë nga ana e BE-së një qëndrim të saj ndaj Kosovës në mënyrë që t’i ofrojnë perspektivë evropiane.

“Vlerësoj që në fakt i mbetet BE-së që të përcaktojë se kush janë të emëruarit e saj në lidhje me proceset e ndryshme në politikën e jashtme të saj. Por ajo çfarë në fakt i mbetet Kosovës është që të kërkojë nga ana e BE-së nga shtetet anëtare të BE-së që të kenë një qëndrim unik ndaj Kosovës, gjë të cilën nuk e kemi parë deri më tani. Politika e jashtme e BE-së është një politikë e cila duhet të vendoset nga të gjitha shtetet anëtare edhe në këtë fazë kur jemi duke shkuar në një fazë të re të dialogut ku kemi një të emëruar të ri, Kosova duhet të kërkojë që BE-ja ta ketë qëndrimin e saj duke i ofruar Kosovës realisht perspektivën evropiane dhe duke i ofruar Kosovës normalisht liberalizimin e vizave, çështje kjo e cila është e padiskutueshme. Por realisht një perspektivë evropiane dhe ajo çka na mbetet neve si Kosovë edhe lidershipit të Kosovës është që me lobua në të gjitha shtetet anëtare të BE-së që ky proces me shkua në favor të Kosovës. Nuk shkon në favor të Kosovës nëse ne kemi një qasje refuzuese por shkon në favor të Kosovës nëse ne e kemi një qasje pro-aktive dhe e dimë cili është interesi jonë, e artikulojmë qartazi atë dhe punojmë në atë drejtim”, theksoi Krasniqi.

Sa i përket emërimit të Lajçakut, Krasniqi ka thënë se emërimi i tij nuk ka qenë i befasishëm pasi që ai me kohë është paralajmëruar dhe se Kosova duhet të vazhdojë të kërkojë ndaj shteteve anëtare të BE-së një qëndrim unik për Kosovën. Ajo thotë se lidershipi kosovarë duhet të punojë më shumë në këtë drejtim dhe të kërkojë nga BE-ja një garanci për perspektivën evropiane.

“Emërimi i zotëri Lajçak nuk ka qenë një surprizë, ka pasur paralajmërim se nuk është se ne e kemi parë nga ana e Kosovës një angazhim të institucioneve të Kosovës pro-aktiv edhe me shtetet anëtare të BE-së që të thoshin se ky emërim nuk është adekuat për arsyet e caktuar. Tanimë më duket që Këshilli i cili është edhe institucioni më i lartë vendimmarrës në këtë aspekt i BE-së, e ka caktuar zotëri Lajçak dhe neve na duhet në fat që të kërkojmë ndaj shteteve anëtare të BE-së që të shkojmë përtej përcaktimit të një personi të caktuar dhe të kërkojmë që ata të kenë një qëndrim unik ndaj shtetit të Kosovës dhe që shtetin e Kosovës ta trajtojnë si shtet, pra si entitet shtetëror dhe që t’i ofrojnë një perspektivë evropiane të qartë. Ne duhet të kërkojmë një rol më pro-aktiv të BE-së edhe në kuadër të procesit të dialogut, vijat të kuqe, parimet, çfarë roli do të ketë BE-ja, garanca nga ana e BE-së edhe perspektivën evropiane. Do me thënë duhet të kërkojmë rol më pro-aktiv nga BE-ja dhe duhet të lobojmë me shtetet anëtare që janë në interes tonin”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Theksojmë se Kosova që nga viti 2018 nuk ka zhvilluar asnjë takim me Serbinë në kuadër të dialogut, kjo pasi që qeveria e atëhershme kosovare e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur tarifë prej 100 për qind ndaj mallrave dhe produkteve serbe dhe boshnjake për shkak të politikave të tyre kundër Kosovës.

Martesa e Mulla Sulës,plasi në Shkup si një “bombë e Zoran Zaevit”!

‘Para, pije, muzikë e krisma të revoles’: Çka e lidhë Mulla Sulën me Dalipin, të dyshuarin si fajdexhi


Kryeimami i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut, Sylejman Rexhepi, duket të jetë një qejfli i madh i muzikës.

Me një kërkim të thjeshtë në YouTube, dalin disa video të tij nëpër ndeja të ndryshme me këngë të zhanreve të ndryshme.

Po ashtu, në këto video shihen njerëz që kanë probleme me ligjin. Në njërën nga këto video në ndejat që organizon i ashtuquajturi Mulla Sula, është edhe i dyshuari Dalip Brahimaj – i njohur si fajdexhiu më i madh i Prishtinës.

I ulur në një kolltuk, përpara ka një tavolinë me disa pemë e pije, Mulla Sula, shikon e dëgjon me vëmendje rapsodët tek thurnin vargje për tokën Dardane. Afër tyre, i ulur në tokë qëndron ‘Dalip fajdexhiu’, i cili nuk heziton të i shpërblejë me para rapsodët.

Kroacia shënon ditën e tretë pa asnjë rast infektimi me Covid-19 ...

E kur ‘nxehet’ pak atmosfera, edhe një e shtënë me armë zjarri nuk ka se si të mungojë. Duket se ky është konaku i Mulla Sulës, një njeri me ‘ndikim’ në Maqedoninë Veriore i cili në këtë pikë të atmosferës, gati sa nuk shtrihet i tëri në kolltuk, për të nxjerrë disa para. Edhe ky i shpërblen rapsodët.

Kjo video është publikuar para dy vitesh në YouTube, derisa, Mulla Sula, ka edhe shumë video të tjera në këtë kanal.

Kujtojmë se Sulejman Rexhepi, është martuar ditë më parë më një grua 50 vjeç më të re se ai.

Mediat shqiptare në Maqedoni, përveç martesës së Rexhepit, raportuan edhe për atë se si kryemami, më 9 maj  2020 kishte tërhequr 1 milion euro kesh nga llogaria e Bashkësisë Islame.



Shkarkimi i reisit, Skender Buzaku: Është vetëm një regji e Rexhepit


Ish sekretari i Myftinisë së Shkupit, Skender Buzaku, i cili vitin e kaluar pati përplasje me BFI-në pasi që pretendonte se kishte mbledhur votat e Riasetit (organit më të lartë të BFI-së), dhe e kishte shkarkuar reisin, tanimë të shkarkuar Sulejman Rexhepi, vlerëson se shkarkimi i sotëm i Rexhepit është regji me qëllim që sipas tij, të mbulohet krimin që e kanë bërë bashkë.
“Është shkarkim politik dhe me regji të Sulejman Rexhepit që të kthehet prapë në Bashkësinë Fetare Islame pas disa muajve. Asnjëherë nuk kam shpresë se këta që e kanë shkarkuar mund të bëje ndonjë reformë. Këta janë me Sulejman Rexhepin. Kjo regji shpresoj që të demaskohet, është bërë që të mbulohet krimi, pasi që aty ka krim të madh. Me qëllim që të mos i përfshijë edhe ata ky turp i ky krim që e kanë bë, e kanë pasur patjetër që ta shkarkojnë”, thotë Buzaku .
Sipas tij, tanimë ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së, Shaqir efendi Fetahu, juridikisht nuk ka pozitë të vlefshme pasi që për pozitën e kryetarit ka kontest gjyqësor përpara Gjykatës.
“Ne ende jemi në procedurë gjyqësore, nuk mundet që dikush që është shkarkuar të shkarkohet prapë. Po presim vendim, ende nuk kemi ndonjë njoftim. Emërimi i ushtruesit të detyrës, nuk parashihet në Kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame. Këtë ushtrues detyre nuk munden ta regjistrojnë askund, as në Regjistrin Qendror, askund. Derisa ka një procedurë gjyqësore, nuk mund të emërohet dikush tjetër kryetar i BFI-së, duhet njëherë të përfundojë, pastaj të iniciohet procedurë. Aktet mund t’i miratojnë, por s’mund t’i ekzekutojnë me asnjë organ shtetëror, pasi që kryetar ende është Sulejman Rexhepi”, thotë Buzaku.
Në prill të vitit të kaluar, Buzaku, tha se ai do të jetë kryetar i ri i BFI-së, sipas vendimit gjyqësor që ai e posedon. Selia e BFI-së ishte e rrethuar me polici.
Reisi Rexhepi asokohe menjëherë e mblodhi Riasetin dhe kërcënoi se do të kyçet në propagandën kundër pushtetit nëse nuk ka reforma gjyqësore në vend, pasi që, sipas tij, me proces gjyqësor të falsifikuar iu është marrë selia dhe është shkarkuar ai, si dhe kërkoi ndëshkim për gjykatësen.
BFI-ja askohe akuzoi dhe nxori disa dokumente me pretendimin se Buzaku i ka falsifikuar dokumentet. MPB hapi procedurë, por pa epilog. Pastaj, të gjithë myftitë dolën me deklarata se nuk e kanë votuar Buzakun,
Buzaku i mohoi akuzat e Bashkësisë Fetare Islame se ai i ka falsifikuar dokumentet, nëpërmjet të cilave është shpallur kryetar i BFI-së. Ai gjithashtu i ka mohuar edhe deklaratat e anëtarëve të Rijaseit të BFI-së, të cilët dolën me nënshkrime se ata nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen, në të cilën thirren dokumentet e vendimit të Gjykatës, duke theksuar se deklaratat e tyre janë dhënë pasi që janë frikësuar nga Rexhepi.
Më 10 prill, vendimi i Gjykatës Shkupi 2 ku emërohet Skender Buzaku kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, u anulua nga Gjykata e Apelit në Shkup. Gjykata e shkallës së dytë e pranoi ankesën e Rexhepit, ky i fundit e vazhdoi mandatin. Rasti është kthyer në rigjykim.
Riaseti i Bashkësia Fetare Islame sot në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepi. Pavarësisht se Riaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media.


******

Letër e hapur Reisit të BFI-së së RMV-re dhe muftinive

Nëse edhe tani muftinitë dhe hoxhallarët do të heshtin, besoj se komuniteti musliman në RMV-re do të konstatojë se edhe këta janë bashkëfajtorë me Reisin. Them se, para se t’i dënojë historia edhe Ahireti, besoj fuqishëm se këta të lartë theksuarit do t’i dënojë populli me padëgjueshmëri qytetare dhe mos dhënie të antarësisë.


Letër e hapur Reisit të BFI-së së RMV-re dhe muftinive



Doc. dr. Muhamed JUSUFI

E veçanta e këtij Fitër Bajrami ishte urimi shtesë ironik i martesës së Reisit të BFI-së në RMV-re! Jo vetëm muslimanët e rajonit, por edhe jo muslimanët ngelën të hutuar, të pa komente pasi u bëmë gaz i botës. Martesa e Reisit po komentohet nëpër oda, rrugë, zyra, lajme, gazeta si dhe në të gjitha mediat e rrjeteve sociale në mënyra të ndryshme. Thashethemet e shumta të mëdha shkaktuan shqetësim të madh tek besimtarët muslimanë në RMV-re, dhe kjo më bëri që edhe unë të shkruaj ndonëse asnjëherë më parë nuk jam marrë me problemet e brendshme të BFI-së… Islami në përgjithësi dhe muslimanët në veçanti nuk e meritojnë një tallje të tillë.

z. Reis i BFI-së në RMV-re,

Në mënyrë aksiome, askush nuk ka te drejtë të pyesë askënd për martesën e dikujt. Kush diskuton martesën tuaj është i ulët, mirëpo, martesa juaj nxori thashetheme të shumta brenda komunitetit tonë musliman dhe më gjerë në rajon. Përderisa u bë temë aktuale martesa juaj nuk hezituan pa u përkujtuar edhe shumë afera të tjera të shkaktuara tash e 40 vjet, prej të cilave shumë prej tyre nuk më lejon etika ime të merrem me to, sidomos në këtë letër të hapur.
Si përfaqësues i muslimanëve në RMV-re, detyroheni t’i drejtoheni besimtarëve dhe të demantoni në prani të muftinive të rretheve të gjitha këto thashetheme. T’u tregoni qytetarëve të RMV-re qofshin musliman ose jo, se ndaj Reisit të BFI-së dhe ndaj muslimanëve në këtë Republikë po ushtrohet dhunë nga individë, grupe ose qarqe të ndryshme politike, fetare ose edhe nga nëntoka e errët.
Që këtu, si qytetar i kësaj Republike, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të shtetit që të merren seriozisht me rastin e këtyre aferave ku po nëpërkëmbin dinjiteti i qytetarëve të kësaj Republike, sepse seriozisht e kanë rënduar vetë personalitetin e Reisit, dhe me të, edhe të mbarë muftinive, hoxhallarëve dhe gjithsesi edhe besimtarëve. Çdo neglizhencë e institucioneve shtetërore do të ndikojë në rëndimin edhe më të madh të qytetarëve të saj.

z. Reis i BFI në RMV-re, z. Sulejman REXHEPI,

Nëse ju personalisht nuk do të këmbëngulni që prokuroria e shtetit të merret me këto afera, atëherë, ju kujtoj se këta nuk kanë pse të merren me to. Ju, këto thashetheme duhet t’i argumentoni në prokurori dhe ato të vërtetohen se ishin gënjeshtra dhe shpifje. Vetëm pasi ta keni bërë këtë, dhe pasi të jenë dënuar shpifësit, besimtarët do të fillojnë të frymojnë lirshëm dhe vetëm atëherë do të përfitoni përkrahjen e tyre. Nëse këtë nuk e bëni, atëherë të gjitha akuzat do të rëndojnë mbi ju, dhe ju do të mbani përgjegjësinë përpara besimtarëve dhe shtetit se keni nëpërkëmbur rëndë dinjitetin jo vetëm të besimtarëve muslimanë në gjithë rajonin (Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe RMV-re), por edhe atyre jo muslimanë.

Pse heshtet

Për sa jam i informuar, shumica e këtyre aferave janë në prokurori. Mirëpo, çuditërisht ende nuk janë shqyrtuar, dhe sipas kësaj që shihet vështirë se ndonjëherë do të shqyrtohen. Vallë, çka i bën muftinitë të heshtin, pse këta nuk dalin publikisht t’i mohojnë ose t’i pohojnë këto afera. Pse zëri i profesorëve të fakultetit dhe të medreseve të cilët me vështirësi mbajnë familjet e tyre heshtin!? Pastaj, si është e mundur që dinjiteti i hoxhallarëve të nëpërkëmbet aq poshtë, kur për disa ditë me radhë hoxhallarët e xhamive kërkojnë anëtarësitë, ndërsa xhemati tallet me ta!? Jo nuk i japim anëtarësitë, për dëfrime dhe dhurata të shtrenjta (Rolexa).
Nëse edhe tani muftinitë dhe hoxhallarët do të heshtin, atëherë, besoj se komuniteti musliman në RMV-re do të konstatojë se edhe këta janë bashkëfajtorë me Reisin. Them se, para se t’i dënojë historia edhe Ahireti, besoj fuqishëm se këta të lartë theksuarit do t’i dënojë populli me padëgjueshmëri qytetare dhe mos dhënie të antarësisë.
Prej Allahut të Lartëmadhëruar kërkoj ndihmë dhe udhëzim.



U trashëgofshi Mulla Sulo!
Adrian Demiri
Kjo e këti ska fare të bëjë me krizën e moralit të shoqërisë as po me moralin individual të këti ose secilit nga ne, sepse kur nuk funkcionon sistemi shoqëror si institucion rregullash dhe përgjegjësish, tipat si ky (dhe këta jan shtuar shumë vitet e fundit) mendojnë që munden dhe ju lejohet të bëjnë gjithçka pa ju dridhur qerpiku.
Ky dhe të tillët si ky janë produkt i një sistemi shoqëror e shtetëror të cilin e kemi ndërtuar ne vet dhe i cili gjat kohë nuk funksionon andej nga normalja, dhe për fatin tonë të keq vazhdimisht prodhon dhe riprodhon figura të tilla në të gjitha fushat e jetës tone: religjion, politikë,gjyqësi, institucione, rrugë e gjetiu.
Prandaj…mos harroni! Ky nuk është ai që duhet të gjykohet nga ne. Jo.Aspak. Ai që duhet të gjykohet dhe përmirësohet është sistemi i cili i lejon të tillët të funksionojnë dhe veprojnë përkundër gjitha bëmave pa ju dridh qerpiku fare.




Një numër i anëtarëve të Rijasetit të BFI-së në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur në Gostivar, ku morën pjesë 2/3 e anëtarëve të Rijasetit ka marr vendim për shkarkimin nga posti i kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepin dhe në vend të tij si ushtrues detyre ka emëruar myftiniun e Gostivarit Shaqir Fetahu.
Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të shumicës së anëtarëve të Rijasetit të BFI-së të mbajtur më 27.05.2020, ne të nënshkruarit më poshtë në bazë të Nenit 36 dhe 58 të Kushtetutës së BFI-së, që e përbëjnë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, vendosëm njëzëri shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti Reisul Ulemasë, kryetar i BFI-së.
Deri në përgatirjen e kushteve për zgjedhje të reja për ushtrues detyre, kryetar i BFI-së është caktuar myftiu i Gostivarit Shaqir Fetahu”, thuhet në vendimin e Rijasetit të BFI-së.Ndiqni videon

Martesa e Mulla Sulës!





Rrëfim interesant




Nga Fatmira Lami

Në vigjilje të përgëzimeve me rastin e festës së Bajramit, plasi në Shkup si një “bombë e Zaevit”, martesa e Reisit të madh, Haxhi Sulejman ef. Rexhepit, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë Veriore.

Gëzimet ndër besimtarët shqiptarë, të cilët nuk arritën ta kremtojnë festën e Bajramit të Madh, njësoj nëpër institucionet fetare, për shkak të pandemisë dhe vendimeve të institucioneve, u përzien edhe me një lajm jo të zakonshëm për një martesë, të cilën disa njerëz të caktuar e llogaritin të përçudshme, të tepruar, madje edhe skandaloze.

U ngrit opinioni në Shkup, si ta kesh dridhur tërmeti i vitit 1963, sepse Mulla Sula u bë me nuse të re, plasi kiameti! U mbushën faqet e gazetave, portaleve dhe medieve të tjera, lokale e rajonale, se Reisit Sulejman ef. Rexhepit, në moshën 74 vjeçare qenka martuar me një nuse fare të re e moshës 24 vjeçare, jo më pak se 50 vjet diferencë!

Mes lajmeve të mëdha si ajo e pandemisë, festave të ndaluara fetare, protestave për pushtet etj., në botën informative dhe në gojën e njerëzve zuri vend edhe një lajm që ka të bëjë me një martesë të zakonshme. Çudi! Çfarë paradoksi?! Kjo vetëm te ne ndodh dhe askund në botë! Të krijohen rrëfime për martesa me prapavijë, qoftë edhe ajo e Mulla Sulës!



Lidhja martesore

Të gjithë e dinë dhe askush nuk e konteston se lidhjet martesore janë bashkëjetesat ligjore, që lidhin çiftet e martuara, pavarësisht nga mosha, raca e kombi. Thjesht, martesa është kurora e mbrojtjes së një femre, e cila sot për fat të keq është katandisur në të gjitha anët.

Merrni si shembull, sa e sa femra sot divorcohen, ikin nga vendi e përfundojnë në bordelet e Evropës, sa e sa femra fare të reja, shiten nëpër dyert e kazinove e lokaleve të natës për lek, sa e sa femra na u dhunuan para syve tanë e s’patëm forcë t’ua mbrojmë nderin dhe dinjitetit, sa e sa femra sot aranzhohen për një vizë pune në shtetet perëndimore, duke braktisur vendlindjet përgjithmonë e bëhet nami, pse një krye imam paska marrë një nuse të re, të njëjtit vend, të njëjtit komb e të njëjtës fe!

Të shkojmë pak më larg, kujtoni disa shembuj që sot janë kthyer në mit e histori si ajo e Profetit Muhamed, i cili është martuar me Ajshen me një diferencë shumë të madhe, për t’i treguar botës se martesa legjitime është një kurorë e shenjtë, pa marrë parasysh moshën, shëndetin, gjendjen sociale dhe autoritetin.

Kësi rastesh kemi edhe më të vonshme, si ajo e martesës së Vasilikës me Ali Pashë Tepelenën, e cila pas vdekjes se Aliut, nuk pranoi të martohet edhe pse ia kërkuan dorën të gjithë të pasurit nga ana e vezirëve, po ajo nuk deshi t’ia tradhtonte krenarinë burrit të saj, duke mbrojtur respektin e mbretit shqiptar.

Kemi edhe shumë shembuj të tjerë, të cilët nuk duhet vetëm t’i kujtojmë, por edhe t’i zbatojmë në jetë. Nuk duhet të ulemi në paragjykime të mbrapshta, duke u marrë me shpifje të natyrave politike, për t’i përbaltur, njollosur, bastarduar e denigruar njerëzit e mëdhenj e autoritativ, duke i preku në çështje personale, si kjo e martesës së Reisit te madh, H.Sulejman ef. Rexhepi.



Shantazhet

Të parët që e plasuan lajmin për martesën e Reisit, Sulejman ef. Rexhepi, janë, kundërshtarët e tij, mjerisht, klerikë fetarë, të cilët janë të njohur për shantazhe dhe shpifje, jo vetëm për këtë rastin e fundit, por edhe më herët, kur u ngritën në këmbë për ta rrëzuar nga fronti i kreut të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë Veriore. Pastaj, vijnë me radhë disa gazetarë gazetash e portalesh, të paguar mirë nga këta klerikë fetarë, për të bërë zhurmë mediale kundër Reisit Sulejmani, njeriut me mandate të shumta në drejtimin e kreut të këtij institucioni të lartë fetar, i cili gjatë karrierës së tij mori me merita shumë nderime, certifikata, mirënjohje, për paqe e tolerancë fetare, si ajo e Presidentit Tramp.

Këto shpije e denigrime nuk e kanë të gjatë, ato do të pushojnë se vijnë nga njerëz, që e kanë ushqim propagandën, e cila me t’u zbuluar prapavija, shuhen, zhduken si flluska sapuni.

Ne kemi shumë probleme më të mëdha se sa kjo e martesës së Mulla Sulës, probleme që ia shkojnë një martese të zakonshme, të ligjshme, me rend e me vend. Bile, një martesë të tillë duhet ta marrim si shembull edhe për të tjerët, që kanë vullnet e dëshirë, për t’u ndërprerë rrugën divorceve e dukurive të tjera të shëmtuara, të cilat po e dëmtojnë bërthamën tonë familjare dhe po i japin hije të zezë shoqërisë sonë shqiptare.



Injoranca

Kohëve të fundit, në shoqërinë tonë ka zënë vend injoranca si një dukuri e dëmshme dhe e rrezikshme. Injorantët e tipit të atyre që thurin intriga, shpifin e tallin, shantazhojnë dhe përbaltin personalitete, për interesa të ndryshme, janë kanceri i shoqërisë sonë.

Forcimi i institucioneve, që vijë duke u falënderuar votës së lirë dhe demokratike, do t’ua mbyll gojën me rrugë ligjore injorantëve e do t’i sanksionojë me ligj ato medie, që shkelin etikën profesionale, duku u dhënë hapësirë informative grupeve të tilla mafioze e kriminele.

E vërteta e një martese të tillë me të gjitha tiparet e një bashkëshortësie të mbarë dhe qytetëruese, do të jetë një shuplakë në fytyrën dhe ndërgjegjen e atyre individëve, të cilët për qëllime politike apo materiale, mundohen t’u hedhin hije të zezë veprimeve të drejta e njerëzore.

Martesa është kurorë e shenjtë! Le të na shtohen sa më shumë martesa, e le të pushojnë sa më shumë divorce, për të ruajtur bërthamën familjare, shtyllën e shoqërisë sonë.

Për hajër i qoftë martesa Reisit Sulejman ef. Rexhepi! Shëndet e mbarësi!

http://jetapress.com/2020/05/26/martesa-e-mulla-sules/?fbclid=IwAR2LkGzkYkmhBwYQCRcXH-ltBna8osooS-Ld-2Ka92SGFWOD2RhvWG87GMc



Benjamin Idrizi: Jam krenar që asnjëherë se kam përkrahur Mulla Sulën, ky është Bajrami më i Madh

Hoxha i mirënjohur nga Gjermania, Benjamin Idrizi ka komentuar shkarkimin e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.


Hamdi i takon vetëm Zotit”! Krenohem se nuk e kam përkrahur asnjëhere Mulla Sulën! Elhamdulillah! Shpresoj se me shkarkimin e ti hapet një faqë e re në BFI. Le të jetë për hajr për popullin musliman në Maqedoni! Ky është Bjarami më i madh!”, shkruan Benjamin Idrizi.





Benjamin Idrizi : Mulla Sula ka qenë pengesë e aktiviteteve islame në Maqedoninë e Veriut


Hoxha i mirënjohur nga Gjermania me prejardhje nga Shkupi, Benjamin Idrizi, në një prononcim për portalin Almakos ka komentuar ngjarjet e fundit që ndodhën në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut ku u shkarkua Reis Ulemaja, Sulejman Rexhepi dhe ushtrues detyre u zgjodh Shaqir Fetahu nga Gostivari.

Efendi Idrizi vlerëson se qysh në kohën e babait të tij, Hafiz Idrizit, Sulejman Rexhepi ka penguar aktivitetet e shumta islame.

“ Kam postuar në Facebook se jam krenar që është shkarkuar Sulejman Rexhepi, për shkak se ky i fundit ka penguar hoxhallarët që të merren me aktivitete islame. Mulla Sula qysh në kohën e babait tim ka qenë pengesë e vazhdueshme ndaj hoxhallarëve dhe aktivitetit islam. Ai ka uzurpuar BFI-në për dekada me radhë dhe tash është koha për ndryshime rrënjësore në BFI. BFI-ja është shumë me rëndësi për popullin shqiptar dhe me të duhet të udhëheq një njeri me kredibilitet moral. Me BFI-në duhet që të udhëheq një njeri që ka dije të thella nga jurisprudenca islame, që është i drejtë dhe i moralshëm.”, deklaroi Idrizi .




( Mulla Sula duke e shikuar shtrembër Hafiz Idrizin)

Sipas Imamit, Benjamin Idrizi, kushtet që një hoxhë ose myfti të jetë në krye të Bashkësisë Islame nuk duhet të janë vetëm të natyrës së dijes shkencore dhe fetare, por edhe në aspektin moral. Nëse një hoxhë nuk posedon vlera të larta morale, nuk guxon që të pretendoje të jetë në krye të BFI-së.

“ Populli mysliman në Maqedoni është i njohur në rajon se është më i devotshmi, prandaj meriton një Reis i cili ka virtyte të larta morale dhe shkencore. Kryetar i Bashkësisë Islame nuk duhet të jetë një person që ka vetëm dije, por edhe që ka moral të lartë islam dhe që do të jetë shembull edhe për të tjerët. Mulla Sula ka qenë turp i hoxhallarëve dhe shembulli më i keq i besimtarëve mysliman përmes skandaleve të shumta që iu janë bë publike me vite të tëra. Një person që të udhëheq me BFI-në, duhet që të njoh mirë parimet islame, të praktikoje ato dhe të jetë në vijë të vazhdueshme me hoxhallarët e më hershëm që me xhelozi kanë ruajtur dhe bartur mesazhin e Islamit tek populli ynë. Akti i shkarkimit të Mulla Sulës është akti më patriotik që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit në BFI, duke uruar që në këtë institucion të kemi reforma rrënjësore dhe përsëri populli shqiptar dhe mysliman në Maqedoninë e Veriut të ketë mundësi të përfitoje nga vlerat që bartë me shekuj ky institucion.”, deklaroi Idrizi .

Përndryshe, sot në një mbledhje të jashtëzakonshme që u mbajt në hapësirat e BFI-së, në mënyrë unanime u shkarkua Reis Ulemaja, Sulejman Rexhepi dhe u zgjodh ushtruesi i detyrës Reis Ulema, myftiu i deritanishëm i Myftinisë së Gostivarit, Shaqir efendi Fetahu. Lajmi për shkarkimin e Sulejman Rexhepit mori dhenë, ndërsa këtij akti i parapriu lajmi ende i paverifikuar për martesën e Sulejman Rexhepit me një vajzë 50 vjet më të re se ai.

****


Zekiri: Elhamdulilah, iku Sula!

Pas shkarkimi të sotëm të Reis Sulejman Rexhepit në një mbledhje të jashtëzakonshme të riasetit ,ka qenë i menjëhershëm reagimi i zyrtarit të lartë të partisë maqedonase në pushtet LSDM,Muhamed Zekiri .
Me këtë rast në një postim në rrjetin social Facebook Zekiri duke lëshuar kritika në adresë të Sulejman Rexhepit ka shkruar se : Rezilave Allahu nuk ua merr shpirtin pa u marrë ftyrën!!! Elhamdulilah iku Sula.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...