Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/11/05

Faton Mehmeti i gazetës "Bota sot" publikon emrat: Ja kush arrestohet pas Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit...

Zhvillime dramatike kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në Kosovë. Fillimisht është bastisur, e më pas arrestuar ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili është transferuar për në Hagë. Arrestimin e Krasniqit e ka konfirmuar avokati i tij, Valon Hasani. "Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit. Tani sapo është nisur për në Hagë. E konfirmuan aktakuzën kundër tij. Pritet që shumë shpejt të caktohet data e seancës... Procedura prej mëngjesit ka zgjatur për shkak se ka qenë operacioni i bastisjes në shtëpinë e Krasniqit. Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, janë në kuadrin e veprave të cilat janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara", tha Hasani. Pa ashtu edhe shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi njoftoi se i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale, duke shtuar se nesër do të udhëtojë për në Hagë. “Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t'ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, ka shkruar Selimi. E lidhur me krejt këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Faton Mehmeti. “Arrestimi i Jakupit është paralajmërim për arrestimet tjera të nivelit më të lartë, përfshirë metu Thaçin dhe Veselin. Pas arrestimi te Jakup Krasniqit radhën e kanë figura të tjera të luftës, në mesin e tyre : Daut Haradinaj, Agim Çeku, Xhavit Haliti etj. Arrestimet tjera pritët të ndodhin në ditët dhe javët në vazhdim, e të cilat do të intensifikohen më shumë gjatë dhjetorit”, thotë Mehmeti. Madje Mehmeti paralajmëron edhe zhvillime tjera dramatike. “Natyrisht se me këto arrestime partitë e dala nga lufta do e pësojnë më së shumti, kryesisht PDK, të cilët pritet t'i arrestohet edhe kryetari. Padyshim se ka nisur cikli i arrestimeve nga me të voglat që ndodhen para 1 muaji, tani vetëm do të shtohen arrestimet e figurave të mëdha. Goditna e madhe pritet të ndodh më së largu para Krishtlindjeve.

Bideni, Trumpi dhe pikëpamjet e tyre për artin

(Deutsche Welle) – Duke u zhvilluar mes një pandemie vdekjeprurëse, ashtu sikundër edhe trazirave të shkaktuara nga brutaliteti policor dhe racizmi, fushata zgjedhore e 2020-s në ShBA është mbizotëruar nga një varg çështjesh ndarëse. Pa dyshim, edhe artistët preken drejtpërdrejt nga çështje, si kujdesi shëndetësor, taksat, migrimi apo politika e jashtme, por qëndrimi i kandidatëve sa u përket arteve nuk ka qenë mes temave të diskutuara gjatë muajve të kaluar. Një vështrim mbi platformat zyrtare të partive është megjithatë ndriçues. “Artet janë thelbësore për shoqërinë tonë të lirë e demokratike, për kulturën tonë, për ekonomitë tona lokale. Demokratët janë krenarë për mbështetjen tonë për financimin e arteve dhe edukimin, dhe do të vazhdojnë politikat dhe programet që promovojnë artet kreative”, thuhet në Platformën e 2020-s të Partisë Demokratike, duke cituar institucione të ndryshme qeveritare dhe organizata kulturore që partia do të vijojë t’i mbështesë. Dokumenti zyrtar i demokratëve pastaj shton: “Ne çmojmë artet dhe edukimin artistik për zhvillimin e imagjinatës, kreativitetit, risimit dhe aftësive të të menduarit kritik te studentët dhe për ndërtimin e urave mes njerëzve e komuniteteve përgjatë vendit dhe gjithandej botës”. Derisa 10 rreshtat e dokumentit kushtuar arteve nuk janë aq konkrete si në “platformën e arteve” në fushatën zgjedhore të Obamas më 2008, prapëseprapë është më shumë sesa ajo që mund të gjendet në listën zyrtare të prioriteteve të republikanëve. Në të vërtetë, Platforma e Partisë Republikane nga viti 2016 – e cila gjithashtu shërben si listë zyrtare për parimet e sivjetme, tekqë Komiteti i Republikanëve vendosi ta ripërdorte në vend të përgatitjes së një dokumenti të ri për fushatën e tanishme – nuk i zë edhe aq në gojë artet. Artet kanë luajtur një rol të madh gjatë administratës Obama-Biden; vëzhgues nga institucione të ndryshme kulturore në ShBA presin që kjo të vazhdojë nëse Bideni zgjidhet. Joe Biden mbase nuk do të jetë një ndikues kulturor siç u bë Obama që vinte në pah listat me këngët e tij të zemrës, filmat, librat e spektaklet televizive. Por kandidati demokrat ende njihet si mbështetës “lojal” i arteve, siç ka thënë Robert L. Lynch, nga grupi “Americans for the Arts” në një pronponcim për “New York Times”: qëndrimi i Bidenit është “më pak nga pikëpamja e konsumatorit dhe më shumë për vlerën frymëzuese dhe transformuese të arteve”, ka thënë ai. Kamala Harris, e nominuara për zëvendëspresidente nga demokratët, në të kaluarën ka demonstruar veçanërisht përkushtimin e saj për artet. Derisa ishte përfaqësuese ligjore në Kaliforni, Harris ka shërbyer edhe në Bordin e Muzeut të Artit Modern në San Francisco. Ajo ka qenë edhe anëtare e Organizatës së Jazzit, si dhe pjesë e fondit për simfoninë në këtë qytet. Qëndrimi i presidentit Trump për artet u bë tejet i qartë gjatë katër vjetëve të kaluar. Qysh prej fillimit, në planin e parë të buxhetit federal, Trump propozoi të shfuqizoheshin “National Endowment for the Arts” (NEA), si dhe “National Endowment for the Humanities” (NEH). Agjencitë e pavarura federale, që ofrojnë mbështetje dhe financime për projektet kulturore dhe ato kërkimore, u krijuan më 1965, me legjislacionin që theksonte se është detyra e një “qytetërimi të përparuar” të “japë vlerësim të plotë dhe mbështetje” për artet, humanitetet dhe kulturën. Në propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm, të bërë në shkurt të këtij viti, Trump sërish bëri thirrje për eliminimin e NEA dhe NEH, sikundër edhe për Institutin e Muzeut dhe Shërbimeve Librare si dhe Koorporatës për Transmetim Publik. Në pjesën e titulluar “Ndal harxhimeve të kota e të panevojshme”, dokumenti nënvizon se këto institucione “nuk konsiderohen si përgjegjësi themelore federale”. Megjithatë, Kongresi amerikan, i cili është i ngarkuar për të caktuar buxhetin federal, ka hedhur poshtë thirrjet e Trumpit. Derisa NEA nuk mund të përfshihet në politikë, siç ka thënë një zëdhënës i saj për DW-në, organizata “Americans for the Arts” zyrtarisht e ka përshkruar propozimin për çfinancimin e arteve nga administrata e Trumpit si “kërkesë e keqdrejtuar për buxhet”. Si anëtare e komunitetit të profesionistëve të kulturës “Arts for BidenHarris”, artistja, shkrimtarja dhe producentja Tanya Selvaratnam thekson se “regjimi Trump-Pence” jo vetëm që ka kërcënuar për anulimin e nismave financiare, por “ka kërkuar çdo mundësi për të rrëgjuar dhe sulmuar lirinë e të shprehurit dhe kreativitetit”, që është arsyeja pse ky grup sheh “vetëm një zgjedhje në këto zgjedhje”. Këto sulme në lirinë e arteve janë mirëdokumentuar gjatë katër vjetëve të shkuar. “Artistë apo vepra artistike që ishin kritike ndaj presidentit Donald Trump ishin shënjestruar apo janë censuruar drejtpërdrejt nga presidenti apo agjencitë qeveritare”, vë në dukje raporti “State of Artistic Freedom 2020” i publikuar nga Freemuse, organizatë e pavarur joqeveritare që ka një status konsultativ brenda UNESCO-s. Për artistët ka më shumë gjëra që janë në rrezik sesa mbështetja për agjencitë financuese kulturore apo muzetë. Në një intervistë për “Latino Victory Project”, Joe Biden e ka bërë të qartë se artet janë reflektim i drejtpërdrejtë i gjendjes së vendit: “E ardhmja e asaj çfarë ne jemi është në arte”, ka thënë Biden. “Është shprehje e shpirtit tonë”.

Shuhet Remzi Përnaska, gjuhëtari i shquar, mësuesi e pedagogu i përkushtuar i shqipes

Tiranë, 5 nëntor - Komisioni i gjuhësisë dhe letërsisë pranë Akademisë së Shkencave njoftoi sot ndarjen e papritur nga jeta të gjuhëtarit, profesorit, personalitetit të shquar Remzi Përnaska. Prof. Remzi Përnaska, studiues i devotshëm të shqipes e kulturës shqiptare, mësimdhënësit të pasionuar në auditoret e universiteteve shqiptare e atyre jashtë Shqipërisë, a punuar më shumë në fushën e sintaksë së gjuhës shqipe ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike. Profesor doktor Remzi Përnaska ishte gjuhëtar i shquar shqiptar dhe mësues e pedagog i përkushtuar i arsimit shqiptar. Ka lindur në Korçë më 20 dhjetor 1934. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e para të larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës më 1956. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956 ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960, kur u dërgua për të studiuar orientalistikë në Institutin e Gjuhëve të Lindjes në Moskë. Më 1961, vazhdoi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i kreu më 1963. Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, ku punoi prej vitit 1963 deri në vitin 1974. Në vitin 1974 u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982. Gjatë kësaj kohe ndoqi kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet, si edhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca : “Doktor Shteti”. Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris, si edhe në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës si profesor. Që nga viti 1975 ka qenë anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës, që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997). Pas kthimit në atdhe më 1982, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991. Ka botuar mbi 50 artikuj shkencorë në revista shqiptare “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Studime”, “Gjurmime albanologjike” etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si “Cahiers balkaniques”, “Faits de langue”, “Travaux du cercle des linguistes de l’INALCO”, “Presses Universitaires de France”, etj. Është autor i dy krerëve ( kundrina, rrethanori) të veprës madhore Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpeliesë. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991, delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë. Ai deri në fund të jetës mbeti një nga gjuhëtarët më të të përkushtuar për mbrojtjen e pasurimin e shqipes standarde. Ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe në universitete të huaja si në Athinë, Paris, Këln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, Sankt-Peterburg, etj. Ka hartuar disa zëra për Fjalorin enciklopedik shqiptar. Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi, si ato të organizuara në Këln të Gjermanisë (1988), në Paris nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, në janar 1994, nga shoqata gjuhëtarësh të gjuhësisë së përgjithshme në Francë, në tetor 1995, në qershor 1996, në qershor 1997, në tetor 1997, në shkurt 1999 etj. Ka marrë pjesë me kumtesa në tri Konferencat Ndërkombëtare të organizuara në Sankt-Peterburg, për nder të A. V. Desnickajas, si dhe nga Rrethi i Gjuhëtarëve të INALCO-s në qershor dhe në tetor 1996, në 1997 dhe në 1998, si edhe në shkurt 1999, në Marsejë, etj. Po ashtu, ka marrë pjesë në tubimet shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në seminaret e konferencat shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës. Profesor Përnaska ka mbrojtur tri disertacione, dy në Francë dhe një në Shqipëri. Në vitin 1994 paraqiti një tezë nga sintaksa e gjuhës shqipe në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, mbrojtja me sukses e së cilës i dha diplomën e studimeve të larta në Sorbonë dhe emërtimin “Nxënës i vjetër i Sorbonës”. Ka mbrojtur një disertacion me temën “Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe” dhe ka fituar gradën “Doktor i shkencave” në Shqipëri. Ky disertacion është botuar si libër në Kosovë (Pejë). Ka mbrojtur një disertacion me temën “Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtëra të përemrave vetorë)” dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca : “Docteur d’Etat és lettres et sciences humaines”, si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash. Kjo doktoratë e mbrojtur në Departamentin e gjuhësisë teorike të Universitetit Paris VII, i dha titullin “Profesor” në Francë dhe u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe. Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë “Professeur associé” në Ecole pratique des hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës, ku ka drejtuar seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe. Profesor Përnaska ka botuar katër libra në Francë. Ka hartuar një libër me titullin “Parlons albanais”, që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese ” L’Harmattan ” dhe u ribotua deri më tani tri herë. Bashkautorë Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu dy doracakë Glossaire et guide militaire de conversation français – albanais, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe Eléments de grammaire albanaise, Complément au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f. Është autor tekstesh shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm, i dhjetëra artikujve shkencorë, botuar në revistat tona shkencore dhe në ato të huaja, i dhjetëra artikujve në shtypin e përditshëm shqiptar. Bibliografia e punimeve të tij është mjaft e pasur. Në vitet 2015, 2018 ka botuar katër vëllimet e para të veprës së tij “Gjuhësi…,…gjuhësore”, të parashikuar në shtatë vëllime. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kritikës shkencore në albanologji e më gjerë. Ka marrë pjesë në tubime shkencore ndërkombëtare e komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Osnabruck të Gjermanisë dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali, në Zagreb e Beograd. Ka qenë i ftuar në universitetet shqiptare të Shqipërisë, por edhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut, ku ka mbajtur ligjërata për çështje të gjuhësisë teorike e të shqipes së sotme. Deri ditët e fundit të jetës ka punuar për përfundimin e një fjalori shqip-frëngjisht të tipit të mesëm (mbi 60.000 fjalë) në Laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë, si edhe për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale Supérieure në Fontenay/Saint-Cloud. Prej shumë vitesh profesor Përnaska ka punuar, gjithashtu, për ngritjen e një monumenti me kalë të Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër në Paris. Është Doctor Honoris Causa i Universitetit « Aleksandër Xhuvani » të Elbasanit, është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga presidenti i republikës më 2016, me motivacionin: “Për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në botë, si pedagog e pjesëmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.” Përvoja e tij e gjatë në fushën e studimit dhe botimit, trajtimet e thelluara në shqyrtime, angazhimi njëherazi në probleme nga më të rëndësishmet dhe nga më të vështirat që parashtronte dhe parashtron ngutshëm zhvillimi i mendimit gjuhësor në etapa të caktuara e, për më tepër, angazhimi në studime e botime qysh në rini e deri në moshë të mbrame, kanë përvijuar natyrshëm vendin e merituar të kontributeve të tij në fusha të ndryshme të studimit të gjuhës shqipe e historisë së saj; e në këtë kontekst, vepra e tij i ka siguruar praninë në panteonin e vlerave tona shkencore/ATSH.

Prof.dr.Muhamet Kelmendi: Ndonëse është shkruar dhe përfolur mjaft shum dhe nga çdo anë mbi Gjykatën Speciale, megjithatë mendimet dhe analizat kanë qenë shumë kontradiktore dhe janë varur kryesisht nga pozitat politike që janë bërë.

“Nuk po flas për karakterin juridik, shkaku se ligji është ligj dhe mbi atë ligj nxirren verdiktet juridike. Por lind pyetja s cilat janë faktet që e bëjnë këtë Gjykatë si subjekt qesharak dhe tepër antiligjor në sferën politike dhe shoqërore. Këtu mendoj në dy anë: Së pari, Gjykata Speciale është krijuar mbi një bazë të tërë anti-demokratike dhe e kundërshton, kuptohet karakterin një nacional të luftimit të krimit, sikurse krimi të bëhej veten nga një komb e jo në luftë, kryesisht, nga pushtuesi. Pra me këtë gjykatë lihen anash krimet e pushtueseve dhe të kriminelëve që kanë bashkëpunuar me pushtuesit. Kjo formë e luftimit të krimeve kundër civileve është tepër e një anshme, madje shume analistë e quajnë edhe raciale, sepse po e lufton vetën një "krim", atë shqiptarë jo edhe të krimeve dhe të gjenocidit të bëra ndaj shqiptarëve, po në të njëjtën kohë dhe hapësirë nga pushtuesi serb”, ka thënë profesor Kelmendi. Sipas tij, pikërisht ky fakt i jep kësaj gjykate në fushën politike një karakter qesharak dhe tepër anti-demokratik dhe e kthen drejtësinë evropiane në mesjetën e hershme, atëherë kur pushtuesi i kombeve e dënonin veprimtarinë çlirimtarë dhe i ndiqnin çlirimtarët si kriminel, e tëra kjo mbi bazën e të fortit dhe të dobtit. “Evropa dhe i tërë sistemi juridik i vendeve demokratike që pas LDB-së nuk ka parë këso gjykate tipike antidemokratike e të karakterit një nacional. Kështu po mbrohet krimi dhe gjenocidi. Dhe, natyrisht luftohet çdo dukuri atdhetare dhe demokratike, ato dukuri që janë për ndërtimin e demokracisë, kudo nëpër vendet e pushtuara dhe që luftohet me mjete demokratike pushtuesi. Vetë fakti se luftohet për çlirimin e vendit kuptohet drejtësia e një lufte çlirimtare të popujve të pushtuar. Me anën e kësaj gjykate Evropa dhe SHBA-të po i tregojnë botës se nëse një popull i pushtuar lufton për çlirimin e vendit pas kësaj kohe do të dënohet. Kjo pikërisht po ndodhë me shqiptarët dhe me luftën e drejtë të kombit tonë. Po çfarë do të themi për masakrat dhe gjenocidin serbomadh në Kroaci, ne Bosnje e në Hercegovinë? Kudo me këtë gjykatë po tregohet juridikisht se në aspektin politik, nuk ka luftë çlirimtare dhe ajo nuk përkrahet”, ka thënë profesor Kelmendi. Ai thekson se anëtaret e UÇK-së nuk munden kurrë të dënohen në mënyrë të nj anshme, pa e dënuar edhe juridikisht shtetin që ka kryer gjenocid, kjo edhe për faktin politik, demokratik dhe shoqëror. “Po kjo nuk po ndodhë, pasi veprimtarët e tillë të mirë a të këqij ,armiq a çlirimtare nuk mundet kurrë një gjykatë e tillë, ku nuk ka vendorë fare, si dhe ku nuk gjykohet veprimtaria, po gjoja një krim a ku dihen, rastet e krimit, t'i gjykoje. Atë e bënë vetëm populli i vet, prandaj këta njerëz lypset t'i dënoj vetë populli shqiptar. Natyrisht se ndihma është e mirë se ardhur nga UE dhe nga SHBA-të, por jo duke dënuar për krime njerëzit që kanë qenë në anën e luftës çlirimtare. Verdiktin përfundimtar e japin shqiptarët mbi këta njerëz. Atë nuk mund të bëjë një gjykatës që nuk e njohin historinë e kombit shqiptar dhe luftën e drejte çlirimtare, në njërën anë dhe në anën tjetër gjenocidin shoveno - fashist të shtetit serb mbi 100 vjet ndaj shqiptarëve, e heshtin dhe nuk e dënojnë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muham et Kelmendi. Sipas tij, kapja vetëm pas një ane e bënë gjykatën e tillë një me pushtuesit, ndërsa, njerëzit e akuzuar i bënë, pavarësisht nga situata, kriminel, dhe kjo nuk shkon. “Kriminel a luftëtar të lirisë atdhetar a çlirimtar i bënë puna dhe kombi nga vijnë ata. Jo një verdikt i një gjykate të përbërë nga njerëz jo kompetent dhe tipik të palodhur me kombin tonë. Natyra e kësaj gjykate po del se ka karakter politik. Me këtë gjykatë nuk po dënohen kriminelet dhe gjenociditët serb, si Vuçiq, Daçiç, Vulin etj, por njerëzit që luftuan aq sa munden, kundër pushtuesit serb. Këtë titull si çlirimtar dëshmor a hero, e jep vetëm populli shqiptar, sepse këtej rrjedhin këta njerëz të akuzuar. Nuk e di se si kanë guxim të marrin prokurorët apo gjykatësit e vendeve të ndryshme , një detyrë të tillë, për të dënuar njerëzit që lidhen me luftën çlirimtare të popullit shqiptar”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Eliot Engel: SHBA-ja të mos bashkëpunojë me Specialen nëse ajo vazhdon të funksionojë në baza etnike

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të deritanishëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së. Engel thotë se Thaçi ka treguar respekt për sundimin e ligjit me dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u ballafaquar me akuzat e Speciales, teksa ai shton se Kongresi do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale për të siguruar se ajo garanton sundim të ligjit dhe të drejtat e të akuzuarit në çdo rast. Ai ka shprehur shqetësimin mbi mandatin e Speciales. Sipas tij, statuti mbi të cilin është ngritur ajo nuk e kufizon gjykimin në vetëm të shqiptarëve. “Mjerisht, duket se ajo po operon si një gjykatë etnike – një që ndjek vetëm shqiptarët për kryerje krimi”, ka thënë Engel. Ai ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, për të cilët thotë se “nuk kanë gjetur drejtësi, edhe pse kryesit janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi”. Engel i ka bërë thirrje Departamentit të shtetit të SHBA-së dhe Departamentit të Drejtësisë që të verifikojnë punën e Gjykatës Speciale për të siguruar se nuk po targeton vetëm njerëz në bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe të ndalojë bashkëpunimin ose mbështetjen e SHBA-së me Gjykatën, nëse vërtetohet se po e bën një gjë të tillë.

2020/11/04

Pse organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje që shkollat të qëndrojnë të hapura gjatë pandemisë Covid 19 ?

Qeveria e Kosovës miraton masat e reja kundër koronavirusit Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër koronavirusit, gjatë një mbledhjeje të mbajtur të dielën në formën online. Këto masa do të shqyrtohen pas dy javësh, varësisht nga situata epidemiologjike, thotë qeveria. Masat u prezantuan nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj të shtunën, pas një takimi që pati me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë e koronavirusit. Ndër masat e reja është orari i punës për sektorin e gastronomisë dhe qendrave tregtare. Këto nuk mund të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Po ashtu, qytetarët mbi 65 vjeç do të kenë orar të caktuar të qarkullimit. Përkatësisht, ata do të mund të lëvizin nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Jashtë këtij orari, ata mund të dalin vetëm për nevoja shëndetësore. Ndërkaq, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna janë liruar që të dalin në punë dhe punëdhënësit e tyre, sipas qeverisë, obligohen t’u krijojnë kushte për angazhimin e tyre online nga shtëpia. Për të hyrë në Kosovë, duhet të prezantojnë një test negativ PCR, të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë, që janë të listuar nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Sipas masave të reja, institucionet publike dhe private, obligohen që “të menaxhojnë paraqitjen e stafit në punë në përputhje me Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19, dhe për këtë qëllim do të inspektohen nga organet kompetente”. Po ashtu, në fuqi mbetet edhe masa për mosgrumbullim më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike. Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, duhet ta organizojnë mësimin në formën online, ndërkaq, provimet, puna praktike dhe laboratorike “organizohen normalisht, por duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërkaq, çerdheve publike dhe private u kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale, ashtu siç përcaktohet në Manualin për mbrojtje nga COVID-19. “Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte”, thuhet në vendimin e qeverisë sa i përket punës së çerdheve. Sa i përket aktiviteteve kulturore në institucionet qendrore dhe komunale si teatrot, bibliotekat, galeritë, kinematë, qendrat rinore, muzetë etj, lejohet veprimtaria e tyre, por duke shfrytëzuar vetëm 30 për qind të hapësirave të objekteve përkatëse. Ngjarjet sportive, në hapësira të mbyllura dhe të hapura, mund të mbahen, por me kufizime të pjesëmarrësve. Sipas masave të qeverisë, në hapësira të mbyllura, gjatë stërvitjeve sportive, mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, por duke respektuar protokollet e përcaktuara në Manualin për mbrojtje nga COVID-19. Po ashtu, lejohet aktiviteti i fitneseve dhe pishinave të mbyllura për aktivitete individuale, duke shfrytëzuar vetëm 40 për qind të hapësirave. Ndaj shkelësve të masave, përfshirë menaxhmentet e institucioneve publike dhe private që kanë për detyrë zbatimin e këtyre rregullave, organet kompetente duhet të shqiptojnë masa ndëshkuese, duke u thirrur në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, thuhet në vendimin e qeverisë. Miratimi i masave të reja vjen pasi Kosova ditëve të fundit ka regjistruar numër të madh të rasteve të reja me koronavirus. Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,834 raste të reja. Rritja e rasteve me COVID-19 në tetor Në total, që prej fillimit të pandemisë e deri më 1 nëntor, janë regjistruar 20,179 raste me koronavirus. Prej tyre, 688 pacientë kanë vdekur dhe 15,611 janë shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë 3,880.

Reepublika e Kosovës , ende në pritje të vaksinës kundër gripit sezonal

Vaksinat kundër gripit sezonal ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, pritet që vaksinat të arrijnë në Kosovë kah mesi i muajit nëntor. “Këtë vit kemi paraparë t’i vaksinojmë rreth 500 mijë njerëz kundër gripit sezonal. Rreth 160,500 dozat e para i presim në mesin e muajit nëntor. Ky është njoftimi i fundit që ne si ministri e kemi marrë nga zyra e UNICEF-it [Fondacion i Kombeve të Bashkuara], prej nga edhe do t’i blejmë vaksinat’’, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e Informimit e Ministrisë së Shëndetësisë. Nga Ministria e Shëndetësisë, më herët, kanë deklaruar për REL-in se muaji tetor do të ishte më optimal sa i përket vaksinimit kundër gripit sezonal, por që kjo nuk varet nga Ministria e Shëndetësisë. Po ashtu është thënë se vaksinat do të arrijnë në Kosovë në fund të muajit tetor, derisa vaksinimi do të fillojë në muajin nëntor. Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim. Për vaksinat që i ka blerë Ministria e Shëndetësisë nga UNICEF-i ka paguar 5.27 euro për një copë. Ministria ka hapur tender për dozat, por ofertuesit në Kosovë, çmimin e kanë caktuar 12 euro për vaksinë, thanë nga Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë. Andaj, kjo edhe ka qenë arsyeja e anulimit të tenderit, meqë çmimi ka qenë dyfish më i lartë se në tregun ndërkombëtar, çka edhe ka shkaktuar vonesa në arritjen e vaksinave te qytetarët. Vitin e kaluar, në Kosovë janë vaksinuar rreth 100 mijë njerëz - aq sa ka qenë numri i dozave të vaksinave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë. Shpërndarja e tyre kishte filluar në muajin dhjetor. Këtë vit është menduar të shumëfishohet numri i vaksinimit, për shkak të pandemisë COVID-19. Kategoritë që duhet të vaksinohen në periudhën e gripave, janë të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, si dhe personat me sëmundje kronike.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...