Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/10/06

Alisa Velaj: Polisemantika e vdekjes në poezinë e Fatos Arapit

 






Për Fatos Arapin, poetin që u thirr ta përmbushte misionin e shtegtimeve poetike, krah për krah me tragjedinë, vdekja nuk pati asnjëherë deri në fund një kuptim shterues. Qe shpesh pikëllim i natyrshëm njerëzor, kur familjarë të shumëdashur apo miq të çmuar zemre fluturonin drejt qiejve. Në poezinë “Ku është ai plak”, Arapi do e shprehte më mirë se askund ndërgjegjësimin për vdekjen, në vargjet: “Ai u nis e iku…/ i ndërgjegjshëm si lodhja e kohës/ i ndërgjegjshëm si shuarja e dritës…”. Në të vërtetë, çdo poet fillon të rebelohet më fuqishëm se humanët e tjerë (megjithëse “pa vetëdije”) kundër vetëdijes për domosdoshmërinë e vdekjes.[1] Rebelimi i poetit, kur drita tokësore shuhet në sytë e  nënës, atit, motrës apo miqve të dashur, edhe pse shkrihet e bëhet një me dhimbjen e pambarimtë, duket se qetohet disi, nga besimi se kjo dritë, do të ndizetherëdokur në një tjetër dimension, ku të larguarit diellojnë jetët tona nga përtej-jeta. Sepse njeriu i dëlirë është drita e botës[2] dhe diell i përtejbotës. Njeriu si diell që shuhet (pra metafora e diellit në shuarje) në këtë jetë për t’u rilindur në një tjetër formë drite në qiejt e andejshëm, fillon vjen e mbruhet në vargjet e Arapit që në çastin e ndërgjegjësimit të vdekjes.

Është bërë më e vogël nëna.

sikur është ulur më nga toka.

…………………………………

Shkon e vjen nëpër dhomë

e mua më duket:

do t’i ngatërrohet këmba

në rrezet e diellit

që hyjnë nga dritarja

                                  nënës.

(Për nënën time)

Këto rreze dielli ku nëna pengohet, ashtu më e ulur drejt tokës, si drejt shtegtimit të paralajmëruar, do të jenë rrezet e vet diellit-nënë apo nënës-diell në lirikën antologjike “Diell i vogël”. Është nga lirikat më mrekullore të shkruara ndonjëherë për vdekjen në letërsinë shqipe. Ka dhimbje pa pezëm, ka jetë që ngadhënjen mbi vdekjen në emër të dashurisë. Një përmbysje e rendit vdekje-jetë, në atë përmasë, sa tragjedia shndërrohet në një bekim frytdhënës. Lulet mbijnë në varrin e nënës, sepse “është nëna ime, si një diell i vogël, atje, poshtë”, shkruan poeti. Një vdekje e tillë plot dritë, që është e aftë të përtërijë natyrën dhe botën, në të vërtetë nuk është vdekje, por përtej-jetë, në një kuptim të figurshëm për poezinë dhe pse jo, edhe në atë lloj ndjenje reale që Fatosi jo poet, i është përfalur përgjatë udhëtimit të tij tokësor.

Arapi ka shkruar një numër të konsiderueshëm elegjish përgjatë krijimtarisë së tij. Përmendim “Elegji për babanë”, “Vdekja e gjyshes”, “Te varri i Lirisë”, “Lumit” etj. Ka shkruar gjithashtu poezi ku notat elegjiake frymojnë në kufijtë e baladës (“Nëna”), apo krijime ku fryma elegjiake është mbizotëruese, ndonëse vargjet mbartin një lloj narracioni lirik, si te poezitë “Varri i gjyshit”, “Rekuiem për H. F. Karajanin”, “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” etj. Në elegjitë e mirëfillta, ku elegjia si lloj i lirikës është një poezi e humbjes ose e zisë[3] shohim se poeti e ndërlidh sërish vdekjen e njeriut me metaforën e diellit në tekstin poetik. Diku një diell i shuar (mbyllur kapakët e syve/ ç’diej u shuan brenda tyre), diku në varrin e së motrës terri njeh vetëm gjuhën e dritës, ndërsa në baladën e nënës që kërkon të birin, gjumi i tij i përjetshëm perceptohet si prehje diellore (prehjet diellore të birit/ peshën prej drite të tij). Ky diell i shuar në botën e prekshme dhe i rilindur në përtejbotë është një arsye thelbësore që nuk i bën të ikurit fantazma të zymta, por njerëz realë, engjëj drite, me të cilët poeti mundet të dialogojë si me të gjallët. Këtë lloj dialogimi vendos poeti me të motrën apo me vogëlushin Lumi. Nuk janë të trishtuar të vdekurit, se sa është i trishtuar vetë poeti që nuk i ka më pranë vetes të dashurit e shpirtit. Është ai që mban zi për ta, vajton me pikëllim largimin e tyre dhe i fton ta vizitojnë sërish jetën tokësore. Njëjtë si në folklorin tonë, kur një i vdekur mund të ngrihet nga varri dhe të vijë dhe të vizitojë të afërmit e tij. Mjafton të përmendim baladat “Kostandini dhe Doruntina” apo “Kënga e Ymer Agës”.

Dhe tani dëgjo mirë, mba mend se ç’të them:

Tani midis buzëve merr këtë gjethe ulliri.

Kur të marrë malli,

Kur të na marrë malli,

lëndoje pakëz me dhëmbëzit e vegjël…

 (Lumit)

Përveç largimeve nga jeta të njerëzve në kontekstin e një drame personale, Arapin e pikëllojnë pa cak vdekjet kolektive, ku gjithë tragjeditë mbruhen në zanafillë nga vrasja e lirisë. Poezi të tilla si “Dahau”, “Në Hortiadis”, “Përse të shkosh në Mat’hausen?” etj., janë kuja e një shpirti të shqetësuar, në ndërgjegjen e të cilit, ai Dahau vjen si një varr që ecën, udhëton.[4] Nuk ecën dhe udhëton më njeriu i lirë e plot ideale, por udhëton vdekja e tij. Liria e vrarë, liria skllave, skllavëron jetën dhe pjell varre në vend të Prometejve. Janë vdekje që poeti i ka përfytyruar dhe i njeh përpara se t’i shohë[5], pasi fytyra e tyre njihet mirë nga pamja e tmerrshme e pashpirtësisë që i pjell. Janë realitete që sado të largëta qofshin, na prekin të gjithëve, në veçanti poetët si Arapi që i ka kënduar lirisë me të tillë forcë, duke i shpërfillur krejt prangat me të cilat na prangon mungesa e saj.

Letërsia nuk ekziston në një vakum. Shkrimtarët si të tillë kanë një funksion të caktuar shoqëror në përpjesëtim të drejtë me aftësinë e tyre si shkrimtarë.[6] Vetë Arapi do të shprehej në një intervistë, se poetët lindin me pranga në duar, por ata nuk i shohin prangat. Ata nuk i shohin prangat, sepse ata ndjekin idealet e lirisë, idealet e humanizmit, idealet e njerëzimit, të zhbirimit të shpirtit njerëzor, i cili është kaq i pasur.[7] Pikërisht bjerrja e këtyre idealeve dhe vdekja e ngadaltë e shpirtit në shoqërinë shqiptare do ta frymëzonte Fatos Arapin për të shkruar një numër të madh lirikash për Tiranën e tiranëve, duke na dhënë një panoramë tepër tragjike të zvetënimit të vlerave morale dhe shoqërore në atdheun e mërzisë.[8] Vdekjet alegorike të Tiranës shfaqen në poezi të tilla, si: “Në Tiranë ka vetëm tiranë”, “Zoti ikte nën shi”, “Ka një rrugë në Tiranë”, “Përçartje në Tiranë”, “Po gjersa ti je shoqja ime”, “Atdheu i mërzisë”, “Dashuri tiranase”, “Zot; shpëtoje Tiranën”, “Ditë e rrëpirtë tirane” etj., etj. Vdekja ndihet tejendanë këtyre poezive, ku nën qiellin universal të kësaj dhimbje të pamatë të poetit, nuk gjendet asnjë shpirt epik i gjallë.[9] Copëzat e shpirtit epik do të na bënin të paepur përpara çdo tragjedie, madhështorë në përmasën e dashurisë për njëri-tjetrin, larg vdekjeve të vogla e të pandërprera të secilit veç e veç, që në fund do të shkaktonin vdekjen e madhe të shoqërisë shqiptare. Jemi pra të gjithë nga pak fajtorë, nga pak tiranë të vegjël të fateve tona, prandaj dhe vuajmë pa e kuptuar pse. Në këtë kontekst, kënga e Arapit ngjizet me një lëndë sarkatike të tejngopur nga dhimbja, zhgënjimi dhe pezmi, kur dëgjon si flet orakulli i mbrapshtë i Tiranës[10]Bijtëe orakullit janë ata që qeverisin dhe pikëllimin tonë, në një atdhe kur edhe rrezja e diellit përlyhet në tradhëti e krime.[11] Vdekjet alegorike të atdheut apo të Tiranës së tiranëve shënjohen në tekstet poetike nga metafora e diellit të shkërmoqur apo dy diejve të zinj (“Përçartje në Tiranë”). Regjisorët e mbrapshtë të tragjedive tona[12] janë ata që ngjizin ditët tona tirane, me anë të lirisë jo të lirë. Asaj lirie që të vret kur nuk e rrok si duhet thelbin e saj.

Mos guxo të shohësh në sy lirinë në Tiranë, –

Dielli i syrit shuhet, shkërmoqet e zhbëhet.

Ti i barabartë me lirinë? – Mos e beso!

Liria të vret.

(Në Tiranë ka vetëm tiranë)

Poeti i zymtuar nga varfërimi i shpirtrave, i etur për një shpirt epik të gjallë, klith tmerrshëm kur gruaja-qytet, ajo Tirana e tij e shtrenjtë nuk është më e tij, por e tiranëve. E sheh vdekjen e saj në sy, lirinë e saj në sy e ka parë të zbehet si limon dhe e vajton qytetin-grua  si vajtohet një e vdekur, në gjëmën e një burri thellësisht të humneruar në trup e shpirt prej bjerrjes së saj plotë. Përfytyrimi i Tiranës si një grua jepet në poezitë “Më duhet një Qezar në Tiranë”, “Duke u nisur për Zyrih” dhe “Dashuri tiranase”. Është ndoshta nga gjetjet më të rralla dhe të pazakonta në poezinë tonë, ku dashuria për një qytet që po vdes nga mungesa e njeriut, perceptohet si zvetënimi i një gruaje dikur të moralshme, tanimë të shndërruar në një lavire. Tirana e tiranëve është për Arapin, herë femër e tëra e tij, me gjinj të fortë epshorë intrigash (Duke u nisur për Zyrih), herë poeti është ajo dorë e shtrirë mbi gjinjtë epshorë provokues të Tiranës (Dashuri tiranase) dhe herë ëndërron për gruan-qytet Tiranë një dashuri të thellë, të pastër si loti, të bukur si dashuria e Çezarit për Kleopatrën. Një nga ata çezarë që kësaj gruaje të pandjeshme dhe intrigante do i mësonte kuptimin e dashurisë së vërtetë. Duke ia ringjallur dashurinë e vdekur për absoluten nga vdekja e dashurisë.

Më duhet një Qezar në Tiranë,

nga ata që kur e mbështetin kokën

në gjoksin muzgor të Kleopatrës,

i bëjnë qiejt të lëvizin, të ulen…

(Më duhet një Qezar në Tiranë)

Në lirikën e dashurisë, në aq pak Tiranë, apo kudo tjetër, nga dashuria mundet t’ia behë si rrebesh i shpirtit të pikëlluar, duke e gllabëruar e tkurrur kohën nga padurimi e malli, aq sa brenda saj mund të rrojnë edhe dashuria, edhe vdekja e saj, pikërisht aty, shpirti i dashurisë vdes e rivdes në emër të shenjtërisë së saj, duke mos e braktisur dot kurrë kryqin e vet.[13]  Epoka e tërë, e tkurrur në një çast të vetëm, dhe çasti i bymyer në epokë, kanë përherë pranë vdekjen (kujdes në këmbët tona gurgullon Akeronti). Prandaj dhe shpirti i dashurisë kryqëzohet e rikryqëzohet, për të luftuar vdekjen në emër të ringjalljes. Duhet të jetojë ai i vluari i dashurisë, që brenda tij të jetojë edhe ajo. Nëse ai do të vdesë, atëherë vdes për së dyti dhe kujtimi i asaj, i cili duket se e ka mjaft shndërrimin ciklik në dhimbje dhe në tragjedi (Si mund të bëhesh tragjedi/ në kaq pak Tiranë). Në emër të dashurisë, poeti mund të ngrihet nga varri (në poezinë “U ngrita”), duke e mundur vdekjen (…për ty unë lashë varrin) dhe të dashurojë me të tillë fuqi, sa ta ringjallë kujtimin e saj, edhe aty ku vdekja kërcënon tmerrshëm me errësirën e saj të dendur.

Asgjë nuk është e pamundur për ta ringjallur dashurinë. Po edhe sikur poeti të mos mundte, do të vijë përherë, ajo, dashuria, për ta ringjallur poetin me dritën e saj. Është Ajo që i mund vdekjet tokësore me rrezet e saj. Rreze të ardhura nga jeta dhe përtej-jeta. Në poezinë “Kaq herë vdekja” jepet mrekullisht bukur ky lloj procesi i ringjalljes së poetit “të vdekur” nga vetë dashuria. E dashura e dielltë do ta dëgjonte kudo dhe kurdo klithmën e poetit nga pragu i paravdekjes (Në ethen e paravdekjes/ kjo klithmë e vdekur: ku je?)[14]. Një strukturë e vdekjes, me paravdekje e përtejvdekje, ku secila prej tyre shndërrohet në vdekje alegorike, për sa kohë asgjësohet nga dielli i dashurisë. Për një poet si Arapi që kapërcen kohën dhe veten për të ringjallur dashurinë, ka përherë një pamjaftueshmëri apo një peng pamjaftueshmërie në lirikat e tij (Si s’të desha pak më tepër). Ndodh kjo dukuri, jo vetëm në rastet kur dashuria vjen si rivdekje ciklike, apo elegji e tejmbarsur me mall e tragjedi, por edhe atëherë kur dashuria vjen gëzimplote e dehëse me aromat e saj. Asnjëherë nuk mjafton dhimbja. Arapi kërkon ta ribëjë dhimbjen të re. Asnjëherë nuk mjafton trishtimi. As dashuria nuk mjafton. Përherë duhet gjeneruar ca pak tjetër, pasi kështu gjenerohet shpirti njerëzor. Sepse Arapi ka fund e krye odisesë së tij poetike një nostalgji të paasgjësueshme nga kurrgjë, madje as nga vdekja, për absoluten mrekullore me kufijtë e saj të pakufij. Absoluten si frymë të endur nëpër ujërat e dashurisë, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. 

Vlorë, gusht-shtator 2021


[1]  Bloom, Harold. (1997). The anxiety of influence, a theory of poetryNew York, Oxford: Oxford University Press, fq, 10.

[2]  Termi drita e botës gjendet te Mateu 5:14 në Dhjatën e Re, ku shkruhet: “Ju jeni drita e botës”.

[3]  The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press, fq, 397

[4]  Varg i poezisë “Dahau”.

[5]  Perifrazim i vargjeve “Mos më flisni për Hortiadisin/ E kam njohur shumë më parë se ta shihja/ e di vdekjen e tij.”

[6]  Ezra PoundABC of Reading, Faber and Faber, London and Boston, 1951, fq. 32

[7]  Marrë me shkurtime nga intervista e Arapit në librin “Kaleidoskop i Letërsisë Shqiptare” i Vera Pelajt.

[8]  Përcaktimi i referohet poezisë “Atdheu i mërzisë”.

[9]  Fjalët me italic përgjatë tërë fjalisë i referohen poezisë “Asnjë shpirt epik i gjallë”.

[10]  Varg nga poezia “Ditë e kërmilltë gazete”.

[11]  Perifrazohen vargje të poezive “Atdheu i mërzisë” dhe “Po gjersa ti je shoqja ime” në krejt fjalinë.

[12]  Perifrazohen vargje të poezisë “Ka një rrugë në Tiranë”.

[13]  Ndërkallet gjithashtu në fjalinë e mësipërme dhe poezia minimaliste e Arapit “Shpirti i dashurisë/ nuk e braktis kryqin e vet”.

[14]  Varg i poezisë “Ku je?”.

Sokol Zekaj: Jeta dhe libri

 Bylbylat po t’marrin me vedi” N. Mjedja

Çdo poet ka qenë më parë veçse një lexues i poezisë. Nuk ka poet që është krijuar a është formuar në vetvete, jashtë këtij procesi të njohjes. Tash pas kaq vjetësh, unë kujtoj libra, shkrimtarë dhe poetë. Nga poetët që kam lexuar dhe që më kanë pëlqyer, që kanë qenë të rëndësishëm pak a shumë për mua, më duket sikur nuk më mungojnë edhe aq në bibliotekën time, sidoqoftë janë disa mungesa që nuk do i dëshiroja. Fjala është për botimet në gjuhën time, në shqip.

Kështu, më ka ardhë ndër mend herë-herë një libër, botuar shumë kohë më parë, dhe ndër të parët e lexuar, madje të lexuar më gjatë nga unë, dhe që tash nuk e kisha, dhe nuk e gjeja. Ndërsa qarkullojnë libra pa fund për shitje, ai nuk dukej, sikur ato kopje i kish mbuluar uji. Befas një ditë, vonë, e pashë mbi një bordurë. Nuk po u besoja syve. Ishte në gjendje mjaft të mirë. E mbajta në duar, dhe sigurisht që nuk do ta lëshoja, do ta merrja. Por… shiko!… Një hije mbi dëshirën!… Çfarë çmimi! Më vuri në dyshim, u lëkunda, teksa m’u kujtuan edhe mundësitë e mia atë çast. Por, e pyeta librarin. Ah! Ai libër nuk është për tu shitur! më tha. Unë e pashë. Është shumë i shtrenjtë, foli prapë ai. Sa? e pyeta. Dhe ai ngriti edhe një shtesë tjetër mbi atë çmim të lartë që kishte shënuar në kopertinë. Mirë. E lashë. Nuk është se po nuk e pata, rashë e vdiqa. Ai ka brenda katër libra! dëgjova librarin që foli ndërsa unë largohesha, një gjë që edhe mund të thuhej, sigurisht. Gjithmonë më bën përshtypje kur ndeshem në njerëz të panjohur që i dinë punët e librave. Më duken të çuditshëm, them: si ka mundësi!

Më pas, erdhi vera me vapën, dhe me punët e mia të përditshme, plus gjëra tjera nga jeta, dhe kështu kaluan muaj. Por kur temperaturat ranë disi nga piku, u kujtova: vallë, ç’u bë me atë librin? Duhet ta ketë marrë dikush, tek e ka parë me nostalgji, ose e ka parë thjesht si një libër të rëndësishëm. Në bibliotekën time unë kam disa të tillë, sipas meje, ose më shumë se kaq. Megjithatë ne do lexojmë, dhe do blejmë libra gjithfarë, se përndryshe, si do e bëjmë njohjen? Dhe si do arrijmë në një konkluzion, në një diferencim, në një zgjedhje? Dhe, desha të thosha, një ditë shkova. Jo, nuk qe shitur. Kaq kohë! E gjeta librin me dorën time, diku te një stivë e pashpërndarë ende, pasi ishte mëngjes herët dhe puna sapo kish nisur. Ishte po ai, pa dyshim. U morëm vesh me librarin, dhe e mora. Ky libër ishte Vjersha dhe Poema, i Pushkinit, botuar më 1964. Lidhur me këtë vepër, sot unë di disa gjëra që dikur nuk i kam ditur dhe që më interesojnë: di sa shumë e kanë vlerësuar dhe nderuar poetin, Anna Ahmatova dhe Marina Cvetajeva, dy poetet e mëdha ruse të shek. XX, të dyja me një fat tragjik, ndonëse njëra, Ahmatova jetoi shumë vjet më gjatë.

E kam pasë këtë libër, qysh nga koha kur është botuar. E kam marrë në Shkodër, te libraria në qendër, buzë Kafes së Madhe. Më ka mbetë në mendje si qe habitë librarja kur e mora unë, atëherë. Ky libër do të shoqëronte në vijim të gjithë rininë time, dhe them se duhet të ketë ndikuar në formimin tim si mik i poezisë. Dihet se atëherë, mundësitë tona të kontaktit me librin, nuk ishin këto të sotmet. Sidoqoftë ky libër është një botim i mirë, me njëfarë plotnie në vetvete, me poezi dhe poema, me variante përkthimi, dhe i përgatitur dhe i kryer me kujdes dhe shije. Ka edhe një numër sonetesh të bukura nga Eugjen Onjegin, disa prej të cilave koha nuk m’i ka fshirë dot nga kujtesa. Është për tu besuar se Poezia, ka qenë dhe vazhdon të jetë, veprimtaria, ndoshta jo më e rëndësishme, por më e ndritshme dhe më fisnike që kryen njeriu këtu, në botën tonë, të vetme deri sot.

Por aty nga mesi i viteve ’70, ia pata dhënë këtë libër një mikut tim, të paharruarit Sali Mani. Libri im në atë kohë ishte i raskapitur nga përdorimi i gjatë, në lëvizjet e mia të kohës e të moshës. Vetë Sali Mani nuk ishte thjesht një këngëtar popullor, por ishte një muzikant i talentuar, instrumentist virtuoz i shumë veglave, ndërsa ishte edhe krijues letrar me kulturën e një poeti. Kjo pasqyrohet edhe sot në tekstet e tij të këngëve, të pakapërcyera. Siç dihet, me këngët e tij ai pati shumë sukses ndër shqiptarì, anekand trojeve tona, por edhe ngado në diasporë, dhe për katër dekada, besoj nuk gaboj kur them, se qe zani ma i dashtun i kangëve popullore i të gjithë veriut të madh, duke u ngritur si ylli i shndritshëm i tyre. Në fund të viteve ’80, në një nga turnetë e tij jashtë vendit, kish marrë dhuratë me autograf një vëllim poetik nga Ali Podrimja, një emër i madh i poezisë shqipe, dhe sapo u kthye, ma dha për ta lexuar. Sali Mani u nda nga jeta në Amerikë, ku jetoi vitet e fundit.

Kështu, qemë me Saliun në shtëpinë e tij kur ia dhashë librin. Kujtoj se përjashta binte shi, dhe ne po flisnim buzë dritares për poetin rus, kur ai më thotë: shiko te librat, mos gjen ndonjë gjë që të duhet. Kishte bibliotekë shumë të mirë. Atëherë lexohej shumë, dhe librat qarkullonin dorë më dorë ndër shoqëri,  përdoreshin, nuk zinin pluhur rafteve. Por ishte tjetër kohë, koha e izolimit. Pashë dhe zgjodha njërin, që në fakt më befasoi: Të kesh e të mos kesh, i Ernest Hemingway-t, autor, gjithashtu, i romaneve Lamtumirë armë dhe Plaku dhe deti, që qenë botuar qysh në fillim të viteve ’60 dhe që i kisha lexuar kohë më parë.

Veçse për mua ky ka qenë një nga zbulimet më interesante në gjininë e romanit, sak pse ishte shumë poetik, kishte ritëm, dialogë të gjallë, por edhe se ishte modern, dhe ishte një imazh dhe një tingull tjetër nga ata që na ofroheshin çdo ditë për shqisat dhe për mendjen tonë. Dhe kështu librat që këmbyem me Sali Manin, nuk ia kërkuam më njëri-tjetrit.

Sa për mënyrën e të lexuarit, mua më pëlqen me supozue që një poet nuk reflekton në zbrazëti: ai thjesht vjel vlerat që ka një tekst letrar si i tillë. Pse? Sepse ky është interesi i tij shpirtëror, ndërsa lexon. Interesi i tij është që të ndjehet i frymëzuar, i pasuruar me ide dhe emocione dhe teknika, dhe kështu, të jetë i nxitur prej librit.

Dhe, e kisha fjalën te Të kesh e të mos kesh, i Hemingway-t, që hapet me këtë frazë që mua më ka ardhë gjithmonë, e mrekullueshme: A e dini se si është mëngjesi në Havanë kur endacakët flenë ende rrëzë mureve të ndërtesave, përpara se karrocat të shpien akullin nëpër bare? Edhe sot e marr herë-herë në duar këtë libër që tashmë është ribotuar, për të ndjerë gjuhën preçize të shkrimtarit të madh, si ndër situatat e ashpra, ashtu edhe në momentet e qeta dhe lirike, që ngjajnë të shkurtra por pikante apo ngjajnë të shkurtra sepse janë pikante.

Kështu ne rilexojmë, dhe nga një rilexim, rijetojmë emocionet e dikurshme, megjithatë, jo thjesht po ato, por ndoshta diçka tjetër, veçse të ngjashme, pasi përvojat ne na kanë pjekur tash gjithsesi më shumë, lidhjet tona me gjërat, interesat tona intelektuale apo shpirtërore, dijet tona, nuk janë të njëjtat, kanë lëvizë. Prandaj edhe leximi tashmë ndryshon disi nga ai i dikurshmi, unë do të thosha, është më i kulluar, ndërsa mund të ndryshojë edhe mendimin a vlerësimin që ne kemi pasë deri tash mbi një libër a autor a poezi a diçka tjetër, edhe pse ndoshta jo në thelb.

Ndoshta duhet thënë se nevoja për t’iu kthyer librave të dikurshëm, ka lidhje edhe me moshën, a sidomos me moshën. Mund të mendojmë se sa është në moshë të re, njeriu është i etur për të pushtuar sa më shumë territor nga fusha e dijes, ndërsa energjitë për këtë synim njerëzor nuk mungojnë, janë të plota. Dhe kështu lexon gjithnjë  diçka tjetër, diçka të re, që hap një dritare për me pa. Sigurisht, është më e rëndë se një keqardhje, që ne në rininë tonë nuk kishim mundësi reale të formoheshim si donim dhe sa donim, pasi kishim kufizime të pakalueshme, thjesht nuk ishim të lirë në kërkimet as në zgjedhjet tona. Katastrofa e botimeve letrare, e lirisë së të menduarit në përgjithësi në ato dekada, gjendet e sintetizuar dhe e reflektuar më mirë dhe më qartë se kudo, nëpër  antologjitë, besoj edhe të prozës, por unë kam më të afërta ato të poezisë. Duke parë autorët pjesëmarrës në një antologji, shohim si nxijnë mes tyre gropat e mungesave, të ndaluarit, si për poezinë e huaj, ashtu edhe për poezinë tonë shqipe.

Në vitin 1992, mbi këtë temë, temën e librave të munguar, unë kam shkruar poezinë Orët e vrara, pasi mungesa e librit ka qenë, si për të gjithë, një plagë për mua, dhe nga ana tjetër, gjetja e tij ka qenë një lumturi e jetës. Por kështu ishim të detyruar atëherë të shpenzonim shumë ditë nga jeta jonë, nëpër iluzione dhe falsitete, libra pa ndonjë vlerë – produkte të kohës – duke rrejtë veten sikur diçka po bëjmë. Por edhe vetë ne ishim koha.

Megjithatërrugëtimi i poezisë, edhe në liri ka sfidat e veta për një poet. Përgjithësisht njeriu, dua të them çdo njeri,  kërkon me qenë pranë me ata që i ndjen a i mendon si “të ngjashmit e vet”. Në fund të viteve ’60, unë jan njohur me poezinë e poetit turk Nazim Hiqmet. Nga kjo njohje kuptova peshën që ka emocioni në poezi, ndijimi, lëvizja shpirtërore, “fërgëllima”. Ajo që më bën përshtypje sot lidhur me këtë fakt, është se në këto tridhjetë vjet lirie, ndërsa kam rënë në kontakt me shumë poetë të tjerë, por edhe me poezi tjera të këtij autori, unë asnjëherë nuk jam zhgënjyer, gjithmonë kam dalë i kënaqur që u njoha me poezinë e poetit turk. Dhe ia di vetes për nder që këtë gjetje dhe zgjedhje të saktë të poezisë, e kam bërë herët, në moshën njëzet vjeç, pa dashur të them se kam mësuar dhe kam kuptuar menjëherë gjithçka mbi poezinë. Por, për veten time, më duket sikur i kam të paktë poetët sot, në veprën e të cilëve gjej kaq shumë poezi të mira për të rilexuar, gjithmonë duke u kënaqur nga alkimia brilante e tij, dhe duke marrë ndjesi të bukra nga rrjedha spontane, e pastër dhe befasuese e frymëzimit të tij poetik.

Për lidhjen që ka shkrimtari me librin, kam lexuar diçka të bukur nga nobelisti William Saroyan, në një libër të tij autobiografik. Në fakt Saroyan kujton rininë. Ai ka shkruar: Në këto ditë sa herë që hyja në Bibliotekën Publike të San Françiskos, ndjehesha sikur hyja në shtëpinë time, edhe pse nuk kisha aty libra të mi. Ajo më dukej si shtëpia e prindërve sepse shkrimtarët e mëdhenj më përngjasonin me babain tim. Kjo që thotë nobelisti armeno-amerikan, më ka kujtuar arratisjet e mia, të rralla në fakt, me biçikletë, nga fushat ku punoja për në Bibliotekën e Shkodrës, për ndonjë orë ndryshe, me veten.

Por koha shkon, dhe vit pas viti, bagazhet e përvojave tona bëhen më të rënda, dhe kështu njeriu bëhet si një kalë që udhëton me një barrë përherë e më të madhe. Kjo barrë është e ndarë në të dy anët e shpinës së kalit: në njërën anë po them, janë përvojat e jetës dhe në tjetrën, përvojat e leximeve. Të gjitha këto janë të depozituara në qenien tonë.

Por ndërsa janë brenda nesh si të shkuaratë kaluara, ne duam t’i kujtojmë përvojat e jetës, madje duam të reflektojmë: si ishte kjo? Pse ishte kështu? A mund të qe ndryshe? Mirëpo ato kanë ikur, nuk kthehen. Ne nuk mund ta kthejmë të shkuarën. Ne nuk e kthejmë dot pemën në hijen e së cilës lexuam Ana Kareninën, as zjarrin pranë të cilit lexuam Ndre Mjedjen ndërsa ishte natë dhe përjashta binte borë, as dritaren prej ku netëve binte hëna, as të afërmit a të njohurit tanë që na kanë vdekur, as kovat që mbusheshin me ujë nën strehën e çatisë ndërsa binte shi, as netët e pagjuma të dasmave, as mesditat e të dielave të qeta, as divanet uniform me të cilët na pajiste shteti, as rrugën me plepa në vjeshtë, as stacionet e ndarjeve e të takimeve, as sallën e zhurmshme të kabinave telefonike, as trenat ku ëndërruam kohë moderne, as tryezën ku projektuam të ardhmen, as karrigen buzë shtratit të ëndrrave tona.

Asgjë nga këto, dhe si këto, nuk mund të kthejmë.

Por ne mundemi me marrë përsëri emocionet shëruese të atyre orëve të jetës sonë të dikurshme, duke lexuar përsëri të njëjtët libra: duke lexuar përsëri libra si: Poezi i Nazim Hiqmetit apo Mëhallat e botës, i Janis Ricos,  Shpirtra të vdekur,i Gogolit apo Evgjeni Grande, i Balzakut, Poezi, i Gëtes apo Lulet e verës, i Naim Frashërit,  Shoku pyll, buçit, i Atila Jozhefit apo Vargjet e lira, i Migjenit bashkë me Prozat e tij brilante, Tregime dhe novela, i Anton Çehovit apo Lumturia, i Katrin Mansfielld-it, Lahuta e Malcisë, i Gjergj Fishtës apo Poezi, i Shandor Petëfit, Poezi, nga Henrik Hajne apo Vallja e yjve, i Lasgush Poradecit, Për bukën e gojës, iMaksim Gorkitapo Ditë të mvrejtura, i Menelaos Ludemis, Poezi, i Robert Bërnsit apo Hanko Halla nga Ali Asllani, Zonja Bovari, i Gustav Floberit apo Zonjusha Perlë, i Mopasanit, Viti ’93, nga Hygoi apo Manastiri i Parmës, i Stendalit, Një tragjedi amerikane, i Drajzer apo David Koperfildi, i Dickens-it, Zgjohu druvar,  i Pablo Nerudës apo Lirika, i Sergej Eseninit, Poetë latinë apo Poezia klasike kineze, Muzgu i perëndive të stepës, i Ismail Kadaresë apo Dëborat e Kilimanxharos, i Ernest Hemingway-t, Kujtimet e një gjahtari, i Turgenievit apo Tregime, i Mitrush Kutelit, Tre shokë, i Erih Maria Remarkut apo Dekameroni, i Bokaçios, Jeta lakuriq, i Luigi Pirandelos apo Çitadela, iKronin.

Unë sigurisht një libër e mbaj mend nga autori, më parë dhe më shumë, se nga titulliNe dimë se disa shkrimtarë dhe poetë, kanë pasë një përballje epike me jetën, ndërsa kanë pasë edhe talentin e rrallë që këtë përballje të vështirë, me e kthye në diçka tjetër: në një vepër letrare, a në veçanti, po them, në një vepër poetike.

Një ditë në një tryezë miqsh, Stefan Çapaliku përmendi poetin Aleksandër Gera dhe unë u kujtova se më mungon ky poet në bibliotekën time, ndonëse e kam lexuar, ka shumë vjet. Atëherë pata menduar se arti i tij ishte jo shumë i avancuar por sot mendoj ndryshe: mendoj se është rasti kur poeti, një pjesë jo të zgjeruar, megjithatë thelbsore,  të jetës a të qenies së vet, e ka kthyer në poezi. Sot kjo gjë më intereson veçanërisht. Një gjë të përafërt e ka bërë Jamarbër Marko, duke zbuluar çaste – brilante të vogla – për të bërë një mozaik. Nga ana e tij, Sandër Gera paraqitet më solid, më i qëndrueshëm në atë që merr përsipër, dmth guri mbi të cilin punon është më i fortë, dhe më bllok.

Nga ana tjetër, mund të themi se emocionet që ne marrim nga proza janë më afër reales, më afër rrëfimit të vërtetë të jetës. Ato ndoshta në një rast mund t’na bajnë edhe me qa, në kuptimin që na japin shumë emocione apo, në një tjetër, mund të na bajnë me qeshë. Ose, të themi se nëse ekziston një prozë që na ban me qeshë, atëherë patjetër që ekziston edhe një prozë që na ban me qa. Ndërsa emocionet e poezisë nuk na bajnë me qa, por ndoshta na trishtojnë, as nuk na bajnë me qeshë por ndoshta na bajnë me vu buzën në gaz, pasi kështu funksionon poezia. Emocionet e saj, të poezisë, janë të përmbajtura, ndërsa shkojnë kah befasia, sugjestioni dhe mahnitja. Ato synojnë gjithçka: ndjenjën, mendimin, imagjinatën, kujtesën, përvojën, pra, totalitetin e qenies sonë. Ato nuk duan me na prekë ne në ndjenja, ato duan të na pushtojnë ne si qenie.

Por ne, përse lexojmë dhe rilexojmë prozë dhe poezi? Një përgjegje mund të jetë se lexojmë për kënaqësi. Kjo është ndjesia që ne marrim menjëherë nga libri i mirë. Por edhe se kështu ne ngrihemi nga ana kulturore, ndjehemi më mirë, vetë me veten, dhe vetë ndaj të tjerëve. Ndërsa për një poet, po them, gjërat janë ndryshe, pasi ai kërkon më shumë se kaq.

Botën e trazuar të shkrimtarit, me mundimet dhe dilemat, nga lindja e idesë për të bërë një libër e deri te pritja që i bëjnë atij lexuesi dhe kritika, na e ka dhënë Ridvan Dibra në librin e ri të tij me titull, Për romanin dhe romanet, më duket, një botim i plotë në llojin e vet të veçantë, në letrat tona. Vërtet disa gjëra i kemi të çuditshme. Themi që poezia është muzikë, dhe prandaj punojmë me gjuhën, e zgjedhim, e limojmë, e akordojmë. Por më ka ndodhë edhe kështu, që të ndërroj diçka në varg a në vargje pasi jam ndjerë i bezdisur nga vetë ajo që e quajmë harmonia e tingullit, kam dashtë te poezia një tingëllim tjetër. Besoj se atë çast, duhet të kem pasë ndjesinë sikur ajo po tingëllon e panatyrshme. Nganjëherë gjërat kthehen në të kundërtën e tyre. Kështu lexuesi është i ftuar nga autori, me i pranue befasitë e krijimit letrar, duke i bërë gjithashtu, edhe pasuri të formimit të vet, duke i bërë dije të vetat. Këtë qasje na e jep mes tjerash Ridvani kur shkruan:

Sensi i masës dhe prishja e qëllimshme e saj;

ndjesitë e ekuilibrit dhe mandej zhbërja e tij;

ndjeshmëria e skajshme deri në “sëmundje”;

kurreshtja prej fëmije dhe që kurrë nuk plaket;

prania e harmonisë dhe të kundërtës së saj;

syri gjithnjë vëzhgues – i mprehtë deri në verbëri;

synimi për simetri e njëkohësisht bezdia ndaj saj;

neveria ndaj së padrejtës gjithkund e gjithmonë…

këto dhe plot e plot të tjera të ngjashme me to,

janë dhunti të brendshme të lindura te romancieri.

E pamundur të mësohen në shkolla e akademi.

Në fakt, kur thyejmë një rregull, një harmoni, apo thjesht kur krijojmë, çfarë bëjmë? Krijojmë një rregull të ri, një harmoni të re, të përshtatshme për me komunikue me një lexues të ri, sipas nesh.

Tashmë bibliotekat shqiptare janë pasuruar. Nuk kemi më vepra as autorë të ndaluar, nga tanët as nga të huajt, për shkak të rrymave a të shkollave a të ideve. Autorët tanë janë ribotuar, gjithashtu edhe të huajt, modernë a postmodernë, janë botuar në shqip apo kanë hyrë në gjuhët origjinale o të përkthyer në gjuhë të tjera. Këta janë të shumtë. Por këtu fillon sfida natyrale e poetit, apo edhe e shkrimtarit: çfarë dhe si?

Vitet e fundit unë kam sjellë më shumë libra në bibliotekën time, dhe më duket se nuk kam lexuar asgjë të jashtme përveç atyre të bibliotekës sime. Ndoshta ne në shtëpitë tona, nuk kemi gjëra tjera kaq me vlerë, të marra me një çmim modest, nga ana tjetër, me një materje të brishtë, delikate si letra, por që megjithatë ruhen kaq gjatë, dhe na shërbejnë po kaq gjatë në kohë, sa ç’kemi  librat.

Poeti lexon shumë poetë, se sa, askush nuk e di, janë pa numër. Shumë prej tyre janë të shquar, kanë bërë vepra të mëdha. Ndër këto vepra, poetët jo pak herë kanë gjetur edhe nxitjen apo temën për poezinë e tyre, ndërsa kanë gjetur veten dhe kohën. Sa poezi janë shkruar për Odisenë apo për Penelopën, në kohë të ndryshme, pasi kanë lexuar Homerin? Po për Danten apo për Beatriçen, pasi kanë lexuar Komedinë hyjnore? Po për Hamletin apo për Ofelinë, pasi kanë lexuar Shekspirin? Megjithatë ata që, ndër poetët, një poet i ndjen të afërt, nuk janë të shumtë, janë të paktë, dhe kjo nuk ka lidhje se sa të famshëm janë, se sa çmime kanë fituar. Është diçka tjetër: një fije e hollë i lidh, e dukshme apo e padukshme.

Librat nga brenda janë të mbushur me fjalë, kurse nga jashtë i rrethon qetësia dhe heshtja. Poeti punon në një ambjent librash. (Në njëfarë mënyre, kudo që të jetë, kur poeti punon, kur mendon poetikisht, rreth tij fëshfërijnë fletët e librave.) Aty, mes librave tjerë, ai, poeti ka edhe disa libra të veçantë: librat që vetë ka shkruar në këtë ambjent, duke pirë verën e vetmisë, të qetësisë dhe të heshtjes, larg nga njerëzia.

Dëshira për me lexue letërsi artistike, është një energji jete, një energji e pastër, si të thuash, vullnetmirë, si drita, është më shumë se një dëshirë për dije, dhe nuk ka sak kuptimin e vullnetit. Nganjëherë frymëzimit të poetit i kanë dhënë një natyrë hyjnore, dhe këtu feja është distancuar. Por kam shkruar diku tjetër se çdo poet është një zog që ka dalë nga një dëshirë njerëzore: nga dëshira për me lexue poezi. Do qe mirë për ne, që kjo dëshirë me zgjatë. Për disa poetë mefat, edhe vetë begatia e frymëzimit dhe potenca krijuese e tyre, kanë qenë po aq të pavenituna e të gjalla në kohë, sa jeta e tyre. Librat e tyre përçojnë energji edhe sot, tek ne, përçojnë dëshirë për jetën, për të bukrën, teksa janë plot dashuri dhe humanizëm. Aty është vendlindja e vetë poetit. Aty është qenia e tij. Ka një poezi Ndre Mjedja që e ka titulluar Nji shoqit që kthehet në Shqypni, që ky njeri që po kthehet pra, është një shqiptar, në fakt, një mik i autoritNë një nga strofat e saj, poeti ka shkruar:

E ty tuj shtegtue

N’nji dhé qi ndan dedi

Bylbylat o Ndue

Po t’marrin me vedi

Edhe hapja e një libri me poezi, – dhe në vijim leximi: fjalë dhe vargje dhe emocione! – për poetin a po them për çdo lexues – mbase është gjithmonë si një kthim në tokën e vet ku është lindur, në vendin e vet të dashur ku zemra i rreh e plotë dhe mushkritë i mbushen me ajër frymëzimi dhe jete, ndërsa lexon dhe… “bylbylat e marrin me vedi”.

Verë, 2021

Frano Kulli: Gjergj Fishta, moskuptime dhe keqkuptime

 Përdorimi i ledhatuar e me mjeshtrí i shqipes, në korpusin e veprës letrare e publicistike të Gjergj Fishtës, komunikimi me lexuesin e vet, ndalet përdhunshëm pa kaluar 5 vite nga ndarja e tij këso jete, në dhjetorin e 1940-ës. Gjithë ajo pasuri gjuhësore e përdorur aty, por edhe me plot prurje të reja prej tij, të panjohura e të palëvruara deri atëherë, u ngurtësua; ju vù një rrasë e rëndë varri, aq e rëndësa ç’peshon një gjysë shekulli.

Duke mos u përdorë, ajo nuk lëvizi e nuk gjalloi, por në mënyrë sfidante ndaj forcës ndaluese e dhunës për leximin e veprës, ndërkaq ajo ishte e “hipotekuar” aty nëshkrimtarínëe tij. Por edhe në mbamendjen e padëmtuar të lexuesve të saj, e mbamendësit e panumërt oral, të cilët mund të recitonin deri mijëra vargje përmendësh, nga “Lahuta…”prej kah kishte edhe burimin gjuha e tij, si pasuri e madhe e paluajtëshme.

Në veprën madhore të Fishtës, do tëshkruante Eqrem Çabejështë pra njësia shqiptare, shpeshherë e panjohur, e cila ndrit së poshtmi më çdo anë. Atëhere nuk duhet t’ia marrim poetit për të keq, por duhet t’ia dimë përkundrazi për të mirë, që mori e përvetësoi gjithë të thjeshtën, të moçmen, të paprishurën atje ku e gjeti të ruajtur më mirë dhe që e ngriti në sferën e poezisë… Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe ia mbrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit.”[1]

Sado u pengua…, dikur vonë, fort vonë, i erdhi radha të hiqej ajo “rrasa e randë” e mbylljes së dhunëshme; vepra e Fishtës do të ribotohej e plotë, por tashma me ngërçin e madh të moskuptimit për shkakuna pretekstin e vjetërsisë së gjuhës së saj.Këtu buron nevoja që ajo kishte për spjegime të shumë e shumë fjalëve e shprehjeve, për të mënjanuar moskuptimet prej së vërteti tëatyre të dalave jashtë përdorimit tashma; në të folmen e nëtëshkruarën, po se po. Sidomos, të keqkuptimit të frazeologjisë aq të begatë të Fishtës.Vlera kulmore të tij këto, që e kishin kurorëzuar POET KOMBËTAR, qysh në gjallje, në bashkëkohësinë e vet. Gjë që vetëm njëherë dhe vetëm me Fishtën ka ndodhë në historinë e letërsisë shqipe. Poet Kombëtar pa asnjë mëdyshje e quan Eqrem Çabej, ky albanolog i pa qasje me të tjerë, i pakrahasueshëm, që rrezatonte kulturë evropiane. Jo vetëm për shkak të gjithë ciklit të studimeve të veta; të mesme, të larta dhe ata doktorale, që kishte kryer në Austri, porse gjithë jetën e vet studimore më pas e çoi në këtë frymë e në këtë rrugë. Ai shprehet:”Fishta arrititë ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”[2]

Rrekja për mbushamendjen e moskuptimit për shkak të gjuhës. Shkaqe dhe pretekste:

Nëse me të vërtetë duhet ta pranonim vështirësi në kuptimin e gjuhës së Fishtës dhe të kërkonim një shkak, a më saktë ta konsideronim të tillë një ankesë që vjen prej s’andejmi, shkaku do të qe diku ndërmjet:pasurisë leksikore të autorit dhe “varfërisë” leksikore të lexuesit të tij të sotëm.  Shkëputja e gjatë shkrimtar-lexues padyshim që e ka krijuar një përthyerje, në mos në kuptimin, në shijimin e veprës së Fishtës.

Fishta është autori me fjalëformimin më të pasur ndër autorët shqiptarë. Nga më shumë se 12000 leksema e terma të spjeguara dhe të paraqitura në një fjalor që këto ditë del nga shtypi, (përgatitur: Frano Kulli) dominant është numri i fjalëve të krijuara prej tij; si fjalëformim i vetë autorit. Në veprën e një poeti mjeshtër dhe kaq të lëmuar të letërsisë shqipe të traditës si liriku i pashoq Ndre Mjeda, numrohen 5671 fjalë. Kaq është numri i saktë i fjalëve të “Fjalorit të plotë të nxjerrun nga shkrimet e Mjedës”[3], hartuar e përgatitur nga studiuesi Kolë Ashta qysh në vitin e largët 1964, i pabotuar, që ndodhet në arkivin e Akademisë Albanalogjike të Shqipërisë.

Kjo ndarja ndërmjet pasurisë leksikore kaq të madhe të poetëve tanë mjeshtra dhe varfërimit të leksikut të lexuesit, prej mospërdorimit të thesarit të tyre, ka qenë dhe është një dëm,vështirë i rikuperueshëm. Ka ndodhë fenomeni i një letargjie të gjatë, i një gjumi vdekatar në këtë rast, nëse gjuhën dhe procesin e leximit nëpërmjet saj i marrim si një organizëm të gjallë. Me shumicën e letërsisë së autorëve të veriut ka ndodhë kështu, janë anatemuar vetëm e vetëm që letërsia e tyre të mos të mund të vijonte konkordancën (pajtimin)me shpirtin e lexuesit të vet, duke e konsideruar si akt pengues për rregjimin politik të kohës, për shkak të ideve të papërputhëshme dhe veprës së tyre shkrimore. Po me Fishtën kjo ka ndodhë më hatashëm se me të gjithë…E megjithatë, pas një arsyetimi e hulumtimi të thelluar arrihet në pohimin se në moskuptimin e Fishtës për shkak të gjuhës, pretekstet i dominojnë shkaqet:

Fishtën ende nuk e duan poet ata që rëndom e barazojnë me “Lahuta e Malcis’ “Nuk e duan poet ata që thonë, qoftë edhe nën zë se Fishta është vetëm “Lahuta”. Edhe pse ajo është kryevepra e tij. “Lahuta …” nuk është Fishta. Fishta poet është shumë më shumë se “Lahuta…”. Na vjen në ndihmë të këtij pohimi, posë dhe tw tjerwve, prap liriku i shquar Lasgush Poradeci:”Vajta ta shoh rishtas në 1937, në Shkodër…Në librin tim të falur i kisha shkruar pjesën e njëqindtë nga ç’desha:”Njeriut të Zotit, meditans e militans, Burrit shqiptar përfaqësonjës, më të madhit epik të shekullit.”[4]Kurse në një analizë që bën mbi lirikën e Fishtës e quan poetin koleg “ shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar” dhe vazhdon: “Ky është, si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha më dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i Kombit…”[5].

Është shfaqë edhe synimi shvleftësues, në ndonjë analizë stilistikore, po krejt të sipërfaqëshme, buruar prej ndjesive të xhelozisë, më shumë se prej arsyeve të tjera, besojmë. Arti i Fishtës është përçmuar si folklorizant. Duke i vënë përballë vargun e lirë e modernitetin e tij tek Migjeni; duke krahasuar të pakrahasueshmet. E duke mënjanuar faktin që vetë Fishta nuk qe aspak përjashtues por veçse vlersues e inkurajues për talentet e shkrimtarisë së kohës së vet. Sidomos për më të rinjtë. E jo veç i Koliqit, bie fjala, por edhe i Migjenit. Ai e  çmonte  “djaloshi i talentuem”, kur ndër biseda me të, bashkëvllazën françeskanë i shfaqnin mospranim për idetë a poezitëe tij e madje  e cytnin duke i thënë: :”Pader, duhet me ju pergjegjë këtij Migjenit..”. E poeti pati dhënë atëherë këtë përgjigje për bashkëvllaznit:”Lenie rahat djalin e Gjushit [Gjergjit] se asht  ende i ri. “, pohojnë bashkëkohës se u thoshte Fishta për të.[6]

Fishtën nuk e duan dramaturg…

Fishtën e citojnë dhe e përmendin rrallë si dramaturg. Ani pse ai është autor i 40 dramave e melodramave, të shkruara a të përshtatura. Me shkrimtarinë e vet në gjininë dramaturgjike(që kryesisht është e shkruar në vargje), por dhe me vënien në skenë, thuajse të shumicës së veprave të këtij zhanrri, Fishta u shenjua vetëdijshëm si themeluesi i teatri shqiptar. Dhe ndërmend të vjen e të rivjen autografi që Lasgushi i shkruan në librin dhuratë: meditans e militans[ëndërrimtar dhe luftarak].

Veprimi i tij për teatrin zë fill që më 1902. Asokohe, salloni në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ishte edhe “rezidenca krijuese e shkrimtarísë së Fishtës” u kthye edhe ndër sallat e para në atë qytet e më përtej, sallë shfaqjesh ku filloi të kumtohej shqip.(Pak më vonë, me 1919, në Gjuhadol, në oborrin e shkollës fretnore u ndërtua një sallë tjetër[7], një sallë me 300 ndenjëse për spektatorë)Dhe vetëm shqip. Këtë pati kurajë ta bënte Gjergj Fishta, i cili, edhe kur përdorimi i shqipes ende qe i ndaluar nga Perandoria Osmane e futi atë si gjuhë mësimi në shkollat françeskane (liceun françeskan “Illyricum” dhe në shkollën e motrave stigmatine) kur ishte drejtor i këtyre shkollave. Studiuesi Tonin Çobani[8] na kumton se: “ Aty [në sallonin e fretënve] mendohet se u shfaqën dy skeçet origjinale të Fishtës (“Autori, Shtypshkronjësi” dhe   “Përpara derës së Parrizit”), komeditë “Mjek përdhuni“(1905)  dhe “I ligu për mend” (1908), të dyja sipas Molierit, si dhe dy pjesë origjinale me karakter didaktik: “Gjuha e Mësimit” (1907) dhe “Nevoja e mësimit” (1907). Kurse Faik Konica, në esenë e tij të gjatë “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore shkruan:”At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”[9] edhe pse në Europë e përtej, në fakt ai qe i njohur prej “Lahutës…” kryesisht dhe prej veprimit të tij , sidomos diplomatik…

Fishtën nuk e duan satirik, kur thonë se “Gomari i Babatasit” (1923) e kishte shkruar me mllef. Atë, poemën e gjatë(3880 vargje, siç shënon autori)me satirë shpartalluese për burokracinë e kalbur të shtetit të sapolindur shqiptar. E shijueshme dhe milituese (militans) edhe sot, gati njëqind vjet më mbas.Që ende “tremb” e trand fort, sa atëherë kur u shkrua. Me forcën fshikulluese të verbit të zgjedhur po dhe me aftësinë kreative, të fuqishme, po edhe elegante polemizuese.

Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku.[10]

Edhe tani, para dy vjetësh, kur u vu në skenë “Gomari i Babatasit”, në Shkodër salla e teatrit qe plot për disa netë, po nga zyrat u patën shigjetuar me turivarje…

Fishtën e duan me patjetër profashist, proitalian e gati antishqiptar. Atë, hartuesin e fjalimit brilant në organizatën e kombeve:”Shqiptarët e të drejtat e tyne”, kryetarin e komisionit të alfabetit në kongresin e Manastirit, ku u konsakrua(shenjtërua) alfabeti i gjuhës shqipe.Të vetmin ndër shqiptarët e shquar që e shërbei çeshtjen kombëtare shqiptare, me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshme, këtu, në Shqipëri. E jo mërguar. “Me aq zavalle[halle, telashe] krejet/sa me t’u ba me dalun fejet, siç ai vetë thotë e shkruan.

Nasho Jorgaqi, njëri prej tyre, shkruan[11]Për fat të keq, kleri katolik shqiptar, që trashëgoi një traditë të shkëlqyer në historinë tonë kombëtare, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik, në një mënyrë a në një tjetër, i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore, duke i cilësuar legjionet e saj “pëllumba të Krishtit”, e mbështeti “rendin e ri fashist” dhe u vu në rolin e bashkëpunëtorit të tij… Dhe në qendër të arsyetimeve, për të përmbushur idenë e paracaktuar, vihet Fishta: “Fishta, dashur pa dashur, flirtoi dhe u kthye ose u përdor si ithtar i pushtuesve”. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, i rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri. Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës,[Ministër i fashizmit] pas vdekjes së Fishtës shkruan: Në të [Fishten] kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve[12].

E kush do të ishte më i interesuar se ai t’ia njihte Fishtës “meriten” e të qenit fashist ?

Kurse gazeta e parë e Italisë “Corriere della sera”[13], me 31 dhjetor 1940, lajmin e vdekjes së Fishtës, poetit kombëtar shqiptar (Il poeta nazionale albanese) e përcjell me një artikull të gjatë, ku ndër të tjera shkruan:…Mbasi u ba nji ndër eksponentët kryesorë të Shqipnisë së ringjallun, ai mori pjesë në Konferencën e Paqës në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zevendës-kryetar i parlamentit. Në shenj mirënjohje, si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe për vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Akademinë Mbretnore të Italisë…Dhe aspak e askund edhe këtu nuk përbashkohen Fishta me … fashist.

Ndërsa, italiani Enrico Grassi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se, prej disa të rinjve shkodranë kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes.[14]

Ndërkohë, Lasgush Poradeci[15] ka shkruar se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij, thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por, fundi i fundit, dhe kombi ka të drejtë mbi mua”, duke e përqasur kështu me Amanetin e Dante Aligherit: “del resto, anche la nazione ha dei diritti su di me”.

I mosmirëkuptuar edhe prej eprorëve të vet

Dashunia për Atdhenë këtu në Shqipni, po ishte nji faj, nji mëkat, nji delikt [krim]…dhe kjo kufomë e shkretë na dëshmon ne si ndëshkohet faji i atdhedashunisë”- janë dy rreshta të shkëputur nga fjalimi që vetë Fishta mban në varrimin e Avni Rrustemit. [16] Një fjalim , i cili edhe për rrethanat  e momentin kur u mbajt, pati jehonë të madhe. Me pranim e pëlqim po edhe me kundërshtí të forta. Madje pati qortime serioze prej “të vetëve”. Vetë Ministri i Përgjithshëm i Urdhërit Françeskan në Romë, Padre Benardino Klumper OFM, në letrën dërguar Provinçialit tëFretëve në Shkodër, At Pal Dodaj, me 2 qershor 1924[17], shkruan: “…Rregulltarët tanë [françeskanë] merren me politikë e kanë mbërrijt deri aty sa të mburrin të riun që ka vra Esat Pashën në Paris, qoftë në revistën “Hylli i Dritës”, si dhe duke e lavdërue në publik, mes popullit…Nëqoftëse nuk do ta ndreqin shpejt, Kongrecacioni i shejtë i Propagandës do të marrë masa të randa, si me ndalimin e botimit të revistës, si dhe ndëshkimin shembullor të rregulltarëve…” Dhe fjala është për Gjergj Fishten, kuptohet. Qortimi mbështetet në qëndrimin kategorik që Kisha  dhe feja ka mbi vrasjen. Arsyeshëm deri këtu.Mjafton të kujtojmë Urdhnin e 5-të (Mos vrit) të dhjetë Urdhnimeve (Dekalogut). Në përputhje me të është e ndaluar vrasja, madje edhe vetvrasja, pse jeta nuk është e jona , është e Zotit.

Mirëpo Fishta, me parimsinë që e karakterizon i përgjigjet Kongregatës së Propagandës Fide, pra eprorëve të vet me një letër-përgjigje, me dhjetë pika. Në thelb ai mbron gjithë veprën e françeskanëve shqiptarë në dobi të atdheut e të kombit  dhe thekson se ajo , asnjëherë nuk ka qenë përkundër parimeve të fesë e të Kishës. Edhe, për vrasjen në fjalë ai është konseguent në argumentin e vet. Sipas studiuesit Kolec Çefa: Ajo vrasje, sido e paligjëshme nga morali i fesë, ka vrarë faje të tjera në kokë të Esatit [që kishte tradhëtuar interesat e kombit] dhe ka qenë e dobishme për të mirë të popullit tonë. Shkurt, ajo vrasje, mendon poeti, do të sjellë punë të dobishme për të gjithë popullin e atdheun tonë.”

Keqkuptimet, si interpretim jashtë kontekstit:

Ka pasë një keqkuptimin shpartallues në dëm të autorit dhe të veprës, që ka vijuar gjatë me dekada, shkëputja nga konteksti logjik dhe satirik i poezisë Methamorfphosis, (1907) i  strofës:

Ta dijë Shqypnija

Pra, e sheklli mbarë,

Se mâ mbas sodit

Unë s’jam Shqyptar…

E shkëputur kështu dhe e injektuar, tek “njeriu i ri” i kohës së rregjimit, si element propagandistik, që shkonte i sinkronizuar me gjithë urdinë propagandistike në rroposjen e Fishtës, ajo shkëputje ka shërbyer si “argumenti” i “tradhëtisë së madhe” të Fishtës përgjatë gjithë kohëterrit gjysëshekullor që e shoqëroi autorin dhe veprën në diktaturë. Se, mjafton të bashkëlidhim fillin e poemthit satirik nga strofa e parë:

Qe besa, or burra

Nuk di kah t’çajë,

Mbasi do t’thirret

Sot derri dajë…

Me anmiq t’Shqipnisë

Unë, pa u frigue,

mjaft jam, i mjeri,

kacagjelue.

Pse kam pasë thanë

deri sivjet:

Lum ai qi shkrihet

Per Atme t’vet.

Edhe kam pritë,

Mbas k’tij mendimi,

Trimnisht për atme

Çfarëdo ndëshkimi….[18]

Rrëzohet kështu ajo “kështjella e ndërtuar mbi rërë”, që banalisht realizohet me shkëputjen kontekstuale, logjike e satirike  mbi të cilën është ndërtuar poemthi.

Në përmbyllje, një tjetër theks për t’u shënuar: keqkuptimi dhe moskuptimi ende vazhdon. Në të tjera forma e mënyra më të stërholluara. Kryesisht me harresë e shpërfillje. Prej kritikës, prej shkrimtarëve, prej shkollave, prej mediumeve…e prej zyrave po se po.


[1] Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Gjergj Fishta-vite, vende, vepra”, fq.332

[2] Gjergj Fishta, botim përkujtimuer nën drejtimin e revistës Shkëndia, Tiranë, 1941. fq.36.(Eqrem Çabej, “Epika e Gjergj Fishtës”).

[3]  Kolë Ashta, “Fjalor i plotë i nxjerrun nga shkrimet e Mjedës”, dorëshkrim.

[4] Tomorri i vogël: vjeti i II i datës 1 kallnor 1943

[5] Gjergj Fishta:Shkëndija, numër përkujtimuer, (L.Poradeci artikulli:”Gjergj Fishta lirik)1941, fq.24

[6] Pohim i dëgjuar  prej meje nga At Shtjefen Pistulli(1922-2008), ish nxënës në Liceun Illyricum, 1930-1938

[7] Lec Shllaku, Maskat shkodrane-Kur lindej teatri, fq.60

[8]  Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Teatri i Gjergj Fishtës”, fq.132

[9] Faik Konica:”Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore”, Tiranë 2006, fq.83

[10] Stefan Çapaliku: nga “Fishta satirik”, Pasthënia e “Gjergj Fishta-vepra 8, Satira” , fq.211

[11] “A flirtoi Gjergj Fishta me pushtuesit fashistë”, gazeta Dita, 2 tetor 2016

[12] “Gjergj Fishta” numër përkujtimuer, botuar nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë 1941, fq.6.

[13] “Corriere della sera”, 31 dhjetor 1940

[14] Enrico Grassi, “Giorgio Fishta, spirito di fiamma e di luce-fryma e flakës dhe e dritës ” në Gjergj Fishta,botim përkujtimuer, nën kujdesin e Shkëndisë, vepër e cituar, f.101.

[15] Lasgush Poradeci, Vepra 2, Onufri, Tiranë, 1999, f.68

[16] Gjergj Fishta, vepra 10, botime Fishta, Lezhë 2012,Fjalimi mbi varr të Avni Rrustemit, fq.250

[17] Kolec Çefa, “Nëpër gjurmët e Fishtës”, fq.11

[18]  “Methamorphosis”, Gjergj Fishta vepra 10, fq.35

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...