Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/11/02

Aktviteti i Kishës Ortodokse Serbe nëpër kohë si dhe pasojat e dhunës serbe për shqiptarët dhe për rajonin ballkanik

 

Serbia është një pacient me shumë sëmundje, të diagnostifikuara e të padiagnostifikuara dhe kërkon qasje shumëpërmasash. Andaj, diskutimi im do të prekë vetëm disa pikëpamje, sepse është e pamundshme një diskutim i shkurtër të përfshijë tërë atë që do të duhej të thuhet për Serbinë, për Kishën Ortodokse Serbe dhe rolin e saj në Ballkan dhe në tokat shqiptare gjatë të kaluarës. Megjithatë, do të përpiqem t’i theksoj disa gjera, që për këtë çast më duken, pak a shumë, më të arsyeshme lidhur me temën “A ka gjasa integrimi i serbisë së sotme në strukturat euro-atlantike”.

Edhe historia e përgjithshme, por edhe historia kishtare pravosllave serbe pohon se kleri ortodoks serb dhe institucionet e tyre kanë qenë dhe kanë mbetur aktive gjatë tërë kohës. E dalë prej popullit, e rritur me popullin ajo nuk u nda kurrë nga populli dhe ndau fatin që kishte populli serb gjatë tërë kohës prej kur erdhi në Ballkan dhe u profilizua si popull. Madje, roli i klerikëve dhe monakëve theksohet me epitete të veçanta se monakët dhe klerikët kontribuan “jo vetëm me kryq në dorë dhe me qaforet (epitrahitë) rreth qafes, por edhe me shpatë, pistoletë në brezë dhe pushkë në krahë. Shumë prej tyre shkuan në luftë jo si kryeparë popullorë, por si ushtarë të tjeshtë.”[1] Për ta ngritur në piedestal edhe më të lartë, Ferdo Shishiq konstaton: “Mezi ka popull në botë priftëria e të cilit me aq viktima të gjakosura kontribuan në alltarin e lirisë sikur ajo serbe.”[2] Sidomos ky aktivitet ka ardhur në shprehje gjatë shekullit XIX, në shekullin e kryengritjes së përgjithshme kundër Turqisë.

Janë të njohura kryengritjet e vitit 1804 në Shumadi, të vitit 1806 në Zhiçko Polje, 1806 në Lopas dhe Dragashevë, 1807 në Nikshiq e shumë të tjera.[3]

Klerikët ortodoksë serbë ishin aktivë edhe në mobilizimin e masës popullore për kryengritje kundër Turqisë. Në fillim të shekullit XIX ishte aktiv prota Atanasije. Ai më 1804 në Orashje tuboi Karagjorgjen dhe njerëz me zë nga serbët dhe i bindi të organizohen: “Vëllezër, ja, tashmë disa qind vjet kaluan prej kur lavdia jonë u varros në varrë në Kosovë. Prej atëherë thikat, shpatat dhe pushkat tona hyn në milla …. Fytyra e grave, motrave dhe vajzave tona shkelet me këmbë sikur ne të ishim robber të vërtetë. Vëllezër, toka po rënkon kurse qielli mbi ne po qanë, duke shikuar vuajtjet tona.”[4] Aktivitete të tilla kemi në vazhdimësi.

Klerikët serbë i kemi aktiv edhe në diplomaci. Prota Matija është organizatori kryesor i serbëve përtej Kollubarës në vitin 1803 kundër Turqisë. Ai shkoi në Sarajevë, pastaj në Zemun (pjesë e Austro-Hungarisë), për të siguruar përkrahje dhe armatim. Aktiv ishte popi Lluka Llazareviq, popi Sreten, prota Millutin Iliq – Guçanin etj. Proto Matija ishte në Petrograd te cari rus Aleksandër, në Greqi dhe në vende të tjera.[5]

Aktiviteti kishtar brendakristian, brenda dhe jashtë, nuk pushoi deri në ditët tona. Kështu, vlladika i Baçkës, Irinej Bulloviq, lidhur me një takim ekumenik ndërkristian, ku ishte i pranishëm patriku serb Pavle, ministri i fesë në qeverinë e Serbisë Millan Radulloviq, ministri i tregtisë dhe turizmit Bojan Dimitrijeviq, këshilltari i koordinatorit të përhershëm të OKB në Serbi dhe Mal të Zi Nikolla Herkules dhe Eksperti i Unionit Evropian për çështjet juridike dhe ekonomike Eduard Hofman etj., thotë: “Ky është tubimi i parë gjithëkristianë në këtë mënyrë, jo vetëm në Baçkë, jo vetëm në Serbi dhe Mal të Zi, por edhe në Juglindje të Evropës dhe më gjerë. …”.[6]

Serbët janë aktivë brenda dhe jashte Serbisë në çdo kohë, por gjithnjë me bekimin e Rusisë mëmë. I mbështetur në këtë fakt, S. Millosheviq i deklaroi gazetës Sovjetskaja Rosija në shkurt të vitit 1990 se “Kosova është tokë serbe, asnjëherë nuk ka qenë shqiptare e as që do të jetë ndonjëherë!” [7] Këtë e vërteton edhe kujdesi i vazhdueshëm i Rusisë, sepse që nga Kongresi gjithësllavë në Beograd në vitin 1946[8] e deri në tubimet e shumta gjithësllave, gjithëortodokse dhe gjithëserbenë vitet e nëntëdhjeta, konflikti në tokat shqiptare nga kategoria e hak/gjakmarrjes ngritet në nivel kozmik të të mires dhe të keqes.[9] Frymën shoveniste të lëvizjes serbe në Kosovë e përshkruan shumë bukur vetë S. Millosheviq, kur më 28 qershor 1989, në Mitingun e Gazimestanit, pohoi: “Është treguar se Kosova dhe përcaktimi për Kosovën e mban të bashkuar popullin serb”; “Miti i Kosovës nuk është vetëm çështje kishtare, por çështje e poipullit”; “Çka është historike e çka legjendë në Betejën e Kosovës (1389), ajo më nuk është me rendësi, sepse gjashtë shekuj pas saj edhe sot, prapë, jemi në beteja dhe para betejave.”[10]


Tubime, solidarizime dhe ‘brengosje’ gjithësllave dhe gjithëortodokse kemi edhe në fund të vitit 2004, kur Rusisë i bëri visitë kryetari i Serbisë Boris Tadiq dhe patriku serb Pavle. Atje u takuan me kreun politikë të Rusisë dhe patrikun e Moskës dhe gjithë Rusisë, Aleksij II. Temë ishte Kosova dhe mënyra e vënies së sërishme të saj nën kontroll.[11]

Pse i theksuam këto gjera të njohura (dhe shumë të tjera ende të patheksuara)? Përse nevojiten ato për temën tonë? Sepse, mendoj, vetëm kësisoji do të kuptohen burimet hyjnore dhe historike të angazhimit serb në Kosovë dhe në rajon nga kohët e lashta e deri sot.

  1.  Stanimir Spasovic, Bogoslovlje, Uloga srpskog svestenstva u Karadjordjevom ustanku, Istocnik – list pravoslavne eparhije kanadske, në: http://www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html.
  2.  Sipas: http://www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html.
  3.  Gjerësisht: http://www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html
  4.  Sipas: http://www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html.
  5.  Shih: http://www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html.
  6.  Ekumenski susret vjernika pravoslavne, katolicke, evangelistiske i reformatorske vjere, në: http://www.hrvatskarijec,co.yu/?zg=2217669&no=95.
  7.  Muhammet Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000, fq. 119.
  8.  Halid Causevic, Politicko-pravni aspekt islamskog fundamentalizma u Jugosllaviji,, në: Islamski fundamentalizam – sta je to?, Sarajevë, 1990, fq. 47.
  9.  Sipas: Fikret Karcic, muslimani balkana – Istocno pitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001, fq. 146 dhe 115-152.
  10.  NIN, 2 korrik, 1989, Beograd, sipas: M. Pirraku, op. cit., fq. 118.
  11.  Savet ministara drzavne zajednice Srbija i Crna Gora – Direkcija za informisanje, Beta - Danas, sipas: www.info.gov.yu/saveznavlada/list_detalj.php?tid=2&idteksta=12811.

Konceptet politike, religjioze dhe ushtarake ultra-ekstreme dhe serbe-ortodokse, kanë ndikuar që edhe njerëzit më përgjegjës të ortodoksizmit, të politikës dhe shkencës të futen në labirinthin vicioz, mistik, obskurantist. Vetëdija e tillë e pervertuar krijoi psikopatë, të cilët gjatë historisë, humbjet i shohin si fitore, kurse ‘zotimin’ për Kosovën e bëjnë fundament për luftëra gjenocidale. Këtë vetëdije të tyre të pervetuar, filozofi boshnjak R. Muminoviq e përshkruan si “vetëdije e pervertuar e ideologjisë serbomadhe që ka bërë aq vepra shoviniste dhe destruktive sa që nuk mund të kategorizohen në nocione të njohura të ideologjisë.”[1] Kjo vetëdije e shtyri në vitet e tridhjeta të shekullit XX Klubin Kulturor Serb t’i propozojë mbretit Aleksandër se “me kalljen e fshatrave shqiptare, me nismën e vrasjeve dhe konflikteve, me shkeljen e shenjtërive fetare etj., të krijohen kushtet për persekutimin e shqiptarëve nga Kosova dhe kështu ta kolonzojë Kosovën.” [2] Kjo vetëdije e shtyri kriminelin Radovan Karaxhiq që në janar të vitit 1992 të pohojë se strategjia serbe është të luftojnë “deri sa nuk e arrijnë synimin e Karagjorgjes – bashkimin e të gjithë serbëve dhe deri sa nuk e përfundojnë luftën.” [3] Kjo vetëdije e shtyri edhe peshkopin serb me zë, Atanasije, të pohojë se “rrethojat e shtëpive muslimane prej Bagdadit deri në Bihaq t’i quajëprimitivizëm të zakonshëm dhe diç edhe më të thellë”.[4]

Kjo vetëdije e shtyri edhe Kishën Ortodokse Serbe dhe kreun e saj, patrikun Pavle, peshkopin Artemije, etj., që gjatë dy dekadave të fundit të nxisin ekstremizmin më ekstrem, duke manipuluar me masat serbe me eshtrat e princ Llazarit, i cili burimet e veta i ka nga lëvizja çetnike, e kjo nga lëvizja hajdute, kurse kjo lëvizje nga Kronikat e përmendura më herët dhe nga Epika mesjetare serbe.[5]

  1.  Rasim Mumonovic, op. cit., fq. 258 dhe 259.
  2.  Nusret Sehic, Cetnistvo u Bosni i Hercegovini 1918-1941, fq. 166.
  3.  N. Cigar, op. cit., fq. 25.
  4.  Fikret Karcic, Muslimani Balkana …, op. cit., fq. 21-22.
  5.  Mehmedalija Bojic, Uzroci genocida u Bosni, Sarajevë, 2001, fq. 91 etj.

Trojet shqiptare dhe ballkanike, nën presionin dhe dhunën e gjenit dhe mendjes së çoroditur, një kohë të gjatë ishin shembull karakteristik të një vetëdijeje të shtrembëruar, arkaike dhe izoluese, tipike për një konzervatizëm mental, tipike për vellikoserbizmin.


Të gjitha të theksuarat dhe të patheksuarat në këtë diskutim çojnë në përfundim se integrimi i Serbisë në paktin euro-atlantik dhe në integrimet e ndryshme evropiane dhe botërore është i mundshëm vetëm si interes i fuqive botërore dhe vetëm për interes të balansit politik dhe ekonomik, por assesi si meritë e politikës serbe. Në fund të fundit, integrimi i saj duhet të bëhet, qoftë edhe me presion politik, por pa Kosovën.


Kosova duhet të ketë rrugëtimin e saj autokton drejt Evropës së bashkuar, ashtu çfarë është, me identitetin e saj fetar, nacional, kulturor, politik, ekonomik etj.


Jam i vetëdijshëm se nuk u theksuan të gjitha dhe nuk kam pretendim t’i them të gjitha, sepse është temë e gjerë dhe komplekse. Ligjëratat e ligjëruesve të nderuar dhe diskutimet e diskutuesve të nderuar ofruan orientimet e nevojshme.



Literatura:

1. Stevan Pavlovic, Istorija Balkana, Beograd, 2001.
2. Muhamet Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2001.
3. Mustafa Spahic, Zemlja bez rodnog lista, Sarajevë, 2001.
4. Rasim Muminovic, Filozofija ideologije, II, Sarajevë, 1421 h./2000.
5. www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html.
6. www.hrvatskarijec,co.yu/?zg=2217669&no=95.
7. www.istocnik.com/articles/60/bogoslovlje1.html.
8. www.hrvatskarijec,co.yu/?zg=2217669&no=95.
9. Muhammet Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000.
10. Islamski fundamentalizam – sta je to?, Sarajevë, 1990.
11. Fikret Karcic, Muslimani Balkana – Istocno pitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001.
12. NIN, 2 korrik, 1989, Beograd.
13. www.info.gov.yu/saveznavlada/list_detalj.php?tid=2&idteksta=12811.
14. Nusret Cancar – Enes Karic, Islamski fundamentalizam – sta je to?. Sarajevë, 1990.
15. www.geocities.com/byzantion2001/Pravednikistorija.html.
16. www.geocities.com/byzantion2001/Pravednikistorija.html.
17. Fikret karcic, Muslimani Balkana – Istocno pitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001.
18. Sherif Delvina, Kosova një mit serb apo një realitet historic shqiptar, Tiranë, 2000.
19. Norman Cigar, Roli iorientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj m,uslimanëve në Ballkan, Shkup, 2003.
20. Vojtech Zamarovsky, Heronjtë e miteve antike. Leksikon i mitologjisë greke dhe romake, Prishtinë, 1985.
21. Rasim Muminovic, Filozofija ideologije, II, Sarajevë, 1421 h./2000.
22. Nusret Sehic, Cetnistvo u Bosni i Hercegovini 1918-1941.
23. Mehmedalija Bojic, Uzroci genocida u Bosni, Sarajevë, 2001.

2021/11/01

Liridon Mziu: Baleti për mua është oksigjen

 

Nga Gazeta Dielli

Intervistoi E.B., Nju Jork/

Liridon Mziu ka lindur në vitin 1990 në Mitrovicë, Kosovë. Është balerin profesionist i diplomuar prej 12 vitesh. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë në 2010. Ka përfunduar Akademinë e Arteve, dega Muzikë në vitin 2017. 

Kërcimin e ka filluar që në moshën 15 vjeçare kur filloi të mësojë hapat e baletit, karrierë të cilën e ka ndjekur dhe si një profesionist i talentuar nën kujdesin e profesorëve Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Veçon vallëzimin neoklasik dhe kontemporan për stilet e tij të preferuara.

Në vitin 2010 Liridon Mziu u bë pjesë e trupës profesionale të Baletit Kombëtar të Kosovës. Njihet për shfaqet: Bukuroshja e fjetur, Carmen, Oh my god, Don Quixote, O. Taka, Andërr, La fille mal gardée, Sisters, Spartacus, etj. Në vitin 2011ka marrë pjesë në festivalin e Zyrihut në Zvicër me shfaqen “Oh my God”, e cila bëri shumë bujë për publikun zviceran. 

Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?

Liridon Mziu: Jeta e një balerini në Kosovë nuk është aspak e lehtë për faktin se kushtet në të cilat punojmë janë të mjerueshme.

Cilat janë ëndërrat e tua? 

Liridon Mziu: Ëndrrat e mia janë qe të krijoj shfaqje dhe të arrijmë një nivel më të lartë artistik. 

Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?

Liridon Mziu: Në vitin 2006 si student pastaj në vitin 2010 si profesionist. Është mjaft privilegj dhe kënaqësi të jesh pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Cilën shfaqe do veçonit? 

Liridon Mziu: Shfaqja “Ngjyrat e Vallzimit” me koreografi nga Mehmet Ballkan. Nuk kam patur ndonjë rol të veçantë, mirpo gërshetimi i muzikës me lëvizjet e Baletit është arsyeja pse me bën t’a veçoj. 

Çfarë është baleti për ju?

Liridon Mziu: Baleti është pjesë e jetës sime, me të jetoj. Është vallëzim i cili të bën t’i harrosh të gjitha problemet në botën e jashtme. Baleti për mua është Oksigjen.

Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?

Liridon Mziu: Zakonisht e kërcejmë atë çfarë koreografi e kërkon mirpo vallëzimi neoklasik dhe kontemporan janë vallëzime të cilat i kisha veçuar.

Ku jeni përgatitur si balerin?

Liridon Mziu: Në Prishtinë.

Për cilat shfaqe ruani kujtimet më të mira dhe pse?

Liridon Mziu: Gjatë përgaditjeve të shfaqjeve gjithmonë kemi kujtime të mira por e kisha veçuar shfaqjen “Bukuroshja e fjetur|” sepse ka qenë njëra ndër shfaqjet e para që kam marr pjesë si balerin.

Po për mentorin apo profesorin tuaj?

Liridon Mziu: Fatmirsisht kam pas fatin t’i kem dy profesor, profesorin Januz Beqiraj dhe Ahmet Brahimaj. Këta kanë dhënë një kontribut të madh në ngritjen dhe nivelin tim e sidomos prof. Ahmet i cili jo vetëm për mua por për të gjithë balerinët ka dhënë shumë. 

Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?

Liridon Mziu: Do ta veçoja pjesmarrjen në festivalin e Zyrihut në Zvicër, ku kemi pas një pritje të jashtëzakonshme si nga organizatorët ashtu edhe nga publiku. 

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Liridon Mziu: Krenohemi me atë qe jemi pjesë e një trupe profesionale dhe me ndikimin që kemi tek publiku i cili deri më tani nuk na ka braktisur as edhe një herë.

Me cilën shfaqe po angazhoheni tani? 

Liridon Mziu: Tani jemi duke punuar në shfaqjen “Entres des Aguas” dhe “Troy Game”, një shfaqje e punuar nga koreografi i mirënjohur amerikan Robert North.

Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?

Liridon Mziu: Perveq baletit me pëlqen të luaj kitar ose piano dhe ecja në natyrë. 

DASHURI NE SHTEGTIM

Intervistë me shkrimtarin dhe poetin e njohur Muzafer Ramiqi/

Nga E.B., Nju Jork /

Shkrimtari dhe poeti Muzafer Ramiqi, ka lindur në vitin 1967, në fshatin Pozharan, Kosovë. Rrjedh nga një familje atdhedashëse, fisnike, bujare dhe sakrifikuese. Shkollimin fillor e ka përfunduar në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm në vendëlindje dhe në Viti.

Ka përfunduar studimet bachelor në drejtimin Menaxhimi i Burimeve Njerëzore në Kolegjin “Pjetër Budi” si dhe studimet në master në drejtimin Menaxhment i Përgjithshëm në Kolegjin “Universum” në Prishtinë.

Me shkrime merret që nga fëmijëria dhe deri tash ka botuar katër përmbledhje me poezi.

Në kohën e rinisë ka botuar në shtypin periodik të kohës në revistat “Zëri”,” Bota e Re”, revista e Fakultetit te Mjekësisë “Refleksi”. Ka marrë pjesë në orë të numërta poetike. Si student ka qenë udhëheqës i grupit letrar dhe recitator të fshatit.

Përveç se në gjuhën shqipe, Muzaferi ka shkruar ose përkthyer vepra edhe në gjuhën angleze, frënge, rumune dhe kineze. Është prezentuar me një cikël poezish në gjuhën shqipe dhe rumune në antologjinë “Apele iubirri” (Ujërat e dashurisë), në vitin 2012 në Bukuresht të Rumanisë. Poashtu në revistën Pelegrin, ka botuar një cikël poezish si dhe së fundmi edhe në revistën Poetry Hall, revistë bilingual Angleze dhe Kineze, volumi 3, 15 Prill 2020 i janë botuar dy poezi në gjuhën angleze dhe kineze.

Librat e botuara: 

1. “Anemia e kujtimeve”, poezi, 1997, Shtëpia botuese Asdreni, Viti.

2. “Mendoj për ty”, poezi, 2003, Shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë.

3. “Portat e heshtjes”, poezi, 2011, Shtëpia botuese Prishtina Press, Prishtinë.

4. “Dashuri në shtegtim”, poezi, 2019, Shtëpia botuese “Meshari” Prishtinë.

Para afër dy vitesh revista Pelegrin, të cilën e nxjerr klubi letrar “Drita” ka botuar një cikël poezish. Poashtu ka qenë redaktor ose recenzent i disa librave me poezi të autorve të rinj.

Muzaferi është gjithashtu edhe tekstshkrues i këngëve.

Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?

Muzafer Ramiqi: Libri im më i ri titullohet “Dashuri në shtegtim” dhe është botuar në verën e vitit 2019.

Për çfarë bën fjalë libri? 

Muzafer Ramiqi: Si gjithë librat e mia edhe në librin e ri “Dashuri në shtegtim” dominon motivi i dashurisë, dashurisë si ndjenjë universale, e cila gjendet në çdo qenie, jo vetëm te njeriu. Flas për dashurinë ndaj njeriut, ndaj partnerit, prindërve, fëmijëve, vllezërve, motrave, miqve, te panjohurve, ndaj tokës, qiellit, ajrit, gjithësisë…me një fjalë çdo gjëje.

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

Muzafer Ramiqi: Mesazhi im është një vetëdijsim për të investuar më shumë në ndjenja, ngase njerëzimi kohëve të fundit e ka humbur fokusin. Njerzit çdo ditë e më shumë po bëhen vetjak, injorues ndaj tjerëve dhe rrethinës, fare nuk iu bëhet vonë për tjerët dhe nuk lodhen aspak në kultivimin e marrëdhënjeve me njëri-tjetrin.

Çfarë strukture ka libri?

Muzafer Ramiqi: Në libër kam përfshirë 102 poezi gjithësejt dhe është i ndarë në katër kapituj ose cikle: 1. Rrugët, 2. Ecje, 3. Qëllimi dhe 4. Dashuria.

Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit? 

Muzafer Ramiqi: Mua më frymëzojnë jetërat e njerzve, historitë e tyre, fatet e njerzve, fati i njerëzimit. Nga po shkon kjo botë, ka po shkojmë ne si shoqëri dhe mundohem që t’i thërras vetëdijes së njerzve për t’u vetëdijësuar për fatin e botës.

Sa libra keni botuar deri tani? Na tregoni më tepër për veprat e tjerat letrare tuajat.

Muzafer Ramiqi: Deri tani kam botuar gjithsej 4 (katër) libra me poezi: 1. “Anemia e kujtimeve”, 1997, Shtëpia botuese Asdreni, Shkup. 2.”MEndoj për ty”, 2003, Shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë, 3. “Portat e heshtjes”, 2011, Shtëpia botuese Prishtina Press, Prishtinë dhe 4. “Dashuri në shtegtim”, 2019, Shtëpia botuese Meshari, Prishtinë.

Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?

Muzafer Ramiqi: Të flasësh për librat, është si të flasësh për fëmijët e tu. Është vështirë të dallosh se cilin do e doje më shumë, përkundër dallimeve që mund të kenë mes vete. Por, për nga realizimi teknik dhe artistik, do e veçoja librin “Portat e heshtjes”, që për mua është një realizim 

gati i përsosur dhe do dëshiroja të përkthehet dhe në gjuhët e huaja, sidomos në angleze për vlerat që ka, vlera që i reziston kohës.

Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?

Muzafer Ramiqi: Në kohën e rinisë kam lexuar shumë libra dhe besoj se ajo ka qenë koha e formësimit tim si krijues i ardhshëm. Nga poetët më eminent dhe që ka lënë mbresë të thellë në mua është poeti rus Sergej Jesenin, arsyeja pse mund të them se ishte një qasje krejt ndryshe ndaj poezisë dhe shtjellimit të temave.

Çfarë pasione dhe qëllime të tjera keni në jetë? 

Muzafer Ramiqi: Për mua pasion është poezia. Por kam mjaft tërheqje edhe ndaj arteve tjera, nga filmat sidomos. Herë pas here edhe gatimi, sidomos në kohën e pandemisë kam zhvilluar mjaft shkathtësi për gatim. Por mbi të gjitha ajo që më flen në zemër është bamirësia, t’u ndihmoj njërzëve me dijen dhe kapacitetet që kam. Pa dashur njerëzimin, s’mund t’i ndihmosh, prandaj rrjedhimisht del se edhe dashuria ndaj njerzve është një lloj pasioni.

Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja? 

Muzafer Ramiqi: Siç e kam përmendur edhe më lart, më interesojnë fatet e njerzve, raportet ndërnjerëzore, ngjarjet. Mbi të gjitha dashuria si ndjenjë më fisnike dhe më e lartë. Synimi im është që të trajtoj tema sociale, diversitetin kulturor, dallimet në pikëpamjet e njerëzve, luftimi i paragjykimeve dhe emancipimi kulturor, një urë lidhëse mes të kaluarës dhe së ardhmes.

Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?

Muzafer Ramiqi: Sot, teknologjia i ka mundësuar secilit që dëshiron të shkruaj çfarë dëshiron, shprehja e lirë është në nivelin më të lartë; kjo ka mundësuar që ti shmangemi cenzurave të ndryshme, qoftë atyre me karakter politik, fetar etj. Por prapë mendoj se duhet një lloj auto-cenzure, ku secili që shkruan të reflektoj pse jo dhe të konsultohet me ndonjë krijues professional para postimit. Në anën tjetër, çështja e botimeve ka dalë prej kontrolli ngase shtëpitë botuese janë shëndërruar në biznese, ndaj për të botuar sa më shumë libra nuk vendosin asnjë kriter, shëtpitë botuese as nuk bëjnë më as redaktimin as lektorimin, krejt çfarë bëjnë është vetëm se marrin numrin ISBN dhe këtë e bëjnë në marrëveshje me shtypëshkronjat për të marrë ndonjë pjesë të fitimit.

Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve? 

Muzafer Ramiqi: Unë kam filluar të shkruaj poezi që nga fëmijëria, diku përafërsisht nga mosha 12 vjeçare, në atë kohë krijimet e mia të para ishin të thjeshta kushtuar nënës, mësuesit, zogjve, natyrës…me rritjen time edhe natyra e krijimeve vinte e pjekej, në vitet 80ta, ka sundu një stil I poezisë hermetike, dhe kam qenë mjaft I ndikuar nga gjendja e rëndë politike dhe nga mitologjia greke, të cilën si i ri e kam dasht shumë. Gjatë kohës studentore poezia ime ka marrë stilin e tanishëm dhe jam munduar ta trasoj këtë stil të poezive meditative refleksive, me pak fjalë më thënë shumë. Poezinë time e kisha krahasu më parfumin, siç duhen shumë e shumë lule për të prodhuar disa pika parfum, ashtu është edhe poezia..

Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?

Muzafer Ramiqi: Përkushtimi ndaj poezisë, dashuria ndaj lexuesve, krijimi i një rrethi krijuesish të cilët të përkrahin dhe vullnet i forte për të përballuar sfidat sepse të qenit shkrimtar do edhe sakrificë, për këtë duhet edhe përkrahja e familjarve.

Ku mund të blihen librat e tu? 

Muzafer Ramiqi: Nëse e keni fjalën për librat e mi, unë nuk kam shitur libra: ato i dhuroj; poezia ime nuk ka çmim, unë krijoj për lexuesit. Sidoqoftë, dëshira ime është që librat e mi të jenë të qasshëm edhe në versionet elekronike, që të mund t’u ofroj sa më afër lexuesve kudo qofshin ata.

Na flisni më shumë që qytetin nga vini, ku jetoni tani, jetën dhe disa nga veprimtaritë e tuaja. 

Muzafer Ramiqi: Unë jam lindur e rritur në fshat, fshati im quhet Pozharan, fshati im gjeografikisht i takon regjionit të Anamoravës, nën administrimin e komunës së Vitisë dhe është ndër fshatërat më të mëdhenjë në Kosovë dhe shquhet me nivelin e lartë të shkollimit të njerzve. Tash jetoj në Prishtinë, qyteti që ka shpirt dhe zemër. 

Rrugëtimi i suksesit i Jeton Kadriut cDJ Dark Child”

Nga Ermira Babamusta, Nju Jork/

DJ i mirënjohur shqiptar Jeton Kadriu në profesionin e tij njihet me emrin “DJ Dark Child”. Ai ka patur shumë sukses si në bashkëpunime me artistë shqiptarë dhe botërorë me renome, por edhe në këngët e punuara së fundmi në të gjitha platformat muzikore. 

Lindur në vitin 1991 në Gostivar, Maqedonia Veriore, me prindër Naser (baterist) dhe Nevrije, Jetoni u shpërngul në Zvicër në vitin 2016, ku jeton edhe sot. Shkollimin e lartë e ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dega “Gjuha Angleze dhe Letërsi” (2016).

Jeton Kadriu, që në moshën 10-vjeçare është marrë me sportin e futobllit deri në moshën 19-vjeçare. Ka luajtur në të gjitha grupmoshat e KF Gostivarit, por pas lëndimit në kurriz e kishte të pamundur të vazhdonte karrierën në këtë fushë si profesionist. 

Karrierën si DJ Jeton Kadriu (DJ Dark Child) e nisi në fund të vitit 2008. Sot DJ Dark Child është një nga DJ-t më të kërkuar, qoftë në festivale, koncerte apo turne. Ka luajtur krah artistëve botëror si Tyga, The Game, Lloyd Banks, G4SHI, Migos, Wiz Khalifa, Lil Jon, etj. Nga bashkëpunimet me artistët shqiptar, Jeton Kadriu njihet për bashkëpunimin me këngëtarin e mirënjohur, Butrint Imeri, me të cilin ka realizuar turne në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe Europë. 

Si DJ resident në klubin më të famshëm në Europë, “Rinora4”, Jeton Kadriu ka pushtuar skenat e muzikës dhe zemrën e mijëra adhuruesve. Fama e tij ka bërë jehonë në klubet e muzikës në Gjermani, Austri, Turqi, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Itali, etj. 

Intervista me Jeton Kadriun: Të jesh DJ është art në vete

Babai juaj Z. Naser Kadriu ka qenë baterist, që e keni luajtur dhe ju si fëmijë. Çfarë kujtimesh të bukura ke nga fëmijëria me babin, dhe muzikën?

Jeton Kadriu: Babai im Naseri është një ndër bateristët më të vjetër të qytetit tonë, ndoshta me një karrierë diku 30 vite. Ka diçka interesante që sot e kësaj dite them si nuk ka përtuar sa herë që unë kam dashur të luaj në bateri gjithmonë i ka pru nga vendi i punës, i ka montuar dhe çmontuar për mua. Gjë që kërkon shumë punë dhe sjell lodhje fizike. Nuk e di për vete a do e kisha bërë këtë për fëmijën tim. Kam luajtur bateri ndoshta që prej moshës 7 vjeçare. Sepse atëherë kam pasur edhe fuqinë t’i çoj vetë dhe t’i montoj vetë (qesh). 

Çfarë mund të na thuash për qytetin e lindjes, Gostivarin? Kur ishte vizita juaj e fundit në vendlindje?

Jeton Kadriu: Qyteti i Gostivarit është një qytet i vogël, i bukur, jo se ka shumë gjëra për të bërë po çka do që të bësh do të ishte kënaqësi. Ndonjëherë kur rri mendoj ose shoh foto të vjetra më kujtohet dhe ndonjëherë më mungon, sidomos familja që jetojnë atje pastaj dhe shoqërija e fëmijërisë që disa kanë ngelur atje dhe nuk kanë emigruar jashtë si unë. Hera e fundit kur vizitova Gostivarin ishte në verën e 2020-ës. Po nuk ishte ai lezeti siç jam mësuar me atë vend, shkaktar ishte pandemija dhe shkaku i kufizimeve që i kemi patur.

Përshtypjet e para kur lëvizët në Zvicër. Çfarë mund të na tregosh për kulturën dhe ambjetimin tuaj me jetën atje?

Jeton Kadriu: Para se të shkoja të jetoja në Zvicër, kam qenë dy herë më parë si turist, dhe më ka pëlqyer jashtë mase siç e kam gjetur veten në atë vend. E adhuroj sepse ka rend jete, çdo gjë është në rregull dhe në vendin e vet pa marrë parasysh se për çka bëhet fjalë. Unë lëviza në Zvicër në vitin 2016-të, ishte fundi i verës në gusht. 

Besoj secili që e len një vend për të shkuar diku tjetër fillon nga zero dhe është shumë e vështirë fillimisht ambjentimi. Mirëpo unë kam pasur shumë shokë që i kam njohur dhe nuk jam ndjerë shumë i vetmuar. Me kalimin e kohës ata miq u bënë familje për mua, meqë familja ime është në Gostivar. Bëhet fjalë për Ilberin, Kujtimin, Jonnyn, etj, etj, që më kanë ftuar edhe në shtëpitë e veta shumë herë për drekë, për darkë, për grill. 

Tashme jetoj në Zyrih (Zürich), qytet i cili gjithmonë është “i gjallë” dhe asnjëherë “i vdekur”. Them kështu pasi që nuk të bëhet bajat asgjë sepse ka shumë gjëra për të parë dhe për të bërë. Jam me fat që kam një rreth shumë të mirë, dhe jam ambijentuar shumë shpejt. Jam pranuar ashtu siç do doja unë, të më pranojnë ky që jam. Vlen të theksohet që rrethi shoqëror të bën edhe njeri më të mirë, më të integruar e ashtu e kam edhe unë falë Zotit. Ju jam mirënjohës Lilit, DJ Kont, Habibit, Shabit, Metit, etj, etj, që janë si një familje për mua. 

Tjetër çka më pëlqen në Zyrih është se aspak nuk mungon profesioni im – muzika. Ka shumë hapësira për të punuar, për t’u promovuar, per tu rritur gradualisht si artist. Flas sepse vetë m’u ka dhënë mundësia nëpër shumë vende të performoj në Zyrih dhe jashtë tij.

Si e kujtoni fillimin e punës tuaj si Dj?

Jeton Kadriu: Kam filluar të mësoj njëherë se si shkon kjo gjë, diku nga viti 2008-të pa ndihmën e asnjërit sepse nuk më ka ndihmuar asnjë DJ në fillim. Të gjithë më kanë anashkaluar, më kanë lënë “out of the game” (jashtë loje). Pastaj dikur m’u ka dhënë hapësira të luaj në real klub, ka qenë në vitin 2010-të në Intermezzo Club në qytetin tim. Pastaj pas disa vite kam pasur suport nga DJ lokal, që sot e kësaj dite i falemenderoj, përkatësisht Fecky Farris dhe DJ Dark Beat (ky i fundit më ka vënë edhe emrin Dark Child). Prej 2010-tës jam aktiv deri sot, d.m.th. kam filluar të merm profesionalisht, dhe i jam kushtuar maksimalisht muzikës dhe karrierës. Pastaj vitet dhe karriera tregojnë vetë se kush jam, ku jam, çka kam lënë pas.

Puna e DJ është art. Sipas jush çfarë e bën një DJ të suksesshëm?

Jeton Kadriu: Kam thënë gjithmonë që të jesh DJ është art në vete, njejtë si një piktor, skulptor, apo aktor. Ajo që tëbën të suksesshëm është të jesh ky që je në fillim, pa dalur nga vetja që t’ju dukesh interesant të tjerëve, apo tëdalësh gjoja më i miri. Ky qëndrim do ishte gabim. Pastaj përveç kësaj ka edhe shumë sende të tjera, sepse rruga e suksesit nuk kalohet sot për nesër. Mund të theksoj që vijon përkushtimi, vullneti për punë, lufta kundër atyre qëdojnë të të “shkelin” dhe më e rëndësishmja që mendoj unë është se nëse e bën atë që e don dhe e bën me pasion e shumë dashuri, patjetër që suksesi do të vijë, herët apo vonë!

Rinora 4 është klubi më i famshëm në Europë. Si ka qenë eksperienca juaj në këtë klub si DJ? 

Jeton Kadriu: Ka diçka interesante, kur kam qenë në fillimet e karrierës me shokun tim të ngushtë Lefin e kemi ndjekur Rinorën dhe gjithmonë i kam thënë, “ah sikur vetëm një herë të bëj muzikë këtu, të kem një foto, një video”. Gjithmonë më ka pëlqyer ky vend pa ditur se një ditë do të jetë residenca ime. Kush do ma kishte thënë këtë në ate kohë do i thoja ke lujt mendsh ti (qesh). Po ja sot ja dola mbanë. Për mua është privilegj të jem pjesë e familjes Rinora4 që padyshim ëndërr e çdo artisti apo DJ është të performojë aty. Dhe çdo shqiptar/e që jeton në diasporë një herë në jete ka qejf që të vijë aty, kush të thotë jo dihet që rren (qesh). 

Cilat janë disa nga vendet qe keni udhëtuar gjatë turneve të muzikës?

Jeton Kadriu: Përveç çdo qyteti në Maqedoni dhe Kosovë, gjithashtu kam performuar edhe në Shqipëri, Serbi, Turqi, Gjermani, Austri, Zvicer, dhe Itali.

Si ka qene përvoja juaj krah yjeve botëtore?


Jeton Kadriu: Përveç G4SHI edhe Wizz Khalifa-s vlen të theksohet se me çdo yll i famshëm botëror kam performuar në Lion Club, që ka qenë rezidenca ime në Luzern. Aty kam pasur nderin që ta ndaj skenën me artistët qe deri dikur vetem i kam luajtur dhe kurrë nuk e kam menduar që do luaj në të njëjtën skenë me ata. E kam kuptuar pastaj se sa “chill” njerëz janë, se sa janë me këmbë në tokë, e kam kuptuar që s’janë ashtu të paprekshëm siç e paramendojmë ne. Kanë qenë të hapur për bisedim, jo që kam folur me të gjithë, po me ata qe kam patur mundësinë të kem një bisedë normale. Ndërsa më vonë e kam kuptuar në fund të fundit muzika na bashkon, s’ka lidhje që ai është artist botëror, e kupton botën artistike të personit tjetër.

Cilin bashkëpunim do veçonit në bashkëpunimet e tua me artistët shqiptarë?

Jeton Kadriu: Unë kam kontakt dhe shoqëri të mirë gati me çdo artist shqiptar, edhe pse nuk kam punuar me të gjithë, përveç Butrint Imerit me të cilin kam kaluar shumë mirë duke qenë tour DJ i tij për 2 vite.

Planet tuaja për vitin 2021? Ku do ju gjeja vera e këtij viti? 

Jeton Kadriu: Ne fillim dua të vazhdoj këtë që jam duke bërë, DJ dhe remix-a të këngeve anglisht dhe shqip. Po më vone kam plan të lansoj projekte të mia personale, me bashkpunime gjithashtu. Vera do më gjejë me siguri në Diamonds Club në Ferizaj, që njëkohësisht është ndër klubet më të mira në Kosovë.

Baleti i Kosovës trashëgon miqësinë shqiptaro-amerikane

Niki Musolli: Baleti i Kosovës trashëgon miqësinë shqiptaro-amerikane

Me 25 dhjetor, trupa prestigjioze e Baletit Kombëtar të Kosovës (BKK) u bë pjesë e Mistletoe Cast në shfaqen e mirënjohur amerikane “The Nutshell”. Shfaqja u transmetua nga kompania teatrale e San Fanciskos “Mannakin Theater and Dance” në mbarë botën nëpërmjet një live-stream shumë të ndjekur online në datat 25-26 dhjetor si dhe me 1 dhe 3 janar, 2021.

Me ftesë nga drejtori i Mannakin Theater and Dance në San Francisco, z. Nathan Cottam, Baleti Kombëtar i Kosovës u bë pjesë e video-performancës me titull “The Nutshell!” së bashku me shumë kompani të baletit nga vende të ndryshme si New York City, Kina, Gjermania, Egjipti, Nigeria, San Francisco, etj.

Ky është një festim i një tradite 75-vjeçare e shfaqjes së baletit “Arrëthyesi” (The Nutcracker) i adaptuar në kushte të pandemisë duke performuar në ambient te hapur dhe mbajtje të maskave.

“Video performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës që u transmetua në Amerikë mori shumë komente positive nga publiku amerikan, dhe jo vetëm. Vlerësojmë ftesën nga z. Nathan Cottam, drejtori i Mannakin Theater and Dance, me të cilin trupa jonë e baletit ka patur fatin dhe nderin të bashkëpunojë dhe më përpara në Kosovë. Arti dhe baleti po na mundëson dy vendet tona Kosovë-Sh.B.A.  të zhvillojmë shkëmbime miqësore dhe artistike,” tregon Niki Musolli, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. 

“Kur isha në Prishtinë, vizitova kompaninë e baletit bashkë me ish-drejtorin Ahmet Brahimaj, i cili më tregoi studion e kompanisë. Ai më tregoi më tepër për ndërprerjen e veprimtarisë së trupës Kombëtare të Baletit të Kosovës gjatë luftës dhe ishte e qartë që përgjegjësia e egzistencës së kompanisë kishte rënë mbi supet e tij. Unë i propozova idenë për disa bashkëpunime, dhe ai u tregua i gatshëm. Që prej asaj dite e kam mbajtur kartvizitën e tij të biznesit gjithmonë me vete, duke patur në mendje mundësi bashkëpunimi siç i premtova. 

Kur fillova versionin filmik të “The Nutshell!” në vitin 2020, menjëherë mora kartvizitën e z. Ahmetit dhe i dërgova një email. Kur nuk mora përgjigje fillova të hulumtoj online dhe me shumë keqardhje mësova për humbjen e jetës së tij. Por u mirprita nga Niki Musolli, i cili menjëherë ai pranoi të vazhdojmë me projektin tonë përpara si ushtryes detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. 

Bashkëpunimi me Niki Musollin ka qenë i shkëlqyer dhe i frytshëm. Ai menjëherë e kuptoi projektin dhe është përgjigjur në mënyrë korrekte dhe të shpejtë. Unë e kuptova vlerën dhe profesionalizmin e Nikit dhe të BKK-së, kur i kërkova atij të shkruajë kontratën e pranimit të bashkëpunimit. Unë pritja që kjo punë do merrte ditë, apo ndoshta dhe mund të mos ndodhte. Më surprizoi Niki Musolli kur brenda orës, e dorëzoi letrën me vulën zyrtare dhe me stampë të BKK-së, të shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Dhe aty mendova, “OK, kam besim te ky djalë”. Filmi që Niki Musolli krijoi me ndihmën e koreografit Mehmet Balkan, është një nga më të fortët në të gjithë programin,” tha Nathan Cottam, drejtor i kompanisë “Mannakin Theater and Dance”.

Trashëgimia kulturore dhe e artit e Ahmet Brahimaj

Figura e mirënjohur dhe e respektuar z. Ahmet Brahimaj ka lënë pas një trashëgimi kulturore, nëpërmjet baletit në Kosovë, që përbën një nga pasuritë artistike të vendit. Dy gjeneratat e balerinëve të BKK-së kanë prezantuar denjësisht imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, duke shërbyer si një dëshmi artistike-kulturore. Për balerinët e shkëlqyer të BKK-së Jeta Musolli dhe Fatmir Smani, meritat i takojnë profesor Ahmet Brahimaj dhe punës së palodhur të trupës së baletit.

“Dashuria e madhe ndaj profesionit, disiplina, përgjegjësia, sakrifica, respekti janë disa nga fjalët që tregojnë më së miri për punën tonë të palodhshme si balerinë në Baletin Kombëtar të Kosovës. Jemi me fat si gjeneratë që përkundër kushteve të vështira e sfidave të ndryshme që ballafaqohemi çdo ditë, me punën e palodhshme dhe përkushtimin që kemi arrijmë suksese dhe përfaqësojmë vendin tonë me dinjitet, dhe për asnjë moment nuk ndalemi! Sigurisht meritat më të larta për të gjitha këto i ka profesori jonë tashmë i ndjerë Ahmet Brahimaj!” tha balerina e Jeta Musolli.

“Gjatë viteve të fundit, Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë pjesë në festivale të ndryshme në vende evropiane ku vleresohet baleti dhe mbizoteron arti si në Austri, Gjermani, Finlandë, Bullgari, etj. Për mua si balerin është kënaqesi e veçantë të përfaqesoj Kosovën permes artit të baletit në këto vende duke marrë parasysh se jemi një vend i vogël dhe në zhvillim. Falë punës së palodhshme të ekipit në BKK dhe bashkëpunimit me koreografë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, Kosova është përfaqësuar gjithmonë me dinjitet dhe në mënyrë profesionale.

Vlen të theksohet pjesëmarrja në Graz ku morrën pjesë personalitete të njohura si Sekretarja e Austrisë për çështjet kulturore, znj. Ulrike Lunacek. Gjithashtu me shfaqjen ‘Recomposed’ (Rikompozim) BKK-ja mori pjesë në qytetin e bukur të Parisit ku për këte arritje ka shkruar edhe gazeta prestigjioze franceze ‘Le Monde’,” theksoi balerini i talentuar Fatmir Smani.

Ndër vite, trupa kombëtare e baletit të Kosovës ka bashkëpunuar me disa koreograf me renome ndërkombëtare. Për balerinën e talentuar Teuta Krasniqi, bashkëpunimi me koreografin e njohur shqiptar Eno Peci për shfaqen “Exil” ka qenë një nga përvojat më mbresëlënëse për të.

“Shfaqja ‘Exil’ ka qenë një ndër eksperiencat më të mira për mua! Të punosh me një balerinë dhe koreograf siç është Eno Peci është nder dhe kënaqësi! Shfaqja Exil është e mbushur me plot lëvizje të bukura e të menduara, të mbushura me plot emocion. Janë lëvizje që mund t’i ndjesh sepse flasin për një të vërtetë! Ne balerinët e perjetuam çdo lëvizje, çdo histori dhe çdo tingull të kësaj shfaqje. Shpresoj që këto emocione t’i kemi përçuar edhe tek publiku sepse kanë buruar nga zemra për të shprehur një të vërtetë me gjuhën që e flasim më së miri – vallëzimi,” tha balerina e BKK-së Teuta Krasniqi.

Shfaqja “Sisters” me koreografi të Mehmet Balkan

Me 24 dhjetor 2020, te Teatri Kombëtar u dha shfaqja e fundit për vitin 2020 e “Sisters” (Motrat) me koreografi nga koreografi i shquar ndërkombëtar Mehmet Balkan. Për balerinin Muhamet Bikliqi shfaqja “Sisters” ishte një realizim që doli me sukses, por që kërkoi akoma më shumë dedikim dhe punë në kushtet e vështira të pandemisë.(Foto Kredit Hillary Goidell)

“Rikthimi me projektin e shfaqjes ‘Sisters’ pas 7 muajsh pauze të detyrueshme për shkak të pandemisë, ishte një kthesë në dashuri dhe përqafim të profesionit që aq shumë n’a kishte munguar. Procesi i punës në shfaqjen ‘Sisters’ ishte jashtëzakonisht i vështirë, per shkak se krahas përgjegjësisë tonë për shfaqjen, kishim edhe përgjegjësi për t’a ruajtur shëndetin e njeri-tjetrit, duke rrespektuar masat antikovid, që ishte shumë e vështirë per ne si balerin, në veçanti përdorimi i maskës! Por, pas një punë të jashtëzakonshme, me shumë dashuri dhe përkushtim, shfaqja u realizua me sukses në mënyren më të mirë të mundshme dhe jam shumë i lumtur për këtë,” shtoi balerini i BKK-së Muhamet Bikliqi. 

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

Ermira Babamusta, Ph.D./
Political Scientist & Author /

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka deportuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri. Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim. 

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj. 

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik. 

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi,  Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”. 

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e  shfaqes shumë  të  kërkuar “Sisters”,  me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj. Për më shumë mund të interesoheni të faqja zyrtare e baletit www.baletikosoves.com si dhe në rrjetet sociale: @nationalballetofkosovo (instagram) dhe @BaletiKombetariKosoves (facebook). 

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqe të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli: Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë. 

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj? 

 
Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të  ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës. 

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt. 

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë? 

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate. 

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës? 

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve. 

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori. 

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë.

ESAD MEKULI

 Nga Fahri XHARRA/

Kur punon ndërgjegjja dhe vetëdija e shprehë pastërtinë shpirtërore atëherë rritet edhe përgjegjësia ndaj asaj pyetjeje që është një brengë e së ardhmes  dhe përgjigje  e sinqertë : Si veprova ?
“Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët ,e fëmijëve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë  për ne- Breznitë veprat i gjykojnë .. Kështu shprehej Esad Mekuli në poezinë e tij “Gjykimi”.
Dhe një mendjendritur si Esad Mekuli medoemos  e ka dëshirë të dijë se si do të jetë e gjykuar vepra e tij jetësore.
Një popull i tërë , ai  i arsimuari , i drejtorientuari dhe falënderuesi  sot do t`i thoshte : Të lumtë  Esad Mekuli !
(Esad Mekuli është poeti i parë dhe më i njohur i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Ai lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916 dhe vdiq në Prishtinë më 1993. Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga Nokshiqi. Babi i Esad Mekulit, edhepse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar. Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. )
Esad Mekuli qante se e dinte pse : “ Qeme- turq, dreqen me bishta, qeme-raje qe t’hiqet ne vargoj te mjerimit  te perbuzur-shiftare**!” Ai e ndjente një ngazëllim , dhe e dinte që do të vjen një kohë edhe më e mirë për shqipatarin. Pavarësia as që i kishte shkuar ndër mend pas tradhëtisë serbo- jugosllave pas Luftës së dytë Botërore .
Esadi e kishte guximin e madh që të thoshte atë që e ndjente , nuk kishte rënë në grackën e mashtrimeve serbe, përkundër kohës shumë të rrezikshme për shqiptarët në Jugosllavi .
Në atë kohë (1954)  , në zjarrin e madh të mashtrimit serb dhe “indoktrinimit” të shqiptarëve se janë turq e duhet të shkojnë në token e ”tyre” del Esad Mekuli me poezinë “TURK, ELHAMDULILA” :
“Turku me shpatë ka pre- Evropa dridhet, ushton..Në Kosovë luftuem dhe ne Liri, kush s’të don?! Me shpatë, me zjarm sundoi- Me shekuj liri s’kemi pa. Tirani mbi ne gërmoi: Ja turku, elhamdulila! “
Dorën në zemër ,në konteks me kohen , viti 1954 , kjo poezi e Esad Mekulit ka qenë një mrekulli e guximit qytetar dhe intelektual “ Fenë me kombësi e njisoi, Muslim e turk- s’ka da. Deshti edhe emnin t’na harroi:- Je turk, elhamdulila!  Dhe gjuhën tonë e ndaloi,Kush turqisht s’flet fe s’ka. Ashtu, thane, Zoti urdhënoi:- Je turk, elhamdulila!
“”Po, s’jemi turq, nuk jemi!

Jo kurr’! Ta dinë të tanë:

Shqiptarë dhe t’parët i kemi.
Si guxoi ,intelektuali  Esad Mekuli  në atë kohë të hendekut të madh shqiptar të thotë:” Po, s’jemi turq, nuk jemi! Jo kurr’! Ta dinë të tanë: Shqiptarë dhe t’parët i kemi. ???
Na e kujton kjo këngë, këto vargje se sot  nuk është diçka në rregull me ne ?

Me krijimtari poetike filloi të merret qysh në shkollën e mesme. Në fillim shkroi në gjuhën serbokroate, pas luftës botoi shqip në Kosovë e Maqedoni.
Ai ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Arteve të Kosovës.
Shikoni , ja si gjëmon Esad Mekuli me vargun e tij në poezinë “A asht fajtor shqiptari?”, e shkruan më 1938, kur mësoi për Memorandumin famëkeq të Çubrilloviqit, i cili bënte thirrje për dëbimin e qindra mij shqiptarëve etnikë nga Kosova për në Turqi:

“…A asht fajtor shqiptari pse, si të tjerët, po don  të jetojnë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qëndron  Nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!”

Poezia e tij mbart brenda ngjarjet dhe trazimet që kaluan kosovarët në luftën e tyre për ekzistencë në trojet e veta.
E sot si mendojmë?  E njofim Çubriloviqin dhe memorandumin e tij ? Sikur ta dinim se për çka bëhej fjalë në atë kohë dhe ta kishim gjallë Esad Mekulin ,  sot do të ishim më të vetëdijshëm në veprimet tona.

“E kaluara e bujshme e popullit tonë është e mbushur plot me ngjarje të rëndësishme historike që na bëjnë të kuptojmë se ky popull ka një të kaluar  sa të lavdishme  e krenare,po aq edhe të mundimshme e të hidhur,sepse robëria nuk sjell gjë tjetër përveç vuajtjeve të pandërprera për një popull,sidomos një barë të rëndë mbi kurrizin e tyre e kanë mbajtur popujt e vegjël. Ata vazhdimisht kanë qenë nën thundrën e popujve numerikisht më të mëdhenj. Esad Mekuli është dëshmitarë i një gjendjeje të tillë ,prandaj ai nuk mund të hesht ,sepse një gjë e tillë e ka preokupuar tërë qenien e tij njerëzore. Kur sheh masat e gjera shqiptare se në çfarë gjendje ndodhen,ai ia thotë këngës: “Deshta,shumë kam dashtë-dëshrue Që me këngë të trimnoj ,me fjalë tande të dridhun Të ngrej fuqitë prej gjumit…”( Gostivar, 2008 prof. Basri Saliu )

Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në ate serbe dhe anasjelltas. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Dhimbje e kohës , dhimbje mortore : ”,”Shiftar mos më thuaj,mos më thirr në emër të huaj”,”I varuni i këndon lirisë” dhe “Porosia e nënës” që ua dedikon shqiptarëve që për shkaqe politike dhe padrejtësie u detyruan të mërgohen në Turqi. “ Pra , pse qante Esad  Mekuli  ? A mund ta dimë se pse?

Ku është sot lloji i shpirtbardhësisë esadmekuliane kombëtare ? Jemi ne veti ?

*Posa ta kemi lexuar” Sharraxhiun” e Esad Mekulit ,ndoshta ashtu spontanisht do të na kujtohet “Luli i vocërr” i Migjenit. Ata edhe pse kanë dallime në moshë , janë shokë shumë të afërt. Ashtu si “Luli i vocërr “i Migjenit që i ka qitur tullumbat e tij ti ngroh në diell,po ashtu edhe “Sharrëxhiu” i Esad Mekulit mik më të afërt e ka diellin. Xhepat e sharrëxhiut janë shumë të ngushta për duart e ënjtura të tij. Si Migjeni,po ashtu edhe Mekuli janë njohës të mirë të gjendjes së masave. Esad Mekuli ka diçka më tepër ,sepse atij i mohohet përkatësia kombëtare duke e ofenduar se gjoja qenkemi njerëz me bishta. Ai kur e sheh sharrëxhiun me sëpatën e rrasur në shok ,e bishti i saj ka dalë prapa,dyshon se mos vallë për këtë na quajtën njerëz me bishta?  (e huazuar) *
E kam edhe unë një vaj që sot nipat e “sharrëxhinjve “ që jemi  nuk ia dimë për falënderit Kosovës Shtet:
Pra mos të harrojmë se jemi bijtë dhe nipërit  e : “O vëlla me sharrë në krah”
Do të shoh prapë me duar të mërdhime nën sjetull
Me sharrën e stërlashtë  mbi krah  Dhe sopatën e mprehtë të rasun në shok
Në fytyrën tande lexoj: Kam fjetur në podrumin e lagshtë,unë i trembëdhjeti
Dhe kam hangër në kusinë e bakrit,të sjellun prej vendlindjes
Prej vendlindjes,fasulen e hollë të vendlindjes unë i trembëdhjeti.
-Pse unë kënaqem me pak prej këtyre duarve të mërdhime,  Atje mbas 77 bjeshkëve,7 gojë presin…
Pse nuk e kemi edhe sot një njeri të madh si Esad Mekulin ?

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...