Editorial i Floripressit :
(Kryesejmeni i
Ramës është hedhur në sulm)
Në faqen e internetit të gazetës “Dita” të datës 22 tetor 2021, lexova
materialin me titull “Letër e hapur
ambasadores Kim, Gary Kokalari: Jam gati të vij në Shqipëri të dëshmoj për
rolin e Berishës në aferat e Albpetrol, Armo, Gërdec dhe AEY”.
Gary Kokalari, me letrën që i ka
drejtuar ambasadores Kim, është bërë karagjoz në sytë e opinionit publik
shqiptar. Kjo për arsye se Kim nuk është prokurore në Republikën e Shqipërisë,
ajo është në funksionin e saj si ambasadore. Nëse Kokalari ka fakte për ushtrim
korrupsioni nga ana e Prof.dr. Sali Berishës, ato le t’ia përcjellë gjykatës
franceze, ku ai ka ngritur padi për shpifje. Le t’ia përcjellë edhe Sekretarit
të Departamentit të Shtetit Blinken, i cili ka marrë vendimin për shpalljen e
tij “non grata”, se ato do t’i hyjnë
në punë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Paris. Aq më tepër që Gary Kokalari,
Sekretarin Blinken e ka “në derë të shtëpisë” dhe s’ka nevojë të përballojë
gjithë ato shpenzime për të shkuar deri në Tiranë për të denoncuar faktet te
ambasadorja Kim.
Në faqen e
internetit të gazetës “Shqiptarja.com”
të datës 25 nëntor 2021, ishte botuar intervista e Prof.dr. Sali Berishës për “Zërin e Amerikës”.
Lidhur me këtë
intervistë, në gazetë thuhet:
“Kjo nuk ka lënë indiferent një
nga aktivistët më të njohur shqiptaro-amerikan, Gary Kokalari. Ai i ka dërguar
një letër drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez, për këtë intervistë
që është zhvilluar nga seksioni shqip… Kokalari e pyet zonjën Lopez pse Zëri i Amerikës i dha
Sali Berishës, një individi të sanksionuar nga DASH, një mundësi në përpjekjen
për të zvogëluar pasojat e shpalljes së tij (non grata) nga DASH?”.
Në vijim, gazeta ka botuat letrën
e plotë të Gary Kokalarit, dërguar drejtoreshës së Zërit të Amerikës.
Edhe me këtë letër
të dytë, Gary Kokalari i ka shtuar edhe më shumë dozat e dyshimit të opinionit
publik shqiptar për sjelljen e tij prej karagjozi. Radiostacioni Zëri i Amerikës
është një institucion me shumë autoritet në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë
botën, në shërbim të politikës amerikane brenda dhe jashtë vendit, prandaj
intervista që i ka marrë Prof.dr. Sali Berishës nuk përbën kurrfarë shkeljeje të
ligjit amerikan.
Për t’i bindur
edhe më shumë lexuesit e nderuar për sjelljen prej karagjozi të Gary Kokalarit,
po bëj një shtegtim më shumë se dhjetë vite prapa.
Pas zgjedhjeve
vendore për kryetar bashkie të Tiranës më 08 maj 2011, në të cilat Rama votohej
për mandatin e katërt, fitoren e siguroi Lulzim Basha. Rama nuk e pranoi
rezultatin e zgjedhjeve dhe reagoi ashpër. Dy muaj pas përfundimit të atyre
zgjedhjeve, unë pata botuar në internet një analizë të gjatë, me titull “Frymëmarrje paszgjedhore”, në të cilën
theksoja reagimin plot mllef të Ramës si
më poshtë:
“… U bënë kërcënime nga më paradoksalet jo vetëm nga zoti
Rama, por edhe nga anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Puna
arriti deri aty, saqë të deklarohej hapur se po nuk u rizgjodh Rama në krye të
Bashkisë së Tiranës, mbarë vendi do të futej në një gjendje kaosi të vërtetë.
Madje vetë Rama deklaroi se Shqipëria duhej “ta harronte” Bashkimin
Evropian nëse ai nuk mbetej në krye të Bashkisë!!!
Përveç këtyre kërcënimeve, Rama thirri në ndihmë edhe
intelektualë të njohur, deri edhe të shquar dhe me tituj akademikë (ishte fjala
për Kadarenë dhe për Qosen), të cilët bënë thirrje që Rama duhej ta ruante me
domosdo postin e kryetarit të bashkisë.
I pari nga këta intelektualë ishte Gary Kokalari. Një
amerikano-shqiptar ky që nuk di të flasë dhe të shkruajë në gjuhën shqipe dhe
që qytetarëve shqiptarë u drejtohet në gjuhën angleze. Ja se çfarë deklaronte
ky Kokalari në mbrojtje të Ramës:
“…Rezultati i zgjedhjeve ka qenë i manipuluar, dhe
distanca e fitores së Ramës do të kishte qenë shumë më e gjerë nëse njerëzit e
Berishës nuk do të kishin ndërhyrë në votë. Por, fitorja mbetet fitore, dhe
KQZ-ja bën mirë ta konfirmojë. Nëse nuk e bën, atëherë nuk shtrohet më pyetja
nëse do të ketë kryengritje, por kur…”. (Citohet sipas: “Kokalari,
Arvizusë: Nëse KQZ s’konfirmon rezultatin, në Shqipëri do të ketë kryengritje”. Marrë
nga faqja e internetit “Shekulli Online”. 16 maj 2011).
Tani që zoti Rama s’figuron më si kryetar bashkie, na mbetet
veç të rrimë e të presim me “ankth në zemër ditën e shpërthimit të
kryengritjes” në Shqipëri, siç na e ka parashikuar “profeti i
pagabueshëm”, zoti Kokalari”.
Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi
plotësisht se nuk shpërtheu kurrfarë kryengritjeje, sipas parashikimeve
të karagjozit Kokalari, i cili, me atë deklaratë, qe bërë fare qesharak, si
njeri pa personalitet intelektuali.
Në intervistën që ka dhënë për gazetën “Dita” të datës 06 tetor 2021, Gary Kokalari ka deklaruar se
Berisha është “një njeri që ka
bërë më shumë se kushdo tjetër për të minuar demokratizimin e Shqipërisë…”.
Interesante! Gary Kokalari është naiv, i painformuar apo me
këtë deklaratë kërkon të bëjë shaka prej karagjozi? Sepse gjatë tetë vjetëve të
qeverisë Berisha (2005-2013), atdheun nuk e braktisën mbi gjysmë milionë
shqiptarë, ata e braktisën atdheun gjatë tetë vjetëve të qeverisë Rama, çka
dëshmon fare qartë se Rama jo vetëm pati vënë dinamitin në themelet e
demokracisë shqiptare me varfërinë që mbolli në mbarë vendin, por s’iu drodh
dora të ndizte edhe fitilat.
Përsëri, në kuadrin e qëndrimeve prej karagjozi, Gary
Kokalari deklaron:
“Shqiptarët e SHBA nuk e duan Sali
Berishën” (faqja e
internetit e gazetës “Sot”. 03 dhjetor 2021).
Vetvetiu lind pyetja:
ky Gary Kokalari ka bërë vallë ndonjë anketim të krejt Diasporës
shqiptare në Shtetet e Bashkuara lidhur me antipatinë që ajo ushqyeka ndaj Berishës? Apo dashuria pëvëlimtare ndaj
Ramës e detyron të nxjerrë nga goja një absurditet të tillë? Me sa duket, Gary
Kokalarit i qenka bërë kujtesa si kulluese makaronash, prandaj edhe nuk e mbaka
mend që Berisha, para disa vjetësh, i kërkoi Ramës që, në zgjedhjet
parlamentare të radhës, të votonte edhe Diaspora, por Rama refuzoi
kategorikisht, me kërcënimin se partia socialiste nuk do të pranonte të hynte në
zgjedhje.
Po si ka mundësi që Kokalarit nuk i ka rënë absolutisht në
sy korrupsioni dhe hajdutëria e Ramës. Si shpjegohet që Kokalari ka heshtur dhe
vazhdon të heshtë për disa fakte mjaft demaskuese për Ramën, të cilat po i
rendis në vijim:
Ish-deputeti,
i ndjeri Dritan Prifti, nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar:
“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është
i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne
të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në
Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro
metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka
shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me
nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e
internetit e gazetës “Bota Sot”. 10
korrik 2010).
Me
politikën varfëruese që Rama ka ndjekur ndaj shumicës dërrmuese të popullit
shqiptar, njerëzit kanë braktisur vendin në masë gjatë tetë vjetëve të
qeverisjes së tij, çka ka sjellë si pasojë që Organizata e Kombeve të Bashkuara
të vijë në një përfundim të frikshëm:
“Popullsia shqiptare rrezikon të katandiset me 860 mijë banorë deri në
vitin 2100” (Faqja e internetit “monitor.al”. 08 maj 2018).
Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike
pranë partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi
në Twitter, i ka bërë Ramës një pyetje të thjeshtë:
“A
jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me
ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli
Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin)
Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja
e internetit “VOAL”. 20 dhjetor
2019).
Gjegji Thimo,
koleksionist i njohur ikonash, në studion e gazetarit Adi Krasta, ka deklaruar
si më poshtë:
“Numri i Ramës i burgosur në Paris AL.1961138/a (Citohet
sipas deklaratës së tij në studion e Tv “Syri”,
i ftuar nga gazetari Adi Krasta. 30 qershor 2020).
Ish-Kryetari
i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, shkruan:
“… jemi në vendin e parë në
Evropë për rrezikun e pastrimit të parave, në saje të “kontributit” madhor të
sektit Rama në qeverisje” (Faqja e internetit e gazetës “Sot”.
02 dhjetor 2021).
Kokalari i ka arsyet e veta për urrejtjen që ushqen ndaj
Berishës dhe për dashurinë përvëlimtare që ushqen ndaj Ramës. Qëndrimi i
Kokalarit prej karagjozi shembullor, e bën opinionin publik të dyshojnë se
dikur atë duhet “ta ketë vrarë samari” me Berishën, kurse për Ramën përvëlohet
nga dashuria, se Rama është parelli i
madh,
prandaj edhe, si i munduar rëndë nga kompleksi i inferioritetit, s’e pati për
gjë fare të shpenzonte 80 mijë dollarë vetëm për një fotografi me Presidentin
Obama, për t’ua tundur shqiptarëve para hundës në mjetet e informimit masiv
gjatë fushatës zgjedhore të radhës.
Është për të qeshur dhe për të qarë: Rama, i tmerruar nga
foltorja e Berishës, dëshmon se është frikacak i madh dhe sa herë që i rrezikohet pushteti, ai
vë në lëvizje sejmenët e vet për t’i dalë në mbrojtje. Sepse Rama, si frikacak
i thekur që është, nuk e përfytyron dot veten
jashtë pushtetit.
Stanislav Ezhi Lec (Stanisłaë Jerzy Lec -
1909-1966), poet, filozof, shkrimtar satirik polak, autor aforizmash, ka
bërë një përcaktim të shkëlqyer për njerëzit e pushtuar nga epshet e pushtetit:
“Pushteti është i domosdoshëm për frikacakët.
Pa pushtet ata e ndiejnë veten të tmerruar”.
Erik From (Erich Seligmann Fromm - 1900-1980), sociolog,
filozof, psikolog social, psikoanalist gjerman, njëri nga themeluesit e
neofrojdizmit, thotë:
“Në aspektin psikologjik, etja për pushtet i ka
rrënjët jo te forca, por te dobësia. Në etjen për pushtet zbulohet paaftësia e
individit për t’i dalë jetës përballë në vetmi dhe për të jetuar me forcat e
veta”.
Në zgjedhjet vendore
të 08 majit 2011, për të marrë mandatin
e katërt për kryetar bashkie në Tiranë, siç u theksua më lart, Rama vuri
në lëvizje tre sejmenë: Gary Kokalarin, Ismail Kadarenë dhe Rexhep Qosen. Këta
dy të fundit s’po bëhen të gjallë për t’i dalë në mbrojtje. Prandaj Gary
Kokalari tani ka marrë përsipër rolin e
kryesejmenit të Ramës. Por zelli i tij prej kryesejmeni, ka bërë që ai, si i
radhitur në krahun e Ramës, të vlerësohet nga opinioni publik edhe si i radhitur
përkrah Vuçiçit. Sepse Gary Kokalari s’duhet ta harrojë që Rama, si kryeargat i
Vuçiçit, ka kohë që ka bërë marrëveshje të fshehta me të kundër Republikës së
Dardanisë.
Mirë do të ishte që Kokalari të bëhet një herë serioz në
jetën e vet, sepse edhe qëndrimet e tij prej karagjozi duhet të kenë një farë
karari.
Akademik prof.dr.Eshref Ymeri
Los Anxhelos, Kaliforni
03 dhjetor 2021