2021-12-11

“Ti nuk je as për kapter”, kujtimet tronditëse: Si më morën natën në shtëpi me “Gaz”-in e Degës

 



Nga Bashkim Trenova

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al

ME “HERONJTË E POPULLIT”

BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

Përpos anëtarëve të Byrosë Politike për të cilët fola më sipër, do të doja të them disa fjalë edhe për kandidatin e Byrosë Politike, ‘Heroin e Popullit’, Petrit Dumen. Në të vërtetë me të nuk më lidhte asgjë, përjashto faktit se ai ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, ndërsa unë isha oficer rezervist, si mijëra të tjerë, që u bëmë të tillë automatikisht pasi kryem studimet e larta. Petrit Dumen, përpos si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, e  njihja edhe nga Glinka apo Gramoz Mborja, shoku im i mirë, që u dënua me disa vite burg vetëm e vetëm sepse ishte nipi i tij.

Takimi im i parë me Petrit Dumen, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!




















Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse duhej të vinte aty për t’i kthyer kurrizin sallës dhe njerëzve. Nëse nuk kishte nevojë për ta, për një tavolinë klubi, për një gotë përpara tij, apo për shërbimin e një kamerieri, përse nuk qëndronte në shtëpi ose në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes? Ndoshta si të gjithë përfaqësuesit e piramidës së pushtetit, edhe ai kërkonte të shihej nga ata që urdhëroheshin e komandoheshin prej tij, të ishte i pranishëm në mendimin e të tjerëve, në diskutimet e tyre, pse jo edhe të adhurohej në distancë prej tyre. Kjo gjë mundet që i jepte kënaqësinë, që nuk i’a siguronte dot as shtëpia dhe as zyra e tij në Ministrinë e Mbrojtjes! Për herë të parë jam ndodhur përballë Petrit Dumes në shtatorin e vitit 1968. Në ditët e para të shtatorit të këtij viti, u mbajt Plenumi i V-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, si edhe u thërrit në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendi Popullor. Partia dhe Këshilli i Ministrave i propozuan Kuvendit Popullor që të denonconte organizatën ushtarake të ‘Traktatin e Varshavës’. Ky Traktat dominohej nga Bashkimi Sovjetik dhe në të bënin pjesë të gjithë vendet satelite komuniste të Evropës Lindore. Deri në këtë kohë edhe Shqipëria ishte formalisht anëtare e tij. Praktikisht, me prishjen e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në vitin 1961, Shqipëria kishte pushuar së qeni anëtare e këtij blloku ushtarak. Tani ajo edhe zyrtarisht deklaronte se largohej nga ‘Traktati i Varshavës’. Deputetët shqiptarë, sipas ritualit të zakonshëm, miratuan me ovacione propozimin e Partisë dhe të Këshillit të Ministrave.

Si arsye për këtë hap shërbeu agresioni që ndërmori ‘Traktati i Varshavës’, nën dominimin sovjetik, ndaj një anëtari të tij, Çekosllovakisë. Udhëheqja shqiptare e dënoi këtë agresion duke e cilësuar atë si social imperialist. Ajo edhe u tremb se mos sovjetikët ndërhynin me tanket e tyre në Shqipëri, ashtu sikurse bënë në Çekosllovaki. Një ndërhyrje e ‘Traktatit të Varshavës’ në Shqipëri, ishte e mundshme përderisa ajo ende ishte anëtare e këtij Traktati. Duke e denoncuar atë dhe duke dalë prej tij, udhëheqja komuniste shqiptare, llogariti të evitojë përsëritjen e Çekosllovakisë në Shqipëri. Kryesorja ishte që të shmangte largimin e saj nga pushteti. Kështu ndodhi në Çekosllovaki pasi ajo u pushtua nga tanket sovjetike. Drejtuesit e Partisë Komuniste të këtij vendi, u zëvendësuan me njerëz besnikë të Kremlinit.

Pas daljes së Shqipërisë nga ‘Traktati i Varshavës’ e gjithë propaganda e Partisë nisi një fushatë intensive duke trumbetuar qëndresën heroike të popullit shqiptar në shekuj. Në të gjitha institucionet dhe në çdo skaj të Shqipërisë u morën masa dhe u dhanë orientime për të jetuar, menduar dhe vepruar si në rrethim, si në një situatë lufte. Mua dhe kolegët e mi të Radio Televizionit Shqiptar, na thirrën të paraqiteshim në repartin ushtarak ku bënim zborrin, siç quhej stërvitja ushtarake prej 20-25 ditësh në vit, që bënin të gjithë shqiptarët në kohën e diktaturës. U deklarua në fakt një mobilizim i përgjithshëm, që zyrtarisht kishte për detyrë t’i bënte ballë një agresioni të pritshëm të Traktatit të Varshavës, të mbronte Atdheun nga social imperializmi sovjetik.

Unë nuk iu përgjigja kësaj thirrjeje. Veprova kështu, jo sepse e kisha kuptuar kotësinë e gjithë këtij spektakli grotesk me nota atdhetare e komike. Nga Drejtoria e Radio Tiranës mua, si edhe kolegëve të mi, na u tha të vazhdonim normalisht punën sepse edhe në kohë lufte, propaganda do të vazhdojë. Nga ana e saj i ishte paraqitur Komitetit Qendror të Partisë edhe një listë emërore e punonjësve të Radio Televizionit, që nuk do të paraqiteshin në repartet përkatëse ushtarake. Në rast të kundërt, do të rrezikoheshin emisionet radio-televizive. Siç do të kuptoj më vonë,  mua ndoshta nuk më kishin përfshirë në të. Mundet edhe të isha përfshirë, por lista, ndoshta, nuk është miratuar e plotë në Komitetin Qendror të Partisë. Mendoj kështu sepse pata disa andralla.

Si më morën natën në shtëpi me “Gaz”-in e Degës Ushtarake dhe më vunë në arrest!

Një mbrëmje pas mesnate, pasi kishte marrë fund mobilizimi i përgjithshëm dhe njerëzit ishin kthyer në jetën e tyre normale, në shtëpinë time trokitën disa ushtarë. Ata më thanë se kanë urdhër që të shkoj me ta në Degën Ushtarake të kryeqytetit, si të thuash në “ministrinë” e Mbrojtjes së qytetit të Tiranës. Pa u zgjatur më tej ata më thanë të hipja në “Gaz”, njëlloj automjeti ushtarak, me të cilin ata kishin ardhur tek unë. Veprova ashtu sikurse më urdhëroi trupa e ushtarëve dhe pas disa minutash u gjenda në sallën kryesore të kësaj qendre ushtarake ku ishin grumbulluar 200 apo 300 vetë. Më bëri përshtypje se ne nuk lejoheshim të dilnim jashtë në oborr. Dera e sallës ku gjendeshim ruhej nga ushtarë të armatosur dhe me bajonetë në gjendje luftimi. Në një farë mënyre ne ishim në gjendje arresti. Siç do të mësonim më pas, kjo masë përligjej me mos paraqitjen tonë ndaj thirrjes që na ishte bërë kur Atdheu ndodhej në rrezik!

Dukej sikur ne të gjithëve, pra rreth 200 apo 300 vetëve, na priste Gjyqi Ushtarak. Po të zhvillohej, ky do të ishte ndoshta Gjyqi më i madh Ushtarak në histori. Në të vërtetë disa lëvizje edhe u bënë në këtë drejtim. Në orët e para të mëngjesit, i’a behën në zyrat e Degës Ushtarake disa njerëz me uniformë, që filluan të na marrin në pyetje të gjithëve njërin pas tjetrit. Ne duhet të shpjegonim përse nuk i ishim përgjigjur thirrjes ushtarake që na ishte bërë pas daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës. Pasi kishim dhënë shpjegimin përpara disa ushtarakëve në një zyrë, ne duhet të kalonim në një zyrë tjetër fqinjë e t’i përgjigjeshim të njëjtave pyetje një grupi tjetër ushtarakësh. Atëherë nuk i kam dhënë rëndësi të gjithë këtij inskenimi, që e shihja madje me një lloj humori. Sigurisht nga ana tjetër, inskenuesit,  prokurorët ushtarakë, ishin seriozë. Pyetjet bëheshin prej tyre krejt formalisht. Ata as i dëgjonin madje përgjigjet tona. Vendimi, siç duket, ishte marrë. Ne duhet të kalonim në Gjykatën Ushtarake, ku do të na komunikohej dënimi i “merituar”.   Një shokut tim, Albert Shalës, prokurori i kishte thënë hapur: “Po nuk të futa ty në burg, do të jetë Petrit Dume që do të më fusë mua aty në vendin tënd”.

Pas disa orësh, pasi mbaruan pyetje-përgjigjet, ne na rreshtuan të gjithëve si në ushtri. Në Degën Ushtarake arriti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant Petrit Dume. Ai filloi të pyesë disa nga të rreshtuarit ashtu sikurse kishin bërë para tij edhe prokurorët ushtarakë. Më kujtohet kur ndaloi para një të riu me trup të rregullt, i vendosur diku më pak se një metër larg nga unë. Më vonë mësova se ai ishte pedagog fizkulture dhe se ishte me origjinë nga Dibra, ashtu si babai im. Petrit Dume kaloi para meje, më hodhi një vështrim bosh, vazhdoi më tej dhe qëndroi para tij. “Po ti’, i tha gjenerali pedagogut të fizkulturës, ‘përse nuk u paraqite në repartin tënd ushtarak”?! Përgjigja e tij ishte e thjeshtë, njerëzore, por shokuese për gjeneralin. “Unë atë mbrëmje u martova, shoku gjeneral”, tha pedagogu i fizkulturës, që nuk ia mësova dot emrin. Duke parë reagimin e idhët të gjeneralit, ai shtoi: “Nuk mund t’i braktisja 100 vetët që i kisha ftuar në dasmën time”! Gjeneral Petriti, që nuk e priste një përgjigje të tillë të sinqertë, deri në naivitet, u tërbua. Atij më duket se i mbahej paksa goja. Kështu, me inat e me fjalë të përgjysmuara, Petrit Dume ju drejtua atij: “Si thua ti, ne t’i themi armikut prit të mbaroj dasmën unë pastaj na sulmo? Të gjithë, tha ai, do të kaloni në Gjykatën Ushtarake”! Të them të drejtën nuk u besoja fjalëve të tij edhe pse, duke njohur logjikën ushtarake, nuk kisha asnjë arsye për të mos u besuar.

Dy javë në zborin ushtarak në Vaqarr, me instrumentistin e orkestrës së Radio-Tiranës!

Pas këtyre fjalëve, Petrit Dume u largua. Ne na dërguan nëpër repartet ushtarake përkatëse. Mua më dërguan në Vaqar, një fshat në afërsi të Tiranës. Aty, së bashku me rreth 50 apo 70 të tjerë, qëndrova nja dy javë. Nga Radio Televizioni isha vetëm unë dhe Pirro Xhahini, që punonte si violonçelist në Orkestrën Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar. Fillimisht, pasi veshëm uniformën ushtarake, na urdhëruan të sajonim vetë “banesën” tonë duke prerë degë drurësh për “muret” dhe “çatinë” e saj dhe degë shkurresh për “shtratin” e shtrirë për tokë. Na ndanë nga dy vetë për “banesë”. Mua më caktuan të banoj me Piro Xhahinin, që ishte jo vetëm një instrumentalist i talentuar, por edhe një djalë i mrekullueshëm, bujar, pa fjalë shumë dhe me mendim të hapur, direkt. Ato ditë të vështira në Vaqar më bënë ta njoh më mirë atë, që mua, si edhe kolegëve të mi, nga larg më ishte dukur si tip i veçantë, si tepër i mbyllur e i tërhequr. Renée Anderson, mikja e Partisë që punonte për përgatitjen e emisionit të frëngjishtes, kur e shihte në hollet e Radios në kohën e pushimit të instrumentistëve të Orkestrës së saj Sinfonike, duke qeshur e krahasonte atë me një aktor amerikan. Renée e thoshte edhe emrin e tij, por mua nuk më kujtohet, meqë në atë kohë ne edhe nuk i njihnin aktorët amerikanë. Filmat amerikanë e përgjithësisht filmat perëndimorë, njëlloj si edhe filmat sovjetikë e ato të bllokut sovjetik, nuk shfaqeshin në atë kohë në Shqipëri për arsye ideo-politike.

Si u përhap lajmi në të gjithë Tiranën, se ne do të na vrisnin në Vaqar!

Gjatë dy javëve që qëndruam në Vaqar, bëmë gjithçka si në stërvitjet e zakonshme ushtarake gjatë vitit, pra asgjë të jashtëzakonshme, asgjë që të dëshmonte për një përgatitje të veçantë në prag të një agresioni të pritshëm. Komanda e repartit ushtarak përfitoi nga rasti për të na vënë të përgatisnim beton dhe të shtronim me të disa depo ushtarake. Në kohën e lirë, organizonim edhe ndonjë ndeshje futbolli. Ndërkohë, nuk e di se qysh dhe nga kush, ishte përhapur lajmi se neve që ishim mbledhur në Vaqar do të na vrisnin, domethënë do të dënoheshim me vdekje. Shumë familjarë të alarmuar u dyndën për të takuar të dashurit e tyre, ndoshta për herë të fundit. Nga familja ime nuk lëvizi njeri. Ndoshta lajmi nuk kishte arritur deri në shtëpinë time. Ndoshta nuk e kishin besuar atë.

Në Shqipëri, në kohën e diktaturës, shpesh nuk dije nëse duhej besuar apo nuk duhej besuar një lajm. Shpesh thuhej se pas tij qëndronte armiku, që kërkonte të ngjallte pakënaqësi dhe konfuzion. Ne e dinim gjithashtu se shpesh lajmet në formë thashë e themesh i përhapte edhe vetë diktatura nëpërmjet agjentëve të saj në Sigurimin e Shtetit. Arsyet ishin të shumta e nga më të ndryshmet. Mundet që kështu ngrihej ndonjë kurth. Mundet që testohej opinioni publik, etj., etj. Nëse, në këtë rast, është testuar ky opinion, me siguri ai nuk e ka  mbështetur dënimin nga Gjykata Ushtarake të qindra vetëve njëherësh, pavarësisht se Partisë nuk i mungonin “argumentet” super patriotike! Një dënim i tillë do të kthehej kundër vetë diktaturës, qoftë edhe në heshtje. Sidoqoftë, ne u kthyem të gjallë në familjet tona dhe nisëm punën, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Asnjëherë, nga askush nuk u përmend më  e gjithë kjo histori kaq e zhurmshme dhe kërcënuese. As me Piron nuk e kujtuam ndonjëherë atë gjatë viteve në vazhdim, kur takoheshim për të pirë një kafe në klubin e Sulltanes, banakieres së klubit të vogël në Radio Televizionin Shqiptar. Unë kisha më tepër dëshirë të mësoja diçka nga kultura e tij muzikore, ndërsa ai i sjellshëm, që të më linte rast të flisja, më pyeste për zhvillimet politike në botë. Tani, pas mëse 40 vjetësh, këto shënime më kthyen sërish në ato ditë.

Me Petrit Dumen jam takuar edhe dy apo tri herë të tjera në stërvitjet e mëdha ushtarake, që organizoheshin nga Ministria e Mbrojtjes në kuadër të programeve të saj- “Ushtri e të gjithë popullit ushtar”. Në diktaturë, ushtria shqiptare ishte ndërtuar mbi këtë koncept. Ajo nuk ishte një ushtri kazerme. Pjesë e saj ishte i gjithë populli, që konsiderohej ushtar dhe që duhej përgatitur ushtarakisht. Nuk e di nëse lart në kupolën komuniste apo në Ministrinë e Mbrojtjes, besonin me të vërtetë në “Ushtrinë e popullit ushtar”! Më tepër dua të besoj se krerët e komunizmit apo të pushtetit komunist, nuk u kanë besuar parullave të tyre, por në mungesë të argumenteve, të një logjike të fortë bindëse, i kanë përdorur ato për të imponuar diktatin e tyre, për të terrorizuar dhe gjunjëzuar popullin. Them kështu duke patur parasysh, në rastin konkret, edhe si zhvilloheshin këto stërvitje, sa formale dhe irreale ishin dhe si propagandoheshin.

Gjatë marshimit në zobrin ushtarak, Petrit Dumja më tha: Ti nuk je pas për kapter!

Mua më kujtohet një stërvitje e tillë. Ishim grumbulluar disa qindra rezervistë, intelektualë, punëtorë e fshatarë. Pasi veshëm uniformën ushtarake dhe u pajisëm me armët personale, kallashnikovë dhe pistoleta, sigurisht pa fishekë, u nisëm në një marshim të gjatë që vazhdoi disa ditë e disa netë radhazi, pa pushuar. Më kujtohet kur, si gjithnjë në stërvitje të tilla, të shpartalluar nga stërmundimi, po kalonim përroin e Paprit, dëgjuam disa thirrje nga larg: “Petrit Dumja, Petrit Dumja”! Po afrohej Petrit Dume. Të gjithë u shqetësuan. Të gjithë kishim frikë se ai duke vënë re se si ishim shpërndarë, mund të jepte ndonjë urdhër, që do të rëndonte edhe më tepër gjendjen tonë. Për të mos u ballafaquar me të, rezervistët filluan të hallakateshin edhe më shumë. U thashë atyre që rastësisht gjendeshin pranë meje, por që nuk ishin nën komandën time si oficer rezervist, që të rreshtoheshin. Ata u bindën. Nuk mund të vepronin ndryshe, sepse Petrit Dume i’a behu përpara nesh. Unë, u shkëputa nga kuadrati i rezervistëve të rreshtuar dhe iu paraqita gjeneralit, duke e nderuar dhe duke  recituar formulën përkatëse sipas rregullores ushtarake: “Shoku Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore, sipas urdhrit tuaj oficer…ju paraqitet…”! Nën gjimnastikën time kisha futur një radio portative, që e kisha marrë me vete. Ajo më kishte fryrë barkun dhe kjo gjë nuk mund të mos i binte në sy gjeneralit. I inatosur, ai më tha: “Ç’oficer je ti? Ti nuk je as për kapter. Ti nuk meriton të jesh as ushtar”! Më duket se ai kishte plotësisht të drejtë. Unë, që nuk dija si të veproja sepse rregullorja, për aq sa e njihja, nuk kishte parashikuar situata të ngjashme, nderova dhe pas pak u largova me hap ushtarak. Besoj se kam qenë qesharak, sepse nuk mund të largoheshe me hap ushtarak në një përrua plot gurrë të vegjël e të mëdhenj, por edhe për këtë rast nuk kisha lexuar gjë në rregulloret ushtarake. Sidoqoftë, këtë takim me Petrit Dumen e kaluam lehtë. Ai u largua dhe fill pas tij ne fituam gjendjen e mëparshme, krejtësisht të shpartalluar.

Nuk ndodhi kështu në një stërvitje tjetër të madhe, ose siç quheshin në gjuhën ushtarake, në një tjetër “lojë”. Besoj se ato quheshin “lojë”, meqë imitohej një situatë lufte në kushte paqësore, pra përgatiteshe në atë që quhej “lojë”, për t’u vrarë në situatën që imitohej, në luftë, qëlloje me plumba të rremë, për t’u mësuar të vrisje ose të vriteshe nga plumbat e vërtetë. “Loja” nuk ishte kështu aspak lojë, ose nëse do të këmbëngulim ta quajmë kështu, ajo ishte një lojë me nervat dhe jetën tonë në kohë paqe dhe një lojë me vdekjen në kohë lufte. Nuk më kujtohet me saktësi viti kur u organizua një “lojë” e madhe gjatë së cilës Brigada jonë e I-rë, marshoi ditë e natë duke kaluar krejtësisht e ç’orientuar nëpër kodrat e Tiranës, Elbasanit, Dumresë, Myzeqesë, Peqinit e Kavajës. Në një moment komanda e stërvitjes na mblodhi në oborrin e një shkolle fshati, për të bërë konkluzionet e “lojës”. Pra, u tha se stërvitja kishte përfunduar, si gjithnjë, me sukses. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Socializmi në të gjitha fushat e në çdo veprimtari, njihte vetëm suksese, ne jetonim duke kaluar nga një sukses tek tjetri, nga një fitore tek tjetra! Kjo ishte gjuha zyrtare. Me këtë gjuhë foli edhe komanda e stërvitjes. Ne u gëzuam sigurisht jo nga sukseset, por për vetë faktin se më në fund rraskapitjes sonë i erdhi fundi. Doli që ishim gëzuar para kohe dhe se mbi komandën e stërvitjes, ishte një komandant, që mendonte ndryshe.

Ndërsa po ktheheshim, buzë lumit të Shkumbinit, shikuam të afrohej drejt nesh Petrit Dume. Zakonisht ai i ndiqte stërvitjet hipur në një kalë të bardhë. Këtë herë, sikurse na thanë, një helikopter ushtarak e kishte zbritur aty. Pranë kompanisë tonë gjendeshin edhe dy apo tri rezervistë, që kishin lënë mënjanë rrugës një antitank. Ata nuk kishin më forca ta transportonin këtë armë duke e mbajtur mbi supe. Atyre u ishte thënë se, meqë stërvitja kishte përfunduar, antitank do të ngarkohej në një mushkë, e do të transportohej prej saj, pra mushka do të kryente detyrën e tyre ose ata kishin  kryer deri tani detyrën e mushkës. Petrit Dume, pasi u afrua, e pa anti tankun të lënë mënjanë. Rezervistët i treguan se prisnin arritjen e një mushke për ta ngarkuar atë. Gjenerali kundërshtoi në mënyrë të prerë. “Kjo armë ju takon juve. Ju do ta mbani atë deri në fund”, tha ai. Pasi mbaroi me historinë e mushkës, Petrit Dume na u drejtua ne të tjerëve. “Të gjithë do të ktheheni pas. Loja do të nisë nga e para”, tha ai. Dilte se konkluzionet e komandës së stërvitjes, kishin qenë të rreme, se stërvitja apo “loja” nuk ishte kryer me sukses, ose se gjeneralit i duhej edhe një sukses mbi suksesin e arritur tashmë, ose, ose, gjenerali tallej me të gjithë dhe kënaqej me talljen e tij. Në parantezë, dua të shtoj se për sjellje të ngjashme të Petrit Dumes, kam lexuar edhe në shtypin shqiptar të viteve të post diktaturës. Ai eksperimentonte, p.sh., me të rinjtë e Shkollës Ushtarake “Skënderbeg”. Petrit Dume i niste ata në marshime të gjata nëpër male të pabanuar e të pashkelur nga këmba e njeriut, duke u dhënë vetëm dy galeta në ditë si ushqim. Ai donte të provonte kështu rezistencën e ushtarakëve tanë!

Ne nuk mund të mos e zbatonim urdhrin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ai urdhër ishte krejtësisht i palogjikshëm, por ushtria nuk funksionon në bazë të logjikës, por të urdhrave dhe bindjes ndaj tyre, ndryshe ajo shpërbëhet. Kështu edhe ne u kthyem të gjithë mbrapsht. Filluam sërish të gjarpërojmë në errësirë nëpër labirinthe kodrash të pafund, pa asnjë objektiv, pa asnjë urdhër të ri veprimi. Lodhja rëndonte mbi gjymtyrët tona si qivur i plumbtë. Shpartallimi dhe çorganizimi mbretëronin kudo. As e dinim ku shkonim, as se sa do të marshonim, vetëm ecnim, apo më mirë, vetëm zvarriteshim si hije të ferrit ne që do të shkatërronim çdo armik, edhe NATO-n, edhe Traktatin e Varshavës, edhe të dy këto blloqe ushtarake nëse do të binin në ujdi e do të na sulmonin së bashku! Në këtë stërvitje, kam qenë së bashku me shokun dhe kolegun tim të Radio Tiranës, Hysni Litën. Në një moment nuk mund të ecnim më, këmbët nuk na bindeshin. Vendosëm të futemi në një arë të mbjellë me misra e të kalojmë natën aty, të merrnim pak forcë për të vazhduar marshimin tonë të çmendur. Kur po fillonim të dremisnin sikur të ishim në shtretërit e ndonjë hoteli me pesë yje, dëgjuam zëra që thërrisnin. Memorie.al

Kujtimet “sekrete”: Si u gjet e varur gruaja e ministrit, Enver Hoxha dhe misteret e Hotel Dajtit

 



Nga Bashkim Trenova

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’.

ME ”HERONJTË E POPULLIT”

BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

 Nesti Nase më ofroi të punoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por…?!

Përveç Behar Shtyllës, kam njohur edhe një tjetër anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ministër i Jashtëm edhe ai, të ndjerin Nesti Nase. Ky zëvendësoi Behar Shtyllën dhe qëndroi në këtë post nga viti 1970 deri në qershorin e vitit 1982. Takimin e parë me Nesti Nasen e bëra me kërkesën e tij.Ai më thirri në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme. Për mua ishte hera e parë që shkelja në këtë institucion. Biseda jonë u bë ashtu siç mund të bëhet midis dy të panjohurve, që njihen nga larg. Unë e njihja atë, ashtu sikurse fillimisht  edhe Behar Shtyllën, nga fjalimet e “zjarrta” të mbajtura në sesione të ndryshme të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai më njihte mua nëpërmjet artikujve po aq të “zjarrtë” mbi zhvillimet ndërkombëtare, që botoja në “Zëri i popullit”. Shkurt, që të mos zgjatem, në këtë takim Nesti Nase më ofroi një post në Ministrinë e Jashtme. Ai donte të kishte formalisht miratimin tim. Ai më tha se më kishte kërkuar edhe më parë, por pa rezultat. Tani, sipas tij, atje ku vendosej, e kishin dhënë pëlqimin. Edhe unë dhashë pëlqimin për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme. U ndava me Nesti Nasen, duke pritur disa kohë që të më njoftonin të filloja punë në institucionin që drejtonte ai.Pas disa javësh i telefonova Piro Koçit, drejtor i kuadrit pranë Ministrisë së Jashtme, për të ditur se si po shkonte puna e emërimit tim. Piro Koçi më tha se unë nuk njihja një gjuhë të huaj, prandaj nuk do të mund të filloja punë pranë kësaj Ministrie. I shpjegova se unë e njihja frëngjishten, se madje edhe kisha botuar në organin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, gazetën “Drita”, mjaft përkthime të poetëve dhe shkrimtarëve të njohur të huaj. Nga ana tjetër e receptorit dëgjova fjalët: “Po, por ti nuk ke një dokument zyrtar që të vërtetojë se e njeh këtë gjuhë”. Pasi mbylla telefonin, shkova në Fakultetin Histori-Filologji, për t’u interesuar për sezonin e provimit të frëngjishtes. Rastisi të ishte koha e këtyre provimeve. Hyra në provim ashtu i papërgatitur dhe mora dokumentin zyrtar, që provonte zotërimin e gjuhës frënge. Pas kësaj e mora sërish në telefon Piro Koçin dhe i tregova për provimin. Nga ana tjetër e receptorit heshtje e plotë. E kuptova se nuk ishte gjuha e huaj, por diçka tjetër, që pengonte. Unë vazhdova edhe për disa vite të tjera të punoj si shef i Sektorit të Jashtëm në “Zëri i popullit”. Sidoqoftë, nga takimi i parë me Nesti Nasen më mbeti në kujtesë kujdesi që tregonte ai në komunikimin me bashkëbiseduesin. Më pëlqeu mënyra e tij direkte, e kulturuar dhe njëkohësisht delikate e komunikimit. Pashë tek ai një njeri dashamirës.

Takimi i dytë me ministrin e Punëve të Jashtme Nesti Nasen, në vitin 1982

Takimi i dytë me Nesti Nasen u bë me kërkesën time disa vite më pas. Mund të ketë qenë viti 1982. Në Shqipëri kishte arritur një delegacion zyrtar nga Republika Islamike e Iranit. Shqipëria socialiste ateiste, e vetizoluar totalisht, pra pa asnjë hapje as nga Lindja dhe as nga Perëndimi, i kishte hapur dyert përfaqësuesve zyrtarë të atyre që njiheshin si fundamentalistë islamikë. Enver Hoxha në një fjalim të tij para zgjedhësve ka theksuar se nuk do të lejonte që në Shqipëri të futej “derri dhe dosa”. Islamistët e Iranit, edhe ata, sigurisht e përjashtonin derrin dhe dosën. Megjithëkëtë, nuk ishte ky shkaku apo arsyeja që u bënë hapa të përbashkëta afrimi midis Shqipërisë dhe Iranit. “Derri dhe dosa”, në kuptimin si e përdorte Enver Hoxha këtë tri fjalësh, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët e tyre, Bashkimi Sovjetik me aleatët e tij, njerëzit e artit, të kulturës, të shtypit nga bota e jashtme. Politika e jashtme zyrtare e Shqipërisë drejtohej sidomos kundër “dy superfuqive”, pra godiste hegjemoninë e dy superfuqive.

Në fillimet e tij edhe Revolucioni Islamik i Komheinit drejtohej kundër dy superfuqive, ose siç i thonin në Teheran, kundër “dy djajve”. Këtu mund të kërkohet, ndoshta, pika e përbashkët midis Tiranës dhe Teheranit. I përbashkët ishte gjithashtu edhe izolimi i tyre ndërkombëtar. Shqipëria komuniste e kishte mbështetur, si ndoshta asnjë vend tjetër, revolucionin islamik në Iran. Në politikë besoj se nuk bëhen shërbime “gratis”. Diçka të ngjashme kishte bërë diktatura komuniste e Tiranës edhe kur në Athinë, në vitin 1967, erdhën në pushtet kolonelët e zinj puçistë. Të dy regjimet e izoluara në botë shpejtuan të afrohen midis tyre e të vendosin marrëdhëniet diplomatike.

Gjatë kohës që delegacioni iranian vazhdonte vizitën në Shqipëri, mua më thërriti Miti Tona, drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qendror dhe më tha se iranianët do të mbanin një konferencë shtypi në Hotel “Dajti”. Miti më tha të përgatitja disa pyetje që do t’i drejtoheshin kryetarit të delegacionit. Të gjitha pyetjet, më tha Miti Tona, duhet të kenë një fillim afirmativ. Ai më tha gjithashtu se pasi t’i kisha formuluar ato të shkoja e të takoja ministrin e Jashtëm, Nesti Nasen, për t’u konsultuar me të. Pastaj, para konferencës për shtyp, unë duhet t’ua shpërndaja pyetjet disa gazetarëve që do të merrnin pjesë në këtë konferencë.

Ia lexova Nesti Nases të gjitha pyetjet që kisha menduar se mund t’i bëheshin delegacionit iranian. Ai nuk bëri vërejtje, i miratoi ashtu qetë. Më bëri përshtypje se pinte shumë duhan, porsa mbaronte një cigare ndizte tjetrën. Mua m’u duk si i lodhur, sikur nuk ishte aty, sikur kërkonte të tregohej si gjithnjë duke mos qenë ashtu. Nuk e di përse i thashë: “Pini shumë duhan shoku ministër”! S’më kujtohet reagimi i tij pas këtyre fjalëve. Bisedova me shokët e mi për përshtypjet që pata nga takimi me Nesti Nasen. Kishte disa muaj që ishte vrarë apo vetëvrarë Mehmet Shehu, kryeministri shqiptar. Ne ishim dëshmitarë të faktit se ai po merrte me vete edhe mjaft udhëheqës të tjerë të Partisë së Punës e të qeverisë shqiptare të cilësuar si bashkëpunëtorë të tij. Nuk mund të merrej me mend ku do të ndalonte prerja e kokave nga Enver Hoxha. Nuk dihej kush e kishte radhën për t’u vënë në gijotinë. Vazhdimisht bisedonim për këtë gjendje terrori dhe pasigurie edhe pse ajo nuk na prekte ne drejtpërsëdrejti. Vazhdimisht kërkonim të gjenim ndonjë fjalë të lëshuar ashtu si kot, ndonjë gjest që dukej si i papërfillshëm, për të parë apo për të lexuar ç’qëndron pas tyre. Pirja e dendur e cigareve nga Nesti Nase nuk na u duk shenjë e mirë.

Gabimi im në konferencën  e shtypit të delegacionit iranian në Hotel “Dajti”!

Pasi u largova nga Ministria e Jashtme dhe njoftova edhe Miti Tonën për takimin me Nesti Nasen, u drejtova për në Hotel “Dajti”. Aty, në hyrje, takova me disa kolegë të Agjencisë Telegrafike të Lajmeve, Radio Televizionit dhe të disa organeve të shtypit, të cilëve u shpërndave skedat ku ishin formuluar pyetjet që do t’i bëheshin delegacionit iranian. Në këtë shpërndarje kisha bërë një gabim që do ta kuptoja më pas nga qëndrimi i kryetarit të delegacionit iranian. Unë nuk kisha vënë re se gazetarët që do të bënin pyetje, ishin me origjinë të krishterë. Për mua, si për të gjithë brezin tim, si për të gjithë kolegët e mi, përkatësia fetare jo vetëm nuk kishte rëndësi, por ishte edhe e paqenë. Kështu u ngritën dhe bënë pyetje njëri pas tjetrit Taqo Zoto, drejtor i Agjencisë Telegrafike, Napolon Roshi, shef i Sektorit të Jashtëm të gazetës “Bashkimi” etj. që nuk më kujtohen. Nga ana iraniane përgjigjet ishin korrekte, por si të prera. Më në fund u ngrit dhe pyeti edhe Shaban Murati, në atë kohë gazetar në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës. Para se të përgjigjej, kryetari i delegacionit iranian shqiptoi fjalët: “Vëllai ynë Shaban”. Këtu unë e kuptova “gabimin” tim, por ishte tepër vonë. Konferencës i kishte ardhur fundi.

Arrestimi i Nesti Nases nga Sigurimi Shtetit në godinën e ministrisë!

Pas disa muajsh, më 30 qershor të vitit 1982, erdhi fundi edhe për Nesti Nasen. Atë e larguan nga posti i Ministrit të Jashtëm. Formalisht atë e emëruan  “këshilltar” në Institutin e Studimet të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme. Them formalisht, sepse atij nuk i’u ngarkua asnjë detyrë konkrete, sepse ai praktikisht nuk kishte kë të këshillonte, nuk i kërkonte askush këshilla. Ai ishte i izoluar. Edhe kur shkonte në kafe të gjithë shpejtonin të largoheshin. Më të shpejtë tregoheshin ata që i kishin bërë temenara, lajkatarët e servilët, karrieristët dhe njerëzit pa karakter. Në këtë Institut, në shtator të vitit 1982, tre punonjës të Sigurimit të Shtetit i vunë atij prangat duke i shqiptuar formulën e njohur: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Ai u arrestua si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut në komplotin e paqenë të përmbysjes me dhunë të diktaturës së proletariatit. Në momentin  e arrestimit, sikurse ka thënë në një intervistë të tij Genc Mlloja, punonjës  i këtij Instituti, kanë qenë të pranishëm vetëm ai, zv/drejtori i Institutit, Vladimir Prela, dhe një daktilografiste. Të gjithë punonjësit e tjerë të Ministrisë së Jashtme, në të cilën bënte pjesë edhe Instituti, ishin thirrur në  një mbledhje të improvizuar. Sigurimi i shtetit, siç duket, ka parapëlqyer të mos ketë më shumë dëshmitarë nga sa i është dashur. Përndryshe nuk kishte përse të mos ishin në mbledhjen e kolektivit dhe as përse të mos ishin në dijeni të saj vetëm Nesti Nase, Genc Mlloja, Vladimir Prela dhe daktilografistja. Edhe ata ishin pjesë e kolektivit.

Përpara trupit gjykues Nesti Nase u detyrua të dëshmojë si të vërtetë të padiskutueshme një gënjeshtër monstruoze sipas porosisë së diktatorit. Ai pranoi se në dy raste kryeministri Mehmet Shehu i kishte thënë atij se Enver Hoxha duhej hequr qafe me dhunë. Nesti Nase pranoi se Mehmet Shehu ishte kryetari i një organizate apo bande kundërrevolucionare ku, përveç të tjerëve, bënte pjesë edhe ai, etj., etj. Këto pohime i shpëtuan jetën atij, ndërsa të tjerët që gjendeshin pranë tij në bangën e të akuzuarve, ose u ekzekutuan ose vdiqën burgjeve. Me dëshminë e Nesti Nases në sallën e gjyqit unë, si të gjithë të tjerët, jam njohur vitet e fundit, pas botimit të proces-verbaleve gjyqësore në faqet e shtypit.

Nuk dua ta gjykoj Nesti Nasen për qëndrimin që mbajti në sallën e gjyqit. Ata që akuzoheshin aty, edhe pse padrejtësisht, ishin vetë autorë të sa e sa padrejtësive ndaj shokëve të tyre më të afërt. Ata mbanin në ndërgjegjen e tyre burgimet, vrasjet, internimet, zhdukjet e sa e sa të tjerëve duke vepruar në sallat e plenumeve të Komitetit Qendror të Partisë apo në prapaskenë njëlloj si edhe Nesti Nase në sallën e gjyqit. Po t’u kërkohej, për të shpëtuar kokën e tyre, ata nuk do të vepronin ndryshe nga Nesti Nase, do të ishin të gatshëm të pohonin se ai, madje, ishte edhe kryesori, numri një midis tyre. Nëse nuk e bënë këtë gjë, kjo shpjegohet vetëm me faktin se diktatori i kishte paracaktuar fatet dhe rolet e të gjithëve dhe se askush nuk mund të shmangej nga skenari. E parë në rrjedhën e kohës, sidoqoftë, ndjen keqardhje jo për ta, por për fatet e një vendi dhe të një populli, që për afro një gjysëm shekulli është drejtuar nga një diktator, i cili deformoi gjithçka tek njeriu, e ktheu atë në monstër të robotizuar.

Si u gjet e varur në shtëpinë e saj, bashkëshortja e Nesti Nases?!

Nesti Nase u lirua nga burgu në vitin 1989. Pas fillimit të Lëvizjes Demokratike e kam takuar njëherë rastësisht në Bulevardin kryesor të Tiranës, diku aty pranë selisë se Kryeministrisë. Iu afrova dhe e përshëndeta. Ishte i vetëm. Biseduam dhe nuk e di se përse biseduam. Me siguri kemi thënë fjalë të përgjithshme, kot. Nuk mbaj mend asgjë nga kjo bisedë. Ajo që nuk kam harruar nga ky takim është vetmia e tij. Ai mbante kokën poshtë, sikur nuk donte të shihte askënd, sikur ishte në një botë ku nuk njihte askënd. Pata përshtypjen se ndjehej i tillë. Pas arrestimit të Nesti Nases, përndjekjet u shtrinë në të gjithë rrethin e tij. Një nipin e tij, Gjergji Cico, i cili ishte gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e larguan nga puna, e larguan nga Tirana dhe e dërguan si mësues dikund në një fshat të largët të Korçës. Shumë më e rëndë, tragjike ishte ajo që ndodhi me bashkëshorten e tij, Petrinën. Dy ditë pasi e arrestuan Nestin, gruaja e tij, Petrina, u gjend e varur në shtëpi.

Më saktë është të thuhet se atë e gjetën të varur fqinjët, pasi trupi i saj kishte filluar të dekompozohej. Diktatura shpejtoi të thotë se ajo kishte varur veten, sepse ishte agjente e UDB-së, shërbimit sekret jugosllav. Mos duhet besuar së pari se atë e varën agjentët e Sigurimit shqiptar?! Përse? Qoftë edhe për t’i bërë presion Nesti Nases, për ta dërmuar shpirtërisht atë e për ta manipuluar më lehtë më pas.

Petrina i rezistoi vdekjes dhe shpëtoi prej saj në Mathauzen apo në ndonjë kamp tjetër, përqendrimi ku u depërtua gjatë Luftës nga nazistët.(Nuk jam i sigurt për emrin e kampit nazist ku ka qenë e depërtuar ajo.) Diktatura komuniste e theu atë, i rrëmbeu atë që ajo ia kishte “borxh” nazizmit. Asnjë fakt, qoftë edhe i sajuar, nuk u përmend ndonjëherë për të provuar lidhjet e saj me UDB-në. Ajo u var, apo më mirë e varën, vetëm e vetëm sepse ishte gruaja e Nesti Nases. Vetë Nesti ishte i ndërgjegjshëm për këtë gjë. Ai nuk mund të  mos e vuante faktin se gruaja e tij, e dashura e tij, ishte viktimë pa dashje e vetë atij.

Ata nuk kishin fëmijë, kishin vetëm njëri-tjetrin. Petrina ishte sterilizuar nga nazistët në kampet e përqendrimit. Largimi i saj ishte vetmia e plotë e tij. Largimi i saj ishte dhimbja e pafund e tij. Përmbysja e komunizmit nuk mund t’i jepte gëzim ish- ministrit të Jashtëm, Nesti Nase, nuk mund t’i kthente atë që ishte larguar për gjithnjë. Nuk mund të gëzosh i vetëm në botë edhe nëse i ke shpëtuar vdekjes së sigurt. Ja përse Nesti Nase ecte ashtu si kot, si bosh në shpirt në bulevardin kryesor të Tiranës. Ne u ndamë ashtu sikurse u takuam. Ai i sjellshëm si gjithnjë, sikur po ndahej nga një mik që porsa e kishte njohur e që s’do ta shihte më. Unë, i papërcaktuar, vërtet i gëzuar që e takova, por pa ditur se përse e takova, përse duhej ta takoja. Unë nuk mund ta ndihmoja atë. Besoj se askush nuk mund ta ndihmonte.


Kuvendi i Berishës shkarkon Gazment Bardhin, Grida Dumën, Enkelejd Alibeajn dhe Jorida Tabakun



Delegatët e Kuvendit të thirrur nga Berisha në “Air Albania” kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisës.



Basha deklaroi se rruga e demokratëve nisi plot me sprova në Dhjetor të vitit 1990. Ai u shpreh se askush dhe asgjë nuk ia heq krenarinë demokratëve. Ai tha se mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë historinë por nuk mund ta bëjnë këtë pa mbështetjen e SHBA dhe BE.

“Zonja dhe zotërinj, demokratët dhe demokrate. Të dashur miq dhe të ftuar. Mblidhemi në një ditë kuptimplotë për shqiptarët që kanë në zemër vlerat e lirisë dhe demokracisë që kanë nisur 31 vjet më parë në një rrugëtim plot me sprova dhe nga ëndrrat më të bukura nga studentët e dhjetorit. Nga aspirata e tyre për liri politike”, tha ai.

Berisha i drejtohet SHBA-ve: Më hiqni “Non grata-n” ose vazhdoj luftën për t’u rikthyer në pushtet

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur sot në stadiumin Air Albania i bëri thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të rishqyrtojnë vendimin për shpalljen e tij non grata. Berisha theksoi se do të vazhdojë misionin e tij për përmbysur regjimin dhe për sjellë Partinë Demokratike në pushtet.  Ai u bëri thirrje zyrtarëve amerikanë të dërgojnë në Gjykatën e Parisit çdo provë dhe fakt për shpalljen e tij non grata.


“Ndaj dhe unë nisa betejën time po aq i vendosur, si 32 vjet më parë të bëj gjithçka për dinjitetin tim, në sallën e gjyqit dhe kam muaj dhe muaj që pres. Asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë. Për faktin e vetëm që nuk ekziston. U bëj thirrje zyrtarëve të DASH të çojnë në Paris çdo dokument që kanë. Unë marr çdo vendim ndaj vetes sime.

Jam mirënjohës ndaj miqve në Europë dhe SHBA për qëndrimet ndaj këtij vendimi.  Do vazhdoj pathyeshëm misionin tim si besimtar i Zotit dhe dinjitetit të njeriut. Beteja ime nuk do ndalet kurrë. Ftoj zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimin e tyre sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Unë u garantoj ju që do vazhdoj misionin tim bashkë me ju për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri”, tha Berisha.Ai deklaroi se ambasadorja e SHBA në Shqipëri mbështet qeverinë duke mbyllur sytë para paligjshmërisë dhe sulmon opozitën.

“Burokratët dhe njerëzit ndonjëherë e harrojnë këtë. Presidenti i SHBA me dekretin e tij dekreton në këtë vend një ambasadore përfaqësues te vlerave te interesave, demokracisë dhe sigurisë së këtij kombi. E paimagjinueshme. Në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e policisë, përfaqësuesi i vendit të madh të lirisë përgëzon policinë për luftën kundër drogës.

Në kulmin e korrupsionit dhe shtrimit të Shqipërisë në protektoratet e krimit të organizuar, përfaqësuesi i këtij vendi bën ligjërata në mbështetje të qeverisë dhe nga mëngjesi deri në darkë sulmon opozitën. Në një kohë kur propozohen dhe ndëshkohen trafikantë të markave të ndryshme, një trafikant tjetër dërgohet në Shtëpinë e Bardhë, Kur kthehet për t’u vënë para drejtësisë procesi shpall proces politik i diktaturës komuniste. A vijnë këto nga shteti ligjor i SHBA? Këto vijnë fund e krye nga mafia e George Soros. Edhe më keq akoma një ditë, në maj të këtij viti DASH shpall non grata Sali Berishën. 8 vite pasi kishte dhënë dorëheqjen nga.cdoNjeriu që ishte lavdëruar më shumë nga SHBA për luftën kundër korrupsionit. Shpall non grata njeriun që gjatë jetës së tij nuk kishte pasur akuzë për korrupsion. Një njeri që kishte bërë gjithçka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. Një njeri që 31 vite më parë në drejtim të kësaj partie kishte përmbysur në Shqipëri diktaturën, kishte hedhur bazat e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor. Në qeverisjen e tij kishte shënuar projekte të mëdha të shekullit në fushën e energjisë, anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe kishte mbështetur pa kushte qëndrimet e SHBA në fushën e sigurisë dhe paqes.

Së fundmi njeriun që për të gjitha këto ishte votuar nga shqiptarët, në përqindje aq shumë sa zyrtarët dhe burokratët në fjalë as në ëndërr nuk e kanë parë. Çfarë do bëja unë në këtë rast në vitin 2013. Shumë nga ju kërkuan që të mos jepja dorëheqjen. Por unë thashë që dinjiteti im e kërkon që unë të jap dorëheqjen. Dhe unë ju kam thënë të vërtetën. Po të shkojmë më tutje 32 vjet të shkuara në një natë të zezë dimri. Unë kisha marrë një vendim që të dilja dhe përballesha me diktaturën. Ai është vendimi më i rëndësishëm i jetës sime”, deklaroi Berisha

Numërohen votat për shkarkimin e Bashës, Kuvendi i Berishës emëron “kryetarët” që do të drejtojnë partinë përkohësisht






Më shume se 4 700 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur nga Sali Berisha ndodhen aktualisht në stadiumin “Air Albania” dhe pritet që në orët në vijim të miratojnë disa ndryshime në statutin e partisë. Një ndër pikat kryesore pritet të jetë ajo që detyron kryetarin që të largohet në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Ky është cilësuar edhe si “neni Basha” pasi synon pikërisht këtë të fundit.

Pas hyrjes në fuqi të statutit të ri deri ne konstatimin e organeve të reja që do të jo më vonë se katër muaj, partia do të drejtohet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit që do të përbëhet nga 15 personalitete.

Më pas parashikohet një zgjedhjeve e strukturave të reja nga baza në qendër dhe kryetarit të ri sipas parimit një anëtar një votë.

Në draft statutin e ri që do të miratohet është shtuar edhe neni 66 që nuk njeh përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi u shpall “non grata” nga SHBA. “Cdo akt i organeve të partisë Demokratike i ndërmarrë para hyrjes së fuqi të këtij statuti që bie ndesh me dispozitat e tij shfuqizohet automatikisht” thuhet në nenin 66.

Hyrja e delegatëve dhe simpatizantëve të PD-së ka nisur në orën 09:30 të mëngjesit në stadium, ndërsa u verifikuan nëpërmjet një sistemi që kontrollon vlefshmërinë e kartës së anatërësisë.

Kuvendi pritet të vijojë punimet deri në orën 16:00 të pasdites. Në fjalën e tij, Berisha tha se “non grata” në fakt nuk është ai, por Lulzim Basha.

16:35- Këlliçi thirrje Ramës: Largo policinë nga godina e PD, s’ka nevojë të mbrohet nga askush

Kryetari i Komisionit të përkohshëm të ngritur nga Kuvendit Kombëtar të PD Belind Këlliçi i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të largojë makinat e policisë nga selia e PD.

Ai tha se PD nuk ka nevojë të mbrohet me polici, por mjaftojnë dy rojet në hyrje të godinës. Ai tha se ky është një provokim pasi PD është e demokratëve dhe nuk duhet të mbrohet nga askush.

“Kam një thirrje drejtuar Edi Ramës. Jemi informuar që makina policie ndodhen rreth selisë së PD. PD e mbrojnë vetëm dy rojet Papi dhe Iliri. I bëj me dije kryeministrit që nuk ka nevojë të mbrohet selia e PD. PD është e demokratëve dhe nuk ka nevojë të mbrohet nga askush”, tha ai.

Pavarësisht numrit të madh të forcave të rendit përreth, situata në selinë e PD-së duket mjaft e qetë, siç duket edhe në videon e mëposhtme.

16:11- Mbyllet votimi i fshehtë, nis numërimi i votave për shkarkimin e Lulzim Bashës

Demokratët në Kuvendin e Berishës në stadiumin Air Albania kanë përfunduar procesin e votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Rreth orës 16:00 ka nisur procesi i numërimit të votave.

Ndërkohë Basha ka thirrur në orën 16:00 kryesinë e PD në selinë blu. Nuk dihet ende se çfarë vendimi ka marrë Basha pas zhvillimeve në Kuvend.

16:10- Kjo është vula e re e PD-së sipas vendimeve të marra në Kuvendin e Berishës

Në Kuvendin e mbajtur ditën e sotme në “Air Albania” nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij janë marrë një sërë vendimesh.

Mes tyre, me propozimin e një grupi anëtarësh dhe me mbështetjen e të paktën 15 për qind të delegatëve, Kuvendi vendosi ndër të tjera që vula e PD dhe simboli i saj të kthehet tek forma origjinale që ka pasur kur u themelua partia.

ABC ka siguruar një foto në të cilën duket sesi është vula e re e partisë, sipas vendimeve që u morën në Kuvendin e sotëm.

Kujtojmë se po ashtu në Kuvendin e sotëm u miratua në parim statuti i Partisë Demokratike, u miratua nen për nen statuti i PD, u miratua neni për primarët, referendum, neni për fraksionet në PD, neni Basha-kryetari shkarkohet pas humbjes dhe delegatët votuan 67 nenet e satutit të ri.

Po ashtu  gjatë ditës së sotme, delegatët e Kuvendit të thirrur nga Berisha në “Air Albania” kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisë.

13:15 –  Berisha sulmon Xhorxh Sorosin: Triumfojmë ndaj mafias ndërkombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha ka filluar fjalën e tij mes brohoritjeve etë delagëteve dhe mbështetësve të PD-së në stadiumin “Air Albania”. Ndërkohë që Berisha fliste, mbështetësit i kanë ndërprerë fjalën nëpërmjet thirrjeve. Berisha e cilësoi Kuvendin si monument të lirisë dhe të rithemelimit të Partisë Demokratike.

Ish-lideri i PD-së bëri një përshkrim të rrugëtimit të PD-së duke filluar nga fillimi i viteve ’90, gjatë ngjarjeve të 1997, për të ardhur edhe në vitin 2005 kur demokratët u rikthyen në pushtet me atë kryemistër.

Është Kuvendi që mbloidhet si monument i lirisë. Është monument irithemelimit të PD-së. Ky është Kuvendi i parë në histori që në thelb është kulti i anëtarit të PD-së. Më lejoni sot në emrin tuaj të përulem me mirënjiohje të palkufishme ndaj studentëve dhe studenteve liberatorë të dhjetorit 1990 që u ngrihën si luanë të vërtetë me në krye prijesin e tyre legjendar Azem Hajdarin dhe zhvilluan në rrugët e Tiranës një betejë që ngjasonte me atë të Davidit kundër Goliathit.

Nga njëra anë ishin studentët me vullnetin e hekurt dhe nga ana tjetër diktatura me tanke, blinda dhe mitroloza. Studentët themeluan PD të atyre bvlerave që ne sot rivendosim në themelet e saj“, tha ai.

Berisha tha se ishin mbledhur sot për të rithemeluar Partinë Demokratike, ndërkohë që sulmoi nominalisht Xhorxh Sorosin duke e cilësuar si kreun e mafias ndërkombëtare dhe që është kundër interesave të shqiptarëve.

Ky Kuvend  është shpëtimtari  vlerave të mëdha që ndajmë me ta. Ky Kuvend është i vendosur që të rrëzoijë narkoshtetin në Shqipëri, si edhe të ngrëjë PD-në si parti konservatore në piedestalin që e meriton duke u përballur me mafien ndërkombëtare, kreun e saj dhe armikun më të madh të interesave të shqiptarëve, multimiliarderin Xhorxh Soros”, tha Berisha pasi kishte përshëndetur më parë konservatorët në të gjithë botën.

13:09 – Kuvendi i Berishës: Kjo është lista me 29 figurat që do të drejtojnë PD-në

Komisioni i Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha ka miratuar 29 emrat e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së që do të drejtojë partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Në listë është vetë Berisha dhe më besnikët që kanë mbështetur lëvizjen e tij kundër Lulzim Bashës. Ky komision do ta drejtojë PD-në deri në 22 Mars të vitit të ardhshëm ku do të ketë një Kuvend Kombëtar të ri ku parashikohet zgjedhje e strukturave të reja nga baza në qendër dhe kryetarit të ri sipas parimit një anëtar një votë.

29 Emrat e këshillit

Agron Shehaj

Albana Vokshi

Aldo Bumçi

Arben Ristani

Belind Kelliçi

Blendi Himci

Bujar Nishani

Çlirim Gjata

Edit Harxhi

Edi Paloka

Edmond Spaho

Eno Bozdo

Ervin Minarolli

Evi Kokalari

Flamur Noka

Gent Deromemaj

Genc Pollo

Genti Strazimiri

Rigels Mucollari

Ivi Kaso

Keltis Kruja

Klevis Balliu

Ledina Mandia

Luan Baci

Lorenc Luka

Mimoza Hajdarmataj

Oerd Bylykbashi

Sali Berisha

12:31 – Basha hap festën në PD: Instalacion për firmëtarët e demokracisë, pa SHBA s’mund ta shkruajmë historinë

Teksa pak metra më larg delegatët e Berishës janë mbledhur në një Kuvend në stadiumin Air Albania, nga shkallët e selisë blu, kryedemokrati Lulzim Basha hapi festën e njoftuar për 31-vjetorin e Partisë Demokratike. Ai zbuloi instilacionin e vendosur para PD për të nderuar firmëtarët e krijimit të kësaj partie.

Basha deklaroi se rruga e demokratëve nisi plot me sprova në Dhjetor të vitit 1990. Ai u shpreh se askush dhe asgjë nuk ia heq krenarinë demokratëve. Ai tha se mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë historinë por nuk mund ta bëjnë këtë pa mbështetjen e SHBA dhe BE.

“Zonja dhe zotërinj, demokratët dhe demokrate. Të dashur miq dhe të ftuar. Mblidhemi në një ditë kuptimplotë për shqiptarët që kanë në zemër vlerat e lirisë dhe demokracisë që kanë nisur 31 vjet më parë në një rrugëtim plot me sprova dhe nga ëndrrat më të bukura nga studentët e dhjetorit. Nga aspirata e tyre për liri politike.

Që lindi pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike. Së pari dhe ndryshe nga herët e tjera PD e kujton këtë ditë duke përjetësuar në ambientet e saj dokumentin themeltar të firmëtarëve të Partisë Demokratike. të atyre që janë jashtë Atdheut dhe atyre që kanë ardhur për të festuar me ne nga SHBA Kanada dhe kudo tjetër. Sot këtë instalacion do ta zbulojnë dy vajza të forumit rinor të Partisë Demokratike si simboli i vazhdimit të misionit tonë për rininë dhe të ardhmen. Vëllezër dhe motra sprovat tona kanë qenë të panumërta.

Disa prej tyre i kemi mbajtur brenda vetes kundër një regjimi barbar dhe diktatorial. Që ktheu vëllain kundër vëllait. Që shkatërroi objektet e kultit, shkatërroi pronën e lirë dhe lirinë e pronës dhe izoloi Shqipërinë dhe varfëroi ndërgjegjen e kombit duke ndaluar artin dhe letërsinë. T’i mbijetosh kësaj çmendurie nuk është fat por tregues i guximit dhe instiktit të mbijetesës. T’i prish daljes nga kjo greminë ishte dhe mbetet misioni i shenjtë i Partisë Demokratike. Me barrën e rëndë të së kaluarës në supe. Me mina të plasura dhe të paplasura kemi ecur përpara. Kemi njohur momente dështimi.

Me peshën e gabimeve që rëndojnë mbi supet e shqiptarëve. Jam në krahun e demokratëve si kryetar i një familje politike që di edhe kur gabon ta pranojë gabimin dhe të ecë përpara drejt të ardhmes. Askush edhe asgjë nuk ia heq krenarinë demokratëve për gjërat e mëdha që kemi bërë për këtë vend që nga rrëzimi i diktaturës te futja në NATO. Të kujtojmë sot që këto arritje mbajnë vulën e demokratëve. Kujtojmë po kështu të ndershëm dhe të sinqertë në një ditë si kjo. Mentalitetet e të shkuarës po mundohen të shkruajnë sërish historinë. Pa mbështetjen e perëndimit dhe SHBA dhe BE”, tha Basha.

12:20 –  Bylykbashi shpalos statutin e ri në Kuvendin e Berishës: Po humbe zgjedhjet ikën në shtëpi

Deputeti Oerd Bylykbashi shpalosi në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha të gjitha ndryshimet që do të bëhen në statutin e ri të Partisë Demokratike.

Futja e referendumit, primaret, por edhe forcimi i organeve kolegjiale janë disa nga pikat e statutit të ri të PD-së. Një tjetër pikë lidhet me sanksionimin në statut të faktit që nëse humbet zgjedhjet pavarësisht arsyes, largohesh.

Sot japim provën se demokracia brenda partisë nuk është burokraci, por ideale dhe kontribut. Organet u kthyen në shtabe ushtarake. Sot propozojmë ndryshime në statut. Sot synojmë të projektojmë një PD. Ndryshimet konfirmojnë vlerat mbi të cilat është krijuar partia jonë, që mbron vlerat konservatore”, tha ai. 

12:12 –  Këlliçi: 4934 delegatë në Kuvend, plotësohet kuorumi për vendimmarrje

ryetari i Komisionit për punimet e Kuvendit të Berishës Belind Këlliçi deklaroi se janë 7646 delegatë që kanë firmosur për thirrjen e tij. Këlliçi deklaroi se sot të pranishëm në Kuvend janë 4934 delegatë. Ai u shpreh se numri është më i madhe se kuorumi i kërkuar.

“Në lidhje me numrin e thirrjeve që kanë kërkuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar nevojitet ¼ për të thirrur Kuvendin. Numri total është 7646. ¼ është 1913 firma delegatësh. Sekretariati teknik më njofton se 4200 formularët e dorëzuar me firma janë të pranishëm në kuvend.

Numri i delegatëve që kanë thirrur Kuvendin, në zbatim të statutit deklaroj se ky kuvend është i thirrur ligjërisht sipas statutit të Kuvendit të Partisë Demokratike. Numri i delegatëve që janë paraqitur sot 4934 delegatë. Duke qenë se numri është më i madh, deklaroj se Kuvendi ka kuorumin e ligjshëm sipas statutit të PD dhe ka aftësi të plotë vendimmarrje nga ky çast. Pranë sekretariatit teknik janë paraqitur dy kërkesa që kërkojnë vendimmarrje nga kuvendi”, tha ai.

11:33 –  EMRAT/ Ky është komisioni, si do të bëhet verifikimi i mandateve të delegatëve të Berishës

Hapjen e Kuvendit të Sali Berishës e bëri kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka. Më pas u zgjodh komisioni që do të drejtojë punimet dhe që kryesohet nga Belind Këlliçi.

Emrat e Komisionit që do të drejtojë punimet e kuvendit
Belind Këlliçi-drejtues
Albana Vokshi
Ervin Minarolli
Ivi Kaso
Edmond Spaho

Sekretariati
Minushe Lazaj
Nade Daullja
Ledio Nuraj

Belind Këlliçi u shpreh se do të jenë 72 përfaqësues të zgjedhur për të verifikuar të gjithë delegatët përmes kodit unik.

11:31 –  Paloka hap Kuvendin e Berishës: Jemi demokratët e rrebeshit, jo të shampanjës, rithemelojmë PD

Edi Paloka ka hapur Kuvendin e thirrur nga ish-kreu i PD Sali Berisha, ditën e sotme në stadiumin Air Albania. Paloka deklaroi se kjo ditë do të hyjë në historinë e Partisë Demokratike si dita e rithemelimit të saj. Ai u shpreh se opozita e vërtetë nuk hyn në pazare me Edi Ramën.

“Mirë se keni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë. Prania juaj sot këtu në një ditë si kjo ku mesa duket edhe Zoti ka dashur të shtojë simbolikën e tij. Ne jemi demokratët e rrebeshit. Të tjerët le të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do të hyjë në historinë e PD. Për herë të parë mblidhet një kuvend me kërkesën e delegatëve. As thjesht për numrin e pazakonshëm të pjesëmarrësve.

 Pas 31 vitesh ne mblidhemi edhe njëherë për ta rithemeluar Partinë Demokratike mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritën dhe për ta vendosur përfundimisht në shinat e konservatorizmit. E kam konsideruar veten me fat që në dhjetor të vitit 1990, u bëra pjesë e lëvizjes studentore dhe njëri prej atyre që themeluan PD. Sot do themi me krenari”, tha Paloka. 

11:21 –  Zbulohet statuti që do të miratojë Kuvendi i Berishës: Basha, “non grata” dhe drejtimi PD-së

Kulmi i Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Sali Berisha sot në “Air Albania” do të jetë miratimi i statutit të ri të PDSH-së. Gazetari i “ABC” Juxhin Mustafaraj ka siguruar dosjen që i vendosur në dispozicion cdo delegati me ndryshimet që do të miratohen në statut.

Qëllimi kryesor është shkarkimi i Lulzim Bashës. Pas hyrjes në fuqi të statutit të ri deri ne konstatimin e organeve të reja që do të jo më vonë se katër muaj, partia do të drejtohet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit që do të përbëhet nga 15 personalitete. Më pas parashikohet një zgjedhjeve e strukturave të reja nga baza në qendër dhe kryetarit të ri sipas parimit një anëtar një votë.

Në draft statutin e ri që do të miratohet është shtuar edhe neni 66 që nuk njeh përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, pasi u shpall “non grata” nga SHBA. “Cdo akt i organeve të partisë Demokratike i ndërmarrë para hyrjes së fuqi të këtij statuti që bie ndesh me dispozitat e tij shfuqizohet automatikisht” thuhet në nenin 66.

11:18 –  FOTO/ Krah për krah me delegatët, kush janë demokratët “VIP” në Kuvendin e Berishës

Shkallët e stadiumit në Air Albania, në tribunën e rezervuar nga demokratët për Kuvendin e thirrur nga Berisha po zihen nga delegatët që kanë firmosur për zhvillimin e tij.

Në radhët e demokratëve të tjerë në sy kanë rënë edhe personazhe të njohur të PD.

Në sy bien Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Julian Deda, Floriana Garo, Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi etj. Berisha doli nga shtëpia e tij pas orës 11:00 për të mbërritur brenda pak minutash në stadium ku është pozicionuar mes demokratëve të tjerë.

11:06 –  A do ktheheni në seli? Berisha drejt Kuvendit: Basha i pakallur, asgjë s’i pengon demokratët

Ish-kreu i PD Sali Berisha është nisur drejt stadiumit Air Albania ku do të mbahet kuvendi i thirrur prej tij. Berisha tha se asgjë nuk i pengon djemtë dhe vajzat e PD për t’u bashkuar në rithemelimin e PD.

Berisha tha se Kuvendi merr vendimet e veta ndërsa kreun e PD e cilësoi të pakallur që jep mesazhe turpi. Ai la pa përgjigje pyetjen nëse do kthehen në selinë e Partisë Demokratike në përfundim të Kuvendit.

“Në historinë e lirisë së këtij kombi. Triumfi i revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit. Asgjë nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për t’u bashkuar në rithemelimin e PD. Mesazhi më i bukur që ata i dërgojnë sot shqiptarëve kudo ku janë.

Miqve tanë në Europë dhe botë. Ai (Basha) është prej kohësh një i pakallur. Por kuvendi merr vendimet e veta. Mesazhet janë histori turpi dhe morën përgjigjen më të shkëlqyer nga demokratët.”, tha Berisha.

A do ktheheni në seli sot

Mirupafshi, mirupafshim… (Largohet, nuk përgjigjet)

10:56 –  Vishuni trashë, Berisha u jep mëngjes delegatëve

Sali Berisha mbrëmjen e djeshme u bëri thirrje delegatëve dhe simpatizantëve të tij që vishen trashë në momentin që të nisen për në Kuvendin që do të mbahet në “Air Albania”.

Por ish-kryeministri përpos kësaj është kujdesur edhe për ushqimin.

10:36 –  Dosja e statutit, Boçi për ABC: Jam i impresionuar, delegatët duan shkarkimin e Bashës

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi shprehet i impresionuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Në një prononcim për “ABC” ai tha se delegatët kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës.

Pjesëmarrja është impresionuese. Sipas statutit Kuvendi është mëse i ligjshëm dhe politikisht është i ligjshëm dhe pas ndryshimeve do të veprohet sipas statutit dhe pritet dhe ka një kërkesë nga delegatët për shkarkimin e kryetarit të PD-së. Votimi do të jetë i fshehtë. Masat janë me dhomë të fshehtë. Hapësirat janë siguruar.

Kuvendi është thirrur nga pjesa më e madhe e delegatëve” shprehet ai. Gazetari Juxhin Mustafaraj tha se në ulëset e cdo delegati është vendosur një dosje me ndryshimet që propozohet që të miratohen në Kuvendin e sotëm.

10:26 –  Pamjet brenda stadiumit, Strazimiri dhe Balliu drejtojë delegatët e Kuvendit të Berishës

Prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm vijon futja e delegatëve dhe militantëve, mbështetës të Sali Berishës në stadiumin “Air Albania”.

Gazetari i ABC, Juxhin Mustafaraj raporton se në pikat e hyrjes së stadiumit ndodhen dy ish-deputetët Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri.

Check-ini për delegatët nuk po bëhen në hyrje, por do të realizohet sipas organizatorëve në momentin që do të ulen në stadium në vendin e caktuar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...