Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/20

Mehmet Shehu, 40 vjet pas vetëvrasjes: Versioni i Nexhmije Hoxhës dhe nata e 18 dhjetorit, si thyerje e rëndë dhe e pariparueshme në ashtin kryesor të sistemit

Nga Xhevdet Shehu Fiks 40-vjet më parë, në natën mes 17 dhe 18 dhjetorit ndodhi një nga ngjarjet më tronditëse të historisë, jo vetëm të historisë së Shqipërisë komuniste. Për të rinjtë e sotëm kjo ngjarje duket tejet e largët, prehistorike. Por për ata që e kanë jetuar atë kohë dhe atë ngjarje, ajo ngjall debat edhe pas 40-vjetësh. Unë kam shkruar ndoshta si rrallëkush për këtë ngjarje. Kam shkruar edhe një libër me titullin “Prapaskena. Hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste.” U qëndroj atyre që kam thënë… Një miku im, një personalitet i shquar i kulturës, më tha para pak ditësh: – E dëgjove Sali Berishën në 11 dhjetor në stadium? Fjalimi i tij ishte identik si tabloja sinoptike e Enver Hoxhës për Mehmet Shehun 40 vjet më parë… Brenda një nate edhe Mehmet Shehu edhe Lulzim Basha u shpallën armiqtë më të mëdhenj që kishte njohur historia… Që tregon se Sali Berisha sado të hiqet si demokrat, e ka aq të rrënjosur mentalitetin komunist, saqë duket si dordolec kur do që të na hiqet si demokrat… – Profesor, i thashë mikut tim. Ju mbase keni të drejtë në paralelen që hiqni dhe në krahasimet që bëni. Por të gjitha krahasimet çalojnë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me dy epoka krejt të ndryshme, madje krejt të përkundërta. Për më tepër Saliu nuk është e nuk mund të jetë Enver, dhe aq më pak Lulzim Basha nuk mund të krahasohet me Mehmet Shehun. Pastaj, nuk dihet ende kush do ta vrasin shoshoqin në këtë historinë e PD-së… Prandaj nuk do ndalem me këtë histori ngjashmërish. Le të kujtojmë atë që ndodhi 40 vjet më parë. *** Faqja e parë e gazetës 18/12/2021 E pra, në fillim të viteve ’80 (në natën mes 17 dhe 18 dhjetorit 1981) ndodhi vetëvrasja e kryeministrit Mehmet Shehu. Kjo ngjarje, si rrufe në të kthjellët, i hutoi njerëzit krejt, por edhe ngjalli shumë dyshime. Mehmet Shehu ishte numri 2 i regjimit. Me afro tre dekada në postin e kryeministrit, me një autoritet të padiskutueshëm, ai nënkuptohej lehtë si pasardhës i Enver Hoxhës, i cili flitej se ishte i sëmurë prej vitesh. Figura e tretë autoritare e regjimit, Hysni Kapoja, kishte vdekur dy vjet para Mehmet Shehut. Vështruar nga distanca e katër dekadave, nuk është e vështirë të dallosh se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë dy figurat më të rëndësishme e më të spikatura të diktaturës komuniste. Ata ishin shtyllat që e kishin mbajtur në këmbë atë regjim. Ata ishin të jashtëzakonshëm, gjëmimtarë e dhétundësa, dhe si të tillë krijuan epokë. Në këngët e kohës emrat e tyre gjenden shumë shpesh së bashku. E, ashtu, të lidhur pazgjidhshmërisht e fatalisht me njëri-tjetrin, ata mbetën edhe pas vdekjes. Njëri nuk kishte dhe nuk ka kuptim pa tjetrin. Enveri nuk bënte dot pa Mehmetin… Mehmeti (ndoshta) mund të bënte pa Enverin, pas Enverit. Por kjo mbeti vetëm hipotezë. E vërtetë është se eleminimi i Mehmetit, vetëvrasja e tij, shkaktoi një thyerje të rëndë dhe të pariparueshme në ashtin kryesor të sistemit. Kjo thyerje nuk u shpall kurrë zyrtarisht, por ishte e dukshme në të gjitha drejtimet. Shteti u zbeh, humbi ekuilibrin, filloi tatëpjetën e pakthyeshme dhe të pandalshme. Në fillim dizekuilibri nuk u vu re, sidomos poshtë në popull, te njerëzit e thjeshtë, të cilët si pasagjerët e një vapori, defektin që rrezikon mbytjen e marrin vesh të fundit. Populli, pra, nuk po kuptonte se ç’po ngjiste atje lart. Aq më tepër që Timonieri kishte deklaruar se “Partinë e kemi më të fortë se kurrë!”… Tërheqja e këmbëzës dhe krisma e asaj arme në natën e 17-18 dhjetorit 1981 ishte goditja fatale, pashmangshmërisht vdekjeprurëse, që mori sistemi komunist në Shqipëri dhe vetë Enver Hoxha. Sepse, në të vërtetë, me vetëvrasjen e Mehmetit, mori fund edhe Enveri. Pikërisht këtë fakt, ma ka pohuar me gojë dhe me shkrim bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, në një letër që më ka dërguar për këtë çështje, ku ndër të tjera më shkruante: “Unë, duke qenë pranë Enverit natë e ditë, jam dëshmitarja e vetme sa e thellë ishte tronditja shpirtërore e Enverit për vetëvrasjen e papritur të Mehmetit. Që në momentet e para të njohjes së lajmit të hidhur, mbeti i habitur, duke përsëritur pyetjen, sikur ia bënte vetes: “Pse e bëri këtë Mehmeti? Pse ma bëri këtë Mehmeti!?” Pas leximit të letrës që i la Mehmeti, unë jam dëshmitare për angazhimin e tij total, për të parë qartë pse Mehmeti zgjodhi këtë akt ekstrem të vetësakrifikimit e pas hetimeve e reflektimit me përgjegjësi të lartë, erdhi zemërimi i njohur i Enverit në fjalimet e shkrimet e tij, i prekur e i zhgënjyer thellësisht nga mënyra më e keqe që zgjodhi Mehmeti për t’ia shpërblyer Enverit gjithë ndihmën që i kishte dhënë sa herë kishte gabuar, besimin që kishte treguar duke e ngarkuar në funksionet më të larta shtetërore partiake, politike, ekonomike e ushtarake, për miqësinë e shoqërinë e sinqertë ndaj tij, si shok e vëlla, ndaj Fiqretit e gjithë familjes së tij. Unë, duke parë e ndjerë gjithë mobilizimin total e punën intensive të Enverit, në zhvillimet e reja që u krijuan, nga ana politike, organizative etj., kam deklaruar me dhimbje se: “Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin”. Në fakt, pas vetëvrasjes së Mehmetit, në dhjetor 1981, gjendja shëndetësore e Enverit, me sëmundjen e rëndë të zemrës, mori tatëpjetën deri sa mbylli sytë në prill të vitit 1985. Letra e zonjës Hoxha mban datën 18 shtator 2015 dhe është botuar e plotë në DITA më 30 shtator të atij viti. Sidoqoftë në këtë 40 vjetor të ngjarjes që ndodhi 40 vjet më parë, po sjell në vijim kujtimet e Nexhmije Hoxhës, të cilat ajo arriti t’i botonte në janar 2020, vetëm pak javë para se ta ndahej nga jeta në moshën 99-vjeçare. Nexhmije Hoxha Kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Nata e fundit e Mehmet Shehut Në shtator 1981, Mehmet Shehu bëri fejesën e djalit të tij, Skënderit, ngjarje kjo, që do të shkaktonte një krizë të re në marrëdhëniet midis Enverit dhe Mehmetit. Për këtë fejesë, ne mësuam nga djali ynë, Iliri, kur u kthyem nga Pogradeci. Ai na tha se atë dhe Teutën i kishin ftuar në shtëpinë e Mehmetit dhe ata kishin shkuar për urim. Iliri na tregoi se djali i Mehmetit qe fejuar me vajzën e një profesori të Universitetit të Tiranës. Të nesërmen, Enveri dhe unë shkuam dhe uruam Mehmetin e Fiqretin, si edhe çiftin e ri. Më pas, dëgjuam se në Tiranë po ziente lajmi i kësaj fejese, se krushqia që kishte bërë familja Shehu ka habitur opinionin publik dhe është bërë objekt muhabeti e diskutimi, në takime në rrugë, në kafene etj. Shumëkush çuditej për këtë krushqi, pasi për këdo ishin të njohura qëndrimet e rrepta të Mehmetit në zhvillimin e luftës së klasave, aktet e tij luftarake kundër pushtuesve të vendit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe, më vonë, kundër armiqve të jashtëm. Kush nuk e njihte sloganin e tij: “Shqipëria në gojë të ujkut”. Prandaj të gjithë pyesnin: “Si është e mundur ta ketë bërë këtë fejesë Mehmet Shehu?!” Këto pyetje bëheshin, ngaqë vajza, nga ana e nënës, i përkiste familjes së Pipajve të Shkodrës, në mesin e së cilës kishte edhe kriminelë të luftës, të burgosur ose të arratisur. Ndër ta ishte edhe Arshi Pipa, i cili nga SHBA, nuk pushoi së përdoruri penën e tij të helmatisur kundër pushtetit popullor dhe socializmit në Shqipëri. Të gjitha këto që dëgjoi, e shqetësuan shumë Enverin. Herë pas here ai bënte pyetjen “Si e bëri këtë Mehmeti?! Si nuk pyeti njeri?!” “As mua nuk më njoftoi drejtpërdrejt. Bëri sikur nuk e dinte rrethin familjar të vajzës dhe nuk më njoftoi. As kur erdhi vetë në Pogradec dhe na takoi, ai nuk na tha gjë, por na foli për një libër që po bënte mbi imperializmin”. Enveri vazhdonte t’i bënte vetes pyetjen: “Pse e bëri këtë fejesë, kur ai kishte qenë për shumë vjet ministër i Brendshëm dhe duhej ta njihte mirë veprimtarinë armiqësore të Arshi Pipës dhe rrethit të tij?”. Ky shqetësim krijohej vetëm dy muaj para Kongresit të 8-të të Partisë, kur Enveri kishte aq probleme, jo vetëm lidhur me përgatitjen e raporteve, që do të paraqiteshin në Kongres, por edhe lidhur me çështjet dhe me vështirësitë që na kishin dalë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Duke menduar se çështja e fejesës duhej sqaruar dhe mbyllur sa më parë, Enveri dha porosi atë natë që Mehmeti të kthehej nga Korça, ku kishte shkuar për Konferencën e Partisë të rrethit, që të bisedonte me të. Të nesërmen, Mehmeti u kthye nga Korça dhe erdhi në takim, në shtëpinë tonë. U takua dhe bisedoi me Enverin tri-katër pasdite me radhë. Qenë takime të gjata dhe unë kam qenë e pranishme në to. Enveri, në fillim, u përpoq shumë ta ndihmonte Mehmetin që t’i thoshte Partisë se çfarë e çoi në këtë vendim, duke i theksuar se akti që ai kishte kryer nuk mund të shpjegohej me sentimentalizmin e një babai. Ai i kërkoi Mehmetit të shpjegonte sesi arriti ta merrte këtë vendim. Në takimin e parë, Mehmeti pranoi, ndonëse me gjysmë zëri, se kishte bërë gabim të madh dhe iku mjaft i mërzitur dhe i shqetësuar. Më pas, ai premtoi se do ta prishë fejesën porsa të kthehej djali nga Stokholmi. Por ai vazhdonte me versionin e tij, duke insistuar se nuk pa tej babait të vajzës, Qazim Turdiut, që ishte pedagog në Universitetin e Tiranës (pavarësisht se edhe ky kishte qenë pranë Ballit Kombëtar – shën. im, N.H.) dhe se vajza e tij, njihej për sjellje të mira. Mehmeti, pas çdo takimi me Enverin, ikte i mërzitur. Një herë, kur po e përcillja, duke zbritur shkallët, ai më tha: “Ja, edhe Ladi po më lë”. E kishte fjalën për djalin e madh, Vladimirin, i cili po meremetonte një apartament, diku afër të ashtuquajturit Bllok, pasi do të largohej nga shtëpia e re dhe e madhe e Mehmetit, vila 30, ngaqë gruaja e Ladit, vajza e gjeneral Shytit, donte që prindërit, të afërmit, shoqet e saj t’i vinin lirisht për vizita dhe jo vetëm me raste festash e ditëlindjesh. Ia thashë këtë Enverit dhe ai, të nesërmen në mëngjes, thirri në zyrën e tij Vladimirin, e uli pranë vetes dhe i foli me butësi. Duke i kërkuar të mos largohej nga shtëpia, i tha: “Ti Ladi, si djali i madh i tij, qëndroi afër dhe ndihmoje, se Mehmeti po kalon çaste të vështira…”. Gjendja e trazuar e Mehmetit u duk edhe në periudhën e përgatitjeve për Kongresin e 8-të të Partisë, ndërkohë që aparati i KQ dhe e gjithë Partia, si dhe institucionet shtetërore dhe shoqërore ishin në një aktivitet intensiv. Raporti kryesor llogaridhënës i Komitetit Qendror, që do të mbahej në Kongres, ishte përfunduar nga Enveri dhe i qe ndarë Byrosë Politike, por raporti tjetër, ai mbi direktivat e planit 5-vjeçar, që do të mbante Mehmet Shehu, u dorëzua me vonesë në aparatin e KQ për anëtarët e Sekretariatit të KQ dhe të Byrosë Politike. Madje, u vu re se ky raport kishte shumë mangësi dhe pasaktësi të karakterit politik, që duheshin ndrequr. Enveri bisedoi me shokët kryesorë që këto plotësime dhe përmirësime të bëheshin nga shokët e Aparatit të KQ, me qëllim që të mos rëndohej edhe më tepër Mehmeti, që sipas tij, nuk ishte në gjendje të mirë shpirtërore. Po ashtu, për të mos e trazuar edhe më tej gjendjen e Mehmetit, Enveri kundërshtoi mendimin, që u dha nga disa shokë, që në Kongres të mos mbahej raport i dytë, që, tradicionalisht, mbahej nga Kryeministri. Ata që e hodhën këtë mendim niseshin nga fakti se politika ekonomike e Partisë dhe direktivat e planit të ri 5-vjeçar dilnin mirë në Raportin e Komitetit Qendror. Por Enver Hoxha, duke e parë më gjerë problemin, konkludoi se një masë e tillë nuk do të pritej mirë nga Mehmeti, do të ndikonte për keq tek ai dhe mund të keqinterpretohej si masë ndëshkimore ndaj tij. Prandaj Enveri vendosi të mos ndryshohej praktika e ndjekur në kongreset e mëparshme, duke u nisur nga qëllimi i mirë që në Kongres të vihej në pah edhe figura e Kryeministrit. Në saje të këtij qëndrimi dashamirës të Enverit, Mehmet Shehu e mbajti raportin, madje, u zgjodh përsëri anëtar i Komitetit Qendror dhe i Byrosë Politike. Po ashtu, edhe Fiqreti u rizgjodh anëtare e KQ. Megjithatë, gjatë punimeve të Kongresit u duk qartë që Mehmeti ndenji shumë i vrarë në fytyrë, si për t’u thënë delegatëve dhe atyre që e ndiqnin në televizor se “me të diçka kishte ngjarë”. Është e njohur që në Kongresin e 8-të të Partisë, as nuk u zu në gojë gabimi i Mehmet Shehut, lidhur me fejesën e të birit, dhe as u bë ndonjë ndryshim në funksionet që ai kishte. Ky ishte një sinjal i qartë se mbledhja e Byrosë Politike, që ishte lënë për t’u zhvilluar pas Kongresit për të diskutuar problemin e tij, nuk bëhej për të marrë masa përjashtimi a dënimi tjetër të rëndë ndaj Mehmetit, por vetëm me qëllimin që ai të korrigjonte gabimin dhe karakterin e tij. Edhe në këtë rast, Enver Hoxha përdori metodën e tij të bashkëbisedimit me shokët. Ai e thirri në takim Mehmet Shehun dhe bisedoi me të, me qëllimin për ta ndihmuar që të kuptonte se gabimi që kishte bërë, nisur nga pozita e tij e lartë, ishte politik dhe i dëmshëm, ndaj duhej ndrequr. Fejesa në vetvete është një ngjarje e zakonshme në çdo familje, por fejesa e djalit të Mehmetit, në fakt, mori përmasa politike. Ajo u bë shkas i një krize të rëndë në marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Me gjithë përpjekjet e Enverit për ta mbyllur mirë këtë çështje, megjithë dashamirësinë dhe qëllimin e mirë që tregoi ai dhe shokë të tjerë ndaj Mehmetit, për ta ndihmuar dhe për ta shpëtuar, kjo krizë që ndodhi në marrëdhëniet e Enverit me Mehmetin, në vitin 1981, pati një përfundim tragjik, krejt ndryshe nga krizat e mëparshme, si ato në vitin 1953 apo në 1974, që, gjithsesi, ishin mbyllur me një përfundim të mirë për Mehmetin. *** Diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike, më 17 dhjetor, në fakt, qenë me kritika të rënda, që këtë herë bëheshin aq haptas dhe nga të gjithë. Ata që e morën fjalën nuk u ndalën vetëm në gabimin e fejesës, por, si asnjëherë tjetër, pa druajtje, i kujtuan Mehmetit edhe gabimet që ai kishte bërë në të kaluarën, i vunë në dukje të metat në punë dhe në keqtrajtimin e kuadrove, në mosrespektimin e punonjësve etj., duke theksuar se të gjitha këto e kanë burimin në karakterin e tij të vrazhdë, në mendjemadhësinë e stimën e lartë që kishte ai për veten e tij etj. Mund të thuhet se anëtarët e Byrosë kishin reflektuar në atë që kishte thënë Enveri në një mbledhje të mëparshme se, është në interes të Partisë dhe të vetë Mehmetit që Byroja Politike dhe Qeveria të punojnë si forume kolektive partie dhe jo si shtab ushtarak. Sipas mendimit tim, kjo porosi flet për shqetësimin që kishte Enveri se ç’mund të ndodhte kur ai vetë nuk do të ishte më. Ai e kishte mirë parasysh se, kur i drejtonte vetë mbledhjet e Byrosë Politike, Partinë dhe, në përgjithësi, punën për zbatimin e vijës dhe të strategjisë së saj, Mehmeti sillej korrekt ndaj shokëve, si në Byro dhe në çdo mbledhje ku ishte prezent Enveri. Po kur ky të mos ishte…?! Është fakt që Enveri dhe të gjithë anëtarët e Byrosë në fund të mbledhjes së 17 dhjetorit propozuan për Mehmetin thjesht një masë disiplinore partie, shënim në kartën e regjistrimit, që, pas pak kohe, mund të shlyhej. Kjo flet për dashamirësinë e treguar gjer në fund nga Enveri ndaj Mehmetit. Këtë e dëshmon edhe ajo që ka shkruar Ramiz Alia në librin e fundit të tij, ku thotë se Enveri, rrugës duke u kthyer në shtëpi, në mbrëmjen e 17 dhjetorit, pas mbylljes së seancës së parë të Mbledhjes së Byrosë, i kishte thënë Ramizit: “Ja, nesër në mëngjes, do të flas dhe unë. Edhe unë jam për masën që propozuat ju të gjithë dhe ta mbyllim me kaq”. Por, pavarësisht nga të gjitha këto përpjekje të Enverit, Mehmeti e mbylli vetë, me aktin ekstrem të vetëvrasjes.

“Një mbështetëse e zjarrtë e “Ballkanit të Hapur” është anëtare e “Komisionit të Rithemelimit të PD” ? A do dali në protestën e thirrur nga Berisha?”

Nga Boiken Abazi Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aksionet protestuese në Shqipëri kundër politikave ekspansioniste të Serbisë në rajon i nisi Lëvizja Vetëvendosje!, më 8 maj 2019, në vizitën e Vuçiçit në Tiranë. Motivet dhe synimet tona ishin të pastra: dëshironim të rrisnim vetëdijen në Shqipëri mbi faktin se Serbia nuk kishte ndryshuar dhe se Shqipëria e Kosova duhet të kishin një politikë të jashtme të përbashkët, veçanërisht përball Serbisë e për të zbrapsur përpjekjet e saj për ekspansion në kurriz të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Kërkuam drejtësi për gjenocidin në Kosovë të kryer nga qeveria ku Vuçiç ka qenë ministër informacioni. Kërkuam kthimin e të pagjeturve, dëmshpërblimet e luftës, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkimfalje nga ana e Serbisë. E shpallëm Vuçiç “non-grata” në Shqipëri dhe kërkuam bashkim kombëtar. Aksionet protestuese me të njëjtat kërkesa i përsëritëm edhe në vizita të tjera të Vuçiçit në Tiranë. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri aktualisht ka mbetur pezull, dhe si duket mund të ketë nevojë të gjenden mënyra të tjera për të mbrojtur të njëjtat kauza. Sali Berisha ka thirrur protestë kundër “Open Balkan”, që zhvillohet nesër gjatë vizitës së Vuçiçit në Tiranë. Është e qartë se kemi të bëjmë me të njëjtin Berishë që e mbështeti “Open Balkan” në shtator të vitit të kaluar në pseudo-marrëveshjen e Washingtonit, kur këtë marrëveshje e çoi përpara Presidenti Trump bashkë me Richard Grenell. Është e qartë se Berisha nuk e hedh poshtë atë pseudo-marrëveshje ku Kosovës iu imponua “Open Balkan”, sepse Richard Grenelli me Evi Kokalarin i kanë premtuar Berishës se do ia anulojnë statusin “non-grata” nëse Trump rikthehet në pushtet. Por ata nuk kanë premtuar se do anulojnë “Open Balkan” nëse Trump rikthehet në pushtet. Është pra e qartë se më shumë sesa kundër Serbisë e për bashkim kombëtar, Berisha këtë protestë po e zhvillon për të mbrojtur veten dhe familjen që i është shpallur “non-grata”, për të rritur legjitimitetin përballë Bashës e Ramës, e për të treguar se opozitën në Shqipëri tashmë de facto e drejton ai. Po mos të ishte kështu, po mos ta kishte hallin te “non-grata” ndaj tij, atëherë tashmë Berisha do duhej të ishte distancuar edhe nga Grenelli dhe enturazhi i tij, si Evi Kokalari, që janë mburrur për marrëveshjen e Washingtonit e për “Open Balkan” – por këtë të fundit e futi madje në minutë të fundit edhe në “Komisionin e Rithemelimit” të PD-së. Duke i patur të gjitha këto të qarta, megjithatë, Vuçiç po vjen nesër në Tiranë bashkë me politikat e tij ekspansioniste, dhe tjetër protestë ndaj tij nuk është thirrur përveç asaj që ka thirrur Sali Berisha kundër binomit “Rama-Vuçiç”. Kështu, shqiptarët mbeten sërish në dilemën e pjesëmarrjes ose jo në një protestë të drejtë të organizuar e drejtuar nga njerëz me motivet e gabuara. Dhe për këtë, fajin e kemi vetë!

Përfundon protesta kundër Vuçiqit në Tiranë: Sali Berisha paralajmëron kryeministrin Rama: Edvin mos guxo…!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me incidentet që ndodhën pasditen e së hënës me flamujt serbë të vendosur në bulevard me rastin e vizitës së presidentit Aleksandar Vuçiç. Në një koment të bërë në një postim të tijin në Facebook, kreu i qeverisë sjell në vëmendje që gjatë vizitës së tij në Beograd kishte flamuj të Shqipërisë në sheshe dhe ata që i dogjën u arrestuan nga policia. Komentuesja i shkruan Ramës se flamuri i krimeve, masakrave e përdhunimeve është ngritur sot në Tiranë. Po ashtu, duke u përgjigjur akuzave të bërë për qëllimet e nismës së “Ballkanit të Hapur, Rama thotë se në Beograd flet shqip dhe se në gjuhën e tij amtare ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Serbia. “Ballkani i Hapur” shton Rama, është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të rajonit, por ka edhe interes strategjik për vendin dhe gjithë kombin shqiptar. “E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia; e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare”, shkruan Rama.

Danimarka do të marrë me qira 300 qeli burgu në Kosovë

Ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup, tha se vendimi është marrë për shkak të gjasave se Danimarka mund të përballet me nevojën për 1 mijë qeli burgu deri në vitin 2025 Danimarka me qëllim për të lehtësuar mbipopullimin në burgjet e saj ka vendosur që të marrë me qira 300 qeli burgu në Kosovë Sipas lajmit në The National News, të burgosurit që do të dëbohen në fund të dënimit do të transferohen në 300 qelitë e marra me qira në Kosovë. Ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup, tha se vendimi është marrë për shkak të gjasave se Danimarka mund të përballet me nevojën për 1 mijë qeli burgu deri në vitin 2025. Duke theksuar se do të lirojnë më shumë vende në burgjet daneze, Haekkerup tha se kanë rënë dakord për nevojën që "të punohet me vendet e treta për marrjen me qira të hapësirave të burgjeve në Kosovë për të dënuarit". Nuk ndahen detaje pse është zgjedhur Kosova Ky veprim, i cili ka për qëllim hapjen e vendeve në burgjet e mbipopulluara, ka ardhur pasi popullsia e të burgosurve është rritur pothuajse në një të pestën që nga viti 2015, duke arritur në mbi 4 mijë në fillim të këtij viti, si dhe pas diskutimeve se kapacitetet në burgje janë mbi 100 për qind. Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje pse është zgjedhur Kosova. Sipas World Prison Brief, qelitë në Kosovë janë mbushur rreth 97 për qind në vitin 2019. Më parë, Norvegjia dhe Belgjika për të pakësuar mbipopullimin morën me qira qeli burgjesh në Holandë.

BioNTech/Pfizer do t'i shesë BE-së edhe 200 milionë doza vaksinë kundër COVID-19

Në njoftimin e bërë nga Pfizer dhe BioNTech, theksohet se BE-ja do të furnizohet edhe me 200 milionë doza vaksinë shtesë Bashkimi Evropian (BE) ka blerë edhe 200 milionë doza vaksinë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nga kompania amerikane farmaceutike Pfizer dhe kompania bioteknologjike gjermane BioNTech, transmeton Anadolu Agency (AA). Në njoftimin e bërë nga Pfizer dhe BioNTech, theksohet se BE-ja do të furnizohet edhe me 200 milionë doza vaksinë shtesë, përfshirë me atë të 450 milionë dozave për të cilët është vendosur të shpërndahen për vitin 2022 me marrëveshjen e mëparshme. Me këtë kompanitë BE-në do ta furnizojnë me mbi 650 milionë doza vaksinë në vitin 2022. Komisioni Evropian, në muajin maj kishte porositur 900 milionë doza vaksinë nga kompanitë BioNTech dhe Pfizer për 2022-2023.

Kosovë, 3 të infektuar nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 3 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 161.265 Ministria e Shëndetësisë e Kosovës në raportin 24 orësh lidhur me rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19), ka bërë të ditur se asnjë person i infektuar me koronavirus nuk ka vdekur, derisa numri i viktima nga ky virus mbetet 2.989, transmeton Anadolu Agency (AA). Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 3 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 161.265. Në 24 orët e fundit në institucionet shëndetësore janë testuar gjithsej 1.443 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 1.352.527 teste. Të dhënat e fundit kanë njoftuar për 4 raste të reja të cilët janë shëruar nga koronavirusi. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 157.965, ndërsa numri i rasteve aktive është 311. Sa i përket procesit të vaksinimit, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 310 doza të vaksinës, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.654.843 doza të vaksinës. Deri më sot 776.881 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

SHBA, shkon në mbi 806 mijë numri i të vdekurve nga COVID-19

Numri i të infektuarve deri më tani, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ka arritur në mbi 50,77 milionë, me 70.354 raste të reja Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 806.302, prej të cilëve 479 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, sipas Universitetit Johns Hopkins, transmeton Anadolu Agency (AA). Numri i të infektuarve deri më tani, sipas të dhënave të universitetit, ka arritur në mbi 50,77 milionë, me 70.354 raste të reja. Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri në SHBA, me mbi 5,2 milionë raste të konfirmuara dhe 75.718 të vdekur. Në SHBA deri më tani mbi 241 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, mbi 203 milionë dozën e dytë dhe mbi 59 milionë kanë marrë tri doza.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...