Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/26

“Vals me vrasësin e Pushkinit”, tregim nga Aleksander Levkovskij

Përktheu nga origjinali Bujar Hudhri

Gruaja ishte shumë e vjetër, pothuaj rreth të nëntëdhjetave. Kurse unë isha fare i ri- nja shtatëmbëdhjetë vjeç. Takimi ynë rastisi në bregun e majtë ranor të Dnjeprit, pikërisht kundruall panoramës së çuditshme kodrinore të bregut të djathtë të Kievit. Ishte një ditë me diell e verës së vitit njëmijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy. Po luaja futboll me miqtë në rërën e plazhit. Qeshnim dhe bërtisnim mesa fuqi kishim. E veshur me një sarafan të gjatë deri në fund të këmbëve ku binin në sy plot lule të mëdha, gruaja e vjetër ishte shtrirë, për t’iu fshehur diellit, aty afër, nën një tendë prej cohe dhe po lexonte një libër. Me shumë gjasë, topi ynë i përdorur, veç kur të futej në këtë tendë të lehtë, e cila mbahej prej ca hunjve të hollë prej druri. Por ne ishim ca rioshë moskokëçarës  dhe kjo nuk na shqetësonte fare. Dhe në fund të fundit, topi vërtet depërtoi në strehën e brishtë të gruas së vjetër! Topi goditi tendën me aq forcë, sa e gjitha ngrehina e lëkundshme u rrëzua në çast, pothuaj duke e varrosur nën vete plakën e mjerë. Më zuri tmerri. Iu afrova me vrap, i hoqa shpejt hunjtë dhe e tërhoqa mënjanë tendën.

-Gjyshe,- i thashë, duke e ndihmuar që të ngrihej në këmbë,- më ndjeni.

-Nuk jam gjyshja juaj, djalosh, – tha ajo me një zë të qetë por dinjitoz, duke shkundur rërën prej sarafanit. -Ju lutem, mos më thërrisni gjyshe. Për komunikim të ndërsjelltë, djalosh, prandaj janë emrat. Më quajnë Ana Nikollajevna Voroncova.

E mbaj mend edhe sot befasimin që pata nga stili i pompoz i saj i të folurit. Askush nga të njohurit apo të afërmit e mi, nuk do të thoshte kurrë kësisoj: ”Për komunikim të ndërsjelltë, djalosh, ekzistojnë emrat…” Grua fort e çuditshme qenkej kjo plakë. Dhe veç kësaj, kishte edhe një emër të famshëm- Voroncova! Si djalë i lexuar, natyrisht, e dija, që ky emër i përkiste dinastisë së njohur të aristokratëve rusë të pararevolucionit. Asnjëherë nuk më kishte zënë veshi një mbiemër të tillë të zgjedhur te njerëzit e thjeshtë.

-Më ndjeni, Ana Nikollajevna.

Ajo vuri buzën në gaz.

-Më dukeni djalë i mbarë,- tha. – si ju quajnë?

-Aleksej. Aljosha.

-Emër i bukur,- më përgëzoi.- Ana Karenina kishte një të dashur, që e quanin, ashtu si ju, Aleksej.- Dhe ngriti librin e shtrirë në rërë: ishte “Ana Karenina”- Dashuria e tyre ishte tragjike – dhe rezultati ishte vdekja e saj. E keni lexuar Tolstoin?

-Patjetër, – thashë dhe shtova krenarisht:- I kam lexuar gjithë klasikët rusë-nga Pushkini deri te Çehovi.

Tundi kokën.

-Shumë kohë para revolucionit, njihesha me mjaft aristokratë rusë, të cilët Tolstoi i ka bërë heroj të romaneve të tij.

…Lexuesi i sotëm, ma merr mendja, e ka të vështirë t’i kuptojë ato ndjenja të përziera që përjetova kur dëgjova këto fjalë. Sepse isha një komsomolas* i vërtetë, që e dija fare mirë se aristokratët rusë ishin armiq të betuar të popullit punonjës; bjellogardistët e përbuzur, tradhtarë të Rusisë. Kurse kjo grua, kjo plakë e brishtë simpatike, duke buzëqeshur, pa iu trembur syri më bën me dije, mua, një djaloshi të panjohur, se i njihte këta  tradhëtarë! Dhe, me shumë gjasa, kishte miqësi me ata, shtypës të popullit të thjeshtë!

Mendimi i parë që më erdhi ishte që ta ndërprisja këtë njohje të papritur, kaq të çuditshme,  mbase, edhe të rrezikshme dhe të kthehesha tek miqtë e mi të futbollit, por një kureshtje e pakapërcyeshme, që s’mund t’i rezistoja, më ngriti lart dhe i pavendosur e pyeta duke e ulur zërin:

-Ana Nikollajevna, Voroncovët, më duket, kanë qenë princër, kështu?

Ajo zuri të qeshë.

-Jo, Aljosha. Babai im, Nikollaj Aleksandroviç, ka qenë kont.

-…Ljoshka!- po më thësnin miqtë. -Ç’po bën atje? Do të luash apo jo?

-Jo!- iu përgjigja me tërsëllëm.

Isha i zënë me ringritjen e strehës së rrënuar të së njohurës sime të re- dhe ç’të një e njohur se,- një konteshë ruse!- dhe as që doja t’ia  dija për miqtë e mi të futbollit.

-Lëreni të qetë,- ia priti një nga miqtë e mi. -E gjeti një shoqëze.

Dhe filluan të gajaseshin.

Gruaja gjithashtu vuri buzën në gaz.

-Jam ca e vjetër për të qenë shoqëze e dikujt,- tha ajo dhe vura re një theks të lehtë të huaj në shqiptimin e saj. -A keni shoqëze, Aljosha? A jeni i dashuruar me të?

Tani e humba fare.

Ana Nikollajevna Voroncova

-Jo, – i thashë.- S’jam veçse shtatëmbëdhjetë vjeç. Dhe, t’ju them të vërtetën, kurrë nuk kam qenë i dashuruar.

-Ju lumtë!,- tha. – Jeni shumë i ri, që të kuptoni se çfarë është dashuria e vërtetë. Ajo mund të jetë e rrezikshme, e çuditshme, e paparishikueshme. Kur kam qenë në moshën tënde, pothuaj rashë në dashuri me një burrë që ishte dyzet e tetë vjeç më i madh se unë. Ka qenë takimi më i tmerrshëm në gjithë jetën time. Lavdi zotit, që zgjati veçse tri orë.

Po e ndieja se kjo grua e vjetër që fliska kaq shumë, prite kur të më rrëfejë ndonjë histori të çuditshme dhe tragjike. Tashmë ishim ulur nën tendën e ringritur dhe po hanim nga një mollë.

-E dini, Ana Nikollajevna, vura re njëfarë theksi të huaj. Ishte frëngjisht?

Ajo buzëqeshi.

-Po, natyrisht. Frëngjishtja për mua është po aq amtare, sa rusishtja… Ai njeri, me të cilin për pak rashë në dashuri, gjithashtu e dalloi theksin tim. Por theksi im ishte tjetër atëherë dhe po tjetër ishte përgjigjja ime. Dhe rrjedhojat e asaj përgjigjeje ishin të tmerrshme!- Ajo heshi disa sekonda, pastaj shtoi:- Kjo ka ndodhur në vitin njëmijë e tetëqind e shtëdhjetë e shtatë, në Paris. Isha shtatëmbëdhjetë vjeçe, ndërsa ai gjashtëdhjetë e pesë.

***

Ja se çfarë më tregoi Ana Nikollajevna Voroncova atë ditë të qetë vere në bregun ranor të Dnjeprit.

-… Ishte shumë i bukur – mbase më i bukuri i burrave që kisha takuar para tij dhe pas tij-shtatlartë, i rregullt, shpatullgjerë, me një  cullufe të paprekur nga thinjat. Nuk e dija moshën e tij, por kishte një pamje disi rinore dhe dukej si një burrë  i moshës së mesme. Dhe qysh në minutën e parë të njohjes sonë kuptova se ishte një njeri shumë i mençur, i kulturuar dhe magjepsës. Ishte prag Krishtlindjesh në Paris. Im atë, konti Nikollaj Aleksandroviç Voroncov ishte në atë kohë ambasador i Rusisë në Francë; dhe s’ishte për t’u habitur që atë e ftonin së bashku me familjen për kremtimin e Krishtlindjeve në godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E mbani mend Aljosha, se si Lev Tolstoj e përshkruan në “Lufta e paqja”, paraqitjen e parë të Natasha Rostovës në ballo, kur ajo ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe- frikërat e saj, emocionet e saj, parandjenjat e saj? Saktësisht, kështu e përfytyroja veten, sapo vura këmbën në parketin e ministrisë, e cila ndodhej në Quai d’Orsay** madhështore. Më ftoi në një vallëzim, pastaj në një të dytë,   një të tretë… Vallëzonim, bisedonim, qeshnim, bënim shaka – dhe çdo minutë po e ndieja që për herë të parë kisha takuar një burrë, që më kishte zgjuar parandjenjën e paqartë, por të mahnitshme të dashurisë!

 Kuptohet, po flisnim frëngjisht. Mësova se e quanin Zhorzh dhe që ishte senator në parlamentin francez. Po pushonim në kolltuk pas një rrotullimi të çmendur valsi, kur më bëri pikërisht këtë pyetje, që më bëtë ju, Aljosha.

-Ana,- tha ai,-keni një theks të çuditshëm. Jeni gjermane?

Unë qesha.

-Hollandeze? Suedeze?- vijoi me pyetje.

-Nuk e gjetët.

-Greke, polake, spanjolle?

-Jo, – i thashë.- Jam ruse.

U kthye prerazi dhe me sytë e shqyer më vështroi me një shprehje të çuditshme- si të përhumbur dhe në të njëjtën kohë të tronditur.- Ruse… mezi u dëgjua mërmërima e tij.

-Me që ra fjala,- thashë, – unë nuk e di mbiemrin tuaj, Zhorzh. Cili jeni ju,  i panjohuri misterioz?

 Heshti paksa, dukej se po bluante mendimet, pastaj, si uli zërin, foli:

-Nuk mund t’jua them mbiemrin tim, Ana.

-Përse?

-Nuk mundem.

-Po përse?- këmbëngula.

Heshti përsëri.

-Mos u përpiq, Ana, -foli qetë.

U grindëm disa minuta. Unë këmbëngulja. Ai refuzonte.

-Ana,-tha, – mos e kërkoni. Nëse unë do t’jua them mbiemrin tim, atëherë ju do të ngriheni sakaq, do ta lini këtë sallë dhe nuk do t’ju shoh më kurrë.

-Jo! Jo!- pothuaj bërtita.

-Po,- tha ai me një buzëqeshje të trishtë  dhe më kapi dorën.

-Më besoni.

-Betohem!- klitha. -Çfarëdo që të ndodhë, do të mbetem mikja juaj përherë.

-Mos u betoni, Ana. Merreni mbrapsht betimin tuaj, ju përgjërohem.

Me këto fjalë, bëri gjysmërrotullimi nga unë dhe mezi dëgjova:

-Unë jam Zhorzh Dantes. Dyzet vjet më parë kam vrarë në duel Pushkinin…

Pastaj u kthye nga unë. I kishte ikur fytyra. Sikur ishte plakur befas; i dallova dy rrathë të zinj poshtë syve; balli i prerë nga rrudhat  e vuajtjes; sytë e mbushur me lot…E vështrova gjithë pabesim dhe tmerr. Vallë ky njeri, i ulur pranë meje, të ishte vrasësi i gjeniut te letërsisë ruse? Ndjeva në çast një sëmbim ne zemër. E pamendueshme! E pamundur! Ky njeri, në përqafimet e të cilit po rrotullohesha në valsin e shkujdesur veçse njëzet minuta më parë, ky burrë magjepsës i kishte ndërprerë pamëshirshëm jetën e legjendarit Aleksandër Pushkin, emrin e të cilit e njeh çdo rus- i ri apo i vjetër, i varfër apo i pasur, fashatar i thjeshtë apo aristokrat i lartë…

E tërhoqa pëllëmbën nga dora e tij dhe u ngrita vrik. Pa thënë gjysmë fjale dola nga salla, u sula teposhë shkallëve, kapërceva shëtitoren e breglumit dhe u mbështeta tek një pemë. Lotët më rridhnin çurk. Gjithë helm e ndieja dorën e tij të djathtë, përreth belit tim kur rrotulloheshim në valsin e shpejtë… Atë dorë që kishte mbajtur pistoletën drejtuar Pushkinit! Pikërisht atë dorë, me të cilin shtiu plumbin që vrau Pushkinin! Përmes velit të lotëve, shihja Pushkinin e plagosur për vdekje, që me vështirësi po ngrihej në brryl dhe përpiqej të qëllonte kundërshtarin…Dhe i shembur dëshpërimisht mbi dëborë pas qitjes së pafat… Dhe i varrosur pas disa ditësh, pa mundur të shkruajë dhe gjysmën e asaj që do të ishte i aftë… Qaja gjithë ngashërim…

Pas disa ditësh mora një letër nga Dantes. A dëshiron ta shohësh, Aljosha? Ejani të hënën tek unë për çaj dhe do t’jua tregoj letrën. Dhe qindra libra të rrallë dhe dhjetra tablo të mrekullueshme…

***

Pas tri ditësh trokita në derën e apartamentit të saj. E hapi një burrë rreth të gjashtëdhjetave.

-Jeni Aljosha?- pyeti.

-Po.

-Ana Nikollajevna ndodhet në spital  në gjendje të rëndë prej pneumonisë. Jam i biri. Ajo m’u lut t’jua jap këtë letër.

Dhe më zgjati një zarf.

Shkova në parkun aty pranë, prej nga dukej panorama e mahnitshme e Dnjeprit. Përballë meje, në anën e kundërt shtrihej bregu ranor, ku tri ditë më parë kisha dëgjuar këtë histori të pabesueshme, që i kishte ndodhur një shtatëmbëdhjetëvjeçareje në Parisin e largët shtatëdhjetë e pesë vjet më parë.

 E hapa zarfin dhe nxora dy letra. Njëra  e verdhëme, pothuaj një fletë e kalbur nga vjetërimi, e mbushur me rreshta të pakuptueshme në frëngjisht. Tjetra, në rusisht, ishte kopjuar me një shkrim të vjetër gjithë dredha. Ishte përkthimi i tekstit frëngjisht.

Lexova:

Paris, 30 dhjetor i vitit 1877

E dashur Ana!

Unë nuk po kërkoj falje, sepse asnjë falje, madje edhe më e sinqerta, nuk mund të fshijë atë krim të tmerrshëm, që unë kam kryer dyzet vjet më parë, kur viktima ime, i shquari Aleksandër Pushkin, ishte tridhjetë e shtatë, kurse unë njëzet e pesë. Dyzet vjet-14.600 ditë dhe net!- unë jetoj me këtë barrë të padurueshme. S’mund t’i numëroj netët, kur më shfaqej-i gjallë apo i vdekur- në ëndrrat e mia. Përgjatë tridhjetë e shtatë vjetëve të jetës së tij ai krijoi një botë të jashtëzakonshme me vjersha, poema, përralla dhe drama. Kompozitorë të shquar kanë shkruar opera sipas veprave të tij. Të kishte jetuar edhe tridhjetë e shtatë vjet, do ta kishte dyfishuar këtë botë madhështore,- por nuk e bëri këtë sepse unë e vrava atë dhe së bashku me të zhduka krijimtarinë e ardhshme. Tani jam gjashtëdhjetë e pesë vjeç dhe plot shëndet. Jam i bindur Ana, që vetë Zoti ma dhuroi këtë jetë të gjatë, që vazhdimisht, nga dita në ditë, të torturohesha me vetëdijen e tmerrshme që unë jam vrasësi gjakftohtë i gjeniut.

Lamtumirë, Ana!

Zhorzh Dantes

P.S. Unë e di se për të mirën e njerëzimit do të kishte qenë e udhës, nëse do të kisha vdekur unë dhe jo ai. Por, vallë, është e mundur që të qendrosh përballë tytës së pistoletës së duelit dhe të presësh vdekjen edhe të mendosh për të mirën e njerëzimit?

Zh. D.

Poshtë nënshkrimit të tij, ishte shtuar po me atë shkrimin e vjetëruar gjithë dredha:

Senatori dhe kalorësi i Legjionit të Urdhërit të Nderit, Zhorzh Dantes, vdiq në vitin 1895, qetësisht, në shtëpinë e tij, i rrethuar nga fëmijët dhe nipërit. Ishte tetëdhjetë e tre vjeç.

***

Kontesha Ana Nikollajevna Voroncova vdiq në korrik të vitit 1952, dhjetë ditë pas takimit tonë. Ishte nëntëdhjetë e dy vjeçe.

Botohet në Kinë libri “Shqipëria në Art” i studiuesit Ferid Hudhri

Libri “Shqipëria në Art”, botim i Shtëpisë Botuese Onufri (Tiranë, 2018) i përkthyer në gjuhën kineze nga Wang Xianya sapo është shpërndarë nëpër libraritë e  Pekinit dhe qyteteve të tjera të Kinës. Është realizuar nga Shtëpia Botuese e Mësimit dhe Studimit të Gjuhëve të Huaja (Foreign Language Teaching and Research Publishing Co.,(FLTRP). I botuar me miratimin e Këshillit Shkencor të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, libri “Shqipëria në Art” u përzgjodh për kolanën me vepra të ndryshme që i përkasin fushës së historisë, kulturës, letërsisë dhe artit, të cilat japin një pamje të përgjithshme të historisë dhe kulturës së Shqipërisë si dhe përfaqësojnë arritjet më të mira të krijimtarisë letrare-artistike të vendit.

Libri në Pekin është botuar me titullin “Shqipëria nëpërmjet artistëve”. Është realizuar me kopertinë speciale, me cilësinë më të lartë të botimeve të këtij lloji. Të gjitha veprat e artit që ilustrojnë librin, janë vendosur në përmasa të ndryshme nga botimi në Tiranë, përshtatur me stilin e formulimit grafik të botuesve kinezë. Ndryshimet në përmasat e tablove, skulpturave, gravurave dhe veprave të tjera (që nga Arti ilir, Ndikimet greko-romake, Diaspora e hershme, Arkitektura, Arti pas bizantin, Arti katolik, Arti islam, Arti popullor, Artistët e huaj, Arti i rilindjes dhe pavarësisë, Arti i realizmit socialist, Artistët e diasporës, Arti në treva të tjera shqiptare, Drejtimet e reja bashkëkohore si dhe në pjesën e dytë e të tretë të librit Shqipëria nëpërmjet artistëve të huaj dhe Shqipëria nëpërmjet artistëve shqiptarë), të cilat në shumë raste janë në përmasa krejt të ndryshme nga botimi në gjuhën shqipe, tregon gjithashtu edhe vlerësimet e botuesve kinezë ndaj disa veprave të veçanta apo ndaj disa artistëve shqiptarë apo autorëve të huaj që kanë trajtuar temën shqiptare.

Libri në gjuhën kineze ka tri parathënie. Krahas asaj të autorit që e përcakton botimin si një enciklopedi e kujtesës figurative për historinë, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare, janë paraqitur edhe parathëniet nga Shtëpia Botuese në Pekin si dhe përkthyesja e librit Wang Xianya. Më poshtë po paraqesim pjesë nga të dy parathëniet e autorëve kinezë, sipas përkthimit të sinologut të njohur Iljaz Spahiu, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë.

“…Shqipëria ndodhet në pjesën perëndimore të gadishullit ballkanik dhe njihet edhe si “Vendi i Shqiponjave”. Duke qenë pasardhës të ilirëve, shqiptarët janë ushqyer me qytetërimin lindor dhe perëndimor, duke  ruajtur në të njëjtën kohë gjuhën dhe kulturën e tij antike. Në tablonë  e larmishme historike e kulturore të tij hasen  epope heroike të kohëve antike   dhe poema romantike të kohëve moderne që i këndojnë frymës kombëtare, por edhe kryevepra letrare të Ismail Kadaresë me vlera të veçanta kombëtare,të cilat kombinojnë me mjeshtëri historinë me imagjinatën krijuese. Ne kemi zgjedhur për përkthim e botim 25 vepra me karakter klasik, huaman e bashkëkohor, të cilat  i përkasin fushës së historisë, kulturës, letërsisë dhe artit, të cilat japin një pamje të përgjithshme të historisë dhe kulturës së Shqipërisë si dhe përfaqësojnë arritjet më të mira të krijimtarisë letrare-artistike të këtij vendi.

Pavarësisht kujdesit dhe impenjimit të specialistëve vendas e të huaj, përzgjedhja e 25 veprave klasike në krijimtarinë e gjerë klasike të  “Vendit të Shqiponjave”, ka qenë një detyrë e vështirë, sikur të  kërkosh guacka në oqean, dhe me siguri nuk kemi arritur të përsosurën. Jemi të bindur se me përpjekjet e përbashkëta të dy palëve, kineze e shqiptare, botimi i serisë së këtyre librave  do të nxisë më tej mirëkuptimin mes dy popujve si dhe do të hapë një faqe të re në shkëmbimet kulturore mes dy vendeve”.

 Shtëpia Botuese e Mësimit dhe Studimit të Gjuhëve të Huaja, Pekin (FOREIGN LANGUAGE TEACHING AND RESEARCH PUBLISHING Co., Ltd. (FLTRP), BEIJING

PARATHËNIE E PËRKTHYESIT

Vitet e fundit, me intensifikimin e shkëmbimeve mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, është rritur dukshëm edhe interesimi i lexuesve kinezë për kulturën dhe artin e këtyre vendeve përfshirë Shqipërinë, me dëshirën  për tu njohur më mire me historinë, zakonet e traditat e tyre. Botimi në Kinë vitet e fundit i disa  veprave letrare të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, çeli një dritare letrare për lexuesit kinezë për të pare “Vendin e Shqiponjave”. Ndërkohë botimi në gjuhën kineze i librit “Shqipëria nëpërmjet Artistëve”,  si vepra e pare në kinezisht për historinë e artit shqiptar, ka ofruar për lexuesit një këndvështrim të veçantë historik me konotacion letrar.

Autori i këtij libri, Ferid Hudhri, prej vitesh është i përkushtuar në studimin e artit shqiptar, duke u renditur në radhët e studiuesve më autoritarë të historisë së artit.  Ka punuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, në Qendrën e Studimit të Arteve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave Albanologjike. Mban titullin Profesor dhe gradën Doktor i shkencave. Për disa vite ka qenë drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve. Është autor i shumë studimeve dhe botimeve për Historinë e Artit Shqiptar. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmime kombëtare.

“Shqipëria nëpërmjet artistëve” është ndër veprat kryesore të Zotit Hudhri. Në vitin 2003 ky libëështë botuar në shqip në Tiranë, ndërsa në vitin 2007 është botuar në anglisht njëkohësisht në Tiranë dhe Londër. Libri në gjuhën kineze është përkthyer sipas botimit të dytë të shqipes (Onufri, Tiranë, 2018). Vlen të theksohet se për këtë  botim autori bëri disa redaktime specifike, duke përfshirë në të edhe punime të artistëve kinezë të viteve 60-70-të të shekullit kaluar, me dëshirën për të qenë kështu edhe më afër lexuesit kinez. Sipas një rendi kronologjik, autori ka përzgjedhur figurat, punimet dhe ngjarjet më kryesore nga fusha e artit vendas dhe të huaj që nga lashtësia deri në ditët tona, duke treguar historinë e Shqipërisë nëpërmjet ilustrimeve artistike. Libri ngjan me një Galeri Arti, në të cilin secili kapitull përbën një pavion më vete, ku lexuesi nëpërmjet secilës nga veprat e ekspozuara ka mundësi të shijojë artin dhe të njohë e vlerësojë historinë.

Me këtë rast, dua të iu përcjellë një përshëndetje të sinqertë  Ambasadës  kineze në Tiranë, Shtëpisë Botuese, Qendrës e Studimeve Albanologjike në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, si dhe kolegëve përkthyes kinez e shqiptarë, pasi falë kujdesit , mbështetjes  e ndihmës së tyre u bë i mundur botimi në kinezisht i librit “Shqipëria nëpërmjet artistëve”.

WANG XIANYA (Emri shqiptar JETA)

Në kopertinën e fundit të këtij libri në gjuhën kineze janë paraqitur tre komente nga Ismail Kadare, Moikom Zeqo dhe Josif Papagjoni për librat e studiuesit Ferid Hudhri. Po i botojmë më poshtë sipas renditjes së Shtëpisë së Botimeve Ndërkombëtare në Pekin:

Libri i Ferid Hudhrit na dëshmon edhe një herë, në mënyrë bindëse, atë komunikim fisnik midis popujve të realizuar përmes pikturës. Pas një pune të gjatë hulumtuese ai na dëshmon se me dhjetëra kanë qenë piktorët që, duke udhëtuar nëpër Shqipëri, kanë marrë me vete, për t’i ringjallur më pas në pëlhurë, ngjyrat dhe fytyrën komplekse të saj e të shqiptarëve. Të tjerë që, për arsye të ndryshme, nuk erdhën dot fizikisht, erdhën me mendjen dhe përfytyrimin e tyre, huajtën kostumet shqiptare nga kolegët, shpejtuan në studion e tyre dhe atje, me ndihmën e atyre ngjyrave të paharrueshme, të saj ç’ka kishin dëgjuar dhe të intuitës që kanë artistët e vërtetë, krijuan tablo me vlerë të pakontestueshme.

ISMAIL KADARE

Libra të tillë vështirë se përsëriten. Duhet një jetë. Dashuri pa fund. Vullnet të paepur. Eksperiencë. Një libër që nderon vendin e tij, historinë e shqiptarëve, kujtesën tonë. Libër që e ka brenda dashurinë për malet, fushat, brigjet dhe detet e dheut mëmë, kështjellat, heronjtë dhe monumentet. Hirin dhe flakën e shpirtit. Libër që të bën krenar…

Prof. Dr. JOSIF PAPAGJONI

Ferid Hudhri i ka kushtuar jetën historisë së artit dhe është historiani më i njohur shqiptar në këtë rrafsh. Meritën e tij më të madhe si historian ai e ka pikërisht në zbulimin e tërë enciklopedisë piktorike të mjeshtërve të mëdhenj të romantizmit europian. Informacioni i tij i kujdesshëm dhe korrekt e bën atë një studiues, gati të vetëm në Shqipëri për këtë epokë.  Këtu spikat më shumë profesionalizmi i Feridit.  Këtu është merita e tij e jetës. 

Dr. MOIKOM ZEQO

Veprat e Ismail Kadaresë në sytë e përkthyesve kinezë

"Në veprat e tyre përshkruajnë karakteristika të vendeve nga vijnë dhe japin mendimin për ndryshimet e gjendjes botërore, dhe këto janë me vlerë për lexuesit kinezë," thotë përkthyesi i njohur kinez Li Yumin duke vlerësuar kështu veprat e Ismail Kadaresë.

Zoti Li Yumin përktheu librin "Kronikë në gur", dhe i ftoi lexuesit e shkrimtarit të njohur shqiptar, të mendojnë vetë për vlerat e romanit.

Sipas këtij këndvështrimi botuesit kineze filluan të fokusohen te veprat e Ismail Kadaresë, dhe deri tani janë botuar gjashtë vepra të përkthyera në gjuhën kineze.

Në këtë mënyrë veprat e Ismail Kadaresë do të shtojnë ngjyrat e larmishme të shkëmbimeve kulturore gjatë 65 viteve të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë.

Personazhi më e rëndësishëm në letërsinë shqiptare patjetër është Ismail Kadare. Megjithatë në Kinë, emri i tij nuk është shumë popullor, por botuesit kinezë janë interesuar pasi ai fitoi çmimin "The Booker" si edhe është kandidat i çmimit Nobel të letërsisë. Vitet e fundit, gjashtë vepra të Kadaresë u botuan në gjuhën kineze: "Prilli i thyer", Gjenerali i ushtrisë së vdekur," "Pallati i ëndrrave", "Darka e gabuar", "Kronikë në gur", dhe "Kush e solli Doruntinën?".

Nga këto gjashtë vepra të Kadaresë, vetëm "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" është përkthyer nga gjuha shqipe. Përkthyesi i kësaj vepre, studiuesi i letërsisë kineze e asaj të huaj i Akademisë Kombëtare të Artit, Zheng Enbo kujton procesin e përkthimit të kësaj vepre.

"Kadareja ka një vlerë shumë të madhe në tërë botën. Shumë vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës. Për shembull, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" është përkthyer deri tani në më shumë se 40 gjuhë të botës. Në vitin 1992 ky roman u botua edhe në gjuhën kineze i përkthyer nga unë. Ai u botua nga shtëpia botuese "Shkrimtari" dhe u ribotua më pas nga shtëpia botuese 'Chongqing'."  

"Ismail Kadarenë e kam njohur qysh në vitet studentore. Unë kam punuar si përkthyes në shtypshkronjën "Mihal Duri" në vitin 1968. Në atë kohë të qarkullimit të kuadrove, Ismail Kadare erdhi në këtë shtypshkronjë dhe kështu u njohëm me njëri-tjetrin. Ai më ndihmoi mjaft për punën time të përkthimit. Si përkthyes i letërsisë shqipe, unë do të vazhdoj të përkthej vepra të tjera të famshme të Ismail Kadaresë, për zhvillimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të bashkëpunimit kulturor midis Kinës dhe Shqipërisë."

Pesë veprat e tjera të Kadaresë janë përkthyer nga frëngjishtja në kinezisht, pasi përkthyesit nga shqipja nuk janë të shumtë. Megjithatë përkthimi nga gjuha shqipe mund të shfaqë më mirë stilin e shkrimtarëve dhe mrekullinë e gjuhës. Por vështirësia e botimit dhe të ardhurat e ulëta shkaktojnë mungesën e përkthyesve të gjuhës shqipe. Lidhur me këtë situatë, specialisti i letërsisë së Europës Lindore, zv-kryeredaktori i revistës "Letërsia Botërore", njëherësh përkthyesi i veprës "Pallati i Ëndrrave" Gao Xing thotë:

"Përkthimi i letërsisë duhet të inkurajohet nga dy palët, nga një anë është inkurajimi shpirtëror, tjetra është inkurajimi material. Kam vërë re se tani vendi ynë po shton investimet në fushën kulturore. Vitin e kaluar u publikua një plan i madh për të nxitur zhvillimin e kulturës, prandaj unë mbaj qëndrim pozitiv. Përveç kësaj ne duhet të nxitim kultivimin e përkthyesve të rinj me potenciale të mëdha. Besoj se përkthimi i letërsisë do të respektohet më shumë në Kinë."

Për sa i përket Kadaresë dhe veprave të tij, Z. Gao tha se, Kadare është një shkrimtar kompleks. Kur Shqipëria ishte një vend socialist, ai shkroi shumë poemë, ku lavdëronte liderin e Partisë Komuniste të Shqipërisë Enver Hoxha, ndërkohë ai shkroi shumë romane, ku kritikohet sistemi arbitrar. Romanët e tij janë delikatë, të shkëlqyer. Nga shprehjet artistike, veprat e tij tregon stilin e thjeshtë, të përqendruar. Veprat e tij vlerësojnë ngjarjet kryesore, ndërkohë fokusohen tek detajet.

"Darka e gabuar" është sjellë në kinezisht nga përkthyesi i njohur Yu Zhongxian. Ai thotë se Kadare nuk është vetëm shkrimtar i njohur shqiptar, por një figurë e rëndësishme e letërsisë botërore. Tregimi i veprës "Darka e gabuar" është i ndërlikuar, tregon stilin e tij konsekuent, ndërkohë ndërthur kulturën e historinë e Shqipërisë. Z. Yu mendon se pjesëmarrja e tij për përkthimin e kolanës së librave "Europa Lindore e Kaltër" është shumë kuptimplotë.

"Në Europën Qendrore dhe Lindore ka shumë vende dhe shumë gjuhë, e për një kohë të gjatë ato ishin në konflikt politik midis Lindjes dhe Perëndimit. Prandaj çdo vend ka karakteristikat e veta. Lexuesit kinezë mund të njihen me letërsinë e këtyre vendeve, kjo është mënyrë për të kuptuar larminë e kulturës."

Përkthyesi i njohur, pedagogu i Universitetit Normal të Pekinit Li Yumin, është një tjetër përkthyes i veprës së Kadaresë, Ai ka përkthyer librin "Kronikë në gur".

"Jam shumë i kënaqur të marr pjesë në përkthimin e kësaj kolane. Brezi ynë ndjen dashuri të thellë për vendet europiane qendrore dhe lindore. Veprat e tyre duket të njihen nga afër. "Europa Lindore e Kaltër" mbledh vepra të shkrimtarëve të njohur. Këta shkrimtarë janë mjeshtër, që në veprat e tyre përshkruajnë karakteristika të vendeve të tyre, japin mendimin për ndryshimet e gjendjes botërore, dhe kjo është me vlerë për lexuesit kinezë."

Dashuria për përshkimin i ka bashkuar këta përkthyes rreth veprave të Karadesë. Ata dëshirojnë të transmetojnë shpirtin e kulturës shqiptare dhe të japin kontributin e tyre për shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë.

Në faqen tonë në Facebook, kemi filluar aktivitetin "I prezantoj mikut kinez një libër të Kadaresë". Na gjeni në Facebook në Radio Ejani dhe merrni pjesë në këtë aktivitet. Keni rastin të fitoni edhe dhurata. Presim pjesëmarrjen tuaj.

Botohet romani “Ëndërr në pallatin e kuq”, vepra më klasike në Kinë vjen në gjuhën shqipe. Ymeri: Është gurthemel i letërsisë kineze

“Ëndërr në pallatin e kuq”, një prej veprave më të njohura të letërsisë klasike kinezë ka ardhur tashmë në shqip, duke zbuluar një autor të madh të një letërsie ndryshe dhe të një kulture larg prej perëndimit.

Botuesi Petrit Ymeri tha se kjo vepër është e përkthyer në mbi 30 gjuhë në Europë e më gjerë. “Është një nga ato vepra që edhe vetë specialistët e letërsisë në Kinë e cilësojnë si një nga gurthemelet e letërsisë klasike kineze”, tha Ymeri.

Pedagogia Lili Sula tha se “Ëndrrat në pallatin e kuq”, përqendrohet në jetën e një familjeje të madhe dhe të pasur në Pekin të ndarë në dy degë.

“Pallati perandorak me bukuritë e tij mahnitëse, traditat ceremoniale, tempujt budistë, murgjit taoistë, gjykatat e shumta dhe me peshën e rëndë të kryeqytetit zyrtar administrativ, janë disa prej stacioneve letrare të këtij rrëfimi”, u shpreh Sula.

“’Ëndrra në pallatin e kuq’ është një nga veprat më të njohura kineze. Një ndër veprat më të famshme dhe më me ndikim të letërsisë klasike dhe romani im më i preferuar klasik”, deklaroi ambasadori kinez.

Veprat janë përkthyer nga Diana Çuli dhe Venera Domi.

25 vepra në shqip nga letërsia kineze

 Projekti për të përkthyer më shumë letërsi dhe autorë të rëndësishëm nga Republika Popullore e Kinës në gjuhën shqipe dhe po ashtu autorë dhe tituj nga letërsia shqipe në gjuhën kineze, tashmë po bëhet realitet

U nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për përkthimin dhe botimin e letërsisë, midis zëvendësministrit Song Mingchang dhe Petrit Ymerit, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Në këtë marrëveshje parashikohet që brenda 5 vjetëve të përkthehen dhe të botohen jo më pak se 50 tituj (25 për secilën gjuhë) nga autorë të njohur dhe vepra të shquara të letërsisë së dy vendeve.
Kjo falë një bashkëpunimi midis Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe Administratës Shtetërore të Shtypit, Botimit, Radios, Filmit dhe Televizionit të Republikës Popullore të Kinës (State Administration of Press, Publication, Radio, Film and Television of the People’s Republic of China).
Për këtë, të dyja palët kanë ngritur grupe specialistësh për përzgjedhjen e titujve dhe autorëve dhe shumë shpejt do të fillojë puna konkrete për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Të hënën paradite u zhvillua takimi i parë zyrtar midis Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe Administratës Shtetërore të Shtypit, Botimit, Radios, Filmit dhe Televizionit të Republikës Popullore të Kinës, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Republikës së Kinës në Shqipëri, znj. Jiang Yu dhe një grup specialistësh kinezë dhe shqiptarë.

Pse u dënua Gjergj Fishta?

Si dhe pse u dënua At Gjergj Fishta në konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949? Një dosje e këtij viti ruajtur në AQSh me materiale mbi përgatitjen e kësaj konference përmbledh një mori dokumentesh ku dëshmohet se si po zyrtarizohej nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.

Ndër tezat që po përgatiteshin të diskutoheshin në Konferencën e III-të të Lidhjes parashtrohet dhe kjo analizë mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, pa autor në fund, ku argumentohet paragraf pas paragrafi se pse ky autor duhej zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe dhe cila ishte fryma “armiqësore” në veprat e tij.

“Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin…”

Kështu shkruhet në një paragraf të kësaj analize, duke përfunduar pak më poshtë me një varg konkluzionesh mbi pikat, se ku dhe pse duhej dënuar ky autor që nuk i shkonte për shtat regjimit të ri komunist që po instalohej në Shqipëri.

Pjesë nga tezat e Konferencës së Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve

Mrizi i Zanave

– Fishta vijën e tij politike, përmbajtjen poetike, nuk e ndryshon as në vjershat e tij lirike, dhe as që mund ta ndryshonte. Edhe këtu ai u ngre himne feudalizmit dhe imperializmit; edhe këtu ai vjell vrer kundër popujve fqinj, sidomos kundër sllavëve; edhe këtu ai do t’i ngrejë himne “Mbretit”.

Lirikat e Mrizit të Zanave janë në përgjithësi një jehonë e “Lahutës”. Gjenden këtu edhe disa lirika me subjekt jo politik, si “Burrnija”, “Dita e Gjyqit”, “Nji lule vjeshtet”. Në subjekte të tilla Fishta zakonisht bie në retorikë, në reklamacion, në reminishenca dhe imitacione të thata.

Fishta ndjen dhe këndon vetëm ashtu siç është edukuar; ndjen e këndon gjëra të klasës dhe të klikave që e kanë rritur, që e kanë mësuar dhe e kanë madhëruar me dekoratat e titujt “Poet Kombëtar”, “Akademik” etj. si poet lirik Fishtën përgjithësisht nuk e kishte pranuar as kritika zyrtare e së shkuarës; kjo do të thotë se lirika e tij klasës sunduese nuk i kishte sjellë shërbime aq të mëdha siç kishte bërë “Lahuta”.

Aq më pak prandaj do ta pranojmë ne sot Fishtën si poet lirik, kurse lirizmi i tij ose është një jehonë helmuese e “Lahutës”, ose është retorik dhe imitacion i thatë i poetëve të huaj.

Këtë mund ta shohim qartë në lirikën e tij “Nji lule vjeshte” ku Fishta ka imituar njëkohësisht Leopardin, Horacin, Manzonin, Montin dhe Foscolo. Bile në disa vargje ai edhe i ka përkthyer fjalë për fjalë këta poetë. Gjithashtu në lirikat “Burrnija” dhe “Dita e Gjygjit” ai me një retorikë bombastike është përpjekur të imitojë madhështinë universale të koncepteve artistike të Michel Angelo-s, por krijimi personal i tij nuk shihet në to.
Anzat e parnasit dhe Gomari i babatasit

– Në këto dy vepra përmblidhet satira e Fishtës. Është thënë shumë herë, e ndonjëherë edhe në kohën tonë revolucionare, se Fishta si poet satirik është një poet me vlerë dhe si i tillë do të mbetet.

Kjo ide është shumë e gabuar. Në Fishtën ka kontradikta, këtë askush nuk e mohon as që mund ta mohojë, sepse vetë vija politika që ai ndjek në zgjedhjen e temave dhe në trajtimin e tyre, është plot me kontradikta.

Ajo është vija politike e imperializmit dhe e klasave sunduese në procesin historik të vendit tonë. Dhe dialektika ne na mëson se imperializmi dhe klasat sunduese jetojnë si parazitë mbi kontradiktat. Kontradiktat zhduken në sistemin shoqëror ekonomik dhe politik veç me zhdukjen e klasave, e për konsekuencë edhe në art vetëm atëherë do të mund të zhduken këto kontradikta.

Mbi sistemin e kontradiktave më të çuditshme ishte rritur, rronte dhe këndonte Fishta. Është një çudi pra në qoftë se e shohim Fishtën në disa momente të ngrihet dhe të satirizojë Turqinë, Italinë, Anglinë ose ndonjë tjetër shtet imperialist. Ai këto shtete të tjera herë edhe i ka lëvduar. Kështu ai vepronte sipas momentit, sipas situatës politike, sipas interesave të klasës sunduese për të cilën këndonte. Kështu p.sh. të mos çuditemi aspak kur Fishta në poemën heroike-komike “Palok Cuca” vërsulet kundër Italisë dhe shtëpisë Savoia, sepse po ai Fishtë shtëpisë Savoia më 1940 do t’i urojë fitore glorioze në telegramin që i drejton Viktor Emanuelit me rastin e 40-vjetorit të mbretërimit të tij.

Asnjë çudi në qoftë se shohim Fishtën të ngrihet dhe të kritikojë qeverinë e Tiranës në “Gomarin e Babatasit”. Ai këtë bënte në një moment kur Zogu dhe klika e tij po mendoheshin dhe s’po vendosnin dot se cilit imperializëm t’i shiteshin, kurse një klikë tjetër tradhtare, ku bënte pjesë edhe Fishta kishte vendosur që Shqipëria t’i shitej Italisë dhe donte që hapi i parë të fillonte pikërisht aty ku është baza e independencës së një shteti të pavarur, d.m.th. në ekonomi. Ja se ç’thotë Fishta në “Gomarin e Babatasit”:

“Vall, traktatit të tregtis
N’mjest’Shqypnis – edhé Italis,
Qi tash ma se nji motmot
Kjé ba gati, pse dér m’sot
Qeverija s’i vu’ dorë,
Por la fushë edhé malcorë
Me u tha ujet t’ngatët e shpija,
Ke s’u ban pare baktija?…”
(Gomari i Babatasit…, f. 45)
Natyrisht për realizimin e politikës së shitjes së vendit te të huajt duhej vajtur edhe më tutje, duheshin sjellë të huaj që në fillim të ekzistencës së shtetit të ri për t’u futur kudo në administratë, për t’i përgatitur terrenin okupacionit. Ja këshillën që i jep Fishta shtetit të ri shqiptar me satirën tij:
“Për me siellë punët t’ona mbarë,
Ktu duen siellë njerz dijetarë
Prej Europet: profesorë
Edhe eksperta: e ktyne n’dorë
Me jau lshue administratën…”
(Gomari i Babatasit…, f. 55)
Klasës sunduese dhe klikave tradhtare, poeti i të cilave është Fishta, pas Luftës së Parë Botërore kishte mbetur vetëm një padron me të cilin punët u ujdisnin mirë: Italia imperialiste.

Dhe Zogu, përfaqësuesi i kësaj tradhtie të re, nga më të mëdhatë e më të poshtrat që u bënë ndonjëherë në kurriz të popullit shqiptar, ia mbaroi Fishtës që të dyja këto amanete: i dha koncesione ekonomike Italisë, dhe aparatin e shtetit e mbushi me të ashtuquajturit këshilltarë italianë të cilët në bashkëpunim me agjentë të brendshëm si Fishta me shokë i përgatiti popullit shqiptar ditën e zezë të 7 prillit 1939. Pasi Zogu i bëri këto Fishta s’e kritikoi më as atë as xhelatët e tij; për më tepër bile u bë mik i ngushtë i tij, shkroi artikuj lavdërimi për monarkinë e tij, dhe në pallatin e tij hyri e doli si në shtëpinë e vet.

Ja ku qëndron e ashtuquajtura vlerë e kritikës politike që bën satira e Fishtës: kritiko sot atë që s’të vete pas interesit për t’u bërë mik i ngushtë nesër me të në rast se interesat bashkohen. Ja morali, ja parimet mbi të cilat mbështetet edhe satira e Fishtës.

Do të ishte gabim i madh sikur ndokush të donte të pranojë satirën e Fishtës sot si një gjë pozitive: ata që duan të bëjnë një gjë të tillë Fishtën ose nuk e kanë studiuar thellë dhe flasin kështu sipërfaqësisht mbi të, ose e bëjnë këtë gjë me qëllim për t’i lënë kështu Fishtës edhe sot ndonjë qoshe të lirë në literaturën tonë.

Fishta ka qenë konsekuent kudo e kurdoherë në prodhimin e tij letrar me vijën politike e ideologjike që ka ndjekur klasa sunduese e vendit tonë për të cilën ai ka kënduar. Përmbajtja e veprave të tij që nga pjesa e parë e “Lahutës” që u botua më 1905 e gjer në fund të jetës së tij përfaqëson aktivitetin tradhtar të politikës së kësaj klase, me të gjitha lodrat, kapërcimet dhe zigzaget e saj.

Satira shoqërore e Fishtës merret me vese bujarësh të rënë nga gjendja, me vese grash e të tjera punë boshe, dhe është trajtuar në mënyrë që s’lë ndonjë gjurmë kritike konstruktive për shoqërinë.
Arti, stili dhe gjuha
– Natyrisht arti i Fishtës është lidhur ngushtësisht me përmbajtjen e veprave të tij. Prozopopeja, hiperbola, metafora dhe deklamacioni i fjalëve bombastike të shurdhojnë veshët në gjithë poezinë e tij. Natyrisht ai detyrohet të veprojë kështu, pse nën këto ai do të mbulojë figurat e tij jo reale, situacionet fantastike të ngjarjeve, shproporcionet e heronjve të tij antihistorikë. Fishta nuk mund të ishte i natyrshëm, realist në artin e tij. as lënda që ai trajtonte, as shkolla ideologjike dhe estetike ku ai kishte mësuar s’ia lejonin një gjë të tillë.

Lënda që ai trajtonte është një gënjeshtër e madhe. Me këtë ai do t’ua arrijë qëllimeve që janë në kundërshtim me të vërtetën, dhe prandaj arti dhe stili i tij detyrohen të bëjnë përpjekje për të gjetur ekspresionin e tyre jashtë natyrës: Kështu patjetër arti i tij në përshtatje të plotë me përmbajtjen, karshi realitetit të gjërave dhe të historisë njerëzore, ta sublimojë në trajta mbinjerëzore, bie në komicitet; karshi armikut që ai kërkon ta gjejë atje ku s’ekziston, dhe ta luftojë me fanatizëm prej kleriku inkuizitor, bie në monstruozitet. E tërë “Lahuta” e tij është ekzekutuar me një art dhe me një stil të tillë.

Dhe kjo për Fishtën kishte konsekuencë: bazat e artit, ideologjia, ndjenja dhe fantazia e tij ishin edukuar dhe ushqyer shtrembër në gjithë jetën e tij; domosdo shtrembër do të dilte edhe veshja e tyre artistike dhe stilistike. Nuk mund të këndohet realisht e natyrshëm falsiteti dhe e çnatyrshmja, nuk mund të këndohet bukur e keqja dhe monstruoziteti.

Metrika që ai përdor zakonisht është e thjeshtë: e tërë “Lahuta” e tij është shkruar me 8-rrokëshe që i kanë aksentët tonike mbi rrokjen e tretë dhe të shtatë. Në lirikat e në satirën e tij ai ka përdorur edhe vargje të tjera që nga 3-rrokëshi e gjer te 11-rrokëshi. Përgjithësisht metrikën ai e njeh mirë, por gjuha e rëndë që përdor e bën të zorshëm leximin dhe skandimin e vargut të tij. Stili i prozës së tij është i rëndë dhe i ngatërruar, sepse periudha e tij kërkon të ndjekë modelin e periudhës klasike latine dhe italiane, pa marrë parasysh natyrën e thjeshtë të gjuhës sonë.

Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin. Edhe me anë të gjuhës Fishta bën lodrën e klasës sunduese dhe të armiqve të jashtëm të vendit tonë: hap hendekun e përçarjes edhe më tej se ç’e kishte hapur vetë koha e okupacionit turk.

d) KONKLUZION. – Fishta që e filloi karrierën e tij politike me kompromis karshi okupatorit otoman me himne lavdie dhe dashurie karshi imperialistëve të rinj që po i kërcënoheshin vendit tonë me urrejtje egërsie karshi popujve fqinj, me sublimin të feudalizmit e të patriarkalizmit, me mospërfillje për popullin që shtypej nën një mijë mjerime, Fishta qe ai që realizoi në literaturë të tërë vijën e reaksionit më të tërbuar të vendit tonë. Për këtë meritë, klasat sunduese që morën në dorë sundimin ekonomik dhe politik pas çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha otomane, Fishtën e pagëzuan “Poet Kombëtar”. Për këtë meritë të tijën padronët e tij, perandorët, mbretërit dhe papët i dhanë dekorata e tituj akademikë.

Për këtë edhe kritika zyrtare e servilizmit dhe e konformizmit letrar të kohës së Zogut “Poetin Kombëtar” të njëmijë flamurëve e rrethoi me aureola, me thimjane e dafina, dhe veprën e tij të shëmtuar e quajti “epokë letrare”. Klasa sunduese dhe imperialistët e ndryshëm kishin të drejtë ta shpërblenin Fishtën, sepse ai këndoi për të gjithë jetën e tij, vu në dispozicion të tyre të gjithë energjinë e tij artistike dhe kulturore, zhvilloi për to një aktivitet të dendur politik.

Vepra e tij mbetet një dokument tradhtie të pashembullt në literaturën tonë: tradhti karshi independencës së vendit dhe lirisë së popullit. Mbetet një dokument elokuent për egërsinë e mizorinë e mjeteve me të cilat klasat sunduese kanë zakon të realizojnë shtypjen e shfrytëzimin e popujve. Mbetet një dokument barbarie e kanibalizmi, karakteristikë e klerikëve inkuizitorë të Mesjetës.

11:28
29 dhjetor

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...