Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/26

Prof. Dr. Klara Kodra: Kadareja dhe romani modern shqiptar

 

 


Kadareja, ky përfaqësues i shquar i avangardës së viteve 60-të, ka meritën e madhe ta ketë rinovuar i pari romanin shqiptar, duke vënë në jetë synimin që s’u realizua dot nga Migjeni, Koliqi, Kuteli që u ndalën në lloje më të vogla.

Lloji i romanit, tepër i vonuar në krahasim me romanin evropian (u shfaq vetëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kohë kur ky lloj do të arrinte kulmin e zhvillimit).

Ky lloj më vonë do t’i digjte furishëm etapat për ta rifituar kohën e humbur.

Romani shqiptar nuk e njohu as realizmin e Rinashimentos, as të ashtuquajturin “realizëm iluminist”, do ta njihte vetëm sentimentalizmin si pararomantizëm dhe për një kohë të gjatë s’do të çlirohej nga shpërgënjtë e patetizmit dhe skematizmit të tij.

Romanet e para të njohura, ato të Nikajt i përkisnin sentimentalizmit dhe dalloheshin për një “vizion të botës” bardhë e zi. Niveli i tyre qe ai i “romanit të masës”.

Arbëreshi Santori, në fakt edhe para Nikajt, kishte arritur t’i çonte romanet e veta në romantizëm dhe realizëm, madje në to shfaqeshin embrione vlerash estetike, disa personazhe të realizuar, disa tablo të gjalla, po për fat të keq këto romane nuk i arritën dot as lexuesit arbëresh dhe aq më pak lexuesit shqiptarë.

Në vitet 30 romani shqiptar pati disa arritje sasiore, madje në të u shfaqën elementët e para të realizmit kritik dhe, për çudi, edhe të modernizmit në romanet “Pse?” dhe “Afërdita” të Sterjo Spasses dhe te “Sikur t’isha djalë” i Haki Stërmillit. Po ato mbetën romane eksperimentale, forma e të cilëve nuk ishte në lartësinë e risive që synonin të arrinin autorët.

Talentet më të fuqishëm të kësaj etape iu kushtuan kryesisht llojeve më të vogla, tregimit, novelës ku patën arritje të ndjeshme.

Po të lihej në rrugën e vet të natyrshme romani shqiptar do të ecte drejt realizmit kritik, duke arritur mbase bashkëkohësit evropianë, ata që u quajtën “realistë të viteve 30-të”, mbase edhe drejt modernizimit që po fillonte të jepte frytet e para në romanin evropian.

Po kjo rrugë iu ndërpre në mënyrë brutale në kohën e pasluftës. Romanit iu imponua nga burime jashtëletrare një djegie etapash, një model që s’ishte, as realist, as modernist, modeli i një drejtimi që pretendonte se qëndronte më lart se realizmi dhe romantizmi, duke i shkrirë ato, realizmi socialist, një model që po ndiqej në Rusi dhe në disa vende ballkanike.

Në të vërtetë ishte fjala për një klasicizëm të një lloji të ri, më i ngurtë se klasicizmi historik, me një program krijues të formuluar jo nga shkrimtarë, po nga ideologë, me rregulla në thelb jashtëletrare. Ky drejtim letrar artificial do ta mbërthente romanin e ri shqiptar ende të paformuar plotësisht në rregulla të ngurta që rrezikonin t’ia merrnin frymën.

Ishin vitet 50-të kur determinizmi sociologjik do ta shtërngonte këtë roman në përqafimin e vet të hekurt që kishte rrezik t’i jepte në vend të një jete të re, vdekjen.

Do të lindnin romane racionale që pretendonin për historizëm apo karakter aktual si “Çlirimtarët” e Shuteriqit, “Përmbysja”, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Një vjeshtë me stuhi” e Ali Abdihoxhës etj., fëmijë “të lindur të vdekur” apo fëmijë rakitikë që mezi mbaheshin në këmbë.

Motivimi sociologjik, i trashëguar nga realizmi kritik, një lloj që ende s’kishte arritur të afirmohej në letërsinë shqiptare, mbizotëronte në romanet e kësaj kohe, duke u mbështetur në patericat e të ashtuquajturave “rregulla të reja”, të frymës revolucionare, të heroit pozitiv, të orientimit drejt romantikës së një të ardhmeje ideale dhe faktikisht të pamundur.

Talentet e dobëta u shtrinë me kënaqësi në këtë “shtrat Prokusti” që u jepte mundësinë të gjallonin, talentet në shpërthim e sipër po asfiksoheshin.

Erdhën vitet 60-të. Erdhi një talent i ri, vital dhje i fuqishëm që do t’i brente nga brenda rregullat asfiksuese. Ai pranoi në dukje të fshihej nën pelerinën e drejtimit letrar të ngurtë që mbizotëronte.

Po që në romanin e parë shkrimtari do të kryente një mrekulli, do t’i falte a më mirë do t’i rikthente llojit të romanit atë tipar që romani evropian e kishte fituar prej disa shekujve qysh me Servantesin, siç do të pohonte me mprehtësi Kundera në “Artin e romanit”, relativizmin, ambivalencën, pranimin e disa të vërtetave relative, në vend të një të vërtete absolute.

Romani i “realizmit socialist” që pretendonte se zotëronte përgjigjet e të gjitha pyetjeve nuk mund ta pranonte një dukuri të tillë, po Kadareja me largpamësinë e një talenti të madh, e pranoi.

Po lindte një lloj romani që do të karakterizohej nga “kodi i dyfishtë”, një lloj romani që nuk vinte në qendër “heroin pozitiv” artificial, po një antihero, një personazh me thelb negativ apo kompleks.

Motivimi sociologjik po plotësohej apo spostohej nga motivimi psikologjik, personazhet fillonin të shiheshin në një optikë, tashmë jo aq sociale sa ekzistenciale.

Kjo do të ndodhte qysh në romanin e parë të Kadaresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.

Do të pasonin “Kështjella”, “Kronikë në gur”, kryevepra estetike të letërsisë shqiptare dhe njëkohësisht perla të krijimtarisë së Kadaresë që vetëm formalisht i përkisnin drejtimit zyrtar të “realizmit socialist”, po në të vërtetë ndërthurnin një lloj të ri realizmi me modernizmin.

Këto vepra shfaqin një “vizion të jetës”, dramatik në caqet e tragjizmit, ato çmitizonin të ashtuquajturën përmasë “heroike” të fituar nga jeta nën diktaturën komuniste, i bënin vend gjithnjë e më tepër nënvetëdijes, pasqyronin krizën e individit dhe të vlerave në shekullin e njëzetë, tashmë jo në kushtet e shoqërisë borgjeze si Kafka dhe Musili, po në kushtet e një diktature totalitare të majtë që nuk mbetej pas nga diktaturat e djathta.

Këto romane, pra, jepnin një mesazh çmitizues, një mesazh mohimi të realitetit socialo-politik që jepej përmes “gjuhës së Ezopit” dhe pohonte si të vetmet vlera të mundshme disa vlera pannjerëzore si dashuria erotike dhe dhëmshuria njerëzore. Këto vepra ishin gjithashtu novatore nga ana e formës meqenëse në to mbizotëronin risi si sinteza, simbolet e fuqishme, rryma e brendshme e lirizmit e trashëguar nga poezia, relativizimi i kohës i shprehur përmes retrospektivës, monologu i brendshëm që luan rol të veçantë, dramatizmi i dialogëve që afron romanin me dramaturgjinë.

Gjithnjë e më tepër në këto romane që e çorodisnin kritikën zyrtare dhe linin të mahnitur deri në ekstazë publikun e lexuesve, sidomos atë të të rinjve, disidenca estetike shndërrohej në disidencë ideologjike.

Kjo disidencë do të arrinte kulmin te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit” ku Perandoria Osmane dhe Kina simbolizojnë në fakt diktaturën shqiptare, shtypjen dhe përgjimin policor oruellian të individit dhe varfërimin gjithnjë e më të madh shpirtëror të tij.

S’mund të pranojmë tezën e atyre studiuesve të cilët edhe sot pretendojnë t’i vendosin këto romane në kornizën e “realizmit socialist”. Rregullat formale të drejtimit, të brejtura gjithnjë e më tepër nga brenda po shndërroheshin përherë e më tepër në një guackë bosh.

Pamë që shkrimtari do t’i mohonte ato që në fillim duke mohuar heroin pozitiv dhe frymën artificialisht heroike. “Gjuha e Ezopit” do ta ndihmonte shkrimtarin gjithnjë e më tepër për t’i komunikuar lexuesit mesazhin e tij të fshehtë.

Edhe në romane që ngjanin si lartësim i “realitetit socialist” si “Dimri i madh” depërtonte fshikullimi i plagëve kryesore të diktaturës si “lufta midis të aftëve dhe të paaftëve” ku të paaftët dilnin fitues, atmosfera e padukshme e frikës, ndërhyrja brutale e partisë në jetën e individit, shkëputja gjithnjë më e madhe e udhëheqësit diktator nga populli.

Romanet e Kadaresë të shkruara në kohën e diktaturës, ndonëse të mbështjella me pelerinën e “realizmit socialist” janë në fakt vepra që ndërthurin realizmin me modernizmin.

Këto romane dallohen për një respekt tepër të veçantë për lexuesin të cilit ia lenë lirinë e interpretimit, deshifrimin e “kodit të dyfishtë”, presin prej tij që të depërtojë në labirintin e formës tepër të lartë, elitare.

Është e vërtetë që ky elitarizëm në disa raste bëhet shkak që në labirintin e kësaj forme kritikët/lexues të humbasin rrugën, duke mos e gjetur dot “fillin e Arianës”.

Më vonë Kadareja do të kalonte nga modernizmi në pasmodernizëm në etapën që njohu krijimtaria e tij pas viteve 90-të, etapë në të cilën do të shtohej ironia çmitizuese, pesimizmi në “vizionin e jetës” dhe “kodi i dyfishtë” do të ndërlikohej edhe më. Kjo etapë nuk do të jepte gjithnjë kryevepra, megjithatë në të mund të dallojmë vepra të realizuara, në vazhdimësi me etapën e parë si “Donfermani”, “Piramida”, “Pasardhësi” dhe dy romanet që shkrimtari i kushtoi vendlindjes së vet “Çështje të marrëzisë” dhe “Darka e gabuar”.

Në rinovimin e romanit, Kadareja do të ndiqte një rrugë të vetën, të ndryshme nga ajo që do të ndiqte bashkëkohësi i tij Jakov Xoxa që edhe ai, nën pelerinën e konsumuar të “realizmit socialist” do të fshihte një realizëm kritik të një lloji të ri dhe do t’i drejtohej “sagës familjare”, karaktereve të personazheve që dallohen për pasuri e shumëllojshmëri duke i pasur rrënjët në psikologjinë popullore.

Shkrimtari ndoqi atë rrugë që i diktonte individualiteti i tij krijues. Ai nuk e asimiloi modernizmin apo pasmodernizmin për modë, pati idealin e vet estetik. Rruga që ndoqi shkrimtari dha fryt se Kadareja e ngriti me krijimtarinë e tij romanin shqiptar në nivelin e romanit bashkëkohor evropian.

Për sa i përket “realizmit socialist”, shkrimtari e pranoi, duke bërë një kompromis vetëm në dukje, për ta tradhtuar më mirë thelbin e tij. Ky kompromis i ngjante marrëveshjes së Faustit me demonin Mefistofel, marrëveshje nga e cila Kadareja do të shpëtonte si Fausti në saje të fuqisë krijuese. Lidhur me këtë mund të thuhet ajo që pati thënë Lunaçarski për Floberin, domethënë se duke qenë shkrimtar borgjez, ai ishte armiku më i madh i borgjezisë. Po kështu Kadareja, në dukje shkrimtar i “realizmit socialist”, ka qenë armiku më i madh i këtij drejtimi artificial dhe të ngurtë, një shkrimtar jo vetëm modernist, po edhe modern në kuptimin më të lartë dhe më të plotë të fjalës.

BIBLIOGRAFI

1.R.M.Albérès, Histoire du roman moderne, Michel, 1962.

2.Jean Benoit, Nouveaux problémes du roman, Seuil, Paris, 1978.

3.Tefik Çaushi, Universi i Kadaresë, “Dajti 2000”, Tiranë 2001.

4.Tefik Çaushi, Eros – dashuria dhe seksi te Kadareja, Ombra GVG, Tiranë 2004.

5.Milan Kundera, L’arte del romanizo, Adelphi edizioni, Milano, 1988.

6.Littérature et geures lettéraires, Larousse, 1973.

7.Georges Lukacs, La theorie du roman, Edition Gonthier, Berlin Spandau, 1963.

8.Adil Olluri, Romani postmodern shqiptar, UET Press, Tiranë, 2015.

9.Luan Topçiu, Tradita moderne në letrat shqipe, Zenit Editions, Tiranë 2010.

10.Prof. Alfred Uçi, Grotesku kadarean, Onufri, Tiranë, 1999.

Oana Anca Mihaela Glasu: Shkrimtar i absolutes së brendshme (duke lexuar Zija Çelën)

 

 

Për mua, atë që lexova në tregimin “Ëndrra me pulëbardha” nuk është thjesht një fragment i prozës, por një poemë alkimike. Një transferim shpirtëror, një korrespondencë e mrekullueshme midis niveleve të qenies, në të cilën ëndrra mund të përmbushet. Një trazirë metafizike, në arsyen e plotë ose jashtë saj, përmes së cilës na përgatit Zija Çela.

Dua të them se na mëson. Të dimë se atëherë kur zogjtë e vdekjes ndonjëherë përgjojnë në hije, harmonia e kuptimeve rivendoset gjithmonë nga dashuria. Ajo nuk ka kohë, as moshë dhe as vdekje.

Tani do të ndalem te romani i fundit i autorit. Të dielave zakonisht shkruaj letra. Nga ato të vjetrat, që i vendos në zarf dhe i dërgoj me postë, ose e-maile, ose ndoshta shkruaj diçka të tillë si kjo lloj shprehjeje mendimesh, siç bëj tani. Sapo mbarova së lexuari “Lavjerrësi i qytetit” të Zija Çelës dhe më duhet të shpreh ato gjera në pak fjalë si i ndiej për momentin.

Ky roman ka një „të metë”. Dhe kjo është inteligjenca e tij. Një roman për inteligjencën, për përpjekjen për të kuptuar, për të lidhur gjërat së bashku. Me mjeshtëri autori na tregon si të shkruhet romani i një demaskimi. Të një regjimi, të shoqërisë, të nesh, të të gjithëve dhe gjithmonë, pavarësisht vitit kur e ka shkruar veprën, hapësirës në të cilën jetojmë apo kohës që kemi jetuar secili. Një roman për lirinë dhe manipulimin, përmes të cilit dëshiron të ndërgjegjësojë lexuesin se sa i manipuluar, i indoktrinuar, i frenuar është ai për shkak të atyre që i vjedhin kryesisht lirinë e mendimit. Është gjithashtu një roman tragjik, në të cilin Zija Çela tregon se nëse dëshiron të kuptosh, duhet ta lejosh veten të bëhesh i pambrojtur, sepse vetëm atje, në një gjendje të tillë, mund të takohesh me veten tënde. Autori ka ndërtuar me mjeshtëri idenë e një njeriu, i cili duhet të ketë të drejtën të shkojë jo me kokën e përkulur, sepse ky do të ishte pozicioni fizik dhe metafizik, të cilin vetëm një shkrimtar i konceptimit humanist si ai mund ta themelonte. Ky pozicion të lejon të shikosh qiellin, i cili është liri absolute. “Lavjerrësi i qytetit” është shumë aktual, por përmban edhe karakteristika të caktuara të perspektivës apo së ardhmes, të cilat shpallen në të njëjtën mënyrë, pa ndryshime të dukshme. Mendoj se tashmë po jetojmë një nga të ardhmet tona të shumta të dështuara, mbi të njëjtat ide, për të cilat na ka munguar e kaluara e dështuam edhe atëherë.

Zija Çela më ka lënë ndjenjën se përtej gjendjes së narratorit, ka përmbushur edhe funksionin e terapistit, madje edhe të arkitektit të tekstit, për shkak të saktësisë së organizimit të hapësirës, në të cilën synoi të Bukurën, duke arritur të krijojë harmoni për lumturinë dhe dinjitetin njerëzor.

Zija Çela flet për zhdukjen e tij në libër! Besoj se edhe letërsia është një art profecie, diku e barabartë me historinë, dhe detyra më e rëndësishme e artit është të krijojë një kërkesë në shoqëri, për kënaqësinë e plotë të së cilës nuk ka ardhur ende koha. Dhe ai ka nevojë për këtë përmbushje përtej vetëdijes ose të pavetëdijshmes së tij, duke e përfshirë veten në dritë. Më konkretisht, a e dini se si e shoh autorin? Një shkrimtar i absolutes së brendshme. Të cilit i duhet të dalë nga vetvetja për të parë veten. Dhe për këtë ndjeva edhe një melodi të brendshme teksa po lexoja. Ai jo vetëm që zotëron artin e përdorimit të fjalës së gdhendur, por ka gjithashtu një estetikë elokuente të mendimit dhe një ndjenjë të lartë dashurie për mençurinë.

Kjo është arsyeja përse për lexuesit e tij është kaq i dashur. Prandaj edhe unë e dua! E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta. E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt! Zija, të mbaj në krahë ndryshe, në mënyrë unike dhe primordiale!

E di që do me ndërprisnit dhe do më thoshit përsëri: shkëlqen, shkëlqen, dhe unë do strehohesha në aureolën tuaj te dominuar nga kaq butësi dhe do të përgjigjesha që në të dielën e qenies sime drita nuk prishet, fjala nuk deformon, në ketë ditë nuk ndodh asgjë, përveç këtyre rreshtave për ju dhe shumë dashuri. Pastaj do t’ju thoja se në të dielën e qenies sime bari rritet në gjelbërimin e tij të pastër, megjithëse ndodh një love story nëntori, zogu ngjitet në këngën e tij të pafund dhe mali shpon me brinjë qiellin e paprekur, sepse kjo e diel do të thotë dhe një takim me ju. Sytë e të paditurve do të mund të shikojnë vetëm!

“Thesi”, tregim nga Mehmet Elezi

 


Treni u rras në tunel. Uturima mbi shina ndihet më fort. Kaplon errësirë e dyfishtë, e tutshme. Vajza jonë e vogël cijat: mami! Ndizet një llampë e hajthme në fund të vagonit. Të tjerat me gjasë janë djegur. Ose është dëmtuar rrjeti. 

Vagoni ka disa ndarje të vogla, si punë kabinash.

Rrugina mes ndarjeve, e muzgët.

Nëpër rruginë nis me u rrokullisë një hije e stërmadhe, rrumbullake. Hija ndalet te ndarja jonë. Re lëmshore, na e zë edhe atë pikë dritë që kullon prej llampës në fund të vagonit. Shtyn derën, ka vend këtu? Zëri i vorbët. Nuk dihet kah del.

Nga ndarja ngjitur dikush bën dritë me telefon. Hija e stërmadhe qenka thes. I nxirë. Në shpinë të një burri. I është kapur diku nën zverk, mbi një palë shpatulla, që nuk shihen. Nën të duken vetëm dy këmbë të gjera, kërcinjtë e thatë deri afër gjunjëve. Këmbët eshtërore, futur në dy këpucë të çafaretuna, si korita. Përlyer me baltë të vjetër.

Mullar vetëlëvizës.

Ime shoqe zverdhet. Në ngultë këmbë me hy në ndarjen tonë, ky na shtyp të tre. E mbështjell vajzën me krahë, e fsheh në parzëm. Të ka mami shpirt.

Për fat masa e vrugët ndërron mendje. Kthehet shllap-shllup rruginës së vagonit. Në të djathtë shtyn një derë. Aty janë dy studentë të përgjumur, djalë e vajzë, me kufje në vesh. Hija shqipton ka vend këtu? Djali lëviz buzët. Nuk ndihet çka thotë. Ose nuk thotë gjë fare, këndon karaoke. Afron buzët te vajza.

Përmjedis vagonit rrokulliset një send i verdhë, bija jonë përplas duart: portokalle!  Kokrrat e verdha shkëputen nga thesi i stërmadh, nga një, nga dy. Rreknehen përmes ndarjeve me udhëtarë të rrallë. Portokalle s’ka tregu qyshkur, nuk gjinden në asnjë shitore.  Janë të xhaxhit, thotë ime shoqe. Të blen mami kur të zbresim. Ajo e rren vajzën. Ajo s’ka dëshirë me e rrejtë.

Njeriun nën thes nuk e shqetësojnë kokrrat që pikin. Mos po i hedh vetë? I lehtohet barra.

Treni tundet nëpër tunel. Tuneli tundet nëpër terr. Terri tundet nëpër botë.

Një portokall kapërcen derën e ndarjes sonë. Vajza e vogël zgjatet me e marrë, pasi këqyr si fajtore nga ime shoqe e nga unë. Ime shoqe hap gojën me i thanë prapë jo, janë të xhaxhit. Kokrrat e ndezura rrumbullake vazhdojnë me u rrëzue, hija lëmshore kthehet mbrapsht e largohet. Disa qenie zgjatin duart me i kapë, u shihen vetëm gishtat, lëvizin si hardhuca. Mes duarve portokallet ndërrojnë pamje. Bëhen ngjyrëguri, ngjyrëplumbi. Qeniet i lëshojnë, s’i mbajnë dot. Portokallet bien duke kërcitur në fundshtrojën e vagonit.  Njerëzit që i prekën marrin frymë të lehtësuar. Janë shumë të rënda, tepër, apo shumë të nxehta, tepër? S’e vumë re ngjyrën e peshën e tyre, jemi të lodhur e të përgjumur. Jemi të uritur. Kokrrat e rrumbullakëta, të rënda tepër ose të nxehta tepër, hovin si me magji. Drejt e në thes, ku patën qenë!

Treni del prej tunelit. Merret vesh nga zbutja e zhurmës. Zhurmën e thith ajri, si sfungjer. Jashtë tunelit e njëjta errësirë. Zbresin do udhëtarë, hipin do të tjerë. Hija kataroshe afrohet me zbritë, ka vend këtu? Terri nuk përgjigjet. Gjithçka ka ndryshuar, thotë hija. Nuk njoh kurrgjë. Nuk njoh kurrkënd. Dhe nuk shoh.

Treni hyn prapë në tunel. Tuneli është i gjatë.

Mes për mes vagonit një patrullë policie. Hija e hutuar përballë tyre. Ti pse nuk zbret, i thonë policët. E ke kryer dënimin, je i lirë. Nuk e di, thotë hija. Vitet i kam të gjitha këtu. Më kanë zënë përfund. Vitet e burgut leri prapa krahëve, ke mbaruar punë me to.  Nuk e di cilat janë të burgut, thotë hija. Më janë përzier. Në këtë thes janë bashkë vitet e burgut dhe vitet pas burgut. Janë bërë njësoj.  Lëshoje atë thes dhe fillo nga e para. Ah, po. Po e lëshoj, por nuk po më lëshon!

Thesi i rrumbullakët, i haparavun, afrohet prapë te ndarja jonë. Brumbull i nxirë, fryhet e fryhet, e mbush krejt hapësirën e vagonit.  Ka vend? Ku ka vend aty, o rob, ia kthen dikush. S’i ke sytë në ballë? As këtu s’ka vend. Jo, jo, s’ka.

Rrakazhdak treni.

-Zbrit në tokë me tërë atë thes, na lemerise!

-Ku është toka?

Tuneli gjarpër i gjatë.

Ferid Hudhri: Rizbulimi i Shqipërisë nga artistët europianë


Ndryshe prej përshkrimeve të udhëtarëve, rrëfimeve nëpër libra, revista e botime të tjera, si dhe relacioneve për kancelaritë e kohës, shqiptarët e shekujve XVII-XX u paraqitën në pamjen e tyre më reale, më të plotë dhe më të bukur në veprat e piktorëve europianë. Përmes vizatimeve, gravurave, litografive, akuareleve apo tablove me ngjyra vaji, artistë nga vende të ndryshme sollën para syve të gjithë botës imazhe të realizuara direkt në mjediset ku jetonin shqiptarët.           

Krahas artistëve që erdhën posaçërisht  për të pikturuar, të tjerë që nuk mundën të vinin fizikisht, i huajtën kostume shqiptare nga kolegët, u mbyllën nëpër studio dhe me përkushtimin dhe intuitën e krijuesve të vërtetë realizuan disa nga tablotë më të bukura. Bashkë me veprat që u ekspozuan në sallonet e Parisit, të Londrës dhe qyteteve të tjera europiane, në të njëjtën periudhë, imazhet nga bota shqiptare u riprodhuan edhe në litografi, në katalogë dhe në albume arti. Që nga ajo kohë disa prej krijimeve me temë shqiptare u vendosën nëpër galeri, muze dhe koleksione nga më të njohurit nëpër botë.

Veç jehonës nëpër vendet ku u ekspozuan, krijimtaria e autorëve europianë ka një vlerë të veçantë  për historinë dhe kulturën shqiptare. Tablotë më të hershme të piktorëve britanikë, francezë, austriakë, gjermanë, italianë apo nga kombësi të tjera  u realizuan pikërisht në kohën kur nga piktorët vendas mungonin imazhe nga jeta e përditshme.

Ishte koha kur shqiptarët për disa shekuj mbetën nën pushtetin e Perandorive të Lindjes, ku krijimtaria artistike, e përqendruar kryesisht në pikturimin e ikonave dhe afreskeve, sipas kanoneve të artit Pasbizantin, apo arabeskave e ornamenteve floreale të stilit oriental, nuk arriti të pasqyrojë jetën reale të njerëzve.

Albert Kretschmer, Dasma shqiptare, akuarel i vitit 1906

Të ndodhur në skajin më të largët të Perandorisë Otomane, shqiptarët ndonëse për pak shekuj u ndjen gati të harruar, gjithsesi, ata patën fatin të ishin  pranë portave të Perëndimit, rrjedhimisht më pranë studiove të piktorëve dhe skulptorëve europianë, ku aspekte të jetës së përditshme përjetësoheshin në tablo, statuja e monumente, si dhe në gjini të tjera të artit. Për fatin e mirë të saj, hapësira shqiptare u vizitua më shpejt dhe më shpesh nga piktorët dhe skulptorët europianë, krahasimisht me vendet e tjera më në thellësi të perandorisë. Kështu, boshllëku që ishte krijuar prej disa shekujsh nga mungesa e tablove prej artistëve vendas u plotësua prej veprave e autorëve të ndryshëm që erdhën  nga Europa.

Nga krijimet më të hershme klasifikohen hartat e venecianëve gjatë shekullit XV. Siç dihet në ato skicime të thjeshta nuk paraqitej vetëm vija bregdetare apo kufizimet e qyteteve me emrat e lumenjve dhe liqeneve, por vizatoheshin kështjella, kisha, shtëpi, kodra me pemë, anije në breg të detit si edhe objekte të tjera. Duke dhënë një përfytyrim real figurativ, ato mund të përcaktohen si imazhe të moçme për trojet e banuara nga shqiptarët gjatë shekullit të zbulimeve dhe udhëtimeve të mëdha gjeografike. Nga ajo periudhë ruhen pamjet e hershme të Durrësit (Epidamno, Durazzo), Butrintit (Buthrōtum), Vlorës (Valona), Shkodrës (Scutari), Kaninës (Canina), si dhe të qyteteve apo krahinave të tjera.

Por korpusi më i madh i krijimeve të artistëve europianë iu kushtua qëndresës shqiptare ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Imazhi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468) është përjetësuar në qindra vizatime, gravura, litografi, tablo, qeramika, medalione, statuja dhe monumente që ndodhen nëpër muze, kështjella, galeri, sheshe qytetesh apo koleksione të ndryshme publike dhe private. Figurën e Skënderbeut e kanë vizatuar dhe pikturuar disa nga autorët më të shquar të artit europian si Gentile Bellini, Rembrandt Van Rijn, Jorg Breu, Cristofano dell’Altssimo, Jost Amman, Joris Hoefnagel, Aliprando Capriolo, Antonio M. Crespi,  Francesco Zucchi, si dhe shumë autorë të tjerë të njohur. 

Antal Ligeti, Grua shqiptare me veshje të kuqe, 1845

Pas tablosë “Mbrojtja e Shkodrës” nga Paolo Veronese ku paraqiten luftimet për ruajtjen e kështjellës së fundit antiosmane në Shqipëri, duket sikur humbi edhe interesi i artistëve ndaj banorëve që mbetën nën robërinë e pushtuesve. Ndërsa me të larguarit në bregun tjetër të Adriatikut, me arbëreshët ndodhi e kundërta. Artistë italianë dhe kolegë të tyre nga vende të tjera të Europës në kontaktet me shqiptarët e sapo ardhur gjetën motive të reja, të bukura dhe  të veçanta për tablotë e tyre. Kur pikturonte në Sicili, artisti francez Jean Houël shkruante se arbëreshet vishen gjithë madhështi e shkëlqim  dhe se ato  veshje i ruajnë nga atdheu i tyre i lashtë.  Ndërkohë që autorët vendas B. Pinelli, M. Vito, A. Cefaly, S. Gatta, E. Bergler e shumë të tjerë prej kohësh vazhdonin të pikturonin dhe të ekspozonin në Itali dhe nëpër vende të tjera tablo me motive nga jeta e arbëreshëve. Kështu për shumë e shumë vite imazhet e shqiptarëve u paraqitën në artin botëror vetëm përmes pikturimeve të realizuara në Itali. Disa nga portretet me titujt “Albanese”, “Albanesen”, “Albanaise”,  “Albanians” që ruhen edhe sot nëpër muze të njohur të botës, i takojnë  kësaj periudhe.

Kjo vazhdoi deri nga fillimi i shekullit XVIII kur atdheu i Skënderbeut ende dukej tepër e largët edhe për fqinjët më të afërt europianë. Siç shprehej historiani anglez Edward Gibbon (1737-1794), Shqipëria ishte një vend që duket nga Italia e që është më pak i njohur se brendësia e Amerikës. Por nga mesi i shekullit XVIII, artistët europianë u rikthyen përsëri në trojet shqiptare. Në periudhën midis shekujve XVIII-XIX shënohet koha me krijimtarinë më të pasur. Përmes veprave të shumta që u realizuan gjatë atyre viteve mund të themi se u bë Rizbulimi i dytë i Shqipërisë për europianët, të cilët thuajse e kishin harruar që nga koha e qëndresës antiosmane. Në trojet shqiptare zbritën edhe autorë të shquar të romantizmit europian. George Byron, i pikturuar me rroba shqiptare nga Thomas Philips dhe nga disa artistë të tjerë, u bë frymëzuesi i temës shqiptare në artin europian. Eugène Delacroix, Alexandre Colin, Richard Woodville ishin ndër të parët artistë që u nxitën direkt nga vargjet këtij poeti kushtuar shqiptarëve.

Artistë të tjerë europianë i pikturuan shqiptarët me veshjet e tyre karakteristike kudo që i takuan, gjatë udhëtimeve nëpër të gjitha vendet e perandorisë otomane. Egjipti i shekullit XIX për disa vite rresht dukej si një studio arti në natyrë, për pikturimin e tipave burrërorë me fustanellën e gjatë dhe jelekët e qëndisur me ar. Nën ndikimin e orientalistit të njohur Léon Gérôme, shqiptarët e atjeshëm u bënë po aq të pranishëm edhe në tablotë e artistëve Antoine Montfort, Charles Bargue, Joseph Benwell, Etienne Billet, Alexandre Bida, Arthur Bridgman, Albert Franke dhe autorëve të tjerë.

Shqiptarët me veshje tradicionale janë pikturuar edhe nëpër shumë vende të ndryshme të Lindjes, si në Turqi nga piktorët Van Mour, Alexandre Decamps, Thomas Allom, Etienne Vernet, Thomas Allom, Amedeo Preziosi, Charles Parsons, në Damask nga Charles-Théodore Frère në Maltë  nga Charles Brockdorff në Delhi nga Louis Noe, në Rumani nga Costantin Lecca dhe Károly Szathnáry, në Venedik nga Mikhail Scotti, në Trieste nga Francesco Beda, si edhe nëpër vende të tjera  të Mesdheut dhe të Ballkanit nga Theodor Valerio, Jaroslav Cermak, Louis Papety, Joseph Cartwright dhe artistë të tjerë.

Por numrin më të madh e përbëjnë tablotë që u krijuan për shqiptarët në trojet helene. Shkrimtari dhe eseisti francez Jacques Lacarrière, një nga njohësit më të mirë të historisë greke, kur shkruan se në tablotë me temë nga Greqia gjenden edhe figura shqiptarësh, që dallohen nga veshjet karakteristike (Tsigakou, F.: La Grèce retrouvée, f. 10, Paris, 1984), ka parasysh jo vetëm pikturat e shumta të artistit gjerman Peter von Hess, por dhe shumë e shumë vepra të tjera nga Thomas Hope, Edward Doduell, Carl Hallerstein,  Apollodore Callet, Francesco Hayes, Ludovico Lipparini, Charles Gleyre etj, ku shqiptarët janë gjithnjë të pranishëm.

Daniel Sweeney, Shqiptarja, akuarel i vitit 1932

Shumë vite më vonë, gjatë luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore nëpër trojet shqiptare erdhën edhe mjaft artistë nga vendet ndërluftuese. Kjo dëshmohet me veprat shumta që ruhen nga ajo periudhë. Në vitin 1918 u hap  në Shkodër ekspozita me portrete dhe peizazhe të krijuara prej piktorëve austro-hungarezë Armin Horovitz, Pravotinski dhe László Beszédes, që është e para veprimtari e këtij lloji në trojet shqiptare.

Qetësia dhe stabiliteti i përkohshëm i krijuar në vitet e mbretërisë solli më shumë artistë nga Europa. Pas ekspozitave të para të hapura në Shkodër (1918) dhe në Korçë (1932), kryeqyteti u kthye në qendrën artistëve të huaj që vinin për të pikturuar dhe ekspozuar në trojet shqiptare. Në Tiranën e vitit 1937 u organizua konkursi i parë ndërkombëtar për monumentin e Skënderbeut, ku morën pjesë disa artistë të njohur nga Europa. Çmimin e parë e mori skulptori kroat Antun Agustinčić. Gjatë atyre viteve u realizuan edhe disa vepra të tjera monumentale në skulpturë, në mozaik dhe në relieve për institucionet më të rëndësishme të vendit, prej artistëve italianë Alfredo Biagini, Giulio Rosso dhe Gianni Remuzzi.

Edhe gjatë viteve të Lufts së Dytë Botërore nuk u ndërpre krijimtaria e artistëve të huaj. Vetëm në dy nga veprimtaritë më të rëndësishme, për konkursin «Çmimi Shqipëria» (Premio Albanese, 1939) dhe për pavionin shqiptar në Panairin Fiera dell’ Levante (Bari, 1939) u realizuan qindra peizazhe, portrete, tablo, skulptura, relieve e vepra të tjera me temë shqiptare. Prej artistëve italianë u hapën gjithashtu disa ekspozita vetjake me peizazhe e portrete në disa qytete të Italisë si dhe në Tiranë. Në vitin 1940 u ngrit monumenti i parë i Skënderbeut në sheshin Albania, pranë Koloseut në Romë.

Pas vitit 1945 Shqipëria i shkëputi të gjitha lidhjet me artistët nga vendet e perëndimit. Dyert ishin të hapura vetëm për piktorët nga Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tjera të bllokut komunist të Lindjes. Gjatë kësaj periudhe u organizuan më shumë ekspozita dhe veprimtari të tjera të përbashkëta midis artistëve. Në shtator të vitit 1955 në portin e Durrësit zbritën 19 piktorë dhe skulptorë  nga Polonia. Pas pikturimeve nëpër krahina të ndryshme të vendit, në tetor të po atij viti artistët polakë hapën  në Tiranë ekspozitën  me 100 peizazhe, portrete, tablo, etyde, vizatime me laps dhe tush. Por   ekspozita më e madhe me vepra arti kushtuar Shqipërisë u hap në  Moskë në vitin 1959 nga piktorët Evgeni Zaicev, Juri Reiner dhe Grigor Khandjan. Aty u ekspozuan 215 piktura. Kjo është gjithashtu ekspozita më e madhe me temë shqiptare që është organizuar deri më sot nga artistët e huaj.

          Gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur Shqipëria u rihap përsëri me të gjitha shtetet, rifilloi ardhja e artistëve nga vende të ndryshme. Në Tiranë dhe qytete të tjera u organizuan disa veprimtari të përbashkëta me artistët vendas, krahas konkurseve ndërkombëtare apo ekspozitave vetjake nga artistët e huaj. Dy dukuritë më të rëndësishme të këtyre viteve, Bienalja e Akuarelit dhe Muralet (pikturimet në fasadat e pallateve), kanë shënuar pjesëmarrjen më të madhe të artistëve të huaj në trojet shqiptare.

          Në çdo etapë të historisë së trajtimit të temës shqiptare, me gjithë veçoritë karakteristike për llojin e punimeve apo stilin artistik,  i përbashkët dhe i dukshëm është përkushtimi i artistëve ndaj bukurive së natyrës. Të shumtë janë peizazhet e realizuara në çdo periudhë, po ashtu i shumëllojtë është edhe këndvështrimi artistik i autorëve. Admirimin e tyre për natyrën e Shqipërisë artistët kanë shprehur edhe përmes ditarëve, letrave apo shënimeve të ndryshme. 

Pompeo Marchesi, Monumenti Tarketa, 1835, Duomo, Milano

Vlerësimet se Shqipëria “është një vend i mrekullueshëm për artistët, se kostumet shqiptare janë shumë piktoreske”1 se “vështirë mund të gjendet një vend, vetëm nëntë ditë larg nga Parisi që të jetë kaq piktoresk sa Shqipëria, se për artistët është një vend mbi gjithë të tjerët»2 apo  “se vështirë të gjesh skena më madhështore dhe më hijerënda se sa këto të këtij vendi të famshëm»3,  tërhoqën më shumë vëmendjen e artistëve europianë gjatë shekujve XVIII-XIX për të pikturuar nëpër trojet shqiptare. Bukuritë e natyrës janë evidentuar edhe në vitet më të vështira të luftës.  Poeti çek Stanislav Neumann në ditët e Luftës së Parë Botërore, kur pikturonte akuarelet e tij nga rrethinat e Elbasanit, i shkruante së shoqes «në se do të mundesh të shkosh në Shqipëri do të shohësh bukuri të mahnitshme të natyrës»4. I njëjti vlerësim shprehet edhe shumë vite më pas, kur piktorja japoneze Kimiko Amabe shkruan nga Tokio “se gjatë qëndrimit në Shqipëri ditët ishin plot emocione nga peizazhet e atij vendi të bukur, ndoshta më i bukuri në botë».5

          Krahas  tablove më të bukura si «Mali i Tomorit» dhe «Bregdeti i Shqipërisë» (nga Edward Lear), në historikun e krijimeve artistike me temë shqiptare cikli i peizazheve kushtuar Maleve Acrokeraune vlerësohet si më i madhi në numër, më i larmishëm në teknikat piktorike dhe është realizuar nga disa prej autorëve të njohur të artit. Nga pikturimi i atyre maleve të lartë nis edhe kontakti i parë i shumë artistëve europianë që erdhën me për të rizbuluar botën shqiptare.

Le të shohim konkretisht kur dhe si u realizuan veprat nga filloi rizbulimi i Shqipërisë.

Vargmali i bregdetit të Jugut, prej shumë e shumë vitesh ka qenë peizazhi që i tërhiqte udhëtarët e huaj, kur kalonin pranë bregut perëndimor të trojeve shqiptare. Nga ai këndvështrim u realizuan edhe tablotë e para që e paraqitën Shqipërinë nëpër ekspozitat apo albumet e artit, në disa prej kryeqyteteve europiane midis shekujve XVIII-XIX. Gjatë periudhës së pushtimit otoman, në pamundësi për t’u futur në brendësi të vendit, imazhin e bukur e madhështor të maleve Akrokeraune (apo maleve të Vetëtimës, siç quhen nga vendasit), artistët e huaj e pikturuan nga bordet e anijeve apo nga ishulli i Korfuzit. Edhe në kohët e mëvonshme, gjatë viteve të komunizmit, kur Shqipëria u vetëmbyll, përsëri vetëm nga ai këndvështrim u realizuan peizazhet me malet e larta të Jugut. Siç duket, andej nga deti është këndi më i përshtatshëm dhe më i bukur për pikturimin e tyre.

Faqja perëndimore e malit të Çikës, që ngrihet mbi fshatrat Palasë, Dhërmi e Vuno, e çarë nga përrenj të thatë e humnera të thella, me pak gjelbërim në pjesën e ulët, duket më madhështore kur e vështron nga larg, në distancë prej bregut të detit. Nga ky këndvështrim janë më të dallueshme edhe vetëtimat që shkrepin mbi kryet e majave të larta, në ditët me shi. Sipërfaqja horizontale e detit atje duket si një bazament i sheshtë, prej nga ngrihet si një amfiteatër gjigant, deri në lartësinë 2040 m, vargmali shkëmbor i Jugut shqiptar. Këto janë Malet e Vetëtimës apo Malet Akrokeraune, siç njihen nga të huajt.

Andej nga vështrohet pamja e tyre më magjepsëse, po andej janë bërë edhe përshkrimet më të hershme për këtë monument të bukur të natyrës. Nga ana e detit i filluan përshkrimet e para edhe gjeografët e periudhës antike, Straboni e Ptolemeu, ndërkohë që madhështia e Maleve Akrokerauneu bë e pranishme në krijimtarinë e disa prej autorëve më të shquar të letrave botërore, si te Homeri, Horaci, Eskili, Virgjili, Klaudiani dhe Bajroni, duke i cilësuar si “male vigane që kufizojnë thellësitë e qeta” (Klaudian, epigrama LXXXV), apo si male “madhështore [që] lartësohen para syve/ si amfiteatër vullkanik natyre” (Bajron, Çajld Harold, strofa 51) etj. Virgjili, duke i përmendur te Eneida (pjesa e III), shkruan “Pranë shkëmbinjve të Keraunias vazhduam udhëtimin tonë/ Rruga më e shkurtër për në bregdetin italian…” (sipas përkthimeve nga R. Kadia). Shumë vite më pas, nga përcaktimi “Kopsht shkëmbor”, që u bëri këtyre maleve anglezi Paul Edmonds, mori titullin eseja e njohur e Konicës për Shqipërinë. Pasi përshkruan shtrirjen e maleve Akrokeraune vetë Konica ka nënvizuar se “madhështia e tyre i ka bërë përshtypje të madhe natyralistit romak, Plinit Plak, sa dikur në shkrimet e tij ai thotë për to: “Ato janë të harkuara si një teatër”, ndërsa në ditët tona,– vazhdon Konica, madhështia e tyre rripa-rripa i ka dhënë Shqipërisë përcaktimin e goditur “Kopsht shkëmbor i Europës Juglindore”.6

Gjenden edhe shumë përshkrime apo citime të tjera për malet Akrokeraune, ndërkohë që përjetësimet më të bukura për to janë bërë në art. Imazhet më të hershme piktorike që njihen deri tani u takojnë viteve të para të shekullit XIX. Akuareli “Malet shqiptare nga Korfuzi” u realizua prej piktorit William Haygarth në vitin 1810. Origjinali ndodhet në bibliotekën Genadio, në Athinë. Ndërsa në Muzeun Britanik në Londër ruhen dy vepra për malet Acroceraune; një vizatim dhe një akuarel nga piktori, arkeologu dhe udhëtari i njohur Sir William Gell. Artisti tjetër britanik H. W. Williams, gjatë udhëtimit nga Italia për në Greqi, në vitin 1819 i vëzhgoi që nga larg dhe i befasuar prej pamjes së tyre, vizatimin e parë e bëri që nga bordi i anijes. Ndonëse në plan të parë, si dhe në pjesën më të madhe të gravurës, paraqiten marinarë dhe objekte të ndryshme në mjediset e kuvertës, titulli i veprës ka ardhur nga malet e larta të bregut shqiptar, të vizatuara në sfondin e tablosë. Më pas, piktori që kishte ardhur për të pikturuar pamje nga Italia dhe Greqia, u afrua me anije pranë brigjeve të Vlorës e Himarës. Prej andej realizoi dhjetëra vizatime, mbi bazën e të cilave u dha formë tri gravurave të tjera që i titulloi: Panoramë malore në Shqipëri, Gjiri i Vlorës (Gulf of Avlona), Bregdeti i Shqipërisë së Jugut. Një vit më pas, kur u kthye në vendlindje, Williams, bashkë me librin Udhëtime në Itali, Greqi dhe ishujt jonianë (Travels in Italy, Greece and the Ionian Islands, Edinburg, 1820), botoi edhe gravurat e frymëzuara nga malet Akrokeraune. Pas nëntë vjetësh, më 1829, Williams i botoi përsëri në përmasa më të mëdha, ku ndihet më qartë tashmë mjeshtëria e piktorit në shëmbëllimin e disa peizazheve epike, ku deti i dallgëzuar që përplaset mbi shkëmbinjtë pranë maleve të larta me shkreptimat e rrufeve mbi krye, të krijon më shumë madhështi.

Pak vite më pas u realizua tabloja më e bukur në ngjyra vaji, që është krijuar deri tani me këtë motiv. Aty jepet më qartë ideja e maleve në formën e një amfiteatri natyror, siç është quajtur nga disa udhëtarë. Autori i kësaj pikture është anglezi Edward Lear. Para se të vinte në Shqipëri, për të pikturuar malet e larta që kufizojnë thellësitë e qeta, artisti anglez ishte njohur me madhështinë e tyre. Pas gravurave të Williams-it, të cilat i kishte parë në Londër, malet Akrokeraune i kishte vështruar edhe gjatë kohës kur pikturonte në Korfuz. Madje, që andej ai kishte realizuar edhe disa nga vizatimet, akuarelet e litografitë e para me atë motiv. Në ditarët e shkruar gjatë udhëtimit nëpër trojet shqiptare (Journals of a Landscape Painter in Albania & c. London, 1851), Lear tregon interesimin e veçantë dhe dëshirën për të arritur sa më shpejt pranë tyre. Në faqet e para të ditarit, sapo niset nga Durrësi, ai shkruan: …të shkoj drejt jugut duke i rënë nga bregu, do të futem në Vlorë dhe prej andej në Akrokeraunia. Ndërkohë, gjatë gjithë rrugës mblidhte të dhëna, bisedonte me të zotët e shtëpisë ku bujti natën e parë në Vlorë dhe në pasditen e 21 tetorit, kur arriti pranë maleve të larta, që i kishte parë nga Korfuzi, nuk u përmbajt nga emocioni dhe filloi të shkruante: …Çfarë bukurie! Në skajin e ngushtë të gjirit hapet një pamje e mrekullueshme, me detin si liqen i palëvizshëm dhe i errët nën murin e lartë të maleve të territorit të Himarës. Tragjasi, që mund të quhet edhe porta për në malet Akrokeraune, ngrihet mbi një lartësi mu përpara nesh, kurse mbi gjithë peizazhin mbizotëron maja madhështore e Çikës, e mbuluar nga dëbora. Maja më e lartë e Çikës duket qartë nga Korfuzi, kurse në Jug të saj shtrihen fshatrat e Himarës. Nuk më kujtohet të kem parë shpesh pamje më sublime e më të veçuar nga bota se kjo. Pasi tregon për skicat që bëri nga ajo pikë, duke i përshkruar pamjet më mbresëlënëse të një natyre të egër që nuk e kishte parë që kur ishte në Kalabri, Lear shpërthen duke iu drejtuar kolegëve të tij artistë: Shkoni o piktorë të vizitoni malet Akrokeraune! Po nuk shkuat atje, nuk keni për të mësuar për shkallët më madhështore të piktoreskes së egër, por klasike, qoftë ilire apo epirote, qofshin njerëz apo male; por shkoni, ama, me një udhërrëfyes të mirë… Malet Akrokeraune janë toka të pashkelura nga këmba e udhëtarit dhe mund të mos jenë fort të përshtatshme për një turist të vetmuar (f. 121,157, 160, sipas përkthimit të M. Nishkut).Nga gjithë pikturimet nëpër Shqipëri, pas qytetit të Beratit dhe malit të Tomorit, imazhet e maleve Akrokeraune janë më të pranishme midis vizatimeve dhe akuareleve të Lear-it.

Pesë vjet më pas, më 1853, drejt maleve rripa-rripa të Jugut shqiptar, u nis për t’i pikturuar edhe një autor tjetër britanik. Ndërkohë që i afrohej Korfuzit, piktorit Henry Cook  i mbetën sytë nga malet në bregun e Shqipërisë dhe duke shprehur admirim për to, i quajti male të bukura dhe më interesantet që ka parë.7 Pasi i pikturoi në distancë, nga ishulli grek, Cook iu afrua me anije bregut shqiptar dhe realizoi disa litografi me pamjen e maleve. Në të njëjtën kohë ai qëndroi edhe në Butrint, ku krijoi litografinë e tij më të bukur.

Nga kërkimet e deritanishme, këta janë pesë nga piktorët më të hershëm që pikturuan malet e larta të Jugut. Artistë të tjerë që udhëtuan në këtë periudhë, si C. Cockerell, J. Cartwright, L. Dupre, si dhe P. Beresford, ndonëse kaluan dhe pikturuan deri në Butrint dhe krahina të tjera përreth, nuk krijuan ndonjë vepër për malet Akrokeraune. Ndoshta për arsyen se në tokën shqiptare ata u futën përmes Greqisë, pa kaluar nga bregdeti i Jugut, andej nga duket pamja e tyre madhështore.

Rreth viteve 1884-1885 u realizua një peizazh i bregdetit të Jugut edhe nga mbretëresha Aleksandra, bashkëshorte e mbretit Edward VII, mbret i Britanisë së Madhe. Kjo tablo, e pikturuar gjatë një udhëtimi me jahtin mbretëror pranë bregut shqiptar, ruhet në Koleksionin Mbretëror të Anglisë (Royal Collection Trust, London). Në atë koleksion të pasur ruhet një nga peizazhet më të bukura me këtë temë nga piktori i njohur Carl Ross. Tabloja e këtij artisti gjerman është pikturuar nga ishulli i Korfuzit.

Thuajse të gjitha pikturat e tjera të artistëve të huaj që njihen deri tani, janë realizuar gjatë udhëtimit pranë brigjeve shqiptare apo nga Korfuzi. Madje, edhe piktori i njohur John Frederick Lewis, për të cilin është shkruar se ka pikturuar edhe në brendësi të trojeve shqiptare, malet Akrokeraune i pikturoi nga Korfuzi, në vitin 1840 (disa vjet përpara krijimeve të njohura të E. Lear-it dhe H. Cook-ut). Në arkivin e muzeut Viktoria dhe Albert në Londër, krahas akuarelit nga Butrinti prej piktorit H. Sandham, ruhet edhe një peizazh nga Korfuzi, ku, siç shihet në tablo dhe siç përshkruhet në skedën e veçantë të kësaj vepre, janë pikturuar malet shqiptare që duken në horizont (Fondi: Sandham, dosja 61, Victoria & Albert Museum, London).

Nga i njëjti këndvështrim janë realizuar edhe tablotë e artistëve Karl Krazeisen (1827), William Linton (1830), Otto Wagner (1831), Eugène Peytier (1831), William Page (1832), Clarkson Stanfield (1832), Edward Finden (1832), G. F. Sargent (1832), Peter William Hamilton (1834), Thomas Cromek (1934), Jean Pourvoyer (1835), Joseph Benetly (1839), Orrin Smith (1841), Pierre E. Grandsire (1878), Joseph Schranz (1877), Lordi Windsor (1882), Ernest Edward Briggs (1909), Michael Zeno Diemer (1929), James Tristram Ellis, Tuxen Lauritis, Patrik Leonard (1985), Valerio Adami (1990). Kështjella në Korfuz, me malet shqiptare në sfond, është motivi i disa veprave të reja nga artistët e ditëve tona, si të anglezëve Anne Durham (1993), William Serridge (2003), Sara Williams (2004), piktores polake Anna Witkowska (2005), që banon në Korfuz dhe artistit britanik Julian Baley (2012).

Ndërkohë që artistë nga bota vinin dhe vazhdojnë të vijnë në tokën greke për të pikturuar malet shqiptare, do të ishte e pamundur dhe e mangët që vetë piktorët grekë të mos kenë qenë të frymëzuar prej maleve të bukura dhe interesante që shihen vazhdimisht nga ishulli i tyre. Nga kërkimet e deritanishme, Agelos Giallians ka realizuar një nga imazhet më të veçanta që është krijuar për ato male. I ka pikturuar në çastin e perëndimit të diellit, kur rrezet e fundi, me ngjyra të praruara midis së verdhës dhe portokallisë, u japin këtyre maleve madhështore një ndriçim të veçantë që krijon përfytyrimin e flakëve të ndezura që duken sikur ngrihen nga deti.

Kohët e fundit, me rritjen e teknologjisë digjitale, kur fotografimet në distancë arrihen me cilësi të lartë teknike, janë realizuar shumë foto të bukura artistike, ku malet Akrokeraune, të vështruara nga Korfuzi, shfaqen si një mrekulli e rrallë natyrore. Nën efektin e dritës që merr nuanca të ndryshme nga refleksi i detit, si dhe nga ndriçimi i diellit mbi malet e larta, apo mjegulla e mëngjesit, që ndan sipërfaqen e ujit nga masa shkëmbore, krijohen imazhe nga më të larmishmet dhe shumë tërheqëse. Stephen Cotterell dhe Paul Cohan janë dy nga fotografët e ditëve të sotme, të cilët kanë realizuar disa nga fotot më të bukura të atyre maleve.

Nga ndjesia që përftohet kur sheh pikturimet dhe fotografimet e mësipërme, të duket  sikur shprehja e njohur madhështia e një mali të lartë kuptohet më mirë kur e sheh nga larg, është krijuar pasi janë soditur veprat e artit që paraqesin madhështinë e maleve Akrokeraune, të pikturuara nga largësia e bregdetit, apo ishulli i Korfuzit. Për banorët vendës, pikturat dhe fotot që përmendëm sjellin imazhet më magjepsëse që ata, për fat të keq, nuk kanë mundur t’i kundrojnë në përmasën e tyre të madhërishme kur kanë kaluar poshtë apo pranë dhe jo përtej e përballë tyre. Ndoshta ky është edhe shpjegimi më i saktë për mungesën e deritanishme të tablove me këtë motiv nga artistët shqiptarë, të cilët banojnë dhe pikturojnë në brendësi apo nën hijen e maleve Akrokeraune.

_____________________

1. Best, J.: Excursions in Albania, f. 200, London, 1842.

2. Mayhew, A.: In Albania with the Gegs, Scribner’s Monthly, vol. XXI, f. 377, New York, 1881.

3. Lear, E.: Journals of a Landscape Painter in Albania & c., f. 88, London, 1851.

4. Intervistë me gruan e S. Nojmanit, gazeta Drita, 30 prill, f. 3, Tiranë, 1961.

5. Amabe, K.: Shqipëria, vendlindja ime e dytë, gazeta Drita, Tiranë, 1 dhjetor 1985.

6. Konica, F.: Veprat, vëll. 2, f. 386, Botimet Dudaj,Tiranë, 1993.

7Cook, H.: Ionian Islands, Greece and Constantinople, f. 4-5, London, 1853.

Ermira Alija: Përse vazhdon të ribotohet romani “Të çmendur në parajsë” i Virion Graçit?

 

Të jep një kompleks ndjesish romani “Të çmendur në Parajsë ” i Virion Graçit. Stuhia e mendimeve dhe e emocioneve që provokon, i ka rrënjët e thella dhe ti si lexues e kupton se ato mbartin shumë gjëra mbas vetes.

Gjithçka fillon me lirinë. Ajo provokon tek personazhet e romanit standardet e tyre të vlerësimit për disa realitete të jashtme dhe të brendshme; provokon një krizë të raporteve të vetjeve të tyre: vetjes ekonomike, familjare, shoqërore, kombëtare… 

Ku po shkoj unë? Unë!?

Pa vendin tim, pa gjuhën time, pa shokët e mi. Pa gruan time, pa djalin tim, pa emrin tim, pa …

Kriza e fortë ekonomike i shtyn personazhet e romanit të shkelin rregulla, të shkojnë për të punuar në një vend të huaj ilegalisht. Kjo i bën të ndeshen me një realitet ndryshe, të pambrojtur nga ligji, në dorë të njerëzisë. E kështu, edhe liria e njerëzisë së huaj (si individë, si opinion shoqëror, si institucion), vihet nën provokim. 

Ky është ambienti në të cilin zhvillohen ngjarjet e romanit, ambient që hap mundësi për shumë shfaqje, përtej emërtimeve: 

Polici shqiptar na shtyn me shkopin e gomës …

Duhet ta lirojmë xhadenë… të kalojnë makinat shumëtonëshe. Makinat e tregtarëve, doganierëve…

Panajoti dhe Rexhepi u pëlqyen shumë shpejt midis tyre.

Madje unë jam tërhequr ca para kësaj miqësie bashkëmoshatarësh të ndryshëm.

Secili bisedon në gjuhën e vet pa e kuptuar tjetrin dhe kështu vazhdon ky komunikim shembullor dhe komik.

E shikoj në bebëza në mënyrë pyetëse. Me ankth. Ai pohon…

Një avull i ngrohtë më djeg lëkurën e zverkut.

Romani flet për të çmendur. Zakonisht çmenduria perceptohet si mungesë e pavetëdijshme e dëshirës për ta pranuar realitetin.  Të çmendur në Parajsë  guxon ta prekë atë realitet, të shfaqë caqe të pacekura të tij, ndoshta tabu. Luan me të kundërtat e valencave dhe parapëlqen të paraqesë skaje njerëzore, duke refuzuar pozicionimin:

Merina fiton shumë. Mbledh para … i ngelen dhe për veten …

Sa shumë ngjan me Lorën. Si dy pika uji. Lora u shpërbë.

U nda në disa pjesë: një djalë, një kufomë, një varr dhe një braktisje.

(Lora) Është një planet pa jetë. Një planet që kërkon orbitë.

Kërkon një orbitë të shuar. Një orbitë që nuk ka ekzistuar.

Një orbitë që nuk ka ekzistuar kurrë …

Një orbitë e imagjinuar.

Sana shikon si fajtore. Nuk ka se ku të mbështetet. Gjithçka rrafsh. Rrafsh.

Gjithçka që ndodh në roman vjen tek lexuesi si e vërtetë subjektive, që lëviz:

Nuk di të sillem. Jeta s’gjendet në trupat tanë. Jeta gjendet në lëvizje. Në shtegëtim të pandërprerë.

Gjithandej, asgjëkundi, gjithandej, asgjëkundi?!

Autori rrëfen duke provokuar me fjalë ndjesi, që nuk është e lehtë t’u vihet emër:

Lëshohem i tëri në një humnerë vdekësie.

Në një humnerë të shtruar me mjegull dhe shkurre të gjelbërta.

Në fund të saj është një yll i bukur. Turrem drejt tij. …

 I afrohem pafundësisht. Ai ndalet. Ndahet. Coptohet.

Në qindra pjesë. Në tre pjesë. Qindra yje me të njëjtën fytyrë. Një lloj. Qindra.

Shkas pambarimisht në thellësirat e mistershme të humnerës.

Mjegulla ngjishet dhe forcohet, kurse shkurret më mbajnë copa lëkure.

Psherëtij. Dhe pres sopatën e mprehtë të më godasë në shenjë, në gjoks, në kokë.

Majat e pemëve mbajnë mbi krye zymtësinë e qiellit. Yjet janë shuar.

E çuditshme se si ndjesitë në roman e tejkalojnë mendimin. Të shtrira përgjatë romanit, duket se fitojnë një lloj pavarësie, si një lloj e vërtete që është e paaftë për të qëndruar vetëm. Dhe kjo e vërtetë nganjëherë shfaqet si haraç i lartë i prishjes së raportit konvencional të vetjeve: 

−    Ju doni të më vrisni, − thotë më pas fare qartë.

−    Jo. Lora. Unë të dua.

−    Ti ike.

−    Ika të blinim shtëpi më të madhe.

−    Ti ike.

−    Ika por nuk ju harrova. Gjithmonë mendoja për ju.

−    Ti ike.

Herë shfaqet si haraç i një psikoze shoqërore, që e paguan preja e radhës:

−    Spiro ti nuk ke bërë asgjë të keqe, apo ke bërë? − më pyet ai me inat.

Sytë e kaltër i shkrepëtijnë. O njeri i mirë. O njeri.

−    Po. Kam punuar, kam punuar si skllav, kaq. Ky është faj i rëndë Panajoti.

Ai nxehet kurse unë prisja të qeshte me të madhe. Bërtet:

−    Ah, pushtat, − pastaj zbutet. − Rri urtë se të vrasin. Kjo është puna e tyre.

Herë si limit ekstrem i çbërjes së njeriut deri në mbijetesë:

Sana përdhe përkrah Fationit. Ky i fundit nuk është përmendur ende.

Dikush i ka futur midis këmbëve të mbathurat e gruas së tij, të njomura e të mbledhura shuk.

Sana fle me sy hapur. E shokuar.

Shpirti merr fytyrën e fatit.

Romani flet për të çmendur. Zakonisht çmenduria perceptohet si mungesë e pavetëdijshme e dëshirës për ta pranuar realitetin. E si mund të mos pranohet Parajsa?  Apo edhe Parajsa ka honet e saj?!

Gjithsesi romani nuk lexohet për të marrë përgjigje. Ai tejkalon limitet e kuptimësisë në favor të një letrariteti gati poetik:

Tani që Lora ka ikur, më lumturon optika e saj prej të çmendure. Më quajti … djalin … e saj… më quajti … djalin … tim… më quajti … Tori. Dhe unë rashë në duart e saj … i lehtë … si pupël … dhe i turbullt … si kjo … dritë neoni … rashë në duart e saj … dhe pashë si vdesin shekujt në konstruktet femërore… si vdesin teoritë dhe përgjithësimet … si vdesin vdekjet dhe lindjet, si vdes gjithësia dhe vdekja e gjithësisë … si vdes njeriu dhe vdekja e njeriut.

Autori vë në gojën e rrëfimtarit: …unë gjendem në sipërfaqen e gjithësisë. Tapë pluskuese…

Kjo është ndoshta arsyeja që romani përkthehet e vazhdon të ribotohet.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...