Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/26

Gentrit Misini:UNMIK dhe EULEX misione të “parealizuara”

 

Pas bombardimeve 78 ditëshe të NATO-së ndaj Serbisë, me 9 qershor 1999 u nënshkrua marrëveshja tekniko-ushtrake e Kumanovës e cila i dha fund luftës dhe mundësoi vendosjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa me 10 qershor 1999 në Këshillin e Sigurimit në OKB u miratua rezoluta 1244 me të cilën Kosova vendoset nën administrimin ndërkombëtar nga OKB me misionin e saj UNMIK. Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK kishte mandat për të ndihmuar për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë qytetarët e Kosovës. Objektivat kryesore të UNMIK-ut, ishin krijimi i institucioneve të Kosovës, sundimi i ligjit, ruajtja e rendit publik, rindërtimi i infrastrukturës, kthimi i refugjatëve dhe demokratizimi i shoqërisë. Ky mision në Kosovë kishte kontrollin e tri pushteteve: Legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe udhëhiqej nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (PSSP)

Pas luftës, UNMIK-u luajti rol të rëndësishëm në themelimin e institucioneve të Kosovës. Në  vitin 2001, PSSP-ja miratoi Korzinën Kushtetuese e cila ishte hartuar nga ekspertë ndërkombëtar dhe vendor. Në bazë të kësaj Kornize Kushtetuese, filloi themelimi i institucioneve të përkohshme vetëqeverisese të Kosovës që përbëheshin nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Presidenca dhe Gjykatat të cilat ishin të monitoruara nga ndërkombëtaret. Korniza Kushtetuese kishe përcaktuar Kuvendin e Kosovës si institucionin me të lartë dhe ligjvënës të Kosovës, por megjithatë kompetencat e Kuvendit ishin të kufizuara nga UNMIK-u. Kompetencat e UNMIK-ut shkonin deri të atë nivel saqë kur Kuvendi i Kosovës miratonte ligje, ato kishin mundësi të shfuqizoheshin menjëherë nga PSSP-ja.

Pushteti i pakufijshëm i PSSP-së kishte bërë që të nënshkruhen edhe marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Në nëntor të vitit 2001, PSSP – Hans Haekkerup dhe përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë, Nebojsa Covic kishin nënshkruar një marrëveshje për të cilën pala shqiptare nuk kishte qenë fare në dijeni. Publikimi i kësaj marrëveshje bëhet skandal sepse një prej pikave të kësaj marrëveshje mes Haekkerup dhe Covic thotë “Ripohohet se qëndrimi për statusin e ardhshëm të Kosovës mbetet ashtu siç është parashtruar me rezolutën 1244, si dhe ky vendim nuk mund të ndryshohet me kurrfarë aksioni që merret nga institucionet e përkohshme të vetadministrimit”. Sipas kësaj pike, institucionet e përkohshme vetëqeverisese të Kosovës nuk mund të ndërmerrnin ndonjë hap drejt pavarësisë së Kosovës. Pala shqiptare kishte refuzuar ta zbatojë këtë marrëveshje. Kjo mund të themi ka qenë një ndër veprimet me të pamatura të PSSP-së në raport me shqiptarët.

Një ndër qëllimet kryesore të UNMIK-ut në Kosovë ishte sundimi i ligjit dhe ruajtja e rendit publik në mënyrë që të ofrohet siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, por kjo rezultoi të jetë e vështirë për misionin e OKB-së për arsye se në fillim sistemi gjyqësor ishe pothuajse i shkatërruar dhe kishte mungesë të stafit për të gjykuar mijëra persona që ishin të akuzuar për krime të ndryshme. Në anën tjetër, grupe të fuqishme të panjohura po kryenin vrasje të personaliteteve politike shqiptare të cilat tronditen Kosovën dhe krijuan kaos të madh në vend. UNMIK-u bëri përpjekje për të vënë rend publik dhe sundim të ligjit, por megjithatë ishte e paaftë në zbardhjen e shumë vrasjeve dhe besueshmëria ndaj këtij misioni vetëm sa zbehej në vend.

Pas përfundimit të luftës, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ende ishin te tensionuara, UNMIK-u vazhdimisht bënte thirrje për ndërtim të paqes në Kosovë dhe në të njejtën kohë ishte në terren për ruajtjen e stabilitetit në vend, por këtë nuk arritën ta bëjnë, sidomos tek trazirat e marsit 2004. Trazirat e marsit filluan pas raportimeve se tre fëmijë shqiptarë ishin mbytur në lumin Ibër, afër fshatit Çabër si pasojë e ndjekjes së disa serbëve, kjo i revoltoi të gjithë në Kosovë dhe pas këtij njoftimi filluan protestat e ashpëra të cilat zgjaten dy ditë, ku mbetën të vrarë 19 civilë nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa shumë të tjerë u lënduan dhe shumë shtëpi e monumente të trashëgimisë kulturore mbetën të shkatërruara. Policia e UNMIK-ut me gjithë intervenimin e saj, nuk arriti ta kontrollojë situatën dhe t’i ndalojë trazirat. Paaftësia e UNMIK-ut për të menaxhuar trazira të tilla dhe dhuna e madhe që u shkaktua bëri që të dërgohet sinjal për bashkësinë ndërkombëtare që të angazhohet më shumë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan e caktoi të dërguar të tij, norvegjezin Kai Eide për të kryer një raport mbi gjendjen në Kosovë. Norvegjezi e mori detyrën dhe me ardhjen e tij në Kosovë realizoi shumë vizita me përfaqësues të partive politike dhe të komuniteteve tjera. Pastaj raporti i tij dorëzohet në tetor të vitit 2005 tek Sekretari i OKB-së, Kofi Annan dhe në raportimin e tij, Eide përmend se shumë gjëra mund të përmirësohen dhe rekomandon se ka ardhur koha për fillimin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Dhe ashtu ndodhi, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë filluan në shkurt të vitit 2006, të cilat u ndërmjetësuan nga diplomati finlandez Martti Ahtisaari. Në fillimin e negociatave të dy vendet kishin prezantuar qëndrimet e tyre, Prishtina kishte theksuar se nuk pranon asnjë zgjidhje që nuk ka të bëjë më pavarësi të plotë, ndërsa Beogradi kundërshtonte çdo gjë që kishte të bëjë me pavarësinë. Pas shumë raundeve të negociatave, nga ndërmjetësuesi Ahtisaari ishte hartuar një propozim gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës. Kur ky propozim ishte bërë publike për të gjithë, në Prishtinë kishin shpërthyer protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje e cila kundërshtonte propozimin e Ahtisaarit për të cilin deklaronin se nuk i referohet popullit të Kosovës, por vetëm një minoriteti, atij serb që është i manipuluar dhe instrumentalizuar nga Serbia.

Gjatë protestave në Prishtinë që kishin për qëllim kundërshtimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe pakon e Ahtisaarit ndodhi diçka e rëndë. Dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini u qëlluan për vdekje nga policia romune e UNMIK-ut, duke shkaktuar kështu revoltim të madh në gjithë Kosovën. Kanë kaluar më shumë se një dekad dhe UNMIK-u nuk ka arritur që autorët e krimit t’i nxjerr para drejtësisë. Kjo ngjarje mbetet ende një njollë e zezë mbi misionin e OKB-së dhe paaftësi e saj për vendosjen e drejtësisë. Gjithsesi negociatat e Vjenës vazhduan dhe si rezultat i tyre, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Me shpalljen e pavarësisë, Bashkimi Evropian merr rolin drejtues në Kosovë, ndërsa organizatat e tjera ndërkombëtare kthehen në mbështetje të BE-së. Meqë BE-ja kishte marr rolin drejtues, kjo organizatë përmes institucionit të saj Këshillit të BE-së, shpall dërgimin e misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

EULEX është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të politikave të përbashkëta për siguri dhe mbrojtje në BE. Detyrë e këtij misioni ishte që t’i ndihmojë institucioneve kosovare të arrijnë të mundësojnë barazi në zbatimin e ligjit ndaj qytetarëve. Në vitin 2008, UNMIK kalon përgjegjësit tek EULEX në fushat e drejtësisë, policisë dhe doganave dhe në këtë mënyrë EULEX trashëgon mijëra dosje të cilat ishin të papërfunduara nga UNMIK. Misioni i BE-së në fillim të mandatit kishte kompetenca ekzekutive dhe qëllimi kryesor ishte sundimi i ligjit dhe përkrahja e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim. EULEX  ka qenë i angazhuar edhe në profesionalizmin e policisë së Kosovës dhe doganave  me anë të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Po ashtu misioni që nga fillimi i mandatit e deri më tani, ka kryer 699 operacione në terren për lokalizimin e personave të pagjetur, duke përfshirë 172 zhvarrime. Gjatë kësaj kohe mbetjet mortore të 470 personave janë identifikuar, 327 personave prej të cilëve ishin persona të pagjetur.

Tek sundimi i ligjit pritshmërit nga EULEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ishin të mëdha. Me ardhjen e këtij misioni një pjesë e madhe e qytetarëve besuan se luftimi i korrupsionit do të ishte i madh dhe në këtë mënyrë proceset integruese drejt Bashkimit Evropian do të ishin më të shpejta, por tani pas shumë viteve, qytetarët janë të dëshpëruar sepse korrupsioni ende është një ndër faktorët që po kemi ngecje në proceset integruese. EULEX është  përfshirë në gjykimin e shumë rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe shpresat ishin se kokat e krimit do të ndëshkoheshin, por rezultatet ishin zhgënjyese për të gjithë. Dhe kur të gjithë kishin sytë nga misioni i BE-së, për luftimin e korrupsionit, ndodhi e kundërta, brenda misionit shpërthyen akuzat për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Në kohët e fundit EULEX u përball me një skandal të madh. Në publik u shfaq Malcolm Simmons ish-Kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve në EULEX. Simmons kishte dhënë dorëheqje nga ky mision në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë kishte filluar akuzat drejt EULEX-it për korrupsion, ndërhyrje në procese gjyqësore për qëllime politike, kërcënime ndaj dëshmitarëve dhe fshehje të provave. Simmons dërgoi shumë kërkesa tek liderët politik në Kosovë që t’i mundësohej raportimi në Kuvend. Pas shumë kërkesave ai u pranua të raportojë para komisionit për legjislacion. Gjatë raportimit ai i shokoi të gjithë, duke deklaruar se EULEX nuk është mision i qeverisjes së drejtësisë, por një mision politik, duke thënë se ky mision kishte qëllim të hiqte nga skena politike ata që i cilësoi si “peshqit e mëdhenj” apo ata persona që ishin parë si pengesë për dialogun Kosovë – Serbi. Tutje ka raportuar se EULEX  u ka dhënë prokurorëve serbë dokumente lidhur me krimet e luftës të kryera nga serbët në Kosovë dhe në ato dokumente ka pasur të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin viktima të atyre krimeve dhe detaje të dëshmitarëve, shumica prej tyre shqiptarë. Misioni EULEX përmes një komunikate i ka mohuar të gjitha akuzat e Simmons, duke thënë se janë të pavërteta.

Por, pas raportimit të Simmons, tani edhe një ish zyrtare e lartë e EULEX-it, Maria Bamieh po kërkon të raportojë para Kuvendit për shkeljet e këtij misioni. Ish-prokurorja Bamieh ka bërë të ditur se është e gatshme të raportojë para Kuvendit për skandalet me korrupsion brenda misionit EULEX, nga prokurorë dhe gjyqëtarë ndërkombëtar që kanë shërbyer në Kosovë. Bamieh akuzon EULEX-in se dikur krijonin raste kundër atyre politikanëve që nuk i pëlqenin dhe bënin presion për t’i hequr çështjet kundër atyre që u pëlqenin. Bamieh shkon më tej duke thënë që gjithçka u diktua nga Brukseli dhe se drejtësia dhe sundimi i ligjit ishin iluzioni që ata përdornin për t’u fshehur në mënyrë që të arrinin qëllimet dhe objektivat e tyre politike në Ballkan. Të gjitha këto akuza po lënë të kuptojnë se misioni EULEX ka qenë e paaftë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se sundimi i ligjit nuk arriti të aplikohet në plotëni. Në vitin 2018 mandati i EULEX-it, përsëri zgjatet, por me kompetenca të kufizuara dhe në këtë mënyrë misioni i dorëzon autoriteteve vendore mijëra dosje të papërfunduara dhe kthehet vetëm në mision monitorues. Aktualisht misioni ka mandat deri në vitin 2023 dhe gjatë kësaj periudhe është duke i dhënë mbështetje logjistike dhe operacionale Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Me shumë se dy dekada me misione ndërkombëtare, qëllimi i të cilave ishte sundimi i ligjit dhe ndihma e institucioneve gjyqësore të Kosovës në këtë drejtim, prapë nuk është arritur sukses. Sistemi gjyqësor i Kosovës nuk ka arritur të pavarësohet në mënyrë të plotë dhe të ketë efikasitet. Mbi 200 mijë lëndë të pazgjidhura, shumë lëndë të kthyera në rigjykime, ndërhyrjet politike, korrupsioni dhe shumë parregullësi tjera karakterizojnë gjykatat e Kosovës. Reformat në drejtësi janë të domosdoshme, vetingu, rritja e numrit të gjyqëtarve, menaxhimi më i mirë i lëndëve dhe shumë gjëra tjera të cilat do të lehtësonin punën e stafit gjyqësor dhe do të mundësonin sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është jetik për shtetin e Kosovës, kjo sepse në këtë mënyrë do të minimizohen të këqijat si krimi i organizuar dhe korrupsioni të cilat janë pengesë për proceset integruese. Një shtet me një sistem të pavarur gjyqësor me prokurorë, gjyqëtarë e profesionistë me integritet, proceset integruese euro-atlantike do të jenë më të shpejta.


(Autori është student i Shkencave Politike)

SHQIPTARËT DHE ALBANOLOGU KROAT MILLAN SHUFLAJ

 


Millan Shufllaj (Milan Šufflay) lindi Në Lepogllavë, më 8 nëntor 1879, vdiq në Zagreb, më 19 shkurt 1931. Është historian, politikan, përkthyes dhe shkrimtar kroat. Një prej themeluesve të albanologjisë. Autor i të parit roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Fëmija më i vogël i mësuesit Augustin Shuflaj dhe i Franciska, e lindur Velle fon Forstern (Welle von Vorstern). Nëna e tij ishte gjermane nga Osijeku (qytet në Kroacinë e sotme). Millan Shuflaj kishte dy motra më të mëdha – Angella dhe Zllata. Në vitin 1897 kreu në   Zagreb gjimnazin klasik. Studioi në Universitetin e Zagrebit historinë. Në vitin 1901 mbrojti disertacionin “Kroacia dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore nën skeptrin e tre Komnenëve (1075-1180) dhe mori gradën e doktorit të filozofisë. Qysh si student, njihte frëngjishten, gjermanishten, italishten, anglishten, të gjitha gjuhët sllave, latinishten, greqishten e vjetër dhe greqishten e mesme. Më vonë mori njohuri për greqishten e re, shqipen, hebraishten dhe sanskritishten (indishtja e vjetër). Profesori Tadija Smiçikllas e konsideronte si studentin e vet më të talentuar. E kishte asistent në redaktimin e “Codex diplomaticus” të Akademisë.

Në vitet 1902-1903 studioi në Institutin e Historisë Austriake në Vjenë. U mor me studimin e historisë mesjetare kroate si dhe me të kaluarën e shqiptarëve. U bë edhe historian i Ballkanit. Kishte bindjen se e kaluara e kroatëve mund të hulumtohet drejt vetëm nga pozicioni ballkanik. Me këtë e ndërpret mendimin mbizotërues të historianëve kroatë se kroatët janë përfaqësues të Perëndimit dhe në oponencë ndaj Ballkanit. Historiani, politikani dhe diplomati dhe albanologu i njohur hungarez, i lindur në Sllovaki Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916), e merr në Budapest ku punon në Muzeun Popullor. Në vitet 1904-1908 aty punon si kustos. Në vitin 1908, Bani (guvernatori) Levin Rauh (Rauch), e emëron profesor inordinar në katedrën e shkencave ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 1912 zgjidhet profesor ordinar. Kur bani Rauh zëvendësohet nga bani Nikolla Tomashiq, Millan Shufllaj u detyrua të largohej nga universiteti. Në fillim të vitit 1915 u mobilizua dhe u dërgua në shërbimin ushtarak austro-hungarez. Për shkak të sëmundjes, u lirua nga shërbimi ushtarak. Tani i shkruan punimet e tij më të rëndësishme.

*   *   *

Ishte një prej promotorëve kryesorë të idesë „kufiri në Drinë“, si kufi i religjioneve, i qytetërimeve dhe i ndarjes së botës katolike prej popujve jokatolikë.

Në vitin 1921, në shtetin e ri – Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Mbretëria e SKS) u arrestua “për tradhti të lartë”, spiunim në dobi të shtetit të huaj. U nxor para gjykatës, bashkë me Dr. Ivo Pilarin dhe 14 të akuzuar të tjerë. Procesi gjyqësor kundër tyre zgjati prej 2 deri në 25 qershori i vitit 1921. Sipas aktakuzës së drejtësisë të regjimit të mbretit Aleksandar I Karagjorgjeviq (Cetinë, Mali i Zi, 1888 – Marsej, Francë, 1934), këta kishin punuar për shkëputjen e dhunshme të Kroacisë nga Mbretëria e SKS.

Shënim: Aleksandar I Karagjorgjeviq ka qenë i pari mbret i Mbretërisë së SKS. Në vitet 1929-1934 ka qenë mbret i Mbretërisë Jugosllave. U vra në Marsej të Francës. Për atentatin u fajësuan nacionalistët kroatë.

*   *   *

Shuflaj deklaron para gjyqtarëve se Kroacisë nuk i duhet një luftë e armatosur si ajo në Irlandë dhe as shkëputje e dhunshme.

Midis tjerash thotë: “Kroacia e ka të drejtën e vet shtetërore, ndërsa kroatët si një popull politik, e kanë të drejtën e tyre të natyrshme, të drejtën për vetëvendosje. Ndërprerja e lidhjes me ish-monarkinë më 29 tetor 1918, paraqet bazë për shtetin e pavarur kroat. Ky shtet nuk është pjesë e ndonjë kornize të vjetër … Këtu s’kemi të bëjmë me shkëputje! Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë me një kornizë të re shtetërore, e cila juridikisht ende nuk është krijuar. Të më akuzoni se unë dëshiroj ta shkëpus shtetin kroat që ekziston, nga mbretëria SKS, e cila juridikisht nuk ekziston, nuk është veçse një lajthitje juridike dhe logjike. (…) Po qe se ndjenja kroate, dëshira dhe ideja për vetëvendosje, për shtetit kroat, besimi për Antantën paraqet mëkat, atëherë unë jam fajtor. Por, këtë ndjenjë, këtë dëshirë, këtë besim e ka i tërë populli kroat dhe i ka shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të Banovinës Kroate. Pushteti që më padit, mund ta fitojë procesin kundër meje, por duke qenë se e përndjek tërë popullin kroat, do ta humb procesin para fytyrës së Evropës… Për mua si filozof dhe si një kroat liridashës, fare s’ka rëndësi në qëndroj në bankën e vogël të kësaj gjykate ose të ndonjë ndëshkimoreje tjetër apo më shkarkoni nga akuza, për të dalë në liri, që nuk është veçse një burg i madh, ku mbahet nën robëri i tërë populli kroat, që me ndihmën e Zotit, besoj t’i vijë fundi”.

ShënimStjepan Radiq (Stjepan Radić, 1871-1928) është politikan, shkrimtar, përkthyes dhe publicist kroat. Personalitet i shquar i historisë kroate. I pari politolog kroat i diplomuar. Kryetar i Partisë Fshatare Kroate. Më 8 gusht 1928 u qëllua me revole në Kuvendin e Jugosllavisë në Beograd, gjatë seancës. Atentator ishte çetniku serb Punisha Raçiq. Me këtë rast u qëlluan edhe disa deputetë të tjerë kroatë. Stjepan Radiqi vdiq nga pasojat e plagëve të marra.

*  *   *

             Ndërhyrjeve të gjyqtarëve se askush nuk është duke e përndjekur popullin kroat, Shufllaj u përgjigjet: “Për këtë pyetni Stjepan Radiqin, ai është populli kroat”. Po kur të vdes Radiqi? Shufllaj ua kthen: “Populli kroat do të lindë Radiq tjetër”.

Shuflaj u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi bëri bujë në mbarë botën. Të akuzuarit e tjerë u dënuan: Pavao See me 12 vjet heqje lirie, Rudolf Vidak me 4 vjet, Dragutin Taborshak me 3 vjet e katër muaj, Franjo Shkvorc dhe Jakob Petriç me nga 3 vjet, Josip Drenski Shpolarec me 2 vjet e katër muaj, Ivan Havelka me 8 muaj, Gabriel Kruhak, Florijan Shtromar, Millan Galloviq dhe Ivan Kovaçiq me nga 6 muaj, Dr. Ivo Pilar me 2 muaj, me kusht një vit, ndërsa Sharlota Vidak, Antun Paviçiq dhe Andrija Medar u liruan nga akuza.

Lidhur me dënimet e sipërthëna ka pasur reagime nga shkencëtarë të shumë vendeve  të botës.

Shuflaj e vuajti dënimin në burgun e Mitrovicës së Sremit (Sremska Mitrovica). Pas transferimit në burgun e Zagrebit, u operua dhe u konstatua se lëngon nga tuberkulozi i mushkërive, nga emfizema dhe se ka probleme me zemrën. Më 2 tetor 1922, pasi e vuajti gjasmën e dënimit, u lirua nga burgu. U vendos te motra Zllata në Zagreb, në Rr. “Gunduliqeva” Nr. 25. Pasi doli nga burgu, përsëri iu përkushtua punës shkencore. Në pranverë të vitit 1928, pranoi ofertën e katedrës së historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Budapestit dhe më 1 qershor të po atij viti, u emërua profesor universitar, por nuk kishte mundësi të shkonte për arsye se kërkesa për pasaportë iu refuzua. Në vjeshtë të vitit 1929, me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave të Austrisë, e vazhdon veprën e historianit dhe ballkanologut çek, profesor i Universitetit të Vjenës, Konstantin Jireçek (Konstantin Joseff Jireček, 1854-1918) dhe të historianit, politikanit, diplomatit dhe albanologut të njohur hungarez Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916) – përgatit vëllimin III të lëndës arkivore “Codex Albanicus”. Dy vëllimet e para të veprës përfshijnë periudhën prej vitit 344 deri në vitin 1451.

Në vitin 1929 e pranon ftesën e qeverisë shqiptare për ta vizituar Shqipërinë. Pas shumë peripecish dhe ndërhyrjesh, ia del të marrë pasaportë. Në dhjetor të viti 1930 Shuflaj vjen në Shqipëri. Është pritur me nderime të mëdha. E ka pritur edhe Mbreti Ahmet Zogu (1895-1961). Më 16 janar 1931 Shuflaj mban fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

Shuflaj ka mbajtur letërkëmbim me personalitete të njohura të lëmit të shkencës, me institucione, me akademi të shkencave të Austrisë, të Gjermanisë, të Hungarisë, të Italisë, etj. Ka mbajtur letërkëmbim edhe me Mid’hat Frashërin (Lumo Skëndo, 1880-1949), me ministrinë Arsimit të Shqipërisë Abdurrahman Dibra (1885-1961). Ka botuar artikuj shkencor edhe në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Letërkëmbim ka mbajtur edhe me albanologun italian Antonio Balldaçi (Antonio Baldacci, 1867-1960). Për letërkëmbimin e Shuflait, historiani Zekiria Cana (1934-2009) dhe profesori, përkthyesi e gazetari Ymer Jaka (1937-2009) kanë botuar një studim në revistën “Përparimi”, Nr.1/1988, Prishtinë.

Vepra Serbët dhe shqiptarët“, të përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi, është botuar edhe në revistën “Hylli i Dritës”, Shkodër 1938.  

Kah mesi i janarit të vitit 1931 i hulumton fondet arkivore të Dubrovnikut dhe të Kotorit, ndërsa kah fundi i janarit të po atij viti e përfundon vëllimin III të botimit të “Codex Albanicus”.

*   *   *

Me t’u kthyer nga Shqipëria, mori letër kërcënuese. Nëpër gazetat dhe revistat u sulmua në mënyrë të vazhdueshme. Kjo tregonte qartas se qarqet serbomadhe kishin vendosur ta likuidojnë. Pjesëtarët e organizatës së regjimit “Jugosllavia e Re” (Mlada Jugoslavija), e cila gëzonte mbrojtjen e mbretit, më 18 shkurt të vitit 1931 e pritën në prag të derës, e qëlluan me hekur në kokë dhe ia thyen kafkën. Pas kësaj, i kanë hyrë në banesë dhe e kanë marrë dorëshkrimin e përgatitur për botim të bleut III “Codex Albanicus”. Vdiq pas një dite, më 19 shkurt 1931, nga pasojat e plagëve të marra në kokë.

Agjentët e policisë Lubomir Bellosheviq dhe Branko Cveger (Zwerger) që e kishin kryer krimin, u strehuan në Beograd. Pas themelimit të Banovinës (Guvernantës) Kroate, u kërkua dërëzimi i tyre. por më kot. Prej 10 qershorit deri më 14 qershor të vitit 1940, u zhvillua procesi i rigjykimit të atentatorëve. Edhe tani gjykata nuk deshi të provojë të vërtetën e pamohueshme se atentati apo krimi barbar ishte kryer me urdhrin e shefit të policisë së Zagrebit, Janko Bedekoviq, me porosinë e Beogradit. Pas një shqyrtimi treditor, më 21 qershor 1940, i shpalli fajtor Branko Cvergerin (Zwerger) dhe Lubomir Bellosheviqin, ndërsa personin e tretë, Stevo Veçerinac, e liroi nga faji. Branko Cverger (Zwerger) u dënua me dënim të përjetshëm dhe me humbjen e përhershme të të drejtave për të qenë i nderuar, ndërsa Lubomir Bellosheviqi u dënua me pesë vjet heqje lirie dhe me humbjen e të drejtave për të qenë i nderuar.

Prokurori shtetëror nuk ishte i kënaqur me lartësinë e dënimeve. Më 28 qershor 1940 i paraqiti Avokatisë Shtetërore ankesë dhe kërkesë për revizion. Kërkoi nga Tryeza e të shtatëve që lidhur me lartësitë e dënimeve të marrë vendim të ri. Tryeza e të shtatëve dënimin për Branko Cvergerin (Zwerger) e konfirmoi, ndërsa për Lubomir Bellosheviqin, gjatë dhjetorit të vitit 1940 dhe janarit të vitit 1941, në Gjykatën e qarkut në Zagreb, mbajti proces të ri. Më 25 janar 1941, nxori për të aktgjykim lirues.

*   *   *

Fizikani gjerman me prejardhje hebraike Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955) dhe romancieri gjerman, autor veprash me tema sociale Hajnri Man (Heinrich Mann, 1871-1950), nëpërmjet Lidhjes ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me seli në Paris, e ftuan opinionin kulturor të botës të ngrenë zërin e protestës kundër krimit të kryer ndaj Millan Shuflait. Megjithëkëtë, vrasjet politike të kroatëve në Jugosllavi vazhduan.

Më 22 shkurt 1931, edhe pse ishte ithtar i Partisë Kroate të Drejtësisë, Shuflaj u varros në pjesën e portikut të varrezave Mirogoj të Zagrebit, që i takonte Partisë Fshatare Kroate.

Veprat – Përpos veprave shkencore, Shuflaj ka shkruar edhe romanin “Në Paqësor, në vitin 2255”. Është i pari roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Për këtë arsye konsiderohet themelues i letërsisë fantastike-shkencore kroate. Veprën e botoi më 1924 me pseudonimin Eamon O’Leigh. U botua në “Obzor” prej 23 prillit deri më 1 gusht 1924, në 75 vazhdime. Në këtë roman e parashikoi shpërthimin e Luftës së dytë Botërore, rritjen e temperaturës në tokë, përhapjen e feminizmit, rritjen e përdorimit të drogës dhe të stimuluesve të ndryshëm, kalimin në vegjetarianizëm, bioinxhinieringun etj.

Ka shkruar disa libra nga historia e Shqipërisë.                        

– Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180), Zagreb, 1901; (Kroacia dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore para skeptrit të tre Komnenëve, 1075-1180);

– Die Dalmatinische Privaturkunde, Vjenë, 1904;

– A két arbei iker-oklevél, Athenaeum irodalmi es nyomdai r.-t. nyomasa, Budapest, 1905;

– Biologie des albanesischen Volksstammes, Munchen, 1916;

– Die Kirchenzustànde im vorturkischen Albanien von Milan v. Sufflay, Budapest, 1916.

 Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia; Kjo përmbledhje diplomatike shqiptare, në dy vëllime, u punua bashkë me Konstantin Jireçekun dhe Lajosh Talloçin (Thallóczy)], Vëllimi I, Vjenë 1913; Vëllimi II, 1918. (repr. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë etj. Vëll. 1: Annos 344-1343 tabulamque geographicam continens. Vëll. 2: Annos 1344-1406 continens, Tirana, 2002.);

– Kostadin Balšić“ (1392-1402.): roman historik në tri pjesë„Kostadin Balsha“ (1392-11402), roman historik, Shtypshkronja Merkur, Zagreb, 1920. (me pseudonimin Alba Limi);

– Ludwig v. Thalloczy: (1854-1916), Weidmannsche Buchhandlung, Berlin, 1920;

– Stàdie una Burgen Albaniens hauptsachlich wahrend des Mittelalters, Vjenë-Lajpcig (Leipzig), 1924; Albanski gradovi i utvrde posebice u srednjem vijeku (Qytetet dhe kështjellat shqiptare në veçanti në mesjetë);

– Srbi i Arbanasi(Njihova simbioza u srednjem vijeku)Serbët dhe shqiptarët. (Simbioza e tyre në mesjetë), Beograd-Lubjanë, 1925. (Književna zajednica Kultura, Sarajevë, 1990; bot. Azur Journal, Zagreb, 1991; botimi anglez Serbs and Albanians, përkthyer në anglisht nga Wayles Browne dhe‎ Theresa Alt, Alerion, 2012);

– Serbët dhe shqiptarët“, përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi (Shkodër, 1895 – Palermo, Itali, 1971), Tiranë, 1926;

– Statuti i uredbe kaptola dračke stolne crkve (Statutet dhe dekretet e kaptolit të kishës ekleziake të Durrësit) (Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, 1927, bashkautor historiani kroat, profesor i Universitetit të Beogradit dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Viktor Novak (1889-1977);

– Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike: dvanaest eseja(Kroacia në dritën e historisë dhe të politikës botërore: dymbëdhjetë ese); Shtypshkronja Merkantile (Gj. Jutrisha dhe shokët), Zagreb, 1928, (rishtypur, Darko Sagrak, Zagreb, 1999);

– Hrvati u sredovječnom svjetskom viru, 1931 (Kroatët në vorbullën botërore të mesjetës), 1931;

– Historia e shqiptarëve të veriut. Serbët dhe shqiptarët, Prishtinë, 1968;

– Dr. Milan Šufflay: znanstvenik, borac i mučenik: povodom 60 godišnjice od atentata 1931-1991, kryeredaktor përgjegjës Dobrosllav Paraga dhe Ante Paraxhik, Hrvatska stranka prava, Zagreb, 1991. (Dr. Millan Shuflaj: dijetar, luftëtar dhe martir: me rastin e 60-vjetorit të atentatit 1931-1991); Partia Kroate e Drejtësis;

– Kostadin Balšić(Kostadin Balsha)Bashkësia e shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Zagreb, 1997;

– Na Pacifiku god. 2255., Prosvjeta, Zagreb, 1998., (Në Paqësor, në vitin 2255: roman metagjenetik në katër libra, roman fantastik-shkencor; i regjistruar për herë të parë në vitin 1998);

– Izabrani eseji, prikazi i članci, Darko Sagrak, Zagreb, 1999. (Ese të zgjedhura, paraqitje dhe artikuj);

– Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija(Ese të zgjedhura, shqyrtime, paraqitje, artikuj dhe letërkëmbim);përgatiti për shtyp dhe redaktoi Darko Sagrak, Zagreb, 2000;

– Izabrani politički spisi(Shkrime politike të zgjedhura); përgatiti Dubravko Jelçiq në edicionin Stoljeća hrvatske književnosti (Shekuj të letërsisë kroate), Zagreb, 2000;

– Dalmatinsko-hrvatska srednjovjekovna listina. Povijest hrvatskoga notarijata od XI. do XV. stoljeća(Dokumente dalmato-kroate të mesjetës. Historia e noterisë kroate prej shekullit XI deri në shekullin XV), Zagreb, 2000, përkthimi Die Dalmatinische Privaturkunde nga 1904. Redaktoi dhe përktheu nga gjermanishtja Darko Sagrak. (botim i dytë, 2007).

*   *   *

            Më 26 nëntor 2002, u mbajt në Tiranë konferenca shkencore „Shuflaj dhe shqiptarët“,  kushtuar veprës së Shuflait. Në të morën pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Kroacia etj. I pranishëm ishte edhe Ismail Kadareja. Me këtë rast, kryetari i Shqipërisë Alfred Moisiu   i akordoi post mortem Shuflait çmimin „Naim Frashëri i Artë“;

Më 25 nëntor 2013, Posta e Shqipërisë ua kushtoi botimin e dytë të rastit, albanologëve të njohur Millan Shuflait, Konstantin Jireçekut dhe Lajosh Talloçit (Thallóczy).

Përpos pullës postare të Postës së Shqipërisë me portrtin e Shuflait, në Tiranë dhe në Prishtinë ka rrugë që e mbajnë emrin e tij.

*   *   *

            Në vitin 1994, në shtëpinë që ndodhet në Rr. „Dalmatinska“ Nr. 6, para së cilës u krye atentati ndaj tij, Shoqata „Braća Hrvatskoga Zmaja“, („Vëllezërit e Dragoit Kroat“) vendosi pllakë përkujtimore.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zagreb e ndan Certifikatën për merita „Milan Šufflay“ personave, institucioneve dhe organizatave për kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e miqësisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë dhe popujve të tyre; për kontribut të jashtëzakonshëm për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon; apo për kontribut të veçantë në lëmin akademik, të kulturës, të artit dhe të shkencës që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe me kroatët.

Xhelal Zejneli

Presidenti rus Vladimir Putin : Moska me alternativa nëse Perëndimi refuzon propozimet mbi Ukrainën

 


Në fillim të këtij muaji, Moska paraqiti dy projekt-dokumente mbi sigurinë, duke kërkuar që NATO të mos lejojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë, e vendeve të tjera ish-sovjetike, si dhe të tërheqë trupat ushtarake të saj nga Evropa Qendrore e Lindore.

Putin i ka kërkuar Perëndimit të lëvizë me shpejtësi për të përmbushur kërkesat, duke paralajmëruar se Moska do të ndërmarrë “masa të përshtatshme ushtarako-teknike” nëse Perëndimi siç tha ai, vazhdon kursin e tij agresiv në pragun e Rusisë.

I pyetur për të specifikuar se për çfarë bëhet fjalë Putin tha se alternativat “mund të jenë të ndryshme”, duke shtuar se kjo “do të varet nga propozimet që do të paraqesin ekspertët ushtarakë rusë”.

SHBA dhe aleatët e saj kanë refuzuar t’i ofrojnë Rusisë garancitë që kërkon lidhur me Ukrainën, duke përmendur parimin e NATO-s se anëtarësimi është i hapur për çdo vend kualifikues. Megjithatë Perëndimi ka rënë dakord, për të nisur bisedimet me Rusinë muajin e ardhshëm për të diskutuar shqetësimet e saj.

Sipas Putinit, bisedimet me SHBA-në do të mbahen në Gjenevë. Paralelisht, pritet të zhvillohen edhe negociata ndërmjet Rusisë dhe NATO-s dhe priten diskutime më të gjera në kuadrin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Në fjalimin e transmetuar të dielën, Presidenti Putin tha se Rusia i paraqiti kërkesat me shpresën për një përgjigje konstruktive nga Perëndimi.

Ai ripohoi se anëtarësimi në NATO i Ukrainën ose vendosja e armëve të aleancës në këtë vend është një vijë e kuqe për Moskën, dhe se ajo nuk do të lejonte që Perëndimi ta kalonte.

Kremlini prezantoi kërkesat e tij mes tensioneve mbi një rritje në javët e fundit të pranisë ushtarake ruse pranë Ukrainës çka ka nxitur frikën e Perëndimit për një sulm të mundshëm. Presidenti Joe Biden paralajmëroi Putinin gjatë një video-telefonate në fillim të këtij muaji se Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” nëse sulmon Ukrainën.

Rusia ka mohuar se ka një qëllim të tillë dhe ka akuzuar Ukrainën për hartimin e planeve në përpjekje për të rimarrë kontrollin e territoreve që mbahen me force nga rebelët e mbështetur nga Moska. Ukraina i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, një territor i Ukrainës në vitin 2014. Gjatë më shumë se shtatë viteve luftime janë vrarë mbi 14,000 njerëz dhe është shkatërruar zemra industriale e Ukrainës, njohur si Donbasi.

VIRUSI : Omicron përhapet në Evropë, vendet raportojnë shifra të larta


    Autoritetet shëndetësore në Francë dhe Itali regjistruan një numër rekord rastesh më koronavirus, ndëra varianti “Omicron” vijon të përhapet lehtësisht, transmeton VOA.

Dje, Franca raportoi 104,611 raste të reja me Covid-19, rekordi më i lartë ditor që nga fillimi i epidemisë në vend.

Agjencia franceze e Shëndetit Publik tha se në total numri infektimeve ka kaluar shifrën 9 milionë. Në spitalet në mbarë vendin ndodhen më shumë se 16 mijë pacientë të shtruar, dhe më shumë se 3 mijë prej tyre janë në kujdes intensiv.

Ndërsa në Itali, autoritetet shëndetësore raportuan 54,762 infeksione të reja të shtunën, duke vendosur rekord për të tretën ditë radhazi. Që nga fillimi i pandemisë në Itali janë regjistruar mbi 5.62 milionë raste me COVID-19.

Edhe në Gjermani situata është e zymtë, sipas Institutit Robert Koch, që është përgjegjës për sëmundjet infektive.

Autoritetet ngrenë alarmin se me rritjen e infektimeve dhe shtrimeve në spitale, stafi mjekësor po mbingarkohet me punë, ndërsa shumë prej tyre janë të infektuar.

Në Londër, ku është regjistruar dhe numri më i lartë i infeksioneve, shumë qytetarë ditën e krishtlindjeve e kaluan në radhë për të marrë marrë vaksinën.

Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters, infeksionet me Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar janë në kulmin e tyre – mesatarja më e lartë ditore e raportuar, mbi 100 mijë infeksione të reja çdo ditë.

Të dhënat fillestare të dy studimeve në Britani tregojnë se infektimi me variantin “Omicron” të koronavirusit mund të kalohet më lehtë sesa infektimi me variantin “Delta“. Por gjetjet gjithashtu tregojnë se “Omicron” është variant shumë më ngjitës krahasuar me atë “Delta“.

Ish-presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias ka ndërruar jetë sot në moshën 92-vjeçare.

 


Sipas lajmit të agjencisë shtetërore AMNA të Greqisë, Papoulias ka kryer detyrën e presidentit për 10 vite.

Papoulias ka lindur në Janinë (Ioannina) dhe pas përfundimit të Fakultetit të Drejtësisë në Athinë kreu studimet master për të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Milanos.

Pas përfundimit të doktoraturës në Universitetin e Këlnit, Papoulias u kyç në politikë në vitin 1974 duke iu bashkuar PASOK-ut, partisë që qendrës së majtë të Greqisë.

Gjatë karrierës politike, Papoulias ka kryer detyra në Ministrinë e Jashtme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa në periudhën 2005-2015 ai ka ushtruar detyrën e presidentit.

Vdes aktori i madh decanas Sylë Kuqi

 












Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit Syl Kuqi, ish aktor rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Karriera e aktorit Syl Kuqi ndërlidhet me filmin artistik dhe punën e tij aktoriale në Teatër për dekada me radhë.

Që nga Kosovafilmi, pastaj Teatri Popullor Krahinor, më vonë TKK - ja, si dhe në produksione të filmit të pavarur, ai ishte angazhuar vazhdimisht dhe ka lënë mbresa të theksuara sidomos në fushën e filmit.
Teatri Kombëtar i Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Tij dhe mbarë komunitetit artistik.
Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...