Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/31

50 minuta bisedë në telefon, Bideni i kërkon Putinit ta qetësojë situatën

 

Presidenti Joe Biden foli të enjten me homologun e tij rus Vladimir Putin me shpresën për të zbutur një krizë të pandërprerë në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Biden dhe Putin kishin folur për herë të fundit më 7 dhjetor në një video-konferencë që përfundoi me një premtim për të rifilluar diskutimet diplomatike – por asnjë indikacion se Rusia po përgatitej të ndalonte tensionet.

Që atëherë, deri në 100,000 trupa ruse kanë mbetur të grumbulluara në kufirin ukrainas, pavarësisht paralajmërimeve nga Biden dhe liderët evropianë për pasoja të rënda nëse Putini ecën përpara me një pushtim. Zyrtarët amerikanë thonë gjithashtu se Moska është e përfshirë në një fushatë masive dezinformuese që synon të minojë qeverinë e Ukrainës përpara zgjedhjeve kombëtare të atij vendi.

Biden shpresonte se telefonata e së enjtes do të jepte më shumë përparim në zbutjen e tensioneve. Zyrtarët amerikanë thanë se ai do t’i tregonte Putinit se ekziston një shteg për të shmangur konfliktin – dhe si rrjedhojë për të shmangur sanksionet ekonomike që Perëndimi është gati të vendosë nëse trupat ruse lëvizin përtej kufirit.

Biden e kreu thirrjen nga shtëpia e tij në Wilmington, Delaware.

Bisedimet Biden-Putin vijnë afërsisht dy javë përpara se diplomatët amerikanë dhe rusë planifikojnë të takohen në Gjenevë për të diskutuar krizën në vazhdim. Në krye të këtyre diskutimeve, Rusia ofroi publikisht një listë të shqetësimeve të sigurisë dhe kërkesave që dëshiron të adresohen, duke përfshirë një angazhim që Ukraina të mos lejohet kurrë të anëtarësohet në NATO dhe që pajisjet ushtarake nga aleanca të mos pozicionohen në shtetet e saj ish-sovjetike.

Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur listën e tyre të shqetësimeve, u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar i lartë i administratës amerikane, por nuk po planifikon ta bëjë atë publike. Në vend të kësaj, këshilltarët e Bidenit besojnë se do të jetë më e frytshme të mbahen negociatat private.

Bisedimet e drejtpërdrejta SHBA-Rusi do të pasohen nga takime më të gjera midis NATO-s dhe Rusisë, së bashku me një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku një sërë temash janë për diskutim.

SHBA-ja është zotuar të mbajë të lidhur vendet e Evropës Perëndimore dhe vetë Ukrainën, ndërsa Biden angazhohet në formë diplomatike me Putinin

2021/12/30

​“At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

 81 vjet nga ndarja nga jeta e autorit të “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta.


Shkrimtari i madh shqiptar vdiq më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës.

Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta u lind në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe "Poet kombëtar i shqiptarëve" nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej "Homer i Shqipërisë".

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të "Lahuta e Malcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit" dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika veset", më 1913 boton "Mrizi i Zanave". Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix ". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën "Hylli i dritës", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve '90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi".

U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.

Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë" në vitin 1937.

MEDIUMI AMERIKAN, VARIETY SHKRUAN PËR FILMIN KOSOVAR: “ZGJOI”

 Filmi kosovar “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit vetëm pak ditë më parë u bë e ditur se është futur në listën e ngushtë të nominimeve për Oscars 2022.

Reagimet në rrjet kanë qenë të shumta e mjaft pozitive, duke qenë kështu një sukses i madh për gjithë kinematografinë e popullin shqiptar.

Së fundmi, në një postim të shpërndarë nga faqja e filmit “Zgjoi” thuhet se mediumi amerikan Variety ka publikuar listën e filmave që do të jenë për Oscar.

Sipas tyre, në pesëshen e kategorisë për filmin më të mirë ndërkombëtar është edhe “Zgjoi”.

“Variety: “Zgjoi” në mesin e të nominuarve për “Oscars”. Kanë filluar të publikohen parashikimet e para sa i përket prestigjiozes “Academy Awards”. Mediumi i njohur amerikan “Variety” është ndër të parët që ka publikuar listën e filmave që sipas tyre do të jenë në mesin e të nominuarve për çmimin “Oscar”. Në pesëshen e kategorisë për filmin më të mirë ndërkombëtar është edhe “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit”, thuhet në shkrimin e shpërndarë.

Filmi, me protagoniste kryesore aktoren Yllka Gashi, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

IZRAELI PRANON KONTINGJENTIN E PARË TË PILULAVE KUNDËR KORONAVIRUSIT

 

Izraeli pranoi më 30 dhjetor kontingjentin e parë të pilulave të kompanisë Pfizer, kundër koronavirusit.

Kryeministri, Naftali Bennett e vlerësoi këtë veprim të domosdoshëm në kohën kur vendi po ballafaqohet me numër të madh infektimesh si pasojë e variantit të ri, Omicron.

“Falë veprimit tonë të shpejtë, pilulat arritën në Izrael më shpejtë dhe do të na ndihmojnë të tejkalojmë më lehtë këtë valë të rasteve me Omicron”, tha Bennett.

Agjencia amerikane për Ushqim dhe Ilaçe javën e shkuar autorizoi pilulën e kompanisë Pfizer, Paxlovid për përdorim tek personat me sëmundje të rënda nga mosha 12- vjeçare.

Përgjatë testimeve, është konfirmuar se trajtimi me pilula redukton rastet e hospitalizmit dhe vdekjet deri në 88 për qind.

Në anën tjetër, sipas autoritete shëndetësore në Izrael të mërkurën e 29 dhjetorit në vend u regjistruan 4 mijë raste të reja me koronavurus, përqindje kjo më e madhe që nga shtatorit.

Sidoqoftë, janë rreth 4.2 milionë izraelitë nga 9.4 milionë banorë që tashmë janë vaksinuar edhe me dozën e tretë të vaksinës.

Kina dhe Rusia po garojnë për të zotëruar inteligjencën artificiale (IA)

 

Shefi i Agjencisë britanike të Spiunazhit të Jashtëm (MI6), Richard Moore ka paralajmëruar se Kina dhe Rusia po garojnë për të zotëruar inteligjencën artificiale (IA) nga vendet e Perëndimit, si një mënyrë për të revolucionarizuar gjeopolitikën.

Spiunët e botës, nga Londra në Moskë dhe Pekin, po përpiqen të përballen me përparimet teknologjike që sfidojnë operacionet tradicionale të spiunazhit të drejtuara nga njerëzit.

Moore është shprehur se inxhinieria kuantike, bioinxhinieria, sasitë e mëdha të të dhënave (Big Data) dhe zhvillimet në fuqinë kompjuterike përbënin një kërcënim që sipas tij kjo duhet adresohet nga Perëndimi.

“Kundërshtarët tanë po shpërndajnë para për të zotëruar inteligjencën artificiale, inxhinierinë kuantike dhe biologjinë sintetike, sepse ata e dinë se zotërimi i këtyre teknologjive do t’u japë atyre avantazhe”, është shprehur Moore.

Si një ish-diplomat që u bë shef i MI6-së në vitin 2020, Moore tha se zhvillimi teknologjik gjatë dekadës së ardhshme mund ta tejkalojë të gjithë përparimin teknologjik që ishte gjatë shekullit të kaluar.

“Si shoqëri, ne ende duhet ta përvetësojmë këtë fakt dhe ndikimin në gjeopolitikën botërore”, tha ai.

Një shqetësim i veçantë për spiunët e Perëndimit janë agjencitë e inteligjencës ruse dhe kineze, të cilat kanë nxituar të shfrytëzojnë disa teknologji, ndonjëherë me një ritëm më të shpejtë se vendet perëndimore.

Në fund, Moore është shprehur se MI6 duhet të ndryshojë për të shfrytëzuar teknologjitë e reja.

Sami Arifi: Gjurmime Albanologjike të Milan von Sufflay dhe vrasja e tij nga terrori serb!

 


Pikërisht në ditën e pushtimit të Durrësit nga ushtria gjakatare serbe, profesori kroat, Milan Shuflaj (Milan von Sufflay), botoi në gazetë një shkrim të gjatë, ku tregonte se argumentet serbe ishin jo më shumë se sa propagandë politike. Artikullin e tij e botonte gazeta austro-hungareze Neue Freie Presse. Milan von Sufflay, profesori kroat botoi në gazetën austro-hungareze“Neue Freie Presse” ku tregohët se: “argunentet serbe ishin jo më shumë se sa propagandë politike“ Ndër anëtarë të autoktonisë së shqiptarëve ishte historiani Milan von Shuflaj. Sipas këtij dietari edhe sikur mos të kishim lajme historike si ato të Ptolemeut për fisin e Albanoive, vetë gjurmët e ndikimit gjuhësor të latinishtës në shqip do të mjaftonin për të caktuar vendbanimet e shqiptarëve mu në brez të Adriatikut. Emrat e moçëm të vendeve në formën e tanishme dëshmojnë se ky popull rron paprerë në brigjet e Adtiatikut që prej asaj kohe e gjerë më sot. Sufflay mblodhi dokumente për shqiptarët nga arkivat bregdetare të Dalmacisë “Codex Diplomaticus”, ai më 1920 botoi romanin historik me temën “Konstandin Balsha”. Sufflay thekson se historia shqiptare është etnokulturore me rrënjë të lashta autoktone si dhe vazhdimsi e pandërprerë me aftësi të madhe rigjeneruese dhe se ajo përfaqëson thelbin autentik të Ballkanit të lashtë. Më 1924 u botua vepra e tij nga akademia e shkencave të Vjenës e titulluar “Qytetet dhe kalat e Shqipërisë kryesisht gjatë mesjetës”, “Shqipëria e Veriut” si dhe “Serbët dhe Shqiptarët”. Ai kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1931, ndërsa pas kthimit nga Shqipëria, më 18 shkurtë të vitit 1931, vritet në formën më brutale nga terroristët serbë që i financonte në atë kohë qeveria e Beogradit. Pas vrasjes së Sufflayt nga terroristet serbë, ata bastisen apartmentin e tij dhe vodhën dorshkrimin “Kodet e Shqipes”, vëllimin e tretë, që ishte një punë e madhe për historinë dhe kulturën shqiptare, dorshkrime këto që su gjetën më kurrë. Për vrasjen e Milan Shuflajt (Milan von Sufflay) reaguan mediet ndërkombëtare, si dhe personalitete të fuqishme të letërsisë, artit, shkencës etj. Në mes reagimeve do të spikaste protesta publike e shkencëtarit me renome botërore Albert Ajnshtajnit (Albert Einstein) dhe shkrimtarit gjerman vëlla i nobelistit Thomas Mann, Hirstrish Mann, këta denoncuan publikisht Beogradin për këtë krim. Letra e tyre u botua në faqet e para të gazetës së famshme “New York Times” më 5 maj 1931. Ajnshtajni dhe Mann iu drejtuan organizatës ndërkombëtare me qendër në Paris, ku bëjnë thirrje për mbrojtjen e shkencëtarëve kroat nga regjimi diktatorial serb.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...