2022-01-10

Dhëmbët e diktaturës neokomuniste të kryetradhtarit Rama

 




Prof.dr. Eshref Ymeri

 


 

Sot Shqipëria është ngrysur

si një Serbi e dytë

 

               Sonila Meço, moderatore

                e emisionit “Task Force”

                                                 të kanalit “Syri Televizion”

 

       Ngjarjet e ditës së djeshme, 08 janar 2022, para selisë së Partisë Demokratike, vërtetuan pa mëdyshjen më të vogël se kryetradhtari i kombit shqiptar Rama, doli me letra të hapura para opinionit publik dhe vërtetoi konkretisht se në vendin tonë ai ka instaluar diktaturën e modelit serbosllavist. Domosdo që puna do të vinte deri në këtë pikë, përderisa Ramën, si kryeargatin e serbosllavizmit, Vuçiçi kishte kohë që e trajtonte sikur të ishte dhëndër i Beogradit.

       Në të njëjtën kohë, ngjarjet e ditës së djeshme dëshmuan edhe për një gjë tjetër, për çka është folur shpesh e më shpesh, sidomos që prej shtatorit që kaloi. Eunuku politik i Ramës që prej natës së 17 majit 2017, me emrin Lulzim Basha, doli nga lëkura e vet dhe u shfaq në mjetet e informimit masiv ështu siç është në të vërtetë - një gjallesë dykëmbëshe pa shtyllë kurrizore, që merr dhe mundohet të zbatojë urdhra nga kushdoqoftë kundër vendit tonë, si detyrë kryesore kjo në ushtrimin e zejes së tradhtisë. Ngjarjet në fjalë nxorën në pah zellin e Bashës, si eunuk politik i Ramës, për zhbërjen shkallë-shkallë të pluralizmit përmes shpërbërjes së pandalshme të opozitës në Shqipëri që prej shtatorit të vitit 2013.

       Mbarë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare nuk mund të mos e kenë vënë re ecurinë e qëndrimeve tradhtare të Bashës, të cilat, në lidhje me tri çështje themelore me rëndësi kombëtare, kanë qenë në sinkron të plotë me qëndrimet e Ramës, si kryeargat i Beogradit.

       Së pari, Basha ka heshtur si mumje para qeverisjes tradhare të Ramës, i cili, me politikën antikombëtare që ka ndjekur gjatë viteve të ushtrimit të pushtetit, ka bërë që Shqipëria, për shkak të varfërisë që ai ka mbjellë anë e kënd, të shpopullohet në mënyrë të frikshme. Kështu, në një informacion të Institutit të Statistikave, të botuar vitin e kaluar, thuhet se “...nga viti 2011 deri në vitin 2020 janë larguar nga vendi rreth 600 mijë persona... Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë. Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve. Përveç tyre, ka edhe faktorë të tjerë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit” (Citohet sipas: “Mbi 600 mijë veta nga 2011-2020 janë lërguar nga Shqipëria”. Faqja e internetit “Ina”. 08 shkurt 2021).

       Së dyti, Basha, si eunuk politik i Ramës, s’është bërë i gjallë dhe të thotë një fjalë të vetme për veprën tradhtare të Ramës, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me kriminelin e Dardanisë Vuçiç, me mbështetjen e fuqishme të kryemafiozit politik dhe financiar Soros, pati përkrahur planin ogurzi për ndarjen e Dardanisë.

       Së treti, Basha ka mbështeur në heshtje nismën e kriminelit Vuçiç dhe të Ramës për të ashtuquajturin projekt për Ballkanin e Hapur, i cili s’përfaqëson gjë tjetër, veçse një plan djallëzor për kolonizimin ekonomik të Shqipërisë nga serbosllavizmi.

       Në këto kushte, vetvetiu lind një pyetje normale. Si shpjegohen dhe ku e kanë burimin këto tre qëndrime tradhtare të Bashës, të sinkronizuara plotësisht me qëndrimet antikombëtare, deri në tradhti, të Ramës? A duhet menduar se qëndrime të tilla e kanë burimin vetëm te “krushqia” e fshehtë që Rama lidhi me Bashën natën e 17 majit 2017? Apo mos ka edhe ndonjë burim tjetër?

       Dihet që UNMIK-u, i instaluar në Dardani pas përfundimit të luftës, është një strukturë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila, faktikisht, ka përkrahur dhe vazhdon të përkrahë në heshtje interesat e Serbisë. Dihet që Basha, si përkthyes, ka qenë i punësuar në strukturat e UNMIKU-ut. Atëherë kush na siguron se Basha nuk ka qenë i peshkuar në UNMIK dhe i rekrutuar me kohë nga shërbimi sekret serb si agjent i  Beogradit?

       Lexuesit e ndershëm, për të cilët është e shtrenjtë Çështja Kombëtare Shqiptare, le të lexojnë me vëmendje informacionin  me titull “Lulzim Basha ndjehet i turpëruar që zhduku filmimet e masakrës serbe në Krushë, ku u vranë 240 shqiptarë të Kosovës?!”, të botuar në faqen e internetit “Alpe News”. 22 dhjetor 2019.

       Në atë informacion thuhet:

Milaim Bellanica ka rrëfyer kohë më parë për Insajder, një ndër mediat më serioze në rajon, një fakt të frikshëm, që përfshin kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai thotë se i ka dorëzuar këtij të fundit filmimet e rralla të masakrës së Krushës, ku 240 shqiptarë u masakruan nga serbët. Basha atëherë ishte përkthyes i UNMIK-ut…

Autor i zhdukjes së këtij materiali filmik kompromentues për serbët është Lulzim Basha…

Fakti që përfituesit nga zhdukja e kësaj prove të masakrës në Kosovë janë serbët, të bën të dyshosh se Lulzim Basha ua ka shitur serbëve pamjet filmike të Bellanicës, që përmbanin vrasjen e 240 burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm në Krushë nga serbët.

Fakti që papritur përkthyesi i UNMIK u bë milioner dhe hyri në politikë duke deklaruar se ka 1 milionë euro pasuri, tregon qartë se paratë janë nxjerrë nga shitja e këtyre filmimeve, të cilat janë përvetësuar nga serbët dhe janë zhdukur.

Së pari, Lulzim Basha duhet të përgjigjet se ku kanë përfunduar këto përgjime, kujt ia dha ato dhe përse nuk u bënë asnjëherë publike.

Së dyti, përse Lulzim Basha nuk e ka përmendur këtë fakt asnjëherë publikisht?

Së treti, Lulzim Basha duhet të përgjigjet nëse ka përfituar materialisht nga ato përgjime, duke i shitur?

Kjo, për faktin se, Lulzim Basha është një ndër të paktët politikanë shqiptarë, që ka deklaruar se hyri i pasur në politikë, me mbi 1 milionë euro në pasuri. Pasuri kjo, që gjithmonë ka ngritur pikëpyetje, pasi deri atëherë ai kishte punuar fillimisht si kamerier, dhe më pas si përkthyes. Vështirë në fakt, se një kameriero-përkthyes, mund të vinte një pasuri të tillë me rrogë”.

Mendoj se pas masakrimit që iu bë demokratëve ditën e djeshme para selisë së tyre nga shteti i kriminalizuar që ka ngritur kryetradhtari Rama, në bashkëpunim të ngushtë, por të fshehtë, me eunukun e tij politik Basha, krahu i demokratëve të Profesor Berishës, të cilët përbëjnë shumicën absolute të demokratëve në mbarë vendin, duhet të heqin dorë përfundimisht nga selia e hekurishteve dhe e kovaçanës së eunukut Basha dhe, me ndihmën e biznesmenëve dashamirës të tyre, të vendosen në një seli tjetër, për t’u marrë seriozisht me riorganizimin e partisë dhe me përgatitjen për zhvillimin e kuvendit zgjedhor të 22 marsit. Selia e tanishme, ku eunuku Basha dhe rrethi  i lepitkave të tij, si Gaz Bardhi, Ervis Salianji, Grida Duma e të tjerë, fshihen prapa hekurishteve dhe kovaçanës të eunukut Basha, duhet të shihet me neveri nga demokratët e krahut të Profesor Berishës, pasi që prej ditës së djeshme  ajo është ndotur rëndë përfundimisht prej bujkrobërve socialistë të Ramës, si seli e dytë e partisë së tij neokomuniste.

Kaliforni, 09 janar 2022

 

 

 

2022-01-01

Na ka marrë malli boll qe 1 vit e kusur”,thotë babai i ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, zt.Haxhi Thaçi

 


Oda e familjes së ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë, çdo herë me rastin e ndërrimit të moteve ishte e mbushur plot.


Por, për të dytin vit me radhë, festa e Vitit të Ri këtu është më e zbehtë.

Kjo pasi në këto ditë feste, mërzia e malli i babait të ish-presidentit  Hashim Thaçi për të birin që po gjykohet në Hagë, vetëm sa shtohej.





“U kanë ku u kanë, u ardhë. Na jem familje e madhe, u bojshum qitu krejt. Tash qe. Na ka marrë malli boll qe një  vit e kusur”, shprehet prindi i ish-presidentit.

Duke u çmallur me fotografitë e të birit, Haxhi Thaçi ka një urim me rastin e vitit të ri, për të gjithë krerët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale.

“Na i presim apet e ishalla vijnë shnosh. Ua urojmë vitin e ri krejtve, Hashimit e shokëve të tij, Jakupit, Rexhepit e Kadrisë, ishalla me shnet. E ishalla lirohen ma shpejtë, të pafajshëm janë”, tha Haxhi Thaçi për RTK-në

Festë e zymtë për Vitin e Ri është edhe në familjen e prof.dr.Jakup Krasniqit. Kjo, në vitin e dytë me radhe që ish zëdhënësi i UÇK-së po mbahet në Hagë.

“Familjet këto momente i presin me gëzim, sado halle brenga që kanë, ka momente që njerëzit i harrojnë dhe dojnë me festu festa të tilla bashkë. Mungesa e tyre e zbeh shumë edhe gëzimin edhe festat e fundvitit, edhe ato ëndrrat që njerëzit mund të kenë për të ardhmen. Është ky realitet si është”, thotë Dardan Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit.

Natën e ndërrimit të moteve gjithmonë e ka pritur së bashku edhe familja Hysni Gucati.

Por, njësojë nuk ka ndodhur tash e dy vjet, kur Hysni Gucati po përballet me akuzat e Speciales në Hage.

“Njeri me kanë ap prindin, djalin pa bashkëshortin, është shumë e vështirë. Pasi ai bashkë me shokët e tij, me clirimtarët e tjerë luftuan dhe lanë edhe gjymtyrët e trupit vetëm që na ta gëzojmë lirinë. E sot të mos festojmë bashkë me ta është me të vërtetë shumë e vështirë”, deklaron Musli Gucati.

Përderisa krerët e UÇK do ta vazhdojnë betejën me drejtësinë e Speciales edhe në vitin 2022, në shtëpitë e tyre vazhdojnë të valojnë flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

F.B.

2021-12-30

Akademik prof.dr.Mehdi Hyseni : Bruxeli nuk zgjidh problemin kolonial të Kosovës, por OKB-ja!

                  

 Politika dhe diplomacia e Kosovës, nuk duhet të humbasin kohë kot, duke shpresuar kot i kotit, se Brukseli i Hashim Thaçit dhe i Aleksandër Vuçiqit, do ta zgjidhë problemin kolonial 100-vjeçar të Kosovës (1912-1999).-Jo, kjo nuk ka për të ndodhur në “Dialogun e Brukselit (2011-2022), sepse problemi nuk është “minoriteti serb” në veriun e Kosovës, por problemi kolonial i pazgjidhur njëqindvjeçar mes Serbisë dhe Kosovës.

Mirëpo, këtë qasje të problemit kolonial të Kosovës nuk e përfillin as Prishtina e as Tirana zyrtare(!?) Por, një shpërfillje e tillë, mund t’u kushtojë shtrenjtë, nëse problemi kolonial i Kosovës nuk ngritet dhe nuk shqyrtohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mbase deri më sot në Brukselin e Beligjkës, nuk është zgjidhur asnjë problem kolonial në Afrikë e as në Azi (1945-2022).

Prandaj, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të jetë epilogu politiko-diplomatik paqësor i “Dialogut të Brukselit” (2011-2022). –Derisa Kosova nuk trajtohet si çështje koloniale (1912-1999), ekziston rreziku potencial që “asët” ultranacionalistë të lidershipit të Serbisë me presidentin e tyre Aleksandër Vuçiq në krye ( i mbështtur direkt nga Moska zyrtare, madje edhe nga Pekini zyrtar), do të ngulmojnë që ta copëtojnë territorin e Kosovës, ose të paktën që ta kantonizojnë sipas enklavave të pastra njëetnike serbe në Kosovë.

Një kompromis i tillë politik i keq dhe i papranueshëm për palën shqiptare, mund të shpërfaqet vetëm nëse do të vinte në shprehje ndonjë ultimatum ose ndonjë diktat i fuqive të mëdha, që po e mbështetin Serbinë, edhe pse kjo do të ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare, si dhe me Opinionin Këshillëdhënës (që fatkeqësisht nuk është vendim i detyruar për Serbinë, sipas Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së) të GJND-së së 22 korrikut 2010, bërë në Hagë, ku thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës, është bërë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Karta e Kombeve të Bashkuara e njeh pavarësinë e Kosovës, por jo edhe Moskva dhe Pekini

Pra, fatkeqësia është që, as Kartën e Kombeve të Bashkuara e as të drejtën ndërkombëtare nuk e njohin as Rusia e as Kina, kur është fjala për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën deri më tani e kanë njohur mbi 100 vende-anëtare të Kombeve të Bashkuara (2008-2022).

Vërtet, Rusia, Kina, Spanja, Rumania, Serbia, Greqia, Sllovakia, Qiproja greke nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe pse këto janë anëtare të OKB-së, edhe anëtare të BE-së, me përjashtim të Serbisë. Por, ky qëndrim dhe vendim politik i tyre, është në shpërputhje diametrale me objektivat dhe me parimet e Kartës së OKB-së. Me një fjalë, rreshtimi politik i këtyre vendeve të theksuara kundër pavarësisë së Kosovës, është dhunim direkt dhe indirekt i objektivave dhe i parimeve të Kartës së OKB-së. Rusia nuk e njeh Kosovën, duke dhunuar Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, mbase mbron Serbinë kolonialiste, si dhe ëndërron që përmes saj (posaçërisht në saje të “Ballkanit të Hapur”) të rikthehet në zonën e dikurshme të sferës influencës lindore sllave në Ballkan, me qëllim të rusifikimit të saj; Kina nuk e njeh Kosovën për shkak të Tajvanit për statusin e të cilit “e fajëson” Amerikën; Spanja nuk e njeh Kosovën për shkak të “separatizmave” në Kataloni dhe në Baski, të cilat me dhunë i sundon si “territore spanjolle”; Greqia nuk e njeh Kosovën për shkak se, duhet t’ua kthejë shqiptarëve Çamërinë, të pushtuar dhe të kolonizuar me gjenocid; Sllovaka nuk e njeh Kosovën, gjoja për hir të “sentimentit më të butë sllav”. Ndërkaq, Qiproja greke nuk e njeh Kosovën për shkak se frikësohet nga “tutori” i saj, Greqia, e cila ka marrë në mbrojtje nga Turqia, si dhe për arsye se, Athina drejtpërdrejt e ka ndihmuar që të integrohet në BE.

Cilat nene të Kartës së OKB-së janë shkelur nga Rusia dhe nga Kina ?

Pikësëpari, Nenin 1, paragrafin 2, që është një nga parimet kryesore të Kombeve të Bashkaura, që të “gjitha kombet të zhvillojnë marrëdhënie miqësore, të mbështetura në respektiin e parimit të barazisë së drejtave të popujve dhe të së drejtës së tyre të vetëvendosjes dhe të marrin masa të tjera të duhura për forcimin e paqes në botë.”

Gjithashtu, kanë shkelur Nenin 55, ku shprehimisht thuhet : “Me qëllim që të përcaktohen dhe të respektohen kushtet e qëndrueshmërisë dhe të mirëqenies së nevojshme për të siguruar midis kombeve marrëdhënie paqësore dhe miqësore, të mbështetura në respektimin e parimit të së drejtave të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve…”, si dhe kanë shkelur Nenin 56, ku thuhet se “Të gjithë anëtarët zotohen të ndërmarrin veprime të përbashkëta ose të veçuara në bashkëpunim me këtë Oranizatë, për të arritur objektivat e përcaktuara në Nenin 55.”

Nga këto dispozita të pasqyruara të Kartës së OKB-së del se njohja e së drejtës së vetëvendosjes së popujve (së këndejmi edhe e popullit shqiptar të Kosovës, ish-koloni e Serbisë, 1912-1999) , është DETYRIM JURIDIK i të gjitha vendeve-anëtare të OKB-së, duke përfshirë edhe : Rusinë, Kinën, Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron Greke, që veç zhvillimit të marrëdhënive reciproke të tyre, si dhe qëndrimit të tyre ndaj popujve të tjerë (siç është rasti i Kosovës), e kanë për detyrë të veprojnë në përputhje me Deklaratën mbi Territoret Joautonome (KREU XI) dhe me dispozitat e Sistemit Ndërkombëtar të Kujdestarisë (KRERËT XII dhe XIII). Detyrimi i këtij sistemi të qeverisjes së popujve, duke u bazuar në Nenin 1, paragrafi 2, si dhe në nënenet 55 dhe 56 të Kartës, bën të mundur që njohjen e së drejtës së vetëvendosjes popupuje të shtypur dhe të kolonizuar, ta përkufizojmë si një nga parimet më fundamentale të së drjetës ndërkombëtare.


50 minuta bisedë në telefon, Bideni i kërkon Putinit ta qetësojë situatën

 

Presidenti Joe Biden foli të enjten me homologun e tij rus Vladimir Putin me shpresën për të zbutur një krizë të pandërprerë në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Biden dhe Putin kishin folur për herë të fundit më 7 dhjetor në një video-konferencë që përfundoi me një premtim për të rifilluar diskutimet diplomatike – por asnjë indikacion se Rusia po përgatitej të ndalonte tensionet.

Që atëherë, deri në 100,000 trupa ruse kanë mbetur të grumbulluara në kufirin ukrainas, pavarësisht paralajmërimeve nga Biden dhe liderët evropianë për pasoja të rënda nëse Putini ecën përpara me një pushtim. Zyrtarët amerikanë thonë gjithashtu se Moska është e përfshirë në një fushatë masive dezinformuese që synon të minojë qeverinë e Ukrainës përpara zgjedhjeve kombëtare të atij vendi.

Biden shpresonte se telefonata e së enjtes do të jepte më shumë përparim në zbutjen e tensioneve. Zyrtarët amerikanë thanë se ai do t’i tregonte Putinit se ekziston një shteg për të shmangur konfliktin – dhe si rrjedhojë për të shmangur sanksionet ekonomike që Perëndimi është gati të vendosë nëse trupat ruse lëvizin përtej kufirit.

Biden e kreu thirrjen nga shtëpia e tij në Wilmington, Delaware.

Bisedimet Biden-Putin vijnë afërsisht dy javë përpara se diplomatët amerikanë dhe rusë planifikojnë të takohen në Gjenevë për të diskutuar krizën në vazhdim. Në krye të këtyre diskutimeve, Rusia ofroi publikisht një listë të shqetësimeve të sigurisë dhe kërkesave që dëshiron të adresohen, duke përfshirë një angazhim që Ukraina të mos lejohet kurrë të anëtarësohet në NATO dhe që pajisjet ushtarake nga aleanca të mos pozicionohen në shtetet e saj ish-sovjetike.

Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur listën e tyre të shqetësimeve, u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar i lartë i administratës amerikane, por nuk po planifikon ta bëjë atë publike. Në vend të kësaj, këshilltarët e Bidenit besojnë se do të jetë më e frytshme të mbahen negociatat private.

Bisedimet e drejtpërdrejta SHBA-Rusi do të pasohen nga takime më të gjera midis NATO-s dhe Rusisë, së bashku me një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku një sërë temash janë për diskutim.

SHBA-ja është zotuar të mbajë të lidhur vendet e Evropës Perëndimore dhe vetë Ukrainën, ndërsa Biden angazhohet në formë diplomatike me Putinin

​“At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

 81 vjet nga ndarja nga jeta e autorit të “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta.


Shkrimtari i madh shqiptar vdiq më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës.

Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta u lind në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe "Poet kombëtar i shqiptarëve" nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej "Homer i Shqipërisë".

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të "Lahuta e Malcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit" dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika veset", më 1913 boton "Mrizi i Zanave". Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix ". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën "Hylli i dritës", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve '90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi".

U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.

Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë" në vitin 1937.

MEDIUMI AMERIKAN, VARIETY SHKRUAN PËR FILMIN KOSOVAR: “ZGJOI”

 Filmi kosovar “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit vetëm pak ditë më parë u bë e ditur se është futur në listën e ngushtë të nominimeve për Oscars 2022.

Reagimet në rrjet kanë qenë të shumta e mjaft pozitive, duke qenë kështu një sukses i madh për gjithë kinematografinë e popullin shqiptar.

Së fundmi, në një postim të shpërndarë nga faqja e filmit “Zgjoi” thuhet se mediumi amerikan Variety ka publikuar listën e filmave që do të jenë për Oscar.

Sipas tyre, në pesëshen e kategorisë për filmin më të mirë ndërkombëtar është edhe “Zgjoi”.

“Variety: “Zgjoi” në mesin e të nominuarve për “Oscars”. Kanë filluar të publikohen parashikimet e para sa i përket prestigjiozes “Academy Awards”. Mediumi i njohur amerikan “Variety” është ndër të parët që ka publikuar listën e filmave që sipas tyre do të jenë në mesin e të nominuarve për çmimin “Oscar”. Në pesëshen e kategorisë për filmin më të mirë ndërkombëtar është edhe “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit”, thuhet në shkrimin e shpërndarë.

Filmi, me protagoniste kryesore aktoren Yllka Gashi, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

IZRAELI PRANON KONTINGJENTIN E PARË TË PILULAVE KUNDËR KORONAVIRUSIT

 

Izraeli pranoi më 30 dhjetor kontingjentin e parë të pilulave të kompanisë Pfizer, kundër koronavirusit.

Kryeministri, Naftali Bennett e vlerësoi këtë veprim të domosdoshëm në kohën kur vendi po ballafaqohet me numër të madh infektimesh si pasojë e variantit të ri, Omicron.

“Falë veprimit tonë të shpejtë, pilulat arritën në Izrael më shpejtë dhe do të na ndihmojnë të tejkalojmë më lehtë këtë valë të rasteve me Omicron”, tha Bennett.

Agjencia amerikane për Ushqim dhe Ilaçe javën e shkuar autorizoi pilulën e kompanisë Pfizer, Paxlovid për përdorim tek personat me sëmundje të rënda nga mosha 12- vjeçare.

Përgjatë testimeve, është konfirmuar se trajtimi me pilula redukton rastet e hospitalizmit dhe vdekjet deri në 88 për qind.

Në anën tjetër, sipas autoritete shëndetësore në Izrael të mërkurën e 29 dhjetorit në vend u regjistruan 4 mijë raste të reja me koronavurus, përqindje kjo më e madhe që nga shtatorit.

Sidoqoftë, janë rreth 4.2 milionë izraelitë nga 9.4 milionë banorë që tashmë janë vaksinuar edhe me dozën e tretë të vaksinës.

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...