Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/01/19

Drogonte gratë dhe kërkonte orgji 5 herë në javë, skandali me themeluesin e “Playboy”, Hugh Hefner!

 

Hugh Hefner, themeluesi i ‘Playboy’, drogonte dhjetëra vajza të reja për orgji me orë të tëra, ndërsa hiqej si një person që mbështeste lirinë seksuale, sipas një dokumentari të ri tronditës.

‘Secrets of Playboy’, një serial dokumentar me 10 pjesë që do të shfaqet premierë në A&E më 24 janar, do zbulojë disa anë të errëta të Playboy. Aty thuhet se Playboy u shndërrua në një shesh lojërash të fëlliqura për përdorimin e drogës dhe abuzimin seksual.

Seriali gërmon në të vërtetat e fshehura pas Playboy me intervista ekskluzive me persona të brendshëm, duke përfshirë ish të dashurat e Hugh Hefner, Holly Madison dhe Sondra Theodore, si dhe PJ Masten. Theodore, tani 65 vjeçe, tregon sesi kishte bërë seks në grup për pesë ditë në javë.

Gjithashtu, ai mezi priste të përjavshmen ‘Pig Nights’, kur merrte disa prostituta për të bërë seks me miqtë e tij. Anëtarët VIP të klubeve të natës Playboy mund të bënin si të donin, duke përfshirë prezantuesin e njohur të Soul Train, Don Cornelius, i cili dyshohet se mbajti peng dy modele të Playboy dhe përdhunoi njërën prej tyre, sipas dokumentacionit.

Rikujtojmë se Hugh Hefner u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare në vitin 2017. Hefner lindi më 9 prill 1926 në Chicago dhe u shndërrua në një milioner pasi themeloi revistën e burrave më me influencë në vitin 1953. Në jetën e tij, themeluesi i “Playboy”-t, preferonte të rrethohej nga një harem femrash të reja, në vilën e tij të famshme “Playboy Mansion”.

FOTO GALERI
1/13

Antony Blinken shkon në Ukrainë/ Sekretari amerikan i shtetit bisedime për krizën

“Dua të falënderoj personalisht Presidentin Joe Biden dhe administratën amerikane për mbështetjen ushtarake që po i japin Ukrainës”.

Me këto fjalë presidenti Volodymyr Zelensky priti sekretarin e shtetit. Antony Blinken zbriti mëngjesin e të mërkurës në Kiev me një avion që fluturoi direkt nga shtetet e bashkuara. Qëllimi i SHBA është që të mbështesë Ukrainën e cila rrezikohet të pushtohet nga Rusia.

Më këtë vizitë Sekretari i shtetit synon të ulë tensionet mes Moskës dhe Ukrainës. Blinken i dërgoi një mesazh dhe presidentit rus Vladimir putin që të zgjedhë rrugën e paqes dhe të dialogut.

Të premten Blinken e do të marrë pjesë në një samit me ministrin e jashtëm rus Sergeji Lavrov, me të cilin pak ditë më parë pati një bisedë telefonike ku u ra dakord se një takim kokë më kokë do të ishte zgjidhja më e përshtatshme për të nisur dialogun dhe ulur tensionin mes palëve.

Ndërkohë nga shtete e bashkuara erdhi konfirmimi për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës.

Sipas agjencisë AFP, administrata e presidentit amerikan Joe Biden ” miratoi dhënien e 200 milionë dollarëve.

Një lojë shahu mund të quhet ndryshe përballja mes Ukrainës dhe Rusisë. burime zyrtare të cituara nga mediat amerikane thanë se ushtarët rus mund të hyjnë në Ukrainë në çdo moment gjatë muajve janar dhe shkurt.

Rreth 100 mijë ushtarë rus janë në kufi me Ukrainën. ditët e fundit sekretari amerikan i shteti Blinken paralajmëroi Rusinë se një sulm ndaj Ukrainës do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për Rusinë.

Emmanuel Macron kthen sytë nga Ballkani/ Presidenti francez: Ti ofrojmë perspektivë të sinqertë anëtarësimi


Në cilësinë e kryesuesit të Presidencës së BE-së,presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se Evropa dëshiron të gjejë një përgjigje politike për konfliktin në Ukrainë dhe se duhet të rishikojë raportet e tij me Ballkanin Perëndimor.

Macron tha të mërkurën se evropianët duhet të ndërtojnë paktin e tyre të sigurisë kolektive dhe të riarmatoseshin përballë lëvizjeve ushtarake ruse .

Siguria në kontinentin tonë kërkon riarmatim strategjik. Si evropianë, ne duhet të bëjmë kërkesat tona dhe ta vendosim veten në një pozicion për t’i zbatuar ato. Ne duhet ta ndërtojmë atë mes nesh, evropianëve, ta ndajmë me aleatët tanë në NATO dhe t’ia propozojmë Rusisë për negociata“, tha ai.

Duke u rikthyer tek Ballkani perëndimor, ai tha se BE-ja duhet t’iu ofrojë shteteve perspektivë “të sinqertë” për anëtarësimin në bllokun evropian.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë në bisedimet për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë dështuar që të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak se Bullgaria ka vendosur veto ndaj Shkupit.

Franca, që nga 1 janari ka marrë kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së, ka dhënë sinjale se do ta ketë në fokus të Presidencës rajonin e Ballkanit Perëndimor.

2022/01/17

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 j anar 1468)

 Gjergj Kastrioti-Skënderbeu  personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.





Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t’i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se “kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t’i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit “mbrohu duke sulmuar”. Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Figura e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor

 


nga Gjovalin Shkurtaj



Gjergj Kastrioti pati jehonë të madhe në kohën e vet, jehonë që kurrsesi nuk mund të përligjet me mjetet e komunikimit masiv të kohës, ende të ngathëta e të tilla që çanin kryesisht nëpërmjet letrës së shkruar dhe kumteve të lajmëtarëve gjithsesi të kufizuar në numër. Zulmat e bëmat e tij përhapeshin më fort duke kaluar gojë më gojë, natyrisht edhe duke u stërmadhuar, hiperbolizuar e legjendarizuar aq sa, deri edhe historianë seriozë bashkëkohës të kryetrimit, hera-herës janë rrëmbyer më fort prej legjendares e gojëdhanës, duke mos iu përmbajtur dot arsyes së ftohtë që lypset në shkrimet mirëfilli historike. Dëshmitë e shumta që na kanë mbërritur nga historianë, publicistë dhe udhëpërshkrues evropianë, na bëjnë të ditur se trimëritë e Skënderbeut dhe të luftëtarëve që u printe ai përcilleshin me këngë e valle që në të gjallë. Vetë Marin Barleti, historiani që jetoi dhe, në një farë mase, edhe i përjetoi vetë ngjarjet e lidhura me kryetrimin, duke shërbyer si burimi kryesor referues për studiuesit dhe shkrimtarët e mëpastajmë, na thotë se mbas betejave fitimtare ushtarët shprehnin gëzimin e tyre “me këngë, me shaka e me lojna të ndryshme” . 

Qysh së lashti, popujt e kanë pasur traditë që t’u këndojnë princave e tribunëve të tyre, porse kjo ka qenë ndoshta më e theksuar ndër popujt e vegjël e me armiq të mëdhenj si shqiptarët, prandaj gjatë gjithë kohëve kanë fiksuar në këngët historike çdo akt trimërie e atdhetarie, sepse siç thuhet në anët e Drenicës (Kosovë) “kënga del prej grykës së pushkës”. Gjergj Kastrioti, si shumë prej njerëzve të mëdhenj të dalluar në luftërat çlirimtare, u këndua, u lëvdua dhe u legjendarizua edhe për së gjalli. Kjo ishte në hullinë normale të jetës e të marrëdhënieve të prijësave me popullin. Vegjëlia kurdoherë u ka dhënë si shpërblim tribunëve të vet këngë, vlerësime e hiperbolizime të bëmave trimërore e të pamjes fizike të tyre. Një nga më të bukurat, e zgjedhur prej arsenalit të krijimeve popullore për heroin tonë lavdimadh, është fiksuar në filmin artistik “Skënderbeu”, kënduar nga basi i madhërishëm Lukë Kaçaj, ku fjalët e këngës kanë vlerën e një lapidari:

“Trim mbi trima ai Gjegj Kastrioti,
Forcë të madhe që m’i dhënka Zoti,
S’e djeg flaka, as s’e djeg baroti,
Sa shumë turq menjëherë ai i përlan,
Dhe me një të rame malin dysh e çan!”
Dhe mbyllet me urimin “Kënga jote brez pas brezi u këndoftë!”, si një nga shprehjet më tipike të etnografisë së të folurit shqiptarisht.

Ajo çka shpëtoi prej këngëve të tilla, tregimeve dhe aforizmave të Skëndërbeut do të mblidhej më vonë dhe është botuar nga De Rada në Itali, nga Shtjefën Gjeçovi , Marin Sirdani etj., pastaj edhe në vëllimet e botuara nga Instituti i Folklorit (sot Instituti i Kulturës Popullore).

Trimëritë legjendare të heroit shqiptar, Gjergj Kastriotit, zgjatën njëzet e pesë vjet dhe ai, siç do të thuhej metaforikisht, qe “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, ndaj edhe bëmat e fama e tij u bënë objekt tërheqës për studimet historike si dhe gurrë frymëzimi për vepra të ndryshme letrare e artistike në mbarë kontinentin tonë. Lavdia e tij qe aq e madhe saqë shkrimet e veprat kushtuar atij do të zgjasnin pa shterim në rrjedhë të shekujve, duke u rilindur e rishfaqur heroi ynë sa herë rrymave përparimtare brenda e jashtë vendit u duhej një figurë-simbol, një hallkë e fortë për t’u mbështur breznitë më të reja në luftërat patriotike. Kështu, Skënderbeu që përfaqësoi “Motin e madh të Arbërit” në kujtimet popullore të mërgimtarëve arbëreshë, në penën e dijetarëve dhe shkrimtarëve evropianë, pastaj edhe arbëreshë e, në kohët më të reja, edhe shqiptarë, do të ngrihej në shkallën e pavdekshmërisë, duke e njohur atë si luftëtar të paepur për liri dhe si prijësin që diti të bashkojë shumicën e krerëve dhe masat e gjera popullore, kryesisht fshatare, në një luftë të shenjtë dhe heroike për sovranitetin e popullit të vet dhe dinjitetin kombëtar. Njëkohësisht, studimet historike dhe shkrimtaria evropiane pranuan edhe misionin e rolin e tij të lartë si mbrojtës të denjë të Ballkanit dhe të qytetërimit evropian, duke e quajtur “kalorës i lirisë”, “mbrojtës i krishtërimit”, “mundës i S. Muratit” etj., ndërsa në popull ai do të quhej ”kulshedra e Ballkanit”.

Historianët janë të një mendjeje dhe e kanë shprehur qartë e pa mëdyshje se Kruja dhe kështjellat e tjera shqiptare u bënë beden i pakapërcyeshëm për 25 vjet rresht për osmanët, duke i penguar ata në marshimin e drejtimin e planifikuar drejt Romës, Vjenës dhe Budapestit. Prandaj, kalorësi anglez Njupor, më 1456 bënte këtë vlerësim të lartë dhe real për luftën e popullit shqiptar: “Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella arbëreshe” .

Sasia e madhe e veprave të ndryshme historike, letrare (drama, romane, tregime dhe poema e vjersha), që shkon në më se katërqind , të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja e nga autorë të huaj, është dëshmi e qartë e interesimit të gjallë që zgjoi në krejt Evropën figura e ndritur e Gjergj Kastriotit.
Shqyrtimi historik dhe letrar i aspekteve të ndryshme të figurës dhe bëmave trimërore atdhetare të Skënderbeut ka bërë të mundur që të kuptohej e të ndriçohej më thellë madhështia e veprës së heroit dhe e epokës së tij në planin ideor, moral dhe, veçanërisht, roli i rëndësishëm ndërkombëtar i luftës që bëri populli shqiptar për 25 vjet rresht nën udhëheqjen dorësigurtë të Gjergj Kastriotit. Natyrisht, letrarët dhe krijimtaria popullore kanë zhdavaritur edhe shkaqet e gjallërisë së pavenitshme dhe të tharmit rilindës që ka pasur e vijon të ketë kjo figurë, ndoshta njëra nga më emblematiket, në mos më emblematikja e krejt Evropës. “Gjergj Kastrioti i detyroi të gjithë shekujt të flasin për të. Dhe çdo shekull, çdo epokë ka folur me zërin e saj, ka zbuluar tek ai diçka të re.”

1.Figura e skëndërbeut në letërsinë botërore

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen e historianëve, po edhe të shkrimtarëve. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë qasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha në latinisht, prej autorësh italianë, miq të Marin Barlecit, i cili i vuri këto krijime në krye të veprës së tij për heroin. Në shek. XVI këto u pasuan nga një varg krijimesh poetike, nga të cilat më të njohura janë sonetet e poetëve të Rilindjes, si. p.sh. të francezit Pjer Ronsar (1576) dhe të anglezit E. Spenser (1596), të cilat e ngrejnë lart heroin, duke e krahasuar me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Po ai na shfaqet edhe në prozën artistike të kohës, si në romanin “Tmerri i turqve” (1548), shkruar nga italiani Antonio Posenti. Kujtimi dhe vlerësimi i luftërave të Skënderbeut vijuan edhe gjatë shek. XVII, si p.sh. në poemën “Skënderbeiada”, botuar në Romë më 1623, shkruar nga poetesha Margerita Sarroki, e cila e paraqet Skënderbeun si hero të vëretë dhe kalorës fisnik. Po ashtu edhe gjermani Jakob Kokert, në “Këngë mburrëse” (1643) dhe francezi Zhan Bysier në poemën “Skënderbeu”(1658). Në këtë shekull u shkruan edhe një varg dramash me protagonist heroin tonë legjendar, prej të cilave mund të përmendim dramën “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, shkruar nga dramaturgu i njohur anglez Kristofor Marlou. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të tjerë, të shumtë, nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj. Përmendim, ndër të tjerë, shkrimtarin e madh spanjoll Lopes de Vega, i cili shkroi veprën “Princi Skandërbeg”, që përfshihet në llojin e komedive të tij të famshme. Po në shek. XVII tema e Skëndërbeut u trajtua edhe në prozë, si p.sh. nga francezi Yrben Shevro (“Skënderbeu”, 1644) dhe një autor anonim rus nën titullin “Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar”.

Gjithashtu figura e Skëndërbeut do të trajtohej në shek. XVII edhe në një varg veprash të rrymës kalorsiake, që u shkonte përshtat kërkesave ideore të qarqeve të larta shoqërore evropiane. Përmendim, p.sh., veprën “Skënderbeu i madh” (Amsterdam, 1688), shkruar nga një autore anonime, pastaj edhe “Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë”, botuar në Paris më 1732. Po në këtë kohë botohen edhe drama për Skëndërbeun, si në Angli “Skënderbeu ose dashuri dhe liri” (1747) nga Tomas Uinkop, “Skënderbeu” i Uiljam Havardit, “Heroi i krishterë” nga Xhorxh Lilo.

Kësaj kohe i përkasin edhe disa drama të shkruara nga disa autorë italianë dhe francezë, si ”Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit” (1730) nga Antonio Xamboni, “Skënderbeu princ i Shqipërisë” (1770) nga Mauricio Gerardini, pastaj “Skënderbeu” (1786) nga Pol Debyjsoni. Me kohë, nga skenat e teatrove dramatike këto vepra filluan të shfaqeshin edhe nga trupat shëtitëse angleze e gjermane, gjë që ia shtoi shumë popullaritetin heroit tonë kombëtar.

Një nga anët më interesante të figurës së Gj.K.Skënderbeut është jetëgjatësia e famës dhe lavdisë së tij dhe sidomos të rilindurit apo rikthimi i tij në periudhat më të rëndësishme të lëvizjeve përparimtare të popujve të Evropës dhe të popullit shqiptar. Ai, si moskush tjetër nga burrat e mëdhenj, si pinjoll i një visi e populli numerikisht të vogël, por të etur për liri e gati gjithmonë me jetë kombëtare të trazuar prej pushtimesh të huaja, do të kishte shansin e rrallë të të rilindurit.

Me vrullin e lëvizjeve çlirimtare kombëtare që shpërthyen në Evropë në shek. XIX pati një ringjallje të interesimit për figurën dhe bëmat trimërore të Skënderbeut. U botuan një varg veprash, si drama “Çlirimi i Greqisë” (1821) e gjermanit Karl Sondershaun, në qendër të së cilës ishte pikërisht figura e heroit kombëtar shqiptar, Gj. K. Skënderbeut; drama “Skënderbeu” (1835) shkruar nga suedezi F. G. Rudbek, “Skënderbeu, poemë heroike” (1824), shkruar nga poeti romantik gjerman Fridrih fon Nidda etj.

Rreth një gjysmë shekulli më pas, poeti përparimtar maqedonas Grigor Perliçev shkroi dramën në vargje “Skënderbeu” (1861), në të cilën heroin tonë e paraqet si udhëheqës të madh,po edhe të thjeshtë e të shkrirë me popullin. Po ashtu, nga gjinia e romanit, mund të përmedim veprën e Antonio Xonkadës, pjesëmarrës i lëvizjes garibaldine, vepër që dallohet për frymën e saj demokratike dhe që e paraqet heroin tonë si udhëheqës shumë popullor. Po ashtu nuk mund të lëmë pa përmendur romanet “Kapiteni i jeniçerëve” (1887) të anglezit Xh. Ludllou, “Për jetën” i shkrimtarit polak Tomas Jazh. Në Francë, gjithashtu, heroi ynë u bë personazh kryesor i dramave historike të autorit neoklasicist Gijom K. Perlyse dhe të Rogatien Forresë.
Por vepra më e qëlluar në letërsinë botërore për Skënderbeun është poema me të njëjtin titull e Henri Longfellout (1873), e cila është përkthyer edhe në shqip nga mjeshtri i madh i fjalës shqipe Fan S. Noli.

2.Figura e skëndërbeut në letërsinë arbëreshe dhe shqiptare

Figura e Skëndërbeut jo vetëm simbolizoi unitetin kombëtar përballë përçarjes feudale, krahinore e fetare, por shënoi edhe rrugën e fitores, prandaj Rilindja Kombëtare Shqiptare iu drejtua figurës së heroit të shek. XV si simbol të qëndresës së pamposhtur. “Ai qe për rilindasit një shembull i shkëlqyer se si, duke u mbështeur në bashkimin e pathyeshëm të popullit dhe kryesisht në forcat e brendshme, mund të hidhej tej skllavëria osmane”.

Me këtë arsye shpjegohet interesimi dhe vendi i madh që zuri figura e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, e cila u frymëzua nga idealet e luftës për çlirim kombëtar të popullit shqiptar. Ndër autorët e parë që trajtoi tëmën e Skënderbeut është Jeronim de Rada, poeti romantik arbëresh, në poemat e tij “Skëndërbeu i pafan”, “Pasqyra e një jete njerëzore” dhe “Gjon Huniadi”, ku heroi na shfaqet si simbol i Shqipërisë kryengritëse dhe si kreshnik i pamposhtur dhe udhëheqës i shquar .

Në pajtim me prirjen e përgjithshme të rilindasve, që shihnin te Skënderbeu edhe aspiratat demokratike, poeti tjetër arbëresh, Gavril Dara i Riu, në poemën “Kënga e sprasme e Balës” e paraqet kryetrimin si komandant dhe trim të mençur, sa autoritar e të rreptë, aq edhe popullor dhe të dashur, kurse poeti strigariot Zef Serembe, shkruan për Skëndërbeun duke shprehur besimin se në Shqipëri do të lindnin luftëtarë të denjë për t’i pertëritur traditat dhe shembullin e heroit. Figura e Skëndërbeut gjeti trajtim edhe në poemën e gjatë “Shpata e Skënderbeut në Dibër të Poshtme” të Bernard Bilotës.

Këndej Adriatikut, figurën e heroit tonë të lavdishëm e mishëroi për herë të parë me nota madhore Naim Frashëri në epopenë “Istori e Skëndërbeut”, e cila do t’i jepte tonin krejt letërsisë së mëvonshme shqiptare. Skëndërbeu i Naimit është përsonifikim i shpirtit heroik të popullit dhe shekullit të tij-burim frymëzimi për heroizëm e therori në luftën e ardhshme për çlirim. Këtë udhë të Naimit, do ta ndiqnin edhe edhe poetë të tjerë të Rilindjes, si A. Z. Çajupi, N. Mjeda, Asdreni, R.Siliqi etj. të cilët në krjimet e tyre u përpoqën ta lidhnin kujtimin e Skëndërbeut me detyrat që shtronte lëvizja për çlirim kombëtar.

Në vargun e veprave të kësaj rryme duhen përmendur edhe poema “Kënkat e Krujës” e Kozmo Serembes (në mjediset arbëreshe) dhe dramat e Kolë Mirditës (i njohur me pseudonimin Helenau) “Vdekja e Skëndërbeut” (1917) dhe “Moisi Golemi” (1917). Në periudhën 1912-1939 për t’u përmendur është “Historia e Skëndërbeut” e Fan Nolit, e cila ndonëse është vepër mirëfilli historike, ka edhe cilësinë se është shkruar me stilin e këndshëm e të ngritur që përshkohet edhe nga vrulle epiko-heroike dhe herë-herë lirike.

Edhe pas flakjes së zgjedhës së huaj dhe çlirimit të Shqipërisë, tema e skëndërbeut do të mbetej aktuale, sepse shembulli i qëndresës së tij të pashembullt i mëson vazhdimisht popullit shqiptar se si t’u bëjë ballë heroikisht dallgëve të trysnisë së huaj. Ndërsa në vjershën e shkurtër figura e Skënderbeut u paraqit kryesisht me mjetet e rrymës romantike, në llojet e gjata ajo gjeti pasqyrim më realist. Përmendim, p.sh. romanin “Kalorësi i Skëndërbeut”, vepër postume e Haki Stërmillit (përfunduar në vitin 1950), dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të Sulejman Pitarkës (19589, “Guri i hekurt dhe mokrat e gurta” (1963), dramë nga Misto Markaj. Në një varg veprash, kryesisht poema e romane, që u botuan gjatë vitit jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit (1968) dhe më pas, mund të vlerësohet edhe konceptimi i ri artistik i problemeve të epokës dhe i figurës së Gj.K.Skënderbeut. Kështu, mund të përmendim poemat “Garda Krutane” të K. Jakovës, “Shkëmbi që theu dallgët” e Klara Kodrës. Në mënyrë mjaft të plotë e të realizuar me mjeshtëri na del figura e Skënderbeut te romani i Gjergj Zhejit “Muret e Krujës”, ku theksohet ideja e heroit se “besëlidhja është e vetmja shpresë e lirisë së Arbërisë”. Në këtë hulli shkon edhe romani “Shqipja e kreshtave tona” i Skënder Drinit, ku shohim edhe përpjekjen e lëvdueshme për ta dhënë figurën e heroit në zhvillim, të gjallë e njerëzor.

Interesim dhe mëtime të mbara për trajtimin e figurës së Skëndërbeut ka pasur qysh në krye të herës edhe në letërsinë shqipe të trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi.Theksojmë se, qysh në shkrimet e Lukë Bogdanit vlerësohet me krenari se “Skënderbeu shitoi mbretnë” , ndërsa më vonë, Shtjefën Gjeçovi nga Janjeva tregoi interes të veçantë për figurën e heroit tonë, duke mbledhur në rrethet e Kurbinit dhe të Krujës 16 tregime popullore që shënojnë mbledhjen e parë të rëndësishme të gojëdhanave për Skëndërbeun . Emri dhe bëmat e Skëndërbeut do të përmenden me art e theksim të veçantë edhe në poezinë e shqiptarëve të Kosovës, ku mund të rendisim, më së pari, vjershërinë e Esad Mekulit, për të cilin poeti thotë se “shndrit mbi të shkuemen si rrfeja në natën e errët”. Mbas tij, dora-dorës me rritjen e sasisë dhe të cilësisë së krijimeve letrare në ato mjedise, figurës së Skënderbeut i qasen me përmasa të reja poetë si Enver Gjergjeku, Rexhep Hoxha, Beqir Musliu, Muhaed Kërveshi, Daut Demaku, Jakup Ceraja, Teki Dervishi, Ymer Shkreli etj . Nga dramat mund të përmendim “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Ahmet Çirezit, me karakter të theksuar lirik dhe rrëfimtar, pastaj vjershën “Nikë Kosova” të Jakup Cerajës, si e vetmja që pohon se edhe shqiptarët e Kosovës dhanë ndihmesën e tyre në luftërat e Skëndërbeut kundër osmanëve .

Kur, më 1968, në vitn jubilar të 500-vjetorit të vdekjes së heroit, u mbajtën aq shumë referate, kumtesa, diskutime në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike që iu kushtua heroit, po edhe u bënë aq shumë botime folklorike e letërsi artistike, saqë mund të dukej se u sos dhe u shterua ajo temë (kemi parasysh referatin magjistral të prof. Aleks Budës me titull “Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu dhe epoka e tij”, si dhe kumtesat të ngjeshura të një armate studiuesish të autoritetshëm nga e gjithë Evropa dhe hapësirat kombëtare e etnike shqiptare), njeriut mund t’i dukej se nuk mbeti më gjë pa u thënë. Por jo. Vitet që vijuan do të sillnin përsëri prurje të reja, madje shumë interesante. Emri dhe veprat e Gj.K.Skëndërbeut do të hynin në vargjet e gati mbarë poetëve shqiptarë, ndërsa vargu i romaneve e dramave historike ku ai është heroi kryesor do të shtohej në mënyrë të ndjeshme. Për hir të kohës nevojisht të kufizuar dhe të auditorit të sotëm, jo vetëm shqiptar, në pamundësi për të trajtuar gjithçka, po përmendim shpejtazi disa prej veprave më interesante, duke ritheksuar se romani historik me Skënderbeun si hero kryesor do të mbetej edhe më tej arë e lakmueshme e disa prej shkrimtarëve të më shquar shqiptarë.

Kryekreje, meriton të përmendet romani “Skëndërbeu” i Sabri Godos, një vepër e shkruar me dije të thella historike dhe me mjeshtëri të lartë artistike, një nga krijimet më të mira të autorit dhe, besojmë, të krejt lëtërsisë shqiptare. Vepra ka pasur disa ribotime, po edhe është përpunuar e rivëshrtruar për kohë të gjatë nga autori, me ngenë dhe ngulmimin e atij që, në kulmin e pjekurisë së vet artistike, si ata piktorët sqimatarë që nuk kënaqen lehtë me frytin e penelit të vet, edhe Godoja mëton me durim, derisa në variantin e dytë, na ka dhënë një Skëndërbe jo vetëm madhështor e legjendar, po edhe njerëzor e mishërues të tipareve më të mira të shqiptarisë. Kur mbaron së lexuari atë vepër zemra të gufon nga një ndjenjë e çuditshme, që ngërthen krenari e brengë të thellë: krenari që trojet shqiptare lindin një vigan si Ai, brengë për rethanën se, ndërkaq, në rrjedhë të moteve e shekujve, shqiparët i ndoqi fati i keq. Ata qenë kurdoherë “parzmore çeliku në gjoks të Evropës”, porse, për ironi të fatit, deri sot e gjithë ditën do të mbeteshin “jashtë mureve” të BE-së.

Figurës së Skëndërbeut, sikundër e cekëm edhe më lart, i janë qasur me dëshirë gati të gjithë krijuesit shqiptarë e arbëreshë të kohëve të reja, kush me ndonjë vjershë lirike, kush me ndonjë poemë, po edhe me krijime të gjata. Në vargun e tyre, një vend të veçantë zë edhe romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, ku heroi vetë nuk na shafaqet, por ai përfaqësohet nga kështjellarët trima që zbatojnë pa mëdyshje ideimin dhe strategjinë luftarake që u ka mësuar Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu. Ka pasur edhe mjaft krijime të tjera, të cilat në parashtresën tonë nuk është e mundur t’i përfshijmë të gjitha, por po mjaftohemi duke thenë se kanë qenë të shumta, sidomos dramatizimet, radiodramatizimet dhe ekranizimet që kanë si hero Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe vjershat e poemat për fëmijë e të rinj.

Edhe poezia më e re e arbëreshëve të Italisë gëlon nga vjersha dhe krijime dramatike që kanë në themel figurën e Skëndërbeut. Përmendim, ndër të tjera, romanin “La moto di Scanderbeg” e Karmine Abates, nga Karfici arbëresh, që shkruan italisht, vjershën “Skandërbeku” të Karmell Kandrevës dhe “Kruja” të lirikut më të shquar arbëresh Vorea Ujko, me të cilën më pëlqen ta mbyll referimin tim:

“Në majë të malit,
u ngjita në një faltore
të ngritur nga trimëria.
E lavdishme, e papushtueshme
Kjo kala kumbon në histori.
…………………………
Çdo gur kishte duar çeliku
Një gojë, dy buzë të mbyllura,
Një kraharor të gjerë
Dhe sy prej zjarri.
Çdo guri unë ia njoh historinë
E mbi gurinmëtë madh

Ishte skalitur emri yt, Skandërbeg”.

JUsuf Bardhosh Gërvalla ( (Dubovik, 1 tetor 1943 - Shtutgart, 18 janar 1982)

 Jusuf Bardhosh  Gërvalla ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar. Ka qenë themelues i Lëvizjës  Kombëtare për Çlirimin e Kosovës..


Lindi në Dubovikë , në komunën e Deçanit

Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Ishte një  nacionalist i përbëtuar i cështjes kombëtare , hyri në dosjet  e UDB-ës  jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte zoti Jusuf  Gërvalla.

Më 18 janar 1982 Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.

Vepra

Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri Jusuf  Gërvallës më 1992 nga Akademik prof.dr.Sabri Hamiti.

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para - "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978) - poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri". Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". 


Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.

P 137r Jusuf Gërvallën kanë shkruar shumë autorë.Për Jusuf Gëvallën ka shkruar roman edhe Flori Bruqi më titull "Vrasësit e liridonëve" më 1996(.„Literaturë“)

https://www.sa-kra.ch/pdf/vrasesit%20e%20liridoneve%20f%20bruqi.pdf




17 janari: në nderim të Skënderbeut, emocione dhe trishtim


Prof.dr. Eshref Ymeri

 

17 janari: në nderim të Skënderbeut,

emocione dhe trishtim

(Me një parantezë)

Për një periudhe të gjatë, në Tiranë dhe në Prishtinë, historianët kanë botuar vepra, në të cilat përshkruhen krimet e shumta që serbogrekët kanë kryer kundër shqiptarëve.

Mendoj dhe shtroj pyetjen:

Edhe sa dhjetëvjeçarë apo shekuj do të vazhdojmë ne shqiptarët të ekspozojmë faqe vetes dhe faqe botës iventarin e krimeve serbe dhe greke kundër kombit shqiptar? Mendoj se me ekspozimin e vazhdueshëm të këtij iventari për vite e vite me radhë, ne shqiptarët jemi bërë qesharakë në sytë e botës. Sepse vetvetiu asaj bote i lind pyetja:

Po ju shqiptarët ku keni qenë, me se jeni marrë kur serbët dhe grekët kryenin krime kundër jush, se ju keni qenë etnia më e madhe në Gadishullin e Ilirisë, çka dihet shumë mirë nga historia?

Jo më kot Shqiptari i Madh Mitrush Kuteli pati shkruar poezinë e famshme me titull Sot jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi, as fqinjëri, as shkja të zi”.

Dihet se kombi shqiptar u bë objekt i shfarosjes së heshtur nga ana e shovinizmit serbogrek pas Naçertanies së ministrit të jashtëm serb Garashanin (1812-1874) dhe Megalidesë së kryeministrit grek Koleti (1773-1847) të vitit 1844. Dihet, gjithashtu, se në vitin 1850, trojet shqiptare populloheshin nga 1 600 000 banorë, kurse Greqia dhe Serbia kishin respektivisht 1 200 000 dhe 600 000 banorë. Pra, popullsia shqiptare ishte gati sa popullsia serbe dhe greke të marra së bashku. Po atëherë si shpjegohet që serbogrekët të arrinin të kryenin ato krime të përbindshme kundër shqiptarëve, për çka edhe Bajroni (1788-1824) shkruante: “Dy shekuj gjenocid mbi shqiptarët. S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë”? Përgjigjja është fare e thjeshtë: sepse shqiptarët, tradicionalisht, duke filluar që nga pararendësit e tyre pellazgoilirianë, kanë qenë tragjikisht të përçarë dhe vazhdojnë të jenë të përçarë deri në ditët tona. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj arsyen e kësaj përçarjeje tragjike, e cila të bën të mendosh se kemi mallkim hyjnor.

Një gazetar italian që pati ardhur për vizitë në vendin tonë në fillim të viteve ’90, qe shoqëruar nga një kolegu i tij shqiptar, i cili ka 22 vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara. Në njërën nga bisedat e zhvilluara mes tyre, gazetari italian i pati thënë kolegut shqiptar:

       “Para se të vija për vizitë, pata lexuar shumë për historinë e vendit tuaj. Nga sa lexova, erdha në përfundimin se ju shqiptarët, përveç periudhës së Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut, nuk keni më histori”.

       Mendoj se gazetari italian ka pasur shumë të drejtë. Pa vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët, në shumicën dërrmuese, përqafuan fenë e errësirës otomane, elitat e tyre hynë në shërbim të saj dhe nuk u mjaftuan vetëm  me ndërrimin e fesë, por huazuan edhe të gjithë emrat e njerëzve të asaj errësire, duke braktisur emrat e bukur ilirianë. Që nga vdekja e Skënderbeut deri në shpalljen e pavarësisë, patën shpërthyer kryengritje të armatosura, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare, patën dalë në skenën e historisë një sërë trimash në udhëheqje të çetave kryengritëse që luftonin veç e veç, por nuk u vu re kurrë një vetorganizim mbarëshqiptar. Një vetorganizim i  tillë nuk u vu re absolutisht edhe pas shpalljes së pavarësisë, deri edhe në ditët tona. Pikërisht për shkak të paaftësisë sonë për vetorganizim mbarëkombëtar, çka të ngjall shumë trishtim, Shqipëria londineze, si asnjë vend tjetër në mbarrë rruzullin tokësor, ka më shumë se një shekull që vazhdon të rrethohet ende nga troje amtare, të populluara nga bashkëkombasit tanë.

       Kohët e fundit, mjetet e informimit masiv patën propaganduar gjithandej mendimet e historianit Aleksandër Lambert për shqiptarët, të cilët, sipas tij, kanë drejtuar botën në mesjetë. Po a duhet të mburren  shqiptarët se 20 perandorë romakë dhe disa papë të Vatikanit kanë qenë ilirë? Se 36 kryeministra shqiptarë i kanë shërbyer perandorisë së errësirës otomane? Se shqiptarët, kur grekët fshiheshin ferrave, kryen revolucionin grek të vitit 1821 dhe, për pazotësinë e tyre, fitoren ua dhuruan grekëve, të cilët krerët e tyre i shfarosën një e nga një? Se 11 kryemistra shqiptarë i kanë shërbyer Greqisë? Se beteja vendimtare në Luftën e Krimesë të vitit 1856 midis trupave ruse dhe otomane, u fitua nga otomanët falë trimërisë së shqiptarëve? Se beteja vendimtare mes trupave otomane dhe trupave anglo-franceze në betejën e Çanakalasë të vitit 1915, u fitua nga trupat otomane po falë trimërisë së shqiptarëve? Se Mustafa QemalAtaturku (1881-1938) ka qenë shqiptar, por që nuk i ra asnjëherë ndër mend të kujtohej për prejardhjen e tij? Se kryeministri Italian Françesko Krispi (1819-1891) ka qenë shqiptar arbëresh, por nuk u bë i gjallë asnjëherë për të kujtuar rrënjët nga e kishte pasur origjinën?

       Pra, rezulton se shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten mercenarë të zellshëm në shërbim të të huajve dhe varrmihës të vetvetes. Shembullin më të freskët të mercenarizmit, në vazhdën e mercenarizmit të kryeargatit të serbosllavizmit Enver Hoxha, po vazhdon ta japë Rama, si kryeservil i Beogradit, një kryeservil ky i përmasave të pështira me fjalën që mbajti online për parlamentin serb nga zyra e tij më 23 nëntor 2021.

       Një rast tjetër i mercenarizmit dhe i servilizmit të kastës tradhtare në udhëheqjen e politikës shqiptare me Ramën në krye, u vu re edhe në ditën e parë të këtij viti, kur ministria e jashtme, më 01 janar 2022, botoi një komunikatë, në të cilën theksohej se vendi ynë do të fillonte zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me këtëtë rast, në atë komunikatë deklarohej në mënyrë të papërgjegjshme se mandatin Shqipëria do ta përdorte, demek, për avancimin  e “çëshjes së Kosovës”. Kjo deklaratë është një idiotësi me brirë, se “çështja e Kosovës” është zgjidhur që më 17 shkurt të vitit 2008. Por Rama, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe argat i verbër i Vuçiçit, kërkon të jetë në një gjatësi vale me shovinizmin serbomadh dhe rusomadh, dy armiq të egër tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë deklaratë absurde, qeveria shqiptare e mercenarit Rama ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës.

       Pikërisht flirtet tradhtare të Ramës me Vuçiçin kundër Republikës së Kosovës bënë që Tirana zyrtare të heshtë si memece, të mos reagojë absolutisht kundër kërkesës së Brukselizmit dhe të Vashingtonit, të cilët, në një deklaratë të përbashkët të tyre, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejonte serbët në Kosovë të votonin në referendumin kombëtar të Serbisë më 16 janar për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi, referendum, të cilin shqiptarët e Preshevës e bojkotuan masivisht.

Po si shpjegohet që shqiptarët janë shquar kaq shumë në shërbim të të huajve, kurse vatrën e shtëpisë së vet e patën shuar me ujë? Si shpjegohet që shqiptarët, siç thotë historiani Aleksandër Lambert, nuk kanë sulmuar kurrë territore të huaja? Po a duhet të mburremi ne shqiptarët para botës se nuk kemi pasur synime për pushtim të territoreve të huaja? Sepse bota qesh me ironi dhe na nxjerr gjuhën kur dëgjon deklarata të tillë. Se ajo shtron pyetjen:

       Mirë që s’keni pasur synime të pushtoni territore të huaja, por territoret e veta pse nuk i keni mbrojtur? Se territoret tuaja, një herë e një kohë, shtriheshin që nga Peloponezi deri në Danub, kurse tani territori juaj është katandisur sa një “fushë tenisi”?

       Që të pushtosh territore të huaja, duhet të kesh siguruar ngjizjen brendakombëtare. Shqiptarët s’kanë qenë të aftë për ta siguruar një ngjizje të tillë, prandaj e kanë pasur të pamundur të pushtonin territore të huaja. Se nuk i ka pasë lejuar përçarja brenda tyre. Pikërisht për shkak të asaj përçarjeje të mallkuar, principatat e Ilirisë i hanin kokat njëra-tjetrës, ndërkohë që ardhacakët sllavë, të pagëzuar serbë me kalimin e kohës, filluan t’u zaptonin  trojet dhe t’i vinin  nën sundimin e tyre.

       Prandaj mendoj dhe kam bindjen e plotë se  shqiptarët duhet t’i japin fund ekspozimit kohë e pa kohë të iventarit të krimeve serbe dhe greke kundër kombit tonë, për të mos vazhduar të mbetemi qesharakë në sytë e opinionit ndërkombëtar për pazotësinë tonë, duke reklamuar përçarjen tonë.

       Prandaj 17 janari, për çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, është dita e nderimit të kujtimit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, sepse periudha skënderbejane mbetet më e ndritura në historinë e kombit shqiptar. Sepse Skënderbeu ishte gjenerali dhe strategu i shquar, i cili, me Lidhjen e Lezhës të 02 marsit të vitit 1444, hodhi themelet e krijimit të një shteti shqiptar, në të cilin, deri asokohe, princat shqiptarë i hanin kokat njëri-tjetrit. Ai, me largpamësinë e një ushtaraku dhe burrështetasi të madh, krijoi atë organizim mbarëshqiptar, i cili u kalli dërrmën hordhive të errësirës otomane për një çerek shekulli me radhë.

       Çdo shqiptar me dinjitet kombëtar, përjetoi emocione të fuqishme kur para disa vjetësh mësoi se Vatikani paskej zbuluar diçka krejtësisht të panjohur për historinë tonë kombëtare. Asokohe qe botuar në internet informacioni në vijim:

       Për herë të parë del në dritë dokumenti ku është shpallur Skenderbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet Martin Muzaka ambasador i Skënderbeut. Është një letër origjinale në pergamen me një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, në fondin Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në këtë mandat Skenderbeu quhet “mbret”. Ka qenë dr. Musa Ahmeti, një hulumtues i kahkohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar disa ditë më parë, në internet, mandatin e mbretërisë shqiptare” (Citohet sipas: “Skënderbeu është njohur si mbret i Shqipërisë dhe i Maqedonisë që në vitin 1458. Fakte që publikohen për herë të parë”. Nga Violeta Murati. Botoi në faqen e internetit Sitki Cerekja. 06 tetor 2015).

       Gazetari turk Ahmet Dursun  shkruan se Skënderbeu  “… si një ushtarak i zoti, por me një diplomaci prej filozofi, u vendos në krye të një lëvizjeje për ta mbrojtur vendin nga ky sulm i çoroditur. Rezistenca e tij qartësisht tregon se sa mirë e ka njohur perëndimin, por edhe lindjen, dhe sa shumë i ka vlerësuar këto kultura që të mos hyjnë në një luftë direkte, e cila, si fillim, do të mund të shkatërronte perëndimin, por disa dekada më vonë, një sulm i ngjashëm me ato të kryqëzatave, mund t’i nxirrte turqit sërish nga Stambolli…” (Citohet sipas: Gazetari turk: Skënderbeu, “tradhtari” që shpëtoi dy qytetërime…Nga Ahmet Dursun”. Faqja e internetit voal.ch”. 06 korrik 2016).

Skënderbeu qe bërë aq shumë simbol i tmerrit për kryeagain e Stambollit, saqë ky i fundit i lutej për të lidhur një marrëveshje me njëri-tjetrin.

Faktet flasin me gjuhën e dokumenteve. Një hulumtues i talentuar shqiptar në Paris ka zbuluar një dokument të tillë, në të cilin thuhet:

“Në librin e autorit francez, Camille Paganel (1795-1859), me titullin Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle, të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Sulltani, në pamundësi të mposhtë “vëllain” e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes. Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si Princ dhe jo si Sulltan dhe Emir” (Citohet sipas: “Zbulohen letrat: Kur Skënderbeu u përgjigjej kushteve të Sulltan Mehmetit”. Nga Aurenc Bebja, Francë, Faqja e internetit Voal”. 25 shtator 2017).

Letra e Sulltan Mehmetit është e datës 06 maj 1461, kurse Letra e përgjigjes e Skënderbeut mban datën 01 qershor 1461.

       Shqipëria, edhe në periudhën e diktaturës komuniste, edhe pas vitit 1990, ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me Republikën e Turqisë, çka është konkretizuar edhe me vizita të ndërsjella personalitetesh të niveleve të larta. Por udhëheqësit shqiptarë, çuditërisht, as edhe një herë të vetme, nuk i patën shtruar kurrë palës turke pyetjen se cila ishte arsyeja që perandoria otomane e pati trajtuar egërsisht popullin shqiptar, pavarësisht se ai, në shumicën dërrmuese, pati përqafuar fenë islame, pra, fenë e asaj perandorie pushtuese, elitat e tij hynë në shëbim të sulltanit, çka u konkretizua me 36 kryeministra shqiptarë. Por jo vetëm kaq. Ajo perandori na ndaloi edhe shkollat shqipe gjatë një perudhe më shumë se katërshekullore. Veç kësaj, pala shqiptare nuk e pyeti asnjëherë palën turke se pse Turqia, gjatë shekullit XX, pati nënshkruar marrëveshje me Jugosllavinë për pranimin  e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga trojet e veta amtare. Pra, në vend që popullin shqiptar, perandoria otomane ta trajtonte me shumë kimet, ajo, përkundrazi, pati mbajtur një qëndrim shumë të egër ndaj tij. Mos vallë kjo ishte një hakmarrje katërshekullore për inat të Skënderbeut që nuk e mposhti dot kurrë? Heshtja e palës shqiptare për këto çështje madhore, ka dëshmuar dhe dëshmon shkoqur fare se në marrëdhëniet me të huajt ajo nuk është çliruar kurrë nga kompleksi i inferioritetit, nga mercenarizmi, nga servilizmi dhe nga nënshtrimi para tyre. Pikërisht për shkak të servilizmit që ushqen ndaj të huajve, ajo nuk e ka vënë kurrë ujë në zjarr për fatet e bashkëkombasve tanë në vendet e huaja dhe përgjithësisht për diasporën shqiptare. Në Turqi jetojnë më shumë se 7 milionë shqiptarë, por Tirana zyrtare nuk është interesuar kurrë për fatin e tyre.

       Kaliforni, 17 janar 2022

      

 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...