Prof.dr. Eshref Ymeri
17
janari: në nderim të Skënderbeut,
emocione
dhe trishtim
(Me
një parantezë)
Për një periudhe të gjatë, në Tiranë dhe
në Prishtinë, historianët kanë botuar vepra, në të cilat përshkruhen krimet e
shumta që serbogrekët kanë kryer kundër shqiptarëve.
Mendoj dhe shtroj pyetjen:
Edhe sa dhjetëvjeçarë apo shekuj do të
vazhdojmë ne shqiptarët të ekspozojmë faqe vetes dhe faqe botës iventarin e
krimeve serbe dhe greke kundër kombit shqiptar? Mendoj se me ekspozimin e
vazhdueshëm të këtij iventari për vite e vite me radhë, ne shqiptarët jemi bërë
qesharakë në sytë e botës. Sepse vetvetiu asaj bote i lind pyetja:
Po ju shqiptarët ku keni qenë,
me se jeni marrë kur serbët dhe grekët kryenin krime kundër jush, se ju keni
qenë etnia më e madhe në Gadishullin e Ilirisë, çka dihet shumë mirë nga
historia?
Jo më kot Shqiptari i Madh
Mitrush Kuteli pati shkruar poezinë e famshme me titull “Sot jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi, as fqinjëri, as shkja të zi”.
Dihet se kombi shqiptar u bë objekt i
shfarosjes së heshtur nga ana e shovinizmit serbogrek pas Naçertanies së ministrit
të jashtëm serb Garashanin (1812-1874) dhe Megalidesë së kryeministrit grek
Koleti (1773-1847) të vitit 1844. Dihet, gjithashtu, se në vitin 1850, trojet
shqiptare populloheshin nga 1 600 000 banorë, kurse Greqia dhe Serbia kishin
respektivisht 1 200 000 dhe 600 000 banorë. Pra, popullsia shqiptare ishte gati
sa popullsia serbe dhe greke të marra së bashku. Po atëherë si shpjegohet që
serbogrekët të arrinin të kryenin ato krime të përbindshme kundër shqiptarëve,
për çka edhe Bajroni (1788-1824) shkruante: “Dy shekuj gjenocid mbi shqiptarët. S’ka komb tjetër
të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë”? Përgjigjja është
fare e thjeshtë: sepse shqiptarët, tradicionalisht, duke filluar që nga
pararendësit e tyre pellazgoilirianë, kanë qenë tragjikisht të përçarë dhe
vazhdojnë të jenë të përçarë deri në ditët tona. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj
arsyen e kësaj përçarjeje tragjike, e cila të bën të mendosh se kemi mallkim
hyjnor.
Një gazetar italian që pati ardhur për
vizitë në vendin tonë në fillim të viteve ’90, qe shoqëruar nga një kolegu i
tij shqiptar, i cili ka 22 vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara. Në njërën nga
bisedat e zhvilluara mes tyre, gazetari italian i pati thënë kolegut shqiptar:
“Para se të vija për vizitë, pata lexuar
shumë për historinë e vendit tuaj. Nga sa lexova, erdha në përfundimin se ju
shqiptarët, përveç periudhës së Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut, nuk keni
më histori”.
Mendoj se gazetari italian ka pasur shumë
të drejtë. Pa vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët, në shumicën dërrmuese,
përqafuan fenë e errësirës otomane, elitat e tyre hynë në shërbim të saj dhe
nuk u mjaftuan vetëm me ndërrimin e
fesë, por huazuan edhe të gjithë emrat e njerëzve të asaj errësire, duke
braktisur emrat e bukur ilirianë. Që nga vdekja e Skënderbeut deri në shpalljen
e pavarësisë, patën shpërthyer kryengritje të armatosura, sidomos në periudhën
e Rilindjes Kombëtare, patën dalë në skenën e historisë një sërë trimash në
udhëheqje të çetave kryengritëse që luftonin veç e veç, por nuk u vu re kurrë
një vetorganizim mbarëshqiptar. Një vetorganizim i tillë nuk u vu re absolutisht edhe pas
shpalljes së pavarësisë, deri edhe në ditët tona. Pikërisht për shkak të
paaftësisë sonë për vetorganizim mbarëkombëtar, çka të ngjall shumë trishtim,
Shqipëria londineze, si asnjë vend tjetër në mbarrë rruzullin tokësor, ka më
shumë se një shekull që vazhdon të rrethohet ende nga troje amtare, të populluara
nga bashkëkombasit tanë.
Kohët
e fundit, mjetet e informimit masiv patën propaganduar gjithandej mendimet e
historianit Aleksandër Lambert për shqiptarët, të cilët, sipas tij, kanë
drejtuar botën në mesjetë. Po a duhet të mburren shqiptarët se 20 perandorë romakë dhe disa
papë të Vatikanit kanë qenë ilirë? Se 36 kryeministra shqiptarë i kanë shërbyer
perandorisë së errësirës otomane? Se shqiptarët, kur grekët fshiheshin ferrave,
kryen revolucionin grek të vitit 1821 dhe, për pazotësinë e tyre, fitoren ua
dhuruan grekëve, të cilët krerët e tyre i shfarosën një e nga një? Se 11
kryemistra shqiptarë i kanë shërbyer Greqisë? Se beteja vendimtare në Luftën e
Krimesë të vitit 1856 midis trupave ruse dhe otomane, u fitua nga otomanët falë
trimërisë së shqiptarëve? Se beteja vendimtare mes trupave otomane dhe trupave
anglo-franceze në betejën e Çanakalasë të vitit 1915, u fitua nga trupat
otomane po falë trimërisë së shqiptarëve? Se Mustafa QemalAtaturku (1881-1938)
ka qenë shqiptar, por që nuk i ra asnjëherë ndër mend të kujtohej për
prejardhjen e tij? Se kryeministri Italian Françesko Krispi (1819-1891) ka qenë
shqiptar arbëresh, por nuk u bë i gjallë asnjëherë për të kujtuar rrënjët nga e
kishte pasur origjinën?
Pra, rezulton se shqiptarët kanë qenë dhe
vazhdojnë të mbeten mercenarë të zellshëm në shërbim të të huajve dhe varrmihës
të vetvetes. Shembullin më të freskët të mercenarizmit, në vazhdën e
mercenarizmit të kryeargatit të serbosllavizmit Enver Hoxha, po vazhdon ta japë
Rama, si kryeservil i Beogradit, një kryeservil ky i përmasave të pështira me fjalën që mbajti online për parlamentin serb nga zyra e tij më 23 nëntor 2021.
Një rast tjetër i mercenarizmit dhe i
servilizmit të kastës tradhtare në udhëheqjen e politikës shqiptare me Ramën në
krye, u vu re edhe në ditën e parë të këtij viti, kur ministria e jashtme, më
01 janar 2022, botoi një komunikatë, në të cilën theksohej se vendi ynë do të
fillonte zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të
Bashkuara. Me këtëtë rast, në atë komunikatë deklarohej në mënyrë të papërgjegjshme
se mandatin Shqipëria do ta përdorte, demek, për avancimin e “çëshjes së Kosovës”. Kjo deklaratë është
një idiotësi me brirë, se “çështja e Kosovës” është zgjidhur që më 17 shkurt të
vitit 2008. Por Rama, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe argat i verbër i
Vuçiçit, kërkon të jetë në një gjatësi vale me shovinizmin serbomadh dhe
rusomadh, dy armiq të egër tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët nuk e
njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë deklaratë absurde, qeveria shqiptare e
mercenarit Rama ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Pikërisht flirtet tradhtare të Ramës me
Vuçiçin kundër Republikës së Kosovës bënë që Tirana zyrtare të heshtë si
memece, të mos reagojë absolutisht kundër kërkesës së Brukselizmit dhe të
Vashingtonit, të cilët, në një deklaratë të përbashkët
të tyre, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejonte serbët në Kosovë të
votonin në referendumin kombëtar të Serbisë më 16 janar për ratifikimin e
ndryshimeve kushtetuese në Serbi, referendum, të cilin shqiptarët e Preshevës e
bojkotuan masivisht.
Po si shpjegohet që shqiptarët janë
shquar kaq shumë në shërbim të të huajve, kurse vatrën e shtëpisë së vet e
patën shuar me ujë? Si shpjegohet që shqiptarët, siç thotë historiani
Aleksandër Lambert, nuk kanë sulmuar kurrë territore të huaja? Po a duhet të
mburremi ne shqiptarët para botës se nuk kemi pasur synime për pushtim të
territoreve të huaja? Sepse bota qesh me ironi dhe na nxjerr gjuhën kur dëgjon
deklarata të tillë. Se ajo shtron pyetjen:
Mirë që s’keni pasur synime të pushtoni
territore të huaja, por territoret e veta pse nuk i keni mbrojtur? Se
territoret tuaja, një herë e një kohë, shtriheshin që nga Peloponezi deri në
Danub, kurse tani territori juaj është katandisur sa një “fushë tenisi”?
Që të pushtosh territore të huaja, duhet
të kesh siguruar ngjizjen brendakombëtare. Shqiptarët s’kanë qenë të aftë për
ta siguruar një ngjizje të tillë, prandaj e kanë pasur të pamundur të pushtonin
territore të huaja. Se nuk i ka pasë lejuar përçarja brenda tyre. Pikërisht për
shkak të asaj përçarjeje të mallkuar, principatat e Ilirisë i hanin kokat
njëra-tjetrës, ndërkohë që ardhacakët sllavë, të pagëzuar serbë me kalimin e
kohës, filluan t’u zaptonin trojet dhe
t’i vinin nën sundimin e tyre.
Prandaj mendoj dhe kam bindjen e plotë
se shqiptarët duhet t’i japin fund
ekspozimit kohë e pa kohë të iventarit të krimeve serbe dhe greke kundër kombit
tonë, për të mos vazhduar të mbetemi qesharakë në sytë e opinionit ndërkombëtar
për pazotësinë tonë, duke reklamuar përçarjen tonë.
Prandaj 17 janari, për çdo shqiptar me
vetëdije të lartë kombëtare, është dita e nderimit të kujtimit të Heroit tonë
Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, sepse periudha skënderbejane mbetet më e
ndritura në historinë e kombit shqiptar. Sepse Skënderbeu ishte gjenerali dhe
strategu i shquar, i cili, me Lidhjen e Lezhës të 02 marsit të vitit 1444,
hodhi themelet e krijimit të një shteti shqiptar, në të cilin, deri asokohe,
princat shqiptarë i hanin kokat njëri-tjetrit. Ai, me largpamësinë e një
ushtaraku dhe burrështetasi të madh, krijoi atë organizim mbarëshqiptar, i cili
u kalli dërrmën hordhive të errësirës otomane për një çerek shekulli me radhë.
Çdo shqiptar me dinjitet kombëtar, përjetoi
emocione të fuqishme kur para disa vjetësh mësoi se Vatikani paskej zbuluar
diçka krejtësisht të panjohur për historinë tonë kombëtare. Asokohe qe botuar në
internet informacioni në vijim:
“Për herë të parë del në dritë dokumenti ku është shpallur
Skenderbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet Martin
Muzaka ambasador i Skënderbeut. Është një letër origjinale në pergamen me
një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, në
fondin Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në
këtë mandat Skenderbeu quhet “mbret”. Ka qenë dr. Musa Ahmeti, një hulumtues i
kahkohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar disa ditë më parë, në
internet, mandatin e mbretërisë shqiptare” (Citohet sipas: “Skënderbeu është njohur si mbret i Shqipërisë dhe i
Maqedonisë që në vitin 1458. Fakte që publikohen për herë të parë”. Nga Violeta Murati. Botoi
në faqen e internetit Sitki Cerekja. 06 tetor 2015).
Gazetari
turk Ahmet Dursun shkruan se Skënderbeu “… si një ushtarak i
zoti, por me një diplomaci prej filozofi, u vendos në krye të një lëvizjeje për
ta mbrojtur vendin nga ky sulm i çoroditur. Rezistenca e tij qartësisht tregon
se sa mirë e ka njohur perëndimin, por edhe lindjen, dhe sa shumë i ka
vlerësuar këto kultura që të mos hyjnë në një luftë direkte, e cila, si fillim,
do të mund të shkatërronte perëndimin, por disa dekada më vonë, një sulm i
ngjashëm me ato të kryqëzatave, mund t’i nxirrte turqit sërish nga Stambolli…”
(Citohet sipas: “Gazetari
turk: Skënderbeu, “tradhtari” që shpëtoi dy qytetërime…Nga Ahmet Dursun”. Faqja e
internetit “voal.ch”. 06 korrik 2016).
Skënderbeu qe bërë aq shumë simbol i
tmerrit për kryeagain e Stambollit, saqë ky i fundit i lutej për të lidhur një
marrëveshje me njëri-tjetrin.
Faktet flasin me gjuhën e dokumenteve.
Një hulumtues i talentuar shqiptar në Paris ka zbuluar një dokument të tillë,
në të cilin thuhet:
“Në librin e
autorit francez, Camille Paganel (1795-1859), me titullin “Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle”,
të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe
heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Sulltani, në pamundësi të mposhtë
“vëllain” e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në
këmbim të paqes. Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar
aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke
e trajtuar atë si Princ dhe jo si Sulltan dhe Emir” (Citohet sipas: “Zbulohen letrat: Kur Skënderbeu u
përgjigjej kushteve të Sulltan Mehmetit”. Nga Aurenc Bebja, Francë, Faqja e
internetit “Voal”. 25 shtator 2017).
Letra e Sulltan Mehmetit është e datës 06 maj 1461, kurse Letra e
përgjigjes e Skënderbeut mban datën 01 qershor 1461.
Shqipëria, edhe në periudhën e diktaturës
komuniste, edhe pas vitit 1990, ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të
mira me Republikën e Turqisë, çka është konkretizuar edhe me vizita të
ndërsjella personalitetesh të niveleve të larta. Por udhëheqësit shqiptarë,
çuditërisht, as edhe një herë të vetme, nuk i patën shtruar kurrë palës turke
pyetjen se cila ishte arsyeja që perandoria otomane e pati trajtuar egërsisht
popullin shqiptar, pavarësisht se ai, në shumicën dërrmuese, pati përqafuar
fenë islame, pra, fenë e asaj perandorie pushtuese, elitat e tij hynë në shëbim
të sulltanit, çka u konkretizua me 36 kryeministra shqiptarë. Por jo vetëm kaq.
Ajo perandori na ndaloi edhe shkollat shqipe gjatë një perudhe më shumë se
katërshekullore. Veç kësaj, pala shqiptare nuk e pyeti asnjëherë palën turke se
pse Turqia, gjatë shekullit XX, pati nënshkruar marrëveshje me Jugosllavinë për
pranimin e shqiptarëve të shpërngulur me
dhunë nga trojet e veta amtare. Pra, në vend që popullin shqiptar, perandoria
otomane ta trajtonte me shumë kimet, ajo, përkundrazi, pati mbajtur një qëndrim
shumë të egër ndaj tij. Mos vallë kjo ishte një hakmarrje katërshekullore për
inat të Skënderbeut që nuk e mposhti dot kurrë? Heshtja e palës shqiptare për
këto çështje madhore, ka dëshmuar dhe dëshmon shkoqur fare se në marrëdhëniet
me të huajt ajo nuk është çliruar kurrë nga kompleksi i inferioritetit, nga
mercenarizmi, nga servilizmi dhe nga nënshtrimi para tyre. Pikërisht për shkak
të servilizmit që ushqen ndaj të huajve, ajo nuk e ka vënë kurrë ujë në zjarr
për fatet e bashkëkombasve tanë në vendet e huaja dhe përgjithësisht për
diasporën shqiptare. Në Turqi jetojnë më shumë se 7 milionë shqiptarë, por
Tirana zyrtare nuk është interesuar kurrë për fatin e tyre.
Kaliforni, 17 janar 2022
No comments:
Post a Comment