SHKRUAR NGA JULIA VRAPI
Botimi i historisë së artit tonë është një domosdoshmëri e kohës, por kemi institucionet shtetërore që duhet të merren. Kështu shprehet studiuesi Jaho Brahaj, sipas të cilit nëse kjo nuk bëhet tregon mospërfillje. Në një reagim të tij studiuesi Brahaj thotë se hartimi dhe botimi i historisë së artit është një mangësi për kohën. “Arti në truallin ku banojmë është i dokumentuar, që mijëra vite më parë, por nuk kemi një studim e botim dhe as nuk kemi një ndërmarrje për një studim të tillë. Kjo është mangësi së pari për kohën që jetojmë, e kemi institucione shkencore shtetërore e kuadër të specializuar, mjafton të shikojmë desertacionet e kësaj fushe për tituj shkencorë Doktor sidomos viteve të fundit në Shqipëri, Kosovë dhe nga studiuesit shqiptarë në Europë. Hartimi dhe botimi i historisë së artit të populli tonë domosdoshmëri e kohës”, shprehet Brahaj. Por ndërsa në vendin tonë problemet me historinë e artit janë dhe përgjegjësi e institucioneve, studiuesi Jaho Brahaj shton më tej se në vendet e tjera faza e hartimit dhe botimit ka kaluar. “Në qoftë se nuk hartohet e ndërmerret një projekt i tillë, që është për historinë e qytetërimit të etnisë tonë, ne vetë shqiptarët tregohemi mospërfillës dhe pa vetëdije e interes për trashëgiminë tonë. Popujt e tjerë fqinje e europiane këtë fazë e kanë kaluar”, thotë studiuesi Brahaj ndër të tjera.
Kërkesa të shekullit XXI
Ndërsa shprehet se hartimit dhe botimi i historisë së artit tonë bën me përgjegjësi institucionet shtetërore, studiuesi Jaho Brahaj shprehet se mundet që periudha historike të veçanta të jenë objekt për këtë ndërmarrje. “Përshembull kemi në truallin tonë që në periudha të errëta të historisë vepra e krijime arti. Në ilustrimin që po ju afroj ta botoni bashkangjitur është një skenë arti pasqyruese e një ceremonie të paraardhësve tonë. Artefakti arkeologjik është në material bronz e shek. VII para erës së re zbuluar në bregun e liqenit të Shkodrës. Vetëm ky artefakt arti i arkeologjisë na pasqyron përmes artit kulte dhe vlera etnologjike”, shprehet Brahaj. Ai tregon se në pjesën e poshtme të tablosë kompozicionale të kësaj vepre monumentale arti kemi dy vendas ilir, që të hipur mbi varka nga një zjarr ceremonial po nderojnë Diellin si hyjni. Së dyti sipas studiuesit, në këtë tablo tërheq vëmendjen mbikresa e njërit prej tyre. “Të kujton atë që e quajmë “kausia” e hyjnisë Redon të Ilirisë. Po këtë mbikresë-kapele e gjejmë të quajtur si “kapela Albneze” në shekujt e mesjetës, tipike për arbërit”, shprehet Jaho Brahaj, që sjell në vëmendje dhe të tjerë shembuj. Studiuesi thotë më tej se ka studime për objekte të veçanta, por sipas tij në problemet që ai shpreh bëhet fjalë për kërkesat e shekullit XXI. “Të mos keqkuptohemi, ka studime për objekte të veçanta të artit të trashëgimisë sonë, por ne këtu po flasim për kërkesa të shek. XXI. Është e domosdoshme të kemi historinë e lashtë të artit të etnisë sonë Iliro-Arbëror e në vazhdim. Nuk është arti i shekujve të Rilindjes e këtej historia e artit. Çështjet e temës janë shumë të gjera, por kjo arrihet duke veçuar dhe dalluar artin grek e romak, që edhe ai ka lënë gjurmë”, thotë Brahaj. Si studiues Jaho Brahaj ka botuar artikuj dhe studime, si dhe ka kumtuar në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë atdheut.