Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/01/27

Ku është pas lufte atdheu i Ali Podrimjes?

Ali Podrimja, poeti që sfidoi genocidin mbi shqiptarët, një vështrim mbi librin e luftës së fundit në Kosovë, si dëshmi për atë që ndodhi në Gadishullin Ilirik, në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë, në përballjen me të keqen që i është kërcënuar ekzistencës së shqiptarëve. Është përmbledhje poetike e viteve ’87-’92, e shkruar diku në Evropë gjatë derdhjes së ish-bashkësisë sllave. Ndërsa librin e pati sjellë në Tiranë në një nga panairet e përvitshme, në vendin ku ndodh dhe të humbin njerëzit

nga Violeta Murati

Kufijtë shpirtërorë të një poeti caktojnë dhe fatin e tij, si me vendin ku shkruan, ashtu dhe me lexuesin e botës. Nëse Ali Podrimja do kishte shkruar mbi hartën e Kosovës, poezitë e tij nuk do ishin veçse një teatër provincial, ku do të rrëfehej si në një pikturë burrat që vriten, fëmijët që ulërasin e theren, pameshirshem, gra shtatzëna që ngjeshen mullarëve, rrëzë shtëpisë, për t’u pushkatuar, dhe plot imazhe të tjera të mjeshtërisë së krimit nga çmenduria kolektive serbë, që do të rrëqethnin nga fjalët. Por, këto i takojnë “fotografisë së verdhë”. Pikërisht, fjala e lidhur ngushtësisht me shpirtin, ka qenë arsyeja e vetme pse poeti nga Kosova, Ali Podrimja, sot nuk lexohet si atdhe, si kufi, por si atDheu, si liria.

Kjo e fundit e përgatitur qysh në ’87-ën, kur “Dëshmia” e poetit hap vëllimin “Libri mbi të qenit”, duke na ndërgjegjësuar qysh në krye me një të drejtë biblike – kohën e të drejtës për të jetuar.

Podrimja krijon poezi me lirikë të ashpër, gati të egër, sikur çdo varg që shkruan është i fundit në jetën e tij, ashtu siç ka ndodhur në pritje për lirinë e Kosovës.

Një nxitim për të na treguar si dëshmi e gjallë për atë që ndodhi në Gadishullin Ilirik, në mbyllje të mijëvjeçarit të dytë. Këtë e pohon edhe vetë poeti, duke na folur pse u nxit të përmblidhte në këtë vëllim poezitë e shkruara në një hark kohor prej një dekade, para se Kosova të fitojë pavarësinë, ku një pjesë e poezive janë shkruar diku në Evropë gjatë derdhjes së ish-bashkësisë sllave. Ndërsa librin e pati sjelle në Tiranë në një nga panairet e pervitshme, në vendin ku ndodh dhe të humbin njerëzit. Ky është libri i luftës së fundit të shqiptarëve të Kosovës. Ka një identifikim organik të poetit me vendin e tij, që e ndjek si poezi në përballjen me të keqen që i është kërcënuar ekzistencës së shqiptarëve.

Poeti e di lavdinë e poezisë, fuqinë luftarake që kanë vargjet, e shikon me dhembshuri poezinë fjalamane, duke pohuar se “kjo shqisë dallon nga të gjitha artet, që është një filigran, ku krijuesi nuk pran derisa bindet se më në fund atë mundet ta marrë dheun”.

Martin Camaj është drita që ndjek poetin, një rrëgjim prej nga mund të ndjejë ngushëllim për fjalën, për atdheun si një arkë. Është një përfytyrim biblik që na përplas qysh në hyrje poeti, për tokën. Nuk mund të imagjinosh se sa e dhimbshme ndihet tek poeti, nga fillimi deri në fund, për të kuptuar forcën që të jep atDheu.

Ali Podrimja na përgatit në hyrjen e procesit të zhvendosjes në një të qenies me tokën. Ne kuptojmë se jemi në Evropë, se “damarët” që bashkon dhe bën të njëjtët atDheun me veten janë lumenjtë, si gjaku. Ka një psikozë, lidhjeje të çuditshme, për nga mënyra se si Podrimja ka ndërtuar këtë përmbledhje poetike.

Atdheu i mbërthyer në arkë, nuk është veçse një përfytyrim i shkruar në vitin ’91, ku nevoja drastike për të vdekur, i ngjan një dëshire të pavullnetshme të përmbysjes, ndryshimit, të ringjalljes. Podrimja na e përcjell këtë gjendje pa trajtë atdhetare, ndryshe nga ç’përsërit vazhdimisht në poezitë e tij, qëllimshëm, fjalën e shkruar ndryshe, atDheu.

Ky rilexim i ri i poezive të dekadës së kaluar, të shkruar nga poeti, t’i heq kufijtë e kohës. Aq më tepër kur kemi të mbartur një informacion të tmerrshëm të ngjarjeve në Kosovë. Prirjet patriotike të Podrimjes, detyrimisht, pa këtë kontekst historik nuk mund t’i shikojmë. Ajo që na çon në këtë drejtim është ngjyra e poezive, estetika gjuhësore. Ndërsa simbioza e brendshme, kuptimi letrar që i jep shqisës së gjashtë poeti, është një botë krejtësisht pa kufij, pa gjak, pa urrejtje, pa shquar as tokë, as horizont, ku lind dhe mbyllet dita. Është atDheu shpirtëror që na jep Podrimja të lexojmë, për të depërtuar në qenien, në ekzistencën tonë. Këtë e nis nga grupimi i poezive “Plagët e gjalla”, aty ku nis ngacmimi dhe dhimbja, kjo e fundit gjithnjë si shkak për të shkruar. Janë këngë-bisede të poetit me Zotin, atë që është shpirt dhe e keqe brenda dhe jashtë nesh. Në vitin ’92 poezitë e Podrimjes janë qëndrim i hapur, një mënyrë angazhimi për të kuptuar gjendjen se sa për të treguar “lodhjen”, “rraskapitjen”, “rrënimin” nga pritja për të qenë të lirë. “Në zgripc” është një shpërthim, prej liriku të egër, për të shfaqur kufirin e absurdit ku ka mbërritur ekzistenca e një vendi, e një njeriu, e një vepre. Sa tregon fatin e Kosovës në hartën e Evropës, poeti e përcjell gjendjen në gjakun, në atë që duhet të sakrifikohet, në lirinë, në dëshminë e gjallë, dhe në të paimagjinueshmen, në paralelizmin e Dantes se “…varr se varr/ më i sigurt i imi/ se ai i Dantes…”.

Është një denoncim poetik që bëhet për çfarë po ndodh, për një realitet që s’njeh të ngjashëm. Angazhimi i Podrimjes është krejtësisht i qartë, i dhënë me gjithë forcën e tij intelektuale si e vetmja mënyrë për t’u kuptuar, për t’u njohur e vërteta, si histori.

Nëse kemi njohur dhe së fundi po flitet për poetët kombëtarë, që sakrifikuan shqisën e tyre të talentit për poezinë, në një luftë vargjesh për atdheun, rasti i Podrimjes e ndan këtë kufi dukshëm. Nuk ka talent të shkuar “dëm” për hir të atdheut, kombit, si sakrificë patetike, apo emocionale.

Ka një shteg si gjithë poetët universalë për të identifikuar vetveten në një proces organik, ashtu si gjaku në trupin e njeriut, me jetën e atDheut.

Ali Podrimja na bën të shohim qartë se çfarë i përket termit komb, jetës së njeriut si qenie në një ngjashmëri me jetën atDheun. Të gjitha ndjeshmëritë e poetit sillen në këtë njëjtësi semiotike, të pandashme.

Podrimja nuk është rebel, është heretik, denoncues. E gjen mënyrën për ta shprehur këto në të gjitha simbolet e mundshme, që gjithaq janë moderne në gjuhën e poezisë. Elegjia është reprizë e pangjashme, ku poeti shpërthen në dhimbje thjesht për një humbje miku, në një kontekst historik, gjithnjë duke e kërkuar në rrënjë, atë që i është mohuar.

Koncetrimi i vargjeve, ngjeshja e mendimit në një filozofi poetike është karakteristika e poezisë së Podrimjes. Me grupimin e poezive “Rrënimi i përmendores së turpit” hyjmë në oborrin e të zezave që i kanë ndodhur poetit, atDheut të tij. Metafizika kthehet në një hije, në paranojën kolektive të një populli, të një vendi që prodhon dhunën. Podrimjen në këtë kapitull e kemi gati të pashpresë, por me një forcë të madhe për të denoncuar më fort të keqen, asaj që ndodh pas emrit të madh, të shpërbërë. Qoftëlargu, kuti e zezë, udha e dhelprës, satani, gjuha e qeni, diku në poezitë e mëmbrapme kemi Hadin, Troja, kasapi i sorranisë, mjeshtri i krimi… një gjuhë simbolike që padyshim ne kemi parasysh makinerinë e krimit serb.

Por poeti nuk bëhet aq “cinik”, ruan inatin e tij, duke e shndërruar e përdorur gjithë këtë histori, në një luftë fjalësh që ndodhin brenda së njëjtës fare, atë të qenies, asaj pjesë të keqe që ndodh brenda njeriut. Rruga e poezisë së Podrimjes është si rruga e qumështit, drita që tregon ekzistencën, forca për të mposhtur rrënim, njohuri për të zbuluar. Ndërsa atdheu është kallëzim biblik.

“Ferri e humbi kuptimin” – “…na ruan atDheu, dashurinë / mike vjetër vdekja…”. Thonjëzat e para janë titull poezie, dhe fjalët në vazhdim janë vargjet e fundit të saj, që na fusin në një sintetizëm të pazakontë. Është nga titujt më entuziastë, nëse në perceptimin e njeriut ferri mbetet ende një mister, i frikshëm, i ftohtë, gërryes, zjarr, djegie, vetmi, kallkan. Është si diçka e marrë nga nëntoka, vendi ku jetojmë mbi dhe ku trupi do na hidhet. Është dhe e urryeshme, dëshpëruese, dhe tepër lakmuese kur të njëjtën gjë e gjejmë dhe mbi tokë. Por me një ndryshim- mbi tokë rrimë nga dashuria, dhe e keqja na çon në ferr. Në këtë përfytyrim duket se na rri poezia e Podrimjes, sa tronditëse, aq dhe dhimbshme. Por fortësia që të jep, e kalon përmasën e njerëzores. Duhet të kuptosh pikërisht raportin që krijon poeti mes njeriut dhe të keqes, mes tokës si ngjizje dashurie, si përbërje e jotja dhe parëndësisë që merr kufiri ndarës, kur gjithçka zbulohet prej një fryme vërtetësie. Imagjinata nuk hyn më në punë, përpara asaj çfarë poeti na zbulon shpirtërisht. “Himni i gazit” është një poezi cinike, sa tregon se nuk mban më gjithë ky maraz shpirtëror, si e vetmja zgjidhje e çlirimit. Asaj të marrëzisë.

Ka një pesimizëm të dukshëm, saqë nuk shohim as Podrimjen pas vargjeve, por një lukuni burrash të padukshëm, si kokë e zezë. Është një vaj, që poeti e shkruan nga periferia e Kosovës, nga Ulpiana. Është një vendosje e shpeshtë e poetit në këtë vend, që mban pothuaj të gjitha mbishkrimet e tij, vitet kronologjike kur ka shkruar poezitë e kësaj përmbledhjeje. Arsyet mbajnë një lidhje sa historike, aq dhe ndjesore. Prej aty poeti ka shkruar dhe mallkimet, ka parë avionët, tanket, çizmet, ka dëgjuar lehjet, sharjet dhe rrahjet, ka ndjerë popullin e tij të këndojë dhe vajtojë.

“Poesie forte” – ka më shumë elegji, epizëm në këto vargje. Këtu duket sikur është fundi i poetit, si burrë dhe si lirik. Po ashtu lufta është e qartë në vargjet e tij, mbijetesa nuk është më çështje përpjekjesh por çështje të gjendjes, të gjetjes së një vendi, të një cope toke për varr dhe një selvi bri tij.

Është një pikë referimi e çuditshme me vendin, dhe me simbole që fëmijët e lidhin rritjen e tyre – në rast se janë djem, burrërinë – si lugetërit. Është një parapërgatitje që bën poeti në këtë sfidë simbolike, duke shkuar deri në fund të vëllimit poetik me përpjekje të tilla alegorike, ku e keqja ka gjithfarë lloj gjuhësh për t’ju afruar qenies, njeriut, për ta rrënuar, zhdukur.

Ndonëse varret dhe vdekja ngasin, pothuaj, gjithë poezitë- ajo që çliron energjinë e shqisës së gjashtë, është goditja në ndërgjegje. Nganjëherë përdorja metaforike, në vend të së keqes, mbush përfytyrimet e poetit nga më e zakonshmja deri në një frikë të vërtetë hiperbolizimi. Askush, nëse nuk njeh historinë politike të vendit prej nga vjen poeti, po ashtu dhe veten e poetit, nuk mund të kuptojë pse zënë vend aq shumë në poetikën e tij “madhështia” e djallit, satanit, hadit. Harta e poezisë së Podrimjes është një skemë e mekanizmit se si është kryer mjeshtëria e krimit, si kanë flirtuar të gjitha simbolet e mësipërme në duart e poetit, duke u shkërmoqur në një ëndërr të vetme, nga dëshira e nxehtë, e parezitueshme, siç është liria.

Fjala e Podrimjes e bën këtë. Herë në mënyrë të egër, si prej gjuhe burri, dhe herë i dorëzuar, duke treguar se vaji ishte e vetmja shpresë, që ua mbante shpirtin të lirë, për t’u ripërtërirë në pamjen e “armikut”.

Krijimtaria e viteve ’80, është ironi, sarkazëm, ne kujtese poezitë: “Histori e qenit”, “Perënditë dhe minjtë”, “Bir i bushtrës” etj. Podrimja ngre alegori të pamëshirshme mbi jetën ku jeton. Ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë, deri në misticizëm, po krijon edhe legjendën e vajtimit. “Dua të jetoj” – të trondit për vargjet e fundit “…se vendi lëvizte si varr”. Përfytyrimi dhe imagjinata mbi të keqen, nuk ka më trajtë poetike, por një të vërtetë, një poezi gati natyrale të dhimbjes. Ndërsa poetin vazhdon ta shqetësojë njeriu, dhe e keqja nga i vjen atij. “…gjakësin mos e ndiq/ e zë gjaku i vet”- është “Pastrim shpirtëror”- instinkti rrënues i vetes nga e keqja.

Është metafora klasike midis së mirës dhe së keqes. Duket se poeti zgjon hapur një lloj vetëdije – se e gjithë kjo luftë mbinjerëzore nuk i takon më kësaj epoke parabiblike. Por është qenia, njeriu, që ndeshet me të keqen. Vitet ’90-’92 tek poezia e Podrimjes kërkojnë vetëdijen. “…derisa të na harrojnë të vdekurit”, një zgjim epitaf i poetit për të kuptuar më qartë se çfarë fshihet brenda një bote siç është vetja, në një kohë kur pesimizmi, dhe gjithçka lidhet me frymën e gjallë, jetën. Asnjëherë nuk e gjejmë poetin në befasinë e një përgjumjeje fjalësh. Ai duket sikur çdo fjalë është rrekje për të mbajtur zgjuar vetëdijen, për të treguar kuptimin e jetës së tij, në shumësin e vendit nga vjen, e për të cilin flet. Nuk është e përcaktuar gjeografia. Kosova aty nuk është konvencion. Kosova nuk është as si vend. Podrimja na jep një botë, siç është e vetja, e vetja si vend, si tokë, si frymë, si një shpirt metafizik. Mbi veten. Në vitin 1992, vit ku zënë të shkruhen të gjitha poezitë e këtij vëllimi të Podrimjes, shkruan poezinë “Liria e tmerrshme”. Është si një letër e shkruar me mundim, mbi një postulat që shquan pritjen e pafund. Detyrimisht dhe tepër lirshëm, fati i kësaj poezi na çon në brengat që ka mbrapa vetes poeti, atë të Kosovës, lirinë.

Është si kohë përgatitje e gjithë vëllimit (për atë që do të ndodhte këtë vit, 2008), ardhjen e lirisë. Për këtë arsye quhen krejtësisht të justifikuara lirikat e ashpra të poetit mbi pritjen e lirisë. “Liria e tmerrshme / në shpinë të breshkës”… ky kontekst në sytë e sotëm të vështrimit letrar largojnë tani nga ajo që është dëshiruar këtu e 15 vjet më parë. Por poeti i shpëton atij rrethi emocional, kurthi që të fut koha kur shkruan.

Ky në fakt është fati i të gjitha poezive që Podrimja ka shkruar, që përmban dhe ky vëllim. Kthimi i tyre në një optikë kur është fituar autonomia është rasti me i diskutueshëm tek të gjithë poetët e Kosovës. Kjo ndoshta do të bëjë dhe rezymenë e asaj letërsie çfarë është shkruar para pavarësisë së Kosovës, duke e ndjekur si poezi e angazhuar, apo emocionale, ndryshe të lokalizuar në “pushtimin kombëtar”.

“Liria e tmerrshme” – nga dy vargjet e fundit duket se do të na lidhë përgjithmonë me këtë poet për natyrën filozofike, për të kuptuar vetveten në një kontekst të procesit të brendshëm drejt një besimi të lirë, të lirë si qenie. Çfarë do të ndodhë pas kësaj lufte?

Loja e gjuhës prej poetit është një tipologji që rrallë e ndeshim në përshkrime psikologjike, që nuk lë rrënjë e filigran shpirtëror pa perceptuar në kohën e “dhuruar”, apo vendin me të cilin janë lidhur fatet tona. Atdheu është repriza që na përgatit në çdo poezi Podrimja. Përcaktimi se poezia e këtij poeti është e angazhuar, tani nuk ka pikë diskutimi. Podrimja është nga ata personalitete që gjakun e ka atdhe, dhe nuk dihet kurrë kufiri i këtyre të dyjave. Arketipi i këtij njeriu – vjen krejtësisht e qartë, pa lëmshe filozofike, apo sensacionale. Edhe elegjitë, edhe epika, burrëria, liria, toka, vendi, malet, vdekja, dashuria – realizojnë një proces që rrallë poetë do ta arrijnë – zbulimin e të vërtetës, çfarë ndodh në një pikë ujë, deri në vërshimin e tij, si një lumë – në mbërritjen përfundimtare, finale, atë të zmbrapsjes në pafundësi, në liri. Ky është deti i poetit, mbinjeri.


Fajësia e gjneralit serb Dragoljub Ojdaniqit, dëshmi për krimet e shtetit serb në Kosovë


Pranimi i fajësisë për krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë nga ana e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë jugosllave, gjeneralit Dragolub Ojdaniq, nga aktivistët për të drejtat e njeriut interpretohet se mund të shihet nga dy prizma. E para, Ojdaniq me pranimin e fajësisë,besohet se ka dashur që të zbusë dënimin e tij të shqiptuar nga ana e Tribunalit të Hagës. Kurse, efekti i dytë dhe më i rëndësishmi, është ai i pranimit të fajësisë për krimet e kryera mbi civilët shqiptarë në Kosovë nga aparatura shtetërore ushtarake serbe gjatë konfliktit të vitit 1999.

 Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, Behxhet Shala, thotë se Ojdaniq, në kohën kur është arrestuar, nuk kishte pranuar asnjë fajësi. Kurse, tani kur kishte kaluar dy të tretat e dënimit, ai ka vlerësuar se ka gjasa që të zbusë dënimin e tij, andaj edhe ka pranuar fajësinë.Por, sidoqoftë, Shala mendon se pranimi i fajësisë ka dëshmuar se krimet e kryera mbi popullatën civile, përndjekjet dhe shkatërrimet, ishin të dirigjuara dhe udhëhequra nga aparatura shtetërore dhe ushtria serbe. Ky është një hap i madh drejt pranimit të fajësisë nga vetë ata, të cilët kanë kryer krimet, kanë dëbuar shqiptarët dhe të gjithë kanë përfaqësuar interesin e shtetit serb.“Ndonëse unë e them që nuk është i sinqertë, është më shumë një hap për përfitimin apo blerjen e lirisë, megjithatë, për herë të parë nga goja e një ushtaraku shumë të lartë serb, po pranohet që shqiptarët janë vrarë nga ushtria, janë dëbuar nga ushtria e mbrapa ushtrisë serbe ka qëndruar shteti serb. Do të thotë, ky është një argument, i cili mund të përdoret vazhdimisht në të ardhmen dhe kjo është ajo pozitivja që ka ndodhur”. “Ky është një hap i madh drejt pranimit të fajësisë nga vetë ata, të cilët kanë kryer krimet, kanë dëbuar shqiptarët dhe të gjithë kanë përfaqësuar interesin e shtetit serb”, vlerëson Shala. Ish-drejtoresha e Fondit për të drejtën humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pranimi i fajit është shumë me rëndësi, pa marrë parasysh se kjo mund të lidhet me të drejtën e Ojdaniqit që pas dy të tretave të kohës së vuajtjes së dënimit, të kërkojë lirimin me kusht. Sidoqoftë, edhe Kandiq beson se pranimi i fajësisë nga ana e gjeneralit Ojdaniq, i cili së shpejti mbush 72 vjet, dëshmon se në Kosovë janë kryer krime të tmerrshme. “Ky pranim nga ana e një gjenerali, se ai pajtohet që është fajtor, është shumë me rëndësi”. “Megjithatë, vështirë mund të pritet që qeveria aktuale në Serbi ta shfrytëzojë pranimin e fajësisë nga gjenerali Ojdaniq që të tregojë se në Kosovë kanë ndodhur krime, se atje kanë ndodhur vrasje të tmerrshme, vuajtje, djegie dhe plaçkitje”, thekson Kandiq, duke shtuar se:

“Krimet masive kundër shqiptarëve kanë filluar para konfliktit, kurse gjatë bombardimeve të NATO-s, ato ishin intensifikuar. Fondi për të Drejtën Humanitare ka evidentuar mbi 13 mijë viktima dhe të zhdukur gjatë periudhës 1 janar 1998 deri në fund të vitit 2000, përderisa në Serbi në shumë lokacione janë zbuluar varreza masive ku ishin varrosur mbetjet e të vrarëve”, thotë Natasha Kandiq. Për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Kosovë, Tribunali i Hagës ka dënuar me 27 vjet burg gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, pastaj ish-nënkryetarin e qeverisë jugosllave Nikolla Shainoviqin dhe gjeneralët Nebojsha Pavkoviq e Sreten Llukiq me nga 22 vjet burgim. Së fundit, pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata e Hagës kishte njoftuar se gjenerali serb Dragolub Ojdaniq ka pranuar fajësinë për dënimin e shqiptuar ndaj tij prej 15 vjetësh burg për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës të kryera gjatë vitit 1999.

(Floripress)

krimet 




GJeneza gjenetike e shqiptarëve


Prej vitesh tashmë, përparimi i teknologjisë së zbatuar biokompjuterike ka mundësuar shfrytëzimin e të dhënave gjenetike për studimin e historisë. 

Veçanërisht përmes analizës së kromozomi Y, i cili përçohet drejtpërdrejt nga babai te i biri, pa kontribut gjenetik nga nëna, çdo familje apo fis mund të gjurmojë prejardhjen e vijës atërore, apo siç njihet botërisht, haplogrupit. 

Kurse mbledhja e një kampioni përfqësues rezultatesh gjenetike mundëson edhe hulumtimin e prejardhjes në shkallë krahinore apo vendi. 

Deri tani, në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” janë mbledhur në mënyrë vullnetare rezultatet e 1322 anëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare. 

Nga krahasimi i tyre si me analiza gjenetike të eshtrave të lashta në Ballkan e Europë, ashtu edhe me rezultate nga popujt e sotshëm, dalin qartë disa përfundime të cilat po i paraqesim në mënyrë të përmbledhur më poshtë.

Ndërkohë ftojmë çdo familje shqiptare të kryejë një test gjenetik të kromozomit Y dhe të anëtarësohet në projekt. Për më shumë rreth mënyrës së regjistrimit në projekt mund të na kontaktoni drejtpërdrejt përmes faqes “Projekti Rrënjët” në Facebook: https://www.facebook.com/Projekti-Rrenjet-101700961530810, ose të ndiqni udhëzimet në faqen tonë: https://rrenjet.com/#Si_te_regjistroheni.

1. Përmbledhje statistikore

Nga drejtpeshimi statistikor i 1322 rezultateve, del se rreth 10 haplogrupet më të shpeshta përmbledhin rreth 94.6% të gjithë linjave atërore shqiptare. 

Afërsisht një e katërta e rezultateve u takojnë anëtarëve nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. 

Me rritjen e numrit të anëtarëve në këto treva, sidomos në Kosovë, përqindjet mund të pësojnë ndryshime të lehta, por duhet të mbesin brenda rrezeve të sigurisë 95%. 


Më poshtë gjeni shpeshtinë e secilit haplogrup:

Haplogrupi Përqindja Rrezja e sigurisë 95%

E-V13 27.7% 25.2 – 30.1%

R1b-M269 21.3% 19.1 – 23.5%

J2b-L283 15.3% 13.4 – 17.3%

I2a-Y3120 7.5% 6.0 – 8.9%

R1a-M417 5.9% 4.7 – 7.2%

I1-M253 5.5% 4.2 – 6.7%

J2a-M410 4.3% 3.2 – 5.4%

J1-M267 2.5% 1.6 – 3.3%

I2a-M223 2.5% 1.6 – 3.3%

G-M201 1.6% 0.9 – 2.2%

E1b-M123 0.7% 0.3 – 1.2%

Në mënyrë të përmbledhur, nga tabela dallojmë se një përqindje e vogël e linjave atërore shqiptare (1-4%) janë të vendosura e të përhapura në Ballkan prej më shumë se 4500 vitesh kryesisht me përhapjen e bujqësisë, shumica prej 72-77% u përhapën rreth 2500 deri 4000 vite më parë me fiset e lashta të ballkanit si ilirët, dardanët, dakët, etj. Vala e fundit që ka lënë gjurmë të rëndësishme gjenetike prej të cilave vijnë 16-19% e linjave atërore shqiptare mbërriti para rreth 1200-1800 vitesh, gjatë periudhës së dyndjeve të fiseve gjermanike, sllave, etj.

2. Historia e linjave atërore shqiptare

Përtej statistikave të përgjithshme, secili haplogrup ka historinë e tij dhe duhet studiuar në thellësi për të kuptuar kohën dhe mënyrën e vendosjen dhe përhapjes. Prandaj më poshtë paraqesim një nga një periudhat e ndryshme arekologjike dhe historike me rëndësi për kuptimin e prejardhjes së shqiptarëve.

2.1 Para Epokës së Bronzit

Mendohet se njeriu modern mbërriti në Europë para më shumë se 30.000 vitesh. Ndër linjat atërore më të vjetra të gjetura në Europë deri në periudhën e Mesolitit janë haplogrupet C, I, F, më pas I1, I2-P37, I2-M223, I2-L596, R1b-V2219, etj. Europianët e kësaj periudhe ishin popuj nomadë që merreshin kryesisht me gjueti, duke ndjekur gjahun nga një zone në tjetrën. Edhe pse ka shqiptarë të cilët bartin disa prej linjave atërore të lartpërmendura, nuk mund të flitet për vazhdimësi gjenetike të tyre në popullin shqiptar sot, pasi pjesa dërrmuese e këtyre linjave kanë lëvizur nëpër Europë derisa kanë arritur të rishpërndahen, në shumicën e rasteve nga Europa veriore ose lindore, duke u vendosur në Ballkan relativisht vonë. Përqindja e paraardhësve atërorë të shqiptarëve që kanë banuar vazhdimisht në Ballkan prej Mesolitit është nën 0.5%.
Prej 7000-9000 më parë, popuj që kishin përvetësuar bujqësinë në Levant filluan të përhapen drejt Ballkanit dhe Europës në përgjithësi. Kjo lëvizje është vënë re prej kohësh në arkeologji, por së fundi kemi mësuar edhe që linjat atërore që mbërritën në Europë gjatë kësaj kohe ishin kryesisht degëzime të haplgrupeve G, E, J1, J2, T, etj. Revolucioni bujqësor, brenda pak vitesh, ndërroi në mënyrë drastike përbërjen gjenetike të Europës jugore dhe qendrore, duke zëvendësuar linjat atërore mesolitike me të ardhurat rishtazi nga lindja. Kështu, haplogrupi G është qartazi mbizotërues në gjithë gjetjet neolitike në studime shkencore në Ballkan, ndërsa haplogrupe të tjera të gjetura në Ballkan përfshinin degëzime të caktuara të J2a, J1, etj. Sot haplogrupin G e mbartin më pak se 2% e shqiptarëve, kurse linjat e tjera qartësisht neolitike gjenden edhe më rrallë. Në Toskërinë veriore dhe lindore kjo përqindje është pak më e lartë por gjithesi nuk kalon 5%. Duke marrë parasysh faktin se një pjesë e këtyre linjave mund të jenë vendosur edhe në periudha më të vona nga drejtime të ndryshme, mund të themi me siguri se më pak se 4% e gjithë paraardhësve atërorë të shqiptarëve gjendeshin ndër popujt neolitikë (pra, para-ilirë) të trojeve të sotshme shqiptare.

2.2 Nga Epoka e Bronzit deri në Antikitet

Pas disa mijëravjeçarëve zgjerimi të bujqësisë dhe linjave atërore të popujve që e shpërndanë, me fillimin e Epokës së Bronzit nisën edhe dyndjet masive të indo-europianëve. Në vendorigjinën e tyre në Stepat e Euroazisë, kjo popullsi me strukturë shoqërore patriarkale merrej kryesisht me bletori, dhe kishte përvetësuar edhe përdorimin e kuajve dhe më vonë edhe të karrocave, dhe kishin fituar imunitet të lartë ndaj sëmundjeve të kafshëve dhe tolerancë ndaj laktozës. Nga zona e Stepave, indo-europianët u përhapën në të gjitha drejtimet, duke u shtrirë në pak breza nga Europa perëndimore deri në Kinë e Indi. Grupet e mëdha gjuhësore të Europës së sotshme, si grupi i gjuhëve latine, i atyre gjermanikët, sllave, keltët, ashtu si edhe shqipja e greqishtja, kanë rrënjë të përbashkët pikërisht nga gjuha që fliste ky popull. Mbërritja e indo-europianëve në Europën qendrore dhe në Ballkan është e mirëdokumentuar jo vetëm gjenetikisht, por edhe në arkeologji.
Ndër popujt e Stepave që lëvizën drejt perëndimit gjatë Epokës së Bronzit, haplogrupi kryesor ishte R1b-M269, kurse haplogrupe të tjera përfshinin R1a-Z93, I2-M223. Ka shumë mundësi që zgjerimi drejt trojeve të sotshme shqiptare mos të ketë qenë një lëvizje e njëtrajtshme, por një seri zhvendosjesh që nisin nga Epoka e Bronzit e vijojnë deri në Antikitet, duke asimiluar e përfshirë edhe popuj të tjerë në këto dyndje. Linjat atërore kryesore të shqiptarëve që janë vendosur në Ballkan prej kësaj periudhe nga veriu dhe verilindja janë R1b-PF7562, J2b-L283, E-V13, R1b-CTS9219, I2-L701, etj.
R1b-PF7562 dhe J2b-L283, në pjesën dërrmuese të tyre, janë vendosur në trojet e sotshme shqiptare prej Epokës së Bronzit. Për prani mbi 3000 vjeçare flasin si gjetjet nga lashtësia, ashtu edhe diversiteti i linjave modern. J2b-L283 është gjetur edhe në eshtra ilire nga Epoka e Bronzit dhe e Hekurit në Dalmaci, Slloveni dhe Vojvodinë, nga Epoka e Hekurit ndër mesape të Puljas, dhe në Antikitetin e vonë në Moezi dhe Dardani. Në përputhje me këto gjetje, në databazën e Projektit Rrënjët, vërehet se nëndegët e R1b-PF7562 ndër shqiptarët e sotshëm janë veçuar prej 3400-4000 vitesh, kurse ato të J2b-L283 prej 3100-3600 vitesh. Sot R1b-PF7562 gjendet në dendësi të ngjashme (3-4%) në gjithë trojet shqiptare, kurse J2b-L283 gjendet shumë më dendur në veri (15-30% sipas zonës) se në jug (7-10%). Këto dy linja atërore përmbledhin rreth 20% linjave atërore shqiptare.
Për linjat atërore E-V13 dhe R1b-CTS9219, ka më shumë mundësi që vendosja në Ballkanin perëndimor ka nisur nga veriu, me gjasë nga zona mes Alpeve Europiane dhe Karpateve, duke filluar nga fundi i Epokës së Bronzit e përgjatë Epokës së Hekurit deri në Antikitet. R-CTS9219 është gjetur në kufi të Dardanisë së periudhës romake, kurse linja të afërta me të janë gjetur edhe në Vojvodinë nga Epoka e Bronzit. Për këtë linjë atërore, pellgu panonik duhet të ketë qenë ndalesa mes Stepave dhe Ballkanit. Kurse E-V13 ishte një linjë e rrallë atërore e mbijetuar ndër pasardhësit e popujve bujqësorë që indo-europianët i gjetën në Europën qendrore e lindore, por përhapja e saj nisi gjithashtu gjatë Epokës së Bronzit. Gjetja e linjave të afërta në Ballkanin verior dhe në Hungari, dhe prania masive e vetë E-V13 në Moezi dhe në kufi të Dardanisë në periudhën e vonë romake dhe më rrallë në kulturat kelte të Europës qendrore, gjithashtu tregon se në trojet e sotshme shqiptare duhet të ketë mbërritur kryesisht nga veriu e veri-lindja. R-CTS9219 gjendet e përhapur me dendësi të njëtrajtshme (14%) në trojet shqiptare, kurse E-V13 ka shumë nëndegë, secila me shpërndarjen e saj të veçantë. Si nëndegët e sotshme shqiptare të R-CTS9219, ashtu edhe ato të E-V13, kanë lidhje gjenetike rreth 2500-3500 vjeçare me linja atërore jashtë ballkanit, kryesisht në Europën qendrore. Pra vendosja e këtyre dy linjave në trojet e sotshme mund të hamendësohet rreth fundit të Epokës së Bronzit ose gjatë Epokës së Hekurit. Këto dy linja atërore përbëjnë rreth 40-45% të gjithë linjave atërore shqiptare.
Përveç linjave të lartpërmendura, edhe nëndegë të I2-L701, R1b-L51, J2a-M410 dhe J1-M267 mund të jenë vendosur në trojet e sotshme shqiptare mes Epokës së Bronzit dhe Antikitetit. Në përmbledhje, me të dhënat e deritanishme, rreth 75% e gjithë linjave atërore shqiptare duhet të kenë qenë në Ballkanin qendror e perëndimor prej asaj kohe, duke qenë edhe pjesë e fiseve ilire.
2.3 Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme
Me dobësimin e Perandorisë Romake, fise të ndryshme nga Europa veriore e lindore filluan të depërtonin kufinjtë perandorak, duke vërshuar rregullisht edhe drejt Ballkanit. Ndër dyndjet më të famshme mund të përmendim ato të gotëve, hunëve, vandalëve, avarëve, sllavëve, etj. Elementi i lashtë ballkanik arriti t’u mbijetojë këtyre vërshimeve, por duke përthithur edhe prurje të reja, diku më rrallë e diku më dendur. Një studim i fundit mbi trashëgiminë gjenetike të ballkanasve të lashtë dhe dyndjeve sllave, vlerëson se shqiptarët dhe grekët u prekën nga këto lëvizje më pak se serbët, bullgarët, rumunët e kroatët.
Linjat atërore që u bashkuan në këtë periudhë me ata banorë të Ballkanit që u mbijetuan dyndjeve janë I1-M253, R1a-CTS1211 e R1a-M458, I2a-Y3120, N-P189.2, etj. Të gjitha këto mugojnë në gjetjet e lashta deri në periudhën perandorake romake, dhe linjat moderne që gjenden ndër shqiptarë zakonisht lidhen me linja nga Europa veriore dhe lindore në rreth 1400-2000 vjet. I1-M253 është e lidhur më ngushtë me lëvizjet e fiseve gjermanike, N-P189.2 me ato të popujve të Euroazisë (avarët, magjarët, etj.), kurse R1a-CTS1211, R1a-M458 dhe I2-Y3120 me ato të sllavëve. Megjithatë, nuk përjashtohet që ndonjë nëndegë e veçantë e R1a ose I2-Y3120 të ketë lëvizur me fiset gjermanike, ose ndonjë degëzim I1-M253 me ato sllave. Sot I1-M253 është më e përqendruar në treva malore si Kurveleshi, Puka dhe zona mes Matit e Mirditës, kurse R1a-M417 dhe I2-Y3120 gjenden më shpesh në treva fushore. Gjithë këto linja së bashku përbëjnë rreth 16-19% të linjave atërore shqiptare sot, ndër të cilat rreth ¾ kanë mbërritur me fiset sllave, kurse pjesa tjetër kryesisht me fiset gjermanike.

2.4 Etnogjeneza arbërore

Pas kalimit të trazirave nga rënia e Perandorisë Romake, dyndjeve të njëpasnjëshme barbare dhe epidemive të ndryshme, popujt e sotshëm të Ballkanit filluan të ravijëzohen gjatë Mesjetës së Hershme. Populli arbër, i cili del në dokumente nga shekulli i XI, arriti të ruajë një gjuhë që rridhte nga gjuhët e lashta të Ballkanit. Edhe në rrafshin gjenetik, vëmë re se shekujt e fundit të Antikitetit ishin periudhë e vështirë për paraardhësit tanë, pasi shumica e linjave tona kanë kaluar efektin bottleneck (rrallim i degëzimeve të linjës atërore) gjatë kësaj kohe. Shqiptarët e sotëm të të gjitha linjave atërore, në tërësi janë pasardhës i asaj popullsie të tkurrur me prejardhje në kryesisht paleo-Ballkanike dhe trashëguese të një gjuhe të lashtë, që u mbijetoi përmbysjeve të shekujve 3-7. Në përputhje me këtë vërejtje, një studim i vitit 2013 thekson se shqiptarët janë populli më homogjen në Europë, dhe shumica vijnë nga paraardhës të përbashkët që përbënin një popullsi të vogël por kompakte para rreth 1500 vitesh.
3. Përfundim
Si përfundim, duhet theksuar se gjenetika e popujve është disiplinë e re e në zhvillim, prandaj ky artikull do të zgjerohet dhe përmirësohet vazhdimisht, si me rritjen e kampionit të shqiptarëve të sotëm, ashtu edhe me daljen në dritë të rezultateve të reja nga eshtra të lashta. Nga ana tjetër, numri i rezultateve te sotshme e të lashta na lejon tashmë të përmbledhim me siguri prejardhjen e linjave atërore shqiptare në tri grupe kryesore: (1) një pakicë shumë e kufizuar, nën 4%, që mund të jetë pasardhëse e popujve neolitikë në të njëjtat troje si sot; (2) një pakicë e rëndësishme, rreth 20%, që vjen nga fiset që u vendosën këtu mes shekujve 3 dhe 7; dhe (3) shumica dërrmuese, rreth 75%, që vjen nga fiset e lashta ballkanike që mbërritën mes Epokës së Bronzit dhe Antikitetit. Informacion më të hollësishëm rreth secilit haplogrup mund të gjeni këtu: https://rrenjet.com/linjat-aterore/. Artikullin e plotë bashkë me lidhëset për studimet e cituara mund t’a gjeni këtu: https://rrenjet.com/prejardhja-gjenetike-e-shqiptareve/. Për pyetje apo ndonjë paqartësi, mund të kontaktoni një prej vullnetarëve të projektit përmes faqes në Facebook ose adresave të email-it që gjenden këtu: www.rrenjet.com/rreth-nesh.1.1


(Floripress)


Ish Kryeministri anglez Tony Blair! Akuzohet për krime lufte, 400 mijë njerëz nënshkruajnë peticionin për heqjen e titullit “kalorës”


Qindra mijëra njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet duke bërë thirrje për heqjen e titullit Kalorës që iu dha ish-kryeministrit Tony Blair nga Mbretëresha. Në peticion tuhet se Blair ‘duhet të mbahet përgjegjës për krimet e luftës’.

Më shumë se 400,000 firma u hodhën nën një peticion të Change.org që i kërkonte kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar t’i kërkonte Mbretëreshës të anulonte urdhrin në më pak se një ditë pasi ai u lëshua.

Angus Scott, autori i peticionit, thotë se ish-kryeministri ‘shkaktoi dëme të pariparueshme në kushtetutën e Mbretërisë së Bashkuar dhe në vetë strukturën e shoqërisë së vendit’, kur ishte në pushtet midis viteve 1997-2007.

Peticioni akuzon në mënyrë specifike Blair-in për ‘shkaktim të vdekjes së ushtarakëve e civilëve të panumërt të pafajshëm’ duke e tërhequr Mbretërinë e Bashkuar në ‘konflikte të ndryshme’.

“Për këtë ai duhet të mbahet përgjegjës për krimet e luftës.” – thuhet ndër të tjera në peticion.

Ndërsa është e zakonshme që monarkët britanikë t’u japin shumicën e titujve të lartë të Kalorësisë ish-kryeministrave, vendimi i Buckingham Palace për Blair-in shkaktoi zemërim masiv në mesin e britanikëve, duke përmendur rolin e tij në pushtimin e vitit 2003 në Irak dhe mbështetjen e tij për fushatën e udhëhequr nga SHBA në Afganistan.

Në vitin 2017, një e treta e britanikëve thanë se Blair duhet të gjykohej si kriminel lufte për ‘mashtrimin e vetëdijshëm’ të publikut rreth premisës së pushtimit të Irakut, pasi një hetim zbuloi se nuk kishte asnjë inteligjencë për të mbështetur pretendimin se lideri i ndjerë irakian Saddam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë.

Blair mori Urdhrin e Kalorësit në listën e Nderimeve të Vitit të Ri 2022. Duke iu përgjigjur njoftimit, Blair e quajti titullin ‘një nder të jashtëzakonshëm’, ndërsa Buckingham Palace tha se ishte ‘kënaqësi’ që t’ia jepte atë Blair.


Washington Times më 7 prill 2021 shkruante: Për të rritur pushtetin, Erdogani do puç ushtarak

 Washington Times, më 7 prill të  vitit 2021 kishte publikuar një shkrim në lidhje me mundësinë e një puçi ushtarak në Turqi, por që paralajmëronte se një puç i tillë do të organizohej nga vet presidenti Erdogan për të fituar më shumë pushtet si dhe për t’i mbajtur nën kontroll disidentët.

Më poshtë mund ta lexoni artikullin e përkthyer nga Koha.net:

Erdogani i Turqisë shfrytëzon zërat e puçit ushtarak për të rritur pushtetin, për t’i mbajtur nën kontroll disidentët

Liderët ushtarakë të Turqisë, përball rritjes së spekulimeve brenda në vend dhe jashtë tij, ndërmorën javën e kaluar hapin e jashtëzakonshëm për të mohuar planet për një grusht shtet. Por me trazirat e brendshme, me kërcënimin në rritje nga terrorizmi, kaosin në rajon dhe historinë e intervenimeve ushtarake në Ankara, mohimet nuk i kanë heshtur zërat në Washington.

Gjeneralët turq kanë intervenuar në proceset politike gjashtë herë që nga viti 1960 si reagim ndaj tensioneve politike dhe të sigurisë, dhe intervenimi i fundit ka ndodhur më 1997.

Por disa e shohin presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, duke i përdorur madje edhe thashethemet për pushtim të ushtrisë si mënyrë për të konsoliduar pushtetin e tij vazhdimisht në rritje dhe për t’i mbajtur nën kontroll disidentët politikë.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit (AKP) është si një “lojtar i trajnuar mirë i arteve marciale”, ka thënë Aykan Erdemir, ish-anëtar opozitar i parlamentit në Turqi që tani shërben si drejtues i lartë në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë në Washington.

“Janë shumë të mirë për t’i kthyer sfidat në avantazh, dhe tani që thashethemet kanë nisur të shpërfaqen, ata e dinë shumë mirë se mund të përfitojnë nga ajo”, ka thënë Erdemir në një intervistë për Washington Times. “Kjo do të thotë se mediat e kontrolluar nga AKP, pro-qeveritare në Turqi i kanë kushtuar kohë dhe energji të konsiderueshme publikimit të këtyre thashethemeve për grusht shtet – pikërisht për faktin se ata e dinë që kjo do të lehtësojë deficitin e legjitimitetit të AKP-së”.

Ndërsa AKP, që është në pushtet për më shumë se një dekadë, është përballur me kritika në rritje, “nëse ju jepet zgjedhja mes një qeverie ushtarake dhe AKP-së, [votuesit] do të rreshtohen kah qeveria e zgjedhur, që është AKP”, thekson Erdemir.

Mirëpo, pozita e AKP-së është e ulët në mesin e të rinjve në Turqi, të cilët thonë se Erdogani mezi i fitoi zgjedhjet e vjeshtës duke shfrytëzuar agjentët e sigurisë për të mbyllur mediat dhe bizneset opozitare. Që nga ajo kohë, presidenti është akuzuar për bllokim të Facebookut, YouTubeit dhe mediave tjera sociale.

Edhe mediat në Rusi kanë transmetuar thashethemet e një puçi.

Marrëdhëniet e Moskës me Ankaranë u prishën pasi forcat turke rrëzuan një aeroplan luftarak rus nëntorin e vitit të kaluar afër kufirit me Sirinë.

Në një editorial të publikuar muajin e kaluar në ueb-faqen e lajmeve të kontrolluar nga Kremlini, “Sputnik International”, thoshte se ushtria turke po “e ndërton gradualisht ndikimin e saj politik, që si pasojë shtron rrugën e një puçi ushtarak”.

Tensionet politike qartazi po ndërtohen në Turqi, e cila është prekur nga lufta civile në Sirinë fqinje, duke ngritur përleshje me grupet separatiste kurde, me ekonominë e dobët dhe me tregun në kolapsim turistik. Shpresat e para vetëm një dekade se Turqia mund të shpërbejë si një model rajonal për një shtet prosperues e demokratik me shumicë myslimane janë në zhdukje e sipër.

Por bisedat për një puç morën një shtytje të madhe nga një burim i papritur – një blog i postuar në ueb-faqen e Institutit konservator Amerikan të Ndërmarrjeve (AEI) me bazë në Washington.

Michael Rubin, një ish-zyrtar i Pentagonit dhe analist i mbrojtjes dhe sigurisë në AEI, thoshte se taktikat autoritare të Erdoganit “duke burgosur kundërshtarët, duke marrë nën kontroll mediat e majta e të djathta, dhe duke ndërtuar pallate në shkallën e një sulltani të çmendur apo të një kalifi aspirues” kanë “dalë jashtë kontrollit”.

Nëse zyrtarët ushtarakë turq do të reagonin me puç, Rubin shkruante, askush nuk do t’i ndalonte ata dhe Washingtoni do të pajtohej me të – siç ndodhi me administratën Obama në rastin e Egjiptit kur pranoi qeverinë e Vëllazërisë Myslimane në Kajro tre vjet më parë.

Rubin tha në një intervistë se ai nuk pret që puçi mund të ndodhë menjëherë.

“Po thosha se nëse ushtria turke do të vepronte, SHBA-të do ta përkrahnin – se Erdogani është bërë person i paqëndrueshëm, se Washingtoni nuk do të ngrinte një gisht për ta rikthyer atë në pushtet nëse dikush do të vendoste ta rrëzonte atë nga pushteti në stilin e Egjiptit”.

Fakti se “çdo gazetë turke e madje edhe Stafi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Turke u ndjenë të detyruar për të komentuar” në blogun e postuar, do të thotë se “me siguri ua ka prekur nervat”, ka thënë Rubin.

Mohimi publik

Presioni u rrit kur ushtria turke, e njohur me shkurtesën TSK, u ndje e detyruar të lëshonte një mohim publik.

“Është e pakonceptueshme të mendohet se TSK do të toleronte ndonjë fenomen apo veprim ilegal që do të dilte nga zinxhiri komandues” ka thënë më 31 mars Stafi Komandues në ueb-faqen e tyre.

“Kemi nisur veprime ligjore kundër atyre që përhapin lajme dhe komente të tilla, të cilat nuk kanë absolutisht asnjë bazë ligjore a logjike dhe bien në kundërshtim etikën mediale”.

Kryeministri turk [i asaj kohe] Ahmet Davutoglu tha gjatë vikendit se ai personalisht i kishte dhënë miratimin deklaratës së Stafit të Përgjithshëm që mohonte puçin, duke thënë se “Turqia e vjetër” e intervenimeve ushtarake është “e largët”.

Por Rubin thotë se plani ishte hartuar për të ngjallur frikën e një puçi, edhe pse oficerët e lartë dhe shumë oficerë të ulët e kanë njohur Erdoganin vetëm si komandant të tyrin civil ndërsa AKP-në si parti në pushtet.

Brenga e presidentit turk, thotë Rubin, do të duhej të ishte me kolonelët dhe gjeneralët brigadierë që mund të jenë kundër tij dhe që bisedojnë në mënyrë diskrete me forca jashtë Turqisë që e dëshirojnë rrëzimin e qeverisë.

Një burim turk, që ka një rrjet të gjerë të kontakteve politike në Ankara, i ka thënë Washington Times-it në kushte anonimiteti këtë javë se “nuk ka as edhe një person në ushtrinë turke në këtë moment që do të niste një grusht shteti”.

“AKP-ja e ka qetësuar ushtrinë viteve të fundit. Ata kanë vrarë apo arrestuar të gjithë gjeneralët e rrezikshëm në mesin e viteve të 2000-ta”, ka thënë burimi, që theksonte se “mënyra e vetme për një puç ushtarak do të ndodhte vetëm nëse do të kishte përkrahjen e qartë nga SHBA-të”.

Washingtoni “asnjëherë nuk do të pranonte publikisht përkrahjen përveç nëse puçi do të dilte i suksesshëm”, thotë burimi. “Dua të them se SHBA-të me siguri se nuk do të lëviznin gishtin për ta rikthyer Erdoganin në pushtet nëse puçi do të ndodhte papritmas, por është fantazi të mendosh se SHBA-të do të përkrahnin një puç nga fillimi”.

Në ndërkohë, shumë analistë thonë se e tërë ideja e puçit është mizore.

“Nuk ka absolutisht asnjë shans për një puç ushtarak”, ka thënë Erdemir.

“Turqia e ka mbyllur kapitullin e puçeve ushtarake dhe kjo nuk është ajo që i nevojitet Turqisë momentalisht”, ka thënë Cenk Sidar, anëtar opozitar i parlamentit turk që drejton firmën me bazë në Washington për hulumtime dhe këshillime strategjike “Sidar Global Advisors”.

Sidar thotë se autoritarizmi në rritje i Erdoganit ka bërë që shumë turq të ndjehen se janë “duke jetuar në një epokë të një puçi civil”, pot ka thënë se “mënyra e vetme për të ndryshuar qeverinë aktuale do të ishte duke i fituar zgjedhjet – përmes kutive të votimit.

Por Rubin, që sërish përmend precedanin Erdogan, thotë se votuesit turq nuk do ta tradhtonin Erdoganin.

“Populli egjiptian dëshironin të mbronin të drejtat e tyre, por turqit janë më shumë sikurse ato bretkosat proverbiale në ujë që valon ngadalë, ku nuk pranonin të bashkëpunonin derisa u bë tepër vonë”.





Akademia e Shkencave Shqiptare i kërkon debat Kryeministrit Edi Rama

 

Akademikët kanë dhënë dje një konferencë shtypi në Akademinë e Shkencave lidhur me zhvillimet në institucion dhe i kanë kërkuar Kryeministrit Edi Rama, një debat lidhur me reformën që po zhvillohet si dhe Presidentit Meta, zgjidhjen e problemit mbetur pezull të emërimit të kryetarit të ri.

Deklarata për shtyp:

Kjo konferencë për shtyp organizohet me vendim të asamblesë së Ash-së e cila ?moi nevojën që ka opinioni i gjerë publik për informacion në lidhje me zhvillimet në Akademinë e Shkencave.

Në këtë situatë jo të zakonshme, mbështetur ligjit, drejtimi i Akademisë së Shkencave ka kaluar në dorë të kësaj Asambleje e cila përfaqëson bashkësinë tonë të akademikëve, që është organi më i lartë drejtues i Akademisë së Shkencave, e cila, krahas të tjerash shqyrton probleme të zhvillimit perspektiv të shkencave në vend dhe u paraqet propozime organeve kompetente.

Në mbledhjen e saj të fundit, Asambleja vendosi ndërmarrjen e disa veprimeve, ndër to, edhe ky komunikim për shtyp i përbërë nga paneli me akademike Aurela Anastasi, akademik Salvator Bushati, Apollon Ba?e, Artan Fuga, Beqir Meta dhe Vasil S. Tole.
Së dyti, në vijim të dialogut me Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, asambleja i është drejtuar dje me një ftesë zyrtare për takim për zhvillimin e një debati konstruktiv në këtë fazë përmbyllëse të reformës, si një fazë “bashkëqeverisjeje me shkencëtarët”. Akademia ka shprehur dhe dhënë në vijimësi disa vje?are, angazhimin e plotë dhe ekspertizën për kryerjen e reformës institucionale të kërkimit shkencor në vend dhe si pjesë e saj edhe për reformimin e Akademisë së Shkencave.

Së treti, asambleja vendosi që të sqarohet ?ështja e mbetur pezull në lidhje me emërimin nga institucioni i Presidentit të kryetarit të zgjedhur të saj. Për këtë i është drejtuar së fundmi një kërkesë konform legjislacionit në fuqi për informimin për t’u shprehur në lidhje me këtë praktikë.

Së katërti, megjithëse Akademia e Shkencave përmes disa përfaqësuesve akademikë ka qenë anëtare e grupeve të reformës së kërkimit shkencor, më konkretisht për draftet: 1.Dokumenti i strategjisë kombëtare të zhvillimit të kërkimit shkencor, tekonologjisë dhe të inovacionit për vitet 2017-2022; 2. Dokumenti për politikën e reformimit institucional të kërkimit shkencor, dhe 3. Projekt-ligji i ri për shkencën, të cilat janë hartuar falë kësaj pune të përbashkët dhe që janë baza e puqjes së ekspertizës akademike me vendimarrjen qeveritare e më gjerë, asnjëherë nuk i ka pasur në administrim zyrtarisht ato! Sigurisht që nuk është përjegjësia e saj.

Për këtë, me përparësi Asambleja vendosi që ti kërkohen Ministrisë së Arsimit këto drafte, të cilat na u vunë dje në dispozicion pas kërkesës sonë të menjëhershme dhe Asambleja e Akademikëve do të shprehet zyrtarisht për to. Krahas tyre u kërkua zëvendësimi i anëtarit tonë në këtë grup pune, ish kryetari akademik Muzafer Korkuti i cili është dorëhequr nga detyra.

Për këtë pranë Akademisë së Shkencave është ngritur Komisioni As Hoc i reformës, i përbërë nga akademikë nga gjithë hapësira mbarëkombëtare shqiptare, me përfaqësues të shquar të Asamblesë sonë, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të Maqedonisë, të botës akademike arbëreshe dhe diasporës shqiptare, të cilët brenda një afati 2 javor do të përgatisin propozimin tonë kolegjial për reformën institucionale të kërkimit shkencor dhe vendin e Akademisë së Shkencave në të.

Shpesh herë ngatërrohet akademia si institucion i cili ka problemet e veta dhe nevojën e vazhdueshme për reformim, për të cilën jemi plotësisht dakord dhe të ndërgjegjshëm për rolin tonë, me akademinë si trashëgimi, ku padyshim institucioni i vërtetë i akademisë është trashëgimia e saj e madhe e krijuar me përpjekje të stërmundimshme të akademikëve dhe kërkuesve shkencore ndër vite.

Këtë me sa duket ka pasur parasysh edhe kolegu ynë i nderuar, shkrimtari dhe akademiku ynë Dritëro Agolli kur u shpreh në vitin 2016 për ?ështjen e reformës sonë, tek mendimet e të cilit gjithkush mund të gjejë përgjigjen se (citoj): … Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër. Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Akademia e Shkencave nuk është një çështje qeveritare, është çështje kombëtare.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...