Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/02/13

9 autoret klasike shqiptare te letersise per femije

 


_MG_9205
Ne foto: Panairi Magjia e librit, i organizuar nga Bukinist.al ne mjediset e QTU

Blogu Leximtari dhe platforma online e librit, Bukinist vendosin në promocion veprat që janë shkruar gjatë shekullit të XX dhe që vazhdojnë të pëlqehen nga lexuesit e vegjël edhe në ditët tona

Letërsia për fëmijë ka një traditë të spikatur. Shumë prej veprave i kanë qëndruar kohës dhe mbeten po aq të këndshme edhe sot për lexuesit e vegjël. Seria e Çufos së Gaqo Bushakës, “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, por edhe vepra të tjera të autorëve si Petro MarkoDionis Bubani,  Bedri Dedja, Tahsim Gjokutaj e kanë lexuesin e tyre besnik edhe sot.

Disa prej veprave janë pjesë e programeve të leximeve në shkolla, por ato i kanë qëndruar kohës dhe po lexohen me shumë endje edhe në ditët tona. Veçojmë librin e Mitrush Kutelit, “Tregime të moçme shqiptare”, i cili tashmë ka edhe një botim special, i ngjashëm si botimi i dikurshëm, i shoqëruar me vizatimet e mrekullueshme të piktorit Gazmend Leka.

Lexuesit e vegjën e duan edhe librat e Petro Markos, si “Shpella dhe piratëve” dhe “Fantazma dhe plani 3 + 4” ku për këtë të fundit ka më shumë kërkesa gjatë stinës së verës.

Surpriza magjike mbetet seria e Çufos e Gaqo Bushakës, e cila tashmë prej gati dy brezave vazhdon të zbavisë dhe të gajasë ata që i lexojnë. Janë pesë libra të botuara deri më tani nga shtëpia botuese Çabej, me një tirazh mbi 400 mijë kopje. Dhe, a e dini se së shpejti do të ketë edhe një libër të gjashtë nga kjo seri fantastike?!

Mes librave në seri tërheq vëmendje vazhdimisht edhe kolana Aventurat e Çapaçulit, e Dionis Bubanit, hedhur në qarkullim nga OMSCA-1.

Adelina Mamaqi vazhdon krijimtarinë e saj për lexuesit e vegjël, thuajse pa ndërprerje. Ndonëse vepra e saj është e hedhur në qarkullim përmes botuesve të ndryshëm, sërish ajo ka ç’tju tregojë vogëlushëve. Së fundi, ajo edhe me një libër të ri, “Ne, tani lexojmë vetë”, të botuar nga Mediaprint. Ky libër u shpall si botimi më i mirë i vitit nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Panairin e Librit Tirana 2020.
Mes poetëve për fëmijë që pëlqehet edhe sot mbetet edhe Tahsim Gjokutaj.

Gjatë muajve të fundit është rikthyer për lexuesit edhe vepra e Prof. Bedri Dedjas. Pas librit “Kalamajt e pallatit tim”, u rihodhën në qarkullim nga botimet Albas edhe tre librat e tjerë: “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”“Një udhëtim i rrezikshëm” dhe “Presidenti i planetit të kuq”.

Tashmë, kemi edhe dy emra që kanë hyrë në listën e autorëve të dashur për fëmijë: Shkëlzen Zalli, i ndarë nga jeta në vitin 2020, autor i më se 40 librave për fëmijë, me poezi dhe tregime, dhe Viktor Canosinaj, një ndër tregimtarët më të njohur të letërsisë bashkëkohore për fëmijë dhe të rinj. Të dy këta autorë janë vlerësuar me çmime.

Së fundi, Ministria e Kulturës vlerësoi me çmim si autori më i mirë i letërsisë për fëmijë gjatë vitit 2019, Shkëlzen Zallin, me librin “Kartolina e zileve”.

Edhe Viktor Canosinaj ka fituar disa çmime letrare për veprën e tij për fëmijë dhe të rinj, por libri që ka fituar statusin “klasik” tashmë është vepra “Meriyll”

Gjatë ditëve tona ka autorë si Diana Çuli, Natasha Shuteriqi – PoroçaniRudina ÇupiRovena RrozhaniEdi Gogu, etj., të cilët e kanë ndjekur këtë traditë të bukur dhe kanë krijuar tashmë lexuesin e tyre.

Ky artikull synon të rekomandojnë autorët që tashmë kanë marrë statusin e klasikëve të letërsisë për fëmijë përgjatë shekullit të XX dhe që vazhdojnë të kenë pëlqimin e vogëlushëve edhe në ditët tona.

Gjatë dy dekadave të fundit ka vërshuar një numër i madh librash për fëmijë të përkthyer në gjuhën shqipe, nga vende dhe tradita të ndryshme. Veç sfidave të mëdha të përkthimit, dhe përshtatjes me botën e fëmijës, ka edhe aspekte të tjera të kanë të bëjnë me standardet e shtypshkrimit, apo mendësinë që sjellin. Gjithsesi, breza të tërë lexuesish janë të pasionuar pas autorëve shqiptarë që kanë lëvruar letërsinë për fëmijë gjatë shekullit të XX, – ndonëse edhe kjo letërsi u indoktrinua për qëllime ideologjike, duke e humbur misionin e saj thelbësor për zbavitjen dhe edukimin e vogëlushëve tanë. Shumica e veprave që është shkruar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX nuk ka arritur që ti mbijetojë komunikimit me lexuesit e vegjël.

Prandaj, ne kemi veçuar 9 autorë që kanë shkruar kryesisht gjatë shekullit të kaluar dhe i kemi bërë pjesë të rekomandimeve për tu lexuar edhe në ditët tona. Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni listën e veprave të përzgjedhura nga blogu Leximtari, dhe që do të jenë pjesë e promovimit nga platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, Bukinist.al.

_MG_9181

A po e mund letërsia globale letërsinë për fëmijë në Shqipëri?!

 







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:31 - 17/03/18 |
 
 
 
 
 
  
mapo.al

Nga Gëzim Tafa*


Në të vërtetë kjo është një pyetje, përgjigjja e së cilës nuk të mundon gjatë. Por, më shumë se një studim akademik, kjo trajtesë është një kumt, për gjendjen e letërsisë për fëmijë në Shqipëri, udhëkryqet dhe dilemat në të cilat është mbërthyer ajo, dhe që të arrijmë deri tek problemet, duhet të kemi të qartë rrugëtimin e saj.




Nëse në botë fillesat e letërsisë kryesisht moralizuese apo religjioze, i gjejmë diku nga mesi i shekullit të pesëmbëdhjetë, duhet të kemi në vëmendje se pikëtakojnë me kohën kur Johan Gutenbergu e revolucionarizoi procesin e shtypit. Kjo teknologji mundësoi, krahas veprave të letërsisë për të rritur, edhe bashkudhëtimin e procesit të botimit të letërsisë për fëmijë. Dy shekuj më vonë, në vitin 1658, libri i John Amos Omenius, “Orbis Pictus”, qarkulloi si libri i parë i ilustruar për fëmijë. Kjo lloj enciklopedie rrëfimtare, e shoqëruar me vizatime, përveç informacionit ishte edhe një mënyrë për ta lexuar tekstin nëpërmjet imazheve. Ndërsa në shqip, gjurmët e krijimtarisë letrare shfaqen rreth dyqind vjet më pas, diktuar nga realiteti historik, dhe socio-kulturor. Në këtë kohë “Liza në botën e çudirave” e Lewis Carrol-it ishte botuar dhe qarkullonte e ilustruar mrekullisht nga John Tennie. Është viti 1866.

Katër veprat e Kostandin Kristoforidhit të botuara nën kujdesin e Shoqërisë Biblike, i njohim si librat e parë në shqip.  Por, përtej Adriatikut Jeronim De Rada kishte botuar “Këngët e Milosaos”, – saktësisht në Napoli, 1836. Botimet e mëpasme, në histori i njohim si vepra të Periudhës së Rilindjes. Deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, letërsia shqipe, përveç tipareve romantike, ka nota të theksuara të nostalgjizmit patriotik. Këto cilësi i gjejmë edhe më të qarta në krijimtarinë e Naim Frashërit, De Radës, Çajupit, Skiroit, Darës së  ri, Asdrenit e Mjedës, dhe më pas në autorët e Letërsisë së Pavarësisë, te Konica, Fishta, Noli, Migjeni, Poradeci, Kuteli etj. Edhe pse kjo letërsi ndikoi në zgjimin kombëtar,  letërsia për fëmijë thuajse është e munguar.

Në vitin 1946, në Shqipëri kishte filluar nga puna Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, me orientim letrar që botonte edhe letërsinë për fëmijë. E vetmja dhe e centralizuar, kjo shtëpi kontrollonte dhe botonte atë letërsi që plotësonte kriteret e dogmës dhe ideologjisë së realizmit socialist. Gjatë ekzistencës së saj janë hedhur edhe bazat e letërsisë “moderne” shqipe për fëmijë. Deri në mesin e viteve 1970, ajo është e orientuar kryesisht tek përrallat dhe poezia dhe më pak te romani, tregimet, fumeti, përshtatjet apo librat e ilustruar me ngjyra. Ajo është një krijimtari që nuk i njeh interesat dhe problemet e moshës, me kufizime të dukshme, me tingëllima naive dhe shpesh banale. Personazhet e kësaj letërsie janë partizanët, heronjtë e punës socialiste, kooperativistët apo nxënësit e dalluar, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre në botë janë rritur me bëmat e Robinson Kruzosë, Gulliverit, Lizës, Heidit, Gavroshit, Kozetës, Piter Panit, Hirushës, Kësulëkuqes, Pinokut, Bambit, Hakëllberri Finit, Pipi Çorapegjatës, Harry Poterit… dhe lista është shumë e gjatë. Fatkeqësisht letërsia shqipe ende nuk ka mundur të krijojë një personazh që t’i afrohet kësaj liste.

Nëse, trashëguam pak vepra për fëmijë nga kjo krijimtari, është interesant fakti se editoria private shqiptare, nuk lindi si një zgjatim i konceptit botimor dogmatik të shtëpisë botuese Naim Frashëri. Dëshira për të kapur kohën e humbur, mundësoi që gjithçka që botohet në perëndim, në kohë reale të vijë edhe në shqip. Falë profilizimit dhe një filozofie të qartë, edhe pse në një treg të çorientuar e pa rregulla botuesit e librave për fëmijë e kanë ngritur standardin e përfaqësimit. Por, ashtu si letërsia shqipe për të rritur, edhe kjo letërsi vuan nga e njëjta diagnozë. Mospërshtatja, mbetja jashtë ritmeve dhe interesave të letërisë globale, e mbyllur brenda një tregu të kufizuar në këtë territor të vogël ballkanik, me barriera artificiale, pa vëmendjen e institucioneve, të dashamirësve dhe lexuesit.

Në vitin 1969, në vitin e 150 vjetorit të botimit të pare, botuesi i Random House e ftoi Salvador Dalinë e madh që të ilustronte me ngjyra me 12 heliogravura librin “Liza në botën e çudirave”. Në frontespic, botuesi zgjodhi një gravurë origjinale me firmën e Dalisë. Prej kësaj strukture, ky edicion u kthey në ngjarje që i tejkaloi të gjitha pritshmëritë. Bashkëpunimi i Dalisë, me Random House, vazhdoi edhe me ilustrimin e librave të tjerë, ai  “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit apo “Kuzhina erotike”.

Në vitin 1955, një tjetër spanjol, gjeniu Pablo Picasso, kishte realizuar për “Le Lettre Françiase”, trembëdhjetë grafika bardhë e zi dhe me ngjyra, të “Don Kishotit të Mançës”. Ndryshe nga struktura piktorike blu apo kubiste, ato kishin tendencë ekspresive. Dali, e kishte ende të freskët jehonën e kësaj ngjarjeje të Picassos, ndaj i propozoi Shtëpise Botuese Random House, botimin në anglisht të kësaj kryevepre të letërsisë spanjolle me ilustrimet e tij. Edhe ky homazh për Servantesin garantoi sukses absolut.

E solla në vëmendje këtë rast, sepse dua të ndalem në marrëdhëniet që individë apo institucionet e vendeve të ndryshme, tregojnë për mbështetjen dhe promovimin e letërsisë së tyre. Shumë syresh, nëpërmjet projekteve, mbështesin edhe në gjuhë më të vogla publikimin e letërsisë klasike dhe bashkëkohore. Po me letërsinë tonë për fëmijë çfarë ndodh sot?

Në studimin “Koncepti i fëmijëve mbi botën”, në kapitullin mbi zhvillimin psikomotor të fëmijëve, psikologu zviceran Jean Piaget thotë: “Fëmijëve, duhet t’u lexojmë që në ditët e para të jetës, jo më pak se njëzet minuta”. Kur fëmija është në moshën 0-1 vjeç duhet t’i këndojmë ninulla. Në moshën 4 vjeç atij duhet t’i lexojmë tekste me ilustrime me ngjyra dhe me fabul të shkurtër, ndërsa kur është 4-5 vjeç duhet t’i mësojmë rimat.

Personalisht unë mendoj se ky kujdes përgatit të dashuruarit me leximin. Rreth pesëdhjet vjet më parë, mësuesja ime e kopshtit në qytetin tim të lindjes, më ka mësuar: Ylli i vogël lart në qiell / dukesh porsi zjarr në pyll… të K. Kristoforidhit. Jam i bindur se mësuesja ime e dashur nuk ka pasur asnjëherë rast që ta njohë psikologjinë e Jean Piages…  por, fakti që do t’ju lexoj më poshtë më trishton. Sot fëmijët 4-5 vjeçarë, në sistemin parashkollor,  në kopshtet tona shtetërore dhe private, këndojnë në kor rima të tilla:

Këmba para, këmba mbrapa / këmba majtas, këmba djathtas / Dora para, dora majtas / dora lart, dora poshtë / Kërcejmë hop-hop-hop / këmbët i përplasim… 

Më falni por do ta bëj një lutje: “Zot, shpëtoje lexuesin e së nesërmes prej kësaj marrëzie”.

Por, në historinë e letërsisë tonë mungon një Ezop, një Andersen, një Defo, një Barri, një Kipling, Caroll, apo Joan Rolling. Këtij fakti i shtoj edhe klimën e botimeve në përgjithësi. Nëse në raftet e librarive në të gjithë shqipërinë vështirë se gjen ndonjë libër për fëmijë të një autori shqiptar, vargjet me këmbë dhe me duar që citova më sipër, janë marrë nga një botim që shitet me disa mijëra kopje prej vitesh nëpër kopshtet. Ky [këto] libër mban  autorësinë e metodistëve, që hartojnë politikat dhe kurikulat e arsimit parauniversitar dhe që nuk kanë lidhje me letërsinë. Veçse kjo gjëmë rëndohet edhe më shumë në tekstet e shkollave nëntëvjeçare e të mesme, hartuar pa filtra dhe të denatyruara.

Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se ka një realitet dhe një standard kulturor krejt të ndryshëm të fëmijëve tanë, nga i yni apo i shumë shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë. Ata kanë diferenca kulturore, janë më të informuar dhe e zotërojnë teknologjinë e hi-techut. Komunikimi apo lundrimi në mediume të njëjta me bashkëmoshatarët e tyre në botë, u jep të drejtën për të qëmtuar edhe në veprat e letërsisë bashkëkohore a klasike. Ata e janë të lirë për të zgjedhur, çka është më e nevojshme dhe e shëndetshme. …dhe si përfundim: Letërsia shqipe për fëmijë është në betejë me letërsinë globale !!! Falenderoj Shtëpinë botuese “Dituria”, si promotore e kësaj veprimtarie organizuar kaq bukur .


Dumoshi: Letërsia për fëmijë është më e varfër pa Rifat Kukajn

 

Rifat Kukaj. Foto: Facebook/Vlora Dumoshi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  e ka përkujtuar shkrimtarin Rifat Kukaj në 15 vjetorin e vdekjes.


“Shpirti i Rifat Kukajt mbeti përherë fëminor. Letërsia për fëmijë është më e varfër pa Rifatin. E kujtojmë poetin, dramaturgun e skenaristin e letërsisë për fëmijë në 15 vjetorin e ikjes!”, ka shkruar Dumoshi në Facebook.


Kukaj konsiderohet ndër krijuesit më prodhimtar dhe afirmues të letërsisë shqipe për fëmijë. Ai shkroi dhjetëra romane, përmbledhje me poezi e drama për fëmijë e të rritur, tekste këngësh, radio-drama e skenarë filmash.
Shkrimtari për fëmijë Rifat Kukaj ka vdekur më 11 shtator 2005, në Ulqin të Malit të Zi. Ai lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Komunës së Drenasit.

Pse heshtet për letërsinë për fëmijë?

 Viktor Canosinaj*

Që në fillim të këtij shkrimi do të dëshiroja të bëja të ditur për të gjithë ata që synojnë ndihmesë konstruktive ndaj letërsisë për fëmijë dhe të rinj, se termi i pranuar ndërkombëtarisht nga botuesit, shkrimtarët, studiuesit, kritikët, bibliotekarët, leximtarët (story-tellers) është letërsi për fëmijë dhe të rinj, emërtim që nënkupton se kjo letërsi u drejtohet moshave nga 3-18 vjeç, pavarësisht se letërsia e mirë nuk njeh moshë dhe në shumë raste janë të rriturit ata që lexojnë me endje libra për fëmijë dhe adoleshentë. Organizata më e njohur ndërkombëtare që grupon shkrimtarët, botuesit, studiuesit dhe ilustratorët e kësaj letërsie quhet IBBY (International Board of Books for Young People - Bordi Ndërkombëtar i Librit për të Rinj) dhe e ka qendrën në Bazel të Zvicrës. Shqipëria është anëtare e kësaj organizate që nga viti 1991 dhe seksioni shqiptar i IBBY-t ka organizuar në vitin 2000, me mbështetjen financiare të BE-së, një takim të gjerë ballkanik me shkrimtarë për fëmijë dhe të rinj. Ende edhe sot asnjë vend i Ballkanit nuk ka mundur ta organizojë një aktivitet të tillë letrar. Letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj doli nga periudha komuniste me një skematizëm dhe ideologjizim të skajshëm, me një traditë relativisht të varfër para vitit 1944. Megjithatë, pati edhe arritje. Hapja ndaj Perëndimit i gjeti shumë prej shkrimtarëve të papërgatitur për përballjen me realitetin e ri dhe temat që në Perëndim ishin trajtuar prej dekadash. Pas një periudhe të shkurtër zbatice, krijimtaria letrare rinisi mbi një shtrat të ri dhe në të vijuan të jepnin kontribut autorë me përvojë, si Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Odhise Grillo, Naum Prifti, Shpresa Vreto, Bardhyl Xhama, Skënder Hasko, Dionis Bubani, si dhe shkrimtarë të brezave më të rinj, si: Astrit Bishqemi, Viron Kona, Viktor Canosinaj, Vangjush Saro, Sokol Jakova, fabulisti i mirënjohur Ferit Lamaj e për të ardhur deri tek autorët e suksesshëm të viteve të fundit, si Shkëlqen Zalli, Fatmir Gjestila apo Agim Bajrami, dhe shumë e shumë autorë të tjerë. Autori u kërkon falje atyre shkrimtarëve që nuk janë përmendur në këtë shkrim. Studimi i kësaj letërsie po ashtu pati hop cilësor me studiues si Ramazan Çadri, Astrit Bishqemi dhe së fundi Muharrem Jakupi. Letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj filloi të trajtonte tema tepër të mprehta të kohës, si mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shfrytëzimin e tyre, trafikimin, problemet familjare dhe ato të divorcit, marrëdhëniet prindër-fëmijë, dashurinë e parë tek adoleshentët e plot tema të tjera të bëra të prekshme për shkak të fenomeneve të reja që solli sistemi i ri i ekonomisë së tregut. Krahas problemeve shoqërore u lëvruan edhe zhanret e fantazisë e aventurës. U bënë eksperimente të guximshme me formën artistike. Në vitet 2000, letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj arriti nivele europiane. Lexueshmëria e saj u rrit ndjeshëm. Këtu ndikoi edhe pavarësimi i Republikës së Kosovës dhe rritja e interesit për librin shqip në Maqedoni dhe Mal të Zi. Falë hapjes dhe ndërtimit të një infrastrukture të re komunikimi, libri filloi të qarkullonte më shpejt, u shtuan panairet, interneti lehtësoi mbërritjen e librit edhe në diasporë me anë të shitjeve elektronike. Kurrë më parë letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj nuk ka pasur këtë përhapje dhe këtë lexueshmëri. Ajo është nga më të kërkuarat nëpër biblioteka dhe kjo është lehtësisht e provueshme. Kjo letërsi ka zgjuar interesin e fëmijëve dhe të rinjve për të organizuar takime me shkrimtarët, për të dramatizuar romanë. Madje grupe nxënësish të talentuar, nën drejtimin e mësueseve të tyre të mrekullueshme, me kamera amatore, kanë realizuar edhe filma mbështetur në romanët "Meriyll" dhe "Zemra në pëllëmbë të dorës". Autori i këtyre romanëve do të dëshironte të falënderonte thellësisht nxënësit dhe mësueset e këtyre shkollave publike në Lushnjë dhe në Uznovë të Beratit. Shkrimtarët e kësaj letërsie kanë marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, në takime letrare pa fund, ku është provuar interesi gjithnjë e në rritje i lexuesve të të gjitha moshave për librat shqip. Shkrimtari Viron Kona e ka çuar veprën e tij deri në Suedi. Ndërsa në vitin 2008, autori i këtij shkrimi ishte i ftuari i Panarit të Librit në Berlin, ku krahas aktiviteteve të tjera u bënë edhe lexime të hapura të disa pjesëve të zgjedhura nga romani "Meriyll", pjesë të përkthyera në gjermanisht. Duke u kërkuar falje për mungesën e modestisë atyre që më njohin, desha të theksoj se ka shumë vende të tjera që ende nuk kanë marrë pjesë në këtë festival. Panairi i Librit Tiranë 2012 ishte një sukses tjetër për shkrimtarët shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Aty u tregtuan vlera dhe jo mall. Interesi për këtë panair ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe këtë vit mbërritën lexues nga rrethet, nga Kosova e Mali i Zi. Autorët shqiptarë janë më të kërkuarit në panair. Për herë të parë në këtë panair më ka ndodhur të jap autografe për një grup gjimnazistësh nga Tuzi i Malit të Zi. Në kushtet kur për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj në këto dy dekada nuk është bërë kurrë asnjë anketim apo sondazh serioz, është e lehtë për skeptikët të bëjnë deklarata të paargumentuara se kjo letërsi ka rënie apo "nuk dhamë çmim panairi se nuk kishte prurje". Dikush tjetër, tip që nuk ka asnjë lidhje organike me letërsinë në fjalë, pyet në mënyrën habitore-cinike: "Kaq i zoti na qenka filani që lexohet nëpër shkolla?! A ka juri, recension, që i rekomandon librat që duhen lexuar?", kur dihet se pranë Ministrisë së Arsimit ka funksionuar gjithmonë një bord me specialistë të njohur për këtë qëllim dhe, po të mos kishte përtuar qëllimisht të hynte në kërkim në "Google", tipi ciniko-habitor do ta kishte gjetur lehtësisht faktin e përfaqësimit të "filanit" në Festivalin e Berlinit. Qëndrime të tilla skeptike dhe nihiliste nuk e ndihmojnë aspak letërsinë shqipe për fëmijë dhe të rinj. Në mënyrën më miqësore do t?ju sugjeroja organizatorëve të Panairit të Librit që vitin tjetër të angazhojnë një OJF të specializuar për anketime dhe sondazhe, OJF që të nxjerrë përfundimet e panairit, prirjet e tij, raportin e letërsisë shqipe me atë të huaj, autorët më të lexuar, raportin e fiksionit me letërsinë dokumentare e kështu me radhë. Vetëm kjo formë procedimi nuk do të linte shteg për pakënaqësi dhe skepticizëm. Realiteti letrar shqiptar është ky që është dhe nëse kjo nuk i pëlqen shijes vetjake të dikujt, faji nuk është i realitetit. Është e dhimbshme, por e vërtetë: u bë kohë që nuk botohet një shkrim apo nuk bëhet një prononcim në mbështetje të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë kanë arritur deri në këto nivele me stërmundime dhe sakrifica të papara, duke bërë një punë skllavëruese, duke u paguar për një libër me një vlerë monetare që nuk e kapërcen atë të një arke me banane. Për t?i shpëtuar këtij poshtërimi shumë prej tyre kanë zgjedhur t?i botojnë librat me shpenzimet e tyre, duke shkatërruar kështu në disa raste, nga dashuria për artin, buxhetet familjare. Këtë e di shumëkush, por në vend që të kërkohet solidaritet dhe mbështetje për këta shkrimtarë, heshtet, letërsia për fëmijë dhe të rinj trajtohet si Hirushja, në jurinë e panairit të fundit nuk pati vend për një specialist të kësaj letërsie. Megjithatë, e ripërsëris me garancinë e njohësit të thellë të kësaj letërsie, e një shkrimtari që ka marrë pjesë në dhjetëra takime letrare nëpër Shqipëri dhe në Kosovë, se letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj është në kulmin e lexueshmërisë së saj. Nuk e mohoj se ka vend edhe për kritika, se prurjet e një viti mund të jenë të pakta, se mosha e shkrimtarëve po shkon drejt pleqërisë dhe nuk po hyjnë në krijimtari forca të reja, detaj për të cilin u duhet rënë kambanave të alarmit, por e përgjithshmja është pozitive. Kudo ku flitet shqip, lexohet. Nga përllogaritjet më del se në Ballkan janë rreth 2.5 milionë shqiptarë nën moshën 18 vjeç, pra ata janë kontingjenti më i madh i lexueshmërisë në gjuhën shqipe. Janë këta lexues dhe prindërit e tyre që e mbajnë gjallë shpirtërisht një shkrimtar shqiptar sot. Personalisht u jam thellësisht mirënjohës lexuesve të mi dhe prindërve të tyre për mbështetjen njerëzore, të painteres dhe objektive.

*Shkrimtar i letërsisë për fëmijë

Letërsia për fëmijë që ka mbijetuar nga idealizmi i autorëve

Nga Rudina Çupi

Nisma ime për të reaguar dhe për ta sjellë në vëmendje temën delikate të krijimtarisë për fëmijë − së cilës sekush i qaset si “e vobektë” − zuri fill në panairin e nëntorit 2018, kur mungoi çmimi “Libri më i mirë për fëmijë”, me arsyetimin se nuk ka autorë cilësorë [kupto: çmim = letër (pa vlerë monetare) e vlerësuar nga një juri, anëtarët e së cilës ka gjasa të mos kenë “ekspertizën e fushës”− nuk di cila nga të dyja e bën autorin të ndihet më keq, pasi të dyja janë mini-elementare].

Asokohe shkrova artikullin “Djerrimin e letërsisë për fëmijë mos ua lini vetëm autorëve”, shkrim ky me nota rebelizmi ku, ndër të tjera, theksoja se nuk i duhet lënë VETËM autorit barra e një produkti kulture, për të cilin duhet një punë skuadre dhe se disa shtëpi botuese që e paragjykojnë autorin shqiptar të kësaj krijimtarie (siç u shpreh njëra nga botueset) nuk kanë politika botimi (apo vlerësimi, kuti është: nëse nuk je “person mediatik” nuk të kthejnë as përgjigje me e-mail) dhe as infrastrukturën e nevojshme (sidomos ilustruesin, por edhe psikologun, redaktorin e recensentin moshor – tagra këto që i takon t’i ofrojë enti botues), duke u mjaftuar ta bëjnë ATA rolin e viktimës e duke treguar me gisht autorin shqiptar si jocilësor, duke mos kuptuar se përsosja nuk vjen si një fat nga qielli apo me një të rënë të sëpatës, por për të duhet kontribuuar dhe vazhdimisht. Pikërisht mungesa e bashkëpunëtorëve të tjerë të domosdoshëm ka pas sjellë që vetëm zhanri i librit për fëmijë, ndryshe nga llojet e tjera të librimit (që mirë-a-keq janë zhvilluar këto 30 vjetët e fundit) të flasë kaq vonë shqip (deri më sot ka “belbëzuar”). E pambështetur nga strukturat shtetërore, nga entet private botuese e ato shpërndarëse, por edhe nga mediat, kjo ka qenë një letërsi (krijimtari) që ka mbijetuar vetëm nga idealizmi i autorëve, siç shprehet një autor (R. B.) në një postim të vetin.

Koha i dha të drejtë dhe përgjigje pyetjes sime në artikullin e sipërpërmendur: “A do të shpreheshit njësoj sikur Ministria do të shpallte ndonjë projekt shpërblyes në mbështetje të këtyre autorëve?”, me nismën që është për t’u përgëzuar të Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë, ku ne (unë si autore dhe ime bijë si ilustruese) morëm pjesë me librin “Kakarina”. Më vjen mirë që kjo ndodhi: më vjen mirë që autorët pjesëmarrës − paçka afatit dhe përhapjes së kufizuar të informacionit (vetëm në pak kanale njoftimi) − ishin të konsiderueshëm në numër (rreth 27) dhe në zhanër (së paku 5); më vjen mirë që finalistë me prurjet dhe me emrin e tyre të përvojë në këtë zhanër i dhanë vlerën e merituar konkurrimit; më vjen mirë që strukturat shtetërore e hodhën një hap nismëtar dhe shpresëdhënës dhe uroj ta pasojnë së paku duke e bërë traditë − për t’i dhënë rëndësinë e munguar lexueshmërisë e cila kultivohet qysh në vegjëli, duke hapur sektorë të posaçëm për të promovuar për afrimin autor-lexues, përderisa edhe mënyrat e komunikimit në ditët e sotme ofrojnë mundësi të pafundme, për t’i shërbyer lexuesit të sotëm e të nesërm, sa jemi ende një vend me shumë fëmijë dhe rini.

Uroj që kjo nismë të shërbejë si nxitje besimi dhe largpamësi për shtëpitë botuese që të mos ngurrojnë të investojnë në një autor të ri, për atë bëjnë pjesën takuese në zhvillimin e kësaj lëmie që sot më shumë se kurrë ka nevojë të përparojë ‒ ndoshta sot për sot jo me cilësinë e ëndrrave, por pa këtë farë sot nuk kemi pemën mot.

Uroj që kjo nismë të shërbejë si nxitje besimi dhe largpamësi për shtëpitë botuese që të mos ngurrojnë të investojnë në një autor të ri, për atë bëjnë pjesën takuese në zhvillimin e kësaj lëmie që sot më shumë se kurrë ka nevojë të përparojë ‒ ndoshta sot për sot jo me cilësinë e ëndrrave, por pa këtë farë sot nuk kemi pemën mot.

Uroj që kjo nismë të shtrihet edhe në universitete, ku të studiohet e të mësohet shkrimi krijues në përshtatje me moshën, për të përgatitur shkrimtarë të rinj të profilizuar enkas, por edhe ilustrues të posaçëm e bashkëkohorë për këtë zhanër − të cilët të ecin në këtë rrugë që sapo ka nisur të shtrohet, në mënyrë që në një të ardhme të afërt t’i afrohemi krahasimit me autorët e huaj − të cilët bëhen duke kaluar në procesin e duhur akademik dhe me mbështetjen e duhur institucionale − për të pasur me ç’të prezantohemi në panairet ndërkombëtare, se deri tani jemi prezantuar me rafte bosh. Kjo nismë duhet të nxitë edhe Ministrinë e Arsimit, e cila është ndër të parat që ia mbyll derën autorit shqiptar me listat përjashtuese të leximeve jashtëshkollore apo me mospërditësimin me tituj të rinj (mjafton një listë e botimeve të përvitshme në Bibliotekën Kombëtare) dhe me burokracinë që shoqëron marrjen e një lejeje për të përhapur leximin e veprës së autorit shqip në shkolla. Por, mbi të gjitha, uroj të bëhet diçka që mësuesit e letërsisë të lexojnë libra për fëmijë (shumica, sidomos ata që nuk i kanë të vegjël fëmijët e tyre, librin e fundit për fëmijë e ka lexuar qysh se kanë qenë vetë fëmijë – bëni një anketë dhe do të shihni sa alarmante është) që të mos skandalizohen kur nxënësi në detyrën e shtëpisë zgjedh fjali nga librat e Roald Dahli-t, të Dawid Williams-it apo të Rodari-t, si dhe që të kenë mundësinë që t’u rekomandojnë nxënësve të tyre tituj për lexim, si dhe t’i diskutojnë ata bashkërisht në “orë biblioteke”, duke mprehur kështu mendimin kritik që të formatojnë në banka individë e qytetarë.

Gjithëvështrim

Si redaktore prej shumë vjetësh e librave për fëmijë, si përkthyese dhe si autore, më ka qëlluar ta ndjek librin për fëmijë edhe me qëllimin për të gjykuar se me ç’ushqim shpirtëror do të mëkohej ajo. Ndaj kësaj here zgjedh të flas si vëzhguese raftesh të bibliotekës për fëmijë dhe jo me tagrat e sipërpërmendura. I. Në panairet e fillimit, librat e huaj që përktheheshin në shqip përzgjidheshin sipas dy shtyllave vertikale bazë: përrallat dhe enciklopeditë, ndërkohë që klasikët e përkthyer dikur shtoheshin tek-tuk me ndonjë titull për qëllime të përmbushjes së detyrimit të leximit të librit jashtëklase. Poezi të përkthyer kishte pak ( përveçse Rodari, Dr. Seuss etj.), për vetë specifikën sfiduese të të bërit bashkë në përkthimin e gjuhës pritëse: edhe përmbajtjen, edhe metrikën, edhe ritmin dhe rimën, si dhe elemente të tjera letrare.

Pas tejmbushjes me këto linja bazë, biblioteka fëmijërore filloi të pasurohej edhe me libra të natyrave të reja e më bashkëkohore (linja e larmisë horizontale), siç janë librat me enigma, librat kulinarë, librat me aventura, fantastikë, biografi të personaliteteve dhe së fundi, edhe novela grafike dhe libra me mistere e me hetime, si dhe seri librash për mbështetjen psikologjike për problemet e kohëve moderne (synimi i të cilëve nuk ishte katërçipërisht komercial, por vizionar), duke mbuluar kështu fashën moshore të lexuesit të vogël të mëvetësishëm, por duke lënë pa vëmendje librin për të rinj. Të gjitha këto përmbushën atë etjen e lexuesit për kërshëri të reja, duke e bërë letërsinë për fëmijë veçse një copë në pazëllin e madh të prirjeve të tjera kulturoro-librore.

Ndër të mirat e zhvillimit ishte se librat erdhën në seri, duke u botuar gati njëkohshmërisht me daljen në vendin e origjinës e duke bërë që lexuesi ynë të ndihet bashkëkohor me lexuesin e vendeve të tjera të zhvilluara. Nuk harroj të përmend se shumë libra erdhën të ndërthurura edhe me elemente të teknologjisë, të pajisura me lapsa/ mause/ elemente zanore, duke e bërë librin gjithnjë e më shumë mjet argëtimi, përveçse mjet të dijes.

Ajo që bie në sy në pothuajse të gjithë librat e huaj, përveç trashësisë dhe përmasave të posaçme të përshtatur sipas moshës, është se në koperinë ka emrat e të dy krijuesve: të autorit dhe të ilustruesit. Si mund të ishin librat e Roald Dahl-it pa ilustrimet shpërthyese të Quentin Blake-t? Po ashtu, nëpër kopertina vihet re një rritje e autoreve/ ilustrueseve femra, raport që në çdo kohë ka anuar rëndshëm nga kahu mashkullor. Ndërsa, sa për përkthimin, ardhjen në shqip, më mirë të flasim një herë tjetër, se ajo është andrallë më vete.

Sa i përket letërsisë, përzgjedhjet fillestare të botuesve qenë përrallat dhe klasikët, por më vonë erdhën duke u zgjeruar në larmi e në zhanre, duke iu përshtatur sidomos kërkesës kryesore të komercializmit: joshjes (bestseller) në tekst dhe në ilustrim, duke sjellë në shqip libra ku mbizotëron humori e duke përmbushur kështu ndër të gjitha ushqyerjet estetike që përcjell letërsia më së shumti tiparin argëtues dhe gjithnjë e më pak atë didaktik.

Efekti i kësaj letërsie solli një mosqasje ndaj letërsisë klasike. Për ta thënë më konkretisht, vajza ime pësonte një krizë dhembshurie sa herë lexonte klasikët, si “Pinoku” (origjinali), “Tom Sojeri”, “Shitësja e vogël të shkrepëseve”, “Kozeta” etj., dhe më pyeste shumë shpesh për varfërinë, si një ndër mbresat kryesore e të paperceptueshme për të, gjë që i dallonte këta libra nga librat me tematika moderne, por edhe nga realiteti i sotëm, në të cilin “mirëqenia” është fjalë e ditës. Këtë mbresë nuk e kanë, siç duket, vetëm lexuesit tanë − mundësia e përzgjedhjes së të cilëve varet nga nuhatja e përzgjedhjes së botuesve − por edhe lexues të vendeve të tjera. Këtë e them pasi shumë nga librat klasikë kanë ardhur në shqip jo vetëm në origjinal, por edhe në formë të ritreguar, të përshtatur për disa grupmosha dhe për shijet bashkëkohore të lexuesit, ku pjesët me nota vunerabiliteti janë fashitur vende-vende, dhe libri është hijeshuar me ilustrime më moderne e të këndshme.

II. Ndërsa libri shqip në zhvillimin e pas-viteve-’90 vazhdoi “ripërtypjen” e një letërsie vazhduese me atë të mëparshmen, në zhanre për moshat e ulëta, kryesisht poezi (kryesisht me rimë), gjëegjëza, fabula e përralla, ndërsa proza e gjatë kushtuar lexuesve të mëvetësishëm hasej rrallë dhe ajo për të rinjtë thuajse mungonte, duke bërë që kjo krijimtari të mos ngrihet dot në letërsinë e mirëfilltë. Në vijim kësaj shporte iu shtuan libra didaktikë, kanalizuar në thellim njohurish të një lëmi, edukatë qytetare apo ndërgjegjësim për mbrojtjen e mjedisit.

Titujt dhe autorët ishin sporadikë (jo seri), librat ishin me përmasa të mëdha sa një dispensë (shumica variant A4), pra, me përmasa të pastudiuara në përputhje me moshën, me trashësinë e një fletoreje, bardhezi ose të ilustruara me minimum ngjyrash e teknikash dhe thuajse me cilësi të një lloj letre me shkëlqim, si dhe me qepje a ngjitje që e bënte shpejt librin të papërdorshëm. Përmbajtja e stisur në dukje, tematika e kufizuar dhe kujdesi gjuhësor në nivelet minimale.

Por autori është një, nuk mund t’i bëjë vetë të gjitha proceset, ndaj kjo ishte pasojë e moskontribuimit apo e kontribuimit minimal të shtëpive botuese, që vepra të kalonte nëpër hallkat e domosdoshme dhe me parametrat e duhur të botimit. A nuk janë po këta botues që flasin për autorë jocilësorë?

Ndaj, risjellim edhe një herë të vërtetën e mësipërme, të hidhur, por ekzistuese, që kjo është një letërsi (krijimtari) që ka mbijetuar vetëm nga idealizmi i autorëve. Pasioni i këtyre autorëve që ka mbajtur gjallë këtë lloj krijimtarie mund të thuhet se ka qenë heroik, sidomos kur e dimë se me sa zor u është dashur të gjejnë shumën për faturën e botimit, të paguajnë redaktor (disa) e ilustrues, të trokasin në dyert të mezihapura të shtëpive botuese dhe pastaj, pas ekzaltimit bosh të pasbotimit, t’i futen një odiseade tjetër: atë të të bredhjes në dyert e librarive, edhe këto dyer që shpesh u janë mbyllur në fytyrë: librarët ose nuk i pranojnë se këta libra janë “në të zezë”, ose ngaqë “autori shqip nuk ecën”, ose se “me përralla janë mbushur raftet” ose se me përmasat e një kioske “libraria nuk mban dot çdo titull” që i ofrohet… dhe autori mendon: “Vepra ime nuk është me sifiliz.” Mëshiruese, apo jo? Po shtëpia botuese? I ka marrë paratë “llokum në xhep” pa vramendjen më të vogël, duke bërë thjesht ndërmjetësin mes autorit dhe shtypshkronjës, pa ofruar as redaktim, as rencencë, as ilustrues, as shpërndarës, duke u mjaftuar vetëm me ofrimin e logos së saj dhe ISBN-së që është falas. Por edhe në rastet kur shtëpia botuese ka marrë përsipër botimin e një vepre të një autori shqiptar, aktivitetet promovuese kanë qenë shumë të rralla, ndryshe nga ç’do të bënte një biznes i çfarëdoshëm që prodhon çdolloj produkti tjetër.

Gjërat kanë filluar të lëvizin, realiteti po ndryshon përditë nga pak dhe gjendet tek-tuk ndonjë derë që nuk i mbyllet në fytyrë shkrimtarit shqiptar, jepet një dorë, por që në fakt nuk është kundrejt tij kjo zgjatje e dorës: është edhe kundrejt lexuesit që ka të drejtën të ndihet i përfaqësuar edhe shqip, edhe kundrejt kësaj krijimtarie së cilës i është munguar vëmendja prej rreth 30 vjetësh, edhe kundrejt vlerave kulturore shqip që do të jenë tulla ndërtuese të qytetarëve të nesërm, edhe kundrejt vetë letërsisë, e cila duhet të ecë si të gjitha simotrat e arteve të tjera.

Megjithatë, ju siguroj se “në terren” hallka e drejtpërdrejtë me lexuesin që është edhe përftuesi fundor, është shumë ndryshe dhe pikërisht aty mes të vegjëlve gjendet pjesa më e mirë e këtij zinxhiri kulturor që përçon fjala e shkruar, se aty jo vetëm që nuk ndihesh i diskriminuar, por tepër i vlerësuar. Vetëm atje e ndien shpërblesën: etjen e fëmijëve për lexim, ngazëllimin që ndiejnë kur të pyesin: “Ti je një autore?”, sikur të pyesin “Ti je një dinozaur?” apo kënaqësinë e të shprehurit kreativ duke e bërë menjëherë të vetën filozofinë e atmosferën e librit.

Unë jam një autore që botoj “libra të papërkthyeshëm”, pra, të destinuar vetëm për lexuesin shqiptar, pasi janë libra të bazuar në lojën gjuhësore që shqipja e ofron me bujari (çka do të thotë se do të kem “famë” të kufizuar”), por jam ndier e përmbushur çdo herë në takimet që kam kryer në biblioteka lagjesh apo në shkolla të disa qyteteve për të lexuar vepra të botuara, por edhe të pabotuara, lexime të shoqëruara edhe me aktiviteteve argëtuese multiartistike e ndërvepruese, kam mbetur e magjepsur nga dashamirësia, mprehtësia, gjallëria, interesi dhe kureshtia e fëmijëve kundrejt leximit. Ata janë motivi. Mjafton thjesht të jemi të pranishëm!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...