Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/02/28

BE thirrje Ukrainës: Aplikoni urgjentisht për tu bërë pjesë e Unionit!

 

Bashkimi Evropian pret të marrë kërkesën e Ukrainës për tu bashkuar me bllokun sa më parë.

Zyrtarët në Bruksel thanë se aplikimi duhet të vlerësohet menjëherë nga Këshilli dhe të merret vendimi nëse do të kërkohet opinion urgjent nga Komisioni Europian, sipas Guardian.

Që Ukraina të bëhet një vend anëtar i BE-së, ajo do të kalojë një periudhë të para-anëtarësimit me kohëzgjatje të ndryshme, gjatë së cilës vendi kandidat përshtat institucionet, standardet dhe infrastrukturën e tij për t’i mundësuar asaj të përmbushë detyrimet e tij si shtet anëtar.

Ditën e sotme, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i bëri thirrje Bashkimit Evropian për anëtarësim urgjent në bllokun 27-anëtarësh të vendit sipas procedurave speciale.

Ukraina “çmend” Rusinë/ S’e prisnin rezistencën, Moska “në panik”, por vriten 14 fëmijë

 

Ushtria ukrainase pohoi se e diela ishte një ditë mjaft e vështirë për të, dhe se trupat ruse “kanë vazhduar bombardimin nga pothuajse çdo drejtim”.

Ministria ukrainase e mbrojtjes pohoi se që prej fillimit të pushtimit kanë humbur jetën 352 civilë, mes të cilëve fatkeqësisht, edhe 14 fëmijë. Por rezistenca vazhdon, madje në nivele të tilla sa duket se e ka befasuar Moskën. Kremlini priste një marrje shumë të shpejtë të Kievit, dhe duket kishte planifikuar një luftë të shkurtër, por nuk rezultoi ashtu . Rezistenca e fortë ukrainase, e ushtrisë por edhe civilëve vetë, nuk e ka lejuar Moskën të marrë kontrollin e qendrave të mëdha urbane, siç shpresonte.

Shpërthime të fuqishme zgjuan mëngjesin e sotëm banorët e Kievit dhe të qytetit tjetër të rëndësishëm, Kharkiv. Forcat ruse janë duke lëvizur tani në jug ku po kërcënojnë një port të rëndësishëm, dhe në veri nga ku po nisen trupa të tjera drejt Kievit.Pavarësisht kësaj, zyrtarët ukrainas e panë si një lloj fitoreje të vogël thirrjen e Rusisë për bisedime, ç’ka erdhi sipas tyre, edhe falë rezistencës së madhe që u bë në terren.

Armiku priste që të vinte e të hynte qetësisht në Ukrainë, por këtu për të, u hapën portat e ferrit. Lidershipi rus nuk e kupton se nuk është në luftë vetëm me forcat e armatosura të Ukrainës, është në luftë me të gjithë popullin ukrainas”, tha kryeministri Denys Shmyhal.

Por ekspertët ushtarakë ndërkombëtarë paralajmërojnë se është ende për të thirrur fitore, shkruan New York Times. Ato kujtojnë se forcat ushtarake ukrainase janë duke dhënë që tani maksimumin e tyre, kanë municione të kufizuara dhe më mijëra ushtarë rusë më të stërvitur se ata nuk janë nisur ende në luftë. Frika tani është se sa më shumë rezistencë të hasin forcat e tij, aq më shumë mund të acarohet Putini e të urdhërojë bombardime të plota masive mbi qytetet e Ukrainës, edhe pse siç thoshte në fillim, kërkonte që të kurseheshin civilet.

Amerika ashpërson masat ndaj Rusisë! Mbyll ambasadën e saj në Bjellorusi

 

Antony Blinken

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bllokuar pak më parë operacionet në ambasadën amerikane në Minsk të Bjellorusisë.

Në një deklaratë të mbajtur pak më parë, sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se vendimi u mor për shkak të çështjeve të sigurisë që rrjedhin nga sulmi i paprovokuar dhe i pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë.

Ne i morëm këto hapa për shkak të çështjeve të sigurisë që rrjedhin nga sulmi i paprovokuar dhe i pajustifikuar nga forcat ushtarake ruse në Ukrainë,” tha Blinken.

Po ashtu, Blinken tha se stafi i ambasadës ka të drejtë të largohet nga vendit për shkak të luftës në Ukrainë.

Pamjet e trishta nga Kievi, viktima në rrugë dhe shkatërrime gjigante

 

Në ditën e pestë të luftës, panorama në kryeqytetin e Ukrainës është e trishtë.

Dëmet materiale janë të mëdha, ndërkohë që shpërthime janë ndjerë gjatë natës në disa pjesë të kryeqytetit.

Ukraina është në ditën e pestë të luftës. Sot do të mbahet takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi, ndonëse presidenti Volodimir Zelensky nuk pret që të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.

Ukraina do të kërkojë armëpushim dhe tërheqje të trupave

Ukraina do të kërkojë armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse në takimin me delegacionin rus në Bjellorusi.

“Delegacioni ukrainas mbërriti në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për të marrë pjesë në bisedimet me përfaqësuesit e Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin nga presidenca ukrainase.

“Ëndrra” e Ukrainës/ Shkatërrohet avioni më i madh në botë në bazën ajrore të Kievit

 

Avioni më i madh në botë, Antonov AN-225 Mriya, u shkatërrua nga një sulm rus në një aeroport afër Kievit, sipas llogarisë zyrtare të qeverisë së Ukrainës në Twitter.

Rusia mund të ketë shkatërruar ‘Mriya’ tonë”, tha Dmytro Kuleba, ministri i punëve të jashtme të Ukrainës.

“Por ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të shkatërrojnë ëndrrën tonë për një shtet të fortë, të lirë dhe demokratik evropian.”

Mriya, që përkthehet në “ëndërr”, ishte ulur në hangarin e saj në një bazë ajrore ukrainase në Hostomel, e cila kishte qenë vendi i përleshjeve intensive të enjten kur ushtria ruse mori kontrollin e bazës ajrore.

Imazhet satelitore nga Maxar Technologies tregojnë dëme të konsiderueshme në një pjesë të hangarit në të cilin ruhet AN-225.

Sistemi i Informacionit të Zjarrit për Menaxhimin e Burimeve të NASA-s zbuloi zjarre të shumta në aeroport, duke përfshirë edhe hangarin ku ruhet avioni.cnn

Nisin sot në mesditë bisedimet me Rusinë, Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave rusë

 

Ukraina është në ditën e pestë të luftës, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj vendit fqinj. Sot po mbahet takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi, ndonëse presidenti Volodimir Zelensky nuk pret që të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.

Siguria e këtij takimi, që po zhvillohet pranë lumit Prypyat i është besuar presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Putinit.

Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave

Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse në takimin me delegacionin rus në Bjellorusi. “Çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina”, thuhet në një njoftim zyrtar.

Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit, delegacioni është ministri i Mbrojtjes Oleksy Reznikov, këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak dhe zëvendës ministrin e Punëve të Jashtme, Mykola Tochytskyi.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit. Ai ndodhet në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tij përballë forcave ruse.

Ndërkohë që në orën e fundit është raportuar se nuk janë dëgjuar më sirenat e sulmit ajror në disa qytete të Ukrainës.

Një ditë më parë, presidenti Vladimir Putini urdhëroi forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të nivelit të lartë, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky urdhër i Presidentit Putin është pjesë kërcënimeve të sajuara nga Moska për të justifikuar agresionin. “Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

BE i mbylli hapësirën ajrore, rruga e gjatë që duhet të bëjnë tani avionët rusë

Linjat ajrore ruse po përdorin rrugë të tjera, për të udhëtuar nga territori i Kaliningradit drejt vendeve të detit Baltik, pasi Bashkimi Europian ka mbyllur hapësirën ajrore, si dënim pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën.

Kaliningrad, një tokë prej 15,000 km katrorë që i përket Rusisë, ndodhet 300 km në perëndim të kontinentit dhe është vendosur midis vendeve baltike dhe anëtarëve të BE-së, Lituanisë dhe Polonisë.

Në vend që të fluturojnë drejtpërsëdrejti mbi Letoni dhe Lituani, aeroplanët rusë tani janë të detyruar të fluturojnë në veri drejt Shën Petërsburgut, pastaj rreth bregut të Baltikut.

Kanadaja është bërë vendi i fundit, së bashku me vendet e BE-së dhe Britaninë, që ndalon avionët rusë nga hapësira e saj ajrore. Një ditë më parë dhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka njoftoi mbylljen e kufijve për avionët rusë.

“Putin po na detyron të gënjejmë”/ Hakohet agjensia shtetërore e lajmeve ruse

 

Faqja e internetit e agjencisë shtetërore te lajmeve “Tass” është hakuar këtë të hënë dhe në të janë postuar mesazhe që pretendonin se presidenti Vladimir Putin, po detyron median të gënjejë.

Sipas Reuters, në faqen e lajmeve u bënë thirrje për të ndaluar luftën dhe për të mos dërguar më djemtë dhe burrat në sulmin ndaj Ukrainës.

Ju bëjmë thirrje që të ndaloni këtë çmenduri, mos i dërgoni në vdekje të sigurt djemtë dhe burrat tuaj.Putini po na detyron të gënjejmë dhe po na vë në rrezik… Nuk është lufta jonë, le ta ndalojmë!”, shkruhej në faqe.

Mesazhi është fshirë, ndërsa tashmë shkruhet: “Ndjesë, faqja që po kërkoni është aktualisht e padisponueshme. Ju lutemi provoni sërish më vonë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...