2022-03-04

Zyrtari i lartë i Mbrojtjes amerikane: Forcat ruse 25 kilometra larg qendrës së Kievit

 

Forcat ruse janë ende rreth 25 kilometra larg qendrës së Kievit, ndërsa forcat ruse mbeten 10 kilometra jashtë qendrave të Chernihiv dhe Kharkiv, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes.

Në Kharkiv dhe Chernihiv, të jesh 10 kilometra larg qendrës së qytetit “barazohet me të qenit me të vërtetë në periferi të qytetit”, theksoi zyrtari.

“SHBA sheh më shumë sukses tek forcat ruse në jug. SHBA nuk i kundërshton raportet se Kherson është marrë nga forcat ruse, por nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar në mënyrë të pavarur këto pretendime”,  tha zyrtari.

Sipas Shteteve të Bashkuara, ka luftime midis ukrainasve dhe rusëve pranë qytetit të Mykolaiv në jug.

Mykolaiv është në veriperëndim të Kherson. Rusët nuk e kanë marrë ende qytetin jugor të Mariupoli,  sipas vëzhgimeve të SHBA-së, por luftimet vazhdojnë atje.

Polonia nën trysni ndërsa 1 milion refugjatë largohen nga Ukraina

 

Në javën e parë të sulmit rus, më shumë se 1 milion ukrainas janë larguar nga vendi.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henrgy Ridgwell ndodhet në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë, që është destinacioni kryesor i refugjatëve.

Valixhe me rroba dhe ndonjë suvenir është gjithçka që ukrainasit shpëtuan në orët e fundit të panikut të ikjes nga sulmi rus mbi vendin e tyre.

Qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv është kthyer në një pikë kryesore për ukrainasit që ikin nga mortajat dhe raketat ruse.

Gratë dhe fëmijët lënë pas shtëpitë e tyre, si dhe bashkëshortët, baballarët dhe djemtë. Burrat duhet të qëndrojnë për të luftuar.

Pas ditëve të lodhshme dhe terrorit, refugjatët udhëtojnë me tren drejt Polonisë në kërkim të sigurisë.

Ndalesa e parë është Przemysl-i, prej nga ata mund të ndryshojnë tren dhe të udhëtojnë edhe në vende tjera.

Kjo familje shpreson të arrijë në Lituani.

“Do të vazhdojmë, do t’ia dalim. Shpresoj që gjithçka të përfundojë mirë dhe Ukraina jonë të fitojë. Dua të kthehem, dua të shkoj në shtëpi”, thotë Anastasia, refugjate ukrainase.

Çdo familje ka rrëfime të ngjashme të humbjes dhe frikës.

Më shumë se 1 milion ukrainas janë larguar nga vendi, sipas Kombeve të Bashkuara. Numri më i lartë ndodhet në Poloni.

Shumica e refugjatëve ukrainas kanë miq dhe familjarë në Poloni, ose diku në Evropë, ku mund të qëndrojnë. Por ndërsa lufta përshkallëzohet, numri i atyre që kalojnë kufijtë rritet sikur edhe trysnia ndaj Polonisë.

Jo të gjithë kanë një vend për të qëndruar. Kaleb Poities nga Republika e Kongos studionte për inxhinieri elektrike në Odesa. Ai u largua me të dashurën e tij ukrainase pasi filluan sulmet ruse.

“Një javë kemi fjetur në kufi, rrugës për të ardhur këtu. Tani jemi mirë. Deri tani jemi pritur mirë në Poloni. Tani po presim autobusin për të shkuar në pjesën tjetër të Evropës, ndoshta në Francë“, thotë ai.

Vullnetarë nga dhjetëra vende kanë ardhur për të ndihmuar – duke ofruar ushqim, rroba, strehim dhe udhëtime me makinë në destinacione të ndryshme të Evropës.

Qindra mijëra ukrainas largohen nga vendi edhe me makina dhe në këmbë.

Brenda pak minutash autobusë me refugjatë ukrainas dërgohen nga kufiri në Medyka në qendrat e pritjes më në brendësi të Polonisë.

Por lëvizjet nuk zhvillohen vetëm në një drejtim. Shumë ukrainas po kthehen në shtëpi për të luftuar. Zëri i Amerikës foli me tre ish-ushtarë që nuk donin të identifikohen.

“Është normale. Do ta mposhtim Putinin dhe gjithçka do të bëhet mirë. Tanket dhe mjetet e blinduara ruse do t’i dërgojmë në ferr”, thotë Viktori, ushtari në pension.

Ukrainasit janë të vendosur të mbijejtojnë dhe ta fitojnë luftën. Por kjo po shkakton një kosto të lartë njerëzore.

Familjet e ndara. Vendi i copëtuar. Fëmijët e Ukrainës detyrohen të largohen nga vendi i tyre, drejt një të ardhme të panjohur.

SHBA, sanksione të tjera: Oligarku var veten në vilën e tij

 

Uashingtoni ka vendosur sanksione të reja mbi elitën ruse, e cila vazhdon të mbështesë Presidentin Putin, pavarësisht sulmit brutal të tij ndaj Ukrainës.

Departamenti i Thesarit tha se këta individë janë pasuruar në kurriz të popullit rus dhe se anëtarë të familjeve të tyre janë vendosur në poste të larta në Rusi. Të tjerë drejtojnë kompani të mëdha ruse dhe janë përgjegjës për sigurimin e burimeve të nevojshme për të mbështetur sulmin që Vladimir Putin po kryen ndaj Ukrainës.

Sipas Departamentit të Thesarit këta individë dhe anëtarët e familjeve të tyre do të shkëputen nga sistemi financiar amerikan, pasuritë e tyre në Shtetet e Bashkuara do të ngrijnë dhe pronat e tyre do të bllokohen.

Mes personave të shënjestruar me sanksione është dhe Alisher Burhanovich Usmanov, një nga individët më të pasur të Rusi dhe një aleat i ngushtë i Putin. Prona e tij do të bllokohet në Shtetet e Bashkuara ndërsa super jahti iu sekuestrua një ditë më patë.

Po kështu do të sanksionohet dhe zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i konsideruar si furnizuesi kryesor i propagandës së tij.

Ndërkohë, një oligark i lindur në Ukrainë por që jetojnë në Londër është gjetur i varur në vilën e tij. Mendohet se manjati 66 vjeçar i gazit dhe naftës, Mikhail Watford, ka vrarë veten. Persona pranë tij thonë se Watford ishte i tmerruar nga ideja që Putin mund ta kishte vendosur në listën e vet të zezë të individëve që kërkonte të eliminonte, ndërsa situata në Ukrainë e kishte renduar edhe me shume psikologjikisht.

Këshilli i OKB-së miraton rezolutën për dënimin e Rusisë, shteti që votoi kundër

 

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka mbështetur me shumicë dërrmuese një rezolutë që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe ngritjen e një komisioni hetimor për ta hetuar atë për krime lufte.

Vetëm një shtet, Eritrea, në Afrikën Lindore, votoi kundër rezolutës, ndërsa 32 votuan pro dhe 13 abstenuan.

Përpara votimit, ambasadori i Ukrainës tha: “Është detyra jonë e përbashkët të sigurojmë llogaridhënie duke mandatuar dokumentacionin dhe verifikimin e krimeve të Rusisë dhe identifikimin e atyre që janë përgjegjës”.

Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar njerëzit në Ukrainë, pavarësisht pamjeve të përhapura të ndërtesave të shkatërruara të banimit dhe vdekjen e 2,000 civilëve.

Bombat ruse mbi impiantin bërthamor: 10 herë më keq se Cernobili, Europa në panik

 

Ukraina dhe e gjithë Europa përjetoi momente paniku në mesin e lajmeve se bombat ruse kanë goditur impiantin bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në kontinentin e vjetër.

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu paskëtaj në një objekt të impiantit të përdorur për trajnime, duke ngjallur frikë për atë çfarë mund të pasonte. Ekipet e zjarrfikësve nuk po afroheshin në zonë në momentet e para, për shkak të breshërisë së plumbave e predhave ruse.

Fatmirësisht, zjarri u arriti të vihej nën kontroll duke shmangur kështu atë që presidenti Volodymi Zelensky tha se do të kishte qenë një katastrofë “10 herë më e madhe se ajo e Cernobilit”.

Zelensky: “Kompleksi më i madh nuklear i Europës u përfshi nga flakët. Rusët qëllimisht hapën zjarr drejt 6 reaktorëve të tij duke përdorur tanke të pajisura me imazhe termike. Krahasuar me katastrofën globale të Cernobilit në 1986, pasojat e një shkrirjeje në Zaporizhzhia do të ishin shumë më të rënda. Po pati shpërthim këtu, merr fund gjithçka, merr fund Europa”. 

Kompleksi tashmë është në duart e forcave ruse, por stafi ukrainas po kujdeset që situata nëpër reaktorë të mos dalë jashtë kontrollit. Liderët botërore e akuzuan ashpër Rusinë duke thënë se po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë.

Presidenti amerikan Joe Biden e nxiti Moskën të ndalojë menjëherë aktivitetin ushtarak në këtë zone teksa SHBA vendosi të aktivizonte ekipin e reagimit bërthamor; kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se këto sulme të tmerrshme duhet të marrin fund tani, dhe shefi i ekzekutivit britanik, Boris Johnson tha se nga situata të tilla, rrezikohen të gjithë. Centrali në Zaporizhia plotëson rreth 25 për qind të nevojave të Ukrainës për energji elektrike.

Ministria e Mbrojtjes ukrainase: Forcat ruse kanë rrethuar Kievin, por s’kanë më rezerva

 

Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë ka deklaruar se forcat ruse janë përqendruar në rrethimin e Kievit.

Në një deklaratë për media, ministria bën me dije se trupat ruse janë bllokuar dhe ndaluar në zonën e Makarov, e cila është rreth 60 km (37 milje) larg kryeqytetit ukrainas.

Ministria tha se forcat e armatosura të Rusisë kanë shteruar shumicën e rezervave të tyre operacionale dhe kanë filluar përgatitjet për transferimin e forcave dhe burimeve shtesë nga rrethet ushtarake jugore dhe lindore.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se lufta në Ukrainë po shkonte sipas planit, pavarësisht vlerësimeve nga vendet e tjera se pushtimi i Kremlinit nuk ka shkuar sipas planit.

Turpi i ushtrisë gjermane -Raketat që i dërgoi, “kanë skaduar”

 

Mes lajmeve se një autokolonë gjigante trupash ruse po avancon ngadalë drejt kryeqytetit në kryeqytetin ukrainas Kiev, dhe raporteve të përditshme për bombardime e viktima, Gjermania vendosi të dërgojë armë mbrojtëse në republikën ish –sovjetike, duke përfshirë raketat e lehta tokë-ajër Strela, ose MANPADS.

Megjithatë, mund të ketë një problem, sepse, sipas disa mediave lokale, një pjesë e madhe e këtyre raketave nuk janë më funksionale pasi prej kohësh janë lënë të kalben ne objektet e magazinimit.

Më herët, u pretendua se vendi evropian do të dërgonte gjithsej 2700 raketa Strela, megjithëse dorëzimi ende nuk është miratuar. Raketat e prodhimit sovjetik i përkisnin Ushtrisë Popullore Kombëtare (NVA) të asaj që dikur quhej Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) ose Gjermania Lindore. Pyetja ështe nëse këto raketa funksionojnë ende, dhe sipas revistës së përjavshme gjermane Der Spiegel, ato absolutisht nuk janë në gjendje të mirë.

Rreth 700 raketa në dorëzim nuk janë më funksionale, raportoi Der Spiegel, e më vonë kjo u pohua dhe nga e përditshmja Bild. Zyra Federale për Eksportet e Pajisjeve duhet të kontrollojë materialin përpara se dorëzimi i raketave të miratohet nga Këshilli Federal i Sigurisë. Raportet vunë në dukje se raketat janë të paktën 35 vjeçare dhe u bllokuan nga përdorimi në vitin 2012 për shkak të “çarjeve të vogla në ngarkesën shtytëse të municionit, të cilat çuan në korrozion oksidim”.

Der Spiegel gjithashtu theksoi se kutitë prej druri në të cilat ruhen raketat ishin aq të mykura saqë ushtarët e Bundeswehr-it në nëntor u lejuan të hynin nëpër depo, vetëm me pajisje mbrojtëse.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...