2022-09-04

Bota sot:Alarmon eksperti i sigurisë: Rusia dhe Serbia do të provojnë eskalimin e situatës në veri me planin sekret, urgjent të veprojë shteti!

 


Arbnore ZhushiNGA ARBNORE ZHUSHI 

Forcat e KFOR-it

Më 1 shtator, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, do të nisë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për targat e veturave. Dy vendet kanë arritur marrëveshje për çështjen e lëvizjes së lirë, duke hequr dokumentet hyrje-dalje, mirëpo mbetet ende punë për targat e veturave.Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, veriu ende mbetet “pikë e tensioneve”, pasi atje Rusia dhe Serbia do të tentojnë të realizojnë skenarin e tyre sekret të dhunës, duke mos përjashtuar as viktimat. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Elezi ka paralajmëruar se Rusia dhe Serbia do të përpiqen të krijojnë situata, të cilat do të jenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kështu Kosova të mbajë përgjegjësi për eskalimin e situatës në Kosovë dhe në rajon.

Ai ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që urgjentisht të ngritin nivelin e inteligjencës dhe të hulumtojnë në të gjitha zonat ku jetojnë komuniteti serb dhe kështu të minojnë përpjekjet për organizim të ndonjë skenari të dhunshëm serbo-rus.

Image
Bedri Elezi

Eksperti ka kritikuar AKI-në, e cila deri më tani nuk ka nxjerr një listë me kallëzime penale për personat ,të cilët kanë kryer vepra penale në veri të vendit, dhe rrjedhimisht nuk ka lëshuar as fletë arrestet nacionale apo edhe ndërkombëtare.

Elezi ka ngritur alarmin se në Kosovë veprojnë strukturat e shërbimeve sekrete ruse FSB dhe GRU si dhe të BIA-s serbe. Sipas tij, këto shërbime kanë të infiltruar njerëzit e tyre edhe në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Elezi, si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në territorin e Kosovës, sidomos në veri të vendit, pas tensioneve të 31 korrikut me Serbinë?

Elezi: Gjendja e sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës, sidomos në veri të vendit, pas tensioneve të 31 korrikut është e qetë, por shumë e brishtë.

Më 31 korrik 2022, Qeveria e Kosovës, bëri një përpjekje për të zbatuar vendimet e saj në lidhje me reciprocitetin për targat dhe dokumentet e identifikimit, por këto vendime nuk u zbatuan në veriun e Kosovës, madje në veriun e Mitrovicës këta vendime shkaktuan edhe tensione, ku grupe kriminale të cilat mbështetën nga qeveria e Serbisë si dhe institucionet e sigurisë serbe dhe ato ruse, organizuan aktivitete të dhunshme, duke vendosur barrikada si dhe duke dhunuar qytetar ë dhe njëherësh edhe sulmuan me armë zjarri Policinë e Republikës së Kosovës.

Kosova dhe liria e saj, janë projekt amerikan, andaj Serbia në vazhdimësi bashkëpunon me federatën Ruse, në mënyrë që të dhunohet demokracia si dhe të dëmtohet SHBA-ja në përpjekjet e saj që të sjellë paqe dhe zhvillim në gadishullin ballkanik.

Sipas informacioneve që ne kemi, ekziston një plan sekret, i cili është hartuar nga strukturat e shërbimeve sekrete të Serbisë dhe Rusisë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, me qëllim që vëmendja e zhvillimeve në Ukraine të orientohet në Ballkan, andaj të gjitha këta aktivitete janë të sinkronizuara dhe asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e eskalimit të situatës në Kosovë dhe rajon.

“Bota sot”: Çka parashihni se do të ndodhë me 1shtator, ditën kur Qeveria e Kosovës do të nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, për targat e veturave? A mund të ketë sërish tensione?

Elezi: Angazhimi i SHBA-ve dhe BE-së, pas 31 korrikut ishte shumë serioz, ngase kishin informacione të besueshme për planet serbo-ruse për eskalimin e situatës dhe kështu edhe destabilizimin e rajonit, andaj angazhimi i tyre ishte që të shtyhet zbatimi i reciprocitetit. Por, qeveritë respektive, ajo e Kosovës dhe Serbisë nuk ishin të gatshme për tejkalimin e kësaj situate, dhe rrjedhimisht u imponuan takime mes palëve për të gjetur një zgjidhje momentale, e cila do të shmang eskalimin e situatës në veri.

Si rezultat i një maratone bisedimesh, si dhe përfshirjen e shume protagonistëve politikë dhe atyre të sigurisë, është arritur një marrëveshje, e cila ndoshta për një kohë të shkurtër do të shtyjë zbatimin e marrëveshjes, gjithashtu eventualisht edhe eskalimin e situatës.

Kjo marrëveshje është një status-kohë, dhe poashtu mund të konsiderohet si lojë politike për të shmangur përgjegjësinë e liderëve të Kosovës dhe Serbisë për eskalimin e situatës, sidomos pas kërcënimit të shefit të NATO-s, i cili deklaroi se dy liderët do të jenë përgjegjës për sigurinë në veri dhe rajon, në rast se nuk do të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Kosova duhet të jetë shume vigjilente, ngase kjo marrëveshje është e konstruktuar si kurth ndaj Kosovës për përgjegjësinë e eskalimit të situatës në veri, referuar kërcënimit të shefit të NATO-s, se eskalimi do t’i faturohet atyre të cilët do të nxisin dhunën.

“Bota sot”: Si duhet të veprojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, për të shmangur skenarin me vënien e barrikadave nga serbët, siç ndodhi me 31 korrik?

Elezi: Bazuar në informacionet që ne kemi, nga struktura inteligjente të cilat kanë burimet kredibile, Serbia dhe Rusia janë të vendosura për realizimin e skenarit të tyre, por janë duke u përpjekur që të organizojnë situata, të cilat do të jenë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kështu Kosova të mbajë përgjegjësi për eskalimin e situatës në veri dhe Kosovë si dhe destabilizimin e gjithë rajonit, andaj institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, ato të NATO-s, si dhe ato të FSK-së urgjentisht duhet ngritur nivelin më të lartë të inteligjencës, poashtu të hulumtojnë në të gjitha zonat ku jetojnë komuniteti serb dhe kështu të minojnë përpjekjet për organizim të ndonjë skenari, i cili është dizajnuar për aktivitete të dhunshme.

“Bota sot”: NATO ka paralajmëruar se në rast se Serbia provokon me forcë Kosovë, do të ndërhyjë ushtarakisht me KFOR-in. Si e vlerësoni përgjigjen e KFOR-it për tensionet e fundit?

Elezi: Ne kemi parë një përpjekje të NATO-s, për t’i treguar Serbisë se NATO është përgjegjëse për sigurinë në Kosovë dhe se çdo përpjeke e Serbisë për të cenuar kufijtë e Kosovës do të jetë agresion ndaj NATO-s, e cila nëpërmes KFOR-it garanton paqen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

KFOR-i ka mandat nga NATO, mandat i cili buron nga rezoluta 1244 e OKB-së që të ndërhyjë ndaj çdo force, e cila tenton të cenojë sigurinë në Kosovë, andaj në këto momente kur u paralajmërua nga ana e Serbisë se mund të intervenojë ushtarakisht, sekretari i NATO-s z.Jens Stoltenberg, organizoi një takim me liderët e dy shteteve, ku edhe u sqaroi edhe një herë për mandatin e NATO-s dhe KFOR-it si dhe përgjegjësinë që do të mbajnë dy liderët në rast të eskalimit të situatës.

“Bota sot”: Me gjithë sulmet e serbëve ndaj Policisë së Kosovës në veri, ende askush nuk ka dalë para drejtësisë, për këto raste. Si po përgjigjet shteti për të mundësuar qarkullim të sigurt të Policisë së Kosovës në veri të vendit?

Elezi: Fatkeqësisht kemi pasur shumë raste kur është sulmuar Policia e Kosovës, gjithashtu janë sulmuar edhe qytetarë të shumtë nga persona dhe grupe kriminale, por deri më tani nuk kemi pasur asnjë person, i cili ka dal para drejtësisë për këto veprat kriminale.

 Që nga viti 1999 e deri më tani, për 23 vjet institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës kanë dështuar të zbatojnë ligjin në atë zonë, madje nuk ka pasur përpjekje serioze për zbatim ligji në atë pjesë.

Deri më tani minimalisht duhet të kemi një listë të personave, të cilët kanë kryer vepra si dhe fillimin e procedurës penale ndaj atyre personave apo grupeve si dhe të kemi fletë arrestimet e tyre ndërkombëtare.

Agjensioni i Kosovës për Inteligjencë ka detyrim ligjor sigurimin e informacioneve të nevojshme dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si dhe prokurorinë e shtetit, në mënyrë që të ngrit kallëzime penale ndaj atyre personave, dhe rrjedhimisht edhe të kemi fletë arrestet nacionale apo edhe ndërkombëtare. Por, deri më tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, madje duke mos vepruar kanë inkurajuar këto grupe dhe persona për vepra të tilla.

“Bota sot”: Serbia ka prezantuar armët e reja, pak ditë para takimit të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel. A është ky një sinjal se Vuçiq mund të nisë një konflikt të armatosur në veri të Kosovës, përkundër thirrjeve të tij për vendosje të qetësisë? A po luan ai me dy “karta”?

Elezi: Vuçiq është një sharlatan, i cili në vazhdimësi ka bërë veprime të tilla, të cilat janë shume qesharake, ngase dihen kapacitetet ushtarake të Serbisë dhe në anën tjetër ato të NATO-s. 

Këto veprime të Vuçiqit para takimit me sekretarin e NATO-s z.Jens Stoltenberg, janë veprime, të cilat ushqejnë apetitet e strukturave kriminale në Serbi, të cilat akoma jetojnë me gjenocidin që kanë shkaktuar në Ballkan në vazhdimësi deri në vitin 1999. 

Është shqetësues fakti se populli serb akoma pranon këto veprime të shëmtuara të Vuçiqit si dhe në vazhdimësi votojnë politikanë, të cilët ende i kanë duart me gjak. Ky fakt të bënë të mendosh se komuniteti serb mund të jetë jashtë normave për të qenë njerëz.

“Bota sot”: Çka do të përfitonte Kosova me traktatin për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, të cilin ia kërkoi presidentja Osmani, presidentit Begaj? Sa është i mundshëm?

Elezi: Presidentja e Republikës së Kosovës, si duket akoma po mendon se është anëtare e OJQ-ve, apo përkthyese. Ne jemi të vetëdijshëm se presidentja ka qenë përkthyese kur janë prezantuar traktate të tilla, por atë kohë ajo ishte në pozicion të atillë që vështirë ka mundur të kuptojë çka janë traktatet.

Presidenti i një shteti, ka mandat për të zhvilluar diskutime me homolog, me të cilët mund të bashkërendojnë nisma, të cilat burojnë nga të drejtat e tyre bazuar në detyrimet shteteve në fjalë si dhe normativave të organizatave partnere ndërkombëtare.

Fakti se presidentja Osmani, prezantoi një ide të tillë para një vizite të homologut të saj, i cili vizitën e parë si president jashtë të vendit të tij e kishte në Kosovë, të bënë të mendosh se kjo ide i ngjason një mentaliteti policor apo ushtarak se sa një veprimi presidencial, andaj kjo ide nuk duket serioze, dhe njëherësh nuk mund të shihet si përpjekje për bashkërendim mes Kosovës dhe Shqipërisë për një bashkëpunim në fushën e sigurisë përmes traktateve të tilla.

“Bota sot”: Sa është e mundshme vendosja e një kontigjenti të ushtrisë shqiptare në veri të Kosovës, në kuadër të KFOR-it?

Elezi: NATO ka partnerët e saj, dhe gjithashtu partner e NATO-s është e Shqipëria, kështu që në kuadër të KFOR-it vepron edhe kontigjenti i ushtrisë shqiptare, e cila në Kosovë vepron në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat përcaktohen e komanda e HQ KFOR.

Sa i përket mundësisë së vendosjes së një kontigjenti të ushtrisë shqiptare në veriun e Mitrovicës, kjo është një mundësi reale, ngase ky kontigjent do t’i shërbente KFOR-it dhe sigurisë. 

Nëse FSK nuk ka mundësi të shkojë në veri ngase mund të shkaktohej ndonjë incident, atëherë kontigjenti i ushtrisë shqiptare, i cili vepron në kuadër të KFOR-it mund të shkojë pa asnjë lloj problemi, sepse është strukturë e KFOR-it dhe NATO-s.

“Bota sot”: A ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë, sidomos pas arrestimit të gazetares ruse dhe dy francezëve me automjete ruse në Leposaviq?

Elezi: Dyshimet se në Kosovë veprojnë strukturat e shërbimeve sekrete ruse FSB dhe GRU, tanimë janë realitet publik, sidomos kur ka pasur edhe arrestime të agjentëve dhe zyrtarëve të tyre. Është shqetësues fakti se në Kosovë veprojnë agjentë të shërbimeve sekrete ruse, si të shërbimeve sekrete FSB dhe GRU, por më shqetësues është fakti se ka dyshime që këto shërbime kanë të infiltruar njerëzit e tyre edhe në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë.

Madje disa arrestime, të cilat janë bërë në Kosovë dyshoj se janë të orkestruara për të gravituar institucionet e sigurisë në pista të caktuara dhe njëherësh për të larguar dyshimet e institucioneve të sigurisë në burime apo bashkëpunëtorë të këtyre shërbimeve, e të cilët kanë mundësi të qasën në informacione të klasifikuara, të cilat mund të janë të depozituara në institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës apo atyre ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë apo edhe rajon.

“Bota sot”: Lista Serbe ka thënë se me 31 korrik edhe Milan Radoiçiq është shëtitur lirshëm rrugëve të barrikaduara të veriut. Pse nuk po arrin Kosova të arrestojë një person, ndaj të cilit ka fletëarrest?

Elezi: Institucionet e zbatimit të ligjit si: AKI, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat e Republikës së Kosovës, nuk kanë bërë veprime konkrete për arrestime të kriminelëve serbë në veriun e Mitrovicës, gjithashtu nuk ka pasur përpjekje serioze edhe për arrestimin e kriminelit Milan Radojiçiq, madje ka dyshime serioze se Milan Radojiçiq ka lëvizur jo vetëm në veri të Mitrovicës, por edhe në disa qytete tjera të Republikës së Kosovës. Gjithashtu vlen të theksohet se poashtu ka dyshime që Milan Radojiçiq ka kontakte permanente me ministria të Qeverisë së Kosovës, dhe gjithashtu ka përdorur edhe veturat me alarme të Qeverisë së Kosovës për të shkuar në një takim në Çagllavicë në fund të muajit korrik 2022.

Në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në stafin e ministrave serbë, kemi agjentë të BIA-s, të cilët dyshohet se ka krijuar burime në disa institucione të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Poashtu në kuadër të Policisë së Kosovës dyshohet se kemi të infiltruar agjentë të BIA-së serbe dhe të njëjtit mund të kenë qasje në të dhëna të rëndësishme, gjithashtu t’i mundësojnë shërbime kriminelëve serbë, si Milan Radojiçiq, njëherësh t’i vendosin në shërbim edhe pronat e institucioneve të Kosovës për veprimet e tyre kriminale.

NGA PROF.DR. ENVER BYTYÇI: Cka po paralajmëron Moska për një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi?!

 


 
lbin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq -.



Sot filloi zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e udhëtimit midis Kosovës dhe Serbisë. Pra lëvizja e qytetarëve të të dy vendeve iu rikthehet normalitetit, njësoj si me vemdet e tjera, siç ndodh midis vendeve të pavarura e sovrane. Por ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar, duke thënë se "shqiptarët nuk pranojnë kompromis për t'ia shpëtuar fytyrën Vuçiq". Këtë e shpreh Russia Today. Por jo vetëm kaq, në reagimin e ministrisë së Jashtme ruse thuhet gjithashtu se "Rusia nuk do të pranojë një marrëveshje midis palëve, për të cilën populli serb nuk është dakord"!

 Kjo do të thotë se Rusia do të vazhdojë të vendosë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për pranimin e Kosovës në OKB dhe se ajo do të kundërshtojë çdo përpjekje të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare ku bën pjesë. Bllokimi me veto në Këshillin e Sigurimit nxjerr probleme dhe shqetësime të mëtejshme, sepse do të duhet që pranimi i Kosovës në OKB të kalojë nga Asambleja e Përgjithshme e saj, ku do të duhen më shumë se dy të tretat e votave të shteteve anëtare. Edhe në këtë rast Kosova do të bëhej pjesë e qeverisë botërore pa të drejtë vote.

 Por Rusia nuk dëshiron që Kosova të zgjidhë konfliktin me Serbinë për arsyet e saj gjeopolitike. Ajo shpreson se në rrethana të favorshme do të mundë ta destabilizojë rajonin e Ballkanit, ndërkohë që zgjidhja e konflikteve në këtë rajon e pamundëson ëndërrën e saj për influencë, ndikim dhe hegjemoni. Ky është shkaku kryesor pse politika dhe diplomacia ruse dëshiron grindje dhe konflikte permanente në rajonin tonë. Dhe kjo është e duhet të jetë arsye e mjaftueshme që shtetet ballkanike të bashkohen në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

 

Pretendimi rus se "nuk do të pranojë diçka për të cilën "populli serb" nuk është dakord", në fakt është një spekullim i pastër. Vetëm përmes kësaj formule politika ruse mund të ruajë për gjatë alibinë e qëndrimeve të saj kundër Kosovës, kundër shqiptarëve dhe kundër stabilitetit, paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit. Sepse nëse populli serb e pranon ose jo një verdikt të qeverisë së saj, këtë nuk e provon e aq më pak e vendos një vend tjetër, një shtet tjetër, qoftë kjo edhe Rusia. Në të vërtetë me këtë qëndrim Kremlini shpreh arrogancën e tij për të kontrolluar dhe diktuar vullnetin politik te popujt e vendet e tjera, në rastin konkret Serbisë.

Por unë shoh edhe një sinjal tjetër: Duket se Vuçiq ka vendosur t'i bindet vullnetit amerikan për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit me Kosovën. Si lëshim ndaj tij, amerikanët po i premtojnë atij mbështetje për "Ballkanin e Hapur", si dhe integrimin europian! Por në fakt integrimi europian e nxjerr jashtë loje Open Balkans. Ndërkohë që presidentit të Serbisë i duhet të ndërtojë një kabinet qeveritar pro-perendimor! Sa do t'ia arrijë kësaj, mbetet për t'u parë. Por Aleksandër Vulin në Moskë duket se e ka denoncuar shefin e tij për "tradhti" ndaj saj! Ndryshe nuk kishte si të vihej te deklarata e mësipërme e ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Megjithatë pritet që Rusia të dështojë me turp në fushatën e saj ushtarake për pushtimin e Ukrainës dhe në këtë rast do të ndryshonin të gjithë ekuilibrat. Ajo nuk do të jetë më një fuqi me ndikim global. Kjo mund t'i kushtojë edhe daljën nga Këshilli I Sigurimit. Dalja nga ky këshill do të ishte i sigurt, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të përdorte armët e dëmtimit në masë kundër Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër. Ndërsa mospërdorimi I këtyre armëve do të thotë humbje e luftës, si dhe rënie e pashmangshme nga pushteti!

Amerika për Nënë Terezën – rastësi apo dora e Zotit në veprim “prej sot je bijë e Amerikës"

 

SHKRUAN FRANK SHKRELI 



Nënë Tereza

Javën që kaloi filloi periudha, gjatë së cilës, jo vetëm bota shqiptare, por e mbarë bota, kujton më intensivisht jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës. Murgesha shqiptare me famë botërore, ka lindur më 26 gusht, 1910 dhe ka ndërruar jetë më 5 shtator, 1997. Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky vit ka shënuar një numër veprimtarishë kulturore dhe fetare kushtuar Shënjtëreshës shqiptare, Nënë Terezës, në 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, (5 Shtator, 1997), që festohet edhe si Dita kushtuar Shën Nënë Terezës. Deri më tani, komuniteti shqiptaro-amerikan ka organizuar një numër veprimtarishë në kujtim të Nënë Terezës. Disa prej të cilave jam munduar, modestësisht, t’i pasqyroj për lexuesit gjatë muajve të kaluar, si për shembull, Nga Frank Shkreli/ Aktivitete kushtuar Shën Nënë Terezës,“dashuri më të madhe nuk ka” | Gazeta Telegraf Komuniteti shqiptaro-amerikan, pa dallim feje a krahine, sa ishte gjallë Shënjtëresha shqiptare, por edhe në tani, vazhdon ta kujtojë ndërsa ruan një respekt të veçant për Nënë Terezen. Gjatë dekadave të shekullit të kaluar, ajo vizitonte shpesh motrat e saja në Nju Jork, në Washington, por dhe bënte shpesh vizita edhe komunitetin tonë këtu.

Nëntor, 1960, kur Nënë Tereza kishte ardhur në Nju Jork të takohej me udhëheqësen e “Motrave të Misionit Mjekësor” (Medical Missions Sisters”, Anna Dengel. Këtë të dhenë e mësova nga një faturë e hotelit ku kishte qëndruar Nenë Tereza, në Nju Jork. 7 Nëntori 1960 ka qenë -- rastësisht ose jo – edhe dita e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, kur votuesit amerikanë, për herë të parë në historinë e SHBA-ave, kanë zgjedhur presidentin e parë katolik, Xhon F. Kenedi.

Image
Vizita e parë e Nenë Terezës në Amerikë – 7 Nëntor, 1960—Fatura e Hotelit
FOTO GALERI

më tepër, mësova gjithashtu nga libri i shoqërueses së Nenë Terezës dhe autores së librit të saj kushtuar murgeshës shqiptare, “Such A Vision of the Street”, Zonjës Eileen Egan se vizita e Nenë Terezës në Amerikë, shënonte herën e parë që ajo po largohej nga India për një vizitë jasht vendit, që nga Janari i vitit 1929. Nënë Tereza pra, kishte zgjedhur që vizitën e parë jashtë Indisë t’a bënte në Amerikë. Sipas autores, Eileen Egan, Nënë Tereza e ka filluar vizitën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara në qytetin Las vegas, në përgjigje të një ftese për të marrë pjesë në Kuvendin vjetor të Këshillit Kombëtar të Grave Katolike, në atë qytet. Gjatë asaj vizite, Nënë Tereza vizitoi gjithashtu edhe qytetin Peoria të shtetit Illinois, Washingtonin dhe Nju Jork-un.

NENË TEREZA SHKON NË WASHINGTON

Kështu, pra filloi një marrëdhënie dashurie e Shteteve të Bashkuara me murgeshën shqiptare, Nenë Terezen – jo vetëm me popullin amerikan të të gjitha shtresave dhe etnive, por dhe me përfaqsuesit më të lartë të politikës amerikane, për më shumë se një gjysëm shekulli.

Shën Tereza e Kalkutës, e njohur në jetë si Nënë Tereza, ka vizituar Shtetet e Bashkuara disa herë, zakonisht për të hapur shtëpi të reja të rendit të saj, Misionaret e Bamirësisë. Por, ajo ka vizituar edhe për raste të tjera, kur ka folur për detyrën që kemi të gjithë ndaj të tjerëve -- për të ndihmuar njëri – tjetrin. Ajo ka vizituar herë të tjera e ftuar nga entet më të larta politike dhe fetare të këtij vendi për takime me të dhevendit për të marrë prej tyre çmime dhe dekorata për puën e saj dhe të urdh[rit të , në shërbim të varfërve anë e mbanë botës. Ndikimi i veprës së Nenë Terezes njihej tanimë, jo vetëm në Kalkuta të Indisë, por edhe anë e mbanë botës, e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, ndërsa mori hov gjatë dekadave pas vizitës së saj të parë në Amerikë, në nëntor të vitit 1960.

Amerikanët e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjithnjë veprën dhe personin -- Gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e Amerikës dhe të botës. Ajo ishte shpallur Qytetare Nderi e SHBA, një titull i dhënë Nenë Terezës shumë vite më parë nga Presidenti republikan Ronald Reagan. Presidenti Reagan e adhuronte shumë Nenë Terezën për punën e saj në shërbim të të varfërve amerikanë dhe botës. Gjatë viteve, pas vizitës së parë në Amerikë në vitin 1960 -- ajo ka vizituar shpesh Shtetet e bashkuara dhe është takuar më personalitetet më të larta të fushës politike, kishtare, dhe përfaqësues, pothuaj, të gjitha shtresave të shqoiërisë amerikane, pa dallim. Përveç Presidentit Reagan, Nënë Tereza është takuar edhe me Presidentin Xhorxh H. Bush i vjetër dhe me Presidentin Bill Clinton, por edhe me udhëheqsit më të lartë të Kongresit amerikan të dy partive politike kryesore të Amerikës dhe me përfaqsues vendorë dhe shtetërorë, anë e mbanë Amerikës.

Siç shihet edhe nga takimet e tyre, Nenë Tereza kishte një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin republikan, Ronald Reagan, në krahasim me të tjerët. Me Presidentin Bush të vjetër kishte marrëdhënie korrekte, ashtu edhe me Presidentin Bill Clinton, megjithëse Nenë Tereza nuk ngurronte të kritikonte politikat pro-abortit të administratës së Z. Clinton.

1985 presidenti Ronald Reagan ka nderuar Nenë Terezën me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Nëna Tereza është ndër personalitetet e rralla – amerikane dhe botërore -- të cilës në vitin 1996, presidenti Bill Clinton i dha titullin Qytetar Nderi i Amerikës. Në vitin 1997, Kongresi Amerikan ka nderuar Nënë Terezën me Medaljen e Artë. Pasi Kongesi amerikan nderoi atë me medaljen e Artë, Posta Amerikane më 2010 nxori pullë postale me portretin e Nënës Terezë, një tjetër nder prej shumë vlerësimeve që i janë berë asaj nga ente të ndryshsme amerikane qeveritare dhe private, anë e mbanë këtij shteti planet. Është e vështirë të thuhet se cila ishte përmbajtja e vërtetë e bisedimeve kokë-më kokë të Nenë Terezës me udhëheqsit më të lartë politikë amerikanë, përfshirë presidentët e këtij vendi dhe ata botërorë, por sipas Dr. Lush Gjergjit, i cili e ka shoqërurar shpesh Nenë Terezën në udhëtimet e saja anë e mbanë botës, ka shkruar se ajo e kujtonte gjithmonë popullin e vet. Nëna Tereze na ka përcjellë vazhdimisht me uratën e saj – dhe ajo, duke filluar nga Papa, prej Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo kudo në botë, porosia e saj drejtuar udhëheqsve më të lartë amerikanë dhe botërorë, ishte: “Ju duhet të bëni diçka për t’a shpëtuar popullin tem shqiptar, e në veçanti Kosovën”, ka shkruar Dom Lush Gjergji, biografi autor i 25 librave mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës.

Image
Presidenti Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë – Qershor, 1985 duke i dorëzuar Nenë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë. Presidenti Reagan: “Nenë Tereza është një heroinë e kohëve tona. Kështuqë, përveç shumë nderimeve dhe dekoratave që i janë dhënë asaj, përfshir Çmimin Niobel për Paqë -- me dashuri të madhe dhe me respekt të pafund, i dorëzojmë Nenë Terezës, Medaljen Presidenciale të Lirisë.”
FOTO GALERI

Nenë Tereza: “Unë nuk jam e denjë e kësaj dhurate fisnike nga Presidenti ynë, nga bashkshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por unë e pranoj për glorifikimin më të madh të Zotit dhe në emër të miliona njerëzëve të varfër…”.

Z. Reagan ka thënë me atë rast se ndonëse kjo medalje tradicionalisht u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan shpjegoi se në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, kjo dekoratë po akordohet Nënë Terezës, pasi “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, u shpreh ish-presidenti amerikan Regan, duke iu drejtuar Nënë Terezës.

Janë absolutisht të pazakonta marrëdhëniet që Presidenti Regan dhe bashkëshortja e tij Nancy – që konsideroheshin si ndër çiftet më aristokratë në Amerikë dhe ndoshta në botë – kishin vendosur me Nënë Terezën, përfaqësuesen dhe mbrojtësen e më të varfërve në botë. Anë e mbanë botës, Nënë Tereza kishte takuar shumë udhëheqës politikë e fetarë. Por dalloheshin marrëdhëniet e saja me Presidentin Ronald Regan dhe me Papa Gjon Palin e dytë, sidomos gjatë dekadës së Luftës së Ftoftë të 1980-ve. Ishin këta të dy, protagonistët kryesorë të luftës kundër komunizmit, Presidenti Regan dhe Papa Gjon Pali i dytë, me të cilët dukej sikur Nënë Tereza kishte lidhje të ngushta me ta.

Për Papën Gjon Palin e dytë, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachov është shprehur se shembja e komunizmit do të kishte qenë e pamundur pa kontributin e Papa Gjon Palit të dytë. Ndërsa për Presidentin Regan, Nënë Tereza ka thënë: “Kur presidenti amerikan ishte plagosur në një atentat kundër tij, ajo ishte e bindur se shpëtimi i jetës së Presidentit Regan nga plagët që kishte marrë nga atentati”, në të vërtetë ishte “Një akt hyjnor”.

Image
Nëna Tereze pritet nga Presidenti Reagan në Shtëpinë e Bardhë me 16 Dhjetor, 1985. Nenë Tereza i kishte sjellur Presidentit Reagan një dhuratë me rastin e Festës së Krishtlindjes.
FOTO GALERI
Image
Më 9 dhjetor 1991, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Washington, DC, Presidenti amerikan George H.W. Bush u takua me murgeshën shqiptare Gonxhe Bojaxhiun, alias Nënën Terezë (Shën Tereza e Kalkutës)
FOTO GALERI
Image
Ishte 11 Gushti, i vitit 1971 Nenë Tereza është takuar me një tjetër figurë dominuese të politikës amerikane gjatë dekadave të shekullit të kaluar, Senatorin Edward Kennedy në Kalkuta të Indisë, për të biseduar mbi problemet e refugjatëve. Teresa
FOTO GALERI
Image
Admirimi dhe respekti për Nenë Terezen tejkalonte oborrin e Shëpisë së Bardhë dhe mjediset e presidentëve të dy partive politike. Ky admirim shtrihej edhe tek Kongresi amerikan dhe në mbarë shoqërinë amerikane. Në foto, 5 Qershori, 1997, Nënë Tereza falënderon udhëheqsit e Kongresit për nderimin që i kishin bërë duke ia akorduar asaj Medaljen e Artë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara – medalja më e lartë që jep Kongresi.
FOTO GALERI
Image
Nënë Tereza nuk ngurronte t’i kritikonte as personalitet e larta të politikës amerikane. Në tubimin vjetor “The National Prayer Breakfast” në Washington, 5 Shkurt, 1994, në mbrojtje të parimeve të saja, Nëna Terezë u ngrit në këmbë para Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe Zevendës-Presidentit, Al Gore dhe bashkshorteve të tyre si dhe 4000 personaliteteve pjesëmarrës në atë tubim - nga e gjithë bota – duke deklaruar se, “aborti është vrasje”.
FOTO GALERI
Image
Në këtë 25-vjetor të shkuarjes në amshim të Nenë Terezës me mall kujtoj dhe si privilegj të madh e bekim të jetës time e konsideroj takimin me Nenë Terezën – një takim që mund të ndodh -- nëqoftse dikush është me fat -- vetëm njëherë në jetën e një njeriu. Autori me kolegun dhe mikun e ngusht të familjes, Dr. Elez Biberaj me familjet tona në vizitë me Nenë Terezen – në kryeqendrën e Motrave të Dashurisë të Nenë Terezës, në Washington DC.

Përveç tankeve dhe raketave, Rusia po përdor edhe energjinë si armë dhe këtë dimër po përgatitet t’i japë Evropës një goditje vendimtare në sektorin e energjisë.

Kriza energjitike që ka prekur kontinentin evropian pritet të thellohet me ardhjen e dimrit. Presidenti i Ukrainës pretendon se Rusia do ta përdorë mosfurnizimin e kontinentit me gaz si një armë për t’i dhënë evropianëve një goditje vendimtare.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, lideri ukrainas bëri thirrje për unitet, ndërsa kontinenti përballet me mungesë të energjisë dhe çmime tepër të larta.

Volodymyr Zelensky: Përveç tankeve dhe raketave, Rusia po përdor edhe energjinë si armë dhe këtë dimër po përgatitet t’i japë Evropës një goditje vendimtare në sektorin e energjisë. Transporti i gazit përmes Nord Stream është ndalur plotësisht. Rusia dëshiron të shkatërrojë jetën normale të çdo evropiani në të gjitha vendet e kontinentit tonë.

Akuzat e liderit ukrainas vijnë pasi gjiganti shtetëror rus i energjisë Gazprom nuk i rifilloi dërgesat e gazit përmes tubacionit Nord Stream 1 mëngjesin e së shtunës siç ishte planifikuar.

Kompania ruse pretendoi se tubacioni pësoi një rrjedhje në stacionin e kompresorit Partovaya.

Zelenski u bëri thirrje evropianëve që të koordinohen me kundërmasat e tyre dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin duke bërë thirrje për rritjen e presionit ndaj Rusisë.

2022-09-03

Pse e braktisa Facebook-un dhe Instagram-in, dhe pse nuk do të rikthehem më kurrë

 

TEKNOLOGJI





Në dhjetorin e vitit 2017, vetë studiuesit e Facebook vunë publikisht në dyshim nëse faqja mund të ishte potencialisht një kërcënim për shëndetin mendor të publikut. Tashmë kisha disa muaj që mendoja nëse do të hiqja dorë apo jo prej kësaj platforme. Por ky lajm ishte vendimtar për mua. I braktisa rrjetet sociale.

Dhe arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Vitet e fundit, ka pasur shumë studime, se si një shkëputje nga mediat sociale të përmirëson ndjeshëm mirëqenien tuaj. Unë i lexoja me durim dhe mbaja shënim secilën prej tyre që e hasja, dhe çdo herë bëhesha pak më e zhgënjyer dhe disi më dyshuese për efektet e saj.

Njëkohësisht, kisha vënë re se mënyrat se si i përdorja mediat sociale, ishin bërë befas një pjesë integrale e ekzistencës sime. Dhe kjo ishte diçka, të cilën nuk e kisha llogaritur kurrë. Kështu, pasi lexova atë që po thoshin studiuesit e Facebook, vendosa të bëja të vetmen gjë që munda për të çliruar veten nga e gjithë kjo. Nuk çaktivizova vetëm llogarinë timë në Facebook, por dhe atë në Instagram. Ja pse kjo lëvizje ishte 100 për qind mënyra më e mirë për ta nisur vitin e ri.

Kam më pak arsye për t’i zvarritur gjërat që kanë rëndësi për mua

Unë jam një profesioniste e pavarur. Ndaj nëse nuk punoj, nuk paguhem. Prandaj, është e drejtë të thuhet se Facebook dhe Instagram po ndikonin negativisht në punën time, dhe guxoj ta them edhe mbi të ardhurat e mia. Dita ime e zakonshme e punës ishte pak e shumë kjo: kafe, kontroll i emaileve, nisja të shkruaja, kontrolloja Facebook-un, u përgjigjesha telefonatave, kontrolloja Instagramin, vazhdoja të shkruaja, kontrolloja Facebook-un…

Pra çdo detyrë e lidhur me punën zvarritej për shkak të angazhimit me mediat sociale. Tani që llogaritë në to nuk janë më të aksesueshme, unë nuk kam më mundësi t’i kontrolloj ato. Ndaj arrij të bëj shumë më tepër punë dhe kam kohë për të bërë punë shtesë, si p.sh. t’u përgjigjem më shumë emaileve dhe të bisedoj me klientët e mundshëm. Gjithsesi, është një përvojë e vështirë, pasi dëshira për t’u rikthyer sërish më shfaqet disa herë në ditë, gjë që mund të jetë një shenjë se isha e ndërvarur nga përdorimi i mediave sociale.

Nuk më intereson çfarë bëjnë njerëzit e tjerë

Më vjen turp ta pranoj se më interesonte shumë të mësoja se çfarë po bënin të gjithë në rrethin tim shoqëror. Edhe nëse takoheshin vetëm për kafe apo kishin bërë check-in në kinema, pyesja veten se përse nuk isha në listën e të ftuarve dhe do të filloja të ndihesha shumë e shqetësuar për të gjithë.

Injoranca është vërtet lumturi. Por do të doja që këtë gjë ta kisha zbuluar më herët. Kur nuk jeni me ta, nuk ka asgjë veçanërisht të dobishme ose produktive të dish se çfarë po bëjnë njerëzit. Për momentin, nuk e kam as idenë më të vogël se çfarë po bëjnë njerëzit që njoh. Dhe e dini çfarë? As që më intereson. Unë jam duke u marrë me punët e mia, dhe ata po ashtu. A nuk ekzistonte jeta sociale edhe para rrjeteve sociale?

Njerëzit që kanë rëndësi për mua, më kontaktojnë ende

Frika ime më e madhe nga shkëputja përgjithmonë nga rrjetet sociale, ishte se nuk do të kisha asnjë mënyrë për të mbetur në kontakt me njerëzit përreth meje. Nga ngjarjet tek grupet, Facebook ofron një mënyrë shumë të lehtë për të qëndruar në kontakt me rrethet tuaja sociale. Kisha përshtypjen se nëse nuk do të kisha më një profil, do ta kisha të vështirë të ruaja marrëdhëniet e mia dhe do të isha gjatë gjithë kohës jashtë ciklit figurativ. Fatmirësisht, asgjë nuk mund të ishte më larg të vërtetës. Miqtë e mi dhe anëtarët e familjes që kanë më shumë rëndësi për mua, u përshtatën shumë shpejt me ndryshimin.

Meqë nuk arrita të bëja njoftimin e madh “Unë po largohem nga Facebook!”, disa prej tyre me kontaktuan shumë shpejt për të mësuar se çfarë më kishte ndodhur. Në dy javët e fundit, kam pasur më shumë mesazhe se kurrë më parë. E vërteta është se Facebook-u nuk krijon miqësi; është thjesht një platformë. Kur ta braktisni, njerëzit që kanë rëndësi do të jenë ende aty.

Ftesat që marr janë më të sinqerta

Sa shumë ftesa përmes Facebook që merrja dikur! Të ftoheshe në klube e grupime të pafundme çdo ditë ishte rraskapitëse. Shumicën e kohës, këto ftesa nuk ishin kërkesa të sinqerta për pjesëmarrjen time, por një mënyrë për të rritur numrat në faqet e ngjarjeve apo për të shitur bileta para kohe. Sot nuk më mungojnë ftesat për aktivitete të ndryshme, madje ato janë plotësisht të sinqerta.

Ndihem e lirë ta jetoj momentin

Nuk e kisha kuptuar më parë, por në disa aspekte, unë e jetoja jetën time për hir të rrjeteve sociale. Kur dilja për të ngrënë me miqtë ose familjen, bëja gjithmonë një pauzë për t’i bërë një foto ushqimit të shpejtë që po hanim për ta hedhur në Instagram. Sa herë që takoja dikë për të biseduar, do të përdorja Facebook-un për të check-uar në cilindo bar apo kafene që frekuentonim.

Story im në Instagram ishte vazhdimisht plot me video dhe foto që dokumentonin jetën time të përditshme. Ishte një varësi, një sëmundje. Tani që nuk jam më e detyruar të përditësoj jetën time, gjërat janë pak më ndryshe. Unë ulem për të ngrënë një vakt diku dhe shoh se si duket pjata për veten time dhe për askënd tjetër.Takohem dhe bisedoj me miqtë e mi realisht. Bëj gjëra dhe i shijoj ato pa e menduar fare se sa bukur do të duken në Story-n tim në Instagram. Është çliruese në një mënyrë që nuk e kisha menduar kurrë se mund të ishte dhe të paktën tani për tani, e dua faktin që po e jetoj jetën time për kënaqësinë time dhe jo për mediat sociale.

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...