Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/09/04

Kompensim 50 euro për inflacionin/ Vendimi i qeverisë së Kosovës për të ndalur grevat, ministri sulmohet me miell

 

Pas grevave dhe kallëzimeve penale nga punëtorët e sektorit publik, Qeveria e Kosovës ka reaguar për kërkesat e tyre.

Si pako të përballjes me inflacionin, Ministri i Financave njoftoi se punëtorët e këtij sektori do të marrin shtesat prej 50 eurove deri në fund të vitit.

Edhe pse do të përfitojnë 50 euro, kërkesë e punëtorëve të sektorit publik ishte shtesa prej 100 eurove deri në miratimin e Projektligjit të Pagave, që për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, është kërkesë e paarsyeshme.

Kështu, edhe krerët e sindikatave e quajtën këtë vendim të njëanshëm dhe nuk do e ndalin grevën.

Për këtë pako dhe gjuhën e përdorur të Qeverisë karshi punëtorëve Partia Social Demokrate zhvilloi një aksion, ku Ministrin e Financave, Hekuran Muratin e gjuajtën me miell.

Me pakon për përballje të inflacionit qeveria ka ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, dyfishon asistencën sociale dhe subvencionon faturat e energjisë elektrike për ata që e kursejnë.

Kryeministri Albin Kurti ;Pres nga Ana Bërnabiç të mos japë deklarata përçarëse

 

Kryeministri Albin Kurti sërish ka folur për vizitën e nesërme të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç në veriun e Mitrovicës, Zveçan dhe Leposaviç, duke thënë se pret nga ajo që të mos vazhdojë deklarata përçarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin.

Kurti në një konferencë për media, tha se kërkesa për vizitën e Bërnabiç në veri të Kosovës, ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës ka bërë kërkesë për vizitën e Besnik Bislimit në Luginën e Preshevës.

Kurti: Pres që Bërnabiç të mos japë deklarata ndarëse

“Shpresojë që edhe vizitat e zyrtarëve pas qarkullimit të lirë të qytetarëve do t’i kontribuojnë lëvizjes së lirë në përgjithësi, po ashtu pres që zonja Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishte për qëllim tensionimin dhe destabilizimin, kemi nevojë të përqendrohemi tek jeta më e mirë e qytetarëve”, tha Kurti.

Ai shtoi se Qeveria për këto më pak se një vit e gjysmë, ka bërë më shumë se sa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave të komitetit pakicë.

Kurti: Punësimi i pakicave është bërë me librezë partiake, ne këtë e luftojmë

“Po këtu e kemi një vështirësi sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike jo sipas përkatësisë nacionale, pra partitë politike edhe te komitetet joshumicë i kanë përpiluar listat e atyre që janë punësuar në institucionet publike. Ne këtë e luftojmë tek të gjithë qytetarët dhe kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën vetëm tek shumica shqiptare, ka ndodhur edhe te pakica serbe, ka ndodhur edhe te pakicat e tjera, pra punësimi edhe i serbëve në institucionet publike ka shkuar me librezë politike dhe ne i kemi vështirësitë e ndryshimit të kësaj sepse nuk është lehtë një avaz njëzet vjeçar të ndryshojë më pak se sa një vit e gjysmë”, tha ai, duke shtuar se Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Ministria e Inovacionit po përpiqen që të mos e përjashtojë askënd sa i përket punësimit pas shkollimit por natyrisht duke respektuar kushtetutën ligjet e vendit tonë.

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate i hedhin miell ministrit të Financave zt.Hekuran Murati

 

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate, kanë zhvilluar një aksion ku i kanë hedhur miell ministrit të Financave të Kosovës, Hekuran Murati, pas prezantimit te pakos për përballjen me inflacionin.

Videon e ka postuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, të cilin e ka quajtur aksion simbolik për punëtorët.

“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedent që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë”, ka shkruar ai.

Pakoja parashikon subvencion të faturave të energjisë elektrike për qytetarët që kursejnë energjinë dhe fillon nga shtatori.

Gjithashtu parashikohet 100 euro shtesë për pensionistët dhe studentët, dyfishim të pensionit për familjet me asistencë sociale, 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim me 50% të pagës me rritje për bizneset private që në këtë kohë ua rrisin pagën punëtorëve dhe 50 euro shtesa deri në fund të vitit për punëtorët e sektorit publik.

Sektori publik ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesa deri në miratimin e Projektligjit të Pagave, prandaj nuk heqin dorë nga greva përkundër shtesave që ka prezantuar sot qeveria e Kosovës, sepse sipas tyre vendimi për ndarjen e 50 eurove është i njëanshëm.

Top Channe

Në grevë edhe shëndetësia/ Në Kosovë, kanë mbetur pa marrë pagat e muajit gusht

 

Përveç mësimdhënësve dhe shërbyesve cilivë që janë në grevë edhe punëtorët shëndetësor kanë mbetur pa pagat e muajit gusht.

Kjo çoi në protestë këtë të premtë edhe punëtorët në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të cilët kërkuan pagesën për punën që kanë bërë dhe arsyen pse nuk janë paguar.

Mosekzekutimi i pagave vetëm për punonjësit shëndetësor e ka vështirësuar punën e tyre.
Ndërkohë, nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor ka kërkuar që ekzekutimi i pagave të bëhet të premten dhe Qeveria të heqë dorë nga ky lloj i kërcënimit.

Qeverisë afat deri më pesë shtator për ekzekutimin e pagave i kanë dhënë edhe shërbyesit civil. Kështu komunat planifikojnë që nëse një gjë e tillë nuk realizohet do të marrin masa të tjera ligjore.

Sindikata e Arsimit me kallëzim penal ndaj Qeverisë kërkon pagat e mësimdhënësve që u ndalën pas fillimit të grevës në arsim, derisa Thesari i Shtetit thotë se ekzekutimin e pagave do ta bëjë kur të marrë listat e plota të punëtorëve.

Këshilli i Prindërve takohet me Osmanin, kërkon ndërprerjen e grevës

 

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi tha se kanë kërkuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani që të ndalohet greva dhe të fillojë mësimi prej së hënës.

Ai pas takimit me presidenten Osmani së bashku me Këshillin e Nxënësve si dhe koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, tha se kanë gjetur mbështetje të plotë nga Presidenca me të gjitha kërkesat.

“Kërkuam që mësimi të fillojë sa më parë, qysh të hënën…Ne vazhdojmë të besojmë që e drejta kushtetuese e fëmijëve tanë për të shkuar në shkollë nuk mund të cenohet me asnjë të drejtë, qoftë edhe për arsye materiale apo të tjera. Duhet të gjendet një zgjidhje tjetër nga pala për të mbrojtur të drejtat e tyre, sepse kjo dëmton kryekëput dhe vetëm prindërit dhe fëmijët”, tha ai sipas Kosovapress.

Ndërsa tha se nuk është detyrë e tyre të gjejnë zgjidhje mes palëve, por ka shtuar se bllokimi i plotë i sistemit arsimor është i papranueshëm.

“Nuk është roli ynë që të gjejmë një zgjidhje mes palëve. Ne kemi shprehur vlerësimin e prindërve dhe gjithë organizimeve tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve që bllokimi i plotë i sistemit arsimor dhe i pa afat është i pa pranueshëm për ne. Si i tillë shkel rëndë të drejtën e fëmijëve”, theksoi Demi.

Ai tha se ia kanë shprehur SBASHK-ut këtë qëndrim, mirëpo tha se edhe ata kanë argumentet e tyre.

Top Channel

​Kosovë, SBASHK-u: Greva ndalet kur të plotësohen kërkesat tona

 

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se greva në sektorin e arsimit ka ardhur si rezultat i mungesë së dialogut me qeverinë Kurti, ndërsa ka quajtur edhe një herë legjitime kërkesat e grevistëve duke theksuar se ata nuk do të heqin dorë nga greva pavarësisht pakos prej 50 eurosh.

Këto komente i bëri pas takimit sot me presidenten Vjosa Osmani me të cilën ka biseduar mbi kërkesat e grevistëve në sektorin e arsimit.

“Ne lutëm presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj që të ndikojë që sot ose nesër të ulemi me përfaqësues të qeverisë, sepse siç i thamë edhe asaj (presidentes) kjo pakoja, le ta quajnë si të donë, 50 euro nuk është realizim i kërkesave tona. Ne kemi qenë të qartë. Qeveria mund të jep pako dhe ne i gëzohemi çdo ndihme që i jep kujto do qoftë në Republikën e Kosovës, por qeveria duhet të ulet me ne dhe të fillojmë realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj derisa të bëhet ligji i pagave, të formohen grupet e përbashkëta qeveri-sindikatë dhe të punojmë ligjin e pagave bashkërisht”, ka thënë Jasharaj, sipas Kosovapress.

Ai tha se gjatë takimit nga presidentja Osmani ka marrë zotimin që do të ndryshohet kriteri për 15 vjet për skemat pensionale për punonjësit kontributdhënës që kanë punuar gjatë viteve ’90 në mënyrë që ata të mund ta arrijnë më lehtë  pensionin e punës.

“Është moment i ri që shembullin e presidentes ta marrin edhe kryeministri dhe ministrat që sot ose nesër të ulemi që të bëjmë zgjidhje. Unë ia bëra me dije presidentes se në situatën në të cilën ndodhemi, edhe pas këtij takimi, fatkeqësisht që në situatën që jemi greva do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Jasharaj u është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Albin Kurti se mësimdhënësit po nxjerrin analfabetë dhe se kërkesat e grevistëve janë të tepërta.

“Të bëhet një vlerësim i tillë të cilin nuk e ka bërë askush. Nëse prodhohen 67 për qind analfabetë duhet të mbyllen shkollat. Kjo shifër nuk është e saktë, nuk e di nga e kanë marrë. Por edhe nëse kemi një cilësi të tillë, SBASHK-u nuk është fajtor, sepse as nuk bën plan-programe, as nuk merr kuadro në shkollë”, ka thënë Jasharaj.

SBASHK-u ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave.

Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës.

“Ballkani i hapur një grup jo formal shtetesh”/ Hoxhaj: Kosova të sillet në mënyrë konstruktive

 

Nënkryetari i kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj është i mendimit se Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur” dhe në këtë mënyrë të rrisë bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Në një intervistë për “Top Story”, Hoxhaj u shpreh se Kosova duhet të marrë pjesë në organizatat apo nismat rajonale.

“Sa kam qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ne kemi ndjekur një qasje që qasje që Kosova të jetë pjesë e çdo organizatë, në çdo nismë rajonale. Ballkani i Hapur nuk është as organizatë, është një grup joformal i shteteve, sikurse është G7 apo G20. Dhe në pikëpamjen time, për Kosovën do të ishte e lehtë nëse sillet në mënyrë konstruktive, kreative dhe merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe kërkon mbështetje nga shtetet që ne të bëhemi pjesë edhe e Këshillit të Europës, që të bëhemi pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s. Nuk mund t’i thuash jo një nisme joformale për bashkëpunim në rajon dhe të kërkosh nga partnerët, nga shtet të ndryshme që të të mbështesin, qoftë në Strasburg, qoftë në Bruksel”.

“Open Balkan” u krijua me nismën e Edi Ramës, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, që e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon që Kosova të bëhet pjesë e nismës, për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovës si shtet të pavarur.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...