Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/09/26

Pse nuk kemi klonuar ende një njeri?


Foto ilustrim

Në vitin 1996, delja Dolly bëri bujë në mbarë botën, pasi u bë gjitari i parë që u klonua me sukses nga një qelizë e kultivuar në laborator. Shumë njerëz menduan në atë kohë se ai moment, do të shënonte fillimin e një epoke të artë të klonimit.Madje ishin të shumtë ata që spekuluan se kloni i parë njerëzor, duhet ishte me siguri vetëm disa vite larg. Pati nga ata që sugjeruan se klonet njerëzore mund të luanin një rol në zhdukjen e sëmundjeve gjenetike.

Të tjerë mendonin se procesi i klonimit, mund të eliminonte përfundimisht defektet e lindjes (pavarësisht një studimi nga një grupi shkencëtarësh francezë në vitin 1999, që zbuloi se në fakt klonimi mund të rrisë rrezikun e defekteve të lindura ose kongenitale).

Që nga ajo kohë ka pasur pretendime të ndryshme – të gjitha të pabazuara – për programe të suksesshme të klonimit njerëzor. Në vitin 2002, Brigitte Boisselier, një kimiste franceze, pretendoi se ajo dhe një ekip shkencëtarësh kishin sjellë me sukses në jetë njeriun e parë të klonuar, të cilin ajo e quajti Eva.

Por Boisselier nuk ishte e gatshme – ose më saktë në gjendje – të jepte ndonjë provë për këtë. Prandaj besohet gjerësisht se ajo po gënjente. Por pse pas gati 30 vjetësh pas Dolly, nuk ka ndodhur ende klonimi i një njeriu? A ka ndodhur kjo për arsye kryesisht etike, a ka pengesa teknologjike, apo thjesht nuk ia vlen që të bëhet diçka e tillë?

“Klonimi” është një term i gjerë, duke qenë se mund të përdoret për të përshkruar një sërë procesesh dhe qasjesh. Por synimi në çdo rast është të prodhohen “kopje gjenetikisht identike të një entiteti biologjik”, sikurse e përcakton Instituti Kombëtar i Kërkimeve mbi Gjenomin Njerëzor (NHGRI) në SHBA.

Çdo tentativë për klonimin e njeriut, ka shumë të ngjarë të përdorë teknikat e “klonimit riprodhues”, një qasje në të cilën do të përdoret një “qelizë somatike e pjekur”, me shumë mundësi një qelizë e lëkurës. ADN-ja e nxjerrë nga kjo qelizë, do të vendoset në vezën e një dhurueseje, të cilës “i është hequr bërthama e saj që përmban ADN”.

Më pas veza do të zhvillohet në një epruvetë, përpara se të “implantohet në mitrën e një femre të rritur”. Por ndërsa shkencëtarët kanë klonuar shumë gjitarë, duke përfshirë lopët, delet, dhitë, lepujt dhe macet, njerëzit nuk kanë hyrë ende në këtë listë.

Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye pozitive për të prodhuar klone njerëzore”- thotë Hank Greely, profesor i së drejtës dhe gjenetikës në Universitetin e Stenfordit, i specializuar në çështjet etike, ligjore dhe sociale që lindin nga përparimet e bioshkencës.

Sipas tij klonimi i njeriut është një veprim veçanërisht dramatik. Problemet etike rreth klonimit njerëzor janë të shumta dhe të ndryshme, dhe përfshijnë “rreziqet psikologjike, sociale dhe fiziologjike”. Këtu përfshihet edhe ideja se klonimi mund të çojë në një “probabilitet shumë të lartë” të humbjes së jetës, por edhe të nxisë shqetësimet rreth përdorimit të klonimit nga mbështetësit e eugjenikës.

Për më tepër, pretendohet se klonimi shkel “parimet e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe barazisë”.

Përveç kësaj, klonimi i gjitarëve ka sjellë historikisht shkallë jashtëzakonisht të larta të vdekjes dhe anomali në zhvillimin e kloneve. Një nga problemet kryesore sa i përket klonimit njerëzor, është se në vend të krijimit të një kopjeje fizike të një personit origjinal, ai do të prodhonte një individ me mendimet dhe opinionet e tij.

“Ne të gjithë i kemi njohur klonet. Binjakët identikë janë klonet e njëri-tjetrit. Ndaj të gjithë e dimë që klonet nuk janë i njëjti person”- thekson më tej Greely. Sipas tij një klon njerëzor, do të kishte vetëm të njëjtën përbërje gjenetike si dikush tjetër. Por ata nuk do të ndanin gjëra të tjera si personaliteti, morali apo sensi i humorit:ato do të ishin unike për të dyja palët.

Njerëzit janë shumë më tepër sesa thjesht një produkt i ADN-së së tyre. Ndërsa është e mundur të riprodhohet materiali gjenetik, nuk është e mundur të përsëriten saktësisht mjediset e jetesës, të krijohet një edukim identik, apo që dy njerëz të ndeshen më të njëjtat përvoja jetësore.

Pra në rast se shkencëtarët do të klononin një njeri, a do të kishte ndonjë përfitim, shkencor apo të ndonjë lloji tjetër? “Nuk ka asnjë që ne duhet të jemi të gatshëm ta shqyrtojmë ëtë gjë”- shprehet Greely, që shton se shqetësimet e natyrës etike do të ishin të pamundura të anashkaloheshin.

Por nëse do të hiqeshin tërësisht nga ekuacioni konsideratat morale, atëherë Greely thotë se “një përfitim teorik, do të ishte krijimi i njerëzve gjenetikisht identikë për qëllime kërkimore”. Ideja e përdorimit të embrioneve të klonuara për qëllime të ndryshme nga krijimi i foshnjave, si për shembull prodhimi i qelizave burimore embrionale njerëzore, identike me qelizat e një donatori, u diskutua gjerësisht që në fillim të viteve 2000.

Por gjërat morët një hov të ri pas vitit 2006, kur u zbuluan të ashtuquajturat qeliza staminale pluripotente të induktuara (iPSCs). Këto janë qeliza “të kultivuara”, që janë ri-programuar që t’i ngjajnë qelizave në zhvillimin e tyre të hershëm.

Marrë me shkurtime nga LiveScience

Si do të formohet superkontinenti i ardhshëm


Richard FisherNGA RICHARD FISHER 
Foto ilustrim

Gati 500 vjet më parë, hartografi flamand Geradus  Merkator krijoi një nga hartat më të rëndësishme të botës. Sigurisht, ajo nuk ishte përpjekja e parë për një atlas botëror, dhe as nuk ishte dhe aq e saktë. Aty mungonte Australia, dhe 2 Amerikat ishin paraqitur me përafërsi. Që atëherë, hartografët kanë prodhuar versione gjithnjë e më të sakta, duke i korrigjuar gabimet e Merkator. Por harta e këtij të fundit, së bashku me të tjerat e prodhuara nga bashkëkohësit e tij të shekullit XVI-të, zbuluan një pamje vërtet globale të masave tokësore të Tokës.

Image
Projeksioni origjinal i Mercator nga viti 1569
FOTO GALERI

Por ajo që nuk dinte Mercator, është se kontinentet nuk kanë qenë të vendosura gjithmonë në këtë mënyrë. Ai jetoi rreth 400 vjet përpara se të konfirmohej Teoria e Tektonikës së Pllakave. Kur sheh pozicionet e 7 kontinenteve në një hartë, është e lehtë të supozohet se ato janë fikse. 

Image
Aurica, superkontinenti që mund të formohet nëse Atlantiku dhe Paqësori mbyllen

Për shekuj me radhë, qeniet njerëzore kanë luftuar dhe kanë bërë paqe mbi pjesën e tyre të këtyre territoreve, me supozimin se toka e tyre, por edhe ajo e fqinjëve të tyre, ka qenë gjithmonë, dhe do të jetë gjithmonë atje. Megjithatë nga këndvështrimi i Tokës, kontinentet janë si gjethet që lëvizin nëpër një pellg. 

Dhe të gjitha shqetësimet njerëzore, janë si një pikë shiu mbi sipërfaqen e gjethes. Të shtatë kontinentet ishin dikur të mbledhura në një masë të vetme, një superkontinent i quajtur Pangaea. Dhe para kësaj, ka prova për të tjera që shtrihen në një periudhë kohore prej mbi 3 miliardë vjet:Panotia, Rodinia, Kolumbia/Nuna, Kenorland dhe Ur.

Image
Novopangaea do të formohet nëse aktiviteti tektonik i njohur sot vazhdon pa surpriza

Gjeologët e dinë se superkontinentet shpërndahen dhe mblidhen sërish bashkë sipas disa cikleve. Aktualisht  jemi në gjysmë të rrugës. Atëherë si mund të jetë superkontinenti në të ardhmen? Ekzistojnë të paktën 4 skenarë të ndryshme, që tregojnë se një ditë qeniet e gjalla të Tokës, do të banojnë në një planet shumë të ndryshëm, që do të duket më shumë si një botë aliene.

Image
Nëse formohet Amasia, do të jetë për shkak se kontinentet u zhvendosën drejt veriut 

Gjeologu Zhoao Duarte i Universitetit të Lisbonës në Portugali, thotë se rruga për të eksploruar superkontinentete ardhshme të Tokës, nisi me një ngjarje të pazakontë në të kaluarën. Një tërmet që e goditi Portugalinë mëngjesin e një të shtune në nëntorin e vitit 1755. 

Ai ishte ndër tërmetet më të fuqishme të 250 viteve të fundit, që vrau mbi 60.000 njerëz dhe që shkaktoi një cunami që goditi deri përtej Oqeanit Atlantik. Ajo që e bëri veçanërisht të çuditshëm atë tërmet ishte vendndodhja e tij. “Në Atlantik nuk duhet të ketë tërmete të mëdha. Ai tërmet ishte vërtet i çuditshëm”-thotë Duarte.

Tërmetet e kësaj shkalle, ndodhin zakonisht në zonat kryesore të zhytjes, aty ku pllakat oqeanike zhyten nën kontinente, shkrihen dhe konsumohen në mantelin e nxehtë. Ky proces shkakton lëkundje të forta dhe shkatërrime të mëdha. 

“Qepjet” midis këtyre pllakave mund të zbërthehen, dhe mund të jetë e afërt një këputje e madhe. Nëse do të ndodhë vërtet, atëherë mund të krijohet një e çarë nga Mesdheu përgjatë Afrikës Perëndimore dhe ndoshta deri në Irlandë dhe Britaninë e Madhe, duke shkaktuar vullkane, ndërtime malesh dhe tërmete të forta në këto rajone. 

Image
Pangea Ultima është ende e rrethuar nga një oqean i madh, por ka një det qendror brenda tij

Duarte thotë se kjo mund të çojë në mbylljen e Atlantikut. Dhe nëse do të vazhdonte të mbyllej edhe Paqësori – gjë që tashmë po ndodh përgjatë “Unazës së Zjarrit” që e rrethon atë, do të formohej një superkontinent i ri. Ai e quajti atë Aurika, për shkak se në qendër të saj do të ndodheshin ish-masat tokësore të Australisë dhe Amerikës.Më vonë Duarte hipotetizoi edhe skenarë të tjerë të ardhshëm. Bashkë me oqeanografin Matias Grin në Universitetin Bangor në Uells, e kuptuan se kishin nevojë për dikë që të krijonte disa modele dixhitale. Dhe ajo ishte kolegia e tij, Hana Dejvies, një tjetër gjeologe në Universitetin e Lisbonës. 

Puna e tyre çoi në 4 skenarë. Përveç modelimit të një tabloje më të detajuar të Aurika-s, ata eksploruan edhe 3 skenarë të tjerë, secila i projektuar të ndodhë afro 200-250 milionë vjet nga tani. Skenari i parë ka të bëjë me atë që mund të ndodhë nëse vazhdon statuskuoja: Atlantiku qëndron i hapur dhe Paqësori mbyllet. 

Në këtë skenar, superkontinenti që formohet do të quhet Novopangaea. Por mund të ketë edhe ngjarje gjeologjike në të ardhmen që të çojnë në rregullime të ndryshme. Një shembull është një proces i quajtur “ortoversion”, ku Oqeani Arktik mbyllet dhe Atlantiku dhe Paqësori mbeten të hapura. 

Në mesin e oqeanit Atlantik, ka një kreshtë gjigante që përgjysmon dy pllakat kontinentale. Ajo kalon nga Islanda deri në jug të Atlantikut. Këtu po formohet litosfera e re, cila në fund mund të formojë një superkontinent të quajtur Pangea Ultima.

Modelet e superkontinenteve të ardhshme të Tokës, mund të shërbejnë edhe si një tregues për të kuptuar klimën e ekzoplaneteve. Për këtë të fundit 3 ekspertët bashkëpunuan me Majkëll Uej, fizikant në Institutin Godard të NASA-s për Studimet Hapësinore. 

Image
Çfarë lloj rregullimi kontinental mund të kenë botët e alienëve shkëmborë?
FOTO GALERI

Modelimi i klimës së superkontinentit të ardhshëm nga Uej – që zgjati për disa muaj duke përdorur një superkompjuter – zbuloi disa ndryshime të habitshme midis 4 skenarëve. Për shembull Amasia, do të çonte në një planet shumë më të ftohtë sesa në skenarët e tjerë. 

Me masën tokësore të përqendruar rreth Polit të Veriut dhe oqeaneve, që kanë më pak gjasa të bartin rryma të ngrohta në gjerësi gjeografike më të ftohta, do të krijoheshin shtresa akulli. Ndërkohë Aurika do të kishte një klimë më të butë dhe më të thatë, me brigje të ngjashme me ato të Brazilit të sotëm.

Marrë me shkurtime nga BBC

Si mund të mbahet një planet me 11 miliardë njerëz? Një ekuacion shumë kompleks

 

Foto ilustrim

Nëse bazohemi tek parashikimet e Kombeve të Bashkuara, me të cilat bien dakord shumica e ekspertëve, deri në vitin 2011 Toka mund të banohet nga gati 11 miliardë njerëz, ose 3 miliardë më shumë se 8 miliardët që banojnë aktualisht.Tre miliardë të tjerë në 79 vjet është një shifër mbresëlënëse. Por mos harroni se mjaftuan vetëm 36 vjet për t’i shtuar një shifër të ngjashme 5 miliardë banorëve të arritur në vitin1985. Në fakt, shkalla e rritjes së popullsisë së botës është vazhdimisht në rënie.

Rritja vjetore ishte 2.5 për qind gjysmë shekulli më parë, aktualisht është më pak se 1 për qind, dhe pritet të jetë afro zero nga fundi i këtij shekulli. Megjithatë, për pjesën tjetër të shekullit do të jetë e nevojshme që të ushqehen, strehohen, vishen, sigurohet ujë dhe energji, hapësirë ​​dhe mallra të të gjitha llojeve, për 3 miliardë njerëz më shumë, duke krijuar presione të reja mjedisore në një territor “fiks”, që është krijuar tani nga njeriu, drejtpërdrejt (ndërtimet, infrastruktura, bujqësia) apo indirekt (kullotat e menaxhuara dhe pyjet), në rreth 2/3 e planetit.

Rritja e demografike përcakton një rritje të densitetit të popullsisë dhe ndryshime në shpërndarjen e vendbanimeve, me efekte direkte dhe indirekte në emetimet e gazrave serë dhe rrjedhimisht në ngrohjen globale.

Për shembull, emigrimi shoqërohet me shpyllëzimin dhe degradimin e pyjeve tropikale – Amazon, pellgun e Kongos dhe lumenjtë e tjerë të mëdhenj të Azisë Jugore. Proceset e shpyllëzimit janë shumë aktive në Afrikë dhe Amerikën Latine, pjesërisht si rezultat i emigrimit dhe ndërhyrjes.Popullsia e zonave bregdetare, dhe veçanërisht ato që janë më shumë të rrezikuara, me një lartësi më të vogël sesa 10 metra mbi nivelin e detit, rritet shumë më shpejt se ajo e zonave të brendshme. Rreziku rritet për të parën. Përmbytjet dhe cunami, dhe brishtësia e këtyre vendeve do të theksohet akoma më shumë nga rritja e pritshme e niveleve të detrave.

Një pasojë tjetër e presionit demografik është zgjerimi i agregateve të mëdha njerëzore:mega-qytetet e mëdha me mbi 10 milionë banorë (të cilët midis viteve 1990-2018, u rritën nga 10 në 33), me 7 për qind të popullsisë botërore, që prodhon 13 për qind të mbetjeve dhe që konsumon 10 për qind të energjisë, duke gjeneruar ndotje shumë më të madhe sesa ndikimi i tyre demografik dhe ekonomik.

Për më tepër, procesi i vazhdueshëm i ngrohjes globale mund të çojë në shkretëtirëzimin e rajoneve të thata, në të cilat jetojnë qindra miliona njerëz, të cilët merren kryesisht me bujqësi dhe blegtori, duke gjeneruar kësisoj presione negative mbi standardet e jetesës dhe duke nxitur presionet migratore.

Prandaj, presionet demografike mbi mjedisin janë të shumëfishta; dhe jo të gjitha ato janë të pakthyeshme. Ato janë graduale me kalimin e kohës; ka procese të përshtatjes dhe mbrojtjes. “Banorët e Tierra del Fuego, Kepit të Shpresës së Mirë apo Tasmanisë në njërën hemisferë dhe rajonet e Arktikut në tjetrën”- shkroi Darvini – “duhet të kenë përjetuar shumë klima dhe të kenë ndryshuar zakonet e tyre shumë, për të arritur në vendbanimet e tyre të zakonshme”.

2022/09/25

Çfarë e shkakton një cunami?

 


Foto ilustrim

Më 15 janar të këtij viti, vullkani Hunga Tonga-Hunga Ha’apai në Tonga shpërtheu fuqishëm, duke shkaktuar një cunami që rrugëtoi nëpër Oqeanin Paqësor në të gjitha drejtimet.

Vetëm rreth 12 orë pas shpërthimit fillestar, dallgët e cunamit dhjetëra centimetra të larta goditën brigjet e Kalifornisë, që ndodhen më shumë se 8.000 km larg nga shpërthimi. Unë jam një oqeanograf, që studion dallgët dhe vorbullat oqeanike.

Cunami janë një nga temat e mia të preferuara që u mësoj studentëve të mi, pasi fizika e mënyrës se si lëvizin ato nëpër oqeane, është shumë e thjeshtë dhe elegante. Dallgë disa dhjetëra centrimetra të larta që përplasen mbi një plazh në Kaliforni, mund të mos tingëllojnë si dallgë shkatërruese që të sjell ndërmend ky term.

Por pavarësisht nga madhësia, cunamit nuk janë dallgë normale. Po si ndryshojnë ato nga dallgët e tjera të oqeanit? Çfarë i gjeneron ato? Si udhëtojnë kaq shpejt? Dhe pse janë kaq shumë shkatërruese? Shumica e dallgëve gjenerohen nga era që fryn mbi sipërfaqen e oqeanit, duke e transferuar energjinë dhe duke e zhvendosur ujin.

Ky proces krijon dallgët që shihni çdo ditë në plazh. Cunami krijohet nga një mekanizëm krejtësisht i ndryshëm. Kur një tërmet nënujor, shpërthim vullkanik apo një rrëshqitje dheu zhvendos një sasi të madhe uji, ajo energji duhet të shkojë diku. Ndaj gjeneron një sërë dallgësh.

Por në dallim dallgët e krijuara dhe drejtuara nga era, ku energjia kufizohet në shtresën e sipërme të oqeanit, energjia e dallgëve të cunamit, shtrihet në të gjithë thellësinë e oqeanit. Për më tepër, shumë më tepër ujë zhvendoset në një cunami, sesa me një dallgë të drejtuar nga era.

Tërmetet mund të zhvendosin lehtësisht sasi të mëdha uji, dhe të shkaktojnë një cunami të rrezikshëm. E njëjta gjë vlen edhe për rrëshqitjet e mëdha nënujore. Në rastin e cunamit të Tonga, shpërthimi masiv i vullkanit e zhvendosi ujin.

Disa shkencëtarë po spekulojnë se shpërthimi vullkanik, shkaktoi gjithashtu edhe një rrëshqitje nënujore, që kontribuoi në sasinë e madhe të ujit të zhvendosur. Studimet e ardhshme, do të ndihmojnë në konfirmimin nëse kjo është e vërtetë apo jo.

Duke bërë këtë, zbuloni një shpejtësi mesatare prej rreth 700 kilometra në orë. Pra shumë më e shpejtë se shpejtësia e dallgëve tipike, të cilat mund të kenë një shpjtësi nga 15-50 km/h. Cunami i 15 janarit goditi Santa Kruzin në Kaliforni,12 orë e 12 minuta pas shpërthimit fillestar në Tonga. Santa Kruz ndodhet 8.528 kilometra larg nga Tonga, gjë që do të thotë se cunami udhëtoi me një shpejtësi 697 km/h, pra gati identik me vlerësimin e shpejtësisë të llogaritur duke përdorur thellësinë mesatare të oqeanit.

Cunamit janë një dukuri e rrallë në krahasim me dallgët e kudondodhura të shkaktuara nga era. Por shpesh ato janë shumë më shkatërruese. Kështu Cunami i vitit 2004 në Oqeanin Indian vrau 225.000 njerëz. Më shumë se 20.000 njerëz humbën jetën në cunamin që goditi pas tërmetit Japoninë në marsin e vitit 2011.

Po çfarë i bën cunamit shumë më shkatërrues sesa dallgët normale? Në oqeanin e hapur, dallgët e cunamit mund të jenë të vogla, dhe madje mund të mos pikasen nga njerëzit në një varkë në sipërfaqe. Por kur cunami i afrohet tokës, oqeani bëhet gradualisht më i cekët dhe e gjithë energjia e dallgës që shtrihej mijëra metra deri në fund të oqeanit të thellë nis të kompresohet.

Uji i zhvendosur duhet të shkojë diku, dhe i vetmi vend është më lart, ndaj dallgët bëhen gjithnjë e më të larta ndërsa i afrohen bregut. Kur cunami dalin në breg, ato shpesh nuk ngrihen dhe përthyhen si një dallgë tipike oqeanike.

Përkundrazi ato janë më shumë si një “mur” i madh uji që mund të përmbytë territorin afër bregut. Duket sikur niveli i detit rritet papritmas me disa metra. Kjo mund të shkaktojë përmbytje dhe rryma shumë të forta që mund të zhvendosin me lehtësi njerëzit, makinat dhe ndërtesat.

Fatmirësisht, cunamit janë dukuri të rralla dhe jo aq befasuese sa dikur. Sot ekzistojnë një grup i gjerë sensorësh të presionit të poshtëm, të quajtur bovat DART, që mund të ndiejnë një dallgë cunami.

Ato i japin mundësi agjencive qeveritare të dërgojnë paralajmërime për banorët përpara mbërritjes së cunamit. Nëse jetoni pranë një bregu, sidomos në Oqeanin Paqësor ku ndodhin shumica dërrmuese e cunamit, sigurohuni atë mbërrini sa më parë në pikën më të lartë gjeografike të zonës.

Pse u shemb perandoria britanike?

 


Perandoria Britanike ishte më e madhja në historinë e njerëzimit

Perandoria Britanike ishte më e madhja në historinë e njerëzimit. Në kulmin e saj në vitin 1920, ajo kishte një shtrirje prej 25 për qind të masës tokësore të botës, ose 35.5 milionë km2. Pra 4 herë më të madhe sesa sipërfaqja aktuale e SHBA-së, dhe 2 herë më të madhe sasa Rusia.

Ishte shumë e madhe dhe shumë e kushtueshme

Qeverisja e një territori prej 35.5 milionë km2 me një popullsi prej 538 milion njerëzish, pati një kosto shumë të madhe. Sipas politikanit britanik Denis Helej, që në vitin 1880, Perandoria Britanike po fitonte më pak sesa shpenzonte.

Po ashtu taksapaguesi britanik paguante 2.5 herë më shumë për mbrojtjen e perandorisë, sesa qytetarët e vendeve të tjera të zhvilluara. Kjo barrë u bë shumë më e dukshme, kur Britania u detyrua të harxhonte shumë nga burimet e saj në Luftën e Parë Botërore që zhvillohej në Evropë, por edhe Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Lufta e Parë Botërore i rrënoi financat e Britanisë së Madhe

Kostoja e madhe financiare e Luftës së Parë Botërore, e goditi fort Marinën Mbretërore të Britanisë, e cila u arrit shumë shpejt në madhësi nga Marina e SHBA-së dhe ajo e Japonisë. Në vitin 1921, PBB e saj ishte vetëm sa 87.1 për qind nivelit të tij të vitit 1913. Do të duhej të vinte viti 1925, që të arrihej PBB-ja e paraluftës.

Lufta e Dytë Botërore, ishte edhe më dërrmuese në aspektin ekonomik

Lufta e Dytë Botërore thuajse e boshatisi arkën e Britanisë së Madhe. Ekonomisti i famshëm britanik Xhon Mejnard Kejnes, negocioi në marsin e vitit 1946 marrjen e një huaje prej 3.75 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, dhe të një huaje më të vogël nga Kanadaja. Kreditë u shlyen plotësisht 60 vjet më vonë, në dhjetor 2006. Me Britaninë e falimentuar dhe të lodhur nga lufta, vëmendja e kombit ishte fokusuar mbi çështjet e brendshme dhe jo ato të jashtme.

Ndër disfatat më të rënda ishte rënia e Singaporit që ndodhi midis 8-15 shkurtit 1942. Gjatë atyre 7 ditëve, trupat japoneze të udhëhequra nga Tomojuki Jamashita, mposhtën një ushtri britanike më të madhe në numër. Vetë kryeministri britanik Uinston Çërçill e përshkroi rënien e Singaporit si “katastrofën më të rëndë dhe kapitullimin më të madh në historinë e vendit”.

SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, e refuzuan kolonializmin evropian

Edhe pse kishte vetë baza në Porto Riko, Filipine dhe Paqësor, Shtetet e Bashkuara nuk e miratuan modelin evropian të kolonializmit. Presidenti Herri Truman deklaroi në një rast: “Unë kam qenë gjithmonë kundër kolonializmit. Kolonializmi në çdo formë, është i urryer për amerikanët. Amerika e zhvilloi luftën e saj çlirimtare kundër kolonializmit dhe ne do ta shohim gjithmonë me simpati dhe mirëkuptim dëshirën e njerëzve kudo që të jenë të lirë nga skllavëria koloniale”.

Ndërkohë anti-imperialistët në mbarë botën e shihnin Bashkimin Sovjetik si një burim frymëzimi. Kjo sepse anti-imperializmi, ishte një element qendror i mendimit bolshevik. Vladimir Lenini e quante imperializmin si “shkallën më të lartë të kapitalizmit”. Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik filloi të zgjerojë ndikimin e tij global në kurriz të atij britanik.

Çërçill i humbi zgjedhjet e vitit 1945

Përpara se të shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve të pasluftës më 26 korrik 1945, kryeministri Uinston Çurçill ishte i bindur për fitoren. Tek e fundit ai e kishte udhëhequr vendin në fitoren e luftës më të madhe që kishte parë ndonjëherë bota. Megjithatë, ai do të humbiste përballë Partisë Laburiste të Klement Etlit, që premtoi reforma të thella sociale që përfshinin punësimin, strehimin, sigurimet shoqërore dhe kujdesin shëndetësor shtetëror.

Qeveria e re laburiste e mbështeti pavarësinë e Indisë, kolonisë më të madhe britanike.

Kriza e Suezit

Kriza nisi kur presidenti egjiptian Gamal Abdel Naser, vendosi shtetëzimin e Kanalit të Suezit, një rrugë ujore jetike e cila kishte qenë deri në atë kohë në pronësi të kompanisë së Kanalit të Suezit, një ndërmarrje britaniko-franceze.

Kjo lëvizje e zemëroi shumë kryeministrin britanik Entoni Iden, që thuhet se deklaroi: “Unë dua rrëzimin e këtij njeriu. Nuk më intereson nëse ka anarki dhe kaos në Egjipt. Unë dua ta heq qafe Naser!”. Britania dhe Franca negociuan një plan të fshehtë pushtimi me Izraelin.

Lufta u nis 10 brigada izraelite më 29 tetor 1956. Ndërsa forcat egjiptiane u mposhtën fillimisht nga sulmi i beftë i Izraelit, Britania dhe Franca nisën fazën tjetër të planit më 5- 6 nëntor. Ato pushtuan Port Said dhe Port Fuad dhe duke bombarduar forcat ajrore të Egjiptit.

Por pushtimi i Britanisë u dënua me shpejtësi nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Kur OKB-ja kërcënoi me sanksione, filloi paniku ekonomik, duke shkaktuar humbjen e dhjetëra miliona paund nga rezervat e Britanisë.

Situata u komplikua kur presidenti amerikan Ajzenhauer i bëri presion Fondit Monetar Ndërkombëtar që  t’i mohonte ndihmën financiare Britanisë. Në këto kushte, Londra u tërhoq nga Suezi. Ajo ngjarje tregoi se kishte mbaruar epoka e perandorisë britanike./Marrë me shkurtime nga Grunge

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...