2023-04-05

Mevi Rafuna: Sipas logjikës së propaganduesve, unë si fëmijë i luftës jam një “tradhëtare”

 


 

Nëse unë si fëmijë i luftës qenkam tradhtare,atëherë të gjithë fëmijët e luftës në Kosovë janë tradhëtarë.

E dyta aq shumë keni ba për shtetin që e shndërruat në Mahallë, saqë gjenerata ime dhe fëmijët që lindën pas lufte i latë pa Ardhmëri, i mbyllët mijëra shtëpi me dry dhe i latë pleqtë jetimë në pleqëri.

Kjo është pasqyra reale e situatës së tanishme në Kosovë, sepse të gjitha idealet u dhunuan në mënyrën më të neveritshme dhe ne mbetëm pa asgjë.

Njeriu mëson nga librat, mëson nga gabimet e veta dhe nga gabimet e të tjerëve.

Veprat e mira dhe të këqija reflektojnë si pasqyra.

Ka njerëz që unë kurrë nuk dua të bëhem si ata.

Ka njerëz që kurrë nuk kisha dashur të jem nën lëkurën e tyre.

Po e shoh që postimet e mia  të fundit-  shpirtvegjëlit flasin dhe shpifin ndaj meje.

Por unë nuk mërzitem –  ata që janë shpirtvegjël e nuk e dinë çfarë është Drejtësia, Dija  dhe Dashuria për Dijen.

Parimet njerëzore çdokujt nuk i bien taman.

Prandaj nuk mërzitem.

Buda thotë “Dielli,  Hana dhe e Vërteta nuk mund të fshihen”.

Sadik Elshani: Romanet e Kadaresë, në një kurs veror të gjuhës franceze

 


Ismail Kadare, 27 janar 2023, Bar Juvenilja, Tiranë

 

Ismail Kadare është shkrimtari ynë më i madh, më i afirmuar ne arenën ndërkombëtare dhe sot zë një vend të rëndësishëm e të nderuar në letërsinë botërore. Në këtë shkrim po sjell disa kujtime për vlerësimet që i janë bërë  veprës së tij në një kurs veror të gjuhës franceze në fund të viteve ‘70-të, kur sapo kishte filluar të bëhej emër i njohur në Francë.

Gjatë viteve të mia të studimeve, por edhe pas  mbarimit  të studimeve, për disa vite me radhë gjatë pushimeve të verës kam ndjekur në Francë një kurs të gjuhës, letërsisë dhe qytetërimit francez. Kursi në fjalë zhvillohej në qytetin e vogël, Menton, në Bregdetin Azur, mu në kufi me Italinë. Për bukurinë dhe magjepsjen e tij e quajne “perle de la France” (“margaritari i Francës”). Pjesëmarrësit e atij kursi vinin nga shumica e shteteve të Europës dhe disa vendeve të tjera të botës. Në periudhën 1978 – 1987 kam marrë pjesë gjashtë herë në atë kurs dhe kam qenë shqiptari i vetëm. Gati për të gjithë isha shqiptari i parë që ata kishin parë  ndonjëherë. Unë në fillim (1978) kisha shkuar gati pa ditur asnjë fjalë, prandaj në ato fillime e kisha shumë të vështirë komunikimin. Përveç librave, më duhej të shoqërohesha edhe me pjesëmarrësit e tjerë për të patur më shumë mundësi për të ushtruar gjuhën. Si të thuash, isha bërë si “i përkëledhuri” i atij kursi, të gjithë mundoheshin të më tregonin diçka, të më mësonin ndonjë fjalë të re. Ata e dinin që vija nga ish Jugosllavia (jam lindur e rritur në Kosovë), por habiteshin kur u thoja se jam shqiptar. Atëhere më duhej t’u spjegoja pak historinë tonë për t’i sqaruar gjërat. Pra, në bazë të “njohurive” të mia të gjuhës franceze, unë u caktova në klasën e fillestarëve.

Profesoresha ime, zonja Andree Guignaud, ishte një profesoreshë nga po ai qytet, një zonjë mjaft e sjellshme e me plot kulturë – zonjë tipike franceze. Ajo e njihte shkëlqyeshëm edhe gjuhën gjermane, sepse vinte nga krahina e Alzasit. Trupin pedagogjik të atij kursi e përbënin shumë profesorë të universiteteve të njohura, të cilët ishin specialistë të gjuhës dhe letërsisë franceze dhe që kishin përvojë me studentët e huaj. Kishte profesorë nga Universiteti i Sorbonës, Heidelbergut, Kolumbias (Nju Jork), Helsinkit, etj.

E dija që disa vepra të Ismail Kadaresë ishin përkthyer frëngjisht në fillim të viteve ‘70-të dhe ai gëzonte një popullaritet të lakmueshëm në Francë, sidomos me romanin e tij, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Pas disa ditësh pasi isha sistemuar në atë kurs dhe pasi tani njiheshim deri-diku me profesoreshën time, i tregova se ne kemi një shkrimtar të njohur me emrin Ismail Kadare, veprat e të cilit ishin  përkthyer në gjuhën franceze dhe nga kureshtja e pyeta se a kishte dëgjuar për të, apo kishte lexuar ndonjë libër të tij. “Jo”, më tha, ende nuk kishte dëgjuar për Ismail Kadarenë.

Pas disa ditësh kur m’u dha mundësia e parë, dola për ta vizituar qytetin. Qyteti i vjetër shtrihej në një kodër, me ato rrugicat e ngushta më kujtonte qytetet shqiptare, Prizrenin, Beratin, Gjirokastrën, kuptohet, pa detin. Pranë detit kishte një shëtitore të gjerë e të bukur me plot restorante e hotele. Qyteti vlonte nga turistët. Mua më tepër më interesonte të gjeja një librari dhe ja diku afër qendrës së qytetit e pashë një. Menjëherë u futa brenda dhe fillova të kërkoja veprat e Ismail Kadaresë. Ajo ishte një librari relativisht e vogël, por për kënaqësinë time, aty e gjeta romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (“Le general de l’armee morte”), një botim i formatit “liber xhepi” (“Livre de poche”). Në këtë format në Francë botoheshin librat që ishin shumë të popullarizuar me lexuesit dhe që shiteshin shumë (“bestseller”). Ja pra, një nga ata libra ishte edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. E bleva të vetmen kopje që ishte në atë librari dhe ia dhurova profesoreshës sime. Pas ca ditësh, pasi e kishte përfunduar së lexuari romanin, ajo më tha se kishte mbetur e mahnitur; se ishte një roman i mrekullueshëm, një rrëfim krejt origjinal për luftën dhe tmerret e saj, shkruar me një stil të lart, figuracion mjaft të pasur dhe se  kishte kohë që nuk kishte lexuar diçka të tillë. Ndërsa për Ismail Kadarenë tha se ishte një shkrimtar mjaft i talentuar me shije të holle artistike e imagjinatë të pasur. Pastaj ajo më tha se kishte mbetur e befasuar që një shkrimtar i kalibrit të tillë dhe një vepër aq cilësore si “Gjenerali” të vinte nga një vend i vogël e i izoluar si Shqipëria e atyre viteve, vend për të cilin ajo gati nuk dinte asgjë. Kuptohet, pastaj vinin me radhë bisedat për Shqipërinë, shqiptarët, historinë, artin, kulturën, traditat shqiptare. Vepra e Kadaresë ishte një pikënisje e mirë për biseda të tilla.

Më vonë kur m’u dha rasti e vizitova edhe Nicën që është qyteti më i madh dhe qendra e atij rajoni dhe kuptohet, që edhe libraritë i kishte më të mëdha se ato të Mentonit. Aty i gjeta të gjitha veprat e Ismail Kadaresë që ishin botuar gjer atëhere: “Kështjella” që në frëngjisht ishte botuar nën titullin “Daullet e shiut” (“Les tambours de le pluie”), “Kronikë në gur” (“Chronique de la ville de pierre”), “Dimri i madh” (“Le grand hiver”) dhe vepra të tjera dhe ato që do të përktheheshin më vonë ndër vite. Përveç profesoreshës Guignaud, librat e Kadaresë ua dhuroja edhe profesorëve të tjerë si dhe disa miqve të mi. Që të gjithë e shprehnin adhurimin, vlerësimet më të larta për Kadarenë dhe veprat e tij dhe të gjithë e shihnin si një kandidat potencial për Çmimin Nobel. Veprat e Kadaresë për ta ishin një zbulim i këndshëm, u kujtonin Kafkën. Zonja Guignaud u bë një adhuruese e Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Kur Kadareja shkonte herë pas here në Francë dhe jepte ndonjë intervistë në televizionin francez, profesoresha menjëherë më shkruante për këtë: “Mbrëmë zoti Kadare ka dhënë një intervistë në televizionin francez – ishte i mrekullueshëm”.

Kursi zhvillohej paradite dhe pasi hanim drekë, pasditen zakonisht e kalonim në plazh. Një pasdite kur po shkoja në plazh e pashë një profesoreshë të kursit që e kishte ulur kokën dhe po lexonte diçka. Kur më vërejti që po shikoja në drejtim të saj, më buzëqeshi, sikur donte të më thonte se isha duke e takuar tamam në çastin e duhur. Kur iu afrova edhe më afër, e ngriti librin që ishte duke lexuar dhe po më tregonte mbulesën, ishte romani “Kronikë në gur”, të cilin ditë më parë ia kisha dhuruar një profesorit tim. Nga përkushtimi që i kisha bërë në libër, ajo e kishte parë që ishte një dhuratë nga unë. Pasi u përshëndetëm dhe unë u ula afër saj, ajo m’u drejtua: “Sapo kam filluar ta lexoj, por po e shoh që është një libër shumë interesant, i shkruar me një gjuhë të bukur, mjaft shprehëse e poetike. Qytet shumë i çuditshëm me një arkitekturë interesante, të pashoqe”. Pastaj i përsëriti disa fjali nga libri që i kishin bërë përshtypje për pjerrësinë e atij qyteti (Gjirokastrës): “Po të rrëzohesh në skajin e një rruge, do të bije mbi kulmin e një shtëpie dhe po ta zgjasje dorën nga rruga, mund ta vëje kapelen në majën e një minareje”. “Shumë interesant”, vazhdoi ajo, është një roman shumë poetik. I thashë se edhe Mentoni me pjerrësinë e tij po më kujtonte Gjirokastrën, se kështu quhej ai qytet që njëherësh ishte edhe vendlindja e shkrimtarit. I tregova që e kisha lexuar romanin në gjuhën shqipe dhe vërtet ishte një roman, një prozë e bukur poetike – për mua, vepra më e mirë që kishte shkruar Kadareja gjer atëhere dhe me siguri do të mbetej vepra më e mirë e tërë krijimtarisë së tij. I thashë se më pëlqente shumë ky roman dhe se pjesën e fundit, “Memoriale”, e kisha mësuar përmendësh. Ashtu?! – ma ktheu e habitur. Biseduam pastaj për Kadarenë dhe krijimtarinë e tij.

Për suksesin e një vepre të përkthyer në një gjuhë të huaj, merita jo të pakta i takojnë edhe përkthyesit. Nga ky parim nuk bëjnë përjashtim as veprat e Ismail Kadaresë të përkthyera me aq mjeshtëri në gjuhën franceze.Të gjithë profesorëve të mi që i kishin lexuar veprat e Kadaresë, kuptohet, përveç tematikës, ngjarjes, stilit, u kishte bërë mjaft përshtypje edhe përkthimi i mrekullueshëm – “par excellence”. Thonin se ishte një frëngjishte e përkryer: e pasur, elegante, e pastër, e rrjedhshme – përkthyesi me siguri duhej të ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës franceze. Këtë e thonin ata që ishin specialistë të njohur të gjuhës franceze, të cilën e kishin edhe gjuhë amtare. Pyesnin se kush ishte përkthyesi, por emri i përkthyesit atëhere nuk dihej , vetëm shkruhej se ishte përkthyer nga shqipja (traduit de l’albanais). Aty diku nga viti 1984 filloi të paraqitej emri i përkthyesit, ishte Jusuf Vrioni (1916 – 2001), për të cilin përveç emrit gati askush nuk dinte asgjë. Vepra e Kadaresë ka qenë me fat që në gjuhën franceze është përkthyer nga një mjeshtër, njohës i shkëlqyer i gjuhës franceze, përsëri, “par excellence”. Pa përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit, me siguri vepra e Kadaresë nuk do të mund të depërtonte me aq sukses në një vend si Franca që ka një lexues të edukuar, me kërkesa të larta e shije të hollë artistike. Prandaj, këto ditë kur po festojmë 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit tonë të njohur, duhet ta nderojmë dhe ta kujtojmë edhe përkthyesin e tij të suksesshëm, Jusuf Vrionin, në 100 vjetorin e lindjes.

I solla sot këto kujtime në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit tonë më të madh, jo për ta mburrur veten, sepse nuk kam bërë asgjë, por vetëm për të shpalosur krenarinë që unë ndjeja si bashkëkombas i Ismail Kadaresë,  kënaqësinë time kur e shihja nga afër se si vlerësohej një shkrimtar shqiptar në një mjedis aq të kulturuar, nga njerëz që ishin specialistë të gjuhës dhe letërsisë franceze. Vlerat e vërteta janë përfaqësuesit, ambasadorët më të mirë të një kombi dhe ne të gjithë duhet të perpiqemi që të krijojmë vlera e të bëjmë përpjekje që t’i përhapim ato vlera në të gjitha mënyrat brenda mundësive tona.

I urojmë shkrimtarit tonë të nderuar shëndet, jetë të gjatë e punë të sukseshme, të na dhurojë vepra edhe më të mira në të ardhmen!

Philadelphia, 20 janar, 2016.

Ndue Dedaj: Një urim ndryshe për Kadarenë

 


DY FJALË HYRËSE

Më 28 janar 2023 është 87-vjetori i shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Është kënaqësi dhe detyrim moral ta urojmë të gjithë, por druaj se nuk do të mund ta bëjmë si duhet këtë gjë, ngaqë kohët e fundit kemi fituar një zakon të mbrapshtë, sapo vjen ditëlindja e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës apo Ibrahim Rugovës, nuk bëjmë gjë tjetër, por i sulemi internetit, bubërrojmë andej-këndej nëpër “Google”, deri sa të kapim ndonjë fotografi, copëz biografike, poezi a diçka tjetër dhe me copy paste e plasim drejt e në murin tonë në “Facebook”.

Ky është trendi i sotëm mbarëpopullor, ku të gjithë i thonë të gjitha dhe njëherësh asgjë. Askush, përpos politikanëve mediokër, nuk ka nevojë për këtë soj tollovie të rrjeteve sociale, aq më pak një shkrimtar i njohur botërisht. Do të ishte krejt ndryshe nëse gjithsekush që dëshiron të përfshihet në këtë “kuvend” të postonte diçka vetjake që lidhet me veprën e Kadaresë, si leximin e këtij apo atij libri të tij, recitimin e ndonjë poezie, rekomandimin e ndonjë libri të autorit nipave e mbesave etj. Fotografia me Kadarenë nuk na bën ai.

Për të mos rënë dhe vetë në korin e urimeve allaj soj, rilexova këto ditë librin “Tri këngë zie për Kosovën” dhe mbresat po i paraqes në vijim, duke kursyer kësaj here fotografinë me shkrimtarin, bërë shumë vite më parë në njërin nga panairet e librit në Tiranë, kur ai vizitoi stendën e shtëpisë botuese “Mirdita”. Teksti i mëposhtëm nuk është një analizë e mirëfilltë letrare, por disa mendime të lira për veprën.

1.

Njëzet e pesë vjet më parë, më 1998, Ismail Kadare botoi librin “Tri këngë zie për Kosovën”, me botues “Onufri”-n. Ky libër përbëhet nga novelat: “Lufta e vjetër”, “Zonja e madhe” dhe “Lutje mbretërore”, që na shpien larg në kohë, në betejën e Fushë – Kosovës 1389, që ende na vjen përmes letërsisë si një jehonë e kobshme ballkanase.

Autori me imagjinatën e tij pjellore ka zbritur në histori dhe ka projektuar një nga gjëmat e Gadishullit luajtur në tokën shqiptare. Nuk ka dashur të japë si te “Kështjella” përmasat epike të betejës, alarmet, gjëmimin e topave, zemëratën e princërve, por përmes shtjellimit filozofik të vërë në spikamë pësimet e historisë, ato që nuk u bënë kurrë mësime.

Ai na thotë se ballkanasit nuk fituan as të vetmen herë që u bënë bashkë, ngaqë mendjen e kishin vetëm te gardhi i tyre, d.m.th., ndarjet e përçarjet. Një përballje etnish, perandorish, religjionesh, kulturash, qytetërimesh, ku medoemos dikush duhej të humbiste e dikush tjetër të fitonte, duke qenë më pas fituesi (sido që të ishte) sunduesi i rendit të ri. Kadare, me stilin e tij dantesk, rikrijon artistikisht plojën e asaj lufte apokaliptike ballkanase, kur lëviznin korrierë memecë e korrierë llafazane, përhapeshin kumte të rreme e kumte të vërteta:

“Që këmbeheshin letra të shkruara në gjashtë gjuhë e katër alfabete, kjo ishte jashtë çdo dyshimi. Po se ç’shkruhej në to, veç një Zot e dinte. Do të ndeshet Islami me Kryqin, thuhej se shkruhej në dërgesën e sulltanit turk. O njëri, o tjetri le të bjerë. Po një tjetër burim sillte të kundërtën. S’ka nevojë të vringëllojmë armët, bijtë e mi, në tokë, ashtu si në qiell, ka vend për të gjithë, edhe për kryqin tuaj, edhe për gjysmëhënën tonë”. (Tri këngë zie, f. 14).

Ishte vetëm një ditë para Luftës dhe ndërsa ushtria turke po i jepte dorën e fundit taktikës së mundjes se të krishterëve ballkanas (serbë, shqiptarë, boshnjakë, rumunë, bullgarë etj.) si të mos kishin kuptuar asgjë, “rapsodët kishin nisur ndërkaq fillimet e këngëve të tyre, secili në gjuhën e vet. Ato ngjanin me këngët e hershme, madje dhe fjalët ishin po ato. Ndonëse “princat kishin bërë besëlidhje kundër turqve”, pleqtë serbë këndonin: “O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët”, dhe po ashtu lahutarët shqiptarë: “Ngrehuni burra, se po ia behin shkjetë”. (Tri këngë zie, f. 18).

A nuk është ky refreni i gjashtëqind vjetëve mes këtyre dy popujve?

“Këngët e tyre ishin po aq të egra sa dhe armët e tyre”, shkruan Kadare.

Në këto novela ravijëzohen silueta rapsodësh ballkanikë, “rreth një dyzinë”, që presin të hedhin në telat e lahutës betejat, fitoret, lavditë, por që në këtë luftë Fushë-Kosove nuk kanë se ç’këndojnë, pasi princat dhe ushtritë ballkanase kanë pësuar disfatë të rëndë. Kanë humbur luftën. Vrasja e sulltan Muradit plak nuk është një ngushëllim për ta, edhe pse në vetvete ishte një ngjarje e rrallë.

Por edhe pse kishin humbur, edhe pse rapsodi serb Vladan mund t’ia merrte hua lahutën rapsodit shqiptar, Gjorg Shkrelit, ngaqë e kishte humbur të veten, ata prapë këndonin “njëri pas tjetrit, secili në gjuhën e vet, këngën e vjetër e të ftohtë si guri. Mjegull e madhe fushën e mëllenjave e mbuloi, ngrehuni serbë, se Kosovën e mori shqiptari. O se ç’ra një mjegull e zezë, çohuni shqiptarë se në Kosovë ra shkjau”. (Tri këngë zie, f. 70).

Metafora e mjegullës nuk është e rastit në këtë pasazh, ashtu si dhe dy perdet e tymit që ushtritë ndërluftuese (ballkanike dhe turke) krijojnë me anë të zjarrit, për të mos parë njëra-tjetrën, si për të thënë se ajo luftë vjen e mjegulluar, si nga legjendat.

Në kështjellën ku ishin ftuar të këndonin rapsodët europianë, ndërsa ata frëngj e gjermanë këndonin këngët epike të heronjve të tyre (përkatësisht Rolandit e Zigfridit) etj., ballkanasit, me gjithë dëshirën e Zonjës së Madhe që të flisnin a të këndonin për gjëra të tjera të popujve të tyre, nuk arrinin ta bënin këtë, pasi ishin rapsodë lufte dhe dinin vetëm të urreheshin mes tyre, si një shëmbëllesë e largët e tragjedive greke.

Ajo nuk mund të mos tmerrohet kur vëren se osmanët kanë shpërthyer oborrin e shtëpisë së madhe, që është Europa, kurse ballkanasit nuk shohin asgjë, por forcojnë portat e kështjellave të tyre, shtojnë rojet te pirgjet, teksa për më larg sytë i kanë të verbuar. Bash për këtë moskuptim të tyre tragjik (duke perifrazuar një vepër tjetër të Kadaresë – Laokoontin) duket se ajo bie “dëshmore” e idealit të saj europian. Ashtu siç ndodh gjithnjë me veprat e Kadaresë, të gjendurit përherë mes situatash befasuese, në pjesën e tretë, Muradi I, duke kundruar ngjarjet ballkanike në pasvdekjen e tij pesë-gjashtë shekullore bën “lutjen mbretërore” të pazakontë: “Jepmë më në fund harrimin, Zoti im! Bëj që ta heqin gjakun tim nga kjo fushë e ftohtë…”.

Ngjan se të gjithë heronjtë apo antiheronjtë duan të çlirohen nga pengjet e së kaluarës, përpos atyre që ende i mbajnë ngrehur muranat e përgjakura të Ballkanit. “Tri këngë zie për Kosovën”, falë mjeshtërisë së autorit, është një prozë e gjithëkohshme, si të jetë shkruar në shekullin XIV, si në motin e fundit të shekullit XX, aq gjatë ka shtegtuar “rapsodia” e urrejtjes mes ballkanasve. Libri është njëherësh një pamflet artistik, që nuk mban anësi. Kadare e ka parë dramën në rrafsh filozofik, ndryshe nga rapsodët, gjegjësisht udhëheqësit e popujve të rajonit që ende nuk e kanë gjetur gjuhën e bashkëkohësisë, evropeizmit, për të cilën u vetësakrifikua në novelë Zonja e Madhe, që më shumë se një personazh ngjan një ikonë simbolike që shfaqet kurdoherë si një yll polar për të na kujtuar udhën kah Europa.

Tashmë, Kosova këndon këngën e saj të paqes, ani se prapë mjegullnaja rreth saj nuk është larguar krejt, siç shohim herë pas here të ngrihet e trazuar mbi Ibër, si ato “perdet” e tymit që ushtritë e Fushë Kosovës shkaktonin përmes zjarrit të ndezur para shatorreve të mbretërve të tyre… Është shkruar shumë për stilin e shkrimtarisë së Kadaresë dhe nuk ka një “përkufizim” të tijin e mbase nuk do të ketë, aq i ndryshëm dhe i pazakontë është ai si rrokje dhe përfytyrim, sintaksë dhe ligjërim, ku epokat shtresëzohen si mademet e një miniere polimetalore nga antikiteti, mesjeta, në fundshekullin XX.

“Evropa është si mushkë xanxare, padishahu im, dhe këta tre gadishuj që i varen poshtë, janë si tre këmborët e saj. Pasi ta shurdhojmë të parën tokën e ballkanasve, do t’i sulemi të dytit, Italisë, atje ku ka lindur dhe kryqi i të pabesëve. Pas tij do t’i biem të tretit, vendit të Spanjës, atje ku islami ka qenë dikur dhe e kanë dëbuar”, është ky shpjegimi që pashai i deteve i bën në divanhanen e tij sulltan Muradit përpara hartës së Europës. (Tri këngë zie, f. 17).

Krejt natyrshëm në një frazë me tri fjali të shkurtra rrinë pranë gjera aq të largëta: “punishtet e armëve dhe tavernat (që) rrinin hapur gjer natën vonë”, “krerët (që) lidhnin e zgjidhnin aleancat”, “gratë (që) shpejtonin të mbeteshin shtatzëna”.

2.

Kadare dhe Kosova rrojnë në “shtëpinë” e njëri-tjetrit. Shkrimtari ka qenë gjithnjë syri dhe veshi i Kosovës, kurse kjo e fundit ka qenë fryma e tij e vazhdueshme. Kjo marrëdhënie apo ngjizje ka krijuar poezi kadareane kushtuar fillimisht qiellit kosovar (“mes reve të tua të rënda”) që prej gjashtëdhjetë vitesh, romane, ese, letra për Kosovën drejtuar Rambujesë, bisedë përmes hekurash me Ukshin Hotin etj. Si mund të jenë të rënda, retë? Ato janë të atilla kur gjëmimet e tokës janë të rënda dhe Kosova ashtu i kishte pasur gjëmimet e saj gjatë shekujve.

Mesqershori i këtij viti na sjell një përvjetor të trishtë, atë të filozofit e politologut Ukshin Hoti, që do të ishte 80 vjeç, po që ka mbetur 56. Po bëhen njëzet e katër vjet që ai nuk bëhet i gjallë. Të gjithë thonë se është zhdukur, por nuk duam ta besojmë, përderisa ai nuk ka një varr ku të vihen lule dhe të prehen lotët e Kosovës, edhe pse ka një shtatore, një imazh filatelik dhe Universitetin e Prizrenit që ia trashëgon emrin. Jeta e tij pati një kurbë të shkurtër, 17 qershor 1943 deri më 16 maj 1999. Enigma nuk ka mundur të zgjidhet nga askush, as nga shteti i Kosovës, as nga ndërkombëtarët, as nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Çfarë, ku dhe si ndodhi gjëma e tij? Befas të ndërmendet “Procesi” i Kafkës. Ditën që Ukshin Hoti do të linte hekurat e kryqëzuara, dy roje të burgut të Dobravës e nxjerrin nga qelia dhe e dërgojnë… në zhdukje, mosgjetje! Aq i madh kishte qenë mallkimi i Millosheviçit ndaj tij, sa ai nuk mund të ishte i gjallë as pasi kishte kryer pesë vite burg. Tirani e dinte se Hoti ishte orakulli i popullit të vet, udhërrëfyesi dhe fatthënësi i Kosovës. Kadare, që e kishte përjetuar fatin e rëndë të ideologut, duke u përpjekur të bëhej shpëtimtar i tij, do të shkruante më pas: “Ukshin Hoti ndodhet tani në larginë. Le të shpresojmë që ai të jetë ende në botën e të gjallëve.

Megjithëse çfarëdo qoftë trajta e tij trupore, guri ku mbështet kryet ose mbulesa sipër tij, shpirti i tij është i paprekur. Ai shpirt i lirë ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat e në letrat e tij. E mbi të gjitha ai shtjellet i plotë e ngadhënjyes në lirinë e Kosovës”. Heroi i mendimit, Ukshin Hoti, pati fatin që rrallë filozof tjetër ka pasur, t’i nënshkruante me gjakun e tij idetë dhe idealin për çështjen shqiptare. Thënia e tij “Një Serbi që mban të pushtuar Kosovën, nuk është as vetë e lirë”, vlen dhe për sot, përderisa Beogradi nuk rresht së vëni barrikada herë pas here mbi udhët e veriut të Mitrovicës.

(Shënime rreth librit “Tri këngë zie për Kosovën”, etj.)

Kur Kadare vlerësonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës

 


France. IDF. Paris. Saint Germain des Prés. Café de Flore.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare shpalljen e pavarësisë së Kosovës e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme për historinë tonë dhe një ditë jashtëzakonisht të madhe. “Është e pamjaftueshme, duket e zbehtë, jo në gjatësinë e kësaj dite, domethënë gjuha është e zbehtë, e papërgatitur për një ngjarje kaq të madhe, që vjen njëherë në disa shekuj. Ne të gjithë po e përjetojmë këtë gjë dhe e kemi të vështirë ta shprehim, por kjo nuk na pengon ta ndjejmë në thellësinë më të madhe të saj”, u shpreh sot Kadare për RTK. Duke vlerësuar zhvillimet pas deklaratës së pavarësisë, Kadare tha se liria është parimi më i madh dhe më sublim në botë dhe fakti që dita e sotme kudo në të gjitha mediat botërore ndiqet me një lloj ndjenje gati të shenjtë. Kjo, siç tha ai, ka lidhje me faktin se populli i Kosovës, bashkë me gëzimin e tij po i tregon gjithë botës, përkatësisht po i rikujton edhe njëherë se s’ka gjë më sublime se liria. “Popujt që kanë atë ndonjëherë jo që harrojnë, por ndoshta nuk e çmojnë aq sa ata që e përjetojnë për herë të parë, si të thuash është modeli i përjetshëm i lirisë që i pret të gjithë dhe kështu shpjegohet kjo ditë, dhe sidomos sot gjithë bota është e elektrizuar dhe e ndjek si asnjëherë tjetër këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën. Ne kemi parë shumë shtete që janë themeluar këto dhjetë vitet e fundit, por asnjëri prej tyre, asnjë shtet i ri nuk ka pasur këtë eksitim ndërkombëtar, këtë ndezje siç të thuash, këtë emocion të krijuar dhe po krijon sot në gjithë planetin tokësor Kosova. Është vërtetë një gjë e mrekullueshme, shqiptarët e Kosovës e patën këtë fat”. Kadare tha se ka raste kur e drejta ka humbur në këtë botë, ka raste kur popujt nuk kanë fituar dot. Andaj ai tha se duhet kujtuar të gjithëve për ta çmuar më tepër këtë që ndodhi me popullin e Kosovës, sepse mund të mos ndodhte në qoftë se nuk do të ngriheshin shqiptarët me armë për lirinë, në qoftë se nuk do të kishim mirëkuptim me aleatët perëndimorë. “Pra e thashë këtë gjë që të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm që kjo që po ndodh është një fat i madh, fati nuk erdhi sigurisht nga qielli, por erdhi nga vetë populli i Kosovës, erdhi nga miqtë tanë amerikanë, evropianë dhe miqtë tanë kudo që janë në botë. Prandaj të jemi pra të ndërgjegjshëm që është një fitore tepër, tepër e madhe dhe ta çmojmë thellësisht këtë që po ndodh, të ndërgjegjshëm që po na ndodh diçka e madhe, që ndodh rrallë në jetën e popujve”, tha në fund të deklaratës së tij Kadare dhe ua uroi këtë kremte të gjithë shqiptarëve në Kosovë, siç u shpreh, “me një dashuri të madhe të jashtëzakonshme”.

Relacion te Feçor Shehu mbi dëshminë e Fadil Paçramit për implikimin e Kadaresë

 


 

 

Miratohet

ZV.MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME

FEÇOR SHEHU

“SEKRET”

Ekz. Nr. 1

Tiranë, më 1. IV. 1977

 

RELACION MBI TË IMPLIKUARIN ISMAIL KADARE

 

Ismail Halil Kadare, i datëlindjes 1933 *, lindur në Gjirokastër, banues në Tiranë, A.P. i martuar me familje, me arsim të lartë, shkrimtar në profesion të lirë.

Gjatë ndjekjes dhe të zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami e me bashkëpunëtor kryesor Todi Lubonjën e Dashnor Mamaqin, rezulton se në ngarkim të Ismail Kadaresë kanë dalë këto materiale:

-Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar: “Unë kam patur pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë në çështjen e trajtimit të konflikteve në fushën e letërsisë, artit e kulturës. Konfliktet në gjirin e popullit I kam nxjerrë më të mprehta se ç’duhej, veprim ky që shpinte në zgjidhje të padrejta, në kundërshtim me vijën e Partisë, të konflikteve në gjirin e popullit… Unë me këtë pikëpamje kam inkurajuar dhe krijuesit e tjerë për të trajtuar çështjen e konflikteve po në këtë mënyrë. Biseda të tilla për këtë çështje kam zhvilluar me Ibrahim Uruçin, Kujtim Spahivoglin, Bardhyl Kosovën, Riza Hajron, Qamil Buxhelin e Ismail Kadarenë… Me këto pikëpamje unë kam shtrembëruar realitetin tonë, duke e trajtuar burokratizmin si një fenomen që ka amrrë përpjestime të gjera tek ne, aparatet dhe administratat tona krejt të burokratizuara dhe drejtuesit si burokratë… duke vepruar në këtë mënyrë, hapa shteg që edhe krijues të tjerë si Qamil Buxheli, Faslli Haliti, Ismail Kadareja, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Viktor Qurku etj., të veprojnë në të njëjtën mënyrë… Unë edhe ën çështjet e folklorit kam mbajtur qëndrime që mohonin vlerat e foklorit dhe hapnin rrugë për shëmtira të huaja. Dua të theksoj këtu për pikëpamje të tilla një artikull të Ismail Kadaresë, që bënte fjalë kundër shfaqjeve të folklorizmit në fisa shkrimtarë e poetë, sit ë Kol Jakovës në poemën “Kruja” etj., por që në fakt i bënte një goditje vetë foklorit. Mua më pëlqeu ky artikull se ishte i përafërt me pikëpamjet e mia në drejtim të çështjes së foklorit dhe të luftës kundër folklorit, por që në fakt luftohej vetë folklori… Një fenomen tjetër i dëmshëm në poezinë tonë ka qenë edhe krijimtaria që e shikonte gjithçka me syrin kritik në realitetin shqiptar. Kjo lloj poezie në fakt mori karakterin e denigrimit të vetë jetës dhe të sistemit tonë. Këtu përfituan krijuesit që kishin qëllime jo të drejta të cilët ju kundërvunë zhvillimit tonë. Kjo tendencë është dukur në poezitë e Faslli Halitit dhe tek Ismail Kadareja… të cilat i kam inkurajuar dhe kam dhënë mendimin se janë të botueshme, sepse këto poezi në forma dhe mënyra të ndryshme i janë kundërvënë realitetit tonë…”.

Duke u mbështetur në materialet e mësipërme arrijmë në konkluzion për Ismail Kadarenë: Të informohet partia dhe materiali të ruhet.

Përgjegjësi i grupit të hetimit: Elham Gjika.

Përgjegjësi i grupit operativ: Nevzat Haznedari.

 

 

 

* Datëlindja është vënë gabim, Kadare ka lindur në 28 janar 1936.

 

 

 

 

Tё lartёsojmё Rilindjen Kombёtare dhe Humanizmin Shqiptar

 


Prof. Dr. Albert Frashëri

 

 

 

Këto ditë mësova mbi botimin e një libri të Thomas Frashërit me titullin e çuditshëm ‘Frashëri i shquar, i panjohur’ (Studim heuristik për t’i shërbyer historisë).

Kopertina e fotos na jep disa fytyra të ngrysura e pak të identifikueshme, kompozuar mes nuancave të dy ngjyrave, gri dhe e zezë. Ajo foto misterioze, me sa duket, shpreh thelbin e përmbajtjes së librit mbi Frashërinë e Panjohur. Nuk mungoi në Facebook artikulli “Frashërlinjtë si klan” i gazetares Monika Stafa.

Nuk është qëllimi im të analizoj këtë përpjekje të autorit sepse i takon opinionit dhe bindjeve të shqiptarëve të ndershëm të ballafaqohen me pamjet e çuditshme të këtij libri. Ky libër sjell shprehje dhe analiza të padëgjuara e të pamerituara për një punë që synon të njihet si studim. A është e mundur të flitet për familjen e vëllezërve Frashëri si oxhak, si klan dhe herë të tjera si varfanjakë? Apo të flasësh për Frashërin duke vendosur në plan të parë një lloj dualiteti mysliman – i krishterë? Kjo shihet që në kreun e parë që autori titullon “Hulumtime mbi origjnën e një klani”.

Me një gjuhë të rëndomtë autori shkruan: “Frashëri u ka paraprirë vëllezërve pishtarë si një farëhedhës që përgatit terrenin për të korra të begata. Frashërllinjtë kanë pararendur vëllezërit Frashëri dhe ua kanë lënë “sofrën të hazërtë”. Këtë, shkruan autori, e gjej në një letërkëmbim të dy frashërllinjve. Por si është e mundur që autori, historian (!!), të mos shkruajë emrat e autorëve të letërkëmbimit?

A e di autori që para Rilindjes kombëtare në Frashër nuk njohim përpjekje për të pastruar e pasuruar gjuhën tonë, për të ripërtërirë vetëdijen kombëtare dhe ndjenjën e lirisë? Për çfarë hazërllëku e ka fjalën autori?

Si është e mundur që në këtë libër emri i Sami Frashërit të shkruhet Shemsedin Frashëri dhe emri i Naimit të shënohet Mehmet Naim Frashëri? Kjo nuk është e rastit. Çfarë qëllimi ka kjo zgjedhje e autorit? Autori bën fjalë për antagonizëm të hapur mes toskëve dhe gegëve malsorë në përgatitjen e luftës për liri. Është koha e Lidhjes së Prizrenit që konfirmoi unitetin e shqiptarëve, pa dallim feje dhe krahine. Vëllezërit Frashëri janë adhuruar dje dhe sot në të gjitha trevat shqipfolëse. Madje vepra e tyre pati jehonë të madhe kudo deri dhe në Kosovë. Duke filluar nga Rilindja Kombëtare shumë familje pagëzonin të porsalindurit me emra të qyteteve shqiptare. Ata edhe sot shpesh herë pagëzojnë fëmijët me emrin Frashër.

Të flasësh për klane, synime klanike të frashërllinjve varfanjakë apo të pasur më sjell ndërmënd banalitetin e thashethemeve në kafenetë e qytetit. Libri shpreh hapur prirjen pë të theksuar diferenca mes të krishterëve, myslimanëve apo bektashinjve. Kjo është një prirje mesjetare, meskine dhe pa asnjë bazë historike. Ligjet e Portës së Lartë denigruan gjuhën dhe fenë e krishterë të shqiptarëve. Mjafton të shohim dy ligje:

  1. Kush nuk braktis fenë e krishterë e të bëhet mysliman, humbet pasurinë.
  2. Kush shkruan e përhap libra në gjuhën shqipe dënohet me vdekje. Shqiptarët ishin i vetmi komb i perandorisë turke që pësonte këtë dhunë në planin kulturor. Ky ishte një genocid identitar që synonte çfarosjen jo vetëm të natyrës fizike, por mbi të gjitha pamjet kulturore të ekzistencës së shqiptarëve.

Të pasurit e braktisën mëmëdheun jo për të ruajtur fenë e krishterë por pronat e tyre. Përkundrazi, njerëzit e thjeshtë nuk kishin pasuri për të humbur. Ata sakrifikuan 4-5 shekuj të jetojnë të robëruar dhe me fenë myslimane. Por, dua të theksoj, që Shqipëria është një nga vëndet e pakta ku, të dallosh një mysliman nga një i krishterë, është e pamundur. Në Frashërin e martirizuar shumica e intelektualëve të shquar kanë qënë të fesë myslimane. Kjo e shpëtoi kombin shqiptar. Çfarë do kish ndodhur po të largoheshin të gjithë nga trualli amtar? Le të na përgjigjet autori i këtij libri që merr nëpër këmbë bektashinjtë e Frashërit. Kush e merr me mënd si do reagonte Vaso Pasha në këtë rast?

Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Faik Konica i shton një të vërtetë të hidhur realitetit shqiptar:

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, po vdes nga politikanët. Të krishterë e muhamedanë po ndahen në dy anë: ana kombëtare mbledh të krishterë e muhamedanë, ana e dytë mbledh të gjithë zuzarët”.

Ky libër është një përpjekje antihistorike e rallë në vandakun e hulumtimeve të dijetarëve shqiptarë e të huaj mbi veprën madhore të vëllezërve Frashëri. Pra, unë nuk analizoj si historian, sepse nuk jam i tillë, por si qytetar i këtij vendi prej 78 vitesh, i rritur me virtytet e këtij kombi fisnik e të vuajtur. Kjo përsiatja ime u drejtohet qytetarëve dhe intelektualëve që ndjehen bij të universit filozofik e kulturor të kombit dhe jo ideatorëve të këtij vandaku me letër të llustruar. Unë jam i sigurt që përmbajtja e atij libri fyen ndjenjat dhe fisnikërinë e shqiptarëve që kanë në zëmër jo vetëm veprat e Rilindjes Kombëtare. Ata njohin, vlerësojnë dhe gëzojnë edhe veprat e artistëve të kohës sonë që pas vitit 1945, për një kohë të shkurtër zhvilluan më tej ndjeshëm e me sakrifica traditat gjuhësore, letrare, muzikore të kombit.

Autori e paraqit librin si një studim euristik në shërbim të historisë. Me studim euristik kuptojmë një metodë jo rigoroze që niset nga të dhëna të pjesëshme dhe synon të arrijë një përfundim, por që më pas duhet të bindë komunitetin e dijetarëve. Dua të theksoj që ngahera historia niset nga fakte të vrojtuara dhe, duke iu referuar njohurive ekzistuese mbi objektin e studimit, përpiqet ta pasurojë apo ta përsosë të vërtetën historike. Por historia nuk është një shkencë e teorive formale ku mbizotërojnë e udhëheqin disa parime themelore krahas logjikës. Po ilustroj me një shëmbull zbavitës.

Një i panjohur pohoi: “P: Unë jam gënjeshtar” Është i vërtetë apo jo ky pohim? Ka vetëm 2 mundësi.

Hipoteza 1: i panjohuri është gënjeshtar, d.m.th. pohimi P nuk është I vërtetë, pra ai nuk është gënjeshtar. (Kontradiksion!!)

Hipoteza 2: i panjohuri nuk është gënjeshtar, pra pohimi P është i vërtetë, d.m.th. ai është gënjeshtar. (Kontradiksion!!)

Nuk ekzistonn një mundësi tjetër. Në të dy rastet hipotezat çojnë në kontradiksion.

Problemi, në dukje banal, në të vërtetë është i ndërlikuar. Kjo ndodh sepse I panjohuri ka bërë një pohim autoreferencial, d.m.th. ai që shtron problemin është edhe objekt i studimit. Gjuha është një mrekulli e species sonë, por e ndërlikuar. Jo gjithmonë jemi në gjëndje të kuptojmë kufizimet tona logjike. Le ta thjeshtojmë domethënien e këtij paradoksi (në dukje): kur dikush na rrëfen historira duke synuar heshturazi t’i hapë rrugë vetes, atëherë bëhet i pabesueshëm. Pohimet autoreferenciale historianët e vërtetë i mënjanojnë sepse krijojnë situata absurde.

Nëse në një studim braktisen apo mungojnë parimet themelore, atëhere mbizotërojnë opinionet dhe bindjet personale, lehtësisht të fallsifikueshme, sidomos në lëmin e historisë. Përfundimet e studimeve të tilla pasqyrojnë thjesht bindjet e autorit ose prirjen e tij për të tjetërsuar të vërtetën. Kjo është e ashtuquajtura metodë e spekullimeve filozofike apo historike. Speculor në latinisht – pasqyroj në shqip; pra, me spekullim do të kuptojmë pasqyrim).

Vetë Aristoteli theksonte nevojën e kësaj metode në mungesë të parimeve themelore në shumë fusha studimesh. Dua tu kujtoj lexuesve që për të gjitha fushat e dijes spekullimi është një formë kërkimi që sjell një hamëndje apo hipotezë bazuar në disa të dhëna. Ajo është një opinion apo bindje personale që rrezikon ta ligështojë të vërtetën, pa dashje ose me pikësynimin që të përdhunojë të vërtetën universale. Por edhe historia ka disa ligje të pashkruara, në krye të të cilëve qëndron parimi moral i të vërtetës. Në rastin e Rilindjes Kombëtare dhe rolit të vëllezërve Frashëri nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim përmbajtjen apo identitetin e figurave të saj.

Në evolucionin e njerëzimit në shumë raste historia është fallsifikuar duke manipuluar dhe interpretuar të vërtetën historike sipas interesave të errëta. Po sjell një shëmbull nga koha jonë. Një mik nga Kanadaja (Saint George University of Toronto) para dy vjetësh më solli një artikull të tij, botuar në Angli, ku citonte një tabelë për lashtësinë e gjuhëve nga libri “Genes, Peoples and Languages” (New York, Penguin Books, 2001) të autorit Luigi L. Cavalli Sforza. Ky autor është themeluesi i mirëfilltë i arkeokulturës. Në këtë libër ai analizon evolucionin dhe çvendosjet krahinore të geneve, prej nga dedukton lashtësinë e gjuhëve. Janë, natyrisht, studime komplekse. Rezultatet e tija përputhen me studimet e gjuhëtarëve më të shquar të dy shekujve të fundit që konsiderojnë shqipen dhe armenishten si gjuhët më të vjetra të grupit indoeuropian. Diagrama e shkencëtarit Cavalli Sforza vendoste në vënd të parë gjuhën shqipe me 10.000 vjet p.K. Më pas vinte armenishtja me 9.000 vjet p.K. dhe vonë gjuhët gjermanike dhe më pas greqishtja e lashtë. Unë e bleva librin në italisht dhe në atë botim diagram e mësipërme ishte zhdukur. E porosita librin në anglisht në New York dhe aty gjeta atë që mungonte në botimin italian.

Në historinë e dijes njerëzore ka shumë raste të teorive që haptazi dhe ndershmërisht shprehin mendime dhe bindje të ndryshme për objektin e studimit. Janë bindje që më pas u nënshtrohen analizave të mëtejshme. Nga ana tjetër ka raste të shumta të fallsifikimit me vetëdije, duke dhunuar të vërtetën hisorike. Kombi ynë është viktimë e shumë rasteve të tilla, sikundër na e thekson edhe Faik Konica.

Ajo që na shërbehet nga autori Th. Frashëri si pasurim, nuk është tjetër veçse devijim nga të vërtetat themelore që shprehin Humanizmi dhe Rilindja Kombëtare. Të shtrosh fshehurazi problemin nëse Naim Frashëri është shqiptar, turk apo persian, do të thotë të tjetërsosh themelin e ideve dhe ndjenjave që frymëzuan poetin kombëtar të shqiptarëve. Naimi mori mësimet e para në Frashër. Në vitet e liceut studjoi latinisht, greqishten e lashtë, frëngjisht, historinë dhe moralin sipas programeve që e kishin themelin në kulturën europiane. Pra formimi kulturor i vëllezërve Frashëri ishte thellësisht perëndimor. Nga një pikëpamje thelbësore ajo pyetje, cënon identitetin e poetit. Ajo fsheh një pikëpamje, dëshmon varfëri kulturore dhe paaftësi të autorit në interpretimin e të vërtetave historike. Kjo sepse kur një autor shkruan në disa gjuhë, nuk vihet në dyshim identiteti i tij. Përse jo? Thjesht sepse njeriu e formon identitetin atje ku lind, ku rritet si edhe në gjuhën e nënës. Gjatë jetës ai formim mund të pasurohet, por jo si e mendojnë autori dhe gazetarja që citova më lart. Përse? Fidani i lisit nuk mund të krijojë një bredh, sepse janë rrënjët ato që përcaktojnë të ardhmen e fidanit. Idetë dhe veprat e krijimtarisë njerëzore lindin, pasurohen më tej. Shumë herë ato janë të pavdekshme dhe kanë një energji të pashterëshme. Ato kanë frymëzuar kombet në evolucionin e tyre. U kanë dhënë njerëzve forcë dhe arsye për të jetuar dhe luftuar kundër të Keqes dhe gënjeshtrës, kundër robërisë dhe prapambetjes. Të tilla janë Rilindja Kombëtare dhe Humanizmi shqiptar.

Naimi ka shkruar në disa gjuhë. Po ashtu edhe Vaso Pasha (1825–1892). Në gjuhë të huaja ai ka shkruar, fjala vjen:

“L’alphabet latin appliqué a la langue albanaise”, Paris, 1872.

Vëllim me poezi në italisht, “Rose e spine”, Bolonja, 1873.

“Esquisse historique sur le Monténégre après les traditions de l’Albanie”, 1872.

“La verité sur l’Albanie e les Albanais, Paris, 1878.

“Etude historique et critique sur l’Albanie e les Albanais”, Paris, 1879.

Ndër të tjera ai ka qënë edhe sekretar i ambasadës angleze në Shkodër, ofiqar i lartë i Perandorisë osmane, guvernator i Libanit nga 1882 deri sa vdiq si një patriot i madh. Këto fakte nuk na japin të drejtë të pyesim: është francez, shqiptar, anglez, turk apo libanez ky Vaso Pasha i Shkodrës? Pashai, me siguri, do të ngrihej nga varri e do u hidhej në fyt atyre që duan t’i tjetërsojnë identitetin.

30 vite të shkuara më pyeti një kolege, Alina Madonna, në Itali: “Si ndjehesh, shqiptar po italian”? Unë i shpjegova me qetësi: jam lindur në Shqipëri, kam folur shqip për 45 vjet, kam ndjekur shkolla shqipe dhe kam jetuar me miqësitë e vyera të një kombi fisnik. Këto dhe origjina e tim’eti kanë përcaktuar formimin tim kulturor pra, edhe pse kam shtetësinë italiane nga nëna, ndjehem thellësisht shqiptar.

Rreth 2700 vite të shkuara, sipas dijetarëve të shkollës Jonike të Miletit (Azia e Vogël), nevoja për të kuptuar të vërtetën nuk mund të kufizohet me idenë e spekullimeve arbitrare të autorit, por duhet të respektojë krahas arsyes edhe ndjeshmërinë njerëzore. Filozofët e shkollës Jonike, Taleti, Anassimandro dhe Anassimene (shek. VII – V p.K.) e braktisën rrugën e dijes arbitrare të opinioneve dhe spekullimeve pa fund. Sipas tyre dija lind në prani të disa parimeve themelore të pavarura e jo kontradiktore që na ndriçojnë udhën e studimit të Natyrës, Universit dhe të Njeriut. Parimet themelore orientojnë me urtësì kërkimin e të vërtetës duke minimizuar spekullimet dhe falsifikimet e historisë.

Pata rastin të lexoj artikuj apo komente lidhur me publikimin e këtij libri si, fjala vjen, ai i gazetares Monika Stafa me titull “Frashërllinjtë si klan” (15 mars 2023 (https://pena.al/frasherllinjtë-si-klan/). Kjo gjetje mbase hedh dritë në synimin e autorit të librit. Fjala Klan në të folmen moderne të të gjitha kombeve e ka braktisur ekuivalencën e kohës mesjetare klan – familje. Mendoni si tingëllojnë thëniet “Klani ku u rrit autori i librit X”, “Klani ku lindi gazetarja Y”, “Klani që i dha formimin kulturor Migjenit apo Tolstoit”. Fjala klan në të gjithë botën ka vetëm një kuptim:

“Fjala Klan nënkupton një grup njerëzish, jo me doemos të një fisi, të bashkuar sipas disa interesave të përbashkëta, të errëta e të rrezikshme për shoqërinë”.

Rilindja së bashku me Lidhjen e Prizrenit dhe Humanizmin shqiptar përbëjnë thelbin e Universit filozofik e Kulturor të kombit. Pa dashur të rëndoj autorin dhe as gazetaren M. Stafa, dua të shpreh mospajtimin edhe me titujt e librit që shumë herë synojnë të zvetënojnë dritën e veprës së Rilindasve. Ky synim shpesh herë merr përmasa të pabesueshme. Fjala vjen, figurën e Abdyl Frashërit, i adhuruar edhe nga shqiptarët e Kosovës dhe arbёreshёt e Italisё, ky libër e minimizon në një mënyrë fyese. Pёrkundrazi njerёzit e pavarur e kanё vlerёsuar, sikundёr shkruan Gaetano Pettrota (1882-1952), autor i 8 veprave mbi kombin, gjuhёn dhe kulturёn e shqiptarёve. Ai ёshtё i pari qё ka analizuar “Mesharin” e Buzukut. Nё veprat e tij spikat admirimi pёr rilindasit dhe humanizmin. Ai shkruan:

“Lidhja e Prizrenit, e ngritur nga Abdyl Frashёri, rilindi frymёn e vёllazёrisё mes shqiptarёve tё jugut e tё veriut, mes tё krishterёve dhe myslimanёve. Ajo lёvizje ringjalli ndjenjёn kombёtare nё dy plane: politike dhe kulturore”.

Nuk e kuptoj si justifikohet zgjedhja për të shkruar Shemsedin Frashëri dhe jo Sami Frashëri. Të prekësh veprën dhe integritetin moral të vëllezërve Frashëri, do të thotë të godasësh Rilindjen Kombëtare. Njerëzit e Rilindjes sonë, nga veriu në jug të vëndit, ishin intelektualë të pavarur e patriotë. Raporti me fenë nuk i kufizonte aspak marrëdhaniet mes tyre. Dua tu them autorit dhe gazetares që serbët dhe grekët nuk kanë një lëvizje si ajo e humanistëve shqiptarë dhe as një Rilindje të tyren. Kombi shqiptar, përkundrazi, ka nje gurrë të pashterur të urtësisë popullore dhe të kodikëve që udhëhiqnin jetën e krahinave tona. Plejada 5B, siç i kam quajtur Budin, Bardhin, Bogdanin, Barletin dhe Buzukun në librin “Magjia e Rilindjes Kombëtare”, duke filluar nga gjysma e dytë e shek.XVI, ngritën problem themelore për mbijetesën dhe emancipimin e kombit.

Martin Luteri përktheu në gjermanisht Ungjillin në 1537, një libër që e lexonin një grusht njerëzish. Buzuku, përkundrazi, këtë punë e bëri me Mesharin në vitin 1555. Leximi në shqip i lutjeve gjatë meshave dhe në jetën familjare, qe një akt i lartë e largpamës i dijetarëve si Buzuku. Natyrisht ai nuk e ka shkruar atë vepër duke sajuar fjalë të reja për termat fetare. Kjo as që mund të mendohet. Ajo terminologji me siguri është formuar gradualisht në shekuj nga të krishterët shqiptarë, më të hershmit e pellgut mesdhetar. Meshari i Buzukut ishte shprehje e dashurisë për gjuhën amtare. Ajo vepër konfirmon pavarësinë, pastërtinë dhe pasurinë e shqipes.

Madje peshkopi matjan Pjetër Budi mblodhi priftërinjtë e dioqezës dhe i porositi që lutjet dhe fjala e Perëndisë duheshin përdorur vetëm në gjuhën amtare. Kjo e Budit paraprin frymën e illuminizmit europian. Pse? Me gjuhën amtare komunikimi me Perëndinë bëhet i kuptueshëm dhe jo i imponuar formalisht pa kuptuar një fjalë nga lutjet në latinisht. Vendet europiane e kanë përkthyer “Mesharin” në gjuhën amtare vetëm në shek.XX. Italia këtë hap e bëri në periudhën 1966 – 1975. Franca gjithashtu. Më kanë treguar kolegët që deri në 1970 njerëzit në kishë luteshin në latinisht pa kuptuar asnjë fjalë, natyrisht shumica e tyre. Historianët, ata që shkruajnë libra, a e njohin këtë meritë të humanistëve dhe rilindasve tanë?

Me veprën e ndritur të humanistëve dhe të rilindasve u konsolidua, heshturazi, kuptimi më i thellë për shqiptarizmën. Këtë argument unë e kam trajtuar në 70 faqe të esesë “Universi Filozofik e Kulturor i Rilindjes Kombëtare – burimi themelor i ideve për jetën e kombit sot e në të ardhmen e tij”. Dua tu kujtoj skeptikëve që në të gjitha pamjet e jetës urtësia e krahinave shqipfolëse ka shprehur koncepte dhe tradita të vyera që duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Fjala vjen, në kodikët mesjetarë të principatave shqiptare, gjejmë parimin demokratik:

Anmikun mos e duaj, por baj

kujdes me respektue nderin e tij.

Dialektika e mendimeve dhe ideve nga më të ndryshmet e mënjanon konfliktin mes njerëzve. Ajo dallon demokracinë nga autoritarizmi dhe totalitarizmi. Filozofi francez Voltaire tre shekuj më pas thoshte “Nuk jam dakord me ty, por do të jepja edhe jetën që ti të mund ta shprehësh idenë tënde”. Mos të harrojmë që edhe sot, megjithë përmirësimet e ndjeshme, politika synon dhe arrin të kontrollojë e të manipulojë mjetet e informacionit (gazeta, TV, etj.) duke lёnë në harresë visaret e kombit. Organizmat ndërkombëtare duke vlerësuar lirinë e mjeteve të informacionit, e përcaktojnë si gjysëm të lirë shtypin dhe mediat shqiptare.

Në një vend, që për gjysëm shekulli u shtyp nga një diktaturë mizore, nuk janë Frashërllinjtë që shqetësojnë shoqërinë, por një braktisje e ndjeshme e veprës së humanistëve dhe rilindasve tanë. Vepra e tyre duhej të ishte në themel të formimit kulturor të brezit të ri. Duhet rizgjuar vetëdija e kombit për vlerat themelore të humanistëve e të rilindasve tanë: nga figurat e Plejadës 5B te vepra e vëllezërve Frashëri, të Fan Nolit, Faik Konicës, Fishtës, Mjedës. Janë me qindra, poetët e Rilindjes dhe të tjerë pas tyre, që i kënduan Naimit, mendjelartit, zemërtrimit, vjershëtorit si ai. Përsa i përket ringjalljes së gjuhës letrare, duke analizuar punën kolosale të Naimit për krijimin e fjalëve të reja dhe formave stilistikore të të folmes shqip, le të citojmë albanologun Norbert Jokl:

“Krijimtaria e poetit Naim Frashëri ka për gjuhën shqipe po ato vlera që ka patur krijimtaria gjuhësore e Laibnicit për gjemanishten, e Ferenc Kozincit për hungarishten, e Jozef Jungmanit për çekishten”, [Rexhep Qosja, Porosia e Madhe, Tiranë, 1989].

Është e vërtetë që edhe të tjerë poetë kanë merita të mëdha përsa i përket krijimit të gjuhës letrare dhe frymës patriotike të veprës së tyre. Por asnjëri prej tyre nuk ka patur karizmën e Naimit, as edhe sot. Nga vetë portreti i tij njohim një njeri thellësisht të ndjeshëm, largpamës e të thellë. Vargu i tij është i lehtë e qetësues si ajri i freskët i mengjezit pranveror, figurat që krijon kanë elegancën dhe ndjeshmërinë e një artisti hyjnor. Ai nuk krijon asnjëherë polemikë, shkon përpara me hap të shtruar dhe krijon imazhe e meditime që natyrshëm harmonizohen me ndjeshmërinë dhe ndërgjegjen e lexuesit. Është mjerim të mendosh që rreth 120 vite pas vdekjes së Naimit, të flasim për klane e oxhaqe e jo për dritën e Humanizmit dhe të Rilindjes Kombëtare.

Le të shohim mendimet e R. Qoses, jo thjesht në pamjen gjuhësore të veprës së Naimit:

“…me prirjen e saj aq të theksuar e të frytshme krijuese, gjuha e tij shpreh prirjen themelore ideore të kohës: prirjen e vetëdijësimit të plotë kombëtar të popullit shqiptar. Si një vepër që edhe me përmbajtjen e saj ideore, morale, shoqërore dhe historiko-kombëtare shpreh prirjet më thelbësore të letërsisë shqipe në shekullin XIX, është e kuptueshme pse vepra e tij edhe me gjuhën e saj, me kohë do të bëhet vepër gjedhe, në të cilën do të ndërtohen brezat e shkrimtarëve shqiptarë”. [Porosia e Madhe, Tiranë, 1989, faqe 367, 368].

Do të shtoja që edhe Fishta duhet të ketë pësuar ndikimin e poezisë më të hershme të Naimit. Në vjershat e tij ‘Gjuha shqype’ e ‘Atdheu’ gjejmë po ato motive, me të cilat Naimi i këndon gjuhës shqipe e mëmëdheut, natyrisht me dallimin e stileve të ndryshme të dy poetëve të mëdhenj. Ai, në thirrjet e luftës për liri, i referohet figurës së Naimit:

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Aleksandër Xhuvani propozoi që në themel të gjuhës letrare kombëtare të vihej toskërishtja si varianti më i përpunuar përmes veprave të Naimit e Samiut, të Faik Konicës e Fan S. Nolit; por drejtshkrimi të mbështetej edhe në gegërishten e pasur.

Në 6 janar 2019 gazeta e rëndësishme italiane “La Repubblica” botoi një tregim të Ismail Kadaresë me titull “Unë nuk kam frikë”. Ai tregim perms metaforave të Kadaresë prekte një problem kombëtar, shumë aktual. Rreth tij unë shkruajta dhe botova disa reflektime: “Urtësia e Kadaresë në rrëfimin e fëminisë së tij. (Kadaré, Shakespeare dhe fantazmat), 4 shkurt 2019, Gazeta Shqiptare.

Dua të shpreh disa mendime rreth këtij tregimi brilant dhe afiniteteve interesante që ai shpreh me jetën e Kadaresë dhe sidomos me disa pamje të realitetit shqiptar. Ky është një tregim tipik kadarian, mes alegorisë dhe realitetit, frikës dhe fantazmave. Megjithatë ka disa koinçidenca që duhet t’I pranojmë me bindje e që na bëjnë të mundur një interpretim të vyer të ketij tregimi.

Tregimi i Kadaresë rrëfen fabulën e fantazmave të republikës kundër qytetarëve më të shquar të saj në kohën e regjimit enverian. Republika shpallte si banditë intelektualët e saj që përbënin vetëdijen për lirinë e humbur nga regjimi totalitar i Hoxhës. Shpifjet dhe dyshimet e regjimit ishin fantazmat e tregimit, ato që ndrydhën pamjen shpirtënore të kombit, talentet dhe krijimtarinë e tij. Me sa duket, e ashtuquajtura metodologji fantazmagorike e diktatorit vazhdon të mbijetojë mes nesh, çuditërisht e mëkuar nga shovinizmat e gadishullit të mplakur të Ilirisë.

Çdo vit, në prag të punimeve përzgjedhëse të komisionit për çmimin Nobel, del ndonjë teoricien i lirisë dhe kritikon Kadarenë si njeri të regjimit “republikan”. Në këto tre dekadat e fundit, pranë datave historike të rëndësishme, shkruhen e botohen artikuj të rremë e të turpshëm kundër figurave të nderuara të botës shqiptare: hidhen teza absurde mbi origjinën e Gjergj Kastriotit, braktisen në harresë të fajshme figura si Naimi, Vaso Pasha, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni, Noli deri dhe te Kadareja.

Këto që shohim e dëgjojmë janë hije e fantazma të shovinizmave ballkanike që kanë vrarë priftërinj ortodoksë pse bënin meshën në gjuhën e nënës, pra në shqipe të kulluar. Ata kanë vrarë mësues të gjuhës shqipe, kanë persekutuar e masakruar popullsinë e pafajshme të krahinës iliro-epirote vetëm pse kultivonte gjuhën shqipe.

Nuk mund të mos kujtojmë si e trajtonte Naimi i madh problemin e Gënjeshtrës e të së Vërtetës. Filozofia e poezisë naimjane ndër të tjera theksonte nevojën e kërkimit të së Vërtetës si kusht të përparimit të individit, të familjes e të kombit. Ai e trajtoi këtë problem në vargje, me qartësi e thjeshtësi gjeniale, duke shprehur parimet mbi të Vërtetën në pajtim me konceptet sokratiane, kristiane e islamike. Është mahnitëse mënyra dhe thjeshtësia me të cilën poetët e Rilindjes i kanë harmonizuar problemet e të Vërtetës, Mirësisë, të Bukurisë si kusht themelor për shpëtimin e Njeriut e si thelb të demokracisë. Njerëzit më të ndritur të kombit formohen nën ndikimin e kulturës, traditave e histories kombëtare. Nga ana tjetër ata e pasurojnë atë burim, dmth Universin Filozofik e Kulturor të kombit. Sot, e them me keqardhje, dëgjojmë e lexojmë shprehje apo komente mbi figura të rëndësishme të kombit që të brengosin e të revoltojnë për ligësinë dhe injorancën që shprehin duke mos kursyer as Nolin dhe as Nanë Terezën.

Shprehjet që gjemë në libër të befasojnë. Si mund të shkruajë një autor duke fyer ndjeshmërinë e njeriut pa i bërë tërr syri dhe pa iu referuar të vërtetës? Le të sjellim rastin e sulejmanbelliut Hajdar Sulejmani Frashëri. Autori duke folur për syrgjynin në Stanimakë shkruan: “Sulejmanbellinjë e Vilakë thonë jemi oxhakë; ata janë varfanjakë të lindur në Stanimakë, kanë lëruar gjer më dje”.

Një historian serioz, një njeri sadopak i pjekur është i matur, nuk shkruan ato që ia ka ënda, por vetëm të vërtetën dhe këtë e bën me një gjuhë të moderuar. Një historian duhet të dijë që Sulltani nuk merrej me varfanjakët, por me familjet e nderuara të vëndit. Familja e Hajdar bey Frashërit kishte në Dupen (mes Ohrit dhe Prespës) çifliqe ku punonin 250 familje. Në Dupen familja e tij kishte ndërtuar rrugët e nevojshme, një shkollë fillore me dy mësues dhe pajtuar një mjek. Këtë çiflik shteti jugosllav i porsaformuar e shtetëzoi në periudhën 1925 – 1930. Por çiflikun më të madh familja e kishte në Plesh të Greqisë, midis Filatit dhe kufirit me Shqipërinë. Në të njëjtën periudhë grekët shtetëzuan pronat e Sulejmanbellinjve në Plesh dhe ato të familjes Rusi në Epir. Pak prona që kishin në Shqipëri i shtetëzoi republika e Hoxhës. Në këtë fazë Hajdar beu dhe shumë familje të tjera të kamura e ndrruan mbiemrin në Frashëri, duke shpresuar të hiqnin atë nofkën e familjeve të pasura.

Tani po ju shpreh me qetësi mendimin tim mbi atë nofkën e varfanjakut duke ju rrëfyer dy përrallëza.

Legjenda e gomarit trupmadh

Na ishte një herë një gomar trupmadh që e dinte veten të ditur. Një ditë, tek i ngjitej malit, pa shqiponjën në majën e shkëmbit në buzën e një gremine të thellë. Shqiponja di të fluturojë në qiell dhe të eci në tokë, mendoi gomari dhe, duke iu afruar greminës, e pyeti shqiponjën:

“Si ia del të fluturosh me ato dy pupla e tua të lehta”?

“Ja, më shih sa bukur është të fluturosh”, iu përgjigj shqiponja dhe krahëhapur u lëshua nga shkëmbi i lartë në humnerë.

Gomari i tha vetes: “Pse të mos fluturoj edhe unë me këtë goxha trup që kam” dhe duke e ndjerë veten të mënçur e të fortë u hodh në humnerë. Ai ngordhi pa e kuptuar që nuk është pesha e trupit ajo që e bën shpendin të fluturojë, por ato dy puplat e lehta që gomarit nuk ia mbushnin mëndjen. Ai u flijua me ëndrrën e fluturimit. Edhe sot e kësaj dite gomerët nuk kanë mësuar të fluturojnë.

Përrallëza e djaloshit të vobekët

Një legjendë metroplitane rrëfen një ditë të çuditshme të një njeriu të kamur. Ky mbante në duar një shportë me mbeturinat e drekës që porsa kishte konsumuar dhe po i afrohej kazanit të plehrave. Vuri re një djalë të vogël ndaluar përpara kopshtit të tij. I kamuri i dhuroi vogëlushit, shportën me tepricat e drekës. Më shumë pisllëqe se sa ushqime për të ngrënë. Të nesërmen djali, pasi hodhi në plehra mbeturinat e të kamurit, pastroi shportën, e mbushi me lule të freskëta të lëndinës dhe arriti te hyrja e vilës të zotnisë që e hiqte veten si bamirës. Zotnia e vështroi i habitur djalin me shportën mbushur me lule të freskëta.

“Ç’janë këto lule”, e pyeti djalin duke menduar që duhej të paguante.

“Është dhurata ime për ju”.

“Pse kjo dhuratë për mua”, pyeti i kamuri duke kujtuar mbeturinat që I kishte dhënë djaloshit një ditë më parë.

“Mos u shqetësoni zotni, nuk dua të më paguani. Çdo njeri dhuron atë që ka në zëmër”.

Pasi shqiptoi këto fjalë, djaloshi i ktheu krahët të kamurit që ndjehej njeri i rëndësishëm dhe e gëzonte mirëqënien brënda mureve të një vile të vetmuar. Për herë të parë kuptoi çdo të thotë pasuri e vërtetë. Nuk është e vërtetë, i foli vetes, që fisnikëria e shpirtit i takon vetëm njeriut të kamur, sikundër mendonin shumë nga njerëzit që e rrethonin.

* * *

Kush shprehet me përçmim për varfërinë fyen ndjeshmërinë e njerëzve që nuk janë të pasur. Së pari, të kamurit nuk janë njerëzit më të lumtur të kësaj bote. Së dyti, kush ka prirje të tilla nuk mund të njohë as abecenë e historisë. Kam këtë bindje sepse historia formale përpiqet të shkruajë kronikat e masave, shteteve duke anashkaluar dramën, vuajtjen, dashurinë dhe evolucionin e individit. Ne, fjala vjen, nuk e njohim njeriun e antikitetit nga kronikat e historisë, por nga veprat letrare, nga muzika e piktura, nga artet në përgjithësi: Omeri, Shekspiri, Balzaku, Hygoi, Da Vinçi, Dostojevski, Mozart, Rembrandi, Migjeni e mijra të tjerë. Sot ne jemi në gjëndje të dallojmë e të kuptojmë diferencën mes njeriut të lashtë, atij mesjetar dhe njeriut modern. Këtë ndjeshmëri na e krijon, jo historia formale, por vepra artistike, ajo e njeriut të thjeshtë. Historia, në thelb, e mënjanon evolucionin e individit.

Mendoni se si Migjeni nё prani tё mjerimit dhe ligёshtimit tё shpirtit i lutet Perёndisё t’i japi njё sinfoni. Shёrimin e vuajtjes njerёzore ai e kёrkon te muzika, te arti. Asnjё poet nё historinё e letrave tё tё gjitha kohrave nuk e ka shprehur me kaq art shpirtin e madh tё poetit. Kёto janё vargje monumentale qё shprehin njё tё vёrtetё themelore tё jetёs: e Bukura si thelb i qёnies njerёzore. Kjo është pasuria e vyer që individët e thjeshtë i sjellin njerëzimit. Por ata që krijojnë të bukurën nuk duhen marrë nëpër gojë siç po bëhet sot me rilindasit tanë.

Çfarë duhet të themi për varfanjakun, siç shprehet autori i librit të çuditshëm të këtij marsi të trishtë? Mendoj që përgjigjja është më se e qartë në përmbajtjen e pak rreshtave që kam shkruar dhe theksuar në disa raste:

Njerëzit e kulturuar njohin emrat e artistëve, shkrimtarëve dhe shkencëtarëve të të gjitha epokave, por zor të gjesh mes nesh ndonjë të ditur që njeh emrat e njerëzve të pasur të epokave të kaluara. Tolstoi ka qënë nga njerëzit më të pasur të kohës së tij, por qytetarët nuk e njohin aspak për këtë veçori sepse ajo nuk është një virtyt. Ai është i pavdekshëm në saje të veprave që na ka lënë. Ne njohim Naimin, Vaso Pashën, Ndre Mjedën, Fan Nolin, Gjergj Fishtën, Kadarenë për veprat e tyre. Ata nuk ishin të pasur. Kush mund të na sjellë emrat e shqiptarëve të pasur të dy a tre shekujve të fundit? E kush i njeh ata? Përkundrazi ne njohim emrat e humanistëve si Buzuku, Budi, të 4-5 shekujve të shkuar.

Të flasësh për varfanjakë e të pasur do të thotë të mos njohësh historinë e njeriut dhe të raportit të tij me shoqërinë sepse ky raport përcaktohet nga parimi natyror i meritës. Fizikanti anglez Michael Faraday (1791-1867) lindi në një familje shumë të varfër të Londrës. I jati i sëmurë, pra Faraday në moshën 13 vjeçare filloi të punojë në një librari. Flinte pak sepse natën lexonte sidomos libra të shkencave. E pranuan në të famëshmin Royal Institution të Londrës për vendosmërinë dhe aftësitë e jashtëzakonshme. I apasionuar mbas elekromanjetizmit, Faraday u bë një nga figurat më të rëndësishme në hapat e para të fizikës moderne. Është teoria e elektromanjetizmit ajo që e futi në udhën e modernizimit qytetërimin tonë.

Mozarti vdiq i varfёr dhe nuk pati njё varr. Kufoma e tij pёrfundoi nё njё gropё bashkё me fukarenj tё tjerё, bash nё qendёr tё Vienёs. Ky ishte njё turp i asaj kohe. Nuk di a rrezikojmё edhe ne po atё perfundim pёr intelektualёt, artistёt dhe njerёzit e shquar tё kombit.

Pa artin dhe shkencën e varfanjakëve, sot do të ishim si mijra vite më parë. Kujtoni fillimin e shekullit XX. U shembёn dy perandori: austriake dhe turke.

E para vazhdoi te pёrparojё si njё nga vendet mё tё zhvilluara tё Europёs. E njёjta gjё nuk mund tё konfirmohet per tё dytёn edhe pse ajo ishte më e pasur se Austria. Mendoj qё arsyeja e kёsaj diference do kёrkuar nё pamjet kulturore dhe shkencore tё dy perandorive. E para krijoi kontribute tё shquara nё art e nё shkencё. E dyta jo. Pra vetёm diferenca e madhe kulturore shpjegon prosperitetin e njёrёs dhe prapambetjen relative tё tjetrёs.

Shqiptarёt nuk ishin varfanjakё tё ndarё në myslimanё, bektashinj e tё krishterё. Kush mё mirё se Eleonora Vila e ka konfirmuar kёtё tё vёrtetё. Zonja Vila, franceze e martuar nё Frashёr me Nuri Bej Vilёn, pёrjetoi edhe djegiet dhe krimet greke nё 1914. Eleonora Vila shkruan:

“Pёr shqiptarёt ka vetёm njё besim fetar qё i bashkon ata me njёri-tjetrin. Ajo ёshtё feja e atdheut”.

Nuk mund tё mos theksoj qё unitetin e mendimit e tё veprimit atdhetar, si edhe unitetin ndёrfetar e kundrojmё nё marrёdhaniet mes figurave tё Rilindjes Kombёtare. Libri, pёr tё cilin po flasim, e cёnon kёtё tё vёrtёtё themelore qё nderon universin Kulturor tё kombit tonё. Dua t’i kujtoj vetёdijes, fjala vjen, qё kanё punuar e menduar sё bashku pёr fatet e kombit njerёzit e tё gjitha besimeve fetare:

Vaso Pasha katolik, Jani Vreto ortodoks, Ymer Prizreni mysliman sunit. Katoliku Gjergj Fishta dhe bektashiu Mit’hat Frashёri kryesuan punimet e Kongresit tё Manastirit Kadareja shkruan: “Naim Frashёri ёshtё ati themelor i letёrsisё shqiptare, Vepra e tij u bё burim frymёzues i rilindjes sё ndёrgjegjes dhe vetёdijes kombёtare”.

* * *

Nuk mund t’i fsheh vetes qё, nga njё pikёpamje thelbёsore, ky libёr mё sjell ndёrmёnd ato dosjet e zyrave tё kuadrit dhe tё sigurimit tё shtetit nё kohёn e totalitarizmit qё na zuri frymёn pёr njё gjysёm shekulli. Pёrfytyroj dosjet qё kishin qёndisur kundёr Ismail Kadaresё. Nuk dua tё besoj qё autori tё jetё familjarizuar me ato metoda. Mendoj qё ky libёr do tё bekohet nga ata qё zaptuan kishёn ortodokse shqiptare tё themeluar nga patrioti dhe erudite i shquar Fan S. Noli. Nga ana tjetёr, sa shkruhet nё kёtё libёr do trishtojё ata qё e kanё nё zёmёr atdheun, vёndin ku balta u duket mё e ёmbёl se mjalta.

Mars, 2023.

Zak Topuzi: Fenomeni Ismail Kadare

 



Në foto: Ismail dhe Helena Kadare
Duhet ta shohim problemin në konteksin e kohës kur Ismail Kadare bëri letërsi, kur i duhej që herë pas here të mbronte veten pas goditjeve që merrte nga veprat e tij.

Në kohën e Enverit, nuk kish “Desidentë” të mirëfilltë- këtë duhet ta kuptojmë të gjithë. Ata nuk e pësonin vetëm personalisht, por goditej familja, vëllaj, motra e deri miqtë e tij. Ishte një përgjegjësi e madhe që sot duket e pa besushme.

Ama, vetëm Kadare, ariti falë mjeshtërisë dhe alegorisë perfekte të tij, të shkruaj vepra monumentale ku diktatura nuk arinte të kuptonte të vërtetën e shkruar nën reshta. “Të ishe një desident i mirëfilltë, do të thotë të pranoje egzekutimin pa kushte”. Çdo aludim ndaj veprave të tij (vlerësuar botërisht) është një mos njohje realiteti.

Po ju them një ngjarje të treguar nga Ekrem Bardha, një nga shqiptaro-amerikanët më të pasur:

“Ndodhesha ne Spanjë dhe mora vesh që Kadare ishte me pushime pranë meje. E ftova çiftin Kadare për një drekë në një nga restorantet më të famshme në zonë. U harruam mes bisedash dhe arrimë në restorant reth orës 16:00. Restoranti po mbyllej dhe pronari me mirësjellje na shpjegoj se personeli ishte larguar dhe nuk kish asnjë mundësi tu shërbente. I shpjegoj që jam me një person të rëndësishëm dhe mund të paguaj çdo çmim.

Ndërkohë, Kadare, me mirësjellje, në shqip, këmbënguli të largoheshim e mos e vendosja në pozitë. Pronari u bë kurioz dhe pyet: nga jeni? Çfarë gjuhe po flisni? I shpjegoj që jam amerikan dhe zotëria është një shkrimtar nga Shqipëria. Më pyet për emrin dhe i them: Ismail Kadare.

Në moment, hapi derën në të dy kanatat dhe na ftoi brënda. “Është shkrimtari më i dashur për mua, kam lexuar të gjitha librat e tij përkthyer spanjisht. Eshtë nderi më i madh në jetën time tu shërbej. Ktheu gjithë personelin dhe pas 20 min restoranti u mbush me lule të gjitha ngjyrave për nder të tij. Kam ndjerë emocionet më të fotra të jetës time”.

Interesant është fakti që Kadarenë e shajnë më shumë ata që nuk kanë lexuar ose nuk i kanë kuptuar veprat e tij.

“Opozita serbe është një mjet në duart e shërbimeve sekrete kriminale dhe të huaja. Këta të rinj pak a shumë po përdoren prej tyre”, tha kryetari i Serbis1% Aleksander Vuçiç

                     Kërko brenda në imazh                              Nga Flori Bruqi p residenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar opozitë...