Agjencioni floripress.blogspot.com

2023/04/23

n’Shqypni shko, pra, fluturim, shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Filip Shiroka (Shkodër, 3 gusht 1859 - Bejrut, 14 nëntor 1935) ka qenë inxhinier, poet lirik dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

 



 Biografia U lind më 1859 në Shkodër, i biri i Ejll ose Angjelin Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. 

Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe françeskani arbëresh Atë Leonardo de Martino.

 Pasi i ati pësoi disa humbje në tregti në vogëlinë e Filipit, më 1877 hapi një dyqan për të lidhur libra te Dugajtë e Reja në qytetin e vendlindjes.
 Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L'osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë në pësonin në kurriz shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t'onë (dhe anmiqve të vet).

 Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë "përgjegjësi i fletoreve L'Osservatore Romano dhe La voce della verità dhe se kishte shkruajtur shumë edhe tek Osservatore Triestino dhe Il Cittadino që botoheshin në Trieste.

 Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Angjelini dhe një vajzë, Alice.

 Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar.

 Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut.

Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë.[10] Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. 

Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921.

 Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë "Vllazëria e shqiptarvet në Misir".[10] Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit.

 Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij. Vepra Poema e parë e botuar ishte All’Albania all’armi, all’armi!, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqini  kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t'i jepnin Malit te Zi, Hotin e Grudën, vendosën t'ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin. 

U shkrua në italisht dhe u publikua në Osservatore Cattolico të Milanos më 1878.

 Vjersha u ribotua më 15 shtator 1886 me emrin e pendës Karolip Shifip në të përkohshmen Fiamuri Arbërit botuar nga De Rada.

 Shiroka kishte letërkëmbim të gjerë me bashkëatdhetarët, si të vendlindjes me djalin e dajës Zef Sumën ashtu edhe të idealit kombëtar. Ndër figurat me të cilat ka shkëmbyer letra të cilat gjenden në fondin e tij në Arkivin e Shtetit, janë Faik Konica, Nikollë Ivanaj, Nikolla Naço, Andon Zako Çajupit dhe Leonidha Naço.


 Poezia kombëtare, satirike dhe meditative e Shirokës në gjuhën shqipe u shkrua kryesisht nga 1896 deri më 1903. Ajo doli në organe shtypi si Albania e Faik Konicës, në periodikë shqiptarë që botoheshin në Egjipt, dhe në të përmuajshmen fetare të Shkodrës Elçija i Zemers t'Jezu Krisctit. Shiroka, i cili përdorte edhe pseudonimet Geg Postrippa dhe Ulqinaku, është autor i të paktën gjashtëdhjetë vjershave, tre tregimeve të shkurtra, disa artikujve e përkthimeve, sidomos përkthime veprash fetare të liturgjisë katolike.

 U mor gjithashtu edhe me mbledhje folklori që nga 1908, sidomos këngëve popullore të veriut shqiptar, të cilat i botoi te Albania me pseudonimet e lartpërmendura.

 Më 1921 botoi Moji i të dekunve, në prozë, në Shtypshkronjën e të Papërlyemes në Shkodër. Në këtë vëllim, me gjuhë të thjeshtë dhe të ëmbël, shtjellon se ç'duhet të dijë një i krishterë i mirë për t'i ndihur shpirtërat e Purgatorit. 


Ndjesitë e veta fetare Shiroka i radhit që nga zanafilla: edukata dhe mirërritja që kishte marrë në gjirin e familjes. Përmbledhja e tij poetike, Zani i zemrës, Tiranë 1933, të cilën e hartoi në zgrip të shekullit, u botua nga Ndoc Nikaj dy vjet para vdekjes së Shirokës në Beirut.

SHKO DALLËNDYSHE

Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!


Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!

T’mujshe edh’ un me fluturue,
dojsh’ edhe un me u nisë me ty,
dojshe n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at vend me sy!…
Por… ti shko atje flutrim;
e ti qajma fatin tim!…

Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit,
dallendyshe ulu me pushue;
kam dy vorre n’at vend t’vajit,
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue:
qaj me za t’përmallshëm shqim
nji kangë tanden gjith vajtim!…

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni
n’ato vorre me vajtue,
ti dallendyshe, veshun në zi,
ti aty pra qaj për mue,
me nj’at za t’përmallshëm shqim,
kangën tande për vajtim

NJI LULES SE VYSHKUN

Lulja e bukur – keput kush te ka,
Prej shoqesh tueja – kush te paska nda?…
M’je vyshke e thamun – lulja e shkrete
Qysh se te kane tret

Se ti dhe une – nda prej shoqenise
Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperise
Si ti u dogja – lulja e shkrete
Ne dhe t’huejin tret

Ti, ne kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue
Por tash je veshkun – lulja e shkrete
Tash qi t’ka trete!

Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindet me knaqshin – isha i lumnue
Por tash po digjem lulja e shkrete
N’dhe t’huejin trete

Eja dallendyshe 


Mirë se vjen, me krahë te letë,
Dallndryshë, tui fluturue!
Mirë se vjen! M’ket ânë te xetë
T’dheut t’Misirit me dimnue:
Eja, prá, ktu fluturim,
M’gzò me at zâ gjith âmbëlcim!

Kur jé nisë t’kam porositun
Atje larg t’shkojsh kah Shqypnija;
M’difto pra, kur ké shetitun
A t’kan ra n’mend fjalt e mija,
Me m’shkue n’Shkoder fluturim,
Me m’j’u falë gjytetit t’im?!

Atje malet n’i paç pá,
Jânë prej boret nalt zbardhue:
N’ato fushat ne paç rá,
Janë me lule lulëzue
Atje n’paç vojtë fluturim
Aty âsht gjyteti i im!

Barit t’njomë gjith atje veshen
Çuka e kodra, e atje ndinë
Tue këndue blegtoreshe
Qi kullotë rreth bagtinë;
Atje n’paç vojt fluturim,
Aty âsht gjyteti i im!

N’Shkodren t’ime të Shqypnisë
Burrat lejnë qi s’dijnë ç’âsht friga,
Çupat e bukra t’urtisë
Atje lejnë qi s’dinë ç’âsht flliga;
Atje n’pàç vojt fluturim
Aty âsht gjyteti i im!

Dishroj shum, por…nuk po dij
A kam pràp fàt t’mirë me shkue
Nji herë tjetër ne Shqypni,
N’Shkodren t’ime me kalue…
Atje dù t’shkoj fluturim,
T’vdes aty n’gjytetin t’im!

T’kam pas thânë… se n’Fushë t’Rmajit
Kam dy vorre t’dashtunisë,
Nânë e babë kàm n’at vênd vajit,
Qi m’kanë lânun t’vorfenisë;
Me zânë t’ând t’përmâllshëm shqim,
A m’ke bâ mbi’ tà vajtim?!

A u kè thânë se un t’kam çue
Prindët e dashtun me m’i qà?!
A u kè thânë sà kam lotue
Kur t’kam nisë vorrin m’e pâ?!
A e kè thânë,t’përmallshme shqim,
Kângen t’ânde gjithë vajtim?!

A u kè thânë se zêmra e ime
N’ dhenë t’hueja keq u shkri,
Se s’ka gzim, as s’ka ngushllime
Se po digjet për Shqypni?!
Me zânë t’ând t’përvajshëm shqim,
A e kè qamun fatin t’im?!

Prà dallndryshë, kah kè shetitun
Gjytetin t’im a e kè pà?!
N’ato vênde kû kè rritun,
N’mênd për mue a te kà rà,
Me m’shkue n’Shkodër fluturim,
Me m’j’u falë gjytetit t’im?!

Përgatiti:Flori Bruqi

Të pabrekë-ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…

Ali Asllani ( 28 nëntor 1884 - Tiranë, 20 dhjetor 1966) qe poet, atdhetar dhe diplomat shqiptar. 









 Ishte  biri i myftiut dhe myderizit Asllan efendi Sylejmani ndhe Hyries së Isuf Meminajt, nga fshati Trevllazër. Ngeli jetim në moshë të re, kur ishte ende 6 vjeç.

 Me ndihmën e të afërmve dhe miqve të të atit, mundi të ndiqte ruzhdijen e Vlorës. Gjithashtu ndiqte shkollën greke që të mund të nxënte alfabetin grek. Më 1898 nisi të studiojë në shkollën Zosimea të Janinës.

 Gjatë kësaj periudhe nisi të thurte poezi në turqisht dhe persisht. Shkoi të studionte mjekësi në Stamboll, por pas një viti e la. Me ndihmën e Ismail Qemal Vlorës dhe Mulla Xhaferr Drashovicës mundi të kalonte provimin hyrës në Institutin e Lartë administrativ "Mülkiye" në Stamboll, ku u diplomua më 1906. 

 Pas shkollës kreu stazhin në Janinë. Në vitin 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. 

Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit "Bashkimi". Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare osmane, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t'i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë.

 Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit "Bashkimi" të Janinës.

 Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt me ndërhyrjen e Shahin bej Kolonjës, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. 

Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. 

Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali e u kthye sërish ku administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 - 1 janar, 1917). 

Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. 

 Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 - 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. 

 Më pas u caktua konsull në Triestë, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua "Zëvëndës i ngarkuar me punë" në Sofje e më pas, po aty, "sekretar i parë" dhe "i ngarkuar me punë". 

Në vitet 1930 - 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë.

 Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Asllani qe pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga kryeministri Vërlaci dhe ministri Ypi që i dërguan kurorën e Skënderbeut monarkut italian Viktor Emanuelit në Romë.

 Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Me ardhjen e regjimit komunist është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. 

Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

 Veprat letrare Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën "Hanko - Halla" që u botua në vitin 1942. U gjet në dorëshkrim përkthimi i gjysmës së dytë të viteve '40 të kujtimeve të Syrja bej Vlorës, përkthim i cili nga dialekti i përdorur dhe nga inicialet A.A., mendohet të jetë i Ali Asllanit

. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 - 66 përmendim: 

 "Vidi - vidi pëllumbeshë" (1960), 
"Shqipëria kryesorja" (1961),
 "Vajzat dhe dallëndyshet" (1964), 
"Kur merr zjarr rrufeja" (1966) 
dhe pas vdekjes iu botua "Poezia shqipe" 1973
. Është autori i këngës së njohur "Vlora, Vlora". 

Pas viteve 90 iu botuan disa libra si: 
 "Poezi të zgjedhura" në 1996,
 dhe 
"Vidi, vidi pëllumbeshë" në 1999. 
"Hakërrim"


Ne nuk e dimë si vdiq poeti

Me gjuhën e poetit do të shprehem: Ravijëzim në portret. Fytyra e tij regëtinte. Trupi flinte, mendja dremiste. Deshifrimi: Ekzistenca juaj,është burim i pashtershëm poetësh. Frymëmarrja e dimrit tek fytyra e zbehtë e poetit lirik ruante kërcënimin e një dihatjeje të vështirë. Trupi nuk ndjente më sëmbimet e zemrës. Por ajo nuk ndjente më, as klithmën e dalë nga fundi i shpirtit. Frymën e fundit, që kërcënonte dhe e kurthonte me terrin e zi, përgjithmonë e dha në 21 dhjetor. Pak përpara rënies së acarit së parë të shekullit. Pak përpara ardhjes së dimrit të ftohtë. Ne nuk e dimë si vdiq poeti. Ishte në Tiranë. Dimë, se vdiq në vitin 1966. Dhe asokohe bënte 86 vjeç. Kemi mjaft përshkrime të disa autorëve që kanë jetuar aso kohe dhe e kanë njohur se si poeti përshkonte udhën kur shkonte te Lidhja e Shkrimtarëve në godinën te rruga e Kavajës. Në rrugë ecte një fisnik me një bastun. Ishte poeti lirik, diplomat, politikan, ish-kryetar i bashkisë të qytetit të Flamurit. Një përshkrim më të saktë bën shkrimtari Agim Shehu diku në një skicë të tijën. Nga kërkimi nëpër arkiv kemi gjetur një gazetë të zhubrosur, rreth 65-vjeçare, ndërkaq ai i përkiste elitës së shkrimtareve shqiptarë të kohës. Nuk është e vështirë të imagjinohet se regjimi i vendosur pas çlirimit të vendit kishte 22 vjet. Ali Asllani ishte poeti i shumë këngëve të njohura: Kënga e Luftës së Vlorës” dhe më tej poema: “Hakërrim” krijimi, që lindi nga korrupsioni dhe kontrabanda në administratë, fenomene të rrezikshme që ishin njohur më parë edhe në vende të ndryshme të botës. Këtë rrezik që i kanosej vendit nga këto fenomene negative dhe që ishin reale gjatë Luftës së II Botërore,i ka pasur mirë parasysh Ali Asllani,kur shkroi poemën Në atë poemë, ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elementëve të pandershëm e të molepsur, që për hir të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptar. Prandaj ai do të shkruante:
“Hani pini e rrëmbeni,mbushni xhepe-mbushni arka…
Të pabrekë-ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…
Hani -pini e rrëmbeni,është koha e çakenjëve,
Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…
Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,
Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…
Dhe për një kërkoni-pesë..por më mirë njëzetë e pesë
Le të rrojë batakçiu, dhe i miri le të vdesë…
Edhe pse ishte nëpunës i regjimit ai i dënonte ato akte që shkonin kundër moralit të tij. Të flasësh për Ali Asllanin, për këtë personaliet të shquar dhe veprën e tij të ndritur, për kontributin që ai ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, e themi me bindje se nuk është shumë e lehtë. Por vepra, që ai ka lënë pas, aq e qartë e kuptueshme dhe shumë e dashur për të gjithë, për të folur diçka nga ajo veprimtari e madhe dhe shumëllojshme, e asaj jete të gjatë, plot brenga, por gjithmonë krenare. Veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore. Ai dha një kontribut të shquar dhe të pa zëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat,e në të gjitha këto fusha ku punoi, la gjurmët dhe shkëlqimin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.
Kur vdiq poeti Ali Asllani
Ja njoftimi, që jep, në 25 dhjetor 1966, gazeta e shkrimtarëve të realizmit socialist, “Drita” kur shkruan: “Më 21-XII-1966 vdiq në Tiranë, në moshën 86 vjeç, poeti Ali Asllani, anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve. I shprehim ngushëllimet tona familjes.” Më poshtë, redaksia e kësaj gazete ka vendosur edhe një vjershë si dhe një shënim, ku thotë: “Këtë vjershë Ali Asllani e pat dërguar në redaksinë tonë për botim disa javë para se të vdiste”. Gazeta: “Drita”, 25 dhjetor 1966. Një pyetje e vogël ngrihet. Poezia ishte shkruar në shtator të vitit 1966. Nëse ishte dërguar para disa javëve, përse nuk ishte botuar, mirëpo dihet edhe fakti, që poetin e politikanin ish- kryetarin e bashkisë së Vlorës e ndiqte nga pas hija e mos botimit. Poezia titullohej: “Le të jemi krenarë”. Po e japim të plotë poezinë, shkruar në stilin e tij, por që i kushtohej kohës.
Le të jemi krenarë
Shqipëria jon’ tashi
di të bëjë diell e shi,
di të bëjë shi e diell,
sepse kokën e mban lart,
sepse rrënjët i ka thellë!
Le te jemi, pra krenarë!
Që nga len te perëndon,
e kush është si vendi jonë?
Si në tok’ edhe në det
kemi pjesën më të bukur,
në të bukurin planet!
Le të jemi pra krenarë,
dy milionë thua shqiptarë,
fis fisnik në radh’ të parë,
titan ishim, titan jemi
dhe përhera gjithë titan,
rreptësonet shum’ shqiponja.
kurse matet me tufan!
Shtator 1966.
Dy poezitë e tjera kushtuar sistemit
Të botuara në këtë gazetë në vitin e ikjes së poetit lirik
Në gazetën: “Drita” të vitit 1966 gjejmë edhe dy poezi të tjera, të cilat nuk kanë atë shkëlqimin e dikurshëm të lirikut poet, që ashtu si kishte mbiemrin kishte edhe vargun poetik, asllan. Sigurisht, që në kontekstin e kohës, Asllani ashtu vetëm mund të gjente dyert hapur për autorin e këngës së Vlorës, pra një dritare të vogël botimi. Poeti ishte gjallë, mirëpo poezia e natyrës së tij, mund të thuhet, në këto vite kishte lindur e vdekur. Kur vdiq poeti, këto poezi të kësaj kohe janë anashkaluar me të drejtë, mirëpo për hir të së vërtetës, po i risjellim, 65 vjet më pas. Poeti A. Asllani mbahet mend për lirikat e bukura aq poetike e shpirtërore, saqë një poet i tillë mundi t’i thurte e t’i latonte mjeshtërisht e bukur. Shiko si e thur ai poezinë e lirë, atë që nga shpirti i buron vetë. Ali Asllani, për fshatin, Vajzë:
“Në krye të fshatit ka një deli krua,
Uj’ i tija akull derdhet në përrua
dhe në krahun tjetër varet nga një mal,
një përrua i rreptë me uturim’ e valë
Mu në mes të tyre bregu Allatoj
dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoi
fshati babagjyshi,t fshati më i mirë
nga ata,që thuhen Labëri e lirë!
Aty ndën shkallë blegërin shelegu,
aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku,
rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle,
nën rrap, në hije pleqtë qajnë halle.
Lahure qëndisur bedenë-bedenë
seç i paska hije asaj protone,
asaj protoene me një furk në sqetull,
që e ther e që e gris me sy e me vetull,
andej disa koce shkojnë në krua,
këtej bagëtia varet në përrua,
me kërrabë në dorë një djalosh,
përmbi sy kësulën,vërshëllim përposh…
Ja dy poezitë e tij botuar në gazetën: “Drita”, viti 1966.
E vërteta dërmon hekur
Kur ia bënte pushka vu,
A e dini këto nëna,
luftë me hasmin hundë-hu,
sa kanë vuajtur ato hëna?
Që të sillnin bukë për çeta
shkel e shkuan mbi bajoneta;
Nëpër gjurma të një mushku,
Pinin ujë me fleta dushku!
Herë i thyente poshtë përpjeta,
Herë i thyente tatëpjeta,
E çfarë buke?një kothere!
Me dy grushte manaferre.
Në fshat foshnjat me pahir,
mbaheshin me hirrë dybeku,
dhe si kecër, kec i shtirë
zor ua mbante kokën zverku!
Ja pse njeriu i ri
mbetet hasmi i çakallit.
Lavdi nënës Shqipëri,
gjithë këta fidan flori
sot i ruan si sytë e ballit!
Mijëra shqerra, mijëra ftuja
veshur ngjeshur me tërtër, (fije ari)
u zhvesh pasha me tre tuja,
po u vesh një fis i tërë.
U çel nëna tungjatjeta!
U çel nena djegur pjekur;
Shif!e drejta e vërteta
se si vjen dërmon hekur.
Kënga e një plaku
Them të shkruaj një poemë
Qoft’ lirike, qoft’ epike,
do ma vargjet me derhem,
të mos dalin shtatanike.
Rrëmoj gjurmët titanike,
Dëgjoj këngët heroike,
Dëgjoj këngët, ato këngë,
Këngë e gunave pa mëngë.
A e njihni Arbërinë,
mos ja prekni krenarinë,
tanim na erdhi radha,
e udhëhequr nga një dritë,
Shqipëria monolitë,
merr e jep me re të bardha.
Po ju flas sepse këtu,
treqind muaj edhe t’hu,
e vërteta ja bën, mu.
Vendi ynë tani po thuaj,
di ta ndez dhe di ta shuaj,
le të jetë lumi turbull,
ne do hidhemi përtej,
kjo shqiponjë që di e ngrihet,
e di mirë se ku do vej’.
Pra, poemë e një poeti,
S’do rënkojë paskëtaj
kjo muzikë eterniteti,
do vazhdojë në tel të saj.
Vendi ynë përher’ nerënzë
kurdoherë sumbulloret,
kënga jonë përhera këngë,
sevdallesh e këtij vendi,
veshur petka prej argjendi,
mot e jet do rrotullonet.
Unë me të vërtetë besoj se poezia është forma më e lartë e shkrimit, por poezitë e mësipërme janë thjeshtë një pasqyrë e kohës dhe atij realiteti, gati skematike. Po të shikosh në tërësi krijimtarinë e Ali Asllanit të mrekullon në atë radhitje fjalësh, figurash e strofash që vazhdon magjepsjen me rininë e përhershme të vargut,me finesën estetike e sensualitetin e thellë. Intuita e tij poetike i kapërcen kufijtë e një përpunimi të zakonshëm të ligjërimit artistik,ku shfaqet shfaqet një harmonizim i rrallë për tingëllimin kuptimor,i ngritur mbi themelet e atij leksikor e fonetik. Ai hyri në thellësinë e labirinteve të gjuhës,duke nxjerr në dritë muzikalitetin e ëmbëlsinë e vargut. Me një dorë prej artist endi në tezgjahun e Labërisë duke thurur e bashkuar harmoninë e tingujve,ekspresivitetin e fjalës e vargut,të strofave,e të krejt poezive të veta. Ali Asllani lindi dhe jetoi me poezinë,atë poezi plotë dritë e hije,plot kontraste e antiteza. Kontrastet dhe krahasimet zbulojnë kulmet ideore, që lexuesi të shikojë përmes dritares së mendjes atë forcë që:
sikur një gur stërrall
në gji zjarrin e ka ngjall
qoftë në lum e qoft në det
zjarr i tija nuk humbet!
Ky është vargu i tij, me rrezatim drithërues që, sa të bën për vete, aq edhe të degdis tutje, atje ku përqafohet me jetën, puthet me pëllumbeshën, shullëhet me guguftunë…nusëron me stil të vjetër, po të ndjek me zjarr të ri”, duke u stacionuar në gjirin e poezisë popullore të ngritur mbi themelet e vendlindjes. Këtu mori nektarin e poezisë, përthithi e beri të vetin mençurinë e vargëzimit, ndjeshmërinë e mendimit poetik, psikologjinë, si dhe reflekset e botës shpirtërore, të shfaqura në një sintezë të thellë të urtësisë dhe filozofisë popullore, e kështu duke krijuar atë që Ali Asllani e quan: Poezi e një poeti,-jo, jo këng ‘eterniteti… Mirëpo duke zgjedhur të qëndronte nën një regjim, që nuk e shikonte më sy të mirë, poeti s’kishte rrugë tjetër. N, Jorgaqi ka shkruar rreth kësaj çështjeje Nëse Lasgushi u mbyll nën vetvete, madje edhe ne shkollarët e dinim të vdekur dhe u habitën kur shtypi dha njoftimin për ikjen e tij në parajsë, poeti lirik lab provoi më kot të vazhdonte atë rrugë me poezinë e bukur të tij, poezinë e lirë, të pastër dhe të sinqertë, që e kishte shkruar vite më parë dhe nën një regjim tjetër. Shumë nga miqtë e tij, i propozuan Ali Asllanit, në përfundim të luftës, që të largohej nga Shqipëria, por ai një gjë të tillë nuk e pranoi. Ja vlerësimi i Ago Agaj nga Smokthina në librin Lufta e Vlorës,1920, faqe 149: “Qofsh i mallkuar-o Ali Asllani, në të dyja jetët -që s’u arratise “bashkë me ne dhe t’i kishe kënduar lirisht, dhe denjësisht këngët e kësaj epopeje…!”.Autori shkruan me respekt për Ali Asllanin, kur përmend atje poemën “Vlora-Vlora” dhe me të vërtetë, në ato vende të lira që Ali Asllani i njihte shumë mirë, patjetër që do të këndonte më shumë e më bukur, asaj ngjarjeje, sepse kushtet andej ishin më të mira e të favorshme për të. Por ai, si patriot, atdhetar i madh që ishte, nuk u largua nga vendi i tij, duke mbetur kështu, një shembull i shkëlqyer.(EDUART FRAKULLA PASHA VLONJAT)
Përgatiti për shtyp:Flori Bruqi

Ndre Mjeda : Geg' e tosk', malsi, jallia jan' nji komb, m'u da, s'duron

U lind në Shkodër më 20 nëntor 1866, i biri i Jakut të Zef Kryeziut nga Mirdita dhe Luçijes së Shtjefën Thaçit, banonin në një jerevi në rrugëzën "Krroqej". I mbetur jetim nga i ati herët, me përkrahjen e jezuitit Atë Jungg u regjistrua me të vëllanë, Lazrin, në kolegjin saverian të porsahapur; ku studioi nga 5 prill 1877 deri më 1880. Në edukimin e tij patën ndikim Ndue Bytyçi dhe Leonardo de Martino. Shoqëria e Jezuit e dërgoi djaloshin Mjeda jashtë për studime e specializime.





Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias. Në fillim ndenji tre muaj në pranverë 1880 në fshatin Cossé-le-Vivien, sot në qarkun Mayenne të Francës, kurse më pas ndoqi një kolegj në manastirin Kartuzian "Porta Coeli" në veri të Valencias në Spanjë, ku studjoi për letërsi.
Më 1883 gjendej në Porto Re duke studjuar retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në kolegjin "Marco Gerolamo Vida" në Kremona që drejtohej nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj tjetër gregorian në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos, ku ndenji deri në fund të atij viti.
 Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin "Marco Girolamo Vida" në Kremona. Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit, ku dhe u njoh me veprat albanologjike të Meyer e Pedersen. Më 1893 gjendej në Goricia, kurse pas një viti përsëri në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian. U emërua profesor i logjikës e më pas i metafizikës. Më 1898 për arsye fërkimesh mes Vatikanit dhe Perandorisë Austro-Hungareze, Mjeda u përjashtua nga Shoqëria e Jezuit.

 Më 1899 e abatit Doçi, u emërua famullitar në Vig dhe u anëtarësua në shoqërinë "Bashkimi". Por më pas u largua dhe me të vëllain, themeluan shoqërinë "Agimi" i përkrahur edhe nga Xanoni e Logoreci.
Shkurtin e 1902 i dërgon një letër apokrife konsullatave të huaja për kërkesat që kishin kryengritësit mirditorë në atë kohë.
 Nga 17 marsi i 1905 deri më 15 mars 1906 shërbeu si famullitar në Dajç, dhe më pas në Kukël. Më 1908 si përfaqësues i shoqërisë "Agimi" mori pjesë në takimet që u bënë me rastin e Kongresit të Manastirit. 

 Më 1913-1916, pas mbarimit të rrethimit të Shkodrës, vijoi të shërbente si famullitar i Kuklit, ku në mars të 1914 hartoi një projekt për krijimin e një ferme bujqësore moderne të cilin ia dorëzoi konsullit të përgjithshëm të Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër, Hallas.
 Organizoi qëndresën kur serbët ripushtuan zonën dhe në ikje e sipër e arrestuan në janar të 1916.

 Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, u thirr në Shkodër si anëtar i Komisís Letrare dhe më 11 dhjetor 1916 u emërtua mis veprues i Komisisë me rrogë.

 Në maj të 1917 ndërmori një ekspeditë shkencore trijavore në qytetin dhe krahinën e Elbasanit për të gjurmuar veçoritë e të folmes së elbasanishtes, që Komisia kishte vendosur të ishte baza e shqipes së njësuar.
 Më 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës,u rizgjodh në dhjetorin e 1923; në famullinë e tij në Kukël kishte lënë zëvendës Dom Ndre Zadejën. Gjatë veprimtarisë parlamentare, Mjeda në qershor 1921 u caktua në Komisionin parlamentar të Drejtësisë. Në korrik mbajti një fjalim të fuqishëm për çështjen e masakrave serbe në Kosovë.
 Hartoi edhe pjesë nga rregullorja e brendshme e parlamentit të kohës, përkatësisht ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij.

 Pas vrasjes së Avni Rustemit, Mjeda bashkë me kolegët e vet përfaqësues të Shkodrës, u kthye në Shkodër dhe në maj të 1924 nxit fshatarët e Kuklit që të përkrahnin revoltimin e njësive të ushtrisë që çuan drejt Lëvizjes së qershorit dhe qe pjesë e shtabit të kryengritjes.
 
Pas Lëvizjes jetëshkurtër të qershorit dhe rikthimit të Zogut, tek po bëhej gati të shkonte me autobus në Tiranë që të merrte pjesë në punimet e Asamblesë, u arrestua dhe u burgos në Prefekturën e qytetit të Shkodrës nga 14 janari deri më 2 mars 1925.

 U tërhoq nga jeta politike dhe u kthye në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër.Ndërroi jetë më 1 gusht 1937 nga një atak në zemër.

 Vepra Gjatë viteve studentore nisi të shkruante poezi, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1886 në broshurën Scahiri Elierz (Poeti i nderuar), ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha Vorri i Skanderbegut. Tema e shqiptarit në mërgim, që e merr malli për atdheun nën zgjedhën turke, ishte më se e zakontë në letërsinë e Rilindjes, sidomos në dhjetëvjeçarin pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit. Edhe shumë vjersha të tjera nga penda e tij u kushtohen temave të tilla kombëtare. Por në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij Leonardo De Martino. Po aq ndihet në vargun e Mjedës edhe ndikimi i poetëve bashkëkohës të Italisë: Karduçi, Paskoli, D'Anuncio si dhe autorë letërsisë latine.[4] Vjersha e Mjedës Gjûha shqype, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer. Veprat e Majerit dhe Pedersenit zgjuan te Mjeda interesimin për historinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, që do të vazhdonte edhe në vitet e mëvonëshme dhe do të kthehej në një ndihmesë për vetë problemin e alfabetit, nëpërmjet punës së tij me tekstet shkollore dhe tekstet e vjetra shqipe. Në krye të shoqërisë "Agimi" botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritikeme kroatishten si model. Me këtë alfabet Mjeda dhe Xanoni botuan një numër këndimesh për shkollat shqipe, ndër to Këndimet për shkollat e para të Shqypnisë, i cili përmbante një numër tekstesh në prozë të shkruara nga Mjeda. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e qiellzoreve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe).
 Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjeda e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima "Scodra" dhe "Lissus", ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme. Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t'u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934).

 Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e Bogdanit (1930) dhe të Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

 Letërkëmbimi Ndër bashkëkohësit e Rilindjes, Mjeda kishte letërkëmbim me Nikolla Naçon, të cilit i shprehte dëshirën që ta ndihte të lidhej me rilindas të tjerë.

 Mjeda u interesua që herët për veprën e albanologëve që bënë studime e botime mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Kësodore pati një letërkëmbim të rëndësishëm me Meyer, Pedersen, Thomsen, Thurneysen, Krymbacher, Kretschmer, Bloomfield, Brugmann, Tagliavini, Patsch, Jagiq, Nachtigal, Skok, Jokl, Reinisch, Karabacek, Mueller, Schroeder, Jarnik, Lambertz, Meillet, Viezzoli, Valentini, Cordignano, Teza, Nopça, Thalloczy dhe Weigand.

 Tituj të veprave Scahiri Elierz. Shkodër, 1886; Jeta e sceitit sc' Gnon Berchmans (Jeta e Shën Gjon Berhmansit) përkthim. Romë, 1888; T'perghjamit e Zojs Bekume (Vëgimi i Zonjës së Bekuar) përkthim nga spanjishtja. Romë, 1892; Historia e shejtë përkthim nga "Katekizmi i madh" në tre vëllime dhe jetëshkrim i Shën Luigj Gonzagës; Juvenilia - botim poemash. Vienë, shtypshkronja Gj. M. Vernay, 1917; Lissus - libërth, poemth liriko-romantik me 12 sonete. 1928;

 Përkthime Versi e poemi (1966), a cura di Jolanda Kodra, perkthime ne italisht Mark Ndoja, Tiranë: "Naim Frashëri". 

GJUHA SHQYPE

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon;
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................

Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.

Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.

E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

VAJI I BYLBYLIT

Po shkrihet bora
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen
Pse po gjemon ?


Pushoj murrlani
Me duhie t`vet :
Bylbyl i vorfen ,
Cou , mos rri shkret.


Gjith fushet e mallet
Blerimi i mbeloj;
Livadhi e pema
Gjith kah lulzoj.


Nder pylla e ograja,
N`ma t`mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gezon gjith kend.


E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue qe veret
Rrjedh nëpër gjeth.


A cile kafazi,
Bylbyl, flutro;
Nder pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.


Kerkush ma hovin
Atje s`ta pret;
Me zeher haejen
Kurkush s`ta qet.


Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim;
E gjith ku t`rreshket
Shkon fluturim.


Neper lamije
Ke me gjet mel;
Për gjith prendveren
Njajo buk t`del.


E kur t`zite edi
Nder prroje pi;
Të njato prroje
Qe ti vete di.


Tash pa frige cerdhen
E ban n`ndo`j lis;
Nuk je si i njeri
Qe nuk ka fis.


E kur t`vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me kendue
Si ke zakon.


Rreth e rreth gjindja
Me t`ndie rri;
Prej aso vendit
Dahen me zi.


A cile kafazi
Bylbyl flutro;
Nder pyje e ograja
Bylbyl shpejto.


Nder drandofille
Nder zamake nga;
Ku qeshet kopshti
Idhnim mos mba.


Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjemon?

LIRIA

- I -
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja;
mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!

"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.

- VI -
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.

E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija

e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.









Përgatiti për shtyp:Flori Bruqi










LISSUS

T’falemi o Lesh, i lum per sa Madhnija
shperndau rreth teje miradina e hire,
e perdoroi me cen’e kujdes dija
e sa mjeshtrave lulzuen n’ket toke Ilire.

Me rruga t’drejta hijeshue, me shpija
t’nalta si sukat qe t’shikojne me smire;
me ndertesa t’ushtrimeve ku femija
vuejshin fatosat e nji kohes ma t’veshtire.

E kqyrshe sqelen qe Sirakuzani
ndertoi, e n’drite t’venitura ti njifshe
fytyren tande me stoli t’nji mbreti.

E lundra t’jueja mbushe me rob qe bani
fitues Ilirsi, e, porsi fjetun, shifshe
andrra fatosash, tuj t’perkundun deti.

GUXO

Lundertari qe s'rezikohet
Kur asht' deti shkum' e vale
Vete me vedi mos t'ankohet
Se i shkoi dita pa fitim


Tuj u tall' e tuj pritue
Kurrgjasend nuk qitet n'drite
Cfaredo sendi me fitue
Trimni lypet e guxim

DJALI PA NANË SI NATA PA HANË

Pra ‘i djalë i vorfen kuej nuk i dhimet,
Kur, si mue t’shkretin, t’a mlojn mjerimet?
Teper shpejt bora, tuj ra n’ vorfunim,
Njatë qi per mue ish’ diell n’ agim.

Emnin e kandshem m’i a ndie kot prita
Njasajë qi n’ kobe do t’ m’ ishte drita:
Kuej nuk i dhimem, askush s’ m’ kujton,
Sado qi zemra vec gjak m’ pikon.

Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,
Me nanë, me moter, ah! sa dashtnija
Vlote n’ ket zemer, qi sot s’ka gzim,
Vetem pse nana m’ la n’ ket vorfnim.

C’ at ditë qi e bora, mue s’ m’ knaqë natyra,
Nder gzime t’ shekllit nuk m’ qeshet ftyra;
Kurr s’ m’ hiqet mendjet kur nana m’ tha:
T’ laca me Zotin! – e diq e m’ la.

Ah! se fort m’ dote, se fort m’ pat gzue,
Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!
Por qe, se une nanen sot ma s’ e kam;
Un nafakpremi, c’ se i vorfen jam!

Kur, n’ agim t’ ditve, m’ra me shtegtue,
Si dola shpijet, tuj u largue,
E kqyra s’mramit e aq m’ permalloi,
Sa dysh mue zemren, dysh m’a coptoi.

E kush kalote at ditë bri meje,
At ditë qi dhima m’ kish xjerrë mendt kreje,
Thote perajshem: Paska metë shkret!
Zot, njitja doren, majen ti ngiet!

C’ at ditë, si zogu, larg fluturova,
E n’ dhe t’ panjoftun treta, u largova;
S’ desht kush me m’kqyrun, s’ diejta kue’ i flas,
Nji dorë ndimtare c’ at herë s’ m’ u qas.

E kur vetmija mue m’ lodhte naten,
Un n’ gjuj u ulshem, thojshem uraten;
Kujtojshem nanen para Tenzot,
E syt m’ u mushshin gjithherë me lot.

Ah! po, kujtimet e asajë dite
Uratë e kandshme ti m’ i persrite:
O nanë e dashtun, a thue t’ thrras kot,
C’ se fusha e mali me za t’ em lot?

Ah! po, se dhima zemret nuk m’ shkepet,
C’ se gjithkund nanen me e lypun m’ nepet;
Do t’ m’ mysë mjerimi, s’kam si gjallnoj,
Pse deka e nanës zemren m’ a imtoj.

Por, ndale vajin, jeto pa droje,
Mendo se drita prap do t’ agoje,
Kur nder Qiell t’ epra Zoti tash t’ thrret:
Rrethue me lule, nana aty t’ pret.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...