Agjencioni floripress.blogspot.com

2023/06/27

Pikëpyetje mbi pushtetin e Putinit pas revoltës së grupit Wagner

 



Russian Wagner fighters pull out of Rostov-on-Don

Ushtria ruse ka tërhequr trupat e dislokuara për të mbrojtur kryeqytetin pasi forcat e grupit mercenar Wagner u larguan nga qyteti Rostov-on-Don. Kremilini tha se ishte arritur një marrëveshje me komandantin e grupit mercenar, por kjo revoltë thonë analistët mund të ketë pasoja afatgjata për pushtetin e Presidentit Vladimir Putin dhe luftën e nisur prej tij në Ukrainë. Imazhi i Putinit si një udhëheqës i ashpër tashmë është dëmtuar keq nga lufta në Ukrainë. Shumë analistë thonë se marshimi i së shtunës drejt Moskës nga forcat nën komandën e Yevgeny Prigozhinit shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse.

Pikëpyetje mbi pushtetin e Putinit pas revoltës së grupit Wagner
  • Auto
  • 240p
  • 360p
  • 480p
  • 720p
  • 1080p

No media source currently available

0:005:230:00

Në qytetin rus, Rostov-on-Don duket se ka rënë qetësia këtë të dielë, ndërsa në rrugë dallohen qartë gjurmë tankesh të luftëtarëve të grupit mercenar Wagner, që u tërhoqën nga qyteti.

Sfida më e madhe e Presidentit rus Vladimir Putin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet u shua, pasi komandanti i mercenarëve të grupit Wagner, i cili urdhëroi trupat e tij të marshonin drejt Moskës, papritmas arriti një marrëveshje me Kremlinin dhe urdhëroi trupat e tij të tërhiqen.

Revolta e shkurtër shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse, thonë analistë, ndërsa luftëtarët e grupit Wagner nën komandën e Yevgeny Prigozhinit ishin në gjendje të lëviznin pa pengesa në qytetin rus Rostov-on-Don dhe të përparonin qindra kilometra drejt Moskës. Ushtria ruse u vu në lëvizje për të mbrojtur kryeqytetin e Rusisë.

Sipas marrëveshjes së shpallur të shtunën nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, Prigozhini do të shkojë në Bjellorusinë fqinje, e cila ka mbështetur agresionin e Rusisë në Ukrainë. Akuzat kundër tij për kryengritje të armatosur do të rrëzohen.

Qeveria tha gjithashtu se nuk do të ndjek penalisht luftëtarët e grupit Wagner që morën pjesë në revoltë, ndërsa atyre që nuk u bashkuan në kryengritje do t’u ofrohen kontrata nga ministria e Mbrojtjes. Prigozhini urdhëroi trupat e tij të kthehen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, ku ata kanë luftuar së bashku me ushtarët e rregullt rusë.

“Fakt është se kjo marrëveshje duket se i ka dhënë Prigozhinit një lloj lirie për t’u larguar në Bjellorusi. Është ndoshta një surprizë që disa nga mercenarët e grupit Wagner do të futen në ushtrinë e rregullt ruse. Por gjithashtu unë mendoj se kjo sagë nuk ka përfunduar. Sepse e kam shumë të vështirë ta besoj se Prigozhini do të ketë një jetë të qetë në Bjellorusi”, thotë Mark Lyall Grant, ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në OKB.

Pavarësisht situatës së krijuar, ekspertja Marina Miron, nga Departamenti i Studimeve të Mbrojtjes në Kolegjin “King” në Londër mendon se ende nuk ka ardhur fundi për drejtuesin e grupit mercenar Wagner.

“Mendoj se Putini mund të mos përpiqet ta heqë qafe menjëherë Prigozhinin, sepse dikush do të duhet të marrë komandën e trupave të tij në Afrikë, kështu që pjesa e trupave që janë në Rusi mund të dërgohen përsëri në Ukrainë dhe ata që janë në Afrikë dhe Siri do të kenë nevojë për një udhëheqës. Eleminimi i menjëhershëm i Prigozhinit nuk do ta kishte favorizuar Putinin në terma afatgjatë. Kështu që ndoshta për këto qëllime Prigozhini do të mbahet nën hije në mënyrë që të mund të kontrollojë trupat derisa të dalë një alternativë më e mirë”, thotë ekspertja.

Moska u bë gati për përballje me forcat e grupit Wagner duke ngritur pika kontrolli me automjete të blinduara dhe trupa në pjesën jugore të qytetit. Rreth 3 mijë ushtarë çeçenë u tërhoqën nga luftimet në Ukrainë dhe u nisën me nxitim atje herët të shtunën, njoftoi televizioni shtetëror në Çeçeni. Trupat ruse të armatosura me mitraloza vendosën pika kontrolli në periferinë jugore të Moskës, ndërsa pjesë të autostradave u gërmuan për të ngadalësuar marshimin.

Prigozhini kishte kërkuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, të cilin e ka kritikuar prej kohësh me përçmim për drejtimin e luftës 16-mujore në Ukrainë. Të premten, ai akuzoi forcat nën komandën e ministrit Shoigu se sulmuan kampet e grupit Wagner.

“Kjo që ndodhi është një shtysë që Putini të mendojë për një ristrukturim, ndoshta të ministrisë së mbrojtjes dhe vendosjen e dikujt shumë më të aftë me përvojë ushtarake sesa ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Por është e vështirë të gjesh njerëz besnikë që nuk do të të godasin pas shpine, veçanërisht në një vend si Rusia. Pra, mund të ndodhë, por do të marrë kohë sepse për momentin nuk ka asnjë alternativë të qëndrueshme nëse e largon zotin Shoigun”, thotë Dr Marina Miron, nga kolegji “King” në Londër.

Shërbimet amerikane të zbulimit kishin informacione se prej kohësh Prigozhini kishte grumbulluar forcat e tij pranë kufirit me Rusinë. Udhëheqësit e Kongresit u informuan për grumbullimin e trupave të grupit Wagner në fillim të javës së kaluar, tha një njohës i çështjes që foli për agjencinë e lajmeve “Associated Press” me kusht që të mos identifikohet.

Një motiv i mundshëm për kryengritjen e Prigozhinit ishte kërkesa e ministrisë së Mbrojtjes, të cilën presidenti Putin e mbështeti, që kompanitë private të nënshkruanin kontrata me të deri më 1 korrik. Prigozhini kishte refuzuar ta bënte këtë.

Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura britanike, Richard Dannatt, mendon se pavarësisht kësaj situate të krijuar, Ukraina sërish duhet të ketë kujdes.

“Fuqia e Putinit dhe e ushtrisë ruse ka rënë shumë dhe kjo është e rëndësishme për sa i përket Ukrainës. Por fakti që Prigozhini dhe grupi Wagner po shkojnë në Bjellorusi nga ana tjetër është shqetësuese. Sepse nëse ai ka shkuar në Bjellorusi së bashku me forcat e tij, kjo paraqet përsëri një kërcënim për forcat ukrainase pranë Kievit, ku gjithçka filloi më 24 shkurt të vitit të kaluar”, thotë ai.

Trupat e Wagner-it kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Ukrainës, duke pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit, një zonë ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata.

Presidenti Joe Biden: Perëndimi nuk ka gisht në rebelimin kundër Putinit

 

Presidenti Joe Biden tha të hënën se, një kryengritje e shkurtër e mercenarëve rusë kundër Kremlinit ishte pjesë e një lufte brenda sistemit rus dhe se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk kishin gisht në të.

“Ne e bëmë të qartë se nuk ishim të përfshirë, nuk kishim të bënim me të”, tha Presidenti Biden në komentet e tij të para lidhur me rebelimin e mercenarëve të Wagner-it që shpërtheu gjatë fundjavës.

Gjatë prononcimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden foli rreth luftës për pushtet mes forcave të ndryshme në Rusi, ndërsa mercenarët marshuan drejt Moskës, por ndryshuan qëndrim.

Zoti Biden tha se i kishte kërkuar ekipit të tij të sigurisë kombëtare që ta përditësonte atë për situatën “orë pas ore” dhe të përgatitej për një sërë skenarësh, për të cilat nuk dha detaje.

Shërbimet e zbulimit rus po hetojnë nëse agjencitë perëndimore të spiunazhit luajtën rol në kryengritjen e ndërprerë në mes, citoi agjencia e lajmeve TASS të ketë thënë Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov të hënën.

Agjencitë amerikane të zbulimit “ishin në dijeni” të mundësisë së rebelimit të orkestruar nga kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe e informuan Kongresin, tha një burim që kishte njohuri për çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti.

Presidenti Biden tha se kishte biseduar me aleatët kryesorë në një video-konferencë për t'u siguruar që të gjithë kishin të njëjtin qëndrim dhe për të koordinuar përgjigjen e tyre.

“Ata ranë dakord me mua se duhet të sigurohemi që të mos i japim asnjë justifikim Putinit për ta fajësuar Perëndimin dhe NATO-n për këtë”, tha ai.

Presidenti Biden, i cili foli me homologun Volodomyr Zelenskiy të dielën, tha se do të bisedonte përsëri me të më vonë të hënën, ose të martën në mëngjes, për t'u siguruar që ata kishin të njëjtin qëndrim.

Zoti Biden tha se ai dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të vlerësojnë pasojat e rebelimit në Rusi.

“Është ende shumë herët për të arritur një vlerësim përfundimtar se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai, ndërsa theksoi rëndësinë që mesazhi për aleatët të jetë plotësisht i koordinuar.

Vladimir Putini – Kush është njeriu pas imazhit të projektuar

 Marrë nga AFP.




Presidenti rus Putin duke folur në Kremlin (27 qershor 2023)

Autoritetet ruse njoftuan të martën se kanë mbyllur hetimin penal për rebelimin e armatosur të drejtuar nga kreu i mercenarëve Yevgeny Prigozhin, pa ngritur akuza ndaj tij apo pjesëmarrësve të tjerë. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë tha se hetimi konstatoi se personat e përfshirë në rebelim “ndalën aktivitetet drejt kryerjes së kësaj vepre penale”. Gjatë fundjavës, Kremlini u zotua të mos ngrejë akuza ndaj zotit Prigozhin dhe luftëtarëve të tij, pasi ai ndali rebelimin të shtunën, megjithëse ndërkohë Presidenti Vladimir Putin i kishte quajtur tradhëtarë. Ky moment përbën sfidën e parë të drejtpërdrejtë ndaj Vladimir Putinit që nga marrja e pushtetit në vitin 1999.

Vladimir Putini – Kush është njeriu pas imazhit të projektuar
  • Auto
  • 240p
  • 360p
  • 480p
  • 720p
  • 1080p

No media source currently available

0:006:090:00

Presidenti rus Vladimir Putin falenderoi bashkëkombasit për unitetin e tyre pas një rebelimi të shkurtër gjatë fundjavës nga mercenarët e armatosur.

“Të dashur miq, u drejtohem sot sërish të gjithë shtetasve rusë. Ju falenderoj për qëndrueshmërinë, solidaritetin dhe patriotizmin. Solidariteti civil tregoi se çdo shantazh, çdo përpjekje për të organizuar trazira të brendshme, janë të destinuara të dështojnë”, tha ai në një fjalim televiziv.

Presidenti rus përsëriti se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur vendin dhe popullin rus. Përpara se kreu i mercenarëve Yevgeny Prigozhin të deklaronte tërheqjen, Presidenti Putin e quajti rebelimin “një thikë pas shpine për vendin dhe popullin tonë”.

Vladimir Putin ka ruajtur gjithnjë imazhin e burrit të çeliktë, të ftohtë dhe përherë në kontroll të gjithshkaje.

Ai u ngjit në pushtet në kohëra kyçe për historinë e vendit. Në vitet 1990, Rusia po kalonte kohëra të turbullta; komunizmi kishte rënë dhe në vitin 1991 Mihail Gorbaçovi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Bashkimit Sovjetik. Pasardhësi i tij, Boris Jelcin, ishte një figurë e debatueshme, një populist, që sidoqoftë e drejtoi vendin mes krizave politike dhe ekonomike. Studiuesja Emily Ferris, nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në Londër, thotë se Vladimir Putini nuk vinte nga shtresat elitare të shoqërisë ruse, por nga një prejardhje shumë modeste.

“Disa nga detajet e fëmijërisë së Putinit mendoj se janë të ditura. Ai u rrit në Leningrad, që tashmë quhet Shën Petersburg dhe vinte nga një familje që ishte relativisht e varfër. Mendoj se ajo që i dha dorë ishte kur u bë pjesë e KGB-së”, thotë zonja Ferris.

Megjithatë, Vladimir Putini nuk shkëlqeu në KGB.

Profesorja e studimeve ruse në Universitetin e Mançesterit, Vera Tolz-Zilitinkevic, thotë se gjatë një interviste në vitin 1991, vetë zoti Putin bëri të ditur se kishte gjetur dokumentat e KGB-së ku konsiderohej i papërshtatshëm për t’u rritur në gradë.

“Rezulton se Putini nuk arriti të përmbushte kriteret psikologjike në dy raste. Pikë së pari ishte mungesa e plotë e ndjeshmërisë ndaj të tjerëve, dhe e dyta ishte pamundësia për të vlerësuar rrezikun siç duhet. Është një zbulim tronditës dhe është e habitshme, që vetë Putini e bëri të ditur si informacion”, thotë profesore Tolz-Zilitinkevic.

Sidoqoftë, periudha e shërbimit të tij në KGB ishte e rëndësishme për krijimin e marrëdhënieve të reja me kolegë, që ai do t’i ruante gjatë gjithë karrierës së tij. Zoti Putin pati një rol më aktiv si ndihmës politik për kryebashkiakun e Shën Petersburgut, Anatoly Sobchak, rol që e ndihmoi për të arritur në qarqet më të larta politike të ish-Presidentit Mihail Gorbaçov dhe Boris Jelcinit. Besnikëria e tij ndaj kryebashkiakut Sobchak vlerësohej nga Boris Jelcini.

“Ishte e qartë se Jelcini duhej të largohej për shkak të shëndetit dhe elitat ruse nuk kishin ndonjë plan për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato në fakt donin një lloj transferimi të pushtetit, ku me ndihmën e manipulimit mediatik, të caktohej një kandidat dhe pati negociata mes Jelcinit dhe ndihmësave të tij se kush duhej të ishte ky person. Për Jelcinin, besnikëria ishte tepër e rëndësishme”, thotë profesore Tolz-Zilitinkevic.

Zonja Ferris thotë se edhe Vladimir Putini vlerëson besnikërinë.

“Shumë nga personat që janë rreth tij sot në pozicione vërtet të larta në shërbimet e sigurisë, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe njerëzit më të afërt janë vërtet nga periudha e mesme e karrierës së tij. Mendoj se kjo rrëfen se sa e rëndësishme ishte për të”, thotë zonja Ferris.

Por, ajo thotë se shumë nga kolegët e tij nuk ja thonë gjithnjë gjërat që ai duhet t’i dijë dhe për rrjedhojë ai nuk ka një pamje të plotë të zhvillimeve.

“Mendoj se ka një ngurim të madh për t’i dhënë lajme të këqija presidentit, apo të dhëna zbulimi që mund të paralajmërojnë probleme për të. Mendoj se ekziston një kulturë për të mos i nxjerrë në pah, ose për t’i zbukuruar disi, aspektet më të parehatshme të jetës së përditshme ruse, pasi askush nuk dëshiron të jetë personi që i sjell pakënaqësi”, thotë zonja Ferris.

Emërimi i parë që ai ka bërë nga jashtë rrethit të Shën Petersburgut është Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, rivali kryesor i kreut të Grupit Wagner.

“Ajo çfarë ai vlerëson pikë së pari është jetëgjatësia e shërbimit dhe së dyti besnikëria dhe këto janë gjëra të vështira për t’i ndërtuar. Janë shumë pak personat rrotull tij, që nuk kanë ngjitur shkallët e ‘Rrethit të Shën Petersburgut’, dhe Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu përbën përjashtim”, thotë zonja Ferris.

Profesore Tolz-Zilitinkevic thotë se zoti Putin ka krijuar qëllimisht baza të ndryshme pushteti, të cilat kontrollohen prej tij, si në industri ashtu dhe në sektorin ushtarak.

“Mendoj se pozita e tij është e dobët dhe kjo dobësi u shfaq shumë, shumë publikisht. Dhe me këtë lloj puçi të abortuar dhe ndërsa ai është poshtëruar, mendoj se ai do të përpiqet t’u tregojë të gjitha këtyre klaneve se ende kanë nevojë ppër të si arbitër”, thotë profesore Tolz-Zilitinkevic.

Zonja Ferris thotë se është gjithashtu e vështirë për shoqërinë ruse të dijë plotësisht se çfarë po ndodh, për shkak të ligjeve të reja që ndalojnë ankesat publike nga punonjësit e sigurisë, ushtarakët dhe policët.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...