Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/01/05

Dy djem nga Kosova roje të Isa Boletinit, zbulohet historia interesante e policisë shqiptare

 

Shkruan Gjergj Marku


Atë fund nëntori të largët të 1912-ës, teksa Ismail Qemali i kërkonte Isa Boletinit që t`i gjente dy djem besnikë nga kosovarët që e kishin shoqëruar atë për në Vlorë, për t`i bërë roje tek dera e zyrës së qeverisë të porsaformuar, ai nuk e kishte menduar kurrë se me atë veprim, pa dashur po sanksiononte themelet e armës së Xhandarmërisë së ardhshme të shtetit shqiptar dhe Gardën e saj.

Kështu Isa Boletini, teksa urdhëronte ata dy djem të rij nga Kosova, që quheshin Ahmet Llapi dhe Halim Bajgora, për të ruajtur kryeministrin e parë të qeverisë së porsakrijuar, po ashtu nuk e kishte menduar kurrë, se i kishte dhënë vetes atributet e Komandantit të Gardës, në qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Si vazhdoi më pas krijimi i Xhandarmërisë shqiptare dhe Gardës Kombëtare, e kush ishin njerzit që i komanduan ato?


Zanafilla e krijimit të armës së Xhandarmërisë

Zanafilla e krijimit të armës së Xhandarmërisë shqiptare, ndonëse u nis me ata djem të rinj, kryesisht kosovarë, të cilët ishin nën komandën e Isa Boletinit, nuk e pati jetën e gjatë. Ajo u shpërbë me rënien e qeverisë, pas dorheqjes së kryeministrit të parë shqiptar, Ismail Qemali!

Në fundin e vitit 1913-të e deri në janarin e vitit 1920-të kur u mbajt Kongresi i Lushnjes, ndonëse ekzistonte arma e Xhandarmërisë, nuk mund të flitet për një Xhandarmëri të rregullt të shtetit shqiptar, pasi Shqipëria në atë kohë ishte e okupuar prej fqinjëve dhe mbahej nën administrimin e Fuqive të Mëdha, të cilët u caktuan nga Lidhja e Kombëve për të ruajtur një farë stabiliteti nga trazirat e brendëshme që e kishin përfshirë gjithë vendin dhe nga rreziku që i kanosej nga jashtë, prej ushtrive greke në Jug e atyre serbo-malazeze në Veri.


Në këtë kontekst, ishte dhe ardhja në Shqipëri e kolonelit hollandez, Tomson, i cili mbeti i vrarë në Durrës, në përpjekje për të vendosur rendin e trazuar, nga konfliktet e brendëshme që kishin pllakosur pothuaj të gjithë vendin.

Shkollat e para të Xhandarmërisë


Për herë të parë në Shqipëri, shkollat ushtarake, ose më saktë kurset për përgatitjen e xhandarëve u hapën në vitin 1919-të, në Vlorë e Gjirokastër. Këto kurse në fakt, kishin filluar të zhvilloheshin që më përpara, para vitit 1919-të, kur në Tiranë, nën kujdesin e ushtarakëve austro-hungarezë, filloi përgatitja e ushtarëve dhe oficerëve që do të inkuadroheshin në armën e xhandarmërisë, që kishte si detyrë ruajtjen e rendit e të qetësisë, jo vetëm në qytetet kryesore, por deri në fshatrat e komunave më të largëta të vendit. Këto kurse, u zhvilluan nën komandën e major Ismail Haki Kuçit (me origjinë nga fshati Kuç i Vlorës) dhe kolonelit anglez Ridolf.

Asokohe në ato kurse, që u konsideruan si shkolla e parë e Xhandarmërisë shqiptare, u mblodhën një pjesë e madhe e oficerëve shqiptarë që kishin studjuar jashtë vendit, si në Turqi e Austri, të cilët ishin dhe pedagogët e parë të asaj shkolle. Pas kësaj, në vitin 1921, në Tiranë u hap një shkollë tjetër, e cila filloi të pergatiste nënoficer dhe ushtarë për trupat e rregullta të ushtrisë. Një vit më vonë, në 1922-in, kjo shkollë u transferua nga Tirana në Vlorë dhe destinacioni i saj u kthye vetëm për përgatitjen e xhandarëve. Kjo shkollë në qytetin e Vlorës, funksionoi deri në qershorin e vitit 1924, kur ndodhi Kryengritja e Qershorit që rrëzoi me forcën e armëve qeverinë e Shefqet Vërlacit, në të cilën Ahmet Zogu mbante postin e Ministrit të Brendshëm.

Kurset për përgatitjen e xhandarëve pas vitit 1925


Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në vitin 1925, u krijuan Zonë-Komandat dhe në secilën prej këtyre zonave, u hap nga një kurs për përgatitjen e xhandarëve. Në maj të vitit 1926, në qytetin e Shkodrës u hap një tjetër shkollë xhandarmërije, e cila do të pasohej katër vite më vonë me shkollën që u hap në Durrës.

Me urdhërin e Mbretit Zog, këto shkolla u mbyllën në 1 maj të vitit 1935 dhe u transferuan në qytetin e Burrelit. Transferimi i shkollës së xhandarmërisë për në qytetin e Burrelit, u bë nga ana e Mbretit Zog, për shkak të kërkesave të shumta për të shërbyer në këtë armë, që vinin nga krahinat e Matit, Mirditës dhe Dibrës. Nga kjo shkollë, e cila qëndroi e hapur deri në vitin 1939, kur u krye agresioni fashist italian ndaj Shqipërisë, për çdo vit dilnin një numër i madh xhandarësh, të cilët më pas shpërndaheshin në të gjithë vendin. Po kështu, krahas shkollave dhe kurseve të ndryshme për përgatitjen e xhandarëve, një numër i madh oficerësh të asaj arme, u dërguan jashtë shtetit si në Itali dhe Austri ku mbaruan akademitë ushtarake.

Në vitin 1936, Xhandarmëria Shqiptare kishte një kolonel, 4 nën/kolonelë, 8 majora, 16 kapitena të parë, 32 kapitena të dytë, 40 togera dhe 43 nëntogera, duke pasur gjithsej 144 oficerë në përbërje të asaj arme, me një buxhet të përgjithshëm, prej 3.250. 000 franga ari.

Krijimi i Batalionit Special

Që pas Kongresit të Lushnjes, me rikrijimin e armës së Xhandarmërisë Shqiptare, u vendos dhe krijimi i një Batalioni Special, i cili do të kishte si detyrë kryesore, vendosjen e rregullit e qetësisë në raste trazirash dhe kryengritje kundër qeverisë.

Ky batalion që u vu nën komandën e major Preng Jakut (nga fshati Pruell i Lezhës) i cili ishte shkolluar në një shkollë ushtarake në Vjenë, asokohe u quajt Batalioni Shëtitës, për vetë natyrën e tij, nga që shkonte kudo, duke ndërrmarrë operacione ndëshkimi, në ato krahina ku kishte trazira e prishje të rendit dhe kryengritje kundra qeverisë. Nën komandën e major Jakut, ky Batalion Special i cili ishte në përbërje të Xhandarmërisë shqiptare, arriti që të vinte rregullin e qetësinë dhe të shtypte disa kryengritje kundra qeverisë, si ato esadiste në Durrës, Shijak e Tiranë, Bajram Currit në kalanë e Prezës, (kur sulmoi Tiranën) Gjonmarkajve në Mirditë, kryengritjen e Gashit e Krasniqes etj. Ndonëse major Preng Jaku vdiq aksidentalisht në qershorin e vitit 1923, nga shpërthimi i një bombe, (duke zënë peshk në lumin e Valbonës në Tropojë), Batalioni Shëtitës (special) e vazhdoi aktivitetin e tij, konform mandatit për të cilin ishte krijuar.

Komandantët e Xhandarmërisë

Që pas Kongresit të Lushnjes, në krye të Xhandarmarisë Shqiptare u emërua major, Meleq Frashëri, i cili e mbajti këtë post deri në marsin e vitit 1922, kur u vra në Kamëz, nga sulmet e forcave rebele të Halit Lleshit, Dan Canit, Elez Isufit e kolonel Bajram Currit, të cilët nga drejtime të ndryshme dhe me forca të shumta, sulmuan Tiranën, me synimin për të rrëzuar qeverinë. Pas këtij sulmi që filloi në orët e pasdites, u zhvillua një luftë e ashpër e cila vazhdoi për gjithë natën, nëpër rrugët dhe ndërtesat qeveritare të kryeqytetit, ndërmjet forcave rebele të komanduara nga Elez Isufi dhe atyre qeveritare të Xhandarmërisë që pas vrasjes së komandantit të tyre Meleq Frashëri, i komandonte vetë Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Pas dy ditë e dy netësh lufte që tmerroi gjithë popullsinë e kryeqytetit, e cila u mbyll nëpër shtëpia pa e ditur se ç’po ndodhte, Ahmet Zogu arriti që t’i zbrapste forcat rebele të Elez Isufit e Bajram Currit dhe vendosi qetësinë në Tiranë. Pas kësaj u kthyen në Tiranë të gjithë ministrat e deputetët që ishin fshehur në pyjet e Qafë-Krrabës.

Me ndërhyrjen e ambasadorit britanik Eyres që ishte i akredituar në Tiranë, Zogu e fali Elez Isufin dhe e la të lirë të kthehej për në Dibër, duke i dhënë dhe një sasi të madhe floriri me vete. Pas vrasjes së Komandantit të Përgjithshëm Meleq Frashërit, një vit më vonë në qershorin e 1924-ës, në përpjekje me forcat fanoliste të kryesuar nga kolonel Rexhep Shala, që sulmuan Shkodrën, mbeti i vrarë komandanti i xhandarmërisë i atij qyteti, kapiten Ferid Frashëri. Në vitin 1923, vendin e Meleq Frashërit, në krye të Xhandarmërisë Shqiptare, e zuri major Banush Hamdiu, i cili qëndroi në atë post deri në vitin 1924, kur Ahmet Zogu emëroi aty major Aqif Përmetin. Një vit më vonë në 1925-ën major Përmeti ja la vendin nënkolonel Ramiz Dibrës, i cili qëndroi në krye të armës së Xhandarmërisë deri në vitin 1927, kur ja lëshoi vendin nënkolonel Kasem Sejdinit.

Garda dhe truproja e mbretit

Në fillimin e vitit 1925, kur Ahmet Zogu u rikthye në pushtet, ai i kushtoi një rëndësi të veçantë dhe rikrijimit të Gardës së Republikës, që me shpalljen e Monarkisë u quajt Garda Mbretërore. Në krye të kësaj Garde, që përbëhej kryesisht nga malsorë të ardhur nga krahinat e veriut, si Mat, Dibër e Mirditë, Zogu caktoi si komandant major Hysen Selmanin, që ishte njeri i afërt i tij, i cili njihej si nip i Zogut. Po kështu krahas, rikrijimit të Gardës, Zogu zgjodhi dhe truprojën e tij, që asokohe njihej si adjutantura e Presidentit të shtetit. Adjutant i parë i Zogut ishte nënkolonel Zef Serreqi, (Zogu e konsideronte si njeriun më besnik) i cili rridhte nga një familje e njohur shkodrane dhe kishte studjuar në Austri. Si adjutant i dytë u caktua major, Llesh Topallaj. Pas Topallajt, në adjutanturën e Zogut, u caktua dhe Osman Gazepi me origjinë nga Leskoviku, i cili kishte qenë truproja i Esat Pashës, kur ai ishte deputet në Parlamentin turk dhe kapiten Allaman Çupi, që ishte nga Mati, vendlindja e Zogut. Të gjithë këta, me perjashtim të Topallajt që u vra në 1932-in në atentatin e Vjenës, i shërbyen me besnikëri deri në fund Mbretit Zog.

Riorganizimi i Xhandarmërisë

Me shpalljen e Monarkisë në vitin 1928, Xhandarmëria Shqiptare u organizua në rang qarqesh, rrethesh e postëkomandash në përshtatje me shtrirjen gjeografike të popullsisë së vendit. Pas këtij viti, armës së Xhandarmërisë, (ose gushkuqët e Mbretit , siç njiheshin ndryshe, për shkakt të jakave të kuqe), ju kushtua një rëndësi e madhe dhe u ndërtuan një numër i madh postkomandash, deri në skajet më të largëta të vendit. Lidhur me këtë, një nga gazetat e asaj kohe e cila i bënte jehonë riorganizimit të saj, në mes të tjerash shkruante: “Viset, edhe ma të largëta të atdheut, u pasunuen me një tok godinash, në të cilat ushtaraku e shplodhte trupin dhe nga të cilat nisej kur e lypte detyra për të rikthyer paqën dhe rregullin, atje ku ato ishin të cënue. Udhëtari që dikur u trembej maleve tona, kalon sot lirisht dhe i sigurt dhe në kepat ma të braktisuna, mbasi pothuaj nuk ka kand në Shqipninë tonë, që të mos gjindet një votër gjindarësh. Në asht se në kohnat e para, godinat e postë-komandave të kësaj arme nuk paraqitshin as konfortin ma fillestar, regjimi i Mbretit Zog, ju dha një tok ndërtesash të paqme dhe të hijshme për të gjithë ushtarakët që punojnë aty”.

Në 1938-ën, Xhandarmaria shqiptare kishte 3643 efektivë

Në vitin 1928 numëri i përgjithshëm i xhandarëve në të gjithë Shqipërinë arrinte në rreth 3000 vetë. Ky numër erdhi duke u rritur nga viti në vit me afro 100 xhandarë dhe në vitin 1938 numëri i tyre arriti në 3643 vetë, duke përmbledhur dhe policinë qytetëse, siç quhej asokohe policia bashkiake. Xhandarmëria shqiptare që nga krijimi i saj, i qëndroi besnike deri në fund rolit për të cilin ishte krijuar, duke ruajtur në mënyrë korrekte rendin kushtetues. Po kështu, gjatë përpjekjeve për të rrëzuar regjimin Monarkik, siç ishte “Lëvizja e Vlorës” në vitin 1931, “Kryengritja e Fierit” në 1935-ën, “Kryengritja e oficerëve” me në krye vëllezërit Toto, etj., Xhandarmëria Shqiptare luajti një rol kryesor për shtypjen e tyre. Aq besnike i qëndroi ajo Mbretit, saqë në agresionin fashist të 7 prillit 1939 në Durrës, Zogu caktoi si komandant të Mbrojtjes Kombëtare, oficerin e xhandarmërisë major Abaz Kupin.

Gjenerali britanik në Xhandarmëri

Në vitin 1933, Mbreti Zog caktoi në krye të Xhandarmërisë Shqiptare, nënkolonel Shefki Shatkun, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të asaj arme. Po në këtë vit, Mbreti Zog, thirri në ndihmë të Xhandarmerisë, gjeneralin anglez Perssi, i cili dha një kontribut të madh në forcimin e konsolidimin e asaj arme. Ardhja e gjeneralit anglez, bëri që arma e Xhandarmërisë Mbretërore të vihej mbi bazën e ligjeve dhe rregulloreve të reja përkatëse që u miratuan nga qeveria. Kështu që atë vit, parlamenti shqiptar miratoi ligjin e ri të armës së xhandarmërisë, i cili u shpërnda nëpërmjet buletineve në trupat e asaj arme, në të gjitha qarqet e prefekturat. Mbas shpalljes së Monarkisë, në vitin 1928-të, Mbreti Zog urdhëroi riorganizimin e Xhandarmërisë, duke u mbështetur në një projekt ligj që ishte paraqitur nga ana e qeverisë. Pas kësaj, Xhandarmaria nisi të riorganizohej, duke ndryshuar formën e mëpërparme në batalione, kompani, toga dhe posta. Po në vitin 1930, batalionet u suprimuan dhe xhandarmëria mbretërore u rikthye përsëri në formën e vjetër të saj, e cila mbeti e pandryshuar deri në vitin 1939 kur pushtimi italian shkatërroi përfundimisht regjimin Monarkik të Mbretit Zog, e bashkë me të dhe Xhandarmërinë e shtetit shqiptar…

 

BUlizimet dhe publikimet denigruese në TikTok i morën jetën/ Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve në Shqipëri

Gjuha e urrejtjes dhe bullizmi në rrjetet sociale kanë çuar drejt vdekjes nënën e 4 fëmijëve në Durrës. Ajo punonte prej vitesh në këtë fabrikë për prodhimin e litarëve dhe këtu nisi dhe konflikti me një punonjëse tjetër. Konflikti u transferua në rrjetet sociale, në TikTok ku u publikua dhe një video me foto të viktimës dhe fyerje të rënda ndaj moralit dhe dinjitetit të saj.

Në dhjetor të vitit 2022 Bedrie Loka pati denoncuar në polici se në rrjetet sociale ishte hapur një profil i rremë me emrin e saj. Në lidhje me këtë kallëzim policia deklaroi se e ka referuar çështjen në prokurori,  ndërsa familjarë dhe drejtues të fabrikës i shmangen deklarimeve mbi ngjarjen. Jashtë mikrofonit, familjarë dhe të afër thonë se çështja u mbyll pas largimit nga puna të punonjëseve të përfshira në këtë rast bullizmi pas një konflikti banal të nisur në vendin e punës.

Por viktima vijonte të jetonte mes thashethemnajës në një komunitet të vogël. Me kthimin e bashkëshortit të saj për festën e fundvitit, më 27 dhjetor situata u rindez. Presioni dhe konflikti në familje u hap sërish edhe më i ashpër. Ndaj dyshohet se ajo zgjodhi t’i japë fund jetës së saj.E ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë keqpërdorur të dhënat e saj, shoqëria civile ka njoftuar organizimin e protestave në lidhje me vdekjen e Bedries dhe padrejtësive që u bëhen vajzave dhe grave dhe bullizmit në rrjetet sociale. Gjuha e urrejtjes vazhdon të dëmtojë psikologjikisht mjaft persona, ndërkohë që këtë fillimviti regjistroi dhe viktimën e parë të saj, e cila kërkon drejtësi.

"Rrahja e Sandulloviq, mentaliteti serb nuk ka ndryshuar"

 

kurti sanduloviq

Politikani serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht nga pjesëtarë të shërbimit sekret serb BIA për dy ditë me radhë, për shkak se i njëjti kishte vënë lule te varret e familjes Jashari në Prekaz dhe kishte kërkuar falje për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Kështu ka deklaruar avokati serb, Çedomir Stojanoviq, i cili tha se gjendja shëndetësore e Sanduloviqit është shumë e rëndë, raporton Klankosova.tv.

Ndaj këtij sulmi kanë reaguar politikanë të Kosovës, e ndër ta edhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në X, kreu i ekzekutivit tha se rrahja e rëndë e Sanduloviqit nga shërbimi sekret serb, është tregues se çfarë u ndodhë qytetarëve serbë në Serbi nëse guxojnë të pranojnë të vërtetën dhe të ndjekin pajtimin.

“Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviq është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”.

“Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson taksën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Kjo gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, shkroi Kurti në X

2024/01/04

Prof.Dr. Arben Malaj: Ku nuk ka ligj, nuk ka liri

 


Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe liri e penguar për rreth 110 mijë dosje të zvarritura pafund në hallkat e ndryshme të sistemit gjyqësor në vendin tonë. 


Prof.Dr. Arben Malaj
Ish-ministër i Financave

Telegraf.al/ Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e ankesave për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe veçanërisht rekomandimi i saj se situatat e jashtzakonshme kërkojnë zgjidhje të jashtzakonshme, është mjaft pozitiv dhe shpresëdhënës. Për ta bërë më të qartë analizën në reformën në drejtësi, nuk po fokusohem tek gjysma e plotë kur përfshin ngritjen e SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së mosndëshkimit. Që në fillim më duhet të theksoj se funksionimi i shtetit ligjor është një e mirë publike nga, e cila duhet të përfitojnë të gjithë shqiptarët njëlloj. Sipas John Locke: “Thelbi i ligjit nuk është të shfuqizojë apo të frenojë, por të ruajë dhe zgjerojë lirinë”. Sepse aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri”.

Mallrat publike administrohen nga qeveritë dhe paguhen kolektivisht nëpërmjet taksave. Shembuj të të mirave publike përfshijnë mbrojtjen kombëtare dhe sundimin e ligjit. Sipas Bankës Botërore, mosfunksionimi i shtetit ligjor pengon rritjen e besimit të publikut në institucionet kombëtare. Po kështu, Banka Botërore arrin në përfundimin se dhënia fund e varfërisë ekstreme dhe rritja e prosperitetit në një planet të jetueshëm është i lidhur pazgjidhshmërisht me sundimin e ligjit.

Besueshmëria publike e qeverisë në tërësi dhe e sistemit gjyqësor në veçanti është dëmtuar ndjeshëm.

Këtu janë disa nga efektet kryesore negative nga drejtesia e mohuar për rreth 110 mijë raste; Besueshmëria publike e qeverisë në tërësi dhe e sistemit gjyqësor në veçanti është dëmtuar ndjeshëm. Pa kredibilitet publik, qeveritë janë të dobëta dhe problematike. Rënia e besueshmërisë së reformës në drejtësi. Qytetarët ndjejnë efektet pozitive dhe negative të reformës në drejtësi bazuar në rastet e tyre konkrete. Aspekti social, rreth 300,000 persona (109,000 raste x 3 persona për familje) që po paguajnë kosto të rënda për shkak të vonesave të zgjatura.

Tensionet sociale mes palëve në gjykim priren të rriten, deri në konflikte dhe vrasje mes palëve.

Efekti ekonomik – nga vonesat e këtyre dosjeve janë qindra miliarda të paangazhuara në ekonomi dhe për një kohë të gjatë.

Efekti social – Zgjatja e çështjeve gjyqësore, duke penguar investimin e tyre në ekonomi, prodhon papunësi dhe varfëri.

Dobësimi i qeverisjes – Zgjatja e proceseve gjyqësore krijon rrezik real për rritjen e korrupsionit. Politikat e mira publike në luftën kundër korrupsionit reduktojnë faktorët korruptues, jo thjesht ndëshkimin e të korruptuarve. Fundi i mos ndëshkueshmërisë është arritja më e madhe e reformës në drejtësi. Por pa funksionimin e shtetit juridik në të gjitha aspektet, kjo reforme mbetet e paplotë dhe e paqëndrueshme. Dobësimi i administratës publike – Vonesat në gjykata kanë prekur rëndë administratën publike. Shumë shkarkime nga puna në administratë që aktualisht janë në gjyq janë bërë për motive personale apo edhe partiake. Shumica e tyre janë përdorur për të krijuar vende të reja pune dhe për t’i përdorur ato për nepotizëm dhe shitje korruptive të vendeve të punës. Janë rreth 70 milionë euro ose 7 miliardë lekë që u mbingarkohen taksapaguesve shqiptarë të varfër për shkak të pagesës së largimeve jo ligjore nga puna. Eshte koha të vendosë barazi para ligjit për të gjithë personat vendas ose të huaj. Më konkretisht, bazuar në kushtetutën e vendit tonë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen me prioritet. Por kjo e bën të vështirë respektimin e të njëjtit status të gjykatave vendore. Ne nuk mund të ndryshojmë kushtetutën, sepse ai parim synonte rritjen e sigurisë juridike për investitorët e huaj. Por në rastin konkret mijëra shqiptarë jo vetëm që nuk kanë siguri juridike, por trajtohen si të dorës së dytë. Respektimi i të gjithëve në mënyrë të barabartë do të prodhojë më shumë pozitivitet në vend dhe do të ketë efekte pozitive ekonomike dhe sociale më shumë se të huajt, që fitojnë gjyqe në gjykatat ndërkombëtare. Nuk është e lehtë të negociosh me të huajt mbi këtë parim të barabartë, por nuk është e pamundur. Në vitin 2004, SIGMA, kompania më e mirë në BE për reformën ligjore në vendin tonë, në negociatat me Ministrinë e Financave, kërkoi që në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, në rendin e pagesave. nga Thesari duhet të vendoset në radhë fillimisht shlyerja e detyrimeve ndaj vendimeve të gjykatave ndërkombëtare në favor të bizneseve të huaja. Nuk mund ta mbështesja atë propozim, duke sqaruar se para pagave, sigurimeve shoqërore, pensioneve dhe pagesat për të papunët dhe invalidët nuk mund të vendos asnjë detyrim tjetër. E kemi diskutuar gjatë dhe ai kusht nuk është përfshirë në draftin e paraqitur nga Ministria e Financave. Është koha për më shumë respekt të ndërsjellë në çdo bashkëpunim.

Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese sugjeron një zgjidhje të jashtzakonshme

Reduktimi i vonesave tepër të gjata imponon një rritje të numrit të gjyqtarëve. Cilat mund të ishin disa hapa konkrete për të zgjidhur këtë krizë me një situatë të jashtzakonshme?

  1. Mund të përcaktohet numri mesatar i dosjeve që çdo gjyqtar mund të trajtojë në një muaj.
  2. E drejta për pagesë shtesë u njihet dosjeve të shqyrtuara mbi këtë numër mesatar, por duke vendosur një kufi maksimal të pranueshëm. Shembull jo më shumë se 25% se ngarkesa mujore.
  3. Stafi akademik në universitetet juridike publike dhe private mund të angazhohet në shqyrtimin e çështjeve të stërzgjatura, me procedura të qarta dhe me shpërblim të duhur.
  4. Mund të angazhohen studentë të drejtësisë me master shkencor. Ne kemi ndoshta mijëra studentë me Master Shkencor në Drejtësi.

Ato mund të ofrohen dhe të përgjigjen për gjykimin e çështjeve të pazgjidhura. Të gjithë të angazhuarit do të kenë kontratë për përgjegjësi morale e ligjore dhe përfitime financiare, por edhe aplikimin e bonusit për shkollën e magjistraturës apo promovimin në karrierën e tyre profesionale. Për shembull, kur u aplikua për herë të parë  profesioni i kontabilistit të miratuar me urdhër të ministrit, profesorët në departamentin e kontabilitetit fituan automatikisht titullin “kontabilist i miratuar”, ndërsa fazat e tjera të karrierës për profesione si “audituesligjor” do të përfitonin përmes procedurave të licencimit.
Në përfundim – për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, nuk duhet të ketë asnjë justifikim se kuadri aktual ligjor po na pengon. Ligjet janë vullnet politik në përputhje me disa parime të rëndësishme dhe në kontekstin e situatave konkrete.
Ato nuk janë ligje natyrore të pandryshueshme, të vërtetuara si të tilla. Ndërsa ligjet që japin zgjidhje janë vullneti politik, ku sipas demokracisë,deputetët kanë legjitimitetin dhe fuqinë e deleguar nga zgjedhësit për t’i përmirësuar ato dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë edhe për situatat më të vështira.

(John Locke ishte ndër filozofët dhe teoricienët politikë më të famshëm të shekullit të 17-të. Ai shpesh konsiderohet si themeluesi i një shkolle mendimi të njohur si Empirizmi Britanik dhe ai dha kontribut themelor në teoritë moderne të qeverisjes së kufizuar dhe liberale. ) 

Me qëllim rritjen e aftësive mbrojtëse, ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit Aleksandar Vuçiç rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj, njoftoi Ministria e Mbrojtjes më 4 janar. Ushtria Kjo, siç thuhet, është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”. “Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral, i cili imponoi nevojën e përshtatjes së modelit të plotësimit të ushtrisë që do të mundësonte forcimin e potencialit të përgjithshëm, rekrutim dhe trajnim të një numri më të madh të qytetarëve për mbrojtjen e vendit tonë”, thuhet në njoftim. Paraprakisht, ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç ka paralajmëruar fillimin e procedurës parlamentare për vendimin e anuluar për pezullimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe rishikimin e ligjit që rregullon këtë detyrim. Më 4 janar, Vuçeviç i tha televizionit Happy se nisma po fillon në bazë të një vlerësimi të situatës së sigurisë në vend dhe se shumë vende evropiane po riaktivizojnë detyrimin për të shërbyer në ushtri. Ai deklaroi se nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak për 13 vjet dhe se ushtria “tash ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë”. “Kemi 13 gjenerata ku nuk ka pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak, 13 gjenerata kanë lënë rezervën e Forcave të Armatosura të Serbisë. Nevojat tona të mbrojtjes dhe sigurisë janë që të kemi rekrutë të rinj dhe një skuadër të re, e cila është gjithmonë e gatshme të mbrojë vendin. Nuk do të thotë se po përgatitemi për konflikte apo se disa luftëra janë në horizont”, tha Vuçeviç. Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri. Tema e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk është e re në deklaratat e zyrtarëve. Në vitin 2022 për këtë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa një vit më parë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç. Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO. Në rast se qeveria aktuale vendos të kthejë shërbimin ushtarak në kuadrin e rregullt, Serbia do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë, si Suedia, Lituania apo Gjeorgjia, të cilat e hoqën këtë detyrim dhe më pas e rivendosen atë. Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro.

Porosia e Ramiz Alisë për botimin e veprave të shkrimtarit Gjergj Fishta! Ish-Presidenti komunist: Mësova me zjarr vargjet e tij! Zbardhet letra e Ernest Koliqit

Në të vërtetë, unë nuk e kisha pasur ditë, ase, ndoshta e kisha harruar se edhe Ramiz Alia paska pasur porositë me e botue veprën e Fishtës. Kjo paska pasë ndodhë në vitin e largët ’91, kur udhëheqësi qe konvertuar nga besimi fundamentalist komunist, i pari i sekretarëve të Partisë, në President i Republikës Demokratike. Na e kujtoi “Zëri i Popullit” në numrin e 25 tetorit 1990. Kronika e kohës:… veprimtari e organizuar me vargjet e poetit Gjergj Fishta nga shoqëria që mban emrin e tij në Shkodër, në bashkëpunim me aktorët e teatrit ‘Migjeni’. Mes të ftuarve të tjerë dashamirës të poetit, anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve e intelektualëve, në këtë veprimtari erdhi edhe Presidenti i Republikës, Ramiz Alia. Dhe ai erdhi thjesht për të nderuar kujtimin e poetit e vendlindjen e tij, ku siç tha shoku Ramiz, mësova me zjarr vargjet e poetit dhe ndërsa aktorët recitonin, më kujtoheshin të gjitha, sepse Fishta ka fuqinë dhe fisnikërinë edhe pas pesë dekadash të rizgjohet i fuqishëm në mendjet e njerëzve”. E kronika vijon: “Fishta e meritonte këtë veprimtari të bukur – tha shoku Ramiz.- Ai ishte një artist i madh. Idetë e tij janë me vlera të mëdha politike e atdhetare. Ato i shërbyen atëherë, por edhe sot më shumë i shërbejnë kombit”. Më pas, studiuesi (i ndjerë) Ferdinand Leka i drejtohet Presidentit: “Vepra e Fishtës duhet botuar e plotë, pastaj njerëzit t’i shohin vetë vlerat e saj”. Porse shoku Ramiz e “tejkalon” studiuesin e dashuruar gjithë jetën me Fishtën e i mëkuar që në fëmijërinë e vet me veprën e tij. “Fishta duhet botuar i gjithi, e tërë vepra e tij madhore – thotë vetë ai – Është gabuar që nuk është botuar deri tani”. Këtu kronika mbyllet… Për të mos u hapur më. I pari dhe i fundit president që ka sugjeruar botimin e veprës së Fishtës paska qenë presidenti komunist. Bash ai, i cili bashkë me pararendësin e tij e kishin rroposë shtatë pash nën dhé Fishtën dhe veprën e tij, për të mos u kujtuar e përmendur kurrë. Asnjë president shqiptar më pas nuk e ka zënë në gojë veprën e Fishtës. 21 vjet më vonë, me 2002-shin, njëri prej tyre, zoti Alfred Moisiu, i ka dekretuar titullin “Nderi i Kombit” Fishtës… (62 vjet më vonë, mbasi ai e kishte mbyllur me nder si askush tjetër jetën e këtushme në dobi të kombit të vet). Asnjë ministër Kulture i 33 vjetëve të pasregjimit nuk e ka përmendur botimin e veprës së Fishtës e jo më të hartojë ndonjë projekt. Asnjë ministër Arsimi i 33 vjetëve nuk ka hartuar, madje as përmend ndonjë projekt që vepra e Fishtës të mësohej në shkollat e Shqipërisë. Gjithfarë autorësh e librash letrare kanë hyrë në listat e pasurimit të bibliotekave të shkollave të Shqipërisë në 33 vjet, porse Fishta jo. (Përveç disa kolanave të veprës së plotë që ka tërhequr Drejtoria Rajonale Arsimore e Lezhës, sivjet. Nderim e respekt!). Gjithçka më pas është sipërmarrje pasioni e dashamirësve të Fishtës së madh, pa asnjë përkrahje nga shteti. Sipërmarrja e parë dhe më serioze zyrtare për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve Shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma pati zënë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkodër, At Anton Harapi. 

 Letra fillon me: “I dashuni shok – dhe vijon – Sikurse kemi nda nëmbledhjen e përgjithshme mbajtun me 21 shtatuer k.v (të këtij viti), në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ia nisim veprimit për botim të ‘Opera Omnia (vepra e plotë)’ të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe anëtar i Institutit tonë”. 

Në korrespondencën e mëpasshme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: Të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue përfshi edhe artikujt e letrat e botueme. 
Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. 

Proza të rregullohet sipas planit që ka lanë vetë auktori: 1.Sociologji, 
2.-Polemikë, 
3.Ligjirata, 
4-Miscellanea (të përziera). 

FRANO KULLI




Diplomatja angleze Kearns: Bashkë për paprekshmërinë e tokës!

Kryetarja e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, e përshëndeti vendimin se shefit të diplomacisë angleze, David Cameron për të vizituar Kosovën.

Përmes një postimi në Twitter, ajo shkruante se është koha të ngrihet zëri për Kosovën.

“Më vjen mirë të shoh David Cameron sot në Kosovë. Britania e Madhe ka një rol të rëndësishëm për të luajtur si një zë i pavarur dhe për të sfiduar mungesën e drejtësisë në Procesin e Berlinit. Është koha që ne ta gjejmë forcën për Kosovën dhe të qëndrojmë të palëkundur me ta kundër irredentizmit”, ka shkruar deputetja britanike.

Kohë më parë, krerët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa vendeve i shkruan shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak duke përmendur me detaje sulmet e njëpasnjëshme, si agresionin serb më 24 shtator apo rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe theksonin se ngjarja e Banjskës mund të kishte përshkallëzuar po të mos ishte për profesionalizmin e policisë.

Në letrën e firmosur mes të tjerësh edhe nga Kearns, i kërkohej po kështu Brukselit edhe heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në mesin e masave në fjalë është ndërprerja e përkohshme e punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe pezullimi i pranisë së Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...