Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/02/18

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen takohet me Kurtin dhe Vuçiçin: Millan Radojçiç duhet të arrestohet për ngjarjen në Banjskë

 

Senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, tha se Millan Radojçiç duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Shaheen, që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është takuar veç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se sa i përket Radoiçiqit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radojçiçin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, vrasjet [e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë], tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që kishte në fokus situatën në Ballkan, sipas REL.

Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve që pasuan në këtë fshat të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serb.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë Radojçiçin.

Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarrestime.

Pas ngjarjeve në Banjskë, Serbia e la të lirë Radoiçiqin, por me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia, e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, deklaroi Sveçla më 16 shkurt.

Disa ditë sulmit, Sveçla kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se mbi “80 terroristë” kishin qenë të përfshirë në të.

Gjatë panelit të diskutimit në Munih, senatorja demokrate Shaheen, e cila në të kaluarën ka vizituar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, tha se është e rëndësishme që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të përqendrohen në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, qoftë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, në situatën në Bosnje e Hercegovinë apo në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sa i përket temës së fundit, ajo tha se shtetet që ndërmarrin vendime të vështira dhe bëjnë reforma, duhet të shpërblehen në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

“Ne po ndërtojmë një koalicion në Senat për nevojën se ne duhet të mbështesim përpjekjet në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Shaheen shtoi se do të vazhdojë të shtyjë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, që të mbështesë përpjekjet për paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Dua të theksoj se këto përpjekje diplomatike janë publike dhe private. Pra, ka gjëra që ndodhin në prapaskena që ndihmojnë në ‘lëvizjen e topit’ në mënyrë që të lëvizin gjërat që thuhen publikisht”, tha Shaheen.

Kosova e konsideron SHBA-në aleaten më të madhe të saj. Por, së fundi raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë tendosur pasi Kosova nisi zbatimin e një rregulloreje për pagesa me para të gatshme, që përjashton përdorimin për pagesa të dinarit serb – valutë që përdoret nga popullata serbe në Kosovë.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se mospërfillja e kërkesës së tyre për shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

SHBA-ja ka argumentuar se rregullorja është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Baza e Kuçovës e ndërtuar për Traktatin e Varshavës, tani në dispozicion të NATO-s, ish-pilotët e avionëve MIG: Aeroport më i mirë se Rinasi e Gjadri

 

Në Kuçove pranë bazës së parë ajrore taktike të NATO-s në Shqipëri ndodhet baza që është ndërtuar fillimisht në komunizëm në vitin 1952 me punë vullnetare, ndërsa që prej janarit të vitit 2022 këtu ka nisur puna ku janë investuar rreth 50 mln euro për të krijuar një infrastrukturë moderne dhe me kushte bashkëkohore për të mundësuar dislokimin e mjeteve ajrore të NATO-s të cilat pritet të kryejnë operacione stërvitore  apo ta përdorin për nevoja të tjera të Aleancës.

“Për bazën e Kuçovës kjo është një gjë e mirë se vihet në lëvizje. Është një bazë që do krijojë mundësi dhe për aftësitë mbrojtëse tonat sepse është e përbashkët po ashtu edhe për ekonominë e qytetit sepse do të ketë punësim. Ajo është një bazë logjistike që do jetë gjithmonë në zhvillim. Eshtë në një pozicion jazhtzakonisht të mirë jo vetëm për vendin tonë por për gjithë rajonin”, tha Viktor Vangjeli-ish pilot në regimentin Kuçovë.

Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua t’i shërbente Traktatit të Varshaves ku Shqipëria ishte anëtare në 1952, por tani ajo do të jetë në dispozicion të NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur njerezimi dhe që i sherben paqes dhe vlerave të demokracisë perendimore.

“Zona është e hapur komplet nga të gjitha drejtimet që lejon edhe kur bie shi i rëndë dhe gjithë të tjerat avionët të ulen pa pasur problem siç kanë në aeroportet e tjera erë të fortë siç ka Gjadri apo mjegull siç ka Rinasi. Pra është zgjedhur jo vetëm strategjikisht sepse aty ka qenë një aerodrome por edhe për kushtet e fluturimit”, tha Astrit Jaupi-ish pilot.

Nga kjo bazë pritet që të bëhet edhe kontrolli hapsirës ajrore shqiptare si dhe të ndërtohet qendra e komandimit të dronëve të armatosur Bajraktar TB-2 që priten t’i bashkohem flotës së ushtrisë shqiptare.

Puna në bazën ajrore të Kuçovës është ende duke vijuar megjithse inagurimi është parashikuar të ndodhë në 4 mars. Puna vijon për rindërtimin e pistës dhe të kullës së kontrollit ndërkohë që janë ndërtuar depot e armatimit dhe të karburantit, vendparkimet e avionëve si dhe stacionet e avarive dhe zjarreve.

Emigrantët problem në Holandë/ Përplasje mes grupeve, shkatërrohet Haga

Teksa shumë parti popoliste në Europë janë rreshtuar kundër emigrantëve, duket se këta të fundit jo rrallë herë janë shndërruar në problem madhor për qytetet europiane ku ata kanë zgjedhur të jetojnë. 

Një rast i tillë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në Hagë të Holandës, ku emigrantët janë shndërruar në një frikë e panik për qytetarët holandezë. 

Incidente të dhunshme shpërthyen mbrëmjen e vonë të së shtunës në Hagë, Holandë, mes emigrantëve. Incidentet ndodhën rreth Teatrit të Operas kur grupet rivale të emigrantëve nga Eritrea u përleshën me njëri-tjetrin.

2024/02/17

Sinisha Petriq, i njohur ndryshe si Zenica-Ekstradohet në Bosnje i dyshuari kryesor për masakrën Dubravës




Shkruna;Flori Bruqi

Sinisha Petriq, i njohur ndryshe si Zenica, tashmë ka arritur në Bosnje dhe Hercegovinë. Njeriu kryesor që dyshohet se ka kryer masakrën në Burgun e Dubravës është ekstraduar nga Spanja. Sipas mediave boshnjake, ai nga aeroporti është dërguar menjëherë në burgun e Foçës të Bosnjës. Gjykata e Qarkut në Banja Lukë miratoi dënimin e Petriqit në BeH edhe më herët. Ai njihet si krahu i djathtë i Luka Bojoviqit, si dhe për vrasjet gjakftohtë dhe monstruoze në mbarë Evropën. Si i mitur, “Zenica” ishte anëtar i grupit të vrasësve të Marinka Magda, i cili masakroi 14 persona në Vojvodinë dhe Hungari. Ekipi i Petriqit punoi për Magdën, kështu që në janar të vitit 1994, në vetëm një natë, në Suboticë, ata vranë Milanin, Stanin dhe djalin e tyre Danet Petriqin, i cili në atë kohë ishte vetëm 11 vjeç, si dhe Vera dhe Josip Agatiq. Ekstradimi i tij u bë dje pasi i njëjti është shtyrë dy herët e tjera. 

           Si i mitur, “Zenica” ishte anëtar i grupit të vrasësve të Marinka Magda



 Më herët, Gjykata e Qarkut në Banja Luke ka njoftuar se ka nxjerrë një vendim për njohjen e vendimit të gjykatës kombëtare spanjolle për shkak se janë plotësuar kërkesat ligjore, si dhe kërkesat nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kështu, gjykata pranoi se Petriq po vuan dënimin në Bosnje dhe Hercegovinë. Me vendim të gjykatës kombëtare në Spanjë, Petriq u dënua me pesë vjet për krim të organizuar dhe për posedim të një arsenali lufte të armëve dhe armëve të zjarrit me 10 vjet burg. Siç shpjegohet në deklaratën e Gjykatës së Qarkut të Banja Lukës, ajo për të cilën Petriq u dënua në Spanjë janë vepra penale sipas legjislacionit vendas. Krimineli serb për të cilin dështoi ekstradimi nga Spanja në Bosnjë e Hercegovinë dy herë me radhë, njihet mjaft mirë nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës. Sinisha Petriq, i njohur me nofkën ‘Zenica’, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe ishte dërguar në Dubravë si i burgosur, por aty i ishte dhënë një armë e kishte marrë pjesë në ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë. Në periudhën e luftës në Kosovë, ai kishte përfunduar në Burgun e Dubravës, ku serbët e dënuar me dënime të rënda, përfshirë dënime kapitale, kishin marrë një ofertë: të vrisnin shqiptarë të burgosur aty në këmbim të lirës. Ai, bashkë me ekzekutorë të tjerë, lidhen me dyshimet për vrasjen e 95 shqiptarëve. Atë fort mirë e kujton Dëfrim Rifaj, që bashkë kishin ndarë edhe burgun e Nishit e edhe atë të Dubravës. Rrethanat e çuditshme që kanë quar në ekstradimin e tij nga Spanja në Bosnjë e Hercegovinë, nuk e gëzojnë atë, pasi sipas tij, i njëjti do të duhej të ballafaqohej me krimet e kryera në Kosovë. “Emrin e tij le se e kam dëgjuar, por edhe e kam njohur personalisht, sepse ka qenë i dënuar dhe vuajtjen e dënimit e ka pasur në Burgun e Nishit. Kemi qenë bashkëvuajtës. Ka qenë ordiner, i burgosur kriminel, me plot kuptimin e fjalës. Me fillimin e bombardimeve merret vendim që ata me dënim me vdekje dhe të përjetshëm të sillen në Kosovë. E njoh mirë. E kam pas dy hapa para kur na kanë qit në pushkatim”, ka thënë Dëfrim Rifaj, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës. Emri i tij është i njohur edhe për të mbijetuarit e tjerë të Masakrës së Dubravës, por dënimi i tij eventual, nuk është i mjaftueshëm për disa prej tyre, meqë urdhërdhënësit vazhdojnë të mbeten të lirë. “Emrat e përveçëm, për mua si një i mbijetuar nuk do të thonë asgjë, për shkak se procesi është shumë më i ndërlikuar. Do duhej të ketë një qasje tjetër, për shkak se përgjegjësit kryesorë për organizmin e kësaj masakre, dhe ekzekutimin e kësaj masakre nuk po përmenden fare, pra është vijë institucionale e Serbisë”, ka deklaruar deputeti Enver Dugolli. Përderisa në duar mban listën me 200 emrat e kriminelëve të Masakrës së Dubravës, i mbijetuar Nait Hasani tregon se dënim s’kanë marrë as 1% e tyre, por që shpresën e ka akoma. “ Janë dy raste. Një rast është në Prishtinë një gardian që ka marrë pjesë në torturat tona të të burgosurve, drejtpërdrejt në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit. Ai është i arrestuar, dhe të njëjtën kohë gardiani i Dubravës, Gagi. Pra vetëm këto dy raste i kemi nga 190 raste tjera që janë, të pjesëmarrësve që në forma të ndryshme kanë torturuar, vrarë dhe masakruar në Dubravë, bashkë me ushtrinë policinë dhe të burgosurit serbë që kanë qenë”, është shprehur Nait Hasani më herët për rtv Dukagjinin. Përveç si pjesëmarrës në masakrën e Dubravës, në maj të vitit 1999, Petriq, lidhet edhe me rrethanat e pandriçuara të vrasjes së të rinjve serb në kafeterinë Panda, për të cilin kishte pasur tentime që të fajësohen shqiptarët. Ekstradimi i tij drejtë Bosnjes, për vuajtje të pjesës së mbetur të dënimit për krim të organizuar e një arsenal armësh që i ishte kapur në Spanjë, pritet që të bëhet në muajin e ardhshëm. Por mediat boshnjake, kanë paralajmëruar për mundësinë që ai pas një kohe të shkurtër, të përfundojë sërish në liri, pavarësisht pretendimeve për krime të rënda që rëndojnë mbi të.

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca: Sot nderojmë drejtuesit e luftës që po përballen me akuza të pabazuara

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca, në pritjen shtetërore për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Ai i kujtoi edhe krerët e UÇK-së ndaj të cilëve po vazhdon gjykimi në Hagë nga Gjykata Speciale. “Më lejoni që sot t’i kujtojmë edhe të gjithë ata luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të cilët e bënë luftën e lavdishme, më të lavdishme që një ushtri mund ta bëjë, siç është lufta jonë për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë. UÇK-ja është emblema më e rëndësishme në historinë e Kosovës sonë të lirë dhe të pavarur. Dëshiroj që në ketë ditë historike t’i kujtojmë dhe t’i nderojmë edhe drejtuesit e luftës sonë çlirimtare që padrejtësisht nuk po mund të festojnë sot këtu me ne për shkak se ndodhen në një proces akuzash të pabazuara”. Konjufca lavdata thuri edhe për komandantin legjendar Adem Jasharin dhe familjen e tij dhe dëshmorët e tjerë. “Shteti i Kosovës nuk do të bëhej realitet pa idealin e heronjve, të dëshmorëve, të martirëve, të gjithë atyre që Kosovën s’mund ta përfytyronin ndryshe përveç se si të lirë dhe sovrane, të pavarur përgjithmonë nga Kosova. Prandaj Pavarësia e Kosovës si sinonim i lirisë sonë nuk mund të imagjinohet pa komandantin legjendar Adem Jashari, dhe sakrificën heroike të familjes Jashari, të cilët nuk hoqën dorë nga Kosova për asnjë çmim, duke bërë sakrificën më të lartë që mund të imagjinohet ashtu që kombit tonë t’i kthehet liria dhe dinjiteti”. Ai gjithashtu theksoi se Pavarësia e Kosovës është dinjiteti që popullit iu dha nga ata që patën guximin të ëndërrojnë këtë ditë. “Jemi krenar për rrugëtimin e Kosovës si shtet sovran si vend i lirë, e po ashtu si demokraci e konsuliduar. Pavarësia e Kosovës është para se të gjithash dinjiteti që popullit tonë iu dha prej atyre burrave dhe grave që e patën guximin për ta ëndërruar këtë ditë edhe në kohët më të vështira, atyre që luftuan, u vranë dhe u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”

Ish-presidenti i Kosovës,Prof.Dr. Fatmir Sejdiu: Për shtetësinë e Kosovës pasur siguri të plotë nga SHBA dhe shtetet e QUINT-it


Ish-presidenti i Kosovës,Profesor Dr. Fatmir Sejdiu, në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka folur për rrethanat e shpalljes së pavarësisë së vendit. “Kam marrë postin në një kohë të ndjeshme, duke zëvendësuar presidentin Rugova. Kam ndier veten një shqetësim dhe, ndonjëherë, ndonjë dilemë për shpalljen e pavarësisë, për format e zgjidhje së çështjes”, deklaroi ish-presidenti Sejdiu, teksa ka përmendur Tirolin dhe Hong Kongun. Mirëpo ai shtoi se për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës ka pasur siguri të plotë nga SHBA dhe shtetet e QUINT-it. Më tej, ish-presidenti Sejdiu përkujtoi edhe kontekstet e tij me ish-presidentin finlandez, negociatori kryesor për çështjen e Kosovës, Martti Ahtisaarin, teksa kujtoi rezolutën e OKB-së 1244, por edhe pengesat nga ana e Rusisë e Kinës. “Pavarësia e Kosovës është shpallur në koordinimi të plotë me aleatët ndërkombëtarë”, deklaroi ish—presidenti Sejdiu, teksa përmendi sinjalet e nga ish-presidenti i SHBA-së, Bush, dhe ai francez, Sarkozy. Ai tha se ka përcjellë dhe studiuar në hollësi procesin e pavarësimit të Kosovës, duke kujtuar edhe 100 ditët shtesë, për arsye të, shtoi ai, shterrimit të argumenteve që ishin kundër pavarësimit të Kosovës, që të mos komprometohej plani i Ahtisaarit. Momentet më sfiduese të pas-pavarësisë, Sejdiu përmendi disa sish, njëra nga to ishte numri i njohjeve, përpilimin e kërkesave për njohje, pastaj për qëndrimin e KFOR-it në vend, etj. “Ka pasur një ecje shumë e mirë në ecje me kualitet të njohjeve nga vende të ndryshme për Kosovën, por me rëndësi ishte njohja e vendeve fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, theksoi ish-presidenti Sejdiu, teksa përmendi numrin e njohjeve, diku rreth 70 njohje. Më tej, ai foli edhe për djegien e portave kufitare në veri të vendit nga serbet, por edhe për propaganda të ndryshme nga ta për dyndje të serbëve të Kosovës, etj., por që, vuri në dukej ai, reagimi ka qenë i matur. Mes tjerash, ish-presidenti Sejdiu foli për Kushtetutën e vendit, një kushtetutë e re në bazë të planit të Ahtisaarit, si dhe miratimi i flamurit, himni i shtetit, etj., pastaj për Gjykatën Ndërkombëtare, e cila, sipas tij, vulosi pavarësinë e Kosovës, si një moment tjetër i rëndësishëm pas pavarësisë së Kosovës, derisa shpjegoi se kjo ka qenë një bumerang ndaj Serbisë.

Albin Kurti: Në padinë për gjenocid po punojnë profesionistë e ekspertë të angazhuar nga Qeveria




Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në padinë për gjenocid është duke u punuar nga profesionistet e ekspertë të angazhuar nga Qeveria. Ai ka thënë se dëmi më i madh që i bëhet paqes e pajtimit në rajonin e Ballkanit, janë ata të cilët e mohojnë gjenocidin e kryer në Kosovë ndaj shqiptarëve nga forcat e regjimit të Serbisë së Millosheviqit.Ai ka thënë se është në përfundim strategjia për drejtësinë tranzicionale dhe se ajo shumë shpejt do të vijë për miratim në mbledhje të qeverisë së Kosovës. “Janë duke punuar profesionistet dhe ekspertet tanë, Qeveria mbarë e posaçërisht Ministria e Drejtësisë për krejt çfarë jemi zotuar. Në Kosovë ka pasur gjenocid në pranverën e viti 1999. Ky gjenocid as nuk harrohet, as nuk falet as nuk shlyhet. Andaj e rëndësishme është drejtësia për urdhërdhënësit, për ekzekutoren në mënyrë që të kemi rehabilitim për viktimat e në të njëjtën kohë është e rëndësishme që të mos mohohet gjenocidi. Sot dëmi më i madh që i bëhet paqes, pajtimit jo vetëm drejtësisë në rajonin e Ballkanit janë ata të cilët e mohojnë gjenocidin e kryer në Kosovë ndaj shqiptarëve nga forcat e regjimit të ish-Jugosllavisë e Serbisë së Millosheviqit”, tha ai.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...