Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/04/11

Marrja e të dhënave nga sistemi TIMS, Klodiana Lala: – Dyshohet për grup të strukturuar! Në mesin e personave të cenuar, edhe shtetas amerikanë

 Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja nga ndërhyrja në sistemin TIMS, ku dyshohet se janë marrë të dhëna sensitive të qytetarëve shqiptarë.

Sipas saj, ambasda e SHBA-ve kërkoi nisjen e hetimeve pasi në mesin e personave që iu janë cenuar të dhënat janë edhe shtetas amerikanë.

Ajo theksoi se dyshohet së në marrjen e të dhënave janë përfshirë zyrtarë të Policisë së Shtetit, dhe bëhet fjalë për një grup të strukturuar.

“Në mesin e personave që iu janë cenuar të dhënat janë edhe shtetas amerikanë. Prokuroria nuk ka dhënë të dhëna në lidhje me zyrtarët apo personat që dyshohen të kenë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin TIMS, gjithashtu nuk ka të qartë se përse këto të dhëna janë aksesuar në mënyrë të paligjshme dhe për çfarë do të përdoren.

Në Shqipëri janë nxjerrë të dhënat sensitive që kanë të bëjnë me qytetarët shqiptarë, fillimisht qeveria ngriti pretendimet se sistemet qeveritare ishin sulmuar nga hakera iranianë, Por rasti i fundit nuk ka të bëjë me hakërrim por me përfshirje direkte të zyrtarëve të Policisë së Shtetit por edhe persona të tjerë të paautorizuar që kanë ndërhyrë në sistemin TIMS duke marrë prej andej të gjitha të dhënat.

Ky skandal është i përmasave të mëdha. Ka dyshime për një grup të struktruar kriminal dhe bashkëpunim të disa institucioneve për të ndërhyrë dhe për të pasur në duar të dhënat sensitive që kanë të bëjnë me hyrje daljet në territorin e republikës së Shqipërisë, por nga ana tjetër janë të gjitha të dhënat për personat që rezultojnë të kërkuar apo të shpallur në kërkim nga ana e policisë shqiptare dhe sigurisht dalja në publik e këtyre të dhënave do të dëmtonte çështje hetimore që kanë në duar Prokuroritë shqiptare, përfshirë SPAK”, tha gazetarja Klodiana Lala.

****

Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjes në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Por data 2 gusht, duket se ka qenë e gjatë dhe e vështirë edhe për specialistët e tjerë në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit. ë cilët tregojnë se si papritur u gjendën në mes të një lufte të hapur midis drejtorit të madh, në këtë rast Ervin Muça që i urdhëronte të bënin back up-in e të dhënave të sistemit TIMS, dhe në krahun tjetër shefit të sektorit, Ardit Muço, që u dërgonte email ku u tërhiqte vëmendjen të mos e bënin një gjë të tillë, pasi ishte në kundërshtim me ligjin. GS, specialiste në këtë zyrë, e cila kishte vetëm një muaj që kishte filluar punë në këtë drejtori, thotë se pasi në zyrë u erdhi drejtori Ervin Muça, njëkohësisht në këtë moment atyre u mbërriti edhe një email nga shefi i sektorit Ardit Muço, që u kujtonte përgjegjësitë në rast se do të ndërmerrnin veprime të tilla.

“Më datë 2 Gusht, rreth orës 15.00 në zyrë ka ardhur drejtori Ervin Muça, i cili u ka kërkuar dy prej specialistëve mbylljen e aksesit për shefin e sektorit dhe në vazhdim të raportonim vetëm te ai, pra te drejtori.  Por pa kaluar as 5 minuta, në adresat tona erdhi një email nga adresa e Ardit Muços, ku ai na shkruante që të mos bënim asnjë proces lidhur mbi back up-in e të dhënave në sistemin TIMS. Kjo pasi sipas tij është e ndaluar dhe përgjegjësia është individuale”, ka dëshmuar specialistja G. S.

Këtë urdhër të drejtorit Ervin Muça, e konfirmon edhe A. V, specialiste në zyrë, e cila asistoi në marrjen e të dhënave, bashkë me një tjetër kolege të saj si edhe me personin për të të panjohur, por që ishte thirrur nga drejtori Ervin Muça, për të bërë eksportin e të dhënave.

“Më datë 2 Gusht 2023, drejtori më mori në telefon dhe më tha t’i shkoja në zyrë. Ku më kërkoi që të bëja një kopje të të dhënave që lidheshin me back up-in e sistemit TIMS dhe sistemeve te tjera që janë pjesë e back up. Nga ana ime nuk është përcjellë asnjëherë dhe askujt asnjë kopje e bazës së të dhënave. Po më këtë datë, më duhet të them se një punonjës i jashtëm, njohje e drejtorit Ervin Muça, tentoi të kryente procesin e back up, por dështoi në këtë proces”, ka deklaruar specialistja A.V.

Por ndërsa specialistja A. V, thotë se procesi dështoi, pra të dhënat nuk kaluan në Hard Diskun e jashtëm, kolegia e saj Xh.Ç, rrëfeu për grupin hetues se operacioni për kalimin e të dhënave nuk ishte kryer i plotë. Pavarësisht se të dhënat nuk ishin marrë plotësisht, ajo që përbën habi në këtë histori është se Hard Disku në fjalë ditën e nesërme është dorëzuar, i boshatisur dhe se ende nuk dihet se ku përfunduan ato të dhëna që ishin mundur të shkarkoheshin.  Zyrtarja me inicialet Xh.Ç tha se fillimisht drejtori Ervin Muça i kërkoi asaj përmes telefonit, se duhet të bënin një back up të bazës së të dhënave të sistemit TIMS, ku ajo i ishte përgjigjur se nuk kishte fjalëkalimet dhe as njohuritë e duhura për të kryer një proces të tillë.

Drejtori i kishte thënë që këtë proces do e bënte bashkë me specialisten A. V. Ai ishte porositur nga drejtori të përmbyllte me sukses procesin. Ku gjatë kësaj kohe në zyrën e tyre mbërriti për ndihmë edhe Klodian Mazari, punonjës pranë AKSHI-t. Më tej në dëshminë e saj, zyrtarja e policisë shpjegoi se drejtori Muça i kishte kërkuar të hapte portat e USB, pasi të dhënat do të hidheshin në një Hard Disk të jashtëm. Ndërsa pasi i la në dorë Hard Diskun, drejtori Ervin Muça u përpoq të bindte vartësen e tij se të dhënat do të ruheshin në një kasafortë, për arsye sigurie, për shkak të ndonjë sulmi kibernetik. Por ky operacion pavarësisht se ata kishin qëndruar në zyrë deri në orët e para të mëngjesit të datës 3 gusht, nuk ishte përmbyllur me sukses.

“Gjatë kohës që A. V u ul në kompjuterin tim për të bërë back up-in, në këtë moment në zyrë vjen edhe një person nga AKSHI, i cili erdhi aty për të ndihmuar kolegen time. Ndërkohë që sipas urdhërit të drejtorit unë duhet të qëndroja për gjatë gjithë kohës aty, për të mësuar se si kryhej procesi. Gjë që e bëra deri në orën 20.30, pasi procesi nuk po mbyllej. Nga ajo që mësova është se eksportimi i të dhënave ishte kryer vetëm në masën 500 mgb. Por jo i gjithë, pasi diçka nuk shkonte”, ka dëshmuar Xh. Ç.

Të nesërmen zyrtarja i tha Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, se një kolege e kishte informuar përmes telefonit se kishin qëndruar deri në mesnatë në institucion dhe se procesi nuk kishte përfunduar. Ndërkohë që në zyrë, në kompjuterin e saj ajo gjeti mbi tavolinë edhe Hard Diskun që një ditë më parë ia kishte dhënë drejtori Ervin Muça, Hard Disk që do të shërbente për të hedhur të dhënat e sistemit. Por që kur ajo e kontrolloi, kuptoi që ishte bosh dhe nuk kishte asnjë të dhënë të ruajtur.



Franca “dush të ftohtë” Serbisë, si e vendosi Macron me shpatulla pas murit Vuçiçin në Paris. – Mediat serbe “skanojnë” mesazhet e presidentit francez, ja çfarë po kërkon Brukseli nga Beogradi

 Pavarësisht njoftimeve madhështore në prag të vizitës së tij në Paris, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka marrë një “dush të ftohtë” në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron, shkruan media serbe “Nova.rs”.

Rasti i Banjskës dhe Milan Radoiçiqit “e përshëndeti” menjëherë Vuçiçin, sepse Macron tha se pret që të gjithë ata që morën pjesë në këtë sulm të armatosur të ndiqen penalisht. Pavarësisht se Serbia e refuzon me këmbëngulje këtë dhe organizatori kryesor i aksionit në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre serbë, Milan Radoiçiç ende është i lirë. Ndonëse kanë kaluar më shumë se shtatë muaj nga Banjska dhe konflikti i armatosur në veri të Kosovës, opinioni ndërkombëtar nuk e ka harruar.

“E ndërsa presidenti i Serbisë dëshiron që Banjska të bëhet vetëm një e kaluar e shëmtuar që nuk do t’i rëndojë marrëdhëniet e Serbisë me botën, “skeleti” i atij konflikti të armatosur bie nga dollapi herë pas here”, shkruan media serbe.

“Dush i ftohë” në Paris

Në ceremoninë dhe fjalimin e përbashkët të Vuçiçit dhe Macronit në Paris, presidenti francez thuajse në hyrje të fjalimit deklaroi se pret që të gjithë ata që kanë lidhje me Banjskën të ndiqen penalisht. “Në anën tjetër, duhet t’i tejkalojmë tensionet që u ngritën si rezultat i vendimeve të autoriteteve të Kosovës në lidhje me komunat me popullatë serbe, ne i dimë kushtet e atyre marrëveshjeve”, tha shkurt Macron. Duke qenë se Macron është në krye të vendit të dytë më të fuqishëm në BE, qëndrimi ndaj konflikteve të armatosura ka peshë të madhe, siç thekson “Nova.rs”. Priten përgjigjet, hetimet janë në vazhdim e sipër, ndërsa Milan Radoiçiçit i mungon vetëm vila në veri të Kosovës. Siç shkruan media serbe, ai lëviz lirshëm dhe kamerat e kanë regjistruar në Serbi, madje duke rrahur njerëz.

Paralajmërimi i ri

Analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiç thekson se deklarata e Macron është dëshmi dhe konfirmim i rëndësisë që Franca i kushton incidentit në veri të Kosovës. “Ishte e qartë për të gjithë të përfshirët në politikë se Banjska do të regjistrohej si një incident i rëndë me potencial zhvillimi për sigurinë e rajonit. Ishte krejt e logjikshme që të mos thuhej ‘ad acta’, siç dëgjojmë nga përkujtimet e shpeshta të Milan Radoiçiçit. Ky është një paralajmërim i ri dhe pritej që të përmendej në biseda private, por fakti që Macron e përdori për ta përmendur në konferencën për shtyp është vetëm një konfirmim se sa rëndësi i kushtojnë atij incidenti si Franca ashtu edhe BE-ja”, shpjegon Jakshiç për “Nova.rs”.

Rasti i Radoiçiç

“Ai insistoi që të përmbushen dispozitat e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me atë që është thënë, që është se Macron do të ndihmojë në mbajtjen e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës. Agjendat janë krejt të ndryshme”, thotë Jakshiç. Bëhet e ditur se në Serbi, ku ai banon rregullisht, organet kompetente nuk duan të zhvillojnë procedura gjyqësore ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Prokuroria po e procedon zyrtarisht si organizator i konfliktit të armatosur në Banjskë të Kosovës, por rasti “ka rënë” në ujë. Gjatë asaj kohe “Komandanti Milan”, siç e thërrasin shokët, rreh njerëzit, prehet në hotelin e tij në Kopaonik dhe gëzon lirinë që institucionet nuk duan t’ia mohojnë, edhe pse ia bënë studentëve protestues.

Kërkesat e BE-së

“Presidenti na siguron se institucionet po bëjnë punën e tyre dhe se hetimi është duke u përgatitur plotësisht. Të huajt prisnin që hetimi të përparonte, por tani për tani rasti ‘Banjska’, në të cilin emri kryesor është Radoiçiç, është ulur në një nga sirtarët e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, shkruan “Nova.rs”, duke shtuar se shumë janë në pritje të hapjes së sirtarit dhe dyshimet janë të shumta. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-të besojnë se ka lidhje financiare dhe organizative mes organizatorëve të çështjes dhe Serbisë. “Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se konflikti mund të kishte çuar në një situatë të rrezikshme dhe e gjithë BE-ja pret një reagim”, përfundon “Nova.rs”.

22 pushtetarë të lartë nën hetim pasuror nga SPAK. – Angazhohen agjenci ndërkombëtare për të rënë në gjurmët e llogarive bankare jashtë vendit, zbardhet raporti

 


Nga Elmas BOGDANI

Janë të shumtë ata që mbrohen duke thënë se nuk kanë kryer asnjë aferë apo se nuk ka prova për emra të caktuar. Por ka një element që mund t’i fundosë të gjithë dhe ajo është pasuria. Sipas raportit zyrtar për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme po merr ndihmë nga institucionet shqiptare, por edhe nga SHBA-BE për të rënë në gjurmët e llogarive të tyre bankare jashtë vendit.

Mësohet se SPAK ka regjistruar 22 hetime pasurore reja, krahas hetimeve pasurore të mbartura nga vitet e kaluara, si dhe krahas hetimeve pasurore, që bëhen për çdo çështje penale në kuadër të hetimit penal. Agjentë të FBI, ekspertë dhe agjenci ndërkombëtare kanë shtuar bashkëpunimin me institucionet shqiptare për të zbuluar llogaritë bankare të pushtetarëve shqiptarë, përfshirë ministra, ish-ministra, deputetë apo gjyqtarë dhe prokurorë. Në lëvizje janë vënë dhe disa agjenci ligjzbatuese europiane, të cilat po japin asistencë në këtë mision kaq të rëndësishëm.

32 Skuadra të Përbashkëta Hetimore

Në raport thuhet se SPAK-ut është vlerësuar me nota mjaft pozitive në luftën kundër pastrimit të parave nga Grupit i Posaçëm i Veprimit Financiar (ICRG)- Financial Action Task Force (FATF) ku në seancën plenare të datës 27 Tetor 2023, FATF miratoi vendimin për daljen e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar, njohur ndryshe si “lista gri”, duke veçuar kontributin e SPAK dhe rezultatet e SPAK për IO7 dhe IO8, si rezultate mjaft pozitive në luftën kundër pastrimit të parave, të cilat adresonin problematikat gjerësisht, si në drejtim të procedimeve penale dhe hetimeve pasurore në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale, sekuestrimeve e konfiskimeve për personat e hetuar dhe personat e tretë të lidhur me to.

Duhet theksuar fakti që Prokuroria e Posaçme kryen hetim financiar dhe pasuror paralel për të gjitha kategoritë e veprave penale në kompetencë të saj dhe si rezultat i tyre ka pasur sukses në kërkesat dhe vendimet për sekuestrime dhe konfiskime. Ka një përmirësim të dukshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadrin e Eurojust, ku mund të nënvizohet se, Shqipëria nëpërmjet SPAK ka treguesit më të lartë në rajon në lidhje me formimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me 32 Skuadra të Përbashkëta Hetimore në total të krijuara në vitet 2020-2023, në funksion të hetimeve të Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ku 10 prej tyre janë krijuar në vitin 2023, nga 25 skuadra që janë aktive që prej fillimit krijimit të Prokurorisë së Posaçme.

Detajet

“Është rritur ndjeshëm edhe komunikimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë së Posaçme me autoritetet homologe qoftë ato Evropiane, Amerikane, gjithashtu edhe me autoritetet homologe të vendeve të Amerikës Qendrore dhe të Amerikës së Jugut.

Është rritur ndjeshëm shkëmbimi informacionit edhe nëpërmjet rrjeteve dhe kanaleve të ndryshme të komunikimit si Eurojust, Interpol, Europol etj. Vazhdon gjithashtu intensiv dhe në rritje komunikimi me oficerët ndërlidhës atashuar pranë Ambasadave të Huaja në Tiranë, i cili ndikon në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë vitit 2023, nga ana e Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta të Prokurorisë së Posaçme, janë trajtuar 48 kërkesa për ndihmë të ndërsjellët juridike nga autoritetet gjyqësore të huaja, në bazë të konventave të Këshillit të Europës dhe Konventave të Kombeve të Bashkuara, si dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare dhe dypalëshe ku Republika e Shqipërisë është palë. Nga këto janë ekzekutuar 41 kërkesa për ndihmë juridike. Këto kërkesa janë drejtuar nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, për kryerjen e veprimeve në Republikën e Shqipërisë lidhur me hetime në kuadër të veprave penale kryesisht në fushën e korrupsionit, trafikimeve të lëndës narkotike, pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, mashtrimit, mashtrimit kompjuterik, vjedhje, të kryera në formën e bashkëpunimit asaj të grupit të strukturuar kriminal.

Një tjetër aspekt i punës së Prokurorisë së Posaçme në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ka qenë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit me prokuroritë e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve fqinje ku më datë 29.06.2023, është nënshkruar Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë dhe Prokurorit Publik Evropian. Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme bazuar në ligjin nr. 95/2016, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, të ndryshuar, në kushtet e ndryshimeve ligjore të bëra në ligjin nr. 10193, datë 3.12.2009 “Për Marrëdhëniet Juridiksionale me Autoritetet e Huaja në Çështjet Penale”, të ndryshuar, ka vijuar punën në grupin e përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për Hartimin e Udhëzimit të Përbashkët me këto institucione “Për përcaktimin e rregullave të detajuara për formën e kërkesës, procedurën dhe përkthimin e akteve në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, thuhet në raportin e SPAK.

Çmimin e vizitave të Aleksandër Vuçiq e të Edi Ramës në Paris e paguan Kosova!

 Prof. Dr. Enver Bytyçi



 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.Të gjitha lëvizjet Vuçiq-Macron-Rama kanë rezultuar si lëvizje, koston e të cilave e paguan Kosova Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mikpriti në fillim-javë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Fillimisht entuziazmi i kreut të shtetit serb ishte i madh. Ai shpresoi se do të arrinte një fitore të pakthyeshme me përkrahjen e Macron në përballjen e tij me Kosovën. Por fakti që shefi i Elizesë kërkoi dënimin e terroristëve të Banjskës dëshmoi se Aleksi nuk mundi të marrë gjithçka çka donte nga kjo vizitë. Megjithatë nuk duhet nxituar e të thuhet se kjo vizitë ishte e pasuksesshme për të. Ne nuk e dimë se cila ishte formula që është diskutuar në atë takim. Nuk e dimë, nëse nuk është bërë pazari sipas të cilit “Unë do të kritikoj publikisht, por ti Aleks bën atë që di më mirë e që do”! Ato një miliardë euro që Franca i merr nga Serbia për 12 avionët Rafale nuk kalojnë pa një shpërblim në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik në favor të blerësit, Serbisë. Po të shtojmë dhe dy miliardë euro të tjera për furnizime të tjera ushtarake, atëherë del se Serbia po blen te Franca edhe influencën gjeostrategjike pro saj. Interesant është se Edi Rama, menjëherë pas Vuçiq, do ta vizitojë Shën Elizenë. Do pritet me ceremoni ushtarake, njësoj si edhe Aleksandri. Këtë e mësuam prej lajmeve që erdhën nga Parisi, por jo nga zyra e shtypit e kryeministrit. Ndoshta pas Ramës Emmanuel Macron ka planifikuar ta presë në selinë e tij edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Dhe të gjitha këto veprime presidenti francez i kryen në emër të “ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”! E ndihmon shumë qëndrimi radikal kundër Rusisë, një risi kjo në historinë e marrëdhënieve ruso-franceze. Në opinionin publik ai mundet të hiqet si kampioni evropian i mbrojtjes së perimetrit kufitar të Evropës. Po cila është kostoja dhe kush e paguan këtë kosto të iniciativave të presidentit francez? closevolume_off Se diplomacia e Shën Elizesë e kohëve të sotme ka kosto, këtë na e dëshmon fakti që shqiptarët informohen nga Parisi për faktin se kryeministri Rama do të vizitojë kreun e shtetit francez. Kryeministri shqiptar, i njohur për etjen e tij egoiste të shitmendjes nuk është nga ata që heziton të publikojë ftesa kaq të rëndësishme. Pse e fshehu? Sepse tam-tamet e tij në takimet me kreun e shtetit francez kanë kosto, të cilën e paguajmë ne, shqiptarët, sidomos Kosova. Ne e kemi parë karshillëkun e Ramës dhe Macron ndaj Kosovës gjatë vizitës së vjeshtës së kaluar në Tiranë, kur ndodhi kërcënimi me bllokimin e liberalizimit të vizave. E njohim faktin që Rama dhe Thaçi e ndoqën zotin Macron në vitin 2018 deri në Armeni, me qëllim të merrnin dakordësinë e tij për projektin e ndarjes së Kosovës. E njohim gjithashtu eventin e Parisit pas Armenisë, në të cilin Hashim Thaçi takoi presidentin rus, Vladimir Putin, me ndërmjetësinë e Macron dhe të Vuçiq. Qëllimi ishte që të merrte nga Putin një lloj premtimi se “pas ndarjes dhe shkëmbimit të territorit, Rusia nuk do ta pengonte pranimin e Kosovës në OKB”! Të gjitha lëvizjet Vuçiq-Macron-Rama kanë rezultuar si lëvizje, koston e të cilave e paguan Kosova. Madje Kosova paguan jo vetëm koston e përfitimeve në miliarda të Francës nga biznesi i saj me Serbinë. Ajo paguan edhe koston e përpjekjeve të Aleksandër Vuçiq dhe të Edi Ramës për të ndenjur në pushtet derisa ata të mërziten, gjithnjë me përkrahjen dhe mbështetjen e Francës dhe presidentit të saj pro-serb. Në këtë mënyrë presidenti francez duhet konsideruar gjithashtu si ndërmjetës i koordinimit midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë, gjithnjë në dobi të partneritetit serb në tregti me avionë e armatime. Por asgjë nga ato që projektojnë këta tre liderë anti-Kosovë nuk kalon, nëse nuk bashkohet me ta lidershipi i Kosovës. Ndaj shkrova më lart se ndoshta ftohet në Shën Elize edhe Albin Kurti. Pra, Kosova paguan kosto shumë të ulët nëse nuk gjenden brenda saj bashkëpunëtorë të Vuçiq, Ramës dhe Macron. Megjithatë kjo nuk mjafton. Përpjekjet Rama-Vuçiq-Macron kundër Kosovës e pro-Serbisë duhen neutralizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me kancelaritë e tjera europiane dhe me SHBA-të. Macron duhet izoluar. Ndërsa Rama duhet refuzuar dhe Aleksandër Vuçiq duhet luftuar me të gjitha mjetet, në varësi nga mjetet që përdor edhe ai.

Shqiptarët të falin, lekët, gjakun, por suksesin nuk ta falin.

 Analisti Ilir Kulla, thotë se për momentin nuk ka një garë mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt dhe se sfida e përbashkët janë zgjedhjet që do vinë.

Unë mendoj se goditja që po vjen nga SPAK ndaj gjithë sistemit politik do ti detyrojë të gjitha palët që të shohin mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme si zgjedhja më e mirë, që kush ka probleme me drejtësinë të merret me drejtësinë dhe të tjerët me zgjedhjet.

Në zgjedhjet e ardhshme bashkia Tiranë do jetë shumë e rëndësishme dhe lufta për qarkun e Tiranës do jetë dhe lufta politike.

Kemi pjesën politike të lojës e cila do jetë sfidë deri në zgjedhje për çdo çështje, kemi dhe pjesën juridike dhe për të do jemi më të ftohtë, për sa kohë nuk ka një akuzë për kryetarin e bashkisë Tiranë, do jetë kali më i fuqishëm.

Duke folur në emisionin “Scrolling” të Arian Çanit Kulla deklaroi se opozita gjithmonë hajdut i ka thënë Veliajt dhe se ai ka qenë më i anatemuari edhe nga një pjesë e PS.

Shqiptarët të falin, lekët, gjakun, por suksesin nuk ta falin. Nëse nuk ka akuzë të drejtpërdrejtë nga drejtësia për Veliaj, dhe e shtjelluar mirë, kjo do të kthehet në bumerang dhe do e forcojë.

Dashje pa dashje këto arrestime kanë hapur fushatën e ardhshme zgjedhore dhe partitë politike dhe opozita janë duke i stigmatizuar të gjitha lëvizjet në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.

Është hapur një lojë shumë më e madhe se karrigia e vogël e Veliajt.

Veliaj është në mandatin e tij të tretë dhe historia e tij në bashkinë Tiranë ka mbaruar.

Ai duhet të shohë një gjë tjetër, sfida e tij personale nëse do të mbijetojë politikisht, duke pasur ose jo probleme me drejtësinë ose duke investuar në një mandat tjetër të PS.

Në burg të fut ligji, nëse e ke të zeza mbi të bardhë, nuk ka Zot që të shpëtojë, ata 20 prokurorë dhe OPGJ që janë atje, në momentin që është e zeza mbi të bardhë, do dënohesh.

Nëse ka letra të zezë mbi të bardhë, nuk i shmangesh dot kësaj gjëje. Kjo është e zeza mbi të bardhë, ka dalë shejtani nga shishja.

Nëse drejtësia do arrijë të krijojë bashkëpunëtorë të drejtësisë, do të shohim surpriza.

Zvicrra rritë numrin e ushtarëve të saj në Kosovë

 Tashmë në Kosovë janë të dislokuar 215 ushtarakë, njëzet më shumë se më parë.


Zvicra po merr përsipër menaxhimin e kompanisë së transportit në kuadër të KFOR-it, në Kosovë. Kjo është bërë e mundur falë rritjes së kuotës së ushtarëve të Swisscoy që është votuar nga Parlamenti,.

Tashmë në Kosovë janë të dislokuar 215 ushtarakë, njëzet më shumë se më parë, shkruan srf.ch. Ndryshimi nga kontigjenti i 49-të në kontigjentin e 50-të të Swisscoy u bë të enjten, siç u njoftua nga Swissint, qendra e përgatitjes së ushtrisë në për misionin e saj në ndërtimin e paqes ndërkombëtare.

Zvicra ka marrë komandën e kompanisë shumëkombëshe të transportit nga Austria më 9 mars.

Në këtë mënyrë, Zvicra po kontribuon në përpjekjet për stabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, të Zvicrës.

Kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut të Tiranës z. Erion Veliaj, protestuesit hedhin mjete shpërthyese

 Protestues opozitarë goditën sot portën e bashkisë së kryeqytetit me mjete shpërthyese imitimi, (të njohura si shashka) nga fundi i një tubimi proteste, ku kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj.

Disa drejtorë dhe ish drejtorë të rëndësishëm të bashkisë janë arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën dyshime për afera korruptive me shoqërinë 5D dhe me inceneratorin e Tiranës.

Protestuesit opozitarë e shohin zotin Veliaj si të lidhur me ta, duke motivuar kështu me korrupsionin në pushtetin vendor kërkesën e tyre për dorëheqje të kryebashkiakut.

“Zoti Veliaj na thotë se e ka gjetur zgjidhjen kundër korrupsionit në bashki. Na tha që drejtorët, pasi të ikin nga bashkia, nuk do të lejohen as të punojnë për bashkinë as të marrin fonde prej saj (!). Ne i kërkojmë zotit Veliaj një zgjidhje më të thjeshtë, më të shpejtë e më efikase se si çlirohet bashkia nga vjedhjet: Jep dorëheqjen ti, bashkë me drejtorët e tu hajdutë”, tha në tubim Elda Zhulali, anëtare e këshillit bashkiak të Tiranës nga opozita.

Kjo është protesta e dytë brenda një jave, që organizohet para bashkisë së Tiranës nga Aleanca për Teatrin së bashku me këshilltarë bashkiakë opozitarë, deputetë dhe qytetarë përkrahës të opozitës. Këshilltarët kanë kërkuar edhe sot transparencë mbi korrupsionin që SPAK-u dyshon se është kryer nga ish drejtorët e bashkisë.


Kryebashkiaku Erjon Veliaj u distancua një javë më parë nga aktet e dyshuara dhe nën hetim nga SPAK-u të ish vartësve dhe bashkëpunëtorëve të vet më të ngushtë, duke theksuar se ai nuk ka firmosur mbi asnjë dokument, prej të cilit të jetë kryer korrupsion dhe se nuk komentonte veprimet e drejtësisë.

Në një mesazh të gjatë përmes rrjeteve sociale, ai tha se ish drejtuesit kanë punuar shumë mirë në IMT, UKT dhe Punë Publike, dhe se kryebashkiaku nuk mund të dijë gjithçka që vartësit kryejnë nëpër sektorët e tyre.


Erion Veliaj | SCEWC 5-7 NOV 2024




Zoti Veliaj tha se janë personale përgjegjësitë ligjore të cilitdo zyrtar që dyshohet apo hetohet nga SPAK-u, ndërsa kujtoi se reformën në drejtësi e kreu po kjo shumicë socialiste, tani zyrtarët përgjigjen para ligjit, gjë që as përfytyrohej një dekadë më parë, kur drejtësia ishte e politizuar dhe e korruptuar.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit arrestoi në dhjetor dhe në mars disa ish drejtorë të bashkisë; herën e parë mbi hetimet për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe të dytën – pas dyshimeve për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tendera, lidhur me prokurime ndaj shoqërisë 5D konstruksion.

Kjo e fundit dyshohet nga SPAK-u se ka fituar një seri tenderash dhe prokurimesh prej Ujësjellësit dhe agjencive në varësi të bashkisë në mënyrë të parregullt përmes favorizimeve dhe privilegjeve të padrejta.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...