Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/05/21

Një gjykatë në Shën Petersburg ka shqiptuar 14 vjet burgim për fizikanin rus, Anatoly Maslov, pasi ai u gjet fajtor për akuzën për tradhti.

 


Paraprakisht, prokurorët kishin kërkuar që shkencori rus të dënohej me 17 vjet burgim.

Maslov, 77 vjeç, është ekspert në fushën e gazrave të lëngshme dhe profesor në Departamentin e Aerohidrodinamikës në Universitetin Teknik të Novosibirskut. Ai ishte arrestuar më 2022 nën dyshimet se kishte kaluar informacione të klasifikuar te një shtet i huaj.

Maslov ka mohuar akuzat. Ai është në mesin e tre shkencëtarve nga i njëjti institut, që të tre specialistë të hipersonikës, që janë arrestuar më 2022 nën akuza për tradhti. Dy shkencëtarët e tjerë, Alexander Shiplyuk dhe Valery Zvegintsev, ende po presin gjykimin.

Këta tre shkencëtarë kanë kryer punë teorike për zhvillimin e raketave hipersonike, që janë armë të avancuara, të afta të fluturojnë 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe të shmangin sistemet e mbrojtjes ajrore.


P

Prof. Dr. Eshref Ymeri: Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të politikës

Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave, që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. Disa prej tyre janë nisur nga bindjet e veta politike, disa për sigurimin e përfitimeve, disa nga frika për t’iu shmangur ndëshkimit të saj, disa të tjerë për shkak të natyrës së tyre servile, kurse një pjesë fare e vogël patën zgjedhur rrugën e heshtjes. Interesant është një informacion, të cilin Aleksej Orllovi, njëri nga hulumtuesit rusë të shtigjeve të jetës së Maksim Gorkit, e pati botuar në internet ca vite të shkuara. Ai shkruan: “Kisha kohë që më hanin duart për të shkruar për vizitën e Maksim Gorkit në Nju Jork, por s’po më krijohej rasti kurrsesi. Njëqindvjetori i vizitës së tij – viti 2006 – kishte kohë që pati kaluar, por një tjetër vit jubilar – 125 vjetori – është ende larg. Por rasti m’u krijua para pak kohësh. Gazeta“Ëall Street Journal” i pati kërkuar profesorit të Universitetit të qytetit të Nju Jorkut Majk Uolles (Mike Ëallace) të përmendte, në këndvështrimin e tij, pesë librat më të mirë që i qenë kushtuar Nju Jorkut të viteve të para të shek. XX. Uollesi, bashkautor i librit për historinë e Nju Jorkut që nga dita e themelimit deri në vitin 1898, një libër ky, për të cilin ai ishte vlerësuar me Çmimin Pulitzer, ndër pesë librat më të mirë, përmendi esenë e Maksim Gorkit “Qyteti i djallit të verdhë”. Pikëpamja e Uollesit qe publikuar në numrin e shtunë-e diel të datave 4-5 nëntor 2017, në prag të 100-vjetorit të revolucionit bolshevik, se Gorki ishte tellall i bolshevikëve. Përzgjedhja e Uollesit dhe data jubilare m’i zgjidhën duart për të hedhur në letër rrëfimin për vizitën e “zgalemit të revolucionit” në Nju Jork” (Citohet sipas: Aleksej Orllov. “Pse Gorki nuk e pëlqeu Nju Jorkun”. Faqja e internetit “GazettCo”. 18 nëntor 2017). Në vijim, Aleksej Orllovi vazhdon rrëfimin për esenë e Gorkit, e cila, në shkollat sovjetike, kishte qenë e përfshirë në programin e leximit të detyrueshëm për nxënësit, çka nuk vazhdoi më, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Në rrëfimin e vet, autori tërheq vëmendjen për një fakt interesant: “Eseja e Gorkit përbëhet prej 3402 fjalësh dhe të thuash që shkrimtari ziente nga urrejtja për Nju Jorkun, do të thotë që nuk ke thënë asgjë”. Gorki, i shoqëruar nga dashnorja e tij, artistja e shquar e teatrit Maria Andrejeva, pati arritur në Nju Jork 115 vjet më parë, pikërisht si sot, më 10 prill 1906. Sapo zbriti në tokën amerikane, ai u befasua dhe ja se si reagoi: “Unë e ndiej veten si në shtëpi. Nuk është mbushur as një orë që kur kam ardhur këtu, por tashmë e kuptova që ky është qyteti më i madh dhe Shtetet e Bashkuara janë vendi më madhështor në botë. Kjo është një fantazi befasuese prej guri, xhami dhe hekuri. Të gjithë këta berlinët, parisët dhe të tjera qytete “të mëdhenj” janë një hiç në krahasim me Nju Jorkun. Socializmi duhet të fitojë fillimisht këtu – kjo është gjëja e parë që të vjen ndër mend kur shikon këto pallate, makina dhe të tjera gjëra mahnitëse… Një gjë madhështore… Nuk kam për t’u larguar derisa të mësoj se si ka qenë e mundur të ndërtohet një gjigant i tillë!” – ngazëllohej Gorki tek këqyrte rrokaqiellin e ndërtuar një vit më parë, në të cilin kishte selinë redaksia e gazetës “Nju Jork Tajms”. Midis njerëzve që kishin dalë për ta pritur Gorkin, sapo ai zbriti nga anija transoqeanike “Kaizer Vilhelm dep Grosse”, ishte edhe ndërtuesi milioner Hejlord Uilshir(Gaylord Ëilshire – 1861-1927), ishte ai që pati financuar vizitën e “zgalemit” të revolucionit bolshevik. Për mysafirin dhe zonjën e tij (kështu qe regjistruar Andrejeva në hotel) ai kishte zënë një dhomë në katin e nëntë të hotelit luksoz “Bellecllaire” dhe e pati reklamuar figurën e Gorkit në mënyrë amerikane: shkrimtarin e pritën si në mjedise letrare, ashtu edhe në mjedise socialiste. Gorki kishte shkuar në Amerikë jo për problemet e letërsisë, por për… djallin e verdhë – për dollarë. Qëllimi kryesor i tij ishte grumbullimi i parave për arkën e bolshevikëve. Për udhëtimin e Gorkit e kishte dhënë miratimin vetë Lenini. Mysafiri shpresonte të siguronte miliona dollarë. Uilshiri nuk dyshonte se Gorki me ato miliona dollarë do të largohej nga Amerika. Më 11 prill, për nder të Gorkit, dha një pritje Ivan Narodni, përfaqësues amerikan i organizatës “Revolucionarët ushtarakë rusë”…Reporterët e shoqëronin Gorkin gjithandej. Majtistë të të gjitha ngjyrave – socialistë, anarkistë, nihilistë – i shkonin pas me turma dhe ai ua plotësonte kërkesat me kënaqësi. Por më 14 prill, siç njofton Aleksej Orllovi që citon gazetën “Neë York Ëorld”, shpërtheu stuhia kundër Gorkit: “… e ashtuquajtura madam Gorki nuk është aspak madam Gorki, por është aktorja ruse Andrejeva, me të cilën ai bashkëjeton disa vjet pasi është ndarë me bashkëshorten”. Gazeta pati botuar një fotografi të Gorkit me të shoqen dhe me dy fëmijë, si edhe fotografinë e Andrejevës. Ky informacion e pati revoltuar në kulm administratorin e hotelit “Bellecllaire” Milton Robli, i cili u deklaroi gazetarëve: “Hoteli im është hotel për familjarë, prandaj këtu nuk ka vend për Gorkin me shoqëruesen e tij”. Reporterët e sulmuan me pyetje Roblin, ndërkohë që Gorki dhe Andrejeva vazhdonin ekskursionin e radhës nëpër qytet, pa ditur se ç’i priste. Uilshiri vendosi t’u paraprinte ngjarjeve. Ai u ngjit në katin e nëntë dhe priti sa të ktheheshin mysafirët. Dhe vijnë reagimet e para të Gorkit plot zemëratë: “Një skandal i pistë! Publikimi i një shpifjeje të tillë është një turp për shtypin amerikan. Jam i befasuar që në vendin që njihet për dashurinë ndaj së vërtetës dhe nderimin ndaj grave, mund të gjente vend një shpifje e tillë…”. Në paradhomën e hotelit qenë mbledhur reporterët, të cilët e kishin marrë vesh se mysafirët do të dëboheshin. Uilshiri vazhdonte të kujdesej për mysafirët, të cilëve u propozoi shtëpinë e vet, por ata nuk pranuan dhe prej aty u zhvendosën në hotelin “Lafayette-Brevort”, ku nuk qëndruan gjatë dhe u larguan për t’u strehuar në një apartament jo larg atij hoteli. Mark Tueni nuk pranoi ta komentonte ngjarjen. Shkrimtari socialist Leroi Skot (Leroy Scott – 1875-1929) u tha gazetarëve: “E ndiej veten keq të flas për një temë të tillë”. Shumica e atyre që e patën pritur Gorkin me urra, mundoheshin ta harronin sa më shpejt. Ngjarja e lartpërmendur çoi, praktikisht, në dështimin e misionit të Gorkit për të grumbulluar para për fondin e partisë bolshevike. Megjithatë, ai nuk u nxitua të largohej nga Amerika. Ai vizitoi edhe Bostonin dhe Filadelfinë, por, në vend të miliona dollarëve, mezi mundi të sigurojë gjithë-gjithë 10 mijë dollarë. Fundi i “torturave” të Gorkit dhe të Andrejevës, erdhi pas gjashtë muajsh. Më 13 tetor ata u larguan nga Amerika për në drejtim të Evropës. Shumë shpejt, pra, po atë vit, Gorki do të botonte esenë “Qyteti i djallit të Verdhë”. Ja disa skena nga ajo ese: “Atje poshtë, nën një rrjetë hekuri të “rrugës ajrore”, mes pluhurit dhe pisllëkut të urave, vërtiten në heshtje ca fëmijë… Një plak gjatahul dhe kockë e lëkurë, me një fytyrë egërsore, pa kapelë në kokën me thinja, duke pulitur qepallat e skuqura të syve të sëmurë, gërmon me kujdes në një pirg mbeturinash… Një djalosh pranë një feneri, shkund kokën kohë pas kohe, duke shtrënguar fort dhëmbët nga uria…Në qiellin e zymtë, të mbuluar nga bloza, shuhet dita… Nga muret e pallateve, nga perdet, nga dritaret e restoranteve derdhet drita verbuese e Arit të shkrirë. Kjo magji e shpifur i vë në gjumë shpirtrat e njerëzve, ajo i shndërron ata në armë të lehta në dorën e Djallit të Verdhë, i kthen në mineral, prej të cilit ai shkrin Ar pa pushim, gjakun dhe mishin e vet. Qyteti bie në gjumë në një gjendje zagushie, nxjerr një britmë të përvajshme, si ndonjë kafshë gjigante. Kjo ka gëlltitur lloj-lloj ushqimi gjatë ditës, ka zagushi, i vjen zor dhe sheh në gjumë ca ëndrra idiote, ca ëndrra të rënda. Dhe në mbyllje, fjalët e fundit: “Ra në gjumë dhe po përçartet në ëndrra qyteti i zymtë i Djallit të Verdhë”. Siç shihet, në këtë ese Gorki ka përshkruar ca skena të frikshme, të cilat i ngjallin lexuesit ankth dhe tmerr. Dhe lexuesi rri e përsiat: si është e mundur që një shkrimtar me penë të talentuar t’i lejojë vetes ta tjetërsojë personalitetin deri në atë shkallë, saqë të arrijë të mohojë gjithë atë ngazëllim që i pati ngjallur Nju Jorku, sapo vuri këmbën në tokën amerikane? Pra, ja ky ishte “dajaku” i Maksim Gorkit për Nju Jorkun, që “ia dha” për të vetmen arsye se gazeta “Neë York Ëorld” zbuloi të vërtetën për dashnoren Maria Andrejeva, të cilën e pati prezantuar si bashkëshorten e vet. Dhe s’e pati për gjë ta sulmonte gazetën për “shpifje”. Gorki ka qenë i njohur për lakadredhat e veta në raport me politikën dhe me diktaturën. Pas Revolucionit të Tetorit, megjithëse, siç u theksua më lart, i pati simpatizuar bolshevikët, Gorki mbajti një qëndrim të hapur kundër vijës së tyre politike dhe, konkretisht, kundër Leninit. Në artikujt e tij polemikë, Gorki përsiat për fatet e revolucionit dhe të kulturës në Rusi. Aty Gorki akuzonte Leninin për marrjen e pushtetit me dhunë dhe për shpërthimin e terrorit. Edhe ca vjet më vonë Gorki do të vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim kundër regjimit sovjetik. Më 21 prill 1923 ai i shkruante Romen Rolanit nga ishulli Kapri: “Unë nuk kam as më të voglën kënaqësi për t’u kthyer në Rusi. Unë nuk mund të shkruaj, kur e di se humb kohën kot duke llomotitur të njëjtin avaz! Por, fatkeqësisht, pikërisht po ky Maksim Gorki, që shkruante kësisoj, përkitazi më 30 janar 1918 dhe më 21 prill 1923, disa vjet më vonë, i tërhequr tashmë nga pozitat e mëparshme nën presionin e propagandës dhe të autoriteteve sovjetike, do të mohonte vetveten, do ta ndërronte pllakën dhe do të lëshonte një deklaratë krejt të kundërt. Në një tjetër letër, që i drejtonte Romen Rolanit nga Moska më 02 nëntor 1930, Gorki, i cili tashmë i kishte përqafuar përfundimisht idetë e shefit të Kremlinit, do të shkruante fare ndryshe për ngjarjet e përgjakshme që po zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik në kuadrin e fushatës së ethshme për kolektivizimin e bujqësisë: “…regjimi sovjetik dhe pararoja e partisë punëtore ndodhen në gjendje të luftës civile, që do të thotë në luftë klasash. Armiku, kundër të cilit ata luftojnë dhe duhet të luftojnë, është inteligjencia, që mundohet të instalojë regjimin borgjez, dhe fshatari i pasur, që, duke mbrojtur pronat e veta të vogla, baza të kapitalizmit, pengon punën e kolektivizimit”…Kjo tregon se deri në ç’derexhe e katandis veten një ish-shkrimtar disident, i cili vihet kokë e këmbë në shërbim të diktaturës! Pra, Gorki, vjen e bëhet zëdhënës i drejtpërdrejtë i diktaturës në zhvillimin e luftës së klasave. Maksim Gorki “e pati një arsye” që i dha “një dajak të fortë” Nju Jorkut. Po cila ishte “arsyeja” që Kadarea, 65 vjet më vonë, pikërisht në vitin 1971, atij qyteti “i dha një dajak edhe më të fortë”. Atë vit, në Nju Jork, u zhvillua një kongres i rinisë botërore, ku mori pjesë edhe një delegacion i rinisë shqiptare. Në radhët e delegatëve të rinisë shqiptare ishte edhe Kadarea. Kur u kthye nga Nju Jorku, në gazetën “Zëri i Popullit, Kadarea botoi esenë e gjatë me titull “Një botë në rënie”. Të vjen keq që eseja e Kadaresë nuk qe përkthyer për t’u botuar në anglisht. Sikur eseja të qe përkthyer dhe botuar në këtë gjuhë, me siguri që profesori Uolles, krahas esesë së Gorkit, do ta kishte përmendur si njërin nga librat “më të mirë” që i qenë kushtuar Nju Jorkut. Pra, nëse eseja e Gorkit zë një vëllim prej 10 faqesh libri, eseja e Kadaresë arrin në më shumë se 20 faqe. Nuk dihet arsyeja e vërtetë se pse Kadarea u përfshi në përbërjen e delegacionit të rinisë shqiptare. Gjasat janë se duhet të ketë qenë porosi nga lart dhe ka shumë mundësi që atë ta ketë dhënë vetë kryediktatori, të cilit, si armik i imperializmit amerikan, i interesonte që popullin shqiptar ta mbante sa më larg Amerikës. Prandaj do të priste që, pas kthimit nga Nju Jorku, Kadarea, si një servil i regjur i tij, të botonte një shkrim mjaft fshikullues për demaskimin e atij imperializmi. Dhe Kadarea, autori i korpusit të njohur poetik në shërbim të kryediktatorit, porosinë e kreu për bukuri. Le të citojmë një pjesë të shkëputur nga ajo ese, e përfshirë në serinë “Vepra Letrare”. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Vëll. 12, f. 271-294). “…Pas pasurisë borgjezia kërkon pushtet dhe pas pushtetit kërkon lavdi… Kur bie nata, Broduej shfaqet lakuriq me gjithë vulgaritetin e vet, i babëzitur, i paturpshëm… Në Broduej, në sfondin e shkëlqimit të çmendur, mjerimi dhe degjenerimi shfaqen lakuriq… SHBA janë bërë vendi klasik i shantazheve dhe vrasjeve politike. Përgatitja e atentateve ka arritur këtu përfeksionimin më të lartë… Statuja e lirisë është monumenti që borgjezia i ka ngritur lirisë së saj, lirisë për të sunduar… Ka disa muaj që në ekranet mund të shikosh gjëra më të shthurura që mund të sajojë imagjinata më e sëmurë e maniakëve seksualë… Ky mit është një nga shfaqjet e shkallëzimit të degjenerimit të shoqërisë së sëmurë amerikane… Asnjëherë dhe asgjëkundi nuk mund të jetë poshtëruar femra në këtë mënyrë… Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini!”. Kadarea ka harruar ta theksojë se ka qenë “mëkat i madh” që “veprat” e kryediktatorit Enver Hoxha asokohe nuk figuronin ende të përkthyera dhe të ekspozuara nëpër libraritë e letërsisë politike në Nju Jork, se të rinjtë amerikanë “do të bënin njërën për t’i blerë”… Kadarea nuk e njeh absolutisht institucionin e pendesës, siç e ka pranuar vetë në një intervistë për zonjën Mimoza Kelmendi së cilës i ka pasë deklaruar: “…tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë” (Citohet sipas: “Kadare për dashurinë, femrat, pasionin dhe pendesën.Sipas një bisede të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris”. Faqja e internetit “Epoka e Re”. 10 tetor 2014). Sot, kur lexuesit kujtojnë esetë e Gorkit dhe të Kadaresë që ia patën kushtuar Nju Jorkut, sjellin ndër mend dy relikte që kanë ardhur deri në ditët tona si mbeturina të kohëve të lashta, relikte këto që i bëjnë të bien në përsiatje se deri në ç’mjerim e katandis veten një shkrimtar i talentuar që vihet në shërbim të politikës dhe të diktaturës. Prandaj skenat e shëmtuara që përshkruajnë Gorki dhe Kadarea për Nju Jorkun, fshihen nga kujtesa vetvetiu dhe para syve të lexuesve shfaqen bukuritë e Brodueit që pasqyron diplomati Alfred Papuçiu dhe sidomos ato skenat madhështore që jep gazetari dhe publicisti i njohur Beqir Sina në esenë me titull“Udhëtim nëpër Amerikë: Nju Jork, qyteti i “Rrokaqiejve”, simboli i madhështisë së Amerikës”, botuar në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot”, 22 mars 2021. Mjerimin e vet, si një shërbëtor i regjur i diktaturës veteranokomuniste dhe i diktaturës neokomuniste, Kadarea e vulosi me vizitën që nisi në Vlorë më 11 prill, pikërisht në 36-vjetorin e largimit të kryediktatorit për në botën e përtejme. Qëllimin e asaj vizite e ka shtjelluar fort bukur analisti i njohur Adriatik Dosti (në artikullin me titull “Po në Vlorë ç’deshe në këtë mes-prilli o Kadare?”, të botur në faqen e internetit të gazetës “Telegraf”të ditës së sotme), i cili e ka nxjerrë në pah mjeshtërisht artin e servilizmit të Kadaresë ndaj Ramës, si trashëgimtar besnik i kryediktatorit.

Enver Hoxhës i shtypa diplomën e Luftës dhe Sali Berishës atë të shkollës

 


Rrëfimi i 89-vjeçarit Guri Lubonja, dhënë për “Telegraf”, më janar 2009 / Në moshën 12-vjeçare mësova makinën e shkrimit. Si shtypa materialet e Luftës të Enver Hoxhës dhe disertacionin e Sali Berishës

Duart nuk më kanë lënë akoma. Ulem mbi makinën e shkrimit që e kam mësuar në moshën 12-vjeçare dhe hedh herë pas here mendime dhe shkrime. Më mundon pak shikimi. Deri tani janë me mijëra fletët e shkruara nga dora e Guri Lubonjës. Mbetet një nga të fundit liceist që ka pasur profesor Enver Hoxhën. Këtë fakt ai e shpreh me krenari. Jo vetëm që e kisha profesor, por pata rastin që në vitet e Luftës të radhis materialet e shkruara nga dora e tij. Materialet që kishin të bënin me punën e partisë nënshkruheshin: “Tarasi”, ndërsa ato që kishin të bënin me Luftën dhe shtypin nënshkruheshin: “Shpati.”

-Si mësuat të shkruanit me makinë shkrimi?

-Unë kam lindur në vitin 1920 në qytetin e Korçës. Në moshën 12-vjeçare unë mësova të shkruaj me makinë shkrimi. Unë rridhja nga një familje punëtorësh. Babai ishte murator. Por ai nuk ma preu hovin për të marrë njohuri e dije të kohës. Unë mbarova Liceun Francez, në vitin 1938. Por mundësia për të punuar me makinë shkrimi m’u dha më përpara.

-Si u krijua kjo mundësi?

-Dhori Kotin që kishte shtypshkronjë nëna ime e kishte xhaxha. Ai më mori në shtypshkronjë në kohën e pushimeve dhe më mësoi zanatin. Unë shkoja merrja libra tek ai dhe më pëlqente makina e shkrimit. Unë ndoqa Liceun Francez dhe në pushime vija e punoja në shtypshkronjë.. Kjo më ndihmoi që unë të isha mes atyre punonjësve që përdorën teknikën e kohës në dobi të Luftës duke shtypur trakte, komunikata, buletine të ndryshëm, materiale të udhëheqjes.

-Kur e kini njohur Enver Hoxhën?

-Unë e pata profesor. Në mendje më mbeti qartësia e të shkruarit prej dorës së tij. Unë që në vitin 1938 kam qenë me Grupin Komunist të Korçës. Pasi mbarova Liceun unë nisa punë në shtypshkronjën e Dhori Kotit. Punova në këtë shtypshkronjë deri në vitin 1942. Gjatë kësaj kohe unë shtypja komunikata, trakte. Pastaj u hodha në ilegalitet se më vunë në shënjestër armiqtë. Në tetor të vitit 1942 kam shkuar në Moçan të Gorës ku kishte një teknikë të shkrimeve. Aty takova Enver Hoxhën dhe unë u lidha me Shtabin e Përgjithshëm. Më urdhëroi që të shkoja të punoja me teknikën e shtypit që ishte vendosur tek Guri i Muzhaqit.

-Sa kohë qëndruat në atë shpellë ?

-Aty mbushëm 14 muaj. Ishim tre veta në radhitje të materialeve, një në pedalinë dhe një korrier. Ishim partizanë që luftonim me tjetër armë. Ishim pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së dalë nga populli. Me mua ishin edhe dy vëllezërit Andon Deçka që shërbente si kuzhinier i shtypshkronjës më të rrallë në ato muaj që ishte ngritur në një shpellë dhe Qiriako Deçka që përdorte pedalinën, një makineri që shërbente për të shtypur materiale. Pastaj na diktuan dhe ne u shpërngulëm për në Shpat të Çermenikës, ku aty gjeta Dhimitër Shuteriqin së bashku me Myneverin, që u njohën aty dhe u martuan më vonë.

-E njihnit kur ishte në Korçë?

-E mbaja pak mend, se ishte më i madh nga unë. Por, kur u bashkuam me teknikën e shtypit të partisë u njohëm më mirë dhe e mbajtëm miqësinë në Tiranë.

-Në ato muaj Lufte çfarë shtypnit tjetër?

-Veç materialeve që na dërgonte Enver Hoxha shtypnim dhe historinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që e përkthente Sejfulla Malëshova. Buletine shtypnim. Misto Treska na dërgonte materiale. Luftën nuk e bëmë vetëm me pushkë e me trima kokëkrisur.

Shkrimet e Enverit kush i sillte?

-Korrieri. Unë e dalloja shkrimin se kishte një shkrim të qartë. Por edhe nga nënshkrimi në fund. Unë kur e takova në tetor të vitit 1942 në Moçan të Gorës e i thashë, pasi ai më ngarkoi që unë të merresha me teknikën dhe shtypin e Shtabit të Përgjithshëm, si urdhëron shoku Enver, ai ma ktheu që nuk jam Enveri, por jam Tarasi.

-Sa herë e takuat Enverin gjatë Luftës.

-Dy herë jam takuar gjatë Luftës. Pastaj dy herë i kam shkuar në shtëpi në vitet 1950 dhe 1952.

-Si mbaroi Lufta ku u “emëruat”?

-Pas mbarimit të Luftës unë qëndrova tre vjet në Elbasn. Pastaj më morën redaktor të politikës së jashtme te “Zëri i Popullit” ku punova 10 vjet. Në shkrimet e mia kam kritikuar Amerikën, NATO-n. Si u largova nga kjo gazetë nisa në drejtorinë e botimeve universitare si redaktor deri në vitin 1965.

-Po më vonë?

-Më vonë shkova në Fakultetin e Mjekësisë ku u mora me botimet si redaktor dhe me përkthime shkencore nga frëngjishtja, që u shërbenin si studentëve, ashtu edhe pedagogëve të mjekësisë. Edhe Sali Bersishës i kam përkthyer nga frëngjishtja. Madje Dizertacionin e Sali Berishës “Infarkti i Miokardit” e kam radhitur unë në makinën e shkrimit dhe e kam redaktuar. Më kujtohet që ka qenë nja 200 faqe, kur u botua si libër.

-Ju keni njohur edhe Enverin edhe Sali Berishën?

-Për Enverin nuk kam ç’të heq asnjë presje. Për Sali Berishën të them të drejtën që studionte, por tani pas kthesës sikur po e harron “luftën”. Ishte energjik. Unë jam kundër hyrjes në NATO. Ajo luftë ka mbjellë. Mua më tremb fakti se historia e Luftës së Dytë Botërore po varroset. Një popull që nuk respekton historinë e vet, mbetet pa histori. Kushdo individ ka historinë e tij dhe tërësia e individëve përbën historinë e çdo kombi. Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk bëmë luftë pushtuesish. Dokumentet e Luftës duhet të kenë pavion më vete e të ruhen në muze si i ka bota dhe shtetet që dolën fitimtarë, por edhe ata që humbën kanë të shkruar e të pacenuar historinë e tyre.. Kur ne nuk e bëjmë dot historinë me të shkruar vetë, të tjerët do të na i bëjnë sipas oreksit të tyre.

-Si e gjykoni sot Luftën e fundit botërore?

-Një nga luftërat më shkatërrimtare. Evropa e ndezi dhe ajo pësoi dëmet më të shumta prej saj. Viktima, qytete të shkatërruara. Pati fitues dhe humbës. Mbetet pjesë e historisë së marshimit njerëzor. Mesa më kujtohet mua u shënuan 50 milionë viktima. Ku 20 milionë i la Rusia dhe 6 milionë Gjermania.

-A ka pasur teprime apo redaktime kjo Luftë?

-Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk e gjykojmë veten për teprime apo për redaktime të kësaj Lufte.

 

Pëllumb Çuni

 

Dhënë për “Telegraf”, më 12 Janar 2009

Ja kush kanë qënë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pas Luftës së Dytë Botërore

 



Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Arif Mema, Petrit Dume, Sami Meçollari, Kiço Mustaqi, Kostaq Karoli, Ilia Vasho, Sheme Kosova, Adem Çopani….

 


Gjeneral Spiro Moisiu (10 korrik 1943 – gusht 1946)

Gjeneral Spiro Moisiu, lindi në vitin 1900 në qytetin e Kavajës. Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, u dërgua për të ndjekur gjimnazin në Vjenë (Austri). Pas kthimit nga Austria aty nga viti 1918-1919, ai mbaroi një kurs disa mujor në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, e cila asokohe drejtohej nga instruktorë gjermanë e austriakë, ku mori gradën e nëntogerit. Një vit më pas, mori pjesë në përbërje të forcave qeveritare, që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës dhe po atë vit ai u caktua në detyrën e shefit të Shtabit të Grupit në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit kundra forcave serbe. Në vitin 1923, ai mbaroi në Tiranë kursin tjetër 1-vjeçar të oficerëve, që asokohe drejtohej nga ushtarakët gjermanë ku mori gradën e togerit. Në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, Spiro u rreshtua përkrah ushtarakëve të komanduar nga kolonelët Rexhep Shala dhe Kasëm Qafzezi, të cilët u bashkuan me forcat fanoliste. Po kështu, në dhjetorin e ’24, Moisiu mori pjesë me forcat qeveritare që dolën në Shkallën e Tujanit për të penguar kthimin e Zogut. Në ’25 duke pasur parasysh aftësitë e tij si ushtarak tepër i aftë, kryeministri Ahmet Zogu e titulloi përsëri toger Moisiun, oficer në UKSH. Karriera e tij ushtarake erdhi në ngritje pas viteve ’30, kur ai mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Tiranë Shkollën e Perfeksionimit të Oficerëve, që drejtohej nga instruktorët italianë (nga 43 pjesëmarrës renditet i pari duke marrë gradën e kapitenit). Në fund të ’40, dërgohet në krye të Batalionit “Tomorri” për të marrë pjesë në luftën italo-greke, por, nuk pranoi të luftonte dhe u tërhoq nga fronti së bashku me major Prenk Përvizin, duke nxitur kështu dezertimet në radhët e ushtarëve shqiptarë. Pas nxjerrjes në lirim, në vitet 1941-1942, Moisiu u vendos në zonat e Lushnjes e Beratit dhe hyri në lidhje me ish-ushtarakë të tjerë të Monarkisë që kishin filluar organizimin e ngritjen e çetave të para partizane. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij të papërlyer dhe aftësitë e rralla si ushtarak i karrierës, në korrikun e vitit 1943, krerët e PKSH e thërritën atë në Labinot të Elbasanit ku dhe i propozuan detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të UNÇ. Ai mbajti vetëm detyrën e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm

Gjeneral/kolonel Mehmet Shehu (gusht 1946)

Gjeneralkolonel Mehmet Shehu, lindi më 10 janar 1913, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Në vitin 1932 përfundon shkollën teknike dhe shkon në Napoli për të studiuar në Kolegjin Ushtarak, ku përjashtohet për ide revolucionare. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve dhe titullohet në vitin 1937, ndërsa në dhjetor të atij viti shkon në Spanjë ku merr pjesë në Br12 Ndërkombëtare “Garibaldi”, dhe komandoi batalionin e IV të saj. Më 1939, pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Rikthehet në atdhe në gusht ’42 dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës për PKSh. Gjatë LANÇ ka qenë në shkurt 1943, komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës; në gusht 1943, komandant i Br1S; në maj 1944, komandant i D1S me gradën kolonel dhe në tetor 1944 gradohet gjeneralmajor. Pas çlirimit dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Në periudhën 1945-1946 studion në AU “Voroshillov” dhe pas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ku në vitin 1946, emërohet shef i SHP. Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Bren-dshme;  kryeministër (1954-1981); ministër i Mbrojtjes (1974-1981). Njohës i pesë gjuhëve të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht.

 

Gjeneral/leitnant

Beqir Balluku (1952)

Gjeneral lejtnant Beqir Balluku, lindi më 14 shkurt 1917 në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, 1940 deri 1942. Më 20 maj 1943, u caktua komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”, më 18 shtator 1943, komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese. Më 28 janar 1948, ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë, Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PPSH u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral/lejtnant. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Në korrik të vitit 1974, ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake nga diktatura dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut.

 

Gjeneral/leitnant

Arif Mema (1954)

 

Gjeneral/leitnant Arif Hasko Mema, lindi në Tërbaç të Vlorës dhe është njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit me pseudonimin “Patrioti”. Pasi mbaroi filloren në vendlindje, vazhdoi shkollën tregtare në Vlorë. Ai ka udhëhequr gjatë LANÇ formacione të rëndësishme partizane që nga Vlora e deri në veri të Shqipërisë. Në dhjetor të 1943, inkuadrohet në Br1S duke kryer detyra të ndryshme deri komisar politik i kësaj brigade. Mbas çlirimit kryen Akademinë e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm, në Bashkimin Sovjetik. Më vonë kryen detyra të larta si komisar divizioni, korpusi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore. Ai tërë jetën e tij qëndroi besnik i idealeve të LANÇ. Ai kreu detyrën e zv/kryetarit të Parë të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Për kontributet e tij është nderuar me shumë urdhra e medalje të akredituara nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor.

 

Gjeneral/leitnant

Petrit Dume (1956)

Gjeneral/leitnant Petrit Dume, lindi më 20 maj 1920, partizan, komandant brigade, komandant divizioni, Hero i Popullit (me vendim të qeverisë e Byrosë së PPSH) e më pas, në vitin 1974, u shpall Armik i Popullit (konsideruar si puçist). Deputet i arsimuar në dy akademi ushtarake sovjetike, shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura Shqiptare, shefi më jetëgjatë në SHP. Ai ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat. Në korrik të vitit 1974 u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në verën e vitit 2001 pranë fshatit Vranisht të Vlorës.

 

Sami Meçollari (1974)

Sami Meçollari ishte shef i SHP për një periudhë të shkurtër. Në ’74 ka qenë drejtues i spikatur i formacioneve të mëdha ushtarake. Lindi më 10 mars 1937, në Marjan të Oparit (Korçë). Ka kryer shkollën “Skënderbej”dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (SHBO) me rezultate të shkëlqyera. U titullua oficer me gradën toger në shërbimin e kimisë. Në vitet 1961-1965 kreu Akademinë Ushtarake (AU), në vitet 1967-1968 kursin e lartë të kuadrove madhorë pranë AU. Në arsimin e përgjithshëm civil, krahas shkollës pedagogjike përfundoi edhe Fakultetin e Inxhinierisë në UT, Shkollën e Lartë të Filozofisë, etj. Në të gjitha shkollat ka merituar vlerësimin shkëlqyeshëm. Fillimisht shërbeu si shef i shërbimit kimik i batalionit në Berat, i brigadës në Peshkopi (1960-1963), i Korpusit në Shkodër (1965-1967), shef operativ i Korpusit Shkodër (1968-1970). Shef i Shtabit të Korpusit të Gjirokastrës (1970-1972), komandant i këtij Korpusi (1973-1974) deri sa u emërua shef i SHP të Ushtrisë Shqiptare. Në dhjetor ’74, u lirua nga ky post dhe u caktua komandant brigade, komandant i shkollës ushtarake të oficerëve rezervë në Zall-Herr (Tiranë) dhe mbyll karrierën si komandant i SHLU në Rrëshen. Në ’86 del në pension. Krijon organizatën e ushtarakëve “Pensionistë të liruar” (OUPLSH), duke u zgjedhur kryetar i saj (1991).

 

Veli Llakaj (1975-1982)

Veli Llakaj lindi më 18 shkurt 1935, në Kras të Tepelenës. Në vitin 1951 mbaron shkollën 7-vjeçare në vendlindje. Në vitet 1951-1954 punoi në gjeologji e tregti në Memaliaj. Në vitin 1954 shkon student në SHBO, të cilën e mbaron më 1957 me rezultate të shkëlqyera dhe i jepet grada më e lartë, toger. Me mbarimin e shkollës në vitin 1957 emërohet në SHBO komandant toge, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1960. Ndërkohë ka mbaruar dhe gjimnazin “Qemal Stafa”, po në Tiranë. Në vitet 1960-1963 punoi instruktor në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake në MMP; në vitet 1963-1966 kryen AU; në vitet 1966-1967 shef shtabi i Br5S Vlorë; në vitet 1967-1968 oficer drejtimi pranë SHP; në vitet 1968-1971 është komandant i BrLK, Tiranë; në vitet 1971-1972 në Akademinë e SHP dhe komandant i Korpusit të Burrelit; në vitet 1972-1974 komandant i Korpusit të Mbrojtjes Bregdetare, Fier; në vitin 1974 emërohet zëvendësministër i parë dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1982. Më 13 tetor 1982 në Komitetin Qendror i bëhet gjyqi politik si “puçist” e bashkëpunëtor i Mehmet Shehut dhe dërgohet në Cërrik. Në vitet 1978-1982 deputet i zonës së Kurveleshit të Sipërm në Tepelenë. Në vitet 1975-1982, një nga 5 anëtarët e Këshillit të  Lartë të Mbrojtjes

Kiço Mustaqi 

(1982-shkurt 1991)

Kiço Mustaqi, ishte një ushtarak karriere i lindur në 22 mars 1938 në një fshat pranë Delvinës, Sarandë. Në detyrën e ministrit të Mbrojtjes vjen pasi kishte kryer detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për nëntë vjet rresht. Në shkurt të vitit 1991 ngarkohet me detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë në përbërje të qeverisë së kryeministrit Fatos Nano dhe që u largua nga detyra me dorëheqjen e qeverisë në qershor të po atij viti.

Kolonel Halim Abazi (shkurt-qershor 1991)

Kolonel Halim Abazi, lindi në dhjetor të vitit 1944 në Tërbaç të Vlorës. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Kështu në vitet 1953-1960 kreu studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”; në vitet 1960-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1970-1972 Akademinë e Mbrojtjes (AM). Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare, përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në shkurt-qershor 1991, u përzgjodh në detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1993.

Gjeneral/major Kostaq Karoli

(qershor ’91-gusht ’92)

Gjeneral/major Kostaq Karoli, lindi në dhjetor të vitit 1945 në Korçë. Ka qenë ushtarak i talentuar, ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Në qershor 1991 deri në gusht 1992 ka kryer detyrën madhore të shefit të SHP. Ka komanduar FA kur kishin një efektiv të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist, me rreth 16500 oficerë, 9000 nënoficerë, 60000 ushtarë e 8000 civilë, rezervistë rreth 450000 vetë dhe 230000 forca vullnetare. Me 22 divizione dhe tre forca që ishin: mbrojtja kundërajrore, flota luftarake-detare dhe aviacioni. SHP kishte nën komandë 127 brigada këmbësorie, brigada artilerie dhe brigada sulmuese; rreth 1050 tanke, rreth 4000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të brigadave etj. Në kufi, mitralozat e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitralierë në vijën e kufirit ishin bërë gati për luftim; për 15-20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr. Ka punuar dhe punon në sektorët shkencorë ushtarakë me titullin akademik “Profesor”.

Gjeneral Ilia Vasho

(1992-1994)

Ushtarak shqiptar si dhe kualifikimet më të larta ushtarake. Kështu në vitet 1962-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1976-1978 Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Mbante gradën shkencore “Doktor Shkencash”. Në 1992-1994 u përzgjodh për detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Dalë oficer në rezervë në vitin 1997 nga funksioni që ka pasur si përfaqësues ushtarak në NATO, funksion që e kreu nga 1994 deri në 1997.

Gjeneral me katër yje, Sheme Kosova

Gjeneral me katër yje Sheme Kosova. Në periudhën 1994-1997 ka kryer detyrën madhore shef i Shtabit të Përgjithshëm. Sheme Kosova lindi në 24 mars 1949. Ndoqi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike në 1967 dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar në vitin 1971, ndërsa në vitet 1979-1981 ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare deri në shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare. Në 2 mars 1997 lirohet nga kjo detyrë madhore.

Gjeneral/major Adem Çopani (mars-gusht 1997)

Gjeneral/major Adem Çopani, lindi në korrik të vitit 1944 në Tiranë. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera, si: shkollën ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në vitet 1991 deri në mars 1997 ka kryer detyrën e këshilltarit ushtarak të presidentit të Republikës në një nga periudhat më të vështira e të errëta të ushtrisë shqiptare. Në mars të vitit 1997 zgjidhet në postin madhor të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, detyrë që e mbajti deri në gusht të vitit 1997. Në karrierën e tij ushtarake ka fituar edhe gradën shkencore “Doktor Shkencash” si dhe titullin akademik “Profesor”. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1997 dhe aktualisht është me banim në SHBA.

Bardhyl Berberi/ Ç’shkruhet për Enver Hoxhën dhe Lasgushin në dokumentin zyrtar?

 

Në Drilon takova një mikun tim të vjetër gazetar, i cili mbante në dorë një guidë. “Pogradeci, çelësi turistik” është një guidë e fundit që unë nuk e kisha parë. Pasi u përshëndetëm më thotë se ka ardhur në Drilon të flejë një natë tek dhoma që ka fjetur Enver Hoxha. Mbeta i habitur dhe më pas i them mikut tim se Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjë natë në Drilon. Ai këtu vetëm vinte në formën e piknikut, qëndronte disa orë dhe më pas shkonte tek vilat tek rezidenca qeveritare në Pogradec. Bashkimi hapi guidën në faqen 73 ku shkruhej:

Në dhomën e Enver Hoxhës (citojmë pikë për pikë faqen e guidës)
“Deri në vitin 1990, viti i rënjes së sistemit komunist, një pjesë e Drilonit konsiderohej si zonë e ndaluar për popullin e thjeshtë. Enver Hoxha kalonte këtu pjesën më të madhe të periudhës së nxehtë të vitit dhe për të ishte ndërtuar një vilë prej guri dhe druri. Vendi i preferuar i udhëheqësit komunist tani është shndërruar në një hotel privat ku janë bërë jo pak ndryshime. Falë një pagese që shkon deri në 40 euro, mund të shijoni një natë në dhomën dyshe ku flinte Enver Hoxha. Hoteli ka një atmosferë të ngrohtë dhe në të gatuhen gjellë të vendit dhe të guzhinës ndërkombëtare. Natën pylli rreth hotelit krijon një atmosferë të magjishme. Heshtjen e thellë e prish vetëm zhurma e ujit që vazhdon të rrjedhi drejt liqenit. Një natë në vilën e Enver Hoxhës me të vërtetë që ia vlen”.
Ky ishte tektsi i guidës. Ngela i shtangur. Çfarë ke, më thotë miku im, unë kam qenë i përndjekur dhe në djall të shkojnë 40 euro do të fle një natë në krevatin e diktatorit. Ti fli, i them unë por kur vinte Enveri këtu nuk ka patur hotel. Hoteli është ndërtuar pas vitit 1998 dhe Enveri sikur ka vdekur në vitin 1985, pra plot 13 vjet pasi ai ishte ndarë nga kjo jetë! Miku im shtangu, por shtanga dhe unë. Hajde mbroçkulla, thashë me vete, deri ku shkon reklama dhe mashtrimi. Ai më ndiqte pas qejf prishur duke më përsëritur të njëjtën frazë: a je i sigurtë që nuk ka fjetur Enveri?! 
Kjo është padrejtësi, vjen tjetri nga Tirana, blen nje guidë dhe beson tek kjo guidë zyrtare në shqip dhe anglisht ….dhe ngelet i hutuar dhe qorollepsur nga një mashtrim zyrtar…
Mirë, atëhere, më tha kolegu, eja të pish një ponç nga të Lasgush Poradecit e të mbledhim mëndjen.
Po këtë nga na e shpike, i them unë. Ja ku e ke, më tha, tek “Çelësi juaj turistik”. Kolegu hapi guidën në faqen 50 dhe më lexoi:
“Pasi shëtiste buzë liqenit, Lasgush Poradeci ulej tek hoteli i madh dhe bëntë një porosi të veçantë. Vetëm pasi e merrte atë, ulej dhe shkruante mbi blloqet e tij poezitë që e bënë të famshëm. Porosia e tij ishte: Dy gota raki e fortë rrushi perlë e përzier me ujë të ngrohtë dhe pak sheqer. Që nga koha kur e pinte Lasgush Poradeci kjo lloj pije u quajt nga kamarierët e vjetër ‘Ponçi Lasgush’. 
Më poshtë guida vazhdon …
“Provojeni një herë, mbase me anën e tij mund të zbuloni edhe talentin tuaj të fshehur prej shkrimtari. ‘Ponçi Lasgush’ i shoqëruar me një kafe të fortë turke bën mirë si në mëngjeset e freskëta anës liqenit gjatë verës, ashtu edhe në ditët e ftohta me dëborë. Sot në Pogradec të gjitha lokalet ia dinë formulën kësaj pije të veçantë. Por duke porositur atë, do të keni rast të provoni edhe nëse ata që iu shërbejne janë pogradecarë të vërtetë e të vjetër apo jo”.
Kolegu im u rropat lokal në lokal por ponçin e Lasgushit nuk e gjeti asgjëkundi, ajo ekzistonte vetëm në “Çelësin turistik të Pogradecit”…
Të nesërmen kishte vendosur të shkonte në Manastirin e Shën Naumit, edhe kjo një reklamë nga çelësi turistik. Në faqen 39 të po këtij celësi turistik, tek kapitulli “Çfarë mund të vizitoni në Pogradec? Ështe planifikuar edhe një vizitë në manastirin e Shën Naumit ku ndodhet një kishe e vogël dhe brenda saj varri i Shen Naumit” …dhe më poshtë jepen vlerat unikale të afreskeve dhe ikonastaseve që ndodhen aty të gdhendura qysh ne vitin 1711. Aty ndodhet edhe varri i Shën Naumit, një dishepull i shek X …
Mirë, i them kolegut tim, të vaftë rruga e mbarë, por a ke siguracion ndërkombëtar për makinën pasi Manastiri i Shën Naumit ndodhet në pjesën maqedonase të kufirit …Si për t’i freskuar kujtesen i them se ti e di që atë e ka shitur Ahem Zogu tek fqinjët që në kohën që ishte mbret ë Shqipërisë!…
-Edhe, ma preu me gjysëm zëri kolegu ….
– Bli një siguracion ndërkombëtar për veturën që kushton 400 e ca euro dhe shko vizitoje manastrin e Shën Naumit.
Miku im u zbardh si ato statujat e Greqisë duke mbajtur “Çelësin turistik të Pogradecit” si një domino dopjo gjashtë që të ngelet në dorë. 

Kol. Shuaip JAUPLLARI/ Çkallovi, piloti që mahniti botën me guximin e tij


Kanë kaluar 75 vjet që nga vdekja e pilotit të famshëm rus, Valeri Çkallov, i cili ndërmori fluturimin e parë pa ndërprerje në historinë botërore nga Rusia në SHBA

Në vend të parathënies

Më 16 dhjetor të vitit 1938 gjithë gazetat dhe radiostacionet e vendit transmetuan njoftimin qeveritar:

 “Qeveria e Bashkimit Sovjetik, me hidhërim të thellë njofton mbi vdekjen e pilotit të madh të kohës sonë, “Heroit të Bashkimit Sovjetik”, shokut Valeri Pavlloviç Çkallovit, gjatë koaulidimit të avionit të ri, më 15 dhjetor të këtij viti…”

Në nekrologjinë e tij, botuar në gazetën “Pravda”, midis të tjerave, thuhej:“…Populli sovjetik, i hidhëruar thellë për humbjen e pamerituar, përkul flamujt e tij luftarak mbi hirin e heroit…Asnjëherë nuk do të zbehet lavdia e heroizmave të tij. Asnjëherë nuk do të venitet shkëlqimi i emrit të tij legjendar…”.

Arkivoli me trupin e Valeri Çkallovit u vendos në Sallën e Kolonave në Kremlin.

Servet Tartari: Pesë takimet interesante të Akademikut Rexhep Qose me shoqatën “Labëria”

 INTERVISTA/ Flet veterani i shoqatës “Labëria” dhe publicist  Servet Tartari

Akademiku Rexhep Qosja, për  Labërinë 

-Si historian i letërsisë shqipe dua të perifrazoj një shprehje që thuhet nga historianët e letërsisë: “Rinjihni jetën shoqërore të popullit prej përbrenda”.

-Labëria, ajo është vetë historia shqipe. Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është shqiptaria.

-Labëria shpirtërore është Shqiptaria natyrore e kjo do me thënë Shqipëria etnike.

-Vlora është qyteti në të cilën është bërë dhe është ribërë Shqipëria.

-Vlora është qyteti ku është ngritur flamuri i pavarësisë së Shqipërisë.

– Vlora është qyteti ku është ndërtuar më së pari institucionalizuar ajo pavarësi.

-Vlora është qyteti, ku qëndron krenar përgjithmonë Monumenti i Pavarësisë dhe në këtë monument janë bashkuar bijtë e pandarë Shqipëria.

-Vlora është qyteti prej të cilit më parë se prej cilido qytet tjetër shqiptar e me cilindo tjetër trevë shqiptare janë dëbuar ata që kanë dashur të pushtojnë Shqipërinë.

-Vlora, pra është qyteti që e ka bashkuar popullin shqiptar. Dhe kështu Vlora është bërë qytet mburrjeje, qytet krenarie, qytet simbol, qytet historik i Shqipërisë. D.m.th. qytet historik për lirinë, për pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Shoqata Kulturore Atdhetare  “Labëria” u krijua më 11 Dhjetor 1991, në Pallatin e Kulturës, në katin e dytë. Qysh atëherë kjo shoqatë do të kryente rolin e opozitës me çdo qeveri që luante me ndjenjat kombëtare apo nënvleftësonte kulturën shqiptare. Për 13 vjet ajo ka bërë me qindra aktivitete me karakter atdhetar dhe kulturor, në nivele të tilla që dhe vet shteti është vështirë ti organizojë.  Një ndër nismëtarët e krijimit të kësaj shoqate është dhe publicisti Servet Tartari

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...