Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/14

Leter e Shtjefen Gjeçovit derguar Gjergj Fishtës


Gomsiqe 19. IX. 913.
    I dashtun P. Gjergj (Fishta)!
    Letren tande e kam marrç n’Lezhë. E ty a t’ra n’dore tejshkrimi qe ta dergova nga "Vorri Skanderbegut".
    Do të kesh pritë prej mejet lajmet e t’mledhunit t’Lezhës, po veç u da puna për faqe të zezë, s’mu dha me t’shkrue prap. Merzi e madhe kahë më binin nder mendë qellimet e ndyeta t’disave, qi mbahen dashësit e kombit, por per "intra in gandium domin ton" e qi paravenë dashëvetjen e mandej t’kombit.


    Me 7 t’Vjeshtës së parë u mblodhëm në qytet t’Kruetanit të Madhnueshëm. Kahë e soditshe at shumsi shqyptarësh n’hie t’rrapit (çinarit, më pertrihej nder mend e Mbledhmja e Princave t’Shqyptaries n’kohë t’Kastriotit, tuj u lidhë me besë, për me ruejt atmen kundra turrit t’armiqvet, e kujtova, do t’na thekun n’zemer Hiet e Kastriotit e do t’u bashkoshim edhe na, do t’lidhshim besën e dashtënisë e do t’u betojshim me jetue vllaznishtë e pa perbuzë kend e pa ja vum kamben kuej. Të mjerët na se s’jena regjë e atmen e komin i majmë t’pshtetuna e t’mblueme n’zemer t’onë, rrethi i atmes asht vehtja e jonë!

    Ulu dhe! Krisi zani T’Emzot Doçit  e tremijë e ma shqyptarë ulun, për me veshtrue, se ç’kumt do të qitëte gojet. E. Doçi i knaqun tuj u gjetë mes gjithë atyne njerzve me sy t’ngulun kah Doçi, qi rrinte n’kambë me nji madhn, fillojë me fjalë t’kandshme me folë permi ndodhinat e jetës s’Preng Bibdodës... S’mbramit me nji flakë e zjarmi zuni me hjedhë e gadi-gadi me fluturue u tha: "Folni tash a e ban Preng Pasha, a jo! - Thoni t’gjithë, pergjegjni t’tan, e dona". Populli me zemer, t’perziem - Po e dona. Ngjatja-Zo jetën atij, e z. s’Ate! E i bani dy-tri herësh me i porositë ato fjalë. U briti atbotë E. Doçi - Dahi ju, 12 Bajrakët, folni e më bini t’gjegjun a do t’i ndigjoni Preng Pashës, e sa e doni Preng Pashën për Regë t’punve. U çuen 12 bajrakët e u ndanë m’vedi. Tuj pamë këtë marrie, ju hulla Preng Pashës e i thashë: "Zotni, thuej të çohet edhe Zadrima e Malcija e të bajnë kuvend, mandej t’vinë edhe ata me pru gjegjen si 12 Bajrakët. Jo, briten disa..., s’kan nevojë kta m’u da, se atë t’gjegjun qi t’binë 12 Bajrakët kanë me u nejt edhe Zadrima e Malsia.
    - Jeni tuj gabue, u dhashë, edhe s’bana za.

    Erdhen Krenët e 12 Bajrakve e ishte e ditun se ç’t’gjegjun do t’i epshin.
    U perzie puna. E. Doçi e Dom Nikaj e derdhne gojtarinë (elekuencën) e tyne, si mos kurrë, e sa me perdhunë dojshin me la dheun mbarë, e t’thuhej se e dona Preng Pashën për Regë t’Shqypnisë. E. Doçi britte: Thoni t’tanë se nuk njofim tjetër kend për regë t’ Shqypnisë posë Preng Pashën!... Kuvendi Gjeto Çoku e Ded Çoku. "Zotni i madhnueshëm ju vetë e dini, se na malsorin e gjenë në bjeshkë, se ska as dhetë vetë ktu, njimijë vetë i kam n’bjeshkë, Z. Jote ndreqi 12 Bajrakët, t’mos t’vriten e t’mos vjedhin e t’na lajnë borxhet, qi na kanë, e na si napim karar, sa si kemi njerzit ktu, e mas dy-tri javesh tash mbrrinë malsorët, e atbotë po t’a biem t’gjegjunit t’onë. Preng Pasha e njofti arsyen e Çokve, e na tha neve taljanisht, "malsorët tash na napin t’gjegjun.
E. Doçi i nejt gadi Preng Pashës e me nji të turrun (porse heshtazi): "Zotni, veni mend se n’u thaç arsye, po na ngatrrohet fija e punës, qi t’thoshin se e njofin Preng Pashën për regjë t’Shqypnisë". Gjeto Coku atbotë i pergjigj, se fjalën e kputne s’mund ta nap pa mrritë Malcia prej bjeshket. Marka Gjo Marku, qi rrinte në kambë me mancerre, si një ushtar, permas fjalës së Gjeto Çokut briti t’madhe e i tha Preng Pashës: "A sje tuj e marrë vesht or zotni, se kto nuk t’duen"? Unë si qellova afer, ju solla Marka Gjonit e i thashë: "Kapidan s’janë gja ato fjalë"! Nuk m’pergjegji. Ju vunë Gjetës, Emzot Doçi e Nikaj, qi thotë, se e njofin Preng Pashen për reqë, kur ju pergjegji Ded Coku e u thotë, qi pa ardhë malsorët s’mun e jap fjalën, t’i ndreqi Preng Pasha 12 Bajrakët, se puna eme asht e ndrequn.
 Duhet me ditë, se me fjalë t’Çokajve ishte edhe Zadrima. Muer rishtaz Marka Gjoni e tha: "N’daçi, se kufinin tem s’ma lot gja, m’Dri e kam kufinin". Kto fjalë të zeza t’Marka Gjonit ma dynden vnerin, e ju hulla unë edhe i thashë nder sy t’gjithve: "Or Kapidan na s’jena mbledhë ktu me nda kufit e Shqypnisë, por kena ardhë me pertri besën e vllazninë me Mal e Fushë. T’ishim kenë t’zot per me i dalë zot kufive t’Shqyptarisë, nuk kishim pritë me na ardhë n’Shkoder ato pesë burra, nuk kishim bajtë me na u perhedhun ato pesë bajrakët e huej n’kalan e Shkodres, por kishim ngulë Flamurin e Shqypnisë.
Puna e jonë s’asht tash me da kufit, se n’kjoftë me perlim me i da kufit, kanë me ditë ato pesë burra, qi janë n’Shkoder, se ne s’na pvesin për këtë punë". Marka Gjoni u idhnue, se i rash ndesh, m’tha: "Zotni mos ma luej gishtin"! - Unë i pergjigja, - po ta luej gishtin edhe ma pertej, e mos rri tuj luejt me dhet e me vogjlinë t’shkretë, mos perbuz kend! Edhe u kput fjala.
    Tashi erdhen Bajrakët e Pukës, kta i pergjigjen Pashës, qi shka t’ thotë z Jote e çdo urdhen e presim për dorë të Ipeshkvit tonë, t’cillit ja kemi dhan besën me ndej urt, dhe mos me ba punë të liga. E. Doçi, si n’perbuzun e suell shpinen, e Preng Pasha u pergjegj, edhe me çdo punë qi t’kem, bashkë me Ipeshkvin e ndreqi e ju shikoni nevojat. E. Doçi u a priti. "Kallzoni ju a po doni me njoft Preng Pashën për regjë të Shqypnisë!. Krenët i pergjegjën: "Na njofim Ipeshkvin e Preng Pashën n’past fjalë me ne, t’na çojnë permjet dore t’Ipeshkvit. S’u pelqej ky t’gjegjun.

    Kçira, i thanë Krenët e Pukës, na ka dalë doret. Dona, qi Kçira t’rrie me 7 Bajrakët e Pukës, sikurse asht kenë gjithë herë". Prenga u tha: "Po Kçira me ju Bajrakët do t’shkojë". Krenët i thanë: "Na Kçiren e dona, e nuk e dona, se asht e 7 Bajrakëve, se na ka marrë nderën Ipeshkvit tonë". Don Ndoc Nikaj si gjeluc kcej e duel ka ishin mledhë Kçirasit, kthej edhe tha, se kçirasit i bijen perpara Ipeshkvit, edhe per shka fola i shtrohen pengjet. E. Koleci tha: "Mbasi a pervum Kçira, të vinë ktu e t’lypin t’falun"! Advokati Nikaj u kervesh mas shpinet t’Emzot Kolecit tuj dashtë me thanë, se teper ishte tuj lyp. - Atbotë u ndez fjala; Puka s’donte me ditë për kurrnji urdhen t’Pashës, po s’u çote permjet t’Ipeshkvit. U trazue E. Daçi, Nikaj e Preng Pasha u lshue n’fjalë tuj u thanë Krenve t’Pukës: "Kputni qafen tek e mbramja, se masi s’po doni ju mue, as un s’ju due, mjaftë kam 12 Bajrakët e mi. Foli, etj. etj.

    Kur atje ketu marrin e japin duel n’kam Begu i Lezhës, e permasi i tha Zadrimis me nji t’perbuzun, se s’due me ndej me ty, po po njitem me 12 Bajrakët. Ju hulla unë Mano Begut e i thaçë: "Zotnija jote je i biri i Mehmet Begut"!. Aj. Po Zotni. - Ju jeni t’dalun prej Larjet. Ai  - Po zotni. Unë - Kah duel sod ky bajrak i Lezhës? Ai. - Ka kenë gjithëherë. Unë - Sa vend perfshin ky bajrak? Ai - Rraboshtën, Murqinë, Rrazen e malit me Pdhanë e Zejmen. Unë, - Në ç’gjygje jeni kanë gjygjue? Ai. - Me sherjat, se nuk na ka pas lanë Turkija me shkue me Kanun. Unë. - Mje tashi kena pasë ditë, se janë kater Bajrakët e Malsisë s’Lezhës e jo pesë. E ku shkote ky Bajrak me ba dava? Ai. - M’Saraj t’Lezhës. Unë. - Zadrima ku ka pasë ba davatë e veta? Ai. - N’Saraj t’Lezhës. Unë. – Pra, pse do me u da sod prej Zadrimet, masi t’mirat e t’kqiat i keni pasë mbarë s’bashkut. Mano Begu-Mano Beg i thashë, ti pse dahesh sod prej Zadrimet, a puna jote, porse vyen me folë me nder e me njerzi, se mos me perbuz Zadrimen, se shka ka pasë takue Zadrimës me hjekë edhe Lezhën e ka pasë moter. Etj.

    Çohet Hysni Curri, nipi i Bajram Currit e briti: "T’perpushet kush t’donë me u perpushë, krejt Shqypnija e don edhe e njef Preng Pashën per Princ Shqypnijet. E mue më bijshin nder mend fjalët e Bajram Currit, i cilli tuj kalue nepër Gomsiqe e perpjetë kah Puka e kishin pasë pvetë, a asht pa me Preng Pashën? Ky u kishte pergjigj: "Me Preng Pashën jam pa, pat shkue bimbash e ka kthye n’Shqypni yzbash". etj.
    Me 13. IX. 913, kaloi ktu pari nji suhari shqyptar prej atyne qi janë veshë n’Shkoder me emnin Sadik Jetishi prej katuneve t’Pejës, i cilli kishte pasë kenë kahë Puka per me shtegtue do letra Bajram Currit e Riza Beg Gjakovës (R. Kryeziut), t’cillët gjinden n’Krasniqe e n’Bytyç. Kje ktu te unë e m’tha, se e kishe dergu Admirali -merret vesht i Hinglizit - per me pa si shkojnë punët t’ona, n’kto anë, edhe m’tha, se kishte pasë urdhnin e Admiralit me lypë nji dorë prej mejet, se ka kalue neper Gomsiqe. Unë i thashë a e ke ket urdhen me shkrim prej Admiralit? Ai m’pergjegji, se nuk e kishte me shkrim, por me gojë.

    Fal me shendet Admiralit, i thashë, edhe i thuej, se më tha Frati i Gomsiqes, qi s’t njof se kush je, e po deshte, qi t’u nap dorë suharive qi kalojn ksajt pari, due qi t’ma bini doren me t’pesë Admiralat, atbotë kam me ditë se a puna me themel.
    U lodha P. Gjergj, sa prej të nxetit e nuk mujta me shikue stolinë e shkrimit, as t’rreshtimit e sa mos t’thuesh se s’ta çova nji lajm dosido prej Mbledhjes s’Lezhës u vuna e ta shkarravita ket letër.
        Shndet nga zemra
        i yti
        ASK Gjeçov.

Faik Konica për Shtjefen Gjeçovin


At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet perpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë.
 Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n'Orosh.
A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej.
Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregój një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.
Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin…
Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-ritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë.

Si ka ndihmuar Skënder Luarasi Lasgushin, Migjenin, Kadarenë


Skënder Luarasi kujtohet edhe pas vdekjes për veprat që ka bërë. Jo vetëm në fushën e studimeve, por edhe për ndihmën njerëzore që ai u ka dhënë të tjerëve. E shumë prej këtyre "të tjerëve" nuk janë njerëz dosido, por elita e letërsisë shqiptare në vite. Vetë Lasgush Poradeci, Migjeni, në kujtimet e veta kanë treguar ndihmën që u ka ofruar studiuesi i njohur.


Njohja me Migjenin
Skënder Luarasi, përveçse kishte lidhje familjare me Migjenin, i martuar me motrën e tij, Ollgën, ishte një nga miqtë e tij të vjetër. Ata u njohën në shtator të vitit 1935 në Shkodër. Në kujtimet e tij Skënder Luarasi rrëfen edhe për takimin e parë me Migjenin. "Shumë të tjerë e njohën Migjenin vetëm përmes veprës, kurse mua një rast i mbarë ma solli ta njoh edhe personalisht, kur më transferuan në gjimnazin e Shkodrës, në vjeshtë 1934. Tani më vret ndërgjegjja që nuk dita t'ia hap më shumë zemrën dhe të isha afruar më tepër me të. Kështu do të kisha përfituar nga ai, se që atëherë e kuptova se Migjeni qe një personalitet.
Po kish edhe disa rrethana të cilat besoj që na pengonin të dy të afroheshim më shumë. Në radhë të parë, në asnjë qytet të Shqipërisë nuk ziente përçarja ndërmjet elementeve fetarë me aq fanatizëm sa në Shkodër. Hoxhallarë e priftërinj vendas, por më shumë jezuitët e huaj, e sidomos Kordinjanua dhe Valentini, mbillnin urrejtje e grindje ndër banorët, ngjallnin ftohtësirë e dyshim, i largonin qytetarët nga njëri-tjetri dhe shkallmonin shoqërinë shqiptare. Domosdo, ambienti i shtrëngonte njerëzit të ishin të përmbajtur e të ndrojtur. Miku im erdhi dhe dolëm të shëtisnim; kur iu afruam kafe "Parkut", ndaloi te rruga kryq, ku po afrohej një djalosh e më foli: "Do të të njoh me një koleg të ri, mësues në Vrakë, shumë i mirë… ortodoks".U prezantuam. Ndonëse të porsanjohur, vetë takimi u bë në mënyrë të tillë që na dha temën e bisedës. Unë, i indinjuar nga një atmosferë e këtillë fanatike, i tregova mikut të ri ç'kishte ngjarë në oborr të konviktit dhe i thashë se e para punë që duhet të bëjnë arsimtarët në Shkodër ish ta shkulnin nga rrënjët kuçedrën e fanatizmit.
 Migjeni buzagaz më tha se unë sapo kisha filluar dhe se do të më jepej rasti të njihesha më mirë me këtë përbindësh. Takimi im i parë me Migjenin ish i shkurtër; po më gëzoi, se gjeta në këtë djalosh një njeri që qëndronte përmbi dasitë fetare", do shkruante për takimin e parë me Migjenin studiuesi i madh. Pas këtij takimi, Skënder Luarasi dhe Migjeni u bënë miq të ngushtë. Sipas familjarëve të studiuesit të madh, ai e ndihmoi shumë Migjenin që ky i fundit të botonte veprën e tij "Vargjet e Lira". Në një letër që Migjeni i dërgonte Skënder Luarasit, i kërkonte që ky i fundit ta ndihmonte për botimin e veprës së tij, ndihmë që studiuesi do ia jepte menjëherë.Por pas çlirimit, në vitin 1948, Skënder Luarasi çoi për botim veprën e plotë të Migjenit, e cila u botua vetëm në vitin 1957. Gjithashtu, ai mbrojti jo vetëm veprën, por edhe vlerat e Migjenit ndaj shtrembërimeve të ndryshme.

Skënder Luarasi dhe Lasgushi
Po studiuesi i madh nuk ka lënë mbrapa pa ndihmuar as mikun e tij të ngushtë, shkrimtarin e njohur Lasgush Poradecin. Ai ndihmoi në vitin 1929 poetin që vuante nga një sëmundje e rëndë që të kurohej në Austri. Madje, ndonëse ishte i dënuar në mungesë me burg nga regjimi i Zogut, për t'i qenë pranë mikut të tij të ngushtë ai u kthye me të në Shqipëri nga Austria. Regjim i Zogut e arrestoi atë menjëherë sa zbriti në portin e Durrësit, por do ta lironte vetëm pak kohë më vonë. Ndërkaq Luarasi i dha edhe një ndihmë të madhe Lasgushit edhe për botimin e veprave të tij. Ai do ta vlerësonte poetin në të gjitha studimet apo fjalimet e tij. "Po të kalojmë tashti në letërsinë e kohëve më të afërta, dafinat e poezisë do t'ia kushtojmë pa ngurrim Benjaminit të poetëve tanë: Lasgush Poradecit (1899), poet serioz dhe filozof merite. Vargjet e tij të përpunuara nuk meritojnë asnjë qortim për sa i përket formës.
Me prejardhje nga shtresat e thjeshta të popullit, ai ka ditur të ngrihet përmbi rasat e kësaj jete dhe të jetë artist me tërë kuptimin e fjalës, duke bërë në një farë mënyre "art për art", dhe duke shprehur në poemat e tij një botë ndjenjash ashtu edhe mendimesh. Ai s'do t'ia dijë nga kufijtë tanë si rrjedhim, inspirimin e tij poetik, ai shkon ta kërkojë jo vetëm në poezinë popullore shqiptare, por edhe në poezinë popullore në përgjithësi. Dhe aty e gjen heroin e romanit poetik të tij, në të cilin dashnori dhe dashnorja s'janë më veçse personifikimi i fuqisë fizike dhe i bukurisë morale.
I riu ynë i ndan veprat e tij në cikle. Le të shënojmë vetëm se poezitë erotike kanë gjetur vendin e tyre në ciklin e katërt. Midis gjithë atyre motiveve që e bëjnë të këndojë kalemin e tij, le të shënojmë nostalgjinë e ikjes, "të ikësh është të vdesësh ca pak", që poeti ynë e ka ndjerë më shumë se cilido tjetër", shkruante profesor Skënder Luarasi, në një nga studimet e tij kushtuar Lasgushit.

Luarasi dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
Por pak kush e di që profesor Luarasi do ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, në kohën që ky nxori për botim romanin e tij të parë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", në vitin 1964. Në një debat të madh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në 19 tetor 1964, studiuesi i madh ishte nga të paktët njerëz që e vlerësoi romanin e Kadaresë. Madje në diskutimin e tij në këtë mbledhje ai do deklaronte se me romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" nis udha e romanit modern shqiptar. Një deklaratë që ngjalli mjaft debate në atë kohë.
Letra e Lasgush Poradecit drejtuar Skënder Luarasit
Lasgush Poradeci,
Poradec, 12 gusht 1965
…Motra ime Zografina Gusho më ka mbajtur në krahë kur isha foshnjë dhe më mbajti prapë kur u sëmura rëndë në Austri, për të cilën sëmundje ti, shok i dashur dhe i shtrenjtë, i dhe kushtrimin botës shqiptare me anë të shtypit.
Me falënderime dhe mirënjohje që përpara.
Letra e Migjenit drejtuar Skënder Luarasit
Shkodër, më 12.1.1936
Zotni Luarasi,
Ma parë dëshëroj që të Ju gjejë kjo letër të kënaqun në çdo pikëpamje-mbasi e që e dij mirfilli se çdo me thanë i pakënaqun në të gjitha pikëpamjet.E dyta-Unë jam gati t'i lëshoj në shtyp kangët e mija. Tue qenë se Ju, kur ishit këtu, më premtuet se do ta merrni përsipër me folë me ndoj botonjës, si për shembull me Gutembergun, unë tashi po Ju kujtoj at gja tue Ju thanë se jam gati. Dhe Ju pata thanë se të holla nuk kam (këtë Ju përsërita që ta dinitë regulloheni në bashkëfjalim me botonjësin). Vjersha janë 35 copë. Mbas mendimit tim, po qe se asht formati i librit 20x13.-si dëshëroj unë-vjershat mund të shtypen në 90 faqe. Kjo barrë, që po Jua ngarkoj, asht e vetëdëshrueme nga ana e Juej, e unë do të Ju jem mirënjohtës dhe në rasë mossuksesi në këtë punë. Por, Ju lutem, të më lajmëroni përfundimin e bashkëfjalimit që të dij të rregullohem.

Dëgjova se keni qënë n' Austri, për çashtje… ma mirë mos ta thom, se ndoshta mund të gabohem. A kish ndryshue Vjena, o njerzët? Por besoj se ma tepër keni ndryshue Ju se Vjena.
Ju lutem për gjegje.
Të fala dhe nderime
M.Nikolla
Adresa: Millosh Nikolla
Shkolla "28 Nënduer"
Sh.
P.S: Po qe se takoheni me z.Llupin, shefin, Ju lutem t'i thoni se tash ma nuk më duhet transferimi për Pukë.
M.

NGA FLORI BRUQI:Mos te shkojne me hamall neper Evrope.






     Këze (Kozeta) Zylo


Ka lindur në Tepelenë, nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni, një familje Mezhgoranase, me tradita patriotike dhe arsimdashëse.


Pasi diplomohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksander Xhuvani” për Gjuhë dhe Letërsi (1979), punoi si mësuese e Letërsisë Shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të Tiranës, ndërkohë kryen dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës.

E spikatur që në vitet 80-të për prirjet dhe qëndrimet e saj jokonformiste, K.Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e komunizmit.
Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe që nga themelimi ishte në kryesinë e Partisë Demokristiane të Shqipërisë.
Kopertina e librit
Në vitet 1994-1995, u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e saj dhe drejtonte gazeten “Ora e Shqipërise” organ i Partisë Demokristiane të Shqipërisë.Në këtë gazetë botoi një sërë artikujsh publicistikë.


Është dalluar si një mësuese e apasionuar në Tiranë dhe mjaft aktive në shtypin e përditshëm e periodik, organizatore dhe regjisore spektaklesh të rinisë, etj.Në gjimnazin “Çajupi” së bashku me një grup nxënesish drejtonte gazetën “E Ardhmja”Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në ShBA (New York), ku integrohet në shoqërinë e atjeshme, vazhdon kualifikimet në kolegj, emërohet Këshilltare e studentëve në BramsonORT College (2000-2004).

Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology” në Manhattan, dhe tani është e punësuar nga Bordi i Edukimit të New Yorkut.Shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan.Është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në USA. 2007-2010.

Rreth poezive të saj u zhvillua një orë mësimi e rregullt në shkollën e mesme Susan E. Wagner në Staten Island, New York, udhëhequr nga Prof.Helen Decker.Gjithashtu poezitë e saj u përzgjodhen dhe u interpretuan në një mjedis amerikan, gjatë një aktiviteti letraro-artistik, në një nga qendrat e mëdha kulturore “Staten Island Greenbelt center, udhëhequr nga znj.Sheree Sobel, shkrimtare dhe psikologe.


Eshtë korrespodente dhe analiste e gazetës “Illyria” në USA, bashkëpunëtore në TV “Kultura Shqiptare” dhe në disa media.
Narratore në TV Alba Life në Staten Island, New York, ku së bashku me bashkëshortin e saj z.Qemal Zylo Ph.D kandidate dhe familjen, janë pronarë të TV Alba Life New York dhe themelues të shkollës shqipe. Për kontributin në TV, mund të klikni në një nga emisionet e saj ne youtube:
http://www.youtube.com/watch?v=hrKOMZaGcwQ&feature=related


Zv/Presidente e Org.së Gruas Shqiptaro-Amerikane “Zëri Ynë” në New York.Përfaqësuese e medias pranë Shkolles Shqipe “Alba Life” në New York.


Ka organizuar për vite radhazi, së bashku me bashkëshortin e saj z.Qemal Zylo, ditën e Flamurit si dhe veprimtari të tjera atdhetare, kulturore dhe patriotike për Shqiperinë, si dhe simpoziume për çështjen e Kosovës.
Përmes veprimtarisë së saj të dendur, si dhe krijimtarisë së kahershme publicistike, letraro-artistike, veçanërisht në poezi, K.Zylo ka fituar respektin e studentëve shqiptarë në New York, të komunitetit shqiptar në SHBA, Diasporë dhe në Mëmëdhe.
Është e martuar me z.Qemal Zylo dhe ka dy vajza, Dr.Valbona Zylo Watkins dhe Klodiana Zylo Halsted.




Çmimet




1. Libri “Mjellmat po të vijnë” u shpall libri më i mirë i vitit, në Panairin e librit me shkrimtarët e Diasporës në New York, 2009, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.


2. Çertifikatë mirënjohjeje për bamirësi dhe punën udhëzuese tek studentët e saj në mjedieset e një Qendre Shëndetësore, të cilët për shumë kohë punuan vullnetarisht për të ndihmuar njerëz të moshës së vjetër dhe me probleme shëndetësore. Kjo çertifikatë u dha nga Shkolla e Mesme "Wagner" dhe Qendra e Rehabilitimit “Eger", ne SI, New York, në ceremoninë e gradimit të nxënësve, të cilët u pajisën me diplomat e shkollës së mesme. Maj, 2010


3. I jepet titulli: “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare”


nga Shoqata Mbarëkombëtare I.Qemali Vlorë, 28.11.2009


4. U shpall gruaja e vitit 2008, në New York.


5. Çmim nga revista “Fotjon Art”, 2007 – 2008


6. Çertifkatë mirënjohjeje nga TV “Albanian Culture” në New York, për një bashkëpunim të ngushtë me TV dhe mirënjohje për Komunitetin, 2007


7. Çertifikatë nga Lidhja e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane për një kontribut të shquar në Letërsi, 2007


8. Çertifkatë “Mirënjohjeje” nga Shoqata “Dibra” në Amerikë për ditën e Mësuesit, 2006


9. Çertifikatë nga Akademia e Shkencave në NY, për një punë të palodhur në Media, 2006




Libra të botuar


1. Monumenti i Lotit (me poezi) (2005)
2. Pranverë pa Mimoza (me poezi) (2006)
3. Mjellmat po të vijne (me poezi) (2008)
4. Nje fjongo dielli nga New Yorku ( me poezi) (2010)
5. Refleksione shpirterore (kritike, esse, reportazhe) (2010)
6. Bashkautore në Antologjinë “Perëndim i malluar”
7. Bashkautore në librin: “Kur e lë zogu folene”
8. Bashkautore në librin: “Itaka e fjalës”
9. Redaktore në antologjine “Zemra Prindërore”
10. Bashkautore në librin: “Antologie de poezie”
Ka gati për botim dhe dy libra të tjerë.





Tungjatjeta Kosovë!


Tungjatjeta Kosove!
Tungjatjeta Princesha ime,
Sot po udhëtoj kudo,
Me medalionin e Lirisë në gjoks,
Medalion që s'do ndryshket kurrë!
Në kujtesën e dhimbjes shkulmëzon shpirti,
Për rrëmbimin e të artit medalion,
Nga zotat e heshtun të Olimpit...!
Lamtumirë ju Zota të heshtun, lamtumirë!
Lamtumirë ju që ma gërryet kockën,
Me molën e hipokrizisë!
Princesha ime Kosovë,
Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë,
E me ju të bashkohem ne simfoninë e këngëve,
Të miliona shqiptarëve, që këndojnë shqip,
Aty, në tokën e lirë!
Sythet e Lirisë kanë buisur,
Janë harbuar sot, në degët e Shkurtit,
Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere!
Mëngjesin e burgosur zgjoi,
Duke hapur kufirin e shpirtit,
Me vezullim rrezesh nga bjeshkë Kosove!
Më fal Kosovë që s'të vij dot atje, më fal,
Por, edhe pse larg teje sot,
Unë po e shijoj këtu lotin e gezimit,
Te ngrirë kallkan, acareve,
Tashme të shkrirë nga Ju, por edhe nga kjo tokë,
Ku u vesit gonxhja e Lirise, dikur si manushaqe kokëulur!
Nuk do dëgjoj më krokatje korbash,
Ato kanë kohë që u shkrumbuan në harkun vetëtimë të Lirisë!
Në trungun e tokës tënde, dhimbjet lëshonin rrënjë,
Sot ato u groposën në dheun e Prizrenit, Prishtinës…
E në gjithë tokën e Dardanisë!
Unë kam kohë që jam larg teje, kam kohë…
Por dhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,
Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,
Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!
Eja, Liri Kosove, eja dhe tek unë,
Më kap prej dore, se sonte dua të hedh vallen e Rugovës,
Me xhamadanë sokolash e me plisin e bardhë në kokë,
Të trand botën e cmendur, që shekuj me radhë,
Ta përtypën Lirinë!
New York, 17 Shkurt, 2008


HEU, KOSOVË...
Ma blove shpirtin, nen mokrrat e Evropes,
Kur copetohej trupi si me hanxhare,
Therrte gjoksi, nga rrjedha e plages,
Ku vendosej fati nga kasape te marre.

Me lere te endem e lire,
E te vije aty, ne token time,
Dhe pastaj te perulem ne gjunje,
Pa ushtare me tyta, rreth zemres sime.

Qe syte e mi, mos te hedhin lot,
Si shelgje lotues per te renet,
Por loti im le te kthehet ne kokrriza,
Ku te godas si bresher, ata qe skermitin dhembet.

Dua te thyej hekurat qe te rrethojne,
E te futem ne shpirtin tend gjigand,
Le te mbushem andej me frymen tende,
E te ringjall fizikisht heronjte,qe per ty jeten dhane.

Heu Kosove!
Me dramen tende ne shpine,
Ecje, luftoje dhe asgje s’te ndalte,
U desh fundi i nje shekulli,
Qe lufta tende, shkeputjen nga Serbia te shpallte.

Pavaresia tende e afert,
Nuk eshte me imazh hyjnor,
Ne te jane murrosur shpirtrat,
Qe premtimi i dhene te jete burreror.

E nese ju gjykates boterore,
Rivrisni shpirtrat e murosur,
Trupat e shenjta te tyre,
Do ta kthejne ne legjende, lirine e burgosur...




ÇAMËRIA...Klithin zerat nga nentoka,
C'ben keshtu o Evrope plake,
Jemi camet te masakruarit,
Po kullojme akoma gjak!


Plumbi i Zerves ende sillet,
Ne pretendimet e Vorio Epirit,
Mbeshtetur nga kali i Trojes,
Si ne dramat e Shekspirit.


Digjet zemra e Çamerise,
Per t'u kthyer ne token meme,
Tymi dhe flaka e 44-s,
Kane thinjur Hagen qe ne rrenje.


Dhe sa, do te heshtin kancelarite memece,
Perballe kerkeses se Çamerise,
Do te futen ne kurthin e pabesise greke,
Apo do t'u njihet e drejta e pronesise?


Bubulina ka nxjerre gjoksin,
T'u mekoje me qumeshtin cam,
Te zgjoje sythin e Lirise,
Ku deshmoret per te rane.







Burrit shqiptar, Ibrahim Rugova
(In Memoriam)



Burri shqiptar Ibrahim Rugova,
Ecte si në legjenda me shallin rreth qafës,
Kërkonte Lirinë e ëndërruar në shekuj,
Rrëmbyer nga barbarët, vrasësit e fjalës.


Brengën e dhimbjes e mora me vete,
Këtu në Manhattan me studentët ta ndaja,
Nuk mund të filloja mësimin e zakonshëm,
Pa një minutë heshtje, si shqipe të qaja.


U ngritëm në heshtje me dhimbje në sy,
Peshën e lotit mbanim në supe,
Biles dhe të huajt që ishin aty,
U bashkuan me ne, në zi e në lutje.


Luftove mençurisht, pa shpatë gjakosur,
Salloneve mondane në çmendinë e kohës,
Ta merrje Kosovën në gjoksin e nënë Lokeve,
Shqyer nga kuçedrat në kthetrat e lojës.


Me vizionin tënd, trondite botën,
Kosovën martire, drejt Pavarësisë e çove,
U çane lajmet, flasin Presidentët,
Për vdekjen tënde të parakohshme.


Simboli i bashkimit mbete përgjithmonë,
IBRAHIM RUGOVA, burr i rrallë,
Globi i botës, si zgavër duket,
Pret Kosovën, me shekuj ndarë.


Botoi gazeta “Illyria”dhe “Bota sot”
Marre nga libri “Pranvere pa Mimoza”
Manhattan, NY
22 Janar, 2006



ANITA BITRIT...
Kjo vdekja e zeze,

Muret i cane,
Lotet rrjedhin vale,
Per gjeneratat radhe.


C’dhimbje na solle sot,
Me melodite e kenges,
Engjell Sibora,
Le pergjysme endrren e nenes.


Tmerruar nga lajmi rrugen mora,
Kalova me drita te kuqe, vetetime
Ne cep te rruges frymen ndalova,
Me rrodhen lotet kur pashe shtepine.


Zemra s’me pushonte aspak,
Me vehte klithja e mjera e mjera!
Ndenja gjate, por porta s’u hap
Ndeza qiririn dhe e vura tek dera.


Vitet do te ikin dhe shpejt do te kalojne,
Loti I mergimtarit do te ngelet ne dere,
Orkestra “Alba” shpesh do te ekzekutoje,
Kenget e tua ne tastiere.


More helmin ne zemer, ike larg, Anita!
Ndoshta te gjeje qetesine,
Le ne zemrat e njerezve kengen,
Dhe me zerin tend pavdekesine.


I paharruar qofte kujtimi I tyre!







VALBONA, BIJA IME...Gjethi sapo ka dale,
Si gur diamandi shndrin vesa,
Ngadale piklon deri tek rrenjet,
E etjen ma shuan pa kuptuar,
Si tek burimi i Valbones ne mal.
E une prej dore me Valbonen,
Loz me ujin pllac e plluc,
Duke puthur emrin e bijes sime,
Qe nuk eshte me udhetim imagjinar,
Por nje vizion ngjyrash i dritares time.
Une kridhesha e tera ne valet e pastra,
E shpesh i thoshja sime bije,
Emrin e bukur qe ke Valbona,
Shume prej personazheve i le ne hije.
Ky emer i magjishem ne shpirtin tim ka hyre,
Me xhigelit e si note ne pentagram tingellon,
I mbeshtjelle me vellon blu Valbone,
Dehem dhe mallengjyer shpirtin me pershkon.
Vals dua te vallezoj me ty engjelli im,
Mbi lendinen e gjelber prane Valbones,
Le t’ja kaloj dhe valsit famoz te Danubit,
Me sterkalat e ujit kristal te Tropojes.
Pasqyra e ujit si feniks shfafqet,
Kudo ne rrugen tende te shkollimit,
diplomat e tua si mozaik, arberie,
Formojne kuroren e arsimimit.
Oh, c’me shetit fantazia lumit te paster,
ku si mendafsh duken guret e vegjel,
Ato gure t’i kishja ketu ne New York,
Do shqyeja veshjen me dru, te shtepise sime,
E me emrin VALBONA do skalisja porten time.







Mjelmat po të vijnë!


Nuk e di,
Në më ke harruar liqeni i bukur i Tiranës,
Nuk e di?
Fëshfërimën e mëndafshit vishnje, veshur dikur,
Dhe fërshëllimën e te dashurit tim,
Nga kënaqësia e puthjes,
Kur loznim kukamfshehtësi,
Dhe në gjethet e bardha,
Të lule deleve, kërkonim fatin,
Më do apo s'më do?
Nën ëmbëlsinë e cicërrimes së zogjve,
Ne ecnim te dy të përqafuar,
Rreth trungut të pishave,
Aty ku lulet bënin pjalmimin.
Unë nuk e kam harruar liqenin tim,
Prapë dua të vij pas kaq vitesh,
Edhe pse mund të jesh zemëruar,
Nga mosardhja ime aty,
Por druhem se mos pishat jane tharë,
Dhe liqenit po i humbet shtrati,
Oh, nuk dua ta besoj kurrë këtë marrëzi,
Pritmë liqeni i bukur, pritme si dikur…
Se mjelmat po të vijnë!




Ta dije ti...


Tutje në park është kredhur vjeshta,
Me leshra të verdha përmbi degë,
Një shi i butë më bie mbi supe,
Si me magji thur një gërshetë.


Dhe heshtur vjen kujtimi i tij,
Porsi hënëz fshehur nën gjeth,
Më mbushet shpirti, ëmbëlsi,
Ah ëmbëlsi, veç ty të ndjej...!


Është zjarri i shpirtit, që përvëlon,
Dhe thellë gjumit djeg mbi të,
Një drithërimë trupin përshkon,
Në se si hiri bëhet çdo gjë!


O dashuri e ëmbla ime,
Që luajmë bashkë mijëra herë,
Ta dije ti çmendurinë time,
Do bashkoje tokë e qiell...!


Manhattan, 1998


Një pikë hëne


Erdhe mbrëmë në kalë shaluar,
Në ca shtigje që s’i di,
Një pikë hëne shtrydhe duarsh,
Si Sadiu re në gji.


Kishja veshur fustan dielli,
Terrin e muzgut more peng,
Brenda buzëve, mjaltë lëshove,
Bilbil prilli që më çmend!


Me lotë shpirti njome shtratin,
Nga dritarja Hëna qeshte,
Të mos mbyteshim të dy,
Unë i piva, gjithë për vehte!
2009


Cipa e shpirtit


Më prekin cipën e shpirtit të ëmblat fjalë,
Dhe timbri i zërit më vjen butësisht tani,
Dridhet zemra ime nëpër fantazi,
Për puthjen e zjarrtë mbetur tek ti!
Unë po shkoj të fle nën kupën e qiellit,
Dhe yjet do më lajnë me lotin e florinjtë,
Do të gdhihem me mëngjesin e artë të diellit,
Një ylber me ëndrra mbi shtrat do jenë shtrirë!
Korrik, 2008


Monumenti i Lotit

Sa lot është derdhur,
Për ty nënokja ime Shqipëri!
Në qoftë se do të kishim mundësi për t'i mbledhur
Me siguri do të krijohej një oqean i tërë,
Ndoshta oqeani më i madh kohor,
Në gjithë rruzullin tokësor.
Është lot i brezave, që pushtuesit panë me sy,
Është lot i vashave, për të dashurit,
Që u arratisën nga aty,
Është lot i pleqve,
Për fëmijët që i lanë në vetmi,
Është lot i bijës,
Që s'u ndodh pranë në vdekjen e nënës
Është lot i fëmijës,
Që rritet pa parë baba me sy.
Janë varret e prindërve,
Që u mbuluan pa një grusht dhe të burrit,
Eshtë lot im që çan palcën e gurit.
E si kalë i hazdisur, vrapoj nëpër shekuj,
Për të qëmtuar brengat të qendisur në shpirtra,
Që pena ime bashkë me skulptorin,
Të ngrenë madhërishëm, Monumentin e Lotit.


Washington, Shkurt 2001




Mjaltë zogash


Zunë të çuçurrijnë zogjtë,
Shpirti im në qiej të kaltër,
Lule Maji, gjithë aromë,
Gudulisin zemërzjarrtët!


Gudulisen çupëlinat,
Me pëllumbat, gu-gu-ftu,
Nga një gllënjkë në burimet,
Mjaltë zogash për tek ju!


Valë e nxehtë në dashuri,
Ju përndez buzët e mishta,
Me gu-gu dhe gu-gu-ftu,
Pëllumbesha aq të brishta!




Nga vesitja


Sonte vesha fustanin e kaltër,
Me lule shqerra të bardha, për ty,
Nga prushi i puthjes tënde,
Hëna mori ngjyrën e zjarrtë,
Dhe shkriu pranverën e ngrirë,
Në këtë natë me dehje Maji!
Hënëza me një rreze tinëz,
Përkëdhelte trupat tanë,
Në shtratin e mëndafshtë.
Unë mbiva, si një lule vjollce,
Nga vesitja e puthjes tënde.




Cigani i zeshkët

“Nje vend qe s’ka ciganë s’ka liri”!
Lorka


Cigan i zeshkët, ç’ja more këngës,
Defit i bie, nën dritën me hënë,
Vajzat ngjyrë bronzi, shpleksën gërshetin,
Belin e dridhnin, me yjet mbrëmë.


Dritëzat e syve, ju shkrepën vetëtima,
Të linjtat e trupit, i bëtë tendë,
Në afshin e zjarrit, pa ndroje u dogjët,
Cigani i zeshkët, me shpirt në këngë…!


Kurbatkë moj, c’ja more mend,
Te zeshkit tënd, grykë argjend!


Manhattan,
Maj, 2009



SHIJA E DASHURISË...


Buzëqeshja tënde si petalet e mëngjesit shndrit,
Sapo sheh sytë e mbushur me jetë,
Ngacmuar nga shikimet vjedhurazi përherë,
Si vezullim ndjenjash në rrahje pulsesh troket.


Puthja lozonjare si shkëndija, me xixa përhapet,
Në flakën e nxehtë të dashurisë,
Butësisht prekin mollëzat e njoma,
Parfumosur me afshin e rinisë.


Puthja e rrëmbyer shpuzohet më shumë,
Sythe lëshon në degët e trupit tim,
Kapilarët e gjakut qarkullojnë si lumë,
E etshëm thith, pa ndrojtje dashurinë.


Bashkimi I buzëve si pikturë nudo,
Jep tinguj të brendshëm nën zë,
Lëshon ofshama në akustikën brenda,
Në lumturinë e valsit, oh, c’shije të lë!


MËSUESVE TË GJIMNAZIT “ÇAJUPI”
DHE “1 QERSHORI”...
Qiellin me pikeçuditese e mekova,

E si lot margaritar rrezohen mbi mua,
Eshte lemimi i mallit per shoqet,
Per ato mesuese, qe sa shume i dua.


Sa here diskutonim bashke, ne shkolle a kudo qe ishim,
E butesine e fjaleve mbi supe i kam,
Varur si menge, simbol dashurie,
Ngjizur ne shpirt, mjalte mencurie.


Edhe pse vitet, Ajzberg po behen,
Une s’pyes, mallin jua var juve ne mengen tjeter,
Se dashuria jone ka qene e perbashket,
Nje Titanik, i pambytur, histori e vjeter.


Kujtimet si nektar i mbledh nje nga nje,
Shperndare ne fotografi, e ne ditare mesuesi,
Dhembshurine e madhe qe kam per ju,
I tjerr me kujdes, me dhimbjen e nje shkruesi.

POLENA E PUTHJES...


Puthjet e embla jane si flutura,
Qe fluturojne magjishem, ne hapesiren e zemres,
Ndezin gjakun, shtojne ritmin e jetes,
E etshem thithin burimin e veses.


Jam ngjizur e tera, brenda teje
Dy zemrat rrahin si nje e vetme,
Nuk lekunden nga stentet, muzgjet,
Levizja kryhet si deshire e perjetshme.


Ne prush le te digjet puthja, qershi,
Ne llaven e zjarrte te dashurise,
Une nuk do te jetoja dot pa te,
Do te ishja si kali gerdalle, ngordhur qe i ri.


Kjo ndodh ne syte e dashuruar,
Kur ti flocka puthjesh me lë ne buze,
E une ashtu e marrosur,
E vjedh floçken dhe e stampos ne gushe.


Tani si nje engjell me vjen puthja,
Kur shpirtrat bashkohen ne nje,
Shigjeta e shikimeve eshte tretur e tëra,
Dashuria perhapet si polenë ne të.


HISTORIA E KAFSHUAR...Atdheu im,
Pse mundohen "Ata"
T'i varrosin mekatet,
Gjerat e kobshme katran,
Mjere shamizezat nena,
Qe mbi mollezat e fishkura,
Kalon currili i lotit,
Per djemte e tyre qe vane.
A do te gjendet nje dite,
E verteta e brishte e historise,
Qe gjeneratat mos te konfuzohen,
Dhe une mos te behem xhind,
Qe me thonje shtrigash,
Zhgarravinat e historise t'i gris!
Ndoshta do te duhet pune,
Qe dheun mos ta germoje Kau i Zi,
E qe studentet e mi,
Mos te shkojne me hamall neper Evrope.
Por me forcen e Atdheut,
Dhe krenarine e te pareve,
Te ndalojme vrasesit gjakftohte,
Qe Shqiperia mos te jete me,
E kafshuar si ne vitet 1912-te,
Por e bashkuar me te gjitha trevat,
Me Kosoven legjendare dhe Camerine e masakruar.
E ne zemrat tona prush, e verteta te dihet,
Jo me refren i kobshem,
Clirimi eshte ne 28?!
Clirimi eshte ne 29?!
Por per pikat kyce te historise,
Le te veshim gunen e bashkimit,
Dhe ne mos te vuajme me
Nga kafshuesit HistoSTRUCE te cvirgjerimit!


KLODIANA, ËNGJËLLI IM...Vitet shpejt kalojne engjelli im,
E ti perhere me dukesh e vogel,
Une loz e qesh me ty si nje femije,
Me kurore lule delesh, mbledhur ne nje koder.


Ne cdo hap te kam ndjekur,
Si cdo nene bijte e vet,
Shperblimin me vell medafshi,
Ma ke dhene ne cdo moment.


Mes yjesh te shndritshem ne qiell,
Emrin KLODIANA, si meteor rrezova,
Pagezuar nga babi yt, emer i tokes nene,
Me arome Ilirie, ne gjoks e shtrengova.


Puthe, puthe dhe kllapoje te teren,
Vargun e nenes sa here ta lexosh,
Si nje qerpik te lagur shpesh do ta kesh,
Ne kaltersine e vegjelise, kur te enderrosh.


Kupen e endrrave, duket ma ke mbushur,
E si pikture Rembrandti I var ne mur,
Pershendetem ne mengjes, e sapongritur,
Duke me dhene vezullim, hijeshi e nur.


Vazhdo te arten rruge, pa u ndalur,
Duke kundruar kudo Arberine,
Skalite emrin tend si mozaik te bukur,
Ne librin e dijes, KLODIANA engjelli im!


ÇUDITEM ME VETEN!...
Cuditem me veten qe nuk ndryshova,
Edhe pse mbi prush eca zbathur,
Mendimet shpesh me zjarr i komentova,
Nen qiellin mavi, me kreshta zbardhur.


Prushi me digjte dhe me piqte kembet,
Une ecje me pika gjaku mbi toke,
Balta e zhuritur ma mbyllte plagen,
Dhe rrathet e Dantes formonte mbi koke.


Zoti do te gjykoje se ku do te me coje,
Shpirtin qe s’me ndryshoi, kurre ndonjehere,
Do te zgjedhi Parajsen apo Ferrin e Dantes,
Apo do te me lere ne sherbim per te tjere?


Shpesh, disa njerez nga goja ma kane xhvatur,
Buken e gatuar nga dora ime,
Te mesuar perhere me qyle dhe hile,
Si Iagot e Shekspirit, qe plagosin zemren time.


Cudi kur shoh disa te tjere,
Me vraga dhe brenga duke biseduar,
Pozojne sipas rastit, eshke pa ndjere,
Krenare per veten qe s’kam ndryshuar.

NJË PUHIZË E LEHTË NË SHPIRTIN TIM...
Kur pranvera vjen me cicërrima,
Une e tëra, bëhem si zog,
Si nuse e bukur, ndjehem papritur,
Kur mbi mëndafshin tim ndjej puthjen e ngrohtë.


Një gjethe shumëngjyrëshe papritur preku,
Gjoksin tim te zjarrtë, përzier me puthjen,
U mrekullova magjishëm, nga butësia e saj,
Si pafundësi kënaqësie, bashkuar me lutjen.


E tërë gjithësia, sythet çeli,
E bashkë me mëndafshin tim, fëshfërin,
Hiret e mia, papritur fshehu,
Me një puhize te lehtë përkëdhel shpirtin tim.


Petale lulesh vallëzojnë brenda,
Nga ritmet e zemrës, harbuar ne dashuri,
Çrregullimi i gjakut shpërndahet në vena,
E buzët lulëkuqe, çlirojnë, puthje freski.

MOLLA E MIGJENIT...Nxorra nga sunduku, endrren e hershme,
Fshehur ne shpirt, strukur si kotele,
Te ikja larg, larg per te kafshuar,
Vargjet e Migjenit, mollen e ndaluar.


Ja erdhi dhe koha, qe si shtrengate me hodhi,
Ne nje bote te panjohur, hapin ndalova,
Kurreshtjen shpejt, nga dega rrezova,
Mollen e ndaluar, qe asgje s’ shijova.


Molla e kuqe, krimbosur ishte brenda,
Kishte kohe qe priste dhe me nuk duronte,
Kalbesira e viteve i zbehte kurreshtjen,
Nga qullosja e saj, dhembi se kafshonte.


Me vargun e Migjenit ngrire ne buze,
E uritur vazhdoja te kerkoja,
Neper kopshte, zyra mondane qendrova,
Por mollen e ndaluar kurre se shijova.


Buza e ngrire si shege u ca,
Me rruaza te kuqe shkruajten ne gushe,
Mollen e ndaluar qe se shijove ketu,
Eshte ne dheun tend, mbjellur ne cdo fushe.




KOZETA DHE LYPSARI...


Ne autobus prane meje,
U ul nje lypsar,
Nga aroma e ndjeva,
Nga zhapat e lëkurës se tharë.


Kunterbimi I eres po me terbonte,
U ngrita paksa te nderroja vendin,
Por ne moment ndryshova mendimin,
Dhe me te fillova bisedimin.


Doja t’I beja moral per ndryshim,
Por shpejt me pyet si e ke emrin?
KOZETA, I them me nxitim,
Furishem pergjigjet, ne gjysme çmendine.


Te lutem I them, mos m’u afro prane,
Do te jap une buke dhe dollar,
Jo.o.o.o.! Nuk dua $, veç ndjeje emrin tend,
Simboli I mjerimit per cdo lypsar!


E ngrire qendroj prane syve blu,
Nje drite më rrezelliti mendimi I tij,
E pyes, pse je katandisur keshtu?
Me thote: I mbetur jetim qysh ne femijeri.


Shkollen e mbarova, por I pafat,
Ne depresion rashe nga burgu I jetes,
Kozeten e Hygoit e kam pare disa here,
Melhem per mua dhe per çdo te mjere.


E ftova per dreke ne shtepi,
I urituri hante dhe s’kishe te ngopur,
E vesha me rroba, nga koka tek maje e thoit,
Qe te mos vuante më, si Kozeta e Hygoit!







***********************




Poezia e Kozeta Zylos nderim për shpirtrat njerëzorë






Nga Laureta Petoshati









Ishte mjellma e liqenit që rrekej të shihte fytyrën e saj të pasqyruar në tërë atë kthjelltësi drithëruese. Është mjellma apo zemra e një gruaje që me dendësi shprehjesh në dy vëllime poetikë njëri pas tjetrit, njërin të quajtur “Mjellmat po të vijnë” dhe tjetrin “Monumenti i lotit”, bën lidhjen e ëndrrës dhe zhgjëndrrës për të ardhur tek lexuesi me një thellësi aristokratike që i përket një shpirti njerëzor që ëndërron, një zemre fisnike e një gruaje që gëzon me një gazmend të sinqertë e qan me “lot pëllumbash.”


Forma, domethënia, ritmi, muzika, shija, parfumi, ndjenja, emocioni, arsyeja dhe ndërgjegjja vijnë në mënyrë të natyrshme dhe ndajnë në mënyrë të vetëdijshme gjysmën e saj ekzistenciale dhe gjysmën tjetër ëndërrimtare, të zhytur në hirin e zjarrit të saj të brendshëm. Aty, siç e thotë edhe ajo në poezinë me titull “Në hojëza mjalti”, është universi i mbizotëruar nga një grua që thotë: “E duke ardhur pranë ëndrrës sime / Si simfoni dhimbjesh në dashuri / Në prelud tingujsh rrokulliset loti/ Në hojëza mjalti, nuk je më ti!”


Fjalët që thotë poetja të duken si ëndrra fluide, të rrjedhshme, të një realiteti konkret, të jetuar në fantazi romantike. Këto ëndrra sa joshëse, aq dhe mendimtare na shfaqin përpara nesh poeten Këze (Kozeta) Zylo, si një grua pa kohë, por jashtëzakonisht moderne.


Edhe pse në këtë lloj poezie, ku tregohet qartë ikonografia e gruas shqiptare, apo më mirë ngjyrat e brendshme dhe hijedritat e saj, shkruajnë në harkun e saj kohor edhe disa poete të tjera shqiptare si Alisa Velaj, Albana Lula, etj... përsëri Kozeta Zylo, i paraqitet lexuesit me identitetin e vet unik të poezisë. Ajo, vjen me vargjet e saj në kërkim apo më mirë në këqyrje të vetvetes, me muzë të thellë e pasiononte. Kjo është e dukshme tek disa poezitë të saj si për shembull në poezinë me titull “Pa ty” ku thotë: “Merrma prushin brenda shpirtit, / Që të feksin botën e territ / Se pa ty dhe zjarret fiken,/ Yjet shuhen në kupë të qiellit” apo dhe tek "Poleni e Jetës" që shprehet se “Puthjet e ëmbla janë si flutura / Që fluturojnë magjishëm në hapësirën e zemrës / Ndezin gjakun, shtojnë ritmin e jetës.”


Poezia e saj për dashurinë, për dëshirat e trupit femëror, janë si një opus, vepër muzikore që kapërcen kufijtë e caktuar nga shoqëria, kufij që nuk dihen se ku fillojnë si personalë dhe ku mbarojnë si artistikë.


Që të pohojë se vjen nga një shoqëri tradicionale shqiptare, ajo flet edhe në poezi me stil tradicional ndaj në vargjet e saj dallohet qartë e kaluara e saj, e shprehur me shumë sinqeritet, si për shembull tek poezia “Dallgët e kaltra të vajzërisë” ku shprehet e shkuara e saj, dashuria e kufizuar në një puthje, apo më mirë në prekje si petale puthjesh: “Vizatoj vallëzimin e netëve / Që kërcejnë valsin e lumturisë / Me petalet e puthjeve/ Brenda kopsave të mëndafshta”. Duket qartazi që nuk ka shkopsitje, por ka vetëm tundim. Më tej në poezinë “Po ç’kam një zjarr”, me një përzierje të klasikes me tradicionalen shqiptare, autorja ka një rritje shpirtërore dhe me anë të vargjeve përshkruese tregon me hollësi të përpiktë se çfarë kërkon trupi i saj: “E di, i dashur mezi e pret,/ Prekjen e buzëve të kuqe prush, / Nga malli tretur, ato po çahen,/ Veç ti i shëron, jo tjetërkush!” Vetvetja e saj, shfaqet po prej saj, me elementë logjikë narrativë si tregues themelorë të poezisë moderne. Çdo fjalë e saj në këtë vetëshfaqje, vjen e vendosur me një ritëm dhe me një masë të paracaktuar, kjo gjë tregohet tek poezia “Një Romeo e Zhuljetë po rishfaqet përsëri”, në të cilën formën e bashkërendon me përmbajtjen se, pasi flet për dashuri të zjarrtë, kur e kupton se duhet të përballohet me një pjesë të prapambetur të shoqërisë, u kundërvihet me vargjet: “Heshtni ju të marrë, / Mos më thoni se mëkatova.” Me një drejtpeshim të arsyes dhe ndjenjës së saj për njeriun e jetës, ku emocionet e shprehura janë thjesht vetvetja, ajo me vargje tepër elegante, por edhe tepër fëmijërore duket sikur kthehet tek mosha e pafajësisë pikërisht tek poezia “Gjithmonë miturake” ku thotë: “Si kotele të mbledhura,/ Dremisin ëndrrat e mia,/ Nën prehrin e yjeve/ Dhe me lulet e Majit.” Poezia e saj është zëri i ëndrrave të saj. Heshtja e saj është vetëm në paraqitjen e saj të jashtme, se brenda vetes ajo gëlon nga ëndrrat, ja përse tek poezia “E di” ajo thotë se: “Në këtë natë vetmie më vjedh heshtjen”.


Pikërisht, për mallin e një gruaje që pret në heshtje, me një stil tejet të gjallë, me vargje të goditura me mjeshtëri, nganjëherë dhe surrealiste, ajo tek poezia “Copa dhimbjesh”, flet me një zë tejet prekës, me një shëmbëlltyrë të trokitjes dhe të shembjes në portë, si tek përfundimi i baladës shqiptare “Kostandini dhe Dorontina”, ku shprehet: “Dhe vesha rrugën lakuriqe/ Zhveshur sot nga ëndrra ime / Dhe me heshtjen prej mermeri / Plasën zemrat në portën time.” Këto vargje janë nga më të bukurat që ajo ka krijuar, sepse përdor oksimoron, figurën retorike të përdorur fuqishëm nga Petrarka dhe Giacomo Leopardi, që konsiston në bashkëvendosjen e dy fjalëve në antitezë të fortë ndërmjet tyre, të cilat krijojnë një kontrast të pazakontë.


Kuptohet fare mirë që nuk mund të vishet njeriu me lakuriqësinë. Në ngjyrat e forta, të përshkrimeve të poetes Kozeta Zylo, kemi një përndezje të theksuar të ekspresionizmit në letërsi, pasi në vargjet e saj, të shkruara me vrull të brendshëm, është një pjesë e saj që zhytet në ëndrra edhe kur është zgjuar. Duket tamam si një tërësi veprimesh që ajo i quan “Ritual”, si vetë vargjet e poezisë me të njëjtin emër : “Ndërsa në natën me hënë / Kaloj në ekstazë me yllin,/ Që lan trupin tim, / Me rrezet verbuese të ylberit.” Këtu kemi një ngjashmëri të poetes Zylo me poeten hebraiko - gjermane Else Lasker Schüler dhe mund të themi pa frikë se ajo është shpirti i saj binjak në përshkrimet ekspresioniste dhe sidomos në mallin për atdhe ku edhe Schüler ka një poezi me të njëjtin titull. Madje, në gjithë poezinë e mallit, të duket se jemi bashkëshoqëruese të dy poeteve, të cilat provojnë emigrimin dhe shkojnë si një lumë kundër rrjedhës, ku vetë jetojnë diku tjetër dhe ëndërrimi merr rrugën e origjinës nga vijnë.


Kozeta, shpirtin e saj e ka tek vendlindja e saj, të cilës i kushton poezinë “Mezhgorani im”. Është një oqean i madh, i cili ndan Shqipërinë e saj të vogël, ku është dhe Mezhgorani, ndaj Kozeta i lë po kaq hapësirë të madhe edhe mallit kur thotë: “Ç’mu shfaqe sot, Mezhgorani im,/ Me shtëpitë e gurta e mure të bardhë, / Me foshnjat në djepe si dikur / Në ninulla këngësh plot zjarr e mall.”


Mezhgorani, për të, është toka e historive të lashta, e nyjeve të pazgjidhur të një kulture shqiptare që nuk duhet të vdesë tek ata që e kanë marrë me vete kudo ku kanë shkuar, por që kërkon këmbëngulje dhe njohje të thellë për ta rrënjosur dhe mbajtur gjallë që ajo të mos mbetet siç thotë poetja “Përveç pergamenës gri”, apo të jetë tepër vonë, si në vargjet: “Do të vijë një ditë që do hapet /Heshtja ime në hieroglifë mavi,/ E atëherë do të jetë vonë, tepër vonë, / Ani, gjithsesi.”


Me një dashuri të përgjëruar poetja Kozeta Zylo, flet edhe për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tek poezia “Tungjatjeta Kosovë”, ku duket sikur ajo dhe çdo shqiptar tjetër, që mezi e kanë pritur atë ditë të ardhur me shumë vetëflijime dhe me shumë gjak, ngjiten në Majë të Olimpit. Ja si shprehet ajo në këtë poezi ku bulëzon simbolizmi i pastër në kurorëzimin e asaj dite: “Tungjatjeta Kosovë / Tungjatjeta Princesha ime, / Sot po udhëtoj kudo,/ Me medaljonin e lirisë në gjoks,/ Medaljon që s’do ndryshket kurrë,/ Në kujtesën e dhimbjes shkumëzon shpirti,/ Për rrëmbimin e të artit medaljon të Olimpit...!”


Përpos kësaj, Kozeta shkëlqen edhe në elegjitë e dhimbjes. Ajo duket sikur penën e ka zhytur në lotët e shpirtit. Ka një poezi të saj kushtuar Akademikut te ndjerë Bedri Dede,që ajo e ka pasur pedagogun e saj. Kjo poezi, që kalon nga dhimbja e vetvetes tek dhimbja universale njerëzore, për të gjithë ata që ikin në përmasën tjetër dhe në fund rikthehet me vargje përsëri ku ka nisur, ka nota të theksuara teizmi. Aty, nuk mungojnë as futja e yjeve dhe e elementëve të tjerë që janë karakteristikë e mitologjisë shqiptare.


Ja si shprehet autorja: “O Zot sa më dhimbsen Yjet! / Veçanërisht, ata,/ Që i fsheh muzgu i qiellit shqiptar!” Maja e mbresave për poezinë e poetes Zylo, të lind kur shikon jo vetëm unitetin ritmik dhe sintaksor në poezitë, por edhe natyrën idilike të përshkrimit që i bën nënës së saj. Dhimbja e humbjes së nënës është e fortë, si qarje me ligje labe.


Tek poezia “Ave Maria, Nëna ime!, ajo i bën nënës një përshëndetje engjëllore, një gjunjëzim dhe homazh para kujtimit të saj, sikur të jetë vetë poetja një pendestare, që faji i saj i vetëm është se nuk mundi ta mbajë dot në jetë nënën e saj: “Ja, papritur, gjeta baladën e pikëllimit,/ Ku gdhenda lotin në gravurën fine,/ Vetëtimthi një Iliadë më dukej se po ngrihej,/ Ave Maria, Nëna ime!/ Ave Maria, mbretëresha ime!”. Siç e shohim në këto vargje, por edhe ato në poezinë “Si engjëll më shfaqesh” kemi nuanca të forta të teizmit, si filozofi që parashikon ekzistencën e një apo disa hyjnive dhe të realitetit të përtejshëm.


Madje, në mënyrë më specifike, kemi nuanca të deizmit, ku vetë autorja përdor arsyen për t’i lejuar vetes përpunimin e një feje të vetën, natyrale si dhe një arsye të plotë dhe të kënaqshme në kundërshtim me panteizmin që pranon vetëm një zot.


Një nga këta zotër të Kozetës është dhe nëna e saj: “Më ike nëna ime, më ike / Me ngricat e shkurtit lart në qiell,/ Si engjëll më shfaqesh papritur sonte / Duke qëndisur ajrin me ca fije diell!”


Por Kozeta nuk mjaftohet me dhimbjen e nënës së saj. Ajo u këndon poetëve.


Në fakt, poetët janë shpirtrat e lirë, që e vërteta e shprehur prej tyre ka tronditur perandoritë e së keqes, por që vetë poetët i ka shpënë në gijotinë. Këtë gjë poetja e shfaq tek poezia “Për ata që u vunë në gijotinë...” Është një dhimbje universale për gjithë poetët. Edhe pse ajo nuk shpreh në poezi emra poetësh, kuptohet se dhimbja fillon që nga spanjolli Federico García Lorka që u vu ne vitin 1936 para skuadrës së pushkatimit e deri tek poetët shqiptarë Genc Leka e Vilson Blloshmi që në vitin 1977 patën të njëjtin fat.


Ja, çfarë thotë poetja Zylo: “Si legjendë u ngritët në copa shkretëtirash,/ Ku zbrazëtia e tyre ju gëlltiti në fytin e honit,/ Tingullin e Lirisë! / Çuditërisht, fyti nuk u mbyt nga ky tingull,/ Por vazhdon të përthithë më shumë../ Legjendën ta fusë përsëri e tinëzisht,/ Në gijotinë!”


Kur flet për shkretëtira, ajo, në mënyrë simbolike, flet për simbolistin dhe hermetikun më të madh shqiptar Vilson Blloshmin, i cili ashtu si shkroi Charles Baudelaire “Lulet e së keqes” apo “Albatros” dhe si Eugenio Montale shkroi “Ngjalën”, shkroi “Saharanë”: “Saharaja s'di të ëndërrojë./ Ajo bluan gurë në mënt' e sajë…/ Saharaja s'ka këngë të këndojë,/ Saharaja s'ka as lot të qajë.” Pra, siç e thotë poeti Blloshmi, duhet të kesh shpirt të ndjeshëm që të këndosh dhe të qash.


Këtë e bën më së miri Kozeta në poezitë e saj, aq sa i ngre monument dhe lotit.


Poezia e Kozeta Zylos është nderim për të gjithë shpirtrat njerëzorë në këtë botë apo në përmasën tjetër.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...