Serinë e librave të rinj për këtë javë e çel Gustav Janouch, i cili vjen me "Biseda me kafkën". Ndërsa synonte të bëhej poet dhe njëri i letrave, Gustav Janouch, në moshë fare të re filloi të shoqërohej me një koleg të babait që ishte bërë i njohur si shkrimtar premtues, Franc Kafkën. Prej këtej lindi një miqësi e shkurtër dhe e thellë që shënjoi përgjithmonë jetën e Janouch-it. Djaloshi regjistroi gjithçka, fakte, fjalë, gjeste të shkrimtarit të madh.
E ndërsa studiuesi Armand Plaka vjen me "Shqipëria ashtu siç e pamë, shqipëria moniste në mediat në mediat perëndimorë 1945-1990-të". Libri përmban një sërë shkrimesh të shkruara nga gazetarë, të huaj në periudhën 1945-1990, duke e pasuruar kështu periudhën më të errët historike që kemi kaluar, me një shtojcë dokumentare të dorës së parë. Ai gjithashtu ësthë një nxitës për të menduar gjatë e për të nxjerrë konkluzione. Përse komunizmi ynë ishte më i egri në Europë?
Një nga librat e rinj që vjen në gjuhën shqipe këtë javë është edhe ai i Skënder Sherifit i cili sjell vëllimin me poezi "Love". Kjo vepër voluminoze i është dedikuar tërësisht dashurisë dhe autori na ka sjellë vargje, të cilat shquhen për një meditacion lirik. Në vitin 2008, libri "Love", i Skënder Sherifit është renditur ndër 10 botimet më të mira në gjuhën franceze.
Agjencioni floripress.blogspot.com
2012/04/21
Të pathënat e pashallarëve të kuq në "Dosjen K"
"Dosja K" e shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare do të jetë shfaqja që sonte pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Sipas drejtorit, Emin Emini shfaqja do ti ketë të gjitha elementët e tjerë tradicionale shqiptare.
Teatrot kombëtarë të dy vendeve kanë arritur në një marrëveshje për të dhënë premirat në skenën e Prishtinës dhe Tiranës.
Ndërkohë që në skenën e Teatrit Kombëtar, në kuadër të javës kosovare vjen shfaqja “Nata e Helverit”, me regji të Altin Bashës.
Personazhi i Klarës interpretohet nga aktorja e mirënjohur, Safete Rugova, e cila e konsideron këtë pjesë si një nga sfidat më të mëdha të saj. "Nata e Helverit" e dramaturgut, polak Igmar Villqist, tregon pasojat sociale të luftës së dytë botërore.
Libri i shumëpërfolur i Shaban Sinanit "Një dosje për Kadarenë" ka ngjallur interes në libraritë shqiptare në Tiranë,Prishtinë,Shkup etj.
Në këtë botim, të mbiquajtur shpesh "Dosja K", janë përmbledhur një varg dokumentesh, kritikash e autokritikash, ku në qendër është shkrimtari Ismail Kadare dhe vepra e tij. Autori Shaban Sinani shënon në krye se:
"Synimi i këtij libri nuk është të lartësojë a të nxijë, të zbardhë a të fshijë. Ai është hartuar për një qëllim të vetëm: të certifikojë një proces mjaft të ndërlikuar dhe thuajse të pakuptueshëm për një brez të ri që rritet në kushtet e luksit të lirisë së mendimit, por po ashtu edhe për shoqëritë e lira në Perëndim, të cilat kanë njohur në kohë të ndryshme qëndrimin publik të autoriteteve shtetërore dhe partiake ndaj I. Kadaresë, por ndoshta nuk u ka shkuar në mendje se ka ekzistuar edhe një qëndrim i fshehtë kritik, i panjohur, një mbulim tërësor për shumë sy e veshë, prej nënpunësish të ngarkuar funksionalisht për vigjilimin në fushën e letërsisë". Janë 37 dokumente që ruhen prej vitesh në Arkivin Qendror të Shtetit, shoqëruar edhe me faksimilie, një varg intervistash dhënë në gazetat e përditshme nga autori i këtij libri, si dhe studimi dhe këndvështrimi i autorit mbi këtë vepër dhe ato që autori i quan "të vërteta të heshtura". Nga libri "Një dosje për Kadarenë" kemi shkëputur për lexuesin tre pjesë nga materialet që sillen rreth një çështjeje mjaft të ezauruar, ajo për poemën "Pashallarët e kuq", poemë e cila u zbulua në AQSH dhe u botua për herë të parë në Gazetën Shqiptare. Është një pjesë nga autokritika e shkrimtarit Ismail Kadare, një pjesë nga poema dhe një pjesë nga kritika e partisë.
Kadare në`75: "Pashallarët", vjersha ime armiqësore
Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të drejtuar kundër vijës së partisë, kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit, kundër popullit tim. Kjo vjershë është e drejtuar kundër gjithçkaje që unë kam dashur në jetë. Duke pretenduar se është një vjershë kundër burokratizmit dhe komplotizmit, ajo në të vërtetë është ndihmësja më e madhe e burokratizmit, dhe në qoftë se do të botohej, ajo do të ishte pjesëmarrëse e komplotizmit. Po të botohej kjo vjershë, armiqtë do ta përdornin si armë për të goditur regjimin tonë dhe gjithçka të shtrenjtë që ne ngremë dhe mbrojmë në vendin tonë. E gjithë vjersha, që nga kreu gjer në fund, është ndërtuar gabim. Ajo është nisur shtrembër dhe ka mbaruar shtrembër. Çdo gjë në të është e keqe dhe armiqësore. Ngatërrimi i burokratizmit dhe komplotizmit, që në fillim m'u duk si gabim i falshëm, ishte fatal. Me një mendjelehtësi të pafalshme unë arsyetova: si burokratizmi, si komplotizmi janë aty-aty; komplotizmi është një stad më i lartë i burokratizmit, pra mund të trajtohen në një plan, aq më tepër që jemi në terrenin e poezisë. Mirëpo ky i ashtuquajtur "gabim i falshëm" më çoi mua në krijimin e kësaj vjershe të zezë.
I ashtuquajturi zemërim imi kundër burokratizmit nuk ishte veçse një ndjenjë e sëmurë tmerri shkaktuar prej tij. Përpara syve tanë ndodhi një nga gjyqet më origjinale të historisë: masa i gjykonte komplotistët duke qenë akoma në pushtet. Këtë gjë madhështore unë nuk e pashë. Në këtë fenomen unë pashë të kundërtën. Pashë komplotistët që shkatërronin pushtetin në sytë tanë, kurse masat i pashë të terrorizuara prej tyre.. Asgjë optimiste nuk pashë unë në këtë luftë, që ishte e gjitha nga kreu në fund një betejë e fuqishme klasore, që tregonte forcën e pushtetit popullor, pastërtinë dhe përjetësinë e tij dhe jo dobësinë, krimbjen, vdekjen e tij. Që në fillim të vjershës, duke shkruar se shtetet nuk prishen nga çatitë, unë e kam spostuar çdo gjë shtrembër, shtrembër nga ana ideologjike, shtrembër nga ana politike. Komplotistët synonin pikërisht prishjen nga çatia. Komplotistët nuk i arrinin dot themelet e shtetit, prandaj ata synonin çatinë. Duke mos e pasur të qartë këtë, duke kujtuar me mendjemadhësi se i dija këto gjëra, e nisa së prapthi këtë vjershë reaksionare. Gabime të tjera të rënda ndjekin njëri-tjetrin, nga vargu në varg. Injorohet lufta e klasave, rrethimi imperialisto-revizionist, ngatërrohet kontrolli punëtor me diktaturën e proletariatit, nxihet realiteti, njolloset gjithçka. Asgjë në vjershë nuk qëndron. Një ndjenjë fatalizmi, makabriteti, një ndjenjë e sëmurë e përshkon atë nga kreu në fund. E gjithë vjersha është armiqësore dhe kundërrevolucionare. Nuk është hera e parë që unë bie në gabime. Qysh në librat e mi të parë unë u kritikova për njëfarë mënjanimi dhe timiditeti, që dëmton tingëllimin e shëndoshë ideor të tyre… Pjesë nga autokritika e shkrimtarit Ismail Kadare pas debateve dhe kritikave të ashpra për poemën "Në mesditë Byroja Politike u mblodh"
"Në mesditë Byroja Politike u mblodh"
Në mesditë Byroja Politike u mblodh:
Vallë ç'ka ndodhur në kufijtë veriorë ?
Në kufijtë e jugut, vallë, ç'ndodh ?
Qielli është re dhe dimri sjell borë.
Mos po lëvizin klasat e përmbysura ?
Mos ka katastrofë në prodhim ?
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim ?
Jo, kufijtë e shtetit janë të qetë
Nga ambasadat lajme me alarm s'ka;
Dhe nën diktaturë të proletariatit
Dimërojnë kokulur ish-klasat e mëdha…
(Pjesë nga poema)
'Fenomeni Kadare': Dalin nga arkivat dokumente te panjohura
nga arkivat dokumente
te panjohura
Studiuesi Shaban Sinani i rikthehet edhe njëherë fenomenit “Kadare”. Dokumentet e reja arkivore, letra dhe fjalime që nuk janë zbardhur më parë, vijnë si risi në një libër të pasuruar nga koha e botimit të mëparshëm “Një Dosje për Kadarenë”, botim i vitit 2005. Libri i ri, i titulluar “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, mban siglën e shtëpisë botuese “Naimi”. Një botim që tejkalon të parin për shumësinë e informacionit të ri që sjell, i dokumentuar dhe i trajtuar hapur. Në versionin e ri libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.
Ndërsa në pjesën e dytë të librit janë botuar dokumente të pajisura me shënime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Risia e këtij libri është botimi i 15 dokumenteve të reja, të cilat nuk ishin botuar më parë për shkak të kufizimit të ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Në mesin e këtyre dokumenteve që botohen për herë të parë, janë edhe dy letra të Mehmet Shehut për Enver Hoxhën. Dy letrat janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Gjithashtu, në përbërje të librit botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD.
Kjo është bërë për të sqaruar debatet gjatë dy dekadave të fundit për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit të intelektualëve shqiptarë në takimin me Ramiz Alinë në gusht të vitit 1990. Duke qenë një libër i llojit dossier, në të janë botuar edhe dokumente të cilat përmbajnë fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Në botimin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, autori ka vënë emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike. Sipas autorit të librit, botimi i një libri të ri për “fenomenin Kadare” ishte i nevojshëm, pasi “Historia e receptimit të letërsisë së realizmit socialist nuk mund të bëhet pa historinë e receptimit të saj në fazën para botimit, në procesin e editimit, kohën e mbikëqyrjes paradigmatike prej zyrave dhe institucioneve të specializuara për kulturën, letërsinë, ideologjinë, partishmërinë dhe vigjilencën”.
Pas disa pasaktësive të djeshme që u botuan duke u nisur nga ligjërata e prof. Sinanit në Seminarin XXX Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë, ku autori ndër të tjera iu referua librit të ri” “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K” , duhet sqaruar se jo të gjitha letrat (të cituara 7150) që udhëheqja partiake merrte në vitet ’70 dhe ’80 ishin për shkrimtarin Ismail Kadare dhe veprën e tij”. Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K” nuk duhet ngatërruar me botimin tjetër “Një dosje për Kadarenë” që është botuar në vitin 2005 dhe më pas në gjuhën frënge në vitin 2006.
Botimi i ri nga Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botoi “Naimi”, Tiranë 2011. -Monografi dhe dokumente të reja për kontrollin e letërsisë nga regjimi-Botimi i ri/ Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botoi “Naimi”, Tiranë 2011.
Libri i ri, që pritet të hidhet në treg këto ditë, “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, është në vijim të botimit të mëparshëm i “Një dosje për Kadarenë”, i cili u publikua për herë të parë në vitin 2005 në Tiranë. Në maj të vitit 2006 “Një dosje për Kadarenë” u botua frëngjisht nga “Editions Odile Jacob”, me titullin “Le Dossier Kadaré”, në përkthimin elegant të Tedi Papavramit. Ky botim, i cili më vonë qarkulloi dhe në version të numerizuar (CD) dhe në formatin eBook, shoqërohet nga bashkëbisedimi i shkrimtarit Ismail Kadare me studiuesin francez Stéphane Courtois, një prej specialistëve më autoritarë të historisë së luftës së ftohtë në Europë, drejtor i Qendrës së Studimeve Kombëtare të Francës (CNRS - “Centre National des Recherches Scientifique”).
Botimi i ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “dossier K”, nën siglën e e shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2011, ka shumë ndryshime prej të parit dhe prej botimit në gjuhën frënge. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.
Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Paraqitja e dokumenteve bëhet sipas kronologjisë.
Paraqitja e dokumenteve metodologjikisht është bërë njësoj: në fillim një argument i mjaftueshëm për të kuptuar përmbajtjen, duke përdorur leksikun e hartuesve të tyre (në ligjëratë të drejtë, në shkallën që ishte e mundshme); në vijim fjalët dhe shprehjet kyçe, për t’u dhënë lehtësi studiuesve të njehsojnë interesat e tyre; dokumentet vetë me titujt që mbajnë në burim dhe me tipologjinë që kanë shenjuar nënshkruesit (recension, relacion, letër, ekspertizë), si dhe me të dhëna për persona historikë. Në fund gjenden: signatura (treguesit arkivistikë që mundësojnë rikërkimin); shenjimet e plota të nëpunësve, funksionarëve dhe të lidershipit politik; të dhëna të tjera prej shërbimit arkivistik në zyrën fondkrijuese.
Duke qenë një botim i llojit dossier, nuk është përzgjedhur a përjashtuar asnjë dokument i zbuluar dhe ndonjëherë botimi i tyre përmban edhe fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Duke qenë se gjatë dy dekadave të fundme janë bërë shumë debate për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit/debatit të intelektualëve shqiptarë në takimin me R. Alinë në gusht të vitit 1990 (në atë kohë kryetar i shtetit shqiptar), në përbërje të këtij libri botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD.
Në botimin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botimet “Naimi”, Tiranë 2011, u gjykua me vend që të vihen emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëpërparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike.
Pse një libër i ri për “fenomenin Kadare”?
Nga Prof.Dr.Shaban Sinani,Tiranë
Njohja e burimeve dokumentare për gjykimin dhe rendin zyrtar të botimit të letërsisë në totalitarizëm, një çështje kulturologjike në pamje të jashtme, në të vërtetë, përveç aspektit të funksionimit të veprës në variante tekstore, ka dhe një anë tjetër thelbësisht letrare, që lidhet me historinë e receptimit të veprës, me receptuesit e parë të saj, me funksionimin dhe mosfunksionimin e ligjshëm të skemave të komunikimit të veprës “pasi autori ka vdekur”, domethënë pasi vepra është shpallur dhe lexuesi (bashkë me të dhe studiuesi) nuk duan t’ia dinë për mendimin e autorit. Historia e receptimit të letërsisë së realizmit socialist nuk mund të bëhet pa historinë e receptimin të saj në fazën para botimit, në procesin e editimit, kohë e mbikëqyrjes paradigmatike prej zyrave dhe institucioneve të specializuara për kulturën, letërsinë, ideologjinë, partishmërinë dhe vigjilencën.
Studimin e letërsisë së realizmit socialist në kushtëzimin e vet me politikën, ideologjinë, kanonet zyrtare, nuk e pengojnë vetëm paragjykimet e pafundme dhe mitizimi deri në përjashtim i fuqisë dhe modernitetit të metodës, por dhe faktorë të tjerë, si mungesa e arkivave të krijimtarisë (arkivat e dy shtëpive botuese, arkivat e Lidhjes së Shkrimtarëve, arkivat e teatrove, arkivat e kinostudios, përgjithësisht arkivat e krijimtarisë, janë dëmtuar deri në moskthim).
Kjo pamundëson certifikimin dëshmues të historisë së receptimit të veprës letrare në procesin e editimit të saj (që shumë shpesh mund të kthehej dhe në proces ndalimi), ku do të veçohej roli i redaktorëve, recensuesve, rirecensiuesve, diskutimeve në redaksi, ekspertimeve të jashtme, konsultimeve zyrtare me Lidhjen e Shkrimtarëve, i pjesëmarrjes në diskutimet ideologjike në organizatave të partisë, i vërejtjeve të sektorit të kulturës, sektorit të botimeve dhe sektorit të shtypit në aparatin e KQ të PPSH; i raporteve të posaçme të ministrisë së punëve të brendshme dhe policisë politike, porosive dhe urdhrave të udhëheqjes së lartë të PPSH dhe e të qeverisë; deri tek ekspertimet me qëllime kriminalistike. Këtyre u shtohet dhe fakti që, pasi realizmi socialist u shemb bashkë me sistemin politik, karakteri i sistemit letrar në hapësirën shqiptare ndryshoi, nënsistemet e saj filluan së funksionuari si një sistem policentrik, hierarkitë e vjetra autonome u shembën gjithashtu dhe sinkronikisht lindën dhe vullnete të kundërta: për të ruajtur a për ta ndryshuar status quo-në e mëparshme, pavarësisht deformimeve të saj.
Të gjitha këto e bëjnë të detyrueshëm vështrimin e raportit të letërsisë me politikën shtetërore në totalitarizëm, si mundësia e vetme për të deshifruar procesin e ndërlikuar të editimit të letërsisë në shoqëritë e kontrolluara; historinë e receptimit të saj në fazën para publikimit; shkaqet e përshtatjes së letërsisë dhe të shfaqjes së dukurisë së motërzimit; arsyet pse midis dorëshkrimit dhe botimit ka dallime shpesh të karakterit të vullnetit krijues.
Reagim i drejtuesit të shtëpisë botuese “Naimi”:
Duke marrë shkas nga ligjërata e prof. dr. Shaban Sinani, mbajtur para dy ditësh në Seminarin XXX Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë, ku, ndër të tjera, autori iu referua librit të vet më të ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, i cili këto ditë del në treg nën siglën e botimeve “Naimi”, në median kosovare dhe pastaj edhe në Tiranë janë publikuar disa shkrime me referenca dhe informacione të pasakta. Për respekt të lexuesit dhe të së vërtetës, sqarojmë se disa citime të vëna në gojën e profesorit apo të librit të tij janë të pasakta. Kështu, për shembull, nëse autori në ligjëratën e tij, apo edhe në libër, duke iu referuar burimeve arkivore vë në dukje se “në vitet 1970-1980 vetëm udhëheqja partiake merrte mesatarisht 7-14 letra vullnetare nga populli”, kjo nuk do të thotë që këto letra e ankesa me shkrim ishin të gjitha për shkrimtarin I. Kadare apo për veprën e tij. Po ashtu, disa media kanë vënë në gojë të autorit të librit citime nga dokumentet e asaj kohe të ofruar në libër si dëshmi apo ilustrim. Ndërkohë, disa gazeta librin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, e kanë ngatërruar me librin tjetër të botuar para disa vitesh me titullin “Një dosje për Kadarenë”, duke shkaktuar konfuzion tek lexuesi i interesuar.
Naim Zoto, drejtor i shtëpisë botuese “Naimi”
Skeda e librit:
Titulli: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”
Autor: Prof. dr. Shaban Sinani
Shtëpia botuese: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare
(www.botimenaimi.com; e-mail: info.naimi@gmail.com)
Redaktor: Naim Zoto
Recensues: Blerina Suta, Eldon Gjikaj
Gjinia: Studim monografik dhe dokumente
Gjuha: shqip
Nr. i faqeve: 472 faqe
Çmimi: 1000 lekë/ 10 euro
ISBN: 978-9928-109-09-5
Viti i botimit: 2011.
NË EUROPË NUK HYHET ME GYMYSH DHE EZEL
ELVIN LUKU
Një këpuce e grisur, e hedhur pranë një kazani plehrash aty në cepin e lagjes, kutërbon erë. Instiktivisht, i largohen të gjithë kalimtarët. Madje, disa prej tyre, teksa kalojnë atje, devijojnë disi nga trotuari, dhe, nxitimthi, lëvizin matanë rrugës… Të njëjtën këpucë rreckamane, ashtu, pa larë (për të ngjarë sa më origjinale), e vendosim brenda një kutie xhami në një muze, me mbishkrimin: “Këpuca e Van Gogh”. Kur, ç’të shohim?! Radhë të gjata njerëzish, me sytë katër, shohin me admirim këtë objekt të çmuar. Të gjithë, pa përjashtim, edhe ata që e “njohin” artin, rrinë të përhumbur nga “madhështia”, ose, ndoshta, nga era e saj origjinale; mahniten, e nuk u besojnë syve.” – Snobizmi nuk ka brirë. Së fundmi, në vendin tonë, sikundër ndodh rëndom edhe jashtë, dëgjojmë shpesh të flitet për libra “bestseller”, telenovela “bestseller”, spektakle e reality shoë “bestseller” etj., dhe, suksesi i korrur nga shitja e këtyre librave, apo, edhe nga shikueshmëria e lartë, trumbetohet me të madhe nga autorët, botuesit e drejtuesit e këtyre emisioneve.
“Është bestseller”, – thotë me vetëkënaqësi botuesja, që e përdor këtë etiketim, si argument, për të përshkruar cilësinë e librit. Ajo vazhdon vlerësimin me komplimente e lavde, e bindur verbërisht në reklamimin e saj, më shumë sesa në vlerat e botimit, që ajo dhe biznesi promovon dhe tregton. Në çastin kur bashkëbiseduesi argumenton të kundërtën, në analizën që i bën librit, botuesja thotë: “Ky është një “bestseller”, dhe, lexuesi e di më mirë se çfarë është letërsia e vërtetë.” Ajo vazhdon më tej kur thotë se, ky botim lexohet me një frymë. Madje, i ndan bestsellerat sipas stinës, i kategorizon ata në libra për konsum masiv dhe rekomandon edhe vendin ku ky libër duhet lexuar: në plazh, në stolat e parkut, në krevat, në kuzhinë, në banjë.
Në fakt, a tregon, domosdoshmërisht cilësi, shitja, domethënë sasia? A është, dhe, a duhet të jetë numri i blerësve që përcakton vlerat artistike? Ç’është një libër për konsum masiv? Çfarë po konsumon? E para që të vjen në mënd është domatja. Po ka edhe sallatë, kastraveca, qepë, bukë, djathë, gjalp, vaj, gjizë, fasule…, Ndoshta, mollë, portokall, mandarinë, nganjëherë, banane…, Mund të konsumojmë edhe mezerira apo “fast food”.
Sot, nuk është në “modë” cilësia e librit, por promovimi. Tek “bosët” venë për promovim dhjetëra e qindra personalitete dhe shtrohen darka e bankete; venë shokë e miq. Kurse tek “fukarenjtë”, sido që emra të mëdhenj, e të nderuar, “nuk na vinë as miqtë!”, – na tha një nga botuesit tanë seriozë, që i injoron bestsellerat.
Shitjen e orienton publiciteti, media, e, ndoshta, edhe kritika e pavarur, d.m.th, miqësore… Kaq. Lexuesi shkon drejt atij botimi, për të cilin bëhet më shumë zhurmë. Dhe, shpeshherë, zhurma bëhet për ata libra ku fitohen më shumë para. Po kështu ndodh edhe me televizionet bestseller, si “BBF”, e “Tirana TV” etj; ku promovohen e marrin “fame” këngë të tilla, si “Alo, alo, ambulanca/ Zemra ime është sëmurë/ Po ta dija, po ta dija/ S’do ta dashuroja kurrë…”; programi bestseller “Big Brother”, ku, këto ditë, një prej prindërve deklaronte në shtyp se ishte “tip evropian dhe se nuk e kishte problem që vajza të bënte seks në ekran”. Ai thoshte se mjaftonte që vajza e tij të ishte e lumtur… Të jetë kjo, vallë, lumturia e prindërore?! E njëjta “histori” ndodh me telenovelat bestseller, si “Gymysh”, “Menekshe dhe Halili”, “Sulejmani i Madhërishëm”, “Tereza”, apo dhe i famshmi “Ezel”.
Tërë graria përpiqet të gjejë ngushëllim për fatin e tyre. Aq të përqendruara janë në ndjekjen e serive, saqë, në atë orar, nuk dëgjohet asgjë në shtëpi. Porositen të gjithë familjarët të heshtin, dhe shpesh, nga përqendrimi i madh, siç thuhet i zgjon, përkohësisht, era e djegur e gjellës…Madje, për tu siguruar, ndonjë TV, gazetë apo revistë bestseller, të nesërmen, vazhdon publicitetin nën okielon “Mania Ezel”. E kuptojmë merakun e botuesve dhe drejtuesve të televizioneve për para, por, a duhet luajtur kaq egër në kurriz të cilësisë dhe edukatës qytetare?
Tifozeria për këto produkte bestseller, ul dhe degradon shijet e lexuesve dhe shikuesve, ose, thënë shkoqur, shkatërron atë ndërtesë edukuese që, me aq mundim, e ndërton shkolla e familja. Tashmë, prindërit, përveç luftës me Facebook-un, me të cilën fëmijët e tyre merren me orë të tëra, duhet të shkulin ata edhe nga “Big Brotheri” e “Ezeli” (Gjithmonë, bëhet fjalë për prindër që nuk janë vetë fansa të tyre). Sigurisht, tregu është treg dhe shet çdo mall. Siç është vënë në dukje nga studiues e shkrimtarë të njohur, është detyrë e shtetit, e Ministrisë së Kulturës, po edhe e botuesve apo drejtuesve të emisioneve që të ndihen pak më shumë “patriotë”, qytetarë dhe evropianë. Tek e fundit, më shumë prindër… Në Evropë, nuk hyhet as me Daniel Steele, as me “Ezelin”, as me BBF, as me “Big Brother” e as me të vetëshpallurit shkrimtarë e historianë.
Shaban Sinani: Dy vende, dy gjuhë?! Është antihistorike!"
Nga : Elvin Luku, gazetar i Vizion Plus
Elvini Luku <elvini133@yahoo.com>
“Të gjitha
librat e mi janë nyjet e një vargori që shënojnë kodin e identitetit
shqiptar”.
Shqipëria dhe Kosova janë i njëjti
komb, i njëjti popull, kanë të njëjtën gjuhë dhe të gjitha tezat me baza
fetare, që propagandojnë të kundërtën, janë antihistorike.
Prof.Dr.Shaban Sinani
Ky është mesazhi që
studiuesi i njohur, Prof. Shaban Sinani, përcjell përmes kësaj interviste, në
prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Prof. Sinani
argumenton se, besimi nuk është faktor identiteti për popullin shqiptar, siç
është për serbët, grekët, rusët dhe popuj të tjerë. Ai sqaron se, shqiptarët
janë heterogjenë në besim dhe mbitheksimi i besimit, si faktor identiteti, ka
qenë dhe është i gabuar. Në këtë intervistë, studiuesi i njohur ndalet
veçanërisht te dy ndër figurat më të mëdha të penës shqipe, Ismail Kadare dhe
Dritëro Agolli, duke analizuar të përbashkëtat dhe dallimet mes tyre; raportin
mes titujve cilësorë dhe atyre komercial; metodologjinë e një studimi shkencor,
si dhe, konceptin e debatit të vërtetë dhe profesional.
Pyetje: Librat dhe studimet tuaja kanë të veçantë se, veç cilësisë
së lartë, trajtojnë dhe probleme madhore të kombit, kulturës dhe letërsisë
shqiptare: nga letërsia e madhe e Kadaresë, Agollit te kodikët e Beratit; nga
studimet madhore për ciklin e kreshnikëve apo mitologjinë shqiptare tek pritja
e shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri etj. Cila është metodologjia juaj dhe çfarë
mendoni për studimet në fushën e letërsisë, kulturës dhe historisë?
Përgjigje: E çmoj shumë mendimin e mirë që keni për librat e mi.
Eshtë vështirë t’i përgjigjesh me pak fjalë pyetjes suaj. E vështirë sepse
argumentet themelorë të studimeve të mia: letërsia shqipe e shekullit të 20-të
(me Kadarenë, Camajn, Agollin), mitologjia, etnotekstet dhe eposi heroik
legjendar, kodikët e Beratit dhe të Shqipërisë dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë
luftës antifashiste, duken gati të
pabashkërenditshëm. Dhe është e vërtetë se ndërmjet tyre ka largësi të
mëdha epokash dhe fushash studimore. Por ka dhe diçka thelbësore që i bashkon:
janë të gjitha nyja të një vargori
ndërkohor e mbikohor, që shenjojnë kodin e identitetit shqiptar. Miq të mi, por
edhe njerëz kritikë që nuk i njoh personalisht, duke parë vetëm largësinë, jo vargorin vetë, ndonjëherë janë shprehur
dyshimtarë për mundësinë e suksesit “duke qenë kaq i përhapur”. Mendoj se për
lexuesin mund të jetë më e lehtë ta kuptojë sa i vërtetë është “tepërimi me përhapjen”
duke shenjuar se rruga e formimit tim është krejt atipike. U diplomova për
gjuhësi historike, i udhëhequr nga prof. Shaban Demiraj, me tezën “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”,
që u propozua gjatë mbrojtjes prej të tre oponentëve që studimi të riparaqitej
si disertacion doktorate brenda gjashtë muajve. Për shkak të detyrave që m’u
ngarkuan menjëherë pas diplomimit, fillimisht si gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit” dhe më pas si ndihmës
për çështje të kulturës pranë kryetarit të shtetit Ramiz Alia, e vijova
formimin pasuniversitar në shkencat politike. Më 1992 u emërova në Institutin e
Kulturës Popullore dhe brenda tre vjetësh kisha përfunduar disertacionin “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, në
fushën e etno-folkloristikës, mbrojtja e të cilit u shty tre vjet për arsye që
nuk ia vlen të përmenden. Monografia më pas u botua e u ribotua disa herë. Vitin
e kaluar përfundova dy studime të tjera monografike, që lidhen me tezën e
doktoratës dhe vijim i thelluar i saj: “Etnos
në epos” dhe “Tradita gojore si
etnotekst”. Kur nisa punën në krye të rrjetit arkivor kombëtar kisha në
mendje tre projekte kërkimorë, të cilat i realizova në një proces të gjatë
pune. Në vitin 1990 kisha njohur për herë të parë një koleksion dokumentesh
origjinalë për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri, që ruheshin në arkivin e PPSH
(për shkak të detyrës që m’u ngarkua për të sistemuar përfundimisht një dosje
me riprodhime të tyre, që do t’u dhuroheshin kongresmenëve amerikanë J. DioGuardi
e T. Lantos, të cilët në fillim të qershorit të atij viti vizituan Tiranën -
këto fotokopje për herë të parë bënë të njohur në shkallë ndërkombëtare një
faqe krejt të heshtur të historisë shqiptare, duke u certifikuar, autentifikuar
dhe ekspozuar në Yad Vashem). Po më 1990 kisha
paraqitur për botim një përmbledhje me studime për veprën e I. Kadaresë, që
njëri nga recensuesit e quajti të pagatshëm për t’u botuar (më vonë, ky specialist
i partishmërisë proletare në letërsi, botoi vetë disa libra përshkrimorë për Kadarenë).
Sa u takon kodikëve të Shqipërisë, besoj se do të ishte ëndrra e çdo studiuesi
që e sheh të arritshme mundësinë e njohjes së tyre. Shpesh mendoj se gjatë tri
dekadave pune në disa detyra e fusha kam kryer disa universitete: në gjuhësi e
letërsi në fillim, në politologji më pas, në etnologji e antropologji, në
histori kulture e qytetërimi, dhe ky ka qenë fati im i mirë. Kështu, duke
punuar së paku një dekadë rresht, shkrova e botova librat monografikë “Kodikët e Shqipërisë në ‘Kujtesën e Botës’’”,
“Prania historike dhe shpëtimi i
hebrenjve në Shqipëri”, “Camaj i
paskajuar”, “Letërsia në
totalitarizëm dhe ‘Dossier K’” dhe të tjerë. Fakti që këta libra kanë pasur
dhe botime në gjuhë të huaj (frëngjisht, anglisht, kroatisht) më bën të mendoj
se vërtet kanë të bëjnë me kodin e identitetit shqiptar. Ju më pyesni për
metodologjinë. Unë shkurtimisht do të thoja se në mënyrën si punoj unë
vazhdimisht kam 3-4 projekte në duar njëherësh (nuk ka pasur ndonjë çast në
jetën time që të kem pasur vetëm një projekt në punë e sipër) dhe kurrë nuk më
ka ndodhur që të mos e di se çfarë do të bëj minimalisht për dhjetë vjetët e së
ardhmes. Pak a shumë këtë unë e quaj ideal shkencor.
Pyetje: Në librin tuaj të fundit “’Njerëzit e krisur’ të Dritëro Agollit” ju shkruani se “letërsia e Dritëroit u rezistoi stuhive”.
Sipas jush, kjo rezistencë, qoftë e Agollit apo e Kadaresë, ka të bëjë me
lidhjet e postet e tyre në atë sistem, apo për shkak të veprës së tyre?
Përgjigje: Mendoj se ajo pjesë e letërsisë shqipe të realizmit
socialist që u ka mbijetuar ndryshimeve politike të dy dekadave të fundme, që
shprehen në kalimin prej shoqërisë së vigjilencës në shoqërinë e hapur, bën
dallimin me letërsinë dogmatike dhe të disiplinuar. Në sistemet totalitare,
qofshin të majta si në Lindjen ish-komuniste, qofshin të djathta si në botën
latinamerikane, letërsia shihet si rrezik kur bëhet shkas që të kthehet në
lëvizje mendimi. Në Shqipëri lëvizjet e mendimit janë të rralla: në traditën
shqiptare problemet e zhvillimit më së shpeshti janë zgjidhur me kryengritje,
rebelime, revolucione, luftëra e konflikte, madje dhe me atentate. Shoqëria
shqiptare e vigjilencës ka qenë e pamëshirshme për ato raste kur vepra e një
shkrimtari mund të bëhej faktor ndikues, pavarësisht se në ç’pozitë a funksion
gjendej shkrimtari. “Partia të ngre në
qiell, partia të fut nën dhé”, pikërisht kështu u formulua zyrtarisht mendimi
për një vepër të Kadaresë në fundin e viteve 1970. Për mënyrën si është
kontrolluar provokimi ideor në veprën e I. Kadaresë nuk do të zgjatem. Por nuk
kanë qenë më të pakëta dhe veprat e D. Agollit që janë kritikuar e ndaluar,
sidomos në prozën humoristike dhe në dramaturgji: “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Fytyra e dytë”, “Mosha e
bardhë”, “Baladë për një grua”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, disa
tregime dhe cikle me poezi të botuara në fillimin e viteve 1980 në të
përjavshmen “Drita” e në “Nëntori”. Këto vepra nuk janë
antikomuniste, por disi dalin “jashtë kodit”, pjesërisht a tërësisht. Tek “Zhurma e erërave të dikurshme”
karakteret janë atipikë dhe rrethanat edhe më atipike. Në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”
nxitet vetvetiu pyetja nëse burokracia është çështje sistemi apo një dukuri
rastësore. Kjo është aq e vërtetë, sa përkthyesja bullgare e këtij romani
Marina Marinova pati probleme, sepse në Sofje u hap një hetim me paramendimin
se autori i vërtetë duhej të ishte bullgar, përqeshja duhej të kishte lidhje me
Zhivkov-in, ndërsa Dritëro Agolli duhej të ishte thjesht një pseudonim. Dramat
“Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua” u ndaluan qysh në
shfaqjet e para. Teksti i së dytës u zhduk krejt nga qarkullimi, ndërsa “Mosha e bardhë” u botua në Prishtinë.
Nisur nga një pohim publik i autorit, se për dramën “Baladë për një grua” nuk ekzistonte as dorëshkrimi, as
daktiloshkrimi, vitet e fundit bëra disa kërkime dhe më në fund teksti u gjet.
Së bashku me regjisorin Pirro Milkani, që po punon për realizimin e një
dokumentari për D. Agollin, ia dhuruam këtë dorëshkrim disa kohë më parë dhe ju
mund ta merrni me mend se ç’kënaqësi shihej në atë çast në gjithë qenien e tij.
Për të përfunduar: është shumë e qartë se detyrat apo përgjegjësitë që kanë
kryer shkrimtarë si D. Agolli e I. Kadare, po aq sa mund t’u kenë krijuar
lehtësira botimi, po aq u kanë krijuar dhe situata kritike. Ndërsa në leximin e
sotëm rrethanat e botimit apo të ndalimit të veprave janë pa ndikim, janë thjesht
çështje të historishkrimit të letërsisë. Një shekull e ca më parë, në esenë “Le gai savoir”, filozofi gjerman F.
Nietzsche pati shpallur se “Zoti është
zhdukur, domethënë Zoti ka vdekur”. Gérard Genette, në librin e njohur “Palimpsestes:
La littérature au second degré”, zhvilloi mendimin se në
botën e sotme s’ka më krijues po vetëm rikrijues. Në
vitet 1970, studiuesi francez R. Barthes, duke iu referuar pavarësisë së veprës
nga krijuesi, botoi librin “La mort
d’auteur”, duke e përjashtuar kështu jetën e shkrimtarit nga përftimi i
letërsisë. Në këtë kuptim, në receptimin e sotëm të letërsisë së Kadaresë apo
Agollit s’ka më rol karriera e tyre, madje as historia e botimit të veprave të
tyre.
Pyetje: Ju keni studiuar dy ndër emrat më të mëdhenj të letërsisë në
periudhën e komunizmit. Ku dallon letërsia e Kadaresë nga ajo e Agollit? Çfarë i
ndan dhe çfarë i bashkon këta dy shkrimtarë?
Përgjigje: Në të vërtetë, krahas këtyre dy shkrimtarëve, kam
studiuar gjithashtu dhe veprën e Martin Camajt, të cilën, për rrethana që i
shpjegova, kam pasur rast ta njoh edhe para viteve 1990. Por ju keni të drejtë
që e përqendroni pyetjen tuaj tek Kadare e Agolli, sepse monografia ime “Camaj i paskajuar” pak kohë ka që është
botuar. Mirë, duhet të kthehem tek krahasimi. Dikur shqiptoheshin disa
opozicione shumë të thjeshta, ndonëse nuk kishin të bënin drejtpërdrejt me
tekstin: Kadare paraprin zhvillimin e prozës, Agolli të poezisë; Kadare shkruan
letërsinë e qytetit, Agolli të fshatit; Kadare shkruan për lexuesin e
Perëndimit, Agolli për lexuesin e vendit; Kadare konteston sistemin, Agolli e
qorton për ta shpëtuar nga të këqijat; Kadare është revizionist, Agolli është i
besuar. Në mënyrën si lexohej letërsia dikur: si art, ideologji e politikë
njëherësh, këto opozicione ishin të nënkuptueshme. Por ndonjëherë formuloheshin
e shqiptoheshin edhe publikisht. Në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve që u
mbajt në fundin e viteve 1970 u tha saktësisht se shkrimtarët shqiptarë nuk
duhet ta kërkojnë famën në Perëndim. I. Kadare disa herë është shprehur se “me kalorësi, prej shumë vitesh, nuk kam
pretenduar, madje kam insistuar të shmangem prej çmimeve në poezi”. Duke
ardhur në kohën e sotme mendoj se letërsia e këtyre dy shkrimtarëve ka të
përbashkët së pari etnografizmin, pastaj mitin e prejardhjes, mitin e lavdisë
historike, mitin e qendresës. Pavarësisht se letërsi ideologjikisht të rrethuara
prej marksizmit, një ideologji tipike internacionale, tek të dy autorët ka me shumicë
albanocentrizëm. Në pikëpamje të mjeteve të shprehjes, mendoj se të dy, duke
pasur si ndërmjetëse poezinë e Majakovskit, apo të ashtuquajturin “levnij futurizm” - futurizëm i majtë,
përftuan estetikisht dhe teorikisht prej traktatit
të Marinetti-t disa nyja thelbësore: mitin e teknikës, industrializimit dhe
urbanizimit; fjalorin teknokratik dhe shthurjen e vargëzimit klasik. Do të
mjaftonte të kujtonim titujt e dy vepra të tilla të tyre, si “Endërr industriale” dhe “Dashuri e ferrobeton”. Në rrafshin
tematologjik vepra e Kadaresë dhe ajo e Agollit kanë afërsi, por në rrafshin
sistematik disi largohen. Po ashtu dhe në
figurshmëri. Poezia e Agollit është e hapur për gjedhe dhe kode poetikë lindorë,
prej rubaive e masnavive perse deri tek hajku
e tanka kineze e japoneze. Ndërsa
poezia e Kadaresë, duke përjashtuar fillimet, ku ka ndikime të poezisë ruse
(Majakovski, Pushkini, Esenini), është kryesisht europiane. Poezia e Agollit
është më e afërt me kodin poetik popullor tradicional, kurse ajo e Kadaresë më
elitare. Në poezinë e Agollit ka një ndikim të dukshëm prej Naimit (mund të
krahasohen “Bagëti e bujqësia” dhe “Nënë Shqipëri”), kurse në atë të
Kadaresë më shumë ka prerje ndërtekstuale me Migjenin dhe De Radën. Dukuritë
metafizike (dhimbja, trishtimi, humbja, vdekja) janë më të pranishme në poezinë
e Agollit. Tek Kadare këto dukuri shprehen në një formë të tërthortë, përmes
paraleleve me dukuritë natyrore (shiu, vjeshta, dimri, sëmundja, zymtësia). Në
një rast që përmendet shprehja rituale e ngushëllimit “për të mirë” (tek “Dimri i
vetmisë së madhe”), për Kadarenë u bë një diskutim i ashpër deri në zyrën e
N. Hoxhës. Në prozën e Agollit vërehen gjurmët e një rendi dhe botëkuptimi bektashian
(“Njeriu me top”, “Arka e djallit”), kurse në prozën e
Kadaresë afëritë përfytyrimore janë kryesisht me fondin e baladave mesjetare
shqiptare (“Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Një dosje për Homerin”, “Prilli i thyer”, “Konkurs bukurie burrash në Bjeshkët e Nemuna”). Karakteret e
krijuara nga Kadare e Agolli si rregull nuk u nënshtrohen njëherësh pesë kanoneve
apo kodeve të sjelljeve skematike komuniste.
Pyetje: Në librin e saj të fundit, bashkëshortja e Kadaresë,
shkrimtarja Helena Kadare, tentoi të sheshonte disi tensionin dhe “të ulte
gjakrat”, mes Kadaresë dhe Qosjes. Si e keni parë ju debatin mes tyre? A kaloi
ai nga argumenti te sulmet personale?
Përgjigje: Jo vetëm e kam ndjekur, por kam marrë pjesë ndoshta dhe
me ndonjë tepërim në polemikën që u hap. Kam shprehur dhe shpreh edhe sot
mendimin se besimi nuk është faktor identiteti për popullin shqiptar, siç është
për serbët, grekët, rusët dhe popuj të tjerë. Shqiptarët janë heterogjenë në
besim dhe mbitheksimi i besimit si faktor identiteti ka qenë dhe është i
gabuar. Identiteti ka të bëjë me etnotipin, është çështje gjenotipike, sigurisht
me ndikime prej historisë, por jo e kundërta. Në shekullin e 15-të, kur u shfaq
Islami në Ballkan, identiteti shqiptar ishte kodifikuar. Popujt që përveçohen
në kohët moderne janë të vonuar. Për mendimin tim Kadare kishte të drejtë kur
propozoi për diskutim tezën e identitetit europian të shqiptarëve. Kjo tezë u
keqkuptua, u interpretua si një thirrje për rikrishterim të shqiptarëve. Në
fakt, edhe sikur të kishte qenë kështu, dihet mirë se thirrjen e parë për
kthimin në fenë e të parëve shqiptarëve ua ka bërë Faik Konitza, i cili edhe
vetë u ungjillizua. Shumë njerëz këtë mund të mos e dinë, por studiuesit e
historisë së letërsisë duhet ta dinë doemos. Po e theksoj këtë, sepse në të
vërtetë ideja e Kadaresë u demonizua, sikur të kish qenë ai i pari shqiptues i kësaj
“blasfemie”. Kam përshtypjen se në gjithë ashpërsinë e polemikës mund të ketë
ndikuar një fakt krejt i parëndësishëm: i ndjeri I. Rugova, me sa dihet, pati
pranuar të ungjillizohej. Jam shprehur dhe mendoj ende njësoj, se teza e
identitetit të dyfishtë apo të trefishtë të shqiptarëve (ose e “pluriidentitetit”/”multiidentitetit”, siç e propozoi dhe R. Qosja), është prodhuar
prej shkollës serbe, që, kohët e fundme, është pasuar dhe nga studiues të tjerë
(A. Željaskova, “Albanian Identities”,
Sofia 2000). Antinomitë “albanac - šiftar
- šiptar”, “albanci - arnauti”,
tani së fundmi dhe “albanac - šiftar - šiptar
- kosovar”, janë kurthe të ngritura ndaj dijes shqiptare qysh në shekullin
e romantizmit. Ak. Qosja, duke pretenduar se duhet të diskutojmë për realitetin
(me të cilin identifikonte vetveten), jo për projektet (me të cilët
identifikonte Kadarenë), i bëri dëm mendimit shqiptar. Shkencat kombëtare e
kanë për detyrë të promovojnë konvergjencën - shkenca e tjetrit le të merret me
të kundërtën. Aventurat për krijimin e dy vendeve, dy popujve, dy gjuhëve, duke
iu referuar kryesisht dallimit, dhe “dallimi i rëndësishëm” është vetëm ai
fetar, janë antihistorike. Pak fjalë edhe për pjesën tjetër të pyetjes suaj.
Mendoj se për I. Kadarenë sprova për identitetin europian të shqiptarëve është
një vepër aq modeste sa nuk mund t’i shërbente për protagonizëm.
Pyetje: Në shtyp, dhe sidomos në televizon, në të shumtën e
rasteve, nuk ka debat të vërtetë dhe profesional, nuk ka ide, por, thënë troç,
fjalë që degjenerojnë në sherr dhe banalitet. Sa gisht kanë aktorët mediatikë
në këtë mes dhe çfarë mendoni për konceptin e debatit të vërtetë dhe profesional?
Përgjigje: Kjo është pamja më e shëmtuar e krizës së pashpallur që
jeton vendi. Eshtë kriza e mendimit, e shoqëruar prej krizës së karaktereve.
Mendoj se aktorët mediatikë, kur e shpallin veten fitues krahas një faktori
politik, nga ana profesionale e kanë çfaktorizuar veten, dhe të tillë në
Shqipëri ju e dini se ka shumë. Në një vend ku, bie fjala, për të përmendur vetëm
një fakt të mirënjohur, zgjedhja e kryetarit të shtetit festohet me birrë “te
tymi” dhe me praninë e njëkohshme publike të kryetarit të qeverisë, të kryetarit
të kuvendit dhe drejtorit të një televizioni jopublik, si mund të mendosh
pozitivisht për emetuesit televizivë? Unë e kuptoj se në shoqëritë demokratike
ka media shtetërore dhe joshtetërore, të orientuara majtas e djathtas, të
ekuilibruara e të çekuilibruara, biznesi dhe jobiznesi. Siç është dhe “Rai”,
për shembull. Por një herë në stinë edhe zëdhënësit e qeverisë bëjnë një sfidë,
siç qe rasti i Celentano-s. Meqë ra fjala, e keni vënë re se nuk ekziston më
institucioni i zëdhënësit, përveç atij/asaj të kronikës së zezë? Sepse nuk
është e nevojshme: zëdhënësit vullnetarë janë dhe më të pëlqyer!
Pyetje: Ju jeni në bordin këshillimor të shtëpisë botuese “Naimi”. Kemi vënë re se u qendroni larg
botimeve komerciale (ku fitohen shumë para), dhe zgjidhni, mbi të gjitha, cilësinë.
Pse kjo zgjedhje?! Ç’mund të na thoni, shkurtimisht, për politikën e botimeve
në Shqipëri?
Përgjigje: Eshtë e vërtetë se kam pasur mundësi të përfitoj nga
detyrat që kam kryer, duke përdorur të shkuarën time për botime fitimprurëse.
Kam punuar shtatë vjet me Ramiz Alinë, në një nga kohët më të vështira të
historisë moderne të Shqipërisë. Kam punuar dhe tre muaj, në ditët më të
ndërlikuara të S. Berishës si president i
vendit, si njeriu që erdhi në krye të shtetit pa pasur as njohuritë fillestare
për sjelljen zyrtare dhe protokollin. Në kohën që drejtova arkivat e
Shqipërisë, megjithëse i tejngopur me informacion, vetvetiu në tryezën time
kalonin ditë për ditë qindra dhe mijëra fletë fotokopjesh, që linin gjurmë në
kujtesë. Por e kam shpallur prej shumë kohësh: do të shkruaj kujtime vetëm kur
të jem plakur. Po e përsëris: tani për tani kam projekte të saktësuara së paku
edhe për 15 vjet. Ndoshta atëherë do të shkruaj për libra të shitshëm, por dhe
atëherë si një detyrim ndaj kujtesës së historisë. Sa i takon pjesës së dytë të
pyetjes: mendoj se në Shqipëri nuk ka politikë botimesh. Një ndër tre shqiptarë
është shkrimtar, një ndër tre shqiptarë është këngëtar a piktor dhe një ndër
tre shqiptarë është emigrant. Kështu, botohen 1500-2000 libra në vit, dhe ka më
shumë libra se lexues. Po të shprehej figurativisht, kjo gjendje do të shenjohej
si një vijë e drejtë, që është vija e status quo-së, vija mediokre e botimeve të
vetëfinancuara, që dalin në publik “për qejf të autorit”.
Pyetje: Veç faktit se jeni cilësor, ju keni edhe një bum botimesh: Çfarë
do të marrë lexuesi nga ju dhe krijimtaria juaj në vitin 2012?
Përgjigje: Eshtë e vërtetë se kam pasur disa botime këto kohë. Një
mike që mban ligjëratat e letërsisë shqipe në Romë më shkruante me humor para
disa kohësh se ishte kënaqur që ishte botuar libri me studime për D. Agollin,
por mos kisha diçka të re ndërkaq? E kam thënë dhe herë të tjera: këta janë
libra që botohen sot, por pjesë-pjesë në versione të para janë botuar në
revista e të përditshme qysh në vitet 1980 e këndej. Në fakt, për vitin 2012,
kisha vendosur që, sipas legjislacionit në Shqipëri, të kërkoja të drejtën e “vitit sabatik” (“sabbatical year”), që është e drejta e studiuesit për t’u marrë me
veten, me formimin dhe riformimin shkencor në çdo shtatë vjet. Mirëpo sivjet
është qindvjetëshi i shpalljes së pavarësisë dhe e shoh se nuk mund të rri
mënjanë. Besoj se në këtë kuadër sivjet do të botohet një tekst kolegjial me
titull të përafërt “Një shekull letërsi”,
pjesë e një projekti më të rëndësishëm që ka Qendra e Studimeve Albanologjike,
për një histori antologjike të letërsisë shqipe, prej fillimeve deri sot, ku do
të kem dhe unë një autorësi modeste. Pak a shumë do të jetë modeli “Studi e testi”, që është zbatuar me
frytshmëri prej Koliqit qysh në fillimet e kolanës “Shkrimtarë shqiptarë”. Por gjithsesi dhe këtë vit do të kem një
libër të ri, me titullin e përtashëm “Migjeni
dhe mitet”. Në fakt do të ishte më mirë të thuhej “Migjeni pa mitet”: pa mitin e malit, që e pati robëruar letërsinë
shqipe për disa shekuj me radhë; pa mitin e heroit, që gjithashtu e pati
kryqëzuar letërsinë shqipe tek kreshnikët dhe më pas tek “heroizmi i popullit tonë në shekuj”; pa mitin e revolucionit, që
gabimisht studiuesit e kërkuan dhe ia zmadhuan për një gjysmë shekulli pas
luftës antifashiste, dhe pa shumë mite të tjerë. Migjeni është shkrimtari që e
ktheu letërsinë shqipe në qytet, dhe kjo meritë e tij do të mbetet e
padiskutueshme. Migjeni është shkrimtari që, ndonëse bashkohej me Neitzsche-n
në pyetjen “Perëndi, ku je?”, tekstin
biblik e shfrytëzoi si metatekst më mirë se kushdo tjetër. Migjeni është i pari
që bashkoi në letërsinë e tij dëshpërimin planetar të “brezit të humbur”,
fuqinë shenjuese të fjalës si në letërsinë simboliste, realizmin social që
kishte pushtuar gjithë Europën, kriticizmin e një shekulli që do të kalonte në
dy luftëra. Jashtë “shkollës jezuite”
dhe “shkollës franceskane”, nëse do
t’u referoheshim termave të Koliqit; pranë “Botës
së re” po aq sa dhe pranë “Shkëndijës”,
Migjeni do të mbetet një “outsider” i
letërsisë shqipe të kohës. Libri do të ketë dhe një fashikull dokumentesh të
panjohura për jetën dhe veprën e Migjenit, duke përfshirë burime që kanë të
bëjnë me etnicitetin e tij, me fatin e “Vargjeve
të lira” (ndalimin apo vetëndalimin e tyre), me lidhjet që poeti kishte me
grupime ideologjike dhe fetare.
Intervistoi Elvin Luku
Facebook paraqet ndryshime në rregullat e veta
Rrjeti shoqëror Facebook ka zbuluar ndryshimet e bëra në rregullat e reja të shërbimit, duke bërë disa ndryshime më të hershme në një përpjekje për të lehtësuar kritikat e përdoruesve në lidhje me privatësinë dhe atë se si informacioni i tyre përdoret.
Duke u mbështetur në reagimet e marra nga përdoruesit, Facebook lëshoi një set të ndryshimeve të propozuara gjatë të premtes dhe ofroi shpjegime më të hollësishme të rishikimit të vet. Që nga viti 2009, rrjeti shoqëror ka ndërmarrë një qasje të veçantë me “Deklaratat e të Drejtave dhe Përgjegjësive (SRR)” të veta që ajo që i quan rregullat e shërbimit.
Përpara se të bëhet vënia e ndonjë rregulle të re, ndërmarrja i propozon ndryshimet tek përdoruesit, i cili pastaj ka një periudhë kohore për të komentuar dhe të bëjë pyetje.
Në disa raste, Facebook madje i vendos përdoruesit për të bërë votime.
Së fundi, ndërmarrja ka bërë ndryshime dhe ka ofruar përgjigje ndaj pyetjeve që kanë të bëjnë me një draft të Deklaratës së të Drejtave dhe Përgjegjësive të reja që e paraqiti gjatë muajit mars.
Facebook e kishte cekur rishikimin në një dokument të ndarë.
Ndryshimi më i madh ishte fshirja e një rregulli të ri që deklarate: “Disa ose të gjitha shërbimet dhe veçoritë e Facebookut mund të mos jenë të gatshme për përdoruesit në pjesë të caktuara gjeografike. Ne rezervojmë të drejtën për të përjashtuar ose kufizuar dispozitën e ndonjë shërbimi ose veçorie në zgjedhjen tonë të vetme.”
Ndërmarrja tregoi që përdoruesit kishin pyetur nëse kjo nënkuptonte që Facebook në të ardhmen do të mund të vendoste që të kufizonte veprimtaritë në rrjet nga aktivistët ose përdoruesit e tjerë.
“Pas vëzhgimit të komenteve tuaja për këtë gjuhë të propozuar, ne vendosëm që vëzhgimi shtesë që ne propozuam ishte i hapur për keqinterpretim,” tha Facebook.
“Ndryshimi i propozuar ishte për qëllim të mbulonte rrethanat që ne mund t’i parandalojmë duke ofruar shërbimet tona. Për shembull, interneti mund të ndalet, veçori të caktuara mund të mos jenë të gatshme në disa vendndodhje, ose një regjim mund të bllokojë shërbimin e vet në shtetin e tyre.”
“Kur ju apo të tjerët të cilët mund të shohin përmbajtjen dhe informacionin tuaj që përdoret nga një aplikacion, përmbajtja dhe informacioni juaj shpërndahet me aplikacionin” u ndryshua në “Kur ju e përdorni një aplikacion, aplikacioni mund të ju pyes për lejen tuaj për t’u qasur në përmbajtjen dhe informacionin tuaj e po ashtu edhe përmbajtjen dhe informacionin që të tjerët e kanë shpërndarë me ju.”
“Ju nuk do t’i etiketoni ose dërgoni ftesa me email tek jopërdoruesit pa pëlqimin e tyre ose t’i etiketoni përdoruesit nëse ju e dini që ata nuk duan të etiketohen” ishte ndryshuar në “Ju nuk do t’i etiketoni përdoruesit ose të dërgoni ftesa me email tek jopërdoruesit pa pëlqimin e tyre. Facebook ofron vegla shoqërore raportuese për t’ua mundësuar përdoruesve për të ofruar reagime pas etiketimit,” tha Facebook./pcworldalbanian
Subscribe to:
Comments (Atom)
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...