Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/06/22

UP akoma nuk di se sa studentë do t’i pranojë sivjet.



UP akoma nuk di se sa studentë do t’i pranojë sivjet. Sipas zyrtarëve aty, krejt kjo varet nga Agjencia e Akreditimeve. Është kjo e fundit që e cila do të saktësojë gjithçka, varësisht se cilat programe vendosë t’i akreditojë. Atëherë do të dihet për secilin fakultet veç e veç.

Të gjithë ata maturantë që kanë hyrë në testin e maturës, e që pretendojnë të vijojnë më tutje në drejtimet që ka Universiteti i Prishtinës, kanë kohë edhe disa ditë të mendohen mirë se ku do të regjistrohen.

Këtë mundësi ua ka ofruar Universiteti i Prishtinës, i cili nuk po mund të hap konkurs për pranimin e studentëve të rinj, derisa të marrë dritën jeshile nga Agjencia për Akreditim të Kosovës (AAK).

Kësaj agjencie i ka mbetur të vendos se në cilat fakultete UP’së i mbetet të hap konkurs. Varësisht se cilat degë ajo i akrediton.

Është kjo arsyeja që UP akoma nuk di se sa vende të lira do të ketë këtë vit akademik për pranimin e studentëve të rinj nëpër njësitë që ka.

Kjo nuk po ndodh për shkak të ngecjeve, apo ndonjë mosmarrëveshje mes atyre njësive.

Sipas zyrtarëve të rektoratit, UP nuk mund të dalë akoma me numrin e saktë të vendeve të lira për studentët e rinj, për shkak se akoma ndodhet në fazën e procesit të akreditimit.

“Akoma nuk përfunduar ky proces. Në momentin kur kryhet procesi i akreditimit dhe ne e dimë saktë se cilat programe do të na akreditohen,pastaj dalim me numrin e sakte te studenteve për secilin fakultet veç e veç”, ka thënë Ardian Kastrati, zëdhënës i rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për Express.

Sipas Kastratit gjithçka do të dihët pas 4 korrikut, kur të përfundojë faza e akreditimit.“Afërsisht 10 ditë pas akreditimit ne dalim me numra sakte dhe me konkurs”, tha ai.

Megjithatë UP e di një gjë. Që konkursi për pranimin e dokumenteve për ata studentë që pretendojnë të pranohen në UP do të zgjasë 15 ditë, ashtu sikurse ndodh çdo vit.

Vitin e kaluar konkursi u hap me 16 korrik. Atëkohë UP shpalli plot 18 mijë vende të lira për pranimin e studentëve të rinj.

Morelle SMITH- “ DRINI POETIK” NË VËSHTRIMIN E POETES DHE GAZETARES SKOCEZE


                                     Morelle SMITH

Isha e ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës për të marrë pjesë në festivalin e tyre letrar “Drini poetik” në qytetin historik dhe aq të dashur të Prizrenit. Kisha dëgjuar e lexuar shumë për Prizrenin, duke ëndërruar për ta parë atë një herë në jetë, kur në mynyrën më të papritur më erdhi ftesa për atje.

Ura e Gurit e Prizrenit dhe kështjella përmbi kodër

Sapo arrita në aeroportin e Prishtinës, m’u sollën në mendje ditët që kisha kaluar në Shqipëri; isha në një tjetër vënd, në Republikën shumë të re të Kosovës, ku jeton popullata shqiptare që ka sigurisht të njëjtën gjuhë, por edhe po atë energji karakteristike shqiptare, atë entuziazëm, mikpritje, respekt e fisnikëri të vërtetë shpirtërore. Për më tepër po më sillej në mendje edhe ajo, që mysafiri për shqiptarin është thuajse shenjt.
Më kanë ftuar Profesor Shyqri Galica, nënkryetar dhe Abdyl Kadolli, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, që kishin dalë të më prisnin në aeroport.
Udhëtuam me veturë përmes fshatrave kosovare , përgjatë autostradës së re që, siç më thanë, sapo qe ndërtuar, pothuajse e boshatisur dhe të çonte për në Tiranë.
Shyqriu nget makinën dhe flet në të njëjtën kohë në celular.
Kur hymë në rrugën e Prizrenit , duhej gjithashtu të ndërroheshin marshet dhe kjo gjë u bë në mënyrën më mjeshtërore dhe me mospërfillje.
Tok me bagazhet e mia, unë tanimë kisha dorëzuar edhe autonominë time; tanimë gjithçka për mua qe e planifikuar . Përpjekjet e mia për të paguar ndonjë gjë, qoftë edhe një kafe, gjithmonë ndeshnin në një rezistencë të fortë dhe këtë betejë gjithmonë e humbisja, me përjashtim të rasteve të rralla kur më ecte dredhia, duke u përvjedhur te banaku pa më vënë re.


Xhamia e Sinan Pashës në Prizren

Në Prizren koha ishte e bukur , e nxehtë dhe me diell. Më çuan në hotel, ku lashë bagazhet e mia. Atje kishte mizëri njerëzish ; Abdyli më thoshte që duhej të përshpejtonim ndërsa fliste me recepsionin dhe anëtarë të tjerë që mbërrinin njëri pas tjetrit për festival. Ishim vonë dhe duhej të kapnim qendrën sa më parë.
Abdyli është organizator dhe të gjithë duan të flasin me të. Ai më shoqëron ngado si një bari zemërbardhë dhe i kujdesshëm.

Abdyli dëshiroi të merrte një taksi, porsa vetura e Shyqriut refuzoi të ndizej. Mirëpo, pas aq orësh në aeroplan një ditë më parë, aq pak orëve gjumë në një hotel që nuk i hapeshin dritaret , ngritjes nga gjumi në orën 3 të mëngjesit për të arritur në aeroprt në orën 4, mandej orët e pritjes në aeroport ( fluturimi për në Prishtinë qe shtyrë), mandej në aeroplan... isha e dëshiruar të ecën në ajër të freskët.
“ Vous voulez aller a pied? “ thotë Abdyli me mosbesim. “Oui”, them unë dhe fillojmë të ecim. Abdyli njeh bazat e frëngjishtes, por shpeshherë nuk e kupton, megjithatë merr mesazhin.
Ja, kështu, ne po ecnim nëpër rrugët plot diell për në qendrën e festivalit.

Festivali u hap me një ekspozitë arti, shoqëruar nga fjalime të ndryshme, që nuk mund t’i kuptoja krejtësisht, shqipja ime është mjaft e kufizuar, por unë mora vesh esencën që bënte fjalë për mirëseardhjen e secilit.
Riza Lahi, një shkrimtar nga Tirana, që flet mirë anglishten e që ishte ngarkuar të më përkthente, është një burrë shumë i gjallë e miqësor, ka qënë më parë pilot ushtarak dhe përkthyes. Rizai qesh, flet me gjestikulacione, më kap nga bërryli për të më treguar gjëra andej – këndej dhe unë qesh me të duke i thënë se Abdyli është bari e unë jam qengj që i shkon atij pas ngado. Ai shkrihet së qeshuri dhe i tregon Abdylit. Ne shqiptarëve na pëlqejnë shumë shakatë, thotë ai.






Kafeneja në qendrën e kulturës”Europa”

Pas ligjërimeve dhe fjalëve rreth temës “ Shkrimtari dhe botimet letrare”, ne shkojmë e ulemi në një kafene ku shërbehej jashtë. Atje takova shkrimtarë të ndryshëm, mes të cilëve Arbenin, një djalë të ri, që kishte humbur njërën këmbë në luftë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E pyeta nëse ishte i lumtur tanimë që Kosova është e pavarur. “Patjetër” ( autorja e shkruan shqip në original këtë fjalë – shën.përkth.) buzëqesh ai. Kur ai qesh, thotë Rizai, ngrohtësia e shpirtit i shndrit nëpër qelizat e fytyrës.
Dhe , vërtet, kur ai buzëqesh, fytyra i mbushet plot përzemërsi; është modest, i turpshëm dhe skuqet. Arbeni më tregoi më vonë se ai asnjëherë nuk kish dashur të bëhej luftëtar, sepse ishte shkrimtar, por gjatë luftës, kur vriteshin njerëz, shkatërroheshin shtëpitë prej predhave apo kalleshin në flakë, ai ndieu se duhej të bënte diçka për atdheun e tij dhe kështu iu bashkua UÇK-së dhe mandej për tre vjet ka jetuar në luftë nëpër malet përqark Prizrenit, pas atyre maleve, ku ndodhen Shqipëria e Maqedonia.


Rizai, Arbeni e Salajdini

Më vonë na çuan jashtë qytetit, në një restorant të rrethuar nga blerimi dhe malet e pyllëzuara të Sharrit, në brigjet e Lumbardhit. Ushqimi i mrekullueshëm zgjati disa orë, derisa na kthyen prapë në Prizren për leximet e mbrëmjes, shoqëruar me pjesë muzikore, violinë e flaut. Unë lexova në anglisht, ndërsa versionin në shqip e lexoi Shyqriu, siç ma kishte përkthyer miqësisht Agim Morina.



Jashtë, nëpër të nxehtit e natës, ne u sorollatëm nëpër zonën e këmbësorëve në qëndër të qytetit , mandej u drejtuam për një kafe bri lumit , para se t’iu lutesha të zotëve të shtëpisë se nuk duroja më për gjumë. Dhe u kthyem në hotel.
Ndërsa isha kruspulluar në krevat, shqiptarët ndenjtën zgjuar duke llafosur dhe duke pirë për orë të tëra….

______________








LIDHJA E PRIZRENIT, E SHKUARA DHE E TASHMJA
Ngado flamuj shqiptarë të kuq me shkabën e zezë dykrenare dhe ata të Kosovës – blu me të verdhë. Ata janë të vendosur përgjatë rrugëve, të varur përqark shtëpive si flamuj lutjesh, valëviten në shtizat pranë ndërtesave të rëndësishme – Universitetit, zyrave të bashkisë, Qendrës europiane dhe asaj të stilit otoman – tani muze i Lidhjes së Prizrenit, që i bashkoi të gjithë për here të parë më 1978.


Shtëpia muze e Lidhjes së Prizrenit

Dhjetë qershori shënon përvjetorin e një Kuvendi kombëtar, që erdh e u bë i njohur si Lidhja e Prizrenit. Do të kisha dashur të jap ca informacione bazë rreth kësaj Lidhjeje, por ndërsa po mendoja për këtë, më dilte gjithnjë e më qartë se do të më duhej të kthehesha pas nëpër historinë e Ballkanit të shekujve 19 e 20. Në atë kohë, që prej disa shekujsh , vazhdonte pushtimi osman dhe popullata shqiptare ka qënë e shpërndarë në këto territore, që sot ne i njohim me emrat Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni si edhe në Shqipëri. Por vetë Shqipëria si shtet i pavarur nuk ekzistonte, pavarësisht se kishte shumë sundimtarë të fuqishëm shqiptarë, si Ali Pashai, të cilët qenë të emëruar nga Sulltani i Perandorisë Otomane, e njohur si Porta e Lartë.
Por historia – edhe gjeografia – është shumë komplekse, ndaj mendoj se më mirë është t’ua lëmë atyre që kanë studiuar e shkruar për të.
Lidhja e Prizrenit u fromua nga një grup shtetarësh e intelektualësh, që i frikësoheshin me të drejtë asaj, që territoret shqiptare ishin në prag të copëtimit prej Fuqive të mëdha të kohës , prandaj u bashkuan më 1878 dhe hodhën poshtë vendimet për të parandaluar ndarjen e vendit të tyre. Kjo është konsideruar si e para përpjekje me karakter mbarëkombëtar, që i parapriu krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912.

Rreth një historie të shkurtër për këtë, ju mund të shfletoni guidën e xhepit për Prizrenin.Mund të lexoni edhe Robert Elsien, veprën e tij të pakrahasueshme për historinë dhe letërsinë shqipe.
Nëse doni të dini diçka rreth historisë së Shqipëris, ose të lexoni në anglisht përkthime nga autorë shqiptarë, nuk ka ku tjetër më mirë.
Antarët e Lidhjes së Prizrenit janë figura të nderuara historike, janë baballarët e kombit shqiptar.


Abdyl Frashëri, anëtar themelues i Lidhjes së Prizrenit, në kostum tradicional shqiptar, pikturë e Rexhep Vërmicës


Ky mit i gjallë i atij realiteti është diçka, që poetët janë frymëzuar me të më miri dhe shqiptarët janë poetë gjuhëbriskë e entuziastë me tërë atë histori rapsodike.
Këto karaktere të shekullit 19 duket sikur ecin të shkujdesur rrugëve, të veshur me festet e kuqe me xhufkë, xhaketat e qëndisura me ar, fustanellat e bardha dhe jelekët e kuq. Ose pa kapela, me pantallona të stilit europian, xhaketë e kravatë dhe me mustaqe të trasha, të skalitura si dy tallaze, që zbresin në formë kaçurrelash nga një anije antike.
Këto karaktere ndihen në ndjesinë e lëvizjeve nëpër nëpër kalldrëmin buzë lumit ujëpak, që gurgullon si tespie e kambana shtratit të tij. Në këtë sens ndjesish, ja xhamia e vjetër me një hark gotik, me kalldrëmin e çrregullt nën këmbë , që të bën të jesh e kujdesshme se në secilin hap që hedh, ndien presionin e çdo guri.




Ky sens ndjesish nga këto motive që na grishin drejt së shkuarës, rrugët plot njerëz dhe ne, duke ecur lirshëm para dyerve të hapura e parvazeve, të qeshurave e gjestikulacioneve të tyre, është dora e tyre që vithiset në brendësinë tonë; të folurit e të qeshurat e tyre me zë ta lartë nëpër rrugët e ngushta, si thirrja për besimtarët, zgjimi, të endurit andej -këndej dhe fjetja nëpër jehonën e tyre, sa që gurët e rrugës e shtëpitë duket që vijnë sërish te ti, valëzojnë në mendjen tënde.
“C’est trop fort” – thotë Abdyli, duke tundur kokën, ndërsa muezini thërret për lutjen e mbrëmjes. Ne po ecnim drejt muzeut, ku programi i sotëm duhej të mbahej në oborr. Njëra prej fjalëve të reja që mësova ishte “hajde” (njejës) , “hajdeni” (shumës), që do të thotë “eja” , dhe Abdyli i përdor shpesh , si çoban yni andej e këndej.
Ngopur mirë në një kafjall me omelet, bukë, marmelatë, qumësht e kafe, ne nisemi për në muze, duke kaluar pranë një dyqani bizelesh ngjyra- ngjyra.



Rizai nga shpie për një vizitë të shpejtë të muzeut, pasi kohë nuk ka – të tjerët po mblidhen në oborr për të lexuar poezitë e tyre. Ligjërimi im i shkutër shqip është vetëm aq sa t’u tregoj atyre që unë nuk marr vesh shqip, kështu që unë lexoj anglisht, kurse profesor Shyqyri Galica lexon përkthimin shqip të Agim Morinës.



Ligjërimet pasohen nga një tjetër drekë e mrekullueshme, në një restorant jashtë qytetit, mu pranë lumit Drin.
Më pas – fjalime e prezantime…
____________________
Nga Rivertrain, A blog about writing and travelling. Copyright © Morelle Smith, Friday, 14 June 2013
Përktheu: Riza LAHI

Poezia si kendvështrim universal mbi botën

 „Papa Dixhital“ i Albana Shalës, botim i shtëpisë botuese „Dituria“



Nga Lazër Stani

Pas kaq shekujsh letërsi, duket si i gjithë trualli i poezisë është i okupuar. E megjithatë krijuesit e kanë ditur dhe do ta dinë se ekziston gjithmonë një kontinent i ri, i papopulluar, ku ti nxiton të ngulësh një flamur dhe ku të bërtasësh „Kjo tokë është e imja!“, pavërësisht, nëse toka që të bie në hise është tokë e butë apo e vështirë. Ky kontinent më shumë se një terren i panjohur estetik, ka të bëjë me aftësinë tonë të pashtershme rigjeneruese, imagjinatën e pafund si manipulim i memories – një lojë tashmë e e pranuar me vetëdije.
Poezia është gjithmonë një „e djeshme“, është ajo që të tërheq mbrapa, duke dashur të të sistemojë brenda një rregulli a stereotipi, ndërsa ti orvatesh të dalësh prej tij, për t’u bërë i dukshëm dhe e papërsëritshëm.
Dhe disa nga këto gjëra të përbashkëta që të tërheqin gjithmonë si një zbaticë mbrapsht në kohë, janë dilemat filozofike në të cilat reduktohet njohja dhe eksperienca njerzore, pyetjet të cilat nuk marrin kurrë një përgjigje, që nuk bëjnë asnjë progres qysh prej zanafillës, e që i marrim me vete, ose siç thotë edhe autorja e këtij libri Albana Shala , janë „nëqoftëse“, „po sikur..“, ato që mbyten bashkë me Titanikun, të mbyllura në „hambar“ („Fjalët“) .
“Papa Dixhital” të cilit po i referohemi, është libri i parë me poezi i Albana Shalës, tepër i veçantë që në titull. Modern, do të thoshnin lexuesit me të drejtë, duke pasur parasysh se ai është krejt ndryshe nga një vizion romantik me të cilin ne jemi edukuar kur është fjala për poezinë. Natyrisht që terminologjia moderne është një nga kriteret që e bëjnë të kohës një autor, por, jo gjithçka. Moderniteti tek Albana Shala shprehet edhe në një dyvargësh të kësaj natyre:
“dëgjoj zërin e saj
të mbështjellë me lëkurë molle”
( “Orëve të para të mengjesit”).
Terminologjia në këtë poezi është e vjetër sa edhe miti biblik i krijimit të botës, por, në rastin konkret risia buron nga kompozimi me elegancë i dy materieve që ndërthuren kaq bukur midis tyre, njëlloj si qumështi dhe kafeja në tryezën e mëngjesit. Kolazhe të kësaj natyre, dëshmojnë artin konceptual, si kapërcime të shkathëta që flasin shumë më tepër përmes plastikës vizuale se sa përmes retorikës dhe deklamimit personal.
Një nga rastësitë fatlume që përcakton edhe hapësirën e larmishme tematike të librit është fakti që eksperienca e autores është e ndarë midis Shqipërisë dhe Hollandës, ku ajo jeton prej mëse dhjetë vjetësh. Kjo gjë e ka ndihmuar atë të sjellë një tjetër frymëmarrje në tekstet poetikë, duke zgjedhur një këndvështrim më universal mbi botën . Në vijim, mund të thuhet se nëse këqyrim me kujdes, libri është i përbërë nga dy cikle: i pari me një “unë” të papërcaktuar- në të cilin gjemë preokupimin e njeriut universal, që nuk kushtëzohet nga sistemet politike e sociale; dhe i dyti- “uni” i përcaktuar, që lidhet gati me një besnikëri të tepruar me fëmijërinë dhe me gjithçka tjetër që ka të bëjë me identitetin e saj shqiptar.
“Njeriu tipik” dhe “njeriu atipik”, “qenia individuale” dhe “qenia historike” përbëjnë karaktere që zëvendësojnë njëri-tjetrin gjatë kësaj rruge poetike; njëra në kërkim të lumturisë, identitit dhe motivimit filozofik, dhe tjetra në përpjekje për t’ë dëshmuar ekzistencë. Pikërisht ky dyzim ose riciklim personazhi, shoqërohet edhe me stilin e vet të “inskenimit”, njëherë më distante, me sintetike dhe lakonike, dhe njëherë më e qashtër, e drejtëpërdrejtë, dhe besnike deri në vetë-censurë, kur është fjala për poezi që lidhen me familjen, fëmijërinë, rininë, të konservuar me fanatizëm në kujtesë si “Nëna Korça”: “Hapat troket me ngut në plloçat e qytetit të fjetur/ Ka punë për të bërë/ kuzhinierja e shtëpisë së fëmijëvë/ Nëna Korça”.
Një cikël mjaft interesant e të pjekur sjellin poezitë “Në Kaukaz” dhe “Kosovë 1999” etj, të cilat janë të shkruara me një stil gjysëm- publicistik, me detaje të shkathëta e ekspresive si shkrepjet e një blici, rreth një terreni të panjohur për të, por, në të njejtën kohë me një stil sarkastik, inteligjent, e lakonik duke luajtur më paradokset e historisë, anën e tyre komike dhe tragjike të përzier bashkë:
“Në Kaukaz të qëllon t’i shtrëngosh dorën një ishi të KGB-së/ I cili ngultazi të flet për shoqërinë civile e për demokracinë./ Është përfaqësues i minoritetit osetian…”
Me të njejtën gjuhë të kursyer, përcillet edhe historia e Bosnjes (“Në Amsterdam”) poezi e cila fillon me një imazh pothuajse gazmor (“vesa e mëngjesit vezullon në mustaqet e shoferit”) për të arritur me pak vargje intensitetin tragjik të një lirike boshnjake që këndohet nga një emigrante boshnjake në rrugë. Pa dyshim se një mjeshtër e di, që një pikturë e ndërthurur me të kuqen e të zezën e fortë, kërkon një kornizë me ngjyra të butë. Pra, autorja e ka sensin e përshkallëzimit poetik, apo të asaj që unë do ta quaja pikërisht “zona e ndërmjetme” – mënyra për të përcjellë një subjekt me temperament mjaft të fortë e impulsiv, në mënyrë graduale tek lexuesi, në mënyrë që të shkaktjë një llojë befasie.
Ndër të tjera, le të themi se në këtë libër fryn nje erë pafajësie, e shprehur më konkretisht në raportet me te birin, fëmijërinë, vdekjen si nocion, puthjen e një çifti gei, …apo raporti gati domestik me macet, kuajt, zogjtë dhe peshqit. Por, ndryshe nga librat e parë me poezi të autorëve të rinj në përgjithësi, tek Albanna Shala ky ekspozim nuk vjen në mënyrë protestuese apo si pasiguri përballjeje të panjohurën e madhe që pret përpara, por, si rezultat reflektimi mbi gjërat tashmë të njohura e të jetuara, ndoshta edhe për faktin që poetja e boton këtë libër në moshë relativisht të pjekur.
Përshembull, në poezinë “Refuzim” ajo shprehet: “Jeta bën përpara/ paqësisht/ për të më dorëzuar/ në një karrocë fëmijësh/ në një tjetër gjykatë…”. Në këtë rast, nuk është imazhi i një karroce fëmijësh ai që përcakton klimën e pafajësisë, por, dorëzimi ndaj të pashmangshmes, ndaj lojërave cinike me zgjedhjet tona.
Dhe meqë jemi tek protagnizmi, mund të thuhet, se autorja të lë përshtypjen se nuk e zgjedh tematikën, por, e lë veten të zgjidhet prej saj. Ndaj edhe elementët irracionalë janë ndoshta elemëntët më të fuqishëm të pozisë së Albana Shalës.
Si rezultat, edhe zgjidhjet e poezive vijnë spontane dhe të paparishikuara, që ndonëse nganjëherë edhe jo pse shumë të goditura, gjithsesi të freskëta. Krijimi i tensioneve dramatikë apo përplasjeve të fuqishme, janë shmangur me qëllim ose janë anashkaluar instiktivisht nga autorja, duke krijuar e mbajtur atë brenda shinave lirike dhe një atmosphere të butë, nganjëherë të ngjashme me një vetë-terapi.
Por a është poezia një vetë-terapi? Padyshim. Ajo më shumë është një mike intime se sa një altoparlant. Jo retorikë. Përkundrazi, të treguarit pa komplekse, pa tabu, pa paragykim, dhe pa megalomani i të vertetave të thjeshta të jetës është njëra nga joshjet e poezisë.
Dhe në fund, mund të thuhet se ky libër është një sfidë me veten i Albana Shalës e cila sapo ka hyrë publikisht në botën e poezisë. Ajo e ndan me ne emocionin e saj duke na dhënë me elegancë pak botë nga ajo që ajo ka njohur, pak jetë nga ajo që ajo ka jetuar dhe pak krenari nga krenaria e njeriut që ruan gjithmonë një llambë të ndezur brenda vetes për të parë në sy të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...