Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/08/11

Persekutimi komunist në shkencat albanologjike

k-topalli

Nga Kolec Topalli.
Lufta e klasave dhe persekutimi komunist veproi në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato qenë shumë të ashpra sidomos ndër intelektualë që ishin shkolluar jashtë shteti e kishin kulturë perëndimore. Frika e regjimit komunist nga intelektualët demokratë që mund të mendonin ndryshe nga dogmat zyrtare, pati si pasojë përndjekjen e tyre, arrestimet, internimet, torturat e pushkatimet, që ndërprenë për një gjysmë shekulli lidhjet shpirtërore e kulturore të shqiptarëve me botën e qytetëruar perëndimore. Shembujt që vijojnë flasin qartë për këtë.

Bernardin Palaj e Donat Kurti i dhanë thesare kulture kombit tonë. I pari qe mitologu më i shquar shqiptar, i quajtur nga gjuhëtarja Desnickaja “njohësi më i mirë i maleve tona”, poet e prozator. I lauruar në Innsbruck të Austrisë, profesor i greqishtes e latinishtes në Liceun “Illyricum”, i burgosur më 1924 si kundërshtar i monarkisë, tërë jetën ia kushtoi albanologjisë. Pas njoftimit që kishte dhënë Shtjefën Gjeçovi më 1905 se “ndër malet tona fshihet një thesar i paçmueshëm i epikës shqiptare”, ai së bashku me Donat Kurtin gjurmuan e mblodhën, sistemuan e botuan qindra kangë kreshnikësh, të cilat i botuan në revistën “Hylli i Dritës”, që çmohej si më e mira në Ballkan. Dhe shpërblimi që mori për këtë punë vigane qe burgosja e tij më 1946, torturat më çnjerëzore derisa vdiq në burg në moshën 50 vjeçare. Një bashkëvuajtës i tij dëshmon: “E kishin lidhur duarsh me tel të ndryshkur te pisha në oborr ku qëndronte pezull, aty ku lidheshin të burgosurit pasi i rrihnin për vdekje. Pastaj e lanë të ngujuar nën shkallë në një vend të qelbur. E kjo zgjati për muaj e muaj, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanozi. E varrosën në fund të oborrit, por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë. Vdiq i akuzuar si agjent i të huajve, ai që i kishte dhuruar kombit visaret e tij më të shtrenjta, të cilat nga dijetarët e huaj janë krahasuar me eposet më të mëdhenj të Europës, me “Iliadën” e grekëve, “Kangët e Rolandit” të francezëve dhe “Nibelungenin” e gjermanëve.
Donat Kurti qe mbledhës i zellshëm i folklorit, i quajtur Anderseni shqiptar. I lauruar në Universitetin “San Antonio” të Romës ku iu dha titulli “doktor i shkencave”, njohës i shkëlqyer i 7 gjuhëve të huaja, u vlerësua nga Norbert Jokli “ndër prozatorët më të mëdhenj shqiptarë”. Por edhe ky pati të njëjtin fat si bashkëpunëtori i tij. I burgosur që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, u dënua me vdekje, dënim që më vonë iu shndërrua në burgim të përjetshëm. Dhe kaloi 17 vjet në burgjet dhe kampet shfarosëse komuniste. Ironia e fatit deshi që ai të vdiste i harruar, i vetmuar e në heshtje të plotë, pikërisht në ditët kur në Tiranë mbahej një simpozium për ciklin e Kreshnikëve.
Një tjetër albanolog pati një fat edhe më të rëndë. Lazër Shantoja qe mbledhës folklori, publicist, kritik letrar, poet e prozator, përkthyes i talentuar i Gëtes, Shilerit e Hajnes. Por ai që për mbrojtje të demokracisë kishte provuar burgun që në vitet ’20, ai që bisedonte me ditë e me muaj me Faustin e Wilhelm Telin, e pësoi keq nga diktatura. I arrestuar në shkurt të vitit 1945 u torturua kaq shumë sa luste zotin ta shpëtonte me vdekjen e tij. Kur e pa për herë të fundit e ëma duke u zvarritur pas hekurave me këmbët të gangrenizuara, iu lut rojeve ta vrisnin, që të mos vuante më. Dhe e pushkatuan pas një gjyqi farsë që i dha dënimin me vdekje.
I fundit që e pa trupin e tij të vrarë, dëshmon: “E kishin coptue. Ishte me kambë e me krahë të gjymtueme. Ia kishin pre me sharrë. Kofsha e djathtë ishte e ajun tej mase, sa dukej më e madhe se trupi, dhe dukeshin gjithkund gjurmë plagësh të bame me gjithfarë mjetesh. S’kishte mujtë me qindrue në kambë dhe e kishin pushkatue me një breshërimë plumbash brenda në varr. Gurë e dhé mbuluen trupin e tij të gjymtuem, për të mos u gjetur kurrë vorri i tij”. Vepra e tij, e shpërndarë në revista e gazeta të kohës, u botua në një vëllim me rreth 700 faqe, 60 vjet pas vdekjes së autorit. Duke u çmuar përtej kufijve të Shqipërisë, kam pasur rastin të jem i pranishëm në Romë para 4 vjetësh kur u përkujtua me nderim të veçantë në një konferencë shkencore, organizuar posaçërisht për të.
Një tjetër shkencëtar, intelektual-albanolog, që u vra nga diktatura në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist, qe Nikollë Gazulli. Ai ka lënë Fjalorin më të mirë krahinor të fjalëve të rralla, me shpjegime e sqarime të shumëllojshme dhe me një pasqyrë të gjerë të parashtesave e prapashtesave të shqipes, që e bëjnë atë një thesar të paçmueshëm në fushë të leksikografisë. Qe nismëtar edhe në fushë të leksikografisë onomastike, duke botuar të parin “Fjalor onomastik” shqiptar në revistën “Hylli i Dritës”, ku trajtohen edhe probleme historike e etnografike. Nga informacionet që kemi, ai kishte mbledhur edhe 2000 fjalë të tjera, fati i të cilave nuk dihet. E me gjithë këto kontribute, emri i tij nuk u përmend asnjëherë në studimet albanologjike. Së shumti lejohej të citohej vetëm titulli i veprës me shkurtime, por kurrsesi autori i saj. E kjo ndodhte sepse ai u pushkatua pa gjyq në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. I rrethuar nga bandat komuniste, u vra si martir në një shpellë ku ishte strehuar për t’iu fshehur terrorit të kuq, një Bajram Curr i kohëve tona, i mbetur edhe ky pa varr, ai që në luftën për demokraci në vitet ’30 kishte vuajtur 4 vjet në burgun e Gjirokastrës dhe ishte liruar falë ndërhyrjes së Norbert Joklit, Gjergj Fishtës dhe Aleksandër Xhuvanit.
Mark Dushi qe një tjetër mbledhës i zellshëm i folklorit, i leksikut të rrallë, i toponimeve, të dhënave historike, mitologjike, legjendave etj. Ka lënë në dorëshkrim disa vepra, që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe presin një dorë të kujdesshme t’i nxjerrë në dritë. Një monografi e tij, që u botua si vepër postume, “Tirana dhe rrethinat e saj”, përmban të dhëna dhe argumente arkeologjike, etnologjike, gjuhësore dhe etimologjike me interes shkencor për të njohur kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Dhe shpërblimi i gjithë kësaj pune qe burgosja e tij nga diktatura, torturat mizore, dënimi me vdekje dhe pushkatimi në moshën 46 vjeçare.
Fate të njëjta patën edhe shumë dijetarë të tjerë, që për punën e tyre u shpërblyen me burgje, internime e persekutime të tjera. I tillë është rasti i tre orientalistëve të shquar: Mykerem Janina, Vexhi Buharaja dhe Tahir Dizdari, që të tre njohës shumë të mirë të gjuhëve perëndimore e lindore, të vjetra e të reja, filologë, përkthyes e transkriptues të shumë veprave me vlerë shkencore e letrare.
Mykerem Janina qe ndër specialistët më të mirë të osmanishtes, njohës i përkryer i dokumenteve historike dhe i paleografisë, përkthyes i “Defterit të Sanxhakut Shqiptar” të historianit turk Inalçik. Ai kishte nisur aktivitetin botues që në vitet ’30, por u burgos dy herë gjatë jetës së tij me akuzën stereotipe “për agjitacion e propagandë”. Kaloi rreth 15 vjet në burgje e internime. Në burgimin e dytë ishte afër moshës 80 vjeçare.
Vexhi Buharaja ka lënë një vëllim shumë të madh materialesh dokumentare osmane, që janë me rëndësi të dorës së parë për studimin e historisë së Shqipërisë. Duke i përkthyer në gjuhën shqipe, ai solli pranë nesh veprat e frashërlinjve, “Besën” e Samiut dhe “Ëndërrimet” e Naimit, si edhe disa kryevepra botërore të poetëve persianë. Por ky intelektual me potencial të madh shkencor, që punoi 10 vjet në Institutin e Historisë, u pushua nga puna në vitin 1975, për të kaluar vitet e pjekurisë më të madhe shkencore në vetmi të plotë larg çdo aktiviteti shkencor.
Tahir Dizdari është autor i fjalorit më të madh e më të mirë të orientalizmave në gjuhën shqipe, ku jepen shpjegime të shumta për huazimet turke, me argumente leksikore e gramatikore, etnologjike, letrare e etimologjike, dhe me krahasime me gjuhët e tjera të Gadishullit Ballkanik, gjë e bëjnë atë me vlera të paçmueshme jo vetëm për albanologjinë, por edhe për orientalistikën e ballkanologjinë. Por e gjithë kjo punë e stërmundimshme, për të cilën ai punoi gjithë jetën, nuk u botua sa qe gjallë autori, dhe pa dritën e diellit 33 vjet pas vdekjes së tij. E kjo për arsyen e thjeshtë se Tahir Dizdari ishte burgosur më 1951 si antikomunist, ai që për ndjenjat e tij patriotike e demokrate ishte internuar nga fashizmi në vitin 1939.
Fat të tillë patën edhe helenistët, latinistët dhe përkthyesit e tjerë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar në shkolla perëndimore dhe nuk pajtoheshin me diktaturën.
Guljelm Deda, që Orlandon e çmendur të Ludovico Ariostos e bëri të flasë shqip, kaloi një jetë të tërë në burgje e internime, ai që për 17 vjet punoi për të përkthyer 40 mijë vargje të rimuara në gjuhën shqipe. Edhe kur u lirua, për të nuk kishte punë tjetër veç të thyente gurë në malin e Taraboshit. Këtë fat pati edhe Mark Dema, përkthyesi i talentuar i “Eneidës” së Virgjilit; Veniamin Dashi, përkthyes i shumë veprave me karakter albanologjik nga studiuesit gjermanë. Edhe këta të shpërblyer me shumë vite burg dhe me anonimatin e përjetshëm. Mithat Araniti përktheu nga gjermanishtja vepra kapitale për albanologjinë. I tillë është Fjalori etimologjik i gjuhëve indoeuropiane me tre vëllime i etimologëve me përmasa botërore Alois Walde dhe Julius Pokorny, një kopje e të cilit gjendet në Muzeun e Durrësit. Dhe shpërblimi i kësaj pune qenë vitet e pafund të burgut e të internimit.
Një tjetër njohës i thellë e përkthyes i letërsisë klasike, Gjon Shllaku, shqipëroi kryevepra botërore: “Iliadën” e Homerit, veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, “Gjeorgjikat” e Virgjilit dhe “Këngët e Rolandit” të eposit francez. Ka lënë në dorëshkrim “Fjalorin latinisht-shqip” dhe “Fjalorin greqisht shqip”. Për të gjitha këto, u shpërblye me burg disavjeçar.
Nikollë Dakaj, përkthyes i talentuar, gjuhëtar, poet kritik letrar e folklorist, pasi kaloi disa vite në burgjet komuniste, u detyrua të fitonte bukën e gojës duke punuar në fabrikën e tullave, atje ku mes gropave të baltës mund të gjeje njerëzit më të kulturuar të kohës, sepse ky ishte vendi i caktuar nga diktatura për ata që kuvendonin me Homerin e Virgjilin, me Danten e Petrarkën, për ata që ishin shkolluar në perëndim dhe tentuan të ecnin kundër rrymës zyrtare.
Një tjetër përkthyes i talentuar, qe edhe Mark Harapi, që na dha në shqipe kryeveprën e Manzonit “Të fejuemit”, njëri nga intelektualët më të kulturuar të kohës, që kishte refuzuar të qëndronte për të dhënë mësim në Universitetin e Romës, vetëm që të kthehej në atdhe. Ai qe i pari që transkriptoi veprën e Bogdanit “Cuneus prophetarum” duke e pajisur me shumë komente e shënime gjuhësore. Dhe shpërblimi i kësaj pune qe dënimi me 20 vjet burgim, prej të cilave bëri 10 dhe pas këtyre edhe 5 vjet të tjera internim. Deri sa vdiq jetoi me lëmoshën e bamirësve të rrugicës ku banonte.
Këtë fat pati edhe klasiku i fundit i traditës së përkthimeve greko-latine, që u nda prej nesh para para pak ditësh.Pashko Gjeçi përktheu rreth 40 mijë vargje nga gjuhët klasike e moderne, duke na dhënë në një shqipe të dlirët e të pasur “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, “Andromakën” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të Karduçit, dhe mbi të gjitha trilogjinë “Komedia Hyjnore”, së cilës i kushtoi 20 vjet të jetës së tij. Dhe si shpërblim, u burgos që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, duke vuajtur për disa vjet në burgjet e tmerrshme komuniste dhe në kampet e shfarosjes, atje ku në hyrje mund të shkruhej si në portën e ferrit të Dantes: “Këndej kalohet në qytetin e mjerimit / Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi / Këndej kalohet te njerëzit humbun shqimit / O ju që hyni mbrendë keni mbarue”. Dhe shumë që hynë në këto burgje, nuk dolën të gjallë, por vdiqën burgjeve të Burrelit e të Spaçit, ose kënetave të Maliqit e të Bedenit.
Nëpër burgjet e diktaturës kaloi një pjesë të mirë të jetës edhe përkthyesi i talentuar në gjuhën frënge, Isuf Vrioni. Ai që bëri për vete edhe vetë francezët me përkthimet e tij në një frëngjishte elegante, kaloi 16 vjet në burgje e kampe shfarosëse, dhe kur doli s’andejmi, la në burg emrin e tij, që nuk mund të shënohej në asnjë libër, revistë a gazetë. Ishte i dënuar i përjetshëm edhe kur doli nga burgu i vogël në burgun e madh. Ai mbeti anonim deri në vitet ’90.
Një shembull tjetër i këtij persekutimi është Frano Illia, ky Shtjefën Gjeçov i dytë, i cili pasionin e tij për të mbledhur doke, zakone, tradita e fjalë të rralla të shqipes, e pagoi me një kalvar të vërtetë vuajtjesh të pafund, sepse atëherë kur më 1967 dorëzoi për të botuar “Kanunin e Skenderbeut”, e thirrën, jo për t’i botuar veprën, por për t’i vënë prangat në duar dhe pas 7 muaj torturash në qelitë e Sigurimit të Shtetit, me një gjyq farsë, ku nuk munguan as duartrokitjet, e dënuan me vdekje, dënim që iu kthye në 25 vjet burgim, prej të cilave bëri 20 vjet.
Gjergj Fishtën, të madhin e letrave shqipe, të quajtur “Homeri shqiptar”, kryetarin e komisionit të hartimit të alfabetit, njërin nga themeluesit e “Komisisë Letrare”, e shpëtoi nga ferri komunist vdekja e parakohshme. Por ai s’mund të hidhej në harresë aq lehtë, sepse vepra e tij e botuar në të gjallë të poetit, njihej e deklamohej prej shqiptarëve nga Veriu në Jug. Ja përse ai ishte një rrezik potencial për diktaturën. Prandaj edhe i vdekur nuk i shpëtoi persekutimit mizor dhe hakmarrjes makabre komuniste: eshtrat e tij u zbuluan, u nxorën nga varri dhe u hodhën në lumin Drin. Në çdo vend të botës prehjet e fundit të poetëve kombëtarë ruhen me fanatizëm si relikte të shenjta e si vende nderimi e pelegrinazhi. Varri i Dantes ruhet në Ravena prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij. Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi. Njihen plot raste kur intelektualë të arrestuar janë akuzuar se kanë lexuar Fishtën, se kanë folur për të, se kanë fshehur “Lahutën” e shumë akuza të tjera të kësaj natyre. Shteti i diktaturës sllavo-komuniste nuk mund t’ia falte kurrë poetit të madh himnizimin e luftës që bënë shqiptarët “mos me nda tokat e Shqipnisë, për me ngopë klyshët e Rusisë”. Ndërsa si kryetar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes, ai nuk u përmend asnjëherë dhe për shkak të tij e të ndonjë anëtari tjetër të anatemuar, fotografia e komisionit të këtij kongresi nuk u bë e njohur asnjëherë gjatë 50 vjetëve.
Viktor Volaj, gjuhëtar leksikolog, profesor i gjuhës shqipe, latine e greke në gjimnazin “Illyricum” të Shkodrës, kaloi shumë vite nëpër kampe internimi. Ai qe komentatori e shpjeguesi më i mirë i veprave të Fishtës, për të cilat punoi shumë vite nën mbikqyrjen e poetit të madh. Ai qe edhe autor i sa veprave të tjera, që humbën në vitet e diktaturës pa mundur të shohin dritën e botimit. Prandaj ai u quajt “akademiku i madh pa vepra”. Me nxitjen e Xhuvanit e të Çabejt, ai kishte mbledhur e dorëzuar në Institutin e Gjuhësisë 1200 fjalë e shprehje të rralla shqipe si kontribut për “Fjalorin e madh të shqipes”, por emri i tij nuk përmendet askund.
Nikollë Mazreku, ky njohës i mirë i historisë, gjuhës e letërsisë, njëri nga latinistët më të shkëlqyer, ka lënë shumë dorëshkrime, ndër të cilët një vëllim për heroin kombëtar, Skëndërbeun. Ka mbledhur shumë fjalë të rralla, që i ka përdorur me mjeshtri në vargjet e tij poetike. Mbrojtës i flakët i racës dhe kulturës shqiptare, ai shkroi me pseudonimin Nikë Barcolla pamfletin e famshëm kundër skandalit të Cordignanos. Për të gjitha meritat e tij diktatura e shpërbleu me 25 vjet burg dhe 12 vjet në internim.
Në bankën e të akuzuarve u rreshtua edhe Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit. Vëllai i tij, Aleksandër Sirdani, një tjetër mbledhës e studiues i folklorit dhe i fjalës së rrallë shqipe, që ka lënë me mijëra faqe dorëshkrim, u torturua në mënyrat më çnjerëzore dhe trupin e tij të dërrmuar nga torturat e shëtitën nëpër Koplik për t’i futur tëmerrin qytetarëve. Pastaj e vranë duke ia shpuar trupin me cfurk deri sa e rrokullisën në një gropë të zezë.
Dijetarë të tjerë u lanë në heshtje, vepra e tyre nuk  vlerësohej e nuk botohej. Këtë fat pati gjuhëtari i madh, që tërë jetën ia kushtoi albanologjisë, Selman Riza. Ai që ishte internuar në Ventotenë prej fashizmit për idetë e tij demokratike në mbrojtje të lirisë së vendit, ai që ishte internuar nga regjimi titist jugosllav për përpjekjet e tij për një Kosovë të lirë, ai që kishte ndërruar burgje e kampe internimi po aq sa edhe vende pune e banimi, u persekutua egërsisht nga diktatura komuniste e Tiranës: u dëbua nga Instituti i Gjuhësisë e u internua në Berat. Dhe ashtu siç u la në heshtje për vite me radhë vepra e tij e pabotuar, ashtu qe edhe dita e varrimit të këtij kolosi të albanologjisë.
Një fat të tillë pati edhe gjuhëtari Justin Rrota. Për autorin e sa studimeve në fushë të gjuhësisë, për dijetarin që solli në vendin tonë veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, askush s’kujtohej nga zyrtarët e regjimit, prandaj vdekja e tij kaloi në heshtje, ashtu siç u la edhe vepra e tij, që bëri gjumin letargjik 50-vjeçar në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, për t’u zgjuar e për të parë dritën e botimit vetëm pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes së demokracisë.
Për 50 vjet me radhë u mbuluan me heshtje edhe emrat dhe veprat shkencore të personaliteteve më të shquar të diasporës: Martin Camaj, Namik Resuli, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani, Zef Valentini e shumë albanologë të tjerë, emrat e të cilëve ishin bërë tabu në regjimin komunist.
Martin Camaj është albanolog ndër më të shquarit, për më tepër shkrimtar e poet ndër më të talentuarit. Në fushë të albanologjisë ka lënë një varg veprash për historinë e gjuhës shqipe, për gramatikën e dialektologjinë, për etimologjinë dhe të folmet arbëreshe, për tekstet e vjetra, folklorin e letërsinë. Ai qe shtyllë e emigracionit, që mbajti të gjallë studimin e gjuhës shqipe dhe traditën shqiptare në Itali, Gjermani e kudo që shkoi. E megjithëkëtë, nga regjimi totalitar mori epitetin “tradhëtar”, sepse mundi të shpëtonte nga ferri komunist e të dilte në botën e lirë, duke mbetur tërë jetën një shqiptar i vërtetë. Edhe pas vdekjes mbeti i tillë. Kam pasur rastin të vizitoj varrin e tij. Është më i thjeshti në varrezat e Lengriesës në Gjermani: një copë shkëmb i pagdhendur, që bashkëkombasit e tij e kishin sjellë nga malet e Dukagjinit për t’ia vënë te koka këtij shqiptari të madh, që vdiq në dhé të huaj pa mundur ta vizitonte qoftë edhe një herë të vetme atdheun e tij.
Një tjetër albanolog që mundi të shpëtonte nga Shqipëria e rrethuar me tela me gjemba e të dilte në botën e lirë, qeArshi Pipa, studiues gjuhe e folklori, kritik letrar, estet, poet e përkthyes. I arrestuar menjëherë pas vendosjes së komunizmit, mundi të arratiset pas lirimit nga burgu. Profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku emigroi, ai drejtoi disa revista shkencore e letrare dhe botoi disa libra e artikuj me vlerë për kulturën shqiptare; por emri i tij deri në vitet ’90 nuk mund të përmendej, dhe të gjitha botimet e tij mbetën të panjohura.
Namik Resuli qe filolog, gramatikan, historian i letërsisë, studiues i teksteve të vjetra, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ka transkriptuar “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe vepra të tjera të letërsisë së vjetër dhe arbëreshe. “Gramatika e shqipes” që hartoi, është ndër më të mirat në llojin e saj. Por punën e tij më të madhe ia kushtoi transkriptimit, komentimit dhe botimit të veprës më të hershme të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Buzukut, me të cilën punuan shumë dijetarë të vendeve të ndryshme për vite me radhë, madje, edhe pas botimit të saj 10 vjet më vonë nga Eqrem Çabej, vepra e të cilit mbeti e kyçur në depot e Institutit të Gjuhësisë, e cilësuar si “vepër me përmbajtje fetare”. Shembulli më i fundit për këtë është vepra me 800 faqe “Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku” e botuar më 2004 prej akademikut Wilfried Fiedler, i cili është mbështetur te botimi i Namik Resulit. E me gjithë këto vlera të mëdha për albanologjinë, emri i tij mbeti tabu, dhe vepra e tij qe dënuar për 50 vjet me shkronjën R, që do të thotë “rezervat”. Atij nuk iu lejua asnjëherë të shkelte në atdhe.
Një tjetër albanolog i shquar, vepra e të cilit nuk u vlerësua kurrë në regjimin totalitar, qe Zef Valentini, shqiptar nga shpirti e zemra, ndonëse jo nga kombësia. Ai qe historian, etnolog, gjuhëtar, profesor letërsie, bashkëpunëtor dhe drejtues revistash shkencore e letrare në Shqipëri e jashtë saj, anëtar i disa akademive. Njohës i shkelqyer i gjuhës shqipe, i historisë dhe etnologjisë, ai qe një mbrojtës i flakët i racës shqiptare dhe i vlerave kulturore të popullit tonë para botës së qytetëruar dhe një pikë referimi për studimet shqiptare. Edhe kur u largua nga Shqipëria, vijoi studimet dhe botimet në fushë të albanologjisë duke punuar në Universitetin e Palermos e duke drejtuar Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare.
Punoi sa për një institut të tërë. Vepra e tij madhore “Acta Albaniae Veneta” përmban 27 vëllime me dokumente për historinë mesjetare të Shqipërisë. E ndërsa shkriu jetën për vendin tonë, asnjëherë gjatë 50 vjetëve diktaturë s’mundi të shkelte në të. Emri i tij ishte kthyer në tabu dhe askush s’mund t’i referohej. Dhe atë që regjimi komunist s’arriti t’ia bënte këtij dijetari, që u largua nga Shqipëria një vit para vendosjes së diktaturës, ia bëri veprës së tij, që qëndroi e burgosur për 50 vjet, e dënuar edhe kjo me shkronjën R.
Dhe në mbyllje të kësaj kumtese bëj pyetjen: “Cili ka qenë faji i të gjithë këtyre?”. Faji i tyre ka qenë i njëjtë me fajin tim kur diktatura komuniste në moshën 10 vjeçare, më 1949, më internoi në kampet shfarosëse me tela me gjemba, në Turan e në Bënçë të Tepelenës dhe në kështjellën e Ali Pashës në Porto-Palermo të Himarës. Faji i tyre ishte i njëjtë me fajin tim, kur më 1990, ndërsa isha mësues fshati larg familjes, sigurimi i shtetit emrin tim e kishte vënë në listat e zeza të vdekjes, të publikuara pas fitores së demokracisë.
Populli që harron historinë e vet, e dënon veten me përsëritjen e saj. Të mos e harrojmë tragjedinë kombëtare të 50 vjetëve komunizëm, të martirizimit, kryqëzimit dhe torturimit të një populli të tërë.

“Rilindja” e Enver Hoxhës në tekstet e historisë

Nga Mark Marku.

eh02
Imazhi viziv më mbresëlënës i vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri qe pa dyshim ekspozimi i figurave të klerikëve të martirizuar përgjatë regjimit komunist.
Shqiptarët dhe mediat ndërkombëtare u kujtuan befas për tragjedinë që kishte ndodhur në Shqipëri. Dhe ishin vetëm 40 prej tyre. Në shesh nuk ishin vendosur figurat e klerikëve të tjerë të burgosur dhe të përndjekur, nuk ishin vendosur figurat e shqiptarëve të tjerë besimtarë dhe jo besimtarë të vrarë nga regjimi komunist. Nëse do të bëhej një gjë e tillë, me siguri nuk do të mjaftonin rrugët e Shqipërisë. Dhe mirë që nuk e bëjmë një gjë të tillë, se do t’i terrorizonim fëmijët tanë. Dhe do ta kishim vështirë t’u shpjegonim se të gjithë ata i kishte vrarë një shqiptar dhe ky e kishte emrin Enver Hoxha. I kishte vrarë sepse kishin besuar, sepse kishin menduar ndryshe, se e kishin dashur Shqipërinë, se ishin të shkolluar, se kishin qenë të pasur, se kishin qenë të shquar, se kishin qenë komunistë, se kishin qenë antikomunistë, se kishin qenë miq dhe shokë të Enverit, se kishin qenë armiq të Enverit. Do ta kishin të vështirë të kuptonin se në këtë kasaphanë masive Enverit i kishin shërbyer me mijëra shqiptarë të tjerë si ai, komunistë, intelektualë, mijëra funksionarë të zellshëm të sigurimit të shtetit të shërbyer me zell nga mijëra spiunë, shqiptarë të frikësuar, të trembur, egoistë.
U gjendëm ngushtë para fëmijëve tanë dhe ajo që më ka shkuar ndërmend më shumë gjatë këtyre ditëve, ka qenë pikërisht kjo: o Zot, si do t’ua shpjegojmë atyre gjithë këtë që ka ndodhur?! Dhe gjithë këto ditë më është kujtuar rasti i Gjermanisë ose, më saktë, rasti i dehitlerizimit të shoqërisë gjermane. Jo më larg se para një viti, fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” na krijoi mundësinë për një vizitë dhjetëditëshe në institucionet e kujtesës në Gjermani. Aty të krijohej mundësia të shikoje se me çfarë përgjegjësie shembullore i dëshmonin para vetes dhe botës krimet e nazizmit dhe komunizmit. Me një metodikë të shkëlqyer që vetëm gjermanët mund ta kenë, ata e kishin bërë të shkuarën e tyre ekspozitë të hapur për qytetarët e tyre dhe botës. Asgjë e fshehur, asgjë e trukuar, gjithçka e ekspozuar në mënyrë të qartë dhe totale, dhe me të vetmin qëllim: që fëmijët e tyre të mos binin më viktima të ideologjive dhe regjimeve vrastare.
Rasti i Shqipërisë të ofron një tjetër model, por këtë radhë në kuptimin negativ. Krimet e komunizmit jo vetëm që nuk janë ekspozuar para shqiptarëve dhe botës, por tashmë ato po synohen të fshihen. Madje, diktatura dhe Enver Hoxha po u kthehen si triumfatorë bash aty ku nuk duhet të jenë kurrë si të tillë: te tekstet shkollore. Prej kohësh është krijuar një komision për rishikimin e teksteve të historisë, në krye të të cilit është vënë  historiani Paskal Milo. Nga gjithë historianët shqiptarë z. Paskal Milo është shfaqur më hapur dhe publikisht disa herë me shqetësimin se shqiptarët i kanë rënë shumë në qafë Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, se janë treguar “jo objektivë” ndaj Enver Hoxhës dhe regjimit që ai ngriti, se kanë nxjerrë në pah vetëm krimet e jo edhe “arritjet” që paska pasur regjimi i Enver Hoxhës. Dhe pikërisht për ta korrigjuar këtë mungesë “objektiviteti”, është krijuar një komision që drejtohet nga një historian i Enver Hoxhës për t’i bërë tekstet shkollore “objektive”, një historian i cili një nga librat mbi të cilin ka ngritur karrierën profesionale është pamfleti i shëmtuar politik antieuropian me titull “Bashkimi Europian, projekte dhe dështime”. Që në nisje kuptohet se sa objektive do të jenë tekstet e historisë dhe sa të besueshme.
Është e kotë të themi se që në fillim projekt është i komprometuar dhe i rrezikshëm, një provokim i rëndë i kujtesës dhe vetëdijes kolektive të shoqërisë shqiptare. Që ky projekt të vazhdojë të ketë ndonjë rezultat, duhet që së pari zoti Paskal Milo të largohet nga komisioni. Nëse ai nuk largohet, tekstet “objektive” që ai do të krijojë, do të jenë një rrezik për fëmijët tanë. Madje, qysh tani dihet përmbajtja e tyre, se e ka thënë me mijëra herë Paskal Milo dhe historianë të tjerë të shqetësuar për “mosobjektivitetin” e trajtimit të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist dhe unë vetëm sa po e përmbledh për lexuesit: “Enver Hoxha bëri disa gabime dhe regjimi ishte i keq në disa drejtime, por ama Enver Hoxha udhëhoqi Lëvizjen Nacionalçlirimtare, thau kënetat, hapi shkolla, ndërtoi rrugë, uzina, fabrika, kombinate, emancipoi gratë etj. etj”.
Ndërkohë nuk do të shkruhet se Enver Hoxha vrau më shumë shqiptarë se italianët apo gjermanët dhe më shumë shqiptarë se italianë dhe gjermanë; më shumë njerëz të pafajshëm se kriminelë dhe hajdutë; se shkollat mund të hapeshin shumë më të mira se ato që u hapën edhe pa një regjim gjakatar si ai; se shkollat më të mira janë në vendet demokratike; se edhe uzinat, fabrikat, rrugët, bujqësia, qytetet gjithçka do të ishin qindfish më të mira; sepse nga gjithë vendet e zhvilluara në botë në fund të viteve ’90, kur ra regjimi komunist, asnjëri prej tyre nuk ishte vend diktatorial… Ne pra e dimë si do të rishkruhet historia në tekstet shkollore të Paskal Milos dhe është irrituese. Por edhe më irrituese do të jetë nëse shqiptarët do të pranojnë ta lejojnë një gjë të tillë. Nëse qeveria nuk e heq Paskal Milon dhe historianë të tjerë enveristë nga komisionet e teksteve, unë propozoj një akt refuzues dhe akti refuzues është ky: të gjitha ata që refuzojnë që fëmijët e tyre ta njohin njeriun më gjakatar të Shqipërisë si një gjysh “që bëri disa të mira dhe disa të këqija”, tekstet e librave të historisë së Paskal Milos, t’i grumbullojmë te sheshi para Kryeministrisë, dhe t’ia lënë “në derë” Kryeministrit të vendit. Me siguri do të shohim se mali me tekste do të jetë trefish më i lartë se ndërtesa e Kryeministrisë.
Që rasti i teksteve ka një prapavijë ideologjike, kjo shihet edhe me shfaqjen e portreteve të Enver Hoxhës në aktivitetet zyrtare të qeverisë shqiptare. Në mënyrë të përsëritur, ministrat shqiptarë kanë marrë pjesë në aktivitete ku janë shfaqur portretet e Enver Hoxhës. Problemi nuk është pse ka njerëz që duan të mbajnë portretet e Enver Hoxhës, pasi të tillë ka pasur dhe do të ketë kudo dhe kurdo, por problem është pse kjo bëhet në aktivitetet zyrtare të qeverisë shqiptare. Kryeministri Rama u shpreh në një intervistë në “TV Klan” se ne nuk mund të ndalojmë individë që të mbajnë portrete të Enver Hoxhës. Gabon rëndë Kryeministri, pasi në momentin që portretet e Enver Hoxhës shfaqen pa dëshirën e organizatorëve, sipas ligjit për organizimin e aktiviteteve publike organizatorët kanë të drejtë që nëpërmjet autoriteteve policore këtë ta konsiderojnë si prishje të aktiviteteve publike dhe personat përgjegjës të shkojnë në polici. Cili prej portretmbajtësve ka shkuar në polici si prishës i një aktiviteti qeveritar, që e distancon veten nga Enver Hoxha dhe simbolika e tij?
Është vërtet trishtues dhe irritues një rikthim i tillë dhe kjo nuk mund të shpjegohet as me faktin se në pushtet është një koalicion partish të majta. E majta europiane që prej fundit të shekullit të 19-të ka bërë disa distancime të rëndësishme nga përpjekjet për t’i shndërruar lëvizjet e majta në regjime totalitare dhe vëllavrasëse, mjaft të kujtojmë distancimin e socialdemokratëve nga Marksi në fund të shekullit të 19-të, të partive të majta europiane nga krimet e Stalinit dhe të regjimeve komuniste të Europës Lindore nga mesi i shekullit të kaluar, pa harruar faktin se vetë Partia Socialiste e Shqipërisë në momentin që ka marrë këtë emër, ka bërë një distancim publik nga krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës. Madje, edhe më e çuditshme është se kjo ndodh pikërisht kur në krye të PS-së është Edi Rama, i cili fillimet e veta si aktivist politik i ka pikërisht si denoncues i krimeve të Enver Hoxhës.
Mbaj mend se si zoti Rama, duke folur publikisht për akuzat që i ishin drejtuar atij se po hidhte baltë mbi Enver Hoxhën, u përgjigj se: “nuk po hedh baltë mbi Enver Hoxhën, por po heq baltën që Enver Hoxha ka
hedhur mbi gjithë popullin shqiptar”. Është e pakuptueshme se si 24 vjet pas rënies së komunizmit kjo baltë t’u rihidhet edhe një herë në fytyrë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Dhe këtë baltë që po na hidhet në fytyrë, nuk e lajnë dot as imazhet e martirëve të vendosura në bulevard për Papën dhe botën.

Vrasjet në kufi më 1990: zbardhen dokumentat e regjimit


kalimkufiri
Albumi “Terrori komunist në Shqipëri”, mes të tjerash sjell edhe një numër dokumentash që zbardhin të vërtetën e vrasjeve të qindra shqiptaëve që tentonin të arratiseshin nga Shqipëria gjatë viteve të fundit të diktaturës komuniste. Më poshte po paraqesim dy prej këtyre dokumentave:
Fjala e anëtarit të Byrosë Politike  Simon Stefani me zv/ministrat dhe oficerët e komandës së kufirit më 19 mars 1990
Thamë se janë rritur tendencat për arratisje e në disa zona për këto flitet hapët. Këtë situatë nuk duhet ta lejojmë, prandaj ligjet që kemi duhet t’i zbatojmë. Nëse në ndonjë rast është bërë politikë në interes të atdheut e të personit të gënjyer e të çoroditur nga ideologjia borgjeze, kjo nuk do të thotë se do të bëhet vijë.
Ata që do të kalojnë në rrugë të fshehtë, të kalojnë kufirin, do të dënohen në bazë të ligjit dhe nëse nuk do t’u binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion.
Disa çështje të tjera që edhe mund të lidhen me problemin e mësipërm.
Është e vërtetë që tendenca e arratisjes ka qenë dhe është e mprehtë. Organet tona për këtë tendencë kryejnë një volum të madh pune, në ndjekjen e tyre harxhojnë mjaft kohë, forca, mjete dhe para.
Për këtë tendencë nga viti 1984 e deri tani, janë ndjekur afro 2 mijë vetë, janë arrestuar 398 persona, janë këshilluar e demaskuar 11000 persona të tjerë nga organet e Partisë, të pushtetit dhe degët e punëve të brendshme.
Me gjithë këto masa nga viti 1984 deri në 6-mujorin e parë të vitit 1988 mundën të realizojnë arratisjen jashtë shtetit 354 persona. Veç këtyre u kapën me tentativë për t’u arratisur në zonat kufitare 495 vetë. Që nga çlirimi e deri në vitin e fundit janë arratisur në moshë madhore nga Shqipëria 11.800 vetë.

Shënime të Ministrisë së Punëve të Brendshme 
për zhvillimet në rrethe të ndryshme të Shqipërisë
ERSEKA
-Më darë 2.2.1990, rreth orës 24:00, njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje të tre shkelësve kufiri nga brenda jashtë.
Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirjan Ismail Zari, vjeç 30, banues në Tiranë, roje në depon e armatimit të çetës vullnetare Kinostudio. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave në orën 05:00, të datës 3.2.90 u kap Agim Ismail Zari, vëllai i të vrarit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit, i cili është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja dhe banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.
SHKODRA
Më datën 14.6.1990, në postën kufitare të Hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën klon, u konstatua një gropë dhe një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare e cila nisi njësitin e kontrollit së bashku me qenin kërkues, të cilët ranë në përpjekje me shkelësit e kufirit me drejtim nga brenda jashtë. Njësiti bëri paralajmërim duke qëlluar me armë në ajër, për shkak se nuk u ndalën, qëlloi në drejtim të tyre duke vrarë Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra, i pa zënë në punë, ndërsa në orën 01:50, të datës 15.6.90 u kap shkelësi tjetër Marjan Zef Ndoja, nga Shkodra. Vazhdon bllokimi i kësaj zone.
ERSEKA
Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27, banues në Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua në drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës Shelegur. Në përpjekjen e orës 8:00, më 10.6.90 u vra në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Fatmir Ismail Duro, vjeç 25, banues në Orman, Pojan i Korçës.

SHKODRA

Më datën 12.6.1990, në postën kufitare Zogaj u asgjësua në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nin Rok Hoti, vjeç 25, rrobaqepës, banues në Shkodër.
POGRADECI
Më datën 17.7.1990, në sektorin e postës kufitare Peshkëpi, nga njësiti i kontrollit u kap në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Artan Ahmet Kushi, vjeç 16, banues në Elbasan, nxënës, i cili u ndalua.
GJIROKASTRA
Në datën 17.7.1990, ora 11:45, në sektorin e postës kufitare Radat në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, u kapën dy persona dhe u vra një tjetër: Arjanit Ali Vashaj, vjeç 27, shofer, Shkëlqim Avni Deçaj, vjeç 27, banues në Vlorë, punëtor, të cilët u ndaluan, Muharem Fejzo Velaj, vjeç 25, banues në Klos Mallakastër Fier, kooperativist, i cili u vra nga njësiti pas zbatimit të kërkesave të rregullores për kapjen e tij të gjallë.
SHKODRA
Më datën 18.7 1990, realizuan kalimin e paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Frederik Kol Petraqi, vjeç 25, punëtor dhe Mark Noc Çuçia, vjeç 25, punëtor në peshkim.
Më datën 18.7.1990, u kapën në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Rakip Myftar.
 KORÇA
Më datën 18.7.1990, në sektorin e postës kufitare Ponçarë, njësiti i shërbimit në orën 03:05 ra në përpjekje me shkelësit e kufirit Nardi Kujtim Ravolli e Osman Xhakolli, të cilët tentuan t’i merrnin armët njësitit të shërbimit dhe pastaj të realizonin kalimin e kufirit. Njësiti i shërbimit asgjësoi Osmanin dhe plagosi rëndë Nardin.

Sami Repishti: Harresa është vdekja e dytë e viktimës

Bisedoi: Këze (Kozeta) Zylo.

Profesor Sami Repishti është figurë e ndritur e Kombit shqiptar, ai është dëshmitar okular i ferrit komunist, ku për pasojë u burgos me vite të tëra, në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe Jugosllavinë komuniste (1959-60). Këtë kalvar vuajtje e hoqën mbi shpinën e tyre dhe familja e tij e shumëvuajtur. Si një intelektual erudit, ai me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të vyer në publicistikë, letërsi dhe politikë. Mesazhet që përcjell herë pas here per Shqiperine dhe Kosoven, janë të qarta, si para auditorit amerikan e deri në shtepinë e Bardhë, ai shpreson, se një ditë do të vijë demokracia e vërtetë dhe Liria e plotë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur dhe për të gjithë familjen njerëzore…një dhe e pandarë!

Profesor Repishti, ju jeni një prej viktimave të terrorit komunist, si ish i burgosur i atij regjimi ç’mund t’ju thoni lexuesve të shumtë, për vitet tuaja në burgjet famëkeqe të Shqipërisë?

Kam qenë viktimë koshiente e terrorit komunist në Shqipëni. Kam kundërshtuar me bindje regjimin komunist që në ditët e para, sepse që në fillim “Shteti” filloi shtypjen dhe ushtroi terrorin. Kam dëshmuar arrestime, burgosje, ekzekutime publike pa gjyq, dhe atmosferën e frikës që krijon cdo terror, pavarësisht nga ngjyra. Jam nji deshmitar okular.

s.repishti

Arsyeja e dytë e revoltimit dhe e veprimtarisë anti-qeveritare ishte atmosfera thellësisht kundërshtare e popullsisë së Shkodrës, qytet dhe fshatra. Kjo atmosferë u acarua akoma më shumë në muajtë e parë të vitit 1945, me persekutimet sistematike të klerit katolik shqiptar, me qendër në Shkodër. Shpresa e qeverisë komuniste se me persekutimin e klerit katolik do të fitonte “simpatinë” e pjesës myslimane u shua me shpejtësi, dhe u zëvendsua me nji frymë solidariteti qytetar shkodran që u revelue ma vonë gjatë gjyqeve të vazhdueshme, ku të akuzuarit ishin myslimanë e katolikë. Kjo atmosferë ka orientuar edhe veprimtarinë time.

Arsyeja e tretë ka nji dozë naiviteti djaloshar. Shpresonim se “Aleatët e mëdhenj” anglo-amerikanë do të ndërhynin diplomatikisht për të dënuar regjimin e posavendosur, dhe te krijonin kondita për nje zhvillim demokratik të vendit, e të shoqënisë shqiptare. Kjo nuk ngjau! Europa ishte e lodhur nga Lufta e dytë Botërore, dhe kishte nevojë për rindërtim të vendeve të shkatërruara nga lufta, Shqipëria hyri nën tutelën jugosllave të shokut Tito, i cili ishte nje satelit i B.S. dhe Stalinit. Shqipëria ishte kështu sub-satelit i kampit socialist. Në këtë pozitë nënshtrimi të plotë, Shqipëria nuk kishte konditat e nevojshme për të vepruar lirisht. Ajo u bind verbërisht instruksioneve të Beogradit, i cili kishte planet e tij “imperialiste” ndaj Shqipërisë: kolonizimin e vendit politikisht, ekonomikisht, dhe sllavizimin e shoqënisë shqiptare, si dhe zgjidhjen e përhershme të problemit të Kosovës, mundësisht me inkorporimin e Shqipërisë në Jugosllavi në formën e nji republike të shtatë jugosllave.

Nji skenar i këtillë i tmerrshëm, natyrisht lehtësonte punën tonë propagandistike “kundër pushtetit”, dhe gjente jehonë të madhe në popullsinë e Shkodrës, një qytet me histori shekullore konfliktesh kundër sulmeve sllave (serbe e malazeze). Por “MOMENTI” politik ishte kundër nesh. Pika kulmore e pakënaqësisë së përgjithshme u arrit më 9 shtator 1946, kur fshatarët e Postribes (në rrethe të Shkodrës) sulmuan me armë qytetin, luftuan nëpër rrugët e qytetit, por u thyen me humbje të mëdha. Si rrjedhim, filloi vala e ekzekutimeve pa gjyq, dhe e arrestimeve masive në qytet e rrethe. Viktimat e pushkatuara ishin më shumë se 100, ndërsa numri i të arrestuemve, sidomos në qytet, kaloi shifrën 1.200 të ndryme në 11 burgjet e Shkodrës.

Në këtë valë terrori u përfshiva edhe unë, së bashku me një grup studentësh aktivë. Torturat e përdoruna kundër “armiqve të popullit” nuk mund të përshkruhen. Disa të arrestuar kryen vetëvrasje duke mos duruar dhimbjet. Shume të tjerë u sakatuen për jetë. Pjesa tjetër, përfshi edhe mua, kaluan 14 muaj në hetuesi, para se të dilnin në gjyqe -të hapura dhe të fshehta- ku dënimet jepeshin simbas udhëzimeve të organeve partiake. Kjo shkelje kaq flagrante e ligjit ishte “norma” e vendosur nga “diktatura e proletariatit”.

Unë u dënova, më 27 nëntor 1947, me 15 vjet burgim të rëndë e punë të detyrueshme. Nga ky dënim kam vuajtur 10 vjet në burgun e Shkodrës, dhe kampet e shfarosjes së Bedenit e Maliqit, dhe në kënetat e Myzeqesë, aerodromin e Beratit dhe të Rinasit(Tiranë) nga ku jam liruar (1956). Trajtimi ynë nga rojet në burgje ka qenë thjesht shtazarak. Asnji ligj nuk mbronte të burgosurit që ishin lanë në mëshirën e oficerëve kriminelë dhe rojeve të kuqe të indoktrinueme, e të egërsuar nga “edukimi i propagandës ditore” të dhënë nga komisarët politikë, dhe njekohesisht viktimë e nivelit tyre shumë të ulët arsimor (shumë ishin analfabetë). Ata urrenin me gjithë shpirt “shkollarët armiq të popullit e të partisë”.

Deri në vitin 1951 kemi pasë vetëm nji racion bukë për 24 orë. Mbas viti 1951 na kanë ushqyer me supë fasulesh pa asnji ndryshim me muaj të gjatë. Në kampe kishin patate, fasule dhe lakra të ziera me ujë e kripë, dhe pothuajse pa vaj. Ky ushqim vrau dhe sëmuri shumë të burgosur, sidomos pleqtë. Terrori i kampit është vështirë të spjegohet: i përditshëm, që në mëngjes deri në darkë. Nga një herë, edhe nata kalohej jashtë, të lidhur për peme ose shtylla druri. Puna ishte e rëndë, norma e lartë, konditat shumë të vështira, dhe nën frikën e kamxhikut të rojeve që e përdornin pa mëshirë. Ne punonim në uje të moçaleve deri në brez, me shushunja që na pinin gjakun.

Një trajtim më të egër se të tjerët kishin “shkollarët armiq të popullit e të partisë” që kishin “helmuar mendjet e fshatarëve të varfër”. Çdo mbrëmje, rreshtat e gjatë të sëmurëve, pleqve dhe atyre që nuk kishin fuqi të mjaftueshme për punë e që nuk plotësonin “normën“ nuk lejoheshin për të marrë racionin e bukës as për të shkuar në krevat deri në mesnatë. Të nesërmen, të këputur nga uria e nga pagjumësia ktheheshin në kanal me këmbënguljen e atij që kërkon plotësimin e “normës“ për të siguruar bukën e gojës.

Ka mjaft libra të botuar në Shqiperi që tregojnë me hollësi këtë regjim tmerri në burgje dhe kampe, disa herë në përpjestime të pabesueshme, por të shumtën e rasteve të paaftë për të përshkruar si duhet monstruozitetin e diktaturës. Më kujtohet një tregim i kampeve naziste. Nji i burgosur i lutej rojes naziste ta vrasë se nuk duronte torturat. Roja qeshte dhe thoshte: Jo! ”Duhet të jetosh e të tregosh atë që ke parë,” vazhdonte roja,” dhe jam i sigurt se bota nuk do të besoj tregimin tënd. Atëhere, do të jete vdekja e vërtetë për ty”. E pabesueshme!

Ç’ju detyroi ju në atë udhëkryq ku ndodhej Shqipëria, të ktheheshit në Atdhe, kur ju mund të bënit një jetë shumë më komode, në Itali?

U ktheva në Shqipëri për të ndihmuar rezistencën kundër okupatorit. Si çdo i ri (në moshën 18-19 vjecare) sidomos një i ri me arsim të lartë, isha i bindur se atje në malet e Shqipërisë ishte vendi im. Qëndrimi në Itali u bë moralisht i padurueshëm. Njëkohësisht, mosnjohja e realitetit shqiptar ndihmoi në formimin e nji bindje të këtillë. Personalisht, isha i ndarë në mes bindjes sime, se Shqipëria kishte nevojë për kuadro të arsimuar në Europë që të ndihmohej zhvillimi ekonomik e shoqëror i saj; nga ana tjeter, Italia ishte një shtet okupator i vendit tim, dhe ishte detyra e të gjithëve ta luftojmë pa kompromis. Qëndrimi im në Itali, në fakt, ishte nji formë kompromisi që nuk mund ta pranoja më gjatë. Kështu që vendosa të kthehem posa kalova provimet e vitit të parë, qershor 1943.

Ju në botën çnjerëzore të burgut u takuat dhe me dashurinë, me viktimat e atij sistemi, por që me botën e tyre të pasur shpirtërore, ju e mundët kërcënimin e vdekjes, si ndiheni për këtë?

Në “boten çnjerëzore të burgut”aty ku fshihet tortura dhe ku sundon pa ndërprerje kërcënimi i vdekjes, të gjithë ndihen të dënuar me vdekje. Një ndjenjë njerëzore që dashuron jetën, e përbuzë vdekjen, është dominante në situata të këtilla. Kjo ndjenjë e përbashkët e rrezikut iminent nxitë mëshirën dhe dashurinë për njeri tjetrin, dhe të të gjithëve për çdonjerin individ që vuan: viktimën. Kjo ndjenjë njihet me emrin solidaritet.: solidariteti i të dënuareve me vdekje, i të torturuarëve, i të përbuzurve, i të përndjekurve, i të gjithë atyre që keqtrajtohen ose e ndjejnë veten “më pak se njeri”, inferior, qytetar të dorës së dytë, të nxjerrur jashtë kufijve të shoqërisë njerëzore. Solidariteti i të burgosurve është ilaçi i mbijetesës. Jo vetëm sepse në shoqëri me të tjerët bashkëvuajtës, solidariteti largon mjerimin e vetmisë mbytëse, por solidariteti ofron mundësine për të ndihmuar tjetrin, vllaun në vuajtje, dhe ky akt lartëson sedrën personale të të burgosurit, ai jep si të thuash, nje dimension të ri arsyes për të mbijetuar me nje sens krenarie të pakrahasueshme.

Persekutoret akoma nuk e kanë pranuar fajin publikisht, për toturat që u bënin të dënuarve, internuarve, syrgjynosurve, a ju frikëson kjo gjendje fluide dhe pse?

Po, frikësohem. Mosnjohja e mospranimi i krimit-fajit nga fajtori nuk ndihmon procesin e “catharsis” që ngjet në situata të këtilla. Nji zhvillim fatkeq lejon HARRESEN, që në këto raste për mua, është vdekja e dytë e viktimës. Aty ku mbretëron errësira, aty kultivohet krimi. Breznitë e reja po rriten pa njohë të vërtetën mbi sistemet totalitare, mendimet dhe aktet e tyre, e sidomos shkatërrimin e pariparueshëm të pëlhurës shoqërore të vendit. Diktatura komuniste në Shqipëri ka vrarë elitën, ka toleruar mediokritetin, dhe ka lartësuar fundrritë e shoqërisë. Fibra morale e kësaj shoqërie është dëmtuar aq rëndë sa që sot mendohet për së mbrapshti, dhe punohet pa asnji skrupull moral. Nje brezni e tërë eshtë humbur, dhe kam frikë se edhe nje tjeter e dytë do të sakrifikohet në llumin që mbuloi vendin për nje gjysme shekulli.

A mendonit në burg se një ditë do të vinte “Dita e Lirisë”, dhe a kishit plane për këtë Ditë të madhe në mendjen tuaj në fshehtësi, me bashkëvuajtësit tuaj?

Po! Shpresa për lirim nga burgu është e përhershme tek cdo i burgosur. Ajo na mbante të gjallë. “Ditën e lirisë” e prisnim të vinte me lëkundje sismike në vendin tonë. Ndërtesa komuniste dukej e fortë në sipërfaqe, por ajo përmbante nji seri kontradiktash të paevitueshme, karakteristike për çdo diktaturë. Njeriu i shtypur lufton për liri, dhe kurdo herë që i jepet rasti ai, ose ajo, shpërthen. Në shumë raste elemente të diktaturës kanë brejtje ndërgjegje, humbin enthusiasmin fillestar “revolucionar’, pendohen dhe kërkojnë per te reparuar dëmin e shkaktuar për të ndihmuar viktimat. Kjo është një karakteristikë universale. Këtë proces e kemi parë edhe në Shqipëri- edhe në burg. “Planet për të ardhmen e vendit tonë” kanë qenë subjekti kryesor i çdo bisedimi në burg. Ka pasë mjaft ndasi në opinionet e të burgosurve të edukuar, sidomos tek ata që kishin “bagazhe” të së kaluares në kurriz. Por të rinjtë idealistë e pa “bagazhe’ ishin entuziastë se do të vinte dita kur mendja dhe aftësia e tyre do të viheshin në shërbim të atdheut. Unë kam ëndërruar gjithëherë nje Shqipëri të lirë, të pavarur, demokratike, të bashkuar dhe perëndimore (tani europiane). Përgatitja ime arsimore dhe edukimi politik para, dhe gjatë burgut më kanë kondicionue për nje qëndrim të këtille. Akoma sot, mendoj si më parë. Idealizëm djaloshar? Ndoshta! Por nuk mund të heq dorë nga ai qëndrim, sepse për mue do të ishte vdekja ime morale. Kjo ndoshta shkakton edhe pesimizmin tim sot me klasën politike shqiptare e gjendjen në Shqipëri.

Në ato skuta të errta nëntokësore a kishte ndonjë ushtarak, që dhe pse mbante kërbaçin në dore së jashtmi, shpirti dhe sytë i flisnin diçka tjetër?

Po! Ka pasë “qënie njerëzore” në burgjet komuniste. Më kujtohet “Reshter Jonuzi nga Berati” dhe nji kapter nga Vlora (emni nuk më kujtohet) që kanë rrezikuar shumë për të na ndihmuar në ditë të vështira. Është e papërshkrueshme ndjenja e lehtësimit që mbush zemrën e të burgosurit kur “polici’, ose “oficeri” nuk zbaton urdhërat e superiorit për torturë. Aty duket sikur ushqehet shpresa se ka akoma zemër-bardhë në këtë botë të së keqes, ku ata “që i ka zënë rreziku” e në kondita të vështira rrezikojnë jetën e tyre për të lehtësuar vuajtjet e të tjerëve. Elementë të këtillë ngjallin besimin në mirësinë e natyrës njerëzore…edhe në konditat më anti-njerëzore.

Ju keni qenë direkt punëtor krahu në tharjen e Kënetës së Maliqit, në ç’kushte punonit atje?

Është e vështirë të përshkruhet Maliqi. Është shkruar diçka për këtë “njollë të zezë” të historisë sonë. Maliqi ka qenë nji kamp punë cfarosje, ku shqiptari vritej nga shqiptari me urdhër nga “shoku Tito” në Beograd – e vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me urim, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me çveshje lakuriq në netët e ftohta, ose i lidhun për shtylle etj. Perveç kësaj, komanda e kampit, nxiste të burgosurit ordinerë, një ushtri e vërtetë elementësh të degjeneruar, si dhe ish komunistë të penduar, për të spiunuar, provokuar, dhe rrahur të burgosunit politikë. Kjo na detyroi të mbrohemi kolektivisht dhe të frikësojmë me hakmarrje sulmuesit.

Si i shpëtuat atij regjimi, dhe si e realizuat ëndrrën tuaj për të shkelur tokën e bekuar Amerikën?

Që nga dita e lirimit nga burgu (korrik 1956) deri në ditën e largimit pa entuziasëm nga toka-nënë (gusht 1959), kam qenë i përbuzur e i përndjekur nga Sigurimi (kam zbuluar dy agjentët që më kanë survejuar). Tre ditë para largimit, një shok që punonte në Polici me njoftoi se isha në listë për arrestim. Kontaktova nji ish shok burgu që kishte shtepinë afër kufirit dhe vendosëm datën e mënyrën e arratisjes. Ai më ndihmoj në udhëtim deri sa kalova kufirin pa asnjë incident. (Ma vonë, ai u vra në tentativë arratisje). Një experiencë të këtillë e kam pasë edhe në tetor 1956, gjatë revolucionit hungarez. Ai më njoftoi se isha njeri nga të 400 personat e caktuar për ekzekutim në rast se fillonte revolucioni në Shqipëri. Në Jugosllavi jam mbajtur një vjet në burg i akuzuar si “pro-perëndimor”. Më vonë në kampe refugjatesh në Jugosllavi dhe Itali, ku kam aplikuar për azil politik dhe të drejtën për emigrim në SHBA. Për fat kërkesa ime është aprovuar brenda 24 orëve. Kam arritur në New York më 9 prill 1962. Kam marr nënshtetësinë amerikane në janar 1969.

Gjatë qëndrimit në Amerikë, kishit kontakte me familjen?

Vetëm deri në vitin 1967. Më vonë jo. Edhe kjo gjendje ka qenë nji torturë e vërtetë, sidomos për arsye të nanës plakë që vdiq pa e parë përsëri. Gjithashtu u këput edhe ndihma financiare që dërgoja cdo muaj-për bukën e gojës!

Ju keni dëshmuar herë pas here për krimet monstruoze të diktaturës komuniste para auditorit amerikan, ashtu edhe në qarqet zyrtare federale, deri në Shtëpi të Bardhë, keni hasur ndonjë reagim negativ nga politikanët amerikanë?

Jo! Përkundrazi. Administrata amerikane e ka njohë mirë gjendjen në Shqipëri, sidomos nga raportet e ambasadave franceze dhe italiane në Tiranë. Unë kam bashkëpunuar ngushtë me Amnesty International për të drejtat e njeriut, dhe kam ndjekur për së afërmi zhvillimin e gjendjes në Shqipëri.

Ju keni qenë vazhdimisht për hapjen e dosjeve, a mendoni se hapja e tyre do të bëhet në rrugë të ndershme nga Partia në Pushtet?

Procesi i hapjes së dosjeve të komunizmit është i nevojshëm dhe i paevitueshëm. Duhet të ndezim dritën mbi dhomat e errëta të diktaturës. Duhet të dalë në shesh e vërteta. Duhet të njohim historinë tonë. Duhet të dimë qëndrimin e shoqënise sonë. Dhe, duhet të peshojmë aktet barbare që u bënë në kurriz të popullit tonë, të dimë thellësine e masën e krimit, të reflektojmë sa poshtë ka ra shoqëria shqiptare, dhe si rrjedhim të mësojmë sa poshtë mund të bjerë shoqeria shqiptare në disa kondita të caktuara. E gjithë kjo nuk ka farë të bëjë me dënime e hakmarrje. Hakmarrja është nji kancer që shkatërron ata që e ushqejnë. Por ne duhet të informohemi mbi të gjitha, të mësojmë nga pësimet e së kaluarës, të dënojmë pa kushte, pa hezitim, pa rezerva “të keqen” që vret, që çnjerëzon, dhe që shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qënie njerëzore, pavarësisht nga bindja politike, gjinia, shtresa shoqënore, cilësitë fizike etj. Hapja e dosjeve na ndihmon në këtë proces informimi të së ardhmes sonë. Përsa kohë që ekzistojnë “hije të zeza” që qëndrojnë mbi kokat tona, shoqëria shqiptare do të lëngojë nga sëmundja e frikës dhe mania e persekutimit. Nuk besoj se klasa politike në Shqipëri ka vullnetin, aftësinë dhe gatishmerinë për nje proces të këtillë.

Së fundi a shpresoni se tragjedia juaj kolektive siç e cilësoni në librin tuaj: “Në hijen e Rozafës”, do të jetë më së fundmi një frymëzim për një kryqëzatë kundër torturës?

Nuk jam i sigurtë në se shoqëria shqiptare ka mësuar nga e kaluara. Ajo që më inkurajon është se Shqipëria po ecen drejt qytetërimit perëndimor, që sot është Europë e bashkuar. Dokumentet ndërkombëtare që ka firmosur shteti shqiptar përjashtojnë me përbuzje torturën. Vetëm nje situatë e papritur e paimagjinueshme mund të sjellë torturën e zyrtarizuar. Individualisht? Nuk jam i sigurt. Jemi akoma të paedukuar.

Faktet flasin ....

pushkatimi
Menjëherë pas intervistës së të vesë së diktatorit Enver Hoxha në një nga kanalet televizive shqiptare, studjuesi Kastriot Dervishi, botoi këtë status në mediat sociale, të cilin e shoqëron me një vendim për dënim me vdekje të firmosur nga diktatori. Ja statusi dhe dokumenti:

“Nexhmija hodhi në treg helmin e saj të fundit. I shfrytëzoi edhe këto minuta apo orë të fundit për të na thënë se ngelet e njëjta. As nuk jam çuditur se as kam shpresuar ndonjëherë se do ndodhë ndonjë kërkim ndjese dhe faljeje prej atyre që kanë bërë krime. Këta janë të gatshëm edhe sot të bëjnë të njëjtat gjëra. Si njerëz mosmirënjohës, të zinj sa s’ka ku të shkojë, luajnë edhe në prag të vdekjes agjitacionin helmsjellës me shpresën se ky do të ndikojë sadopak te brezi i ri.
Nexhmije Xhunglini kur ishte nxënëse është ndihmuar me bursë nga ish ministri Abdurrahman Dibra. Jo vetëm që nuk ia diti për nder, por këtë e burgosi dhe djalin Qenan Dibra, ia pushkatoi. Babai i Nexhmijes, po me ndihmën e A.Dibrës u punësua në Kryqin e Kuq në Tiranë. Gjatë kohës së luftës nuk është internuar sikurse gënjen kjo por ka qenë ekonomat në shtëpinë e fëmijës.
Gënjen kur thotë që mezi “shtynin muajin” në familje, kur kjo familje i grabiti shqiptarëve plot 320 tonë flori. Asnjë pushtues nuk i ka shkaktuar qytetarit shqiptar këtë grabitje kaq masive dhe një rrënim kaq të madh ekonomik. Çifti Hoxha përfaqësoi një regjim mizerabël që me triska e nisi e me triska e bitisi. Në të gjitha raportet ndërkombëtare, Shqipëria e Hoxhës krahasohet me vendet e fundit afrikane. Sikur Shqipëria të kishte “ngrirë” në vitin 1944, do të ishte shumë më e lehtë ta vijonte qeverisjen sot, sesa me pasojën e 46 viteve komunizëm, eksperimentit më tragjik e të kotë të njohur deri sot.
gjyqet-komuniste

Në lidhje me krimet, Nexhmija tha se E.H. ishte “burrë shteti” e nuk merrej me këto gjëra. E para: asnjëherë E.H. nuk u bë dot burrë shteti. Ai ishte shefi udhëheqës i krimit. Është provuar që vendimet për ekzekutimet me vdekje i merrte Byroja Politike e E.H. dhe i certifikonin gjykatat. Lexoni vetëm kujtimet e Enver Hoxhës. Ndër të tjera, në to ka shumë urrejtje, hakmarrje e zili. Dhe natyrisht të urryerit përmenden aty dhe janë persekutuar, vrarë apo dënuar me burgim.
Po bashkëlidh një urdhër ekzekutimi të E.H. për disa persona. Ndër ta ka profesorë shumë të shkolluar. Pasi miraton ekzekutimin, ky “njeriu që nuk di gjë”, kërkon të mësojë edhe fjalën e tyre të fundit. Se normalisht, çfarë pune tjetër kishte veç kësaj?”

Sabiha Kasimati, shkencëtarja që sfidoi diktatorin

sabihakasimati

Nga Daniela Vathi.

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.

Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.

Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.

Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.

Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.

Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.

Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.

Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.

Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.

Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi.
Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi.
Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.

Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!

Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.

Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.

Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.

Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.

Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…

Shqipëria ateiste: Si u shembën 2169 kisha e xhami …

Kur prekte çështjen e luftës kundër fesë në vitin 1967, vit kur u shkatërruan në masë gjithë kishat, xhamitë e teqetë në vend, bashkëshortja e diktatorit Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxha, e distancoi burrin e saj nga kjo ngjarje. Më poshtë është një urdhër sekret i diktatorit, ku përgënjeshtrohet kjo. Raporti informativ jep me shifra dhe detajon gjithë aksionin për shkatërrimin e objekteve fetare në Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Shqiptarja.com sjell të plotë urdhrin sekret të Enver Hoxhës me direktiva se si do t’i shfarosnin kishat dhe xhamitë dhe do t’i çrrënjosnin njëherë e mirë besimet fetare në Shqipëri. Se sa rezultat pati kjo fushatë e nisur pas urdhrit sekret të Hoxhës, rrëfen dokumenti i dërguar në Komitetin Qendror në muajin gusht 1967, një raport i hollësishëm me rezultatet e para të kësaj “lufte kundër fesë”.

***********

Komiteteve të Partisë së Rretheve

Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme të jepen orientimet e mëposhtme:

Feja është opiumi i popujve. Këtë të vërtetë të madhe duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri, edhe ata (dhe këta nuk janë pak) që janë të helmatisur e që duhet t’i ç’helmatisim. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur.

Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose se feja dhe praktikat e saj ruajnë qenien e tyre vetëm tek plakat dhe tek pleqtë. Kjo nuk është ekzakte, këto mund të humbasin virulencën e tyre, vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, kurse ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë. Sigurisht feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, por këto me shekuj, feja dhe klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por për ta rrënjosur këtë dogmë animiste në ndërgjegjen e njerëzve, e kanë shoqëruar edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta, e kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Çdo gjë feja është munduar ta lidhi me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky, çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhi me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptimin që janë shumë popuj të tjerë. Kjo është e vërtetë por prapë se prapë edhe ai diçka beson. Klerikët, me përjashtim të atyre katolikë, aktualisht janë injorantë dhe fenë që predikojnë e mbështesin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare, me anën e një liturgjie arkaike, me psoma dhe duara ose lutje të mësuar përmendësh në rastin e hoxhallarëve, pa u kuptuar as brendinë, pa lerë interpretimin e tyre filozofik.

Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare..

Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta.

Myslimanët as kanë, as mund të kenë, dhe as mund të këndojnë dot ndonjë kuran të vjetër, pse ay është në arabisht. Praktikisht pra ata “rrojnë” me disa bejte të kuranit që i mësojnë përmendësh, që nuk i kuptojnë dhe i transmetojnë gojarisht. Ortodoksët s’janë as më të pasur dhe as më të ngritur. Ata kanë vetëm avantazhin që ungjillin e kanë në shqip. Kurse katolikët dhe kleri sidomos është më i pasur në libra, më i ngritur vetë dhe atje ku mundin ata vazhdojnë të zhvillojnë fenë katolike si filozofi.

Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, xhamive, teqeve e manastireve, natyrisht, paraqitet më e vështirë, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Por mjaft prej tyre janë prishur, pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjerë janë prishur se kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne për deri sa nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa ti rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Institucioneve fetare ne duhet t’u heqim, atje ku e kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë ulli ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma kishat, xhamitë, etj.

Është interesante se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Ky është si rezultat i punës ateiste që ka bërë dhe bën partia, por edhe nga mungesa e hoxhallarëve dhe e priftërinjve në fshatra, nga mungesa e librave fetarë. Në përgjithësi, në fshatra çështja e besimit në fenë, mbahet në zakonet e jetës, në interpretimin pragmatik të tyre, por që nuk është as për ta nënvleftësuar, as për ta neglizhuar, pse prapë na dëmton shumë në zhvillimin dhe përparimin e vëndit.

Për ti zhdukur praktikat fetare ne duhet ti luftojmë ato sidomos me frymën revolucionare dhe patriotike. Le të marrim çështjen e praktikave fetare myslimane. Gjatë 14 shekujve ato ruajnë karakterin e unitetit arab, të dominimit arab me anën e fesë dhe kurani është libri i këtij ligji. Çdo gjë tek ai predikon ruajtjen e kësaj ideje, propagandimin e saj, të pleksur natyrisht me dogma filozofike, idealiste, monoteiste, më racionale si të thuash se judaizmi ose kristianizmi.

Disiplinat fetare myslimane ruajnë të paprekur çështjen që, kur një person falet, qoftë ky arab, egjyptian, kinez ose shqiptar, duhet ta kthejë fytyrën nga Meka. Kjo do të thotë ruajtje e besimit të unitetit fetar, por edhe temporal. Për ta qendra për çdo gjë është Meka. Por, disiplina e fesë myslimane kërkon që çdo mysliman, i çdo kombësie që të jetë, duhet të falet në gjuhën arabe, kuranin ta mësojë dhe ta këndojë vetëm në arabisht.Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është njëlloj, marrja avdes është njëlloj. Njëlloj janë gjithashtu kudo deri në përcaktimin e datave të tyre agjërimi, festa e bajrameve, matemi, etj.

Ne duhet t’i thyejmë këto praktika dhe t’u tregojmë të gjithë atyre që besojnë, sa absurde është t’i ruash dhe të zbatosh gjëra të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me jetën tonë, jo vetëm aktualisht, por edhe në të kaluarën. T’u shpjegojmë atyre origjinën e qëllimin e tyre, t’u vërtetojmë se si, nën petkun e perëndisë, fshihej ligji i imperialistëve otomanë, i pushtuesve turq dhe i shërbëtorëve të tyre. Asgjë pra s’na lidhte dhe as na lidh me fenë, me praktikat e saj, jo vetëm si ateistë, por edhe si patriotë shqiptarë. A mund të imagjinohet që shqiptari të vazhdojë t’u bindet ligjeve të të huajve, ligjeve të pushtuesve, qofshin këto ligje të veshura me petkun e fesë e të sheriatit? Të vazhdosh t’u bindesh këtyre ligjeve e zakoneve, do të thotë të jesh shpirtërisht me të huajt, me reaksionin më të zi të huaj. Nuk mundet nga një anë të mendosh dhe të veprosh drejt politikisht, kurse nga ana tjetër ideologjikisht të mendosh dhe të veprosh shtrembër.

Feja të bën të gabohesh rëndë politikisht dhe të frenon të ecësh përpara. Bota po përparon. Shqipëria po ndërton socializmin, kurse disa njerëz vazhdojnë akoma të besojnë ëndërrimet e një njeriu të shekullit të 6-të që kish botëkuptimet e tij mbi jetën, qëllimet e tij mbi popullin e vet dhe mbi popujt e tjerë. Ç’lidhje mund të kenë këto ëndërrime të Muhametit me realitetin tonë të shekullit të 20-të? Asnjë lidhje! Prandaj, përfundimisht dhe pa nishan, duhen këputur këto lidhje që të mbajnë të lidhura këmbë e duar dhe të poshtërojnë.

Këtë anë të shpjegimit historik të praktikave të fesë ne nuk duhet ta harrojmë, po ta përdorim dhe tok me të të ngjallim dhe të vëmë në luftë me këto praktika fetare patriotizmin e madh të masave. T’u shpjegojmë masave historikisht dhe materialisht ç’vuajtje, ç’mjerime, gjakderdhje e shtypje ka pësuar populli ynë, veçanërisht nga feja, se si ajo na përçante, vinte në luftë vëllanë kundër vëllait për të na shtypur më mirë, për të na robëruar më lehtë dhe për të na pirë gjakun në emrin e fesë.

E njëjta gjë duhet bërë kundër fesë ortodokse dhe asaj katolike, pse edhe ato kanë të njëjtin karakter, bile akoma më të theksuar reaksionar, shtypës, idealist, qoftë në zhvillimin e dogmës, në përmbajtjen e saj, qoftë në liturgjinë e ngarkuar, të rafinuar dhe pompoze, qoftë në praktikat dhe në disiplinat fetare. Kur feja myslimane sheh te Muhameti vetëm profetin, domethënë njeriun, të cilit “Zoti” nuk i transmetoi gjoja veçse urdhrat e tij, të cilët u përmblodhën në kuran, Krishti për fenë ortodokse dhe atë katolike është perëndia i bërë njeri, i zbritur mbi tokë etj., etj.

Kur në myslimanizëm xhamia konsiderohet si një vend i thjeshtë për mbledhje, kristianizmi i konsideron kishat frone të Zotit, ku manjifikohet perëndia dhe minimizohet qenia njerëzore, skllavërohet shpirti dhe shtypet ai dhe fiziku i tij nën një liturgji të tmerrshme e pompoze, nën një luks të shfrenuar të klerit dhe të katedraleve, nën një praktikë të tmerrshme të përditshme që i është qepur besimtarit, që kur lind dhe deri sa vdes. Besimtarit sa është gjallë, kisha jo vetëm i merr pasurinë nëpërmjet një mijë zakoneve grabitëse, praktikës frymëmbytëse dhe skllavërimit brutal ndaj asaj, klerit dhe fesë, por kisha, nëpërmjet një mijë teorive animiste, përpiqet të ruajë tek njerëzit edhe kultin, edhe praktikat “e shpirtit të të vdekurit” të katër deri gjashtë mijë vjet më parë, siç janë çuarja në varre e grurit, kuleçve e zahireve të ndryshme, të cilat, natyrisht, grumbullohen në mbrëmje nga priftërinjtë dhe ua shesin në mëngjes besimtarëve, u marrin kështu këtyre shpirtin, u rrjepin lëkurën. Feja kristiane duhet thënë se është më e egra, më reaksionarja.Por të gjithë derrat një fytyrë kanë.

Lufta kundër feve, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje në zakonet, në traditat, në mënyrën e jetesës, në interpretimin e fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur për shekuj me radhë te fusin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejmë me gëzimet, me hidhërimet dhe me shfaqjet e përditshme të jetës së njeriut.

Neve pra na bie detyra që të studiojmë me imtësi, ku dhe qysh shfaqet ky helm, në ç’forma, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato. Këto ne duhet t’i analizojmë që kur lind i vogli, i cili pagëzohet, bëhet synet etj., që kur martohet njeriu, ngjarje kjo që lidhet me shumë zakone në të cilat ka depërtuar zakoni kishtar si krimbi brenda mollës së kuqe. Duke i njohur këto, këtej duhet të fillojë lufta e studiuar sistematike ideologjike, politike, organizative, pa pushim, pa pushim.

Duke i njohur këto, duke njohur terrenet konkrete ku zhvillohen, ne duhet të ndërtojmë leksione filozofike të bazuara, reale, jo tekste të rënda filozofike që as nuk shpjegojnë gjë dhe as që i kupton njeri. Çdo gjë, për këtë çështje sidomos, ne duhet t’ia përshtatim vendit, njerëzve, zakoneve dhe kapacitetit i intelektual të vendit tonë.Të mos kopjojmë gjëra që nuk i përshtaten realitetit tonë.Të mos anticipojmë në gjëra dhe në mendime që mund të mos jenë as të nevojshme për gjendjen tonë.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses. Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologjia e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologjia e shovinistëve grekë që pushtonin në kohët e kaluara vendin tonë dhe feja katolike me qendër Vatikanin ka qenë ideologjia e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian.

Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, në mos drejtpërsëdrejti, gjatë shekujve është ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe me ata klerikë reaksionarë të çdo besimi që u shërbenin atyre.Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidhur me fetë, pse këto, në parim dhe në fakt, kanë qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar.

Gjatë historisë së popullit shqiptar ka pasur klerikë patriotë që edhe pa e mohuar haptazi besimin e tyre, kanë qenë të lidhur me popullin dhe me idenë e çlirimit kombëtar, por në asnjë kohë feja si fe nuk ka qenë tek ne një faktor, jo vetëm përparimtar, por as edhe të ketë dhënë ndihmën më të vogël në çlirimin kombëtar. Ky pra është një tjetër argument me baza historike që ne s’duhet ta lëmë pas dore në luftën tonë kundër fesë.

Duke pasur parasysh të gjitha çka thamë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesin, besimet e tyre. Puna me ta do të jete një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën të mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer këtë në gëzimet e jetës.

Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra, por ato ekzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa a ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, ekzaltuese, duhet të evitohen.Çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të zaptosh xhamitë dhe kishat me fushatë dhe me një urdhër, është punë e lehtë, por duhet menduar edhe për pasojat në popull.Pasojat e këqija evitohen duke përgatitur me kujdes popullin, që ai ta kuptojë këtë kotësi, ta zhdukë fenë nga zakonet e jetës, të braktisë me bindje praktikat e saj.Atëherë për të s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti ose hoxha.Kjo është një punë më e rëndë, por më e sigurt.Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen.Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë, jo me dhunë, me bujë dhe pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht dhe politikisht.

Në këto situata revolucionare kemi marrë vesh se kryesia e klerit bektashian dhe ajo e klerit mysliman u kanë lëshuar një qarkore të gjithë hoxhallarëve e dervishëve të heqin çallmat e taçet, të heqin xhybet dhe të dorëzojnë teqetë e xhamitë.Këtu nuk ka asnjë shtytje, asnjë presion, qoftë edhe sugjerim nga ana e shtetit.Kjo është krejtësisht një iniciativë e tyre.A është kjo një iniciativë e mirë nga ana e tyre? Po të na kishin pyetur, ne nuk do t’i këshillonim ta bënin, por tash që e bënë, ne as nuk u themi ta tërheqin, por vetëm duhet të dihet dhe, kur e kërkon rasti të shpjegohet që kjo është iniciativë e vetë klerikëve.

Këtë çështje duhet ta kini kujdes se elementët armiq mund ta përdorin kundër pushtetit. Duke i njohur këta klerikë, ne mendojmë se për këtë zell që kanë treguar nuk janë shtyrë nga ndonjë qëllim i keq, pse ata janë të lidhur me popullin dhe me pushtetin. Gjesti i tyre, sido që i shpejtuar, prapë i shërben interesit të përgjithshëm. Ai është një gjest patriotik dhe i guximshëm nga ana e tyre, pse pavarësisht se do të vazhdojnë të besojnë në fe, ata thyen një traditë shekullore gjë që i nderon ata, pse në vetvete është një mendim dhe vendim përparimtar.

Por, do të ishte më politike që ata të kuptonin dhe të ndihmonin, duke ndjekur me kujdes taktikën dhe strategjinë e partisë, në luftën kundër feve. Do të ketë njerëz në popull që nuk do t’i aprovojnë veprimet e këtyre klerikëve. Ne nuk duhet të qëndrojmë sehirxhinj, por t’i mbrojmë në qëllimet e tyre të mira dhe shumica e popullit, e në radhë të parë të rinjtë dhe të rejat, do t’i aprovojnë. Kjo ka rëndësi të madhe. Por, nga ana tjetër, ka rëndësi që kjo çështje të mos bëhet një problem kapital dhe të diskutohet: duheshin prishur kishat dhe xhamitë, bënë mirë këta klerikë apo nuk bënë mirë? Çdo gjë për këtë duhet të kalohet dhe të bëhet pa bujë, me durim, me konsekuencë, në rrugën që ju shpjeguam më lart.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

ENVER HOXHA

***************

Dokumenti i dytë. Raport informativ: Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe Disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj (30. 08. 1967)

Pas Kongresit të 5-të të Partisë dhe sidomos pas fjalimit të shokut Enver të 6 shkurtit, në gjithë vendin po zhvillohet gjerësisht lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.

Kjo luftë zhvillohet në kuadrin e thellimit të mëtejshëm të revolucionit ideologjik, është luftë e thellë klasore midis dy botëkuptimeve, midis dy ideologjive, me objekt që të çrrënjosë botëkuptimin fetar si një nga bazat e fuqishme të ideologjisë reaksionare, për të edukuar masat me botëkuptimin materialist marksist-leninist. Lufta zhvillohet jo vetëm midis nesh dhe armiqve, por kryesisht në gjirin e popullit e të Partisë, dhe në një terren mjaft të ndjeshëm e delikat.

Ajo dallohet nga këto karakteristika kryesore: a) Zhvillohet në një front të gjerë në qytet e në fshat, në gjithë shtresat e popullit. b) Dallohet nga aksione goditëse direkte, jo vetëm kundër fesë si botëkuptim reaksionar, por dhe kundër bazave që kanë ruajtur dhe ushqyer fenë. c) Nga pjesëmarrja e gjerë e masave të popullit në këto aksione, nga diskutimi popullor mbi kotësinë dhe dëmin e besimeve fetare.

Pra lufta kundër fesë ka marrë të gjitha tiparet e një lëvizjeje të gjerë me karakter të theksuar ideologjik. Në këtë fushë në vendin tonë po kryhet një hop i madh revolucionar i paparë deri tani në historinë e vendeve socialiste.

Sigurisht ky hop i madh nuk është i rastit. Ai është rezultat i gjithë punës 25-vjeçare të Partisë.Qysh në fillim Partia edukoi anëtarët e vet dhe masat me frymën e ateizmit.Mbas çlirimit mori masa të rëndësishme. Ndarja e fesë nga shteti dhe nga shkolla, kufizimi i vazhdueshëm i institucioneve fetare, kufizimi e pastaj likuidimi i mundësive për përgatitjen e kuadrit fetar, duke mbyllur edhe institucionin përkatës, ndalimi i botimit të literaturës fetare etj.,përbën një faktor të rëndësishëm pozitiv për luftën kundër fesë. Por kryesore është puna e madhe e partisë për të përhapur arsimin e kulturën, për të zhdukur injorancën, për të përhapur njohuritë shkencore në të gjitha fushat dhe shumë masa të tjera me karakter ideologjik.Të gjitha këto përbëjnë një periudhë të tërë ndryshimesh sasiore të domosdoshme që po çojnë në ndryshime cilësore.

Ka rëndësi të veçantë fakti që Partia dhe KQ si kurdoherë gjykoi mirë gjendjen shpirtërore të masave, gjeti momentin e duhur për të hedhur parullën e luftës në front të gjerë dhe që jeta po e vërteton plotësisht të drejtë. Lidhur me këtë një ndihmë e madhe ishte dërgimi i letrës së shoku Enver të datës 27 shkurt, ku jepen orientime për zhvillimin sa më të drejtë, pa gabime dhe me sukses të luftës kundër fesë, paragjykimeve dhe zakoneve prapanike.

Me gjithë periudhën e shkurtër mund të bëhet një bilanc i rezultateve të para, të nxirren disa konkluzione e probleme se si e ku duhet të thellohet më tej kjo lëvizje.

1) Lufta në fillim u drejtua kundër bazave të vatrave fetare. Më parë për të marrë disa kisha e xhami kryesore, kurse pastaj masat e popullit shkuan më tej për t’i marrë të gjitha ato.Kjo iniciativë nga poshtë u mbështetu fuqimisht nga lart, nga komitetet dhe organizatat bazë të partisë dhe atyre të masave.

Në një kohë relativisht të shkurtër iu dha tronditja e parë vatrave të ideologjisë fetare. Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Bashkë me institucionet fetare u mor në dorëzim pasuria e tyre. Me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 4263 të vitit 1967 pasuritë e paluajtshme të komuniteteve fetare kaluan në pronë shtetërore, ose u janë dorëzuar kooperativave. Kishat, xhamitë etj., që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti ishte 1, 959.307 (lekë të reja).

Krahas kësaj ato posedonin edhe disa sasi bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj.Kështu p.sh.vetëm 8 manastiret kishin 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha, kryegjyshata posedonte 34 dynymë tokë që i kaloi NBSH-së “Gjergj Dimitrov” etj. Një pasuri tjetër e luajtshme dhe e paluajtshme vazhdonte të ishte në duart e tyre.Kjo arrinte në mbi 6 milionë (lekë të reja), nga të cilat 2,150,000 milionë i kishin teqetë bektashiane.(Në këto pasuri përfshihen ndërtesat e banimit me aksesorët, mullinjtë, dhjetëra dyqane e magazina të tyre, pajisjet e brendshme me shtretër të manastireve etj.).Shteti u lehtësua gjithashtu nga subvencioni që bënte çdo vit për pagesat e rrogave e të pensioneve të një pjese të mirë të klerikëve, shifër kjo që arrinte çdo vit në 300,000 lekë të reja.

Ky është një sukses i madh. Kjo qe goditja më e papritur për fenë.Rëndësi të madhe ka fakti që Partia edhe në këtë çështje ndoqi vijën e masave, duke siguruar në këtë lëvizje pjesëmarrjen masive të të gjithë popullit. Kjo ndikoi për zhdukjen e mjaft koncepteve të frikës e legjendave fetare të thurura në shekuj rreth “Çudirave” të vendeve të shenjta, “dënimit me vdekje” dhe “ngrirjes në vend” të njerëzve që tentojnë t’i prekin, se ato i ruan “zoti” etj., etj. Masat panë me sytë e tyre dhe mjaft besimtarë e shprehën hapur këtë, se gjithë ato legjenda rreth “vendeve të shenjta” ishin gënjeshtra të kota, dhe kjo shërbeu për edukimin e tyre. Por ky sukses me rëndësi nuk duhet aspak të krijojë mendimin se çdo gjë mori fund. Ne kemi përpara për të bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, sepse siç theksoi shoku Enver në Kongresin e 5-të, lufta kundër ideologjisë fetare është luftë klase.

Me marrjen e institucioneve fetare kanë lindur edhe disa probleme.Pothuajse të gjitha ato, megjithëse po përdoren për qëllime ekonomike e kulturore ruajnë pamjen e parë. Kjo, përveç të tjerash, në heshtje u kujton besimtarëve kishën apo xhaminë, dhe ta konsiderojnë atë gjithmonë si vend të shenjtë, dhe te brezat që rriten ndikon keq psikologjikisht. Prandaj mendojmë se disa prej tyre që pengojnë planimetrinë e sotme e të ardhme të fshatrave apo të qyteteve të prishen, dhe ku ka mundësi të bëhen ndërtime të reja.Po kështu të prishen ato që janë në rrezik shembjeje, të vjetra, dhe që s’kanë asnjë vlerë historike dhe arkitektonike. Sipas mundësive të ndryshojë pamja e atyre që janë vënë në përdorim për nevoja të ndryshme, sidomos ato që përdoren e do të përdoren si kinema, shtëpi e vatra kulture, palestra etj. Nga rrethet propozohet me të drejtë që Ministria e Arsim-Kulturës (Instituti i Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës) të rishikojë kriteret që ruajnë një numër të madh kishash e xhamish pa ndonjë vlerë historike.

2) Një rezultat tjetër shumë pozitiv është likuidimi i funksionit zyrtar të klerit profesionit dhe neutralizimi i klerikëve jo profesionistë. Nga të dhënat del se në rrethe kishte 912 klerikë profesionistë nga të cilët rreth 550 hoxhallarë dhe afro 400 priftërinj, dervishë, shehlerë etj. Numri më i madh i tyre ka qenë në ato rrethe ku edhe numri i institucioneve fetare ishte më i madh, veç këtyre një pjesë e kishave e xhamive ka qenë falur nga besimtarë që bënin pjesë në këshillat e kishave apo të xhamive, numri i të cilëve arrin në disa mijëra veta.

Sipas udhëzimeve të KQ të gjithëve u është siguruar punë, por një pjesë duke qenë të moshuar, pas mbylljes së institucioneve, rrinë pranë familjeve të tyre.Shumica punën e ka filluar në kooperativat bujqësore, sepse aty kishin edhe familjet, ndërsa një pjesë fare e vogël është vendosur nëpër ndërmarrje.Në këtë drejtim nuk ka ndonjë problem. Vetëm një çështje del për disa klerikë që përfitonin pensionin dhe që kanë vështirësi ekonomike. Me bllokimin e fondeve u ndalua edhe pensioni që ata merrnin.Kjo mund të shikohet konkretisht nga organet shtetërore duke gjetur një rrugë të arsyeshme zgjidhjeje.Ka rëndësi të shikohet cili qe qëndrimi i klerit.

Në gjithë këtë lëvizje të madhe të masave kundër fesë qëndrimi i klerikëve ka qenë i ndryshëm.Një pjesë e mirë e klerit tregoi edhe në këtë rast patriotizëm, lidhjet e tij të ngushta me Partinë.

Ata të nisur nga besimi që kanë te Partia, në përparimin e vendit, mbështetën e përkrahën iniciativat e kërkesat e masave.Një pjesë tjetër, megjithëse të pabindur për drejtësinë e domosdoshmërinë e mbylljes së institucioneve fetare nga populli, u pajtuan me të ose mbajti qëndrim të heshtur.Kurse disa të tjerë i rezistuan dhe vazhdojnë t’i rezistojnë lëvizjes së masave e mbajnë një qëndrim reaksionar ndaj saj. Në mjaft raste këta në bashkëpunim me elementë të tjerë armiq brenda vendit, janë munduar të na dëmtojnë me të gjitha mënyrat. Diku, duke përfituar edhe nga dobësitë e punës politike dhe ideologjike të disa organizatave të partisë, janë përpjekur të ngrenë besimtarët kundër zhvillimit të kësaj lëvizjeje me përmbajtje të thellë revolucionare.

Veprimtaria armiqësore është përpjekur që me anë të parullave dhe një seri veprimesh reaksionare të prekë pothuajse të gjitha sferat e politikës dhe të ideologjisë së partisë sonë.Ja disa nga drejtimet kryesore të kësaj veprimtarie. Elementi armik dhe klerik reaksionar, si gjithnjë, e drejton luftën e tij kundër Partisë dhe pushtetit popullor duke hedhur parulla nga më të ndryshmet si: “Këtë që bënë këta nuk e ka bërë as turku, greku, italiani e gjermani, kur na kanë okupuar” ose “Kur të vjen fundi vete përplasesh në derë të kishës ose xhamisë, kështu që edhe kjo që bëjnë këta tregon fundin e tyre” (Kolonjë); ose “Kjo qeveri nuk i ka punët mirë me prishjen e fesë” (Gramsh-Shkodër); “Këto janë vetëm fillimi ndërsa fundi i tyre do të çojë në zhdukjen e familjes” (Vlorë) etj., etj.

Ata përpiqen ta lidhin veprimin kundër fesë me kolektivizimin dhe shkurtimin e kopshteve personale e masat e tjera të Partisë për t’i penguar ato, duke thënë se: “Komunistët po i shkatërrojnë kishat e xhamitë, tokat na i morën dhe fenë na e hoqën” (Pukë) ose “Duke prishur teqetë e kopshtet këta i hapën punë vetes” (Tepelenë) etj.

Janë përpjekur gjithashtu, të krijojnë përshtypjen se në pushtetin popullor ka dallime fesh, krahinash etj.Kështu në rrethin e Lezhës ku është më i përhapur besimi katolik janë përhapur parulla se myslimanët përkrahen, dhe për këtë shfrytëzohet edhe ruajtja e xhamisë ku vazhdojnë kërkimet për varrin e Skënderbeut.Po kështu në Pogradec e Fier marrja më parë e kishave nga xhamitë ose ruajtja si monumente e disa institucioneve është komentuar si përkrahje e një besimi dhe luftimi më me ashpërsi i tjetrit.

Në disa rrethe armiku përpiqet ta paraqesë këtë lëvizje si kopjim kinez duke thënë se “Pse imitojnë botën, Kinën” (Fier), “Këta ndjekin rrugën e Kinës” (Shkodër), ose “hoxhallarëve e dervishëve iu hoq mjekra, se tani kanë hyrë në fe tjetër, në atë të Azisë, ata janë pa fe e nuk falen” (Gramsh).

Elementi armik përpiqet të dëmtojë duke shfrytëzuar veçanërisht fenomenet e fatkeqësitë e natyrës si tërmetin, shirat dhe përmbytjet, thatësirat etj. Kështu në Sarandë e Gjirokastër qarkullojnë parulla se “Tashti që u prishën kishat e u ndoqën priftërinjtë, fatkeqësi do kemi më shumë, do të përmbyset bota”.

Përveç parullave elementi dhe kleri reaksionar kanë bërë presione direkt mbi njerëzit e Partisë. Në Vokopolë të Beratit para se të merrej kisha u vendos një fletërrufe anonime ku shkruhej: “Prishja e kishës në Vokopolë ka tronditur gjithë fshatin, të mëdhenj e të vegjël. Ai që gris këtë fletërrufe do të përgjigjet”. Në Jergucat të Gjirokastrës sekretarit të organizatës bazë i vunë natën te dera e shtëpisë një letër në të cilën e mallkonin dhe e kërcënonin për prishjen e kishës.Në Shënavlash të Durrësit disa elementë vagabondë dhe me përbërje të keqe politike qëllojnë me gur të rinjtë e të rejat e shkollës “Naim Frashëri” që kishin shkuar për të përkrahur kërkesën e rinisë së fshatit për të marrë kishën etj.

Kundër këtyre parullave e veprimeve armiqësore kanë vepruar organizatat bazë të Partisë dhe nën drejtimin e tyre organizatat e masave, duke i demaskuar ato dhe sipas rastit ndaj elementëve të veçantë është mbajtur edhe qëndrim nga organet përkatëse. Megjithëkëtë, organizatat e Partisë dhe organizatat e masave nuk duhet të bien në qetësi e vetëkënaqësi.Ato duhet të rritin vigjilencën revolucionare ndaj veprimtarisë armiqësore, të organizojnë një punë të dendur politike e ideologjike për sqarimin e masave të popullit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...