Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/03/03

Ligji për duhanin nis të mos zbatohet - gjykatat s’merren me shkelësit



Megjithëse që në hyrjen e tij në fuqi në vitin 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka dhënë rezultatet fillestare, në muajt e fundit, thonë zyrtarë që merren me mbikëqyrjen e tij, është shënuar një rritje e shkeljes në zbatim.

Inspektorët sanitarë thonë se kanë deponuar një numër të lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por ajo nuk i ka shqyrtuar ato me prioritet.

Monitoruesit e ligjit thonë se pikërisht ky fakt ka bërë që shkelja e ligjit të jetë e vazhdueshme.

Së fundi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Ligj për kundërvajtje, ku gjobat deri në 500 euro mund të shkruhen nga vetë inspektorët sanitarë, duke e futur ligjin në fuqi që prej fillimit të vitit.

Arben Lila, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), thotë se miratimi i ligjit ka mundësuar që lëndët e gjobave deri në 500 euro të mos trajtohen më në gjykata..

“Nëse nuk paguhet gjoba, fillon procesi me përmbarues, dhe ky proces është shumë i suksesshëm. Ligji për kontrollin e duhanit ka një rënie, por muaji shkurt do të jetë muaji për kontrollin e duhanit. Ne, si KADC, jemi për rritje të vetëdijes së qytetarëve përmes fushatave të ndryshme, për dëmin që shkakton duhani. Ne kemi marrë edhe lista të shkelësve dhe po i publikojmë vazhdimisht”, bën të ditur Lila.

Në anën tjetër, Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar deklaron për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Ligji për kundërvajtje tashmë ka hyrë në fuqi, dispozitat ligjore kërkojnë që duhet të kalojnë rreth 6 muaj deri në zbatimin e tij.

“Pas aprovimit të Ligjit për kundërvajtje, inspektorati sanitar do të fillojë me procedurat e zbatimit të këtij ligji dhe aty parashihen të gjitha veprat kundërvajtëse. Së pari duhet të rregullohet aspekti administrativ në zyrën e kryeministrit, lidhur me përgatitjen e aspektit administrativ të një kodi të posaçëm për shqiptim të gjobave. Gjithashtu, duhet bëhet edhe trajnimi i inspektorëve”, thotë Tërshnjaku.

Ndërkaq, Arben Lila thotë se disa komuna në Kosovë e zbatojnë me përpikëri Ligjin për kontrollin e duhanit, duke specifikuar atë të Drenasit, si lider për respektim të këtij ligji.

“Ligji kryesisht nuk po respektohet, por ka edhe komuna që po e zbatojnë. Një shembull i mirë është komuna e Drenasit, pasi aty po respektohet shumë mirë, si në lokale afariste, po ashtu edhe institucione”, shprehet Lila.

Ndryshe, Inspektorati Shëndetësor në vitin 2016 ka bërë edhe 582 inspektime, nga të cilat 210 janë kryer në institucionet publike shëndetësore – duke shënuar 16 raste të shkeljeve.

Nga 370 inspektime në institucionet private shëndetësore, është shënuar vetëm një rast i shkeljes së ligjit.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë shqiptuar masa ndëshkimore në vlerë të përgjithshme prej 3500 eurosh për 7 persona përgjegjës të institucioneve shëndetësore

Kosovës po i ikin kuadrot mjekësore


Institucionet e shëndetit publik në Kosovë po përballen me fenomenin e ikjes së mjekëve specialistë nga vendi.

Kuadri specialistik mjekësor po tregon interesim për punësim në vende të ndryshme të botës, ku pagesat janë shumë më të mira. Edhe infermierët, në shumë raste, kanë ndjekur rrugën e mjekëve specialistë.

Ndryshe, nevoja për mjekë e infermierë në Kosovë, konsiderohet e madhe. Vetëm në Qendrën Klinike Universitare, janë më shumë se 30 mijë vizitorë gjatë ditës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me Gertruda Dylën, mjeke specialiste e kardiologjisë, e cila ka vendosur që karrierën e saj prej kardiologe ta zhvillojë në Gjermani. Ajo, që nga viti 2011 punon në një spital privat për kardiologji.

“Në Gjermani kam filluar punën duke iu falënderuar referencave ose rekomandimeve të profesorëve gjermanë, me të cilët kam pasur bashkëpunim. Një ndër ta është Prof. Dr. Eberhard Von Hodenberg, shef i Klinikës Kardiologjike, ose origjinal ‘Herzzentrum Lahr Schwarzwald’ në Gjermani. Ai ligjëron edhe në SHBA”.

“Në Kosovë kam punuar në spitalin e Gjakovës. Nga viti 2001 deri në vitin 2011 kam ligjëruar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Institutin e patologjisë. Kam shërbyer edhe në Afganistan si mjeke”, ka treguar Dyla.

Arsyet pse ka ikur nga Kosova, sipas zonjës Dyla, kanë qenë të shumta. Por, para së gjithash ajo mendon se largimi nga vendi, vjen si zgjidhje në momentin kur vendlindja, shteti yt, nuk të ofron vendin e merituar. Në këso raste, duhet gjetur alternativa tjera, thotë ajo.
Ilustrim
“Të vendosësh që ta lësh vendlindjen, nuk është e aspak e lehtë. Mirëpo, nëse vendlindja nuk të ofron një jetë të qetë, të dinjitetshme, me shpresë dhe perspektivë për veten tënde dhe familjen tënde, atëherë mendoj se secilit prej nesh, kur na jepet mundësia, pavarësisht sfidave e vështirësive që na presin në vendin e huaj, vendos ta lëshojë Kosovën”, thotë Dyla.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se fenomeni i ikjes së stafit profesional nuk po e godet vetëm Kosovën. Sipas tyre me situatën e ikjes së stafit nga vendi përballen edhe shtetet më të zhvilluara, përfshirë edhe Gjermaninë.

Por, ashtu nuk mendon edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla. Ai thotë se në anketën e fundit që është bërë, prej 1 mijë studentëve të anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.

"Në Kosovë kemi nevojë për 5 mijë punëtorë shëndetësorë më shumë se sa që aktualisht i kemi. Në anën tjetër, vetë Qeveria e përkrah ikjen e tyre jashtë vendit. Ne i shkollojmë, i përgatisim dhe më pas i dërgojmë të gatshëm në shtetet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë Syla kohë më parë për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Qytetarët shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për shërim jashtë Kosovës


16x9 Image

Ariana Kasapolli - Selani


Qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për trajtime mjekësore jashtë vendit.

Këto shifra i ka dhënë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke u thirrur në statistikat e bankës Botërore. Sipas tij, shërbimet mjekësore në vend vazhdojnë të mbesin të mangëta, andaj edhe qytetarët kërkojnë trajtime jashtë Kosovës.

“Konsiderojmë se për shkak të politikave që i kemi dhe mos marrjes së shërbimeve shëndetësore, shpenzohen 120 deri 150 milionë euro në vit nga qytetarët në spitale private (jashtë Kosovës). Sikur këto të holla të investoheshin brenda vendit, shërbimet do të ishin të mira. Këto shifra i ka publikuar Banka Botërore”, ka thënë Syla.

Përveç rasteve individuale të kërkimit të shërbimeve mjekësore jashtë vendit, një pjesë e tyre referohen për shërim jashtë edhe nga vend institucionet e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, gjatë vitit 2016, ka ndarë rreth 6 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Lulzim Uka, zyrtar për informim tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur 1958 aplikime për shërbime shëndetësore jashtë vendit, të formave të ndryshme. Prej tyre, kanë përfituar 1100 pacientë. Kurse shpenzimet për mbulimin e këtyre rasteve kapin shifrën prej 8 milionë euro.

“Buxheti ka qenë 6 milionë euro, derisa pjesa tjetër është bartur si borxh për këtë vit, gjë që dëshmon se ky buxhet nuk mjafton. Ministria e Shëndetësisë në baza ditore po punon në ngritjen e infrastrukturës në mënyrë që të ketë sa më pak nevoja për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Uka.

Në anën tjetër, zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë se rastet që nuk trajtohen brenda kësaj qendre, si institucion terciar referent për tërë Kosovën, referohen për trajtim jashtë vendit.

“Në kuadër të secilës klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet që duhet trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore. Sëmundjet ndërlidhen kryesisht me leukeminë, por edhe me transplantet që nuk mund të kryhen (këtu)”, ka thënë Fazliu.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, interesimi më i madh për trajtime jashtë vendit, është në citostatik me 187 aplikime, brakiterapi me 34, kardiologji me 637 aplikime.

Po ashtu, interesim për trajtim jashtë ka edhe për kardiokirurgji me 36 , kirurgji me 45, leukemi me 35, nefrologji me 23 aplikime, neurologji me 49, oftalmologji me 341, onkologji me 12, ORL me 42, ortopedi me 299, pediatri me 132 dhe të tjera, ku përfshihen 21 pacientë që kanë aplikuar për trajtim jashtë Kosovës.

“Koncesionimi” i klinikave të QKUK-së



Një ide e mëhershme për dhënien me koncesion të një pjese të Qendrës Klinike Universitare, që nënkupton një partneritet publiko-privat me qëllim të “rimëkëmbjes së saj”, është ringjallur sërish, sado që udhëheqës të institucioneve shëndetësore në vend thonë se “kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme tani për tani”.

Koncesionimi i një pjese të Qendrës Klinike Universitare, thonë ndërkaq zyrtarë të shëndetësisë, do të “nxirrte nga kriza vetë Klinikën.

Por, Ministria e Shëndetësisë thekson se është e përqendruar në një numër çështjesh të tjera “më emergjente”, sado që nuk e ka mohuar faktin se për “partneritetin publiko-privat në QKUK, është folur në të kaluarën”.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se kjo temë nuk është prioritet i institucionit.

”Tash për tash po punojmë në fuqizimin e shërbimeve aktuale, hapjen e shërbimeve të reja dhe fillimin e mbledhjes së premiumeve për Ligjin për sigurime shëndetësore. Për çështjen e koncesionimit, tash për tash, nuk është diskutuar diçka konkrete".

"Partneriteti publiko-privat është i paraparë me ligj, por nivelet më të larta shtetërore vendosin dhe përcaktojnë fushat e interesit dhe diskutojnë ku do të futen në partneritet”, tha Hoti.

Por, mundësia e koncesionimit të klinikave, brenda QKUK-së, thotë anëtari i bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli, do të shënonte “një kapitull të ri për sistemin shëndetësor”.

"Gjasa ka dhe është e dobishme në këto rrethana që i ka Kosova e sidomos fusha e shëndetësisë. Ne kemi problem me infrastrukturën ligjore dhe unë mendoj që duhet të amandamentohen ligjet dhe t’i jepet një natyrë më specifike shëndetësisë, siç është Ligji i prokurimit, dhe më pas të përfshihen Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Parlamenti, që të bëhen amandamentime në mënyrë që t’i jepet mundësi institucioneve shëndetësore që të hyjnë në formën e partneritetit publiko privat".

"Por, edhe formën e lizingut që po ashtu është një lloj partneriteti e që ka mundësi të merret aparatura falas nga kompanitë e ndryshme dhe me çmimin e tregut të merren reagencat dhe shërbimi sidomos për diagnostikën e që mendoj se është ‘thembra e Akilit’. Kjo është edhe arsyeja që çalon shëndetësia”, ka thënë Veseli.

Ideja për një partneritet publiko-privat, që do të fuste nën koncesion disa klinika të QKUK-së, megjithatë nuk është parë si një ide e mirë nga udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

"Unë do të apeloja tek qeveritarët që as të mos provojnë një gjë të tillë të dhënies së klinikave në duar të privatëve. Kjo do të sillte pasoja të paparashikueshme në shëndetësi. Do të zhvateshin pacientët, por edhe vetë punëtorët shëndetësorë do të kishin një disbalanc. Dikush do të merrte me mijëra euro, e dikush do të merrte paga mizerable çfarë edhe janë tash”, ka thënë Syla.

Sipas tij, ‘dhënia me koncesion e shëndetësisë publike nuk është treguar e suksesshme as në vendet e Bashkimit Evropian’.

"Koncesionimi nuk është treguar i suksesshëm as në shtetet më të zhvilluara si Gjermania. Edhe sot ata janë në krizë me punëtorët shëndetësorë. Shëndetësia është e shtrenjtë në përgjithësi. Dhe në qoftë se mendojnë se mos -ndarja e buxhetit adekuat për shëndetësinë, zgjidhje është koncesionimi, atëherë mendoj se është gabim. Ne jemi shumë kundër. Kemi marrë pjesë edhe në debate kur është diskutuar për këtë gjë, por ne gjithmonë kemi qenë kundër”, ka thënë Syla.

Por, anëtari i Bordit të SHSKUK, Shemsi Veseli, thotë se “pikërisht përvojat e Bashkimit Evropian janë treguar të suksesshme në koncesionim”.

"Konsideroj se përvoja e BE-së me formën e lizingut ka treguar sukses, pasi aparatura e tyre merret në shërbim tonin, derisa reagencat dhe rentgeni paguhet me shuma simbolike nga qytetarët. Por, tash me miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore çështja e pagesës do të rregullohej”.

Sistemi publik shëndetësor prej vitesh përballet me mungesë buxheti, ndërkohë që Qeveria e Kosovës i ka dedikuar kësaj fushe 180 milionë euro për vitin 2017.

Ky sistem ndërkaq, vlerësohet nga vetë instituconet shëndetësore, se vuan nga “mungesa e barnave nga lista esenciale, si dhe mungesa e aparaturës sidomos për diagnostikim të sëmundjeve".

Por, së fundi, Qendra Klinike Universitare të Kosovës së bashku me zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e marrjes së një kredie prej 50 milionë eurosh, në mënyrë që të blihen aparatet e nevojshme.

16x9 Image
  Ariana Kasapolli - Selani

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Vuk Jeremiq kërkon dorëheqjen e Aleksandër Vuçiqit

Vuk Jeremiq

Kandidati për president të Serbisë, Vuk Jeremiq, ka kërkuar sot nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuiçiq, që të paraqes dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi garon për president të Serbisë.

Jeremiq, po ashtu, ka kërkuar që Vuçiq ta zhbllokoj Parlamentin e Serbisë.

Mëtutje, Vuk Jeremiq ka kërkuar nga Vuçiqi, që të mundësoj mbajtje të lira të zgjedhjeve presidenciale dhe ka paralajmëruar se së bashku me ata që e mbështesin, nëse zgjedhjet nuk janë të lira, do të ndërmarrë hapa në mbrojtje të rendit kushtetues.

Zgjedhjet presidenciae në Serbi mbahen më 2 prill.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, Federica Mogherini do të vizitojë nesër Kosovën.


 Federica Mogherini

Gjatë vizitës,Federica  Mogherini do të takohet me autoritetet politike, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Isa Musta dhe udhëheqësit e partive politike parlamentare, përfshi ato opozitare.

Në agjendën e dërguar nga Zyra e BE-së, konfirmohet se ajo do të vizitojë urën e Mitrovicës, ku kohët e fundit kishte zhvillime dramatike në lidhje me ndërtimin e parkut mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit. Aty, Bashkimi Evropian është i përfshirë në projektin për lëvizjen e lirë mbi dhe përreth urës kryesore mbi lumin Ibër.

Njëherësh, vizita e Mogherinit vjen në kohën e zhvillimeve tjera politike në Kosovë, siç janë paqartësitë rreth ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, si kusht i Kosovës për t’u përfshi nëliberalizimin e vizave.

Mogherini është ndërmjetësuese edhe në procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, dhe pritet që ajo të adresoj edhe çështjen e marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë në procesin e dialogut të Brukselit.

Vizita e Mogherinit në Kosovë po realizohet në kuadër të një turni që ajo po zhvillon në rajonin e Ballkanit.

Kosova me mbi 700 raste të tuberkulozit, prin Prishtina


Ilustrim


Të paktën 700 persona në Kosovë janë të prekur nga tuberkulozi, duke e bërë vendin më të prekur nga kjo sëmundje në mesin e shteteve të rajonit dhe në Evropë.

Institucionet shëndetësore në Kosovë thonë se zona më e prekur me tuberkuloz është Prishtina, për shkak të numrit të madh të banorëve, ndërkohë që sëmundja është shtrirë edhe në Komunën e Podujevës, Lipjanit, në Ferizaj dhe Kaçanik.

Profesionistët shëndetësorë thonë se veçanërisht mosha e të prekurve me tuberkuloz është shqetësuese sepse ajo sillet ndërmjet 14 deri në 34 vjeç.

Ata thonë se shkaktarët që çojnë tek sëmundja e tuberkulozit ndërlidhen me mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe sidomos me kushtet dhe rrethanat e jetesës në Kosovë.

Rukije Mehmeti, pulmologe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se është shqetësues numri i madh i të prekurve me tuberkuloz.

"Kosova i takon vendeve mesatarisht të zhvilluara, dhe tuberkulozi paraqet problem. E keqja është se po prek moshën 15 deri në 34 vjeç dhe po paraqet problem madhor në vend. Edhe më tutje kemi donacione, por që po shkurtohen çdo vjet fondet, megjithëse Fondi Global prej vitesh e ndihmon luftimin e tuberkulozit.”, thotë Mehmeti.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se po përcillet vazhdimisht situata epidemiologjike, dhe tuberkulozi është vënë me theks të veçantë e prioritet të lartë. Sipas drejtuesve të Institutit, po bëhën përpjekje për ta mbajtur nën kontroll sëmundjen dhe për ta luftuar atë.

Në anën tjetër, Majlinda Gjocaj, menaxhere kombëtare për tuberkuloz, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ndonëse numri i të prekurve me sëmundjen e tuberkulozit ndër vite po shënon rënie, përsëri numri i të prekurve mbetet i lartë, krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropën.

"Tuberkulozi ngjitet përmes rrugëve të ajrit dhe është vështirë të eliminohet. Ne kemi arritur ta ulim numrin e të prekurve meqë në vitin 2016 kanë qenë 60 raste më pak se një vit më parë, kur numri i të prekurve ishte 717 raste. Janë 40 pacientë në 100 mijë banorë, e që është numër i lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës. Ministria e Shëndetësisë e përkrah programin e Fondit Global për tuberkulozin me barnat e linjës së parë. Ne kemi nisur blerjen e tyre", tha Gjocaj..

Kohë më parë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se patologjia e sëmundjes së tuberkulozit në Kosovë në krahasim me rajonin ende është shumë e shprehur, por qe zotuar për përkrahjen e punës së profesionistëve shëndetësorë dhe blerjen e barnave të nevojshme. (REL)

 16x9 Image


Ariana Kasapolli - Selani

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...