Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/29

Richard Grenell, de facto kryeministër i Republikës së Kosovës



Ajo që ndodhi në Kosovë me mocionin kundër qeverisë Kurti, po zbulohet dita-ditës se ishte një pazar i pastër i skalionit të vjetër të politikës kosovare për të hequr nga drejtimi një njeri dhe forcë jo komode.

Katër letrat formale të Presidentit Hashim Thaçi për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin provuan një inskenim grotesk zgjidhjes juridike për situata që kërkojnë vetëm zgjidhje politike.

Kërkesa për zgjedhje e Kurtit është e vetmja logjike pasi në kushtet e një mocioni të motivuar nga gjoja antiamerikanizmi, pra një aspekt retorik ipolitikës së jashtme, nuk i qëndron asnjë arsyetimi shtetformues.

E ndërkohë që Hashim Thaçi ka njoftuar se do të nisë konsultimet javën që vjen pa Vetëvendosjen, Isa Mustafa i LDK-së del në skenë me rolin e tij më të arrirë: atë të hienës politike. Sot z. Isa Mustafa ka deklaruar se nuk përjashton që të jetë kandidat për kryeministër, duke sinjalizuar se çfarë lloj kryeministri do të jetë.

Pas takimit dyorësh të Kryesisë, Isa Mustafa ka theksuar se nëse LDK-ja vjen në pushtet hapi i parë i saj do të jetë heqja e reciprocitetit, ashtu siç ka kërkuar i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun, Richard Grenell



Ndërkohë në stilin tipik shqiptar, në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së nuk është ftuar fare nënkryetarja e kësaj partie Vjosa Osmani, zëri kundërshtues brenda partisë për koalicionin me AAK-në e Nismën.

Isa Mustafa vepron në duet me Hashim  Thaçin, teksa një prej drejtueve të PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se nuk mund të ketë qeveri pa partinë e tij.

Çfarëpo ndodh duket në dritën e diellit: Richard Grenell është kryeministri i ri i Kosovës, në mëkëmbje të të cilit janë dorasët politikë të Kosovës.

Vetë  Albin Kurti ka akuzuar të Dërguarin amerikan se qëndron pas rrëzimit të qeverisë së tij dhe se po ashtu qëndron pas idesë së ndarjes së Kosovës, diçka të cilën Grenell e mohon vazhdimisht.

Ajo që implikon keq punët është statusi i Grenell, si i Dërguar i Posaçëm i Presidentit Trump që po do me çdo kusht të imponojë marrëveshje akomoduese për Serbinë në mënyrë që ajo të japë njohjen. Trump nuk arriti ndonjë gjë të madhe me vrasjen e Kasem Soleimanit, thjesht ndërlikoi situatën në Lindjen e Mesme, tashmë ka prishur raportet me Kinën që e akuzon për koronavirusin dhe nuk ka asgjë në vijë me Europën. Atij i duhet një fitore në frontin e jashtëm dhe ka gjetur si pikë të dobët një vend si Kosova të cilës i ka hapur frontin e një debati të brendshëm.

Sigurisht që  Donald Trump i do njohur merita, apo fakti se nuk ka preferuar zgjidhjet ushtarake në politikën e jashtme, por shndërrimi i saj në një koncept pazari më jep të jap, thjeshton në mënyrë të dëmshme disa raporte që kanë histori nga pas.

Sa për koalicionin e ri në Kosovë të gjithë e dimë se çfarë përfaqësojnë PDK dhe LDK, edhe pse kushtetueshmërisht janë të mbrojtur.

Pëllumb Pipero: Vala e dytë, më e dobët. Riinfektimi, shumë i rrallë. Protokollet tona të mjekimit të CoVid-19




Në spitalet ku po kurohen të sëmurët me Covid-19, janë disa skemat e mjekimit që po ndiqen nga stafi shëndetësor. Baza e trajtimit mbetet hidoksiklorokina, e cila kombinohet me medikamente të tjera, që ndryshojnë nga një pacient te tjetri. Në një bisedë në Skype me studion e lajmeve në TvT, mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, tha se janë disa faktorët që përcaktojnë se cila skemë mjekimi ndiqet me secilin pacient.

“Skema e mjekimit që aplikojmë është në varësi të gravitetit, të moshës dhe sëmundjeve shoqëruese. Janë disa skema mjekimi. Baza e trajtimit është ajo me hidroksiklorokinë, azitromicinë, oksigjenoterapia, antikolagulantët ose holluesit e gjakut. Sipas rastit, edhe antibiotikët. Krahas hidroksiklorikinës, që është hë për hë skema bazë, kemi edhe antiviralë të tjerë si Kaletra ose Tamivir. Skemat e mjekimit janë të ndryshme në varësi të sëmundjes”, tha Pipero.

A ekziston mundësua e rikthimit të Covid-19 për herë të dytë te i njëjti pacient? Në mediat botërore ka pasur raportime të tilla, pavarësisht se kanë qenë raste të rralla. Por për Piperon, kjo shpjegohet më shumë me një riaktivizim të infeksionit, i cili mund të ketë qenë prezent te pacienti.

“Ka shumë diskutime në këtë drejtim. Mendoj që rastet e riinfektuara më tepër kanë pasur një relaps apo riakutizim të sëmundjes, apo nuk janë shëruar mirë sesa janë riinfektuar. Rënia në kontakt me virusin stimulon prodhimin e antikorpeve. Sesa ato bëhen imunitet i qëndrueshëm, kjo do disa muaj të studiohet. Në opinionin tim, rastet e rikthimit janë shumë të rralla”, tha ai.

Një valë e dytë e koronavirusit është frika e autoriteteve shëndetësore në të gjithë botën. Megjithatë, Pipero thotë se gjasat janë që një e tillë të rikthehet në fund të vjeshtës ose në fund të dimrit. Por do të jetë më e lehtë për ta përballuar.

“Asnjë nuk e dëshiron por specialistët e OBSH dhe të tjerë në mbarë botën nuk e përjashtojnë mundësinë e rikthimit të një vale të dytë të kësaj pandemie në fund të vjeshtës ose në fillim të dimrit. Ajo nuk do të ketë fuqinë e kësaj vale të parë, do të jetë më e dobët, do të prekë më pak njerëz sepse njerëzit bien në kontakt që tani me virusin, nga ana tjetër edhe popujt nuk janë të papërgatitur. Janë mësuar si të bashkëjetojnë dhe ta shmangin. Por edhe kapacitetet janë më të mëdha. Ne nuk duhet të trembemi. Kemi mundësi shumë herë më të mëdha për ta përballur me më pak kosto”, tha ai.

Përvoja me CoVid-19/Ventilatorët, masa e fundit që duhet marrë



Andre Bergmann, një mjek 48-vjeçar me koronavirus, zgjodhi klinikën e mushkërive “Bethanien”, në Moers, afër shtëpisë së tij në Gjermaninë veriperëndimore. Klinika njihet për gatishmërinë e saj për t’i vendosur pacientët me vështirësi në frymëmarrje në ventilatorët mekanikë – tipi që me tubat që shkojnë thellë në grykë.

Babai i dy fëmijëve shqetësohej se një ventilator invaziv do të ishte i dëmshëm. Por shumë shpejt, për Bergmann, ventilatori u bë i pashmangshëm.

Megjithatë, mjekët nuk e lidhën kurrë me një pajisje që do të kryente frymëmarrjen për të. Një javë më vonë, ai e kishte marrë veten dhe ishte gati për t’u kthyer në shtëpi.

Rasti i Bergmann ilustron strategjinë e mjekëve për përdorimin e ventilatorëve mekanikë. Nëse fillimisht mjekët e mbushnin kujdesin intensiv me pacientë në intubim, tani shumë janë duke eksploruar mundësi të tjera.

Makineritë që i ndihmojnë njerëzit të marrin frymë janë bërë arma kryesore për mjekët që luftojnë COVID-19, epidemia që deri më tani ka vrarë më shumë se 183 000 njerëz. Pak javë asi u shfaq sëmundja, qeveritë në mbarë botën u përpoqën të krijojnë ose të blejnë ventilatorë pasi shumica e spitaleve nuk kishin mjaftueshëm.

Gjermania ka porositur 10 000 të tillë. Administrata e Presidentit Donald Trump po shpenzon 2.9 miliardë dollarë për afro 190 000 ventilatorë. Qeveria amerikane ka kontraktuar me prodhues automjetesh të tilla si General Motors Co dhe Ford Motor Co si dhe prodhuesit e pajisjeve mjekësore, dhe dorëzimi i plotë pritet deri në fund të vitit. Trump deklaroi këtë javë që ShBA tani ishte "mbreti i ventilatorëve".

Sidoqoftë, ndërsa mjekët e njohin gjithnjë e më mirë virusin dhe atë që i shkakton trupit, shumë thonë që janë bërë më të kursyer me pajisjet e frymëmarrjes.

Reuters intervistoi 30 mjekë dhe profesionistë mjekësorë në vende përfshirë Kinë, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë përvojë në trajtimin e pacientëve me COVID-19. Pothuajse të gjithë ranë dakord që ventilatorët janë me rëndësi jetike dhe kanë ndihmuar në shpëtimin e jetës. Në të njëjtën kohë, shumë vunë në dukje rreziqet nga përdorimi i llojeve më invazive - ventilatorët mekanikë - shumë herët ose shumë shpesh, ose nga jo-specialistë që i përdorin ato pa trajnime të duhura në spitalet e mbingarkuara.

Rezultate më të mira

Mënyra të ndryshme të ventilimit përdorin maska për të ndihmuar furnizimin e mushkërive me oksigjen. Por mjekët janë të shqetësuar për ventilimin mekanik, i cili ka të bëjë me futjen e tubave në rrugët e frymëmarrjes së pacientëve për të pompuar ajrin, një proces i njohur si intubacion. Kur i nënshtrohen këtij procesi, pacientëve u jepen qetësues të fortë, për të ndaluar muskujt që aktivizohen gjatë frymëmarrjes të luftojnë makinerinë.

Pacientët më vështirësi të rëndë në frymëmarrje, të njohur si hipoksia, intubohen në ventilator për 2-3 javë, me një shans 50% me 50-% për të dalë sërish prej andej.

Situata evoluon, por sugjeron që njerëzit me COVID-19 që janë intubuar kanë pasur, të paktën në fazat e hershme të pandemisë, një normë më të lartë vdekshmërie sesa pacientët e tjerë në ventilim, që kanë edhe sëmundje të tjera si pneumonia bakteriale ose problemet me mushkëritë. Megjithatë, kjo nuk është provë që ventilatorët kanë shpejtuar vdekjen: Lidhja midis intubacionit dhe niveleve të vdekjes ka nevojë për studim të mëtejshëm, thonë mjekët.

Në Kinë, 86% e 22 pacientëve COVID-19 nuk mbijetuan në ventilim invaziv në një njësi të kujdesit intensiv në Vuhan, qyteti ku filloi pandemia, sipas një studimi të botuar në “The Lancet” në shkurt. Normalisht, studimi thotë se pacientët me probleme të rënda të frymëmarrjes kanë një shans 50% për të mbijetuar. Një studim britanik i kohëve të fundit zbuloi se dy të tretat e pacientëve COVID-19, të vendosur në ventilatorë mekanikë, ndërruan jetë dhe një studim në Nju Jork zbuloi se 88% e 320 pacientëve të COVID-19 të ventiluar mekanikisht nuk mbijetuan.

Mjekët e intervistuar nga “Reuters” thonë se ventilatorët mekanikë janë pajisje thelbësore për shpëtimin e jetës, veçanërisht në raste të rënda kur pacientët përkeqësohen papritur. Kjo ndodh në rastet e pacientëve, sistemet imunitare të të cilëve mbingarkohen nga ajo që njihet si "stuhi citokine" e inflamacionit që mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut, dëmtim të mushkërive dhe mosfunksionim të organeve.

COVID-19, sëmundja që shkakton virusi, është krahasuar me pandeminë e gripit spanjoll të vitit 1918-19, e cila vrau 50 milionë njerëz në të gjithë botën. Njësoj si atëherë, sëmundja është e re, e rëndë dhe përhapet me shpejtësi, çka i zhvendos kufijtë e shëndetit publik dhe njohurive mjekësore që kërkohen për ta trajtuar atë.

Mushkëritë që ndryshojnë

Në Vuhan, ku u shfaq koronavirusi fillimisht, mjekët në Spitalin Tongji në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong thanë që fillimisht e përdorën në fazat e hershme intubimin. Li Shusheng, shefi i departamentit të kujdesit intensiv të spitalit, tha se disa pacientë nuk u përmirësuan pas trajtimit të ventilatorit.

"Sëmundja," shpjegon ai, "i kishte ndryshuar mushkëritë e tyre përtej asaj që mund të imagjonohet". Kolegu i tij, Xu Shuyun, një mjek i specializuar në problemet e frymëmarrjes, tha që spitali u përshtat duke ndërprerë intubacionin.

Luciano Gattinoni, një profesor i ftuar në Departamentin e Anesteziologjisë, Mjekësisë Emergjente dhe Kujdesit Intensiv, Universiteti i Göttingen në Gjermani, dhe ekspert i njohur në ventilatorët, ishte nga të parët që ngriti pikëpyetjen se si duhet të përdoren ata për trajtimin e COVID-19.

"E kuptova sapo pashë skanerin e parë ... që kjo nuk kishte asnjë lidhje me atë që kishim parë dhe bërë për 40 vitet e fundit", i tha ai Reuters-it.

Në Gjermani, specialisti i mushkërive, Voshaar, shpreh gjithashtu shqetësim. “Një ventilator mekanik mund t’i dëmtojë mushkëritë”, thotë ai. Kjo do të thotë që pacientët të qëndrojnë në kujdes intensiv më gjatë, duke bllokuar shtretërit dhe duke krijuar një rreth vicioz në të cilin nevojiten gjithnjë e më shumë ventilatorë".

Midis viteve 1346 dhe 1350 u përhap një sëmundje e tmerrshme në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

Pandemia e murtajës së zezë në Mesjetë

Ilir Hashorva


Midis viteve 1346 dhe 1350 u përhap një sëmundje e tmerrshme në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

Në tetor të vitit 1347, në shumë anije tregtare që kishin ardhur nga Deti i Zi dhe kaluan nga Gjenova për në Mesina, në Sicili, njerëzit ose arrinin të vdekur, ose të sëmurë rëndë me një sëmundje misterioze. Ajo sëmundje u quajt murtaja e zezë ose vdekja e zezë, sepse viktimave u dilnin në trup njolla dhe puçrra të fryra të zeza me madhësi gati të një veze.

Në fshat, sëmundja shuhej pas rreth gjashtë muajsh, kurse në qytete zgjaste më shumë. Ajo pakësohej në dimër por rishfaqej në pranverë. Në Europë, nga një popullsi me rreth 80 milionë banorë në atë kohë, mendohet të kenë vdekur një e katërta e tyre, ose rreth 20 milionë njerëz. Nuk kishte më vend në varreza. Papa Klementi IV shenjtëroi ujërat e lumit Rhon në Francë, në mënyrë që kufomat e hedhura në ujërat e tij të konsideroheshin të varrosura sipas riteve fetare të krishtere.

Libri “Dekameroni” i Bokaços lidhet pikërisht me këtë pandemi. Në atë kohë Firencja u përfshi nga kjo sëmundje e tmerrshme, e panjohur e ngjitëse dhe shtatë vajza e tre djem, për të shpëtuar prej saj, vendosën të linin qytetin dhe të shkonin larg në rrethinat e tij, të rrinin aty për njëfarë kohe dhe, për t’u zbavitur e për të shkuar kohën, vendosën që secili prej tyre, gjatë ditëve të qëndrimit aty, të tregonte nga dhjetë rrëfenja, nga një për çdo ditë, për shokët e tij. Të dhjetë ditët që do të tregoheshin ato rrëfenja larg qytetit, i japin edhe titullin kësaj kryevepre botërore që quhet “Dekameron” e që në greqisht do të thotë dhjetë ditë. Kjo vepër u shkrua nga Bokaçoja gjatë dhe pas kësaj pandemie dhe u mbarua rreth vitit 1353. Po jap një pjesë të shkurtër nga ky libër që është në proces botimi dhe që së shpejti do të dalë në formën e tij të plotë, i përkthyer nga Ali Hashorva këtu e afro 70 vjet më parë. Ja pjesa që tregon fillimin e pandemisë:

Them, pra, se një mijë e treqind e dyzet e tetë vite kanë shkuar qysh prej kohës së mishërimit frutdhënës së të birit të Perëndisë, kur ra murtaja vdekjeprurëse në Firencen madhështore, një nga më të bukurat qytete të Italisë. Shkakun e përhapjes së kësaj sëmundjeje ose duhet ta kërkojmë në ndikimin e trupave qiellorë, ose në zemërimin e drejtë të Perëndisë, që ndofta ka dashur të na ndëshkojë për veprat tona të këqija. Kjo sëmundje, ca vjet përpara, ishte përhapur në anët e Lindjes, duke shkaktuar vdekje të panumërta në çdo vend. Pastaj, duke u kaluar pak nga pak nga njëri vend te tjetri, arriti gjer në Perëndim me pasoja të tmerrshme.

Këtu, thuajse në fillim të pranverës së vitit të sipërtreguar, filluan të shfaqeshin rrjedhimet e saj të hidhura në mënyra të tmerrshme dhe të çuditshme. Nuk vlejtën as urtësia, as masat e mara. Më kot njerëz të posaçëm pastronin qytetin nga ndyrësitë, më kot u ndalua hyrja e të sëmurëve në qytet, më kot u dhanë këshilla të shumta për ruajtjen e qytetit. Jo vetëm këto, por nuk ndihmuan as lutjet e shumta e të përvuajtura drejtuar Perëndisë, jo një herë, po kushedi sa herë prej besimtarëve, qoftë me anë procesionesh, qoftë me mënyra të tjera. Këtu kjo sëmundje u shfaq në fillim të pranverës në mënyrë të ndryshme nga ç’ishte shfaqur në Lindje. Aty, të dalët e gjakut nga hundët ishte një shenjë që tregonte vdekjen e sigurt, ndërsa këtu, në fillim të sëmundjes, pa dallim, si burrave dhe grave, u shfaqeshin ca xhumba të mëdha nëpër shalë ose nën sqetulla, disa prej të cilave ishin sa një mollë e zakonshme, disa sa një vezë, disa më të mëdha e disa më të vogla. Në pak kohë e sipër këto xhumba të mëdha, që populli i quante lunga, përhapeshin në tërë trupin. Kjo sëmundje e tmerrshme nuk shfaqej kurdoherë me të njëjtat simptoma. Ngandonjëherë shfaqej edhe me njolla të zeza, ose të zeshkëta, që u dilnin më të shumtëve, kujt të mëdha e të rralla, kujt të vockla e të dendura nëpër llërë, nëpër kofshë dhe pastaj në tërë trupin. Këto njolla, si dhe lungat që thamë, ishin shenjat e vdekjes së afërme.

Për të shëruar këtë sëmundje, nuk vlenin as këshillat e mjekëve, as barnat. Kjo sëmundje ose ishte e pashërueshme prej natyre, ose mjekët me pazotësinë e tyre (përveç mjekëve profesionistë qenë dhe një numër i madh burrash e grash që e ushtronin këtë mjeshtëri pa ditur kurrë më parë se ç’qe mjekësia) nuk ishin në gjendje të gjenin nga se rridhte, le pastaj ta shëronin. Prandaj ishin të paktë ata që shëroheshin dhe shumica, mund të them tri ditë pas shenjave të përmendura, a pak më parë, a pak më pas, vdisnin dhe në më të shumtën e herëve pa pasur as ethe, as ndonjë simptomë tjetër.

Kjo sëmundje u bë dhe më e tmerrshme kur, nga të sëmurët u ngjitej të shëndoshëve që kujdeseshin për ta, pikërisht ashtu si përhapet zjarri kur i afrohen sende të thata ose me lyrë. Lëngata shkoi edhe më tej: mjaftonte një njeri të fliste ose të rrinte me një të sëmurë, që të molepsej prej tij. Mjaftonte që ai të prekte rrobat ose çfarëdolloj sendi që kishte prekur ose përdorur i sëmuri, dhe të humbte jetën bashkë më të.

Do t’ju tregoj një gjë të çuditshme që as unë s’kisha për ta besuar, sado të besueshëm të ishin ata që do të ma kishin thënë dhe s’do të kisha guxuar ta përshkruaja, po të mos e kisha parë vetë e me shumë të tjerë.

Them se kjo sëmundje ngjitej në mënyrë të çuditshme nga njëri te tjetri. Jo vetëm njeriu ia lëshonte njeriut me lehtësi të madhe, po çka është më çuditshme, mjaftonte një send çfarëdo i të sëmurit, ose i ndonjë të vdekuri, që ta ngordhte aty për aty çfarëdo kafshe që ta kishte prekur atë send. Një ditë, siç thashë më sipër, pashë me sytë e mi një gjë të tillë: dy derra, duke parë leckat e një të vdekuri prej kësaj sëmundjeje të hedhura në rrugë, sipas zakonit të tyre, u lëshuan mbi to duke i trazuar me turi e me dhëmbë dhe pastaj i përplasën në fytyrë. Dhe, pa kaluar shumë kohë, si erdhën dy tri herë rrotull me konvulsione, ranë të dy të ngordhur mbi lecka, sikur të ishin helmuar.

Nga ngjarje të këtilla e nga shumtë tjera si këto edhe më të tmerrshme, u hyri një frikë e madhe në zemër të gjithë atyre që kishin shpëtuar nga vdekja, saqë të gjithë, pa përjashtim, shikonin si e si t’i braktisnin të sëmurët në mëshirën e fatit bashkë me plaçkat e tyre dhe të mërgoheshin syresh sa të ishte e mundur më larg, duke bërë kështu të mundur, të paktën, të shpëtonin jetën e tyre.

Kjo pra ishte murtaja e zezë që fillon e përshkruan Bokaçoja.

Por kjo sëmundje, përveç atyre që u mori jetën, pati pasoja shumë të rënda për hebrenjtë, të cilët në atë periudhë të historisë, sikurse edhe herë të tjera, fajësoheshin për të gjitha të këqijat që i binin njerëzimit.​

Fillimisht shumë njerëz e konsideruan atë sëmundje si një dënim nga Zoti dhe të krishterë, hebrenj dhe myslimanë luteshin dhe agjëronin që të purifikoheshin dhe të shpëtonin. Më pas, siç ndodh shpesh në fatkeqësi të ndryshme dhe për to kërkohen dhe “gjenden” fajtorët, të krishterët akuzuan hebrenjtë. Për ta u tha se kishin helmuar puset dhe burimet e ujërave dhe ndaj tyre filloi një goditje e egër që përfshiu të gjithë Europën. U tha se hebrenjtë kishin përzier dhe zier bretkosa, hardhuca, merimanga e zemra të të krishterëve, pastaj lëngun e kishin tharë, e kishin kthyer në pluhur dhe me të kishin helmuar ujërat.

Në shtator të vitit 1348, zyrtarët në Savojë ishin të parët që akuzuan hebrenjtë për helmimin e ujit. Të gjithë hebrenjtë e qytetit u arrestuan dhe pasuria e tyre u konfiskua. Nën mundimin e torturave, disa hebrenj pranuan se kishin helmuar burimet dhe puset e ujit për të përhapur murtajën e zezë dhe njëmbëdhjetë prej tyre u dogjën të gjallë. Ajo që filloi në Savojë, u përhap edhe në qytete të tjera. Hebrenjtë kapeshin dhe hidheshin në zjarr. Ndonëse Papa Klementi II u përpoq të ndalte vrasjet, duke thënë se hebrenjtë po sëmureshin njëlloj si të tjerët, sulmet ndaj tyre nuk pushuan. Edhe kur u gjet se sëmundja përhapej nga pickimi i morrave dhe pleshtave që më parë kishin jetuar në minj të infektuar, faji vazhdoi t’u binte hebrenjve.

Kjo, pra, ishte pandemia e mesjetës e shekullit të katërmbëdhjetë dhe kështu u kalua kjo: midis besimit fetar dhe injorancës, me dëme të mëdha njerëzore. Sot, në shekullin e njëzetenjëtë, në pandeminë e koronavirusit, jemi në tjetër situatë: mjekësia ka bërë përparime të jashtëzakonshme, ndërsa populli ka tjetër kulturë, tjetër përvojë dhe të tjera mundësi. Gjendja është serioze, por jo e pashpresë. Disiplina, zbatimi i rregullave të dhëna, është kushti kryesor në dorën tonë, të popullit, për kalimin e saj, ndonëse me mundim, por me sa më pak humbje.

Një e dhënë nga Italia që përforcon mendimin se CoVid-19 ka qenë në Shqipëri në shkurt


Mendimi i mjekëve shqiptarë se virusi CoVid-19 ka qenë prezent që në shkurt në Shqipëri gjen një konfirmim të tërthortë nga Italia. Corriere della Sera shkruan se koronavirusi është identifikuar në Lombardi të paktën që në 26 janar 2020 dhe në këtë periudhë vlerësohet se ka patur 1200 të infektuar në zonë. Nga kjo datë deri më 21 shkurt kur u deklarua rasti i parë pozitiv në Codogno ka kalur një muaj fatal gjatë të cilit virusi është përhapur masivisht dhe pa asnjë kontroll.

Përfundimi ka dalë nga vlerësimet e task-force sanitare të rajonit të Lombardisë sipas të cilës më 26 janar, Dita 0, vetëm në Milano mendohet se ishin 46 të prekur nga 543 në mbarë Lombardinë.

Tamponet për kërkimin e koronavirusit nisin të regjistrohen nga 21 shkurti, kur vendi zgjihet dhe kuptohet se epidemia ka mbërritur. Nëse shihet rritja progresive e të infektuarve, kurban nis të ngjitet pikërisht nga 21 shkurti dhe kulmon më 28 prill me 74 348 të infektuar në Lombardi. Krahas zbulimit dhe certifikimit të pacientëve pozitivë u kërkua edhe koha e simptomave të para. 9 persona kanë patur simptomat e para më 12 shkurt, 13 më 15 shkurt, 10 më 18 dhe 35 më datën 20 shkurt, një ditë para rastit të parë të konfirmuar zyrtarisht shkruan gazeta.

Nisur nga kjo analizë dhe nga fakti se pranohet gjerësisht se në Shqipëri virusi u importua nga Italia, gjen kuptim hamendësimi se në dy javët e fundit të shkurtit virusi të ketë ardhur në vendin tonë. Lidhur me përgjegjësitë mbi këtë zbulim të institucioneve tona, nuk ka se çfarë të thuhet pasi askush para rastit të Italisë nuk e mori seriozisht as edhe nisi hetim epidemiologjik.

CoVid -19 nuk u transmetua nga lakuriqët



Yossi Yovel/Maya Weinberg - Departamenti i Zoologjisë në Universitetin e Tel Avivit

Le ta nisim nga çështja më e debatuar: Nuk na e sollën lakuriqët e natës koronavirusin e fundit. As edhe kushërinjtë famëkeq të koronavirusit, Sars-1 apo MERS apo edhe virusi i Ebolas nuk transmetohen nga lakuriqi te njeriu. Çfarë ka ndodhur pra?



Një i afërm i largët i koronavirusit të tanishëm, SARS-CoV-2, u izolua në një lakuriq në Kinë. Analizat gjenetike që kërkonin ngjashmëri mes virusit në lakuriq dhe SARS-CoV-2, faktorizuar në ritmin teorik sipas të cilit viruset pësojnë mutacione, vlerësonin se të dy viruset janë ndarë dikur mes 5-50 vjet më parë. Me fjalë të tjera, një mundësi është që rreth pesë vjet më parë, koronavirusi i lakuriqit ia doli të infektojë disa kafshë të tjera – nuk e dimë ende se cilën.

Në atë kafshë tjetër, koronavirusi jetoi dhe pësoi transformime gjatë atyre pesë vjetëve dhe një ditë infektoi një njeri për herë të parë. Ka edhe hipoteza të tjera po ashtu. Shkenca nuk e di ende se ku koronavirusi zuri pusinë në pritje për pesë vjet, apo se kur u bë i rrezikshëm për njerëzit, apo se kur u infektua njeriu i parë, as edhe se cila kafshë e infektoi njeriun e parë. E vetmja gjë që shkenca di me siguri është fakti se koronavirusi i izoluar nga lakuriqi kinez nuk mundet të ketë infektuar njerëzit dhe nuk është i rrezikshëm për ta.

Ky fakt u publikua dy muaj më parë, bazuar në sekuencat genetike të lakuriqit dhe viruseve të marra nga njeriu. Kjo është po ashtu e vërtetë në rastet e SARS, MERS dhe Ebola – pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për të lokalizuar këto viruse në lakuriqë, të gjitha kërkimet gjetën viruse shumë të ngjashëm, apo të dhëna për një ekspozim të mëparshëm që nuk do të thotë se ata bartnin virusin vazhdimisht dhe sigurisht jo që ia kalonin atë njerëzve, pavarësisht raportimeve që u shfaqën në shtypin gjeneralist.

Lakuriqët e ardhur nga Ferri

Pse lakuriqët e natës stigmatizohen kaq shumë nga shtypi në lidhje me viruset? Në vitet e fundit përherë e më shumë ka patur deklarime të vendosura sipas të cilave lakuriqët bartin viruse me origjinë shtazore, që mund të infektojnë njerëzit. Por ka shkencëtarë seriozë që nuk bien dakord me këtë dhe argumentojnë se lakuriqët nuk kanë ndryshim nga gjitarët e tjerë sa i përket numrit të viruseve zoonotike që bartin, sigurisht kjo nëse konsiderohet numri i madh i specieve në familjen e lakuriqëve. Rreth 1/5 e gjitarëve në botë janë lakuriqë.

Ka disa karakteristika të lakuriqëve që i bëjnë ata të “dyshuar” kur vjen puna te viruset. Aftësia e tyre
për të fluturuar, prania e tyre në të gjitha pjesët e botës, kolonitë e mëdha të tyre dhe tufat në të cilat jetojnë; jetëgjatësia e tyre dhe afërsia me njerëzit, të gjitha këto i bëjnë ata në pamje të parë të përshtatshëm për transmetimin e sëmundjeve.

Fakti se ata janë gjitarë i rrit mundësitë që ata të jenë transmetuesit. Kjo është arsyeja pse kërkimi për viruse të rinj në lakuriqët ka nxitur entuziazmin e kërkuesve dhe sa më thellë kërkimi, aq më të mëdha janë gjasat se diçka do të gjendet.

Më tej akoma, gjetje të shumta në kohë tregojnë se sistemi imunitar i lakuriqëve është unik mes gjitarëve dhe i aftësuar në luftën kundër viruseve. Ky sistem imunitar i aftëson lakuriqët në përballjen e viruseve, përfshirë ata vdekjeprurës përmes përgjigjeve inflamuese deri diku agresive që çojnë drejt imunitetit. Si rezultat, shumë studime gjejnë antitrupa te lakuriqët – provë kjo se ata i janë ekspozuar viruseve – por pa gjetur vetë virusin.

Pa vetë virusin e gjallë, lakuriqi nuk mund të jetë një bartës dhe sigurisht nuk mund të jetë një transmetues. Kjo do të thotë se lidhja e rëndësishme në zinxhirin zoonotik të transmetimit te njerëzit mungon sërish.

Të hash një lakuriq që është sëmurë mund të të infektojë, njësoj sikur ha një kafshë tjetër të sëmurë dhe kjo gjë nuk rekomandohet. Si rregull, që të reduktosh shansin e transmetimit zoonotik të viruseve nga lakuriqët apo çdo kafshë tjeër, më e mira do të ishte që t’i hash ata rrallë dhe në përgjithësi të minimizosh kontaktet me ta; t’i lejosh të jetojnë në mjedisin e tyre natyral dhe duke mos vazhduar me invadimin e habitateve të tyre.

Është interesante të vihet në dukje se sistemi imunitar i jashtëzakonshëm i lakuriqëve me gjasë është zhvilluar për të mbështetur mënyrën e pazakontë të jetës së tyre. Lakuriqët jetojnë më gjatë se thuajse të gjithë gjitarët. Në vitin 2006 një lakuriq Brandt(Myotis brandtii) që peshonte vetëm 7 gram dhe me përmasën e një gishti njerëzor u rikap pasi ishte shenjuar nga shkencëtarët në Siberi 41 vjet më parë. Një mi i përmasave të tilla nuk do të mund të jetonte më shumë se dy vjet. Një jetëgjatësi e tillë ekstreme kërkon një sistem imunitar optimal.

Aftësia fluturuese e lakuriqëve, unike mes gjitarëve, duket të ketë kontribuuar po ashtu në zhvillimin e sistemit të tyre imunitar. Në studimet tona kemi gjetur se lakuriqë të vegjël që peshojnë jo më shumë sesa 30 gramë mund të fluturojnë për një distancë 250 km në një natë.
Energjia që duhet dhe përshpejtimi metabolik gjatë fluturimit shoqërohen nga dëmtime me natyrë oksiduese, që kërkon një sistem imunitar të përshtatshëm. Disa besojnë se është kjo arsyeja pse lakuriqët e natës zhvillojnë shumë rrallë kancer.

Shtuar kësaj, një lakuriq që largohet nga shpella e tij në mbrëmje e rrit temperaturën e trupit të tij me disa gradë në një minutë. Kjo temperaturë e rritur trupore, që arrin 40 gradë Celcius apo më shumë, mesa duket ndihmon në vrasjen e viruseve apo baktereve të padëshirueshëm.

Është e rëndësishme të theksohet se dashuria jonë për lakuriqët nuk na ka verbuar(meqë ra fjala as lakuriqët nuk janë të verbër). Ka viruse zoonotike që janë transmetuar nga lakuriqët siç është Marburgu, Hendra, Nipah dhe tërbimi i lakuriqëve…

Viruset e lakuriqëve duhet të marrin respektin që meritojnë, por nuk ka këtu asnjë arsye t’u ngarkosh lakuriqëve viruse që nuk janë të tyret.

Burimi: Haaretz

Në Prishtinë u rrëzua qeveria, në Tiranë po synohet rrëzimi i Albinit*



Skerdilajd Zaimi



Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua në Parlamentin e Kosovës, por duket sikur debati kryesor për pasojat e këtij akti po zhvillohet në Tiranë. Kaq shumë e ka provokuar rehatinë publike të Edi Ramës Kurti, saqë nuk po mbetet më kush pa shkruar. Kurti portretizohet si i rrezikshëm, për shtetin, demokracinë, të ardhmen, si aventurier, marksist. Gjithë arsenali i termave të vëna në punë pavarësisht nëse u dihet apo jo kuptimi.

Të gjithë analistët dhe gazetarët e pushtetit në Tiranë janë lëshuar me të gjithë atë që dinë duke i rënë këmbanave të alarmit se Albinizmi, apo Kurtizmi është bërthamë antiperëndimore në mes shqiptarësh.
Duhet të themi se Kurti – edhe pse me të ka shumë arsye për të mos qenë fare dakord e madje edhe kundër – ka arritur pa dashur një fitore.

Vetëm 50 ditë në qeverisjen e Kosovës dhe ai ka tërhequr pas vetes të gjithë armiqësinë e shushunjave mediatiko-politike që nuk po dinë të artikulojnë ndonjë kritikë për të qenë veç sorollatjes me terma dhe epitete të kontesktualizuara fare trashë në atë që e shpallin si interes të Kosovës. Janë po këta që i sheh përditë me shashkat karakteristike çorientuese të cilave u lexohet qoftë autorësia, qoftë porositësi.

Përveç kësaj fitoreje sasiore që do ta argëtonte këdo për numrin e zhgarravinave inatçore që po dalin në dritë pa arsye të besueshme, Kurti ka të siguruar një fitore tjetër. Dhe këtu nis problemi politik dhe publik për të. Asnjë prej këtyre që sot po shkumëzon kundër tij, sa për inat, e sa për detyrë, nuk barabitet në nivelin e diskursit politik me të. Kështu që çdo lloj publicistike që sot mëton të mitralojë verbalisht pozicionin e tij, është e dështuar sepse nuk ka mjetet dhe kapacitetin për ta bërë këtë. Është kjo arsyeja, pra paaftësia për të përballur drejtpërdrejt, që ka prodhuar në vend të kritikës, sulme dhe mëri personale.

Ky dallim i Kurtit mes politikanëve të tjerë shqiptarë, është karakteristika e tij dhe akarakteristike në një skenë mbarëshqiptare ku prej vitesh spikat krimineli, marifetçiu, gjysmë i shkolluari, abrashi të cilit nuk i vlen asnjë pasuri, servili, spiuni i ambasadave, deputeti që nuk di të shkruajë pesë radhë, kryeministri që bën pakte me krijin etj.. Ky profil ka rezonuar edhe në Shqipëri. Kurti është parë me simpati në Tiranë e më gjerë, në dallim nga alienë politikë si Thaçi, Haradinaj apo Mustafa, që thjesht nuk kanë valencë politike tej kufijve të vendit të vet. Rugova që mbetet padyshim një politikan i papërsëritshëm për stilin dhe zgjedhjen, mbeti i pakuptuar për shumë kohë.

Këto cilësi i kanë prishur z. Rama komoditetin e vet publik që konsiston në bindjen vanitoze se në hapësirën shqiptare ai është i veçantë: artist, sportist, me kulturë, intelektual, polemist, aktivist, filoperëndimor. Mund të vazhdohej gjatë me zallmahinë e virtyteteve, që në fund nuk vlejnë sepse z. Rama e përgënjeshtroi shpresën naive të shumëkujt me qeverisjen e tij që është Fatkeqësia e Shqipërisë. Ky mund të jetë pohim që mund të ndajë njerëzit, por ama një gjë e dimë të gjithë në këtë vend: korrupsioni, kriminalizimi kanë arritur përmasa të paprecedenta. Çfarë vlejtën atëherë të gjitha cilësitë e një portreti të rremë?

Krtika dhe sulmi nuk mjaftojnë. Duhet edhe alternativa. Aty ku Lulzim Basha dështoi në mënyrë spektakolare, Kurti pati sukses. Ne e mbajmë mend sa shqetësim krijoi protesta e studentëve në Tiranë, u spekullua se atë e organizoi Vetëvendosja. Ne kemi parasysh se frika e kryeministrit arriti deri aty saqë edhe për një njeri pa relevancë politike të vërtetë si Ditmir Bushati u arrit deri atysa të thuhej se do aderonte me Vetëvendosjen, duke e shpallur këtë të fundit si armike të PS-së.

Kurti pra dëshmoi se i mbijeton mirë të gjithë mekanizmit manipulues të medias në Shqipëri. Dhe kjo për një arsye tjetër fare më bazike: ai ka bërë gabime, por deri më sot nuk është dyshuar si i korruptuar. Është një dallim themelor në hapësirën shqiptare ku qeverisin hajdutët dhe banditët. Ai nuk e ka rekrutuar bazën e vet nga workshope ambasadash, por e ka krijuar duke krijuar edhe veten.

Ne duhet të kemi parasysh se qeverisemi në Tiranë nga një frikacak i pashembullt, që e di për shkak të përvojës së vet se çfarë ndodh kur në trutë e njerëzisë nis e shikohesh si i zëvendësueshëm. Si dikush që i ka kaluar koha, si një persona që dihet se çfarë do të thotë që në fjalinë e tretë. Që nga orator shndërrohet në llafazan, nga polemist(po e pranojmë sikur është e vërtetë) në xhandar të fjalimeve të veta, nga reformator në apologjet personash nën hetim dhe të kapur në flagrancë.

Zëvendësuesit fantazmagorikë si Erjon Veliaj nuk e shqetësojnë z. Rama sepse ai përfaqëson përmbaruesin e punëve të pista që nuk ka profilin e të enit dikuh që sfidon. Zoti Rama i druhet Ditmir Bushatit jo për ndonjë aftësi të veçantë, por vetëm e vetëm se Bushati nuk është njollosur në qeverinë e korrupsionit. Ose nuk është përfolur. Iu tremb Ben Blushit dikur për aftësinë oratorike dhe prezencën mediatike, aftësinë për të mos rënë në banalitete. Por e mposhti për shkak të karakterit politik, të cilin z. Blushi nuk e kishte.

Kurti është politikani i vetëm që barabitet intelektualisht, por sfidon moralisht. Kjo mund të jetë edhe çështje perceptimi, por ne shohim se z. Rama i beson perceptimit më shumë sesa analizës. Ne dimë se ai në emër të këtij perceptimi të rremë i nënshtrohet mediave të caktuara, ndërkohë që si këmbim merr mbulimin dhe heshtjen për skandalet që nuk kanë të sosur.

Sot që Kurti ra, njerëzit e tij në media nuk dinë se çfarë të thonë veçse ta përgojojnë sjelljen e ish-kryeministrit të Kosovës, por jo të merren me ndonjë nga vendimet e tij. Po flasin për një rrezik që iku, për triumfin e legalitetit dhe shumicës të përfaqësuar nga LDK dhe PDK, për fitoren e Thaçit dhe Mustafës. Po mbrojnë status quonë, atë që bëjnë përherë edhe në Shqipëri. Sepse përndryshe mbeten pa punë, sharës të palodhur që i paguhen prurësit më të parë.

Kjo nuk e bën Kurtin të imunizuar nga kritikat dhe gabimet. Edhe fajet. Por ajo që ka vlerë të vihet në dukje është fakti se qitja mediatike kundër tij motivohet nga frika e establishmentit politik në Tiranë dhe Prishtinë nga ndryshimi. Ai ndryshim që kërkon përshtatje dhe jo politikë marionetash ku interesi publik quhet i mbrojtur vetëm nëse atë e reciton çiraku i radhës.

Kjo është një përplasje që nuk mund të frenohet nga askush. As nga kombinati i të keqes që ka emrin Partia Socialiste e Shqipërisë. Ajo është vazhdim i një lufte të vjetër që i bëhet intelektualizmit në mendimin politik shqiptar, intelektualizëm që sa herë shfaqet me atributin themelor, autonominë e të menduarit, sulmohet në front nga poltika tradicionale e hosanasë në konsullata dhe demkat e mediave, që janë damka e kohës që jetojmë.

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...