2021/04/21

Flamur Hoxha,ka vlera të larta morale,humane,njerëzore dhe kombëtare

 REXHEP SHAHU

 

FLAMUR HOXHA, DEPUTETI QË E BËN POLITIKËN TË MORALSHME

 


Flamur Hoxhën, sipërmarrësin humanist që do të bëhet deputet i Kukësit me 25 prill tashmë e njohin shumë njerëz. E njohin për vlerat e larta morale, humane, njerzore.

U bënë muaj që ai takon përditë e përditë njerëz në Kukës e zona të tjera, siç pati krijuar lidhje e mijëra kontakte në rajonin e Kamzës, Paskuqanit, Lezhës, Mirditës, Laçit, Vorës e më gjërë.

I gjendshëm me këdo, i papërtueshëm, i qeshur, të sheh në sy, të dëgjon me vemendje, nuk të merr nëpërkëmbë, ka durim, ka gjithmonë kohë për tjetrin edhe pse duhet cënuar vetja, por ai ka kohë ta dëgjojë tjetrin, ka vemendje, nuk e harron hallin e tjetrit, nuk pret ta lusësh, nuk pranon lutje, nuk mban kënd zvarrë, nuk lyp vemendje.


                  Intelektual me taban komëtar : Flmur Hoxha

Është nga ata njerëz që çohet e ia lëshon vendin tjetrit, mikut.

Kur vjen ndokush në tavolinë, në zyrë, ai çohet në këmbë, e mikpret tjetrin si mbret.

Mos luaj, i them.

Sorra për sorrë lëviz, thotë ai, e nuk po lëvizka njeriu për njeriun.

Flamur Hoxha sot në Shqipëri ka luksin e privilegjin si rrallë kush tjetër që e njeh dhe nderon komuniteti i shkrimtarëve shqiptarë pasi ai është cilësuar si deputet i letërsisë, nga shkrimtari ynë i njohur Zija Çela, që i del zot letërsisë, që ka sponsorizuar për të botuar veprat e shkrimtarëve të varur e të pushkatuar nga regjimi komunist si Havzi Nela, Vilson Blloshmi e Genc Leka dhe shumë vepra të tjera të rralla të albanologjisë dhe etnologjisë.




Poeti Petrit Ruka që është artikuluesi ekselent i formulës së mirënjohjes njerzore, për këtë kontribut të Flamur Hoxhës për botimet e librave të ndryshëm dhe të revistës illz, revistë letrare e Tiranës, e ka quajtur atë si A L të kohës tonë,

Por unë sot nuk e kam qëllimin të tregoj për kontributet e pakrahasueshme me askënd të Flamur Hoxhës në mbështetje të letërsisë e botimeve të librave të rrallë të albanologjisë apo mbështetjen e pelegrinazheve të shkrimatrëve shqiptarë që bën ai. Jo, nuk është ky qëllimi.

Flamur Hoxha është model sipërmarrësi humanist, është njeriu që e ka bërë praktikë në jetën e tij, që jep me dorën e djathtë dhe nuk i tregon as dorës së tij të majtë e jo më t’u tregojë kamerave televizive apo mikrofonave, apo njerzve në mitingje, mbledhje e tubime. Vetem ai që ndihmohet prej Flamurit e din dhe Zoti, askush tjetër, pasi Flamuri nuk mburret për këtë, nuk krenohet, nuk e poshtron tjetrin duke e nxjerrë në publik se si e çfarë ndihmë i dha. Dhjetra herë më ka thënë se më fyen, kur unë artikuloj në publik falenderim për të për sponsorizimet e revistës illz apo librave të ndryshëm.





Kjo është një nga meritat më fisnike të Flamur Hoxhës njeri.

Flamur Hoxha, siç e kam shprehur, nuk ka armiq, ai nuk e mban mendjen tek armiqtë, tek ata që i kanë shkaktuar tragjedi e drama të rënda familjes së tij e atij kur ishte i mitur dhe e detyruan të rritej në internim. Flamuri përpiqet të gjejë të mirën edhe në të keq. Më ka impresionuar kur ai kujton me nderim e nuk i harron dot gjërat e mira e njerzit e mirë që ka njohur ai e familja e tij në internim fshatrave të thella të Durrësit në Shetel, në Kep të Rodonit etj, dhe nuk ka dëshirë të kujtojë gjërat e kqia e të hidhura.

Ai nuk ka kohë të urrejë askënd e të mbajë mendjen tek hakmarrja e urrejtja. Kur ia kujtoj, skuqet dhe më thotë, është e shkuar, unë nuk do të jetoj në të shkuarën e me të shkuarën, kemi të ardhme për të jetuar.



Si aristokrat i vertetë është me familjen e tij, me tre fëmijët e tij yje.

Ai nuk fyen kurrë, nuk përgojon kurrë, nuk hyn kurrë në jetën e tjetrit, në familjen e tjetrit siç rëndom jemi mësuar që politikanë të ndryshëm hyjnë edhe në familjet e në krevatet e njeri - tjetrit duke na e bërë politikën për ta vjellë.

Jo! Flamur Hoxha do ta fisnikërojë politikën, do t’i japë aromë njerzore fisnikërie e dinjiteti. Do të na vertetojë se politika ka moral me njerëz të moralshëm.

Falë punës e djersës së tij, falë dijeve natyrisht, ai është sot një nga kalorësit e sipërmarrjes shqiptare, pavarësisht se nuk paguan reklama që të na neveritet ekraneve televizive, dhe ka luksin për të mos ia shtrirë kurrë dorën askujt për asgjë sepse ka gjithçka, ka biznes të sukseshëm ndërkombëtar veç atij kombëtar për prodhim veshjesh. Do të thotë se është i pashitshëm dhe pa interesa që të lobojë e diktojë hartim ligjesh korruptivë në favor të vetes siç ka ndodhë dekadën e fundit në Shqipëri.




Për Flamur Hoxhën Po-ja është Po.

Ai di ta dëgjojë tjetrin, di të dëgjojë njerzit, ka durim të dëgjojë. Të sheh në sy, përqëndrohet komplet me tjetrin, i kushtohet tjetrit në bisedë. E jeton hallin e tjetrit, e vuan, është i sinqertë, nuk shtiret, nuk gënjen.


Flamuri është njeri që e njeh veten, ia njeh vetes vlerën e lartë morale që ka dhe të njejtat vlera e kode vlerëson tek tjetri.

Moral i lartë është të jesh vetja dhe ai është vetja, është vetja që nuk i trembet vetes së tij, që nuk i ikën vetes së tij, që ka parimet e tij të larta morale dhe që i mbron ato me dinjnitet.




Dhe unë e shumë si unë gëzojmë që ka njerëz të tillë që do të ndikojnë që jeta jonë të drejtohet nga njerëz me moral të lartë, nga njerëz të dinjitetshëm, që parlamenti ku bëhën ligjet e vendit të mos jetë gjiriz korrupsioni e imoraliteti politik e njerëzor.

Kush e njeh, pajtohet me mua se në parlamentin shqiptar do të hyjë një njeri me vlera të larta morale.



Kjo është ngjarje për mua e për të gjithë, duke kujtuar se çfarë ndodhi me parlamentin shqiptar dekadën e fundit, ku më së paku ishin të deklaruar 19 deputetë me precedentë kriminal dhe shumë të tjerë aksidentë të patolerueshme për shoqërinë tonë.

Miq, ku jeni e ku s’jeni, votoni Flamur Hoxhën. Ai është deputet i parë në listën e kandidatëve të PD në Qarkun e Kukësit. Ai meriton më shumë vota se një deputet sepse është një prurje speciale nga PD, është qytetar në thelb, është mik i njeriut, një fisnik i vertetë.

 



Si sot pesë vjet më parë, me 20 prill 2016, më vdiq nëna.

Kisha qëndruar dy vjet e gjysmë i mbyllur me nënën në shtëpi se ajo pati Alzajmër e nuk më njihte, më thoshte përditë, ma gjej shpejt Rexhepin…




Nëna vdiq por unë nuk kisha lekë për mortën. Isha pa punë se në 2013 më largoi nga puna qeveria Rama, fëmijët ishin në shkollë dhe jetonim me një rrogë.




Sa vumë në udhë ca gjëra pas vdekjes së nënës dhe do të flisja me vëllezërit që të bënim hall për shpenzimet, më telefonon Flamur Hoxha. Pasi më ngushëlloi, më tha shkurt, ma ço djalin të vijë të më takojë…




Djali shkoi menjëherë dhe ai i kishte dhënë lekë për shpenzimet e varrimit të nënës time, për arkivol, për autobuz nga Tirana në Kukës, në Bardhoc etj, etj. Unë dhe fëmijët e mi nuk mund ta harrojmë kurrë këtë mirësi…




Po shkruaja këto radhë për Flamur Hoxhën e nuk e shmanga dot këtë histori përsonale.

(Titulli i redaksisë Floripress-Pirhstinë)

2021/04/20

Gjilani do të kujtojë gjenocidin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve

Rajoni i Gjilanit, sikurse edhe rajonet tjera shqiptare, në kohë të ndryshme, ka përjetuar tragjedi, masakra dhe spastrime etnike që u ka sjell dhimbje dhe degdisje qindramijëra shqiptarëve.

Janë 746 fshatra dhe 300 mijë shqiptarë që kanë pësuar forma të ndryshme të gjenocidit dhe spastrimit etnik, prandaj dega e Shoqatës Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkombëtarë në Gjilan, do të hapë fotoekspozitë, me anë të të cilës do të kujtojë dhe do të rikthejë në vëmendje gjithë atë dhunë, gjenocid, spastrim etnik nga forcat kriminale serbe.

Kjo fotoekspozitë, do të hapet më 8 shkurt, në orën 16.16, në Teatrine Qytetit në Gjilan!

Ky është njoftimi i degës së Shoqatës Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkombëtarë në Gjilan:

SHOQATA SHQIPTARE E MUHAXHIRËVE MBARËKOMBËTAR
dhe DEGA E KËSAJ SHOQATE NË GJILAN

Hap Fotoekspozitën, më 9 shkurt 2018 (e premte), në ora 16:16 në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
Ekspozita mbështetet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kryetari i Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri
Ju ftojmë të merrni pjesë ne hapje dhe ta vizitoni Ekspozitën deri më 20 shkurt 2018.

Ardhja Juaj dëshmi e dhimbjes për 746 fshatra dhe mbi 300 mije shqiptare të kësaj treve të përndjekur, të dhunuar, të vrarë, të masakruar, të djegur nga pushtuesi çetnik serb…

 

poEZI “PANDEMIA 2020”/Poezi nga Naxhije Doçi

 



Njoftim:

Më 31 dhjetor 2020 doli nga shtypi libri i radhës, libër me poezi, të poetes Naxhije Doçi nga Prishtina, me titull: “PANDEMIA 2020”. Poezitë janë me tematikë për jetën e rëndë dhe me shumë përjetime të shumta shëndetësore në Kosovë dhe në krejt planetin tokë gjatë vitit 2020, nga sëmundja globale-Pandemia, nga Korona Virusi Covid-19. Sipas recenzuesit, Ramë Oraca: “Kjo përmbledhje poezish të poetes Naxhije Doçi mbase është nga librat e parë të kësaj natyre që shkruhet nga një autore për pandeminë në fushën e letërsisë, të ngritura artistikisht në vargun e saj poetik”. Për botim, libri është përkrahur financiarisht nga familja e ngushtë e autores.

Libri ka 122 faqe. Poezitë janë të ndara në cikle: 1.”Pranverë e sprovuar në Kosovë”, 2.“Qetësim shpirti me flakërime’, 3.“Pandemia 2020 sërish në kërcënim”,4.”Zbulim epokal për shpëtim jete”.

Në kuadër të këtij libri me poezi është përfshirë edhe një prozë e shkurtër “Një rrëfim si një ditar (“Jetë në Karantinë”), në të cilin rrëfim flitet për jetën e rëndë në vetizolimin e obliguar, në të cilën jetë edhe kanë flakëruar frymëzimet për t’i shkruar poezitë. Tregohet edhe se  frymëzimet për t’i shkruar poezitë në thellësi shpirti e kishin qëndresën e patjetërsuar. Ishin edhe shpresat e pashuara për mirësi dhe për bardhësi jete në mbijetim dhe në mundjen sa më të shpejt të sëmundjes –Pandemi, të Korona Virusit Covid-19.

-Për vlerësimin dhe daljen në dritë të këtij libri falënderim dhe nderim për

botuesin: Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës-LSHK, me kryetar

Prof. Dr. Shyqri  Galica!

-Falënderim edhe për redaktorin dhe recenzuesin e librit, krijuesin 

Ramë Oraca!

-Falënderim për Prof. Dr. Rexhep Doçin për lekturim të librit dhe

Prof. Dr. Ilir Doçi për realizimin kompjuterik!

-Për kopërtinën e librit falënderim për krijuesin dhe për piktorin e njohur,

Idriz Berisha-Xhixhi-Prof.

-Falënderim për Shtypshkronjën Lena Graphic – Prishtinë, me drejtor  Hajdar Fejzullahu.

-Në veçanti falënderoj familjen time, bashkëshortin tim dhe djemtë e mij me familjet e tyre për përkrahjen e vazhdueshme me ngrohtësi zemre që më krijojnë për të shkruar, si edhe për të jetuar...

Lord Bajroni në kulturën shqiptare

 Dorian Koçi

Filozofi dhe eseisti i njohur anglez Francis Bacon (1561-1626) në esenë e tij mbi “Udhëtimet” shkruan se udhëtimi, për moshat e reja është pjesë e edukimit, në moshat e vjetra është pjesë e eksperiencës. [1] Që prej asaj kohe udhëtimi i njohur ndryshe dhe me emrin “Grand Tour”, ishte kthyer në një mjet e përvojë edukuese për të rinjtë e aristokracisë angleze. Mirëpo në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour”-it pësoi një ndryshim themelor. Turi i Francës dhe i Italisë u braktis dhe u bënë të modës udhëtimet në Greqi, Shqipëri dhe Turqi, të cilat ishin pjesë të Perandorisë Otomane.

Ky ndryshim erdhi si rezultat i arsyeve ushtarake, politike dhe kulturore. [2] Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre, do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. Lord Bajroni si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër, i gjendur në Maltë në fillimet e “Grand Tour”-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir, për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Një eksperiencë tjetër shumë e rëndësishme e “Grand Tour”-it ishte mbajtja e rregullt e korrespodencës me miqtë në atdhe, ku atyre u përshkruhej dhe u jepeshin detaje të shumta kulturore, gjeografike, etnografike për viset që vizitoheshin.

Francis Bacon në esenë “Udhëtimet” këshillonte se  është një gjë e e çuditshme, që në lundrimet në det, ku nuk ka asgjë për t'u parë, përveçse qielli dhe deti, njerëzit duhet të shkruajnë ditarë; ndërsa gjatë udhëtimeve tokësore, ku ka aq shumë gjëra për t'u vërejtur, në shumicën e rasteve ata i anashkalojnë; sikur mundësia ishte provues për t’u regjistruar, se sa të vëzhguarit. Për këtë arsye, lejoni ditarët të futen në përdorim. Gjërat për të parë dhe vëzhguar janë: oborret e princave, sidomos kur ata japin audienca për ambasadorët; gjykatësit e drejtësisë, ndërkohë që ata ulen dhe dëgjojnë shkaqet; po kështu këshilli papal; kishat dhe manastiret, me monumentet të cilat janë aty me ekzistencën e tyre; muret dhe fortifikimet e qyteteve dhe qytezat, po kështu qiejt dhe portet; rrënojat antike; bibliotekat, kolegjet, polemikat dhe leksionet, kudo që janë; transporti dhe flotat detare; shtëpitë dhe kopshtet e shtetit dhe të kënaqësisë pranë qyteteve të mëdha; armaturat; arsenalet; depot; shkëmbimet; bursat; magazinat; ushtrimet e kalërimit, skerma, trajnimi i ushtarëve, e të tjera si komedia, duke qenë gjëja më e mundshme për t’u bërë nga njerëzit; thesaret, bizhuteritë dhe veshjet; mobilje dhe gjëra të rralla; dhe për të përfunduar, çdo gjë që është e paharrueshme në vendet ku ata shkojnë. [3]

Kjo ese shumë e njohur në Anglinë e Romantizmit, ku udhetimi i “Grand Tour”-it kishte marrë dhe një hov më të madh për shkak të përmirësimit të mjeteve të komunikacionit, sigurisht që duhej të ishte e njohur për Lord Bajron, pasi në udhëtimet e tij shikojmë një përputhje midis këshillave të Backon dhe vendeve që viziton si dhe mbajtjes së ditarit dhe korrespodencës. Kështu, kur Lord Bajroni vizitoi Pashallëkun e Janinës në Tetor 1809, ai filloi të mbante ditar dhe i shkroi një letër së ëmës ku fliste për Shqipërinë.

Mahnitja romantike e anglezit 21 vjeçar në tokën e shqiptarëve, bëri që letra e tij e parë të konsiderohet si një sinops i dy kantove të para të “Child Haroldit” që do t’i niste në Janinë dhe do t’i përfundonte në 1812. Në letër, ai ka shprehur magjepsjen romantike pas Pashait të Janinës, arsyet pse erdhi në Shqipëri, si dhe aventurat e befasitë që hasi te shqiptarët. Letra e Bajronit dërguar së ëmës nga Preveza është një dëshmi e ndijimeve që ai pati rreth shqiptarëve dhe që më vonë ai i hodhi mjeshtërisht sërsish në letër, në formën e vargjeve në poemën e tij të famshme “Shtegtimet e Child Harold”.

Në letrën e tij dhe vargjet e poemës “Child Harold” ndihen gjurmët e krijimit të heroit të tij bajronian por edhe të lirisë si koncept vetjak dhe universal. Romantizmi, rryma letrare që përqafoi Bajroni, ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerëzore, vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerëzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerëzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit.

Lord Bajroni ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet veprës së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat e tyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore dhe ndryshimet e shpejta sociale të ardhura si rezultat i urbanizmit të shpejtë dhe zhvillimit kaotik dhe të shfrenuar si pasojë e këtij industrializmi dhe urbanizimi. Heronjtë Bajronianë jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të deziluzionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbnin në kotësi. Për botën shqiptare kanë një rëndësi të veçantë pasi për herë të parë filloi të përmendet dhe të ketë jehonë  sërish pas 300 vjetësh shurdhërie emri Shqipëri dhe shqiptar.

Letra e Bajronit dërguar së ëmës, zonjës Katerina Gordon Bajron

Prevezë, 12 Nëntor 1809

Nëna ime e dashur, ka ca kohë që ndodhem në Turqi. Ky qytet është në bregdet, por kam udhëtuar thellë në principatën e Shqipërisë për të vizituar Pashanë. Lashë Maltën në luftanijen “Spider” më 21 Shtator dhe brenda tetë ditësh arrita në Prevezë. Së këtejmi kam udhëtuar nja 150 milje gjer në Tepelenë, në pallatin veror të Naltësisë së tij, ku qëndrova tri ditë. Emri i Pashait është Ali dhe e mbajnë për burrë me zotësi të rralla. Është sundimtar i gjithë Ilirisë së moçme, i Epirit dhe i një pjese të Maqedonisë. I biri, Veli Pasha, për të cilin më kanë dhënë letra, qeveris Morenë dhe ka ndikim të madh në Egjipt. Me një fjalë është një nga burrat më të fuqishëm në Perandorinë Otomane. Kur arrita në Janinë, në kryeqytetin e tij, pas një udhëtimi prej tri ditësh nëpër male të një vendi me bukurira nga më piktoresket, mora vesh se Ali Pasha gjendej me ushtrinë e tij në Iliri, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën në kalanë e Beratit. I kishin thënë se një anglez nga derë e madhe ndodhej në principatën e tij, dhe i kishte dhënë urdhër komandantit në Janinë të më bënte konak e të më pajiste me të gjitha të mirat gratis; dhe ndonëse më kanë lejuar t’u jap peshqeshe robërve, nuk më kanë lejuar të paguaj asgjë send për harxhet e tjera. Hipur në kuaj të vezirit, dola për shëtitje dhe pashë pallatet e tij e të nipërve; janë pallate madhështore, por të stolisura së tepërmi në ar e në mëndafshe. Pastaj kalova nëpër male përmes Zicës, një fshat me manastir ortodoks, (ku fjeta në të kthyer), në më të bukurin vend që kam pare (përveç Cintrës në Portugali). Të nëntën ditë arrita në Tepelenë. Na u zgjat shumë udhëtimi prej shirave e rrëpirave që prisnin udhën. Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë kur po perëndonte dielli. Më solli në mend (me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Brankseme në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe të qëndisur me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sermët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposht, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e muezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive - të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji. Më përcollën në një konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë, në mënyrë allaturka. Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore etj. Veziri më priti në një odë të madhe të shtruar me mermer; një shatërvan vijonte ujët në mes të saj, oda e shtruar rreth e rrotull me otomanë të kuqërremtë. Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij. Kam një terxhuman grek që të merrem vesh, por mjeku i Aliut, Femlario që di latinisht më shërben për këtë rast. E para pyetje që më bëri është se përse jam larguar prej atdheut në një moshë kaq të re? (Turqit s’kanë ide për udhëtimet e për qejf). Pastaj tha se ministri anglez, kapiteni Leake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe. Më porositi t’i dërgoj nderimet e tij nënës sime, dhe ja tek po t’i dërgoj në emër të Ali Pashës. Më tha se qe i bindur se isha prej oxhaku se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë-shumë i kënaqur nga pamja dhe paraqitja ime. Më tha ta kisha si baba sa të qëndroja në Turqi dhe se ai më quante si birin e tij. Dhe me të vërtetë më trajtoi si një foshnjë, më dërgonte bajame e sherbet, pemë e ëmbëlsira nga njëzet herë në ditë. M’u lut ta vizitoja dendur edhe natën kur kishte nge. Pastaj si pimë kafe e duhan u tërhoqa nga vizita e parë. E pashë edhe tri herë të tjera. Është për t’u çuditur se si turqit që s’kanë tituj trashëgimi dhe ka vetëm pak familje të mëdha përveç sulltanit, i japin kaq shumë rëndësi fisit. Sepse pashë që më nderonte më shumë për fisin se për titullin tim… Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell, etj. Bonaparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Mua me të vërtetë m’u bë baba, më ormisi me letra, më dha njerëz të më ruajnë dhe çdo lehtësirë. Bisedimet e tjera midis nesh qenë lufta dhe udhëtimet, politika dhe Anglia. Thirri ushtarin shqiptar që më shoqëronte dhe i tha të më mbronte me çdo kusht. Quhet Vasil dhe si gjithë shqiptarët është trim, kryekëput i ndershëm e besnik. Po ata janë mizorë, ndonëse jo të pabesë, dhe kanë shumë mangësi, por asnjë poshtërsi. Ndoshta janë raca më e bukur në botë nga tiparet dhe gratë e tyre dendur janë të bukura, por i kanë në vend të skllaveve. I rrahin, me një fjalë i përdorin si kafshë samari. Ato lërojnë e çajnë tokën, ato mbjellin. I kam parë të ngarkuara me dru dhe tek ndreqin rrugët e prishura. Burrat janë të gjithë ushtarë dhe lufta e gjahu janë zanati i vetëm. Gratë merren me punë, por kjo nuk duhet t’i lodhë shumë në një klimë aq të këndshme. Dje, më 11 Nëntor, bëra banjo në det. Sot është kaq nxehtë sa po të shkruaj në odë me hije, në shtëpi të konsullit anglez, me tri dyer të hapura fare, pa zjarr. As zjarrishte s’ka në odë, veç për të gatuar. Nesër nisem me një rojë pesëdhjetë trimash për në Patrë të Moresë dhe pastaj për në Athinë, ku do të kaloj dimrin. Dy ditë më parë desh u mbyta në një luftanije turke, nga budallallëku i kapedanit, ndonëse shtrëngata s’qe dhe aq e rreptë. Kapedani ia dha të qarit dhe u ul në gjunjë dhe na tha t’i faleshim perëndisë, velat u grisën, katarti dridhej, era frynte, po afrohej nata, dhe s’na mbetej t’ia mbanim për në Korfuz që është në dorë të francezëve ose të fundoseshim siç tha Fleçeri në mënyrë patetike: në “varr prej uji”. Unë bëra çmos ta ngushëlloja, por duket se s’ia mbushja dot kokën, u mbështolla me brucën shqiptare (një shark i madh) dhe u shtriva shesh për të pritur mynxyrën. Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s’kish dobi. Për fat të mirë era rreshti dhe vetëm na ngau drejt bregdetit të Sulit, ku dolëm në steré. Me ndihmën e vendasve vazhduam udhën për në Prevezë. Kështu, këtej e tutje nuk do t’u zë besë naftëve turq, megjithëse Pashai pati udhëzuar galeotë të tij të më shpinin në Patra. Prandaj do të shkoj në Misolongji nga stereja dhe do të kapërcej vetëm një gji deti të vogël në Patra. E sa e sa ngjarje mund të të tregoja që do të të zbavisnin, por më grumbullohen në tru dhe as jam i zoti t’i radhit në kokë, as t’i shkruaj dot në kartë, veçse në mënyrë të menjëhershme. I dua shumë shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë. Porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre. Përbëjnë trupat më të mirë të ushtrisë turke. Në udhë e sipër banova një herë dy ditë rresht, dhe prapë tri ditë në një barakë në Sallahorë dhe s’kam parë ushtarë kaq të lirë në paragjykimet fetare, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës dhe kam pare plot ushtarë spanjollë, francezë, siçilianë dhe anglezë. Kurrë nuk më humbi gjë dhe më ftonin gjithmonë të shtrohesha në sofrën e tyre. S’kam një javë që një kryeplak shqiptar (çdo fshat ka kryeplakun e tij), pasi na ndihmoi të dilnim prej luftanijes turke në rrezik, si na ushqeu e na mbajti në shtëpi, mua dhe ata që na shoqëronin: Fleçerin, një grek dhe dy athinjotë, një prift grek dhe shokun tim Mr. Holbhousin, në asnjë mënyrë s’deshi ta pranonte shpërblimin tim, por vetëm kërkoi një shkresë që më priti mirë dhe kur iu luta të pranonte pak zekina mu përgjigj: “Dua të më duash, jo të më paguash”. Këto qenë fjalët e tija. Çudi se sa pak shkon paraja në këtë vend. Kur u ndodha në kryeqytet, me urdhër të vezirit nuk më lanë të paguaj asgjë. Ndonëse gjithnjë pata gjashtëmbëdhjetë kuaj dhe gjashtë-shtatë veta pas, harxhet s’kanë qenë as gjysma e atyre të tri javëve në Maltë, sidoqë Sir A. Balli, guvernatori, më dha një shtëpi pa qira dhe pata vetëm një shërbëtor.

Biri yt i dashur Bajron

P.S. Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit. Përshëndetja turke është një përkulje e lehtë e kryes, me dorën e djathtë në zemër, të afërmit puthen sa here piqen. Mahmudi është dhjetë vjeç dhe shpreson të më shohë prapë, u bëmë miq pa kuptuar njëri-tjetrin, si gjithë bota ndonëse për shkaqe të ndryshme. Më kanë dhënë një letër për të atin në More, për të cilin kam letër dhe prej Ali Pashës. [4]

Miti shqiptar rreth Bajronit

Vepra e Bajronit dhe në veçanti “Child Harold”-i do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të poetit, por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Bajroni është një nga udhëtarët më të hershëm angleze që vizituan Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Bajronit numri i udhëtarëve, me apo pa misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët u shtua shumë, veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë. [5] Ky aspekt i njohjes së veprës së Bajronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre.                       

Njohja e Bajronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e Bajronit. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX Bajroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Bajroni vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe i lirisë, si poet e luftëtar hero [6] Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.

Secila nga këto etapa të njohjes së veprës së Bajronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Bajronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Bajronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi. [7] Ai e shkroi poemën e vet “Odise” me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Bajronit. [8] Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Bajronit në shqip, Luigji Petrasi, i cili do të përkthente Këngën e parë të poemës “Child Harold” të Bajronit në shqip më 1843. [9]

Edhe periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Bajronit për të nxjerrë në pah cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve. Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e studimeve bajroniane në mendimin intelektual shqiptar të mëvonshëm. Kështu p.sh. shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën tepër të veçantë që flet Bajroni tek “Child Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty. [10] Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas Kullurioti nga mërgata e arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se Bajroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë. [11]

Periudha e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulminante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë këtë tendencë. Është koha kur krijohet miti shqiptar i Bajronit. Ashtu si të gjitha mitet e krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët. “Vargjet e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”. [12] Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Bajronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Bajronit në mendimin intelektual shqiptar.

Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolineri në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht “Le voyage de Lord Byron en Albanie”. Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli” më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë. [13]

Vitet 20’ përkojnë me përpjekjet e shqiptarëve për të stabilizuar pavarësinë dhe për të rikonfirmuar shtetin e tyre. Në këtë sens bajronistët shqiptarë do ta rimarrin nga epoka e mëparshme mitin e Bajronit dhe nëpërmjet studimeve më profesionale dhe të hollësishme do kontribuojnë jo vetëm në propagandimin dhe studimin e veprës së poetit të madh por dhe në farkëtimin e mitit të tij. Kësaj tendence nuk do t’i shmangej as Zef Harapi, bajronisti i parë i mirëfilltë shqiptar, i cili do të shkruante se do të dëshironte të realizonte përkthimin e veprës jo vetëm për t’i shtuar diçka literaturës sonë “por pse kemi në atë vepër vjersha qi flasin dhe lëvdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve”. [14]

Konferenca e parë studimore për Bajronin organizohet nga studiuesi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Bajronit. Intelektuali i shquar shqiptar Stavro Skëndi, mund të konsiderohet si “Bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”. [15]

Periudha e katërt i përket viteve 50-të të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Bajronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Bajronit dhe veprës së tij.

Përkthimi i parë i plotë i “Child Harold” do të realizohet nga Profesor Skënder Luarasi i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Bajronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “Child Haroldit”-it më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Bajronin në tokën ku ai gjeti frymëzim.

Impakti dhe influenca e Bajronit nuk do të kufizohej vetëm në Shqipëri, por do të ishte i madh dhe në popullatën shqiptare në Kosovë. Aty vepra e Bajronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e Dr. Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën “Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Bajronit në hapësirat shqiptare. Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Bajronizmi në poezinë arbëreshe”, “Bajroni dhe shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Bajronit”, “Legjenda e Bajronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së Prishtinës.

Në vitin 1987, i cili do të shënojë një vit të rëndësishëm për studimet bajroniane në Shqipëri botohet monografia e parë për Bajronin nga Prof. Dr. Afrim Karagjozi. Libri ishte fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe pasioni të pashtershëm. Do të ishte ky pasion që do të bënte të mundur që menjëherë pas lejimit të krijimit të shoqatave kulturore në 1991, një nga të parat shoqata që do të themeloheshin do të ishte Shoqata Shqiptare e Bajronit. Kjo shoqatë do të kthehej në një promotor të të gjithë aktiviteteve rreth figurës së poetit të madh si dhe studimeve të kontaktit të tij me shqiptarët.

Ripërkthimi i “Child Harold”-it nga Napolon Tasi si dhe përkthimi i “Gjaurit”, për herë të parë në shqip si dhe një përmbledhje me vjersha të zgjedhura të Bajronit tregon se vepra e poetit vazhdon të intrigojë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë. Miti i Bajronit i krijuar diku aty rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX vazhdon të jetë i freskët dhe të vazhdojë të lëshojë sytha.

Bibliografi

Libra:

1)Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002;

2)Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and New York:1990;

3)Jup Kastrati “Jeronim De Rada” ( Jeta dhe vepra), Tiranë,1979;

Internet:

1)Essays of Francis Bacon, Of Travelling në: http://www.authorama.com/essays-of-francis-bacon-19.html

[1] Essays of Francis Bacon, "Of Travelling".

[2] Helen Angelomatis-Tsougarakis. “The eve of the Greek revival”. Routledge London and Neë York:1990, faqe 1.

[3] Essays of Francis Bacon, "Of Travelling".

[4] Përkthyer nga Skënder Luarasi. Citohet sipas librit të Profesor Afrim Karagjozit “Miti Shqiptar për Bajronin”.

[5] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 23.

[6] Po aty, faqe 14.

[7] Jup Kastrati “Jeronim De Rada” ( Jeta dhe vepra), Tiranë, 1979, faqe 25.

[8] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 19.

[9] Po aty, faqe 15.

[10] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 16.

[11] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 17.

[12] Po aty, faqe 13.

[13] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 34, 36.

[14] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 47.

[15] Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”. Tiranë. Plejadë: 2002, faqe 53.

©Dorian Koçi

Censura dhe shkrimtarët shqiptarë në diktaturë - Nga Lazër Stani

 Është fakt i njohur tashmë se e gjithë letërsia shqipe e publikuar pas Luftës së Dytë Botërore deri në fund të vitit 1990, e njohur me termin zyrtar “Letërsi e Realizmit Socialist” është një letërsi misionare e shkruar në funksion të edukimit komunist të masave, krijimit të njeriut të ri, shpirtërisht të depersonalizuar dhe ideologjikisht të infektuar, ose të shprehur me termat e kohës “të brumosur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”. Kjo letërsi e shkruar në kushtet e lirisë së munguar, rregullohej si të thuash me ligj, nëpërmjet metodës zyrtare të Realizmit Socialist, dhe çdo krijim artistik, para se të publikohej, i nënshtrohej një censure të rreptë, edhe pse zyrtarisht një fakt i tillë nuk është pranuar kurrë.

Në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të hartuar nga Akademia e Shkencave, nga botimi i parë në vitin 1980 e deri në botimin e fundit në vitin 2006, por dhe në botimin online të këtij fjalori nga Shkenca.org, fjala censurë shpjegohet kështu:

CENSURË f.

Shqyrtim e kontroll i përmbajtjes së veprave të ndryshme para se të botohen a të shfaqen ose kontroll i letrave, i telegrameve etj. para se të dorëzohen, që bëhet (në vendet kapitaliste e revizioniste) nga një organ zyrtar ose nga një i ngarkuar; organi zyrtar që bën këtë punë. Censurë e rreptë. Censurë ushtarake. Censura fashiste. Vuri (vendosi) censurën. Hoqi censurën. I shpëtoi censurës. Merr pëlqimin (miratimin) e censurës. Kalon nga censura. Nuk e lejon censura.

Pra, sipas shpjegimit të këtij fjalori të hartuar nga akademikët në diktaturë, dhe të ripublikuar po nga akademikët në post-diktaturë, censura është një kontroll që ushtrohet ndaj veprave të ndryshme artistike në vendet borgjeze-revizioniste, por jo në një vend me “demokraci popullore”, siç ishte Shqipëria diktatoriale. Edhe pse ekzistenca e censurës nuk pranohej zyrtarisht, praktikisht censura sanksionohej me një manual rregullator, që quhej “metodë e Realizmit Socialist”, ku ishin të shprehura kushtet, të cilat dinakërisht quheshin parime, që një vepër letrare, apo çdo lloj produkti tjetër artistik, në pikturë, kinematografi e muzikë, të ishte i pranueshëm.

Censura e kamufluar

Pas Luftës së Dytë, që në hapat e parë të instalimit të diktaturës, Qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Shtëpitë botuese ekzistuese u mbyllën të gjitha, gazetat dhe revistat gjithashtu. Revistat që kishin bërë emër në histori si “Hylli i Dritës”, apo “Përpjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. Një komision letrar militant, i ngritur pranë Lidhjes së Shkrimtarëve të sapo krijuar, hartoi një listë të gjatë librash dhe autorë shqiptarë të paraluftës, të cilët ndaloheshin rreptësisht dhe veprat e tyre u hoqën nga qarkullimi. Në listën e të mallkuarve nga regjimi u përfshinë emrat më të njohur të kulturës shqiptare, autori i romanit të parë shqiptar Ndoc Nikaj, poeti më i madh shqiptar, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani dhe pothuajse të gjithë autorët që përbënë elitën kulturore shqiptare të paraluftës. Shumë prej autorëve që ishin gjallë, i shpallën tradhtarë, armiq, kolaboracionistë, i arrestuan, i burgosën, i ekzekutuan. U ndaluan të gjithë librat e autorëve të huaj, të përkthyer paraluftës, me përjashtim të ndonjë përkthimi të klasikëve grekë dhe të klasicizmit europian.

Paralelisht, në këtë përzënie dhe ndëshkim të kulturës ekzistuese, u ngritën strukturat e reja botuese, të cilat ushtronin një kontroll të rreptë mbi gjithçka që botohej dhe lejohej të qarkullonte. U ngrit e vetmja shtëpi botuese me emrin e poetit rilindas, Naim Frashërit, nëpër filtrin e së cilës do të kalonin të gjitha botimet. Shtëpia botuese u strukturua me redaksi përkatëse, për poezinë, romanin, tregimin, letërsinë për fëmijë, dramën dhe përkthimet. Të gjitha redaksitë përbëheshin nga shefi i redaksisë dhe redaktorët. Puna e tyre e vetme, ishte të lexonin dhe të vlerësonin krijimet në të gjitha gjinitë letrare dhe të lejonin botimet vetëm të atyre veprave që përputheshin me normat e shkruara të Realizmit Socialist, përshkoheshin nga partishmëria, fryma revolucionare, vija e partisë, porositë e udhëheqësit për letërsinë e artet.

Nën emrat e redaktorëve dhe të shefave të redaksive, fshiheshin emrat e vërtetë të censorëve dhe kryecensorëve. Në ndihmë të këtij aparati censurues, pajtoheshin edhe kritikë, shkrimtarë militantë, estetë, që quheshin recensentë dhe që jepnin mendim me shkrim për çdo vepër nëse duhej të botohej apo jo. Çdo vepër shqyrtohej nga dy ose tre recensentë dhe mendimi i tyre vuloste fatin e veprës. Dhe mbi të gjithë këtë aparat të kamufluar censurues, qëndronte një zyrë pranë Komitetit Qendror të Partisë, që quhej zyra e Shtypit dhe e Propagandës. Kjo zyrë mbikëqyrte punën e të gjitha redaksive botuese, përgjonte, hetonte dhe ndëshkonte ata redaktorë, apo shefa redaksish, që nga pakujdesia, paaftësia, ose neglizhenca, u shpëtonte ndonjë botim me gabime ideologjike.

Ndëshkimi, në këtë rast, nuk kufizohej vetëm me redaktorët censorë, por shtrihej dhe mbi autorët dhe veprat, të cilat ndaloheshin, hiqeshin nga qarkullimi dhe bëheshin karton, ndërsa autorët u nënshtroheshin masave disiplinore; në rastin më të mirë hiqeshin nga puna dhe dërgoheshin për edukim revolucionar në ndërmarrjet prodhuese, në ferma ose kooperativa, që të njiheshin më mirë me shpirtin revolucionar të klasës punëtore, të fshatarsisë kooperativiste, me sakrificat që bënin njerëzit e thjeshtë për ndërtimin e socializmit, ose në rastin më të keq, u ndalohej vepra, u hiqej e drejta e botimit, internoheshin nga kryeqyteti, po mund të përfundonin edhe në ndjekje penale.

Shkrimtari përballë censurës

Shkrimtari, pasi e përfundonte veprën e vet, vëllime me poezi, tregime, apo roman, e dorëzonte pranë redaksisë përkatëse në shtëpinë botuese. Ndërsa ai priste në ankth, përgjigjen nga redaksia, nëse libri i tij do të botohej ose jo, vepra e dorëzuar i nënshtrohej një procesi në dukje burokratik, por që në fakt, kishte të bënte me kalimin e saj nëpër filtrat e censurës. U jepej dy-tre recensuesve, të cilët e lexonin veprën me lupë, duke mbajtur shënime për gjithçka, që atyre u dukej jo në përputhje me vijën e partisë dhe me metodën e Realizmit Socialist. Të gjitha këto “të meta” ideoestetike, pasqyroheshin në formë konkluzionesh në fund të recensionit që përmbylleshin me frazat standard “mendoj të botohet”, “t’i kthehet autorit për ripunim” ose “të mos botohet”.

Pasi recensionet ktheheshin në redaksi, redaktori përkatës, lexonte recensionet e porositura dhe në rast se libri do të botohej, e lexonte me vëmendje gërmë për gërmë, duke fshirë, fjali, paragrafë e kapituj të tërë, duke zëvendësuar e ndryshuar fjali, që ta sillte tekstin letrar në standardet e pranueshme, nga ai, censori. Në fund shkruante dhe një raport të shkurtër dhe ia paraqiste shefit të redaksisë, që ishte personi përgjegjës për botimin ose jo të librit. Provën e parë, rrallë ndonjë libër e kalonte. Në të shumtën e rasteve ktheheshin për ripunim, rishqyrtim, madje edhe kur kishim të bënim me autorë të njohur të letërsisë së Realizmit Socialist.

Për shembull, një vëllimi me poezi të rikthyer për ripunim, autorit i listoheshin poezitë që e kishin kaluar testin e censurës, i kërkohej të shtoheshin disa poezi për partinë, ku autori me përulësi të shprehte dashurinë e tij të pakufishme, poezi për atdheun, poezi për klasën punëtore dhe fshatarsinë, të pasqyronte më mirë vrullin revolucionar të masave dhe shndërrimet epokale nën udhëheqjen e partisë. Nëpërmjet ripunimit, libri duhej të çlirohej nga intelektualizmi borgjez, sentimentalizmat e sëmurë, ndikimet neofrojdiste, ekzistencialiste, apo ndonjë nuancë konservatore e bartur nga tradita negative e shoqërisë së përmbysur.

Para se të dërgohej për ribotim, vepra tjetërsohej, shfytyrohej, kastrohej nga vetë autori. Ndonjë autor që refuzonte ta masakronte veprën e vet, i mbetej dorëshkrimi në sirtar, madje edhe listohej midis të dyshimtëve. Kështu që çdo vepër letrare e botuar në diktaturë, ishte një vepër e abuzuar, së pari nga vetë autori dhe së dyti nga gjithë ai aparat monstruoz i censurës. Dhe kur ndodhte që ndonjë gjë e papëlqyer dhe e papërputhshme me standardin zyrtar botohej, e priste syri vigjilent i kritikës, që e masakronte me ashpërsinë më të madhe.

Si shembull për të justifikuar masakrën e ripunimit të veprave përdorej romani “Garda e Re” i shkrimtarit sovjetik, Aleksandër Fadajev.

Aleksandër Fadejev, shkrimtar komunist, autor romanesh të famshme si “Shpartallimi” dhe “I fundmi i Udegëve” të botuar me sa di dhe në gjuhën shqipe, në vitin 1945 botoi romanin “Garda e re”, një roman që i kushtohej rezistencës antifashiste të një organizate komsomoli në vitet e luftës në qytetin ukrainas Krasnodon. Romani u kritikua ashpër pas botimit, sepse në roman nuk pasqyrohej roli udhëheqës i organizatës së partisë në Luftën e Madhe Patriotike, siç e kanë quajtur sovjetikët Luftën e Dytë Botërore. I ndodhur përballë presionesh të paimagjinueshme, shkrimtari e rishkroi romanin dhe e botoi në vitin 1951 tashmë “të përmirësuar”. Në të gjitha shkollat shqiptare mësohej ky shembull se si shkrimtari me ndihmën e partisë, mund të shpëtohej nga gabimet dhe të shkruajë një vepër të shëndoshë letrare.

Ama në shkolla nuk mësohej fakti se shkrimtari komunist, i fyer dhe i poshtëruar nga partia e tij, i dha fund jetës me vetëvrasje me 13 maj të vitit 1956 në Moskë.

Të njëjtit filtër i nënshtroheshin edhe librat e përkthyer, sidomos librat e përkthyer nga Letërsia Perëndimore. Ndërsa librat e letërsisë ruse të Realizmit Socialist botoheshin me shumicë, po edhe disa klasikë kryesisht francezë, si Balzaku, të cilin e kishte lavdëruar Engelsi në kohën e tij, librat e tjerë të përkthyer nga autorë perëndimorë, i nënshtroheshin një filtri të egër. Romanit “Zoti President” (El Señor Presidente) të Miguel Angel Asturias, i hoqën mbi tridhjetë faqe nga libri, që të mund të botohej në gjuhën shqipe. Këtij fati i janë nënshtruar pothuajse të gjithë librat, aq sa sot bëhet i dyshimtë leximi i këtyre librave, edhe pse përkthimet u bënë nga një plejadë përkthyesish të talentuar, shumica prej tyre të shkolluar në Perëndim.

Autocensura si varkë shpëtimi dhe suksesi

Të gjithë shkrimtarët shqiptarë, qofshin ata të shkolluar në Bashkimin Sovjetik, apo në vendet që përfshiheshin në Kampin Socialist, qofshin të shkolluar në Shqipëri e dinin se kushtetuta e shpallur e letërsisë dhe arteve ishte Metoda e Realizmit Socialist, me parime të ngurtësuara, të shkruara si nene, ku përcaktohej jo vetëm statusi i shkrimtarit, si “një armë e fuqishme për edukimin komunist të masave”, por edhe metodologjia se si shkruhej kjo letërsi, ku neni i parë ishte “Partishmëria proletare”. 

Nëse mungonte partishmëria proletare, libri që ti shkruaje nuk do ta shihte kurrë dritën e botimit dhe ti si autor do të thaheshe në hije, pa i gëzuar të mirat që buronin nga statusi i shkrimtarit si një punë e zgjedhur me rrogë të mirë, leje krijuese disa mujore, madje edhe daljen në profesion të lirë si shkrimtar, ku ti paguheshe me një pagë të mirë, vetëm për të shkruar vepra që do të shërbenin për edukimin komunist të masave dhe krijimin e njeriut të ri të partisë. Të gjithë shkrimtarët e Realizmit Socialist, pa përjashtim e pranuan këtë metodë diktuese, ndryshe as do të kishin botuar dhe as do të kishin ekzistuar si shkrimtarë të asaj kohe.

Këtu nis edhe kalvari tjetërsues i dhunshëm i shkrimtarit në studion e tij krijuese. Në momentin që ulej për të shkruar në tryezën e tij të shkrimit, ai e dinte se çfarë është e lejuar dhe çfarë nuk është e lejuar, e dinte pak a shumë se çfarë temash duhej të zgjidhte, si duhej ta zhvillonte subjektin e si duhej ta mbyllte, kush ishin të mirët dhe kush ishin të këqinjtë, çfarë kumti duhej të përcillte nëpërmjet veprës së tij letrare. Nga të gjitha idetë dhe projektet letrare që mund t’i vinin në mend shkrimtarit, ai duhej të fokusohej te ajo që ishte e lejuar dhe e mirëpritur, duke u bërë guardian i vetvetes.

Nëse shkrimtarit gjatë procesit krijues i errësohej mendja nga frymëzimi apo energjia e brendshme krijuese dhe i lejonte vetes, vargje, fraza, vjersha apo tregime që devijonin nga metoda zyrtare, atëherë këta i priste masakra e recensentëve dhe censorëve, kritikëve letrarë dhe funksionarëve partiakë që të bënin gjëmën. Për të shmangur presionin e kësaj autocensure, disa shkrimtarë zgjodhën tema historike, por dhe historia duhej interpretuar sipas teorisë markiste-leniniste dhe mësimeve të udhëheqësit që kishte deklaruar se “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”.

As qe bëhej fjalë të shkruhej një roman për marrëzitë historike të shqiptarëve, si për shembull, pjesëmarrja e tyre në betejën e Çanakale-së e njohur si “Battle of Çanakkale” ku u vranë duke luftuar përkrah turqve më shumë se njëzet e pesë mijë ushtarë shqiptarë, ndërkohë që trojet shqiptare digjeshin e priteshin nga ushtritë shoviniste të vendeve fqinj.

Shkrimtarët si censorë të njëri-tjetrit

Nuk më shqitet kurrë nga mendja një amanet i Dostojevskit, i shkruar në një nga shënimet e tij: “Kur të vdes mos më varrosni në varrezën Volkov, në parcelën e shkrimtarëve. Nuk dua të jem midis armiqve edhe i vdekur.” Duke e njohur mirë këtë dobësi të shkrimtarëve, ambiciet, zilitë, cmirën e ligësinë për njëri-tjetrin, diktatura i kundërvinte, i nxiste të sulmonin njëri-tjetrin me një egërsi primitive. Në jo pak raste, të frymëzuar edhe nga kulisat e Sigurimit të Shtetit, ata i bënin gjëmën kolegut për librin e botuar në konferencat e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ndërkaq që shumë prej shkrimtarëve bënin edhe punën e censorit të drejtpërdrejtë, duke shkruar recensione për librat e kolegëve në proces botimi, ose shkrime kritike në shtypin letrar të Lidhjes, herë të porositur nga lart e herë të nxitur nga cmira, zilia. Ushtria e mediokërve e vënë në shërbim të partisë, ishte e gatshme të shqyente copë e grimë çdo talent, jo thjesht për devijime ideologjike, por edhe se ndjeheshin të kërcënuar në statusin e tyre të priviligjuar.

Ekperienca personale

Edhe sot e kësaj dite e kujtoj me emocion botimin e tregimit tim të parë, në gazetën “Zëri i rinisë”, në verën e vitit 1988. Tregimi titullohej “Mara nuk është e qartë”, dhe u botua, siç e kisha shkruar pa asnjë censurë. Bënte fjalë për një vajzë, që flinte nga dhjetë orë gjumë dhe nuk shihte kurrë asnjë ëndërr. Ishte e dashuruar me një nga kolegët, një djalë rreth të njëzet e pestave. Por ai gjithë kohën i shmangej, shtirej sikur nuk e kuptonte. Në fund të tregimit, kur një nga gratë e institucionit, e pyeti djalin se përse nuk lidhej me vajzën, që jo vetëm ishte e bukur, por kishte edhe gjithë ato cilësi të mira, ai iu përgjigj:

“Nuk mund të martohem me një vajzë që fle nga dhjetë orë gjumë dhe nuk sheh kurrë asnjë ëndërr.”

Kështu mbyllej tregimi, që në fakt pati jehonë në qarqet letrare. Aq më tepër që diçka e tillë nuk pritej nga një emër krejt i panjohur në letërsi. Në ditët e para gëzimi që më solli botimi i këtij tregimi ishte i jashtëzakonshëm. Megjithatë gëzimi nuk zgjati shumë. Brenda disa ditëve ai u zbeh dhe vendin e gëzimit e zuri trishtimi.  Brenda tregimit ndihej prania e Çehovit, një shkrimtar që e doja shumë në atë kohë dhe nuk kisha lënë gjë pa lexuar nga vepra e tij dymbëdhjetë vëllimshe në gjuhën origjinale. E, vendosa me veten, që nuk do të botoja më asnjë tregim, nëse nuk do të arrija ta çliroja prozën time nga hija e të mëdhenjve, që kisha lexuar dhe i doja si shkrimtarë. Në letërsi duhej të isha vetvetja, ndryshe ç’kuptim do të kishte të shkruaja. E ndëshkova këtë tregim, duke mos e përfshirë në asnjë nga librat e mi.

Disa javë më vonë, ndoshta pas një muaji a dy, më merr në telefon Vito Koçi, në atë kohë redaktor i prozës në gazetën letrare “Drita”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më porositi t’i dërgoja një tregim timin që ta botonte në gazetën ku pononte, pasi sipas tij tregimi që kisha botuar ishte i mrekullueshëm. Pa u menduar i thashë po. Shfletova tregimet e mi, që i mbaja në një dosje, dhe zgjodha “Fundi i shëtitjeve natën”, një tregim që gjithsesi, m’u duk më i pranueshëm për botim, duke patur parasysh censurën e atëhershme. Ia dërgova Vitos në redaksi. Pas dy ditësh Vito më merr në telefon dhe më thotë se donte të pinte një kafe me mua. Shkova të nesërmen në orën dhjetë siç e kishim lënë dhe u ulëm të dy bashkë në kafenenë e Lidhjes. Me vete kishte marrë dhe dorëshkrimin e tregimit. E pashë se ndihej ngushtë përballë meje. Duart i dridheshin ndërsa ngrinte te buzët filxhanin e kafesë.

“Shiko, më tha më në fund. Tregimi është shumë i bukur, por nuk mund ta botojmë me atë mbyllje që i ke bërë ti. Bëhet fjalë për dy tri fjalitë e fundit. Nëse i ndryshon, ose i ndryshojmë tani bashkë, unë tregimin do ta botoj të dielën. Nuk dëmtohet tregimi, se ai në të gjitha faqet e jep dramën e njeriut të ndershëm në këtë shoqëri. Por mbyllja duhet ndryshuar, siç të thashë. Ti e di se në shoqërinë tonë, nuk fiton kurrë e keqja, fiton e mira. Të paktën në letërsi nuk mund të shkruhet ndryshe.”

E pashë Viton në sy. Ato çaste, ndihej i pikëlluar, i pafuqishëm, sikur sapo kishte bërë një punë që e turpëronte. Pasi u mendova një grimëherë i thashë Vitos:

“Ta provojmë mos i ndryshojmë ato dy tri fjali të fundit.”

Vito më zgjati tregimin, duke e larguar vështrimin prej meje. Gjeta fletën e fundit të tregimit të daktilografuar dhe pashë se ai kishte shënuar me të kuqe tri fjalitë e fundit, fjalitë përmbyllëse.

“Kur të ngjitemi lart në zyrën tënde po provoj t’i rishkruaj ato tri fjali siç më thua ti,” i thashë.

U ngjitëm të dy lart dhe brenda pesë minutash i rishkrova tri fjalitë që më kërkonte Vito. Të shkruaje brenda skemës ishte gjëja më e thjeshtë.

Vito e mori tregimin, lexoi fjalitë e ndryshuara dhe më tha përhumbshëm:

“Po, tani tregimi do të botohet në numrin e të dielës.”

Tregimi u botua dhe, pavarësisht mbylljes së imponuar, pati një pritje shumë të mirë nga lexuesit dhe shkrimtarët.

Verën tjetër bëra një provë të tretë, të botoja një tregim në gazetën ku punoja në atë kohë. Bëhet fjalë për tregimin “Njeriu i Dosjes”. E kam treguar edhe herë të tjera historinë e botimit të këtij tregimi dhe nuk po zgjatem. Por për shkak të censurës, në mirëkuptim me kryeredaktorin e botuam nën siglën “Tregim Satirik”, kur në fakt ishte nga tregimet më seriozë që kisha shkruar deri atëherë. Botimi i tregimit pati shumë jehonë, por nuk vonoi të vinte edhe kërcënimi. Një anëtare e byrosë politike kishte marrë në telefon shefin tim dhe i kishte thënë: “Ku e keni gjetur këtë Lazër Stanin? Do t’ia tregojmë ne mirë dosjet atij” dhe kishte mbyllur me arrogancë telefonin. E dija se ajo ishte një injorante e lindur, nuk merrte vesh nga letërsia, por dikush, ndonjë keqbërës, me siguri kishte hartuar ndonjë raport denoncues që kishte mbërritur deri në zyrat e Byrosë Politike.

Një miku im gazetar shumë më i vjetër se unë, më fton një ditë për kafe dhe më thotë me zë të ulët, sikur kishte frikë se mos e përgjonin:

“Mos boto më tregime njëherë për një herë. Leri të ftohen pak ujërat. Këta që të lavdërojnë sot, nesër kur të dënohesh ti, të gjithë do të jenë kundër teje. Do të të mohojnë dhe sulmojnë.”

Unë nuk ia vura veshin porosisë dashamirëse të mikut. Bëra pikërisht të kundërtën. Përgatita një vëllim me tregime dhe e dërgova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri’. Ia dorëzova shefit të redaksisë, Sami Çabej, për të cilin edhe sot e kësaj dite ruaj një respekt të veçantë dhe ende nuk e kuptoj se si ai njeri i ditur dhe me shpirt aq të mirë, ka mundur të bëjë punën e kryecensorit të tregimit për shumë vite në shtëpinë botuese. Më priti shumë mirë dhe më tha se do të fillonte menjëherë procedurat e botimit.

Unë prita më shumë se tre muaj, por asnjë përgjigje nuk po më vinte nga Shtëpia Botuese. Më në fund, një ditë Samiu më mori në telefon dhe më tha të shkoja ta takoja. Të nesërmen shkova dhe e takova në zyrë. Samiu më zgjati dosjen me librin tim dhe tha:

“Merre librin. Të kam vënë në dosje dhe tre recensionet që janë bërë për të. Lexoji dhe grisi. Unë, nëse m’i kërkojnë, do të them se më kanë humbur në redaksi, ndoshta pastruesja padashur i ka hedhur në plehëra. Përndryshe do të më duhej të të denoncoja.”

Mora librin dhe ika. Mezi po prisja të lexoja recensionet. Vetëm Piro Misha, në atë kohë përkthyes dhe shef në redaksinë e përkthimeve, kishte vlerësuar pozitivisht librin me fjalët më të mira. Dy recensentët e tjerë shkrimtarë e kishin groposur. Njëri prej tyre (për etikë nuk po ia përmend emrin) kishte renditur në recensionin e tij të gjitha sharjet që diktatori kishte bërë gjatë shumë viteve në fjalimet e tij kundër letërsisë borgjeze revizioniste. Më shumë se recension, teksti i shkruar prej tij i ngjante një akt-akuze të shkruar nga ndonjë prokuror. Edhe shkrimtari tjetër, ndonëse me gjuhë më të moderuar, prapë nuk më kishte lënë gjë mangut në kritikat e tij për modernizëm, hermetizëm, pesimizëm, tendencë për të nxirë realitetin e ku di unë çfarë tjetër.

Përpjekja ime e parë për të botuar një libër në kushtet e censurës, jo vetëm që dështoi, por rezultoi edhe një test i rrezikshëm, nga i cili më kishte shpëtuar vetëm zemërbardhësia e Sami Çabejit.

Libri im i parë u botua vetëm katër vite më vonë, pasi diktatura ishte përmbysur.

Trauma e censurës në post-diktaturë

Shqiptarët dolën nga diktatura, jo vetëm si një popull i mjeruar, por edhe si një popull i traumatizuar, i dhunuar keqas psikologjikisht dhe shpirtërisht. Vlerat themelore që e bëjnë qenien njerëzore njeri, ishin bjerrur në vitet e gjata të sundimit diktatorial, shpirti ishte varfëruar, mendja skematizuar. Në këtë gjendje traumatike, të paorientuar dhe të përhumbur u gjendën edhe shkrimtarët, ditën që u çliruan nga prangat e llahtarshme të censurës. Si mund të shkruhej ndryshe, pa metodën këshilluese dhe orientuese të Realizmit Socialist, çdo të bëhej me veprat e tyre të botuara, çfarë e ardhmeje i priste? Këto ishin pyetjet që mundonin shumë prej shkrimtarëve të Realizmit Socialist. Këto frikëra dhe pasiguri, disa shkrimtarë i bënë të thyenin penat e tyre, të tjerë më ambiciozë dhe të molepsur me ndjenjën e fajit iu vërsulën njëri-tjetrit, duke e akuzuar shoqi-shoqin për një mijë e një të zeza. Mëqenëse shkrimtarët janë njerëz publikë dhe akuzat e tyre botoheshin në media, u krijua ideja e pavërtetë se shkrimtarët ishin arkitektët e instalimit të diktaturës në Shqipëri.  Si “inxhinierë të shpirtrave” siç cilësoheshin në diktaturë, jo se shkrimtarët janë pa përgjegjësi, jo se ata nuk kanë faje për atë çka ndodhi gjatë dyzet e pesë viteve. Por diktatura, nuk ishte vepër e tyre. 

Përgjegjësia dhe faji i tyre, nuk mund të krahasohet me veprën kriminale të udhëheqësve politikë të diktaturës dhe të superstrukturës së saj shtypëse të përbërë nga policia sekrete, hetuesit, prokurorët, gjykatësit. Jo se nuk ka patur monstra midis tyre, spiunë, denoncues të rëndomtë, keqbërës. Edhe shkrimtarët janë njerëz, si gjithë të tjerët, nuk janë të imunizuar nga dobësitë njerëzore.

Përballja me sfidën e lirisë në vetvete ishte traumatizuese pothuajse për të gjithë shkrimtarët e Realizmit Socialist. Vetëm pak prej tyre ia kanë dalë të shkruajnë ndonjë libër të suksesshëm, duke reflektuar një thyerje në krijimtarinë e vet. Shumica u pajtuan me fatin e tyre të keq, duke ruajtur me nostalgji “kohën e artë” të Realizmit Socialist, që perëndoi për të mos rilindur më kurrë.

Qytetërimi i lashtë grek dhe arritjet e tij kishin një origjinë "shqiptare".

Shkruan :  Flori Bruqi,PHD  Studimet gjenetike te shqiptarët  përfshijnë studimet gjenetike që janë bërë mbi popullsinë aktuale shqiptare, d...