Akademik Eshref Ymeri, PHD
Marina Sokollovskaja, një ish-qytetare ruse, e cila
para do kohësh qe larguar nga Rusia për banim të përhershëm në Nju Jork, në
artikullin e vet me titull “Urrejtjen për
Amerikën, si urrejtjen për tartabiqet, ne e kemi në gjak!”, duke pasur
parasysh diktaturën fashiste të kastës sunduese të Kremlinit, e cila u ka zënë
frymën mjeteve të pavarura të informimit masiv, shkruan:
“… u largova
sepse asnjëherë nuk e pata ndier që ai është vendi im, atdheu im”.
Artikulli i saj është botuar në faqen e internetit “Russkij bazar” të datës 10 qershor
2022. Në atë artikull ajo citon fjalët e një qytetari rus, i cili i shkruante:
“Njeriu rus
duhet ta urrejë Amerikën - ne këtë e kemi në qelizën tonë”.
Me këtë artikull, Maria Sokollovskaja më kujtoi një
intervistë të gjatë të një gazetari ukrainas në kanalin televiziv “Ukraina 24” të mbrëmjes së 15 qershorit
2022, me politikanin opozitar rus Genadi Gudkov. Tema e intervistës ishte “E ardhmja e Rusisë pas përfundimit të
luftës”. Në një hapësirë të intervistës, të cilën e ndoqa në youtube,
gazetari u lidh edhe me një diplomat amerikan në Vashington, të cilit i tha se
rusët thonë:
“Luftojmë në
Ukrainë jo kundër Ukrainës, por kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Me sa duket, shumicën dërrmuese të rusëve, e ka
kapluar keq një shprehje e marrë e Putinit, i cili ka thënë:
“Kufiri i
Rusisë nuk përfundon askund!”.
Kjo shprehje, idiote në thelb, s’është gjë tjetër,
veçse përsëritje e Testamentit të Pjetrit I, i cili deklaronte se Rusia duhet
t’i pushtojë vendet e Lindjes dhe të Perëndimit, përsëritje e thirrjes së
Leninit për të ashtuquajturin revolucion socialist në mbarë botën, e thirrjes
së Stalinit për nxitjen e urrejtjes së vendeve evropiane kundër njëri-tjetrit,
me qëllim vendosjen e tyre nën çizmen ruse.
Të gjitha këto thirrje prej njerëzish të marrë në krye
të Rusisë, zbulojnë, në të vërtetë, atë që ka thënë Dostojevski për popullin
rus. Kastat sunduese, që nga koha e Pjetrit I deri në ditët tona, me atë
popull, me psikologji prej skllavi, të rrënjosur gjatë shekujve, duke e
përdorur si mish për top, kërkojnë të vënë vendet e tjera nën sundimin e vet.
“Rusët, - thotë Dostojevski, - janë një popull që endet nëpër Evropë dhe
kërkon se çfarë mund të shkatërrojë, të shfarosë, vetëm për argëtim”.
Dhe sot, njerëzit në mbarë botën, po e shikojnë me
sytë e tyre se çfarë egërsirash të tërbuara janë rusët, këta hunë të shek.XXI,
se çfarë shkatërrimesh po bëjnë në Ukrainë, ndaj së cilës ushqejnë një urrejtje të përmasave mitike, ndërkohë që
përbrenda i bluan kompleksi i inferioritetit për shkak të urrejtjes së papërmbajtur
ndaj Shteteve të Bashkuara.
Vladimir Pozneri (1934), gazetar, drejtues emisionesh
radiotelevizive, shkrimtar, qytetar sovjetik, rus dhe amerikan, ka radhitur një
sërë arsyesh për qëndrimin negativ të rusëve ndaj demokracisë. Sipas
këndvështrimit të Poznerit, qëndrimi negativ i rusëve ndaj nocioneve “liberalizmi” dhe “demokracia”, e ka burimin kryesisht te mungesa e formimit
kulturor.
“Përgjithësisht, - shpjegon ai, - mungesa e formimit
kulturor, smira, kompleksi i inferioritetit - këto janë, në këndvështrimin tim,
arsyet kryesore të qëndrimit negativ të shumicës së rusëve ndaj demokracisë”
(Citohet sipas: “Drejtuesi i emisioneve
televizive, gazetari Vladimir Pozner, radhiti arsyet e qëndrimit negativ të
rusëve ndaj demokracisë”. Faqja e internetit “Lenta.ru”. 09 dhjetor 2020).
Ky qëndrim mjaft objektiv i Vladimir Poznerit, dëshmon
më së miri se shumica dërrmuese e popullit rus është e kapluar nga ideja e
shovinizmit rusomadh, për të cilin ai ka bërë kurban demokracinë, se, në vend
të saj, ai parapëlqen kultin e individit, nënshtrimin e plotë para diktatorit,
vetëposhtërimin, për pasojë, vuajtjen në kushtet e varfërisë, me të cilën është
familjarizuar së tepërmi, sepse ajo i është bërë pjesë e pandarë e jetës së
përditshme. Gëzimi i vetëm i shumicës dërrmuese të atij populli reflektohet te
kënaqësia deri në jargosje që ai përjeton kur kastat fashiste të Kremlinit ndërmarrin
sulme për të pushtuar territore të huaja. Prandaj, me përfundimin me disfatë të
sulmit fashist kundër Ukrainës, ata intelektualë opozitarë të të gjitha sferave
të artit dhe të kulturës ruse, duhet të vetëdijësohen një herë e mirë dhe të vrasin
mendjen, nëse vetë janë të imunizuar sadopak nga ethet shoviniste të shumicës
dërrmuese të popullit të tyre, dhe të mendojnë për të ardhmen e Federatës Ruse,
e cila duhet të shpërbëhet si strukturë shtetërore, duke u ndarë në disa
shtete. Për më tepër, ata intelektualë duhet t’i zgjuajnë nga gjumi letargjik
kombësitë e Bashkirisë, të Burjatisë, të Kazakisë, të Kaukazit, të Komit, të
Tartarisë, në mënyrë që kastat kriminale të Kremlinit të mos i përdorin djemtë
e tyre si mish për top për sulme dhe pushtime territoresh të huaja. Një
shpërbërje e tillë duhet të realizohet praktikisht, sepse ajo Federatë, me
territore gjigande, njerëzimit ka për t’i hapur telashe kohë pas kohe.
Pikërisht këto telashe ka pasur parasysh shkrimtari i njohur rus Ivan Shmelov,
i cili, një shekull më parë, në librin me titull “Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923, ka
paralajmëruar:
“Ky nuk është popull, por një mallkim historik i
njerëzimit”.