2018-08-29

...mbi token tande, kosovar, je skllav!


Arshi  Pipa  u lind në Shkodër në 28 korrik 1920. Kjo është datëlindja që njihte ai. Them kështu, sepse kam gjetur në regjistrin e gjendjes civile në Shkodèr, ate të vitit 1930 (nuk kishte regjistër më të vjeter), si datëlindje 13 shkurtin e po atij viti. Por kësi punësh në Shqipëri nu kjanë fort të rralla…

Ai ishte djalë i vetëm në krye të katër motrave te po një barku. Vëllanë me të madh gjashtë vjet para tij, Muzaferin, e kishte të tillë nga babai. Kështu, ishte drita e syrit jo vetëm e prinderve, por edhe i motrave, të cilat gjithë jetën e kanë adhuruar. Por kjo nuk do të thotë aspak se në familjen Pipa, për Muzaferin nuk ishte po e njëjta gjë. Aty nuk bëhej asnjë dallim ndër dy djemtë e shtëpisë, si nga prindërit, ashtu edhe nga motrat. Ishte një familje me lidhje afektive shumë te theksuara, të pashlyeshme kurrë. Dhe kjo i detyrohet kryesisht nënës se tyre, zonjës së mrekullueshme Hatixhe, shkodrane e përkryer në të gjitha drejtimet, nënës së fortë, të dhemshur aq edhe të drejtë deri në shkallën e një modeli klasik.

Fëmi i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur, Arshiu ishte njëkohësisht edhe një “lojcak” i madh, si thonë në Shkodër, madjé edhe një “sherret”, domethënë që nuk linte dy gure bashke. Perveç lojrave teper të guximshme me shokët e vet të lagjes, majat e pemeve të larta në oborrin e shtëpise a në kopësht, pusi i thellë dhe kulmi i çatise, ishin vendet e preferuara të tij.

Zakonisht fëmijët dhe adoleshientët çamarokë nuk i nënshtrohen disiplinës dhe mësimeve të shkollës. Për pasojë, shpesh përpanimi në mësime ecën çalë-çalë. Por tek Arshiu ky fare rregulli s’kishte fare vend. Përkundrazi! Tek ai natyra e gjallë dhe dinamizmi i moshës së re, harmonizohej qysh në fëmijëni mrekullisht me zellin e madh për shkollën, për mësimin. Dhe faktet tregojnë se ai që në klasën e parë e deri në mature dilte gjithnjë i pari i klasës!

Filloren e kreu tek shkolla e jezuitëve në Shkodrës, e në mos gaboj edhe në vitet e para të gjimnazit. Them vitet e para, sepse gjimnazet atëhere ishin me tetë e nëntë klasë, deri më vonë madjé, në kohën e regjimit komunist. Vërtetë ishin të paktë këto gjimnaze para luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ishin të saktë. Ejo vetëm gjimnazet (ai i Shkodrës, Tiranës, Korçës etj.) por edhe shkollat e mesme profesionale, si Normalja e Elbasanit, Normalja e Tiranës (vetëm për vajza) dhe Shkolla Teknike Amerikane e Fullcit në Tiranë apo ajo e Kavajës.

Tek jezuitët, Arshiu mori bazat e kulturës klasike, me greqishten e vjetër e latinishten dhe për pasojë, kur shkoi të vazhdoje në Gjimnazin shtetënor të Shkodrës, që quhej atëherë Lice, si ai i Korçës dhe i Tiranës, kishte baza të forta për të dalë i pari edhe në dy gjuhët klasike që përmendëm më lart. Dhe këto dy gjuhë, ai s’i ndau gjatë gjithë jetës. Përkthimet e bollshme, të lëna në dorëshkrim e dëshmojnë më së miri këtë fakt.

Gjatë kohës së arsimimit në shkollën e jezuitëve, ku jepnin mësim klerikë të shquar, i ati, duket për një lloj “ekuilibrimi” kulturash e futi që të ndjeki njëkohësisht edhe mejtepin, për të mësuar format e moralit islamik. Kështu Arshiu, deri në moshën e thyer, mbante mend akoma dhe i recitonte për bukuri shumë nga syret e Kuranit arabisht, për çudine dhe admirimin e miqve shkodranë të dhënë fort pas kësaj feje, por që arabishten nuk e dinin fare, as me shkrim e as me lexim!…

Gjimnazi i Shkodrës, si thamë, ishte fort i dalluar ndër ata pak homologet e tij të atëhershëm në vendin tonë. Dhe kjo punë jo vetëm nga programi, por sidomos nga trupi i tij mësimor, që përbënte ajkën e inteligjencës shqiptare të asaj kohe, që të gjithë intelektualë të formuar më së miri, me prirje të theksuara perëndimore, por me shpirt tërësisht kombëtar. Figura të tilla si Hil Mosi, Mirash Jovanaj, Ndue Paluca, Gjergj Canco, Gjergj Kokoshi, Kolë Kamsi, Skënder Luarasi, Anton Deda e të tjerë si këta, e dëshmojne qartë çfarë thashë pak më lart.

Dhe kjo punë sigurisht ndodhte edhe në shkollat e tjera të mesme në Shqipëri, të cilat jepnin dije të shëndoshë dhe farkëtonin qytetarë të denjë, të zotë për vendin, farkëtonin shqiptarë të vërtetë e të denjë, plot humanizëm, drejtësi dhe dashuni, deri në adhunim për kombin dhe shqiptanizmin. Në atë kohë, deri në prak të ardhjes së pushtetit komunist në fuqi, shkolla shqiptare mund të krenohej me të drejtë se nuk kishte aspak pse t’ia kishte zili shkollave më të mira e prestigjtoze europiane dhe amerikane!

Por këtë e dëshmojnë edhe plot reivsta arsimore a pedagogjike që botoheshin në Shqipëri para luftës së dytë botërore si “Laboremtis”, “Normalisti” etj. Ashtu siç mund të dëshmojnë mësuesit e nxënësit e asaj kohe, që ende janë gjallë sot, e që po bëhen gjithnjë e më të pakët…

Familjaret dhe shokët e tij të moshës së re, më kanë treguar se Arshiu, jo vetëm që ishte i pari në mësime, por edhe ndër më të dalluarit ndër lojra, në gjimnastikë e sport. Ndërsa i vëllai më i madh, Muzaferi, mbasi kishte lojtur futholl në gjimnaz, kishte arritur të bëhet ndër asat e skuadrës “Vllaznia”, Arshiti ishte efektiv i skuadrës së gjimnazit, edhe pse nuk kishte talentin e shpllar futbollistik të Muzaferit dhe nuk hyri në skuadrën e qytetit. Këto që them këtu janë të trajtuara më gjërë e më saktë tek kujtimet e mjaft sportistëve shkodranë të asaj kohe, si dhe të gazetarëve sportivë të kohëve të sotme.

Për guximin tek Arshiu do të sjell tre shembuj nga momente të ndryshme të jetës së tij: Kur ishte adolishent, më tregonte në Shkodër shoku i tij i moshës, tek vinin në lum për t’u larë, Arshiu, si asnjë nga shokët e tij, hidhej në pellgun e lumit nga një shkëmb i lartë, pozicioni i të cilit ishte shumë i rrezikshëm për këtë punë. Në Burgun e Burrelit, Arshiu hapte sportelin e birucave dhe u hidhte shokëve të dënuar atje duhan, ndopak sheqer a ç’të kishte mundur të mbledhi, me rrezik që po ta shohin rojet, e fusnin dhe atë në birucë, mes dimnit, në çimento, vetëm me mbathje e kanotjere në trup, për një muaj rresht, megjithëse ai ishte i sëmurë. Kurse rasti i tretë i takon momentit të arratisjes, kur ai çan kufinin, bashkë me të motrën Fehimen, me kobure në dorë, i vendosur të mos bijnë në dorë i gjallë më tek rojet.

Me shokë Arshiu ishte, si me gjithë të tjerët i sjellur dhe shumë i dashur. Ai i ndihmonte ata vazhdimisht ne mësimet. Në albumin e familjes, mes të tjerave ka edhe një fotografi ku ai është bashkë me tre shokë të tij të klasës, para një tabele të zezë, në oborr, tek po man noun e profesorit, në përgatitjen për provimet e maturës. Në tabelë, veç disa shprehjeve algjebrike, ka në një anë edhe një vjershe, me shkrimin e tij të njohur, vjershë që tregon bukur shpirtin e preokupuar të nxënësve para “torturës” së maturës:

Me studime
e numra të shkreta.
kot na shkuen
të rijt e jeta…

Gjimnazi i kohës së tij, si dhe i kohës sime ndahej, mbas semimatures, në dy degë: Reale e klasike. Realja ishte e prirur më fort ndaj shkencave të natyrës, me preferim matematikën e fizikën. Klasikja ishte e prirun ndaj dijeve humanitare të gjuhëve. E Arshiu zgjodhi me dëshirë këtë të fundit. Duket që në moshë fare të re, ai e kishte përcaktuar rrugën e tij në jetë. Dhe kjo punë duket edhe nga dy fakte të tjerë. Gazeta “Cirka” e vitit 1936, kur Arshiu ishte dy vjet para maturës, kishte shpallur një konkurs poetik.

Në të mori pjesë edhe studenti i klasës së gjashtë të Gjimnazit shkodran, i degës klasike, Arshi Pipa. Vjersha e tij me titull “Në Lamën e Luftës” fitoi çmimin e tretë. Ishte një vjershë e gjatë me plot 26 strofa, secila gashtëvangëshe, herë me rimë e herë pa rimë. Vjersha kishte karakter epiko-lirik. Tema e saj ishte një lloj proteste e hapur kundër luftës, si një veprim mizor, që sjell vetëm vdekje. Pra, ishte tërthorazi një hymn për paqen, mirëkuptimin, vllazërimin e njerëzve e popujve. Kështu, humanizmi i shpirtit të tij nis e nxjerrë krye që në moshë fare të re, atë të një adolishenti gjimnazist.

Prova e tij e dytë e botuar në shtypin e kohës, këtë herë në lëmin e prozës, shifet tek tregimi me titull “Liqeni”, një tregim lirik, botuar tek “Vatra Shqiptare”, shtator-tetor 1941. Kjo prozë, sigurisht është shkruar në moshë fare të re, por u botua atëherë, siç tregon data, ndërkohë që autori i saj ishte tashmë pedagog në gjimnazin e Tiranës dhe jepte filozofi. Nuk e dimë me saktësi se kur poeti Arshi Pipa ka nisur të shkruajë poezi. Por një gjë është e sigurtë, që këtë punë ai e ka nisur që në bankat e gjimnazit të Shkodrës. Dhe këto poezi gjimnaziale në shumicën e tyre do të mbushin më vonë faqet e librit të tij të parë, me titull “Lundertarë” botuar në Tiranë më 1944.
Pjesa është marrë nga libri:ARSHI PIPA njeriu dhe vepra
BOTIMET TOENA, ISBN: 99927 1 169 8




KOSOVËS


Vllazen shqiptare, Kosova s’asht e jona.
Kush me e permende guzon ai ban trathti!
O kob qi s’do t’harrohet kurr tevona!
Kosova e ngrate dergjet e vdes n’robni.

Prej bastardhesh trathtue qi i zhgulen zemren
e n’pre ua hodhen klyshve qi Moskova
Per gjak ndersen, me parzem shkele nen themren
mizore sllave po jep shpirt Kosova.

Deri kur, vllezen, do ta ndiejme na veten
fajtore pse vendin ku Shqipnija leu (1)
guxojme ta duem, tue pasun frige fatshkreten
Kosoven tone ta quejme gjymtyre atdheu?

O toke e bukur ku fjala burrneshe
ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshe
nder hekura gjemon zemra Dardane.

A mundet ajo, vall, me u-zhgulun dejsh
pa ba kufome llogoren e krahnorin?
Lumnin tande, Kosove, at’here ta rrfejsh
kur gjak i lire t’vadise hullin e plorit.

Sot tjeterkush ta gzon frytin e punes,
mbi token tande, kosovar, je skllav!
Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!

Qofte e mallkueme fara qi aty hidhet
me djerse e njomun pleqsh, me lote kerthijsh!
Buken e turpit e t’poshtnimit t’idhet,
o vend martyr, der kur ta kaperdijsh?

Qenka pra faj me lype te drejten tande?
Doren per lmoshe duhet me i shtri kusarit?
O gjuhe, ti bamu rrfe e tmerrin trande!
Do t’vije, do vije nji dite ora e shqiptarit!

Mbas nesh tjere kane me ardhe. S’fiket Shqipnija
pse disa qinda nesh rrzohen nen plumbin.
Se per cdeo dhjete prej nesh qi amshon lirija
dhjete mije do t’lindin e dhjete mije do t’humbin!

Do t’humbin shqim ata qi sot na shtypen!
Kulshedra e re me lakminat e vjetra
at’here do t’shembet kur ta shofim shqypen
prej majesh tu’e sulmue me sqeq e kthetra.

Andej na priret shpirti i forte me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezen, nalt ju ballin! prej Kosove
Der n’Çamëri Shqipnija asht e jona.

NISJE

Lamsh na perlane –cka mundem me rrembye
prej teshash vrik –e na stivuen si thase
nder kamjona, me shqelma tue na rrase;
prangat nder duer, per s’mbrapshti, ashtu mberthye

sa mishi u-nxi mbas pake e u-fry me plase;
mandej per kame e gjoks litarin nye
tri heresh na e pershuen, tue u-derkrye
ma keq mbi ke u-angue a desh t’u flase.

E mbasi kryen, rrethuen nenkolonelin
qi gjithe at kohe kish ndenjun tue soditun
fetyrat tona t’ajtuna, t’gerdheshna

nen klithmat e paza… Ishin djersitun
e fshiheshin me nge. E mbante belin
njeni tue qeshe me llanet e perveshna.

ELEGJIA VELLAZNORE

Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lane,
edhepse miqt e shoket
nuk dojshin me ma thane.
Der sa mbi krye mandata
kur se pritsha me ra (1),
dhe mora vesh cka n’anderr
prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku (2)
qi s njifte mue as tye.
Po kapercejshim lumin
kur befas ura u-thye…
Un rashe… m’u-turr vertikut…
humba! uluroi nji za…
Ti u-hodhe, m’kape, m’qite…
por vete nuk dole ma!

Ti vuejtje, ti rreziqe
durove simbas stines,
nga ishulli i Ventottenes (3)
nder telat e Prishtines (4).
E pse perbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmone anmik i shtypjes,
e bir i atdheut, besnik.

Sot qi nga dita e mortit
ka rrjedhe ma se nji mot
tue ta nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse per vdekjen e t’fortit
i forte duhet me u-bame.
As permendi fajtoret:
nuk kam ma çka me u name.

Kur ndolta nga mizori
po pergatitet ura,
per mue ket ehre, e kanga
e mbrame asht kjo qi thura,
me gjakun tand deshmori
vulosi sot nji be:
perbuzi komunizmin
e truhemper atdhe.

SHËNIME (shënimet janë të autorit)
Kjo elegji u shkruejt ne Nanduer 1948, pak para se te nxirresha ne gjyq per heren e dyte. — Ky gjyq u ba ne prokurori te Durresit me dyer te mylluna dhe zgjati gjithsejt 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha mbrende ne burgun e Durresit.
1) Im vella, Muzafer Pipa, avokat, qe arrestue ne Shtatuer 1946, dhe mbasi u torturue der ne vdekje, u nxuer dhe u vra me nji batere automatiku ne Degen e Sigurimit te Shkodres, kinse kishte dashte t’ikte. Vrasjen e tij, te cilin ma kishin mbajte te mshehte, e mora vesh vetem gjate procesit te dyte ne Prokurorinë e Durresit.
2) Andrren e pau nji i burgosun, kosovari Azir Sula, ne kohen e vrasjes.
3) 4) Im vella pat qene burgose nga auktoritetet fashiste italjane n’ishullin Ventottene, afer Gaeta-s, me 1940, dhe ma vone internue ne kampin nazist te Prishtines, me 1944.

Padër Gjergj Fishta dhe studenti i “shkolluar”…


At Gjergj Fishta




Jemi në Shkodrën e viteve 1935-40. Si kudo edhe aty qarkullojne idet e reja e të vjetra simbas shkollave e gjeneratave. Gjergj Fishta ishte nji njeri i njohur në popull për humor e thjeshtësi.

Ai ndalonte e fliste rrugëve me lypësa, fëmijë, gra, plaka, studenta, hoxhallarë, etj. dhe për secilin kishte çka të thoshte. Nji ditë, nji grup studentësh në rrugë, para Kafes së Madhe, janë mbledhë e po flasin e diskutojnë gjëra të forta, tema filozofike. Ishin studentë të ardhur për pushimet dimrore nga Roma, Vjena, Parisi, etj. (Shkodra e viteve 35-40, përfytyroni veshjet elegante të asaj kohe….)

Në këtë kohë po kalon andej Fishta ose Padër Gjergji, siç e quanin populli.

Nji nga studentët, i cili ishte i shquar për “zotësi” e “kulturë” të lartë, e i brymosur pak me materializem, i thotë shokëve:

— Ndigjoni shokë. Kam me i ba Padër Gjergjit nji pytje të fortë e kam me e nxanë MAT… S’ka me ditë ka me ia mbajtë i shkreti… – e po zgërdhihet studenti me shokët e vet.

E mirë, afrohet Fishta e përshendetet buza-gaz me studentat, e i pyt si ia kan kalu me mësimet, etj. etj. Por studenti në fjalë gjen rastin dhe e pyet:

— Padër Gjergj, a muj me të ba nji pyetje?
— Po si jo Djaloç, mundesh… po të ndigjoj – thotë Fishta.
— Padër Gjergj, – thot studenti, – Ju fetarët thoni që pas vdekjes së njeriut, shpirti i tij fluturon prej trupit…
— Po – thotë Fishta, duke buzëqeshë, – ashtu themi na fetarët, pse a je kundër a?
— Po mirë, thotë studenti, – tash po ta baj pyetjen… Nëse nji njeri sapo vdes e marrim dhe e fusim shpejt në nji arkivol, e këtë arkivol e fusim në nji arkë të madhe prej plumbi, e këtë arkë prej plumbi e fusim në nji arkë prej bakri, e këtë arkë prej bakri e fusim në nji arkë prej çeliku, e mbyllim mirë e mirë… Nga ka me dal shpirti k’tu o Padër Gjergji? A ban me m’kallxu?…

Edhe mbaron pytjen studenti, e u buzqesh shokëve fitimtar…

Padër Gjergji buzëqeshi disa sekonda dhe i thotë qetësisht:
— Ndigjo djalosh i mirë… Ti me sa po shoh unë, ke në krye nji borsalinë… nën atë borsalinë të bukur i paske do flokë bukur shumë të dendura, bash si shtëllunga leshi të dashit rudë… nën ato flokë si shtëllunga ke nji lëkurë të trashë të kryes, nën atë lëkurë të kryes, ke nji kockë të fortë si guri (kafka e kokës), nën atë kockë të kryes, ke nji cipë ma të hollë që mbulon trunin (trurin) tand, që ashtë ai që mendon njeriu… A po din me m’tregu ti more student i dashtun po ty si të duel (doli) e nga të duel kjo pyetje e marrë, a ban me e ditë?…
Studenti mbeti e s’dinte çka me thanë.

Në këtë mënyrë Fishta iu përgjigj studentit “filozof”, e shkoj ne punë të vet. Studentat e tjerë ngelen gojë hapë, e fillun me qesh masandej me fjalët e Pader Gjergjit të pamposhtur…

Patër Gjergj Fishta – gjeniu pa varr



Mërgim Korça 

Shekulli i XIX-të po u avitej grahmave të fundit. Luftrat që i patën shtrirë tentakulat e tyre rrëmbyeshëm mbi Ballkan e qenë afruar deri në Vienë me qëllim paranojak pushtimin e gjithë Europës, ia thithën nga trupi Perandorisë Osmane gjithë gjakun dhe energjinë e saj. Kësisoj truri dhe trupi i perandorisë dikur të përbindëshme u plandosën për tokë e bashkë me to u thanë edhe tentakulat e saj rrenimtare !
Ngjarjet sa vinte e rrokulliseshin shpejt. Ushtria turke u thye përfundimisht në Plevna dhe Rusia e detyroi Turqinë ta firmoste traktatin e Shën Stefanit. Si humbëse, Turqisë iu desh t’ua njihte, veç Bullgarisë së madhe me gjithë Maqedoní edhe autonominë Bosnjes e Herzegovinës.

Nga ana tjetër Greqia, për fitimin e pavarësisë të së cilës gurë themeli qenë bërë trimat arvanitas gjysëm shekulli më parë, mbasi e hodhi lumin u bashkua asokohe me tufën e çakenjëve sllavë që orvateshin të rrëmbenin sa më shumë toka historikisht të banuara nga shqiptarët.

Pikërisht, në këto kohë të turbullta, Kombit Shqiptar i dilte një mbrojtës i denjë, Patër Gjergji Fishta.
Jeta e tij u shtri mbi kapërcyellin e vështirë të dy shekujve.

Kombi ynë, duke e pasë ruajtur në shekuj vitalitetin e tij, kish mbijetuar. Jetonte vërtetë, por jo i inkuadruar në atë strukturë shoqërore-ekonomike që quhet shtet. Ky koncept, abstrakt për shumëkënd, madje deri edhe për mëndjet e ndritura shqiptare të asaj kohe, ishte ende i pakristalizuar. Disa rilindas e përfytyronin shqiptarin në suazën e një protektorati. Të tjerë e mendonin kombin tonë të bashkuar në një kanton. Pikërisht në këto rrethana tejet vendimtare për kombin tonë, kur e ardhmja e tij ish e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë edhe kur Bismarcku Shqipërinë e shihte si ” një shprehje gjeografike” duke shtuar edhe “… shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë …”, Patër Gjergji, duke i peshuar edhe drejtëpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njeri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit.

Ai e kuptoi drejtë se Turqit e Rinj donin përkrahje e prandaj ata, me Hyrrijetin, lejuan për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë në shkollat fillore si edhe ruzhdijet, (por shqipe e shkruar me shkronja arabe). Tek personi i tij u ndërthurën madhështíja e tij parashikuese me patriotizmin e mirëfilltë. Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi ynë në një shtet të mirëfilltë kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit apo me “krrabat” osmane që për më se 500 vjet u kishin ngecur në fyt shqiptarëve! Zgjedhja e tij si Kryetar i Komisísë së Alfabetit Shqip flet qartë për ndikimin e madh bindës që ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit. Pra, Patër Gjergji, lojti rol kryesor, duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, në atë kapërcyell shekujsh !

At Gjergj Fishta Lidhur me autoritetin e padiskutueshëm patriotik të At Gjergjit, ia vlen që në këtë kontekst, duke iu referuar pikërisht viteve kur shkrimi i shqipes me germa latine u bë një realitet, të sjell edhe një kujtim timin personal, që mbresë të pashlyeshme ka lënë tek unë. Ishte viti 1954. Kishim vajtur së bashku me nënën t’i bënim një vizitë Hafëz Ali Korçës. Në bisedë e sipër fillon Hafëz Aliu dhe na flet se ç’fatkeqësi kombëtare ishte përndjekja e dhunëshme që regjimi komunist po i bënte Klerit Katolik të cilit ia kositi kokat më të vyera të tijat. Përmëndi shumë syresh si Dom Ndré Zadêjën, At Vinçens Prendushin dhe të tjerë. E pastaj, mbas një pushimi të shkurtër, mori frymë dhe shtoi (pak a shumë tekstualisht):

“ …këta (komunistët), nuk kanë as fé dhe as atdhé. Të kish qenë gjallë Patër Gjergji, as para tij nuk do të stepeshin e do t’a përdhosnin e t’a zhduknin. …Ç’përbindësha që janë…” Pastaj heshti. E pashë se u përlot e nuk fliste dot. Mbas një pushimi shtoi: “E kam dashur dhe respektuar pa kufi për vlerat e tija të pashterëshme si edhe për atdhetarizmin e tij… Me këmbënguljen e tij gjuha jonë e lashtë gjeti sintetizim të shkruar… Nuk kam si t’a harroj me sa dashuri më përqafoi dhe më përgëzoi, (kur qemë takuar shumë vite më vonë), që në demonstratën e madhe të Korçës më 1910 kundër shkruarjes së gjuhës shqipe me shkronja arabe, unë bekova shkronjat latine të abecesë shqipe të Kongresit Manastirit dhe thashë edhe një lutje për to…”

Edhe sikur aktiviteti patriotik i Patër Gjergjit të qe ndalur në nëntorin e 1908-ës, aq sa kish bërë Ai për kombin e Tij deri atëherë, mjaft do të ishte, që emri i Tij të shkruhej me gërma të arta.

“Gjuha shqipe vojt kah perëndimi”, kish thirrur atëbotë Patër Gjergji … dhe kish pasur të drejtë sepse me veprën e Tij realizoi aspiratat mbarëshqiptare, realizoi edhe ëndrrën e Naimit të madh që kërkonte “diellin që lind andej nga perëndon”.

Por për Të nuk kish të ndalur përkushtimi atdhetar.

Më 1913-ën, në shënjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit. E, në shënjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes muslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderollë dritash Kishën me minaren e Xhamisë së Fushë Çelës. Çuan atëherë “qeveritarët e huaj” dërgatën e tyre që mes kërcënimesh frikësuese urdhëruan uljen e flamurit por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximëshme u tha: “Flamuri jonë e ka për ndérë të gjuhet prej topash t’huej“.

Më 1919 e shohim delegat në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare, së bashku me Imzot Bumçin, në Konferencën e Paqës në Paris. Dhe ç’është për tu theksuar, jo rastësisht Kryeministri i Qeverisë së Durrësit Turhan Pashai vendosi të largohej vullnetarisht nga kryesimi i delegacionit në konferencën e njohur si Konferenca e Versailles. “… Eshtë më e udhës që para Kancelerive Europiane të paraqitet një Prelat Katolik se sa një ish ambasador i Turqisë së vjetër në Shën Peterburg.”

Në vazhdim, mbas zgjedhjeve të 6 qershorit 1921, deputetë të Shkodrës në Parlamentin Shqiptar zgjidhen Patër Gjergj Fishta si edhe Dom Ndré Mjeda e bile Patër Gjergji zgjidhet edhe nënkryetar i Parlamentit Shqiptar. Me këtë rast është mjaft domethënëse fjala e analistit të hollë politik, sekretarit të Ambasadës Hungareze në Romë, thënë Patër Pal Dodës “Ju keni disa deputetë në Parlament që do të lenin nderë edhe në Odën e Komuneve të Londrës“.

Në tetor të vitit 1921 At Gjergji Shkollës Françeskane i shtoi edhe pesë klasa dhe e quejti “Gjimnazi Illyricum”, bërthama e të cilit qe shkolla fretnore e themeluar që më 1861, i së cilës shkollë Pater Gjergjit, që më 1902 ishte drejtor dhe me ç’rast ai futi si gjuhë shkollore shqipen duke e kaluar gjuhën italishte si gjuhë të huaj të dytë.

Marr shkas këtu të kujtoj edhe një ndodhí personale.

Tek Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkvi i Lezhës i cili banonte në Kallmet, kam shkuar më 1943 me t’im atë të cilin ai e kishte ftuar të kalonin një ditë së bashku. Biseda ndërmjet Imzot Bumçit dhe t’im eti, më së shumti, u zhvillua rreth Patër Gjergjit dhe veprës së Tij. Në pasdreke vonë, para se të largoheshim, Imzot Bumçi drejtohet nga biblioteka e tij shumë e pasur dhe nxjerr Lahutën e Malsisë, merr penën dhe si e ngjyen në bojë me ngadalë duke u menduar, shkruan këtë autograf, i cili gjatë viteve, sa herë e lexoja, aq më shumë më prekte: “Kët dhuratë t’vyeme, i dashtun Xhevat, e kishe tagër me t’a pasë dhânë vetë Padër Gjergji, qi italishten e hoqi prej nji shkolle e ty për hjekje qi bâne t’gjuhës italiane prej tânë shkollave fillore t’Shqypnisë“.

Në vazhdim, Patër Gjergjin e shohim të ftuar mes poetëve më të shquar të botës më 1922 në New York.

E shohim gjithashtu si kandidati i parë shqiptar i propozuar për çmimin Nobel !

Gjatë udhëtimit transoqeanik Ai shkruan edhe këngën “Lugati”, ku Mehmet Ali Pasha i shfaqet si lugat Krajl Nikollës dhe e nxit … me djegë e lá n’gjak Plavë, Gusí e Malsí.

Dhe patër Gjergji, përgjatë asaj hullije, e mbyll këngën me vargjet e bukura dhe domethënëse:

“I huptë Zoti përnjimend,
Knjaz Nikollë edhe gjithkênd,
Qi mendon e shorton zí
Për të buk’rën këtë Shqipní !”

E gjejmë Patër Gjergjin flamurtar të çështjes shqiptare më 1930 në Konferencën Ballkanike të Athinës e fill mbas saj gjatë vitit 1931 në konferencën e Stambollit. Më 1932 vete në Bukuresht ku me pathos të lartë mbron sërish çështjen shqiptare. Dhe nuk duhet harruar se udhëtimet atëhere nuk bëheshin me avjonë Boeing por zgjasnin me javë të tëra dhe angazhonin edhe lodhje jo të papërfillëshme fizike.

Kudo që vente Patër Gjergji një idé fikse kish: Të propagandonte për çështjen tonë kombëtare si edhe ta rriste rrethin e miqve të Shqipërisë. Sa i takon pjesës së dytë të këtij pohimi, pikërisht lidhur me rritjen e rrethit të miqve të Shqipërisë, ai i qëmtonte me kujdes të veçantë dhe i përzgjidhte mirë këta të fundit. Pra, strategjia e tij ishte të siguronte mbështetjen e shteteve, popujt e të cilëve kishin pasë lidhje të lashta e tradicionale miqësie me popullin tonë. Kurse taktika e tij mbështetej në afrimin me njerëz që kishin ndikim ndaj aparatit shtetror të tyre që sa më efektivisht t’i shërbehej çështjes sonë kombëtare ! Dhe rezultatet pozitive jo që nuk munguan por u bënë edhe shumë të prekëshme.

Albanologu Maksimiljan Lambertzi, njeri nga tre personalitetet gjermane në fushë të albanologjisë, jo rastësisht e përkthen Lahutën në gjermanisht, duke e quajtur autorin e saj “Homer shqiptar” dhe veprën e tij “Iliadë shqiptare”. Ai e sintetizon veprën e Fishtës si vijon:

“… Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikëpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarëve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro – thrakëve.”

Duke e lënë më një anë kompetencën dhe autoritetin e Lambertz-it, rëndësi të jashtëzakonëshme merr ky pohim i tij edhe për vetë kushtet konkrete në të cilat bëhet, duke dalë nga një kathedër universitare e një shteti të diktaturës proletare, ndërkohë që në atdhenë e Tij Fishta anatemohej.

Patër Gjergji, me përpjekjet e tija në drejtim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar rreth faktit se ishte i qënësishëm një komb dhe një popull autokton shqiptar i vendosur në trojet e tija Iliro – Thrakase, futi në valle edhe personalitetin tjetër të përmasave ndërkombëtare, Albanologun tjetër të shquar, Prof. Norbert Jocklin. Po zgjedh një prej thënjeve të tija me të cilën portretizohet vepra e At Gjergj Fishtës:

“Fishta, shikjue n’atë kênen e vet, pa dyshim âsht krejtësisht romantik. Rrâjisja e tij mbi kombsín, zgjedhja e lândës, fuqija, gjallnija e nderimi i shprehjevet të tija, sidomos trajta e përmbajtjes së veprës së tij kryesore Lahuta e Malcís – me mbishkrimin tërhjekës të dokeve e të zakoneve kombëtare e bâjnë dishmí mjaft kjartas … Fishta, kjo zhení e rrânjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, qi për shkak të njohjes së këthellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e mbi jetën shpirtnore të kombeve të tashme të Evropës, u kap në majë mâ të naltat të mâ të haptës kulturë.”

Gjithashtu arbëreshin albanolog dhe njeriun me rreth të gjerë ndikimi në Itali, Gaetano Petrotta, Fishta e kishte bërë aq për vete sa që ai shprehej:

“Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë.”

Në vijim të kësaj brazde konsideratash e përcaktimesh lidhur me veprën e Fishtës kundruar nga këndvështrimi patriotik e kombëtar, nuk mund të lihen në heshtje pa u përmëndur pohimet e personaliteteve shkencore shqiptare banues në Jugosllavi se:

“Lahuta e Malcis është enciklopedí e kombit” (Rexhep Qosja), ose “shqiptarët në Jugosllavi, duke e mësuar përmendësh Lahutën e Malcis, përvetësuan arsimin kombëtar kur ky mungonte” (Zekerja Cana).

Kurse një nga personalitetet, pa asnjë mëdyshje, madhore të kulturës shqiptare, Prof. Eqrem Çabej, i cili për vetë natyrën e tij tejet të matur e të drejtpeshuar si hulumtues edhe studjues që ishte, veprën e At Gjergjit e përcakton kështu:

“Fishta qe nga ato natyra, të cilat ngrihen e rriten dalëngadalë prej qarkut të tyre … dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet, ai u bë në një tjetër kuptim, më tepër se sa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë.”
Të vazhdoj duke cituar ç’është thënë në drejtim vlerësimi madhor patriotik për Patër Gjergjin, e ndjej se do t’i kalonte mbase kufijt e durimit qoftë të ndigjuesit apo edhe të lexuesit. Por besoj se vetë autoriteti i personaliteteve që do të citoj, si edhe stili i tyre i përkryer … mbase më nxjerrin të pafajshëm:
Prof. Ernest Koliqi, vrojtuesi i hollë dhe stilisti i përkryer, mbase më eleganti në gjininë e tij, shprehej:

“… Lexoni nji varg të Lahutës së Malcis. Vênja veshin kumbimit të tij. Vëreni vendosjen e fjalëve në fjali. Menjiherë ju rrëmben magjia e tingullit të posaçëm të gjuhës sonë, të gjuhës qi mësuem në prêhën të nânës dhe ka shijen e qumështit amtar. Ndigjojmë në tetërrokshat e Fishtës jéhin e zanave të tokës shqiptare … asnji si Fishta nuk zgjon e ngacmon mbrenda nesh tharmet cilësuese, qi ndryn në vetvete mysteri jetik i gjakut arbnuer.”
Ndërsa liriku, ëndërrimtari, hyjnori dhe i hajthmi si ai, Lasgush Poradeci, e quan Fishtën:

“… vazhdimtar në vallen e Kombit, Frymëtar i fjalës, i cili solli dhuratën e vet në Adhurimtaren e Atdheut-shpirt, Mendimin e Parathënësve të Shqipes … shkëmb i shpirtit dhe shkëmb i tokës shqiptare.”

E tashti, në vijim të kronologjisë së viteve, vijmë edhe tek dy vitet e fundit të jetës së Patër Gjergjit.
Mbi Europë dëndësoheshin retë e zeza të stuhísë së II-të botrore.

Italia ushtarakisht e pushtoi Shqipërinë.
Flamuri u tjetërsua dhe italishtja futet si gjuhë në shkollat fillore.
Filloi të ziejë ndjenja e revoltës kombëtare.
Armiku italian, i vetëdijshëm për këtë, desh t’a kapë demin nga brirët.

Cili qe ai që për dhjetvjeçarë të tërë spikaste si frymëzues i ndjenjës kombëtare duke u kënduar bëmave heroike të të parëve tanë?

Si t’kshtênë, si muhamedan,
Shqypninë s’bashkut t’gjith e kan,
E prandej t’gjith do t’qindrojmë,
Do t’qindrojm’e do t’luftojmë,
Kem m’u bâ kortarë-kortarë,
Priftën, fretën, hoxhallarë
Për Shqypní !

Cili qe ai që, ndonëse i veshur me zhgunin e Shën Françeskut të Assisit, anatemonte për hir të Atdheut pa u druajtur se po bënte sakrilegj dhe shprehte revoltën e tij me vargje fuqije prometeiane:

O Perendi a ndjeve,
tradhtarët na lane pa Atdhé.
E Ti rrin e gjuen me rrfé,
lisat n’për male kot !

Cili qe ai që atdhedashurinë e shtynte deri në vetflijim?

Qe mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí,
Për shqyptarí, me shue çdo mní mizore.
Oh ! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,
E nami i sajë për jetë u trashigoftë !

Pikërisht Ai duhej mikluar e pastaj tulatur.

Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri: I akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit të Françeskanëve të Shkodrës, me dekret mbretnor, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian.
Por përgjigja e Titanit qe e papritur, qe e prerë: E refuzoi dekretin mbretnor duke u shprehur:

“Kjo dekoratë nuk âsht për mue !”

Kësisoj Ai i dha udhë tufanit kombëtar me thirrjen fuqiplotë: Shpërthé !

Dhe arrijmë kështu tek ngjarja e parafundit madhore e jetës së Tij, Patër Gjergji anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë.

Akademia Italiane përbëhej nga personalitetet më të shquara të kohës, një pjesë e të cilëve edhe laureatë të çmimit Nobel. Patër Gjergjin e njihnin të gjithë akademikët si njerëz të kulturës botrore që ishin. E njihnin kryesisht si humanist të shquar, e njihnin për kulturën e tij të pa anë e fund, e njihnin si gjuhëtar e si ballkanolog të shquar, e njihnin edhe për vlerësimin e rrallë që i ishte bërë në fushën e vargëzimit si “Homeri i Ri” i përkthyer në shumë gjuhë të botës.

E njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar: Nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj., e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel ! E si pasojë, kur Patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën. E njihnin ata për të gjitha ç’u thanë më lart, por nuk e njihnin për madhështínë e karakterit të Tij ! Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane. (Për t’a biseduar me At Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qe ngarkuar Prof. Agostino Gemelli frat dhe akademik, mik i ngushtë i Fishtës).

Me këtë veprim Akademia e shpërfilli si edhe e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skajshmërisht prestigjin Patër Gjergjit e bashkë me të edhe Shqipërisë. Akademia Italiane, nga ana e saj, zaret i kish hedhur.

Pritej përgjigja e Fishtës.

Hapin tjetër të priftit krenar e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje edhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.

Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi:

Patër Gjergji e kish për nder propozimin që i bëhej dhe falënderonte gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin !

Në konferencën e parë solemne si akademik në Kinema Rozafat, për ta pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit romak të Ilirisë me pushtimin fashist të Shqipërisë guxoi e tha:

“… rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe mbretëritë ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vënd të lirisë …”

Dhe tashti i erdhi radha të përmëndim një datë, 30 dhjetorin e vitit të largët tashmë 1940. Me këtë datë lidhet ngjarja e fundit madhore e jetës së Patër Gjergji Fishtës, vdekja e Tij.

Atë të hënë të acartë dimri Ai s’foli më.

Përcjellja mortore që i bëri Shkodra si edhe dhimbja e madhe që ndjeu e gjithë Shqipëria për të duan një përshkrim të veçantë. E gjithashtu i veçantë i takon përshkrimi edhe Ceremonisë së Meshës Mortore, që atëbotë organizoi Akademia Italiane, ku kori drejtohej nga akademiku Mjeshtër Perosi dhe akademiku tjetër, kompozitori i famshëm Mascagni u shpreh:

“…në Vizione t’Lumnueshme e gëzueme Zotin n’ekstazë me shpirtin e kolegut tonë të dashtun At Gjergj Fishta !”

At Gjergji nuk kish si t’i këndonte më së dashurës së tij, Shqipërisë, e as nuk kish më si t’i thurte vargje lirizmi të pashoq gjuhës shqipe ! Megjithatë Ai vazhdonte e jetonte nëpërmjet veprës së tij. Në gjithë shkollat e Shqipërisë vargjet e Tija mësoheshin përmëndësh. Ai, që gjithë afshet e zemrës së Tij ia drejtoi Atdheut edhe gjuhës shqipe, si prift që ish, u këndoi këtyre të dyjave si askush tjetër dhe rinia veç frymëzim atdhetar gjente në ta.

Veç katër vjet mbas vdekjes së Poetit filluan të bëhen realitet parashikimet dhe thënjet e Tija profetike. Dekada të shkuara ai shkroi se:

“Shka t’lâjnë kta katër ujq,
Që i kërcnohen shoqishojt,
Thonë do t’dalë nji djall i kuq,
Që fort rreptë do t’ja njisë thojt !”

Pra, atë që do të linin katër ujqit, ku me mbeturinat e trojeve shqiptare u krijua Shteti Shqiptar, do të vinte djalli i kuq që pa shpirt do t’ia zhyste kthetrat !

E që nga ajo ditë e djallit të kuq, ndaj figurës si edhe veprës Poetit veç mllef e baltë u hodh. Ato kohë të para guxoi e na pohoi në klasë Prof. Kostaq Cipua, siç e mbaj mënd tashmë mbas 56 viteve, se “… tek vepra e Fishtës shkriheshin në një atdhedashuria me mjeshtrinë poetike …” Ose Prof. Mark Dema, i cili mori guxim nga prishja me Jugosllavinë, e duke mos iu shmangur dot tundimit ndonëse të rrezikshëm, na pohoi në klasë se “… në personin e Fishtës duhej të shihnim një kollos të vargëzimit si edhe një atdhetár të pashoq!”

Mirëpo këta zëra sa vinin e zbeheshin nga trysnia e diktaturës.

Armik të racës sllave dhe veprimtar kundër interesave kombëtare e anatemuan “druzhet jugosllavë” Fishtën.

Si spiun austro-hungar, klerik nacionalist si edhe shkrimtar borgjez shfrynë “tovarishët rusë” mbi të.

Dhe hipokrizia arrinte kulmin kur komunistët shqiptarë që, nacionalizmin shqiptar e kishin zëvëndësuar me internacionalizmin proletar, donin të provonin se Ai, me gojën e Tij, e kishte pranuar që nuk ishte e nuk donte të qe shqiptar. Nga një perlë satire, ku Ai fliste gjithë sarkazëm e dhimbje për fatet e Kombit e Atdheut, ata shkëpusnin gjithënjë me keqdashje vargjet:

T’a dijë Shqipnija
E shekulli mbarë
Se mâ mbas sodit
Nuk jam shqiptar !

Edhe sot e kësaj dite gjen të tillë dashakeqë, që nuk lexojnë e as që duan të lexojnë, ose edhe kur u takon të lexojnë nuk kuptojnë, por vazhdojnë dhe e “akuzojnë” për diçka të tillë !

Njerëzore është të gabosh, por këmbëngulja në gabim e bën vërtet djallëzor qëndrimin e atyre që Gjeniun e lanë deri edhe pa varr !

Po kur fatet e Shqipërisë së mjerë u lidhën pazgjidhshmërisht, sipas komunistëve, me “tunxet kinezë” të perandorisë së të barabartëve në skamje, atëbotë eshtrat e Mjeshtrit në Dri u hodhën!

Po si u hodhën e kush urdhëroi? Ish një fjalim që “programatik” e quajtën, e më kobzí nuk kish se si të bëhej për të mjerët shqiptarë ! E ish edhe një natë e thellë shkurti kur u përdhunua varri.

Një palë eshtra flakeshin në Dri për ta asgjësuar. Por si gjithmonë, edhe këtë radhë gabuan rëndë … Fishtën e përjetësuan !

E përjetësuan sepse Fishta nuk i përkiste një kishe, as edhe një qyteti. Ai ishte i gjithë Shqipërisë ! Prandaj Ai nuk mund të mbahej në vetëm një varr … Varri Tij duhej të ishte e gjithë gjatësia e Drinit, e gjithë Shqipëria !

Po dhunimin kush e urdhëroi? Si përfaqësues i asaj kategorie që, kur shkruanin, kryerrjeshtin me germë të vogël e fillonin, dhe me mllefin e trashëguar nga breza të tërë genesh injorantësh, Bilal Parrucën caktuan që urdhërin ta jepte ! Ndërsa Mjeshtri frat, Fishta i madh, ky gjení që pa varr e lanë, edhe varrshkelësin e tij do t’a kish falur. Por nuk fal Ai, madje bërtet me të madhe e hedh në Dri ata, indiferentët ndaj Atdheut, tradhëtarët ndaj flamurit, vetëm ata flak Ai:

Po: rrnoftë Shqypnija ! E porsi krypa n’Dri
E porsi krândja e that n’nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë, me mal e vrri
Kushdo shqyptar qi s’brohoritë me zâ,
Kushdo shqyptar qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i saj !

E kësisoj mbas 23 vitesh harrese të dhunëshme, duke e zhytur gjithmonë thellë e më thellë Mjeshtrin në dhé, vetëm gjysma e “Via Crucis” të kalvarit Fishtian ish përshkuar.

Pasojnë tashti vitet e tjera ku brezi i injorantëve dhe i të shkolluarve të dështuar u pasurua me shkrimtarët e realizmit socialist. Ata, si lajkatarë të diktatorit pseudo-letrar, zvetënohen dhe thellë e më thellë mundohen t’a zhysin Zeusin e vargëzimit patriotik. Diktatori na bën hero e atdhetar Haxhi Qamilin e ata: t’i biem mbarë e prapë At Gjergj Fishtës se veç të mira kemi.

Po Patër Gjergji vizionar në “Metamorphosis” për ta e për gjithë ata që pasuan e pasojnë edhe sot, pat shkruar:

Pse ndër ne kjo kohë ka ardhë
Qi nji e zezë me u thirrë e bardhë
. . .
Qe besa or burra / Nuk dij kah t’çajë
Mbasi do t’thirret / Sod derri dajë.

Dhe me kulmin e sarkazmës godet me rrufé:

Nuk kam kund átme (atdhé) / As fis as vlla,
Fis kam mâ t’fortin / E vlla bujarin (pasanikun)
Për atme barkun, / Për erz kam arin.

Ironí e fatit. Atë, që mes përpjekjesh titanike gjuhën shqipe të shkruar e kristalizoi dhe luftoi që të folmet e Shqipërisë së mesme të zyrtarizohej, atë që shkroi:

Porsi kânga e zogut t’verës, / Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i âmbli fllad i erës, / Qi lmon gjit e drandofillit;
Porsi vala e bregut t’detit, / Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e njij tërmetit, / Njashtu â’gjûha e jonë shqyptare.

Pikërisht atë Gjergj Fishtë e dhunuan, e plandosën edhe varrin ia shkatrruan dhe menduan se e futën aq thellë sa për të dalje të mos kish.

Kujtojmë tashti së bashku fjalë nga të fundmet të Poetit.

Mjeshtri po përjetonte çastet e spasme të jetës. E viziton Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, dhe Fishta i thotë:

“Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqipni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja.”

Lind pyetja: Ku e kemi Patër Gjergjin sot? Kush ka zemër të ndjejë edhe sy të shohë, Poetin e sheh kaluar, ku dallga e Drinit i është bërë Gjok (kalë) dhe rrymës i bije kundra nga grykëderdhja për në burim, tek thërret e na thotë:

“Kujdes shkjaun, kujdes grekun, kujdes ata qi harruen atdheun !”

Po detyra jonë cila është? Duke parafrazuar pohimin tejet të goditur të Prof. Plasarit që : “Mos t’i japim Fishtës vëndin që i takon, por t’i kthejmë historisë së letërsisë atë çka i mungon”, do të thoja që tek panteoni i patriotëve dhe intelektualëve tanë më të shquar, të cilin e përfytyroj me trajtën e një kurore të ngjizur nga dy krahë hiperbolash konvergjente asemtotike, ku gurët e vyer janë vendosur dy e nga dy deri sa arrijnë e bashkohen atje ku vetëm një vënd kulmor është bosh, atje i takon të vendoset Margaritari Patër Fishtë!

Gjergj Fishta, për gjuhën dhe shkollën shqipe

Zef Prela – njeriu që i shkroi porositë me gjak

Dëshmia e Lili Ndocit: “Babai im Zef Prela atë natë para se të pushkatohej me ata 15 burra në Pendën e Kirit, nëprmejt policit Sulejman Merxhani na dërgoi amanetet që i shkroi me gjakun e tij në një letër paqete cigaresh”.
Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Nga që nuk mund të duronte dot më torturat, një natë para pushkatimit ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ata burra që do të vriten nesër.

Dhe lutja e tij u bë realitet. Ai u ekzekutua të nesërmen me 11 mars të vitit 1948 së bashku me ata 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në burgun e fretënve, të cilët ishin: Imzot Frano Gjini, (Zv/ Nunci Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdullah Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi. Përpara se ta tërhiqnin zavrrë për ta çuar para skuadrës së pushkatimit, baba ju lut policit Sulejman Merxhani që t’i çonte nanës një cop letër në shenjë amaneti.

Polici e mbajti fjalën dhe ja solli nanës amanetin që baba i kishte shkrue me gjakun e tij në një letër paqete cigaresh ku thoshte: Nanë. Unë po nisem për në Lumninë e Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall. Zefi. Lili Ndoci tashmë në moshën 55 vjeçare, vajza e Zef Prelës njerit prej atyre burrave që dhanë shpirt atë natë të largët marsi të vitit 1948 prej breshërive të armëve të skuadrës së pushkatimit, rrëfen për “Gazetën” historinë e babait të saj dhe familjes që vuajti për afro gjysëm shekulli nën regjimin komunist.

Familja Prela
Familja Prelaj është me origjinë nga fshati Gimaj i malësisë së Dukagjinit dhe një nga të parët e asaj shtëpie që është njohur në të gjithë krahinën për burrni dhe trimëri, ka qenë Kol Prela (babai i Zefit) i cili ka marrë pjesë në luftrat e malsorëve dukagjinas kundër serbëve dhe malazezëve. Krisja e mardhënieve ndërmjet familjes Prela dhe regjimit komunist në fuqi e ka zanafillën menjëherë që në ditët e para të pasluftës, kur forcat partizane ndërrmorën ekspedita ndëshkuese në malësitë e mbi Shkodrës për të çarmatosur popullsinë e atyre fshatrave. Kjo ekespeditë e partizanëve që kryesohej prej Xhemal Selimit, me të mbërritur në fshatin Gimaj bëri kontroll në shtëpinë e Gjelosh Çunit (Prela) që ishte vëllai i Kol Prelës. Pasi në atë shtëpi ashtu si në çdo familje malsori kishte armë, forcat partizane menjëherë pushkatuan të zotin e shtëpisë Gjeloshin me gjithë djalin e madh të tij, gjë e cila do të sillte më pas armiqësinë e përjetëshme të familjes Prela me regjimin komunist në fuqi.

Kush ishte Zef Prelaj
Zefi, fëmija i parë i Kol Prelës u lind në fshatin Gimaj në vitin 1922. Mbas disa vitesh familja Prela u vendos në qytetin e Shkodrës ku Zefi u regjistrua dhe filloi mësimet si konviktor në Konviktin “Malet Tona” të gjimnazit klasik të atij qyteti që njihej si një nga më të famëshmit e asaj kohe. Në atë gjimnaz ku mësonin shumë prej nxënësve që më pas do të bëheshin eksponentët kryesorë të luftës antifashiste nacional-çlirimtare si Qemal Draçini, Tom Kola, Hajdar Dushi, Qemal Stafa, Emin Duraku, Fadil Hoxha etj, Zef Prela u lidh me lëvizjen antifashiste nëpërmjet Prof. Kol Prelës që do të bëhej më pas një nga njerzit më të afërt të tij.

Aty nga viti 1943, pasi Zefi mbaroi maturën, i nxitur dhe nga Prof. Kol Prela ai u bashkua me rrethet nacionaliste të Qarkut të Shkodrës që formuan dhe çetën e tyre e cila udhëhiqej prej Ndue Palit dhe kishte mbështetjen e disa eksponentëve të Klerit Katolik si Dom Zef Shestani, Padër Gjon Shllaku etj. Menjëherë pas mbarimit të luftës, forcat e reparteve të ndjekjes ose siç quheshin ndryshe Brigadat e Mbrojtjes së Popullit, e arrestuan Zef Prelën me akuzën se kishte marrë pjesë si efektiv i Batalionit të Major Dodë Nikollës me forcat e xhandarmërisë duke luftuar kundër partizanëve në Shqipërinë e Jugut. Si rezultat i kësaj akuze, Zefi u dënua me 5 vjet burg dhe u dërgua në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës. Me rastin e një vjetorit të çlirimit, duke përfituar nga amnistia që u dha për një pjesë të dënuarish politik, Zefi mundi që të lirohet nga burgu dhe të kthehet në shtëpinë e tij në Shkodër.

Arrestimi i dytë i Zefit
Pas lirimit nga burgu, Sigurimi i Shtetit nëpërmjet Gj.U. i bëri thirrje Zefit që ai të bashkpunonte me ato forca, por ai nuk pranoi. Presionit të Gj.U. Zefi ju përgjigj:” Sa të jem gjallë, kurrë nuk do të bashkpunoj me forcat tuaja dhe komunistët, pasi ju jeni kundër Shqipërisë. Arrestimit i deputetit Kol Prela aty nga fillimi i vitit 1946, i cili ishte zgjedhur në parlamentin shqiptar nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, ishte një sinjal i qartë dhe për Zefin i cili ishte një nga bashkpuntorët më të afërt të tij, që kishte zbatuar porositë e deputetit për formimin e grupeve antikomuniste. Nisur nga kjo gjë, duke parë rrezikun që i kanosej, Zefi la qytetin dhe u arratis duke qëndruar në malet e Dukagjinit ku asokohe në shpellat e asaj zone qëndronin rreth katërqind burra të armatosur që ishin kundra pushtetit komunist. Mbas dështimit të Lëvizjes së Postribës, për forcat e rezisencës antikomuniste pasuan dhe disa disfata të tjera që çuan në kapjen apo ekzekutimin e disa prej krerëve kryesorë të asaj lëvizje.

Në një nga ekspeditat e forcave partizane të ndjekjes kundër pjestarëve të forcave të rezistencës antikomuniste në zonat e malësisë së Dukagjinit, si rezultat i një tradhëtie u gjet i rrethuar prej tyre në shpellën e Gimajve dhe Zef Prela së bashku me disa të arratisur të tjerë. Mbas një përpjekje të gjatë me armë ndërmjet të ngujuarve në shpellë dhe forcave partizane të reparteve të ndjekjes, u vra Dush Myftari shoku më i afërt i Zefit. Më pas u plagos dhe vetë Zefi, e forcat e ndjekjes arritën ta kapin të gjallë. Mbasi e mjekuan për disa kohë në spitalin e Shkodrës, atë e dërguan në qelitë e hetuesisë të cilat asokohe ishin mbushur plot me të burgosur politikë kundërshtarë të regjimit komunist, të cilët ishin arrestuar të akuzuar si pjestarë të Lëvizjes së Postribës, organizatës “Bashkimi Shqiptar” etj, ku pjesa më e madhe përbëhej prej klerikëve katolik.

Akuzat e hetuesisë
Gjatë asaj kohe që Zefi qëndroi në hetuesi, ndaj tij u bënë tortura të vazhdueshme duke i thyer gjymtyrët dhe duke i fikur cigaren në sy. Në aktakuzën e hetuesisë në mes të tjerash thuhet: “Zef Kol Prelaj, i biri i Kolës dhe i Katrinës, vjeç 25, i martuar me dy fëmijë. I dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata Ushtarake, tuj fitue nga amnistija është lirue. Shqyptar i varfër me pesë klasë gjimnaz, lindur në Gimaj të Shalës të N/Prefekturës së Dukagjinit dhe banues në Shkodër. Ka dy kushërinj të ekzekutuar dhe vëllanë në burg të arrestuar në datë 14.9.1945. Gjatë luftës ka qenë në shërbim të gjindarmërisë kuislinge me gradën e rreshterit dhe si i tillë ka bërë pjesë në Batalionin e Dodë Nikollës, i cili ka luftuar kundra partizanëve në Jug.

Mbas çlirimit është arrestuar dhe më pas është liruar për të vazhduar përsëri aktivitetin e tij kundra pushtetit. Duke u lidhur me deputetin Kol Prela është përpjekur të formojë grupe. Në bashkpunim me të vëllanë e Kol Prelës, Mark Prelën, bjen në lidhje me policin Zef Marku etj., me të cilët bëjnë shumë mbledhje ku vendosin të bashkohen me të arratisurit e Dukagjinit si Pal Thanin dhe bashkë me të janë nisur në Dukagjin. Ka qenë për disa kohë korrieri i Mark Kolës dhe i Nik Sokolit. Ai me Lorenc Vatën, Gac Cinin etj., nga të cilët çdo ditë është furnizuar me materiale dhe lajme. Ka marrë pjesë me armë kundra pushtetit dhe për këtë është plagosur dhe më vonë është kapur nga forcat e ndjekjes.

Në bashkepunim me Mark Prelën duke marrë udhëzime nga deputeti Kol Prela vendosin që të lidhen me elementët reaksionarë dhe kriminelë lufte me anë të policit Zef Marku për të filluar luftën kundra pushtetit. Në grupet që ka formuar, ju ka bërë propagandë duke ju komentuar Radio-Londrën për ndryshimin e situatës në vend që do të ndryshonte me shpejtësi pas ndërhyrjes së anglo-amerikanëve. Është lidhur me kriminelin Pal Thani, i cili ishte fshehur në Shkodër dhe është kujdesur për nxjerrjen e tij jashtë qytetit për të mos rënë në duart e pushtetit. Ka shkuar dhe është takuar me me ish deputetin Kol Prela dhe kanë biseduar shtruar në lidhje me organizatën e tyre dhe mbi situatën ndërkombëtare, ku ju doli si detyrë shtimi i rradhëve të tyre. Pas kësaj ai hidhet në ilegalitet dhe bashkohet me elementët e arratisur si Gjergj Vata e të tjerë kriminelë lufte, me të cilët fillon aktivitetin duke ju folur katundarëve që të hidheshin në ilegalitet, duke sharë pushtetin e sotëm, shkruhet në mes të jerash në aktakuzën e mbajtur gjatë hetuesisë për Zef Prelën.

Gjyqi: Dënim me vdekje
Në bazë të këtyre akuzave të hetuesisë, më datën 29 shkurt të vitit 1948, Zef Prela doli para trupit gjykues ushtarak të Shkodrës që kryesohej nga kapiten P. Alizoti, togerët B. Idrizi, A. Koroveshi dhe Prokuror Z. Shehu. Ai gjyq e dënoi Zefin me vdekje dhe humbjen e të drejtës politike dhe civile si dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme, duke ju ngarkuar dhe pagimi prej 162 lekësh i shpenzimeve të gjyqit. Pas pak ditësh nga dhënia e atij vendimi natën e 11 marsit të vitit 1948 në burgun e fretënve ku Zefi mbahej i izoluar, qëndruan dy makina të mbuluara ku policët hypën 16 të arrestuar që ishin dënuar me vdekje për ti dërguar drejt ekzekutimit. Bashkë me Zef Prelën në ato dy makina të rrethuar me një numër të madh policësh, zunë vend dhe Imzot Frano Gjini (Zv/Nunsi Apostolik), Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdulla Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi, të cilët ish dënuar me vdekje nën akuza të ndryshme si agjentë të anglo-amerikanëve, Vatikanit, pjesmarrës në Lëvizjen e Postribës, futjen e armëve në Elterin e Shnandout etj.

Si i dërgoi amanetet
Asokohe që u ekzekutua Zef Prela ai kishte vetëm një vajzë të vogël tre vjeçe dhe gruan shtatëzanë që lindi më pas dhe një vajzë tjetër që nuk pati fatin ta shihte kurrë babanë e saj. Lili Ndoci vajza e madhe e Zefit, kujton: “Edhe pse baba ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Duke mos i duruar dot më torturat, një natë përpara se ta ekzekutonin, ai i tha shokut të qelisë Z. Pikolinit: A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ato burra që do të vriten nesër? Dhe lutja e tij u bë realitet. Të nesërmen me 11 mars të vitit 1948, ai u pushkatua së bashku me 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në burgun e fretënve.

Unë asokohe isha shumë e vogë, por kam dëgjuar nga njerzit e familjes se baba Zefi atë natë përpara se ta merrnin për ta ekzekutuar, ju lut policit Sulejman Merxhani që t’i dërgonte nanës dy tre copa letre në shenjë amaneti. Ato letra ai i shkroi pak para se ta merrnin zvarrë për ta çuar para pushkatimit, me një fije shkrepse të djegur të cilën e ka ngjyer në gjakun e tij që i rridhte ende nga torturat. Aty shkruhet: “Nanë, Unë po nisem për në Lumni të Parrajzës. Qindroni dhe ma bani hallall. Zefi.” Polici e mbajti fjalën dhe letrat e babës ai i pruni në shtëpi. Disa muaj pas pushkatimit të babës, lindi motra, por në shtëpinë tonë nuk ndihej asgjë. Aty as nuk flitej dhe as nuk qahej, sepse askush nuk guxonte të vinte për ngushëllim, sepse gjyqi kishte urdhëruar dhe sekuestrimin e pasurisë. Mbas dy javësh nga pushkatimi i babës, axha Marku që ishte i arrestuar bashkë me Zefin, u dënua me 5 vjet burg.

Kur doli në vitin 1952 ai u arratis nga Shqipëria dhe kaloi në Jugosllavi. Aty ai mbaroi studimet e larta dhe u diplomua për Filozofi në Beograd. Në vitin 1953(?) autoritetet jugosllave e kthyen në Shqipëri duke e shkëmbyer me një kosovar. Këtu në fillim ai u dënua me pushkatim dhe më pas me 25 vjet. Marku bëri 17 vjet burg dhe kur doli punoi në punë të rënda e vdiq në vitin 1994. Axha tjetër Pjetri pasi u lirua nga burgu në vitin 1952, u arratis nga Shqipëria dhe sot jeton ende në Kanada. Mbas pushkatimit të babës, axha i dytë Deda edhe pse ishte i sëmurë, punoi hamall dhe së bashku me gjyshen Katrinën, morën përsipër rritjen e dy fëmijve të vëllait (timen dhe motrës Irenës) në mes halleve dhe vuajtjeve të shumta”, përfundon Lili Ndoci dëshminë e saj mbi fatin tragjik të babait Zef Prelës dhe familjes së tij, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimeve për faktin e vetëm se ishin kundërshtarë të atij regjimi që u instalua në Shqipëri në nëntorin e vitit 1944.

— Gazeta Shqiptare —

“Deklarata e Qemal Stafës në hetuesi: “Përse unë nuk jam komunist”


nga Dashnor Kaloçi


Për herë të parë  publikojmë  një nga dokumentet më të bujshme të Heroit të Popullit, e shkruar me dorën e tij në gushtin e 1938, kur mbahej i arrestuar në hetuesinë e Elbasanit.


Qemal Stafa

Disa njerëz të shtuem nga një ambicje personale vazhdojshin akuzat e tyne pranë drejtorisë së Gjimnazit dhe pranë institutesh të tjera. Çështja merr përpjestime të mëdha gjer sa zgjon interesimin e Ministrisë kompetente e cila pyet në mënyrë rezervate Drejtorinë e Gjimnazit. Drejtori përgjigjet tuj akuzue të nënshkruemin si komunist. I nënshkruemi porsa merr vesht këtë veprim, paraqitet në Drejtori për me e kundërshtue këtë gjest dhe merr sigurinë nga titullari se raporti i dërguem në Ministri ishte në favor t’im.

Zoti Anton Deda tue mos harru mëninë personale kundrejt një djaloçi gjashtëmbëdhjet vjeçar, dërgon një shkresë Drejtorisë së Gjimnazit të Tiranës tue më cillësuem si komunist, pa pasë asnjë dokument provues. Në vitin 1936-37 i nëshkruemi zgjidhet drejtor i degës letrare në shoqninë “Fryma e Re” të studentave të gjimnazit të Tiranës. Drejtori i atëhershëm i gjimnazit z. Beniamin Dashi, për arsye që nuk u kuptuen, anuloi zgjedhjet e këshillës. Edhe këtë herë i nënshkruemi akuzohet si komunist, megjithëse nuk ekziston asnjë dokument provues. Kur në Gjimnazin e Tiranës u dogjën regjistrat, drejtoria e atij Instituti, paraqet të nëshkruemin si të dyshimtë. Më vonë me zbulimin e fajtorit, u pa qartë se një nxanës që ka përfundime të pëlqyeshme në mësimet dhe sjellja e të cillit aprovohet nga të gjithë profesorat, nuk ka aspak nevojë të humbi gjurmat e përfundimevet të mundimit të tij, të shënuem në regjistrat e shkollës. I vetmi vit shkollor në të cilin nuk më është drejtuem akuza si komunist, asht viti 1937-38″.

I pandehuni Qemal Stafa. Kështu shkruhet midis të tjerash në deklaratën e Qemal Stafës që mban datën 21 gusht të vitit 1938, të cilën ai e ka bërë dhe firmosur me dorën e tij përpara hetuesëve të burgut të Elbasanit, ku mbahej i izoluar duke u akuzuar si komunist. Po çfarë shkruhet në pjesën tjetër të deklaratës së bërë nga Qemal Stafa, nga kush u akuzua ai si komunist dhe cilat janë shpjegimet e dhëna prej tij në atë deklaratë se përse ai nuk është komunist dhe ku protestoi ai ndaj atyre akuzave që i bëheshin duke e cilësuar si komunist? Si u censurua ajo deklaratë e Qemalit gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në librin “Qemal Stafa” të autorit N. J. duke u përdorur vetëm një paragraf i saj i shkëputur nga konteksti i plotë që ia ndërronte tërsisht kuptimin e saj.

Falsifikimi në librin “Qemal Stafa”

Një nga shkrimtarët që para viteve ’90 u ngarkua për të shkruar mbi jetën e Heroit të Pupullit Qemal Stafa, ka qenë N. J. i cili botoi librin “Qemal Stafa” (Jeta dhe lufta), që është më i ploti për jetën e heroit të famshëm me të cilin është personifikuar dita e 5 majit që simbolizon dëshmorët e Shqipërisë. Në atë libër i cili deri në gushtin e vitit 1982 u ribotua tre herë, deklarata e Qemal Stafës e bërë në gushtin e vitit 1938 në hetuesinë e Elbasanit, ku ai jep shpjegime të hollësishme se pse nuk është komunist e në çfarë rrethanash dhe kush ishin ata që ia kishin bërë ato akuza, është censuruar dhe është vënë vetëm një pjesë e vogël e saj. Në atë paragraf prej 11 rreshtash të shkëputura nga fillimi i deklaratës, (fq. 42) nuk del dhe nuk kuptohet asgjë nga deklarata e plotë dhe ajo është ndërprerë aty, sepse në të gjitha paragrafet e tjerë që vijojnë më pas e deri në fund të saj, në çdo rresht të shkruar, Qemal Stafa jep shpjegimet e nevojshme se nga i kanë ardhur ato akuza që e cilësojnë si komunist dhe si ka protestuar ai kundër tyre.

Me të drejtë mund të thuhet se Qemal Stafa në atë deklaratë të dhënë para hetuesve, (të cilën po e botojmë të plotë në këtë shkrim) e ka mohuar qënien e tij si komunist, në mënyrë që të lirohej nga burgu, siç është dhe e vërteta që ai u lirua më pas. Si fillim, kjo është një llogjikë më se e pranueshme, mirpo po të shohim më pas se çfarë është thënë për Qemal Stafën dhe çfarë fjalësh i janë atribuar atij, nxjerrim konkluzionin se ajo deklaratë e Qemal Stafës, është më se e vërtetë dhe në atë kohë Qemali nuk ka qenë komunist dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me idetë apo celulat komuniste të asaj kohe që vepronin në Shqipëri. Për këtë gjë po iu referohemi disa fakteve të cilat tashmë janë të njohura për këdo, sepse ato janë thënë dhe shkruar para viteve ’90, duke pasur parasysh edhe librin e autorit N. J. i cili siç thamë më lart është konsideruar si libri më i plotë mbi jetën e Qemal Stafës.

A e pranoi Qemali akuzën në gjyq
Është thënë se në gjyqin e 4 shkurtit të vitit 1938 që u zhvillua në Bashkinë e Tiranës ku ishin të pandehur 53 persona që akuzoheshin si komunistë, Qemal Stafa deklaroi se ishte komunist dhe e pranoi të gjithë akuzën që i bëhej. Ai deklarim i Qemalit, aty jepet vetëm me katër rreshta ku thuhet: “Jam komunist i bindun dhe deklaroj se vetëm komunizmi do ta shpëtojë masën e punëtorisë që sot ndodhet e shtypun jam i sigurtë se çfarë do që të ndodhë, ne komunistët do ta shpëtojmë Shqipërinë”. (N. J. fq. 177)

Kemi të drejtë të supozojmë dhe besojmë se ajo deklaratë është e sajuar dhe kjo për disa arsye: Sëpari, po të ishte e vërtetë deklarata e Qemalit, ajo do të ishte botuar me faksimile dhe e plotë, e jo vetëm katër rresha sa janë vënë aty, ku nga pikat e vëna lihet të kuptohet se ajo deklaratë është me e gjatë. Por edhe këtij supozimi dhe arsyetimi më se llogjik, autori i librit (N. J.) apo dhe të gjithë ata që janë marrë me përgatijen e botimin e librit në fjalë, për ato fjalë që i kanë vënë në gojën e Qemal Stafës, janë kujdesur që të mos lënë dyshime. Kështu në fundin e fq 177 ku është dhënë deklarata e Qemalit, është bërë një shënim ku thuhet: “Fjala e Qemalit nuk është mbajtur e plotë dhe e saktë në procesverbalin e seancës. Më shumë për fjalët që ka thënë Qemali në gjyq marrim vesh nga pretenca e prokurorit.

Duke qenë se ato nuk janë autentike, por të interpretuara, në këtë ribotim jemi munduar që, duke krahasuar të dhënat e këtyre dokumenteve zyrtare edhe me ato çka tregojnë shokët e tij, të ndërtojmë përafërsisht atë që ka thënë Qemali”. Pra siç shihet nga ky shënim i bërë në librin për Qemalin, del fare qartë se deklarata e tij ku ai pranon akuzën se është komunist, nuk është marrë nga procesverbali, pasi ai nuk është mbajtur, por nga pretenca e prokurorit dhe ajo është formuluar nga dëshmitarë të ndryshëm, siç thuhet aty: shokë të Qemalit. Nisur nga kjo kemi të drejtë të besojmë se fjalët e vëna në gojën e Qemalit, nuk janë të vërteta dhe janë të fallsifikuara, për arsye që tashmë dihen shumë mirë dhe nuk është nevoja t’i përsërisim. Po të shikohen dokumentet arkivore të gjyqeve të asaj kohe, apo dhe më pas në periudhën e pushtimit të vëndit, nuk mund të gjesh në asnjë prej tyre, që fjalët e një të pandehuri, qoftë dhe më ordiner, të mos jenë shkruar dhe pasqyruar të plota nga sekretaria e gjyqit.

Aq më keq, kjo gjë bëhet e pabesueshme të mos jetë bërë për rastin e Qemal Stafës, në qoftë se ai me të vërtetë e ka pranuar akuzën që ka qenë komunist, kur dihet shumë mirë se ai gjyq u bë me bujë të madhe. Si mund të besojmë që Qemal Stafa ta ketë pranuar akuzën që ka qenë komunist dhe ajo gjë të mos mbahej shënim nga ana e trupit gjykues, kur i gjithë ai gjyq i bujshëm me 53 të pandehur nën akuzë, bëhej pikërisht për atë gjë, që t’i demaskonte ata duke i quajtur komunistë. Pra nga sa thamë më sipër, kemi të drejtë të besojmë se të gjitha ato që janë thënë për Qemal Stafën (në rastin konkret) nuk janë gjë tjetër veçse fallsifikime të bëra për qëllime të caktuara propagandistike, ashtu siç bëhej rëndom nga propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, me të cilat mbushej “Historia” e Shqipërisë.



Deklarata e Qemal Stafës në hetuesi: “Përse unë nuk jam komunist”
Deklaratë.

Elbasan 21.VII.1938. I nëshkruemi Qemal Stafa, maturant i Gjimnazit shtetnuer të Tiranës, përshkuej si vijon, rrjedhimin e emnit komunist me të cilin më cillësojnë informatat zyrtare. I lindun në Elbasan në 1920 jam rritun në Shkodër ku kam vazhdue studimet në kolegjën e etënve Jezuitë për 8 (tetë) vjet. Në kohën e shtetëzimit të arsimit botor, u regjistrova në gjimnazin shtetënor të Shkodrës. I shikuem me sy të mirë nga profesorat, dhe tue pasun gjithëhere përfundime të pëlqyeshme, vazhdova rregullisht mësimet në atë institut që nga mbarimi i klasës së III (tretë) gjer në mbarimin e klasit të gjashtë, d.m.th. gjer në fund të vitit shkollor 1935-36. Gjatë kësaj periudhe të fundit disa incidente të jetës shkollore shkakëtojnë që të cillësohem si komunist. Incidentet janë këto: Në vitin shkollor 1934-35, Ministrija e Arsimit na çon si professor të gjuhës shqipe, prof. Skënder Luarasin, i cili këshillon disa nxënës që të hjekin festën e zezë, mbasi kjo ishte një shenjë e shpirtit oriental, dhe ta zëvëndësojnë me kapelë, shenjë që diftonte se afroheshim në botën oksidentale. I nëshkruemi qe një nga ata që e përkrahën kët mejtim dhe që u munduem të vehej në zbatim për të gjithë Gjimnazin e Shkodrës.

Por kjo frymë përparim-dashëse, nuk u pëlqente rretheve prapanike të qytetit të Shkodrës. Prandaj një kundër-lëvizje reakcionare fillon të shënohet në disa rrethe studenteske, të frymëzueme nga kleri katolik. Një valë çpifjesh dhe kërcënimesh të çdo lloji, u drejtohen atyre djelvet që përkrahin zëvëndësimin e festes me kapelë. Në fillim na quajtën afetarë. Më vonë atheista. Në fund filluan të na paraqesin përpara opinionit publik si komunista. Njëkohësisht Drejtorisë së Gjimnazit shtetënor të Shkodrës, i shkojnë në vesh këto zane, nga organet informonjëse të varuna prej saj. Prandaj zoti Anton Deda, drejtor i Gjimnazit e thërret të nënshkruemin (Qemal Stafën, shënim i im, D.K.) në zyrën e tij dhe e këshillon të largohet nga prof. Skënder Luarasi, i cili akuzohej për mejtime komuniste.

I nëshkruemi i përgjigjet se nuk kam asnjë mardhënie jashtëshkollore me profesorin e lartë-përmëndur. Në vitin shkollor 1935-36 u regjistrova në klasën e VI (gjashtë) të gjimnazit të Shkodrës. Dukej se viti shkollor do të mbyllej pa asnjë incident. Por kjo ishte e vërtetë vetëm në dukëje. Disa njerëz të shtuem nga një ambicje personale vazhdojshin akuzat e tyne pranë drejtorisë së Gjimnazit dhe pranë institutesh të tjera. Çështja merr përpjestime të mëdha gjer sa zgjon interesimin e Ministrisë kompetente e cila pyet në mënyrë rezervate Drejtorinë e Gjimnazit. Drejtori përgjigjet tuj akuzue të nënshkruemin si komunist. I nënshkruemi porsa merr vesht këtë veprim, paraqitet në Drejtori për me e kundërshtue këtë gjest dhe merr sigurinë nga titullari se raporti i dërguem në Ministri ishte në favor t’im. Atëhere isha 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjetësh.

Në korrikun e vitit 1936, bashkë me familjen time shkova me banim në Tiranë. Në fillim të vitit shkollor 1936-37 u regjistrova në Gjimnazin Shtetënor të Tiranës. Zoti Anton Deda tue mos harru mëninë personale kundrejt një djaloçi gjashtëmbëdhjet vjeçar, dërgon një shkresë Drejtorisë së Gjimnazit të Tiranës tue më cillësuem si komunist, pa pasë asnjë dokument provues. Në vitin 1936-37 i nëshkruemi zgjidhet drejtor i degës letrare në shoqninë “Fryma e Re” të studentave të gjimnazit të Tiranës. Drejtori i atëhershëm i gjimnazit z. Beniamin Dashi, për arsye që nuk u kuptuen, anuloi zgjedhjet e këshillës.

Edhe këtë herë i nënshkruemi akuzohet si komunist, megjithëse nuk ekziston asnjë dokument provues. Kur në Gjimnazin e Tiranës u dogjën regjistrat, drejtoria e atij Instituti, paraqet të nëshkruemin si të dyshimtë. Më vonë me zbulimin e fajtorit, u pa qartë se një nxanës që ka përfundime të pëlqyeshme në mësimet dhe sjellja e të cillit aprovohet nga të gjithë profesorat, nuk ka aspak nevojë të humbi gjurmat e përfundimevet të mundimit të tij, të shënuem në regjistrat e shkollës. I vetmi vit shkollor në të cilin nuk më është drejtuem akuza si komunist, asht viti 1937-38.

I pandehuni Qemal Stafa (firma)


***

“Unë, korrieri i Qemal Stafës, dëshmoj vrasjen e tij nga Enveri”

Dëshmia e rrallë dhe e bujshme e 75-vjeçarit Beqir Ramazan Xhepa. Ku strehohej Qemali, marrëdhëniet me Enverin dhe të gjitha prapaskenat e eliminimit të tij…


Por miqësia jonë me familjen e Qemal Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, babai i tij, kolonel Hasan Stafa, e la me amanet që baba jonë Xan Xhepa, të kujdesej për fëmijët e tij. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ne kishim me atë familje, në 6 prillin e vitit 1939 kur pritej të zbarkonte Italia fashiste dhe u shpërthyen burgjet, Qemal Stafa i palgosur erdhi dhe u strehua në shtëpinë tonë Aty vinte vazhdimisht për ta mjekuar, daja i tij, Dr. Qemal Sejdini. Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm dhjetë ditë para se të vritej, pasi Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit e dy oficerëve të tij, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit, duke i thënë që ta largonte Qemalin nga shtëpia e ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij e kishin spiunuar atë në Kuesturë dhe ai kërkohej me qiri. Pas kësaj baba mezi ia mushi menjen Qemalit, që të largohej nga shtëpia jonë dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, tek shtëpia e L.D., ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942.

Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë Xani, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, për një nga ngjarjet më të përfolura që nga periudha e Luftës, është 75-vjeçari Beqir Ramazan Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës, i cili rrëfen të gjithë misteret e asaj ngjarje të bujshme të ndodhur në 5 majin e largët të vitit 1942, ngjarje që tronditi jo vetëm komunistët shqiptarë, por dhe mbarë qytetin e Tiranës. Po kush është Beqir Xhepa, cila është e kaluara e tij, çfarë lidhjesh kishte ai me Qemal Stafën dhe çfarë detyrash iu ngarkuan në atë kohë kur ai shërbente si korrier i tij personal? Përse Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i kishte thënë Ramazan Xhepës, për Enver Hoxhën: “Ky është i yni”? Kush ia shtyu Qemal Stafës udhëtimin e tij për në Vlorë me datat 4 e 5 maj të vitit1942, dhe në çfarë rrethanash u rrethua dhe u vra Qemali në shtëpinë e L.D. Përse shoqëruesi personal i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin “Hekuri”, më datën 4 maj u nis me “shërbim” për në qytetin e Shkodrës, cili ishte debati i ashpër që ai bëri me Enver Hoxhën në dyqanin “Flora” të nesërmen e vrasjes së Qemalit dhe përse që nga ajo ditë ai u tërhoq nga Lufta e nga Partia? Kush ishte J.K., personi që spiunonte Qemalin në Kuesturë dhe si e vrau atë me atentat, Kajo Karafili, pasi ia nxorri në vëndin e caktuar, Shefi i Policisë së Tiranës, Man Kukaleshi?

Qemal Stafa Përse në mbrëmjen e asaj dite që u vra Qemali, Ramazan Xhepa, shkoi në dyqanin “Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty”? Si u shfajësua Enveri pas akuzave të Xan Xhepës e Vançi Bajraktarit dhe cilin nga komunistët akuzoi ai si spiunin e Qemal Stafës dhe si urdhëroi ekzekutimin e tij pas daljes nga burgu i Tiranës? Cilat ishin marrëdhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën pas Luftës dhe përse nëna e motrat e tija refuzuan ta prisnin Enver Hoxhën në shtëpinë e tyre me rastin e 5 majit? Si i eleminoi Enver Hoxha, duke i ekzekutuar të katër personat që e akuzuan atë për vrasjen e Qemalit dhe si i burgosi, internoi apo ekzekutoi edhe të gjithë ata persona që u rrethuan në shtëpinë e L.D. ditën e 5 majit 1942?

Përse e masakroi Enver Hoxha të gjithë familjen e Xhepëve, duke i burgosur, torturuar dhe ekzekutuar e përse vetë Beqir Xhepa, ish-korrieri i Qemal Stafës i cili kishte vuajtur në kampin nazist të Mathauzenit, u burgos katër herë duke vuajtur vite të tëra në burgjet dhe spitalet psiqiatrike të regjimit komunist, prej nga doli vetëm në vitin 1988? Për të gjitha këto mistere dhe plot fakte të tjera rreth një prej historive më të përfolura që nga periudha e Luftës, na njeh dëshmia ekskluzive e Beqir Xhepës, 75-vjeçarit tiranas, i cili edhe sot e kësaj dite ruan më shtëpinë e tij shumë, letra, foto, dokumenta dhe sende personale të heroit të famshëm, ditëvdekja e të cilit simbolizon edhe ditën e përkujtimit të gjithë dëshmorëve të Shqipërisë.

Beqir XhepaZoti Beqir, cila është origjina e familjes suaj dhe ku keni banuar ju në qytetin e Tiranës?

“Origjina e familjes sonë, Xhepa, është autoktone tiranase dhe të paktën që nga fundi i shekullit të XVIII, shtëpia jonë ka qenë diku prapa ish-kafe “Flora”, në mes Rrugës së Durrësit dhe asaj “Mine Peza”. Ajo ka qenë një shtëpi e vjetër tiranase një katëshe prej qerpiçi dhe familja jonë ka banuar aty që nga periudha e Monarkisë së Zogut, e më pas gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ajo shtëpi tani nuk ekziston më, pasi është prishur vetëm para pak muajsh”.

Cilat ishin lidhjet e familjes Xhepa me familjen e Qemal Stafës?

“Lidhjet e familjes sonë me familjen e Qemal Stafës, e kanë zanafillën diku aty nga viti 1922, kur xhaja jonë, Bahri Xhepa, ishte ushtarë në qytetin e Shkodrës dhe shërbente si ordinancë e kapiten, Hasan Stafës, babait të Qemalit. Duke qenë se Hasan Stafa kishte krijuar një konsideratë mjaft të mirë për Bahriun, pas lirimit të tij nga ushtria, Hasani mor si ordinacë babën tonë, Ramazanin. Si xhajën ashtu dhe babën tonë, Hasan Stafa i konsideronte dhe i trajtonte jo si ordinanca, por njëlloj si të gjithë fëmijët e tij”.

Vetëm kjo gjë u bë sebep që familja juaj të ruante një miqësi të gjatë me familjen e Hasan Stafës?

“Jo vetëm kjo gjë, por miqësia e familjes sonë me familjen e Hasan Stafës, u shtua akoma dhe më tepër pas vitit 1935, kur pak kohë para vdekjes, Hasani e la me gojë që babai ynë, Xani, të kujdesej për familjen e tij. Në atë kohë që vdiq Hasan Stafa, i cili mbante gradën e Kolonelit dhe shërbente në detyrën e Kryetarit të Zyrës së Rekrutimit të Qarkut të Shkodrës, familja e babait tonë shkoi për të marrë pjesë në varrimin e tij dhe aty nëna e Qemalit, Tabja, (Sabria) i tha Xanit, që Hasani, ia kishte lënë amanet që të kujdesej për fëmijët e tij”.

Çfarë bëri babai juaj pas kësaj?

“Pas varrimit të Hasan Stafës, baba, Xani, shkoi përsëri në qytetin e Shkodrës dhe i tha nënës së Qemalit, se ai nuk kishte mundësi që të kujdesej për familjen e saj në atë qytet dhe për atë arsye kishte vendosur që t’i tërhiqte të gjithë në Tiranë. Atë vendim që kishte marrë baba, nëna e Qemalit e aprovoi dhe kështu ata erdhën familjarisht në Tiranë.”

Kjo ishte arsyeja që familja e Qemal Stafës erdhi në Tiranë?

“Po, vetëm për këtë arsye ata erdhën në Tiranë”

Qemal Stafa

Ku u vendos familja e Qemal Stafës kur erdhi në Tiranë?

“Duke qenë se shtëpia jonë ishte shumë e vogël dhe familja e Hasan Stafës përbëhej nga shumë frymë, baba, Xani, i sistemoi ata si fillim tek shtëpia e Hoç Këllezit (babait të Abdyl këllezit, ish-zv / kryeministrit që u pushkatua më pas nga Enver Hoxha) të cilin baba e kishte mik të vjetër si tiranas autokton që ishin. Pasi qëndruan për disa kohë në atë shtëpi ku ishin shumë ngushtë, baba i hoqi prej aty dhe i rregulloi në një shtëpi tjetër në Rrugën e Kavajës, tek Llagamët. Edhe pas vendosjes në atë shtëpi, baba jonë, Xani, shkonte vazhdimisht dhe interesohej për ta, për çfardolloj problemi që të kishin”.

Po ju, a e mbani mënd Qemalin në ato vite dhe kur e keni njohur atë për herë të parë?

“Kur erdhën Stafajt në Tiranë, unë kam qenë rreth tetë vjeç dhe e kam parasysh Qemalin që ishte rreth shtatë-tetë vjeç më i madh se unë, por për ta fiksuar e pata fiksuar në vitin 1938, kur ai doli në gjyq si komunist bashkë me Vasil Shanton e shumë të tjerë. Gjyqi ndaj tyre, në mos gaboj u zhvillua aty nga shtatori i vitit 1938 në Bashkinë e Tiranës dhe baba jonë, Xani, i gjeti Qemalit dy avokatë për të mbrojtur atë në gjyq”.

Cilët ishin ata dy avokatë?

“Dy avokatët që zgjodhi baba për Qemalin, me sa më kujtohet ishin Spiro Stringa dhe Vasil Dilo, por Qemali nuk pranoi të mbrohej me avokat dhe deshi të mbrohej vetë”.

Babai juaj, Ramazani, a mori pjesë në ndonjë seancë të atij gjyqi?

“Nuk e di, por mua më kujtohet se në një nga seancat e atij gjyqi, baba më kishte marrë edhe mua me vete dhe kur po dilte Qemali nga Bashkia për t’u futur në makinë i shoqëruar me xhandarë, ai ia bëri Xanit me dorë. Në atë moment, baba më tha mua se ai djali me syze që na bëri me dorë, ishte Qemali”

“Po pas asaj kohe kur e patë përsëri Qemalin?

“Qemal Stafën unë e pashë përsëri aty nga fundi i marsit i vitit 1939. Atë kohë ndërsa Qemali vuante dënimin në burgun e Beratit, atij i vdiq vëllai, Veliu, i cili ishte shtruar për t’u kuruar në një spital të Parisit. Me të marrë lajmin për vdekjen e tij, baba jonë, Xani, u interesua pranë Mbretit Zog, i cili vendosi që trupi i Veli Stafës të kthehej në Tiranë dhe shteti do t’i paguante gjysmën e shpenzimeve, ndërsa gjysmën tjetër do ta paguante familja e tij”.
Qemal Stafa
Si e rregulloi dot babai juaj që qeveria e Zogut t’i paguante familjes Stafa gjysëmën e shpenzimeve të varrimit të vëllait të Qemalit që ishte dënuar si komunist?

“Qeveria e Zogut nuk i shikonte shumë ato gjëra, por baba ndërhyri pranë tij meqë ai kishte një miqësi të madhe me Mbretin, pasi gjyshja jonë që ishte një guzhuniere e njohur, thërritej vazhdimisht në Pallatin Mbretëror për të gatuar në ndonjë rast kur jepeshin dreka apo daraka. Por Zogu, jo vetëm që i pagoi gjysmën e shpenzimeve të sjelljes së trupit të Veliut në Shqipëri, por ai i dha leje Qemalit, i cili mori pjesë në varrimin e të vëllait dhe në pritjen e njerëzve për ngushëllime”.

Po pas asaj dite kur e patët parë përsëri Qemalin?

“Rreth një javë pas varrimit të Veli Stafës, ndodhi pushtimi fashist italian i Shqipërisë dhe më datën 6 prill 1939, Qemal Stafa erdhi përsëri në shtëpinë tonë. Atë ditë u shpërthye burgu i Tiranës, ku ndodhej Qemali pas transferimit nga burgu i Beratit me rastin e vdekjes së vëllait dhe gjatë ikjes së të burgosurve politikë, rojet e burgut kishin qëlluar me armë dhe Qemali kishte mbetur i plagosur prej tyre”.

Sa kohë qëndroi Qemali aty në shtëpinë tuaj?

“Pasi doli nga burgu i vjetër ashtu i plagosur, Qemali qëndroi për rreth dy muaj në shtëpinë tonë, por edhe pasi u shërua nga mjekimet që i bënte aty tek ne, daja e tij, Dr. Qemal Sejdini, ai vazhdoi të qëndronte përsëri në shtëpinë tonë. Qemali ishte njëlloj si djali i shtëpisë”.

“A mbani mënd ndonjë bisedë me Qemalin në atë kohë?

“Në atë kohë ne dilnim në bahçen e shtëpisë dhe luanim e bisedonim me të. Tamam aty nga pranvera e vitit 1939, Qemali më thirri mua në oborr dhe më tha që të shkoja tek nëna e tij, Sabrija, apo Tabja siç i thërrisnim ne në atë kohë dhe t’i kërkoja asaj revolverin e babait, Hasan Stafës.”

A shkuat ju për ta marrë revolverin dhe përse e donte Qemali atë?

“Unë shkova menjëherë tek Tabja që asokohe banonte tek Llagamët në Rrugën e Kavajës dhe i thashë për porosinë që më kishte dhënë Qemali. Ajo në fillim nuk pranoi të ma jepte, revolverin, duke më thënë: “Nuk ta jap, ç’e do ai këtë le, të vij vetë po të dojë dhe ia tregoj unë atij. Ne i dhamë shkollë, kurse ai merret me të tilla gjëra”. Por pasi unë nuk lëviza që aty, ajo u detyrua dhe ma dha revolverin e Hasanit, i cili ishte me firmën e Mbretit Zog. Qemali e donte revolverin, pasi ai ishte komunist dhe donte të mbrohej prej atyre që e ndiqnin”.

Gjatë asaj kohe që ishte Qemali aty, a vinin komunistë të tjerë për ta takuar atë?

“Që nga prilli i vitit 1939 që Qemali erdhi në shtëpinë tonë e deri në majin e vitit 1942, aty vinin për ta takuar atë shumë komunistë, si Mustafa Gjinishi, Vasil Shanto, Gogo Nushi, Shyqëri Peza, Kajo Karafili, Enver Hoxha, Hasan Reçi etj. Gjatë atyre tre-katër vjetëve, shtëpia jonë u bë një nga bazat më të rëndësishme të Luftës”.

Po Nexhmije Xhunglini, a vinte aty tek baza juaj?

“Jo Nexhmija nuk vinte asnjëherë aty në shtëpinë tonë, por i vëllai i saj, Fehmi Xhunglini vinte vazhdimisht dhe streohej aty”.

Nga komunistët që vinin asokohe në shtëpinë tuaj, kush dukej të ishte më i rëndësishmi prej tyre?

“Unë në atë kohë nuk mund të merrja pjesë në mbledhjet që bëheshin në shtëpinë tonë nga komunistët, po kështu as baba im, Xani, nuk merrte pjesë në mbledhjet e tyre. Ne vetëm sa kujedeseshim për ta, duke u përgatitur dhomën që bënin mbledhjet, ushqimin që hanin aty, si dhe ruanim jashtë shtëpisë në mënyrë që ata të mos diktoheshin. Por duke qenë se shtëpia jonë ishte për një kohë të gjatë një ndër bazat kryesore të komunistëve, nuk ishte e vështirë ta kuptoje se një nga personat me më të rëndësishëm që vinin tek ne, ishin Qemal Stafa me Mustafa Gjinishin. Qemali ishte i njohur si komunist që në vitin 1938 kur ishte dënuar me gjyq dhe ai e kishte pranuar botërisht para trupit gjykues se ishte komunist. Ajo gjë i kishte dhënë atij një famë dhe autoritet të padiskutueshëm ndër të gjithë komunistët e tjerë. Ndërsa Enver Hoxhën në atë kohë nuk e njihte njeri si komunist. Qemali me Gjinishin ishin dy më kryesorët dhe ajo dukej pasi ata jepnin urdhëra dhe porosi për gjithshka dhe çfarë thonin ata bëhej”.

Po Enver Hoxha, çfarë autoriteti kishte në atë kohë ndër ata komunistë që vinin aty në shtëpinë tuaj?

“Nga ata komunistë që streoheshin në shtëpinë tonë, Enveri si të thuash ishte ndër të fundit për nga rëndësia. Po t’i marrim një për një emrat e tyre, si Qemal Stafën, Vasil Shanton, Gogo Nushin, Mustafa Gjinishin, Hasan Reçin, apo dhe Kajo Karafilin, të gjithë këta pa dyshim, kishin një autoritet më të madh se Enver Hoxha. Madje deri aty nga pranvera e vitit 1942, Enveri ishte krejt i panjohur, madje atë nuk e njihte fare as Myslym Peza”.

Qemal Stafa

Kush e solli për herë të parë Enverin në shtëpinë tuaj dhe përse thoni që Enverin nuk e njihte as Myslym Peza?

“Për herë të parë Enver Hoxhën në shtëpië tonë e pati sjellë Qemal Stafa dhe ajo ka ndodhur aty rreth pranverës së vitit 1942. Ndërsa për atë që Myslym Peza, nuk e pati njohur Enver Hoxhën fare deri në pranverën e vitit 1942, mua ma pati thënë vetë Myslym Peza”.

Kur ua ka thënë Myslym Peza këtë gjë dhe në ç’rrethana?

“Kjo gjë ka ndodhur diku aty nga fundi i pranverës së vitit 1942. Në atë kohë, Esat Dishnica i çoi fjalë babës tim, Xanit, që të shkonte për ta takuar atë në dyqanin “Flora”. Pas kësaj baba shkoi në dyqanin “Flora” dhe takoi Esatin i cili i tha se Enver Hoxha, donte t’i çonte një palë dylbi Myslym Pezës. Xani e mori përsipër që t’ja çonte dylbitë Myslymit dhe atë gjë ma ngarkoi mua. Unë i futa dylbitë në një çantë dhe u nisa e shkova në këmbë në fshatin Pezë e Vogël, ku rrinte Myslym Peza në atë kohë. Lymin e takova në një hije të madhe pemësh ku ai ishte duke pirë raki me meze, me disa nga njerizit e tij. Sapo më pa, ai m’u drejtua: “Ouu çuni i Xanit, po ç’paske dalë mër babë”.

Pasi më takoi dhe më pyeti për babën e njerzit e tjerë të shtëpisë, unë i nxorra dylbitë nga çanta dhe ia dhashë në dorë, duke i thënë se ato ia kishte çuar Enver Hoxha. Ndërsa ai filloi t’i shihte dylbitë duke i rrotulluar mbarë e prapë, më tha: “Po kush është ky Enver Hoxha mër babë se nuk e njof”. Unë i thashë se Enveri ishte ai burri që rrinte tek dyqani “Flora” me Esat Dishnicën. Por edhe pas atij shpjegimi që i dhashë unë, Myslymi nuk kujtohej se kush ishte Enver Hoxha dhe m’u përgjigj: “Vallai se njef baba atë, por këto dylbitë i paska të mira” dhe i mori ato e i futi në çantën e tij”.

Po Enver Hoxha në kujtimet e tij thotë se me Myslym Pezën është njohur që në korrikun e vitit 1939?

“Nuk është e vërtetë ajo që ka shkruar Enver Hoxha në kujtimet e tij, sepse në atë kohë Myslymi ka qenë në emigracion në Jugosllavi dhe ai është kthyer në Shqipëri vetëm në dhjetorin e vitit 1939. Këtë gjë unë e di shumë mirë, sepse në atë kohë që u kthye nga Jugosllavia, Myslymi për herë të parë ka ardhur në shtëpinë tonë. Unë e mbaj mënd si tani atë ditë dhjetori të vitit 1939, sepse në atë kohë kishte filluar Lufta italo-greke dhe baba jonë na kishte nisë ne fëmijët tek një miku i tij në fshatrat e Tiranës. Kur u ktheva unë në shtëpi, pashë tek dera shumë opinga fshatarësh dhe kur pyeta se kush kishte ardhë, nëna më tha se ishte kthyer Myslym Peza nga Jugosllavia dhe aty në shtëpinë tonë kishin ardhur për ta pritur disa fshatarë pezakë që i kryesonte Dyl Çelmeta, miku i ngushtë i Myslymit”.

Po vetë Qemali me çfarë detyrash të ngarkonte ty në atë kohë?

“Që pas vitit 1941, Qemali më ngarkoi mua me detyrën e korrierit kryesor të tij. Ai më jepte vazhdimisht dhe më besonte mua çfardolloj porosie që të kishte. Ato porosi ai m’i jepte herë me letra dhe herë me gojë, për t’i çuar në baza të ndryshme si në dyqanin “Flora”, apo tek Shtëpia e Bretkosave, e cila ishte një bazë e rëndësishme e komunistëve që ndodhej diku aty ku sot është Agjensia Telegrafike Shqiptare. Ajo shtëpi ndodhej buzë Lumit të Lanës dhe nga që gjithë natën dëgjoheshin zhurmat e bretkosave, asaj shtëpie i mbeti “Shtëpia e Bretkosave”.

Vasil Shanto

Thatë më sipër se Qemal Stafa me Mustafa Gjinishin ishin ndër komunistët më kryesorë nga të gjithë ata që vinin e streoheshin aty në shtëpinë tuaj dhe çfarë thoshte Qemali bëhej. Si e shpjegoni këtë më konkretisht?

“Ka shumë fakte që mund t’ju them rreth kësaj, por po ju jap vetëm një shembull. Në fundin e tetorit të vitit 1941, Enver Hoxha donte që mbledhja themeluese e Partisë Komuniste Shqiptare të bëhej në shtëpinë tonë, por Qemal Stafa me Gjinishin nuk ishin dakort dhe u bë ashtu si thanë ata”.

Përse nuk deshi Qemali që të bëhej aty ajo mbledhje?

“Qemali nuk pranoi, sepse shtëpia jonë ndodhej fare pranë ndërtesës së Xhandarmërisë, e cila ishte në Rrugën e Durrësit atje ku ka qenë Gjykata e Tiranës dhe sot janë zyrat e avokatëve. Nga ajo mbledhje që do të bëhej aty, shtëpia jonë edhe mund të binte në sy të spiunëve dhe mund të dekonspirohej si bazë, prandaj nuk deshi Qemali. Ai donte ta ruante shtëpinë tonë si një bazë kryesore të komunistëve”.

Thatë që mund të jepni shumë fakte që vërtetojnë se Enver Hoxha, në atë kohë, nuk kishte ndonjë funksion determinant ndër krerët kryesorë të Partisë Komuniste, dhe që Qemali e Gjinishi kishin më shumë autoritet në Parti. Ç’mund të na thoni tjetër rreth kësaj?

“Përveç sa thashë më lart, që Enverin, deri aty nga pranvera e vitit 1942 nuk e njihte as Myslym Peza, po ju them edhe këtë tjetrën, se edhe në fundin e vitit 1943, Enveri përsëri nuk kishte autoritetin dhe prestigjin që gëzonte Mustafa Gjinishi ndër shokët kryesorë të Partisë”.

Si e shpjegoni këtë gjë?

“Për këtë jam vetë dëshmitar. Aty nga nëntori i vitit 1943, Kryeministri Ibrahim Biçaku me Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin, i thanë babës sim Xanit, që t’i çonte fjalë Myslym Pezës, pasi forcat gjermane po përgatiteshin për një goditje të rreptë ndaj forcave partizane, në kuadrin e një Operacioni të përgjithshëm, që më pas u njoh si “Operacioni i Dimrit”. Pas këtij njoftimi që mori baba nga dy miqtë e tij të ngushtë, ai më dha mua një letër dhe më tha që ta dërgoja në Pezë, duke ia dhënë në dorë, ose Spiro Moisiut, ose Mustafa Gjinishit. Pra baba nuk më tha që letrën t’ia jepja Enverit dhe këtë gjë ai nuk e bënte me kokën e vet, por ishte konsultuar dhe me krerët e tjerë komunistë që vinin në shtëpinë tonë. Sipas porosisë që më dha baba, unë letrën ia dhashë në dorë Mustafa Gjinishit dhe në atë rast që shkova atej, u plagosa dhe u arrestova më pas nga gjermanët”.

Deri në çfarë kohe pati qëndruar Qemal Stafa në shtëpinë tuaj?

“Qemali në shtëpinë tonë qëndroi deri në fundin e prillit të vitit 1942 dhe ai u largua nga shtëpia jonë për në një bazë tjetër, vetëm dhjetë ditë para se të vritej”.

Përse u largua Qemali nga shtëpia juaj?

“Aty nga fundi i prillit të vitit 1942, Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i çoi fjalë babës sim, Xanit, duke i thënë që ta largonte Qemal Stafën nga shtëpia, pasi Kuestura kishte rënë në gjurmët e tij dhe e kërkonte gjithë ditën duke e gjurmuar për të parë edhe bazat e tjera ku futej ai”.

Me kë i dërgoi fjalë Qazim Mulleti babës suaj, Xanit?

“Qazimi e lajmëroi babën me anë të Shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit dhe dy oficerëve të Kuesturës, Xhelal Pezës e Gëzim Latifit”.

Ç’farë i thanë ata Xanit?

“Man Kukaleshi i shkoi Xanit tek dyqani dhe i tha: “Më ka thënë Qazim beu, që ta largosh atë djalin nga shtëpia dhe ta nisësh për në Pezë, pasi nuk kam ç’të bëj, sepse atë po e spiunojnë shokët e tij”. Sipas porosisë së Qazim Mulletit, Man Kukaleshi i tregoi babës sim që në bazë të spiunimve që i bëheshin Qemalit prej shokëve të tij, Kuestura kishte ngarkuar agjentin e saj, Jani K. (me origjinë nga Përmeti) i cili e gjurmonte atë nga pas, duke survejuar të gjitha lëvizjet e tij”.

A e kishte pyetur babai juaj, Xani, Shefin e Policisë, Man Kukaleshin apo Qazim Mulletin, se kush ishte shoku i Qemalit që e spiunonte atë tek italianët?

“Baba e kishte pyetur Manin se kush ishte komunisti që e spiunonte Qemalin në Kuesturë, por as ai, dhe as Qazimi në atë kohë nuk dinin gjë. Në atë kohë ata nuk e njihnin atë person me emër, sepse komunisti që spiunonte Qemalin, e bënte atë me anë të letrave pa shkuar vetë në Kuesturë”.

Po ndonjë dyshim a kishte babai juaj, se kush mund ta spiunonte Qemalin në Kuesturë?

“Që kur ia tha Man Kukaleshi atë gjë, Xani kishte dyshime për Enver Hoxhën”.

Ku i mbështeste ato dyshime për Enverin babai juaj?

“Xani dyshonte për Enver Hoxhën, pasi kur kishte shkuar njëherë tek shtëpia e mikut të tij të ngushtë, Qazim Mulletit, ai e kishte parë atje Enver Hoxhën, i cili rrinte tek kunati i tij, Bahri Omari që ishte qeraxhi tek Mulletët. Kur e kishte parë Enverin, baba i kishte thënë Qazimit se ai djalë nuk i dukej njeri i mirë. Pas kësaj Qazimi i kishte thënë: “Lene, lene, Xan, Enveri është i yni”.

Pas porosisë që i dha Xanit, Qazim Mulleti, a iku Qemali nga shtëpia juaj?

“Në fillim Qemali nuk deshi që të ikte nga shtëpia jonë, duke i thënë babës: “Si të jetë kismet, dasëm pa mish nuk ka”. Por baba i tha se kur ishte mundësia që të behej dasma pa mish, pse të bëhej me mish”. Duke parë insistimin e babës, Qemali pranoi të ikte nga shtëpia jonë dhe shkoi e u strehua tek shtëpia e komunistit L.D., ku dhe u rrethua e u vra më datën 5 maj 1942″.

Kur Qazim Mulleti me anë të Man Kukaleshit, i dërgoi fjalë babës suaj, Xanit, që ta largonte Qemalin nga shtëpia dhe ta niste për në Pezë, pasi atë po e spiunonin shokët e tij në Kuesturë, a mori takim Xani me Qazim Mulletin për ta pyetur atë për më tepër?

“Si fillim desha t’ju them se si me Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin, ashtu dhe me Shefin e Policisë dhe nënkuestorin, Man Kukaleshin, baba jonë Xani, kishte një miqësi të madhe familjare dhe për çdo sebep e mbanin njëri-tjetrin në krye të vëndit. Nisur nga kjo miqësi e madhe që ekzistonin në mes tyre, ata i dërguan fjalë që ta largonte Qemalin nga shtëpia, pasi atë po e spiunonin shokët e tij në Kuesturë dhe Qazimi nuk kishte mundësi që ta urdhëronte Kuesturën, pasi atje komandonte vetë Kuestori Papalilo. Si Qazimi ashtu dhe Man Kukaleshi nuk mund ta arrestonin Qemalin në shtëpinë tonë, kjo gjë as që mund të mendohej, se ajo do ishte një turp i madh që do u ngelej atyre në derë. Prandaj për burrërinë dhe karakterin që kishin Qazmi me Man Kukaleshin, i dërguan fjalë babës për largimin e Qemalit nga shtëpia jonë”.

A mori takim baba juaj, Xani me Qazimin për ta pyetur konkretisht se kush mund të ishte njeriu që spiunonte Qemalin?

“Po, atë ditë që baba u njoftua me anë të Man Kukaleshit, ai shkoi dhe e takoi vetë Qazim beun dhe me të foli gjerë e gjatë. Unë nuk i di hollësirat e bisedës së tyre por baba na ka pas treguar se Qazim Mulleti i pati thënë se Kuestura dhe ai vetë, e dinin se ku hynte dhe dilte Qemali dhe sa kafshata bukë hante ai nëpër ato shtëpi ku futej. Për të gjitha ato lëvizje të Qemalit, sipas Qazim Mulletit, Kuestura informohej nëpërmjet njërit prej shokëve të tij komunistë që e spiunonte me anë të letrave. Pas kësaj Kuestura kishte ngarkuar agjentin e saj Jani Kristo (me origjinë nga Përmeti) i cili e survejonte dhe e ndiqte këmba këmbës, Qemalin, në mënyrë që të diktonte bazën tjetër ku fshihej ai pas largimit nga shtëpia jonë. Dhe këtij qëllimi, Kuestura ia arriti, sepse Qemali u rrethua në shtëpinë e atij personi L. D.,që u arrestua nga Kuestura në paraditen e 5 majit 1942”.

Si e dini ju ngjarjen e vrasjes së Qemalit më 5 maj 1942?

“Siç thashë më lart, pas largimit nga shtëpia jonë, Qemali shkoi dhe u strehua në një bazë tjetër, tek ishte shtëpia e komunistit L. D., i cili kishte dy shtëpi, një ku banonte vetë dhe tjetrën që më duket e kishte marrë me qera, ku streoheshin komunistët e tjerë të celulës së tij. Paraditen e 5 majit 1942, Kuestura shkoi tek Pazari i Vjetër dhe arrestoi L.D., i cili punonte si shegert tek një dyqanxhi tiranas. Gjatë arrestimit atij i gjetën me vete një revolver dhe sipas rregullit, Kuestura e mori atë me vete duke i thënë që t’i çonte në shtëpinë e tij, për t’i bërë kontrollin e banesës. Por L.D. në vënd që t’i çonte agjentët e policët e Kuesturës, në shtëpinë e tij ku nuk kishte asnjë komunist të strehuar, u tregoi atyre nga larg, shtëpinë tjetër të tijën, atë ku ndodhej Qemal Stafa me disa shokë të tjerë?

Kush ndodhej tjetër në atë shtëpi bashkë me Qemalin?

“Me sa di unë, në shtëpinë e L.D. bashkë me Qemalin, streoheshin dhe një grup i vogël komunistësh, si Kristo Themelko, Marie Lezhja, Gjystina Sata, Fiqëret Sanxhaktari, Isuf Keçi e ndonjë tjetër. Në atë celulë komunistësh bënte pjesë edhe Nexhmije Xhunglini, Naxhije Dume dhe i zoti i shtëpisë L.D.”.

Si e mendoni arrestimin e L.D., pikërisht paraditen e 5 majit, pak para vrasjes së Qemalit?

“Ka mundësi që gjatë survejimeve që i bëheshin Qemalit nga ana e Kuesturës, ai të jetë parë duke u takuar me komunistin L.D. dhe kështu Kuestura ka arrestuar L.D. dhe e ka detyruar atë që t’ju tregonte shtëpinë ku fshihte Qemal Stafën”.

Pas kësaj u bë rrethimi i shtëpisë nga Kuestura?

“Po menjëherë pasi Kuestura mësoi se ku fshihej Qemal Stafa, ajo bëri rrethimin e shtëpisë, gjë të cilën Qemali me Kristo Themelkon, Drita Kosturin, Marije Lezhjen e Gjystina Satën, e kuptuan vetëm në çastet e fundit kur karabinierët e policët dukeshin nga dritarja e shtëpisë së tyre. Pas kësaj ata tentuan të largoheshin nga shtëpia dhe duke ikur, vetëm Qemali mbeti i vrarë”.

Po të tjerët?

“Tre vajzat u arrestuan, kurse Themelko mundi që të largohej pa u ndjekur fare nga karabinierët”.

Është thënë se Qemal Stafa ishte ngarkuar nga Partia për të shkuar me shërbim në Vlorë dhe ajo gjë iu shty për dy ditë me rradhë në datat 4 dhe 5 maj 1942. Dini gjë ju rreth kësaj?

“Po, kjo gjë është një fakt i njohur qysh në atë kohë. Qemali kishte marrë një detyrë Partie për të shkuar në qytetin e Vlorës ku do të organizonte lëvizjen antifashiste, por ajo që nuk dihet është se kush ishte personi që ia shtyu udhëtimin për në Vlorë, dy herë në datat 4 dhe 5 maj?

Po ju çfarë mendoni, nga babai juaj, Xani, a patët mësuar ndonjë gjë rreth kësaj?

“Babai im, Xani, është marrë shumë me këtë gjë, pra me të vërtetën e vrasjes së Qemalit, sepse vrasja e tij e tronditi rëndë Xanin, pasi ai e konsideronte Qemalin, njëlloj si djalin e tij. Sipas të gjitha atyre që arriti të mësonte Xani nga bisedat e shumta që bëri në atë kohë me të gjithë bashkëpunëtorët e afërt të Qemalit, të gjitha dyshimet binin mbi Enver Hoxhën. Ai dyshohej si njeriu që ia shtyu atij dy herë udhëtimin për në Vlorë në datat 4 dhe 5 maj 1942, sepse përveç atyre që bisedoi baba, nuk kishte njeri tjetër që ta urdhëronte Qemalin, përveç Enverit”.

Pas vrasjes së Qemali a u takua babai juaj, Xani, me Enver Hoxhën dhe a i pati shprehur atij ndonjë dyshim për të gjitha ato që dinte ai për vrasjen e Qemalit?

“Që mbrëmjen e 5 majit 1942, pasi Xani kishte marrë vesh mbi vrasjen e Qemalit, ai shkoi në dyqanin “Flora” dhe atje u takua me Enver Hoxhën me të cilin bëri një debat shumë të ashpër. Fjalët e para që Xani i tha Enverit ishin këto: “Enver, gjakun e Qemalit e kërkoj tek ty, sepse e di mjaft mirë që ai është tradhëtuar nga shokët e vet”.

Cila ishte përgjigjia e Enver Hoxhës pas asaj akuze që i bëri Xani?

“Enver Hoxha e mohoi që të kishte gisht në atë vrasje, duke i thënë babës: “Po gabohesh Ramazan”. Por babai nuk hiqte dorë nga dyshimi i tij sepse atë gjë ia shtoi akoma dhe më shumë edhe shoqëruesi i Qemalit, Vançi Bajraktari, i njohur me pseudonimin “Hekuri”.

Kush ishte ky person?

“Vançi Bajraktari ishte një djalë i ri dhe me trup shumë muskuloz, i cili ishte ngarkuar nga Partia me detyrë që të shoqëronte në çdo hap, Qemal Stafën. Vançi ishte me origjinë nga Korça dhe ai kishte ardhur shumë herë në shtëpinë tonë gjatë kohës që Qemali streohej aty. Vançi ishte një djalë shumë besnik dhe atë kishte qejf ta prisje në shtëpi, sepse ai ishte një tip që të bënte për vete me mirësinë dhe komunikimin që shprehte me njerzit. Dy ditë para vrasjes së Qemalit, në datat 4 dhe 5 maj, ai ishte ngarkuar me një detyrë Partie për të shkuar në qytetin e Shkodrës. Kështu që ai nuk ndodhej në qytetin e Tiranës ditën e vrasjes së Qemal Stafës. Por sapo mësoi lajmin e vrasjes së Qemalit, ai erdhi menjëherë në Tiranë dhe shkoi tek dyqani “Flora” ku bëri një debat të ashpër me Enver Hoxhën”.

Çfarë ka biseduar ai me Enverin gjatë debatit që bëri me të?

“Gjatë asaj bisede ndërmjet Enverit dhe Vançi Bajraktarit, nuk ka pasur njeri tjetër prezent aty, por të gjithë ato që ai pati biseduar me Enverin, ia tregoi babës sim, Xanit, kur baba i tha atij: “Vançi, pse ma le Qemalin vetëm, kisha shumë besim tek ty”. Pas atyre fjalëve që baba i pati thënë Vançit, ai i ishte përgjigjur: “Unë nuk kam qenë këtu dhe sa po u ktheva nga Shkodra ku më çuan me shërbim. Tani sapo u ktheva nga dyqani “Flora” ku bëra shumë debat me Enverin”. Kështu i pati thënë Vançi babës atë ditë. Unë nuk e di të them gjithë bisedën që Vançi pati bërë me Enverin, por baba më ka treguar se ai e kishte akuzuar direkt atë si përgjegjës kryesor për vrasjen e Qemalit dhe në fund të debatit që kishte bërë, ai i kishte deklaruar Enverit se në shenjë proteste ndaj vrasjes me të pabesë të Qemalit, që nga ai moment ai jepte dorëheqjen nga Lufta dhe nga Partia”.

A u largua vërtet Vançi nga Lufta dhe ç’u bë më pas me të?

“Po, menjëherë pas asaj bisede me Enverin, Vançi u largua nga Lufta dhe Partia e punoi si hidraulik deri në mbarimin e Luftës në fundin e vitit 1944. Edhe pas Luftës ai vazhdoi të punonte disa kohë si hidraulik, por më pas e arrestuan dhe e futën në burg për politikë. Gjatë vuajtjes së dënimit ai u sëmur rëndë dhe vdiq në Sanatoriumin e Tiranës në rrethana të panjohura, në mos gaboj aty nga viti 1950, kur kishte dalë nga burgu”.

Po pas largimit nga Lufta dhe Partia, a erdhi më në shtëpinë tuaj Vançi Bajraktari dhe çfarë bisedonte ai me babanë tuaj?

“Edhe pas largimit nga Lufta, Vançi vinte në shtëpinë tonë dhe problemi i vetëm që ata diskutonin me babën, ishte vrasja e Qemalit. Si Xani ashtu dhe Vançi, ishin të njëjtit mendim se Enver Hoxha ishte përgjegjësi kryesor dhe njeriu që kishte gisht direkt në vrasjen e Qemalit”.

Po nga krerët e tjerë komunistë që streoheshin në shtëpinë tuaj, a pati dyshime për Enver Hoxhën, lidhur me atë vrasje?

“Përveç Vançi Bajraktarit, që në mbrëmjen e 5 majit 1942, në bisedat që bënë me babën tonë, dyshimet mbi Enver Hoxhën i hodhën dhe disa komunistë të tjerë. Por ndër ata që ishin më të ashpër në këto dyshime dhe që e akuzonin direkt Enverin, ishin Vasil Shanto, Mustafa Gjinishi dhe Hasan Reçi”.

Edhe Vasil Shanto ishte i atij mendimi për Enver Hoxhën?

“Jo vetëm që Vasil Shanto ishte i atij mendimi, por që nga ajo kohë e deri ditën që u vra, ai i kishte të ftohura mardhëniet me Enver Hoxhën. Këtë gjë e dinë mirë shumë nga komunistët e asaj kohe që jetojnë akoma edhe sot, të cilët e dinë që edhe Vasili u vra gjatë një shërbimi që i kishte ngarkuar Enver Hoxha”.

Po nga familja e Qemal Stafës a bisedoi njeri me babanë tuaj atë ditë pas vrasjes së tij?

“Në mbrëmjen e 5 majit në shtëpinë tonë erdhi Alajdini, vëllai i Qemalit dhe i tha babës: “Ramazan, na e vranë Qemalin”. Baba me kokë ulur iu përgjigj: “E di”. Po atë natë baba shkoi tek Qazim Mulleti për t’i kërkuar që ta merrnim trupin e Qemalit për t’i bërë ceremoninë e varrimit”.

A ia dha Qazim Mulleti trupin e Qemalit?

“Kur e takoi baba Qazimin, ai i tha: “Trupin e Qemalit nuk ua jap dot ta merrni në shtëpi, sepse kam frikë se na bëjnë ndonjë demostratë Rinia Komuniste, por le të shkoj familja tek morgu dhe aty të bëjë ritet e rastit dhe ceremoninë e varrimit duke e çuar direkt në Varrezat e Bamit”.

Qemal Stafa

Çfarë bëri babai juaj, Xani, pas asaj që i tha Qazim Mulleti?

“Pas lejes që i dha Qazim Mulleti, babës, që së bashku me familjen e Qemalit të shkonin tek spitali dhe aty t’ia bënin ritet e rastit dhe ceremoninë e varrimit, e gjithë familja jonë, së bashku me djalin e dajës së Qemalit, Fejzo Sejdinin, dy motrat, Jalldizi e Drita, vëllai i tyre, Alajdini dhe dado Shahja që i kishte rritur, shkuan të gjithë tek spitali ku ndodhej trupi i Qemalit. Aty pasi pritën disa nga njerzit që erdhën për ngushëllime, e morën trupin e Qemalit dhe e varrosën tek Varrezat e Bamit. Pas varrimit pothuaj të gjithë pjestarët e familjes sonë qëndruan për disa ditë tek familja e Qemalit ku prisnin njerzit që i vinin për ngushëllime”.

Po pas asaj dite a u takua më babai juaj, Xani, me Enver Hoxhën?

“Që të nesërmen e varrimit të Qemalit, Enver Hoxha shkoi vetë tek dyqani i babës”.

Çfarë patën biseduar ata të dy me njëri-tjetrin dhe a u hap përsëri debati për vrasjen e Qemalit?

“Siç më ka pas treguar baba, Enver Hoxha shkoi kastile atë ditë tek dyqani i tij, sepse Xani e kishte akuzuar direkt për vrasjen e Qemalit dhe ai donte të shfajsohej për atë gjë. Por përsëri baba i qëndroi asaj çka i kishte thënë që në fillim, sepse ai kishte një bindje të plotë se Enveri kishte gisht në atë vrasje”.

Çfarë qëndrimi mbajti Enver Hoxha në lidhje me vrasjen e Qemalit dhe çfarë shpjegimi u dha nga Partia Komuniste për antarët e saj a po për popullin. Kë bënë fajtor ata dhe si e justifikuan atë vrasje. Me një fjalë, cili ishte qëndrimi zyrtar i Partisë Komuniste për vrasjen e Qemalit?

“Pas akuzave që iu bënë Enver Hoxhës si nga baba, ashtu dhe nga shoqëruesi i Qemalit, Vançi Bajraktari, apo dhe dyshimet që hodhën krerët e tjerë të lartë të Partisë Komuniste, si Mustafa Gjinishi, Hasan Reçi, Vasil Shanto e ndonjë tjetër, Enveri krijoi një alibi, duke thënë se Qemali ishte spiunuar nga komunisti Zef Ndoja. Ky ishte dhe njoftimi që u bë nga Enveri dhe Partia Komuniste në lidhje me vrasjen e Qemalit dhe kjo gjë u mundua të popullarizohej sa më shumë prej tyre”.

Kush ishte Zef Ndoja dhe pse u akuzua ai nga Enver Hoxha si personi që kishte spiunuar Qemalin. Si qëndron e vërteta rreth kësaj?

“Zef Ndoja ishte një i ri komunist i Grupit të Shkodrës dhe në atë kohë që u vra Qemali, ai kishte rreth katër muaj që ishte arrestuar dhe mbahej në qelitë e burgut. Por ajo akuzë që hodhi Enveri për Zef Ndojën, nuk qëndronte aspak dhe kjo gjë ka disa shpjegime. Po më kryesorja është se Zefi duke qenë i arrestuar, ai nuk kishte asnjë lloj dijenie se ku fshihej Qemal Stafa dhe atë gjë s’kish nga ta dinte”.

Ç’u bë më pas me Zef Ndojën dhe si rrodhi fati i tij?

“Zef Ndoja qëndroi në burg deri aty nga pranvera e vitit 1943 dhe ai arriti që të arratisej nga burgu i Tiranës së bashku me Koci Xoxen e shumë komunistë të tjerë në aksionin e famshëm që dihet nga të gjithë, për të cilin është bërë dhe filmi “Njësiti Gueril”. Pas kësaj me urdhër nga Partia, ai u caktua që të shkonte si partizan i thjeshtë në Çetën Krujë-Ishëm, por pa të drejtë mbajtje arme. Në atë kohë që e dërguan Zefin në atë çetë, e pata njohur dhe unë personalisht nga afër, pasi unë në atë kohë shërbeja si korrier dhe qëndrova disa kohë pranë asaj çete. Zefi mbante një palë zyze me numër të madh dhe natën nuk shikonte fare, sa detyrohesha unë dhe e mbaja për krahësh për të lëvizur nga një vënd në tjetrin. Ashtu pa armë, në gjysëm arresti, Zef Ndoja qëndroi pranë asaj çete deri aty nga shtatori i vitit 1943, kur erdhi urdhëri nga Partia që ai të ekzekutohej. Pas atij urdhëri një skuadër partizanësh e mori dhe e ekzekutoi diku në një përrua në fshatin Priskë, rrëzë Malit të Dajtit”.

Kush e dha urdhërin për ekzekutimin e Zefit dhe me çfarë motivacioni u ekzekutua ai?

“Kuptohet se urdhëri për ekzekutimin e Zef Ndojës, mund të jepej vetëm nga Enver Hoxha, sepse në atë kohë, askush tjetër nuk kishte të drejtë të jepte urdhër për ekzekutimin e partizanit më të thjeshtë dhe jo më një komunisti të njohur siç ishte Zef Ndoja. Ekzekutimi i tij u bë me motivacionin që kishte spiunuar Qemal Stafën. Kjo ishte akuza që e çoi atë në plumb”.

Po njeri tjetër a u bë përgjegjës për vrasjen e Qemalit dhe a pati ekzekutime të tjera?

“Sipas të dhënave që kishin marrë prej Qazim Mulletit dhe Man Kuka-leshit, që Qemal Stafa ishte gjurmuar prej agjentit të Kuesturës Jani Kristo me origjinë nga Përmeti, Partia Komuniste vendosi ekzekutimin e tij dhe atë gjë ia ngarkoi Kajo Karafilit. Aty nga viti 1944, Jani Kristos iu bë një atentat nga Kajo Karafili, por ai mundi të shpëtonte për mrekulli pa e kapur plumbat. Komunistët u irrituan shumë për dështimin e atij aksioni dhe u kërkua që me çdo kusht ai të vritej me një atentat tjetër. Në mbërmjen e asaj dite ndërsa Jani Kristo ishte duke pirë në një lokal me Man Kukaleshin dhe Qazim Mulletin, (për shyqyr që kishte shpëtuar nga atentati i paradites) aty hyri Kajo Karafili dhe e qëlloi disa herë me revolver, duke e lënë të vdekur në vënd”.

Si është e mundur që në atë tavolinë ku ishin dhe Qazim Mulleti me Man Kukaleshin u vra vetëm Jani Kristo?

“Kajo Karafili nuk mund të qëllonte kurrë mbi Qazim Mulletin dhe Man Kukaleshin, pasi ata jo vetëm që ishin dy miqtë më të ngushtë të Shyqëri Pezës, vajzën e të cilit, Kajo e kishte të fejuar, por Qazimi me Manin, kishin bërë shumë ndere duke nxjerrë me dhjetra komunistë nga burgjet. Madje thuhet se edhe agjentin e Kuesturës, Jani Kriston, Qazimi me Manin ia nxorrën Kajos në shteg për ta vrarë”.

Po me komunistin L.D., në shtëpinë e të cilit u rrethua dhe u vra Qemal Stafa, çfarë u bë me të dhe si rrodhi fati i tij?

“Pas mbarimit të Luftës, L.D., pati punuar si Drejtor i NTLUS në Tiranë dhe më duket se aty punoi deri sa doli në pension. Por ai u përjashtua dy herë nga Partia, për atë gjë që i tregoj Kuesturës, shtëpinë ku fshihej Qemali me shokët e tjerë”.

Por lidhur me atë thuhet, se Kuestura i gjeti në xhep kontratën e shtëpisë së marrë me qera, dhe në bazë të adresës që ishte shkruar aty, ajo bëri rrethimin e shtëpisë?

“Këtë gjë e kam dëgjuar edhe unë, mundet të jetë edhe ashtu”.

Po të fejuarën e Qemalit, Drita Kosturin a e patët njohur ju në atë kohë?

“Qemali e pati sjellë Drita Kosturin edhe në shtëpinë tonë ku streohej ai në atë kohë dhe kur e pyeti baba, se kush ishte ajo vajzë, ai e prezantoi duke i thënë se ishte e fejuara e tij. Baba i tha: Mirë mor Qemal, po shikoni kokën njëherë dhe pastaj merruni me këto gjëra. Pas këtyre fjalëve të Xanit, Qemali i tha se ajo ishte një vajzë shumë e mirë dhe ai njihej me të që nga koha kur ishin të dy me studime në Itali”.

Dëshmia e Enverit për vrasjen e Qemalit

“Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66 në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjez duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njeri-tjetrit, në një minder të mbulura me batanije. Në mëngjez u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokët. Sido që ne bartnim çdo herë, si thotë populli, “me qefin në kokë”, me kobure në brez dhe me bomba në xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge.

Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtërngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?! Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe, duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë? I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjez u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurtë, mos e besoni se armiku hap parrulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi të gjithë municionin që kishte. Dhe më tregoi tërë historinë e ngjarjes që ka përshkuar historia”.

(Kjo pjesë është shkëputur nga kujtimet e Enver Hoxhës, të botuara në librin “Për shokët e mij pionerë”, Tiranë, 1985.)

Po përpara vitit 1964, si kanë qenë mardhëniet e familjes së Qemal Stafës me Enver Hoxhën dhe si u trajtuan nëna, motrat dhe vëllai i Qemalit nga regjimi komunist?

“Siç thashë dhe pak më lart, që nga periudha e Luftës, familja e Qemal Stafës e kishte fare të qartë se kush ishte përgjegjësi kryesor për vrasjen e djalit të tyre, mirpo siç rrodhën ngjarjet më pas, ato ishin të detyruar që të heshtnin dhe të mos shpreheshin publikisht për mllefet e tyre që kishin ndaj Enverit. Mirëpo hera-herës, nëna dy motrat e Qemalit si dhe i vëllai, Alajdini detyroheshin dhe shfrynin dufin e tyre. Kjo gjë duhet të ketë qenë edhe arsyeja kryesore që Enveri nuk ia dha për një kohë të gjatë atyre, pensionin e “Heroit të Popullit” që i takonte Qemalit. Ajo gjë u rregullua vetëm pas shumë kërkesave të motrave të Qemalit dhe u desh ndërhyrja e Gogo Nushit, pranë Enverit që atyre t’u jepej pensioni i vëllait. Po kështu desha të them se familjes së Qemal Stafës jo vetëm që iu mohua pensioni, por atyre nuk iu bë asnjë lloj privilegji si shumë familjeve të tjera të dëshmorëve, që përfituan vila, bursa, punë të mira dhe lehtësira të tjera.

Familja e Qemal Stafës banoi për një kohë të gjatë aty tek, Llagamët, ku i pati rregulluar baba im, Xani, që në vitin 1935 dhe më pas vetëm dy motrat e tij dolën në shtëpi më vete. Po kështu edhe Alajdini, ndonëse ishte me universitet, nuk gëzoi asnjë privilegj të veçantë, por u la të punonte në një punë të zakonshme dhe vetëm aty nga viti 1952, atë mezi e pranuan në Parti. Alajdini ka qenë në një gjendje ekonomike shumë të keqe dhe për të rritur kalamajtë, ai kishte blerë një lopë të cilën e kulloste pasi kthehej nga puna. Më pas ai bleu dhe një lopë tjetër dhe ngrihej që në 5 të mëngjezit dhe dilte fushave të Laprakës me thes në krah për të mbledhur bar për lopët, e pasi e mbushte thesin, vinte dhe e linte në shtëpinë tonë dhe ikte në punë. Kur kthehej nga puna, vinte e merrte thesin e barit dhe e çonte në shtëpi në mënyrë që të mos e shikonte njeri”.

Si e lejonin Alajdinin që të mbante lopë në mes të Tiranës?

“Për problemin e lopës që mbante Alajdini në shtëpi, u bë problem i madh dhe puna shkoi deri tek Kryeministri Mehmet Shehu, i cili në një rast i shkoi Alajdinit në shtëpi dhe i tha që nuk po vepronte mirë që mbante lopën, pasi Partia po mundohej që t’jua hiqte dhe fshatarëve lopët e t’ua tufëzonte ato. Por Alajdini iu përgjigj Mehmetit, duke i thënë se ai nuk e hiqte lopën, pasi nuk mund ta mbante dot familjen me 7 mijë lekë që merrte në muaj. Kur iku Mehmet Shehu, disa nga partiakët që mbetën aty, i thanë që nuk bëre mirë që iu përgjigje ashtu shokut Mehmet dhe Alajdini ua ktheu atyre duke u thënë: “Jo Mehmet Shehu të japi urdhër që unë të heq lopën, por edhe babai i Mehmetit, unë nuk e heq lopën nga shtëpia, pasi nuk i lë fëmijët të më vdesin nga uria”.

Po me ju dhe familjen tuaj si u soll Enver Hoxha pas Luftës?

“Familja jonë u godit rënsë nga Enver Hoxha. Kështu pasi i kishin arrestuar që më 2 majin e vitit 1945, Xanin, me xhajën, Ademin, i mbajtën për 40 muaj në hetuesi tek “Shtëpia me gjethe” duke i torturuar barbarisht. Pas arrestimit të tyre, Sigurimi na bënte presione të ndryshme dhe na kontrollonte shtëpinë herë pas here. Unë në atë kohë isha në shkollë dhe u detyrova ta ndërpres e ta vazhdoja natën dhe u futa në punë në Shoqërinë Shqiptaro-Jugosllave, me qëllim për të mbajtur familjen me bukë. Xanin me Dem Xhepën, i akuzuan sikur ishin të lidhur me Grupin e Deputetëve. Xani doli në gjyq në shtator 1948 dhe u dënua vetëm me ato 40 muaj që kishte bërë hetuesi, ndërsa Demi u dënua me 10 vjet, por u lirua më pas me një gjyq tjetër. Në qershorin e vitit 1952, Xani me Demën u arrestuan përsëri, por këtë rradhë akuza ishte për probleme floriri. Ajo ishte vetëm një sebep për arrestimin e tyre dhe pas asaj akuze, atyre u konfiskuan 400 napolona floriri dhe 2000 franga ari. Në atë kohë ato u mbajtën për tre-katër muaj në tortura dhe Dema, nga që nuk duroi dot, u hodh nga kati i tretë i Degës së Brendshme, për të vrarë veten. Pas kësaj atë e nxorrën nga burgu dhe Dema vdiq pas tre muajsh në një hotel, pasi ia kishin shtetëzuar dhe vilën e dyqanin, me paratë e të cilit ai kishte ndihmuar Enverin dhe Luftën”.

Po njeri tjetër nga familja Xhepa, a është dënuar atëhere?

“Pas arrestimit të Xanit dhe Demës, në vitin 1951, u arrestua dhe djali i xhajës së tyre, Qazim Xhepa, i akuzuar për incidentin e bombës në ambasadën sovjetike. Arrestimi i tij erdhi pasi ai kishte qenë student i Fultzit dhe u akuzua sikur kishte marrë pjesë me Regjencën e Lartë në kohën e pushtimit. Po kështu në atë kohë që ishte Xani në burg, u arrestua dhe vëllai im, Petriti. Nga torturat që iu bënë, Petriti kaloi në një depresion të thellë dhe ashtu jetoi deri sa vdiq në vitin 1972, duke qëndrura sa në shtëpi dhe sa në spitalin psiqiatrik. Por nga familja jonë, persekucionin më të rëndë prej regjimit komunist e pësova unë, dukë u arrestuar dhe dënuar katër herë dhe të gjitha arrestimet e dënimet e mia, u bënë direkt me porosi të Enver Hoxhës. I gjithë ai persekucion i egër që u bë ndaj familjes sonë, erdhi si pasojë e hakmarrjes që bëri Enveri ndaj të gjithë atyre që e akuzuan si përgjegjës për vrasjen e Qemalit”.

Përveç familjes suaj, kush e vuajti tjetër dhe kush u persekutua për atë ngjarje të 5 Majit 1945?

“Të gjithë ata që e akuzuan Enverin që kishte gisht në vrasjen e Qemalit, u ekzekutuan prej tij në periudha kohe të ndryshme. Po kështu dhe të gjithë ata komunista që ishin atë ditë në shtëpinë ku u vra Qemal Stafa, pa përjashtim përfunduan burgjeve dhe internimeve. Të gjitha këto Enveri i bëri për të fshehur gjurmët e krimit që kishte bërë me vrasjen e shokut të tij, Qemal Stafës, të cilin ai e shihte si pretendentin kryesor që mund t’i zinte vëndin në krye të Partisë”.

Më konkretisht, si u hakmorr Enveri ndaj këtyre personave që thoni ju?

“I pari që ra viktimë e intrigave dhe kurtheve që ngriti Enveri për të bërë të besueshme alibinë e tij që nuk kishte gisht në vrasjen e Qemalit, ishte komunisti i Grupit të Shkodrës, Zef Ndoja, të cilin siç e kam thënë më lart, Enveri e ekzekutoi që në vitin 1944 në fshatin Priskë. Pas tij, me urdhër të Enverit, Liri Gega vrau pas shpine, Mustafa Gjinishin, mikun më të ngushtë të Qemalit dhe njëkohësisht të babës sim. Pas vrasjes së Gjinishit, baba im, ia pat thënë copë Enverit, që ai kishte urdhëruar Lirinë për vrasjen e tij, por Enveri iu përgjigj se nuk ishte e vërtetë ajo gjë. Më pas serinë e eliminimeve, Enveri e vazhdoi me Hasan Reçin, të cilin e ekzekutuan në vitin 1946 kur ai punonte në Ministrinë e Arsimit, ku merrej me bursat e studentëve. Pak kohë para se të hynte baba në burg, aty nga fillimi i 1945 kur unë akoma nuk isha kthyer nga internimi, Hasan Reçi kishte ardhur në shtëpinë tonë dhe i kishte folur Xanit për ato që po bënte Enveri.

Por baba i kishte thënë: “Mos fol shumë se s’ta bën të gjatë ai”. Sikur ta dinte baba që edhe Hasan Reçi do shkonte në plumb. Pas këtyre dhe babës sim, Xanit, të cilët e kishin akuzuar direkt Enverin për vrasjen e Qemalit, Enveri e vazhdoi hakmarrjen me Kristo Themelkon, Gjystina Satën, Marije Lezhjen e deri tek ish e fejura e Qemalit, Drita Kosturi, të cilët përfunduan burgjeve dhe internimve. Të gjithë këta Enveri i dënoi që të mbyllnin gojën për ngjarjen e Qemal Stafës, gjë e cila si duket e mundoi atë për gjithë jetën si një fantazmë e keqe. Kjo gjë shpjegohet edhe me faktin se Enveri në vitin e fundit të jetës së tij, kur po e shihte se po ikte nga kjo dynja, u kujtua që të botonte kujtimet ku bënte fjalë për vrasjen e Qemalit dhe aty ai përsëri nuk thotë të vërtetën”.

Përse konkretisht?

“Enveri aty thotë se me Qemalin është takuar në datën 4 maj, një ditë para vrasjes, në një bazë në Rrugën e Shëngjergjit. Në fakt nuk është kështu, se Qemali nuk ka dalë fare nga ajo shtëpi që disa ditë më përpara. Për këtë po të doni shkoni dhe pyeteni Gj. S. një nga ato komunistet që jeton akoma dhe ka qenë atë ditë me Qemalin e dy shoqet e saj në atë shtëpi”.

Po ndaj jush si u hakmor Enver Hoxha?

“Persekucioni ndaj meje filloi që në vitin 1951, kur unë punoja në Zyrën Konsullore të Ministrisë së Jashtëme. Aty më provokuan për bombën në ambasadën sovjetike dhe unë u thashë se ajo ishte bërë vetëm për të hequr qafe disa njerëz. Pas kësaj unë fillova punë në Ministrinë e Komunikacioneve dhe në vitin 1952, pa bërë fare lutje, Gogo Nushi më futi në Parti. Në vitin 1952, më propozuan të më fusnin në një zyrë sekrete në Ministrinë e Brendshme, por unë nuk pranova se e dija që ishte kurth për të më dënuar. Pas 7 muajsh, më 22 korrik 1953, më arrestun duke dalë nga stadiumi. Kjo erdhi pas provokimit që më bëri Koloneli F. S. (Shef i Sigurimit të udhëheqjes) me të cilin u zumë fizikisht. Pasi më torturuan për 24 orë, më liruan se u ankua organizata ime e Partisë ku punoja. Pas kësaj unë u ankova me letra tek Enveri, Mehmeti, Fiqërteja dhe Prokurori i Përgjithshëm. Mehmeti më dha të drejtë dhe e transferoi F.S. në Kukës për dy vjet dhe H. XH. që më rrahu bashkë me të, u dërgua në Gjirokastër”

Po Enveri ju ktheu përgjigjie?

“Pas shumë letrash ai më priti në zyrë ku unë i tregova gjoksin e gjakosur, duke i thënë se atë nuk ma kishin bërë as në Mathauzen. Ai më tha: “Lere, lere se edhe ti e ke hapur gojën pak si tepër”. Pas asaj unë i thashë: “Është e kotë që po ankohem tek Partia, se kjo qënka porosia e jote” dhe ika pa i dhënë dorën.

Po arrestimet e tjera si ndodhën?

“Pasi mbarova universitetin për Histori, unë punova në Kinostudio nga viti 1962 deri në 13 nëntor 1970 kur dhe u arrestova duke u akuzuar për agjitacion e propagandë dhe pas 17 muajsh hetuesi, u dënova me 8 vjet burg. E gjitha kjo erdhi pas takimi të rastësishëm që pata me Enverin kur ai bëri një vizitë në Kinostudio dhe më më pyeti: “Hë ç’thotë Xani”. Unë i thashë se ai kishte vërejtje nga që i vinin katunarët dhe i kërkonin me ju ble bukë. Pas kësaj ai më tha që ato t’ja shkruja me një letër. Në letrën që i bëra, unë ia shkrujata të gjitha duke i thënë se ishte fatkeqësi e madhe që fshatarët vinin për të kërkuar bukë në qytet. Atë letër që ia nisa me postë, ma quajtën anonime dhe më dënuan si përfundim me 6 vjet burg. Ndërsa kisha dy muajt e fundit të burgut në Ballsh, më 15 korrik 1976 më arrestuan përsëri me të njëjtën akuzë dhe gjykta e Fierit më solli për ekzaminim në Psiqiatrinë e Tiranës.

E gjitha ajo bëhej për të më nxjerrë mua të papërgjegjshëm, kjo ishte skemë e njohur. Por me gjithë insistimin tim për të mos ma dhënë atë diagnozë, Dr. Afrim Dangëllia ma firmosi atë duke më thënë që më mirë ashtu se të haja 10 vjet burg. Pas tetë muaj hetuesie më liruan në 25 nëntor 1977. Pas kësaj për disa vjet ma lanë me shit cigare në Rrugën e Kavajës dhe për herë të katërt më arrestaun më 28 nëntor 1986, me akuzën e agjitacion e propagandës dhe pas 6 muaj hetuesie, gjykata vendosi të më çonte përsëri në Psiqiatri, nga ku unë u lirova më 16 tetor 1987. Ky arrestim i imi erdhi pasi Sigurimi kishte futur në shtëpinë tonë të vjetër një person për të kontrolluar në se kisha letra anonime dhe për disa relike të Qemal Stafës që mi kishte kërkuar Muzeu dhe unë nuk i jepja. Gjatë kontrollit nga Sigurimi, mua më gjetën një album dhe bust të Zogut si dhe disa antikuare të vjetra e ikona. Po kështu mua më gjetën dhe 40 kg sheqer që m’i kishin sjellë njerzit për vdekjen e babës. Ato m’i quajtën të vjedhura dhe mezi shpëtova nga ajo akuzë”.

Po reliket e Qemalit, t’i morën?

“Jo ato nuk i gjetën, sepse i kisha futur në tokë. Unë e dija se për ato më arrestonte Sigurimi, për t’ë mi marrë se ato ishin dokument i gjallë që unë kisha pasur lidhje me Qemal Stafën. Opingat e Qemalit që i pat punuar Ramazan Balluku, dy stilografët e tij dhe hirin vëllait të Gogos, Kozma Nushit, unë i ruaj edhe sot si pasurinë më të madhe të jetës sime”.