50 vjetori i vdekjes së
poetit Ali Asllani
Ali
Asllani, dritëhijet dhe vepra e rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë
lirikun e madh
Studim
MSc.
ALBERT HABAZAJ/
studiues*
Kemi plot 50 vjet pa e parë me sy Ali Asllanin. Po
bëhen 80 vjet pa i parë më të ribotuara në libër 8 vjeshërimet e para të poetit
elegant, përkthyesit brilant, atdhetarit të zjarrtë, diplomatit largpamës,
pushtetarit punëmbaruar, politikanit shqiptar, qytetarit aristokrat e dashnorit
të vesuar të poezisë, Ali Asllani. (Bëjmë fjalë për vjershat e botuara, jo ato të
pabotuarat, që s’i pamë kurrë). Ali Asllani u lind në Vlorë, me
baba Asllan Sulejmanin nga Vajza e Lumit të Vlorës, Labëri
dhe nënë Hyrie Meminaj nga Trevllazri i Topalltisë më 28 nëntor 1884. [Studiuesi Bardhosh Gaçe paraqet datëlindje të
poetit 20.11.1882, ndërsa kritiku Mark Gurakuqi nëntorin e vitit 1883,
mbështetur në bisedën e bërë me xha Aliun, në Tiranë, më tetor 1960]. Mbylli sytë në Tiranë, më 20 dhjetor 1966, në
moshën 82, 83 apo 84 vjeçare. Në Vajzë e
kaloi fëmijërinë poeti, tek të afërmit nga baba, se, kur qe 6 vjeç e la i ati,
e, kur u bë 9, i iku dhe nëna …Tipik qe Ali Asllani, i ngjashëm me
vetveten. Aqsa emër i përveçëm dhe i veçantë në letrat shqipe, aq dhe figurë
komplekse me qëndrime kontradiktore. Veçse gjithmonë një fisnik i klasit të
lartë. Dhe ishte 51, 52 apo 53
vjeç kur botoi libërthin e tij të parë në shtypshkronjën “Atdheu”, Vlorë …
Edhe në kohën e kaluar,
tek-tuk, janë botuar libra me poezi të Ali Asllanit. Por, si të thuash, qe gjetur
një “status quo”. Edhe sipërorët e ububushëm të kohës “as i bënë, as u bëri
zhurmë”[1].
Marrëveshje e dëshiruar apo e detyruar Poet - parti shtet: “Mos më nga, mos të
ngas!”, këtë veç e hamendësojmë, se s’mund ta dimë të saktën. Po kush është ai
njeri, që s’e do qetësinë në jetë, që nuk e ka tendencën e një jete të
rehatshme?! Edhe pse plak, Ali Asllani mbahej pastër e bukur dhe një ditë s’e
hiqte kravatën nga jaka e këmishës, sikur të ishte ende ambasador në Europë
(siç qe në kohën e Zogut) apo Sekretar i Përgjithshëm i Ismail Qemal bej Vlorës
(në kohën e Pavarësisë). Biografia politike, diplomatiko-shtetërore e “Bilbilit
të Vlorës”, siç e quanin miqtë poetin e Labërisë, tashmë njihet nga lexuesi
shqiptar, prandaj nuk e shikojmë të arsyeshme ta trajtojmë në këtë punim.
Poezia e tij ka qenë përherë
e frymëzuar, me ndjenja të holla e të larta, e sinqertë, e dashur, sociale, sa
autoktone, aq universale. Përherë binte era trëndelinë, zbukuruar natyrshëm me
ngjyrën e lirisë. Në luhatjet që ka pasur gjatë jetës, nuk ka asgjë oportuniste
përveç iluzioneve të zakonshme, që mund të ushqehen në çaste të caktuara të
historisë nga cilido qoftë. Portreti poetik i Tij është diellor, veç jo si ai dielli
i nxehtë që të djeg, por si një diell i ngrohtë, që të shëron xhanin me vargjet
e tij më të mira. Dhe e fshehim akoma, se paska dritëhije në udhëtimin politik
të xha Aliut?!… Dhe i themi me gjysmë zëri apo fshehurazi, me pësh-pëshe e
cepeve si ato gratë e liga?! Bëjmë mirë apo i bëjmë mirë poetit kështu? Patjetër,
jo. Na vjen në ndihmë dhe na kthjellon mendimin vërejtja e studiuesit, poetit
dhe përkthyesit të paharruar Jorgo Bllaci, kur shkruan: “Në disa parathënie e
pasthënie të librave të tij, botuar pas vitit 1962, si dhe në disa monografi, më
ka rënë në sy pasaktësi (të mos them dashakeqësi) për qëndrimin e poetit ndaj
okupatorit fashist thuhet se gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, ai ishte
anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit. Në fakt, këtë emërim e ka marrë para zbarkimit të trupave fashiste në
trojet tona. Vërtet emri i tij figuron në listën e atij këshilli, madje edhe në
atë të dërgatës që do t’i shpinte Viktor Emanuelit në Romë kurorën e Skënderbeut,
por vetë ai, në shenjë proteste ndaj
pushtimit, u tërhoq nga jeta politike, braktisi kryeqytetin dhe vajti në
fshatin e prindërve të tij, në Vajzë të Vlorës”[2].
Dhe atje, në Vajzë, në fillim të vitit 1942, xha Aliu shkroi “Hakërrimin” aq tronditës, më të
fuqishmin krijim që qe shkruar gjatë Luftës, të cilën ata të
“nacionalçlirimtares” e shpërndanë me traktet e tyre. Por, pas Çlirimit xha
Aliu s’kish as “triskë fronti”, as shtëpi, as pension. Me pak të ardhura që
nxirrte nga përkthimet në Institutin e Shkencave rronte, veç nuk ulej.
Ai e adhuronte poezinë
e Fan Nolit, sepse e vlerësonte shumë “Viganin liberator” për forcën e
ndjenjave, mjetet stilistike të një mjeshtërie të përsorur, edhe për poezitë me
motive biblike, për sistemin stilistiko-figurativ alegorik. Ali Asllani e çmonte
Theofan Stilianin sidomos për diturinë, që, siç do ta vlerësonte më vonë
Kadareja, qe “Kryeministri më i kulturuar evropian, në vendin më të
prapambetur”[3].
Poeti lab i dinte përmendësh dhe i recitonte me dëshirë kryeveprat e Nolit:
“Elegji për Luigj Gurakuqin”, “Himni i Flamurit”, “Elegji për Bajram Currin”,
ndërsa vjershën “Tomsoni dhe kulçedra” e citonte shpesh si kulm të forcës dhe
muzikalitetit të fjalës shqipe. Noli, me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi,
kishte përkthyer Rubairat e Kajamit). Asllani kishte kulturë të gjerë dhe ia
kishin nevojën në të tri kohët që jetoi (të Ismail Qemalit, të Zogut, të
Enverit). Qe mik i Gjergj Fishtës homerik e Lasgush Poradecit kozmogonik, i
nobelistit indian Rabindranath Tagore dhe klasikut të poezisë greke Kostis
Palamas. Ai e kishte shumë qejf poezinë persiane, sidomos rubairat e Omar
Khajamit (Hajamit) i përpinte, saqë kuptohet ndikimi dëshiror nga liriku
magjepsës i vendit të trëndafilave (Persia, Irani i sotëm). Lexohet patjetër ndikimi
nga lirika popullore shqiptare, sidomos nga poezia gojore e trevës së Lumit të
Vlorës nga kishte origjinën, jo vetëm në motivet labërishte. Edhe dimensioni
lindor i rubairave të Omar Khajamit, që vjen si reminishencë me musht, i rri
bukur vargut të freskët të Ali Asllanit. Por Asllani nuk imiton majmunërisht si
ndoca poetucë liliputër të kollarepsur e që fryhen si kokoshat e vitit të ri,
të shkretët…
Vjershat dashurore -
erotike, që ka krijuar pena e shpirtit të tij si modeli i Princit të Kaltër
Lirik, kënga e popullit i ka në gjirin e saj si thesar shpirtëror. Qytetarët i
dinë përmendësh këngët e Ali Allanit, të rinjtë i përdorin si citate dashurie,
ndërsa të plagosurit nga dashuria si receta shërimi. Në Vlorë dhe në Labëri të
thonë se dashuria e ka selinë në vargjet e Ali Asllanit… Po ai valëzim baladesk
i fjalës poetike, po ajo frymë e ëmbël mitike që të shkrin e të njëson me
shpirtin aliasllanian a nuk është vetë dashura e jetës e për jetën, të dashur
deri në qelizë? Prof. Aurel Plasari ka pikasur se poeti lab “edhe në poezinë
politike apo dhe në atë atdhetare u bie fort notave erotike”. Por, ç’t’i bësh?
S’i ndalon dot vargjet e tij që t’i dinë dhe një tufë nga këta horrat e zuzarët
që kemi në krye, që janë bërë si derra e dosa, por fare të padobishëm për integrimin
europian e qytetar të Shqipërisë tonë të dashur e hallemadhe nga zorzopët e
drejtimit. Duke u ruajtur se mos biem në eufuizëm, gjykojmë se sikurse Gëte
shkonte aq mirë letrarisht me Shilerin edhe Ali Asllani me Lasgushin “në sojin
e vet rri i rinuar harmonishëm, si një disktik që secili ka shok veten”[4],
siç bën bukur cilësimin studiuesi dhe poeti Agim Shehu. Ka raste që na vijnë
paralele drite nga Gëte për Ali Asllanin. Sinqerisht, na krijohen ca paralele
të largëta e të zbehta midis gjeniut Gëte të Gjermanisë së madhe dhe grimcëzës
gjeniale Ali Asllani të Shqipërizës së vogël: 83 vjeç qe Gëte kur mbylli sytë.
Më 1785 ftohet nga dukesha e Vajmarit dhe i biri Karl Augusti. U bë poet oborri
dhe funksionar i lartë i këtij oborri, ministër shteti. I një shteti që bëri
kushtetutë. Johann Wolfgang von Goethe (Gëte, 28 gusht 1749-22 mars 1832) lidhi
një miqësi të ngushtë letraro-diturore me Johann Christoph Fridrich von
Schiller (Shiler, 10 nëntor 1759-9 maj 1805). Gëte dhe Shiler, në fillim të
jetës letrare u vunë në ballë të lëvizjes iluministe romantike “Stuhi dhe
vrull”. Ata bënë epokë në letërsinë gjermane. Por, edhe këtu në Shqipërizën
tonë të vockël, një Ali Asllan i madh iku 83 vjeç. Edhe ai i shërbeu mbretit
dhe u bë poet oborri. I një shteti që bëri kushtetutë. Ndër të metat e shumta
që ka Zogu, mbarëpranohet pozitivisht që bëri kushtetutë. Edhe Asllani njohu
një lirik të përvëluar zemrash, zotni e aristokrat i lartë. Ai ishte Lasgush
Poradeci (Llazar Sotir Gusho, 27 dhejtor 1899-12 nëntor 1987). Pati miqësi të
mirë vlonjati me pogradecarin dhe koha i klasifikoi si dy lirikët më të mëdhenj
të poezisë shqipe, duke e tejkaluar kohën që jetuan. Edhe sot pëlqehen po aq sa
në vitet ’30, kur shkëlqyen. Ali Asllani, ashtu siç qe në fillimet iluministe
dhe romantike, rrojti romantik dhe romantik vdiq, “or tungjatjeta! Amore
felicita!”. Femrën e donte të shëndetshme e plot hire, dashurinë pa moshë. Për xha
Aliun, njërin nga qytetarët e parë të Republikës sonë të Letrave, i papërsëritshmi
Fatos Arapi më ka thënë: “Ali Asllani është gjurmë ku shkel vetëm suferina
shqiptare”. Dhe vërtet, korpus madhështor me vlera është vepra e Ali Asllanit në
Republikën e Letrave Shqipe, se është një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë
shqipe, ashtu sikurse e kanë vlerësuar studiuesit seriozë.
Qëndrimin ndaj
rilindasit realist të Letërsisë shqipe të kohës që jetoi e përcakton drejtë
prof. Muzafer Xhaxhiu: “… vepra poetike e Ali Asllanit (me ndonjë përjashtim të
rrallë) është gjykuar së prapthi, nuk është parë me objektivitetin e duhur,
sidomos pas vitit 1944, ajo i është nënshtruar
“analizës” me tendenciozitet politik ideologjizues”[5], që
bëri të shmangej gjithë ai emër fisnik i letrave shqipe, deri në mospërfillje.
Miku im, Ferdinant Sulaj, nip i Poetit, duke pirë kafe buzë detit, para nja 15
ditësh, na thotë: “Harrimi, indiferenca dhe lënia në hije janë goditje më e rëndë
se çdo dënim çfarëdo, ngaqë dënimi publikohet, merret vesh dhe interpretohet,
kurse këta tregues përmbledhin ndalimin e botimit e përndjekjen, sepse, në fund
të fundit, Ali efendiu, - siç i flisnin më të mëdhenjtë në shtëpitë tona dhe në
odat e Vlorës - shihej me sy të shtrembër, apo jo? Megjithatë, këto rrethana
nuk e penguan elitën e poetëve shqiptarë, me Dritëroin, Jorgo Bllacin, Kin
Dushin, Drago Siliqin, Dalan Shapllon, Nasho Jorgaqin e miqtë e mirë të letrave
që ditën kur vinte Ali Asllani në klubin e Lidhjes ta kthenin në ditë feste e gëzimi
letrar, sepse humorin, qytetarinë, fjalën, sqimën liriku aristokrat i kishte
magjike”. Si duket, Ali Asllan = magnetizim.
Ndërsa, në kohën e
sotme janë bërë botime e stërbotime, duke pretenduar se publiku po njihet me
veprën e plotë letrare të tij. Megjithë reklamimet e bëra aq bujshëm, poeti,
diplomati dhe atdhetari i madh i vargut elegant dhe i veprimit qytetar, ende s’është
thënë e lexuar i tëri.
Do të ravijëzojmë
sadopak çështjen se përse Ali Asllani ende s’është lexuar i tëri. Përgjigja e
parë që na vjen ndoresh është se ai patjetër s’është botuar i tëri. Më moshatarët
në Vlorë thonë se, ende nuk po e shohim atë Ali Asllan që kemi njohur, që na
kanë rrëfyer të parët tanë; ata, të cilët e kanë njohur vërtet të plotë atë,
emrin, bëmat dhe veprën letrare të tij, lënë shkruar. Në poezitë e xha Aliut,
ku spikat furishëm shpirti atdhetar trazuar bukur dhe me finesë me ndjenjën
poetike, vërejmë se vjershërimet romantike i ka entuziaste dhe s’bën t’u futësh
gërshërë e t’i qethësh, (aq më tepër sot, kur kemi veshur poture moderniciteti
dhe gunë të qytetarisë demokratike). Është i turpshëm dhe i pamoralshëm gjesti i
“bllokimit” që i bëhet asaj pjese të krijimtarisë letrare të Lirikut të madh të
Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë, e cila, nga “pronarët” e shkrimtarisë
shqiptare, ende gjykohet si letërsi dekadente e “pa partishmëri proletare” (sot
kupto: interes ose para). Poeti ka krijuar si i ka ardhur muza, ato i që ka
ndjerë shpirti. Ai ka shkruar për ndjenja, mendime, vende, njerëz, ngjarje, edhe
për persona, që me bëmat e tyre “pozitive” apo “negative”, patjetër janë futur
në fondin e historisë së popullit shqiptar, por nga të pasmit e vertikalitetit drejtues u
trajtuan si personazhe historikë të liq, të zinj, jo të mirë, të kuq. Hajde, dakort
për dje, po sot, një çerek shekulli demokraci?!...Është thënë e shkruar që A. Asllani
ka shkruar vjersha që në moshë të re, por u bë i njohur me poemën “Hanko
Halla”, që e botoi në vitin 1942 (në fakt poema është shkruar në vitin 1929 dhe
botimi i parë i saj është bërë në vitin 1932). Në librin “Studime për letërsinë
shqiptare” (1988), gjatë analizës që i bëhet poemës së Musarajt “Bujku i Hanko
Hallës” (vb. 1934) shkruhet: “Në këtë poemë për herë të parë Shevqet Musaraj ka
përdorur gjerësisht gjuhën, frazeologjinë, sinkaksin poetik dhe vargun
popullor, vërtet sipas modelit të përpunuar prej Ali Asllanit, po të pasuruar e
të përshtatur temës së veprës dhe tipit që është vënë në qendër të saj”[6]. Edhe
në disa libra të lirikut vlonjat apo kushtuar atij (që panë dritën e botimit
pas viteve 1990-të) jepet e paplotë bibliografia e botimeve të autorit. Por, specialistët
e fushës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, njerëzit e arsimuar dhe të
specializuar për katalogimin e librit e bëjnë mirë punën; atë që u takon, që
duhet të bëjnë, e bëjnë detyrën me korrektesë shkencore. Gjykojmë se një
studiuesi të veprës poetike të Ali Asllanit, mund t’i vlejë informacioni i
mëposhtëm, të cilin po e paraqesim vërtetësisht, (dhe e ndjejmë si detyrim,
mundësi dhe kënaqësi), meqenëqë kemi arsimimin e specializimin në fushën e
shkencës së Bibliotekonomisë. Numri
i regjistrimeve të gjetura në faqen elektronike të Bibliotekës Kombëtare
të Shqipërisë në Katalogët Online për
autorin Ali Asllani është 17 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është 17.
Dhe konkretisht, nga vepra letrare e botuar e Ali Asllanit, në
Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar këto njësi bibliografike:
1. “Mbreti i ynë”: vjersha; Vlorë,
Shtypshkronja "Atdheu", 1935,
10 faqe, (4 kopje);
2. “Mbreti i ynë”: vjersha
për zogun; Vlorë, Shtypshkronja "Atdheu", 1936, 10 f., (3 kopje), [Libri që kam unë (i vitit 1936) ka 12
faqe];
3. "Hanko Halla":
Tiranë; “Kristo Luarasi”, 1942, 54
f., (5 kopje);
4. “Vidi vidi pullumbeshë dhe Hanko Halla”:
vjersha, paraqitur
dhe red. nga Razi Brahimi, Tiranë: “Naim Frashëri”, 1960, 144 f. (18
kopje);
5. “Shqipëria kryezonjë”:
vjersha; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1962,
63 f., (5 kopje);
6. “Vajzat dhe dallëndyshet” Tiranë, “Naim Frashëri”, 1964,
83 f., (7 kopje); [libri ka red. Donika Omarin, por nuk është shënuar në
përshkrimin bibliografik të katalogut të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë];
7. “... Ku merr zjarr
rrufeja: vjersha të zgjedhura dhe "Hanko Halla", [përmbledhje, (antologji)]; Tiranë: “Naim
Frashëri”, 1966, 211 f., (5 kopje);
8. [Poezi]; [Titulli i
serisë: Poezia shqipe]; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1975, 89 f., 1 fletë portret, (4 kopje);
9. “Vepra”,
zgjodhi dhe përgatiti: Kajtaz Rrecaj, red. Fahredin Gunga; Prishtinë, Rilindja
[(Ky titull përbëhet nga V. 1: Poezi; V. 2 Poezi. Jeta dhe vepra): Vepra 1, 1984, 187 f., me 1 fl. portr., (3 kopje);
10. Vepra 2:
Poezi. Jeta dhe vepra, 1984, 221 f.
me 1 fl. portr. dhe bibliografi], (3 kopje);
11. “Poezi
të zgjedhura”,
përgat.: Jorgo Bllaci, red.: Jorgo Bllaci, Bardhosh Gaçe; Tiranë: “Naim Frashëri”,
1996, 209 f., me il., (5 kopje);
12. “Vidi-vidi
pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Toena, 1999, 294 f.; (Titulli i serisë: Kambana. Poezia e zgjedhur shqipe), (4 kopje);
13. “Hanko Halla”:
poezi të zgjedhura, përgat. për shtyp: Përparim Xhixha, Tiranë: Mësonjëtorja e
parë, 1999, 142 f., 1 fl. port., me
parathënie një esse e Fatos Arapit "Kohët dhe poeti", (5 kopje);
14. “Këngë të
dashurisë”: poezi, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 84 f., (5 kopje);
15. “Hanko Halla”:
poemë, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 48 f., (5 kopje);
16. “Hanko Halla”:
poemë, Tiranë: “Naim Frashëri”, 2006,
94 f., (5 kopje);
17. “Vepra e plotë poetike”,
përg.: Nasho Jorgaqi, Ardian Klosi; Tiranë: K & B, 2011, 381
f.; kopert. mbi aut. - dy fjalë në hyrje: f. 11-13
nga përgatitësit, (5 kopje).
Ndër studimet e reja kushtuar veprës së tij kujtojmë 3 monografitë e përgatitura
nga prof.dr. Bardhosh Gaçe:
1. “Ali Asllani, liriku i madh i poezisë shqipe”, Tiranë, Eurorilindja,
1998, 39 f.];
2. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, red. Nasho Jorgaqi,
Tiranë, “Naim Frashëri”, 1997, 302 f.;
3. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”: ribot. i ripunuar,
Tiranë, Toena, 2006, 440 f.;
- përmbledhjen “Ali Asllani, princi i lirikës shqiptare: konferenca
shkencore”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave, Tiranë,
Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë; Tiranë, Maluka, 2007, 164 f.;
- si dhe monografinë e autorit Shkëlqim Zotaj: “Tipologjia e lirikës së
Ali Asllanit”, sprovë letrare, red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Globus R., 2007,
[164 f.]
Ndërkohë, që vërejmë se vepra e plotë, (ajo e plota fare, jo ajo që
reklamojnë botuesit e derisotëm) e Ali Asllanit ende nuk është botuar as sot,
një gjysmë shekulli pas vdekjes së Tij. Nuk njihet deri në fund vepra e tij apo
ende sundon mentaliteti? Pse? Nga kush paskemi frikë xhanëm? Vuakemi nga
komplekset e së kaluarës. Na mundoka mirëfilli apo s’e pranokemi dot hapësirën
e pastër, të kaltër, të bukur, të mirë e të dobishme të demokratizimit qytetar
të vetvetes, të shpirtit tonë, vetëdijes sonë, fjalës së folur dhe sidomos asaj së shkruarës. Pse, o, kaq keq na
paska kompromentuar e deformuar pjesa e poshtme e letërsisë ideologjike
socrealiste, me kornizat e shkrimit bardhë e zi, me funksionimin e skemave të
krijimit në rresht?! Me çfarë sonde u dashka larë stomaku i këtij lloj mendimi të
indoktrinuar që na paska pushtuar materien dhe ndërgjegjen tonë segmentare,
saqë nuk u çliruakemi dot?! Apo, mos vallë duam vetë të vuajmë nga ky lloj
pushtimi?! Akoma vetëm poetët partiakë me poezi partististe do të promovojmë?
(Sot: parti = interes+para). Kujtesa e leximit në këtë situatë po na sjell në
ekran të vështrimit studimor thënien famëkeqe e me flamë të Leninit: “Poshtë
letrarët pa parti!” Botojeni, ore të mjerë, poetin siç ka shkruar! Pse e
censuroni kaq rreptë? Ç’keni ju?! Është stafeta e brezave që e gjykon veprën e
tij. Është koha që i vë notën poetit për krijimtarinë letrare, në të cilën ka shprehur
në mënyrë figurative mendimet, idetë e ndjenjat me anë të fjalës së bukur.
Është përsëri koha që i vë notën poetit për nivelin artistik, morfologjinë
poetike, rregullat e metrikës, stilin apo dhe stilistikën e gjuhës poetike të
autorit, ritmin, përdorimin e mjeteve të ndryshme të përforcimit të shprehjes së
fjalës, deri tek përdorimi i veçorive akustike të asaj fjale aq të ëmbël. Ali
Asllani krijimtarinë letrare e ka tërësisht në formë vjershe dhe ajo na rrëmben,
na bën për vete. Ka një bukuri magjepse, si ndër pak autorë. Asllani është një
poet shqiptar që u lind, jetoi, luftoi, punoi, ndërtoi, udhëhoqi, gaboi,
dashuroi, u plak e vdiq për Shqipëri dhe në Shqipëri. Ai donte një Shqipëri të
mirë, me emër, me dinjitet, qytetare, të dashur, të bukur. Kjo vihet re në çdo
vjershë të autorit e prandaj lajtmotivi i veprës së Tij letrare ngelen vargjet
brilante: “Vlorën edhe Vlorën/ thelp e
kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…”[7]
Ai është gjitholog i vërtetë dhe një bilbil i bukur i poezisë shqiptare.
Krijimtaria e Ali Asllanit, për veçoritë që ka, për individualitetin, tipiken,
kontekstin, nëntekstin, këndvështrimin e trajtimit si poezi e rrethanave apo qëllimore,
si art i Ali Asllanit mund të jetë shumë bukur një shkollë letrare për
shkrimtarët e tjerë, një shkollë e mjeshtërisë artistike. Po atëhere, përse nuk
botohet i plotë Ali Asllani? Se ka shkruar për Zogun? Edhe?!...
“Ku është problemi”?! ... Ai, po
ashtu, ka shkruar poezi të mrekullueshme dhe për Perlat Rexhepin, (njërin nga 3
heronjtë e Shkodrës, që, bashkë me Branko Kadinë dhe Jordan Misjen, ranë në
përpjekjen legjendare më 22 qershor 1942 kundër fashistëve në Shkodër). Poezia “Perlat
Rexhepi” e Ali Asllanit me 5 strofa 4 vargëshe, me rimë melodioze të kryqëzuar
abab, është e dashur, frymëzuese, ka gjuhë të sinqertë e burrërore, vargje të
mbrujtura me thekse shumë prekës, një gjashtërrokësh të thjeshtë e magjik, nota
retorike, ku ngrihet i gjallë e madhështor portreti i bashkëfshatarit të tij - dëshmor
lirie në përfytyrimin e lexuesit. Edhe për Vajzën (vendlindjen e tij), edhe për
Vlorën, edhe për Labërinë, edhe për Shqipërinë ka shkruar me shpërthime
romantike, herë me nota iluministe e himnizuese, herë me ngjyra realiste. Ai
është qejfli në varg, qejfli në jetë, i ndezur në vargje siç qe në jetë, i
pastër në vargje, siç qe një jetë. Qibar në çdo gjë, siç e njohin në Vlorë dhe
Sovran i fjalës. Ai është Këngëtari i Lirisë. Madje, edhe nga personalitete
politike të regjimit të kaluar ai është cilësuar KËNGËTARI I LUFTËS SË VLORËS,
sepse i tillë ishte, sepse ai dhe askush tjetër e bëri Himnin e Luftës së Vlorës,
atë këngë solemne kushtuar asaj beteje çlirimtare me dobi kombëtare, këngë që mbahet
si simbol i asaj ngjarjeje të shënuar. “Vlora - Vlora” e Ali Asllanit u muzikua
nga Thoma Nasi, vatrani atdhetar, i cili erdhi me bandën muzikore “Vatra”, që
nga Amerika, se e thirri gjaku, kocka, zëri i të parëve, e kërkoi mëmëdheu,
bashkë me trimat. Dhe kështu, vjersha e poetit, kryekatundarit, kryebashkiakut
vlonjat u bë një vepër
muzikore lirike, me përmbajtje patriotike, që këndohej jo vetëm nga kori, por
nga gjithë luftëtarët e Njëzetës.
Le të kthehemi tek “dregëza” e xha Aliut, tek ajo kleçka në
biografi, që ende mundoka keq botuesit tanë të shqyer (më falni … të shquar…).
I thonë dhe rapsod ca nga këta kritikët tanë profanë me fasadë kollaresh a
mjekrash të ditura. U duket se e zbresin nga piedestali, por s’e luptojnë që
kohë e kohëra kalojnë e Ali Asllanit vetë vepra e tij e tejkohshme, e fuqishme
e aktuale e bën profét të bardhë të artit të fjalës. Po çfarë thotë Ali Asllani
në ato vargjet e pa njohura sot e 80 vjet, xhanëm? Nga leximi i libërthit
kuptojmë se poeti (në atë kohë 51, 52 apo 53 vjeçar) ka krijuar 202 vargje, të
thurura përkatësisht në vjershat “Zog i
Parë”, “Fat’ i yn’ i mir’ udukë”,
“Rreth Mbretit gjith vëllezër”, “Ka më tepër duf shqiponja, se kur fryn e vetëtinë”,
“Me ty jemi”, “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’ rrufeja”, “Në Atdheun e Shqiponjës” dhe “Flamurit kombëtar”, që janë vjersha
lirike madhështore, ku lavdëron e himnizon mbretin e vendit në ato vite. Ali
Asllani është shfaqur një zë i vërtetë i kohës që jetoi dhe vjen tek ky libërth
siç qe, zëri i kohës së tij. Nuk mund të dilte nga koha dhe personazhet e asaj
kohe që jetoi, (se e punësoi, e vlerësoi, e kënaqi, e joshi, e ndëshkoi, e
shqetësoi dhe prapë e nderoi). Ky pra është Ali Asllani. Ka përdorur gjuhë
romantike, lëvdata të tepruara dhe i ka bërë ca lajkatime të tepruara Zogut?!
Po, i ka bërë. Është poet ai. Dhe poeti njeri është. Njeri i ndjeshëm, si të
tjerët (më pak a më shumë - tjetër gjë), por që mund ta shprehë edhe
artistikisht në vargje ndjesinë që ka. Ashtu e ka ndjerë. Ashtu i ka ardhur.
Ashtu i paskej thënë, si duket, kali me fletë i Pegasit, kur poeti i hipi dhe u
pa nga të tjerët për herë të parë më 1935 - ën me zërin e tij më vete, jo në
kor me të tjerë. Nga Nexhat Hakiu mësojmë se vjershat e para A. Asllani i ka
shkruar turqisht, kur ishte nxënës në gjimnazin e Janinës, [pas viteve 1898],
sidomos në vitet 1902 - 1903 në të përkohshmet: “Malumat” (“Dituria”-Stamboll)
“Mysaver fen e edep”, (“Përfytyrimi i shkencës dhe edukatës”, “Baballëk”, që
dilte në Konjë[8],
etj. Ndërsa, nga vjershat fillimtare poeti nis t’i botojë aty nga vitet
1913-’14. Në vitin 1914, kur ishte internuar në Itali hartoi një poemth me
karakter patriotik, që mund të merret si pikënisja e veprimtarisë së tij
letrare në gjuhën shqipe. Janë më tepër se 53 vjersha të shkruara me frymë
patriotike, por shumica nuk e panë dritën e botimit. Ai botoi në shtypin e kohës
në gjuhën shqipe krijimet “Mir’se ardhët”
e “Marshi i Vlorës”, gazeta “Mbrojta Kombëtare”, Vlorë, 28 Tetor 1920; “Vjersha për shkollarë”, revista
“Minerva”, nr. 1, 1932 (të vetmet për të vegjël që ai botoi). Në vëllimin “Vajzat dhe dallëndyshet” janë botuar
fragmente nga poema didaktike “Kujtime të
vjetra” (97 vargje në 5 kre) me shënimin në fund të faqes: “Poema “Kujtime
të vjetëra”, prej së cilës botojmë disa fragmente, është shkruar në vitin 1921
në formën e këshillave për brezin e ri, i cili duhej ta shihte çdo gjë nën
prizmin e interesave t’atdheut dhe të mos binte në kurthin e të liqve dhe
armiqve”[9]. Po
në këtë vëllim është botuar vjersha “Një
flamë” (një spiuni) me shënimin fundor:
“Vlorë, 1917”.[10]
E famshmja “Hanko Halla” u botua pjesë-pjesë
në “Kosova”, nr. 1, 2, 3, maj 1932, Kostancë, Rumani (shkruar në Sofje, 1929), bot.
i plotë i poemës: revista “Shkëndija”, nr. 24-25/ 1942); në vitin 1932 “Në
Atdheun e Shqiponjës”, gazeta “Besa”, nr. 1273, viti 1935, etj.
Sipas M. Gurakuqit, në
vitin 1932 do të gjejmë vjershën e parë të Asllanit kushtuar Zogut, titulluar “Mbreti ynë” (shih: “Besa”, 1932, viti
II, Nr. 435, f. 2) botuar edhe në “Minerva” (shih: “Minerva”, 1932, nr. 2, f.
1). Një vjershë me të njëjtin titull do ta gjejmë prapë te “Minerva” dy vjet më
vonë (shih: “Minerva”, 1934, nr. 23-24, f. 3), ndërsa më 1935 me të njëjtin
titull do të botojë një libër. (shih: “Ali Asllani “Mbreti ynë”, Vlorë, shtyp. “Atdheu”, 1935). Ai vijon të botojë disa
vjersha me karakter patriotik dhe shoqëror. Kështu më 1933 në “Minerva” boton
vjershën “Zonjat hedhin valle” (shih:
“Minerva”, 1933, Nr. 12-13, f. 8). Po në këtë revistë “Soirèe” (Festë) (shih:
“Minerva”, 1933, Nr. 6, f. 14), në “Besa” vjershën “Flamurit kombëtar” (shih: “Besa”, 1933, viti III, nr.715, f. 3). Një
pjesë të poemës së tij të dëgjuar “Hanko
Halla” e botoi së pari në revistën “Minerva” më 1933 (shih: “Minerva”,
1933, Nr. 10, f. 4) e po në këtë vit, në të njëjtin organ, do të botojë një
pjesë tjetër. Ali Asllani do të bashkëpunojë edhe në organe të tjerë, si
“Ilyria” (vjersha “Ismail Qemali”,
1935), “Kombi” (vjersha “Gjoni”),
“Bota e Re”, “Vatra shqiptare”, “Tomorri i Vogël”, Fryma”, “Revista Letrare”
etj.
Në librin me poezi të
zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999) gjejmë krijime: nga cikli i
lirikave të dashurisë si “Vajzat heqin
valle”, e cila ka në fund shënimin 1929 dhe vjersha e gjatë “Vajza Shqiptare”, qershor 1930; nga
cikli i poezive patriotike “Ç’do të thotë
patriot?”, 1916; “Dëshpërim dhe
shpresë”, 1918; “Buza ime kur do
qeshë?”, 1918; “Do na bënet
Shqipëria? (Si përgjigje pyetjes që bëri Halim Xhelua)”, 1919; “Sazani”, 1919; vjersha e gjatë “Ismail Qemali”, 1919, poema “Fejzo Xhafua”, 1919; “Unë dhe bota”, Vlorë, korrik 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa I - para luftës)”,
1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa II - pas
luftës”, 1920; “Mir’se ardhët”
Vlorë, shtator 1920; “Këngë”, 1921; “Për dëshmorët”, 1922, “Ah, ky vënd…”, 1924 dhe “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’
rrufeja”, 1935; nga cilki i poezive shoqërore (satirike) “Një flamë (Një spiuni)”, 1917; “Ja programi im është ky”, nuk ka vit të
shkruar, por shënimin “Kjo vjershë është shkruar me rastin e zgjedhjeve të
deputetëve në kohën e Zogut” (shih: f.
164) dhe poema e gjatë “Dasma shqiptare”,
Sofje, qershor 1928.
Në librin “Vajzat dhe dallëndyshet”, botuar pas
çlirimit është edhe poezia “Flamuri kombëtar”[11]
me 27 vargje dhe 7 thyerje vargfundorësh me fjalë 2-3 rrokëshe. Poezisë i është
bërë një dush i mirë, duke i pastruar strofat ku përmendet Zogu. S’do mend
shumë të kuptohet që poezia është qethur mirë e mirë nga vargjet e strofat me
Mbret, sepse në botimin e vitit 1936 kjo vjershë ka 50 vargje[12].
Kritiku Mark Gurakuqi
na ka lënë një ndër botimet më serioze për jetën dhe veprën letrare të Ali
Asllanit, studim monografik (me gjithë ndonjë rezervë që mund të kemi, e cila
do të dalë në vijim të kësaj trajtese). Ai shkruan “Një ndër krijimet ma të mirë
poetike patriotike të Ali Asllanit asht vjersha “Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!” (Asht
vjersha e besimit, e bindjes se për Shqipninë do të vijnë ditë të bukura, edhe
për ata që i kanë zemrat e plagosuna nga lufta, burgjet, “kurbetet e
flamosura”. Këndej del edhe thirrja e poetit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të
pamundur,/ Të patundur, të pamundur,
as nga era as nga reja,/ Mbani kokat
atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[13].
Ky variant është botuar dhe në poezinë me të njëjtin titull në vëllimin me
poezi të zgjedhura të vitit 1996[14];
po ashtu, pa asnjë ndryshim edhe në botimin tjetër vijues me poezi të zgjedhura
të vitit 1999[15].
Kjo poezi është botuar edhe tek libërthi “Mbreti i ynë” me po të njëjtin
titull: “Mbani kokat atje sipër, ku mer
zjarr’ e flak’rrufeja”, por në 12 vargje. Në të dy botimet poezia ka 16
vargje dhe në fund të faqes vitin [e botimit] 1935. Në botimet e 1996-ës dhe
1999-ës strofa e parë: “Kurse dimri bën të
tijat, faq’ e dheut ngelet keq,/ kurse dega, fleta thanen [thahen është në
bot. e v. 1935[16]], çdo gjë vuan e çdo gjë heq!/ si një dorë,
dor’ e zotit [në origjinal është shkruar me shkronjë të madhe: Zotit], ajo dor’që s’ka të dukur,/ dalngadalë, nënë
tokë, përgatit behar’ e bukur”[17]
pothuaj nuk është ngacmuar. Strofa e dytë me vargjet 5-8 në botimet e 1996-ës
dhe 1999-ës vjen në formën: “po ashtu dhe
këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë,/ përgatit një dit’
të bukur, një të arthme më të pasur!/ ku do qesh’e do dëfrej edhe zemra më e
plasur![18]”.
Në variantin e parë, që përbën strofën e dytë të vjershës, është shkruar kështu
nga Ali Asllani: “Po ashtu dhe këtë ditë,
ku gjith’ bota u goditë/ Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë pa dyshim që pregatitë,/ Pregatit
një dit’ të bukur, një të arthme shum’ të pasur!/ Ku do qesh’e do dëfrejë, edhe
zemra më e plasur.[19]”
Është shtuar në të dy rastet një strofë, vendosur e treta në trupin e
poezisë dhe pikërisht vargjet 9-12 “ku do qesh e do dëfrej’ajo nënë dhe ajo…haj!/
ajo nuse shamizezë rreth govatës laj’ e qaj’,/ rreth govatës laj’ e qaj’ me ca
halle e plagosur,/ me ca halle, me ca burgje, me kurbete të flamosur!”. Duke
u bazuar tek kjo strofë (e shtuar) M. Gurakuqi komenton poezinë patriotike të
Asllanin, siç e sipërcituam (shih referencën 13). Por, në dy botimet e para, të
viteve 1935-‘36 kjo strofë nuk është ...
Strofën e tretë dhe të
fundit e vjershës, në botimin e parë, e lexojmë me këto vargje të Ali Asllanit:
“Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me
bindje të patundur,/ Rrotull Mbretit
të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur,/ Të pa tundur’ të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e
flak’ rrufeja!”[20].
Në botimet e viteve 1996 dhe 1999 kjo strofë vjen në variantin që përmendëm
nga kritiku Gurakuqi dhe nuk e quajmë të nevojshme ta përsërisim.
Në librin me poezi të
zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999), siç vëmë re, është botuar dhe poezia
“Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’
rrufeja”, në 16 vargje me 3 strofa, e cila është gjetur e gjashta në ciklin
8 vjershor të libërthit “Mbreti i ynë”, po me titullin “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935, por me 3
strofa katërvagjgjëshe=12 vargje. Në botimet e viteve 1935-‘36 nuk gjendet
strofa e tretë që është shtuar në botimin me poezi të zgjedhura të vitit 1999.
Vargu 6, strofa 2 (1936) është “Dor’ e
bardhë e Zogut t’Parë, pa dyshim që pregatitë” (shih: bot. cit., f. 7), ndërsa
po ky varg i kësaj strofe (1999) bëhet “dor’
e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë” (shih: bot. përkatës, f. 146);
pra është zëvendësuar emri i përveçëm Zog i Parë me emrin e përgjthshëm
patriot. Vargu 10, strofa 3 (1936) është “Rrotull
Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur” dhe bëhet “Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të
pamundur” (shih përkatësisht librat në faqet e sipërcituara). Në botimin e
vitit 1999 është përfshirë vjersha “Flamuri
Kombëtar”, f. 93 - 94, por pa vit botimi. Ka 27 vargje në 8 strofa, kurse në botimin e v. 1936 ka 50
vargje në 16 strofa. Pra, në botimin e vitit 1999 vjersha vjen e qethur mirë, e përgjysmuar, ku,
patjetër, gërshëra ka hequr emrin e
Zogut dhe vargjet idilike kushtuar atij nga autori, ato vargje ku fluturimet
romantike asllaniane nuk mbajnë më fre: “Me
një fat të bardhë borë,/ Më të bardh’ nga bor’ e malit;/ Bashk’ me ZOGUN me
kurorë,/ Me një yll në mes të ballit”. […]
Pezmatueshëm, shtrojmë
pyetjen: Akoma do të ecim me metodën e realizmit socialist, karakterin klasor të
letërsisë, revolucionarizimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të jetës së vendit,
luftën dhe përpjekjet e masave punonjëse për kapërcimin e vështirësive të shkaktuara
nga bllokada armiqësore, dënimin e njëzëshëm nga masat punonjëse të armiqve dhe
tradhëtisë revizioniste, vizatimin e njeriut të ri muskuloz, heroik e vetëm me
anë pozitive e me të tjera e të tjera lodhësira të tilla zverdharake e të
bezdishme?! E pra, pse?! Se i ka shkruar ditirambe Zogut?! I ka thurur ode?! Po
njihet ditirambi në letërsi. Është i ngjashëm me oden. Qysh në lashtësi, në Greqinë
e Vjetër këndoheshin këngë korale, të gëzueshme e plot gjallëri për nder të
Dionisit, perëndisë së rrushit e të verës. Edhe odet, si vjersha lirike a këngë solemne, me frymë
të ngritur, që u kushtohen ngjarjeve historike të shënuara a njerëzve të shquar
ose që shprehin me forcë ndjenjat e dashurisë, të nderimit, të gëzimit, të
miqësisë, etj., janë përdorur për të shprehur diçka të rrallë, ndjesore
sipërore, një mirënjohje të veçantë. Njihet dhe poezia e angazhuar. Pse gjeniu
gjerman Gëte a nuk qe poet oborri i
Weimarit? A nuk i ka thurur ditirambe ai dukës Carl-August [në fund të shek. XVIII
(vitet 1775 e më pas)]? Por, në Vajmar Republika e parë Gjermane nxori kushtetutën e saj,
ndërsa sot Vajmari njihet si
kryeqytet i kulturës europiane. Mos të ikim tutje. Noli a nuk i ka kënduar
ditirambe Skënderbeut?! Po të quajturat rapsodi të Lasgushit apo kënga e
popullit tonë për Ismail Qemalin a nuk janë ditirambe?! Vetë vjersha e gjatë e
Ali Asllanit kushtuar “Plakut profit” a nuk është e tillë?! Dritëroi e Kadareja
a nuk i kënduan himne e ditirambe Enverit?! (Nuk po merremi me kakarisjet
letrarucka që u lëpihen këtë çerekshekullin e fundit karagjozopolitikanëve
tanë, jo vetëm të nivelit të sipërm, por edhe atyre më minorë, por të trashë
nga qeseja dhe gjëmat që të bëjnë …). Gjithsesi, ky realitet shkrimor nuk ua ul
vlerat dhe lartësinë letrare, që kanë fituar me penë e dinjitet krijues. “Bota,
fatkeqësisht është reale”, shkruan Jorge Luis Borges. Pse u dashkan mohuar të
vërtetat? Aq më tepër në letërsi. Poeti është pena artistike e kohës, është zëri
i saj i zbukuruar me figura letrare. Bota ka kënduar dhe këndon ditirambe. Dhe do të
këndojë. Edhe të pamerituara. Jetëgjatësia e tyre, udhëtimi që bëjnë në kohën e
nesërme është treguesi konkret i vlerave artistike dhe estetike, apo dhe atyre
morale, atdhetare, qytetare e universale të këtyre lloj krijimeve letrare, (të
merituara apo të pamerituara). Ndërkohë, 76 vargjet sarkazmatike të “Hakërrimit”
të tij të fuqishëm: “Hani, pini e rrëmbeni,
mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ u gjeti dreka, milioner’ ju gjeti
darka!/ Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,/ gjersa populli
bujar t’ju përgjgjet: peqe, lepe!/...Hani, pini e rrëmbeni, është koha e
çakenjvet;/ hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot’ e maskarenjvet/…Dallavera nëpër
zyra, dallavera në pazar,/ dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’/…Ja, ja
grushti do të bjeri përmbi kokat e zuzarëve,/ koha është e maskarenjve, po
Atdheu i shqiptarëve!... [1942] janë si 76 vetëtima titanike për
pushtetarokaragjozët e sotëm, që nuk i reciton vetëm Reshat Arbana, Mirush
Kabashi, Bujar Asqeriu apo Vaso Godo, por mbarë shqiptarët, të 10 miljonët!
Burimi i frymëzimit poetik
dhe prodhimi letrar origjinal, autentik i Ali Asllanit përbën një rast unikal të
krijuesit shkëlqimtar dhe të pashtershëm, që di si ta shfrytëzojë gurrën
popullore, që di ta përzgjedhë ujin e kulluar folkorik, që di ta pijë, që di si
dhe sa të pijë, me synimin që t’i bëjë mirë për shëndetin letrar të tij dhe të
shqiptarëve. Krijimtaria e tij është bio labe, bijë letrare e natyrës shqiptare,
e pastër, e virgjër, si ajo. Gjuha e tij lokale, kur shpërthen nga pena e
mjeshtrit, merr përmasa universaliteti. Asllani është vështrirë të përkthehet në
gjuhë të huaja, për të mos thënë që mund të jetë poeti i vetëm shqiptar, që më
bukur se në shqip s’tingëllon në asnjë gjuhë tjetër të botës. E kush mund ta përkthejë,
fjala vjen, vargun e tij: “Gugu-gugu guguftu!”, etj., etj. Se ka atë visar
fjale, se përdor ato idioma të rralla si thesare shpirti, se ka atë magji arti,
muzikalitet e fuqi vargu, lartësisht të bukur në thjeshtësinë dhe spontanitetin
befasues të të krijuarit, ndaj Ali Asllani është ALI ASLLAN. Edhe ironinë e ka të
bukur, jo fyese. I shkon, se di kur, ku, në ç’masë dhe për ç’efekt ta përdorë. Ai
të kënaq shpirtin e të shëron xhanin në shqip. Si ai. Ku të gjendet një Fan Nol
i Ri, që, ashtu si Noli i madh pruri në shqip Kajamin, Shekspirin, Servantesin
e viganë të tjerë të letrave të globit, ta japë në gjuhë të huaja Ali Asllanin
me tërë madhështinë e ndritshme të artit poetik që na la trashëgim si një
shufër e rrallë floriri në letrat shqipe?!
*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Fasalchi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
[1]
)Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, shih: Gaçe, Bardhosh, “Ali
Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, Tiranë, Toena, 2006, f. 111.
[2] )
Bllaci, Jorgo: “Miku i të gjithëve, Ali Asllani”, shih: “Ali Asllani në
kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 103-104.
[3] )
Hamit, Sabri: “Letërsia moderne shqiptare”, Tiranë, Alb-ass, 2000, f. 311.
[4] )
Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, vep. e cit., f. 113.
[5]) Xhaxhiu, Muzafer, “Kush është Ali Asllani”,
po aty, f. 77.
[6] ) “Studime
për letërsinë shqiptare”, Pj. 2, Tiranë, Akad. e Shkencave e RPS të Shqipërisë,
Inst. i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, 1988, f. 398.
[7] )
Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 39.
[8] )
Hakiu, Nexhat; “Shkrimtarët shqiptarë, prej Lidhjes së Prizrendit deri sot [v.
1930]”, “Ali Asllani” Tiranë, Botim I Ministris’ Arsimit, 1941, XIX, Pj.2, f. 326-327.
[9] )
Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, Tiranë, “Naim Frashëri”,1964, f.
13.
[10] )
Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, vep. e cit. f. 41.
[11] )
Asllani, Ali; po aty, f. 49-50.
[12] )
Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1936, [f. 10-12].
[13] )
Gurakuqi, Mark; “Jeta dhe vepra letrare e Ali Asllanit”, studim monografik, shih:
“Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 235.
[14] )
Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49.
[16] )
Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].
[17] )
Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49;
Asllani, Ali; “Vidi-vidi
pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.
[18] )
Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49;
Asllani, Ali; “Vidi-vidi
pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.
[19]
) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].
[20] )
Po aty.
No comments:
Post a Comment