Thjesht për të parashtruar opinionin se në çfarë pozite i shikoj shkrimtarët e vendit tim në raport me kohën. King i ndan shkrimtarët në katër kategori. Baza e piramidës përbëhet nga të shumtit shkrimtarë të këqij, pastaj mbi ata ndodhen shkrimtarët e dobët ose (jo dhe aq keq), pastaj akoma më të paktë shkrimtarët realisht të mirë dhe maja e piramidës shkrimtari gjeni. King arsyeton se, ndërsa nuk mund të ngrihet në shkrimtarë të dobët një i tillë i keq, dhe po ashtu, një shkrimtar realisht i mirë nuk mund të ngrihet në nivel gjeniu, ka mundësi që një shkrimtar i dobët ose (jo dhe aq keq) me shumë përpjekje dhe dedikim mund të ngrihet në nivel shkrimtari të mirë.
Me shkrimtarë të dobët ose (jo dhe aq keq) ai nënkupton një autor që njeh teknikën e të shkruarit, ndërtimin e strukturës së romanit, gjatësinë e paragrafëve, rolin e ndajfoljeve, karakteret, dialogët etj., d.m.th. i njeh teknikalitetet e të shkruarit. Më pas shfrytë- zimi me mençuri i këtyre elementeve në procesin krijues është çështje talenti artistik. Natyrisht që kjo paradigmë bazë e shkrimtarit King më duket e drejtë, ndërkohë që mendoj se preferenca e lexuesit në përcaktimin e kategorisë në të cilën klasifikohet shkrimtari në këtë piramidë përmban në vetvete subjektivizëm që bazohet në shkallën e intelektit dhe të kulturës që zotëron vetë lexuesi. Ka botuar një dyzinë me romane, dëgjojmë të thuhet nëpër promovime sikur numri i madh i titujve rrit automatikisht gradët e nivelit artistik.
Të tillë autorë, fusha e letrave shqipe ka me shumicë. Këta përbëjnë bazën e piramidës, ku koalicioni (injorancë+mediokritet) rezulton në atë që quhet “zëri i popullit”. Si shprehje butaforike e një shoqërie të kontaminuar rëndë nga virusi i mediokritetit. Me paaftësinë e tyre kësaj situate mediokre i vijnë në ndihmë, e mbështesin fuqishëm ata që i quajmë kritikë-studiues-eseist letrarë, pjesa më e madhe shkrimtarë ëndërrues të dështuar. Më vjen, së pari, në mend kritiku F. Terziu që me tre volume, në disa qindra faqe, ka analizuar të gjithë piramidën e kategorive të shkrimtarëve shqiptarë, në mos gaboj 180 të tillë. Dihet mirë që në Shqipëri ka disa zona rurale ku mungojnë shkollat për fëmijët, por në asnjë rast nuk mungon shkrimtari apo poeti përkatës.
Mendoj se që nga momenti që kritiku F. Terziu ka zgjedhur si kriter të analizës së tij barazinë e vlerave, me bindje them se produkti është një rezultat mediokër. Janë marrë në studim krijimtaria e shkrimtarëve, e poetëve, e studiuesve të filozofisë, eseistëve etj., etj., sipas metodës kolektivizuese. Gabim i rëndë konceptual. Tejkalon çdo sens mase, të çorodit arsyetimin analitik duke përzier e bërë njësh vlerat me antivlerat. Me ardhjen e demokracisë shtimi i numrit të kioskave u shoqërua me rritjen e shumtë të numrit të shkrimtarëve mediokër. Sistemi që përmbysëm kishte pa asnjë diskutim shumë të këqija, por pa qenë i talentuar zor se mund të botoje roman apo përmbledhje me poezi.
Studiuesit më të mirë të letërsisë analizojnë shkrimtarët që përbëjnë eventin letrar të kohës, ata që qëndrojnë si stacione referuese për kohërat. Rasti tjetër është ai i studiuesit B. Gjoka, i cili me një artikull të gjatë analizonte para pak kohësh atë që ai e quante “Fenomeni Blushi”. Ndjeva keqardhje për cektësinë e argumenteve që parashtronte, për pasojë për lehtësinë me të cilën disa studiues të tillë fitojnë cilësorin “studiues, eseist apo kritik letrar”.
Nocioni “fenomen” nënkupton diçka mrekullore, brilante, gjeniale. Me përcaktimin që ai bën si “fenomeni Blushi”, kuptoj që studiuesi në fjalë e ka mjaft të kufizuar kuptimin për fenomenin letrar. Detyrohem të përsëris që në letërsi vetëm gjeniu përbën fenomen. Gjeniu vjen në shoqëri jo vetëm me romanin e parë befasues, por ai vjen dhe befason edhe me ide të reja në aspektin social. Shijet letrare të lexuesve, që janë shumë individuale dhe variojnë në nivele gradash me diferenca të ndjeshme, vetëm në një rast konvergojnë në mënyrë unanime, te talenti i gjenive.
Për fat të keq, talenti është mungesa thelbësore e shkrimtarit Blushi, por aleanca autor+miqtë e shtypit të shkruar+lexues mediokër e ka ushqyer shkrimtarin Blushi me mendimin se është shkrimtari më i talentuar i kohës. Mendoj se në piramidën e letrave cilësia e librave të Blushit deri tani mund të klasifikohet në nivelin e shkrimtarit të dobët ose (jo dhe aq keq). Po të krahasosh romanin më përfaqësues të Agollit, “Zylon”, me librat e Blushit, “fenomeni Blushi” është shumë larg nivelit artistik të “Zylos”.
Madje nuk ngurroj të pohoj se libri i tij i fundit, “Kandidati”, përbën nivelin më të ulët të krijimtarisë së tij. Me inteligjencën e tij, shkrimtari i talentuar di të zgjedhë temën e romanit (kjo zgjedhje është pjesë e talentit). Mirëpo Blushi nuk e ka zgjedhur temën e romanit “Kandidati”, por tinëz e ka huazuar nga “Shpirtrat e vdekur” të N. Gogolit. Në kërkim të subjektit, etja e madhështisë ia ka fluturuar fantazinë te “Shpirtra të vdekur” të Gogolit.
Personazhi Çiçikov vendos të blejë shpirtra, që të sigurojë huara nga institucionet shtetërore bazuar në ligjin e kohës në Rusinë cariste. I ulur në karrigen e deputetit, shkrimtari Blushi mëson se ligji shqiptar i zgjedhjeve ka vakum ligjor për rastet kur kandidati vdes pak ditë para zgjedhjeve, pasi ligji nuk parashikon çregjistrimin e kandidatit që vdes. E huazon këtë subjekt dhe i vihet punës me entuziazmin e atij që mendon se në punë e sipër talenti do t’i hapë flatrat për të arritur në lartësitë e autorit të “Shpirtrave”.
Me shpejtësi rrufeje (për 10 ditë) shkruan romanin “Kandidati”. Mendjelehtësisht edhe shpejtësinë e të shkruarit (të shënuar në fund të librit) e konsideron si vlerë të shtuar të suksesit që imagjinon se libri do të korrë. Në gjithë këtë mekanizëm letrar ka vetëm një mangësi të vogël. Çelësin e artë të suksesit, talentin brilant të Gogolit nuk mund ta huazonte, prandaj “Kandidati” është në nivel akoma më mediokër sesa librat e mëparshëm të tij. Mirëpo studiuesi Gjoka e cilë- son “Fenomeni Blushi”. S’më mbetet tjetër veç të them: Dakord, zoti studiues, por me një ndryshim, fenomen mediokriteti me pesë yje. Kritikë e studiues të tillë më ngjajnë si njeriu pa këmbë, që u mëson të tjerëve sesi të vrapojnë. Nuk ndjekin as maturinë e shprehjes popullore “mat shtatë herë e prit një herë”.
Habitesh kur i lexon, sepse shumë kollaj autorin shqiptar që analizojnë, e krahasojnë patjetër me autorë të huaj të njohur, ndërsa asnjëherë nuk na e thonë atë që është e pakrahasueshme midis tyre, p.sh., talenti apo inteligjenca. Në këtë mënyrë lexuesit dhe shoqërisë i sugjerohet si ushqim shpirtëror mediokriteti, niveli më pak përfaqësues i letrave shqipe. Niveli i ulët, subjektet e rëndomta dhe gjërat e vogla zbavisin mendjet e vogla. Kjo nuk ndodh nga mosdija apo naiviteti. Mediokriteti është shumë këmbëngulës, është i palodhur në synimet e tij për të kultivuar vulgaritete. Arti i masave i përket sistemit komunist. Në shoqëritë e lira arti ka reciprocitet selektiv. Lexuesi elitar ka të vetin artin elitar.
Këtu është vendi që të veçoj studiuesin Sh. Çuçka për shkrimin me titull: “Umberto Eco – Vështrim përmes përkthimesh dhe leximesh”, pak ditë pas vdekjes së Eco-s. Argumentet e sakta, objektiviteti, skrupuloziteti i studiuesit ishin impresionuese. Studimi i Sh. Çuçkës për personalitetin e këtij njeriu të kulturës italiane ishte në nivelin më të mirë të krahasueshëm me studiues italianë dhe francezë. Ka një piramidë shkrimtarësh, por ama ka edhe një piramidë kritikësh, studiuesish e eseistësh.
Në fakt, piramida e shkrimtarëve është tejzmadhuar si kacek, ndërsa piramida e kritikëve dhe eseistëve është e tejrrudhur e nuk ka majë fare. Artet e ndryshme kanë specifikat e tyre. Një njeri me vesh muzike apo me duar të mira i japin, atij që i zotëron ato, mundësi që të bëhet instrumentist i mirë, por nuk mund të bëhet kompozitor. Kompozitor lind, nuk të bën shkolla. Talentin krijues ose e ke, ose s’e ke. Prandaj shkolla shqiptare e muzikës përgatiti shumë kompozitorë të patalentuar, të cilët bënë shumë vepra, por koha i harroi fare, me përjashtim të ndonjë si P. Jakova, P. Gaci, deri diku T. Jakova. Në shoqërinë tonë mendoj se janë dy faktorë të rëndësishëm që deformojnë shumë hierarkinë e vlerave. Së pari, “suksesi promovues hipokrit” i kaq shumë librave që botohen.
Ky volum botimesh mendoj se e ka bazën te një “marrëveshje” midis mediokritetit të ideve të autorëve dhe mediokritetit të ideve të publikut. Artistët mediokër admirohen reciprokisht dhe ruajna Zot, sikur të kishin krahë, do të na mbulonte errë- sira e nuk do të kishim mundësi që të shikonim diellin. Së dyti, hipokrizia dhe konformizmi skandaloz i institucioneve kulturore e letrare. Faktori i parë besoj se s’ka nevojë për komente. Ndërsa faktori i dytë ilustrohet në mënyrën më të mirë në botimin e Antologjisë me tregime të 71 autorëve shqiptarë, që u bë para pak ditësh në Tiranë me mbështetjen e Muzeut Historik Kombëtar.
Me mendjelehtësi prezantohen në një antologji kinse “përzgjedhëse” në grup të katër kategoritë e shkrimtarëve (sipas King), që formojnë piramidën e letrave shqipe. Në gjuhën shqipe shkruajnë si shkrimtarët e tjerë të piramidës ashtu edhe gjeniu i letrave, përshkrime bëjnë të parët, përshkrime bën edhe gjeniu, por ka një ndryshim kardinal midis tyre, gjeniu të magjeps, të zhvendos e të mban mbërthyer në përshkrimet e tij, ndërsa të tjerët jo. Gjeniu zotëron një mister, ka lindur me grimcën e diamantit, talentin që të tjerëve u mungon.
Prandaj të neverit barazitizmi i shëmtuar i Antologjisë, që shpreh gjurmët e thella të mbetura nga e kaluara e mentalitetit komunist. Kjo përbën një shkelmim të hierarkisë së vlerave, një qëndrim injorues për lexuesit, të cilët në këtë mënyrë trajtohen në nivel naivësh, injorantësh. Kjo antologji, e botuar nën kujdesin e një institucioni shtetëror me nxitjen këmbëngulëse të autorëve mediokër, na imponohet zyrtarisht që të marrim për të krahasueshëm brenda një libri nivelin e letërsisë të të katër kategorive piramidale, nga gjeniu Kadare deri te më mediokri i 71-të. Një antologji sallatë letrare e kuzhinës tradicionale shqiptare. Barazohet vepra e Migjenit, e Poradecit, e Fishtës, e Agollit, e Koliqit me atë të B. Fevziut, N. Jorgaqit, P. Ristos, A. Vehbiut, Y. Aliçkës etj., etj.
Shkrimtarët shqiptarë të nivelit të dobët janë shumë të dashuruar me antologjitë. Shkrimtarët e bazës së piramidës ia kanë arritur me të gjitha mënyrat (edhe me ndihmën e institucioneve kulturore) që të prezantohen jashtë kritereve shkencore nëpër antologji letrare. Mungesa e hierarkisë së vlerave në të gjitha fushat e jetës shoqërore shqiptare, shpërfillja e tyre, përbën mutacionin genetik përçudnues të racës shqiptare. Na u servir si një gjetje shumë interesante dhe me vlerë vendosja e librave të bibliotekës së studiuesit A. Klosi në sallën e librave në godinën e Kryeministrisë. Mendoja se do ta fillonin me E. Çabejn, apo me Poradecin, Nolin dhe Kadarenë.
E nisën në mënyrën më të mbrapshtë, me njeriun më pak të merituar për atë qëllim, që së bashku me K. Trebeshinën e F. Lubonjën morën flamurin e çrrënjosjes së miteve kombëtare. Si mund të personalizosh Institucionin e Kryeministrit e të mbivlerësosh një njeri, që nuk i ka ato merita. Ajo nuk është biblioteka personale e familjes Rama. Me të drejtë para pak ditësh autori P. Kulla shumë i revoltuar konkludonte: “Ishte Kryeministri E. Rama që u kujdes që të na jepte librin ‘Vrima’ si model të arritjeve në rrafshin e letërsisë”.
Mjerim kulturor në institucionin më të lartë të shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë, ne kemi pranuar dhe bashkëjetojmë me mediokritetin dhe hipokrizinë institucionale e sociale. Kjo është bërë norma jonë kulturore. Mendoj se këtu vlen të theksoj një konstatim. Pavarësisht se shkrimtarët kosovarë nuk e kanë arritur shkëlqimin e vëllezërve të tyre shqiptarë, studiuesit e letërsisë nga Kosova kanë qenë më të matur, më respektues të hierarkisë së vlerave dhe kanë ditur të përzgjedhin me kujdes. Disertacionet e tyre i kanë mbrojtur kryesisht me studimin e veprave letrare të autorëve shqiptarë më të mirë si Migjeni, De Rada, Kadare, Camaj, Koliqi, Agolli etj.
Shkrimtarët e nivelit të dobët në piramidë, përgjithësisht ngjajnë në shumësinë e tyre edhe për faktin se shumica e tyre, me ca përjashtime, vijnë nga arsimi i lartë për Gjuhë–Letërsi dhe një pjesë nga fusha e përkthimit. Për të parët (B.Mustafaj, N.Jorgaqi, A.Vehbiu, B.Shehu, B.Blushi, A.Tufa, N.Lako. F.Lubonja etj.), diploma e Filologjikut dhe kultura e përgjithshme letrare janë të mjaftueshme që të nisin procesin e tyre të shkrimtarisë. Terrenin e njohin pas diplomimit, për letërsinë mendojnë shumë, ëndërrojnë të bëhen shkrimtarë ekselentë, provojnë shumë e kur shikojnë që nuk ia dalin, i futen rrugës së kritikut, eseistit, studiuesit, gazetarit televiziv. Këta do t’i krahasoja me ata futbollistët që kanë teknikë, që gjithmonë në formacion janë më të djersiturit, të palodhur, triblues që lëvizin shumë, më shumë sesa shokët e tjerë të ekipit, por kanë mangët, vuajnë nga diçka esenciale, u mungon inteligjenca intuitive, nuk e nuhasin portën, nuk arrijnë dot të shënojnë gol. Goli është ai që ngre në ekstazë 50-60 mijë njerëz në stadium.
Goli është orgazma e futbollit. Goditja finale, ajo që e shpie topin në rrjetë, ndihet brenda teje që në momentin që merr topin. Njëlloj si me një autor të talentuar, që ti nis ta lexosh dhe që në faqen e parë ti e ndien se të ka mbërthyer. Një akt krijues mister që të lë pa fjalë, është shpërthim, habi, pakthyeshmëri. Imagjinoj lojën e futbollit pa golin, njëlloj sikur letërsisë t’i mungonin kryeveprat, një shkretëtirë mediokriteti.
Vitet e shumta në punë letrare, volumi apo sasia e librave të botuar, vjetërsia e të marrurit me studimin e diçkaje, nuk janë argument përmbyllës goje se automatikisht ato që ke krijuar janë të nivelit të lartë artistik. Mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet për ata që profesionalizohen si mjek, për jurisprudencë, për arkitekturë, agronomi etj. Për të dytët që vijnë nga përkthimi (M.Meksi, A.Klosi, A.Plasari etj.), eksperienca disavjeçare në përkthim dhe bagazhi kulturor e letrarshoqëror ua nxit fantazinë se mund të botojnë po aq mirë letërsi artistike sa autorët që përkthejnë.
Por janë dy gjëra që shumë rrallë shkojnë paralelisht. Sigurisht që kanë provuar të botojnë, por janë harruar shpejt. Moda e promovimeve këto 20 vjetët e fundit i ka vënë shkrimtarët e dobët ose (jo dhe aq keq) në një raport interesant me kohën. Dy javë përpara botimit të librit të njërit prej këtyre shkrimtarëve gazetat e miqve dhe miqtë e tyre gazetarë të TV-së japin njoftime me shkrim, që pasohen nga intervista e botuesit për autorin dhe librin përkatës. Vlerësimet janë superlative.
Bëhet promovimi dhe ka një recension miqsh, plus një intervistë të autorit. Kaq. Zhyten në mjegullën e harresës. Përndryshe, kemi 60 vjet me skenën e kohës të mbërthyer nga Kadare dhe më pak të tjerët (Migjeni, Noli, Konica, Agolli etj.). Shkrimtarët realisht të mirë kalojnë në një proces evolutiv, gjatë të cilit krijimtaria e tyre herë pas here ulet e ngrihet.
Të lexosh një shkrimtar të mirë (Dh.Pasko, P.Marko, O.Vorpsi, V.Zhiti, E.Dones, L.Leshanaku, Z.Çela, N.Lera, V.Koreshi etj.) dhe një shkrimtar të dobët si Blushi, më ngjan njëlloj sikur me shkrimtarët e mirë t’i japësh lexuesit të pijë qumësht lope, ndërsa me të dytin, Blushin, qumësht të skremuar dy herë, për të mos thënë hirrë. Në rastin e shkrimtarëve të dobët, ose (jo dhe aq keq) që me përpjekje dhe dedikim mund të rriten në nivel shkrimtari të mirë, mendoj se tipik është shkrimtari F.Kongoli. E megjithatë është larg vlerave të Agollit, Vorpsit, P.Markos, Z.Çelës, V.Koreshit, N.Lerës etj.
Të kesh bagazh të madh kulture dhe të jesh krijues i talentuar, nuk janë e njëjta gjë. Ndodh shpesh që kritikët letrarë, eseistët gjithashtu, nuk janë të qartë për këto dy cilësi themelore të njerëzve të kulturës. Të jesh shkrimtar me kulturë të madhe shoqërore, të kesh kujtesë shumë të mirë dhe të përpish së lexuari libra, nuk do të thotë automatikisht që je shumë i talentuar si shkrimtar. Dua të veçoj rastin e autorit M.Zeqo, i cili ka hyrë në fushën e letrave si studiues. Zeqo shkruan me stil studiuesi. Nuk ka shpërthyer me talentin e krijuesit të madh si shkrimtar.
Ai është një personalitet, që e nderon kulturën shqiptare me shumë tituj të botuar. Pak a shumë njëlloj mendoj për studiuesin e historianin e letrave R.Qosja, i cili gjithashtu ka botuar shumë tituj, gjithmonë brenda stilit të studiuesit. Mirëpo mendoj se të dyve u mungon fantazia e talentit të madh artistik, misteri i fjalës së shkruar.
Në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tyre kanë nivel linear krijuesi, por brenda hapësirës shqiptare kanë gjurmët e personalitetit të tyre të padiskutueshëm. Le t’i mbajmë këmbët fort në tokë. Në këtë pikë duhet të jemi shumë realistë. I mendoj si ajo shigjeta që, e lëshuar me shumë forcë, godet tabelën pikërisht në qendër, por që nuk ngulet ngaqë i mungon maja e mprehtë metalike, inteligjenca e talentit sipëror.
Janë larg Nolit dhe Konicës si studiues novatorë. Tani le të ngjitemi në majë të piramidës. Kritika letrare shqiptare në vitet e pas rënies së diktaturës, por as edhe studiues të njohur nga Kosova, nuk e kanë dalluar një veçori shumë të rëndësishme që karakterizon atmosferën krijuese të veprës së Kadaresë. Ne shqiptarët kemi privilegjin për ta lexuar veprën e Kadaresë në gjuhën origjinale.
John Banville, disa herë pretendent për “Nobel”, thotë: “Kafka duhej të qëmtonte në cepat e errëta të perandorisë Austro-Hungareze në rrënim që të mblidhte material për botën imagjinare hiper-reale, ku ngjizen trillimet e tij…. Por ndryshe nga Kafka, me të cilin është krahasuar shpesh, romancieri shqiptar Ismail Kadare është gjendur në një botë të ankthshme, por të vërtetë. Edhe Kafka do ta kishte konsideruar surrealitetin e Shqipërisë së pasluftës disi të pa imagjinueshëm…”. Mendoj se ky konstatim të jep në dorë kodin e zbërthimit të mesazheve nënkuptuese social-filozofike te vepra e Kadaresë, përbën inteligjencë sipërore në arsyetimin analitik letrar. Një miku im, me kulturë letrare të admirueshme, thotë: “Kadare shkruan me stilograf që gjysmën e majës e ka bisturi, është shumë inciziv.
Sikur të pëlqehej nga të gjithë, atëherë nuk do të kishte këtë nivel që ka”. Vepra e Kadaresë me kohë ka përmbushur parametrat e asaj që Gëte e quante letërsi botërore. Dhe Kadare përbën një nga stacionet ku lokomotiva e letërsisë botërore ndalon normalisht, ngaqë e njeh si përbërëse të itinerarit të saj ciklik kohor. Së fundi, dashamirësisht do të doja të shpreh një opinion që disa e dinë dhe disa të tjerë kanë nevojë që ta mësojnë. Letërsia është bazë e kulturës dhe e zhvillimit të intelektit shoqëror. Letërsia njëlloj si libri është e hapur për të gjithë.
Lexuesi zgjedh sipas formimit intelektual. Këtë vlerë universale shoqërore të letërsisë nuk e ka shkenca e mjekësisë, e agronomisë, fizika, apo arkitektura dhe inxhinieritë, të cilat janë shumë specifike brenda ligjeve të tyre. Letërsia formon intelektualisht si arkitektin, ashtu edhe shkrimtarin e talentuar, si zooteknikun, ashtu edhe inxhinierin, si piktorin, ashtu edhe mjekun, si matematikanin, si filozofin, ashtu edhe biokimistin.
Në jetë më shumë jam formuar nga librat e Dostojevskit sesa formulat e Gausit, deklaronte Ajnshtajni. Asnjë piktor apo muzikant sipëror nuk do të ishte i tillë nëse nuk do të përpinte dhe formohej me kryeveprat e letërsisë botërore. Talenti në fushën profesionale përkatëse plus letërsia klasike. Një njeri i diplomuar në profesionet e lartpërmendura dhe i formuar intelektualisht me letërsi kualitative krijon dhe shpreh opinione individuale për shkrimtarë dhe letërsinë e tyre.
Një i diplomuar në Gjuhë-Letërsi nuk e ka mundësinë që të shprehë opinion se cila teknikë neurokirurgjikale, kardiokirurgjikale, arkitekturore, biokimike, matematikore etj., etj. përmban dhe shpreh talentin më të madh. Këto shkenca ekzakte janë si kështjella, ku veprojnë e japin opinionet e tyre që vlejnë vetëm të kualifikuarit në atë shkencë brenda mureve të kështjellës. Letërsia nuk ka mure, librin e kanë në duar të gjithë, ka hierarki vlerash. Një matematikan/e, një jurist/e, një inxhinier/e, një zooteknik/e, një filozof etj., mund të jetë shkrimtar dhe poet i/e mirë, e kundërta një i diplomuar në Gjuhë-Letërsi nuk ndodh të jetë mjek, jurist, fizikan etj.
Nga profesionet specifike shkon natyrshëm te letërsia, e kundërta nuk ndodh. Diploma e Gjuhë-Letërsisë, nuk është domosdoshmërisht licencë që të jep monopolin e vlerësimit më të saktë të letërsisë. Ajo të predispozon në jetë, sidomos në thellim të studimeve në Gjuhësi, kurse për të talentuarit është një pedanë që të hedh në nivelet e larta artistike. Për letërsinë ka aq vlerësues dhe studiues, po aq sa ka njerëz intelektualisht të aftë. Njëlloj sikurse ka aq letërsi, sa ka edhe shkrimtarë. Një arkitekt, një piktor, një muzikant, një mjek etj., mund të kenë opinione letrare individuale që disa herë kemi parë që t’i shprehin shumë më qartë dhe saktë sesa vetë letrarët. Letërsia njëlloj influencon intelektualisht si njerëzit e diplomuar në shkencat ekzakte, ashtu edhe ata të diplomuar për Gjuhë-Letërsi. Se sa individi kupton dhe interpreton, kjo është çështje tjetër. Përfundimisht shtrohet pyetja: A mund dhe a duhet të jetë kritika në nivel barabar me nivelin e shkrimtarëve më të mirë, apo pranohet edhe në nivel më të ulët? Mendoj se në vende normale, me ekuilibër social vlerash, kritika shërben si shosha, si filtri i vlerave reale. N.q.s kritika nuk është e fortë në nivelin e shkrimtarëve realisht të mirë, atëherë lejon degjenerimin e letërsisë.
Kjo është dukuri fare flagrante në Shqipëri. Kritika mediokre ka të vetin shkrimtarin mediokër. Edhe sikur të dojë, nuk ngjitet dot në shtresën e shkrimtarëve realisht të mirë. Kritika është ose miqësore, ose konformizëm i shëmtuar interesash. Kjo ka lejuar që të gjithë njerëzit të marrin kurajë për të shkruar. Prandaj te ne dominon letërsia që është në shtresën e bazës së piramidës. Kritika është si një kontrollor cilësie, përndryshe kemi në të njëjtën arkë të prishurat me të mirat. Po të ketë kritikë të fortë që ia bën shosh librin e parë e të dytë dikujt, atëherë ai s’ka më kurajë që të rifillojë të shkruajë, e lë atë punë. Kështu vij te mendimi se kritika jo vetëm duhet të jetë shumë e mirë, por ndaj niveleve të ulëta të saj duhet mbajtur qëndrim shumë refraktar ose injorues.
Përgjatë këtij rrugëtimi në piramidën e shkrimtarëve u përpoqa të bëj një kategorizim të shkrimtarëve që mendoj se është afër seleksionimit real që ka bërë koha. Natyrisht, shijet letrare janë personale, preferencat individuale për autorët bazohen në këto shije, secili ballafaqon opinionin e vet me këtë piramidë që, sipas opinionit tim personal, kështu duhet të konceptohet. “Koha” më ka ndihmuar që të krijoj një opinion të tillë për piramidën e shkrimtarëve tanë. Në raport me kohën, vlerën e një vepre arti e ilustron thënia: “Më thuaj çfarë lexon të të them kush je, por nëse më thua se çfarë rilexon do të të njihja më mirë”.
MINELLA ALEKSI