2023-10-06

A do ta gëlltisë Perëndimi edhe këtë farsë të Vuçiqit?

Propaganda e qullët serbe, manipulimet, parodia juridike, trajtimi i terroristëve si figura të rëndësishme publike, arrestimi dhe lirimi i menjëhershëm i kriminelit Milan Radoiçiq nuk paraqesin asnjë befasi. E habitshme do të ishte nëse Perëndimi e gëlltit edhe këtë farsë të Vuçiqit. Një kronikë e rrenave të parapolitikës serbe - nga luani i kopshtit zoologjik të Sarajevës deri te gomat e djegura në Dubrovnik. Kur dje u arrestua Milan Radoiçiqi (ose së paku u tha se u arrestua), disa diplomatë perëndimorë në Beograd reaguan të lehtësuar. Një ditë më vonë, pra sot, Radoiçiqi është njeri i lirë, i liruar nga “drejtësia serbe”, dhe ndoshta ndonjë diplomat tani është i mërzitur, sepse ra në ujë iluzioni që Serbia e ka ndërmend t’i ndriçojë rrethanat e sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator 2023 dhe të dënojë kryerësit e krimit. Që nga ajo ditë Serbia është demaskuar (sërish) faqe botës si sponsorizuese e terrorizmit. Përpjekjet e propagandës së Beogradit janë shtuar me qëllim të përhapjes së mjegullës, manipulimit, gënjeshtrave. Armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës ngjallin dyshime serioze se banda e Radoiçiqit është furnizuar nga ushtria serbe apo nga nënkontraktorë të tjerë të shtetit që punonin për Radoiçiqin. Për të zhdukur këtë gjurmë, drejtësia serbe e kontrolluar nga Vuçiqi tha se Radoiçiqi i ka blerë armët në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës. Qëllimi është evident: të njollosen Bosnja dhe boshnjakët! Sepse Tuzlla gjendet në federatën boshnjako-kroate, jo në entitetin serb. Sipas propagandës serbe, paramilitarët e Radoiçiqit u furnizuan me armë në Bosnjë, ndërsa Policia e Kosovës paskësh armë serbe (“prej nga këto armë?”, pyet me një zë kori i propagandistëve serbë). Tre terroristët e vrarë u varrosën si heronj, njëri prej tyre në Vërnjaçka Banjë, ku fansat e Cërvena Zvezdës dolën në rrugë me pishtarë të ndezur. Në varrim u shfaq edhe Milan Radoiçiqi. Ndërkohë Vuçiqi dhe kanalet e tij nga kanalizimi mediatik emituan zërin e një “dëshmitari të mbrojtur”, i cili - pak a shumë - tha: “Isha rrugës duke ecur dhe rastësisht pashë disa njerëz të armatosur, i pyeta a keni nevojë për ndihmë, kur befas u shfaq policia kosovare dhe nisi të gjuante ndaj nesh dhe ne filluam të iknim…”. Tingëllon si përrallë dhe është përrallë. Në krejt këtë komedi parapolitike serbe po mungon vetëm Danica Marinkoviq, gjykatësja hetuese e administratës pushtuese serbe në Prishtinë, e cila pas masakrës së forcave serbe në Reçak përpiqej të manipulonte të vërtetën. Këto ditë po përjetojmë një kthim të Serbisë në vitet ‘80 dhe ‘90, kur propaganda serbe arsyetonte çdo krim ndaj të tjerëve dhe fabrikonte krime ndaj serbëve. Më 18 nëntor 1991 ushtria jugosllave e shndërruar në armatë serbomadhe pushtoi qytetin barok kroat Vukovar. Ndërsa ushtarë, paramilitarë e çetnikë masakronin civilë kroatë (dhe disa shqiptarë) në periferi të qytetit, radiotelevizioni i Serbisë RTS jepte lajmin e rrejshëm se forcat kroate kanë masakruar “41 fëmijë serbë”, kufomat e të cilëve qenkëshin gjetur në shkollën fillore në Borovo Sello. Kur bota e civilizuar u trondit nga sulmet serbe e malazeze ndaj Dubrovnikut më 1991, mediat e Beogradit citonin një oficer serb, i cili thoshte se tymi që dilte nga qyteti i vjetër i Dubrovnikut nuk ishte pasojë e sulmeve, por tym gomash që paskëshin ndezur kroatët për të mashtruar botën. Gjatë rrethimit të Sarajevës nga ushtria e serbëve të Bosnjës, një gazetare e kanalit televiziv serb “S” raportoi se “ekstremistët myslimanë” po i hedhin fëmijët serbë në kafazet e luanëve në kopshtin zoologjik të Sarajevës. Për kanalin “S” atëbotë punonte edhe një huligan i ri politik nga Beogradi me emrin Aleksandar Vuçiq. Si gjatë luftërave të viteve ‘90, edhe tani, pas sulmit të armatosur kundër Kosovës, propaganda e Beogradit nuk ka ndryshuar. Por do të ishte e habitshme nëse bashkësia ndërkombëtare do ta gëlltisë edhe këtë farsë juridike e politike të Vuçiqit sa i përket bandës së Milan Radoiçiqit. Ky rrezik ekziston. Përzgjedhja e avokatit të Radoiçiqit përshtatet si gur në mozaikun e madh të propagandës. Një “përzgjedhje e natyrshme”, shkruan gazeta “Danas”. Goran Petronijeviq, gjyqtar në Pejë gjatë luftës së Kosovës, në maj të vitit 2000 i dënoi 143 shqiptarë të Kosovës me 1632 vjet burg për shkak të “veprës penale të terrorizmit”. Mandej ky gjykatës në shërbim të regjimit të Slobodan Milosheviqit i dënoi (në mungesë) me nga 20 vjet burg Bill Clintonin, Madeleine Albright, Jacques Chirac, Gerhard Schröder, Tony Blair për shkak të bombardimit të Jugosllavisë serbo-malazeze. Pasi ra regjimi i Milosheviqit, Petronijeviq u mor me avokaturë dhe klientët e tij ishin, mes tjerash, krimineli i luftës Radovan Karagjiq, shefi i sigurimit shtetëror Radomir Markoviq, këngëtarja Svetlana Razhnatoviq (“Ceca”) etj. Petronijeviqi e quan veten “biograf zyrtar të Ratko Mladiqit”, sipas Radios Evropa e Lirë ai ka vëzhguar “zgjedhjet” që Rusia ka organizuar në territoret e pushtuara ukrainase. Në maj të vitit 2020 mediat serbe njoftuan se Petronijeviqi u grushtua nga një grup burrash në një restorant të Beogradit. Më 1991 Slobodan Milosheviqi pati thënë: “Nëse nuk dimë të punojmë mirë, së paku do të dimë të rrihemi”. Detyrë e Petronijeviqit tani është të “dëshmojë” se Milan Radoiçiqi hyri në Kosovë duarthatë, bashkë me paramilitarët e tij duarthatë, të cilët duarthatë vranë një polic të Kosovës dhe duarthatë u strehuan në një manastir të Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa qëllimi i tyre paskësh qenë që duarthatë të armatosin popullin duarthatë serb në Kosovë. Në këtë mision ai mund të llogarisë në ndihmën e shtetit. I pari i shtetit serb disa herë e ka lavdëruar Radoiçiqin si trim. Petronijeviqi duket se ka lidhjet e duhura me drejtësinë dhe me politikën. Mediat serbe të mërkurën botuan fotografi ku Petronijeviqi shihej në piknik me shefin e Prokurorisë së Lartë në Beograd, Nenad Stefanoviq, një adhurues i partisë në pushtet SNS.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...