“Jo tërheqje, thjesht mos veprim”, kështu e përkufizoi ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçeviç reduktimin e numrit të ushtarëve “përgjatë vijës administrative” me Kosovën, nga 8.350 në më pak se 4.500.
“Ata po kthehen në garnizonet e tyre, në kazermat e tyre, në aktivitetet e tyre të rregullta,” tha Vuçeviç për Televizioni Prva, ndërsa theksoi se ushtria serbe së bashku me inteligjencën ushtarake dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, janë duke monitoruar gjithçka që po ndodh në Kosovë. Ministri i mohoi akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke “mbledhur njësi” dhe se po trajnonte grupin që ka marrë pjesë në konfliktin në Banjskë.
Më herët, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ka “filluar tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën dhe se ky është “lajm i mirë”. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby megjithatë, edhe pse e pranoi se diçka e tillë do të ndihmojë në uljen e tensioneve, ajo nuk do të çojë në eliminimin e tyre.
Vendosja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën nisi fill pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në 24 shtator. 5 ditë më vonë, numri dy i Listës Serbe Milan Radojçiç mori përgjegjësinë e organizimit të sulmit dhe po atë ditë, dha dorëheqjen nga pozita e nënkryetarit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.