2024-05-10

Shërbimi Inteligjent Amerikan;Enver Hoxha ishte homoseksual, ose të paktën biseksual”.

Enver Hoxha ishte homoseksual, ose të paktën biseksual”. Kështu lexohet në një nga informacionet që CIA (Shërbimi Inteligjent Amerikan) ka administruar për diktatorin komunist shqiptar. Dokumenti i mëposhtëm, i deklasifikuar kohët e fundit, që i përket Shërbimit Inteligjent Amerikan, është hartuar më 28 dhjetor të vitit 1951. Informacioni i administruar nga CIA në këtë rast është i rëndë. Karakteri i Enver Hoxhës ndërtohet me të dhëna, që në kohën e komunizmit do të konsideroheshin shokuese. Janë të dhëna që jo vetëm e konvertojnë atë në një homoseksual, por e vendosin në cilësinë e një prostitute, që me këtë lloj profesioni nxirrte të holla për të ushqyer një jetë luksi. Të gjitha të dhënat kanë lidhje me veprimtarinë jetësore të Enver Hoxhës para okupacionit italian të Shqipërisë, apo thënë ndryshe kanë lidhje me rininë e tij, që përkon edhe me një kohë apo aktivitet vështirësisht të njohur nga të tjerët. Sipas përmbajtjes, Shërbimi Inteligjent Amerikan i ka marrë të dhënat në Greqi nga një mjek shqiptar i emigruar, për të cilin thuhet se e ka njohur Enver Hoxhën nga afër. I njëjti informues i CIA-s në një rast rrëfen se si në vitin 1943 ka qenë pranë Enver Hoxhës në një bazë. Nëse këto janë të vërteta, atëherë historianët dhe hulumtuesit edhe mund ta identifikojnë këtë personazh, duke vënë njëkohësisht në peshore edhe vërtetësinë dhe saktësinë e thënieve të tij. Pra, nëse informuesi identifikohet, atëherë nisur nga personaliteti dhe e shkuara e tij mund të shkohet në një konkluzion më të qartë për të dhënat që ai i ka kaluar CIA-s, nëse këto të dhëna kanë lidhje me hakmarrje personale, nëse kanë lidhje me shërbim përtej bindjes, apo janë dhënë sepse kështu thotë e vërteta. Sigurisht që mbledhja e këtyre lloj informacioneve ka qenë detyrë permanente e CIA-s. Ka shumë të ngjarë që zbulimi dhe provimi i faktit që vërtetonte se Enver Hoxha ishte homoseksual, të mund të përdorej eventualisht si armë për të goditur reputacionin e tij të padiskutueshëm në pjesën më të madhe të popullit. Gjithsesi, nuk dihet nëse këto informacione janë përdorur dhe, nëse jo, përse nuk janë përdorur. Ajo që dihet tashmë, është fakti se që të gjitha janë dokumentuar nga Shërbimi Inteligjent Amerikan mes emigrantëve shqiptarë në Greqi. Dihet se në këtë kohë në Greqi ka pasur një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë, një pjesë të larguar që pas përfundimit të Luftës së Dytë, një pjesë të larguar gjatë viteve në vazhdim, apo të arratisur, siç përdorej në leksikun e kohës së komunizmit. Po kështu, në Greqi presupozohet që numri më i madh i këtyre të emigruarve të ketë qenë nga Korça dhe Gjirokastra, që të dyja zona kufitare, që të dyja me influencë helene dhe njëkohësisht, që të dyja, vende ku Enver Hoxha kishte kaluar pjesë të rëndësishme të rinisë së tij. Pra, mund të supozohet se të dhënat janë mbledhur nga një numër personash që e kanë njohur Hoxhën në rininë e tij, qoftë në Gjirokastër, qoftë në Korçë, të cilët pas fitores dhe marrjes së pushtetit nga komunistët, duke e parë vetën në anën tjetër të medaljes, apo të mbetur të pakënaqur nga ndërtimi dhe ndarja e pushtetit, kanë qenë të detyruar ose kanë zgjedhur të emigrojnë në Greqi. DOKUMENTI DEPARTAMENTI I INFORMACIONIT DHE HULUMTIMIT 12/28/51 XI (50) 4285 ALBANIA KARAKTERI MORAL I ENVER HOXHËS Një informator në Greqi që e njeh Enver Hoxhën personalisht, ka nxjerrë faktin se bosi komunist i Shqipërisë është homoseksual, ose të paktën një biseksual. Burimi është një mjek me reputacion të respektuar që ka lindur në Shqipëri, duke e kaluar të gjithë jetën atje, derisa në vitin 1944 ia mbathi në Greqi për shkak të komunistëve. Që nga koha e arratisë nga Shqipëria, ai ka mbajtur lidhje të ngushta me zhvillimet në këtë vend. Mjeku tha se në rininë e tij Hoxha ishte shumë simpatik dhe e mësoi shumë shpejt se bukuria e tij kishte një vlerë të konsiderueshme në sytë e bejlerëve të Gjirokastrës, mes të cilëve homoseksualiteti ishte i shfrenuar. Hoxha, atëherë një burrë i pashëm, i dhënë pas qejfeve të shtrenjta, i financonte dëshirat e tij duke e punësuar veten si një prostitutë mashkull te bejlerë dhe homoseksualë të tjerë nga zona e Elbasanit. Informuesi njeh një rast kur Hoxha ka mbuluar humbjet e tij në kumar, me të holla të marra duke bërë shoqëri me homoseksualë të pasur nga Korça. Mjeku tha se Enver Hoxha është një frikacak psikik i regjur, pavarësisht reputacionit të tij sintetik (artificial, red.) si krijues i rezistencës shqiptare. Në një rast, në vitin 1943, informuesi ishte pranë Hoxhës gjatë një këmbimi zjarri mes trupave okupues italianë dhe partizanëve shqiptarë. Kur Hoxha dëgjoi krismat e pushkëve, atij pothuaj i ra të fikët nga tmerri, edhe pse rreziku ishte i pakët. Hoxha thuhet se po jeton nën frikën konstante prej ministrit të tij të Brendshëm, Mehmet Shehu, që është pushteti real në Shqipëri. Shehu, një komunist veteran, që ka luftuar në Spanjë, është një personalitet i fortë dhe vrasës i lindur. Thuhet se ai pëlqen të vrasë me duart e tij. Hoxha i frikësohet faktit se në kohën që nuk do të jetë më tej i dobishëm për sovjetikët, Moska do e ndërsejë Shehun kundër tij. Kjo është arsyeja pse ai me gjasa është më servili dhe më i mjeri nga të gjitha kukullat e Stalinit. 12-14-51 Dëshmia e Aleko Bimlit për CIA-n në vitin 1962: “Partneri i Enver Hoxhës ishte tregtari Samarxhiu” TIRANE/ Të njëjtin informacion, pra që Enver Hoxha ishte homoseksual, e ka dhënë në vitin 1962 edhe Aleko Bimli, një qytetar nga Korça, që dikur e kishte njohur Enver Hoxhën në raportin nxënësmësues në Liceun francez të Korçës. Në dokumentin që “Panorama” e publikoi në numrin e kaluar, ka një paragraf ku jepen të dhëna për orientimin homoseksual të Enver Hoxhës. Autori i këtij informacioni, Aleko Bimli, kujdeset që të paktën të dokumentojë se ai vetë nuk ka pasur dijeni për këtë “dobësi” të Enver Hoxhës dhe sqaron se gjithçka e ka mësuar në Greqi, ku këto dyshime shumëkush mes emigrantëve shqiptarë i ka marrë si të mirëqena. Sërish duke sjellë në informacionin e vet dëshmitë e bindjet e të tjerëve, Aleko cilëson me emër H. Samarxhiun si një prej partnerëve meshkuj të Enver Hoxhës. PARAGRAFI NË DOKUMENT “Këtu në Greqi kam dëgjuar së është edhe pederast. Sa kohë isha në Shqipëri, nuk ma kishte zënë veshi diçka të tillë. Përcaktojnë bile se H. Samarxhiu, një tregtar lëkurësh i emigruar që nga 1943 në Greqi, në gjendje të mirë ekonomike tani në Selanik, – e ka pasur dylber të tij. Natyrisht, personalisht as mund ta përgënjeshtroj, as mund ta vërtetoj këtë akuzë”. Dëshmia e Dushan Mugoshës për CIA-n “Enveri shkon nga fryn era, por është i djallëzuar” TIRANË/ Një nga dokumentet e deklasifikuara të CIA-s, që paraqesin interes të veçantë, mund të konsiderohet informacioni që agjentët e këtij shërbimi i kanë marrë më datë 6 shtator të vitit 1961 Dushan Mugoshës, qytetarit jugosllav, i cili në vitet 1941-1945, bashkë me Miladinin Popoviçin, asistuan lëvizjen komuniste shqiptare si të dërguar të mareshalit Josip Tito. Dushan Mugosha ka bërë për CIA-n një portret të shkurtër me elemente psikologjike të Enver Hoxhës, që ka të ngjarë të ketë qenë i përpiktë për periudhën e veprimtarisë së marrë në analizë. Mugosha u ka thënë amerikanëve se Enver Hoxha është një njeri që influencohet lehtë, që shkon andej nga fryn era, që merr si plastelinë formën që ti i jep e të tjera të ngjashme. Është shumë e habitshme se si ka mbërritur Shërbimi Inteligjent te Dushan Mugosha, por nga ana tjetër është edhe tejet mbresëlënëse. Dushan Mugosha e kishte njohur Enver Hoxhën në rrethana të tjera. E kishte njohur pothuaj krejtësisht të palatuar, në fillimet e karrierës së tij politike dhe, për më tepër, gjatë gjithë periudhës së Luftës e kishte pasur nën kontrollin dhe nën urdhrat e tij. Duket, këto të dhëna u kanë shërbyer amerikanëve që të ndërtojnë një profil psikologjik për Enver Hoxhën, një profil i kërkuar në vitin 1961, kur Shqipëria sapo ishte ndarë me Bashkimin Sovjetik për t’u hedhur në prehrin e Kinës. Askush nuk ka dijeni nëse investimi për marrjen e këtyre opinioneve nga Dushan Mugosha ka pasur një qëllim të caktuar. Sërish, askush nuk di të thotë edhe nëse ky informacion është kërkuar nga Departamenti i CIA-s për luftën psikologjike, i vetmi që mbeti aktiv pas ndërprerjes, në vitin 1954, të të gjitha operacioneve të dhunshme të anglo-amerikanëve për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës në Shqipëri. DOKUMENTI SEKRET Pikëpamjet e Dushan Mugoshës për Shqipërinë dhe shqiptarët në Jugosllavi EKA-01908 06 shtator 61 HOXHA, ENVER (…) Shqipëria drejtohet nga dy diktatorë. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu që plotësojnë njëri-tjetrin, që janë thelbësorë (të rëndësishëm, red.) për njëri-tjetrin. Dushan Mugosha i përshkruan si më poshtë: Është 52 vjeç, njeri me karakter jo të qëndrueshëm, që shkon andej nga fryn era. Ka studiuar në Francë dhe dëshironte të bëhej një mësues i frëngjishtes në Shqipëri. Gjatë regjimit të Zogut, për disa muaj ka shërbyer si sekretar i dytë në Legatën shqiptare në Bruksel. Hoxha është anëtar i edukuar i një vargu hierarkik diplomatësh (prejardhja familjare, red.). Edhe pse shumë aktiv në rezistencë, është vetëm një politikan. Ai asnjëherë nuk ka qenë një luftëtar në fushën e betejës, por ishte komisari politik i Shtabit të Përgjithshëm. “Unë e kam propozuar atë për komandant suprem të Ushtrisë, një post që ai fatkeqësisht e mori në vitin 1944”. Një njeri mund ta influencojë atë lehtësisht dhe për gjithçka, por ka dyshime për të gjitha influencimet, sidomos për ato të këqijat. Mysliman nga Gjirokastra, familja e tij ka prodhuar shumë hoxhë (klerikë). Ai nuk ka kualitete administrative, por ka dhunti për të organizuar procese gjyqësore. Ai është si plastelinë, që ju mund t’i jepni atë formë që doni. Jugosllavët gjatë periudhës së luftimeve e përcaktonin si një “ka”, si një lëkurë kau, që mund të tendoset në çdo drejtim. Është ekstremisht simpatik, por njeri i djallëzuar”. Dokumenti i CIA-s për biografinë e Hoxhës “Në Belgjikë hiqej si pasardhës i një familjeje princërore” Enver Hoxha ka pasur një rini plot aventura. Ky fakt vërtetohet edhe në një tjetër dokument të CIA-s në formën e një biografie telegrafike për veprimtarinë e liderit komunist shqiptar. Dokumenti përmbledh të dhëna të periudhës që nga lindja e Enver Hoxhës, deri në vitin 1952. Më interesantet duket se janë të dhënat për dekorimin në vitin 1945 me yllin e partizanit jugosllav, përmbushja e funksioneve të një të zgjedhuri apo figure të nderuar të Shoqatës Kulturore Jugosllavo-shqiptare më 1945, President Nderi i Shoqërisë Kulturore Ruso-shqiptare më 1946 e të tjera. Në fund të informacionit shkruhet: (…) tha se kur ishte sekretar i Ambasadës Shqiptare në Bruksel, bënte një jetë aventurore duke e prezantuar veten si pasardhës i një familjeje princërore”. Sigurisht që ka shumë të ngjarë që familja princërore, së cilës Enver Hoxha mashtronte duke thënë se i përkiste si pasardhës, duhet të ketë qenë familja e Ahmet Zogut. Por edhe në një tjetër dokument të CIA-s, këtë radhë të janarit të vitit 1957, për Enver Hoxhën thuhet se në rini ka bërë një jetë të pakontrolluar. Informacioni, në formën e një biografie të shkurtër, duket se është hartuar nga agjentët e CIA-s në Romë. Ai sërish nis me datëlindjen e vendlindjen e Enver Hoxhës dhe përfundon me një frazë, që e përkthyer nga anglishtja vjen me këtë kuptim: “Në rininë e tij ai ka lënë shumë për të dëshiruar”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...