Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që u zhvillua me praninë e akademikëve dhe studiuesve përmbylli punimet e edicionit të 42-të. Ky edicion i sivjetmë i Seminarit arriti ta vazhdojë traditën si kryengjarje e albanologjisë dhe me dinjitet sipas organizatorëve festoi 50-vjetorin e themelimit të Seminarit, që është ngjarja më e rëndësishme shkencore në vend. Në faqen e seminarit thuhet se drejtori i SNGJLKSH, prof. Bardh Rugova, fjalimin nuk e pati të gjatë. Ai me pak fjalë i falënderoi ata që e përkrahën këtë organizim e të gjithë ata që punuan për mbarëvajtjen e tij. “Vendosi ta lërë të flasë përjetimin e seminaristëve dhe të gjithë studiuesve që ishin të pranishëm, si dhe vetë punën që fshihet pas atij përjetimi, duke uruar që kjo ngjarje të vazhdojë të ndritë shkencën dhe Prishtinën”, thuhet në faqen e SNGJLKSH. Organizatorët më herët patën paralajmëruar se edicioni i sivjetmë, i 42-ti me radhë, do të jetë prej më të pasurve që është mbajtur ndonjëherë. Disa ditë më parë hapja solemne e përvjetorit të 50-të të Seminarit u bë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nën drejtimin e drejtorit të Seminarit, akademik Bardh Rugovës dhe në prani të themeluesit të këtij eventi, akademik Rexhep Ismajlit. Ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës, prezantime të kumtesave, etj, ishin në programin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (SNGJLKSH) nga data 19 deri më 30 gusht në Prishtinë.
Akademik Prof.dr.Flori Bruqi, PHD AAAS